19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Bankat në garë për t’i dhënë borxh qeverisë

Ka shënuar një  nivel rekord kërkesa e bankave për të blerë obligacione në euro të qeverisë shqiptare me afat maturimi dyvjeçar. Në ankandin e zhvilluar ditën e sotme, bankat kërkuan të blinin 98 milionë euro, por qeveria kishte vendosur si limit shumën 35 milionë euro, e cila edhe u pranua, duke “refuzuar” 63 mln euro.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, kuponi indikativ zbriti në 0.75%, duke shënuar një rënie të ndjeshme në raport me ankandin e fundit të të njëjtit lloj, që ishte zhvilluar në gusht të vitit 2015, ku kuponi ishte 3.21%.
Teksa kërkesa e ulët e bankave për të blerë Bono Thesari në lekë kishte bërë që interesat (yieldi) e bonove të rriteshin me shpejtësi muajt e fundit, Ministria e Financave ndryshoi kurs, duke shitur letra me vlerë në euro në mënyrë që të tërhiqte institucionet financiare. Bankat po vuanin nga likuditeti në monedhën vendase, teksa depozitat me afat në lekë kanë rënë vazhdimisht si rrjedhojë e interesave të ulëta. Nga ana tjetër, bankat po i gëzoheshin një likuiditeti të lartë në valutë si rrjedhojë e rritjes së depozitave në euro në gusht të këtij viti, kohë kur tradicionalisht ka hyrje valute, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve dhe të ardhurave nga turizmi. Vetëm në gusht, kursimet në monedhën e përbashkët u rritën me rreth 160 milionë euro. Të gjendura përballë mungesës së alternativave të investimit, me huanë në valutë që pothuajse është frenuar, bankat i depozituan jashtë pjesën më të madhe të këtyre parave. Por, tashmë rreth 35 milionë euro kursime do të shkojnë për financimin e deficitit, që qeveria ka krijuar, pasi përgjithësisht shpenzon më shumë sesa mbledh, përveçse 10 muajve të fundit, kur buxheti ka qenë me suficit.
Në shtator 2016, borxhi i qeverisjes qendrore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Përse Mitt Romney ndryshoi qëndrimin ndaj Trumpit?

Mitt Romney ka lavdëruar Donald Trumpin, duke thënë se ka shumë shpresa se presidenti i zgjedhur mund ta çojë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë. Kështu u shpreh guvernatori republikan pas darkës së tij me presidentin e ri Donald Trump dhe kryetarin e Partisë Republikane, Reince Priebus në New York, qëndrim në fakt që ka befasuar shumë njerëz duke pasur parasysh kritikat që ai ka shprehur kundrejt Trumpit gjatë fushatës presidenciale.
Kandidati republikan presidencial për zgjedhjet e vitit 2012 darkoi me presidentin e ri në një restorant francez në Manhattan gjatë mbrëmjes së ditës së martë. Ky ishte takimi i tij i dytë që pas zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit dhe zhvillohet në një kohë kur Donald Trump pritet të zgjedhë të preferuarin e tij për postin e sekretarit amerikan të Shtetit.
Teksa fliste përballë reporterëve pas përfundimit të darkës zyrtare, Romney ofroi përshtypje mjaft të mira për tranzicionin e Trumpit deri tani dhe për fitoren e tij të jashtëzakonshme kundër kandidates demokrate Hillary Clinton. Romney, ndoshta duke marrë për bazë eksperiencën e tij në zgjedhjet presidenciale, tha se nuk është aspak e lehtë të fitosh, duke shtuar gjithashtu se Trumpi kishte ofruar një vizion që “e bashkoi popullin amerikan në një mënyrë tepër të fuqishme që nuk ishte parë prej kohësh”.
Këto komente të Romney-t janë një distancim i plotë nga qëndrimi që ai ka mbajtur gjatë fushatës presidenciale, kur e ka kritikuar ashpër Donald Trumpin, madje e ka quajtur “të shtirur” dhe “mashtrues” që lëshonte premtime pa vlerë. Admirimi i “rigjetur” i Romney-t për Trumpin nuk ka kaluar i pavënë re dhe përdoruesit e mediave sociale, të cilët nuk kanë vonuar aspak për të shfaqur befaqinë e tyre ndaj ndryshimit kryekëput të guvernatorit republikan pas zgjedhjeve.
Shumë shpejt janë përhapur në rrjetet sociale fotografi të Donad Trumpit dhe Mitt Romney-t duke darkuar së bashku dhe duke buzëqeshur me gjysmë ngërdheshje, si provë të pozicionit të sikletshëm në të cilin ndodhet aktualisht Romney.
Pas darkës së republikanëve, “CNN” pyeti presidentin e ri Donald Trump nëse Romney do të jetë sekretari i ardhshëm i Shtetit, pyetje ndaj së cilës u përgjigj: “Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë më pas”. Nga ana tjetër, Romney foli për reporterët në lidhje me darkën, të cilën e përshkroi si një “mbrëmje të mrekullueshme” me Trumpin. “Patëm një tjetër diskutim për çështje të ndryshme për të gjithë botën dhe këto diskutime që kam bërë me të kanë qenë tepër frymëzuese dhe interesante. Jam kënaqur shumë me bisedat tona”, vazhoi ai.
Duke vazhduar më tej me lavdërimet e shumta për presidentin e ri, Romney shtoi: “Meqë ra fjala, nuk është aspak e lehtë të fitosh zgjedhjet. Këtë e di shumë mirë. Ai arriti të bëjë diçka që nuk ia arrita dot. Ai fitoi zgjedhjet presidenciale. Trump vazhdon të shpërndajë mesazhin e tij të gjithpërfshirjes dhe të bashkimit të njerëzve. Ky është një mesazh që ka arritur të bëjë bashkë një numër të jashtëzakonshëm amerikanësh”.
Pavarësisht të shkuarës së tyre të vështirë, Trump dhe Romney nuk kanë shprehur as shenjën më të vogël të armiqësisë, madje as të mungesës së mirëkuptimit me njëri-tjetrin, teksa kamerierët e restorantit luksoz u shërbenin vaktin e tyre. Të tre republikanët që ishin mbledhur për të darkuar u shfaqën tepër të kënaqur e të buzëqeshur, siç ka raportuar edhe një reporter i “CNN”-it që ndodhej në sallën e restorantit.

Trump do të heqë dorë nga bizneset e tij

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë se do të largohet nga bizneset e tij “në tërësi” që të fokusohet për të udhëhequr shtetin.
“Do e mbaj një konferencë të madhe në qytetin e New Yorkut me fëmijët e mi më 15 dhjetor për të diskutuar faktin që unë do të largohem në tërësi nga biznesi im i madh me qëllim që të përqendrohem në udhëheqjen e shtetit me qëllim që ta bëj Amerikën e mrekullueshme sërish!”, ka shkruar Trump në profilin e tij në Twitter më 30 nëntor.
“Për këtë arsye, janë duke u hartuar dokumentet ligjore që më largojnë në tërësi nga operacionet biznesore”, ka shtuar ai.

Trump: Dënime për ata që djegin flamurin amerikan

Presidenti i zgjedhur Donald Trump bëri thirrje për dënime të ashpra ndaj protestuesve që djegin flamurin amerikan, edhe pse Gjykata e Lartë e vendit ka shpallur se kjo është një formë e shprehjes së lirë që mbrohet me ligj.
“Askush, tha zoti Trump në Twitter, nuk duhet të lejohet të djegë flamurin amerikan; nëse dikush e bën, duhet të ketë pasoja, ndoshta humbja e shtetësisë apo një vit burg”.
Presidenti i zgjedhur i bëri komentet pak ditë pas vendimit të një kolegji në shtetin Massachusetts, i cili ndaloi ngritjen e flamujve amerikanë, pas dyshimeve se studentët dogjën një flamur në shenjë proteste ndaj fitores së zotit Trump në zgjedhje.
Në dekadat e fundit, ligjvënësit amerikanë janë përpjekur disa herë të ndalojnë djegien apo përdhosjen e flamurit. Por në vitin 1989 Gjykata e Lartë shpalli se ligjet që ndalojnë djegien e flamurit si formë proteste janë jokushtetuese.

Bogdanov, kriza e Aleppos zgjidhet brenda vitit

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, ka thënë se Moska është duke shpresuar që situata në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, të zgjidhet deri nga fundi i këtij viti.
“Ne duhet që t’i largojmë këta terroristë jashtë” në të njëjtën mënyrë siç duhen larguar edhe luftëtarët e Shtetit Islamik nga qyteti sirian që e kanë nën kontroll, Raka dhe qyteti irakian, Mosul, e ka cituar agjencia e lajmeve “RIA”, të ketë thënë Bogdanov më 30 nëntor.
Rusia është aleati kyç i presidentit sirian, Bashar al-Assad, forcat e të cilit kanë rimarrë mbi një të tretën e zonës së kontrolluar nga rebelët, Aleppo.
Bogdanov gjithashtu citohet nga agjencia “TASS” duke thënë se Moska ka qenë në kontakt me ekipin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në lidhje me Sirinë.
Trump do e fillojë detyrën si president në muajin janar.

Hiri i Kastros do të varroset 900 km larg

Mbetjet mortore të liderit të ndjerë kuban, Fidel Kastro do të largohen nga kryeqyteti i vendit, Havana. Hiri i lideri revolucionar kuban do të transportohet 900 kilometra për në qytetin juglindor të Santiagos.
Ky udhëtim do të rikrijojë turneun e fitores të ndërmarrë nga Kastro pasi e mori pushtetin në vitin 1959, por në kahun e kundërt.
Hiri i tij do të varroset më 4 dhjetor në varrezat e qytetit të Santiagos “Santa Ifigenia” në një funeral ku pritet të marrin pjesë liderët majtistë të Amerikës Latine dhe disa diplomatë të tjerë.
Më 29 nëntor, dhjetëra mijëra njerëz e kanë mbushur sheshin e revolucionit të Havanës për të bërë nderimet e fundit për Kastron.
Marshi është mbyllur nga presidenti aktual kuban, Raul Kastro, i cili iu referua vëllait të tij të ndjerë si lideri i revolucionit “për të ndershmit, nga të ndershmit”.
Fidel Kastro që e ka udhëhequr Kubën në një sistem njëpartiak për gati gjysmë shekulli, ka vdekur në moshën 90-vjeçare më 25 nëntor.

Të kthyerit nga ISIS, a mund të integrohen në shoqëri?

Politologu Thomas Mücke flet në intervistë me “DW” për përpjekjen për risocializimin e islamistëve që kthehen në Gjermani nga lufta. Një e katërta e të kthyerve nga zonat e luftimit të islamikëve bashkëpunon me autoritetet gjermane të sigurisë. Ky është vetëm njëri nga përfundimet e një studimi të klasifikuar në lidhje me shkaqet e radikalizimit. Në studim u analizuan 784 biografi të islamistëve nga moshat 13 në 62 vjeç. Politologu dhe pedagogu Thomas Mücke është drejtor ekzekutiv i Violence Prevention Network, midis të tjerash ai punon me islamistë që kthehen nga zonat e luftimeve.

– DW: Një ndër katër islamistë, i cili është kthyer në Gjermani, bashkëpunon me autoritetet, vetëm një ndër dhjetë vetë kthehet i deziluzionuar dhe i zhgënjyer. Ky nuk duket si bilanc pozitiv.
Thomas Mücke: Këtë shifër e ke të vështirë ta inkuadrosh. Bashkëpunimi me organet e sigurisë mund të jetë edhe sjellje taktike, në ato raste kur ke kryer vepra penale. Nga kjo nuk mund të arrish në përfundimin, se a është shkëputur dikush nga një ideologji ekstremiste. Megjithatë, në krahasim me shtetet e tjera evropiane ne konstatojmë se mund të punojmë në Gjermani në mënyrë shumë intensive dhe sistematike me të ashtuquajturit të kthyer, në lande të caktuara kjo ecën veçanërisht mirë dhe këtë shans ne duhet ta shfrytëzojmë. Duhen bërë përpjekje që çdo person i kthyer të nxirret me punë pedagogjike nga kjo skenë, qoftë në kohën e lirë, qoftë në institucionet e zbatimit të dënimit. Ne duhet të flasim me ta. Për raste të veçanta kjo ka sukses, në plan më të gjerë këtë mund ta themi në dy ose tri vjet.

– Për mendimin tuaj: pse shkojnë të rinj nga Gjermania në të ashtuquajturën luftë të shenjtë?
Shkaqet mund të jenë shumë të ndryshme, nuk ka një kurbë klasike të radikalizimit. Ndodh që këtyre të rinjve t’u drejtohen në skenën salafiste, ku janë plotësuar nevojat e tyre emocionale për siguri, mbështetje dhe për identitet. Në këtë skenë lind një presion moral: “Ti duhet të bësh diçka. Atje vrasin vëllezërit dhe motrat e tua”.
Një shkak tjetër mund të jetë që ata persona janë ftohur kaq shumë me shoqërinë, sa besojnë se kanë nevojë për një fillim të ri. Dhe pastaj ekzistojnë natyrisht edhe njerëz, të cilët shkojnë në luftë të ngarkuar me shumë urrejtje, për të vënë në jetë atje fantazitë e tyre të dhunshme.

– Nga studimi i HKE, BKA dhe BfV del në pah se islamistët në Gjermani radikalizohen para së gjithash në rrethin shoqëror dhe në xhami salafiste. Vetëm në radhë të tretë përmendet interneti, si faktor radikalizues. Çfarë do të thotë kjo për punën tuaj?
Interneti dhe mediat sociale luajnë një rol të madh në kuadër të skenës islamiste. Por të rinjve kryesisht u drejtohen moshatarët. Ekstremistët përpiqen që të shkaktojnë të çara midis të rinjve dhe ambientit social të të riut, në mënyrë që ta manipulojnë edhe më fort të riun. Pra, për çradikalizim nevojitet gjithmonë kontakti nga njeriu në njeri. Kjo nuk ndodh rrallë edhe në arrest, të cilin ata që kthehen e kryejnë edhe për shkak të anëtarësimit në një organizatë terroriste.
Përvoja e deritanishme ka treguar se atje me ta mund të punosh për një periudhë më të gjatë kohe dhe t’i shkëputësh ata gradualisht nga ideologjia. Kjo nuk bëhet me sot me nesër. Ai që kthehet nga një zonë luftimesh dhe më thotë se është distancuar nga të gjitha, ai nuk është i besueshëm. I besueshëm është vetëm një proces i ngadalshëm i shkëputjes.

Skandali i presidentes së Koresë së Jugut

Pa përmendur termat e zakonshëm që përdoren në procesin për shkarkimin apo dorëheqjen e Presidentit, presidentja jugkoreane Park Geun-hye shprehu dje vullnetin për t’u larguar nga posti me qetësi. Kjo do të ndodhë, pas miratimit të vendimit nga Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut.
Presidentja jugkoreane Park mbajti një fjalim të shpejtë drejtuar vendit. Ajo tha se do t’ia linte të ardhmen e saj, duke përfshirë dorëheqjen, vendimit që duhet të merret nga Asambleja Kombëtare.
“Do të largohem nga posti, siç e kërkon ligji, me t’u krijuar kushtet për kalimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme; kjo do të minimizonte trazirat dhe boshllëkun që do të krijohej pas vendimit”, tha ajo.
Zonja Park po ashtu përmendi disa kushte të pasqaruara dhe një kohë të pacaktuar për largimin e saj, duke thënë se, “do të largohej nga posti i presidentes sipas një plani dhe procedure ligjore” bazuar tek masat që do të merreshin nga partitë në pushtet dhe në opozitë për të “minimizuar kaosin dhe hendekun në punët e shtetit dhe për transferimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme”.
Profesori i shkencave politike në Universitetin Sungkyunkwan, Cho Wonbin, thotë se komentet e zonjës Park tregojnë se ajo po përpiqet ta zgjasë periudhën e presidencës së saj:
“Duke lënë Parlamentin që të vendosë për kohëzgjatjen e mandatit të saj, presidentja jugkoreane Park Geun-hye mund ta ruajë pushtetin, përmes përfshirjes së ligjvënësve në procesin e vendimmarrjes. Po ashtu, ajo vazhdon t’i mohojë akuzat e ngritura ndaj saj dhe e ka detyruar Parlamentin të nisë një debat lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet tranzicioni. Unë mendoj e kemi të bëjmë me një taktikë për të zgjatur pushtetin”.
Udhëheqësit e opozitës reaguan me skepticizëm ndaj fjalimit të presidentes. Disa mendojnë se kjo mund të jetë një manovër politike për të vonuar procesin e nisur për shkarkimin e saj dhe për të siguruar mbështetje për partinë e saj Saenuri.
Choo Mi-ae, kreu i Partisë Demokratike të Koresë, la të kuptohet se oferta e presidentes për dorëheqje me kusht nuk ka për t’i ndryshuar planet e opozitës për të paraqitur këtë javë një mocion të përbashkët që do të hidhet në votë; Park do të bëhej presidentja e parë në historinë e Koresë së Jugut, ndaj së cilës zhvillohet një proces hetimor, lidhur me akuzat për korrupsion.
Prokurorët thonë se Park është përfshirë në veprime të paligjshme të kryera nga mikja e saj me influencë, Choi Soon-sil dhe ish-ndihmësja Ahn Jong-bum, për t’i detyruar disa kompani të rëndësishme koreane të dhurojnë më tepër se 65 milionë dollarë për dy fondacione.

Kosova, më e egër në luftën kundër terrorizmit

Duke qenë se Kosova është pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, në këtë frymë ajo po vazhdon që të konsolidojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe të arrijë marrëveshje me këto vende partnere, në funksion të kësaj lufte, vlerësojnë zyrtarët e qeverisë së Kosovës.
Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se asnjë shtet, përfshirë edhe Kosovën, nuk mund të jetë imun ndaj ndonjë akti terrorist eventual.
Nisur nga kjo, sipas tij, mekanizmat e sigurisë në Kosovë nuk e injorojnë asnjë informatë apo analizë të opinionistëve, të analistëve të sigurisë, si dhe të mekanizmave të sigurisë të partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët shkëmbehen informatat. Siç thotë zëvendësministri Hoxha, ky fakt ka sjellë edhe rezultate.
“Ne vlerësojmë gjendjen e sigurisë në nivel të kënaqshëm dhe nën kontroll, por gjithmonë jemi në nivel të detyrës, për t’u përgatitur, në radhë të parë për parandalim, por edhe në raste të caktuara për veprime të natyrave të ndryshme”.
“Një gjë të tillë e ka dëshmuar Policia e Republikës së Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke parandaluar një seri sulmesh, të cilat janë llogaritur që mund të ndodhin gjatë lojës së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit”, ka thënë Hoxha.
Policia e Kosovës, prej datës 4 nëntor deri më 16 nëntor, ka arrestuar 19 persona të dyshuar, të cilët siç thuhet, në koordinim me Lavdrim Muhaxherin, që gjendet në Siri përkrah të ashtuquajturit Shteti Islamik, kishin planifikuar realizimin e akteve terroriste.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet në vazhdimësi ta forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal nën luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Sipas tij, trendi global i njerëzve që i bashkohen organizatave terroriste në Siri dhe Irak është në rënie. Kjo, sipas tij, ka reflektuar në Kosovë dhe në rajon. Por, siç thotë ai, mbetet të shihet nëse strategjia e organizatave të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm, në të ardhmen, do të jetë që të shpërndajnë të rekrutuarit e tyre për të vepruar, jashtë territoreve të Sirisë dhe Irakut, në vendet ku ata aktualisht janë ose në vendet e origjinës. Megjithatë, sipas tij, për një gjë të tillë, ka indikacione.
“Por, këto mbeten indikacione. Edhe rasti i fundit i arrestimeve që ka ndodhur në Kosovë dhe Shqipëri, në një operacion të madh, të përbashkët edhe me shtetet e tjera, dëshmon se një strategji e tillë edhe mund të jetë në periudhën e ardhshme”, thotë Ramadani.
Zëvendësministri Hoxha thotë se autoritetet e Kosovës tashmë kanë forcuar mekanizmat e sigurisë dhe angazhimin e tyre për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar që shpie në terrorizëm.
“Natyrisht që ngjarjet e fundit, dinamika është shpejtuar në zhvillimet në Lindjen e Mesme. Kjo natyrisht që ka ndikuar edhe në mekanizmat e sigurisë të Republikës së Kosovës, në kuptim të ngritjes së kapaciteteve, në radhë të parë brenda mekanizmave të sigurisë tek ne, por edhe në ndërtimin e urave të komunikimit me mekanizmat e vendeve tjera, sepse kjo dukuri nuk fal. Kjo mund të jetë filli i organizimit në një shtet, ndërkaq akti mund të organizohet në shtetin tjetër”, thotë Hoxha.
Përballja me ideologjitë ekstremiste që çojnë në terrorizëm, sipas profesor Ramadanit, përveç rritjes së kapaciteteve në mekanizmat e sigurisë, kërkon edhe qasje gjithpërfshirëse. Siç thotë ai, të gjitha mekanizmat dhe të gjitha kategoritë në shoqëri, kanë rol në këtë përballje.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, sikurse edhe niveli diplomatik, duhet vazhdimisht që ta forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal. Unë jam i vetëdijshëm se bashkëpunimi rajonal edhe më tutje vazhdon të ketë pengesa, kryesisht për shkak të rolit jo kush e di sa pozitiv të Serbisë edhe në këtë çështje. Por, roli i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar është i patjetërsueshëm”, thotë ai.
Javën e kaluar, zyra e kryeministrit të qeverisë së Kosovës, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Aktori Andy Garcia: Vdiq një diktator, jo një ikonë revolucionare

Andy Garcia, i lindur në Havanë në vitin 1956, i natyralizuar si shtetas amerikan shumë vite më parë, thotë me një frymë: “Kuba dhe kultura e saj janë në AND-në time, janë thelbi i identitetit tim, por nuk i kam kursyer kurrë kritikat ndaj Castro-s. Kam thënë gjithmonë se Kuba është tradhtuar, mistifikuar, përdorur nga Fidel. Një diktator, jo një ikonë revolucionare”.

– Aktori (që ka cekur Çmimin Oscar me “The Godfather III”) ka xhiruar një film si regjisor, “The Lost City”, pikërisht mbi Kubën e Batistas dhe marrjen e pushtetit nga ana e Castro-s. Një sagë e frymëzuar edhe nga historia e familjes tuaj…
Isha 5 vjeç kur im atë vendosi që të emigrojë në Miami, si qindra mërgimtarë kubanezë. Për vite të tëra më ka frikësuar dhe më ka bërë të vuaj fakti që shikoja në shumë bluza fytyrën e Castro “shpëtimtarit”, kur në të vërtetë e ka shkatërruar ekonominë e vendit tim. E kam mbajtur për vite të tëra brenda vetes dhembjen e mërgimit të familjes time për faj të atij që, e përsëris, e kam konsideruar gjithmonë një luftëtar të keq.

– Çfarë kujtimi keni për babain tuaj dhe për arratinë në Miami në kërkim të një jete të re?
Im atë ka qenë një avokat i madh dhe një gazetar e mendimtar i lirë. Në Amerikë filloi të punojë si kamerier. I jam mirënjohës për kurajon e tij dhe pse na ka dhënë të gjithëve ne fëmijëve vlerën më të vërtetë të lirisë dhe vetëdijen e shumë bashkëpatriotëve tanë disidentë të hedhur në fund të detit, pasi janë vrarë dhe kanë vuajtur nëpër burgje. Castro ishte i verbuar nga idetë e tij dhe asnjë revizionizëm historik nuk do të më bëjë që të ndërroj ide.

– A jeni ndjerë ndonjëherë një njeri i përkëdhelur i fatit?
Mund të them vetëm se e gjithë jeta ime është shënuar nga nostalgjia për Kubën. Kurrë për vendin tim nuk jam ndjerë i përkëdhelur nga fati. Nuk kam besuar kurrë në këtë revolucion. Mendoj se për vite e vite me radhë Kuba ime e shkëlqyer është bërë një vend hamletian dhe i plagosur për faj të dy regjimeve, atij të Batistas dhe atij të Castro-s.

– Sa e konsideroni veten amerikan e demokratik dhe sa kubanez e konservator?
Nuk më pëlqejnë këto etiketa, megjithatë shpirti më i vërtetë i Kubës ka kërkuar gjithmonë lirinë. Presidenti Obama ka kujtuar shumë herë me të drejtë fjalët e poetit kubanez Josè Martí: “Liria është kushti bazë për çdo njeri që dëshiron të ndjehet dhe të jetë i ndershëm”.

– Ju keni denoncuar në televizion ata që i keni quajtur “masakrat e Castro-s”…
Kanë shkaktuar ndarje ideologjike në gjenerata të ndryshme. Ëndrra e revolucionit, më shumë për keq sesa për mirë, ka shënuar shumë identitete. Shumë të rinj janë vrarë për këtë. Kam refuzuar shumë komente kur Obama me një të ashtuquajtur “erë të re” vendosi që të rivendosë marrëdhëniet midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara pas bisedave me Raul Castro dhe kam heshtur lidhur me disa apele të Papa Françeskut.

– Çfarë do të doni të thoni sot?
Atë që kam përsëritur gjithmonë: do të kthehem në Kubë kur të marrë fund regjimi dhe populli im nuk do të jetë më i shtypur. Amerika më ka ofruar lirinë, do t’i jem përgjithmonë mirënjohës.

– Shumë mendojnë ndryshe, edhe midis “latinos”-ve në Florida apo në California…
Shpresoj që të afrohet liria për popullin kubanez, por degëzimet e pushtetit të Castro-s janë të pafundme. Edhe pse jemi larg nga vitet gjashtëdhjetë që me pa të drejtë e kanë idealizuar Fidel, duke e transformuar në një lloj Robin Hood.
(Nga “Corriere della Sera”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA