19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Pse Berlini e ktheu Ramën duarbosh

Ata që nuk e dinë mirë gjuhën shqipe të thonë “haj se folim!”. Një mënyrë të shprehuri që të neverit. Edhe në këtë rast “folim”, por Berlini e ktheu kryeministrin, si dhe delegacionin shqiptar me duar bosh,  pa “fillim negociatash” për hapat e mëtejshëm drejt BE. Kjo ishte e tëra që iu intereson shqiptarëve të dinë. Madje kjo mund të jetë edhe nisja e një nisme për të ndryshuar ekipin qeveritar ose edhe krahun politik që qeveris duke i ardhur së prapthi idesë dhe qëllimit kombëtar për të hyrë në grupin e shteteve të përparuara perëndimore që përbëjnë Bashkimin Europian.
Kjo është ëndrra më e ndritur e shqiptarëve, portën e të cilës e hapi guximi i madh i studentëve dhe intelektualëve në vitin 1990 për të shembur regjimin antiperëndimor komunist. Partia Demokratike që lindi nga ajo iniciativë e guximshme, u kthye në një lokomotivë të besueshme përparimi si për Europën edhe për qytetarët shqiptarë.
Faktikisht sot mbetemi vendi i fundit në Europën Juglindore ish-komuniste dhe në Ballkanin Perëndimor që na mbyllet porta për në BE. Kancelarja e Gjermanisë, Merkel, që kishte luajtur deri tani rolin e kumbarës për në BE, tha “Jo… Prisni, keni për të plotësuar edhe pesë kushte të tjera”.
Një nga kushtet është edhe “të shikojmë si do t’i bëni zgjedhjet parlamentare, do t’i masakroni apo çfarë!”. “Bathët” duken për masakër, përderisa është mbjellë gjithë kjo drogë e është grumbulluar gjithë kjo para publike në xhepat e qeveritarëve. Me kaq para këta mund të blejnë gjysmën e Kinës, e jo më votat e 1,5 milionë votuesve shqiptarë.
Por data e zgjedhjeve që i bie të jetë në verën e vitit që vjen, ka edhe një vlerë tjetër në sensin e “hajt se folim…”. Ka peshën e një korrigjimi të “folmes” së kryeministrit Edi Rama, i cili pasi doli nga Merkel me duar bosh, mërmëriti nëpër dhëmbë dhe la për të nënkuptuar se “na dhanë shpresë për në dhjetor”. Jo, mor mik, ajo tha “të shikojmë zgjedhjet” e verës 2017… Ç’është ky mashtrim sy për sy! A mund ta hajë gënjeshtrën kaq sy ndër sy tërë ky popull që kryeministri e quan “dele”? Nuk besoj.
Kryeministri, pas faktit në dritë të diellit se “Gjermani dhe Europa thanë ‘JO’!”, ka thurur një merimangë të tërë me fije që këputen sa aty-këtu, veç për t’i mbushur mendjen vetes se, nuk është e vërtetë ajo që tha Europa përmes zonjës Merkel.
Ky tha se deputetët gjermanë janë “të mjerë”, “të skutave”; ky tha se “u lavdëruan sukseset”, ky tha se kanë “komplotuar” opozita dhe gjykatësit, ky tha se “jemi në rrugën e duhur”… Mirëpo për këto “haj se folim” sa të duash. Por kocka e çështjes mbetet kjo: Shqipërisë iu mbyll dera për në Europë. Ka akoma krim, ka prodhim e trafik droge, ekonominë të shkatërruar, papunësi në rritje, ka vjedhje nga qeveria, ka korrupsion, ka pasiguri… dhe nuk ka asnjë siguri për zgjedhje normale.
Po çfarë, qenkan deputetët gjermanë që kanë faj!?
“Folim!” për këtë e për çfarë të duash pas kësaj… Por qeveria na ka hedhur në gropë ku nuk mund të shikojmë Europë me sy. Kjo është çështja. Për tjetër gjë “folim”… Sa e shpifur ky degjenerim gjuhësor. Ashtu siç është e shpifur vetë gjuha qeveritare që pas dështimit thur merimangë fjalësh kot së koti.

“Veritas”

Mesazhi i Merkel për zgjedhjet çmend Ramën e censuron edhe tek Kryeministria

Kreyeministri Edi Rama, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar projektligji per autoritetet e drejtimit dhe komandimit ne Forca e Armatosura te Shqiperise./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, speaks during a parliamentary session.

Kancelarja Angela Merkel ishte shumë e qartë dje në Berlin në konferencën e shkurtër për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Veç formaliteteve për përmbushjen e standardeve në rrugën e integrimit, ajo përmendi në mënyrë të veçantë zgjedhjet e vitit 2017. “Kam parasysh edhe zgjedhjet që do të ketë Shqipëria dhe bashkëpunimin me OSBE”, u shpreh ajo duke folur për çështjen e hapjes së negociatave. Përmendja e zgjedhjeve ishte mesazh i drejtpërdrejtë se në dhjetor s’ka negociata dhe se Vettingu është vetëm njëri nga kushtet. Por Edi Rama ka nisur prej dje, menjëherë pas konferencës, një fushatë për t’u treguar shqiptarëve versionin e tij të mesazhit të Kancelares Merkel. Në fillim me mediat pranë qeverisë, më pas me një intervistë në “Deutsche Welle”, të cilën u përpoq ta manipulojë, duke i shmangur përgjigjet për pyetjet direkte e më pas edhe nëpërmjet konferencash për shtyp në Tiranë dhe së fundi në faqen e tij në Facebook.
Kryeministri ka postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale mesazhet e Kancelares Merkel, por ka hequr pjesën ku ajo foli për zgjedhjet e vitit 2017.
Me t’u kthyer në Tiranë, Kryeministri nisi një fushatë sulmi ndaj opozitës, duke e fajësuar atë si bllokuese të negociatave me ligin e Vetting-ut. Ai e ka gjetur kundështinë e opozitës ndaj miratimit në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të ligjit të Vetting-ut  si alibi për dështimin e çeljes së negociatave. Në këtë mënyrë, ai po përpiqet t’u fshehë shqiptarëve të gjitha kushtet e tjera që i kërkon Berlini, Parisi apo Brukseli, që kanë të bëjnë jo vetëm me zgjedhjet, por edhe me krimin e organizuar në rritje, kanabizimin e Shqipërisë dhe korrupsionin galopant të përhapur në çdo degë të qeverisjes.

Fillon, kandidati i preferuar i Putinit?

Për politikanin konservator Francois Fillon thuhet, se ka një raport të ngushtë me Putinin. Ekspertët shpjegojnë për “DW” arsyet.
Jo entuziazëm e megjithatë gëzimi ndihet. Në Rusi fitorja e ish-kryeministrit të Francës, Francois Fillon në zgjedhjet paraprake presidenciale të konservatorëve ka pasur jehonë pozitive. Agjencia më e madhe shtetërore e lajmeve “Ria Novosti” e përshkruan atë si “një ndër kandidatët më pro rusë”. Madje edhe gazeta kritike ndaj Kremlinit “Novaja Gazeta” mendon, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin “vështirë se do të kishte ndonjë kandidat tjetër kaq të afërt me të” në Fracnë. Dmitrij Peskov, zëdhënës shtypi i presidencës, u shpreh në mënyrë të theksuar i distancuar. Moska, sipas tij, nuk ndërhyn në çështjet e politikës së brendshme të vendeve të tjera dhe në luftërat elektorale.
Qysh në raundin e parë të zgjedhjeve para një jave, Fillon fitoi papritur shumicën e votave duke e sfiduar shefin e tij të dikurshëm, ish-presidentin Nicolas Sarkozy. Në balotazhin e së dielës (27.11) Fillon konsiderohej favoriti kryesor dhe e fitoi garën. 62-vjeçari mori rreth 67 për qind të votave dhe fitoi kundrejt rivalit Alain Juppe, i cili po ashtu ka qenë kryeministër. Tani Fillon do të jetë kandidati i partisë opozitare “Republikanët” në garën presidenciale në Francë në prill 2017.

Kritik i sanksioneve të BE-së
Politika e Rusisë nuk ka qenë vendimtare në fitoren e Fillon në zgjedhjen si kandiat për president i konservatorëve, megjithatë shumë media e theksojnë këtë fakt. Ndërsa Juppe angazhohej për një ton më të ashpër ndaj Moskës, Fillon shprehej për mirëkuptim dhe pjesëmarrje të Moskës në zgjidhjen e problemeve globale. Nga Rusia nuk vjen rrezik, ka theksuar ai një intervistë. Politika ndaj Rusisë e presidentit Francois Hollande nga socialistët është absurde, sipas Fillon. Sanksionet e BE-së, të vendosura për shkak të qëndrimit ndaj Ukrainës, janë të dështuara.
Në pranverë Fillon ishte njëri ndër deputetët e Asamblesë Kombëtare, që kërkuan shfuqizimin e sanksioneve në një rezolutë. Gjatë debateve televizive ndonëse Fillon nuk premtoi ta njohë Krimenë e aneksuar si pjesë të Rusisë, tha, se edhe “çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e diskutueshme”. Presidentin rus ai e përshkruan si “një partner të vështirë bisedimesh”, me të cilin ai megjithatë ka bashkëpunuar suksesshëm.
Ekspertët e përshkruajnë Fillon si “miqësor ndaj Rusisë” dhe marrëdhëniet e mira me Putinin i referohen periudhës, kur ai ka qenë kryeministër. Kur Fillon ka qenë kryeministër në vitet 2007-2012, ai shkonte shpesh në Moskë dhe e ka pritur Putinin në Paris. Kjo ishte koha kur Rusia dhe Franca i intensifikuan marrëdhëniet ekonomike: me blerjen e helikopterëve për ushtrinë ruse, modernizimin e prodhuesit të rrënuar rus të automjeteve “AvtoVAZ” me ndihmën e “Renault” apo dhe shitja e raketambajtëseve ruse të tipit “Sojus” Francës.
Edhe pasi Fillon nuk ishte më kryeministër, kontaktet me Moskën vazhduan. Putin dhe Fillon janë pothuajse moshatarë, presidenti rus është dy vjet më i moshuar se ai. Kur është fjala për marrëdhënie të ngushta mes tyre, ekspertja e Francës Ronja Kempin, nga Fondacioni i Berlinit “Shkenca dhe politika” përmend dy shembuj: “Francois Fillon i drejtohet atij me ‘cher Vladimir’, i dashur Vladimir, kjo është mjaft personale dhe një formë që përdoret rrallë në jetën e përditshme politike në Francë”, thotë për “DW” Kempin. Gjithashtu Putin pas vdekjes së nënës së Fillon i ka dërguar atij një verë të vitit 1931, viti kur ajo kishte lindur. Kur Putinin së fundi e pyetën për Fillon, tha, se me Francois kemi “marrëdhënie shumë të mira personale”.
Bazë për këtë janë pikëpamjet pjesërisht të afërta, mendon Ronja Kempin. Fillon, sipas saj, “ka një botëkuptim shoqëror konservator me një komponent të theksuar fetar” dhe do ta forcojë “familjen si bërthamën e  shoqërisë”. Veç kësaj kandidati i ardhshëm i konservatorëve për president është një kritik i shoqërisë multikulturore dhe e merr Rusinë “shembull”.
“Po ashtu ai ka edhe një përfytyrim të ngjashëm për politikën ndërkombëtare si Putini: ai beson në një botë të shteteve e jo aq shumë tek organizatat ndërkombëtare”, vëren Kempin.

Gjosha ul pazarin, kërkon raport të ndërmjetëm për negociatat

Ministrja e Integrimit ka zbardhur “pa dashje” një detaj të ri nga negociatat që Rama po zhvillon me partnerët kryesorë të Bashkimit Europian, Gjosha lë të kuptohet se tashmë as që mund të shpresohet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë, por ajo që po kërkohet është miratimi i një deklarate të ndërmjetme ku edhe të hapen, por edhe të mos hapen. Në fakt ky është një negocim që bëhet vetëm për të shpëtuar Ramën dhe fytyrën e tij të nxirrë përpara shqiptarëve dhe Bashkimit Europian.
“Po kështu, pozitiv ishte fakti i të qenurit në një mendje, për të pasur një proces të qëndrueshëm të parashikueshëm, pra pa surpriza, duke u fokusuar tek fillimi i zbatimit të ligjit të Vettingut dhe 5 prioritetet, për t’i mundësuar kështu Komisionit një raport të ndërmjetëm në funksion të vendimit nga vendet anëtare, për datën e hapjes së negociatave”, tha Gjosha.
Me deklaratën e saj ministrja përsërit fjalë për fjalë tezën e hedhur dje nga kryeministri Rama në intervistën për “Deutche Velle”, sepse ishte Rama ai që e ndau “paketën e 6 kushteve” në Vetting plus 5 prioritete.
Por nëse kriteret e tjera klasifikohen si prioritete, atëherë Vettingu çfarë është?
Por pyetja më e rëndësishme është se mbi ç’bazë është bërë kjo ndarje? Janë autoritetet gjermane që e kanë artikuluar Vettingun si kushtin e vetëm, ndërsa kriteret e tjera si “prioritete”? Apo është qeveria shqiptare që ka bërë këtë interpretim?
Nga pala gjermane kemi vetëm dy të dhëna. E para, ishte ajo e kreut të grupit parlamentar të CDU-së Gunther Krichbaum, i cili foli qartë për krim të organizuar, kanabis dhe Vettingun.
E dyta, ishte konferenca për shtyp e Ramës me Merkel, ku kjo e fundit, përveç Vettingut përmendi dhe problemet me krimin e organizuar, pa bërë ndonjë ndarje mes tyre në “kushte dhe prioritete”.
Ministrja e Integrimit thjesht sa ka recituar dje pasazhet e intervistës së Ramës për “Deutche Velle”, por ajo nuk ka kryer asnjë sqarim në 48 orët e fundit dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim mbi deklaratat e zotit Krichbaum, sepse Gjosha, është ministri përgjegjës që i takonte të sqaronte pozitën dhe valencën e deklaratave të Krichbaum-it në Tiranë.
Gjithçka bëri ministrja e Integrimit ishte recitimi i tezës së hedhur dje me urgjencë nga Rama. Tezë e cila u amplifikua fillimisht nga “Top Channel” e më pas nga “Ora News”, ku këto dy televizione, pasi kishin cituar burime nga qeveria shqiptare, thoshnin se kushti i vetëm ishte Vettingu.
Por televizionet në fjalë, “harruan të sqaronin” se origjina e burimit, pra qeveria shqiptare, është një burim në konflikt të thellë interesi dhe me besueshmëri tepër të ulët, për shkak se është pikërisht qeveria përgjegjësja kryesore e situatës problematike me kanabisin dhe krimin e organizuar.

SHBA, rinumërimi i votave pengon emërtimet në kabinet

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se është indinjuar nga njoftimet për rinumërimin e votave të 8 nëntorit, në disa shtete.
Zyrtarët në Uiskonsin po përgatiten të nisin rinumërimin zyrtar më 1 dhjetor.
Sipas rezultateve fillestare, Trump ka mundur ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me rreth 22,000 vota në Uiskonsin.
Përpjekja për rinumërim nuk udhëhiqet nga Clinton, por nga kandidatja e partisë së tretë, Jill Stein, e cila ka marrë një pjesë të vogël nga vota popullore.
Stein ka kërkuar rinumërim në Pensilvani të hënën, tre ditë pasi ka bërë kërkesë të ngjashme për Uiskonsinin. Avokatët e Clintonit kanë thënë se do të vëzhgojnë rinumërimin në Uiskonsin.
“E kemi obligim ndaj më shumë se 64 milionë amerikanëve që kanë votuar për Clintonin, të marrim pjesë në procedurat e vazhdueshme”, ka thënë avokati i përgjithshëm i fushatës së Clintonit, Marc Elias.
Së bashku me Miçiganin, Pensilvania dhe Uiskonsin i kanë dhënë Trumpit vota të mjaftueshme për të fituar në Kolegjin Zgjedhor, edhe pse Clinton ka fituar rreth dy miliona vota më shumë të popullit.
Po ashtu të hënën, Miçigani ka çertifikuar rezultatet finale, të cilat tregojnë se Trump ka fituar 10,704 vota më shumë se Clintoni.
Trump, ndërkohë, ka mbrojtur fitoren e tij. Ai ka thënë se ka fituar edhe votën popullore, nëse “hiqen miliona njerëz që kanë votuar ilegalisht”.
Trump nuk ka ofruar prova për këtë pretendim, por ka insistuar se “mashtrime të rënda të votuesve” kanë ndodhur në Kaliforni, Nju Hempshir dhe Virxhinia. Të tria këto shtete i ka fituar Clinton.
Zyrtarët në të tria shtetet i kanë hedhur poshtë pretendimet e Trumpit.
Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se nuk ka prova për mashtrime në garën presidenciale.
Në të njëjtën kohë, Trump është duke punuar për të mbushur pozicionet kyçe në administratën e tij, përfshirë sekretarin e Shtetit, të Thesarit dhe atë të Mbrojtjes.
Ai ka takuar të hënën ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus, gjeneral në pension i ushtrisë, i cili është dënuar për shkëmbim të informacioneve të klasifikuara me të dashurën e tij, në vitin 2012. Petraeus raportohet se po konsiderohet për rolin e sekretarit të Shtetit.
Edhe pse nuk ka gjasa, rinumërimi mund të ndikojë në votën finale të Kolegjit Zgjedhor, zgjedhësit e të cilit do të takohen më 19 dhjetor për të zgjedhur formalisht presidentin.
Inaugurimi presidencial është caktuar më 20 janar.

Gjermania kundër Kupës së Konfederatave

Federata Gjermane e Futbollit kërkon që Kupa e Konfederatave, e cila zhvillohet një vit para Kampionatit Botëror, të eliminohet si aktivitet nga kalendari ndërkombëtar, pasi është një turne i pakuptimtë. Propozimi ka ardhur nga presidenti i kësaj federate, Reinhardt Grindel.
“Kupa e Konfederatave është bërë anakronike dhe e dëmshme. Edhe klubet më të mëdha ankohen tashmë se i dorëzojnë lojtarët për shumë ndeshje. Do të kërkojmë ndërhyrjen e FIFA-s, duhet të përballet ajo me gjërat, të cilat zakonisht i mbajnë mbi shpinë federatat”, tha Grindel.
Edhe trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, është kundër këtij turneu. Ai ka lënë të kuptohet se për aktivitetin në fjalë nuk do të grumbullonte lojtarët më të mirë që kishte në dispozicion, por shumë të rinj, për t’i testuar para Botërorit. Sipas trajnerit, për shumë lojtarë ishte fizikisht e papërballueshme që të luanin tre vite radhazi gjatë verës në aktivitete ndërkombëtare, duke pasur parasysh se në verën e 2016 ishte luajtur Europiani dhe në atë të 2018 luhej Botërori.

Si Rama po i shërben qëllimeve serbe

Ish-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ndër vite.
Ai ka thënë se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, e de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës.
Por, dua të theksoj se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës. Për udhëheqjen e vjetër komuniste, të instaluar  në Tiranë  nga Beogradi, që nga themelimi i PKSH nga serbët Popoviçi dhe Mugosha dhe vendosja nga ana e tyre më vonë e Enver Hoxhës në krye të saj, Kosova gjithnjë ishte një çështje e tradhtuar. Shqiptarët, mjerisht nuk njohin historinë e tyre. Nënshtrimi i udhëheqjes politike të Tiranës ndaj Beogradit, u ka kushtuar tmerrësisht shtrenjtë shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Kur shikon disa qëndrime të Edi Ramës që, njëlloj si etërit e tij, ka shndërruar Beogradin përsëri si dikur në Mekën e të majtës shqiptare, nuk mund të presësh asgjë tjetër prej tij, përveçse përçarje në çdo hap. Duke thënë këto, sqaroj se mbështes plotësisht përpjekjet për bashkëpunimin normal midis Shqipërisë dhe Serbisë, natyrisht jo në dëm të Kosovës. Shqipëria në asnjë rast nuk mund të marrë monopolin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke shmangur, anashkaluar Kosovën. Jam i bindur se një qëndrim i tillë u shërben ambicieve dhe qëllimeve serbe, por jo normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Po ashtu, ish-Kryeministri Berisha, ka përmendur edhe arritjet dhe pengesat e tjera në bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
“Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ecën dhe zhvillohet, por duhet të kishte ecur shumë më shpejt. Ky bashkëpunim është natyral, pra proces i pandalshëm, i parikthyeshëm, por çështja është si të shpejtohet, si të kapërcehen sa më shpejt pengesat në rrugën e këtij bashkëpunimi. Duhet të pranojmë se, pengesa kryesore për këtë bashkëpunim kanë qenë dhe janë:  Së pari, trashëgimia 50-vjeçare komuniste, gjatë të cilës, jo bashkëpunim, por ndarje dhe mosbashkëpunim, ishin ligj. Së dyti, një përpjekje e padrejtë, pas çlirimit të Kosovës, e Komitetit Ndërkombëtar, për të ngadalësuar sa më shumë këtë bashkëpunim. Fakt është se, deri sot, edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, në bashkëpunimin midis dy vendeve në tërësi, nuk ekziston asnjë projekt i përbashkët, i financuar nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse linjës së ndërlidhjes energjetike, të projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane para vitit 2013, dhe që tani që ka përfunduar po e mban peng Serbia, duke kërkuar në shkëmbim, cenimin e sovranitetit të Kosovës dhe penguar kështu bashkëpunimin rajonal. Së treti, një pengesë e madhe, tejet serioze në bashkëpunimin midis dy vendeve ishte dhe mungesa e infrastrukturës lidhëse ndërmjet dy vendeve. Vetëm pas vitit 2005, u ndërtua infrastruktura moderne rrugore, në të gjitha vend kalimet midis dy vendeve. Por, kjo infrastrukturë rrugore, duhet me çdo kusht të ndiqet nga infrastruktura moderne hekurudhore. Hekurudha Milot-Prizren, apo Tiranë-Prishtinë, duhet të jetë projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore midis dy vendeve. Kjo hekurudhë është jetike për dalje të lirë të Kosovës në det për transportin e mallrave. Kjo linjë ka rëndësi të madhe për rajonin, kompletimin e korridorit shqiptar, që është dhe korridori rajonal më fizibël. Me ndërtimin e kësaj hekurudhe, Shqipëria përfiton gjithçka buron nga pozicioni gjeo-strategjik i saj. Korridori shqiptar, hekurudha, autostrada etj, do të shndërrojnë portet e Shqipërisë në portet më të rëndësishme të rajonit tonë”, ka thënë Berisha në intervistën për gazetën “Bota sot”.

Ranieri kërkon më tepër nga kampionët

Claudio Ranieri i nervozuar me futbollistët e tij. Titulli kampion i fituar në sezonin e kaluar duket se është një ëndërr që duhet mbajtur mend gjatë, pasi Leicesteri i këtij sezoni nuk ka aspak lidhje me skuadrën e vitit të kaluar. Trajneri i Dhelprave, nuk është aspak i kënaqur me paraqitjet që po bën ekipi i tij, duke shtuar këtu dhe faktin që ata ndodhen vetëm 2 pikë larg nga zona e rënies nga kategoria. Italiani u ka kërkuar kampionëve në fuqi të Anglisë të japin maksimumin për të kaluar këtë moment delikat.
“Atë çka arritëm sezonin e kaluar është diçka për të cilën historia do të na kujtojë. Sigurisht që futbollistët janë qenie njerëzore dhe jo makineri. Jemi një skuadër që ka element cilësorë dhe një pozicionim të tillë në tabelën e klasifikimit nuk mund t’ja lejojmë vetes. Prandaj duhet të bëjmë çmos që ta kalojmë këtë moment aspak të mirë”, u shpreh Ranieri. Momentalisht Leicester City ndodhet në vendin e 14 në tabelën e klasifikimit me vetëm 13 pikë. Në pesë javët e fundit, skuadra nuk ka arritur asnjë fitore.

Basha-Ramës: Nuk do ketë paqe për ty

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje se muri që mban të izoluar Shqipërinë është muri i krimit, i drogës dhe i korrupsionit qeveritar. “Është mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Kreu i opozitës reagoi ashpër ndaj deklaratave qesharake të Ramës, i cili po përpiqet të gjejë alibi për t’i shpëtuar përgjegjësisë për moshapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Shqetësimi kryesor i liderëve europianë për Shqipërinë është depërtimi i krimit në politikë, droga dhe korrupsioni. Kjo, i është bërë e qartë Edi Ramës nga çdo politikan që ka takuar, pa asnjë përjashtim, më është bërë e qartë edhe mua si kryetar i opozitës.
Shikoni mediat shtetërore italiane, gjermane, zvicerane, austriake, britanike, për të kuptuar se çfarë e shqetëson realisht Europën”, tha Basha.
Ai i ka kërkuar Ramës të mbyllë gojën dhe të mos vijojë sulmet don kishoteske ndaj përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë. “Në emër të opozitës kam një thirrje të thjeshtë për Edi Ramën: Qepe! Mjaft më me sulmet e turpshme prej Don Kishoti ndaj politikanëve më të lartë nga Amerika në Austri, në Gjermani, në Holandë, në Greqi e kudo.
Mjaft më, duke shpallur armik opozitën dhe shumicën e popullit tënd!”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se Rama nuk do të mund të gjejë kurrë qetësi sa kohë vijon të mbajë të lidhur veten me krimin e organizuar, drogën dhe korrupsionin.
“Nuk do të ketë kurrë paqe dhe përparim për Shqipërinë me drogë, krim dhe kriminelë në politikë. Nuk do të ketë paqe as për ty, nëse vazhdon të fshehësh dhe mbështesësh drogën dhe krimin”, tha Basha.
Një propozim të ri ka hedhur Basha në tryezën e qeverisë, duke i kërkuar amendimin e ligjit të Vettingut duke iu përmbajtur marrëveshjes dhe aktit kushtetues të firmosur mes pozitës dhe opozitës më 21 korrik. “Në lidhje me Vettingun i bëj thirrje Edi Ramës që të amendojmë ligjin pa pasur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam gati që tani.
Kushtetuta thotë se Vettingun duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do që Vettingun ta bëjë ai vetë me drejtorët dhe vartësit e tij.
Arsyeja është e qartë. Si do ta mbrojë ndryshe krimin dhe korrupsionin”, tha Basha. Megjithëse propozimi i Bashës është një sfidë për të zhbllokuar një nga kriteret e BE, Rama e ka të pamundur që të mund të lejojë këtë proces, pasi qëllimi i tij nuk është bërja e drejtësisë, por kapja e saj.
“Edi Rama nuk do zgjidhje për Vettingun. Ai e ka Vettingun pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Sepse zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet menjëherë, që sot, që tani, duke respektuar Kushtetutën e votuar me konsensus. Ai vetë kryeministri, nuk ka nevojë të presë Vettingun, por të bëjë pjesën e tij”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës është e qartë se Rama nuk do Vetting përndryshe ai duhet të kishte larguar që më parë, por edhe tani bandën e krimit që ka në Parlament dhe në Bashki.
“Nëse Edi Rama do vërtet pastrimin e politikës dhe drejtësisë nga krimi dhe korrupsioni, le të shkarkojë që sot Elvis Rroshin i dënuar për përdhunim dhe trafik droge nga drejtësia e Italisë dhe e Zvicrës. Për aq kohë sa Edi Rama mban në politikë Rroshin, Bushin, Prengën dhe kriminelët e tjerë, përbetimet e tij për drejtësi dhe Vetting janë përralla.
Unë, Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ndershëm e duam Shqipërinë në Europë. E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pa krim, pa korrupsion dhe me zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Enton DACI

Klop tek Bajerni?

Bajerni i Mynihut nuk po gjen dot qetësinë dhe suksese të duhura nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Vendi i dytë me tetë fitore, 3 barazime dhe një humbje në kampionat, si dhe vendi i dytë në grupin D të Champions-it kanë bërë që të rriten pakënaqësitë për trajnerin në radhët e drejtuesve bavarezë.
Të mendosh shkarkimin apo largimin e parakohshëm të italianit, duket pak absurde, por me këtë absurditet nuk është dakord gazeta angleze “Mirror”. Reporterët anglezë të kësaj gazete kanë zbuluar se trajneri italian i ka ditët e numëruara në Mynih. Ekipi bavarez nuk po përshtatet siç duhet me stilin dhe taktikën e strategut italian. Zërat për stërvitje të dobët dhe rrotacionet masive e tronditin së tepërmi stolin e Karletos.
Kujtojmë se 57-vjeçari italian nënshkroi një kontratë për tre vite dhe në dekadën e fundit asnjëherë nuk e ka përmbushur deri në fund akordin e tij. Ai ose është larguar duke dhënë dorëheqjen, ose është shkarkuar si në rastin e Çelsit, PSG-së dhe Realit të Madridit.
Sipas “Mirror”, Ançeloti do largohet në fund të sezonit dhe do të zëvendësohet nga mjeshtri gjerman i Liverpulit, Jurgen Klop. Por, analistët gjermanë të “Sportbild”, bazuar edhe te qëndrimi i Rumeniges, e cilësojnë lajmin e “Mirror” si spekulim të pastër. “Karlo më kërkoi falje të mërkurën pas ndeshjes me Rostovi. I thashë se kemi besim të plotë tek ai”, tha Rumenige.
Humbja ndaj Rostovit në Champions League që erdhi menjëherë pas disfatës ndaj Dortmundit në Bundesligë, i kushtoi vendin e parë në Grupin D skuadrës bavareze me të besuarit e Ançelotit, që nuk kanë më asnjë shans për të parakaluar Atleticon e Madridit në renditje. Në këtë kontekst, shorti parashikohet shumë i vështirë për Bayernin që në fazën e 1/8-ve të Champions-it.
Barazimi ndaj Hoffenheimit në shtëpi ishte një sinjal ose më saktë një tregues se Bayerni i këtij sezoni ka probleme. Ky është një nga momentet më delikate për kampionët e Gjermanisë në këto vitet e fundit dhe pesha më e madhe e përgjegjësisë i takon trajnerit Karlo Ançeloti. Italiani nuk ka arritur t’i përcjellë ende filozofinë e tij fituese skuadrës dhe fjala krizë tashmë mund të përmendet pa frikë.
Rotacioni në transfertën ruse ndaj Rostovit nuk funksionoi dhe fajtori më i madh për atë disfatë është padiskutim trajneri Ançeloti. Për herë të parë nën drejtimin e italianit, Bayerni pësoi 3 gola në një ndeshje, një tregues ky se diçka nuk shkon. Problemet për bavarezët në këto momente janë të shumta, sepse ka edhe pakënaqësi mes futbollistëve. Gazeta prestigjioze gjermane “Bild” ka zbuluar se Jerome Boateng, ka shfryrë ndaj shokëve të skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj Rostovit, duke i kritikuar për paraqitjen, por menjëherë në drejtim të mbrojtësit të kombëtares gjermane ka ardhur kundërpërgjigjja e shefit ekzekutiv, Karl Heinz Rummenigge. Ky i fundit i ka kërkuar Boateng-ut të kthehet me këmbë në tokë dhe të ulë tonet. Bayerni në krizë, kjo mbetet për t’u parë, por për Karlo Ançelotin po vijnë kohë të vështira, sepse gishti i akuzës është ngritur tashmë mbi trajnerin italian.