13.4 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Basha: Taksë e sheshtë 9%, TVSH 15 për qind

Partia Demokratike me mbështetjen e CDU-së së Kancelares Angela Merkel përfundoi programin e zhvillimit ekonomik për 7 fusha,  ekonomi tregu, financa publike, arsim, energjetikë,  infrastrukturë, zhvillim rural dhe teknologji informacioni.
Basha tha se së bashku me ekspertët ekonomikë të CDU-së gjermane synohet të rikthehet besimi tek politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve.
“Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin”, tha Basha. Për kryetarin e opozitës programi qeverisës i PD është realist, konkret, i matshëm dhe i bëshëm.
“Tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit”, tha Basha

Lulzim BASHA

Dua ta nis me një falënderim të madh për të gjithë ekipin që ka punuar për më shumë se një vit tashmë për alternativën ekonomike të Partisë Demokratike. Për alternativën që do të sigurojë rritje ekonomike, zhvillim ekonomik përmes taksave të ulëta, përmes shpenzimeve qeveritare, jo për luks, as për fasada, por për investime që përmirësojnë jetën e qytetarëve, që përmirësojnë rritjen ekonomike; që sjellin më shumë punë dhe punë me paga më të mira.
Pak më parë në takimin final me ekspertët e pranishëm sot këtu, diskutuam paradoksin në dukje të parashtrimit të platformës ekonomike të opozitës në një kohë, kur në Shqipëri janë rrezikuar dhe kërcënohen shtyllat themelore të stabilitetit dhe demokracisë.
Gjendja aktuale e vendit është e paprecedentë dhe kjo për shkak të situatës së krimit, të drogës, si parathënie të rënies së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një çështje të cilën unë së bashku me Partinë Demokratike, me aleatët tanë, me koalicionin opozitar dhe me një aleancë gjithmonë e më të gjerë qytetarësh e kemi në qendër të vëmendjes.
Por dua të garantoj çdo qytetar shqiptar, se ndërsa kjo sfidë jetike, demokracia, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi, lufta kundër krimit dhe drogës mbetet në qendër të betejës dhe të aksionit tonë opozitar, ne po kështu marrim përgjegjësitë tona si opozitë dhe si alternativa për nesër, për t’iu shpalosur shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm denoncimet me fakte, argumenta, shifra, emra dhe mbiemra, institucionale dhe ligjore, jo vetëm thjesht indinjatën dhe përgjegjësitë për këtë çështje, por po kështu dhe rrugët e daljes.
Rrugët e daljes kalojnë patjetër nga një model i ri politik në radhë të parë, i një demokracie funksionale në duart e qytetarit shqiptar dhe jo në duart e një mekanizmi të kalbur të politikës në Tiranë që e ka përdorur dhe po e përdor vetëm për pasurimin e vet dhe të një grushti njerëzish, me ose pa rekorde kriminale.
Shembja e këtij establishmenti  të korruptuar dhe kriminal është hapi i parë që duhet hedhur. Instalimi i një modeli politik, ku pushtetin ta kenë qytetarët dhe institucionet e ndërtuara nga qytetarët me përgjegjësinë e votës. Eshtë A-ja, pa të cilët nuk mund të themi as B  dhe as C.
Por dua të ndaj sot me shqiptarët lajmin e mirë se opozita po përfundon procesin e hartimit të një alternative të plotë e të gjithanshme, e cila përbën rrugëzgjidhjen, rrugëdaljet për shumë nga problemet e përditshme; siç është papunësia, varfëria, shkaqet kryesore, por jo të vetme për dëshpërimin, për eksodin masiv, për zbrazjen e Shqipërisë; siç është gjendja dramatike e arsimit, e shëndetësisë, e bujqësisë, e pensionistëve, e shtresave në nevojë, e kështu me radhë.
Në thelb qeverisja, përtej rendit dhe sigurisë, nuk është gjë tjetër veçse rishpërndarje e të ardhurave, sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë ato.
Sa herë që kjo punë bëhet keq e mos më keq, përballemi me  pallavra, me retorikë, por në thelb gjithçka bëhet e qartë nga shifrat e buxhetit. Sa të ardhura mbledh qeveria? Çfarë sistemi fiskal ka? Sa janë taksat dhe si i shpenzon ato?
Prioritetet e qeverisë apo mungesa e tyre janë të skalitura në buxhete, në ato të planifikuara dhe ato të realizuara.
Prioritetet tona që ne i kemi shpalosur, i kemi konsultuar e po i konsultojmë me qytetarët, kanë qenë subjekt i një inspektimi të hollësishëm dhe një diskutimi që zgjat prej më shumë se një viti me ekspertë të njohur ndërkombëtarë, europiane dhe amerikanë.
Sonte kam një falënderim të veçantë për Unionin Kristian Demokratë Gjerman, të udhëhequr nga Kancelarja Merkel, për Fondacionin Konrad Adenauer, të cilët na janë gjendur pranë në këtë proces, përmes ofrimit të ekspertizës më të mirë ekonomike, makro-ekonomike, fiskale.
Dua të falënderoj Walter Glos, drejtorin rezident të Konrad Adenauer në Tiranë, që ndodhet edhe sonte në krahun tim dhe në krahun e Partisë Demokratike.
Dhe dua t’i uroj mirëseardhjen edhe para publikut shqiptar dy ekspertëve më në zë të Konrad Adenauer dhe  Unionit Kristian Demokrat gjerman, z. Mathias Hübscher dhe Matthias Schäfer.
Ekspertë të ekonomisë dhe financave që gjatë muajit të fundit kanë qenë pjesë e diskutimeve me ekipin tonë për programin e Partisë Demokratike dhe gjatë dy ditëve të fundit, me këtë ekip që shikoni këtu në sallë dhe të tjerë që nuk ndodhen këtu në sallë, kanë diskutuar në detaje për projekt-programin, për alternativën e Partisë Demokratike.
Kam marrë komente shumë pozitive nga diskutimet e bëra me ekspertët tanë, dhe të dy ekspertët e lartë gjermanë janë shprehur me optimizëm për ofertën tonë programore, për alternativën tonë.
Projekti i programit tonë i përgjigjet sfidave me të cilat përballet Shqipëria, përmes parimeve më të mira të Partive të Qendrës së Djathtë Europiane, e në veçanti të CDU të drejtuar me sukses nga Kancelarja Merkel.

Rikthim i besimit tek politika si instrument ndryshimi

Ne ndamë të njëjtin qëndrim dhe orientim me ekspertët gjermanë se duhet të rikthejmë besimin tek politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve, besimin tek institucionet e demokracisë, besimin tek liria, besimin tek nisma e lirë, si domosdoshmëri për të rikthyer rritjen e fuqishme ekonomike, si i vetmi gjenerues i mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit.
Për kthimin e besimit është folur gjatë me ekspertët tanë, kemi folur gjatë së bashku. Dhe unë vlerësoj në radhë të parë këshillën më kryesore të miqve tanë, të dy ekspertëve: jo premtime boshe, jo shumë e për lumë, e të rrejshme ashtu siç bëri dhe vazhdon çdo ditë qeveria aktuale. Ndaj, angazhimet tona programore janë vetëm realiste, konkrete, të matshme dhe të bëshme.
Kemi diskutuar dhe punuar prej muajsh intensivisht, mes nesh, me grupet e interesit, me qytetarët anembanë Shqipërisë dhe së fundmi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti këto ditë me partnerët tanë gjermanë, për të hartuar një program të zhvillimit ekonomik që është pjesë e një programi tërësor, që përcakton mënyrën dhe mjetet, burimet financiare sesi do të arrihen objektivat tanë, dhe se si do të mbajmë angazhimet që marrim përpara qytetarëve.
Ky është rasti për të theksuar se ne besojmë tek modeli i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social, zbatuar me sukses në Gjermani nga partnerët tanë politikë nën drejtimin e Kancelares Merkel dhe po adoptojmë në programin tonë elementë të këtij koncepti, të arsyeshëm për realitetin shqiptar.
Për ne, tregu i lirë me një komponent të fuqishëm social është më shumë sesa një model ekonomik; përfaqëson një model organizimi të shoqërisë, pra një rend shoqëror ku krijohet hapësira për të zhvilluar shpirtin krijues, krijohet hapësira ku çdokush përmes lirisë që ofron ky model të mund të shfrytëzojë për përfitimin e tij dhe të familjes së tij në maksimum aftësitë dhe mundësitë që i jepen dhe ku dinjiteti njerëzor prevalon mbi ndërhyrjen dhe arrogancën, arbitraritetin e shtetit.

Më shumë liri, më pak shtet

Më shumë liri, më pak shtet. Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin.
Nga liria, sigurisht e lidhur me përgjegjësinë merr forcë ky model i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social dhe shtyllat e tij janë: konkurrenca dhe solidariteti.
Këtu në këtë model, njerëzit e kanë të mundur të jetojnë të pavarur dhe po të pavarur të marrin vendime dhe të zgjedhin mënyrën dhe rrugët për suksesin e tyre, për përfitimin e mjeteve të jetesës për vete, për familjen e tyre dhe për të tjerët që kanë nën përgjegjësinë e tyre.
Ky model i lirisë, po kështu nënkupton një qeverisje të përgjegjshme, e cila iu mundëson shtetasve të saj konkurrencë të hapur dhe të ndershme në bazë të shtetit ligjor; pa monopole, një shtet anti-monopolist, një shtet në terma ekonomikë, shpall armiqësinë totale me monopol të hapur apo të fshehur. Po kështu, një shtet që siguron akses të lirë në sipërmarrje private, mundësinë që çdo qytetar të kyçet drejtpërsëdrejti apo si i punësuar në sipërmarrjen private, që mbron dhe zhvillon lirinë kontraktuale, që eliminon barrierat administrative dhe i mbron qytetarët nga barrierat administrative, sigurinë e pronës dhe sigurinë e jetës.
Partia Demokratike ka besuar prej ditës së saj të parë tek shpirti sipërmarrës i njeriut në liri si forca më e madhe lëvizëse në shoqëri. E ky është rasti të ripohojmë këtë besim bazë që na mbledh së bashku, ne besojmë tek shqiptarët, tek të rinjtë, tek të rejat, tek burrat dhe gratë në qytet dhe në fshat. Ne besojmë tek përgjegjësia e tyre për të marrë përsipër me lirinë e plotë vendimet që iu takojnë për të zhvilluar ekonominë personale, familjare dhe komunitare dhe për të marrë përsipër edhe rrisqet bashkëshoqëruese.
Që këto sipërmarrje të iniciativës së lirë të jenë të suksesshme është e domosdoshme zgjerimi i hapësirës së lirisë me një kuadër ligjor sa më të thjeshtë, zbatuar me ndershmëri dhe pa diskriminim, pa diferencim, midis nënës dhe njerkës, midis demokratëve dhe socialistëve, me infrastrukturë moderne, me akses në rrjetet e informacionit, me energji elektrike, hidrokarbure, të garantuar dhe të lirë, mundësi për arsim cilësor për të gjithë të lidhur me punësimin, sipërmarrjen dhe tregun.
Për ne kjo arrihet përmes një shteti të vogël dhe efikas, jo të madh dhe zullumqar, shërbëtor të qytetarëve dhe të sipërmarrjes, jo padronë të çdo frymori në Shqipëri. Në këtë kuptim paratë kanë më shumë vlerë nëse investohen me kurajo dhe krijimtari nga njerëzit e lirë, sesa nëse mblidhen me lopatë nga një shtet zullumqar, jo transparent dhe vetë shërbyes. Sepse në fund të fundit janë njerëzit ata që krijojnë punësim, ofrojnë shërbime, sjellin zhvillim, sjellin mirëqenie.
Ndaj, tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit: buzëkuq, fasada, makina luksi, orendi, zyra, shpenzime marramendëse për udhëtime, dieta pa fund, etj., etj; abuzime që sot i kushtojnë çdo vit buxhetit të shtetit 100-130 milionë dollarë e barabartë me 50 mijë vende pune me rrogë minimale 300 mijë lekë në muaj, për një vit. 300 mijë lekë në muaj për 12 muaj, 50 mijë shqiptarë mund të paguheshin me paratë e shpenzuara kot nga kjo qeveri.
Në këtë mënyrë taksat dhe tatimet nuk kthehen në një barrë, në një mallkim, në një kosto, por në një investim të qytetarëve për veten e tyre dhe shteti ka detyrën që këtë investim ta shumëfishojë në shërbim të qytetarëve.
Këto janë parimet më të mira të CDU-së. Këto janë dhe parimet që udhëheqin edhe programin tonë. Dua të falënderoj nga zemra edhe një herë ekspertët e CDU-së dhe të Fondacionit Konrad Adenauer për punën e bërë me ne, dhe për vazhdimin e saj deri në përfundimin e këtij projekti së shpejti.

Do të kemi një program shumë të mirë ekonomik

Walter Glos

Arsyeja përse jemi këtu sot në krahun tuaj është e thjeshtë, Partia Kristian Demokrate e Gjermanisë, Partia Demokratike e Shqipërisë janë që të dyja anëtare të familjes europiane të Partive Popullore dhe në këtë kuptim ne si fondacion politik që ndodhemi pranë Partisë Kristian Demokrate të Gjermanisë, jemi një partner, i cili mbështet në Shqipëri Partinë Demokratike. Unë besoj se jo vetëm ajo çka kemi diskutuar gjatë këtyre dy ditëve të fundit me njëri-tjetrin, por hartuar dhe rënë dakord, bashkëpunimi në fusha të ndryshme partiake, mund t’i vëmë re ndërkohë, sigurisht që nuk përfundon këtu, por do të vazhdojmë edhe më tej. Lulzim ndoshta kur jemi ulur këtu në mjediset e Partisë Demokratike përpara disa muajsh dhe kemi folur për çështje të ndryshme, një prej pikave ka qenë programi i politikave ekonomike të Partisë Demokratike dhe kur kemi biseduar se në ç’masë do të ishte e mundur mbështetja nëpërmjet ekspertëve të CDU-së apo Fondacionit Konrad Adenauer, ne e pritëm mendjehapur dhe me shumë dëshirë këtë kërkesë tuajën dhe u përpoqëm që të bënim më të mirën për t’ju mbështeur. Nëse mendoj ditët e shkuara, unë vetë që ndodhem në Shqipëri prej 10 muajsh, në këtë vend të mrekullueshëm, mund të them se gjatë këtyre dy ditëve kam mësuar vërtet shumë rreth ngjarjeve që kanë ndodhur përsa i përket fushës së arsimit, të shëndetësisë, të infrastrukturës, bujqësisë. Është një shkëmbim gjatë këtyre dy ditëve të fundit, të cilat do të më ndihmojnë mua dhe fondacionin për punën e mëtejshme. Kur shikoj dhe mënyrën shumë intensive me të cilën PD është angazhuar përgjatë këtyre ditëve, besoj se kjo ka lehtësuar punën e ekspertëve tanë dhe kontributin e tyre ndaj dëshiroj të falënderoj përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët e PD, por edhe ekspertët. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tej dhe uroj që të vazhdojmë të mbështesim këtë proces. Sfidat ndodhen përpara nesh dhe janë të tilla, që të finalizohen në program ekonomik, e cila do të shërbejë edhe për fushatën elektorale dhe jam i sigurt se do të kemi një program shumë të mirë ekonomik, në mënyrë që popullsia e Shqipërisë të ketë një qartësi se cila do të jetë rruga ekonomike e PD për procesin e zhvillimit ekonomik. Do të keni mbështetjen e fondacionit tonë.

Drejtor i zyrës së Konrad Adenauer për Shqipërinë

Ndëshkohen 2 oficerët që kapën drogën në Rrëshen

Dy oficerë të Policisë së Lezhës që organizuan rrethimin e fabrikës së drogës në Rrëshen janë shkarkuar nga detyra. Lajmi u publikua dje në mesditë nga ish-Kryeministri Berisha, pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Lezha. Shkarkimet e dy oficerëve janë bërë me urdhër të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
“Qytetari dixhital informon: Saje qorri shkarkon nga detyra oficerët, Ilir Sula, shef i Krimit të Organizuar dhe Agron Çullhaj, shef i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, të cilët organizuan rrethimin e fabrikës së drogës në Rrëshen. Shtoj këtu, se operacioni i Rrëshenit ditën kur Edi Rama kishte thirrur 62 ambasadorë, për t’i paraqitur, sipas tij, trillimet e opozitës dhe mediave sociale për kanabisin në Kanabistan, ishte një goditje që përgënjeshtroi fatalisht ekspozenë idioteske të Ramës para trupit diplomatik! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Lezha.
“Përsh dr. Më thonë që me urdhër të ministrit u shkarkuan nga detyra oficerët e Drejtorisë që morën pjesë në rrethimin e magazinës së drogës në Rrëshen. Shefi i Krimit të Organizuar, Ilir Sula dhe shefi i Antidrogës Agron Qullhaj. Sula transferohet në Elbasan”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Lezha.
Shkarkimi i dy oficerëve të Policisë së Lezhës që zbuluan fabrikën e drogës tregon se pas tonelatave të drogës qëndrojnë zyrtarë të lartë të policisë. Oficerët janë shkarkuar për hakmarrje, pasi zyrtarëve të lartë iu hoqën nga duart miliona euro me sekuestrimin e 7 tonë droge.
Që ditën e operacionit, Policia e Rrëshenit jo vetëm që nuk mori pjesë në aksion, por tentoi të mos lejonte edhe Policinë e Lezhës për të sekuestruar drogën. Përplasja mes policëve të Rrëshenit dhe atyre të Lezhës ka degjeneruar deri në sharje të rënda dhe gati sa nuk u përdorën armët. Më pas, kanë ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA për të bërë të mundur bllokimin e fabrikës së drogës dhe sekuestrimin e 7 tonë kanabis që ishte gati për t’u  trafikuar. Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit.
Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër Komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.

Policia e Shtetit konfirmon pushimin e dy oficerëve

Policia e Shtetit konfirmoi dje pushimin e dy oficerëve në Policinë e Lezhës. Pas denoncimit nga Partia Demokratike të pushimit të dy oficerëve si hakmarrje për zbulimin e fabrikës së drogës në Rrëshen, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat ka konfirmuar pushimin e oficerëve, por deklaron se ata janë dërguar në një detyrë tjetër. Policia ka deklaruar lëvizjet e kryera në Policinë e Lezhës vetëm, pasi Partia Demokratike denoncoi publikisht pushimin nga puna të dy oficerëve të enjten, ndërsa policia nuk njoftoi si në çdo rast kur kryen emërime të reja apo transferime oficerësh dhe punonjësish policie.
Ky fakt tregon më së miri se pushimi i dy oficerëve që rrethuan fabrikën e drogës ku u kapën 7 ton kanabis të tharë gati për t’u trafikuar është për hakmarrje, pasi droga ishte në pronësi të kreut të Bashkisë dhe drejtuesve të Policisë së Rrëshenit.
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga bllokimi i tonelatave të drogës në Rrëshen, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Pronarët e drogës janë zyrtarë të lartë të policisë dhe kanë mbrojtjen e vetë Ramës dhe Tahirit dhe ata janë lejuar që të kultivojnë kanabis.
Banorët tregojnë se kanë parë se si para syve të tyre kalonin furgonë e kamionë të ngarkuar me hashash dhe e shkarkonin në mes të ditës në magazinën e tharjes dhe përpunimit. Për ta përpunuar dhe tharë lëndën narkotike të mbledhur nga parcelat në mbarë zonën, pronari i kësaj magazine kishte punësuar më shumë se 30 punëtorë. Burra, gra, të rinj, madje edhe gra shtatzëna vinin çdo ditë këtu.

PD: Rama ndëshkon oficerët që zbuluan drogën dhe vihet në krah të trafikantëve

Partia Demokratike reagoi dje, ndaj pushimit të dy oficerëve të policisë që zbuluan fabrikën e drogës në Rrëshen, duke akuzuar kryeministrin Rama se, po vihet në mbrojtje të trafikanëve të drogës. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një deklarate për mediat, deklaroi se, me Edi Ramën, trafikantët dhe baronët e drogës kanë mbrojtje deri në fund.
“Ngjarje tronditëse, që dëshmojnë rreshtimin e Ramës në krah të biznesit të kanabisit kanë ndodhur pas aksionit të fundit të kapjes së sasive të mëdha me hashash në Rrëshen. Të dy agjentët kryesorë të policisë që gjurmuan dhe bënë të mundur kapjen e drogës, janë ndëshkuar, janë transferuar. Ilir Sula, shefi i Sektorit të Krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe Agron Çullhaj, shefi i Antidrogës në Lezhë, në vend që të shpërbleheshin e të promovoheshin në detyrë nga Edi Rama, janë degdisur në role periferike, pa asnjë motiv”, deklaroi Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD tha më tej se, Edi Rama edhe një herë qëndroi në anën e trafikantëve, dhe kundër oficerëve, burrave e grave me integritet që luftojnë drogën. “Këtë rrugë ai e shtroi edhe më parë, duke dërguar në krye të Policisë së Lezhës, një ushtar të konfirmuar të Shullazit, një njeri të kontestuar publikisht, të përfshirë në ngjarje kriminale, siç është Ermal Muça”, tha ai.
Alibeaj tha më tej se, droga, kanabizimi i vendit, lidhja e trafikantëve me qeverinë, janë një shqetësim kombëtar, i shprehur nga qytetarët, nga përfaqësuesit më në zë të opinionit publik, nga partnerët ndërkombëtarë. Shqiptarët, në shumicë dërrmuese kundër kësaj të keqeje, nuk mund të lejojnë që droga e trafikantët të mbrohen, të ruhen, të rriten nga kryeministri i vendit. Eshtë koha për t’i treguar vendin atyre, e për ti dhënë Shqipërisë, zhvillim e punë të ndershme, rend e siguri”, përfundoi Alibeaj.

Gjykata le të lirë punëtorët e hashashit: Punonim për bukën e gojës

Gjykata e Lezhës la të lirë nëntë nga 22 të ndaluarit në magazinën e drogës në Rrëshen. Të dielën do të jepet masa e sigurisë për personat e tjerë. “Nuk kishim asnjë mundësi tjetër punësimi dhe u detyruam të punojmë në magazinën e drogës”. Kështu janë shprehur të 11 nga 22 personat e arrestuar në Rrëshen, ku u sekuestruan më shumë se 7 ton kanabis.
9 prej tyre u liruan nga Gjykata e Lezhës, duke caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dy të tjerë u lanë në burg. Punëtorët e punishtes së hashashit kanë sqaruar se i transportonte një furgon çdo ditë. Më pas, punonin nga 6 deri në 8 orë, në këmbim të 2 mijë lekëve të reja. Ata merreshin më pas me procesin e ndarjes së boçes nga bima dhe tharjen e saj më pas.
Gjovan Ndoj, një nga 22 të arrestuarit i lënë i lirë nga Gjykata, në magazinën e drogës tregon arsyet se përse filloi punë aty. 47-vjeçari sqaron se e kishte ditën e parë të punës, kur u arrestua nga policia. Ai shpjegon edhe procesin e punës që kryente dhe sa para përfitonte nga punëdhënësi. “Kam qenë pa punë dhe jetoj me një përkrahje sociale. Ditën e parë që shkova, ditën e parë më kapën. Pastronim me kilogramë, një kilogram ishte 20 mijë lekë”, thotë Ndoj.
Suela Bulica, edhe ajo punëtore në punishten e kanabisit po hetohet në gjendje të lirë. Ajo tregon se i kishin thënë se, në magazinë përpunohej bima e sherebelës. “Kam punuar edhe unë, për bukën e gojës. Më ka thënë se do punoja me sherebelë. Morëm vesh që kishte një punë, thamë shyqyr, për të punuar për copën e bukës së gojës, se kam 3 fëmijë të vegjël”, thotë Bulica.
Ndërsa familjarët e të ndaluarve të tjerë kërkojnë lirimin e të afërmve të tyre. Ata thonë se të gjithë të ndaluarit janë punëtorë dhe nuk kanë lidhje me pronarët e drogës. “Jemi njerëz hallexhinj, njerëz fukarenj, të pastrehë, ku thërret qameti”, thotë një nga familjarët. “Unë kam dy çunat, dhëndrin, kanë shkuar të punojnë atje edhe i kanë thënë është lule. Kanë shkuar për një copë bukë për të punuar”, thotë një tjetër.
Pavarësisht se të gjithë të ndaluarit, sipas hetuesve kishin disa muaj që punonin dhe paguheshin 2 mijë lekë të reja në ditë në magazinë, ata thonë se nuk njohin pronarin e lëndës narkotike.

Denoncimi: Policia po kërkon të shpallë pronar të fabrikës së drogës një të vdekur

Policia po kërkon të shpallë pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen një të vdekur për të shpëtuar pronarin e vërtetë të saj. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital informon: Një akt i shëmtuar i mafies së drogës. Duan që të shpallin pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen, me falsifikime, të vdekurin për të shpëtuar pronarin e vërtetë, Kastriot Reçin që fshihet nga Kryetari i Bashkisë, i cili i kërcënon se do dëshmojë për të gjitha lidhjet e bandës shtetërore me fabrikën! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Mirëmëngjes doktor! Për nipin e Zef Brozit, Kastriot Reçi, pronari i magazinave, pushtetarët dhe policia po tentojnë që kontratën e qirasë së magazinave të drogës në Rrëshen t’ia kalojnë në emër të djalit që u vra në Qender të qytetit, Sajmir Jaku (klani Ndrec Dedës, ish-drejtor i OSHEE për Veriun). Pra, po tentohet t’i lihet atij që nuk është më në jetë”, shkruan qytetari.
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga bllokimi i 7 tonë drogë në një magazinë në Rrëshen që ndodhej në mes të qytetit, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi.
Burime nga policia bënë të ditur se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie. Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar. Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis.

R.POLISI

Deliri i të Sëmurit, Greqia nis “fshesën”

Provokimet e Ramës ndaj shtetit grek kanë dhënë efektin e tyre tek emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Bëhet e ditur se, brenda 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë. Argumenti i përdorur kësaj here ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen. Qytetarët shqiptarë të kthyer në kufi janë shprehur të irrituar për këtë qëndrim të palës greke në kufi. “Jemi kthyer pa arsye, dokumentat i kemi të rregullta, nuk po marrim vesh asgjë”, janë shprehur ata.
Mjaft emigrantëve u janë vënë kryqe në pasaportë, duke i detyruar ata që të mos shkelin më në tokën greke. “Më damkosën pasaportën, duke vendosur dy kryqe. Tani unë nuk mund të kthehem më në Greqi”, shprehet i dëshpëruar një emigrant.
“Gjejnë mënyra të ndryshme thjesht për të na kthyer. Unë isha me makinën time, ishim tre vetë dhe dy u kthyem, njëri iku”, shprehet një nga shtetasit shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke. “Nuk bëhet fjalë të kalosh. Kaq thonë, asnjë shpjegim tjetër. Janë kthyer shumë persona, të gjithë këta që shihni këtu”, u shpreh një tjetër shtetas shqiptar.
Po ashtu, policia greke nuk lejon shtetasit shqiptarë të futen në Greqi. Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kakavijës nuk janë lejuar të kalojnë në anën tjetër të kufirit 60 qytetarë.
Edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, policia greke ka shtuar masat e kontrollit për shtetasit shqiptarë, të cilët kërkojnë të kalojnë nëpërmjet kësaj pike doganore për në vendin fqinjë. Burimet thanë se, masat e kontrollit janë shtuar një ditë pas fjalimit të kryeministrit Rama lidhur me çështjet që duhen zgjidhur mes dy vendeve.
Policia Kufitare bëri të ditur se, këto kontrolle janë shtuar së tepërmi ditën e premte, ku dhe janë kthyer mbrapsht më shumë se 70 shtetas shqiptarë kryesisht të moshave të reja, të cilët sipas autoriteteve greke të kufirit kanë pasur mangësi në dokumentacionin e kërkuar për zonën Shengen. Argumenti i përdorur ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimumi 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen.
Gjatë ditës së premte autoritetet tona të kufirit kanë pasur disa takime me homologët helenë për të gjetur një zgjidhje për kthimet e shtetasve shqiptarë, kthime që në ditët në vijim priten të jenë në rritje.

Mashtrimi i Ramës për rrugën Elbasan-Tiranë

Partia Demokratike në Qarkun Elbasan ka denoncuar dje mashtrimet e Qeverisë Rama për përfundimin e rrugëns Elbasan-Tiranë. 7 kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Qarkut të Elbasanit ishin dje në hyrje të tunelit të Kërrabës për të denoncuar atë që ata e konsiderojnë si një nga mashtrimet më të mëdha të Edi Ramës, ndërtimin e rrugës Elbasan-Tiranë.
Në një deklaratë për shtyp, kryetari i PD, Elbasan, Aurel Bylykbashi u shpreh se, “jemi këtu për të protestuar për urrejtjen e “Qeverisë Rama” ndaj qytetarëve të Elbasanit.  Prej katër vitesh këtu nuk hidhet asnjë lopatë dhe nuk punohet”.
Ai ka akuzuar Taulant Ballën, deputetët socialstë dhe kryetarët e bashkive në qark që nuk ngrenë zërin. Madje kryebashkiakët i ka denoncuar se e kanë mendjen të bëjnë pazare me tenderat.
Në fund Bylykbashi deklaroi se, së shpejti PD e Elbasanit do të nisë aksionin politik duke ftuar qytetarët elbasanas që të bllokojnë tunelin në mënyrë që të detyrojnë qeverinë të mbarojë rrugën.

PD me model gjerman të zhvillimit ekonomik

Matthias Schafer

Kanë qenë dy ditë shumë intensive, nga njëra anë sepse sfidat para të cilave qëndron shoqëria dhe ekonomia shqiptare, janë të mëdha, por nga ana tjetër gjithashtu dhe kjo është një gjë që dua ta them që në fillim para se të kaloj tek disa pika të programit ekonomik, mua më bindi shumë serioziteti me të cilin ne shkëmbyem ide me njëri-tjetrin, me ekspertët e Partisë Demokratike. Folëm për problemet e situatës ekonomike, por gjithashtu edhe për pikat konceptuale për t’i zgjidhur këto probleme në programin e zgjedhjeve të ardhshme. Ishte një përgatitje e shkëlqyer dhe ne shumë shpejt arritëm që të hynim në një diskutim shumë të saktë, shumë serioz dhe për këtë sigurisht nga ana ime dhe nga ana e kolegut Matias Hubscheru ju falënderoj shumë.
Ludvig Erhard, ministri i Ekonomisë, i cili ka qenë në kohën e Kancelarit Adenauher dhe njëri nga etërit e Fondit Ekonomik, ka thënë gjithmonë, 50 për qind, gjysma e një suksesi ekonomik, është besimi dhe psikologjia. Kështu që besoj se këto janë dy pika shumë të rëndësishme, të cilat na ndihmojnë për të ecur dhe për të mos e humbur fillin e diskutimit dhe sipas këtyre pikave ne u orientuam në diskutimet tona. Pra, si mund ta krijojmë besimin e shqiptarëve, besimin tek institucionet, tek politika, tek përfaqësuesit e tyre, të cilët në fund të fundit janë aty për të sjellë ndryshim ekonomik dhe besoj se me këtë program dhe me shumë pika të tij, ne kemi mundësinë që ju në Shqipëri t’u ofroni qytetarëve një përgjigje të sinqertë dhe të realizueshme se si do ta ringrini në këmbë ekonominë shqiptare. Pra, kjo është pika e dytë e rëndësishme, pra rritja. Është një pikë shumë e rëndësishme që u përmend edhe në fjalën e kryetarit. Njerëzve nuk duhet t’u bëhen premtime boshe, por duhet t’u ofrojmë perspektiva realiste, duhet të kemi guximin të vendosim prioritete, për t’i çuar gjërat përpara, ato që janë të rëndësishme. Edhe në këtë pikë sërish një citat të Ludvig Erhard, i cili që herët në historinë e Republikës Federale gjermane, ka thënë: Ne nuk bëjmë dot magji në politikë, por ajo që mund të bëjmë është që të punojmë fort. Pra, duhet të punojmë në politikë dhe në ekonomi. Ne duhet të krijojmë kuadër me të cilin mund të punohet për të mirën e gjithsecilit dhe të gjithë shoqërisë. Kjo është ideja jonë. Një ekonomi tregu, sociale, e cila është e lidhur me shumë punë, me sfida, me besim dhe pikërisht këto janë bazat e rritjes ekonomike. Tani do të kaloj në programin konkret, për të cilin folëm këtu në diskutim të hapur dhe ne sollëm idetë tona, të cilat ndërthureshin me përvojën e ekspertëve shqiptarë. Nga këndvështrimi im, ky program është i përshtatshëm për të zgjidhur shumë probleme që frenojnë rritjen ekonomike në Shqipëri dhe për të sjellë një kurs më të shpejtë dhe më të fuqishëm rritjeje në këtë vend. Thelbësore është situata e infrastrukturës publike. Çfarë prioritetesh vendosen këtu? Si mund të zhvillohet infrastruktura, e cila në thelb u jep njerëzve mundësinë që të përdorin potencialet e tyre. Që të përfshihen me idetë e tyre në dinamikën ekonomike dhe të mos jenë të varur nga ato që u jep shteti, por që të marrin vetë situatën dhe përgjegjësitë e tyre në dorë. Dhe për të qëndruar sërish në këmbë. Pikërisht në këtë drejtim, infrastruktura, ndërtimi i rrugëve, i aeroporteve etj., vazhdon me infrastrukturën në fushën e arsimit, të gjitha këto janë ato pika kyçe, të cilat mbështesin procesin e rritjes me qëllim që qytetarët të bëhen sërish të pavarur dhe të veprojnë. Një pikë e rëndësishme gjithashtu është edhe arsimi. Ne arritëm në përfundimin që është shumë e rëndësishme që të rritet cilësia në fushën e arsimit dhe pritshmëritë e njerëzve nga fusha e arsimit, me qëllim që njerëzit ta gjejnë veten në një zhvillim dinamik dhe t’i vënë thekset pikërisht aty ku duhet. Sa më herët që fëmijët të bëhen e të ndjehen pjesë e sistemit të arsimit, infrastrukturës, aq më të mira janë perspektivat për të realizuar një rregull ekonomik dhe një program ekonomik, i cili mbështetet nga një dinamikë e sektorit privat e jo thjesht nga shteti. Sepse në fund të fundit shteti është sipërmarrësi më i keq i mundshëm. Pra, duhet që të mbështetet iniciativa private, reformat dhe ndryshimet në sistemin e taksave janë gjithashtu të rëndësishme. Duhet krijuar bindja që të kemi një sistem taksash të thjeshtë, transparent me qëllim që të ardhurat e njerëzve të mbeten po tek ta. Kemi zhvilluar disa propozime në fushën e taksave, të cilat duhet të kontribuojnë për të mbështetur dinamikën sipërmarrëse. Kjo është një përvojë, të cilën e kemi bërë në Gjermani dhe kjo çon në rritjen e vendeve të punës, në rritjen e mirëqenies. Këto janë disa ide në fushën e politikave të taksave për të njohur rritje në ekonominë shqiptare. Nëpërmjet rritjes ekonomike mund të krijohen vende të reja pune, duke krijuar bazat e barazisë sociale, pasi dua të theksoj se përzierja e rendit të lirisë ekonomike e kombinuar me një ekuilibër social përbëjnë baza të rëndësishme edhe për ata persona, të cilët kanë vështirësi apo e kanë më të vështirë që të jenë pjesë e ekonomisë së lirë të tregut. Pra, duhet të lidhin si përgjegjësinë individuale për sipërmarrjen ekonomike, si edhe përgjegjësinë sociale për shtresat më të dobëta në mënyrë që mos përmirësohet vetëm ekonomia shqiptare, por edhe shoqëria shqiptare. Pasi nuk flasim vetëm për rendin ekonomik, por edhe për rendin shoqëror, për atë rend shoqëror për të cilin ne duam të jetojmë. Në këtë kuptim dëshiroj që për dy ditët e fundit të shpreh falënderimet dhe vlerësimet për të gjitha çështjet që kemi biseduar. Besoj se të gjitha potencialet e këtij vendi janë të tilla që ju mund të ofroni impulse që këto potenciale të mund të shfrytëzohen në të ardhmen akoma më mirë dhe shumë më mirë seç ka ndodhur në periudhën e fundit. Ju falënderoj që kishim mundësi të ishim pjesë e këtij procesi dhe ju uroj shumë suksese.

Matthias Schafer, drejtues i politikave ekonomike te Conrad Adenauer:

Programi i PD i përshtatshëm për të zgjidhur problemet që frenojnë rritjen ekonomike;
Program i PD, rikthen besimin;
Programi i PD, jo premtime boshe, por realiste;
Skemë taksimi që ndihmon sipërmarrjen, garanton rritje ekonomike, vende të reja pune;
Taksa të thjeshta dhe transparente.

PD: Rama zgjedh përçarjen, urrejtjen dhe konfliktin

Lumturimi i 38 martirëve, nga Papa Francesku, në një ceremoni të zhvilluar në Shkodër është një ngjarje unike për Europën dhe Botën. Për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e sotmja është një ditë reflektimi dhe ndjese për krimet çnjerëzore komuniste ndaj lirisë dhe besimit në Zot.
Por Edi Rama zgjodhi ta bojkotojë këtë ngjarje të përmasave botërore. Jo vetëm nuk dënjoi të ishte i pranishëm, por urdhëroi TVSH të ndërpresë sinjalin në mes të aktivitetit për tre televizione të rëndësishme në vend, Neës 24, ABC-Neës dhe Ora Neës.
Duke bojkotuar këtë ngjarje kombëtare me përmasa botërore e historike, ku kryeministri nuk mund të mungojë për asnjë arsye, duke urdhëruar ndërprerjen e sinjalit televiziv, Edi Rama i kujtoi çdokujt se kush është dhe kujt i përket.
Edhe të enjten në Parlament në mënyrë demonstrative ktheu fundshpinën kur po votohej rezoluta e Partisë Demokratike për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit e kur po lexoheshin emrat e martirëve dhe vuajtjet e tyre.
Me këto akte të ulëta, Rama dëshmon përbuzjen dhe përçmimin për sakrificat sublime të klerit. Në vend të frymës së pajtimit, paqes dhe bashkimit, ai zgjedh si përherë, përçarjen, urrejtjen dhe konfliktin. Shqiptarët duhet të bashkohen për t’i thënë JO, Edi Ramës, të shkuarës së krimeve, të shkuarës së konfliktit. Ai nuk përfaqëson as të sotmen, aq më pak të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për paqe, bashkim dhe harmoni. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.

“Shoqata e Gazetarëve Profesionistë” Kuvendi të reagojë për censurën

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Shoqata e Mediave Elektronike dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin indinjatën e thellë për aktin e paprecedentë të Televizionit Publik Shqiptar, që ndërpret sinjalin e transmetimit për mediat e tjera gjatë ceremonisë me rastin e Lumturimit të 38 martirëve  të Kishës Katolike nga Papa Francesku, që u mbajt sot në Katedralen e Shkodrës.
Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike është një ngjarje me interes mbarëkombëtar që mblodhi në qytetin e Shkodrës autoritetet më të larta të vendit, përfaqësues të Vatikanit e të komuniteteve fetare në vend. Ceremonia solemne u ndoq nga mijëra qytetarë në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit, e miliona shikues të tjerë përmes mediave vizive.
Por Televizioni Publik Shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e shumë kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpreu papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre. Pa e kuptuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, me një sjellje të padenjë, TV Publik e konsideron prodhimin e sinjalit të kësaj ceremonie, si një produkt të vetin, duke u hequr mundësinë mediave të tjera që ta përcjellin për shikuesit e tyre, si të ishte një ceremoni sportive a event artistik.
TV Publik që duhet të jetë modeli i informimit pa kufij të shikuesve, po shndërrohet në modelin e mendësisë së mbyllur, e krejt të paditur për rëndësinë e rolit të vet.
Tv Publik nuk mund të bëhet konkurent në treg me veprime të tilla që reflektojnë vetëm injorancë, por me përmirësimin e programeve që prodhon vetë. Nuk mund të jetë kurrë një ngjarje e tillë me rëndësi kombëtare, ekskluzivitet i transmetimit të një televizioni të vetëm dhe ligji e parashikon qartë si veprohet në raste të tilla.
Shoqatat tona i kërkojnë Komisionit Parlamentar të Medias, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit Drejtues të RTSH, të analizojnë këtë shkelje të Ligjit të Medias dhe të marrin masa ndaj drejtuesve injorantë që urdhëruan aktin arrogant e të paprecedent të ndërprerjes për të gjithë televizionet e tjera të sinjalit të këtij evenimenti të rëndësishëm kombëtar.

Rama bojkoton martirët dhe censuron ceremoninë

Rama bojkotoi dje ceremoninë e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, një veprim i denjë pinjolli Blloku që dje e vendosi edhe një herë tjetër veten në anën e krimit dhe barbarëve që për gjysëm shekulli persekutuan këtë vend. Por, nuk u mjaftua me bojkotimin, por në të njëjtën kohë ai urdhëroi Televizionin Publik që të ndërpresë transmetimin e sinjalit të kësaj ceremonie për të mos u ndjekur nga qytetarët. Pesha e krimeve është e rëndë. Mesazhet e transmetuara nga ajo ceremoni ishin të forta. Nuk ishin vetëm për krimet e së djeshmes, por edhe për riinstalimin në pushtet dhe në vendimmarrje të politikës të eksponentëve të regjimit diktatorial. Dhënia e tillë mesazheve të forta për të mos harruar të djeshmen dhe për të reaguar për të sotmen e bënë Ramën që të ndërpresë sinjalin e transmetimit të kësaj ceremonie.

Ceremonia

Kisha në Shqipëri, njëherësh me mbarë popullin shqiptar, jetoi dje një nga ngjarjet më të paharrueshme në të gjithë historinë e tij mijëravjeçare: Lumnimin e 38 bijve të vet më të mirë, modele shenjtërie, feje, besnikërie, atdhedashjeje, kulture, në një kohë kur kemi kaq shumë nevojë për shembuj që të na prijnë në rrugën aspak të lehtë të jetës…
Shqipëria jetoi një gjyq ogurbardhë… Duke rikujtuar një gjyq tjetër, ogurzi! Rijetoi kohën kur bijtë e saj më të mirë u nxorën para gjyqit të njeriut, pse ishin shërbëtorë besnikë të Zotit! U hoqën zvarrë, të ngarkuar me pranga, të fyer, të pështyrë, të torturuar, të rrahur, si Mësuesi i tyre, Jezu Krishti zemërbutë e i përvujtë, pse ishin bijtë e të Kryqëzuarit, në emër të të cilit po gjykoheshin…
Gjykoheshin ngaqë e donin më shumë se jetën, Zotin e njeriun! Zotin e Shqipërinë! Zotin e shqiptarin!
Gjykoheshin, vetëm pse i kishin prirë popullit të vet në rrugën e  zhvillimit,  të arsimit, të kulturës e, sidomos, të amshimit, në emër të Zotit, jo të diktatorit.
Priftërinj, fretër, jezuitë, novicë, shekullarë… i hoqën zvarrë nëpër rrugët e Shkodrës, drejt Kinema “Rozafatit”; drejt Tiranës, Burrelit, Vloçishtit, Kënetës së Maliqit, baltrave e tuneleve të errëta të minierave, fushave të shkreta të qyteteve të mëdha e të vogla e pas murit të varrezës katolike të Rrmajit, para plotoneve të ekzekutimit. Shoqëruar me britmat histerike të turmës së tyre “vdekje”, që të kujtonin ca britma të largëta në kohë: “Kryqëzoje!”.
Njerëzit që mbetën i kishin zili të pushkatuarit! Ata pushonin nën dhe duke pritur kthimin e pranverës, kur nga eshtrat e tyre do të shpërthenin vjollcat e para. Ndërsa të gjallët nuk ishin të zotët as të protestonin për gjithë këtë gjëmë! Brezni e dënuar me heshtje!
Po dje në Shkodër, pas gjyqit të Pilatit, u përsërit “gjyqi i Nurembergut”; por gjyq pa dënime me vdekje, pa trekëmbsha, gjyq që dha vendimin përfundimtar historik, atë që të krishterët besojnë me gjithë zemër se e jep veç Zoti.
E Zoti ishte aty, në atë katedrale, nga e cila qenë munduar ta dëbonin përgjithmonë! Ishte aty, kryegjyqtar i amshuar, për ta dhënë vetë vendimin! Si i kishte gjykuar me mëshirën e Tij të pafund, e si i kishte ndjekur në gjithë udhën e tyre të Kryqit, i shpalli të Lum shi në atë Shenjtnore, muret e së cilës i ruajnë ende zërat e martirëve, regjistruar misteriozisht. Për Kishën – ishte një nga ditët më të bardha. Për Shkodrën – më të lumnueshme.
Për Shqipërinë – më të besueshme, ndërmjet gjithë atij mosbesimi! Shkodra, që njëherësh me mbarë Kishën e popullin shqiptar, 50 vjet më parë u drodh nga tmerri, dje dridhej nga emocioni, nga gëzimi. Kështu di t’i shpërblejë Zoti besnikët e Tij.
Për besimtarët, ishte dita e ngadhënjimit! Për historinë, dita e së vërtetës që, pas gjithë atyre shtrembërimeve, doli në dritën e shkëlqyer të vetë Zotit, drejtësisë së pambaruar e të pakundërshtueshme. Dora e Zotit shkroi sot në Librin e madh të jetës 38 emra të ndritur! Përfundim ogurbardhë i ndodhive ogurzeza.
Rikujtim i ferrit, në një ditë kur ndriste drita e ngrohtësia e Parrizit, ku pa asnjë dyshim arrijnë gjithnjë të fortit, të durueshmit, të plagosurit për vdekje për qëllimin më të lartë që mund të ketë njeriu: lidhjen me Atin e gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm, të cilën as vdekja nuk mund ta këpusë.
E dëshmon qartë Dita e sotme e falur nga Zoti! Ditë rikujtimi! Rikujtim i asaj tragjedie, që nuk duhet harruar kurrsesi, sepse nuk duhet përsëritur kurrsesi. Po njeriu i fesë e di mirë se kalvari përsëritet. Se i duhet çdo ditë të marrë pjesë në kryqëzimin e botës; në dhimbjen e thellë të njerëzve; në përpjekjen mbinjerëzore për të pohuar jetën e mohuar; në vuajtjen e vëllezërve, që vijojnë të mundohen si Krishti, në të katër anët e botës. Sepse shtegtimi drejt dritës vijon të jetë i dhimbshëm.
Po kjo ditë hap portat drejt shpresës, hap dritaren drejt misterit, për aventurën e madhe, të lirë, të njeriut! Ditë feste, jo gjykimi: Kisha nuk gjykon! Kisha kujton. Kisha fal, pa menduar kurrë të marrë hak. Kisha Lumnon! Ditë, kur Kisha lumnoi 38 martirë, me një festë të madhe, të paharrueshme, historike! Ditë që i fali Kombit 38 ndërmjetësues të fuqishëm pranë Zotit, 38 dëshmitarë, që i lanë me gjakun e tyre njollat e historisë, për t’i sjellë dritë e shpresë trojeve shqiptare, popullit, të krishterëve të kësaj toke të martirizuar gjatë!

Vatikani: Ndriçoni krimet hoxhiste

Lumturimi i 38 martirëve klerikë shqiptarë është një thirrje për shoqërinë tonë, për të ndriçuar deri në fund krimet makabre të regjimit komunist. Ora e parë e mësimit e ditës së hënë, duhej të ishte orë që i kushtohej ndriçimit të krimeve të komunizmit ndaj fesë dhe besimit fetar në Shqipëri.
Lumturimi i 38 martirëve klerikë shqiptarë, dje Lumë Shërbëtor të Hyjit, të vrarë nga regjimi komunist në periudhën 1945-1974, është jo vetëm një nderim i madh që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë u bëjnë shqiptarëve kudo që janë, por edhe një thirrje për politikën dhe shoqërinë tonë për të ndriçuar deri në fund krimet e regjimit të diktaturës komuniste. Mesha e djeshme e lumturimit të 38 martirëve është një rast i mirë për të analizuar se deri ku ka arritur vendi ynë me dekomunistizimin e shoqërisë. Në fakt, ky proces ka një ecuri krejt të papërfillshme. Eksponentë të strukturave represive të regjimit të djeshëm diktatorial janë sot ende në institucione shtetërore, madje edhe në vendimmarrje, deri edhe në politikëbërje.
Diktatura e Hoxhës vrau, burgosi, internoi dhe persekutoi jo vetëm klerikët, por edhe intelektualët shqiptarë, disidentë ose jo. Krimet makabre të diktaturës hoxhiste, të Partisë së Punës së Shqipërisë, të ish-Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë represive të diktaturës, janë të pafund dhe kanë përmasa të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër ish-komunist. Por, krimet e komunizmit në Shqipëri kanë prekur gjithë popullsinë e vendit me anë të ndalimit të besimit fetar, të ndalimit të lirisë së fjalës dhe të shprehjes, ndalimit të lirisë së mendimit, mungesës së lirisë së informimit, mungesës së lirisë së organizimit politik, si dhe mohimit të të drejtave të tjera themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, izolimi nga bota, etj.
Por, çështja është çfarë është bërë për njohjen e krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste në këto 25 vjet? Pak, shumë, shumë pak. Deri kur do të vazhdojmë kështu?
Deri tani realisht është ngritur një institucion që po zbulon dhe dokumenton krimet dhe pasojat e komunizmit. Edhe pse ka vetëm rreth shtatë vjet që është krijuar Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ky institucion ka botuar disa vëllime veprash ku dokumentohen dhe i ndriçohen publikut krimet makabre të komunizmit. Kjo punë e shkëlqyer e këtij instituti po mbështetet kryesisht nga fondacionet e huaja, si Fondacioni Konrad Adenauer. Ndërsa kjo qeveri as do t’ia dijë që ekziston ky institut dhe mbështetja buxhetore për këtë institut është me pikatore.
Ajo që është më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare: Sa i njeh brezi i ri krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri? Shumë pak. Dhe ky brez shtrihet deri në moshën 35 vjeç, pra të rinjtë që nuk e kanë përjetuar regjimin komunist ose kanë qenë fëmijë nën 10 vjeç. Që këtu kuptohet se cilat janë përmasat e mosnjohjes së krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Lumturimi i 38 klerikëve katolikë, nga Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë, u duhet shpjeguar mirë, më së pari, gjithë nxënësve dhe studentëve, që të kuptojnë përmasat e krimeve të diktaturës komuniste ndaj klerit dhe besimit fetar në vendin tonë.
Nuk kemi dëgjuar për ndonjë vendim apo udhëzim të qeverisë për shkollat dhe universitetet në nderim të lumturimit të klerikëve shqiptarë, si një ngjarje e madhe për vendin. Do të ishte me vend që Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe rektorët e universiteteve të shpallin, në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, orën e parë të mësimit të ditës së hënë, si orë ku do të flitet për krimet e komunizmit ndaj fesë dhe besimit fetar në Shqipëri.

“Radio Vatikani”