Sampdoria dhe Atalanta u kualifikuan në 1/8 e Kupës së Italisë pas fitoreve ndaj Cagliarit dhe Pescarës. Në “Marassi”, Sampdoria nuk e pati shumë të vështirë përballë sardëve duke fituar 3-0 falë dhe një fillimi shumë të mirë. Goli i Alvarezit në minutën e 13-të i dha qetësinë e nevojshme skuadrës doriane, që menaxhoi mjaft mirë rezultatin deri në të 70-ën, kur ishte Schick që dyfishoi shifrat, ndërsa në të 91-ën, Schick shënoi dhe golin e dytë personal. Falë këtij suksesi, Sampdoria kaloi në raundin tjetër, ku iu bashkangjit, Atalantës që formën e mirë të kampionatit e tregoi dhe në Kupë, ku eliminoi pa shumë probleme Pescarën.
Skuadra bergamaske fitoi 3-0 përpara tifozerisë së saj, duke zgjidhur mjaft shpejt ndeshjen me Raimondin e Grassin që shënuan në 30 minutat e para të ndeshjes, ndërsa në fund realizoi dhe Pesic. 3 shqiptarët Maloku, Manaj e Memushaj e nisën ndeshjen nga stoli, me Rejin që u fut si zëvendësues që në minutën e 14-të, duke treguar se marrëdhëniet me trajnerin Oddo janë përmirësuar, ndërsa Memushaj u aktivizua në pjesën e dytë. Në 1/8 kaloi gjithashtu dhe Spezia, që mundi 1-0 Palermon, që pas kësaj sfide shkarkoi dhe trajnerin De Zerbi.
Sampdoria e Atalanta, në 1/8 e Kupës së Italisë
Fitore me goleadë për Realin, ngec Barcelona
Asnjë problem për Realin e Madridit, që siguron me lehtësi një vend mes 16 më të mirëve të Kupës së Mbretit. “Galaktikët” me plot lojtarë të rinj në formacion, mposhtën 6-1 Kultural Leonesën pas suksesit 7-1 në ndeshjen e vajtjes. Në listën e shënuesve sonte ishte edhe emri i Enco Zidanit, djali i madh i trajnerit Zinedin, në të parën ndeshje zyrtare me ekipin e parë.
Ndërkaq, hyn në histori edhe domenikani Mariano Diaz, të cilit i mjaftuan vetëm 23 sekonda për të shënuar golin më të shpejtë të Realit në Kupën e Mbretit. Gjithçka e thjeshtë edhe për Atletikon, që i bëri gjashtë gola Gihelos pas triumfit 2-0 në duelin e parë.
Surpriza e mbrëmjes vjen nga Alikante, ku Herkulesi i ligës së dytë ndali në barazim 1-1 Barcelonën në ndeshjen e vajtjes. Me një ekip me rezerva, të besuarit e Luis Enrikes u ndëshkuan nga David Mainz në të 52-ën. Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi katalanasit barazuan me një gol spektakolar të Karles Alenas. 18-vjeçari realizoi me një të majtë të fuqishme nga rreth 20 metra në debutimin me skuadrën e parë.
Bale mungon deri në prill
Lajm i keq për Realin e Madridit në prag të El Clasico-s me Barcelonën. Pas dëmtimit ndaj Sportingut të Lisbonës në Champions dhe operacionit në Londër, zgjatet periudha në të cilën Gareth Bale do të qëndrojë jashtë fushave të lojës. Sipas mediave madrilene, sulmuesi nuk do të mund të japë kontributin për skuadrën përpara muajit prill. Prej dëmtimit në tendinë, të martën, uellsiani iu nënshtrua operacionit në kavilje. Një goditje e rëndë për teknikun Zidane, që nuk do të ketë shërbimet e lojtarit për 25 ndeshje.
Një lajm i keq ky, edhe sepse fillimisht u mendua që Bale mund të rikuperohej në shkurt të vitit të ardhshëm, për të luajtur në 1/8 e Champions. Por, një komplikim gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka bërë që afati për rehabilitimin e sulmuesit të zgjatet me të paktën dy muaj.
Gjatë operacionit, mjekët evidentuan se dëmtimi në kavilje ishte më i rëndë nga sa parashikohej. Sulmuesit të Realit do t’i duhet të qëndrojë për 10 ditë me kaviljen në allçi. Gjatë kësaj kohe, 27-vjeçari do të qëndrojë në Kardif, ku do të ndjekë nga televizioni edhe duelin Klasik me Barcelonën, për t’u kthyer më pas në Madrid, ku do të nisë fazën e parë të rehabilitimit.
Cavani, Mister 100 golëshi me PSG
Edinson Cavani arrin kuotën e 100 golave. PSG është në dorë të “El Matador”, i cili në takimin kundër Angers, arriti të realizonte golin e tij të 100 me fanellën e parisienëve. Uruguaiani ia dedikoi golin viktimave të klubit brazilian Chapecoense, të cilët humbën jetën në një aksident ajror, duke veshur një bluzë me mbishkrimin “Forca Chapecoense”. Sulmuesi është duke kaluar një moment shumë të mirë duke tejkaluar të gjitha parashikimet e bëra për të. Sezoni më i mirë i Cavanit është ai i vitit 2012-2013 gjatë kohës kur luante për skuadrën e Napolit me 38 rrjeta të realizuara. Sidoqoftë rekordet janë bërë për t’u thyer dhe 29-vjeçari duket se është në rrugën e duhur për të zhvilluar një vit futbollistik me ritme shumë të larta. Goli kundër Angers, e çon “El Matador” momentalisht në kuotën e 19 golave në të gjitha kompeticionet në këtë sezon dhe premisat janë që kjo shifër të rritet. Trajneri i kampionëve të Francës, Unai Emery nuk ka aspak dyshime për cilësitë e bomberit uruguain, madje ai është i gatshëm të vendosë bast se ky do të jetë sezoni më i mirë në karrierë për Edinson Cavanin. Uruguaiani për herë të parë që nga momenti kur ai u transferua tek Parisi, po luan futboll pa qenë nën hijen e Zlatan Ibrahimoviç, por edhe pse suedezi nuk luan më për parisienët, golat e tij kanë lënë gjurmë. 156 është numri i rrjetave të realizuara në katër sezone që ai luajti për PSG, por ky fakt nuk e shqetëson aspak Cavanin, i cili ka deklaruar se detyra e tij është të punojë fort për skuadrën, për arritjen e objektivave sezonalë.
PSG nuk e humbi ritmin e kryesuesve në Ligën e parë franceze pasi bëri detyrën në shtëpi përballë Angers duke fituar me rezultatin 2-0. Skuadra parisiene vinte pas katër fitoreve radhazi në kampionat dhe ndaj Angers hasi probleme deri në momentin që zhbllokoi rezultatin me Tiago Silvën në minutën e 34-tërt. Në pjesën e dytë ishte Cavani që vuri në kasafortë 3 pikët me golin e 2-0. Me këtë fitore PSG ngjitet në vendin e 2-të në klasifikim, 1 pikë pas Nicës kryesuese dhe me pikë të barabarta me Monacon.
Olimpik Lion u ngjit në zonën europiane pas një fitoreje tenistike 6-0 me Nantes që zbret akoma më poshtë në renditje pas kësaj humbje. Miqtë bënë një ndeshje shumë të mirë në transfertën e “La Beaujoire” teksa dominuan të gjithë ndeshjen duke vajtur në pushim në shifrat 3-0 pas golave të shënuar nga Tolisso, Lacazzete dhe Gonalos, që realizoi për herë të parë në këtë sezon. Në pjesën e dytë rezultati u thellua më tej nga Valbuena, Diakabhy dhe Fekir që vulosën fitoren më të thellë të Lionit në këtë kampionat.
Fitore me Napolin
Pas fitores ndaj Fiorentinës, Interi i Stefano Piolit kërkon vazhdimësinë. Për të shpresuar te zona Champions deri në fund të kampionatit, zikaltërit kanë nevojë për disa fitore radhazi në mënyrë që të rikuperojnë terren ndaj skuadrave që kanë përpara në renditje. Interi këtë të premte sfidon Napolin në “San Paolo” në një stadium ku zikaltërit kanë fituar vetëm 2 herë në Kupën e Italisë gjatë 16 viteve të fundit. Gjithsesi Pioli beson se Interi i tij i ka të gjitha mundësitë për të thyer tabunë “San Paolo”.
“Kemi përballë një kundërshtar të fortë që luan mirë. Është një fushë e vështirë, e kemi të qartë se çfarë janë të aftë të bëjnë ata, por ne besojmë te aftësitë tona. Jemi përgatitur mirë dhe do të zbresim në fushë vetëm për fitore”, u shpreh Pioli.
Nga ëndrra për të parë Lionel Messin të mbajë veshur fanellën e Interit një ditë tek projekti i kinezëve për të rikthyer Interin në majat e futbollit italian dhe atij europian. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Napolit, Pioli foli edhe për këto dy tema.
“Të ëndërrosh është diçka e bukur, por në disa raste mund të jetë edhe e rrezikshme. Tashmë duhet të mendojmë vetëm për realitetin. Pronarët e rinj duan të bëjnë mirë, ata transmetojnë grintë te skuadra dhe dëshirojnë ta ngrejnë Interin në nivelet më të larta. Janë shumë ambiciozë”, tha trajneri i Interit.
Njeriu i momentit në shtëpinë zikaltër është padiskutim kapiteni Mauro Icardi, i cili ka realizuar 12 gola në kampionat. Për argjetinasin Napoli ishte gati të shpenzonte 70 milionë euro në verë, por Interi vendosi të mos privohej nga shërbimet e 23-vjeçarit për të cilin Pioli ka vetëm fjalë të mira.
“Icardi po tregon që është një nga sulmuesit më të mirë në botë, është shumë i ri dhe mund të përmirësohet ende. Mauro është një profesionist i vërtetë, një lojtar që punon shumë në stërvitje. Është një shembull për shokët e ekipit dhe gjithmonë vendoset në dispozicion të skuadrës”, përfundoi trajneri i Interit.
Interi fitoi 4-2 me Fiorentinën në “San Siro” në takimin përmbyllës të javës së 14-të të Serisë A dhe rikuperon plot katër pozicione në renditjen e përgjithshme. Zikaltrit në fakt e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke shënuar 3 gola për 19 minuta lojë. Fitorja e parë si trajner i Interit për Stefano Piolin ishte mahnitëse.
Mihajloviç: Ajeti është i justifikuar, të tjerët jo
Torino arriti të kualifikohej në turin tjetër të Kupës së Italisë pas fitores përballë Pizës, një ndeshje në të cilën debutoi për herë të parë në ndeshje zyrtare me këtë skuadër mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Arlind Ajeti. Lojtari shpreson të ketë bindur trajnerin Sinisa Mihajloviç me paraqitjen e tij dhe trajneri serb justifikoi pikërisht 23-vjeçarin shqiptar në shpërthimin e tij pas ndeshjes, ku kritikoi shumë prej futbollistëve që kishte aktivizuar në këtë sfidë.
“Nuk treguam asgjë në fushë, zero parime loje. Stërviten të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe për mua është e pafalshme që lojtarë të Torinos, në një turne të rëndësishëm si Kupa e Italisë, të hyjnë në fushë kështu. Disa ishin të justifikuar, si Ajeti, i cili nuk ka luajtur asnjëherë apo djemtë e rinj, por nga të tjerët prisja shumë më tepër”, ishin fjalët e Mihajloviç në konferencën për shtyp pas ndeshjes, të cilin ekipi i tij e fitoi me rezultatin 4-0 pas shtesave.
“Një herë mund të gabohet. Unë do të vazhdoj të flas për 22 titullarë, por sigurisht që nuk do të ketë më raste për të gabuar për ndonjë. Sot, shumë luajtën edhe xholin”, paralajmëroi trajneri.
Ja pse Keidi Bare nuk debutoi me Atleticon
30 tetori 2016 duhej të ishte dita e debutimit të Keidi Bares te Atletico Madrid. Mesfushori kuqezi u grumbullua nga trajneri Diego Simeone, në ndeshjen e Kupës së Mbretit, ku “colchoneros” fituan 6-0 në fushën e Guijuelo-s. Duhej të ishte një ndeshje e mirë për të testuar plotësisht potencialin e Bares dhe për ta shndërruar më pas 19-vjeçarin në një alternativë të rëndësishme për ekipin e parë.
Megjithatë, në suksesin tenistik në duelin e parë të raundit të katërt, me Atleticon që hipotekoi kualifikimin në 1/8-at, mesfushori nga Fieri mbeti jashtë ekipit, me stafin teknik që grumbulloi Olabe-n. Gazeta spanjolle “AS” zbuloi prapaskenat e lënies jashtë dhe debutimit të munguar të Keidi Bares. Shkak është bërë një karton i kuq, me të cilin lojtari ishte ndëshkuar në ndeshjen e fundit me Atletico B.
Klubi madrilen i dërgoi një shkresë zyrtare Federatës spanjolle për të sqaruar situatën e mesfushorit dhe faktin nëse ai mund të luante në Kupën e Mbretit. Në mënyrë të habitshme, Federata nuk dha asnjë përgjigje dhe mes dyshimit se aktivizimi i parregullt i shqiptarit mund ta penalizonte Atleticon, Keidi Bare u la jashtë skuadrës, për të pritur një tjetër shans nga trajneri Simeone, ndoshta në ndeshjen e kthimit ndaj Guijuelo-s, më datë 20 dhjetor.
Vendimi u mor për të evituar një tjetër situatë si ajo e sezonit të kaluar, kur Reali i Madridit u përjashtua nga turneu pas aktivizimit të mesfushorit Cheryshev në ndeshjen me Cadiz. Edhe në atë situatë, Federata spanjolle nuk i lajmëroi “Los Blancos” për pezullimin e futbollistit, një pakujdesi të cilën Reali e pagoi duke u larguar nga turneu edhe pse ishte një prej skuadrave pretendente.
Strakosha luan derbin e zjarrtë
Thomas Strakosha përgatitet për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij. Të dielën në “Olimpico” luhet një nga derbit më të ndjerë dhe me më shumë rivalitet të futbollit botëror, Lazio-Roma. Përpara disa muajsh Strakosha as që do ta kishte imagjinuar se do ta përjetonte si protagonist këtë sfidë, por falë punës dhe përkushtimit të shfaqur në stërvitje dhe paraqitjeve fantastike në ndeshjet që ka luajtur me Lazion në këtë kampionat do të jetë talenti shqiptar ai që do të mbrojë portën e skuadrës bardhekaltër në derbin e kryeqytetit italian.
Federico Marchetti nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë dhe tashmë është e sigurtë prania e Strakoshës në formacionin titullar të Lazios për ndeshjen ndaj verdhekuqve të Luciano Spallettit. Simone Inzaghi beson shumë te 21-vjeçari shqiptar, i cili në 5 ndeshjet që është aktivizuar si titullar në këtë sezon të Serisë A me skuadrën kryeqytetase ka pësuar në total vetëm 3 gola, duke përcjellë sigurinë dhe klasin e tij mes shtyllave.
Nëse vazhdon me këto ritme Strakosha ka shanse të mira të jetë ai titullari i Lazios edhe në momentin që Marchetti do të rikthehet nga dëmtimi, por derisa të vijë ai çast derbi i Romës është një mundësi e shkëlqyer që ish-portieri i Salernitanës, të fitojë zemrat e tifozëve bardhekaltër dhe të blindojë vendin e tij në formacion. Strakosha së fundmi është grumbulluar rregullisht edhe nga trajneri Giani de Biasi në kombëtaren kuqezi dhe nëse vazhdon të paraqitet në këto nivele në mungesë të Etrit Berishës, 21-vjeçari ka shanse të mira të bëjë debutimin e tij me Shqipërinë pikërisht në sfidën ndaj Italisë që do të zhvillohet në mars në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos.
Rritet sërish borxhi për ekonominë
Huaja për ekonominë është rritur lehtë me rreth 1 miliard lekë apo rreth 0.18% në raport me muajin e mëparshëm, duke mos dalë nga apatia ku është futur prej disa muajsh radhazi. Të dhënat bëhen të ditura nga Banka e Shqipërisë. Në fund të tetorit, stoku i huasë së dhënë në ekonomi ishte 550.7 miliardë lekë. Që pas qershorit, kur arriti nivelin më të lartë në gati një vit, huaja për ekonominë është ngadalësuar ndjeshëm.
Rritje e lehtë në tetor është konstatuar në të gjithë segmentet, si në kredinë për biznese ashtu dhe atë për individë. Ecurinë më pozitive e kishte kredia në lekë për individët, që shënoi një zgjerim mujor prej 0.6%. Bankat e kanë përqendruar vëmendjen muajt e fundit te kredia që marrin familjarët për konsum apo për blerje të pasurive të paluajtshme, pasi këto hua, ndryshe nga ato të bizneseve, kanë rezultuar më pak problematike.
Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë për qindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit.
Pas një tkurrjeje në shtator, edhe huaja për kompanitë u rrit me 0.2% me bazë mujore.
Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, huaja për ekonominë është zgjeruar vetëm me 0.5%. Huaja është futur në ngërç dy vitet e fundit, duke reflektuar nivelin e lartë të kredive të pakthyera në afat, që ishte mbi 21% deri në fund të shtatorit, kërkesën e dobët nga bizneset dhe shtrëngimin e kritereve të huadhënies nga bankat.
Pesë kompani, energji nga era në Devoll
Pesë kompani shqiptare janë bashkuar në një konsorcium për të ndërtuar një park fotovoltaik ku do të prodhohet energji nga era në zonën e Devollit, përkatësisht në fushën e Maliqit.
Kompanitë “GAMMA SOLAR”, “ALFA ENERGY”, “BETA ENERGY”, “DELTA SOLAR” dhe “SOLARIS” kanë shprehur interesin dhe kanë paraqitur aplikimin në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës për ndërtimin e parkut të energjisë me erë që pritet të prodhojë 50 MW energji elektrike.
Këto lloj investimesh që nuk janë koncesionare kalojnë një procedurë miratimi të veçantë që rregullohet me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
Dy kërkesa të ngjashme janë bërë më herët këtë vit për ndërtimin e parqeve energjetike në Vlorë dhe në Himarë.
Përpjekjet e mëparshme për të investuar në ndërtimin e burimeve të reja energjetike nga era kanë dështuar për shkak të kontestimeve që ato kanë pasur për ndikimin në mjedis.
Në vitin 2011, Moncada ishte një tjetër projekt në fushën e energjisë së rinovueshme, nga era, i cili ka mbetur vetëm në letër. I projektuar për të qenë si shoqëria më e madhe e prodhimit të energjisë nga era në Europë, projekti synoi ndërtimin e centraleve të erës në Karaburun dhe në Llogora, me një vlerë gati 800 milionë euro investime. Gjithashtu në projekt ishte parashikuar edhe ndërtimi i linjës së transmetimit të energjisë në Itali. Ndikimi në mjedis dhe mungesa e mjeteve financiare kanë qenë faktorët kryesorë që çuan projektin drejt shuarjes.
Por teksa Ministria e Energjetikës ka futur në proces aplikimin e tretë për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga era nuk ka finalizuar ende asnjë nga këto investime.