24.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Tragjedi ajrore, shuhet ekipi brazilian

Tragjedi ajrore në futbollin botëror. Një avion me 81 persona në bord, përfshi dhe skuadrën braziliane të Chapocoenses është rrëzuar dje në orët e para të mëngjesit mbi Kolumbi, afër zonës së Rio Negros teksa po udhëtonte nga aeroporti bolivian i Viru Viru drejt atij të Medelinit, ku do të luante finalen e Copa Sudamericana kundër skuadrës së Atletico Nacional. Pamjet e marra në vendngjarje tregojnë avionin e shkatërruar dhe logon e skuadrës në një prej sendeve të gjetura në vendin e aksidentit. Sipas një komunikate të shpërndarë nga zyrtarët e aviacionit kolumbian, personat e mbijetuar janë pesë, mes të cilëve 3 futbollistë, mbrojtësi Alan Ruschel dhe dy portierët Danilo dhe Jackson Follman.
Nga 81 persona që ishin në bord, nëntë ishin anëtarë të ekuipazhit dhe 72 pasagjerë, ndërkohë që të 76 prej tyre u deklaruan të vdekur. Fillimisht nga trupi i avionit u nxorën të gjallë 6 persona, por njëri prej tyre humbi jetën në spitalin ku u dërguan me urgjencë. Kjo është padyshim tragjedia më e madhe ajrore që përfshin sportin pas asaj të Supergas, së 4 majit 1949 ku humbën jetën të gjithë futbollistët e Torinos së Madh. Imazhi i fundit, që qarkullon për ekipin e Chapocoenses është një video e shpërndarë nga ana e klubit brazilian ku shihen futbollistët teksa po ngjiteshin në avion. Ndërkohë që avioni është zhdukur nga radarët rreth orës lokale 21:33 të mbrëmjes ose 3:33 të mëngjesit me orën e Shqipërisë.
Aktualisht nuk janë bërë ende të ditura shkaqet e rrëzimit, por në atë moment zona ishte përfshirë nga një stuhi e ashpër dhe mendohet se avioni ka humbur menjëherë kuotë si pasojë e turbulencave, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e problemeve eletrike. Avioni charter i përkiste kompanisë boliviane Lamia. Finalja që Chapocoense do të luante me Atletico Nacional në Medelin ishte rezultati më i mirë historik i klubit brazilian, përpara se kjo ngjarje tragjike të merrte përgjithmonë yjet e këtij ekipi. Kësaj tragjedie i shpëtuan dhe tetë futbollistë të tjerë të skuadrës, të cilët nuk ishin grumbulluar nga klubi për transfertën me Atletico Nacionalin.

Tatimet i “vërsulen” me gjoba militantëve të Partisë Demokratike

Teksa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e parlamentare më 2017, mazhoranca ka nisur të përdorë “kamzhikun” ndaj qytetarëve që kanë bindje të kundërta politike. “Boldnews.al” sjell një denoncim të një qytetari, i cili shprehet se biznesi i tij është përndjekur nga Drejtoria e Tatim Taksave në Tiranë për shkak të qëndrimeve opozitare që ai ka. Çlirim Methoxha shprehet në një intervistë për “Boldnews.al” se është gjobitur disa herë nga tatimet dhe nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor për shkak se ai ishte anëtar i Partisë Demokratike. “Kam kontrolle të vazhdueshme nga Drejtoria e Tatimeve. Pothuajse çdo javë më vijnë në biznesin tim të vogël për të më kontrolluar deri në detaje. Por unë i kam të gjitha dokumentet dhe jam një tatim pagues i rregullt”, thotë Methoxha. Në dokumentet që ai disponon, shihet qartë se inspektorë të tatimeve apo AKU, mësyjnë herë pas here tek ky biznes ushqimor që siguron mbijetesën e familjes. Dyqani që ndodhet tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, është në emër të bashkëshortes së tij Alma Methoxha, por kjo nuk ka ndalur zyrtarët e veshur me pushtet që të identifikojnë anëtarët e Partisë Demokratike. “Në disa raste, inspektorët kanë ardhur 2-3 herë brenda 1 jave dhe kanë pritur që të më kapnin në gabim. Më kanë përndjekur për shkak se unë jam anëtar dhe aktivist në Partinë Demokratike”, shtoi më tej Methoxha. “Lufta” kundër armiqëve të partisë duket se vijon të jetë e trashëguar që nga regjimi i kaluar, por në dallim me atë kohë, sot qytetarët kanë guxim të denoncojnë çdo padrejtësi.

Të ardhurat e vendorëve, 1.4 mld lekë më pak

Reformat e ndërmarra nga qeveria qendrore apo rritja e disa tarifave nga bashki të ndryshme të vendit duket se nuk kanë dhënë efektet e pritshme. Mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor vazhdoi edhe gjatë këtij viti. Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë 10-mujorit të ardhurat janë realizuar në masën 13 miliardë lekë, ndërkohë, që me Aktin Normativ të miratuar në korrik të këtij viti janë parashikuar 14.5 miliardë lekë. Por edhe pse këto tregues janë më të ulëta se plani, ato rezultojnë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku të ardhurat nga vendorët ishin në vlerën e 10 miliardë lekëve. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Por, referuar të dhënave, dy janë analizat që mund të bëhen, ose parashikimi është më i lartë se kapaciteti, ose pushtetarët vendorë nuk kanë patur performancën e duhur. Por në gjithë këto vite njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë administruar në mënyrë efikase, çka është reflektuar në treguesit e të ardhurave. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit, ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e një menaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi. Ndërkohë reforma për ndarjen e re administrative të vendit, që tashmë ka hyrë në fuqi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pritej të sillte ndryshime edhe në buxhetet e planifikuara të njësive vendore. Kështu për të rritur të ardhurat nga taksat sidomos ajo e pronës, Bashkia e Tiranës ka nisur ta mbledhë atë nëpërmjet faturës së ujit, çka do të jetë më e lehtë nga ana administrative. Por, prej muajsh tashmë Bashkia e kryeqytetit është në “konflikt” me tregtarët dhe bizneset pasi sipas tyre janë rritur tarifa të ndryshme si ajo e tabelës apo e zënies së hapësirave publike.

Shqiptarët më të keqpaguarit, industria e këpucëve me pagesë 0.8 euro/ora

Punëtorët shqiptarë në industrinë e prodhimit të këpucëve janë më të keqpaguarit krahasuar me vende të tjera të rajonit, por edhe të disa shteteve të Bashkimit Europian. Shqipëria renditet në vendin e parë sa i përket pagesës më të ulët për orë pune në këtë industri, me vetëm 0.8 euro për orë. Krahasimi me shtetet e tjera është bërë edhe në një dimension tjetër. Një punonjësi shqiptar i duhet të punojë 63 orë për të blerë një palë këpucë në vlerën e 50 eurove, ndërsa një punonjësi në Mbretërinë e Bashkuar i duhen vetëm 6 orë. Punëtorët në këtë industri në vendin tonë janë më të shfrytëzuarit, paguhen pak dhe punojnë më shumë. Të dhënat janë bërë me dije nga një raport i publikuar së fundmi nga një organizatë që financohet nga Bashkimi Europian, i cili ka nxjerrë në pah koston reale të punës në industrinë e prodhimit të këpucëve në periferi të Evropës dhe konkretisht në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Poloni, Rumani dhe Sllovaki. Tre shtetet e para janë zgjedhur si shembuj i vendeve jashtë Bashkimit Evropian, “vende në zhvillim”  por që mbajnë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të këpucëve dhe eksportit në tregjet në BE. Sllovakia, Polonia dhe Rumania janë zgjedhur si shtetet anëtare të BE-së, ku e kanë shumë të zhvilluar industrinë e këpucëve. Në Rumani, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri janë gjetur raste kur punëtorët nuk janë paguar as me pagën minimale për një numër normal të orëve të punës. Një në tre punëtorë shqiptarë, të cilët janë intervistuar nuk kanë arritur pagën minimale ligjore madje edhe duke shtuar shpenzimet për punë jashtë orarit. Gratë e pesë nga gjashtë vendet e analizuara kanë deklaruar se disa herë, dhe në disa raste ato punojnë ditën e shtunë, dhe puna e asaj dite nuk konsiderohet e jashtëzakonshme.

KLSH zbulon një “mal” me dobësi në arsimin profesional

Pasi ka inspektuar performancën në shkollat profesionale të të gjithë vendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërejtur dobësi themelore se si po zhvillohet procesi. KLSH ka vërejtur se mosnjohja, përshtatja dhe analizimi i zhvillimit të veprimtarisë së sistemit të arsimit dhe formimit profesional ndikon negativisht në cilësinë dhe masivitetin e tij dhe të goditjes së reputacionit të krijuar në vite për shkollat apo qendrat. KLSH vëren se mungesa e fondeve po çon në zhvillimin me mangësi të procesit mësimor dhe aq më tepër në realizimin e praktikave mësimore aq të nevojshme për një mësimnxënie cilësore në sistemin e AFP. Arsimi profesional po zhvillohet pa përcaktuar nevojat për mësues e specialistë të kualifikuar e të trajnuar mirë, që garantojnë cilësinë e mësimdhënies e mësimnxënies, në përcaktimin e nevojave për fonde për përmirësimin e kushteve të shkollave dhe kompletimi me reparte e baza prodhuese, shprehet KLSH. Në gjetjet e KLSH vihet re se nuk janë përcaktuar nevojat për pajisje me kabinete të lëndëve teknike. Më gjithë punën e bërë për riorganizimin e sistemit për t’iu përshtatur ndryshimeve shoqërore, ai duhet të jetë; një proces dinamik dhe i vazhdueshëm, me objektiva të përcaktuara, për të përshtatur sa më tepër të jetë e mundur ofertën e arsimit profesional me kërkesat e tregut. Zhvillimi normal i praktikave, sipas drejtimit mësimor, realizohet cilësisht sipas objektivave, vetëm duke përcaktuar drejt dhe saktë sipas llojit, sasisë dhe vlerën e “lëndëve të para” ose më saktë koston që duhet për çdo lloj produkti që do të prodhohet apo shërbim që do të mësohet në këtë praktikë, gjithashtu është e domosdoshme dhe për programim sa më të saktë të fondeve buxhetore që duhen për çdo drejtim e në tërësi, rekomandon KLSH. Moskrijimi i sistemit të gjurmimit të të diplomuarve dhe çertifikuarve nga institucionet e arsimit dhe formimit profesional sjell mungesën dhe pasjen e një informacioni të pamjaftueshëm mbi shkallën e punësimit së nxënësve dhe individëve; nuk vlerësohet se sa i arrirë është niveli dhe përshtatshmëria e njohurive të marra në shkollë apo qendrat e formimit profesional krahasuar me kërkesat e vendit të punës, kohës, përshtatjes me teknologjinë e re etj.; nuk identifikohen drejtimet mësimore apo kurset e reja me perspektivë të mirë punësimi. KLSH ka gjetur se, mosmatja e treguesve dhe objektivave të strategjisë sjell mosnjohjen me realitetin; sa mirë është hartuar strategjia; a ishte me efektivitet shkëputja e arsimit profesional nga sistemi arsimor; etj. Gjithashtu, hartimi i regjistrave kombëtarë do të bënte të mundur evidentimin në tërësi të personave që kanë mbaruar në sistemin e arsimit dhe formimit profesional, lëvizjet demografike të tyre, punësimin e tyre, përsëritjen e kurseve, mund të shmangte abuzimet me përfitimin e diplomave pa i mbaruar studimet apo kurset, etj. KLSH rekomandon që Ministria e Arsimit të krijojë një qasje të re për arsimin dhe formimin profesional, të hartojnë strategji të re për këtë sistem, për një mësimnxënie dhe mësimdhënie në funksion të tregut të punës, të zhvillimeve teknologjike, nevojave rajonale për zanatçinj apo profesionistë të mesëm të mirëkualifikuar.

Investimet kapitale në ngërç, 34% e fondit përqendrohet në dy muajt e fundit të 2016-s

Qeveria do të përqendrojë 34% të fondit të investimeve publike të programuar për këtë vit vetëm për muajt nëntor-dhjetor. Nga 59 miliardë lekë që është fondi vjetor për investimet kapitale, pas shkurtimit me rreth 4 miliardë lekë në shtator, deri në fund të tetorit janë përdorur vetëm 38 miliardë lekë. Kështu janë për t’u përdorur gjatë nëntorit dhe dhjetorit edhe 21 miliardë lekë ose 35.5% e totalit të fondeve. Sërish fondet e mbetura rrezikojnë të mos ekzekutohen ose më e pakta, të mos përdoren me efektivitet, siç ka ndodhur dy vitet e fundit kur Ministria e Financave ka faturuar fondet e mbetura me letër-kredi, duke i parapaguar kompanitë që janë kontraktuar për investimet ende pa bërë punimet. Investimet kapitale këtë vit janë në nivelin më të ulët të dekadës krahasuar me PBB, por sërish përdorimi me eficencë i tyre po has në vështirësi. Ekspertë nga Ministria e Financave bëjnë me dije se edhe fondet e alokuara deri më tani, më shumë kanë qenë rikonstruksione dhe riparime të godinave publike, se sa investime të dukshme në sektorë që të sjellin shtim të vlerës në periudhat e mëparshme. Ndërsa për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh). Ministria e Financave argumenton se, në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si më 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim. Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Si biznesi 360 milionë euro i lojërave të fatit ka kapur Ramën

16 kompanitë kryesore, që janë subjekt i lojërave të fatit, kanë qarkulluar zyrtarisht rreth 120 milionë euro gjatë vitit 2015, sipas të dhënave të deklaruara në bilancet e tyre dhe fitime prej rreth 20 milionë eurosh. Ky është vetëm deklarimi zyrtar, ndërsa informaliteti në këtë sektor mbetet shumë i lartë dhe vlerësohet të arrijë në 70%. Vetë operatorët “zbulojnë” një pjesë të këtij informaliteti kur në shkresën dërguar Kuvendit, i kërkojnë shtyrjen e hyrjes në fuqi edhe me një vit të ligjit të ri të lojërave të fatit, pohojnë se “të ardhurat nga ky sektor për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si dhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”. Kjo shumë është e përafërt me xhiron e deklaruar zyrtarisht, ndërsa ajo reale vlerësohet të jetë tre herë më e lartë, teksa këto kompani nuk punojnë me bankat. Pikërisht ligji i ri duhet të formalizonte llogaritë e tyre duke disiplinuar deklarimet nëpërmjet regjistrimit online të lojtarëve dhe automateve të lojërave të fatit. Por, kjo nuk u arrit. Subjektet e lojërave të fatit po ushtrojnë presion mbi Kuvendin, duke e detyruar atë që të shtyjë deri në vitin 2018 detyrimet e tjera që rrjedhin nga ligji i ri i lojërave të fatit që u miratua kohë më parë. Gjashtë deputetë të mazhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit edhe për dy vite të tjera. Edhe më herët, miratimi i ligjit ishte shtyrë për gati dy vjet.

Kompanitë kryesore dhe fitimet e larta

Ndonëse 2015-a ka qenë një vit pa kampionate të rëndësishme botërore apo europiane, kompanitë e lojërave të fatit kanë arritur të mbajnë nivele të larta të ardhurash. Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, Top Bast, Apex-Al, Astra Albania sh.a., Adriatic Game, Top Start ishte rreth 72 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel si më 2014-n, duke zënë rreth 60% të tregut zyrtar të lojërave të fatit.
Operatori më i madh në këtë segment këtë vit ka kaluar Top Bast, që ka arritur të ruajë ritme të larta rritjeje, me 22%, në rreth 2.3 miliardë lekë.
Të ardhura pothuajse të njëjta në rreth 2.3 miliardë lekë ka raportuar dhe APEX-AL, që pas tkurrjes me rreth 3.5% ka kaluar në kompaninë e dytë më të madhe të aktiviteteve të lojërave të fatit në vend.
Astra Albania është operatori i tretë më i madh, me të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh dhe tkurrje prej 6% me bazë vjetore.
Adriatik Game dhe Top Start kanë deklaruar rënie të qarkullimit vjetor përkatësisht me 9.6% dhe 4.4%.
Disa prej kompanive raportojnë norma fitimi të larta, ku më fitimprurësja është APEX-Al, që në vitin 2015 kishte një normë fitimi para taksave prej 45%, duke u renditur ndër 10 kompanitë me norma më të larta të fitimeve në vend. Edhe operatorë të tjerë deklarojnë norma fitimi të larta, midis 25 dhe 40%. Vetëm tre prej operatorëve në këtë sektor deklarojnë humbje, ku performancën më negative e ka Lotaria Kombëtare.

Shtyrja e ligjit

Në relacionin e 6 deputetëve thuhet se: “Duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të Ligjit 155/2015 deri më datën 31 dhjetor 2018.
Ligji i ri i lojërave të fatit përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.
Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”. Ligji nr. 155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri më datën 31 dhjetor 2016.
Sa u takon kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, Ligji nr. 155/2015 në dispozitat e tij kalimtare parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licencës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.
Sipas ligjit ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Por ky parashikim i dhënë nga ligji është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar, janë për një afat më të gjatë se vetë periudha e parashikuar nga neni 71 i ligjit. Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore.
Gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji janë evidentuar një sërë problematikash. Subjektet kanë hasur vështirësi në lidhje me përmbushjen e kërkesave të ligjit brenda afatit 31.12.2016, të parashikuar në nenin 71 të ligjit në fuqi. Gjithashtu, vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose në rastin më të keq, bllokimin e veprimtarisë së tyre. Njëkohësisht me propozimin e paraqitur kërkohet shfuqizimi i pikës 1 të nenit 71 të ligjit. Kjo për faktin se parashikimi i kësaj pike bie ndesh me parashikimet e pikës 2, pasi rezulton se shoqëri të licencuar për këto lojëra fati kanë një afat të përfundimit të licencës përtej 31.12.2016, ndërkohë që pika 2 bie ndesh me pikën 1, duke krijuar një kaos në treg dhe shteg për interpretime subjektive.
Ministria e Financave argumenton se, duke shfuqizuar pikën 1 të nenit 71, rezulton të kemi një afat të vetëm kohor për vlefshmërinë e licencës për ushtrim veprimtarie. Ligji në fuqi për lojërat fatit, mundëson edhe zhvendosjen e lojërave të fatit si aktivitet ekonomik për t’u ushtruar në hotele me 5 yje apo në resorte turistike. Duke parë situatën konkrete në të cilën ndodhemi, kur këto hotele apo resorte ende nuk janë ngritur dhe kërkojnë minimalisht një periudhë 3-4-vjeçare për t’u ndërtuar, me qëllim ruajtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit kërkojmë të shtyhet afati i parashikuar nga neni 71 i ligjit. Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si edhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”, përfundon relacioni.

Ndikimi politik, korrupsioni dhe taksat e larta nxisin informalitetin

Korrupsioni dhe ndikimi politik, kapacitetet e dobëta të administratës tatimore dhe doganore dhe niveli i lartë i taksave janë tre faktorët kryesorë që, sipas bizneseve, kanë nxitur ekonominë informale në vendin tonë. Perceptimi i biznesit në lidhje me shkaqet që krijojnë qasje në informalitet është dhënë në një anketim që ka bërë Këshilli i Investimeve. 43% e bizneseve të anketuara kanë thënë se ndikimi politik dhe korrupsioni e krijojnë formalitetin, ndërsa 39% e tyre janë përgjigjur se evazioni është nxitur nga mungesa e kapaciteteve në administratën tatimore dhe atë doganore. Një pjesë tjetër e madhe e bizneseve prej 26% mendojnë se evazioni është rezultat i taksave të larta. Më tej, bizneset mendojnë se faktorë të tillë si cilësia e dobët e legjislacionit, konkurrenca e pandershme dhe fragmentizimi i sistemit tatimor janë nxitës të informalitetit. Siç shihet nga rezultatet e anketimit, sistemi tatimor përbën një nga shtyllat kryesore që lehtëson ose vështirëson formalizimin e ekonomisë, por edhe bën ose jo më atraktive klimën e biznesit. Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore. Administrimi i taksave shprehet si problematike edhe në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare për klimën e biznesit në Shqipëri në këto vitet e fundit, por njëkohësisht është një shqetësim i hapur i biznesit nga takimet direkte dhe përgjigjet e ardhura nëpërmjet anketës online. Komente të shumëllojshme në përgjithësi negative mbi kapacitetet e administratës, interpretimin e legjislacionit, kontrollet e shpeshta tatimore janë nënvizuar në vazhdimësi nga biznesi. Konkretisht janë evidentuar TVSH, paqartësia dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit tatimor, sipas Këshillit të Investimeve.

Veliaj nuk njeh 28 Nëntorin për të festuar netët e “bardha”

Këshilltarët e djathtë kanë reaguar dje ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës për festimet e 28 Nëntorit. Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, bën të ditur në një reagim për mediat se, Veliaj e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”. “Nuk është e thënë që shqiptarët të përjetojnë një ditë në normalitet e për më tepër ditën e madhe të Pavarësisë dhe Lirisë, 28 Nëntorin. Erion Veliaj jo vetëm që vijon të ngrejë flamurin në Tiranë më 28 Nëntor, ndërkohë që zyrtarisht dhe me protokoll ngrihet më 26 Nëntor, jo vetëm që e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”, që kujtojnë në thelb instalimin e diktaturës komuniste, por edhe sot nuk harron të grabisë pa mëshirë tiranasit dhe çdo shqiptar që vendos të festojë këtë ditë në kryeqytetin e Shqipërisë. Me dhjetëra qytetarë denoncojnë këtë fakt sot, por askush nuk dëgjon… Kërkojnë të drejtën kushtetuese, por më kot…”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të djathtë.
Më tej në deklaratë thuhet se, edhe pse vendimi i Këshillit Bashkiak, përcakton se në ditët e pushimit zyrtar apo ditë festash nuk mund të vilen tarifat e parkimit, Veliaj dëshmon me fakte konkrete se, nuk e njeh si ditë feste dhe zyrtare pushimi 28 Nëntorin. “Gjobëvënësit e tij edhe sot jo vetëm që vjedhin qytetarët me tarifën e parkimit, por vendosin dhe gjoba të majme edhe për gjoja shërbimin e karotresit. Veliaj ka dëshmuar me shumë zell se është nga ata rilindasit që duan karrigen më shumë se Atdheun dhe bashkëkombësit, por nuk besohej se do të arrinte deri në këtë pikë!”, përfundon deklarata.

Bashkia Kamëz miraton paketën fiskale 2017, Mziu: Zhvillim biznesit dhe rritje punësimi

Kryetari i Bashkisë Kamëz: Në 3 vite e gjysmë kemi aplikuar 123 projekte konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria

Bashkia Kamëz është ndër të paktat njësi të qeverisjes vendore që miraton në kohën e duhur paketën fiskale të vitit 2017. Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Bashkiak i Kamzës miratoi paketën fiskale të vitit që vjen. Kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, pohoi para këshilltarëve se kjo paketë fiskale si qëllim ka krijimin e të ardhurave për t’i konvertuar ato në investime dhe shërbime, zhdukjen e informalitetit, zhvillimin e biznesit, rritjen e numrit të të punësuarve, si dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, z. Mziu u shpreh se Bashkia ka dy instrumente kryesore të funksionimit të saj për të grumbulluar sa më shumë të ardhura dhe për t’i konvertuar ato në investime dhe në shërbime ndaj komunitetit, por për realizimin e këtyre të ardhurave, pra për të pasur një buxhet, duhet të jenë të ardhurat e Bashkisë dhe grantet e akorduara nga qeveria.
“Në fakt, buxheti i Bashkisë nuk ka qenë në gjendje të mirë në aspektin financiar, për shkak të mosmarrjes së asaj çfarë i takon. Nuk kemi marrë edhe për vitin 2016 çfarë na takonte. Mos harroni, është qyteti i gjashtë në Shqipëri për numrin e popullsisë në 61 bashki pas ndarjes territoriale. Granti i fillimit të vitit jepet mbi bazën e numrit të popullsisë, madje është referenca kryesore, në fakt ne kemi marrë më pak sesa na takon. Besoj që i dini ju arsyet se përse. Kemi mjaft referenca për këtë situatë, duke bërë krahasimin e këtyre 16 njësive vendore”, – është shprehur z. Mziu, duke theksuar edhe një herë sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë ndaj Bashkisë, por më kryesorja ndaj qytetarëve të Kamzës. Në këtë aspekt, kryebashkiaku Mziu deklaroi se është ulur autonomia e pushtetit vendor, ndërkohë që për Kamzën nuk është akorduar asnjë fond për investime.
“Në tri vite e gjysmë, me 123 projekte ka aplikuar Bashkia, të cilat kanë bindur Bankën Botërore, KfË-në e të tjerë organizma të huaj, duke i konsideruar konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Dhe kjo ka sjellë pabarazi ndërmjet qytetarëve të Kamzës dhe atyre të bashkive të tjera. Madje, nuk kanë përfituar as qytetarët e majtë të Kamzës”, – ka pohuar kreu i Bashkisë, i cili ka vijuar fjalën e tij duke theksuar se i vetmi instrument që ka ngelur për t’u shfrytëzuar është paketa fiskale.
“Ka pasur një angazhim maksimal për të pasur një paketë fiskale, – ka thënë z. Mziu, – jo me qëllimin në vetvete për të krijuar të ardhura, po paketa fiskale në Kamëz, në fakt, për të dhjetin vit me radhë, ka vetëm një qëllim, për ta bërë paketën fiskale stimuluese për zhvillimin e biznesit. Vetëm në këtë lloj mënyre mund t’i jepet zgjidhje asaj çfarë është më kryesorja – punësimit – por pastaj edhe investimeve dhe shërbimeve. Dhe në referencë të viteve, dua t’ju them që diku nga viti 2007, Kamza dhe Paskuqani gjithsej kishin 500 subjekte, kryesisht ambulantë ose biznes i vogël. Sot janë rreth 3000 biznese, për shkak të kësaj politike fiskale dhe tendenca ka qenë për të pasur taksa, tatime, tarifa ato çfarë lejon ligji, për të kapur pjesën fundore të intervalit ose në dysheme të saj, për ta stimuluar zhvillimin e biznesit dhe, po të shohësh, numri i bizneseve është rritur, kryesisht në zonën e Kamzës, por që të rritet biznesi nuk është vetëm paketa fiskale, por duhet t’i krijosh edhe infrastrukturë”.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka sjellë në vëmendjen e këshilltarëve diferencën që ekziston ndërmjet Kamzës dhe zonës së Paskuqanit: “Nuk gjen qoftë edhe një kompani të madhe, sidomos fason apo të tjera që është në zonën e Paskuqanit, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Të paktën në Kamëz vetëm fasonistë janë më shumë sesa 15 kompani që kanë mundësuar punësimin e jo më pak sesa 8 mijë të rejave, për shkak të kësaj politike fiskale. Pra, kemi ofruar paketë fiskale konkurruese, infrastrukturë dhe, së treti, zhdukje të burokracisë. Në këtë drejtim, One Stop Shop-i i Bashkisë mbetet shembull jo vetëm për Kamzën, por edhe për qytete të tjera. “Për sa i përket paketës fiskale të këtij viti, tha z. Mziu, vazhdojmë të jemi në nivelet më të ulëta. Kemi ndërhyrë në këtë paketë fiskale për t’u ardhur në ndihmë disa fashove, te familjet apo bizneset. Ose janë çliruar nga këto taksa, ose është ulur niveli i tyre. Edhe te ujësjellësi për zonën e Kamzës, është ulur nga 1200 lekë në 1000, pra ka rënie.
Ndërkohë, ka edhe aplikime të disa taksave apo tarifave, të cilat në kuadrin e ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur, edhe këto janë brenda intervalit, në pjesën më të ulët të këtij intervali, për të qenë stimuluese për biznesin. Po të shihet në mënyrë analitike, nuk ka asnjë rritje në paketën fiskale”, ka argumentuar z. Mziu, duke vijuar me një krahasim me Bashkinë e Tiranës: -Një familje që është në Institut Bujqësor, te ajo rruga ndarëse, për taksën e pastrimit në Tiranë paguan 5000 lekë të reja. Një familje në Kamëz paguan 2200 lekë të reja. Nëse i referohemi Bashkisë së Tiranës, një familje që ka një fëmijë në shkollë, paguan 1800 lekë të reja në vit, por nëse ka pesë, imagjinoni, paguan 9000 lekë të reja në vit. Në Kamëz është zero kjo taksë. Një biznes i vogël që është në Tiranë paguan 35.000 lekë ne vit. Një taksë e tillë në Kamëz nuk është aplikuar as vitin e kaluar, as këtë vit. -Një biznes i madh paguan 45.000 lekë në vit. Në Kamëz paguan zero. Duke e përmbyllur fjalën e tij, kreu i Bashkisë është shprehur se ngelet me shpresë që edhe kjo paketë fiskale do të japë impakt pozitiv.