30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Bilanci i Ramës, asnjë premtim i mbajtur 6 muaj para zgjedhjeve

Rilindja dhe kryeministri i zgjedhur prej saj, Edi Rama do të mbahen mend si qeverisja që nuk mbajti asnjë premtim nga programi elektoral me të cilën fitoi zgjedhjet për një mandat qeverisjeje katërvjeçare. Rilindja thjeshtë rezultoi një mashtrim i madh, dhe një frymë propagande, e cila mund të vërtetohet lehtësisht tashmë, që kjo qeveri është në muajt e fundit të qeverisjes. Jemi në të hyrë të dhjetorit, dhe qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet parlamentare, ndërsa në faqen zyrtare të PS-së, ose asaj çka ka mbetur prej saj vazhdon të jetë programi i katër viteve qeverisje 2013-2017. Ndoshta dikush ka harruar ta heqë që aty, apo ndoshta qëllimisht vazhdon të qëndrojë aty si një simbol i talljes me shqiptarët.

Borxhi publik

Por le t’i marrim me rradhë se çfarë ka thënë Rilindja në vitin 2013 dhe si paraqitet sot situata në raport me premtimet. Në vitin 2013, kur banda e Rilindjes mori pushtetin, borxhi publik ishte 64 për qind dhe shikoni se çfarë thoshte në programin e saj Rilindja “Ne jemi të vendosur që gradualisht të fillojmë ta ulim borxhin publik, ta sjellim atë në parametra të kontrollueshëm dhe të mos ia lëmë barrë brezave të ardhshëm. Objektivat tona kryesore janë: Ulje graduale e borxhit nëpërmjet kontrollit të deficitit fiskal dhe përshtatjes me rritjen ekonomike. Në fakt, ajo që ndodhi është krejt e kundërta. Në më pak se tre vjet qeverisje borxhi publik u rrit me 10% dhe kaloi shifrën e 74 për qind. E habitshme se ku vajtën kaq shumë para në dhjetë vjet dhe qeveria jonë e drejtuar nga njeriu që ka pasion vizatimin nuk na shpjegoi kurrë se përse duhej të merrte kaq shumë borxh në një periudhë kaq të shkurtër, ndërkohë që nuk investohet në asnjë sektor të ekonomisë. Pra, me një logjikë të thjeshtë, Rilindja s’ka bërë asgjë tjetër vetëm se ka marrë borxh për të dhënë tendera e PPV miqve të saj, ndërkohë që shqiptarët me anë të taksave duhet të mbajnë në kurriz pasojat.

Mashtrimi me punësimin

Gjatë një takimi në Peqin një vajzë e re do ja bënte të ditur kokës së karvanit, (Kryeministri preferon ta thërrasë karvan që ecën, Rilindjen, afërmendsh, ai duhet të quhet koka e karvanit), se kishte disa vite që kishte mbaruar fakultetin me rezultate të larta po nuk gjente dot punë. Koka e karvanit ju përgjigj se ashtu si ty ka shumë që kërkojnë punë) një përgjigje që nuk do e dëgjoni kurrë nga një Kryeministër i përgjegjshëm në ndonjë vend tjetër për një shtetas të tij. Dhe më e bukura është se e dini çfarë ka premtuar koka e karvanit në 2013, kur synonte të merrte pushtetin. “Angazhohemi të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. 40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit”. Qesharake ta mendosh se, pas këtij premtimi 80 mijë shqiptarë kërkuan azil brenda 2014-2015 vetëm në Gjermani. Një epidemi ikjeje dhe humbje e shpresës siç nuk ishte parë as në vietet e para të përmbysjes së komunizmit. Sot, Edi Rama ku është me këtë premtim. Ku i ka vendet e punës në industrinë prodhuese, në  aktivitetet e lidhura me bujqësinë apo turzimin! Ku i ka premtimet për një “Shqipëri të fëmijëve tanë”, kur shqiptarët vetëm në vendin e tyre nuk e shohin të ardhmen e fëmijëve?! Por në programin e qeverisjes së Ramës, në vitin 2013 janë dhe një sërë premtimesh që sikur vetëm një pjesë të atyre të kish realizuar gjendja sot do ishte shumë ndryshe. Ka premtime për uljen e çmimit të ushqimeve të konsumit, legalizimeve falas, uljen e çmimit të energjisë elektrike, goditjen e monopoleve në hidrokrabure dhe uljen e çmimit e të tjera si këto. Por në fakt çka ndodhur. Me të marrë pushtetin, kryeministri dhe qeverisja u përqendruan vetëm tek një pjesë e vogël njerëzish, të cilët po thithin çdo resurs të këtij vendi. Vjedhja është bërë një fenomen normal, ndërsa varfëria shtohet çdo ditë. Rama jo vetëm shtoi varfërinë, por çka është më e keqja goditi shpresën. Burgosi njerëz se kërkonin dritë për fëmijët e tyre, rriti taksat e biznesit, falimentoi ndërrmarje dhe mbylli vende pune. Në vitin 2013, mori një shtet të gatshëm, të cilin duhej vetëm ta administronte, por ajo çka ndodhi me makutërinë, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë, rrezikon ta kthejë Shqipërinë në kohët më të errëta të saj. Dhe kjo mund të ndodhte vetëm në një vend, që ka si kryeministër një njeri me emrin Edi Rama.

Premtimet e Ramës: Ulje e varfërisë, legalizime falas, ulje e çmimit të energjisë

Më poshtë po bëjmë një pasqyrë të disa prej premtimeve që ka bërë Rama në vitin 2013. Gjithkush mund të japë një gjykim se çfarë është bërë deri më sot me to. Sa keq janë gënjyer shqiptarët, nga një grup njerëzish të papërgjegjeshëm që kishin qëllime të qarta se përse e donin pushtetin. Shikoni se çfarë premtonte Rama për uljen e varfërisë, rrugët, administrimin e mbetjeve apo financimet për bujqësinë. Çdo kush mund ta bëjë vetë analizën, dhe të shohë fytyrën e vërtetë të rilindjes tashmë që është në prag të ikjes. Çdo kush mund të bëjë një analizë, se a mund të tallet njeri në këtë mënyrë me besimin e njerëzve?

Mashtrimi për varfërinë

o Do të kemi një përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit.
o Përjashtimi/ulja nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
o Realizimi i premtimit për heqjen reale të TVSH-së për importimin e makinerive dhe pajisjeve.
o Ulja/kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.

Mashtrimi me rrugët

“Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit. Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit.

Mashtrimi me legalizimet

Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale.
Do të vlerësohet informaliteti në territor, do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret procesi i legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme.
Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme. Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale.

Mashtrimi me  plehrat

Do të ndalojmë importin e mbetjeve.
Do të eliminojmë venddepozitimet e mbetjeve që janë buzë lumenjve dhe do të përcaktojmë vende të tjera të përshtatshme për depozitim.
Do të pastrohen në mënyrë prioritare akset kryesore rrugore nga mbetjet dhe ndotës të tjerë.
Do të ndalojmë në mënyrë urgjente zjarret në vendgrumbullimet e plehrave pranë qyteteve.
Do të përfundojë hartimi i të gjitha planeve rajonale për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe do të monitorohet zbatimi i tyre

Mashtrimi me Bujqësinë

Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanet, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.

Tjetër ngarkesë droge nga Shqipëria, 1 ton në Katania

Rreth 1 ton marijuanë është zbuluar nga Policia italiane në Katania brenda një rezidence, pronari i të cilës, një shtetas italian është vënë në pranga. Droga, e cila mendohet se në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Droga ka mbërritur në 25 nëntor nga Shqipëria në Siçili, ku në vend të trafikantëve, të cilëve do u dorëzohej droga ishin agjentët e policisë që kanë ndjekur çdo veprim. Sipas mediave italiane, të gjithë të arrestuarit janë shtetas italianë.
Autoritetet italiane këmbëngulin se, operacioni i fundit tregon dhe njëherë më shumë lidhjen e ngushtë mes Katanias dhe Shqipërisë për trafikun e drogës. Në nëntor të vitit 2013, në Skordia u sekuestruan 900 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Një vit më pas u sekuestruan 1500 kilogramë marijuanë në një anije.
Ndërsa në 2015-ën janë tre sekuestrimet e bujshme: në muajin shkurt në Spartivento, më pas 1 ton marijuanë në një peshkarexhë në Portin e Ripostos dhe në shtator në kuadër të operacionit “Odisea” i Guardia di Finanza u arrestuan 15 persona dhe u sekuestrua një sasi droge me një vlerë 70 milionë eurosh.
Tre ditë më parë, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej të tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se,  Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet trafikut të kanalit të Otrantos. Sulmi “Blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.

BBC: Shqipëria prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë

“Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisi në Evropë”. Kështu e nis një tekst rrjeti gjigant britanik BBC, i cili paralajmëron publikimin e një reportazhi në radio. Sipas BBC, kjo industri e paligjshme mbikëqyret nga grupet e krimit të organizuar, i cili është përhapur në të gjithë vendin. Shumica e kanabisit siç shkruhet në artikull, shpërndahet në Evropë dhe shumë fshatra mbahen nga kjo industri.
“Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Evropë i kanabisit që rritet në natyrë. Kjo industri e paligjshme, e cila mbikëqyret nga grupe kriminale, nisi nga fundi i viteve 1990 dhe është përhapur gjithandej në këtë vend të vogël të Ballkanit. Pjesa më e madhe e “arit të gjelbër” trafikohet jashtë vendit, dhe fshatra të tërë mbahen me paratë që nxirren nga tregtimi. Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë këtë industri, duke asgjësuar miliona bimë dhe duke sekuestruar sasi të mëdha që janë tharë dhe përgatiten për tregtim në zona të fshehta. Me producenten Albana Kasapi, gazetarja Linda Pressly heton bumin e kanabisit të Shqipërisë”, shkruan BBC.
Reportazhi pritet të transmetohet të enjten më 1 dhjetor në “Radio 4”, ora 11:00 dhe në 5 dhjetor ora 20:30.
Një ditë më parë televizioni publik gjerman, MDR “Mitteldeutscher Rundfunk” e cilësoi Shqipërinë si Kolumbinë e Europës. Një emër ky që Shqipërisë i është vënë edhe nga media të tjera të huaja, për shkak të shtimit të konsiderueshëm të sipërfaqeve të mbjella me kanabis. “Shqipëria kërkon sot të hyjë në BE. Por ka pengesa, si krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që janë probleme të mëdha. Veçanërisht, Shqipëria është lider në Europë në prodhimin e kanabisit”, thuhet në lajmin e MDR.
“Shqipëria ofron kushte të mira për kultivuesit e kanabisit. Zonat malore janë të vështira për t’u kontrolluar edhe nga ajri. Është edhe problemi i korrupsionit dhe nepotizmit. Shpesh policia, politika dhe mafia janë në të njëjtën anije”, thuhet më tej në kanalin publik gjerman.
Publikimi i këtij lajmi përkon me takimin e Kryeministrit Edi Rama me Kancelaren Angela Merkel në Berlin. Ai vjen pas kritikave të forta të deputetit Gunther Krichbaum, i cili tha në Tiranë se krimi, droga e korrupsioni janë pengesa për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Shqiptari 100 mijë euro kokainë drejt Zvicrës

Një 36-vjeçar shqiptar u arrestua nga Guardia di Finanza në Como të Italisë, pasi u kap me kokainë që kapte vlerën e 100 mijë eurove. Sipas mediave italiane, shqiptari vinte nga Zvicra në drejtim të Italisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një pjesë të dyfishtë në pjesën e përparme të automjetit. Shqiptari kishte hequr edhe pjesën e airbag-it të pasagjerit, në mënyrë që të rriste kapacitetin mbajtës.
Arrestimi i shqiptarit u krye në mesin e mijëra makinave që vinin nga Europa Veriore dhe që po tentonin të kalonin në kufi. Kontrolli në mjetin e shqiptarit erdhi pas dyshimeve që ai shfaqi tek punonjësit e policisë.
Pas kontrollit të automjetit mbrëmjen e së enjtes vonë, u gjet sasia e drogës e futur me një copë dhe e paketuar në disa shtresa, ndërsa ishte mbështjellë me një shirit të errët ngjitës. Shqiptari u arrestua për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa është dërguar në burgun lokal, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Policia sekuestroi makinën dhe dy telefona celularë. Nëse do ta shiste në tregun me pakicë, shqiptari do të mund të fitonte 100 000 euro, ndërsa lënda narkotike ishte e një cilësie të pastër.
Valixhe me kanabis drejt Greqisë
Një i ri ka përfunduar në pranga, pasi ka tentuar të trafikojë 3 kg kanabis drejt shtetit grek. 30-vjeçari Mario Aliaj nga Fieri, u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës. Ai drejtonte automjetin tip “Benz”, me targa AA 674 GA. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në bagazhin e mjetit është konstatuar një valixhe, në të cilën kishte disa pako me kanabis. Në valixhe u gjetën 5 pako me kanabis, me peshë totale rreth 3 kg. Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Revolta e qytetarëve për deputetët e inkriminuar

Kureshtja i shtyu për të parë nga afër sallën e “betejave” parlamentare, por qytetarët nuk e kursejnë fjalorin për të zgjedhurit e tyre. Pritshmëritë për përfaqësimin në Parlament mesa duket nuk janë të duhurat ndaj dhe në librin e përshtypjeve epitetet janë nga më të shumëllojshmet.
BalkanËeb ka mundur të zbardhë disa prej mendimeve të qindra qytetarëve, të cilët vizituan pasditen e sotme sallën e seancave plenare në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit. “Hajdutë, kriminelë, trafikantët më të bukur që ka patur ndonjëherë populli. Jeni dele të udhëhequra nga një gomar” shkruan një i ri. Dikush tjetër preferon të japë një këshillë: “Ashtu siç është kjo sallë e bukur dhe plot kulturë, duhet të jenë dhe deputetët që gjer tani nuk e meritojnë ketë sallë”.
“Vend shumë i bukur për të mbajtur plehrat me radioaktivë të këtij populli mjeran. Pastë fatin tonë”, shkruan dikush tjetër.
Sot është dita e dytë kur në kuadër të festave të nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë ka pritur qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Zyra e shtypit ka shoqëruar vizitorët duke i informuar mbi funksionimin e Parlamentit.

Padia e re e gjyqtarëve në Kushtetuese

Pas Vettingut, një tjetër ligj pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, mbërrin në Gjykatën Kushtetuese. Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të ankimojnë në Kushtetuese ligjin për “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që hyri në fuqi me datë 22 nëntor 2016.
Përfaqësues të Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve, thanë për “Neës 24” se ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën, e për rrjedhojë duhet shfuqizuar.  Në padinë që pritet të dorëzohet gjatë kësaj jave, thuhet ndër të tjera se ligji krijon vakum institucional dhe cenon hapur mundësinë e promovimit në karrierë të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit.
Në padi theksohet se, nga zbatimi i këtij ligji mund të krijohen situata kolapsi në mënyrën sesi do të funksionojnë institucionet e drejtësisë.
Për këto arsye dhe të tjera, gjykatësit do të kërkojnë edhe pezullimin e ligjit, me qëllim që ai të mos japë efekte, pasi sipas tyre do të shkaktojë pasoja të pariparueshme në të ardhmen. Hyrja në fuqi e këtij ligji, është shoqëruar me “ngrirjen” e funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk mund të emërojë, transferojë apo promovojë gjykatësit.

Kamza ka aplikuar 123 projekte, qeveria nuk ka financuar asnjë

Bashkia e Kamzës ka miratuar dje, paketën fiskale të vitit 2017. Kryetari i Bashkisë, Mziu theksoi se, që prej 3 vite e gjysmë kanë aplikuar me 123 projekte sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Sipas tij, këto projekte janë vlerësuar pozitivisht nga Banka Botërore dhe KfW, por përsëri nuk kanë gjetur mbështetje nga qeveria. Kjo paketë fiskale sipas Mziut si qëllim ka krijimin e të ardhurave për t’i konvertuar ato në investime dhe shërbime, zhdukjen e informalitetit, zhvillimin e biznesit, rritjen e numrit të të punësuarve si dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Në tri vite e gjysmë, me 123 projekte ka aplikuar Bashkia, të cilat kanë bindur Bankën Botërore, KfW-në e të tjerë organizma të huaj, duke i konsideruar konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Dhe kjo ka sjellë pabarazi ndërmjet qytetarëve të Kamzës dhe atyre të bashkive të tjera. Madje, nuk kanë përfituar as qytetarët e majtë të Kamzës”, ka pohuar kreu i Bashkisë, i cili ka vijuar fjalën e tij, duke theksuar se i vetmi instrument që ka ngelur për t’u shfrytëzuar është paketa fiskale.

“Ka pasur një angazhim maksimal për të pasur një paketë fiskale, ka thënë zoti Mziu, jo me qëllimin në vetvete për të krijuar të ardhura, po paketa fiskale në Kamëz, në fakt, për të dhjetin vit me radhë, ka vetëm një qëllim, për ta bërë paketën fiskale stimuluese për zhvillimin e biznesit. Vetëm në këtë lloj mënyre mund t’i jepet zgjidhje asaj çfarë është më kryesorja-punësimit,  por pastaj edhe investimeve dhe shërbimeve. Dhe në referencë të viteve, dua t’ju them që diku nga viti 2007, Kamza dhe Paskuqani gjithsej kishin 500 subjekte, kryesisht ambulantë ose biznes i vogël.

Sot janë rreth 3000 biznese, për shkak të kësaj politike fiskale dhe tendenca ka qenë për të pasur taksa, tatime, tarifa ato çfarë lejon ligji, për të kapur pjesën fundore të intervalit ose në dysheme të saj, për ta stimuluar zhvillimin e biznesit dhe, po të shohësh, numri i bizneseve është rritur, kryesisht në zonën e Kamzës, por që të rritet biznesi nuk është vetëm paketa fiskale, por duhet t’i krijosh edhe infrastrukturë”. Kryetari i Bashkisë Kamëz përsëriti faktin se, buxheti i vitit 2016 nuk ka qenë i mjaftueshëm, megjithë lehtësirat fiskale që sipas tij kanë rritur numrin e të punësuarve , kryesisht në biznesin fason.

“Mos harroni, është qyteti i gjashtë në Shqipëri për numrin e popullsisë në 61 bashki pas ndarjes territoriale. Granti i fillimit të vitit jepet mbi bazën e numrit të popullsisë, madje është referenca kryesore, në fakt ne kemi marrë më pak sesa na takon. Besoj që i dini ju arsyet se përse”, është shprehur Mziu, duke theksuar edhe një herë sjelljen e qeverisë ndaj Bashkisë Kamëz.

Përgatiti:
Edmond DURAKU

Miku i “Xhabaftëve” armë pa leje, 10 mijë euro dhe jelek antiplumb

Miku i “Xhabaftëve” të Kombinatit kapet me armë pa leje, 10 mijë euro cash, jelek antiplumb dhe një fuoristradë të blinduar. Bashkë me të udhëtonin edhe Julain Daci e Albert Xhabafti, të cilët u proceduan penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të policisë. Xhabafti 44-vjeçar, sipas burimeve të policisë, ka ndërruar mbiemrin duke e kthyer në Kovaçi. Xhoni Asllanaj, 20 vjeç, u arrestua nga policia në Vorë, ndërsa drejtonte një fuoristradë “Toyota”, të blinduar, raporton Tv “Klan”.
Gjatë kontrollit, Asllanaj, sipas policisë mbante me vete një çantë në të cilën kishte një armë zjarri pistoletë me një krehër me 15 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe një shumë prej dhjetë mijë eurosh.
Sipas policisë, Asllanaj njihet si një nga personat më të afërt të Albert Xhabaftit, i cili ndodhej në mjetin e blinduar. Albert Xhabafti, është vëllai i Baki Xhabaftit, i cili u vra më 28 shkurt të vitit 2014, në Vorë kur vetura me të cilën ai po udhëtonte shpërtheu nga një mekanizëm i telekomanduar.

Prokuroria i drejtohet Apelit ndaj ILDKP-së për zyrtarët e korruptuar

Prokuroria ankimon në Gjykatën e Apelit, 7 vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, që rrëzoi vendimet e Prokurorisë për sekuestrimin e regjistrave dhe serverit qendror të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. ABC News ka mësuar se Task-Forca e Prokurorisë, ka kundërshtuar në Gjykatën e Apelit 7 vendimet e firmosura nga gjyqtari Julian Haxhiu, i cili pranoi kërkesën e ILDKPKI-së për shfuqizimin e vendimeve të sekuestrimit të të gjitha dosjeve. Sipas akuzës, për llogari të hetimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të ILDKPKI-së për akuzën e mosveprimit në rastet e konstatimit të konfliktit të interesit, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e regjistrave dhe serverin e plotë të këtij institucioni, ku ndodhen deklaratat e pasurisë, e të gjithë zyrtarëve që i ngarkon ligji për vetëdeklarim. Këto materiale, thotë Prokuroria, është e nevojshme të sekuestrohen për të parë nëse zyrtarët e ILKDPKI-së kanë kryer detyrën apo kanë abuzuar me të, duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Por ky qëndrim i Prokurorisë u rrëzua nga Gjykata e Tiranës, e cila ndër të tjera thotë se, Prokuroria nuk mund të sekuestrojë të gjithë serverat dhe regjistrat fizike të ILDKPKI-së, pasi e kalon në kolaps këtë institucion. Gjykata thotë se, në rastin e nisjes së këtij hetimi, Prokuroria ende nuk e ka identifikuar faktin penal dhe objekti është shumë i gjerë, çka për Gjykatën, Prokuroria duhet të identifikojë fakte konkrete që mund të përbëjnë fakte penale. Pra veprime apo mosveprime konkrete të funksionarëve konkrete të ILDKPKI-së që kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës.
Sipas Gjykatës, nga ana e Prokurorisë nuk ka asnjë indicie të qartë dhe të plotë në lidhje me çështjen penale dhe autorët e mundshëm të tij. Në të 7 vendimet që mbajnë firmën e gjyqtarit Haxhiu, thuhet se mosidentifikimi i fakteve konkrete nga Prokuroria sjell një hetim të ç’organizuar, konkluzion ky i nxjerrë nga numri i lartë i vendimeve për sekuestrimin e materialeve në ILDKPKI. Për këto konstatime të Gjykatës, Prokuroria ka shprehur pakënaqësinë e saj, duke ankimuar të 7 vendimet në Gjykatën e Apelit.
Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e dokumentacioneve konkrete, sekuestrimin e regjistrit fizik të procedurave të “kontrollit të konfliktit të interesit” dhe atë të “kontrollit të plotë” si dhe sekuestrimin e të dhënave të ruajtura në serverin qendror të sistemit kompjuterik të ILDKPKI-së.
Organi i akuzës mësohet se, do të verifikojë veprimet e kryera nga inspektorët e ILDKP-së për verifikimin e pasurisë së ligjvënësve Valentina Leskaj, Rakip Suli dhe ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur se, janë sekuestruar dosjet e dy deputetëve dhe një ish-deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, në zyrat e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.
Burimet pranë organit të akuzës bënë të ditur se, Prokuroria ka sekuestruar dosjet individuale të deputetes Valentina Leskaj, deputetit Rakip Suli dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima, të cilit Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin. Sekuestrimi i dosjeve të tyre, mësohet se është bërë për llogari të hetimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së, duke mos përjashtuar hetimin edhe ndaj kryeinspektorit të përgjithshëm Shkëlqim Ganaj.
Burimet thonë se, me sekuestrimin e këtyre dosjeve, do të verifikohet nëse inspektoriati i ILDKPKI-së, ka kryer kontrolle për ligjin e konfliktit të interesit në dosjet e tre të zgjedhurve. Prokurorët thonë se, subjekt i këtij hetimi nuk janë deputetët apo deklaratat e tyre të pasurisë, por vetëm pjesa nëse zyrtarët e ILDKPKI-së kanë kryer detyrën, duke verifikuar nëse deputetët kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit.
Sipas akuzës, hetimi është përqendruar te mosveprimi i zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së në kontrollin e këtyre dosjeve, pasi tre deputetët u dërguan në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ata dhe pjesëtarët e afërm të familjes kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit, me pretendimin se kanë përfituar fonde publike në kohën që ata mbanin detyrën e deputetit.

8 rajonet që nuk kanë energji elektrike nga moti i keq

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq ditën e djeshme, kryesisht zonat malore me temperatura që kanë shkuar deri në -6 gradë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, OSHEE thotë se janë angazhuar në terren për të punuar e për të sjellë energjinë elektrike. Sipas informacionit të orës 17:30, mësohet se është reduktuar ndjeshëm numri i fiderave me defekt, pjesa më e madhe e të cilave i përket linjave ajrore.
Defektet janë shkaktuar sidomos nga erërat e forta dhe rajoni më i prekur vazhdon të jetë Shkodra për shkak të stuhisë së erës që ka përfshirë këtë rajon.
Grupet e avarisë po punojnë për riparimin e defekteve, të shfaqura kryesisht në degëzimet e fiderave në zonat e thella malore.
Rajonet pa energji:
Rajoni Tiranë: Pjesërisht autostrada Tiranë-Vorë, Vorë-Fushë Krujë, si dhe është stakuar për arsye mbingarkese në linjën 35 kW Shkozet-Shijak, Fideri Gërdec në Nst Vorë që mbulon zonën Gërdec
Rajoni Elbasan: Seferan/Belsh, Komuna Pishaj/Gramsh
Rajoni Korçë: Mbreshtan/Ersekë
Rajoni Burrel: Ish-Komuna Fan, Bardhaj, Shullaz.
Rajoni Shkodër:  Ishull Shëngjin, Kelmend, Dobraç.
Rajoni Kukës:  Lekbibaj, Golaj.
Fidrat që furnizojnë spitalet, objektet të pushtetit qendror, vendor dhe konsumatorë të rëndësisë të veçantë janë të gjithë në punë.
Të gjitha linjat 35 kW dhe N/Stacionet janë në skemë normale furnizimi me energji si dhe hidrovoret janë të gjithë në punë.

4 të vdekur brenda 24 orësh në Fier, mes tyre dhe një 14-vjeçar

4 persona kanë ndërruar jetë në Fier gjatë 24 orëve të fundit në ngjarje të ndryshme. Burime nga policia thanë se, një 48-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa ka qenë në palestër, ndërsa një 14-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se të gjitha vdekjet janë prej shkaqeve natyrale, ndërsa mes tyre është vetëm një i moshuar, 88 vjeç.
Burime nga policia thanë se në lagjen “Kryengritja”, në banesë, ka vdekur 55-vjeçari me inicialet J. Xh. Nga hetimet rezultoi se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Po dje, në fshatin Seman, në banesë, ka vdekur 14-vjeçari me inicialet F. V. Nga veprimet e kryera rezultoi se, vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Ndërsa gjatë rrugës për në spital, ka vdekur 88-vjeçarja me inicialet M. Y., banuese në fshatin Kreshpan.
Ndërsa në lagjen “16 Prilli”, gjatë stërvitjes në palestër, ka vdekur 48-vjeçari me inicialet A. Ç, 48vjeç, banues në Fier. Edhe për këtë person, policia thotë se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Pesë makina përplasen në autostradë, 5 të plagosur
Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor në autostradën Rrëshen-Kalimash, në afërsi të tunelit të Thirrës në Mirditë. Policia bën me dije se 5 automjete janë përplasur konkretisht dy mjete tip “Benz”, një me targa AA 350 BD dhe tjetri me targë AA 621 T, njëri prej të dyve mjet i shërbimit taksi.
Në përplasje janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, një “Mitsubish” dhe dy “Audi A3”, njëri prej të cilëve nga Kosova. Si pasojë e përplasjes, 3 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar në Qendrën e Traumës në Tiranë, ndërsa 2 të tjerët, të identifikuar si Mark Gjeka dhe Riza Peca, drejtues të dy mjeteve tip “Benz”, ndodhen në Spitalin e Rrëshenit jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të njërit nga mjetet, si pasojë e terrenit të rrëshqitshëm, pas reshjeve të dëborës.

Vdekja e 18-vjeçarit, Prokuroria nis hetimet për Lungomaren

Prokuroria e Vlorës do t’i kërkojë Gjykatës të vendosë masën “arrest me burg” për tre persona të arrestuar pas aksidentit në aksin Ujë i Ftohtë-Skelë, në të cilin humbi jetën 18-vjeçari Kristo Panajoti dhe u plagos drejtuesi i mjetit. Nga njëra anë Prokuroria dyshon se dy inxhinierët e firmës, Tomorr Cena dhe Ilirian Tahmazi kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, duke qenë se gjatë punimeve të firmes “Xh@m”, e nënkontraktuar nga një firmë greke, nuk kishin vendosur tabela paralajmëruese për përdoruesit e rrugës.
Të pyetur nga Prokurorja e çështjes, përgjegjësi i sigurimit teknik dhe inxhinieri zbatues i projektit kanë deklaruar se në këtë aks kishte tabela. Por kjo dëshmi shihet si e dyshimtë nga akuza për sa kohë nga verifikimi në vendngjarje është konstatuar se tabelat janë vendosur një ditë pas aksidentit tragjik.
Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar ekspertët të inspektojnë sërish jo vetëm vendngjarjen, por të gjithë aksin ku kryhen punimet e Lungomares, për të konfirmuar nëse është i siguruar ky perimetër jo vetëm për automjetet që qarkullojnë aty, por edhe për kalimtarët.
Në funksion të hetimeve, Prokuroria ka edhe dëshminë e shoferit Petraq Beja, i cili po kurohet në spital nën arrest për shkelje të rregullave të qarkullimit. Beja insiston se shkak i aksidentit është bërë një gropë në mes të rrugës për praninë e së cilës nuk ishte paralajmëruar me tabela. Por, siç edhe ai e ka pranuar, edhe sipas Prokurorisë, mjeti që ai po drejtonte ishte me shpejtësi tej normave të lejuara në një aks në punim e sipër.