Dy gola për katër minuta. Bekim Balaj ka çmendur “Ahmat Arenan” e Groznit në përballjen me Zenitin. Njëri më i bukur se tjetri dhe dy golat e shqiptarit kanë mundur Zenitin që ka kaluar i pari në avantazh në minutën e 10-të. I pari, pasi ndjek si duhet aksionin dhe është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, ndërsa i dyti me një driblim në zonë që finalizohet me një goditje të fuqishme për të mposhtur portierin.
Dopietë që e çon në kuotën e tetë golave, në krye të klasifikimit të golashënuesve në Rusi. Tri pikë të arta falë dy golave të sulmuesit kuqezi dhe Terek Grozni e sheh veten në vendin e tretë, me vetëm katër pikë diferencë nga Zeniti. Pas ndeshjes, në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani rrëfen formën që po kalon.
-Dy gola Zenitit për katër minuta, mund të quhet si ndeshje e çmendur kjo e sotmja (dje) nga ju?
(qesh…). Nuk e di nëse mund ta cilësoj të tillë, por di të them që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jam pa diskutim shumë i kënaqur, se Zeniti është një ndër skuadrat pretendente dhe fitorja ndaj tyre, me dy golat e mi, më bëjnë që të jem i gëzuar. Aq më tepër, kur ne jemi në vend të tretë falë kësaj fitoreje.
-Po shënoni rregullisht ngaqë është përmirësuar forma juaj, apo Tereku ka diçka… të veçantë?
Kemi bërë ndeshje të mira. Është një skuadër që ka investuar shumë. Jo vetëm unë dhe Roshi, por në këtë ekip ka shumë futbollistë kombëtareje. Unë po shënoj, pasi me të vërtetë që jam furnizuar shumë me topa në zonë. Si nga krahët, por edhe me lojë, kemi prodhuar shumë raste. Normalisht që si, çdo sulmues, unë kam dëshirë të shënoj sa më shumë dhe ndihem mirë kur shtohet numri i golave. Kam gjetur veten në këtë ekip.
-Me kaq shumë sa po shënoni, ka vend edhe për pyetjen se cili është synimi juaj këtë sezon? Keni një numër të saktë golash?
E kam dhënë gjithmonë përgjigjen për këtë pyetje: të shënoj sa më shumë (qesh…). Për të qenë realist, as unë nuk e kam menduar se mund të shënoja kaq shumë, por vetëm kam punuar dhe jam përpjekur që të bëj maksimumin tim. Për t’ju kënaqur sadopak me përgjigjen, mund të them që po arrij disa prej synimeve që i kam të parashikuara në kontratë. Megjithatë, më besoni që ato bonuse nuk i mendoj fare. Nuk janë asgjë, përpara kënaqësisë që ndiej në fushë, kur puna jona e përditshme finalizohet me 3 pikë.
-A është kjo, forma më e mirë e juaja në karrierë?
Po, mund ta them që jam në momentin më të mirë të karrierës. Po luaj në çdo ndeshje dhe si sulmues, për të cilin golat janë të rëndësishëm, unë fatmirësisht po shënoj rregullisht.
-Kur u transferuat në Rusi, u mendua se iu larguat kampionateve të forta dhe zgjodhët për para…
E vërtetë, sepse diçka e tillë thuhet ngaqë në Shqipëri janë shumë të lidhur me kampionatet elitare në Europë dhe këtë në Rusi e mendojnë si cilësor vetëm për nga niveli i pagave. Mirëpo, jo. Këtu jam përballur me skuadra shumë të forta. Kampionati rus ka ekipe që kanë pasur sukses në Europa Ligë apo edhe Champions. Është një kampionat shumë konkurrues që nuk duhet nënvlerësuar aspak.
-Mbase për herë të parë, forma juaj e dikton një vend të sigurt në formacion përballë Izraelit. E keni menduar këtë gjatë kësaj periudhe?
Duke qenë në Kombëtare, nuk mund të mos e mendoj ndeshjen e radhës. Aq më tepër, që ajo ndaj Izraelit është shumë e rëndësishme për ne. Megjithatë, jam fokusuar shumë te ndeshjet e ekipit dhe falë kësaj, të gjithë bashkë, ia kemi dalë që të sigurojmë një vend të rëndësishëm. Unë kam pasur edhe herë të tjera formë të mirë përpara ndeshjeve të Kombëtares, por është një zgjedhje që i takon vetëm trajnerit. Sa i përket formacionit, golat përballë Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë duket se ma sigurojnë diçka të tillë këtë herë, por e rëndësishme është që unë të jem në formë.
Balaj: Nuk e diskutoj formacionin
Kuqezinjtë janë gati: Fitojmë me Izraelin
Kuqezinjtë protagonistë në futbollin italian zbarkuan në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, për ndeshjen e 12 nëntorit me Izraelin. Nga Etrit Berisha te Veseli, Memushaj e Berat Gjimshiti, kuqezinjtë që luajnë në Itali besojnë te fitorja përballë Izraelit. “Eshtë një mundësi e mirë për ne, po kalojmë një formë të mirë dhe kemi mundësi të bëjmë rezultat. Ata kanë një ekip shumë të mirë, cilësor dhe mjaft sulmues. Do të bëjmë maksimumin për të synuar fitoren, tre pikët janë të rëndësishme për ne. A do të preferoja ta mbaja portën të paprekur edhe me Kombëtaren? E rëndësishme është që skuadra të fitojë, qoftë edhe me shifrat 2-1”, u shpreh Etrit Berisha.
“Me Izraelin është një ndeshje e vështirë, pasi është një kundërshtar i fortë. Do të japim maksimumin dhe është normale që ndaj izraelitëve do të kërkojmë vetëm fitoren. A është barazimi i pranushëm? Do të luajmë për fitore, jo për barazim”, tha Berat Gjimshiti.
“Ndihem shumë mirë dhe nuk kam asnjë problem, dëmtimi i pësuar ndaj Milanit është diçka e vogël. Me Izraelin është e vështirë, por do të bëjmë maksimumin për të fituar. Gjithsesi, në një sfidë të tillë e rëndësishme është të mos humbasim”, tha Ledian Memushaj.
“Shpresoj që tani t’i kem bindur të dy trajnerët, si atë te Empoli, ashtu edhe De Biasin. E kam ndihmuar skuadrën time për aq sa kam qenë në fushë. Me Izraelin do të kërkojmë fitoren përballë një rivali direkt, që ka po aq pikë sa ne. Me një sukses mund të ngjitemi edhe në vendin e dytë, gjithmonë nëse Italia bën një hap fals. Pak rëndësi ka nëse unë luaj apo jo me Kombëtaren, e rëndësishme është suksesi i ekipit”, tha Frederik Veseli.
Juve i falet Pjaniç
Miralem Pjaniç merr nën patronazh Juventusin. U vonua pak, por arriti të tregohej më i fortë se ata që e kritikonin. Më në fund mesfushori boshnjak, ka arritur të shfaqi anën e tij më të mirë. Jo vetëm për golin e shënuar nga goditja e dënimit, në takimin kundër Chievos, e 12-ta për Pjaniç që nga momenti kur ai u transferua në kampionatin italian, por edhe për faktin se, mesfushori ka një rol kyç në skemat e teknikut Masimiliano Alegri. 26-vjeçari ka arritur t’i përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme si mesfushor i krahut të djathtë.
Goli i largon disi peshën e madhe të përgjegjësisë, sepse transferimi i tij tek bardhezinjtë, bëri që Pjaniç të cilësohej si zëvendësuesi i Andrea Pirlos. Fillimi disi i vështirë, por tashmë duket se Pjaniç ka ndërruar marsh, duke rritur shpejtësinë dhe duke i dhënë më shumë kualitet mesfushës së “Zonjës së Vjetër”. Jo gjithçka eci mirë pas fitores në Bendegoti për trajnerin Alegri. Mbrojtësi Andrea Barzagli ka pësuar dëmtim në shpatullën e majtë. Ende nuk dihet se përsa kohë 35-vjeçari do të qëndrojë larg fushave, pasi është në pritje të përgjigjes të analizave nga stafi mjekësor i Juventusit. Nga dëmtimi tek nervozizmi.
Sulmuesi Gonazlo Higuanin, i cili ende nuk po arrin të shfaqi anën e tij më të mirë, në momentin kur do të zëvendësohej, shfaqi një lloj pakënaqësie nga ana e tij dhe mosdakordësie për vendimin e teknikut toskan. Në fakt tek bardhezinjtë ecuria e skuadrës vlen më shumë se gjithçka dhe El Pipita duhet të mësohet me këtë fakt. Sidoqoftë kampionët e Italisë, janë aty në krye të tabelës së klasifikimit, me 4 pikë diferencë nga Roma e vendit të dytë.
Juventus dhe Milan ecin krah për krah në krye të renditjes, duke arritur fitore të ngjashme në Palermo dhe Verona. Bardhezinjtë triumfuan 2-1 ndaj Chievos ndërsa Milani ndaj Palermos, duke patur ecuri të njëjtë dhe gjatë ndeshjes. Në Bentegodi, bardhezinjtë gjetën epërsinë vetëm në pjesën e dytë me Mandzukiçin, që në të 53-ën shfrytëzoi një harkim të Cuadrados.
Gjithsesi Chievo që gjithmonë i ka hapur vështirësi Juventusit, në minutën e 66-të arriti të barazojë shifrat me Pellisier, që bardhezinjtë i ka “viktimë” të preferuar, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë. Juventus megjithatë nuk e vonoi golin e fitores dhe në të 75-ën ishte Pjaniç që dërgoi topin në rrjetë për golin e 2-1.
Rezultat të ngjashëm regjistroi dhe Milani në Palermo, por kuqezinjtë patën meritën se gjetën shumë shpejtë epërsinë që në minutën e 15-të me Suson, që shfrytëzoi të vetmin gabim në ndeshje të Posavecit. Palermo sidomos në pjesën e dytë rriti ritmin dhe në të 71-ën ishte Nestorovski që barazoi shifrat. Zgjidhja për Milanin erdhi nga stoli me Lapadulën, që i hyri si zëvendësues me një takë të jashtëzakonshme mundi t’i jepte fitoren të tijve.
Gjithsesi, Roma e rimori shumë shpejt vendin e dytë, pasi nuk zhgënjeu në shtëpi ndaj Bolonjës, teksa fitoi 3-0 ndaj Bolognas, me Salah që ishte protagonisti i madh, duke shënuar një 3 golësh për verdhekuqtë.
Interi më në fund u rikthye te fitorja, duke mundur 3-0 Crotonen në shtëpi. Një ndeshje që zikaltërit megjithatë arritën ta zgjidhin vetëm në fund, pasi deri në minutën e 84-t sfida ishte e barabartë 0-0. Perisiç ishte ai që i dha frymëmarrje Interit me golin e tij. Ndërsa më pas ishte radha e Icardit për të shënuar dy herë, fillimisht nga pika e bardhë dhe më pas në aksion.
Ronaldo: Do të luaj deri në 41 vjeç
Firma deri në vitin 2021 me Realin e Madridit tashmë është një realitet. Cristiano Ronaldo nuk mund të fshihte lumturinë për rinovimin e kontratës me Los Blancos, por në të njëjtën kohë ylli portugez edhe pse në vitin 2021 do të jetë 36 vjeç la të kuptohet se kjo që sapo ka firmosur nuk do të jetë marrëveshja e tij e fundit me Los Blancos. “Dua të luaj futboll deri në moshën 41-vjeçare deklaroi Ronaldo dhe dua ta bëj diçka të tillë me Realin e Madridit. Ky është rinovimi i dytë i kontratës së CR7-tës me klubin madrilen që pas mbërritjes së tij te Reali në vitin 2009, për 94 milionë euro nga Manchester United. Ndryshe nga lojtarë të tjerë si Modriç apo Kroos që kanë rinovuar sëfundmi, si futbollisti më i rëndësishëm i klubit madrilen dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Realit, Cristianos iu bë një trajtim i veçantë.
Nën praninë e presidentit Florentino Perez, krerëve më të lartë të Los Blancos, agjentit Jorge Mendes dhe familjes së tij, Cristiano mesditën e kësaj të hëne u shfaq në podiumin e nderit të stadiumit “Santiago Bernabeu” për të folur për rinovimin e kontratës. Fillimisht, fjalën e mori presidenti Florentino Perez, i cili e cilësoi Cristiano Ronaldon një legjendë të madridizmit. Vetë Ronaldo falenderoi drejtuesit, tifozët, por edhe shokët e skuadrës, të cilët e kanë ndihmuar për të arritur në këtë pikë ku ndodhet sot. Luzitani e konsideroi Realin si klubin më të madh në botë dhe më të rëndësishmin në karrierën e tij, teksa shtoi se kjo nuk do të jetë kontrata e tij e fundit me Los Blancos.
Cristiano Ronaldo me një kontratë të re. Reali i Madridit njoftoi në faqen zyrtare se Los Blancos dhe futbollisti kanë arritur akordin total për zgjatjen e bashkëpunimit kontraktual të portugezit. Kontrata aktuale e Ronaldos që përfundon në verën e vitit 2018 është zgjatur deri në vitin 2021, kur futbollisti do të jetë 36 vjeç çka do të thotë se Ronaldo praktikisht është i lidhur me Realin deri në fund të karrierës së tij futbollistike, dhe në të është përfshirë një rritje shumë e rëndësishme e pagës. Këtë të hënë në orën 13:30, Ronaldo në prani të presidentit Florentino Perez do të ngjitet në podiumin e nderit të stadiumit “Santiago Bernabeu” për të shprehur ndjesitë e tij pas zgjatjes së bashkëpunimit me klubin merengues. Ndryshe nga lojtarë të tjerë si Kroos apo Modriç, Ronaldos do t’i bëhet një trajtim i veçantë, pasi ai është futbollisti simbol i Los Blancos gjatë 7 viteve të fundit.
Ky operacion inkuadrohet në politikën e rinovimeve që po ndjek Reali i Madridit me rinovimet e mëparshme të Tony Kroos, Luka Modriç, Lucas Vazques dhe Gareth Bale. Në këtë aspekt mbeten ende pa një zgjatje të marrëveshjes Isco dhe Pepe, i cili do të jetë i lirë në fund të sezonit, dhe duke filluar që nga janari mund të hyjë në bisedime me çdo ekip tjetër.
Balaj kërkon golin edhe me kombëtaren
Bekim Balaj është thjesht i papërmbajtshëm. 5 gola në 3 ndeshjet e fundit dhe 8 në total në këtë sezon, është ai njeriu i momentit në Premier Leaguen ruse. Sulmuesi shqiptar shpërtheu me një tjetër dygolësh duke i dhënë një fitore shumë të rëndësishme skuadrës së tij Terek Grozny në javën e 13-të të kampionatit, e treta radhazi për formacionin nga Çeçenia. Dy gola ndaj Zenitit të Shën Petërsburgut me Balajn që i shkaktoi humbjen e parë sezonale skuadrës së Mircea Lucescut.
Nga Rusia në Itali gola dhe performanca bindëse nga disa prej lojtarëve të kombëtares shqiptare që japin sinjale të rëndësishme për De Biasin në prag të sfidës delikate kundër Izraelit. Bekim Balaj realizoi dy golat e fitores së Terek Groznit kundër Zenitit duke e ndihmuar skuadrën e tij të ngjitet në vendin e tretë në kampionatin rus. Sulmuesi shkodran po kalon një moment fantastik, pasi gjatë këtij sezoni e ka prekur rrjetën 8 herë në 12 ndeshje të zhvilluara, duke kryesuar edhe tabelën e golashënuesve në Rusi. Në një lidhje telefonike për emisionin “Gol pas Goli”, bomberi shkodran e pranon se tashmë është ambientuar plotësisht me futbollin rus.
“Jam ndier mirë që në fillim pasi u përshtata menjëherë. E rëndësishme është që të luaj rregullisht dhe të shënoj sa më shumë gola. Aktualisht jemi në vendin e tretë, por na presin ndeshje shumë të vështira dhe unë shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë”, u shpreh Balaj.
Pas suksesit në kampionat, Balaj do të udhëtojë drejt Shqipërisë për sfidën eliminatore kundër Izraelit në “Loro Boriçi”, aty ku shënoi edhe golin e fitores në minutat e fundit ndaj Maqedonisë.
“Kjo është një ndeshje që mendoj se do ta luajmë në sulm dhe besoj se do të kem më shumë topa në dispozicion. Shpresoj të shënoj dhe të arrijmë të fitojmë”, tha Balaj.
Nga Rusia në Itali, aty ku po shkëlqen një tjetër shqiptar. Frederik Veseli numëron 5 ndeshje si titullar me fanellën e Empolit, duke fituar besimin e trajnerit. Edhe në sfidën e fundit ndaj Pescaras ku kishte përballë Memushajn dhe Manajn, Veseli bëri një paraqitje pothuajse perfekte. Mbrojtësi kuqezi e pranon se po kalon momente pozitive.
“Për mua çdo ditë është e rëndësishme. Duhet të vazhdoj të punoj sa më shumë dhe të luaj titullar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time, pasi kampionati italian dallohet për vëmendjen që i kushton fazës mbrojtëse”, u shpreh Veseli.
Në fund, Veseli rrëfen edhe emocionet e përballjes me dyshen Manaj-Memushaj në ndeshjen që u cilësua derbi i shqiptarëve. “Jam krenar që në një ndeshje të Serie A luajtën tre shqiptarë titullarë. Kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi ai.
Surprizë me listën!
Surprizon Gianni de Biasi me listën e futbollistëve për ndeshjen me Izraelin në “Loro Boriçi”. Nga 26 të grumbulluarit mungojnë emra të rëndësishëm si Sokol Cikalleshi, Ergys Kaçe dhe Shkëlzen Gashi, ndonëse futbollisti i Colorado Rapids nuk do të mund të ishte i gatshëm për eliminatoren e radhës për shkak të dëmtimit që pësoi në kavilje në MLS.
Trajneri kuqezi për të tre rastet ka shpjeguar se bëhet fjalë vetëm për zgjedhje teknike, duke anashkaluar diskutimet për arsye të tjera. “Mungesa e Kaçes është për arsye teknike. Futbollistët e tjerë në mesfushë i shoh më mirë sesa ai. Cikalleshi nuk po luan në ekipin e tij. Shpresoj të gjejë skuadër tjetër, për të nuk është moment i mirë. Ndoshta unë besoj më shumë tek ai sesa ai vetë te cilësitë tij. Edhe Gashin nuk e kam grumbulluar për arsye teknike. Nuk është e thënë që një lojtar që shkëlqen me skuadrën e tij të përshtatet në të njëjtën mënyrë edhe në kombëtare, janë dy gjëra të ndryshme”, u shpreh De Biasi.
Përfshihet në listë edhe Armando Sadiku, me shpresën se me të do të ndodhë një mrekulli dhe do të jetë gati për ndeshjen e 12 nëntorit. “Sadiku po punon prej 15 ditësh në Torino në qendrën mjekësore të Juventusit. Shpresojmë ta rikuperojmë sa më shpejt, qoftë për ndeshjen tonë, qoftë për ekipin e tij, pasi është një futbollist shumë i rëndësishëm”, tha De Biasi.
Rikthehet në kombëtare pas një mungese disamujore Arlind Ajeti, tashmë i rikuperuar nga dëmtimi që pësoi te Torino para nisjes së sezonit të ri.
De Biasi foli edhe për Lenjanin. “Lenjani ka ardhur sepse kemi më pak zgjedhje në sulm. Ai gjithnjë ka bërë mirë kur i është kërkuar të ndihmojë. Në këtë moment ka probleme me ekipin e tij, por shpresoj të lëvizë diku tjetër në janar. Edhe për Cikalleshin kam konsideratë të madhe dhe ndoshta besoj te aftësitë e tij më shumë se ai vetë. Shpresoj që ai të lëvizë gjithashtu në janar, sepse te ekipi ku është nuk ka shanse të luajë”, tha ai.
I grumbulluar në momentin e fundit para takimit me Spanjën, Edgar Canit i jepet një tjetër mudësi për t’u riintegruar me grupin, ndërkohë që pjesë e listës është edhe Rey Manaj, që mbeti jashtë ndaj la Rojas për arsye dëmtimi.
Nga ekipi shpresa janë afruar gjithashtu portieri i Lazios, Thomas Strakosha duke e çuar në katër numrin e “gardianëve” kuqezi, si dhe mesfushori me tipare sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit, Eros Grezda.
De Biasi vazhdon t’i besojë Ermir Lenjanit, edhe pse 27-vjeçari nuk po luan te Rennes, pasi alternativat në krahun e majtë të mesfushës janë më të pakta. Kjo është lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Berisha, Hoxha, Strakosha, Shehi.
Mbrojtës: Aliji, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Agolli, Veseli, Ajeti.
Mesfushorë: Memushaj, Lila, Basha, Grezda, Roshi, Kukeli, Lenjani, Hyka, Xhaka dhe Abrashi.
Sulmues: Bekim Balaj, Edgar Cani, Armando Sadiku, Azdren Llullaku e Rey Manaj.
Gashi supergol në SHBA, De Biasi nuk e merr në kombëtare
Shkëlzen Gashi është kthyer në një hero për tifozët e Kolorado Rapids në SHBA. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol spektakolar në gjysmëfinalen e kthimit të Konferencës së Perëndimit në MLS, që i dha mundësi Rapids të kualifikoheshin me 11-metërsha në finale. Autor i 9 golave gjatë sezonit të rregullt 28-vjeçari dhuroi një perlë në minutë e 36-të nga një distancë e largët, me portierin Rowe që e pati të pamundur të kontrollonte trajektoren e topit. Finalizimi i Gashit vuri baraspeshën në përplasjen e dyfishtë mes dy skuadrave, pasi takimi i parë i luajtur në Kaliforni, ishte mbyllur 1-0 për Galaxy.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare qëndroi në fushë deri në fund të pjesës së parë, pasi e kishte të pamundur të vijonte lojën për shkak të një dëmtimi në kavilje. Kamerat e fokusuan Gashin duke ecur me paterica dhe këmbën e fashuar, çka tregonte se dëmtimi ishte mjaft serioz. Gjithsesi koha e rikuperimit do të përcaktohet pas ekzaminimeve të mëtejshme. Në pjesën e dytë rezultati mbeti i pandryshuar dhe për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohej në finalen e Konferencës së Perëndimit u gjuajtën 11-metërshat.
Nga lojtarët e Los Angeles Galaxy arriti të shënonte vetëm Steven Gerrard, me Dos Santos, Ashly Cole dhe Larentowitz që gabuan njëri pas tjetrit. Rapids u treguan të gjithë të saktë, madje nuk qe nevoja që të ekzekutonin 2 penalltitë e fundit. Në finalen e Perëndimit Colorado Rapids do të përballet me Seatle Sounders.
Ventura, pas Barzaglit humbet edhe Marchision
Nuk ka qetësi për trajnerin e Italisë, Gianpiero Ventura. 68-vjeçari pasi humbi Andrea Barzaglin, i dëmtuar në shpatull në sfidën që Juventusi fitoi 2-1 në transfertë me Chievon, duhet të heqë dorë edhe nga Claudio Marchisio për ndeshjen me Lihtensteinin. Mesfushori bardhezi ka lënë qendrën e grumbullimit në Coverciano si masë paraprake për të shmangur ndonjë dëmtim më të rëndë në gju e për rrjedhojë nuk do të jetë as për miqësoren me Gjermaninë që do të zhvilllohet në “San Siro”. Për këtë arsye, Ventura ka thirrur në kombëtare Izzon e Genoas dhe Gagliardinin e Atalantës. Mesfushori i bergamaskëve ka qenë pjesë e listës paraprake të të kaltërve për finalet e Europianit, por nuk u përfshi nga Conte në 23-shen përfundimtare për zgjedhje teknike.
Për vendin e lënë bosh nga Barzagli është grumbulluar Davide Astori i Fiorentinës. Gjithsesi këto mungesë nuk mund të ndikojnë në objektivin që ka Italia për eliminatoren e radhës, pasi përballë do të ketë një skuadër modeste si Lihtensteini.
Nuk do ta kemi të lehtë ndaj Izraelit
Izraeli nuk është Spanja, një kundërshtar gjithsesi i vështirë, por ndaj të cilit duhet fituar për të arritur objektivin minimal që është vendi i 3 në Grupin G. Në përballjen e 12 nëntorit kuqezinjtë vijnë në një formë të shkëlqyer me futbollistët tanë që janë ndër më të mirët tek skuadrat me të cilat aktivizohen. Në konferencën për shtyp, trajneri Giani de Biasi tregon recetën se si duhet përgatitur ky 90 minutësh përpara publikut që pret fitoren.
“Izraeli është një skuadër e fortë dhe me kualitet. Kush nuk e njeh futbollin dhe mendon se do të fitojmë me lehtësi gabon. Ata kanë një ekip të mirë, lojtarë që luajnë tek Hapoel Bir Sheva që fitoi ndaj Interit në Milano. Ne do të tentojmë fitoren. Sigurisht që respekti ndaj kundërshtarit është një element kyç për të përgatitur sfidën. Nëse shkon me sigurinë se do ta mposhtësh atëherë e gjen veten të mundur, njësoj si Davidi ndaj Goliasit”, u shpreh De Biasi.
Sigurisht më pas vëmendja është vendosur tek lista, lojtarët e grumbulluar, por edhe të rinjtë premtues që mund të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen. “Që kur kam ardhur këtu objektivi ynë ishte të sillnim futbollistë të rinj nga jashtë. Arritja në Europian tregon se kemi bërë një punë të mirë në të gjitha aspektet. Pastaj gjithçka është çështje zgjedhjeje, ngjyra e kuqe apo blu. Për mua është e rëndësishme grupi dhe jo individët. Ajo që më shqetëson nuk është fryma në skuadër, por ambienti, që mendon se jemi më të mirët. Duhet të jemi bashkë edhe në vështirësi dhe të mos lejojmë që euforia të na dëmtojë”, vijoi trajneri.
De Biasi nuk e sheh të pamundur kualifikimin, por këshillon që futbollistët të jenë të bashkuar si një grup i vetëm që ka një qëllim, aq më shumë në momente vështirësie. “Ëndrrat e bëjnë jetën e një njeriu më të bukur, nëse nuk do të ishin ato jeta e njeriut do të bëhej e zymtë, por nëse futbollistët do të japin maksimumin edhe në momentet e vështira, nëse do të bashkohemi si një grup dhe një forcë e vetme, diçka do të arrijmë”, tha ai në konferencën e djeshme për shtyp, ku shpalli edhe listën e futbollistëve të grumbulluar për sfidën e së shtunës.
E si për të na mbushur mendjen që edhe ai beson tek kjo ëndërr, trajneri i kuqezinjve shtoi se realizimi i saj është arsyeja pse ka vendosur të qëndrojë në krye të skuadrës. “Lojtarët janë mësuar me shijen e fitores dhe humbjeve, më shumë më shqetëson ambienti përreth, se mendojmë që jemi më të mirët në botë pas Europianit. E rëndësishme është që të bashkohemi të gjithë në momente të vështira. Bëmë një mrekulli, arritëm të dalim të dytët nga grupi për eliminatoret e Europianit, shpresojmë në një tjetër mrekulli, ndryshe nuk do të rrija në drejtimin e skuadrës”, përfundoi trajneri i kombëtares tonë.
Papa Françesku: Nderuam viktimat e regjimit të egër në Shqipëri
Emrat e martirëve shqiptarë, që u lumnuan të shtunën në Katedralen e Shën Shtjefnit, u shqiptuan përsëri të dielën, para turmës shumëkombëshe, mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur me Papën, i cili sapo kishte përfunduar Meshën e Jubileut të të burgosurve, duke kërkuar për ta një akt zemërbutësie.
“Dje, në Shkodër, në Shqipëri, u shpallën të lum tridhjetë e tetë martirë: dy ipeshkvij, shumë priftërinj e rregulltarë, një seminarist e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të regjimit ateist, që sundoi gjatë në këtë vend në shekullin e kaluar. Ata parapëlqyen burgun, torturat e, së fundi edhe vdekjen, për t’i qëndruar besnikë Krishtit e kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë ta gjejmë, në Zotin, forcën që të mbështet në çaste të vështira e që të frymëzon sjellje mirësie, faljeje, paqeje”, tha Papa Françesku.
Vatikani i ka kushtuar një rëndësi mjaft të madhe ceremonisë së lumturimit të 38 martirëve të kishës në Shqipëri. Papa Françesku u prit në vizitën e tij në Tiranë me fotot e këtyre martirëve. Ato paralajmëruan ceremoninë e së shtunës të lumturimit. Ndërsa në Vatikan i është kushtuar një rëndësi mjaft e madhe kësaj ceremonie në Tiranë ndodhi e kundërta. Kreu i qeverisë e bojkotoi ceremoninë e lumturimit të 38 martirëve, një gjest tipik i një pinjolli të atij regjimi që i persekutoi klerikët, që i vari, pushkatoi, burgosi dhe internoi ata. Si të mos mjaftohej me bojkotimin e ceremonisë, Rama urdhëroi edhe censurimin e saj nga televizionet e tjera, duke i ndërprerë sinjalin e televizonit publik.