30.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Nderi që Hollande i bëri Francës

François Hollande nuk do të rikandidojë. Me këtë ai i bën vendit të tij një favor të madh, mendon Max Hofmann.
Në fillim gjithçka është si më parë. François Hollande përpiqet t’i bindë bashkëqytetarët e tij se presidenca e tij nuk ishte kaq e keqe. “Rezultatet do të vijnë”, thotë ai dhe ka parasysh me këtë papunësinë dhe ekonominë e paralizuar franceze. Por përfundimi është një tjetër nga ai që kishin pritur shumë vetë. Ai, presidenti më i papreferuar që kur ekzistojnë sondazhet në Francë nuk do të rikandidojë.
Mesa duket realiteti politik arriti pas pesë vjetësh tek presidenti francez. François Hollande i tërhoqi në humnerë me politikën e tij të lëkundur dhe larg realitetit socialistët e Francës, humnerë prej së cilës ata mund të dalin vetëm të bashkuar. Prandaj së majtës i duhet dikush në krye, të cilin ajo ta mbështesë e bashkuar. Konservatorët e gjetën këtë politikan te François Fillon, presioni te socialistët që të paraqesin sa më shpejt kundërFillonin e tyre është rritur. Shanset që me një kandidat të tillë të arrihet të paktën raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale nuk janë të këqija.

Mbrojtje nga bota moderne e punës
Shumë tema, që preokupojnë jo vetëm njerëzit në Francë, por në të gjithë Evropën janë tema klasike të majta. Në klientelën tradicionale të socialistëve krejt në krye është mbrojtja e “ouvrier”, punëmarrësit: nga globalizimi, nga kapitalizmi i shfrenuar, dixhitalizimi dhe automatizimi. Shumica e këtyre zgjedhësve potencialë, në të kaluarën ia kanë dhënë votën automatikisht socialistëve. Tani shumë prej tyre shkojnë drejt Front-it National, i cili e premton më besueshëm për ta këtë mbrojtje nga rreziqet e botës moderne të punës.
Nëse ndonjë kandidat majtas François Fillon do të ketë ndonjë shans, ai duhet t’i bëjë të vetat këto tema. Suksesi i të majtëve në Francë, si në të gjitha partitë nuk varet vetëm nga temat, por edhe nga personat që veprojnë. François Hollande si kandidat do të kishte qenë një farsë. Kuota e mbështetjes së tij në popull së fundi ishte katër për qind. Ajo që ishte më e keqja, refuzimi i personit të tij dukej se kalonte tek ai pa i bërë ndonjë përshtypje. Por pastaj përfundimi, të cilin e patën pritur vetëm pak vetë: Hollande nuk kandidon sërish.

Fushatë elektorale me dinjitet
Kur e tha këtë fjali, presidenti francez të linte një përshtypje autentike dhe emocionale, gjë që ndodhi rrallë në pesë vitet e fundit. Sado e hidhur që të jetë për të: për herë të parë ai të linte përshtypjen e një njeriu që e ka menduar thellësisht diçka, që kishte nxjerrë prej saj përfundimet e duhura dhe që ishte i gatshëm t’i vinte në jetë ato përfundime. Sado larg popullit francez që u duk ai në pesë vitet e fundit, i mbyllur hermetikisht François Hollande nuk ka qenë, këtë të paktën e tregon fjalimi i tij i së enjtes mbrëma.
Tani ai – ashtu siç duhet – hap rrugën për dikë, i cili mund të nisë një përpjekje të besueshme për ta bashkuar të majtën pas vetes. Çdo kandidat do ta ketë të vështirë kundër François Fillon. Por François Hollande i dha të enjten partisë së tij të paktën shansin për të kryer një fushatë elektorale me dinjitet dhe ndoshta për të penguar që Marine le Pen të arrijë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Me këtë ai i bëri Francës dhe Evropës një favor të madh.

Trump nis mitingjet falënderuese

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka folur kundër globalizimit, ndërsa është zotuar se do të mbyllë kufijtë për disa migrantë nga Lindja e Mesme, derisa ka nisur mitingun e parë në turneun e falënderimit për elektoratin e tij.
Duke folur më 1 dhjetor në një arenë të Cincinnati të Ohios, Trump gjithashtu ka premtuar se do të rikthejë vende pune industriale për punonjësit amerikanë, duke përsëritur temën që e ndihmoi gjatë fushatës zgjedhore.
“Nga tash e tutje, Amerika do të jetë e para, në rregull?”, ka thënë ai.
Trump gjithashtu iu ka referuar një sulmi që ka ndodhur gjatë javës në një konvikt në Universitetin Shtetëror të Ohios në Columbus, sulm i kryer nga një imigrant i natyralizuar me origjinë nga Somalia.
Me qëllim që SHBA-ja të mbahet e sigurtë nga sulme të tjera, Trump ka thënë se ai do të pezullojë imigracionin “nga rajone ku procesimi nuk mund të kryhet i sigurt”, përfshirë edhe disa vende të Lindjes së Mesme.
“Njerëzit po vijnë me të madhe nga rajone të Lindjes së Mesme. Ne nuk e kemi idenë se kush janë ata, nga vijnë, çfarë mendojnë, ndërsa ne do i japim fund kësaj”, ka thënë ai.
Dje, ai ka udhëtuar edhe në Indiana ku një prodhues i klimave ka vendosur të mbajë 1 mijë vende pune në SHBA, në vend se të largojë ato për në Meksikë. Trump e ka kritikuar kompaninë në fjalë gjatë fushatës parazgjedhore.

Rusia: Po na sulmojnë hapësirën kibernetike

Agjencia vendore për mbrojtjen e Rusisë ka njoftuar se, është duke marrë masa që të ndalojë planet nga shërbime të paemëruara të inteligjencës që sipas tyre duan të kryejnë sulme “tejet të mëdha” kibernetike.
Sulmet sipas njoftimit kanë cak sistemin financiar të Rusisë, duke përfshirë edhe aktivitetet e bankave të mëdha të Rusisë.
Shërbimi i Sigurisë Federale (FSB) ka njoftuar më 2 dhjetor se shërbimet kompjuterike të përfshira në sulmet e planifikuara janë nga Holanda, ndërsa ato janë regjistruar si pronë e kompanisë ukrainase “Blazing Fast”.
Komunikata thotë se sulmet do të përcilleshin nga dërgimi i mesazheve telefonike dhe postime në rrjete sociale që do të shpallnin shembjen e bankave kryesore ruse dhe sistemit financiar në tërësi.

James Mattis emërohet sekretar i Mbrojtjes

Sipas burimeve të medias amerikane, presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka caktuar gjeneralin në pension të Marinës, James Mattis si sekretarin e ardhshëm të Mbrojtjes.
Mattis, 66-vjeçar, i bashkohet ekipit të sigurisë kombëtare të zotit Trump që tashmë përfshijnë gjeneralin në pension, Michael Flynn si këshilltar të Sigurisë Kombëtare dhe ligjvënësin Mike Pompeo si drejtor të CIA-s.
Njoftimi zyrtar pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme. Për të marrë postin, do të duhet që Kongresi amerikan të miratojë një legjislacion të ri për të kapërcyer një ligj federal që thotë se, sekretarët e Mbrojtjes nuk duhet të kenë qenë në detyrë aktive para marrjes së detyrës për shtatë vjet më parë. Kongresi ka bërë një përjashtim të ngjashëm një herë më parë, kur gjenerali George C. Marshall u emërua në detyrë në vitin 1950.

SHBA, luftë kundër dezinformimit në internet

Shtetet e Bashkuara mund ta forcojnë në shkallë të gjerë luftën kundër propagandës së huaj në internet nëse Kongresi miraton një pjesë të Ligjit për Mbrojtjen Kombëtare, që parashikon 160 milionë dollarë për këtë qëllim gjatë më shumë se dy vjetëve të ardhshëm.
Një komision i Kongresit i miratoi fondet dje. Kjo do të zgjeronte aftësinë e Qendrës së Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit për të identifikuar dhe luftuar keqinformimin në internet. Kjo masë duhet të miratohet tani nga seanca e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, si dhe të nënshkruhet nga presidenti, para se të hyjë në fuqi.
Përpjekjet për të luftuar propagandën ruse në vendet e Evropës Lindore, i filloi senatori republikan, Rob Portman. Fokusi është zgjerimi i përpjekjeve kundër propagandës që ka në shënjestër Shtetet e Bashkuara, pas raporteve të agjencive të zbulimit se Rusia është përpjekur të ndikojë te zgjedhjet presidenciale amerikane, duke vjedhur dhe publikuar e-mail-et e kreut të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta.
“Ky kërcënim me propagandë dhe keqinformim është real. Është në rritje dhe qeveria amerikane ka rënë në gjumë mbi timon”, tha zoti Portman në një deklaratë zyrtare. “SHBA dhe aleatët tanë përballen me shumë sfida, por ne duhet të luftojmë më mirë kundër operacioneve të gjera propagandistike dhe dezinformuese të drejtuara kundër nesh”, tha ai.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se është përpjekur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve dhe Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se nuk kishte ndonjë preferencë mes dy kandidatëve.
Përveç luftës kundër dezinformimit në internet, ligji i ri do të krijonte një program grantesh për të financuar gazetarinë e pavarur në Rusi dhe vende të tjera.

Tusk: Shtyhen sanksionet kundër Rusisë

Udhëheqësi i trupit ekzekutiv të Bashkimit Evropian thotë se ai pret që sanksionet ndaj Rusisë të shtyhen vitin e ardhshëm, por një gjë e tillë do të jetë vështirë e arritshme në të ardhmen.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, ka bërë këtë koment gjatë një interviste të transmetuar më 1 dhjetor nga televizioni polak, “TVN24”.
Ai ka thënë që Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur atë që të ruajë qëndrim të bashkuar ndaj veprimeve ushtarake ruse gjatë viteve të fundit.
Ai thotë që beson se sanksionet do të shtyhen edhe një herë në muajin janar, për periudhën e zakonshme prej gjashtë muajsh.
Por, ai gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve do e bëjë më të vështirë ruajtjen e unitetit të Perëndimit ndaj Rusisë.
“Unë besoj që pas zgjedhjeve (në SHBA) dhe fitores së Donald Trump, do të bëhet më e vështirë që të ndërtohet një politikë të qartë e Perëndimit drejt Rusisë”, ka thënë Tusk.
Trump gjatë fushatës ka mbajtur qëndrim më pajtues drejt Moskës.
Në Francë, ku shumë vëzhgues po presin që presidenti i ardhshëm të zgjidhet ish-kryeministri François Fillon, i cili gjithashtu ka avokuar për më shumë bashkëpunim me Rusinë.

Chicago, numri i vrasjeve në nivel alarmant

Dhuna e bandave dhe ligjet e dobëta për përdorimin e armëve po fajësohen për rritjen e numri të vrasjeve në Chicago, duke e sjellë atë në nivele që nuk janë parë që 20 vjet.
Policia në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së ka publikuar më 1 dhjetor statistika që tregojnë se në vitin 2016 janë kryer 701 vrasje, ndonëse viti e ka edhe një muaj të përfundojë.
Kjo është hera e parë prej vitit 1998 që në këtë qytet kalohet shifra prej 700 vrasjesh. 77 vrasjet e regjistruara vetëm gjatë muajit nëntor është shifra më e lartë që është regjistruar në këtë muaj që një çerek shekulli.
Dhuna nga armët e ka rënduar jetën në qytetet amerikane në të kaluarën, por ajo ka shënuar rënie në shumicën e qyteteve. Në Chicago, megjithatë shifrat kanë arritur nivele epidemike.
Zyrtari i lartë policor, Eddie Johnson, ka thënë se ligjet e dobëta të shtetit federal ku gjendet Chicago bënë që njerëzit e dënuar për krimet e kryera me armë mbahen më pak në burg se sa në vende të tjera të SHBA-së.

Gjyqtari i “Clasicos” ka histori me Realin

Carlos Clos Gomez do të jetë “bilbili” i sfidës ndërmjet Barcelonës dhe Realit. Për të rrëzuar çdo teori konspirative, ai nuk ka asnjë lidhje me ndonjë drejtues të skuadrës madrilene, por ka qenë i përfshirë në disa nga ndeshjet më interesante të Los Blancos. Për të qenë më të saktë, kur në ndeshjet e Realit ndan drejtësinë Gomez, “galaktikët” kanë shumë fat.
Clos Gomez u godit me një shishe uji nga mesfushori i Grandës, Dani Benitez, në përfundim të ndeshjes m Realin. Granada e humbi sfidën 1-2 falë autogolit të David Cortes në përfundim të ndeshjes. Gomez ndëshkoi me të kuq Benitez, që u përjashtua për tre muaj. Pas përfundimit të ndeshjes, u ndëshkuan me të kuq edhe dy lojtarët e tjerë të Grandës, Moises Hurtado dhe Guilherme Siqueira.
Gomez ishte gjyqtar kryesor edhe në barazimin 2-2 të Realit me Valenican në sezonin 2014-15. Miqtë kishin shënuar dy herë, ndërsa Gomez i dha mundësinë Realit të kthehej në ndeshje përmes një penalltie që Ronaldo nuk e shndërroi në gol. Megjithatë, në pjesën e dytë, Pepe dhe Isco shënuan për të marrë një pikë nga kjo sfidë. Përpara sfidës me Valencian, në sezonin 2013-14, Reali barazoi 2-2 në transfertën ndaj Osasunës. Në “El Sadar” Reali e pa veten në disavantazh prej dy golash në pjesën e parë, por në të dytën sërish ishte Pepe dhe Isco që shënojnë për rezultatin përfundimtar 2-2.
Ndërkohë, Trajneri i katalanasve Luis Enrike ka një ide në kokë se si mund të luajë Reali të shtunën. “Mendoj se do të kemi përballë të njëjtin Real që kur drejtimin e mori Zidane. Një ekip shumë i organizuar në pjesën defensive dhe nuk kanë nevojë për topin që të impresionojë. Posedojnë lojtarë cilësorë, lojtarë kampionë. Është një ndeshje e veçantë dhe janë rivalët tanë dhe luajmë në shtëpi. Duhet të jemi në nivel të lartë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë për të mposhtur një skuadër cilësore si ajo e Realit”, tha trajneri katalanas. Për sfidën ndaj Realit, pritet rikthimi i kapitenit Andres Iniesta, mungesën e të cilit Barcelona e ka ndjerë shumë në ndeshjet e fundit, edhe pse Enrique nuk e pranon. “Është shumë e rëndësishme që Iniesta u rikthye, sepse ai është kapiteni ynë. Por, sa i përket lojës, stili ynë nuk ndryshon në bazë të lojtarit, jemi në një sport ekipor dhe jo individual”, tha ai.

Ndizet “El Clasico”

El Clasico nuk është vetëm një përballje mes emrave të mëdhenj të futbollit Botëror, por është edhe një betejë taktike mes Luis Enriques dhe Zinedine Zidane. Prej ditësh, Barcelona dhe Reali i Madridit janë duke u përgatitur intensivisht për supersfidën e “Camp Nou” që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion, pasi nëse fitojnë Los Blancos do ta çonin në 9 pikë avantazhin ndaj Barcelonës, duke e vrarë përfundimisht kampionatin. Në fakt trajnerët e të dy ekipeve janë treguar të kujdesshëm, duke mos dashur të tregojnë mënyrën se si do të luhet apo formacionet. Blaugranat vijnë në këtë ndeshje me disa futbollistë në formë jo të mirë fizike, siç janë Andres Iniesta dhe mbrojtësi francez Samuel Umtiti.
Nevojitet që të bëhet një vlerësim i detajtuar i muskujve të të dy futbollistëve, pasi siç dihet “El Clasico” është një 90 minutësh me intensitet të lartë loje. Pavarësisht kësaj, alternativat për teknikun Luis Enrique nuk mungojnë. Mascherano ose Sergi Roberto me shumë gjasa do të jenë titullarë në mbrojtje repart në të cilin e ka të sigurtë vendin e tij në formacion Gerard Pique. Nëse argjentinasi Mascherano vendoset në të krahët e mbrojtjes, siç ndodhi në takimin kundër Man.City, atëherë qendra e rapartit difensiv do të jetë e përbërë nga Pique dhe Umtiti. Në mesfushë, Ivan Rakitiç ndërkohë nuk është në formën e tij më të mirë dhe Rafinha është një opsion i vlefshëm për repartin e ndërmjetëm. Sulmi do të përbëhet nga treshja Mesi-Suarez-Neymar.
Ndërkohë që nga kampin e Realit të Madridit situata duket disi më komode, pavarësisht se dëmtimi i Gareth Bale është një mungesë që peshon tek Los Blancos. Trajneri Zinedine Zidane ka disa alternativa në lidhje me formacionin që do të luajë. Një 4-3-3 me Luca Vasquez në krahun të djathë, Cristiano Ronaldo në të majtin dhe Karim Benzema në qendër të sulmit. Formacion ky që mund të kalojë dhe në 4-4-2. Tekniku francez ka dhe një tjetër as nën mëngë, të cilin mund ta përdori, mesfushorin Casemiro. Shumë dilema dhe dëshirë shumë e madhe nga të dyja ekipet për të dalë triumfues. El Clasico mbetet El Clasico dhe pa më të voglin dyshim spektali është i garantuar.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e di shumë mirë rrezikun që mund të vijë nga ylli i Barcelonës, Leo Mesi, andaj ka thënë se ai duhet të mbulohet më së miri në “El Clasicon” e së shtunës. “Ne do ta mbulojmë Mesin. Por jo vetëm atë, do të tentojmë që t’i ruajmë edhe lojtarët e tjerë”, ka thënë Zizu.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka gjetur kohë që të flasë për “El Clasicon” në mes të Real Madridit e Barcelonës. Barcelona ka pasur probleme në këtë sezon dhe në tetë ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm tri fitore në të gjitha garat. Por, për ish- trajnerin e katalunasve, është mirë që edhe Barcelona të humbë ndonjëherë. “Nuk mendoj se është fillim i dobët. Barcelona është në gjendje gjithmonë ta fitojë titullin. Shpresoj se nesër do të fitojnë”, tha Guardiola.

Mirel Josa: Barazimi ishte i pranueshëm

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa e shikon si rezultatin e drejtë barazimin pa gola me Partizanin në ato minuta të mbetura të derbit të kryeqytetit. “Partizani kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për të mbyllur ndeshjen. Ne zgjodhëm një mënyrë tjetër loje, por nuk kishim saktësinë e duhur në pasime. Duhet të kishim bërë diçka më shumë. Të dyja skuadrat nuk ishin të kënaqura me barazimin, por në një sifdë derbi edhe barazimi është i pranueshëm.
Strategjia e Partizanit ishte që ta zhvendoste lojën në qendër të mesit të fushës, ne kishim probleme në qarkullimin e topit dhe Partizani na kapi në befasi në 2 apo 3 raste. Do të kërkojmë një sulmues në merkaton e janarit, por jemi në pritje edhe të Edeh që nuk është një sulmues i mirëfilltë goli. Merveille humbi disa mundësi shënimi në këtë ndeshje dhe kjo ishte ajo që na penalizoi, pasi jemi një ekip që krijojmë raste. Unë nuk mendoj për titullin kampion, ne duhet të përmirësohemi, sepse kemi oshilacione në lojë”, u shpreh Josa.
“Arsyeja që loja nuk shkoi në të njëjtin nivel si ditën e djeshme kishte të bënte edhe me faktin, sepse luheshin vetëm pak minuta dhe asnjëra prej dy skuadrave nuk donte ta humbiste ndeshjen. Prandaj nuk u prodhua i njëjti nivel loje. Kartoni i kuq? Ishin dy faulla taktikë nga ana ime, por arbitri ndoshta mund ta evitonte kartonin e kuq”, u shpreh Erando Karabeci.