28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

2 ton drogë kapen në Itali dhe Greqi, Rama e mohon

Partia Demokratike deklaroi dje se, droga derdhet lumë në vendet fqinje me Shqipërinë, ndërsa kryeministri Edi Rama sërish e mohon. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, gjatë një konference për median tha se, janë kapur 2 tonë drogë në 3 ditët e fundit në Itali e Greqi. “Në tre ditët e fundit, 2 tonë drogë ka kaluar nga kufijtë tanë për në Greqi dhe në Itali. 1 ton në Greqi, dhe 1 ton drogë në Itali, dhe këtu bëhet fjalë për sasinë e kapur nga policia. Kur raporti është; në 10 ngarkesa, policia fqinje arrin të ndalë vetëm njërën, përfytyroni sa drogë shqiptare ka kaluar këto ditë në Greqi dhe në Itali”, u shpreh Alibeaj.
Ndërkohë Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë, nuk kemi problem me drogën, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar, media italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre.
“Droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë, po pushton rininë e shkollat, po shkatërron imazhin e vendit tonë, dhe është një prej mureve që po pengon integrimin europian të vendit.
Vetëm një njeri ende nuk e kupton këtë gjendje të rëndë. Ky është Edi Rama, i cili duke e mohuar drogën po vetëshpallet si kumbari i saj”, përfundoi Alibeaj.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë dhe Greqisë duke pranuar rritjen e këtij trafiku. Përmes një deklarate dërguar mediave, Ministria e Brendshme thotë se konsideron sukses faktin kur goditet trafiku dhe kapet drogë në bashkëpunim me partnerët e huaj. Sa i përket akuzave të demokratëve që ka rritje të shtuar të kultivimit të drogës, pasi në 3 ditë janë kapur 2 ton kanabis në dy shtetet fqinje, Ministria e Brendshme nuk ka asnjë përgjigje, duke pranuar në heshtje faktin se ka shtim të mbjelljes së kanabisit.

Reportazh i BBC për drogën shqiptare

Pas reportazheve të realizuara së fundi nga mediat italiane apo gjermane lidhur me kultivimin e drogës në Shqipëri dhe trafikun drejt Europës, edhe BBC ka në fokus të njëjtin shqetësim. Në një reportazh që do të transmetohet të enjten në kanalet e medias më të madhe publike të Britanisë së Madhe, Shqipëria cilësohet si prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë. Reportazhi titullohet “Bumi i kanabisit shqiptar”.
Fshatra të tërë jetojnë me të ardhurat nga kultivimi i “arit të gjelbër”, thuhet në reportazh. Qeveria shqiptare po përpiqet të shkatërrojë këtë industri, duke shkatërruar plantacionet. Por tregtia e drogës u përhap që në fund të viteve ’90 nga grupet kriminale dhe u shtri në të gjithë vendin e vogël ballkanik.
Gazetari investigativ i News 24, Artan Hoxha publikoi dje pamje nga magazinat me kanabis pak para se gjiganti BBC të transmetojë një reportazh për kanabisin e Shqipërisë. Gazetari zbulon se pikërisht kjo magazinë do të jetë pjesë e këtij reportazhi, që e etiketon Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit në Evropë. Sipas Hoxhës, jo vetëm BBC ka ngjallur interes për kanabisin. Ai thotë se së fundmi ka shoqëruar të paktën 8 grupe xhirimi të mediave të ndryshme botërore në Shqipëri.
“Grupin e BBC e kam shoqëruar në një nga zonat më problematike, para një muaji kanë ardhur këtu. Ato kërkonin një zonë ku nuk do të mbikëqyreshin nga policia, donin të kontaktonin me kultivuesit dhe trafikantët. Nuk është një gjë e lehtë. Grupi i BBC ka shkuar në një vend ku nuk shkon policia”, tha Hoxha.
Por në çfarë zone është regjistruar videoja, ku gazetari shfaqet brenda magazinës me kanabis në proces tharje? Hoxha thotë se nuk mund të tregojë ekzaktësisht vendin, pasi për të shkuar aty ka ndërruar 3 herë makinën. Trafikantët janë kujdesur që të lejonin atje grupin e xhirimit të BBC, por pa u dhënë mundësinë ta identifikojnë zonën ku ndodhet.
“Gazetarët donin të takonin punëtorët. Kemi kontaktuar me disa punëtorë që flisnin shumë mirë anglisht. Edhe mulliri që mbaj në dorë iu përkiste atyre. Boçja e tharë e kanabisit futet në pjesën e sipërme, mulliri rrotullohet në mënyrë mekanike dhe del fiks masa e kanabisit që duhet për një cigare”, sqaron ai.
Duke u ndalur tek pamjet e transmetuara, Hoxha zbulon se bëhet fjalë për kanabis që e ka kaluar procesin e tharjes. “Produkti është gati për treg, i vetmi proces i mbetur është paketimi. Kjo është boçja e tharë, gati për treg. Na thanë që është 25 kg. Në Britani një kg kushton 15 mijë paund, nëse do ta çonin atje fitimi do të ishte shumë i madh. Unë përmend aty që duhet të ketë disa ditë diell, pra është bërë para rreth një muaji, kur koha ka qenë e paqëndrueshme dhe binte shpesh shi. Prandaj edhe proçesi i tharjes këtë vit zgjati shumë, për shkak të reshjeve të shumta dhe lagështirës që ka pasur pikërisht në momentin e korrjes dhe tharjes.
Pjesa dërrmuese e drogës tashmë është magazinuar. Me të dhënat e deritanishme ne jemi furnitori nr.2 për vendet e Europës, pas Marokut. Ka filluar trafikimi i produktit të këtij viti që nga muaji tetor, prandaj mediat në vendet fqinje, Itali dhe Greqi raportojnë përditë për sasi të mëdha droge të kapur”, tha gazetari.

“Corriere della sera”: Gjysma e Romës furnizohet me drogë nga Shqipëria

“Corriere della sera” raporton aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë, ku sipas autoriteteve gjysma e kryeqytetit është e pushtuar nga droga që vjen nga Shqipëria. Droga vinte nga Shqipëria e sidomos kuintalë hashashi të destinuara për bandat që drejtojnë shpërndarjen në zonën qendrore dhe atë lindore të Romës. Kështu nis raportimin e saj “Corriere della sera” për aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë. Sipas autoriteteve droga shpërndahej sidomos në zona me shumë banorë, ku numri i klientëve mund të arrinte më shumë se një mijë. Fitimi ishte aq i madh se janë katër organizatat e zbuluara nga policia, të cilat ndanin fitimet mes tyre, hetimet në fakt kanë nisur që në vitin 2013, për t’u konkretizuar me aksionin e sotëm.
Një perandori e vërtetë krim mes kërcënimeve, rryshfeteve dhe ndëshkimeve për ata që nuk pranonin të bindeshin. Mëngjesin e së martës hetuesit arrestuan katër persona, të cilët mendohet të jenë krerët e bandave që vepronin në zonë. Por të hetuarit e operacionit “Vëllezërit” janë më shumë se 100, dhe trafiku bazohej pikërisht te hashashi.
Në kryeqytetin italian brenda pak kohësh janë arrestuar rreth 70 persona anëtarë të katër bnandave të ndryshme, ndërsa përveç drogës policia ka sekuestruar dhe pistoleta e armë të tjera. Një arsenal që sipas hetuesve shërbente për të sulmuar apo për t’u mbrojtur nga rivalët, si dhe për të ruajtur rrjetin e gjerë të klientëve.

Mbillet kanabis tek dera e Kryeministrisë

Një grup të rinjsh kanë mbjellë kanabis sattiva në disa vazo para Kryeministrisë. Ky veprim është ndërmarrë në shenjë proteste pikërisht para institucionit më të lartë shtetëror, duke sjellë në fokus edhe problemin me hashashin në vend, i cili është kthyer tashmë në fenomen. Paraditen e djeshme, të rinjtë e drejtuar nga sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, kanë mbjellë kanabis në disa vazo para Kryeministrisë. Organizatorja e kësaj proteste, Valbona Mhilli pohoi se kishin shkuar të mbillnin hashash para Kryeministrisë, pasi ishte i vetmi vend jo i zaptuar.
“Jemi një grup të rinjsh të shkolluar, por të papunë. Asnjë mundësi nuk ofron dhe asnjë kujdes nuk tregon qeveria dhe Kryeministri për ne. Droga është alternativa e qeverisë, por edhe toka ku mbillet droga është zaptuar nga kriminelët e lidhur me kryeministrin. Erdhëm sot për të mbjellë kanabis tek dera e kryeministrit se është e vetmja tokë e pazaptuar. Këtu edhe e kemi të sigurt që do rritet me kujdes se e ruan vetë Rama”, tha ajo.

133 kg drogë nga Shqipëria në Athinë

Policia greke ka sekuestruar 133 kg drogë dhe ka vënë në pranga një shqiptar. Bëhet e ditur se droga kishte ardhur nga Shqipëria dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, është organizuar operacioni në aksin Athinë-Thivo, në vendin e quajtur Mandra, ku është ushtruar kontroll në automjetin e drejtuar nga një shqiptar 29 vjeç. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 80 pako me 90 kg e 49 gram marijuanë. Pas kësaj është ushtruar kontroll në banesën e tij në lagjen “Kato Patisia”, Athinë, ku u gjetën dhe sekuestruan 21 pako me 43 kg 4 gram marijuanë.

Trafik droge nga Shqipëria në Itali, kapen shqiptarët

Një linjë e trafikut të drogës nga Shqipëria në rrugët e Milanos është prerë nga Policia italiane. Banda me 14 shtetas shqiptarë shfrytëzonte vajza rumune, shqiptare, çeke dhe moldave për prostitucion dhe investonin të ardhurat për të blerë kokainë në Holandë, e cila më pas shitej në Itali.
Policia italiane ka shkatërruar një bandë kriminelësh me origjinë shqiptare që kontrollonin një pjesë të rrjetit të prostitucionit dhe shpërndarjes së drogës në Milano dhe një pjesë të Lombardisë, shkruajnë mediat italiane. 14 persona janë arrestuar, të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas Prokurorisë, banda detyronte vajza të reja nga Europa Lindore të shiteshin në rrugët e Milanos dhe pasi merrnin fitimet e tyre i riinvestonin për të blerë sasi të mëdha kokaine që shitej kryesisht në tregun milanez dhe lombard.
Urdhrat e ndalimit janë vendosur nga autoriteti gjyqësor që hetonte prej janarit të vitit të kaluar lidhjet mes Shqipërisë, Italisë e Holandës të vendosura prej kohësh. Operacioni “Toka jonë”, kishte çuar në mars të vitit 2015 në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë që kishin fshehur 5 kg drogë në makinë.

R.POLISI

Grabitet banesa e deputetit të PS, sekret shuma e parave të vjedhura

Deputeti i PS, Namik Kopliku, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte shqyrtuar projektligji per ndryshim ne ligjin “Per programet sociale te strehimit”. /r/n/r/nLawmaker, Namik Kopliku, speaks during a parliamentary session.

Banesa e deputetit të PS, Namik Kopliku është grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Sipas informacioneve të para mësohet se, autorët kanë shqyer derën e banesës dhe më pas kanë marrë bizhuteri dhe sende me vlerë. Bëhet fjalë për banesën që deputeti i Qarkut të Shkodrës ka në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, zonë të cilën e mbulon Komisariati i Policisë Nr.3. Dyshohet se grabitësit kanë marrë një shumë të madhe parash, ndërsa policia nuk jep asnjë informacion për shumën e parave të grabitura. Shkaku që policia nuk jep informacione për shumën e parave të grabitura është se zbulohen paratë e deputetit që mban në shtëpi dhe nuk i dërgon në banka, sepse nuk mund të deklarojë prejardhjen e parave.
Deputeti socialist ka treguar se ka qenë në Shkodër kur ka ndodhur ngjarja. Ai tha se është njoftuar të martën nga fqinjët për diçka të dyshimtë në derën e shtëpisë dhe menjëherë është nisur për në Tiranë. “Gjatë momentit të grabitjes, banesa ka qenë e mbyllur, sepse unë me gjithë bashkëshorten ishim në Shkodër për aktivitetet e organizuara me rastin e 28-29 nëntorit. U shqetësuam normalisht edhe unë edhe gruaja. Kur shkuam në banesë gjetëm fishekun e bravës së derës të prishur dhe derën e hapur. Kishin marrë sende me vlerë, bizhuteri. Në ambient kishin bërë rrëmujë, e kishin kthyer përmbys në kërkim të gjërave me vlerë dhe parave ndoshta”, ka treguar deputeti socialist.
Ai deklaroi se, menjëherë ka bërë kallëzimin në polici për ngjarjen, duke dhënë edhe të dhënat për gjërat që mungonin në banesë. “Denoncova në polici dhe jam në pritje të vënies së autorëve para drejtësisë. Përveç bizhuterive e sendeve me vlerë kanë vjedhur edhe një sasi parash, lekë të përdorimit të përditshëm. Grabitja mund të ketë ndodhur 2 ditë më parë, por fqinjët e kanë njoftuar dje sapo kanë vënë re diçka të dyshimtë”, tha deputeti Kopliku. Policia tha se, ka nisur hetimin për ngjarjen, por deri tani nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.

Si u grabitën 8 milionë euro në banesat e dy ministrave

Një muaj më parë u grabitën 8 milionë euro në banesat e një ministri dhe ish-ministri të Ramës. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia, por burime pranë Policisë së Tiranës konfirmuan shumën marramendëse që u janë grabitur dy zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe bënë të ditur se po hetohet për zbulimin e autorëve. Sipas policisë, bëhej fjalë për dy raste të ndryshme vjedhjeje, ku janë marrë 8 milionë euro në dy banesat e ministrit dhe ish-ministrit. Kjo shifër konfirmohet nga burimet policore dhe deklarimeve të një biznesmeni pranë Kryeministrit Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama.
Në dijeni janë vënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Burimet e policisë bënë të ditur se po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit e shtëpive të dy zyrtarëve të lartë.
Nuk dihet se kush është ministri që i kanë vjedhur shumën marramendëse të eurove në banesë. Po ashtu edhe ish-ministri, ndonëse dihet se dy ministra janë larguar nga qeveria “Rama”, duke dhënë dorëheqjen. I pari ishte ministri i Ekonomisë, Shkëlqim Cani që dha dorëheqjen, ndërsa më pas u dorëhoq edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, por nuk dihet se kujt prej këtyre të dyve iu grabitën eurot dhe sendet me vlerë në banesë.
Ministrat e Ramës i mbajnë paratë në shtëpi dhe nuk i dërgojnë në banka, sepse bankat nuk i pranojnë, pasi duan burimin se prej nga kanë ardhur këto para. Nuk i dërgojnë në banka, sepse janë para të vjedhura nga tenderat, korrupsioni dhe taksat e shqiptarëve. Mjaft ministra të qeverisë aktuale janë akuzuar nga opozita dhe mediat për abuzime me tenderat, vjedhje dhe përvetësime parash dhe dalja në dritë e shifrës reale të grabitjes ka trembur ministrin, pasi nuk ka se si t’i justifikojë se ku ka marrë gjithë ato para që i mbante në banesë.

Skandali me konsullatën shqiptare në Milano

Programi i televizionit Italia 1″ Le Iene”, i cili po trajtonte një problematikë të një rëndësie të jashtëzakonshme siç ishte ajo e pajisjes me “permeso di sogiorno” të fëmijëve shqiptarë minorenë pa praninë e prindërve, që zinin 70% të kërkesave për pajisje me permesso (një fakt tjetër tronditës ky për humnerën ku po katandiset Shqipëria).
Sipas gazetarit, kjo permesso duhet të jepet për fëmijët e vendeve në luftë ose vendeve afrikane. Ndërkohë kishte ankesa të vazhdueshme nga autoritetet italiane për mungesë vendesh pritjeje e mungesë fondesh për strehim e ushqim, sepse kjo histori zgjat prej 2-3 vjetësh. Por gazetari gjendet përballë injorancës, paaftësisë dhe indiferencës totale nga ana e drejtuesve të konsullatës sonë në Milano, që pasi e dëgjojnë problemin që ai ngre e nxjerrin jashtë dhe ja japin përgjigjen pas derës. Përgjigja është “…nuk është detyra jonë, kemi punë të tjera…ja kemi dërguar ministrisë këtë problem”.
Qershia mbi tortë..insistimit të gazetarit për reagimin e ministrisë, me arrogancë i përgjigjen që ministria ka punë më të rëndësishme për t’u marrë. Dmth për ministrinë tonë të jashtme dhe për konsullatën tonë në Milano, ky fenomen që shqetëson palën italiane dhe që me siguri ka në prapavijë interesa ekonomike kriminale, nuk është i rëndësishëm.
Turpi po zë turpin çdo ditë në shërbimin diplomatik të rilindur. Tashmë, vendet e BE siç është Italia nuk gjejnë më as interlokutor në institucionet tona…

Veliaj rriti biletat, shërbimi urban i unazës, skandaloz!

Qëkurse në krye të Bashkisë së Tiranës, erdhi Erjon Veliaj, alias Vilajet Qyrku, (pseudonimi kur ishte spiun), shërbimi urban është përkeqësuar skajshëm. Në të gjitha linjat, janë shtuar radhët, minutat e gjata të pritjes nëpër stacione gjithashtu. Njerëzit shtyhen për të kapur orën e mësimit, apo orën e punëve të përditshme.
Paturpësisht, pasi ua vodhi votat qytetarëve të Tiranës, ky kryetar Bashkie, punën e parë që bëri, ishte vjedhja e lekëve me shërbimin urban… Biletat u dyfishuan. Shërbimi urban qytetës, në vend që të bëhej më i mirë, më i pastër, më komod, më i kulturuar, është bërë më i shëmtuar, më i pisët si kurrë më parë.
Në krye të këtij shërbimi mizerabël, qëndron linja e Unazës së Vogël, siç quhet nga qytetarët. Ka më shumë se një vit, që kjo linjë transporti, ka përkeqësuar dukshëm shërbimin urban në këtë zonë të Kryeqytetit, ku çdo ditë udhëtojnë mbi 100 mijë qytetarë.
Në këtë linjë qarkullojnë autobuzë të vjetër me ndotje mjaft të lartë. Mjafton një monitorim i thjeshtë nga media, nga një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit për ta konstatuar një fakt të këtillë. Mijëra qytetarë presin çdo ditë, për minuta të tëra nëpër stacionet e kësaj linje për urbanin e radhës, por ata vonohen mbi 10-15 minuta. Rrjedhimisht nëpër urbane njerëzit në radhë për të hyrë, duke u ngjeshur në mënyrën më fyese të mundshme me njëri-tjetrin. Gra, burra, djem, vajza, fëmijë e të moshuar, rrinë frymë më frymë, duke ruajtur xhepat dhe çantat nga hajdutët e shtuar së fundi, nga reformat e qeverisë së Rilindjes.
Shumë qytetarë ndihen të revoltuar, mallkojnë faturinot, shoferët që vonohen… mallkojnë me tërë forcën qeverinë e ndotur të “Rilindjes” dhe Bashkinë hajdute të Erjon Veliajt..!
Por qytetarët nuk e kuptojnë se si Bashkia e Tiranës, si institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e këtyre punëve në qytet, nuk ia heq licencën kësaj kompanie transporti, megjithëse shërbimi urban në linjën e unazës së Tiranës, është dizastër në të gjitha drejtimet…? Qytetarët e mashtruar, të fyer dhe të poshtëruar nga  keq-qeverisja e pusht-tetarëve të Bashkisë së Tiranës, nuk e dinë se pronari i linjës së transportit urban të unazës së Kryeqytetit, është miku i parë i Edvin Ramës dhe njëherit i Lali Erit, me të cilët ndajnë lekët për çdo natë.

Lediana Shima
Ekonomiste,Tiranë

Korrupsioni 400 mijë dollarë, në gjyq 5 zyrtarë të doganave

Prokuroria e Beratit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë për 5 ish-zyrtarë të Doganës së qytetit, përfshirë edhe ish-drejtuesin e saj, si edhe administratorin e një subjekti privat. Organi i akuzës thotë se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar shtetit një dëm në vlerën e rreth 400 mijë dollarë.
Prokuroria e Beratit ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili kishte evidentuar shkelje në procedurën doganore të subjektit “Center Shqiptare”, me administrator Vladimir Qepa. Në vitin 2014, subjekti privat, pavarësisht se ishte në regjimin “Pezulluar”, ka ushtruar aktivitet tregtar në zhdoganim dhe shitje materiale letre dhe plastike.
“Center Shqipëria” kishte qenë nën kontroll nga Dega Doganore e Beratit, ku merrnin pjesë Dhame Xhamballo, Akion Hysi dhe Arben Ulaj. Pavarësisht se subjekti privat kishte zhvilluar aktivitet tregtar, grupi i kontrollit të Doganës Berat i kishte llogaritur një detyrim minimal ndaj shtetit, krahasuar me detyrimin real të subjektit.
Sipas kontrolluesve, detyrimi ishte rreth 1.4 milionë lekë të reja. Deklarata doganore e kësaj kompanie private ishte subjekt i një kontrolli të zhvilluar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Grupi i kontrollit nga Tirana konstatoi parregullsi në punën e grupit të kontrollit lokal dhe urdhëroi ripërsëritjen e procedurave ndaj “Center Shqiptare”.
Pasi u realizua rikontrolli, ku, krahas doganierëve të parë, merrte pjesë edhe doganierja Greta Berberi, u caktua një detyrim i ri për subjektin privat, i cili ishte në vlerën e 4 milionë lekëve të reja. Pasi u realizua ky rikontroll, drejtuesi i doganës së Beratit në atë kohë, Evis Plaku, konfirmoi rregullsinë e saj dhe e regjistroi në sistem. Por, nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezultoi se, edhe pas rikontrollit, detyrimi i “Center Shqiptare” ishte shumë herë më i vogël se sa detyrimi real i tij.
Në hetimet e saj, Prokuroria e Beratit arriti në përfundimin se punonjësit e doganës që kanë trajtuar praktikën e këtij subjekti privat, me dashje, kanë zvogëluar ndjeshëm detyrimin ndaj shtetit të “Center Shqiptare”. Në bazë të ekspertizës, rezulton se kompania “Center Shqiptare” i detyrohej shtetit shumën e mbi 40 milionë lekëve të reja.
Gjatë hetimit, Prokuroria ka konstatuar se punonjësit e Doganës së Beratit nuk kanë qenë në gjendje të shpjegojnë arsyet se përse është kjo diferencë e madhe ndërmjet detyrimit real dhe detyrimit të nxjerrë prej tyre.

Vdekja e 18-vjeçarit, oficeri i policisë presion shoferit: “Firmos që nuk sheh mirë”

Shefi i hetimit të aksidenteve në Vlorë i bën presion shoferit të aksidentit, ku humbi jetën 18-vjeçari Kristi Panajoti në Vlorë, që të firmosë se nuk sheh mirë. Bëhet e ditur se pas presioneve, ai ka përfunduar në pranga. Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë, dje në orën 04:00, ka arrestuar punonjësin e Policisë, Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Punonjësi i Policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të Ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti dhe ngeli i plagosur shtetasi Petraq Beja.
Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit, ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident Petraq Beja dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas ngjarjes, familjarët e viktimës akuzuan shtetin dhe firmën për mosvënien e sinjalizimeve, pasi makina tip BMË-X6 ku udhëtonin 2 të rinjtë ra në një gropë të madhe të hapur në mes të rrugës. Fillimisht Policia e Vlorës deklaroi se makina kishte rënë në kanal, por më pas pranoi se BMË-ja kishte rënë në gropën e hapur në rrugë.

Gjykata, “arrest shtëpie”për shoferin e BMW-së

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 21-vjeçarin Petraq Beja, i cili drejtonte automjetin, ku u aksidentua dhe humbi jetën kushëriri i tij, Kristi Panajoti. Prokuroria kërkoi arrest me burg për shoferin Beja, si dhe për dy inxhinierët e firmës që po kryente punime në rrugë, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për 21-vjeçarin, duke e lënë në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.
Aktualisht, Beja ndodhet në spital ku do i komunikohet edhe masa e sigurisë. Ai ka pësuar disa dëmtime trupore nga aksidenti si thyrje të hundës, parakrahut dhe pjesës së kockës së legenit.
Po sot në orët e para të mëngjesit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në varësi të Ministrisë së Brendshme arrestoi edhe shefin e Hetimit të ngjarjeve rrugore në Policinë e Vlorës, Myslym Ismailaj, i cili tentoi të devijonte hetimin, duke e kërcënuar 21-vjeçarin Beja të deklaronte se kishte probleme me shikimin.

Pashk Nika: Policia manipuloi ekspertizën e vdekjes së dy të miturve në aksident

Një qytetar nga Shkodra, Pashk Nika akuzon policinë se ka manipuluar ekspertizën në momentet e para të ngjarjes së aksidentit ku humbi jetën djali i tij, Roland Nika 14 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij Klins Gjeka. Ngjarja ka ndodhur më 2 prill 2016, ku Policia e Shkodrës vihet prapa dy fëmijëve të mitur që po ecnin me motor nga fundi i lagjes “Xhabiaj” deri në fshatin Hot i Ri Shkodër, ku fëmijët aksidentohen me pasojë të rëndë për jetën. Fëmijët, drejtuesi i motorit Klins Gjeka dhe Roland Nika, ishin të njohur nga patrullat e policisë dhe kanë ecur me shpejtësi të madhe me motor, po kështu edhe policia pas tyre. Fëmijët i janë frikësuar policisë dhe kanë ndaluar vetëm kur janë përplasur me një makinë civile. Kur i ka parë policia se janë përplasur, policët janë munduar t’i shmangen përgjegjësisë.
-A shkoi policia tek makina e përplasur për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve?
Kur banorët i janë drejtuar policisë se, i morët fëmijët më qafë, policia ka arritur aty për 3-4 minuta, por nuk u dha asnjë ndihmë përveçse vodhi pjesë nga baza materiale që kishin me vete. Ndërsa ambulanca ka mbërritur me vonesë. Policia thotë se  ambulanca erdhi me vonesë 25 minuta, kurse banorët thanë se ambulanca erdhi me vonesë 45 minuta.
Unë akuzoj policinë, se ka manipuluar ekspertizën në momentin e parë të ngjarjes së aksidentit. E kam denoncuar këtë çështje në Prokurorinë e Përgjithshme me të gjitha faktet dhe dokumentet që disponoj.
-Po më pas çfarë ndodhi?
Fëmijët u dërguan në Spitalin e Shkodrës dhe më pas u dërguan me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ishin në gjendje të rëndë. Ne familjarët erdhëm me urgjencë në Tiranë, dhuruam shumë gjak për shpëtimin e jetës së dy fëmijëve, sepse kështu na u kërkua nga mjekët. Të nesërmen në mëngjes, vjen turni tjetër i mjekëve dhe na kërkuan përsëri të dhuronim gjak për fëmijët, megjithëse ne kishim dhuruar shumë gjak. Ne protestuam, por mjeku na tha: unë s’kam faj tani kam ardhur dhe nuk gjeta gjak, nuk e di se çfare keni bërë mbrëmë, por duhet gjak për të shpëtuar dy fëmijët. Atëherë morëm edhe njerëz të tjerë nga Shkodra dhe plotësuam sasinë e gjakut që na kërkuan.
-Si ishte gjendja e fëmijëve në spital?
Pas dhjetë ditësh, Klins Gjeka vdiq në Spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa djali im, Rolandi vdiq pas 6 muajsh. Ai u përmirësua dhe nga reaminacioni doli në pavionin e Nekrologjisë, ku aty nuk iu afrua më asnjë lloj shërbimi mjekësor, përveçse një skaner, ku unë e kam kërkuar vetë si prind. Djali pati problem me frymëmarrjen dhe kam kërkuar ndihmë tek Ministria e Shëndetësisë, pasi djalin po e çonin drejt vdekjes, ministri Beqja nuk përgjigjej as në telefon as në sms, kam kërkuar në sallën operative në Ministrinë e Brendshme të më nisnin ekspertë të parandalimit të krimit për mjekët që po bënin krim me djalin tim.
Në rrugët e frymëmarrjes, djalit iu arrit ngushtimi mbi 75 për qind, pasi mjekët nuk kishin bërë asnjë kontroll të mëparshëm dhe nuk e vizitonin fare. Unë iu thoja përditë se djali sa vjen e përkeqësohet, mjekët më thonin s’ka gjë është mirë dhe i jepnin shurup. Pasi e bëra problem në media, gjendjen e rëndë të djalit mjekët më thanë se duhet dërguar jashtë shtetit. E nisën epikrizën për në Turqi, por dërgimi jashtë shtetit nuk u realizua. Kur gjendja e dalit mbërriti mbi 80 për qind ky operim u realizua tek klinika private “Kontinental” me shumë sukses dhe djali u kthye përsëri tek Spitali i Traumës. Përsëri e njëjta gjë vazhdoi me mjekët e Neurokirurgjisë, që nuk i bënë asnjë kontroll djalit nga koka, derisa djali vdiq në spital më 26 shtator të këtij viti.
Më datën 30 shtator dërgova një avokat në Spitalin e Traumës për të marrë kartelën e pacientit Roland Nika, pasi u kthye nga Spitali Kontinental, por kartelën e kishin tërhequr me urdhër të mjekut pas denoncimit që unë kisha bërë në media dhe Prokurori. Po këta mjekë po përpiqen edhe tek Mjekësia Ligjore për të manipuluar shkaqet e vdekjes. Në spital nuk u afrua asnjë lloj shërbimi, të gjitha ilaçet i kemi blerë vetë. Ditën e parë na vodhën gjakun që dhuruam, ndërsa ditën e fundit, na vodhën edhe kartelën e djalit.

Gjendet trupi i inxhinierit të Uzinës Ballsh, dyshohet se është vrarë

Trupi i pajetë i inxhinierit të Uzinës së Ballshit është gjetur pasditen e djeshme në një pyll në Mallakastër. Burime nga policia thanë se në vendin e quajtur “Pylli i fshatit Kalenjë”, Mallakastër, është gjetur nga një bari i fshatit Kalenjë kufoma e 57-vjeçarit Sh. D., banues në fshatin Kalenjë, Mallakastër. Ky person ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa pa adresë më datën 14 nëntor 2016.
Dyshohet se, inxhinieri i Uzinës së Ballshit mund të jetë vrarë. Në trupin e tij janë gjetur shenja dhune. Policia e Fierit ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 57-vjeçarit të zhdukur dy javë më parë në Mallakastër. Shefo Duraj u zhduk pa lënë gjurmë, pasi doli nga turni i tretë në Uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh. Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktjma nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Në kokë janë vërejtur plagë dhe fraktura të kafkës ndaj ekspertët mjeko-ligjorë po kryejnë këqyrje të hollësishme për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Ndërkohë, policia bëri të ditur se vdekja ka ardhur për shkaqe aksidentale.

Aksident në Porcelan, 30 minuta i shtrirë që të vijë ambulanca

Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme, pranë ish-artistikes në zonën e “Porcelanit”, ku për pasojë është plagosur rëndë një 25-vjeçar me inicialet E.S. Mësohet se shkak i aksidentit, ka qenë drejtuesi i një makine, i cili i ka prerë rrugën, duke përplasur  shpërndarësin e picave, 25-vjeçarin që për mbi 30 minuta priti në trotuar urgjencën. Me ardhjen e ambulancës, i riu u transportua drejt spitalit, ndërsa drejtuesi i mjetit “Benz” u ndalua për të sqaruar shkakun e aksidentit.
Hidhet nga ballkoni i pavionit në QSUT
Një person është hedhur nga ballkoni i pavionit të Gastrologjisë dje në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Bëhet e ditur se dëshmitarët kanë parë një person, ideniteti i të cilit nuk dihet ende, që u hodh nga ndërtesa. Më pas, policia bëri të ditur se nga ballkoni i spitalit është hedhur 53-vjeçari me inicialet P. Sh, një endacak i ardhur nga Durrësi. Ndërkohë, burime nga QSUT pohuan se 53-vjeçari vuante nga çrregullimet mendore.
Dëshmitarët pohuan se fill pas ngjarjes, policia dhe mjekët kanë shkuar menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ndërsa nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore. Sakaq, policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e shkaqeve të këtij rasti.

Veriu dhe Juglindja mbulohen nga bora, probleme në disa akse rrugore

Veriu i vendit, por edhe Juglindja është mbuluar nga bora. Ndërsa të martën pati reshjet e para me uljen e temperaturave, dje pjesa më e madhe e rrugëve në këto zona është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sipas informacioneve nga terreni ka prezencë akulli në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz dhe po ashtu në akset Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës.
Mësohet se edhe rrugët në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri kanë prezencë akulli. Në Pukë po punohet për hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa në segmentin rrugor Bardhet-Iballë nuk ka ndërhyrje.
Prezencë akulli ka edhe në disa akse në Kukës, Korçë e Dibër. Rruga Morinë-Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit aktualisht është i kalueshëm.
Në disa akse të Kukësit duhet të përdoren zinxhirë. Në terren ndodhen 8 borëpastruese dhe është hedhur kripë dhe skorie.
Në qarkun Dibër ka prezencë akulli në disa njësi administrative si në: Kala e Dodës, Lurë, Selishtë, Trebisht, në Qafë Buall- Peshkopi, tek Pishat.
Prezencë akulli ka në të gjithë rrugët e qarkut të Korçës dhe akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Mësohet se është ndërhyrë me kripë në rrugën e Voskopojës. Ndërsa rrethi i Lezhës ka një tjetër problem, pasi është pa energji elektrike që mbrëmjen e kaluar.