21 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Në tri vite asnjë kallëzim, Prokuroria nis hetimet ndaj ILDKP-së

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (LDKPKI) pasi në 3 vite nuk ka bërë asnjë kallëzim për zyrtarë të lartë që nuk kanë deklaruar të ardhurat.
Hetimet kanë nisur kryesisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës nga institucioni i ILDKPKI sepse nuk ka bërë asnjë kallëzim ndaj zyrtarëve që fshehin apo nuk justifikojnë pasurinë e tyre.
Oficerë të Prokurorisë së Tiranës sekuestruan dje gjatë paradites të gjithë praktikën që ka ndjekur ky institucion tre vitet e fundit. Hetuesit do të marrin në pyetje edhe zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive nëse do të jetë e nevojshme gjatë hetimeve. Ganaj është produkt i kontrollit të plotë të qeverisë ndaj Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Një nga vendimet e para të marrë nga Rama sapo ai erdhi në pushtet ishte pikërisht emërimi i njeriut të tij në krye të këtij institucioni. Qëllimi ishte i qartë, kapja e ILDKP-së. Kjo solli një përplasje të ashpër mes opozitës dhe pozitës që paralajmëroi që atëherë se emërimi i Ganajt ishte bërë pikërisht për të mbyllur skandalet e qeveritarëve me deklaratat e tyre të pasurisë. Prej tre vitesh ILDKP mund të thuhet se nuk ekziston më. Ajo është kthyer në një zyrë të pushtetit që vetëm legjitimon deklaratat e gënjeshtërta të pasurive të zyrtarëve të lartë.

Vrasja në Sarandë, vendi nën sundimin e krimit

44-vjeçari Artan Hoxha, baba i dy fëmijëve, vrarë nga maskat të dielën në një pikë karburanti në Sarandë është përcjellë dje në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes, por për familjarët tronditja është mjaft e madhe. I dashuri i tyre mbeti i vrarë në vendin e punës, një pikë karburanti në Sarandë, gjatë një grabitjeje me armë.
Të gjithë kanë mbetur të shokuar nga ngjarja, familjarë, miq e shokë. 44-vjeçarin ata e përshkruajnë si njeri të qetë, punëtor e të dashur. Gruaja e tij, Zana Hoxha rrëfen mes dhimbjes, se bashkëshorti i saj i ndjerë punonte shumë për të siguruar para për familjen, dhe përpiqej të mundësonte blerjen e ilaçeve për vajzën e sëmurë, 15 vjeç. Ndërsa, djalin 21-vjeçar e kishte marrë me vete tek puna, për të nxjerrë edhe ai sadopak të ardhura. Jeta për ta nuk ishte e thjeshtë, pasi kushtet në të cilat jetojnë janë të vështira.
Vëllai i Artan Hoxhës, i cili ka marrë me qira një lavazh pranë karburantit ku mbeti i vrarë 44-vjeçari, i bën apel organeve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Ndërsa në të kundërt, ai thotë se do të ketë vetëgjyqësi. “Nëse drejtësia nuk flet siç duhet, atëherë do bëj vetëgjyqësi”, shprehet i vëllai i viktimës mes lotësh.

Viktima punonte natën për ilaçet e vajzës

Artan Hoxha, i cili mbeti i vrarë ditën e dielë gjatë grabitjes së karburantit ku punonte, nuk ka patur një jetë aspak të lehtë. 44-vjeçari nga fshati Gjashtë i Sarandës, punonte për të mbajtur familjen e tij, e cila jeton në kushte të vështira. Nisur nga kushtet e vështira ekonomike dhe sëmundja e vajzës së mitur, Hoxha ishte detyruar të punësonte në lokalin e këtij karburanti edhe djalin e tij 21 vjeç, Denisin.
Të dy, babë e bir, ata duhet të siguronin të ardhura për të bërë të mundur blerjen e ilaçeve dhe trajtimin mjekësor të të voglës në familje. Por, gjatë grabitjes së mbrëmshme të karburantit, Artan Hoxha mbeti i vrarë, ndërsa disa orë më pas Policia e Sarandës bëri të mundur arrestimin e autorit, Arqile Koçi, 27 vjeç. Nga hetimet paraprake rezulton fatale për 44-vjeçarin. Ka qenë ndonjë lëvizje e momentit e tij, gjë që ka trembur autorin e grabitjes. Pasi ka marrë lekët dhe ka tentuar të largohet, grabitësi është kthyer dhe ka goditur punonjësin e karburantit, i cili qëndronte ulur nën një tavolinë.

Vendi nën sundimin e krimit

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Flamur Noka, ka bërë përgjegjëse qeverinë për situatën e rënduar të krimeve. Ai tha se, viktima në Sarandë punonte për të siguruar ilaçet e vajzës së sëmurë. Sipas tij, Ramës i ka përfunduar kontrata me qytetarin dhe se ata duhet të marrin situatën në dorë për të sjellë një qeveri të re për të ofruar rend dhe siguri.
“Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë, një dramë e madhe që tregon gjendjen e rëndë në vend, pasigurinë e sundimin e krimit. Ja ku e çoi Edi Rama vendin, duke e ndarë në dy botë. Një qytetar i ndershëm që punon roje natën në karburant për të siguruar ilaçet e së bijës të sëmurë, dhe në botën tjetër, njeriun e drogës që kalon gjithë Sarandën me çifte në dorë, pa asnjë pengesë dhe vret me gjakftohtësi për të marrë 600 mijë lekë. Edi Rama ka hequr dorë nga detyra e tij për të siguruar rend dhe ka krijuar parajsën për drogën e drogmenët, grabitësit e banditët me armë. Pak kohë më parë u tha karburanteve të sigurohen vetë se shteti nuk bën dot detyrën e tij. Ky është fundi i kontratës. Qytetarët nuk kanë zgjedhje tjetër, të marrin situatën në dorë e të sjellin në krye një qeveri që bën detyrën, që ofron rend e shtyp krimin pa mëshirë”, shprehet Noka.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motor të kuq dhe me skafandër në kokë ka hyrë në lokalin e karburantit ku punonte Artan Hoxha, 44 vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Në ato momente në lokal ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe punonjësi i karburantit, Artan Hoxha. Vrasësi, pasi mbërrin me motorin e tij dhe pushkën që e mban të hedhur pas krahëve, zbret nga mjeti dhe ia drejton armën 44-vjeçarit Artan Hoxha dhe qëllon drejt tij. Më pas, grabitësi futet brenda karburantit ku merr edhe shumën prej 600 mijë lekësh dhe me qetësi largohet me motorin e tij.

FRPD Sarandë: Vetëm këtë vit janë bërë 4 vrasje

Forumi Rinor i Partisë Demokratike Sarandë ka reaguar pas vrasjes së punonjësit të karburantit në Qafë Gjashtë. Kreu i FRPD Sarandë, Jolio Dine tha në një deklaratë për mediat, se në Sarandë është rritur frikshëm krimi, duke numëruar për këtë vit 4 vrasje, ndërsa nga 2013, 8 vrasje në total.
Ai iu bëri thirrje oficerëve të ndershëm të policisë të bëjnë maksimumin e tyre për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, pasi sipas tij, thirrja për uniformat e inkriminuara ka kohë që po bie në vesh të shurdhët. “Duke shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit Artan Hoxha, fatkeqësisht po denoncojmë sërish atë çka prej kohësh po ndodh në Sarandë. A mund të mjaftojnë imazhet e aksionit të shpejtë të arrestimit të vrasësit të babait të dy fëmijëve, për të mbuluar këtë pamje?!
Një vrasës gjakftohtë që vjen nga rruga nacionale, me armë në krahë, e pas vrasjes largohet po me çifte në dorë, duke përshkruar pothuajse gjithë Sarandën deri sa strehohet në lagjen nr.4, thua se jemi në vitin e mbrapshtë 1997, kur njerëzit lëviznin lirisht me armë nëpër duar pa u shqetësuar nga askush. Kush mban përgjegjësi që në Sarandë qenka kaq lehtë të lëvizësh i armatosur dukshëm gjatë orëve të natës? Po për jetën e një njeriu, prindit që punonte natën për të blerë ilaçet e së bijës së sëmurë, a përgjigjet kush? Po nëse ai vrasës do të përballej rrugës me qytetarë të tjerë, a do të mbante njeri përgjegjësi për krimin e radhës?”, thuhet në deklaratën e kryetarit të FRPD Sarandë.
“Në fakt, askush nuk mban përgjegjësi, sepse në Sarandë kriminaliteti po arrin kulmin. Ende pa u mbyllur viti 2016, janë shënuar 4 vrasje me armë zjarri, dy prej të cilave të ndodhura me motiv grabitjen, shifra më e lartë kjo e 10 viteve të fundit për këtë rreth. Për periudhën shtator 2005-shtator 2013, kur qeveriste Partia Demokratike, Saranda numëronte mesatarisht 1 vrasje në vit, ndërkohë që prej shtatorit 2013, pra, në pak më shumë se tre vjet qeverisje të Rilindjes së famshme, janë shënuar 8 vrasje, njëra prej të cilave ende e pazbardhur.
Në fakt nuk mund të presim asgjë më shumë nga drejtimi policor i të emëruarve të Rilindjes që nga mavi ka marrë ngjyrën e zezë të mafies, pasi tashmë roli i policisë pas sigurimit të kultivimit të drogës është kthyer në garantimin e trafikimit të saj, duke shpërthyer kufijtë tokësorë e detarë, saqë krismat e armëve po terrorizojnë kufirin shqiptaro-grek.
Partia Demokratike Dega Sarandë i bën thirrje oficerëve të ndershëm të Policisë së Shtetit, të bëjnë maksimumin e tyre për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, pasi thirrja për uniformat e inkriminuara ka kohë që po bie në vesh të shurdhët”, përfundon deklarata.

R.POLISI

Eurodeputeti kundër ndërtimit të HEC-it në Vjosë

Eurodeputeti slloven Igor Soltes është shprehur kundër projektit të qeverisë shqiptare për ndërtimin e HEC-it në lumin Vjosa. Gjatë diskutimeve që po zhvillohen në Bruksel, eurodeputeti Soltes shprehu shqetësim, duke iu referuar edhe protestës së banorëve të Vlorës dhe të Mallakastrës.
I pranishëm gjatë këtyre diskutimeve, ka qenë edhe deputeti shqiptar i PD Kastriot Islami, i cili pasi falenderoi eurodeputetin Soltes për interesimin lidhur me lumin e Vjosës, kërkoi që kjo çështje të përfshihet në progres-raportin.
Ky dokument pritet të dalë më 9 nëntor për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Deputeti Islami mori përsipër të bëjë amendamentin e nevojshëm për ndërtimet mbi lumin Vjosa.

Mediat kroate: Rama ka gjetur dy këshilltarë të tjerë

Ish-kryeministri kroat, Zoran Milanoviç dhe Branko Grçiç, ish-zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Milanoviç, pritet që të bëhen këshilltarë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Lajmi është bërë publik nga mediat kroate. Vecernji.hr ka publikuar pak ditë më parë artikullin: Konsulentë në Shqipëri: Milanoviç dhe Grçiç ofrojnë këshilla për Kryeministrin Rama.
Milanoviç dhe Grçiç në Tiranë janë takuar kohët e fundit dhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por edhe me disa politikanë të tjerë. Sipas mediave kroate, autoritetet shqiptare janë të interesuara në këshillat që ata mund t’u japin atyre, sidomos për procesin e integrimit në BE, meqë ish-kryeministri Milanoviç ka udhëhequr këtë proces për Kroacinë. Jo zyrtarisht ka udhëtuar për në Tiranë edhe Branko Grçiç, ish-ministri dhe zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Milanoviç.
Milanoviç dhe Grçiç janë takuar në tetor në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, por edhe me disa politikanë shqiptarë. Duke pasur parasysh faktin, se në Shqipëri vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe se Shqipëria ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por nuk ka hapur ende negociatat, përvoja e Milanoviç si kryeministër i vendit, i cili është tashmë anëtar i BE-së, sigurisht që nuk duhet të hidhet poshtë, shkruajnë mediat kroate.
Mediat kroate raportojnë se, marrëveshja është arritur tashmë dhe se ish-kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, është i interesuar që karriera e tij të vazhdojë me konsulenca të tilla. Milanoviç në Shqipëri ka kontakte të mira, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, shkruan Vecernji.hr.

Pasuria 200 milionë euroshe e Ramës

Një raport konfidencial, prej disa faqesh, i OSBE (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë), i publikuar nga mediat një vit më parë solli informacione, të dhëna të mbledhura në terren në mënyrë operative, raportime të shtypit dhe agjencive të tjera, të cilat kanë të bëjnë me një grup politikanësh, nga më të lartët e deri tek ata më rishtarët, që dyshohen për lidhje direkte ose të tërthorta me krimin e organizuar, trafiqet dhe kontrabandën.
Për herë të parë një raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e Kryeministrit Edi Rama, fshehjen e saj në SHBA përmes të vëllait, Olsi Ramës dhe akuzat për ryshfet me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës.
Raporti flet për një pasuri prej 200 milionë eurosh të Kryeministrit Rama, pasuri e krijuar përmes ryshfeteve dhe gjobave të majme që u vendoste ndërtuesve gjatë periudhës që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Konkretisht, raporti citon akuzat e ngritura ndaj Ramës për modelin e 20% që instaloi në Bashki, ku për çdo leje ndërtimi ai kërkonte 20% të vlerës së ndërtesës për të cilën do të firmoste lejen.
Raporti citon gjithashtu se të gjitha këto para Rama i ka investuar në kompani të ndryshme pëmes vëllait të tij Olsi Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Edi Rama, kryetar i PS, kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000–2011 dhe tani Kryeministër.
Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10–20% të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani ‘offshore’ përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raportin konfidencial të OSBE.

Kryerabini i Athinës është vlonjat!

Altin Rraxhimi

Paraditen e dy korrikut që kaloi, duke duruar vapën mes djersësh që shkonin çurk, mbi dyqind veta e mbushën dingas sinagogën këtu në qendër të Athinës. Pesë vajza nga komuniteti hebre janjiot do bënin ceremoninë e kalimit në adoleshencë, bat mitzvah-në, që sipas traditës bie diku nga dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjeçshi. Pas kësaj, do ishin zonjushe.
Katër prej vajzave vinin nga familje hebreje nga aty, dhe njëra kishte ardhur nga zona e Nju Jorkut, me familje dhe të afërm. Rabini i sinagogës nisi këndimin e lutjeve. Është vetëm njëzetegjashtë vjeç dhe gratë e komunitetit nën zë çuçurisin si t’i gjejnë nuse, por pa ndonjë sukses të dukshëm. E ka mbesë vajzën nga Amerika.
Sinagoga në rrugën Melidoni ka mbi një shekull. Me transformimet që ka pësuar Athina, kjo rrugë as njëqind metra e gjatë rri si xhep. Dikur i mbivendosej zonës ku lulëzonte industria e lëkurëve dhe shtëpitë e klasës tregtare të fillimshekullit të njëzetë, mbi Monastiraki dhe Thisio. Tani në të djathtë teposhtë sheh gërmimet që nxorën sheshit Athinën romake, dhe në të majtë, suva të rëna dhe të ngjyera me grafiti pas falimentimit të atyre industrive viteve tetëdhjetë-strehë emigrantësh nga Lindja e Mesme, dyqanesh sendesh të përdorura dhe kovaçhanash. As njëqind metra mbi Melidoni gjendet pjesa veriore e rrethit nga ku soditet Akropoli prej kafenesh të shtrenjta. Në hyrje të rrugës, blloqe betoni që pengojnë trafikun e makinave, në hyrje të sinagogës, një postbllok si ata ngjitur ambasadave.
Ceremonia vazhdonte nën mërmërimë dhe mes pëshpërimave në masë greqisht, dhe ndonjë në anglisht, kalonte nëpër të dhe ndonjë gjë në shqip. Ishin nga Kohenët e Shqipërisë, fis të cilët në 1990-ën u shkulën të gjithë për në Brooklyn të Nju Jorkut. Ceremoninë do e bënin për Revekën, vajzën e Elia Kohenit. Pas bekimeve të rabinit, bekimet vajzave do ua jepnin baballarët.
Urimin për të bijën Elia e nisi në anglisht, por pastaj i tha para sallës, “tani do të të uroj si na kanë uruar gjyshërit në kohën e tyre. ???? ?? ??????? ?? ??????? ?? ?????? (Hóma na piánis ma hrisáfi na génete).” Që do të thotë, ‘tu bëftë flori edhe dheu që prek.’
“Atë moment, s’mbeti njeri në sinagogë pa iu mbushur sytë me lot,” kujton Zanet Batinu, drejtoreshë e Muzeut Hebraik të Athinës dhe kushërirë e Batinove të Shqipërisë. Edhe vajza e Batinut ishte për bat mitzvah. “Gjyshja ime s’përmbahej. Jo vetëm ngaqë kishte kohë që s’e kishte dëgjuar atë urim të vjetër, por edhe se si e tha, si e shqiptoi sipas të folmes së vjetër.” Në greqishte standarde folja të bëhet shqiptohet ginete, por Elia Koheni foli në dialektin e dikurshëm të Janinës.
“U organizua nga Gabi, Gabriel Negrini, nga ai rabini atje,” thotë Nesim Koheni, xhaxhai i Revekës, i cili ndoqi ceremoninë. “Ai donte të mblidhte komunitetin, të njiheshin me njëri-tjetrin.”
Kushedi e sata herë është kjo që del përpara ky emër!
Për herë të parë e hasa në fillimet e këtij kërkimi pranverën që shkoi nga autori më elegant mbi hebrenjtë e Greqisë, një tetëdhjetëekusur vjeçar tani i tërhequr pranë sinagogës së cilës i ridha jetë në Hania të Kretës, Nikos Stavrulakis.
Stavrulakis ka bërë një libër mesmerizues mbi Selanikun-ese mbi një koleksion fotografish të 1910-ës i cili tregonte një qytet të fshirë nga kohërat. Mbushur me dyqanxhinj e hamallë sefardinj dhe dervishë tarikatesh. Ai libër e kthen atë qytet në elegji.
“Por nuk di shumë për janjiotët,” më thotë në telefon Stavrulakis. “Pyet Gabrielin, Gabriel Negrinin që jeton në Athinë. Thuaji që të kam çuar unë.” Një rabin sefardi prej Sarajeve, njohës me themel i hebraizmit jo vetëm ballkanik, po aty më çon, tek Gabriel Negrini.
Negrini pati nisur studimet për muzikë elektronike në Kretë, por aty pati zbulimin e religjionit dhe para dy vjetësh u bë rabini i Athinës dhe gjithë Greqisë në këtë sinagogë që është prej fillimit të shekullit të njëzetë. Dhe lajmi mori dhenë dhe u dha dhe nga gazeta The Forward e hebrenjve të Amerikës. Tani, fotoja e tij në faqe zyrtare është me kipà a homburg dhe tefilin. Përfshihet në gjurmime të muzikës së hebrenjve dhe në muzikë eksperimentale. Di t’i bjerë shofarit, bririt të dashit që përdoret gjatë Festave të Mëdha hebraike, është mohel, (synetëzues ritual), ka zë shumë të mirë. Ka kryer studime teologjike në Izrael.
“Ka aktivizuar komunitetin!” më thotë Allegra Matsa nga Janina. “Është i aftë të angazhojë të rinjtë. Rabinët paraardhës ishin në moshë dhe të stilit të vjetër. Meh!”
Shiko, më shkruan Moses Elisafi, kardiologu që kryeson Komunitetit Hebre të Janinës. “Rabi Negrini është nga Shqipëria.”
Kur dikur nga vitet njëzet Josef Negrini nga Janina la të shoqen Anetën të ve, kjo e kalonte më shumë kohën tek vajzat e martuara ndër hebrenj të Vlorës. Nga vitet tridhjetë, i erdhi dhe djali i madh, Mojzja, i cili në Janinë si çilimi kishte shitur gazeta. Nga vitet gjashtëdhjetë Aneta e la vendin dhe iu bashkua një djali tjetër të sajit që jetonte në Izrael, por Mojzja, i cili ishte aktiv edhe në jetën kulturore të Vlorës, doli në pension si llogaritar në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social, ndërmarrjes që furnizonte restorantet e qytetit.
Dhe Mojzja pati Fiton si djalë dhe Fitua, dikur nga të njëzetat, u martua me një fqinjën e vet në pallat në Vlorë, e cila vinte nga një familje e njohur e krishterë ortodokse e Mifolit-një teze e saj është psikologe e njohur për fëmijë në Tiranë. Fito dhe Greta Negrini lindën fillimisht Revekën që studion për dentiste në Athinë dhe në vitin 1988, tre vjet para se të merrnin plaçkat për në Greqi ku Mojzja kish të vëllanë, lindën djalin, Gerionin.
Gerioni është Gabrieli, rabini Gabriel Negrin.
Di shqip? “Siç e di unë greqishten, me copa,” më thotë Nesim Koheni. S’preferon ta flasë a ta dëgjojë, më thonë të tjerë.
U përpoqa të lidhem si me Fito Negrinin ashtu dhe rabi Gabrielin por nuk ia dola. Më përmendën probleme sigurie.
Pas 1990-ës, tjetër gjë ishte hebreu janjiot i kthyer nga kampet e përqëndrimit, tjetër ai nga Halki që i shpëtoi i gjithi Holokaustit, dhe tjetër gjë ai që vinte nga Shqipëria e Enver Hoxhës, shkruan Marie-Elizabeth Handman, një antropologe franceze që i pati studiuar ata në atë periudhë. Hebrenjtë shqiptarë shkonin shumë më mirë me ata të feve e tjera, të cilëve u jepnin pulën e Pesahut ndërsa nuk pinin për Ramazan, por të paketuar në Izrael, ishin fillimisht më të tulatur dhe më konservatorë.
Nga ana tjetër, në pjesën më të madhe, hebrenjtë shqiptarë janë si shqiptarët e tjerë dhe s’e vrasin mendjen për fenë. Kur Andon Meloja, fëmija që doli nga martesa e parë e një hebreu me një johebre në Shqipëri, pati kërkuar të regjistrohej në komunitetin hebraik të Athinës, ku jeton, para tre vjetësh, e habitën. Donin ta çonin për ta bërë synet. “U thashë, ‘Me mua doni të talleni ju? Unë jam burrë tetëdhjetë e tre vjeç,” thotë Meloja, inxhinier në pension, grek i Delvinës nga i ati, hebre Delvine nga e ëma, martuar me shqiptare me origjinë myslimane, jetuar në Fier gjatë komunizmit. Por si hebrenjtë e tjerë, tregojnë solidaritet të madh me njëri-tjetrin. Dhe në Izrael, një pjesë e mirë e bashkëshortëve johebrenj apo fëmijët e lindur nga nënë johebreje prej shqiptarëve, janë konvertuar në judaizëm, proces më i gjatë dhe më i mundimshëm se konvertimi në krishtërim apo islam.
Dallojnë dhe në Izrael shqiptarët më thotë Matsa. Kanë bërë më përpara nga shumë janjiotë të tjerë të vendosur atje.
Disa nga ata që shkuan në moshë në Izrael apo tjetërkund, e kishin të vështirë. Pepe Kantozi, i cili vdiq viteve nëntëdhjetë në Karmiel, qante rrethin shoqëror që kish lënë pas. “Kur shkoja në Vlorë e më merrte babai në telefon nga Izraeli, nuk më pyeste si je e si shkon,” thotë Zhaneta Solomoni-Jakoel, “por se ç’bënte e si i kishte punët Baçi, ç’bënin Xhevoja, Ruzhdiu e Kudreti, si ishte Shazja…,” shokët e vet të rrugës Justin Godard.
Por dhe nga brezi i parë pati që ia dolën dhe zunë punë të mira, ato që kishin lënë në Shqipëri, thotë Gerion Kureta. “Brezi i dytë pastaj, ai që lindi atje, shpërtheu. Patën sukses të paparë.”
Sidomos pas të nëntëdhjetave, filluan të rivinin për vizitë shumë syresh. Shemo Sollomonin, me të cilin u lidha në fillim për të mbledhur eksperiencat e hebrenjve janjiotë të Shqipërisë, e gjen në Vlorë çdo dy vjet, ku ka blerë dhe shtëpi. Çdo vit pelegrinon në apartamentin e vet në Tiranë Zino Matathia, doktori, i cili të thotë se u mbruajt në dy placenta, nga Shqipëri dhe nga Izraeli. Kur pat parë një vajzë hebreje serbe me banim në Izrael të dilte në televizor në 1999-ën e të thoshte se ishte e gatshme të shkonte të luftonte në Kosovë, ai pat shkuar si vullnetar në një spital për refugjatë kosovarë që pati ngritur ushtria izraelite në Bllacë. Kur lëvizi në Janinë me të shoqin dhe vajzat në 1990-ën, Zhaneta Jakoeli qau gjashtë muaj rresht se e merrte malli për Vlorën. Tani, televizorin në apartamentin e saj në Janinë e mban tek kanalet shqiptare dhe kur kthehet nga Vlora verës sjell me vete një valixhe me romane shqip dhe në të dyja vizitat që bëra tek Jakoelët, ajo shpesh e kthente bisedën tek letërsia. Edhe kur bëjnë festë për bar dhe bat mitzvah-të shqiptarët, thotë ajo, siç para ca kohësh vjetësh në Amerikë, ia marrin “O do marr çiftenë, e do dal për gjah!”
Nisim Koheni rrëmon prej Bruklini kujtimet e nënës dhe babait duke i plotësuar me librat e shkruara për janjiotët dhe hebrenjtë. Anna, dentistja dhe kushërira e tij që u pat larguar në rini dhe i pati tërhequr njerëzit e vet në Nju Jork, është mbase shqiptarja më entuziaste sot në Amerikë. Por vëllai i madh i Nesimit nuk do t’ia dijë për vendin e shqiptarët.
Nuk të çudit. Marrëdhënia me këtë vend, i cili krijoi një nga diktaturat më brutale, më mjeruese dhe më poshtëruese në Evropë, u bë gjë e vështirë për të gjithë ne që jetonim aty. Dhe marrëdhënia e tyre me vendin ka ngecur në këstin e fundit të dëmshpërblimit të përndjekjes të të atit, të cilit i mori mbrapsht jeta, si dajës sim, kur bënë pesë vjet burg politik në rini nga fundi i viteve dyzet. Dhe njerëzit e së shoqes në Vlorë. Nuk është kjo gjithshka, për mirë apo për keq. “Kemi lindur në Shqipëri, jemi rritur në Shqipëri,” më thotë Nesimi “Unë shqiptar e konsideroj veten.”
Para tetë vjetësh, në Shqipëri u kthye nga Izraeli Geri Kureta, i cili mban këtu një biznes lodrash për fëmijë. Më thotë se edhe brenda Izraelit diskursi mbi identitetin hebre-i cili sidomos pas Holokaustit u lidh me shpërnguljen në atë vend, ka ndryshuar. “Nuk është e domosdoshme të jesh hebre dhe të jetosh atje,” thotë. “Mund të jesh hebre kudo, siç edhe ndodh.”
Elio Jakoeli, një nga fëmijët e dy të mbijetuarve janjiotë nga Aushvici që erdën dhe u vendosën në Tiranë, ka dyqan të vetin në Brooklyn, por më thotë se biznesi nuk i ecën siç do. Brezin e vet në Tiranë, vitlindja 1953, e kujton me mall. “Nuk vjen brez si ai,” thotë. “Të sinqertë, të hajrit.” Tiranas tipik, 24-karatësh, ky Elio. Ndonjëherë e ngacmon dhe ideja të kthehet e të jetojë këtu.
Jakov Sollomoni, i cili tani vonë ka shkruar disa libra mbi përvojën hebreje të Shqipërisë ishte nga ata që u largua me të katra në 1991-in dhe sot jeton në Ber Sheba, buzë shkretëtirës së Negevit në jug të Izraelit. Si stil, rrëfimi i tregimeve të tij lëviz nga një drejtim në tjetrin, si muhabet shtruar, dhe përdor shprehje të shqipes të atij që e ka atë gjuhë të vetën. Një greqishte popullore e mësoi nga familja. Anglishtes dhe rusishtes i hyri vetë, madje pati sjellë në shqip dhe një vjershë të Lermontovit. Tani merret vesh dhe në hebraisht. “Por për të shkruar, shqip shkruaj.”
“Brezi i ri është ndryshe,” më thotë. Djali dhe nusja zbatojnë kashrutin, rregullat strikte dietetike të hebrenjve besimtarë, dhe mbajnë shabatin. “Neve jo,” thotë. “Gruaja më bën shpesh tavë Elbasani.” Gjellë më anti-kosher nuk ka.
Rashela Sollaku, e lindur Matathia, është nga ata pak hebrenj janjiotë që nuk lëvizën në Izrael. Inxhiniere kimiste, ajo vendosi të rrijë në Shqipëri të kujdeset për të shoqin, i cili do vëmendje shëndetësore. “Është dhe mysliman me origjinë,” thotë. Ajo është mbesa e Mateo Matathisë që u kujdes të merrte shtëpitë e gjyshit në Vlorë, gjë që i dukej e pamundur në 1997-ën, kur njëra nga ato u dogj dhe një hajvan pati zhgarravitur mureve një kryq nazist-edhe atë mbrapsht, me sens anti-orar. “Është vonë për të lëvizur,” thotë kur e takoj në një kafene në qendër të Lushnjes. “Jetën e kam këtu.” Por njëri djalë, informaticien i studiuar në Romë, po përgatitet t’i vejë në Izrael në kërkim të kësaj pjese të rrënjëve të veta.
Në javën e parë të tetorit, dy ditë pasi hebrenjve u fillonte viti 5776, gjej në dyqanin e tij në Janinë Marko Batinon, djalin e atij Pepos që kish shpëtuar fizarmonikën nga ushtarët shqiptarë, kur në 1946-ën e përzunë me gjithë familje. Takova dhe të ëmën, Ninetën. Pepoja, i cili ndërroi jetë para pak vitesh, deri sa mbahej e rrinte në dyqan, kur i dilte shqiptar në derë ia shtronte muhabetit shqip. “Baba, do shesësh apo do merresh me llogje,” e ngacmonin të tijët. Donte Pepoja t’ja mësonte shqipen Markos kur ishte fëmijë, por ç’i hynte në punë shqipja atij, gjuhë e vdekur si greqishtja e Homerit-vetëm kur t’i vinte ndonjë xhaxha nga andej një herë në njëzet vjet. Por me shqiptarët që vajtën atje pas nëntëdhjetave, emigrantët që zunë sektorë shërbimesh a kujdeseshin për të moshuar në qytet “do ti që u dashka?”
Kur u sëmur e zuri shtratin Pepoja, filloi t’i mësonte greqishten shqiptares që kujdesej për të.
Markoja u bë muzikant dhe manaxher muzike dhe pati dhe dy buzuki me famë në qytet, vende ku politikanët shqiptarë, të stërmunduar nga lodhja që u shkaktonte vendi pas 1997-ës, shkonin për të ndërruar vend. “Kush nuk ka ardhur. Fatos Nano, Sali Berisha.”
“Akoma s’kam qenë në Izrael,” thotë Markoja. “Xhaxhai më lutet t’i shkoj. Këngët greke kanë popullaritet atje. Më thotë: ‘Dy këngë të këndosh, biles as ti këndosh, t’i inçizosh, dhe s’do kesh nevojë të punosh gjithë jetën.’
“Por jam grek, ky është vendi im. Nuk ka vend më të mirë në botë, megjithë krizën.”
Kushëririn e tij të tretë, Viktor Batinon, i cili pas ca vitesh në Izrael tani punon si administrator pronash të patundshme në Toronto të Kanadasë, kur e pyes se ç’e ndjen veten më thotë: “Fifty-fifty. Gjysëm hebre, gjysëm shqiptar.”
David Kantozi është djali i Mimiko Kantozit, i cili punoi gjithë jetën në Albturizëm gjatë komunizmit. Tani Davidi punon në Tel Aviv. U pat bërë me nerva para ca vitesh nga një dokumentar i televizionit të Izraelit për Shqipërinë si vendi me “Islam të mirë.” Shqipëria hynte në klasifikimet thjeshtëzuese gjeopolitike, të cilat i acaronin hebrenjtë shqiptarë atje. Kur u bënë zgjedhjet për guvernator të Bankës së Shqipërisë para dy vjetësh, pati aplikuar për atë vend. Në një media, poshtë këtij lajmi, dikush kishte komentuar, “Moss, tani e kemi të sigurtë falimentimin. Nuk mjaftohen hebrenjtë me financat botërore duan edhe atë të Shqipërisë.”
“U ndjeva shumë i fyer,” më thotë Kantozi. “Familja ime i ka dhënë Shqipërisë ç’mundi.”
Tani ka dhe hebrenj shqiptarë që vizitojnë Janinën, lagjet ku u rritën paraardhësit. Kur fola në gusht në telefon me Annette Frommin, folkloristen nga Florida mbesë janjiote, ajo më tregoi motivimin e saj për ta studiuar si komunitet viteve tetëdhjetë. “Ekziston një Janinë fiksionale në mendjen e atyre që jetojnë atje, të njerëzve, të hebrenjve që kanë lidhje me të.”
Në një farë kuptimi, atë botë fiksionale kërkoja dhe unë, jo vetëm të një qendre provinciale perandorie si Janina, por edhe të një hapësire ku kulturat i rrinin bri njëra-tjetrës, të cilën e rrafshuan mënxyrat e shekullit të njëzetë, dhe i bënë njerëzit tu ngjiteshin anijeve e të merrnin arratinë prej tyre.
Imagjinoje, i thosha Isak Dostit ndërsa drejtoheshim drejt pallatit të tij mu jashtë Kastrosë një pasdite të nxehtë gushti, nëse nuk do kishte pasur luftë botërore, mos të kishte pasur Ballkani-siç pati shkruar një gazetar në fillim të luftërave në ish-Jugosllavi-atë prirje për dhunë, do ishte nga vendet më të mira të botës.
Dosti, shtetas amerikan dhe grek me baba të lindur në Vlorë, i cili vetë ka kaluar jetën duke mbledhur copëza nga këto botë, duke lidhur janjiotë të Argjentinës me të Venezuelës me të Izraelit me të Francës me të Shqipërisë me të Janinës, dhe duke kërkuar për vllehët e zonës për romanin që është duke shkruar, më thotë: “Eh sikur, eh sikur,” dhe hyn përpara në shkallën e tij tek pallati i hebrenjve.
Nuk është çudi të mbash mbiemër që të tregon nga një vend tjetër. Ka dhe të krishterë grekë që mbajnë mbiemrin Tepelenis dhe në Korfuz një familje e madhe quhet Avlonitis, vlonjati, ashtu siç ka shqiptarë të familjeve Kosturi a Janina.
Një herë, kureshtar për familjet e hebrenjve me mbiemër Tepeleni u lidha me Isakun, një muzikant. “As e kam idenë ç’është. Ndonjë mal në Shqipëri?”
Nuk di të ketë gjurmë hebrenjsh në Tepelenë, megjithëse s’përjashtohet të ketë qëlluar ndonjë dyqanxhi a shitës ambulant në shekull të nëntëmbëdhjetë, pasi ishte pjesë e pashallëkut të Janinës dhe shtrihej përgjatë luginës së Vjosës ku kalonin njerëzit dhe tregëtia.
Kafeneja ku erdhi 62-vjeçari Jakov Tepelenis me të shoqen Anën, prindër të Isakut, ndodhet afër shtëpisë së tij në Vrilisiá, në lagjjen diku rreth pesë kilometra në verilindje të qytetit e cila nga tokë bujqësore u bë zonë banimi për shtresat e mesme të Athinës gjatë bumit të ndërtimit viteve tetëdhjetë.
Aty, për nëntëdhjetë minuta, Jakovi tregoi historinë e familjes së tij, ngadalë, që të sigurohej se ishin marrë shënim të gjitha gjërat që thoshte. Nuk e ka idenë pse e mbajnë mbiemrin Tepelenis.
“Nuk e di se cilët janë emrat që më thoni, (kasapi Jehuda Tepelena, i cili përmendet në reportazhin e parë të kësaj serie) pasi Tepeleni ishte një mbiemër që mbahej nga familje që s’kishin lidhje farefisi me njëra-tjetrën.
“Familja ime ishte e Jakov Tepelenit, e gjyshit tim, mbase ai ishte kasap.
“Babain ma quanin quhej Isaak dhe e vetmja lidhje që kishte me Shqipërinë ishte se gruaja e tij e parë ishte hebreje nga Shqipëria, nga fisi Haxhis.
“Quhej Stamula Haxhis dhe kishte dhe një vëlla, Isaak Haxhis, i cili pati vajtur s’e di se si në Izrael.
“Por babai dhe gjyshi im ishin të lindur dhe rritur në Janinë dhe s’kishin vajtur gjëkundi tjetër.
“Stamula dhe shtatë fëmijët e babait nga martesa e tij e parë vdiqën të gjithë në Aushvic. Ishte e tmerrshme vetëm kur e dëgjoja këtë gjë.
“Nga Aushvici u kthye dhe një vajzë me emrin Estir Tepeleni, e cila mendonte se ishte motër e babait tim dhe erdhi në Janinë të kërkonte familjen. Por nuk ishte motër e tij, as kushërirë, se siç të thashë, s’kishin lidhje gjaku të gjithë Tepelenit, ishte thjesht koincidencë.
“Estir Tepeleni ndenji në Janinë dhe u martua aty dhe pas martese ndryshoi mbiemër e nuk e di ç’u bë më me të.
“Babai im, Isaaku, ishte shitës zarzavatesh dhe u martua prapë me nje hebreje të fisit Iosafat nga Larisa të cilën e quanin Luna, mamanë time, dhe me të bëri dy fëmijë: mua dhe motrën time Stelën, e cila ndodhet në Izrael që prej 1969-ës.
“Familja e babait tim kishte dy-tre, mbase dhe katër shtëpi në Janinë, (s’e di cilën shtëpi keni parë në Janinë, por shtëpia që shitëm në 1973-in është akoma shumë e bukur.)
“Kur u kthye babai nga Aushvici, vetëm njerën shtëpi arrite të merrte, ate qe ndodhej në Skufa 10, shtepite e tjera i kishin uzurpuar duke menduar se nuk do të ktheheshin më kurrë. Madje kishin falsifikuar dokumenta sikur shtëpitë i kishin të tyret. Nuk arrij dot të ta shpjegoj se ç’bëhej atëherë. Kush kishte dalë gjallë nga Aushvici ishte i humbur, nuk kishte fuqi as të tregonte historinë e tij e jo më të kërkonte pasurinë. Kohë të egra.
“Për njërën nga shtëpitë, ai që e kishte marrë i tha babait: ‘e di që shtëpia është jotja, të mbaj mend, por me dokumenta tani e kam timen dhe s’më bën dot asgjë. Por meqë të njoh dhe di që je njeri i mirë, do të të jap disa lira dhe ti do më nënshkruash një dokument që po i merr këto lira (s’e mbaj mend shumën por ishte qesharake) dhe që s’ke më asnjë pretendim për shtëpinë.’
“Dhe babai mori ato pak para e nënshkroi. Nuk kishte ç’të hante.
“Unë dhe motra u larguam nga Janina dhe Greqia më 1969. Isha 17 vjeç. Na dërguan prindërit në Izrael, pasi e quanin të domosdoshme të rriteshim në vendin e origjinës sonë.
“Nuk e di se sa mirë bënë. Por edhe Janinën nuk do e preferoja. Kujtimet që kam që atje nuk janë kushedi çfarë, fshat ishte atëhere, me qerre dhe karroca nëpër rrugë të pashtruara. Më vonë u bë qyteti i bukur që shikoni sot. Prapëseprapë, Izraeli s’ishte i lehtë si fillim. Po kalonte një inflacion të tmerrshëm. Megjithatë ja dolëm.
“Në 1981-in në një dasëm në Izrael, u njoha me gruan time Ana Kohenin, e cila kishte ardhur për dasmën nga Athina. Na solli fat ajo dasëm, s’kaloi shumë kohë dhe u martuam edhe ne dhe bëmë dy fëmijë, dy djem. Në 1986-ën kur Izraeli po kalonte krizën e dytë financiare dhe u bë e vështirë jetesa, vendosëm të kthehemi në Athinë.
“Në vitin 1973 prindërit e mi, tashmë në pension, shitën gjithçka kishin në Janinë dhe erdhën në Izrael. Qëndruan deri në 1975-ën kur u kthyen për pushime në Janinë dhe babai vdiq aty me infarkt. Kjo është dhe arsyeja që vete shpesh në Janinë. Atje kam eshtrat e tim eti.
“Por jo, nuk do të doja të jetoja atje, megjithëse ime shoqe do. Thjesht shkoj kur më jepet mundësia, festa fetare, dasma… ç’të jetë, sa herë që kam mundësi.
“Kur u kthyem në Athinë në 1986-ën, Greqia ishte në kulmet e saj dhe gjetëm kollaj punë, ato që patëm në Izrael. Unë instaloja ashensorë dhe gruaja punonte në një supermarket.
“Tani, të dy djemtë që bëmë me universitet këtu, njerin muzikant, pianist, e tjetrin llogaritar të lartë, u detyruan të shkojnë në Izrael prej krizës së këtushme. S’gjenin punë këtu. Tani në Izrael është shumë mirë gjendja. Ka punë. Ne vazhdojmë të rrimë këtu, dhe vetëm shkojmë e i vizitojmë. Jemi të dy pensionistë tani dhe gjendemi rahat këtu.
“Babai nuk na fliste as për familjen që kish patur, as për Aushvicin. Ishte shumë e dhimbshme për të. Motra e ngacmonte më shumë se unë, e megjithate ai shumë rrallë fliste. Unë s’e ngacmoja pasi e kuptoja sa shumë e vuante. Nuk pranonte të kthehej mbrapa në kohë. Dhe ato pak gjëra që arritëm t’i nxirrnim na i tregonte nga fundi i jetës. ‘E ç’i doni historitë e vjetra?’ na thoshte. Nuk donte të fliste. Unë nuk e di se si ishte babai im para luftës, por burri që njoha unë ishte një njeri i mbyllur në vetvete, i heshtur. Ndaj edhe s’e kam informacionin të plotë.
“Me komunitetin e këtushëm shihemi për festa. Nuk jam shumë religjioz dhe më shumë shkoj në Janinë. Rabinin e ri këtu s’e njoh mirë. Di që bën shërbesa të mira dhe ke kënaqësi ta dëgjosh. Ka vullnetin e mirë që të bëjë punë por përsa i përket forcimit të lidhjeve brenda komunitetit dhe me Janinën s’para vë re të ketë ndryshuar gjë. Por edhe s’para shkoj në sinagogë (buzëqesh).”
Një fotografi? Ngre supet. Por edhe po doli fotografia në gazetë, në Shqipëri do dalë, jo këtu!
“E lëmë më mirë pa fotografi këtë gjë.”

Për këtë shkrim nga Athina raportoi edhe Elona Gjermeni

Tirana në emergjencë të trafikut

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan dje makthin që ka krijuar Erion Veliaj në qytet, me trafikun e rënduar, të pahasur më parë në këto përmasa, duke shkaktuar kosto të madhe tek qytetarët në çdo drejtim.
Projektet klienteliste dhe korruptive të Ramës që zbatohen nga Veliaj, kanë përkeqësuar cilësinë e jetës në Tiranë, pasi korrupsioni dhe interesat private të pushtetit janë kthyer në prioritet.
“Sot Tirana, qendra e saj është në një emergjencë të madhe. Është në një emergjencë të trafikut që po shkatërron nervat e qytetarëve të Tiranës, po shkatërron ekonominë e tyre, po i lë në mes të trafikut, po përkeqëson ndjeshëm cilësinë e ajrit në të gjithë zonën dhe në anën tjetër është në një emergjencë shëndetësore pasi ambulancat, zjarrfikësja dhe shumë mjete të tjera fizike, kanë një vështirësi të madhe për të kaluar dhe ngadalësojnë vazhdimisht hapin e tyre, duke përkeqësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Në anën tjetër, Erion Veliaj vendos qytetarin e Tiranës në fund të listës së shqetësimeve, duke menduar vetëm për asfalt elektoral dhe beton elektoral. Ndërkohë që sot Tirana, ka nevojë të theksuar për shumë e shumë investime të tjera të dobishme, siç janë ujësjellës-kanalizime, pasi qyteti përmbytet çdo herë dhe në çdo rast që bie shi dhe ka nevojë për një stacion multimodal të ri që të largojë shumicën e autobusëve dhe mjeteve publike nga qendra e qytetit duke lehtësuar trafikun, ka nevojë për një tram për qytetin që do të zvogëlonte ndjeshëm trafikun. Pra, çfarë po bëhet nga e gjitha kjo? As edhe një gjë. Veliaj thjesht po bllokon qendrën e Tiranës, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për xhepat e të gjithë qytetarëve, për shëndetin e të gjithë qytetarëve. Edhe unaza e vogël që duhej të ndërtohej e duhej të përfundonte është ende larg përfundimit të saj”, u shpreh Mateo Spaho, këshilltar i PD në Bashkinë e Tiranës.

Qeveria, 1 miliard lekë për 5 mijë ish-ushtarakë

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të pezullojë çdo proces gjyqësor ku ish-ushtarakët të dalë në pension kërkojnë të rimarrin vlerat e mbajtura nga përllogaritjet e pensioneve suplementare nga viti 2009 e në vazhdim.
Ligji, i miratuar së fundmi në Parlament, i dha zgjidhje këtij problemi jo të vogël për ish-ushtarakët, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga zvarritjet në dyert e gjykatave.
“Ka qenë një ligj, i cili është zbatuar nga ISSH dhe për shkak të procesit administrativ është krijuar një debi nga rillogaritja që përcakton ligji. Parlamenti vendosi që gjithë këtë debi t’ua falë ish-ushtarakëve dhe atë pjesë të debisë që ata kanë shlyer nga muaji në muaj t’ua kthejë. Edhe proceset gjyqësore, nëse ka, automatikisht ato do të pezullohen sepse ne kemi filluar që më 1 nëntor t’u kthejmë lekët ish-ushtarakëve”, ka deklaruar drejtori i ISSH, Astrit Hodo.
Është përllogaritur që deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm të kompensohen të gjithë ish-ushtarakët, të cilët në total janë 5.500 që përfitojnë nga ky ligj. Kostoja financiare e këtij ligji për buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 1 miliard lekë.
Për efektet e këtij ligji, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi së bashku me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilluan një bashkëbisedim me ish-ushtarakët.

Zero lekë për ish-të përndjekurit

Ndërsa Rama ka vendosur që të rrisë me 1 miliard lekë fondin për ish-ushtarakët e dalë në lirim që duhet të marrin të gjithë këtë shumë parash brenda muajit mars, një qëndrim diskriminues u vërejt nga Rama për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për këtë shtresë. Këto janë standarde të dyfishta që Rama përdor ndaj shtresave të ndryshme. Nga njëra anë mundohet të joshë një shtresë afër saj si ish–ushtarakët dhe nga ana tjetër të ndjekë një model persekutues për ish-të përndjekurit politikë. Kjo është një tjetër skemë e pastër elektorale e Ramës. Vetë fakti se të gjitha këto para do të hidhen në treg vetëm tre muaj para zgjedhjeve është një tjetër përpjekje e hapur e qeverisë për blerjen e votave. Ish-të përndjekurit paralajmëruan pak ditë më parë se në rast se nuk do të ketë një reagim nga qeveria për këstet e dëmshpërblimit që duhet të ishin dhënë, atëherë ata do të nisin një tjetër grevë urie. E tani qeveria ka bllokuar të gjitha këstet për ish-të përndjekurit dhe ky është edhe një tjetër thyerje e premtimeve të dhëna tre vite më parë.

Ndërron jetë pronari i spitalit “Hygea”

Ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare biznesmeni i njohur grek Andreas Vgenopoulos. Shkak i vdekjes ka qenë një atak kardiak. Vgenopoulos është i njohur edhe në Shqipëri, pasi pjesë e investimeve të tij është edhe spitali i njohur privat “Hygeia”.
Madje në ceremoninë e inagurimit të tij 6 vite më parë ai ndodhej në Shqipëri, i shoqëruar nga ish-kryeministri Berisha. 63-vjeçari ishte një prej biznesmenëve më të mëdhenj të Greqisë në këto 10 vitet e fundit.
Zotëronte aksione të klubit të futbollit “Panathinaikos”, si dhe ishte pronari i kompanisë ajrore “Olympic Airlines”. Në vitin 2012, Vgenopoulos u akuzua si njeriu që shkaktoi krizën bankare të Qipros.
Ndaj tij s’kanë munguar as akuzat për praktika kreditimi korruptive, por që ai i ka mohuar vazhdimisht.

Foto e kamionëve me dru në pikën kufitare të Kakavijës

Kamionët me dru kalojnë pa asnjë problem në pikën kufitare të Kakavijës, ndonëse ka një ligj për ndalimin e prerjeve të druve. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto të kamionëve të ngarkuar me dru në doganën e Kakavijës në pritje për të kaluar pikën kufitare drejt Greqisë. “Ky është moratoriumi i eksportit të drurit dhe kontrolli i tij nga qeveria! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar fotot që i janë dërguar nga një qytetar.
Prej disa ditësh janë publikuar lajme në rrjetet sociale për masakrën që po u bëhet pyjeve në Ersekë. Të shtunën, janë publikuar disa foto të kamionëve me dru që po udhëtonin në hyrje të qytetit të Ersekës nën hundën e policisë. “Kamioni që kemi fotografuar në foton kryesore është 200 metra larg hyrjes së qytetit të Ersekës nga Jugu. Ora 18:56, 5 nëntor 2016. Më herët, në rrugën nga Gërmenji në Ersekë të tjerë kamionë me trupa janë fotografuar teksa udhëtojnë në rrugën nacionale të patrazuar nga policia, edhe pse gjoja ka një moratorium për prerjen e pyjeve”, shprehet një qytetar që ka publikuar fotot.
Një javë më parë, 10 kamionë pa targa dhe me targa janë parë të ngarkuar me trupa në Kolonjë. Denoncimi i këtij skandali është bërë nga kreu i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi.
“E gëzofshi moratoriumin e prerjes së pyjeve! 10 kamionë (8 pa targa) kanë nxjerrë trupa vetëm brenda ditës së djeshme në Kolonjë. Kjo ndodh kur ligjet bëhen veç për fasadë. E gëzofshi edhe kontrollin e territorit ju fasadaxhinjtë! Veç mushkëritë tona e të fëmijëve tanë po gërryejmë për ca para më shumë për pushtat e shtetit”, shkruan Malltezi në një postim në rrjetin social Facebook.
Qeveria ka deklaruar moratorium, por ai duket se është vetëm për popullin, pasi njerëzit e qeverisë dhe trafikantët vazhdojnë punën të qetë. Edhe në Korçë vijon prerja e pyjeve, sidomos tani që ka trokitur stina e dimrit.