Shqiptarët zgjodhën të kalonin festat e nëntorit jashtë atdheut. Agjencitë e udhëtimit raportuan prenotime të larta në krahasim me një vit më parë, duke qenë se ishin katër ditë pushim (26-29 nëntor). Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që i favorizoi për të marrë çmime më të lira. Drejtuesit e agjencive turistike thanë për “Monitor” se këto ditë pushimi iu dhanë mundësi shqiptarëve që të realizonin udhëtime, përtej vendeve fqinje.
Krahas Mavrovës e Kolashinit (ku mungesa e borës zhgënjeu disi) shqiptarët udhëtuan deri në Dubain e largët, por edhe në Spanjë, Gjermani, Bullgari etj. Familjarët ishin ata që preferuan destinacione të afërta, ndërsa grupet kishin përzgjedhur ture që përfshinin vizita në disa destinacione.
Drejtuesit e agjencisë “Sava Tours” thanë se katër ditët e pushimit mundësuan ndërmarrjen e këtyre udhëtimeve. “Ndodh shpesh që njerëzit kanë dëshirë të udhëtojnë, por nuk kanë mundësi dhe fakti që fundjava pasoi dy ditët e festave, atë të Pavarësisë dhe Çlirimit, e bënë më të lehtë organizimin e tureve edhe në destinacione të largëta. Dubai ishte një destinacion që u preferua nga grupe turistësh shqiptarë. Qëndrimi për 5 ditë kushtoi rreth 650 euro për person dhe ky ishte një çmim i favorshëm. Kryesisht u zgjodhën ato destinacione që mund të arriheshin me një avion të vetëm, pra pa bërë tranzit. Si të tilla, e që vijuan listën e preferencave, ishin edhe Italia (Pisa, Romë, etj.), por edhe Greqia (Selanik 150 euro për person, tre ditë) e Spanja. Prenotime pati edhe për Stambollin, me tri ditë qëndrimi. Vendet fqinje, si Maqedonia apo Mali i Zi, duke qenë afër vizitohen kryesisht në mënyrë individuale. Megjithatë në tërësi ne kemi konstatuar një kërkesë më të lartë për të udhëtuar jashtë, në këtë periudhë, në krahasim me një vit më parë”.
Edhe drejtuesit e agjencisë turistike “Union Travel” konfirmojnë kërkesën e lartë për rezervime, ndërsa shtojnë se shqiptarët sërish nuk heqin dorë nga vesi i të lënët të gjërave në minutë të fundit. Natyrisht në këtë sektor kjo kushton, pasi do të thotë më shumë para. “Ata që rezervuan herët, rreth 3 apo 4 javë më parë, arritën të merrnin oferta të leverdisshme. Por, e kundërta ndodhi me ata, të cilët kërkonin oferta të minutës së fundit, kur edhe çmimet ndryshojnë”, thonë drejtuesit e kësaj agjencie. Sipas tyre, pati më shumë udhëtime në grup, por edhe familjarë. Ndërsa destinacionet që u preferuan për Festat e Nëntorit ishin Sofja (99 euro për person për 3 ditë), Bukureshti (199 euro për 5 ditë), Italia (Pisa 199 euro për person), apo edhe udhëtime që kishin dy apo më shumë destinacione. Më i veçanti ishte ai i Gjermani–Vjenë, që iu dha mundësinë vizitorëve të shihnin disa destinacione.
Për drejtuesit e agjencisë “Explorer Travel”, vendet fqinje e kanë studiuar këtë trend të shqiptarëve për të lëvizur në këto festa dhe u përpoqën që të tërhiqnin me oferta të mirëmenduara me çmime të favorshme. Sipas tyre, kjo tregon për strategjitë e tyre të prenotimeve, që duhet të ndiqen edhe brenda vendit nëse do të duam që të mbajmë më shumë turistë këtu. “Ofertat ishin tejet tërheqëse, pasi pati çmime që llogariteshin nga 89–189 euro. U preferuan udhëtime në destinacione si Stambolli (189 euro për person), por edhe në Kroaci, Bullgari, Greqi etj. Mali i Zi dhe Maqedonia u zgjodhën kryesisht për fundjavën dhe nga familjarë. Por, mund të konfirmojmë se këtë vit, kërkesa dhe prenotimet kanë qenë më të larta. Dy janë arsyet: çmimet e favorshme të paketave dhe katër ditët e pushimit, që nuk është se ndodh shpesh. Shqiptarët, ditën si t’i shfrytëzonin”.
Sipas drejtuesve të agjencive, kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe për festat e fundvitit.
Festat, shqiptarët marrin arratinë
Berisha: Si do të arrihet bashkimi kombëtar
Çfarë duhet të bëje Kosova për demarkacionin
– Z. Berisha, si po i gjen shqiptarët ky 28 Nëntor?
Së pari, përfitoj nga rasti t’u uroj ju Mimoza, drejtuesve, gazetarëve, punonjësve, lexuesve të “Bota Sot” dhe mbarë shqiptarëve: Gëzuar 28 Nëntorin, Festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit të Shqipërisë! Kjo ditë, që është dhe festa e të gjitha festave tona, i gjen shqiptarët të lirë dhe në përpjekje të vyera për ndërtimin e sistemit demokratik, integrimin europian dhe euroatlantik, gjen Kosovën në një proces negociatash me Serbinë, proces i një rëndësie jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Por, krahas kësaj, përsëri duhet thënë se kjo festë i gjen shqiptarët me probleme serioze. Së pari, Shqipërinë e gjen të shndërruar në kanabistan, si rezultat i një politike pothuaj zyrtare, të papërgjegjshme të qeverisë, që ka nxitur në shumë mënyra mbjelljen masive të kanabisit në mbarë vendin dhe që beson se me para droge do të zhvillojnë Shqipërinë. Pas diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, shndërrimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, siç po e quajnë atë mediat e mëdha të botës, është goditja e dytë më e rëndë për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Sot territori i vendit në të katër anët e tij është në kontroll direkt të qindra bandave të armatosura, roje të plantacioneve të kanabisit.
Përveç kësaj, kjo festë e gjen Shqipërinë në vendin, në të cilin krimi i organizuar, për shkak të lidhjeve të tij me nivelet më të larta të pushtetit, është vendimmarrësi më i fuqishëm i vendit. Ai bën ligjin në rrugë, institucione, Parlament, ministri, Kryeministri dhe kudo. E gjitha kjo sepse, në trashëgiminë politike të Edi Ramës, për etërit e tij shpirtërorë krimi që “duhej”, që “ndihmonte për mbajtjen e pushtetit” ishte i dobishëm, madje dhe i admirueshëm për aktet e tij!
Krimi i lidhur me pushtetin iu garanton pushtetarëve atë që ligji nuk ua lejon, pushtetin e pakufizuar, ata realizojnë nëpërmjet tij pushtetin pa kufij!
Por përveç këtyre, dramatike është se kjo festë i gjen shqiptarët duke u larguar masivisht nga Shqipëria. Këto dy vite, rreth 100 mijë, shumë prej tyre shtresë e mesme, u larguan nga vendi, kërkuan azil politik në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. Ndërkohë që, sipas Zyrës Federale të Azilit në Gjermani, në vitet 2011-2012, të marra së bashku, gjithsej vetëm 434 qytetarë nga Shqipëria kërkuan azil politik në Gjermani. Kurse vetëm në shtatorin e vitit të kaluar, në Gjermani kërkuan azil politik 8300 qytetarë nga Shqipëria.
Shqiptarët kremtojnë këtë festë pasi Edi Rama dhe qeveria e tij, ndonëse kishin të gjitha mundësitë, nuk plotësuan kushte t e caktuara nga BE-ja për hapjen e negociatave dhe hapja e tyre shtyhet, së paku, me dy vite të tjera. E tëra kjo sepse pushteti dhe pasurimi personal ishin përparësitë absolute të tij dhe qeveritarëve të tij!
Në Kosovë, probleme serioze lidhen me moszbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, me një ngadalësi në procesin e integrimin të saj në BE, por dhe të njohjeve të saj të domosdoshme për anëtarësimin e OKB, si dhe me ngërçin institucional në Parlament etj.
Në Maqedoni, shqiptarët gjenden para një albanofobie, për mendimin tim, në rritje dhe të rrezikshme për stabilitetin e vendit dhe para mungesës së vullnetit nga komiteti ndërkombëtar për t’u angazhuar në çështjet e krizës ndëretnike në këtë vend, që është dhe kriza kryesore dhe më e rrezikshme në Ballkanin Perëndimor, e cila gjykoj se kërkon pa humbur kohë amendimin e Marrëveshjes së Ohrit, shtrirjen e mekanizmit Badinter në vendimet e qeverisë, si dhe decentralizimit apo federalizimit të këtij vendi. Ndërkohë, shqiptarët në Preshevë, Bujanovcë dhe Medvegjë përjetojnë diskriminim tejet të thellë. Përveç këtij diskriminimi serb, ato dëmtohen edhe nga kundërshtitë e forta të brendshme, që dobësojnë dhe nuk forcojnë zërin e tyre.
Shqiptarët në Mal të Zi, me gjithë progresin thelbësor që kanë njohur, përsëri atyre ju mohohet e drejta e Komunës së Tuzit. Së fundi ka një lajm pozitiv dhe urojmë që të bëhet realitet. Edhe këtu kundërshtitë e forta të brendshme midis shqiptarëve pjesëtojnë, si të thuash, forcën e pushtetit të tyre. Me gjithë këto vështirësi dhe të tjera që nuk i rendita shpresoj dhe uroj që kahja pozitive të mbizotërojë për ne.
– Si ka ecur bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ndër vite?
Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ecën dhe zhvillohet, por duhet të kishte ecur shumë më shpejt.
Ky bashkëpunim është natyral, pra proces i pandalshëm, i parikthyeshëm, por çështja është si të shpejtohet, si të kapërcehen sa më shpejt pengesat në rrugën e këtij bashkëpunimi. Duhet të pranojmë se pengesa kryesore për këtë bashkëpunim kanë qenë dhe janë:
o Së pari, trashëgimia 50-vjeçare komuniste, gjatë të cilës, jo bashkëpunim, por ndarje dhe mosbashkëpunim, ishin ligj.
o Së dyti, një përpjekje e padrejtë, pas çlirimit të Kosovës, e komitetit ndërkombëtar, për të ngadalësuar sa më shumë këtë bashkëpunim. Fakt është se, deri sot, edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, në bashkëpunimin midis dy vendeve në tërësi, nuk ekziston asnjë projekt i përbashkët, i financuar nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse linjës së ndërlidhjes energjetike, të projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane para vitit 2013 dhe që tani që ka përfunduar po e mban peng Serbia duke kërkuar në shkëmbim, cenimin e sovranitetit të Kosovës dhe penguar kështu bashkëpunimin rajonal.
o Së treti, një pengesë e madhe, tejet serioze në bashkëpunimin midis dy vendeve ishte dhe mungesa e infrastrukturës lidhëse ndërmjet dy vendeve. Vetëm pas vitit 2005 u ndërtua infrastruktura moderne rrugore, në të gjitha vendkalimet midis dy vendeve. Por kjo infrastrukturë rrugore, duhet me çdo kusht të ndiqet nga infrastruktura moderne hekurudhore.
Hekurudha Milot-Prizren apo Tiranë-Prishtinë, duhet të jetë projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore midis dy vendeve. Kjo hekurudhë është jetike për dalje të lirë të Kosovës në det për transportin e mallrave.
Kjo linjë ka rëndësi të madhe për rajonin, kompletimin e korridorit shqiptar, që është dhe korridori rajonal më fizibël. Me ndërtimin e kësaj hekurudhe, Shqipëria përfiton gjithçka buron nga pozicioni gjeostrategjik i saj. Korridori shqiptar, hekurudha, autostrada etj., do të shndërrojnë portet e Shqipërisë në portet më të rëndësishme të rajonit tonë.
Por dua të theksoj se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, dekonsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës. Për udhëheqjen e vjetër komuniste, të instaluar në Tiranë nga Beogradi, që nga themelimi i PKSH nga serbët Popoviçi dhe Mugosha dhe vendosja nga ana e tyre më vonë e Enver Hoxhës në krye të saj, Kosova gjithnjë ishte një çështje e tradhtuar. Shqiptarët, mjerisht nuk njohin historinë e tyre.
Nënshtrimi i udhëheqjes politike të Tiranës ndaj Beogradit, u ka kushtuar tmerrësisht shtrenjtë shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Kur shikon disa qëndrime të Edi Ramës që, njëlloj si etërit e tij, ka shndërruar Beogradin përsëri si dikur në Mekën e të majtës shqiptare, nuk mund të presësh asgjë tjetër prej tij, përveçse përçarje në çdo hap.
Duke thënë këto, sqaroj se mbështes plotësisht përpjekjet për bashkëpunim normal midis Shqipërisë dhe Serbisë, natyrisht jo në dëm të Kosovës. Shqipëria në asnjë rast nuk mund të marrë monopolin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke shmangur, anashkaluar Kosovën. Jam i bindur se një qëndrim i tillë u shërben ambicieve dhe qëllimeve serbe, por jo normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
– Cili është komenti juaj rreth debatit shqiptar-kosovar?
Sot, ky është një debat qesharak, banal i njerëzve, të cilët kur nuk japin dot në fushën e vlerave, angazhohen me të gjithë ligësinë, injorancën, perversitetin e mendimit, në riciklimin e një pikëpamjeje të vjetër të përpunuar në ish-Jugosllavi nga pushtuesit e Kosovës. Argumentet e tyre mjerane, që shkojnë edhe tek fiset ilire, dëshmojnë qartë padijen, deficitin e madh që kanë në njohuritë për gjenezën, formimin dhe zhdukjen e kombeve në tërësi, si dhe për gjenezën e kombit shqiptar, ADN-në e identitetit të tij.
Këta dhe debati i tyre janë pa të ardhme dhe në këtë kontekst, nuk ia vlen të ndalesh në këtë debat.
Ideja e kombit kosovar është një produkt i vjetër i racizmit antishqiptar dhe albanofobisë. Serbët, provuan dhe dështuan në projektin e shfarrosjes së shqiptarëve nga trojet e tyre mijëravjeçarë në Kosovë dhe treva të tjera, me gjenocidet që kryen ndaj tyre gjatë luftërave ballkanike dhe në vitet 1945-1947.
Millosheviçi, në vitet ’90 të shekullit që shkoi, do t’i deklaronte gjeneralit Wesley Clark se, “vramë e vramë dhe do t’i vrisnim të gjithë shqiptarët, por ju nuk na latë”. Pas këtij dështimi ata përpunuan nocionin e ndarjes së kombit tonë në shqiptarë dhe kosovarë, dhe të gjuhës tonë në gjuhë shqipe dhe kosovare, pra gjuhë të kombit kosovar.
Qëllimet ishin shumë të qarta. Meqenëse identiteti i shqiptarëve është i bazuar në gjuhën, kulturën e tyre, atëherë operacionin duhet t’ja u bëjmë pikërisht në ADN-në e gjuhës dhe kulturës, në mënyrë që t’i klonojmë.
Kështu, e shkëpusim nga trungu kombin kosovar dhe pastaj e dimë ne se si do ta transfigurojmë atë, pra, fillimisht nga shqiptarë në kosovarë dhe më pas nga kosovarë në hiç. Me suksesin e këtij projekti racist albanofob, do të arrihej që pushtuesit e Kosovës nuk do të kishin të bënin më me 6 milionë shqiptarë vazhdimësi etnike dhe gjeografike kudo që ndodhen, por me më pak se dy milionë kosovarë dhe dora-dorës do u rezervonin atyre vdekjen e ëmbël, zhdukjen e tyre nga faqja e dheut.
Ndaj dhe mund të thuhet se çdo njeri që i lejon vetes të flasë për komb kosovar, është një individ me ADN dhe identitet shqiptar të denatyruar dhe ky është një fenomen, sado tejet i kufizuar, por real. Shqiptarë me gjak shqiptari të denatyruar, dhe që gjallojnë me gjakun e kombit që i kanë falë shpirtin, si këta ka patur, ka dhe do të ketë, dhe jo vetëm tek ne, por edhe tek kombet e tjera.
Kështu që, papagajtë e kombit kosovar janë thjesht një grup mjeranësh kudo që janë, në Prishtinë dhe Tiranë, me identitet të denatyruar dhe që kanë zgjedhur të mbijetojnë me gjak serb, sepse ashtu ndjehen më të lumtur. Bazuar në këtë koncept, këta janë zelltarët më të mëdhenj të falsifikimit vulgar të historisë së kombit dhe në këtë funksion, ato fabrikojnë nga mëngjesi deri në darkë, mashtrime, trillime dhe falsifikime. E kanë bërë këtë nën pushtimin serb apo diktaturën e Enver Hoxhës, e bëjnë tani në liri, duke faktuar se kanë mbetur skllevër të së shkuarës së tyre.
– A duhet të bëhet edhe më shumë sa i përket marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekziston një bashkëpunim ekonomik intensiv. Rezultatet e deritanishme janë modeste. Këtë e faktojnë statistikat e investimeve dhe shkëmbimeve të mallrave të ndërsjella. Krijimi i një hapësire ekonomike të përbashkët Shqipëri-Kosovë duhet të jetë përparësia madhore e qeverive të dy vendeve. Në këtë drejtim është e domosdoshme njësimi i të gjitha ligjeve, praktikave, të drejtave, detyrimeve të qytetarëve në të dy vendet, heqja e doganave apo zbatimi i modelit europian slloveno-austriak të doganave, të cilën ne po përgatiteshim ta vendosnim. Për krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët, duhet vendosja e niveleve tatimore të njëjta, praktikave identike në çështjet e pronësisë, investimeve, si dhe shfrytëzimi i përbashkët i potencialeve energjetike, turistike të dy vendeve. Të gjitha këto do të bëjnë të mundur krijimin e tregut shqiptar unik dhe dyfishimin e fuqisë së tij.
– Çka duhet bërë më tepër, në mënyrë që eksportet serbe të mos e përmbytin ekonominë e Kosovës, si mund të orientohemi kah eksportet e Shqipërisë?
Mendoj se rruga kryesore është rritja e kompetitivitetit dhe prodhimit në Shqipëri dhe Kosovë. Potencialet e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë drejtim janë shumë të mëdha, të marra së bashku ndofta dhe më të mëdha se sa të Serbisë.
– A jeni të kënaqur me bashkëpunimin në arsim dhe shkencë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Mendoj se hapa të rëndësishëm janë bërë në fushën e arsimit, kurse në fushën e shkencës ky bashkëpunim është i paktë. Sidoqoftë, në të dy fushat, në tërësi bashkëpunimi është modest dhe ka mundësi të mëdha zgjerimi. Duhet të vazhdohet me unifikimin e kurrikulave në të gjitha ciklet e arsimit, fondet për shkencën duhet të jenë njëlloj të hapura për studiuesit e dy vendeve, duhet të inkurajohen programe dhe projekte të përbashkëta kërkimore, madje tërësisht të hapura dhe për shqiptarët e trevave të tjera dhe të emigracionit dhe diasporës.
Në këtë drejtim, do të thoja se kënga dhe muzika prijnë, janë frymëzuese për të gjitha fushat e tjera të artit dhe kulturës.
– Sa janë duke bërë Shqipëria dhe Kosova për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi?
Mendoj se të dy vendet po bëjnë pak dhe kjo apati në qëndrimin ndaj shqiptarëve të trevave të tjera duhet të marrë fund. Qeveritë e dy vendeve duhet të bëjnë gjithçka dhe pa asnjë kompleks, që shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në vendet fqinje, të gëzojnë liritë dhe të drejtat që iu garantojnë atyre kushtetutat e këtyre vendeve, konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve që kanë firmosur këto vende.
Gjykoj se është e domosdoshme që të dy qeveritë të ndajnë fonde të veçanta për të ndihmuar dhe investuar në infrastrukturën bazë në këto zona, siç bëjnë të gjitha qeveritë e rajonit. Kështu për shembull, është i papranueshëm qëndrimi i dy qeverive, mungesa e solidaritetit nga ana e tyre me banorët e lagjes së Trimave në Kumanovë, të cilëve, autoritetet maqedonase, në një përpjekje kriminale për t’i spastruar nga Kumanova, ju shkatërruan atyre me tanke, murtaja e granatahedhësa, shtëpitë. Rindërtimi i shtëpive të shkatërruara dëshmonte jo vetëm solidaritetin vëllazëror ndaj tyre, por do të ishte dhe një sinjal i fortë se nuk do të pranohet asnjë praktikë e spastrimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.
– Si i komentoni zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, sa i përket marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, e cila ka një vit që nuk po ratifikohet?
Unë, duke qëndruar me dëshirë në anën e opozitës, sepse edhe vetë jam opozitë, kam qenë, jam dhe do të mbetem kategorik kundër bombave të gazit dhe dhunës në Kuvendin e Kosovës, me bindjen më të thellë se këto dëmtojnë shumë imazhin, njohjet ndërkombëtare dhe investimet në Kosovë.
– Nga këndvështrimi juaj, a pati ndonjë gabim në përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi?
Nuk mund të them se pati ndonjë gabim në përcaktimin e vijës së kufirit, pasi deri para pak kohësh, në dijeninë time, përveç deklaratave, ankesa konkrete me dokumente nuk ka patur. Së fundi, një përfaqësi e komunitetit të Rugovës, që është dhe kufitar me vijën e kufirit ka paraqitur një peticion në qeveri. Uroj që qeveria të shqyrtojë këtë peticion. Me këtë rast, theksoj dhe një herë se e vërteta e hidhur është se, vijat e kufirit të Kosovës, përveçse me Mitrovicën e Veriut, bie në toka e territore shqiptare të banuara nga shqiptarë. Kështu që, në çdo ndarje një problem del. Por këtu duhet parë se cila vijë ndarjeje përdoret si referencë për demarkacionin. Departamenti i Shtetit, ka deklaruar se vija e demarkacionit është përcaktuar me korrektesë. Opozita mund t’i kërkojë qeverisë amerikane vlerësimin e saj dhe dokumentacionin përkatës. Unë besoj se ai është objektiv dhe i paanshëm.
– Pse qeveria shqiptare nuk u deklarua sa i përket kësaj marrëveshjeje?
Unë nuk e di përse qeveria shqiptare nuk është prononcuar për këtë marrëveshje. Ndofta, ka preferuar që në heshtje të duket si neutrale, por në fakt mbështet njërën palë.
– Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë liri të lëvizjes, sipas jush kush po e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën?
Ky është një diskriminim i pamerituar dhe lëndues që iu bëhet qytetarëve të Kosovës. Në bindjen time Kosova plotëson, madje ka plotësuar prej kohësh, edhe para Serbisë, kushtet për liberalizimin e vizave. Por këtu mesa duket ndërhynë, ndofta edhe për llogari të Serbisë, ndonjë nga vendet që nuk ka njohur Kosovën.
– A duhet t`u njihet qytetarëve të Kosovës e drejta për të pasur pasaportë të Republikës së Shqipërisë?
Mendoj se po, por dhe anasjelltas. Për këtë është e domosdoshme që të dy vendet e pavarura, mbi bazën e një marrëveshjeje midis dy qeverive, pas heqjes së vizave të Kosovës me BE-në, të zgjidhin përfundimisht problemin e shtetësisë. Theksoj këtu mbi bazën e një marrëveshje, sepse kjo tani nuk mund të bëhet me vendime të njëanshme, sikundër kjo marrëveshje, për arsye të njohura nuk mund të hyjë në fuqi para liberalizimit të vizave me Kosovën nga Bashkimi Europian.
Çdo shqiptar, pavarësisht ku banon, në Shqipëri apo në Kosovë ose në treva të tjera, duhet të ketë të drejtë të marrë shtetësinë që do apo të marrë dyshtetësinë, pra të Shqipërisë dhe Kosovës. Aktualisht për të gjithë shqiptarët e tjerë me banim jashtë territorit të Kosovës, një vendim i qeverisë së mëparshme iu njeh atyre të drejtën e shtetësisë dhe pasaportës shqiptare. Edi Rama, sapo erdhi në pushtet nuk anuloi, por bllokoi vendimin për shtetësinë. Ai për këtë çështje madhore ka një qëndrim albanofobik. Mesa kuptoj ai ka frikë shumë nga dominimi elektoral i pakthyeshëm kundër të majtës në Shqipëri. Unë nuk kam asnjë kompleks nga kjo. Por, në rast se i japim përgjigje problemit të shtetësisë, atëherë përkohësisht për disa ekuilibra të brendshme, mund të përdoren praktikat e njohura të proporcionalitetit të zbatuara edhe nga vende të tjera. Shtoj këtu se fobia e tij me motive elektorale po iu mohon të drejtën e votës emigrantëve dhe shqiptarëve të diasporës nga Shqipëria.
– Si mund të arrihet deri tek bashkimi kombëtar?
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve duhet pranuar si një proces evolutiv, në bindjen time i pashmangshëm. Këto ditë, një ish-zyrtar i lartë i diplomacisë amerikane, Christopher Hill deklaroi në një intervistë në Shqipëri se ishin shqiptarët vetë (fjala për dekadën e fundit të shekullit që shkoi) që nuk donin bashkimin. Ai tha të vërtetën.
Beteja e shqiptarëve dekadën e fundit të shekullit që shkoi, ishte për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe jo për bashkimin kombëtar. Mbi bazën e kësaj platforme, ndonëse nën pushtim, u shpall pavarësia e Kosovës nga presidenti Rugova, u zgjodhën institucionet drejtuese dhe u ndërtua pushteti paralel i shqiptarëve.
Në Shqipëri, Partia Demokratike u themelua si parti e interesit kombëtar, mund t’ju them si parti e idealit të bashkimit kombëtar. Unë isha rritur, formuar jo me ëndrrën e pavarësisë së Kosovës, por atë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Për mua, në koshiencë dhe subkoshiencë Kosova ishte vetëm një krahinë e pushtuar e Shqipërisë, që duhej çliruar. Por do të ishte PD ajo që do t’i paraqiste në vitin 1991, Parlamentit të Shqipërisë rezolutën për njohjen e Republikës së Kosovës. Pse ky ndryshim?
Së pari, ky ishte vullneti i popullit të Kosovës nën pushtim.
Së dyti, kjo ishte rruga e vetme për të shmangur një ndarje tjetër të dhembshme të trojeve shqiptare, ndarje që do të shoqëronte bashkimin dhe që në të cilën padiskutim shqiptarët përsëri do të humbisnin përgjithmonë territore të tjera.
Unë i kam të freskëta ende takimet me shtetarë të tjerë, momentet në të cilat ata, në bisedime me mua skuqeshin nga inati kur unë mbroja idenë e dy shteteve shqiptare. Madje ndodhte që humbisnin durimin dhe etikën dhe zotoheshin para meje se kjo kurrë nuk do të ndodhte. Ndërkohë që nuk ishin kundërshtues për ndarje dhe bashkime të reja në këto treva. Prandaj dhe shqiptarët, në të dy anët e kufirit, ishin për pavarësinë e Kosovës dhe jo për bashkim kombëtar në kushtet e asaj kohe. Shqiptarët, tani të lirë, duhet të jenë të vetëdijshëm se procesi i bashkimit kombëtar mund të vijë vetëm si një proces paqësor i dy shteteve demokratike të pavarura, në të cilin ata nuk i marrin kujt, qoftë dhe një kilometër katror. Ky proces do të mund të ndodhë vetëm në ujdi të plotë me SHBA, BE, vendet anëtare dhe OKB, si dhe të gjithë ata që bënë të mundur pavarësinë e Kosovës.
Por në këtë proces, rëndësi kryesore ka që ne t’i bëjmë kufijtë tanë të parëndësishëm, thjesht konvencionalë. Është e domosdoshme që Shqipëria dhe Kosova, gradualisht pa asnjë lloj kompleksi të njësojnë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, praktikat, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, të ndjehen në vendin e tyre, pavarësisht nga kufiri. Në këtë aspekt, standardet europiane përbëjnë një bazë të shkëlqyer unifikimi dhe mundet që integrimi i plotë i dy vendeve në BE të lehtësojë dhe më shumë këtë proces.
Në bashkëpunimin ndërmjet tyre, shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë kompleks nga akuzat për Shqipërinë e Madhe. Kjo e fundit është sajesë antishqiptare e pushtuesve të trojeve shqiptare dhe miqve të tyre. Një bashkim kombëtar i shqiptarëve nuk është krijimi i Shqipërisë së Madhe. Kjo e fundit nuk ka ekzistuar kurrë në asnjë kohë, por është fundi i padrejtësisë së madhe që ju bë kombit shqiptar në Konferencën e Londrës, duke ia copëtuar në 5 shtete territoret e tij.
Cilido që është i interesuar, le t’u referohet dokumenteve, hartave të kësaj konference. Ato dokumente pohojnë se thjesht po copëtoheshin territoret, jo të Shqipërisë së Madhe, por sipas të gjitha hartave të tyre, të Shqipërisë që paraqitej në këto harta si një entitet etnik, kufijtë e të cilës shtriheshin vetëm në territore ku shqiptarët ishin shumicë etnike dhe vazhdimësi gjeografike. Pikërisht mbi këto harta të Shqipërisë, u hoqën vijat dhe 2/3 e territoreve të banuara nga shqiptarët, dhe të konsideruara si territore të Shqipërisë iu dhanë si shpërblim fqinjëve tanë grabitqarë.
Serbomadhia, Bullgaromadhia, Grekomadhia, Rumunomadhia që të gjitha ishin projekte, harta të bazuara në luftëra të përgjakshme, pushtimesh të egra të tokave dhe territoreve të të tjerëve, spastrimesh etnike, gjë që nuk ka ndodhur kurrë me shqiptarët. Ndërkohë në të gjithë shekujt nuk ekziston qoftë dhe një hartë e vetme në arkivat apo bibliotekat e botës që të paraqitet si hartë e Shqipërisë së Madhe.
Askush, asnjë historian nuk mund të faktojë me ndonjë hartë apo dokument se shqiptarët pushtuan territore dhe spastruan popullata të fqinjëve tanë. Ndaj dhe duhet hedhur poshtë me përçmim çdo insinuatë, sipas të cilës bashkimi i kombit shqiptar është krijimi i Shqipërisë së Madhe. Dhe një herë, ky bashkim është vetëm fundi i njërës prej padrejtësive më të mëdha historike të fuqive të mëdha të Europës së fillimshekullit të kaluar. Për më tepër, kjo padrejtësi e tmerrshme, siç dihet u bazua në motive dhe parime të racizmit fetar, të cilin sot asnjëra nga demokracitë e mëdha perëndimore nuk i pranon më. Përveç këtyre, këto fuqi, me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës bënë një korrigjim të rëndësishëm të kësaj padrejtësie ndaj shqiptarëve dhe shpresoj e besoj se ajo gradualisht do të korrigjohet plotësisht në interesin më të mirë jo vetëm të kombit shqiptar, por dhe kombeve të tjera, paqes së qëndrueshme, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon.
– A kanë pasur ndonjë rezultat sipas jush mbledhjet mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë?
Mbledhjet midis dy qeverive janë një zhvillim pozitiv dhe mendoj i domosdoshëm. Por, po hyri Edi Rama në mes ato përfundojnë në fasadë ndaj dhe përveç fotos, përgatitja dhe vendimet e tyre, kanë qenë thuaj të ngjashme, sikur takoheshin autoritetet e dy njësive të qeverisjes vendore, të themi Shkodrës dhe Pejës apo Gjakovës dhe Krujës. Edhe këto bashki dhe komuna mund të jepnin jo 100 mijë, por dhe dy herë më shumë euro sa dhanë dy qeveritë për maternitetin e Preshevës.
Në mbledhjen e fundit folën për një projekt të mëparshëm të investimit të përbashkët në fushën e termoenergjisë dhe do të ishte e dobishme që ky projekt të konkretizohej. Uroj që axhenda e tyre të përqendrohet në krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike, njësimin e të gjitha ligjeve, standardeve dhe praktikave, zgjidhjen e çështjes së shtetësisë, projekte të përbashkëta veçanërisht në përfundimin e hekurudhës dhe korridorit shqiptar të rajonit etj. Sidoqoftë takimet duhet të vazhdojnë!
– Z. Berisha çfarë dini për rastin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, pasi në këtë rast është apostrofuar shpeshherë edhe emri juaj?
Unë emrin e biznesmenit Remzi Hoxha e kam dëgjuar për herë të parë nga z. Adem Demaçi, i cili më ka ardhur në zyrë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij se ky person është zhdukur në Shqipëri. Menjëherë kam ngarkuar të gjitha autoritetet përkatëse të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Inteligjent dhe prej tyre më është raportuar se ato nuk kishin asnjë dijeni për personin në fjalë.
Nuk kam patur absolutisht asnjë informacion, siç është folur më vonë se ky person ishte i implikuar në autobombën kundër Gligorovit dhe më pas u tha dhe në atentat ndaj meje.
Pas kalimit në opozitë, qeveria e atëhershme më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Gjykata Ndërkombëtare të akuzonte Milosheviçin dhe nuk bëri asnjë prononcim për zhdukjen e biznesmenit në fjalë. Nuk i di arsyet pse heshtën! Sigurisht hetuan, por nuk gjetën asnjë lidhje.
Më vonë janë bërë arrestime të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe personat janë liruar nga gjykatat si të pafajshëm, ndërkohë që siç dihet, Prokurorinë e kontrollonte tërësisht PS.
Duke mirëkuptuar dhembjen e familjarëve për njeriun e tyre të dashur, më duhet të them se përshtypje më ka bërë fakti që problemi i tij ngrihej në fushata elektorale. Këto janë gjithçka di unë për këtë çështje!
– Cili është vlerësimi juaj për ish-Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova?
Në mënyrë të përsëritur jam shprehur se Ibrahim Rugova është për kombin tonë politikani i vetëm gjenial. Ai si politikan, intelektual dhe misionar me vizionin, qëndresën paqësore, guximin, karakterin e papërkulshëm, njerëzinë dhe civilitetin e tij themeloi dhe udhëhoqi drejt pavarësisë Kosovën e sotme, shtet të lirë dhe sovran. Presideni Rugova, së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës bënë të mundur që shqiptarët kudo që janë të festojnë të lirë dhe krenarë këtë ditë.
– A jeni ju për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?
Pavarësia e Kosovës është dita më e shënuar e jetës time. Bashkimi i kombit shqiptar ka qenë dhe mbetet ideali im suprem, që nga çastet më të para të jetës time me vetëdije politike.
Intervistoi: Bota Sot
Prokuroria nuk tërhiqet nga transparenca me ILDKP
Prokuroria e Tiranës ka ankimuar dje në Gjykatën e Apelit shtatë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë që nuk lejojnë sekuestrimin e materialeve të ILDKPKI-së të lidhur me hetimet për deklaratat e pasurisë të zyrtarë të lartë të akuzuar për konflikt interesi.
Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e dosjeve të ILDKPKI-së pak javë më parë.
Më 7 nëntor, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme sekuestruan të gjitha dosjet që përmbanin deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë, për periudhën gjatë, të cilës Shkëlqim Ganaj u emëruar kryetar i ILDKPKI.
ILDKPKI pas këtij vendimi e paditi Prokurorinë në gjykatë.
Prokuroria akuzoi për shpërdorim detyre kreun e ILDKPKI, sepse gjatë drejtimit të institucionit për tri vite, nuk ka hetuar asnjë zyrtarë të lartë – pavarësisht akuzave të shumta publike kundër deputetëve Rakip Suli, Valentina Leskaj dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe reagoi në një intervistë për vendimin e Prokurorisë. Ai u shpreh se Prokuroria po i bën presion ILDKPKI, për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi. Deputeti Braçe e cilësoi sekuestrimin e dosjeve si një atentat i drejtësisë për të marrë nën kontroll deklaratat e pasurisë, tani që Vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të bëhet.
Reforma e drejtësisë në prapaskenë
Një reformë e gjerë në sistemin gjyqësor shqiptar është element kyç për hapjen e negociatave me BE-në dhe zbatimin e saj, Komisioni Evropian e quajti kusht të domosdoshëm për hapjen e negociatave.
Pavarësisht miratimit në unanimitet të ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik, miratimi i kuadrit ligjor të nevojshëm për zbatimin e reformës në drejtësi ka qenë i ngadaltë.
Projektligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur ndryshe si ligji i Vettingut është më i debatuari. Ai është ligji i parë nga 48 projektligjet, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi në mënyrë që të fillojë zbatimi i reformës.
Opozita ka ngritur shqetësime për rolin e institucioneve që janë pjesë e procesit të Vettingut të kontrolluara nga qeveria, si ILDKPKI dhe Ministria e Punëve të Brendshme. PD kërkoi që Vettingu të drejtohej nga dy institucione të reja të parashikuara nga Kushtetuta e re, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Partia Socialiste nuk pranoi amendamentet e opozitës dhe ky ligj kaloi vetëm me votat e mazhorancës më 30 gusht. Më pas, PD e ankimoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, e cila më pas e dërgoi ligjin për mendim në Komisionin e Venecias.
Bota e vogël e keqmenaxhimit
Konflikti ndërmjet prokurorit Llalla dhe kryetarit të ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj paraqet një mikrokozmos të një ngatërrese shpesh të korruptuar ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisë që parashikohen të rregullohen nga reforma në drejtësi.
Shkëlqim Ganaj e ka filluar karrierën e tij si prokuror në Elbasan dhe më pas në Tiranë.
Më 2004 Ganaj e vazhdoi karrierën e tij në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Më 2013, Presidenti Bujar Nishani propozoi dy kandidatura për pozicionin e kryeinspektorit të ILDKPKI-së, Shkëlqim Ganaj dhe Zana Xhuka. Më 21 janar, partia në pushtet PD propozoi vetëm Zana Xhuka, e cila më pas u emëruar kryeinspektore. Pas zgjedhjve të 2013-ës, 34 punonjës të ILDKP bënë padi penale kundër Xhukës për shpërdorim detyre. Si kundërpërgjigje Xhuka paditi Ganajn për sulm fizik dhe verbal.
Në janar 2014, komisioni parlamentar i ngritur në nëntor 2013 vendosi se emërimi i Xhukës më 2013-ën ishte i paligjshëm, sepse ajo nuk përmbushte kushtet e kërkuara. Komisioni gjeti disa raste të shpërdorimit të detyrës dhe dështim në ushtrimin e detyrës. Mazhoranca, votoi për shkarkimin e saj dhe zgjedhjen e një kandidati tjetër më 2013-ën, zotin Ganaj.
Tani, mesa duket pas konfliktit me Xhukën, Ganaj do të përballet me një kundërshtar tjetër, kryeprokurori Adriatik Llalla.
Më 2008 Adriatik Llalla u zgjodh inspektor i Përgjithshëm i ILDKP, pozicion të cilin ai e mbajti për pesë vjet me radhë deri në dhjetor të 2012-ës, kur ai u emërua prokuror i Përgjithshëm nga qeveria Berisha.
Ganaj u emërua nga Partia Socialiste për të zëvendësuar Zana Xhukën, ndërsa PD propozoi Llallën për të zëvendësuar Ina Ramën. Në të dyja rastet, emërimet e tyre u mbështetën vetëm nga mazhoranca në pushtet, pavarësisht faktit se të dy nuk duhet të jenë të përfshirë në politikë.
Basha me fermerët e Xarës, jep garanci për subvencionet
Lulzim Basha u tha demokratëve të Sarandës se politika do të ndryshojë, duke ndryshuar së pari Partinë Demokratike. Ai foli për parimet që duhet të udhëheqin këtë forcë dhe anëtarët e saj, për ta kthyer politikën tek qytetarët, për t’u dhënë atyre pushtetin që meritojnë. Basha theksoi se hapja, bashkimi dhe qëndrimi pranë njerëzve do të kthehen në akte konkrete dhe vendimmarrja në PD nuk do të jetë e mbyllur e një grushti njerëzish, por vendimmarrje e hapur ku përfshihet anëtarësia.
“Ky është i vetmi Kryeministër në botë që e kalon kohën e tij në një zyrë i rrethuar nga skicat e veta dhe jo nga hallet e shqiptarëve që sa vijnë e shtohen. Dhe kur i duhet të dalë nga zyra e merr zyrën me vete. Dhe kur bën sikur ulet me popullin edhe vetë e keni parë merr karriget e luksit nga Kryeministria, karriget e kuqe me varak flori. Duhet që ne t’i bindim shqiptarët që ky ndryshim është një ndryshim tek i cili gjithkush mund të besojë se gjithkush do të përfitojë. Detyra numër një e njerëzve të angazhuar në politikë është të jetojnë me të vërtetën e qytetarëve, është të jetojnë me të vërtetën e njerëzve, ky është misioni ynë. Si do ta bëjmë?! Duke fuqizuar qytetarin, duke kufizuar pushtetin. Bashkimi, hapja, komunikimi i përditshëm me qytetarët, njohja e halleve dhe problemeve të tyre janë tri procese që garantojnë që: refuzimi, zemërimi, depresioni të kthehen në shpresë, në besim dhe orientim për shqiptarët tek kjo forcë politike, forca e ndryshimeve të mëdha historike. Partia Demokratike edhe një herë është gati të marrë përsipër misionin e ndryshimit që po vjen”, tha Lulzim Basha.
Fshati Xarë e ka humbur shkëlqimin dhe i mungon entuziazmi i sezonit të mandarinave. Fermerët këtu janë braktisur dhe nuk ka asnjë masë mbështetëse nga qeveria. Lulzim Basha i pyet nëse kanë marrë subvensione këto 3 vite.
“Jo, jo, këto tri vite s’kemi marrë asgjë. Vetëm me ndihmën tonë në daç për shitjen e mallit, në daç për të gjitha gjërat i kemi bërë vetë”, thonë banorët e Xarës.
“Subvencionet për bujqësinë nuk do ju përjashtojnë ju, ju do të merrni subvencione, do të merrni grante. Do të merrni para për të mbështetur prodhimin tuaj dhe po kështu ne do të ndërhyjmë për të ndërtuar infrastrukturën, për të mbyllur rrugët që kanë mbetur akoma pa u mbyllur dhe për t’ju dhënë ju akses të plotë në treg. Kjo do të ndryshojë me qeverinë tonë, paratë janë. Në qoftë se paratë nuk shpenzohen për luks qeveritar, në qoftë se nuk ndahen me miqtë e Kryeministrit ato mjaftojnë për të mbështetur bujqësinë; ato mjaftojnë për subvencione për çdo fermer në bazë të prodhimit”, siguroi Basha.
Operatorët turistikë të Sarandës ankohen se qeveria në kulmin e sezonit turistik ndryshon taksat, ndërkohë që ata kanë nënshkruar kontrata me tarifa të tjera, çka dëmton turizmin dhe ekonominë e qytetit.
“Në mes të sezonit kanë ndryshuar taksat, që janë dyfishuar apo trefishuar. Është në bazë të tonazhit të kroçerës”, shprehen ata, duke shpjeguar se kjo i detyron krocerët me mijëra vizitorë të mos vijnë më.
“Ndryshimi i legjislacionit në mënyrë të paparashikuar është një sëmundje, e cila duhet të marrë fund. Nuk e drejtoj gishtin që të them e bëjnë vetëm këta, ka ndodhur edhe më përpara. Me qeverinë e ardhshme kjo do të marrë fund. E para ajo që ne kemi thënë për të gjithë sektorët është ulja e taksave. Në raport me TVSH-në ne do ta ulim për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë aktivitetin ekonomik nga 20% në 15%. Dhe po shqyrtojmë një shkallë të veçantë vetëm për turizmin”, tha Basha.
“Na lini të punojmë. Në qoftë se mund të na ndihmoni, na ndihmoni, ju jemi për faleminderit. Në qoftë se nuk mundeni të na ndihmoni, na lini të punojmë. Ne dimë ta menaxhojmë”, është kërkesa e opetarorëve turistikë të Sarandës.
“Do ta lëmë Sarandën të punojë dhe ne do t’ju ndihmojmë. Do ta lëmë Shqipërinë të punojë dhe do t’ju ndihmojmë”, deklaron Lulzim Basha.
Shqipëria jashtë listës së botës për investitorët e huaj
Shqipëria nuk renditet në listën e 100 shteteve me markat më të vlefshme, sipas raportit Nation Brands 2016 të publikuar së fundmi nga kompania konsulente Brand Finance, i cili vlerëson destinacionet më tërheqëse për Investimet e Huaja Direkte.
Nga vendet e rajonit, destinacioni më i preferuar për investitorët është Sllovenia, e cila renditet në pozicionin e 62. Dy vende pas saj është Bullgaria, ndërsa Serbia është e 73-a në renditje nga e 78-a një vit më parë, duke u ndjekur menjëherë nga Kroacia.
Për të mirë a për të keq, njohja e markës ndikon ndjeshëm kur konsumatorët blejnë një produkt. E njëjta vlen edhe kur kompanitë marrin në konsideratë destinacionin e ardhshëm për të investuar. Megjithëse është e vështirë të masësh ndikimin e saktë të këtyre perceptimeve tek Investimet e Huaja Direkte, studimi i kompanisë konsulente Brand Finance synon të heqë paralele mes vendeve që kanë marka më të vlefshme dhe atyre që tërheqin më shumë investitorë.
Sipas raportit, SHBA janë marka më e vlefshme për 2016-n, duke vijuar të ruajnë dominancën. Brand Finance ia atribuon suksesin e saj të vazhdueshëm ekonomisë së shkallës së vendit, sistemit të lartë arsimor që është lider në botë dhe “fuqisë së butë që vjen nga dominanca e saj në industritë e muzikës dhe të zbavitjes”. Në vend të dytë dhe të tretë vijojnë të mbeten përkatësisht Kina dhe Gjermania, ndërsa Britania e Madhe ka kaluar në vend të pestë, duke ia lënë vendin Japonisë. Më pas, në dhjetëshe janë Franca, India, Kanadaja, Italia dhe Australia.
Pakistani ishte një nga vendet me rritje më të shpejtë të vlerës së markës, me një zgjerim prej 41%. Pakistani ka zbatuar një sërë reformash ekonomike të mbështetura nga pagesat e mëdha nga FMN. Raporti shpjegon se “çmimet e ulëta të naftës vazhduan të punonin në favor të vendit, por ashtu dhe përmirësimi i sigurisë”.
Një nga shtetet që pa një rënie më të madhe të vlerës së markës ishte Turqia, me tkurrje prej 29%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e destabilitetit pas grushtit të dështuar të shtetit, që provokoi një reagim të fortë nga qeveria. Hyrja në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen e afërt. Për më tepër, përfshirja e diskutueshme e Turqisë në Siri, së bashku me sulmet e vazhdueshme terroriste nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, po dëmtojnë tërheqjen e vendit për investitorët.
Harrojeni hekurudhën Tiranë-Durrës
Teksa Ministria e Transportit ka gati një projekt për rivitalizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një degëzimi të ri që do ta lidhte atë me Aeroportin e Rinasit, qeveria ka zhvendosur angazhimin për financimin e saj pas vitit 2019.
Bashkë me projektbuxhetin 2017, qeveria ka çuar për miratim në Kuvend edhe listën e projekteve që do të financohen nga fondet publike në dy vitet në vijim deri më 2019. Ndër këto projekte është dhe ai për hekurudhën mes Tiranës dhe Durrësit, por financimet e programuara për tre vitet në vijim do të jenë vetëm sa për fazat paraprake.
Sipas tabelës zyrtare, qeveria e ka kostuar hekurudhën me 10.2 miliardë lekë nga të cilat, 9.5 miliardë lekë janë financim i huaj, një kredi nga BERZH dhe 640 milionë lekë janë financim nga fonde të brendshme.
Kredia e BERZH është planifikuar për t’u përdorur 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.5 miliardë lekë më 2019, ndërsa pjesa tjetër e financimit prej 6.1 miliardë lekësh do të financohet pas vitit 2019.
Nga financimi i brendshëm për këtë projekt financohen 200 milionë lekë këtë vit dhe nga 40 milionë lekë për secilin nga vitet 2018-2019. Pjesa tjetër më shumë se 50% e financimit të brendshëm një prej 330 milionë lekësh do të disbursohet pas 2019.
Ministria e Transportit sakaq ka në fazën e konsultimit projektin për ndikimin në mjedis të hekurudhës.
Aktualisht, shpejtësia maksimale operative në hekurudhë është 40 km/h, me seksione me shpejtësi në 20 km/h. Në linjën Durrës-Tiranë, e cila u modernizua në vitin 1997 duke betonizuar pjesën e hekurudhës dhe ngjitjen e pjesëve të saj, u arrit një shpejtësi limit për vendin tonë prej 60 km/h. Kufizimet e shpejtësisë vijnë kryesisht si rezultat i gjendjes së pistës dhe vendkalimeve të paautorizuara në nivel sesa për arsye gjeometrie.
Prej më shumë se 17 vitesh, qeveritë shqiptare kanë në projektet e tyre për zhvillimin e infrastrukturës sjelljen në terma modernë të hekurudhës, Tiranë-Durrës, por sot e kësaj dite, asgjë nuk ka avancuar
Dogana greke zbulon vjedhjet e Spiropalit
Dogana greke zbulon korrupsionin prej miliona eurosh të ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, nëpërmjet kalimit të mallrave kontrabandë. Skandali është denoncuar nga një doganier, i cili në një mesazh dërguar ish-Kryeministrit Berisha bën të ditur se, nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. “Doganieri dixhital denoncon: -Vjedhjet e mëdha të Spiropalit në dogana, vërtetuar nga dokumenta të ardhura nga dogana greke. Doganat e Fierit dhe Tiranës, sipas tij kanë qenë epiqendër e këtyre vjedhjeve!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e doganierit.
“Abuzimet e drejtorëve të Ramës po dalin mbi ujë. Javët e fundit nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. Informacioni i shoqëruar dhe me dokumentacionin përkatës vërteton abuzimin e bërë në dogana në vlera prej qindra mijëra e miliona eurosh. Ashtu siç ju keni konstatuar dy vite më parë, njerëz të lidhur me Spiropalin në bashkëpunim dhe me bashkëshortin e saj, kanë krijuar kanale për kalim të mallit kontrabandë. Siç del nga informacioni i Doganës greke, dy kanë qenë doganat ku është abuzuar më shumë, Fieri dhe Tirana.
Në të dy këto dogana u instaluan si përgjegjësa FRESH-istë, të cilët zbatonin porositë e marra nga Spiropali ose persona të punësuar prej saj në poste kyçe. Persona anonimë që bashkëpunonin me ta, kryesisht fierakë, hapën nipte shëtitëse dhe fusnin mallra kontrabandë. Me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie kriminale, sallës së monitorimit i jepeshin porosi për të mos ushtruar kontroll mbi mjetet, të cilat kishin si ngarkesë mallra kontrabandë që klasifikoheshin komplet ndryshe nga ato të deklaruara në dokumentacion.
Këtë veprimtari kriminale e pranojnë dhe doganierë që të vendosur para presionit të drejtuesve kanë lejuar që kamionët të kalojnë pa kontroll, por tashmë do të penalizohen për moskryerje të detyrës. Presioni mbi doganierët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe në ndonjë rast kur ata tentonin të kryenin si duhet detyrën, largoheshin nga puna siç është rasti i largimit të një drejtuesi në Doganën e Kapshticës që u bë i “bezdisshëm” me kontrollet e tij. Nga Dogana greke pritet që të vijë informacion dhe për raste të tjera shkeljesh të kryera në kohën e Spiropalit”, përfundon mesazhi i punonjësit të Doganës.
Spiropali nën hetim për kontrabandën me naftën bruto
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është nën hetim për kontrabandën me naftën bruto. Burime nga organi i akuzës së Fierit, bënë të ditur se, në lidhje me këtë çështje janë pyetur edhe ish-titullarë të Drejtorisë së Doganave, si persona që kanë dijeni për çështjen. Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është marrë në pyetje nga grupi hetimor para disa kohësh, ndërsa hetimet vijojnë.
7 zyrtarë u arrestuan në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohen për kontrabandën e 4.4 milionë litra naftë bruto, duke shmangur akcizën. Në prangat e policisë ranë Lula Njebza, ish-zv/drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave; Mirarbër Teneqexhiu, ish-Kryetar i Doganës Tiranë; Alfred Bushi, ish-shefi i Akcizës; Adrian Alikaj, doganier akcize; Syrja Misiraj, doganier akcize; Ortenca Zorba, doganiere akcize; Elona Jareci, doganiere akcize. Ndaj 5 të akuzuarve të parë, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë arrest me burg, kurse ndaj Zorbës dhe Jarecit u vendos arrest shtëpie.
Në janar të 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka kryer një kontroll tatimor në subjektin “Tea Construction & Petrol”, ku ka rezultuar se në depozitat në Kodër Mëzez gjendej në total sasia prej 4.4 milionë litra lëndë djegëse, e cila është cilësuar si naftë “virxhin”, pasi nuk plotësonte standardet. Rreth 7 muaj më vonë, në janar të 2014, pas kontrollit të bërë nga tatimet dhe doganat, administratori i “Tea Construction & Petrol”, Adrian Xhillari, ka kërkuar nga Drejtoria e Doganave heqjen e plumçeve nga magazinat e naftës në Kodër-Mëzez, në mënyrë që të bënte lëvizjen e naftës drejt Rafinerisë së Ballshit.
Sipas dokumenteve, nga data 15-21 gusht 2015, “Tea Construction & Petrol” ka kryer lëvizjen e naftës” virxhin, nën pezullim akcize, nga depozitat në Kodër-Kamës, për në Rafinerinë e Ballshit, në një sasi prej 4.4 milionë litrash, e cila është depozituar në depozitën G-43. Por në datë 2 qershor 2015, grupi i “Crown Agents” dhe Dega e Doganës Fier, kanë zbuluar gjatë kontrollit në depozitën G-43 se depozitat ishin bosh. Referuar sasisë së naftës, vlera e akcizë së papaguar është 242.755.600 lekë.
Eurodeputetët vendosin: Zgjedhjet janë kusht i BE
Komisioni për Politikat e Jashtme në Parlamentit Evropian ka debatuar dje për draftrezolutën e Shqipërisë. Zgjedhjet janë artikuluar nga eurodeputetët si një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave me Shqipërinë ndonëse eurodeputeti Flekenshtejn ka bërë thirrje për një vendim të shpejtë në këtë drejtim.
Eurodeputetët kanë theksuar se në Shqipëri mbetet problem inkriminimi i funksionarëve të lartë në funksione të ndryshme.
Draftrezoluta e Bashkimit Europian i bën thirrje partive politike të Shqipërisë për të respektuar ligjin për përjashtimin e autorëve të veprave penale nga postet publike, në frymë dhe në letër, kur të përcaktojnë kandidatët e listave të tyre. Rama vazhdon ta mohojë këtë kusht të vendosur nga Bashkimi Europian. Ai kërkon anashkalimin e pikës së të inkriminuarve me qëllim që ata të jenë pjesë e fushatës së zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Eurodeputetët nuk janë tërhequr nga kërkesat për zgjedhje të lira. Draftrezoluta kujton përgjegjësitë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Bën thirrje ndaj Komisionit Ad-Hoc parlamentar për Reformën Zgjedhore për të përfunduar rishikimin e Kodit Zgjedhor duke adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it; Bën thirrje ndaj autoriteteve kompetente për të siguruar zbatimin e duhur në kohë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2017. Dokumenti është hartuar nga eurodeputeti i majtë Flekenshtejn. Ai flet për domosdoshmërinë e një dialogu politik. “Rithekson se një dialog konstruktiv, bashkëpunim i qëndrueshëm politik dhe gatishmëria për kompromis është vendimtare për suksesin e reformave dhe për të gjithë procesin e anëtarësimit në BE”. Sipas draftit të paraqitur prej tij reforma në gjyqësor duhet të jetë gjithpërfshirëse ndërkohë që Rama me rrëzimin e paketës kushtetuese të miratuar me konsensus ka rrëzuar çdo mundësi për gjithpërfshirje. Ai kërkon kapjen e drejtësisë përmes kontrollit të Vettingut duke ja lënë atë në duar tri zyrtarëve që janë nën kontrollin e plotë të Ramës.
Draftrezoluta “Përsërit se një reformë gjithpërfshirëse e gjyqësorit është një kërkesë madhore e qytetarëve të Shqipërisë për të rikthyer besimin tek përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve publike, dhe se kredibiliteti e efektiviteti i procesit të reformave në tërësi, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, varet nga suksesi i procesit të verifikimit (Vetting) dhe reformës në drejtësi”.
Bën thirrje për trajtimin e mëtejshëm të mangësive në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke përfshirë mungesën e pavarësisë nga degë të tjera të pushtetit, drejtësinë selektive, llogaridhënien e kufizuar dhe mekanizmat joefikase të kontrollit, korrupsionin, kohëzgjatjen e përgjithshme të procedurave gjyqësore dhe zbatimit.
Rithekson rëndësinë kritike për media profesionale dhe të pavarura në shërbimin publik dhe privat; është i shqetësuar për ndikimet politike në media dhe vetëcensurën e gjithpërhapur mes gazetarëve; vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audiovizuale dhe vonesat në plotësimin e vendeve të AMA-s; Bën thirrje për masa për të rritur standardet etike e profesionale dhe bashkësinë e kontratave të rregullta të punës së gazetarëve, për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik.
Parlamenti Europian, sipas draftit, do të shqyrtojë mundësitë, përmes programeve ekzistuese për vendet e zgjerimit, për të ndihmuar kolegët shqiptarë, në këtë kuadër, për ushtrimin e rolit mbikëqyrës dhe rritjen e cilësisë së legjislacionit. Vlerësohet përmirësimi i marrëdhënies së institucioneve shtetërore me shoqërinë civile, por kërkohet rregullimi i kuadrit fiskal për organizatat jofitimprurëse. Toleranca fetare vendase konsiderohet “thelbësore për parandalimin e radikalizmit islamik” dhe luftën kundër terrorizmit.
Një problem mjaft i rëndësishëm në draftrezolutë konsiderohet pamundësia e luftës efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kuvendit i kërkohet të miratojë Kodin e Etikës dhe të forcojë kapacitetet e mbikëqyrjes ndaj qeverisë. Drafti përsërit gjetjet e raportit të fundit të Komisionit për vendin në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, për administratën publike dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë për pronat, fëmijët dhe minoritetet, si dhe përsa i takon lirisë së medias.
Draftrezoluta i është dorëzuar eurodeputetëve dhe ajo pritet që të ketë ndryshime gjatë ditëve të ardhshme.
Arben SHAHINI
Basha në Përmet: Lekët e luksit e korrupsionit do t’u kthehen qytetarëve
“Hapje, bashkim, qendrim pranë njerëzve”, kjo është porosia e Lulzim Bashës për demokratët e Përmetit.
Në aktivin e kësaj dege, Basha ka theksuar edhe një herë parimet që duhet të udhëheqin PD, për të sjellë një ndryshim të besueshëm e të pakthyeshëm në vend, duke e kthyer pushtetin tek qytetarët, duke qeverisur për ta, për nevojat e tyre.
“Si mund të pranoj të harxhoj për luks zyrash, për bileta avionësh, për karburant, për perde, për orendi 140 milionë dollarë në dy vite. Kur me këto para dhe të tjera të marra së bashku mund të hapen 55 mijë vende pune në vit, me rrogë mesatare 500 mijë lekë. Cila është përgjigjja jonë si demokratë?! Të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Të ndërtojmë një Shqipëri të shumicës dhe jo të pakicës. Si do ta bëjmë?! Duke ndërtuar një qeveri që u vjen në ndihmë njerëzve. Njerëzit që shkëputen nga hallet sapo i hipin pushtetit, nuk janë modeli im, nuk mund të jenë modeli i PD, jam i sigurt që nuk janë as modeli juaj. A ka fushatë më të vërtetë, më besnike ndaj interesave të qytetarëve sesa kjo kur i pyet se si i kanë hallet dhe kur partia i ka të evidentuara këto halle, jo thjesht si teori, por si rast pas rasti, me emër dhe mbiemër. Njerëzit me reputacion që duan të vijnë të bashkëpunojnë me ne, nuk duhet të shikohen si kërcënim, nuk vijnë të marrin, por vijnë të japin. Vijnë të ndajnë me ne shpresën për një Shqipëri ndryshe nesër. Ndaj kjo porosi është diçka, tek e cila dua të insistoj fort sot, hapeni partinë ndaj njerëzve që duan të bashkohen, të japin kontributin e tyre”, tha Lulzim Basha.
Realitetin e rëndë ekonomik e sheh kudo në këtë zonë. Në Fshatin Kaluth, 15 minuta larg Përmetit preket me dorë përplasja e dy botëve, e botës së luksit të kryeministrit e qeverisë që ka braktisur njerëzit, dhe e botës së mbijetesës të fermerëve që janë në kufijtë e ekzistencës.
“Kam dy vajza më kanë mbaruar universitetin, njëra me mesatare 9.5, tjetra me 8.4 dhe asnjë në punë. Futen në punë ata me pesa dhe ata që kanë miq, shokë dhe para”, është revolta e një prindi në Kaluth.
“Ky është problemi, kjo duhet ndryshuar. Kjo është ajo që thashë, që i afti dhe i talentuari nuk çan përpara, kurse i korruptuari i paafti ecën përpara. Këtë duhet ta ndryshojmë, këtë do ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Të gjithë bashkë do ta ndryshojmë”, përgjigjet Basha.
“Më dhanë një vit KEMP, ma prenë. Më thanë që duhet të kesh dy gjymtyrët e prera që të marrësh KEMP”, thotë invalidi Kristo Sotiri, që ka dy djem të papunë dhe nuk merr asnjë subvencion, pasi ka vetëm një dynym sipas autoriteteve.
Kam qenë i majtë, thotë Kristo. Kam parë Edi Ramën pa pikën e mëshirës, më thotë që problemi yt nuk zgjidhet këtu. Po ku zgjidhet problemi, në Greqi?!
“Problemi i Kristos e para e punës është problem tmerrësisht i dhimbshëm, vetëm ta dëgjosh dhe prekesh. E dyta, për fat të keq nuk është i vetmi problem, me dhjetëra, me qindra kam takuar dhe jam i sigurt që janë me mijëra që ua kanë hequr KEMP-in me këtë arsyetim absurd, mizor, kriminal. Sepse një rast i tillë i dhimbshëm duhet të kishte ndihmën e menjëhershme të shtetit dhe jo vetëm që s’të kanë dhënë ndihmë, por edhe ndihmën që ke pasur ta kanë hequr. Pse ta kanë hequr?! Të thonë ty që s’kanë lekë. Po pse kanë lekë për palmat nga 600 euro”, tha Basha, i cili u angazhua se: Subvencionet do të shkojnë tek çdo fermer. Çdo familje do të marrë subvencione, do të marrë në bazë të punës, në bazë të prodhimit, bujqësi, blegtori pa kufizim. Nuk ka rëndësi, nëse ke 1 dynym apo 5 dynym, një kokë lopë apo 15 kokë lopë. Sa do që të kesh, do të marrësh subvencionet në bazë të prodhimit. Qeveria ime do të mbështesë fermerët. Do të kemi në vitin e parë 100 milionë euro në dispozicion vetëm për subvencione dhe 50 milionë të tjera për infrastrukturën, bashkërisht është 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe t’ju them edhe diçka tjetër, është baraz me tenderat që marrin 11 miqtë e Edi Ramës. Aty janë lekët.
Loja ruse e Ramës dhe shërbimet sekrete tek droga
Gjatë muajve shtator-tetor 2016, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sulmoi në disa dalje publike deputetin Koço Kokëdhima dhe median e tij “Shekulli”.
Sulmet e Tahirit erdhën pasi “Shekulli” publikoi një serial delikat shkrimesh që kishin lidhje me kanabisin dhe situatën e rënduar me mbjelljet në Shqipëri.
Kjo ishte një “dhuratë e thartë” për Tahirin dhe Ramën, të cilët kishin arritur deri atëherë ta mbanin të izoluar çështjen e kanabisit.
Po çfarë thoshte gazeta e Kokëdhimës? Gazeta po interpretonte disa aksione të Prokurorisë që u finalizuan me kapjen e disa tonelatave sasie kanabis. Por gazeta zbuloi se Prokuroria ishte furnizuar me informacion nga SHISH-i, ndërsa ky i fundit, duket se ka pasur aleatë në këtë nismë dy shërbime inteligjente të huaja.
“Hashtag.al” ka mësuar se Shërbimi Inteligjent i Gjermanisë kishte nisur punën operative që prej muajit maj-qershor, për të evidentuar të gjithë hierarkinë policore që ishte implikuar dhe mbronte mbjelljet me kanabis. Por në lojë ishte dhe shërbimi inteligjent italian. Madje roli i këtij të fundit ka qenë i sikletshëm, sepse italianët ishin të përçarë.
Guardia di Finanza mbështet qeverinë Rama dhe ishte e interesuar në bojkotimin e hetimeve, ndërsa Shërbimi Inteligjent italian funksiononte në tjetër korridor dhe nxiste hetimet. Roli dhe informacionet e BND-së gjermane ishin vendimtare në zbërthimin e skemës dhe zbulimin e individëve dhe rrethanave gjeografike që dokumentonin biznesin në fjalë.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur shumë mirë se kush po luante dhe se cilën palë kishin kundër.
Ishte BND-ja gjermane dhe SHISH-i ato që po dokumentonin biznesin fitimprurës të kanabisit dhe implikimin e zyrtarëve të rëndësishëm policorë të rilindjes. Dhe që prej qershorit 2016, kur nisi puna operative e shërbimeve në terren, Kryeministri Rama karrikoi gjithë bateritë mediatike rilindëse që të shmangnin me çdo kusht vëmendjen nga çështja e kanabisit.
Madje Rama nxiti personalisht debatin për “importin e plehrave” duke provokuar dhe komentuesit e tij në Facebook dhe gradualisht strategjia e tij funksionoi, po flitej më pak për kanabisin dhe më shumë për çështjen e importit të plehrave.
Edi Rama kishte siguruar heshtjen e ambasadorit amerikan Lu për kanabisin, por dhe heshtjen e ambasadores së BE-së Vlahutin, kishte siguruar partneritetin e Guardia di Finanza-s, por dështoi të ndikonte mbi Shërbimin Inteligjent italian.
Është kanabisi dhe shndërrimi i qeverisë shqiptare në një kupolë karteli arsyeja bazike e shqetësimit të gjermanëve, çka shpjegohet dhe me angazhimin direkt të BND-së.
Të gjitha këto zhvillime dhe hetime pas kuinte Rama i ka ditur në kohë reale, por mesa duket i ka ditur dhe Kokëdhima, i cili i publikoi tek “Shekulli”, duke prekur “telat” më delikatë të rilindjes dhe duke thyer heshtjen për një çështje ku nuk guxonin të pipëtinin as ata “dy ambasadorët e Vetingut”.
SMS-të për Rusinë
Edi Rama është zyrtari më i informuar në Shqipëri, patjetër që ai e ka ditur se raportet e BND-së për kanabisin në Shqipëri, janë dërguar në të gjitha rangjet përkatëse politike në Gjermani, deri tek kancelarja Merkel. Ai e di shumë mirë se gjermanët e kanë të zbërthyer skemën e implikimit të policisë së tij në këtë biznes. Me siguri, zyrtarët gjermanë nuk është se i gënjen mendja se personi më i interesuar në Shqipëri për reformën në drejtësi, mund të jetë i njëjti që komandon dhe kontrollon mbjelljet kolosale me drogë.
Por ndonëse figuron në raportet e inteligjencës gjermane si përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në një parcelë gjigante droge, Edi Rama po bën çdo gjë që ky fakt të mbahet jashtë vëmendjes së publikut. Drejtori i tij i Informacionit, zoti Endri Fuga, ka shpërndarë për mediat proqeveritare një SMS, si porosi të kryeministrit.
Kjo SMS i orientonte gazetarët tek një artikull i agjencisë “Reuters”, ku Rama citohej duke u ankuar për “vështirësitë e mëdha” në betejën për integrim, si pasojë e rrymave antiBE që ekzistojnë në Ballkan. Rama linte të nënkuptuar si pengesë faktorin rus.
Krejt papritur, kryeministri që s’ka lënë gurë pa lëvizur për të penguar hetimin e shërbimeve gjermane dhe SHISH-it për kanabisin, po i tregon botës dhe shqiptarëve se sa të vështirë e paska ai punën integruese si pasojë e presioneve antiBE. (!)
Kjo tezë e re mediatike e Ramës, përveçse mediokre, është dhe një kopje e shëmtuar e tezave që përdor zakonisht kryeministri serb Vuçiç, i cili kur i leverdis, përdor presionet ruse për të kapur sa më shumë nga BE-ja.
Por ndryshe nga Vuçiç, Rama nuk po e përdor tezën e tij për të kapur ndonjë gjë, por thjesht sa për të maskuar fundosjen e negociatave për shkak të kanabizimit të vendit.
Në ndryshim nga Serbia, ku rusët kanë një ndikim real dhe të prekshëm, në Shqipëri, Rama ka pasur mbështetje të dorës së parë nga qeveria amerikane, madje ka pasur dhe “mirëkuptimin e heshtur” të tyre kur vinte puna për mbjelljet me kanabis. Situata është krejt e ndryshme.
Por mesa duket, mirëkuptimi ka munguar nga pala gjermane, ndërsa BND-ja dhe SHISH ja kopsitën letrat e implikimit me kanabisin.
Hashtag.al