27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

BBC: Shqipëria, kryeqyteti europian i drogës

Shqipëria është shndërruar në prodhuesin më të madh të cannabis-it në Europë. Bima narkotike konsiderohet si “ari i gjelbërt” nga fermerët kultivues. Në një vend të varfër, kjo është një industri prej miliarda eurosh.
Pas një rruge të shkatërruar, në një fshat të vogël në veri të Tiranës, shfaqet një shtëpi me tulla gjysmë e rrënuar. Është e vetme dhe duket e rrënuar. Në fakt nuk është. Aroma që vjen nga një prej dhomave të saj zbulon funksionin që ka tani: prodhimin e cannabis-it. Brenda, më shumë se gjysma e dyshemesë është e mbuluar me drogën që po thahet.
“Janë rreth 20 kg këtu”, thotë pronari i saj. Ai është i ri – rreth të njëzetave ndoshta – i veshur me xhinse, bluzë dhe atlete. Edhe ai është një nga mijëra njerëzit që po bëjnë para me cannabis-in.
Në Shqipëri, një kilogram drogë shitet mes 100 dhe 200 eurove. Në Itali arrin në 1 500 euro. Dhe pjesa më e madhe e cannabis–it trafikohet jashtë – në veri nëpërmjet Malit të Zi, në jug në Greqi dhe nëpërmjet Adriatikut në Itali. Tregu vendas është i papërfillshëm. Burimet tona vlerësojnë se industria e paligjshme mund të gjenerojë rreth 5 miliardë euro në vit – thuajse gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
20 kilogramët e bimës që po thahet ngadalë nën rrezet e diellit që hyjnë nga një dritare nuk përfaqësojnë të gjithë prodhimin e këtij njeriu.
“Kam prodhuar 350 kg”, thotë ai. “Këtë vit, thuajse çdo familje në fshat ka kultivuar cannabis – tonelata dhe tonelata janë prodhuar vetëm në këtë fshat”. Ky njeri ka punësuar 15 vetë për korrjen dhe përpunimin dhe njerëz të armatosur për të mbrojtur prodhimin. Ai thotë se komandon, por me shumë mundësi është pjesë e një rrjeti të gjerë. Kështu që, nëse çdokush po kultivon dhe duket se këtë e dinë të gjithë, përse nuk ka patur këtu aksione të policisë?
“I paguaj 20% policisë. Të gjithë i paguajmë. Nëse nuk paguan, të arrestojnë”, thotë ai. Më pas vihet në mbrojtje. “Ky është mallkimi ynë –këtu nuk ka punë, s’ka. Nuk ka para me asgjë tjetër që mund të mbillet. E di që nuk është gjë e mirë kjo që po bëj, por s’kam rrugë tjetër”.
Për dekada me radhë shqiptarët jetuan nën një regjim ndëshkues dhe të mbyllur. Pastaj, pas rënies së komunizmit, erdhi një kohë trazirash civile dhe një rritje e shpejtë e krimit të organizuar. 25 vjet më vonë, papunësia është ende e lartë dhe korrupsioni i përhapur –kushte që e lejojnë trafikun e cannabis–it të lulëzojnë.
Qeveria ka pasur disa suksese në luftën kundër industrisë së paligjshme. Ajo thotë se më shumë se 2 milionë bimë janë shkatërruar gjatë këtij viti dhe tani që sezoni i kultivimit është mbyllur, policia është e përqendruar në konfiskimin e drogës që përgatitet për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë.
Disa nga sasitë e kapura kanë qenë të mëdha.
Në një magazinë të madhe në Rrëshen, cannabis–i është hedhur palë–palë për t’u tharë në rafte prej rrjete. Në dyshemenë e betonit ka më shumë drogë. Disa thasë janë radhitur poshtë dhe përhapen deri tek një furgon i mbushur plot.
Në mesin e këtij deti me drogë – me syzet në fund të hundës dhe me një armë në brez – qëndron oficeri në detyrë, Agron Cullhaj, i cili e përshkruan këtë si sasinë më të madhe të drogës të gjetur ndonjëherë në këtë zonë.

BBC: Droga u pesëfishua krahasuar me vitin 2015

Vetëm në këtë magazinë janë më shumë se 4 tonë cannabis, me një vlerë tregu prej 6 milionë eurosh. “Kur unë mora detyrën në vitin 2013, nisa të planifikoja aksione të shumta kundër kultivimit të cannabis–it”, thotë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në misionin e saj për të shpëtuar Shqipërinë nga kanabisi, qeveria ka mbështetjen e italianëve. Guardia di Finanza paguhet për mbikëqyrjen ajrore për të identifikuar plantacionet dhe janë statistikat e saj që citojnë politikanët shqiptarët.
“Nga 2013 më 2016, të dhënat tregojnë një ulje me 30% të sipërfaqeve të kultivuara me cannabis. Kjo do të thotë se jemi në rrugën e duhur”, thotë Tahiri.
Ulja me 30% është pasojë e operacionit policor të vitit 2014 që shkatërroi industrisë e mirëndërtuar të kanabisit në Lazarat, një fshati të vogël në jug që dikur quhej si “kryeqyteti i drogës në Europë”. Në operacionin që u angazhuan forca speciale dhe mjete të blinduara u kapën shumë ton me cannabis dhe u shkatërruan mijëra plantacione.
Por nëse krahasoni të dhënat e italianëve për vitet 2015 dhe 2016, ato tregojnë një rritje me 5 herë të zonave të kultivuara me kanabis. Burime në Shqipëri thonë se shumë fshatra kanë kultivuar drogë për herë të parë këtë vit.
Korrupsioni është thelbësor në suksesin e këtij biznesi të paligjshëm – diçka që ministri i Brendshëm e di. “Sigurisht që janë korruptuar policë”, thotë ai. “Që prej ditës sime të parë në detyrë, më shumë se 3 000 policë janë nën hetim penal apo disiplinor. Kjo është thuajse 20% e të gjithë trupës së policisë”.
Por asnjë nga këta policë nuk është nën hetim për cannabis-in. Korrupsioni në Shqipëri rrjedh në kaq shumë të çara në jetën e përditshme. Një arsye tjetër përse trafiku i kanabisit është i vështirë për t’u luftuar është sepse ata (trafikantët) paguajnë 20 euro në ditë në disa vende.
“Si kamerier paguhesha vetëm sa një e treta e asaj që merrja nga cannabis–i”, thotë një 20–vjeçar, prindërit e të cilit e ndaluan kur kuptuan se çfarë po bënte.
Ai jeton në periferi të Tiranës, në një familje rurale të migruar pas rrëzimit të sistemit komunist në fillim të viteve ‘90. Ata erdhën për të kërkuar punë, por më shumë se dy dekada më vonë është ende e vështirë për të gjetur punë të rregullt e të ligjshme. Cannabis–i mbylli një boshllëk.
“Në orën 4 të mëngjesit mund të shihni njerëz që shkojnë në punë”, thotë një i ri tjetër. “Rrugët janë plot me gra, burra e të rinj –madje edhe fëmijë…”.
Një flotë furgonash i dërgon punëtorët jashtë në fshat. Në sezonin e kultivimit ata punojnë në plantacione. Pas të korrave, ata përgatisin dhe bëjnë gati drogën për trafikim.
Kritikët thonë se këta punëtorë të përditshëm kanë më shumë gjasa të jenë kapur në aksionet e policisë, ndërsa peshqit e mëdhenj shpëtojnë. Dhe, edhe në qoftë se dikush i lidhur me krimin e organizuar kapet, ndaj pak prej tyre ngrihen akuza serioze, të tilla si pjesëmarrja në një rrjet kriminal.
Ministri Saimir Tahiri thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“Ne nuk kemi zgjedhur të shkojmë pas fshatarëve që kultivojnë plantacione të vogla për të luftuar varfërinë. Ne ndjekim ata që, sipas analizave tona, janë ‘peshq të mëdhenj’. Kemi 1 600 procedime penale dhe kemi bërë më shumë se 400 arrestime, të cilat tregojnë se ne po ndjekim ata që financojnë, organizojnë dhe fitojnë nga ky biznes”.
Ka shumë shqetësim në Shqipëri mbi impaktin e prodhimit të cannabis–it dhe se si të rinjtë – ambiciozë dhe të paduruar për një jetë më të mirë – mund të rezistojnë pa u përzjerë. “Ka shumë të rinj në burg. Unë mendoj se ata janë viktima”, thotë prifti katolik Gjergj Meta.
“Shumë prej tyre – burra e gra – janë të bindur se mund të fitojnë shumë para. Kështu që kultivimi i cannabis–it nuk na jep një kulturë pune. Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme”.
Atë Gjergji shkruajti një letër që u publikua online dhe u përhap me shpejtësi në Shqipëri. Ai ia drejtoi atë një të riu imagjinar.
“Ti ndoshta nuk ke mundësi ta lexosh këtë letër”, shkruante ai. “Sepse ti ndoshta sot je roje në ndonjë parcelë të mbjellë me kanabis me kallash në krah ose po qëron bimët në ndonjë magazinë, ose po mban thasët e po i transporton, ose thjesht je në burg, sepse kësaj here të kanë kapur…”.
Më tej, në një prozë të bukur ai përshkruan se si historia e turbullt e Shqipërisë – komunizmi, kulti i të fortit dhe krimi i organizuar – i kanë pakësuar mundësitë. Letra mbyllet me një apel për të rinjtë që t’u kthejnë shpinën parcelave me kanabis.

“BBC”

Tërhiqen 300 milionë euro nga bankat në 10 muaj

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Pas një rritjeje të fortë në gusht, që vijoi me ritme më të ngadalësuara edhe në shtator, depozitat në banka kanë shënuar një rënie të fortë në muajin tetor. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, kursimet e individëve, bizneseve e institucioneve arritën në 992.2 miliardë lekë, duke rënë me 2.6 miliardë lekë apo 0.3% në raport me muajin e mëparshëm.
Kjo tkurrje ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rënies së kursimeve në lekë, ku individët kanë vijuar të zbrazin depozitat me afat në monedhën vendase, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme që ofrohen nga bankat. Për kursimet njëvjeçare norma e kthimit është më e ulët se 1% dhe teksa inflacioni i ka kaluar 2%, përfitimi real është negativ.
Në tetor, depozitat me afat në lekë të individëve u ulën me 5.8 miliardë lekë apo rreth 40 milionë euro. Në një vit (tetor 2016/tetor 2015), depozitat me afat në lekë kanë rënë me 40 miliardë lekë apo rreth 300 milionë euro, duke u tkurrur me 12%, ku kryesisht kanë rënë kursimet me afat maturimi 1-vjeçar. Këto para kanë shkuar drejt maturiteteve më të gjata, drejt blerjes së letrave me vlerë të qeverisë apo ka dhe individë që janë tunduar në investime më të rrezikshme, si ajo në platformat online apo forex.
Depozitat me afat në lekë të individëve përbëjnë rreth 30% të totalit të kursimeve në vend.
Ndryshe nga leku, tendenca e kursimeve në valutë ka qenë në rritje, duke u zgjeruar me gati 7% në tetor me bazë vjetore, për të arritur në 516 miliardë lekë. Kjo ecje me kahe të kundërta ka bërë që pesha e kursimeve në valutë të rritet në 52% të totalit në fund të tetorit 2016, nga 49.7% që ishte në tetor 2015.
Rritja e kënaqshme e kursimeve në valutë kanë bërë që dhe qeveria të ndryshojë strategji dhe të shesë letra me vlerë në euro, në përpjekje për të shfrytëzuar nivelin e lartë të parave në monedhën e përbashkët që po qarkullon në ekonominë shqiptare. Edhe vetë Banka e Shqipërisë ka pranuar se ka euro me tepricë në treg, ndërsa euro është zhvlerësuar ndjeshëm duke u këmbyer aktualisht me rreth 136 lekë nga 140 lekë në fillim të vitit.

“Monitor”

“Corriere della Sera”: Droga e Shqipërisë ka pushtuar Romën

“Droga mbërrinte nga Shqipëria. Kuintalë të tëra kryesisht me hashash të destinuar për bandat që menaxhojnë shpërndarjen e drogës në zonën e qendrës dhe në lindje të kryeqytetit”.
Kështu e fillon shkrimin e përditshmja italiane “Corriere della Sera” në edicionin e saj të Romës.
Media shkruan se gjysma e kryeqytetit italian është “e pushtuar” nga hashashi shqiptar.
Lajmi i referohet arrestimit të fundit të policisë italiane në Romë, i cili zbardhi një rrjet të gjerë të furnizimit me kanabis shqiptar dhe që përfshinte mbi 1 mijë klientë.
4 personat e arrestuar janë 4 shtetas italianë, Emanuel Barone, 34 vjeç dhe Cristiano Bussaglia, 36 vjeç të konsideruar si krerët e bandave trafikante, si dhe Samir Urso e Alessio Nataletti.
Sipas policisë, bëhej fjalë për 4 banda të ndryshme, por që me raste bashkëpunonin me njëra-tjetrën për ndarjen e zonave të kontrollit të shitjes së narkotikëve.
Droga trafikohej kryesisht në zonat më të populluara të Romës si Petralata, Montesacro, Santa Maria Soccorso, Casal de’Pazzzi, Casal Bruciato etj., ku dhe numri i trafikantëve të vegjël është mjaft i lartë.
Bandat ishin të armatosura me pushkë e pistoleta për të mbrojtur zonat e kontrolluara prej tyre.
Hetimet kanë zbuluar se marrëveshja për furnizim me kanabis nga Shqipëria ka filluar që në vitin 2013.

INSTAT: Eksportet në rënie me 3.5%

Totali i eksporteve arriti në 199 miliardë lekë për 10 muajt e këtij viti, me një rënie prej 3.5% në raport me të njëjtën periudhë, sipas të dhënave nga INSTAT. Tkurrja e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është arsyeja kryesore që po ndikon në këtë trend negativ të eksporteve, ndërsa po amortizohet dukshëm nga ecuria e mirë e grupit “tekstile dhe këpucë”.
Gjithsesi, për të tretin muaj radhazi, eksportet kanë shënuar tendencë rritëse, duke ngadalësuar ritmet e rënies, nga -6.6% për 7-mujorin në -5.3% për 8-mujorin, -4.6% për janar-shtator dhe -3.5% për 10-mujorin (me bazë vjetore). Në tetor është konstatuar rritje e eksporteve edhe për grupe që kishin qenë për muaj radhazi me rënie, si për shembull, ai i metaleve dhe materialeve të ndërtimit.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 89 miliardë lekë, me një zgjerim prej 19% me bazë vjetore, duke ngadalësuar lehtë ritmet e rritjes. Aktorët e tregut pohojnë se ka një interes të lartë nga kompanitë e huaja, jo vetëm italiane, për të punuar me kontraktorët shqiptarë, ndonëse industria po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostove. Për periudhën janar-tetor, eksportet e këtij grupi përbënin 45% të totalit, nga 36% në të njëjtën periudhë të 2015-s, duke u bërë sërish segmenti më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” ranë me 36% për 10-mujorin, në 36 miliardë lekë. Pavarësisht se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur në rreth 50 dollarë për fuçi, ky grup nuk po arrin të ndalë rënien, teksa aktorët e tregut pohojnë se tregu mbetet i dobët dhe nuk ka interes për naftën shqiptare. Eksportet e naftës pritet të bien edhe më tej pas marrëveshjes së Bankers Petroleum, prodhuesit më të madh në vend, për t’i shitur një pjesë të konsiderueshme të prodhimit kompanisë IRTC, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e naftës ARMO, marrëveshje që është bërë efektive nga nëntori, sipas burimeve nga Bankers.
Shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve vijojnë të jenë me tkurrje (-16% për 10-mujorin) për të arritur në 26 miliardë lekë, si rrjedhojë e daljes nga tregu të prodhuesit të çelikut, Kurum. Megjithatë, në tetor, në një sinjal pozitiv, eksportet e këtij grupi u rritën për herë të parë këtë vit me gati 12%.
“Ushqimet, pijet dhe duhani”, për 10-mujorin u rritën me 23%, për të arritur në rreth 20 miliardë lekë, duke marrë veten, pas ecurisë së dobët në shtator.
Grupet e tjera kanë shitje të ulëta dhe nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë lulëzim këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluar kur eksportet e makinerive e pajisjeve dhe ato të prodhimeve të drurit dhe letrës shënuan rritje dyshifrore.

“Monitor”

Krichbaum poston foton me Merkel pas bisedës për Shqipërinë

Deputeti gjerman i partisë CDU të Kancelares Merkel ishte në Tiranë rreth 1 javë më parë, ku prezantoi 7 pritshmëritë e grupit parlamentar CDU-CSU në Bungestag, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat.
Por, puna e deritanishme e qeverisë shqiptare sipas tij nuk është mjaftueshëm, dhe në këtë mënyrë deklaroi se grupi parlamentar CDU-CSU do të kërkojë në Bundestag që vendit tonë mos t’i hapen negociatat. Kryeministri Edi Rama tha se Gunther Krichbaum është një zë i veçuar dhe ka folur në emër personal.
Por, ja ku vjen edhe prova se Krichbaum ka qenë në Tiranë me porosi të Kancelares gjermane, Angela Merkel.
Ditën e djeshme, para mbledhjes së grupit parlamentar CDU, deputeti Gungther Krichbaum zhvilloi një bisedë me Kancelaren gjermane.
Ai ka postuar në Facebook edhe një foto ku shfaqet duke biseduar me Merkel dhe sqaron: “Përpara mbledhjes së grupit, pata një bisedë të shkurtër me Kancelaren rreth vizitës sime në Shqipëri javën e kaluar”.

Prapë beton tek liqeni, prerje pemësh për fusha regbie të Erit

Nga Artan Rama

Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit, një njësi autonome në varësi të Bashkisë së Tiranës, ka njoftuar zhvillimin e një tenderi me një vlerë prej 10,533,264 (dhjetë milionë e pesëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, pa TVSH, për ndërtimin e disa fushave sportive brenda hapësirës së Parkut të Madh të Liqenit Artificial!
Më saktë, në hapësirën në krahun perëndimor, që kufizohet prej varrezave të ushtarëve britanikë dhe obeliskut të Debatikut, në krahun lindor të tij!
Ende pa u mbushur viti nga ndërtimi i këndit të lodrave, një tjetër ndërhyrje në park, këtë herë madje, në zemër të tij!
Kjo ndërhyrje parashikon, në një kohë të shkurtër, ndërtimin e një fushe futbolli, një fushe regbie, një basketbolli dhe një volejbolli!
Projekti përfshin gjithashtu, ngritjen e një sistemi qarkues pankinash për spektatorë, si dhe vendosjen e Info Point për të komunikuar me qytetarët.
Ndërtimi i një infrastrukture mbështetëse, për të siguruar një sistem ndriçimi e mirëmbajtjeje, është parashikuar në funksion të kompleksit të ri sportiv.
Një tjetër fond shtesë konsulence, prej 271,930 (dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë) lekë pa TVSH, është parashikuar si shpenzim gjatë zbatimit të projektit.
Megjithëse vënia e këtij fondi për mbikëqyrje në dispozicion të të tretëve e vendos superBashkinë në një pozicion qesharak, për shkak të pamundësisë për ta kontrolluar vetë nismën e saj, në mënyrë që të kursejë paratë e taksapaguesve, situata, realisht është serioze!
Është hera e dytë, brenda vitit, që Agjencia famëkeqe e Parqeve dhe e Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës tjetërson hapësira të gjelbëra brenda një territori ndaj të cilit publiku ka një ndjeshmëri të lartë.
Në fillim të këtij viti, për herë të parë në historinë e Parkut të Liqenit, u futën fadromat dhe betonieret! Qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që u përleshën me autoritetet, në përpjekje për ta ndaluar këtë ndërhyrje, numëruan qindra ton beton të hedhur në emër të një këndi lodrash për fëmijë që Bashkia e Tiranës vendosi ta ndërtojë në shkelje të plotë me aktet dhe procedurat ligjore.
Po përpjekja për shkatërrimin e Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës, qëllimi për ta tjetërsuar e për ta shndërruar në një zonë urbane të rëndomtë po vazhdon me ritme të shpejta!
Ende pa u mbyllur viti, ky projekt i ri, të cilin enkas e quajnë “Rikualifikim të Fushave Sportive”… ka vetëm një rezultat: betonizimin e mëtejshëm të kësaj hapësire të gjelbër!
Titulli, “Rikualifikim të fushave sportive” e jo ndërtim të tyre, kur dihet se aty nuk ka kurrfarë fushë të tillë, lind dyshimet se bëhet qëllimisht për të shmangur procedurat e lejeve përkatëse për ndikimin e projektit në mjedis.
Nëse e lexon projektraportin të vjen të qeshësh me qëllimet e tij. Objektivat janë të gabuara, ndërsa të dhënat e fizibilitetit janë mbushur me gënjeshtra!
Po përmend vetëm se çfarë shkruhet në një paragraf: “Të sjellim risi (fushë regbie) në shfrytëzimimin e parkut!”. Dhe më tej shtohet: “Sporti i regbisë në Shqipëri po zhvillohet shpejt dhe ka interes tek të rinjtë!”.
Kështu, nuk është çudi që vitin e ardhshëm të themelohet dhe e para fushë e futbollit amerikan, në teatrin me gurë të bardhë, pranë kishës së Shën Prokopit!
Më tej, në projektraport lexojmë për shtresat e materialeve të ngurta që do të sillen në park…
Beton!!! Përsëri beton. Fusha e basketbollit dhe fusha e volejbollit do të shtrohet me beton, ndërsa e futbollit dhe regbisë, me granil e rërë. Në fushën e basketbollit kemi një shtresë prej 30 cm çakëll dhe 15 cm beton, ndërsa fusha e volejbollit ka dhe një shtresë tartani shtesë prej 2.5 cm që në total rezulton një shtresë prej afro gjysmë metri materiale të ngurta të futura në dhe, shumica e të cilit do të jetë beton.
Fusha e futbollit dhe regbisë do të ketë dy shtresa të ndryshme granili, si dhe një tapet bari me trashësi prej 3.5 cm. Ndërsa bazamenti Info Point dhe pankinat do të jetë beton dhe zhavorr së bashku.
Në ndërhyrje parashikohet gjithashtu, ndërtimi i një rrjeti infrastrukturor ndriçuesish, projektorësh LED, pusetash, si dhe një numër shtyllash metalike me lartësi prej 7.5 m.
Pra, një miniqytezë sportive në zemër të Parkut!
Nuk është kryer asnjë dëgjesë publike dhe të gjitha pretendimet se projekti është fryt i një komunikimi të vazhdueshëm me qytetarët, është fiktiv dhe i pavlerë.
Në fund, çdokush mund të pyesë, jo pa keqardhje. Ç’është ky modifikim? Përse kjo marrëzi e re. Përse kjo këmbëngulje permanente për urbanizimin e të vetmes hapësirë të gjelbër të mbetur në Tiranë? Përse i tërë ky përqendrim vetëm në pjesën historike të bulevardit deri te Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës?
A nuk do të ishte e udhës që zhvillimi të shtrihej përtej, në aksin e ri të sapohapur të bulevardit? Le të zhvillohej Kashari, Paskuqani! Përse gjithçka vetëm në një zonë?
Po ndoshta sepse nuk janë aq të zotë të zhvillojnë një infrastrukturë të re urbane dhe ndoshta, sepse aksioni politik motivohet prej interesash financiare të një grupi gjithnjë e më të vogël të preferuarish biznesmenë që kanë për qëllim të sigurojnë rritjen e të ardhurave në kurriz të infrastrukturës ekzistuese e të së mirës publike.
Sepse kjo ndërhyrje, e cila mund të afrojë disa të rinj të apasionuar pas regbisë për të luajtur në Parkun e Madh, do të largojë përgjithmonë qytetarët e shumtë që sigurojnë prehje në atë pak vend të lirë që ka mbetur ende pa u rrëmbyer.

“Publicus”

1.5 miliardë USD taksa në tre vite

1.5 miliardë dollarë taksa kanë paguar shqiptarët në këto tre vite të qeverisë Rama, ndërsa nuk u janë kthyer përmes investimeve publike apo rritjes së pagave dhe pensioneve as një e dhjeta e këtyre parave. Ku kanë shkuar këto taksa. Ato janë vjedhur.
Kryetari i opozitës Basha paralajmëroi dje se ky është buxheti i fundit i Ramës. “Rama do të paraqesë buxhetin e tij të fundit për këto katër vite, buxhet i cili konfirmon tri vitet pararendëse në disa aspekte. Së pari, është buxheti që i merr shumicës dhe i jep pakicës. Do të rriten prapë taksat. 10 milionë dollarë më shumë ka parashikuar t’u marrë shqiptarëve, duke e çuar rritjen totale të taksave kumulative gjatë qeverisjes Rama, me 430 milionë dollarë në vit. Pra, Edi Rama që 3 vite më parë erdhi në pushtet me premtimin se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa, u mori shqiptarëve këto 3 vite në total 1.5 miliardë dollarë më shumë, duke u rritur taksat, jo duke përmirësuar mbledhjen e tyre, por duke u rritur taksat”.

Rrritje me 29% taksës së gazit

Rritje drastike e taksës së gazit parashikohet për vitin e ardhshëm nga Rama. Do të rritet me afro 29% taksa e gazit. “Pse e ka rritur? E ka rritur për t’i shërbyer interesit publik? Jo. E ka rritur se ndërkohë që qytetarët konvertojnë makinat e tyre nga nafta apo benzina në gaz, sepse gazi është më i lirë, ky do të mbrojë klientët e tij, duke i detyruar qytetarët të blejnë naftë ose gaz, ose t’ua paguajnë këto para Edi Ramës. Kjo është një masë që nuk ndihmon shoqërinë, nuk e ndihmon interesin publik, nuk i ndihmon qytetarët, por ndihmon një grusht klientësh të Edi Ramës në sektorin e hidrokarbureve dhe ndonjë ministër që është ortak me ta. Mora këtë shembull, por në fakt e gjithë rritja e taksave bëhet për të rënduar edhe më shumë xhepat e qytetarëve, pa iu kthyer asgjë mbrapsht, sepse po të shohim shpenzimet, edhe këtë vit 80 milionë dollarë më shumë ia ka dhënë vetes së tij për shpenzime operative dhe për shpenzime të tjera të qeverisë”, tha Basha.

Rritja e pagave dhe pensioneve, farsë

Për tre vite bllokoi të gjithë rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa tre muaj para zgjedhjeve ka premtuar në të vërtetë një indeksim dhe jo rritje reale të pagave dhe pensioneve. “Flasim për pagat dhe për pensionet. Ka premtur që do t’i rrisë nga prilli. Pra, dy muaj para se të marrë ndëshkimin popullor me votë, po rrit pagat dhe pensionet. Po sa po i rrit, sa po i rrit? Po i rrit, ndërkohë që ka ngrirë për 3 vite, pagat dhe pensionet, dhe pensionet i ka rritur më pak se sa është rritur inflacioni. Me rritjen që hyn në fuqi në prill, pagat dhe pensionet nuk rriten me dekret qeveritar, por i rrit ekonomia, por ekonomia këtë e ka lëshuar, por me këtë rritje, me dekret qeveritar prapë se prapë në total një pensionist shqiptar do të ketë fuqi blerëse më të vogël se tri vite më parë. 7% më të vogël se 3 vite më parë. 15% më të vogël do ta ketë shqiptari mesatar fuqinë blerëse që varet nga pagat shtetërore, 15% më të pakët se 3 vite më parë. Pra, në fund të qeverisjes së tij, njerëzit paguajnë më shumë taksa kanë më pak punë dhe blejnë më pak me të ardhurat që kanë”, tha Basha.

967 milionë USD për shëndetësinë falas

Ajo që duhet të ishte shëndetësia falas sipas premtimit elektoral të Ramës në fakt u ka kushtuar shqiptarëve më shtrenjtë se gjithçka tjetër, plot 967 milionë dollarë. “Për shëndetësinë falas, tha se vitin e fundit shëndetësia do të jetë falas. Kështu apo jo? Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për shëndetësinë, si nga taksimi i përgjithshëm, ashtu edhe për sigurimet shëndetësore. Në tre vite, shqiptarët kanë paguar 967 milionë dollarë për shëndetësinë falas të Edi Ramës. Jo vetëm nuk kanë marrë shëndetësi falas, por nuk kanë marrë as shëndetësi. Kanë marrë vuajtje, kanë marrë keqtrajtim, kanë marrë barna më të shtrenjta dhe skarco, e trauma të tjera të përditshme për të cilat mjafton të vendosni kamera tek cilido spital, duke filluar nga QSU e çdo spital tjetër i vendit për të parë që shëndetësia ka rrëshkitur në standarde mesjetare, ku jo vetëm nuk ka shërim, por shqiptarët përballen me trauma psikologjike, përveç traumës kur ata vetë apo familjarët e tyre duhet të kenë kujdes shëndetësor”, tha Basha.

Ja merr shumicës dhe ja jep pakicës

45% për qind e shqiptarëve jetojnë në minimumin jetik me më pak se 5 dollarë në ditë. Shtesat në nevojë janë ato më të goditurat gjatë këtij mandati qeverisës. Buxheti është tërësisht antisocial dhe antihuman.
“Shtresat në nevojë, të cilat i goditi që vitin e parë, se gjysmën e hoqi nga lista, u tha ikni refugjatë, sepse nuk kam punë me ju, pra shtresat në nevojë nuk marrin asnjë qindarkë. 45 për qind e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, dhe nuk ka asnjë qindarkë më shumë për ta në buxhetin e Edi Ramës për vitin e ardhshëm. Kur e keqja zë rrënjë, na duket pastaj e natyrshme si një pemë që kemi para shtëpisë. Ne e kemi thënë vit për vit se, kjo qeveri nuk ka kujdes për shtresat në nevojë, përkundrazi i godet shtresat në nevojë. Dua ta përsëris se buxheti i 2017-ës, po kështu është një buxhet antisocial, shtresat në nevojë, ish-të përndjekurit, pronarët, asnjë qindarkë më shumë, dhe kjo reflektohet në buxhetin e tij. Në thelb, është një buxhet, i cili është qepur për t’i vënë vulën realitetit të qeverisjes Rama këto katër vite. Merri shumicës, jepi pakicës. Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë varfëruar, paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq”, tha Basha.

Buxhet antipopullor

Kryetari i opozitës e cilësoi buxhetin e Ramës një buxhet tërësisht antipopullor, ndërsa pjesë kryesore e të ardhurave shkojnë për luksin e Ramës dhe të ministrave të tij.
“Një pakicë me në krye Edi Ramën, hapin ekspozita pikture, bëjnë qypa balte, blejnë pasuri miliona dollarëshe brenda dhe jashtë vendit, të gjitha me paratë që u merren shumicës së shqiptarëve. Opozita nesër, deputetët tanë do të shpalosin në detaje këtë buxhet antipopullor, se sa i përket fushave të ndryshme, ashtu edhe përsa i përket efekteve që do të ketë tek qytetarët, të cilët opozita i përfaqëson në Parlament. Alternativa jonë, të cilën po e diskutojmë ditë për ditë me qytetarët është krejtësisht e kundërta e kësaj që bën Edi Rama. Ne do të ulim taksat, ne do t’i japim Shqipërisë taksën e sheshtë 9%, TVSH 15%, asnjë lek i qeverisë sime nuk do të shkojë për palma, për luks, për ekspozita, nuk do të shkojë për 11 miqtë e Lulzim Bashës. Prioritet do të jenë shtresat në nevojë. Objektivi ynë i parë social, qëllimi ynë i parë, qëllimi im i parë si Kryeministër, do të jetë që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita. Dhe në këtë kuadër alternativa jonë sociale, programi ynë social parashikon pagesën e 200 kë të parë të energjisë për çdo familje në nevojë. E njëjta gjë edhe me faturën e ujit dhe ndihmën ekonomike me të cilën të mund të përballojnë nevojat minimale jetike. Jo me një dorë t’i marrin dhe me dorën tjetër t’i paguajnë si faturë energjie, apo si faturë uji apo si ilaçe, në rastin e pensionistëve”, tha Basha.

Ulje taksash

Basha deklaroi pas mbledhjes së grupit parlamentar se alternativa e opozitës do të jetë alternativa e uljes së taksave dhe zhvillimit ekonomik për shumicën dhe jo për pakicën. “Alternativa jonë është alternativa e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, duke e bërë shtetin garantuesin e lirisë dhe jo xhandarin në të cilin e ka kthyer Edi Rama. Xhandar, i cili përcakton që sado i aftë të jesh, sado ide të mira të kesh, edhe kur ke mundësinë apo kapitalin për të ecur përpara, nuk e vendos tregu, por e vendos doganieri i korruptuar, tatimori i korruptuar, ministri i korruptuar, kryeministri i korruptuar. Ai vendos nëse do të bësh përpara në ekonomi apo do të mbesësh në vend. Kjo do të marrë fund. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë, ku secili të ecë përpara sipas aftësive, djersës, mundit dhe punës së ndershme.
Natyrisht, seanca e nesërme nuk është seanca e shpalosjes së alternativës së Partisë Demokratike. Ndonëse nuk do të mungojë kontrasti i thellë midis asaj që ne propozojmë, duam dhe do të arrijmë bashkë me shqiptarët, një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Por është autopsia finale e një regjimi kleptokrat, hajdutësh, të korruptuarish dhe kriminelësh që erdhi në pushtet me premtime të mëdha dhe që sot jo vetëm që s’ka realizuar asnjë premtim, por e ka zhytur Shqipërinë në mjerim të thellë, në korrupsion, në drogë dhe në krim. Ka mbyllur dyert e integrimit europian të Shqipërisë dhe njësoj si paraardhësit e vet biologjik dhe politik, fajin e gjen tek armiqtë e tij imagjinarë të brendshëm dhe të jashtëm, fajin e gjen tek opozita, fajin e gjen tek mediat, fajin e gjen tek parlamentarët gjermanë, austriakë, holandezë, grekë, fajin e gjen tek mediat amerikane, britanike, zvicerane, italiane, por asnjëherë tek vetja e saj.
Kjo është simptoma e fundit të një regjimi të izoluar nga realiteti, të ndarë me një hendek të madh nga populli, është edhe parathënia e rënies përfundimtare, e largimit të kësaj qeverie. Nesër opozita do ta bëjë këtë të qartë gjatë gjithë seancës parlamentare”, tha Basha.

Brenda janarit taksa 10 euro në rrugën e “Kombit”

Për një rrugë vajtje ardhje në rrugën e “Kombit” tarifa do të jetë 10 euro. Shqiptarët do të nisin ta paguajnë brenda muajit janar. Agjencia e Prokurimit Publik zhbllokoi sot koncesionin për rrugën e “Kombit” ku makinat e vogla do të tarifohen me 5 euro. Në një njoftim të publikuar në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst ku thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë.
Catalyst brenda 7 ditëve duhet të dorëzojë në Ministrinë e Transportit, pranimin e njoftimit të ofertuesit të zgjedhur, duke rënë dakord të pajtohet me kushtet e përcaktuara dhe të ekzekutojë marrëveshjen e koncesionit. Nëse Catalyst  refuzon koncesionin brenda 30 ditëve nga data e sotshme duhet të paguajë tarifën 20,000 euro.
Më 30 maj 2016 Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit hapi ofertat për dhënien me koncesion të rrugës së “Kombit”.
Ofertuesit ishin, Catalyst në pjesë të së cilës ishin kompanitë shqiptare, Salillari dhe Kastrati dhe kompania turke Vendeka.
Më 29 gusht Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të skualifikojë konsorciumin Vendeta dhe të parakualifikojë Catalyst si dhe ta përcaktojë atë si ofertuesin e preferuar. Duke ju referuar kësaj procedure, Ministria e Transportit, njoftoi konsorciumin Catalyst se oferta në lidhjen me koncesionin e rrugës së “Kombit” është pranuar.
Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë.
Kushti i pazbardhur tërësisht nga Ministria e Transporteve është pjesë e ofertës së koncesionit. Për shkak se rruga e “Kombit” nuk përcakton kriterin e trafikut, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim, periudhë në të cilën pritet që trafiku të arrijë nivelin e maturimit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë ndërmjet 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese.
Kur Ministria e Transporteve shpalli fituesin e koncesionit, koncorciumin e përfaqësuar nga kompania turke Vendeka, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do të paguhej ky subvencion. (Transportet shpallin turqit të preferuar për koncesionin e rrugës së “Kombit”).
Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues, duke lënë fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë Catalyst, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e “Kombit”, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen-Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-paseve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Tarifa 35% më e lartë se ka propozuar konsulenti

Tarifa e kalimit prej 5 eurosh për automjet që do të paguajnë qytetarët është 35 për qind më e lartë nga niveli maksimal që ka propozuar konsulenti.
Konsulenti ndërkombëtar që qeveria pajtoi për të hartuar strategjinë e taksimit të rrugëve ka propozuar si nivel të përshtatshëm tarife për rrugët shqiptare intervalin nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për kilometër. Por në rrugën Durrës-Kukës, tarifa do të jetë 4.4 cent të euros për kilometër.
Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy By-Pass-ve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Sherr me Bankën Botërore për fituesin

Tenderi për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës përbën një rast të paprecedentë në historinë e prokurimeve publike në Shqipëri, ku qeveria ndryshoi fituesin në tavolinë në kundërshtim me sugjerimet e Bankës Botërore, duke ngritur dyshime të forta për korrupsion.
Përmes një shkresë zyrtare, e cila mban datën 18 korrik 2016, Korporata Financiare Ndërkombëtare, pjesë e Bankës Botërore, këshillon Ministrinë e Transporteve që të skualifikojë konsorciumin Catalyst të përbërë nga Kastrati dhe Salillari dhe të shpallë fituese Vendeka Bilgi.
“Në bazë të analizave dhe pas vlerësimit të ofertave, ne i rekomandojmë Ministrisë së Transporteve që të shkualifikojë Catalyst dhe të shpallë fitues konsorciumin Vendeka Bilgi”, thuhet në shkresën zyrtare të IFC.
Në dokument Banka Botërore, sqaron se Catalyst nuk i plotëson kriteret e tenderit, pasi nuk ka eksperiencë në mirëmbajtjen dhe operimin e rrugëve me pagesë, që ishte dhe kriteri më i rëndësishëm. Ndaj qeveria duhet të shpallte fitues konsorciumin turk Vendeka Bilgi, i cili përmbushte të gjitha kriteret.
Mbi bazën e këtij rekomandimi zyrtar, Ministria e Transporteve shpalli fitues konsorciumin turk të kryesuar nga Vendeka Bilgi, i cili kishte ofruar të investonte 110 milionë euro më shumë për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrugës. Por ky vendim u përmbys në Komisionin e Prokurimit Publik.

Koncesioni 86 milionë USD i hemodializës shitet për 30 milionë lekë!

Besar LIKMETA

Dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë që aksioneri më i madh i koncesionit të hemodializës “EVITA Shpk” – një kontratë koncesionare e vlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë me vlerë 86 milionë USD për një periudhë 10-vjeçare – është shitur në fund të shtatorit 2016.
Sipas kontratës që “BIRN” disponon, më 21 shtator, aksionerja e vetme e “EVITA Shpk”, Majlinda Fetiu, i ka shitur aksionet e saj duke i shpërndarë në dy aksionerë të rinj, Rasim Hamzaraj dhe Ertel Kërçuku, kundrejt vlerës së nënshkruar prej 30.1 milionë lekë.
“EVITA shpk” zotëron 85% të aksioneve të “Dia Vita Shpk”, kompanisë së themeluar pas tenderit për dhënien e shërbimit të hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Ndërkohë 15% të aksioneve të “Dia Vita Shpk” janë në pronësinë e Spitalit Amerikan Sha.
Ndërsa Ertel Kërçuku është një mjek virtualisht i panjohur, Rasim Hamzaraj është administratori dhe aksioneri kryesor i një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në Shqipëri, “Megapharm Shpk”.
“Megapharm”, ka qenë në të shkuarën dhe vazhdon të jetë sot, përfituesi kryesor i tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë për barna. Kjo kompani dhe drejtuesi i saj Hamzaraj, gjithashtu kanë qenë shpesh shënjestër të akuzave politike për konflikt interesi dhe korrupsion – akuza që kompania i ka hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
Blerja nga Hamzaraj e aksioneve të “EVITA Shpk” nuk përbën në vetvete një transaksion të paligjshëm, por megjithatë, ajo vjen në një klimë akuzash të ndërsjella midis opozitës dhe mazhorancës, mbi mënyrën e dhënies së koncesioneve në fushën e shëndetësisë nga qeveria Rama dhe përfituesit e tyre.
Administratorja e “EVITA Shpk”, Elona Saraçi, nuk iu përgjigj një kërkese nga “BIRN” për koment në lidhje me ndërrimin e aksionerëve të kompanisë, ndërkohë që Hamzaraj nuk ishte i arritshëm për koment.
Pas ardhjes në pushtet në shtator 2013, me një platformë që premtonte shëndetësi falas për të gjithë shqiptarët, mazhoranca e qendrës së majtë e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ka dhënë tri koncesione të mëdha në fushën e shëndetësisë me vlerë mbi 250 milionë USD.
Përveç koncesionit të hemodializës, shumë të debatuar kanë qenë dhe kontratat për partneritet publik privat për kontrollin bazë check up-in dhe sterilizimin e instrumenteve dhe seteve kirurgjikale.
Sipas opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike këto kontrata koncesionare janë korruptive dhe qëllimi i tyre ka qenë të shpërblejnë “klientët” e Partisë Socialiste.
Ndërkohë, qeveria i ka përshkruar koncesionet ose partneritetin publik privat si të vetmen mënyrë për të sjellë shërbime të munguara në një kohë të shkurtër për qytetarët në mungesë të fondeve buxhetore për investime të mëdha publike. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës si “baltë” e hedhur për përfitim politik. Në total vetëm gjatë vitit 2017, koncesionet pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 7.3 miliardë lekë.
“EVITA shpk” është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013. Më 20 tetor 2015, Ministria e Shëndetësisë e shpalli këtë kompani më parë të panjohur së bashku me Spitalin Amerikan, fitues të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë një kontratë 10-vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë USD) në total. Gjatë vitit 2015 “EVITA Shpk” ka pasur të ardhura vjetore prej 300 milionë lekë dhe një fitim prej 42.8 milionë lekë.
Për menaxhimin e koncesionit, “EVITA Shpk” dhe Spitali Amerikan Sha themeluan kompaninë “Dia Vita Shpk”, ku “EVITA Shpk” zotëron paketën kontrolluese të aksioneve.
Sipas kontratës së partneritetit publik privat, “Dia Vita Shpk” ka si qëllim rikonstruksionin e dy qendrave ku kryhej dializa në Shkodër dhe Vlorë dhe krijimin e tri qendrave të reja, të cilat pranë spitaleve të Lezhës, Korçës dhe Elbasanit. Rikonstruksioni i qendrës së dializës në Shkodër dhe Vlorë tashmë ka përfunduar dhe shërbimi i ofruar ka marrë vlerësime të larta nga Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Kjo është prova e prekshme e të vërtetës, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë”, tha Rama gjatë një vizite në qendrën e rindërtuar të hemodializës në Vlorë më 16 qershor.
Sipas projektbuxhetit të vitit 2017, vetëm brenda vitit të ardhshëm “Dia Vita Shpk”, pritet të arkëtojë 9.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për shërbimin e hemodializës.
Të dhënave të botuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronari i ri i paketës mazhoritare të aksioneve të koncesionit të hemodializës Rasim Hamzaraj, është gjithashtu administrator i kompanisë farmaceutike “Megapharm”, si dhe zotëron 33.3% aksioneve të saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave, në 9 muajt e parë të vitit 2016, “Megapharm shpk” ka qenë kontraktori më i madh i qeverisë në fushën e shëndetësisë me 352 kontrata dhe një vlerë totale prej 452 milionë lekë. Gjatë vitit 2015 kjo kompani ka regjistruar më shumë se 1.2 miliardë lekë shitje.
Suksesi i kompanisë “Megapharm” me tenderët publikë në fushën e shëndetësisë nuk ka filluar me ardhjen në pushtet të Partisë Socialistë në vitin 2013. Ajo është përfolur si përfitues i madh i tenderëve publikë gjithashtu gjatë viteve 2010-2012, gjatë qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste Eduard Shalsi, vetëm gjatë vitit 2010 kompania “Megapharm” pati përfituar 9 milionë euro në tenderë publikë në fushën e shëndetësisë.
Shalsi pretendonte në atë kohë se suksesi i “Megapharm” me tenderët publikë në vitin 2010 ka ardhur si pasojë e lidhjeve nepotike me ish-ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili.
“Në vitin 2009 kompania ‘Megapharm’, e cila për hir të së vërtetës operon prej vitesh në tregun e ilaçeve, ka fituar një numër tenderësh, shuma e të cilave arrin në shifrën prej 1 000 000 euro”, ka deklaruar Shalsi më 15 nëntor 2010.
“Ajo që e komplikon pozicionin e ministrit të Shëndetësisë është se po kjo kompani përgjatë vitit 2010 dhe vetëm deri në korrik, ka fituar tenderë jo me në shifra të ngjashme por e dini sa? 9 000 000 euro. Po po plot 9 000 000 euro”,  shtoi ai.
E njëjta akuzë ndaj ministrit Vasili është bërë dhe nga ish-deputeti Eltar Deda, gjatë një interpelance në Parlament në korrik 2010.
“Unë mund t’ju them se ‘Megapharm’ është një kompani farmaceutike, distributor farmaceutik, i cili është vetë i familjes suaj dhe drejt kësaj kompanie dhe drejt këtij distributori janë adresuar të gjitha tenderët dhe prandaj është ndaluar shpallja dhe lidhja e kontratave të këtyre kompanive”, ka deklaruar Deda, sipas faqes zyrtare të Partisë Socialiste.
Sipas Partisë Socialiste, Hamzaraj është kushëriri i ish-ministrit dhe deputetit aktual të LSI-së, Petrit Vasili, çfarë ka sjellë favorizimin e kompanisë në tenderët për barna, gjatë kohës që Vasili ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë. “Megapharm” i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, dhe ka deklaruar se do ndërmarrë padi për shpifje kundër politikanëve që i kanë artikuluar.
Por megjithatë nuk është vetëm marrëdhënia me Vasilin që ka krijuar probleme për biznesin e barnave, Rasim Hamzaraj. Në vitin 2010, ai vu në qendër të një hetimi të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit, ILDKPKI, në lidhje me një seri transaksionesh të dyshimta për shitblerjen e aksioneve të kompanisë “Fortis 2”, nga bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.
Sipas ILDKPKI-së, Hamzaraj dhe Meri Prifti “kanë kryer veprime të kundërligjshme”, të cilat e kanë shumëfishuar vlerën e aksioneve të saj në kompaninë “Fortis 2”. Ndërkohë, gjatë periudhës që Hamzaraj ka qenë “person i besuar”, ish-ministri Dritan Prifti e ka emëruar këtë të fundit në bordin drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OST.
ILDKPKI ka gjykuar se emërimi i Hamzarajt në bordin e OST-së, ka ardhur në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka gjobitur ish-ministrin Dritan Prifti me 300,000 lekë gjobë. Një masë e ngjashme administrative është marrë dhe ndaj biznesmenit Hamzaraj, pasi ky i fundit ka refuzuar urdhrin e kryeinspektorit për të deklaruar pasurinë si person i lidhur me Meri Priftin. Të dyja këtë gjoba janë ankimuar në gjykatë nga Prifti dhe Hamzaraj. Ndërkohë, padia penale e bërë nga ILDKPKI në Prokurori, është hedhur poshtë nga organi i akuzës.

Mbushet viti nga hetimi për koncesionet, Beqaj vazhdon vjedh

Një vit më parë Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve për koncesionet e ministrit të Shëndetësisë. Kur kaluan më shumë se një vit deri tani nuk ka asnjë zhvillim në lidhje me këto hetime, ndërsa Beqaj vazhdon dhe vjedh njëlloj si më parë. Koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur në dhjetorin 2015 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion- përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritej të shtrihej në të gjithë piramidën drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi nisi me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, “BIRN” dhe agjencia “Investigimi.al”. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
I kontaktuar nga “BIRN”, këshilltari i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani konfirmoi një vit më parë nisjen e hetimeve me iniciativë për koncesionet në shëndetësi, pas investigimeve të botuara nga media.
“Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajve të fundit, vlera e të cilave arrin në disa dhjetëra miliona euro”, tha Serani.
I pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqaj, Serani u përgjigj atëherë se, “asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, i regjistruar në Njësinë Antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të asistohej edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak ishin procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u hetuar.