19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Sherr në një lokal, masakrohet me thikë i riu

Një ngjarje rëndë ka ndodhur, pas një sherri të ndodhur në një lokal në Dibër. Bëhet e ditur se një plagosje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Dibër, ku policia thotë se ka vënë në pranga të dyshuarin, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se 43-vjeçari me inicialet R. T., banues në Staravec-Dibër është vënë në pranga për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.
Arrestimi i tij është bërë, sepse mbrëmë në vendin e quajtur Sheshi “Bajram Curri”, në një lokal 43-vjeçari me anë të një thike, për motive të dobëta ka plagosur rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike 27-vjeçarin me inicialet S. F., banues po në Staravec-Dibër, i cili ndodhet për ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të qytetit Peshkopi.
Policia tha se dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës, në ngarkim të shtetasit R.T si i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.

Priten emërimet e reja të kabinetit Trump

Amerikanët janë në pritje të emërimeve të tjera që do t’i japin formën përfundimtare kabinetit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës, Michael Bowman ritmi i njoftimeve për poste të reja ra disi për shkak të festës kombëtare të falënderimeve, por pritet të përshpejtohet sërish gjatë kësaj jave.
Asnjë prej emërimeve të zotit Trump nuk po prodhon kaq kureshtje sa ajo për sekretarin e Shtetit. Në garë për t’u emëruar si kryediplomati amerikan është një prej njerëzve besnikë të zotit Trump.
“Nuk do të diskutoja kurrë për politike apo çfarë ai do të zgjedhë ose jo ditën e falënderimeve. Dhe mbase nuk do ta diskutoja fare”, thotë Rudi Giuliani ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut.
Pjesë e garës është dhe një prej kritikëve më të fortë të zotit Trump gjatë fushatës.
“Mendoni për cilësitë personale të Donald Trumpit, arroganca, babëzia, mburrja, paragjykimi ndaj grave, një teatër absurd”, ka thënë ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney.
Disa prej njerëzve të afërt të zotit Trump e kanë shprehur hapur dhe qartë pakënaqësinë ndaj zotit Romney.
“Kjo është festa e zotit Trump, ai fitoi shtete që Mitt Romney i humbi. Fitoi Miçiganin, Mitt Romney e humbi. Do të kisha dashur që Mitt Romney të ishte po aq kritik ndaj Hillary Clintonit”, tha për rrjetin televiziv “ABC”, Kellyanne Conway zëdhënëse e Donald Trumpit.
Një prej kundështarëve të zotit Trump thotë se ka besim tek ekipi që ai ka përzgjedhur deri tani.
“Jam i inkurajuar prej këtij ekipi, fokusi i tyre. Jam i inkurajuar prej planit të tyre për të vepruar në mënyrë agresive në 100 ditët e para, për të hequr barrën fiskale mbi bizneset e vogla dhe për të krijuar vende pune. Këtë duhet të bëjë një president”, tha për “ABC” senatori republikan, Ted Cruz.
Zoti Cruz tha se republikanët s’duhet të kenë asnjë droje të ecin përpara me axhendën e tyre pas ceremonisë së përurimit të presidentit të ri.
“Kemi një mandat për të ndryshuar vendin. Republikanëve u është dhënë mundësia, u është dhënë kontrolli i Shtëpisë së Bardhë, çdo degë të ekzekutivit, të dyja dhomat e Kongresit. Duhet të prodhojmë rezultat”, thotë senatori republikan, Ted Cruz.
Progresistët ndërkohë i kanë bërë thirrje zotit Trump të qëndrojë i vendosur në ato fusha për të cilat gjatë fushatës nuk ishte dakord me Partinë Republikane sikurse ruajtja e sistemit që mbron të moshuarit dhe të varfërit.
Gjatë garës për president Trump tha se, “unë jam republikani i vetëm që nuk do të shkurtoj sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Disa njerëz në Partinë Republikane duan të bëjnë shkurtime masive në buxhetin e sigurimeve shëndetësore. A do ta mbajë ai premtimin?”, tha për “ABC News” senatori i pavarur, Bernie Sanders.
Ndërsa zoti Trump pritet të përfundojë emërimet për kabinetin e tij në javët që vijnë, me qindra emërime të niveleve më të ulëta do të bëhen pas betimit të tij më 20 janar.

Putini, ndihma mjekësore në Aleppo

Russia's President Vladimir Putin (R, back) walks in as he attends a session during the Week of Russian Business, organized by the Russian Union of Industrialists and Entrepreneurs (RSPP), in Moscow, March 19, 2015. Putin said on Thursday that the central bank's key rate remains rather high, but it is warranted by current conditions. REUTERS/Maxim Zmeyev

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Situatave Emergjente të dërgojnë spitale mobile në Aleppo të Sirisë sa më shpejt që është e mundur.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin ka urdhëruar ushtrinë të sigurojë “ndihma mjekësore për banorët e qytetit dhe komunitetet pranë”.
Rusia u ofron mbështetje ushtarake forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilat po bëjnë përpjekje të rimarrin kontrollin e Aleppos nga rebelët antiqeveritarë.
Organizatat siriane të ndihmave kanë akuzuar regjimin sirian dhe Rusinë për sulme kundër objekteve mjekësore në qytet.
Në Aleppo vazhdojnë të jetojnë të rrethuar rreth 250,000 civilë.

OKB: ISIS po vret civilë në Mosul

Zyra për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se militantët e Shtetit Islamik në Mosul të Irakut kanë vrarë civilë, që nuk kanë pranuar të mbajnë raketahedhës ose snajperë mbi çatitë e shtëpive të tyre.
Zëdhënësja Ravina Shamdasani u tha gazetarëve në Gjenevë se militantët kanë vrarë 12 civilë në lagjen Bakir të Mosulit më 11 nëntor.
Ajo po ashtu tha se luftëtarët e Shtetit Islamik kanë vrarë publikisht 27 civilë në veri të Mosulit, më 25 nëntor.

Iran, parandalohet sulmi i ISIS-it

Forcat e qeverisë së Irakut dhe aleatët e tyre janë angazhuar në një ofensivë të madhe për dëbimin e Shtetit Islamik nga Mosuli.
Ky qytet ka rënë nën kontrollin e organizatës terroriste qysh në vitin 2014.
Ministri i Inteligjencës i Iranit tha se agjentët e tij kanë parandaluar një sulm të militantëve të Shtetit Islamik në Teheran.
Mahmoud Alavi tha se një “grup terrorist” është identifikuar dhe “likuiduar”.
Ai tha se janë konfiskuar edhe armë.
Alavi nuk dha më shumë informacione për sulmin e planifikuar dhe nuk i identifikoi të dyshuarit.
Ai po ashtu tha se një militant i dyshuar i Shtetit Islamik, me emrin Abu Ayesheh Kurdi, është vrarë pranë kufirit të Iranit me Irakun.
Irani shiit është njëri nga armiqtë kryesorë të Shtetit Islamik, organizatë terroriste sunite.

Sondazhi, rusët duan marrëdhënie të mira me Perëndimin

Numri i rusëve që mbështesin lidhjet më të mira me Perëndimin është rritur në mënyrë të konsiderueshme që nga mesi i vitit 2015.
Sipas një ankete të publikuar nga agjencia e sondazheve Levada, 71 për qind e rusëve kanë thënë se duan lidhje më të gjera dhe më të afërta ekonomike, politike dhe kulturore me Perëndimin.
Kjo shifër, në korrik të vitit 2015, ka qenë 50 për qind.
Sipas anketës së re, vetëm 17 për qind e kanë mbështetur reduktimin e lidhjeve me Perëndimin, krahasuar me 37 për qind sa kanë qenë në korrik të 2015-ës.
Pesëdhjeteshtatë për qind e të anketuarve kanë thënë se Rusia duhet t’i frikësohet NATO-s, ndërsa 31 për qind kanë thënë se nuk duhet.

Kushte suplementare për t’u integruar në BE

Artan FUGA

– Kur për çdo pulë të therrur dhe të vendosur në një frigorifer shtëpie ose dyqani, kur ndërpritet energjia elektrike dhe pula shkrin, gjobën disa herë sa çmimi i pulës ta paguajë operatori me të cilën është lidhur kontrata e furnizimit me atë energji.
– Kur për çdo dëmtim të një qytetari që rrëzohet në rrugë si pasojë e një hendeku ose trotuari të parregulluar, gjobën si edhe dëmshpërblimin, përpos shpenzimeve të mjekimit të tij, t’i paguajë Bashkia.
– Kur për çdo autoveturë që thyhet nga gropat në rrugë, shpenzimet dhe gjobën për këtë dëmtim ta paguajë Ministria e Transporteve ose Bashkia që mbulon atë zonë.
– Kur për çdo vonesë më shumë se 30 minuta të një treni, autobuzi ose avioni, udhëtari të dëmshpërblehet me çmimin e biletës së prerë.
– Kur për çdo sëmundje mushkërish, dëmin personal si shpenzimet e mjekimit t’i paguajë Ministria e Shëndetësisë, e Mjedisit ose Bashkia që kontrollon territorin e tejndotur.
– Kur uji në të gjithë territorin e Republikës të vijë 24 orë dhe pa nevojën e depozitave dhe pompave të pallateve që rëndojnë buxhetin e banorëve.
– Kur bashkitë të selektojnë mbetjet urbane sipas klasifikimit të tyre dhe t’i riciklojnë pa ndotur mjedisin.
– Kur për çdo qytetar, edhe administratori më i lartë publik të detyrohet t’i plotësojë kërkesën për informacion brenda tre ditësh.
– Kur për çdo kastravec të shitur, kungull me ose pa fara, për çdo shalqi, kilogram mishi, për çdo copë sallami, suxhuku, ose salçiçeje, të dihet origjina nga ana e konsumatorit, lëre pastaj për çdo kokër limoni, kumbulle, qershie, a rrushi.
– Kur në administratë të mos ketë asnjë nëpunës të pranuar, sepse është anëtar i ndonjë partie, por me konkurs të rregullt.
– Kur për çdo të sëmurë për të cilin jepen mjekime të gabuara dhe medikamente jashtë standardit, gjobën, dëmshpërblimin dhe zhdëmtimin i paguan shteti, spitali apo ministria.
Le t’i lemë historitë me vetingje, mitingje, lobingje, etj., por t’u japim të drejtat që u takojnë qytetarëve të trajtuar si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër.
Atëhere të bërtasim: “Europë, Europë!”
Kush nuk u jep qytetarëve këto të drejta, ai e pengon integrimin shqiptar në BE.

Sulmi në Ohio mund të jetë terrorist

Një student somalez në Universitetin Shtetëror të Ohios e përplasi makinën mbi një turmë njerëzish dhe pastaj doli nga automjeti me thikë në dorë duke therur 11 persona. Ai u qëllua dhe u vra nga policia.
“Ne duhet ta shqyrtojmë këtë” si një sulm terrorist tha shefja e policisë në Columbus, Kim Jacobs.
Universiteti Shtetëror i Ohios, e identifikoi sulmuesin si Abdul Razak Ali Artan. Pjesëtarët e komunitetit në Columbus i thanë shërbimit somalez të “Zërit të Amerikës” se ai ishte me origjinë nga Somalia dhe ishte 20 vjeç.
Një student me të njëjtin emër ishte portretizuar në muajin gusht në gazetën e studentëve duke ngritur shqetësimin për mungesën e dhomave të lutjeve për myslimanët në kampusin e universitetit.
Zyrtarët e spitalit thanë se asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetë.
Presidenti i Universitetit Shtetëror të Ohios, Michael Drake, tha se fillimisht pati thashetheme se mund të kishte edhe një të dyshuar. Megjithatë, Drake tha se policia kishte kontrolluar zonën dhe beson që ishte vetëm një sulmues. FBI u është bashkuar hetimeve.
Drake tha se nuk do të spekulojë për motivet e sulmit. Ai tha se sulmi ishte i qëllimshëm, sepse i dyshuari e drejtoi makinën mbi një turmë këmbësorësh mbi trotuar dhe më pas doli nga makina dhe filloi të therë njerëzit me thikë kasapi.
Policia tha se një oficer i kampusit arriti në vendin e ngjarjes dhe qëlloi të dyshuarin më pak se një minutë pasi ai filloi sulmin.
Studentët thanë se u barrikaduan në sallat e mësimit dhe në zyra duke bllokuar dyert me karrige kur ndodhi incidenti.
“Jemi të frikësuar, të gjithë janë të frikësuar”, i tha “Zërit të Amerikës” Suad Osman, anëtar i shoqatës së studentëve somalezë në Universitetin Shtetëror të Ohios.
Një profesor i tha “Zërit të Amerikës” se kolegët e tij ishin të “tronditur” nga ngjarja.
Në kampusin kryesor të Universitetit Shtetëror të Ohios ka rreth 60 mijë studentë.

Franca thërret mbledhje të OKB-së për Aleppon

Franca ka bërë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Aleppon.
Në një deklaratë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se “më shumë se kurrë ka nevojë emergjente për një armëpushim dhe qasje të papenguar të ndihmave humanitare” për banorët në qytetin e rrethuar.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 16 mijë civilë kanë ikur nga Aleppoja Lindore gjatë ditëve të fundit, pas përparimit të qeverisë siriane.
Të martën Observatori për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se të paktën 10 civilë u vranë në një sulm ajror në Bab al-Nairab, një lagje lindore që ende mbahet nga forcat kryengritëse.
Aktivistët dhe media shtetërore siriane thanë të hënën se forcat qeveritare kanë shënuar një varg fitoresh mbi luftëtarët opozitarë në Aleppon Lindore, si pjesë e një strategjie që qartazi synon ndarjen në dysh të pjesës së qytetit të kontrolluar nga kryengritësit.
Aleppo është në qendër të përpjekjeve të ushtrisë siriane të mbështetura nga sulmet ajrore ruse. Situata atje ka nxitur shqetësimin ndërkombëtar për shkak të 250 mijë civilëve që kanë mbetur të kurthuar nën rrethimin e qeverisë, pa ushqime dhe furnizime mjekësore.
Në Washington, Departamenti i Shtetit shprehu “zemërimin e thellë” me bombardimet e fundit në Aleppo duke e bërë përgjegjëse Moskën.
“Ajo që ne kemi vazhduar të themi është se Rusia mban përgjegjësinë kryesore për atë që regjimi sirian është duke bërë dhe që po lejohet të bëjë në kuptimin e viktimave shkatërruese civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile, përfshirë edhe spitalet në dhe përreth Aleppos”, tha të hënën zëdhënësi John Kirby.
Ai tha se po vazhdojnë përpjekjet shumëpalëshe në Gjenevë për të diskutuar rrugët për të siguruar një “kuadër të ndërprerjes së armiqësive”.
Agjencia shtetërore SANA, citoi një burim ushtarak të ketë thënë se ushtria mori lagjen Al-Sakhour dhe mënjanoi minat e lëna prapa nga “terroristët”, një shprehje që qeveria e përdor për të përshkruar këdo që i kundërvihet presidentit Bashar al-Assad.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, raportoi po ashtu se ushtria ka vënë nën kontroll qarkun Al-Sakhour dhe disa lagje të tjera.
Drejtori i Observatorit, Rami Abdulrahman, e cilësoi humbjen si më të rëndën që kur kryengritësit e morën gjysmën e Aleppos në vitin 2012 dhe tha se opozita ka humbur një të tretën e territorit që kontrollonte në qytet.
Një numër i madh i banorëve kanë ikur nga Aleppoja Lindore në pjesën perëndimore të kontrolluar nga qeveria gjatë ditëve të fundit. Khaled Khatib, që punon për një grup vullnetarësh të shpëtimit të njohur si “Helmetat e Bardha” e përshkroi situatën në Aleppon Lindore si “shumë, shumë të rëndë”.
“Mijëra po ikin nga lindja në perëndim të qytetit” shkroi ai në Twitter. “Aleppo po vdes”.
Trupat qeveritare të mbështetura nga aleatet rusë filluan të depërtojnë në Aleppon Lindore më herët gjatë këtij muaji pas disa ditë bombardimesh të dendura nga avionët rusë dhe sirianë.
Ambasadorja amerikane, Samantha Power, tha se sulmet ajrore janë dëshmi se regjimi dhe Rusia po vazhdojnë me strategjinë “vdisni nga uria, prisni bombat ose dorëzohuni”.
Komentet e saj javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ishin pjesë e kritikave të ashpra ndaj aksioneve të Rusisë dhe Sirisë në Aleppon Lindore.
Moska dhe Damasku i kanë përshkruar vazhdimisht luftimet kundër kryengritësve në Aleppon Lindore si betejë kundër terroristëve pavarësisht popullatës civile. Të dyja qeveritë kanë përdorur fjalën “terrorist” për të arsyetuar bombardimet vdekjeprurëse dhe mesa duket pa dallim në atë zonë.
Diplomatët dhe organizata për të drejtat e njeriut thonë se Moska dhe Damasku mund të përballen me hetimet për krime lufte për rolin e tyre në shkatërrimin e Aleppos Lindore.

Referendumi italian, çfarë do të sillte për euron

Investitorët që po përpiqen të marrin veten nga tronditjet në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shqetësohen edhe për të ardhmen e Italisë në bashkimin monetar. Ata janë të shqetësuar se humbja e kryeministrit Matteo Renzi në referendumin e reformave kushtetuese më 4 dhjetor do të ndikonte shumë në stabilitetin e dobët politik të vendit. Megjithatë largimi i Italisë nga euro nuk duket si diçka që mund të ndodhë së afërmi sepse diçka e tillë do të kërkonte mbështetje politike nga të gjitha partitë, si dhe një proces të vështirë legjislativ.

Përse janë shqetësuar tregjet?
Dështimi i Renzit, i cili propozoi votimin dhe fillimisht u zotua se do të jepte dorëheqjen nëse rezultati nuk do të jetë ai që dëshiron, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të rrisë mbështetjen me Lëvizjen me Pesë Yje populiste. Kjo parti ka premtuar se do të mbajë një referendum nëse Italia duhet të qëndrojë apo jo brenda Bashkimit Europian. Disa investitorë që tani kanë filluar të parashikojnë fundin e Bashkimit Europian, jo më të monedhës së përbashkët. “Ne mendojmë së BE-ja do të tronditet akoma më shumë dhe se Italia do të largohet nga zona euro”, thotë Jim Smigiel, menaxher investimesh në kompaninë “SEI Investments Co”. “Deri para pak kohësh diçka e tillë ishte e paimagjinueshme, e pamundur, por kemi filluar të ndryshojmë mendim”.

Sa antieuro është Lëvizja me Pesë Yje?
Partia euroskeptike ka bërë fushatë aktive për të mbajtur referendumin e largimit të vendit nga monedha e përbashkët. Luigi di Maio, zv.president i dhomës së ulët të partisë tha se nëse partia ngjitet në pushtet, do të kërkojë një referendum këshillimor mbi të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Europian. Di Maio nuk e ka bërë të qartë se me çfarë do të donte ta zëvendësonte monedhën dhe gjatë një interviste për “Repubblica” ka thënë se favorizon “një euro me dy vlera ose rikthimin e monedhës kombëtare”.

Frikë e ekzagjeruar?
Për shkak se largimi nga zona euro do të kërkonte negociata të gjata dhe komplekse, mendohet se diçka e tillë do të ishte tepër e pamundur. Siç ka zbuluar edhe Britania në çështjen gjyqësore për nenin 50, largimi i plotë ose i pjesshëm nga Bashkimi Europian nuk është aq i lehtë saç mendohej. “Ideja që Italia mund të largohet një ditë nga zona euro pas referedumit, ndoshta edhe më vonë, është tepër e ekzagjeruar”, thotë Antonio Villafranca, një analist europian në Institutin italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare. Edhe sikur të mbahen zgjedhje të parakohshme pas dështimit të Renzit, shanset e Lëvizjes me Pesë Yje për të marrë në dorë pushtetin varen shumë nga ndryshimet e sistemit zgjedhor. Të fitosh zgjedhjet mund të mos jetë e mjaftueshme sepse partia mund ta ketë të vështirë të gjejë aleatë të mjaftueshëm për të formuar mazhorancën parlamentare”, vazhdoi  Villafranca. Së fundi, ka shumë e shumë pengesa ligjore që e bëjnë pothuajse të pamundur largimin nga Bashkimi Europian.

Cilat janë pengesat ligjore?
Kushtetuta italiane e ndalon shfyqizimin e traktateve ndërkombëtare me votë popullore, ndaj do të nevojiteshin amendamente kushtetuese përpara se të thirrej referendumi. Një amendament i tillë do të kërkonte votat e dy të tretave të të dyja dhomave të Parlamentit, madje mund të nevojitej një referendum vetëm për të vendosur nëse duhet mbajtur apo jo referendumi për të dalë nga Bashkimi Europian. Edhe sikur italianët të votonin “po” për t’u larguar, rezultati do të bllokohej përsëri nga Gjykata Kushtetuese, një nga gjykatat supreme të vendit.

A duan italianët të largohen nga euro?
Mesa duket jo. Një sondazh i publikuar më 21 nëntor nga gazeta italiane “La Stampa” dhe i zhvilluar nga Qendra e Kërkimeve Mediatike Intesa Sanpaolo SpA, zbuloi se vetëm 15,2 për qind e popullsisë italiane favorizonin idenë e largimit nga zona e monedhës së përbashkët, ndërsa 67,4 për qind e tyre ishin tepër të kënaqur me sistemin e monedhës së përbashkët. Atëherë, përse gjithë ky shqetësim? Këto janë vetëm të panjohurat e njohura. Ajo që dihet është se humbja e Renzit në referendumin e muajit të ardhshëm do të sillte pa dyshim trazira politike dhe ekonomike. Këto lloj trazirash kohët e fundit kanë sjellë pasoja të parashikuara.