26.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

28 nëntori, dita e Kombit, sot dita e Jugosllavisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Berisha, deputetë, përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe qindra qytetarë, zhvilluan homazhe dje tek Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa nderuan të rënët e luftës për pavarësi. Basha u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara memorialit madhështor, që kujton veprën e dëshmorëve të atdheut. Më pas kreu i opozitës uroi qytetarët, ndërsa theksoi se, sakrifica e dëshmorëve nderohet duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen dhe jo largohen shqiptarët.
“Dua t’ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë, të gjithë bashkatdhetarëve Gëzuar 28 Nëntorin!
Ta nderojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit, duke u bërë bashkë, duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen dhe jo largohen shqiptarët.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Gëzuar 28 Nëntorin!”, uroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi homazhe dhe pranë bustit të komandatit legjendar, Adem Jashari, ndërsa tha se, heronjtë që vendosin sakrificën në altarin e lirisë dhe pavarësisë, nuk vdesin kurrë në zemrat e një kombi mirënjohës. “Kombi shqiptar bashkohet me 28 Nëntor në festë dhe në kujtesë të sakrificës shumëshekullore për Liri dhe Pavarësi që nga 28 Nëntori i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë me Ismail bej Vlorën.
“Dhe padyshim në këtë varg datash të rëndësishme, për ekzistencën, lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar, ka edhe një 28 Nëntor tjetër për të cilën i falemi Zotit si shqiptar, ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, para sakrificës së të cilit dhe para familjes Jashari përkulemi sot me nderim të thellë, duke kujtuar për veten tonë dhe për brezat që vijnë se heronjtë që vendosin sakrificën sublime në altarin e lirisë dhe pavarësisë, nuk vdesin kurrë në zemrat e një kombi mirënjohës.
Lavdi përjetë Adem Jasharit!
Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!
Gëzuar 28 Nëntorin!”, u shpreh Basha për mediat.

Veliaj nuk njeh 28 Nëntorin për të festuar netët e “bardha”

Këshilltarët e djathtë kanë reaguar dje ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës për festimet e 28 Nëntorit. Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, bën të ditur në një reagim për mediat se, Veliaj e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”. “Nuk është e thënë që shqiptarët të përjetojnë një ditë në normalitet e për më tepër ditën e madhe të Pavarësisë dhe Lirisë, 28 Nëntorin. Erion Veliaj jo vetëm që vijon të ngrejë flamurin në Tiranë më 28 Nëntor, ndërkohë që zyrtarisht dhe me protokoll ngrihet më 26 Nëntor, jo vetëm që e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”, që kujtojnë në thelb instalimin e diktaturës komuniste, por edhe sot nuk harron të grabisë pa mëshirë tiranasit dhe çdo shqiptar që vendos të festojë këtë ditë në kryeqytetin e Shqipërisë. Me dhjetëra qytetarë denoncojnë këtë fakt sot, por askush nuk dëgjon… Kërkojnë të drejtën kushtetuese, por më kot…”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të djathtë.
Më tej në deklaratë thuhet se, edhe pse vendimi i Këshillit Bashkiak, përcakton se në ditët e pushimit zyrtar apo ditë festash nuk mund të vilen tarifat e parkimit, Veliaj dëshmon me fakte konkrete se, nuk e njeh si ditë feste dhe zyrtare pushimi 28 Nëntorin. “Gjobëvënësit e tij edhe sot jo vetëm që vjedhin qytetarët me tarifën e parkimit, por vendosin dhe gjoba të majme edhe për gjoja shërbimin e karotresit. Veliaj ka dëshmuar me shumë zell se është nga ata rilindasit që duan karrigen më shumë se Atdheun dhe bashkëkombësit, por nuk besohej se do të arrinte deri në këtë pikë!”, përfundon deklarata.

Maskat grabisin dy pika karburanti në Durrës dhe Lezhë

Dy pika karburanti janë grabitur ditën e djeshme nga persona të armatosur dhe me maska në Durrës dhe Lezhë. Bëhet e ditur se, persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur xhiron ditore në një pikë karburanti në zonën pranë Urës së Dajlanit. Burime nga Policia e Durrësit deklaruan se, vjedhja e karburantit ka ndodhur rreth orës 02:00 të natës, por 4 punonjësit kanë njoftuar policinë vetëm në orën 06:30 të mëngjesit.
Autorët kanë hyrë nga ana e pasme e godinës dhe kanë thyer xhamat. Më pas, ata kanë arritur të hapin kasafortën e karburantit dhe të marrin aty një shumë parash. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se maskat kanë arritur të marrin rreth 2 milionë lekë dhe disa tollona nafte.
Punonjësit e karburantit kanë thënë për policinë se nuk i kanë parë grabitësit. Një tjetër detaj i çuditshëm ka të bëjë me faktin se, sipas policisë të gjitha kamerat e sigurisë në momentin e grabitjes ishin të fikura. Ndërkohë që, karburanti ku ka ndodhur grabitja është një nga më të mëdhenjtë në Durrës.
Dyshohet se autorët kanë qenë të mirinformuar se ku ndodheshin paratë. Policia ka kryer të gjitha procedurat hetimore në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje punonjësit e karburantit, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të grabitjes.
Po ashtu, maskat kanë grabitur një pikë karburanti në Lezhë, duke plagosur edhe pronarin e pikës së karburantit. Bëhet e ditur se, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një pikë karburanti në Dajç, në aksin Lezhë-Shkodër. Për të çuar deri në fund aktin e tyre, personave ende të paidentifikuar iu është dashur të përleshen me rojen e karburantit, i cili edhe është qëlluar me sende të forta nga ta.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa gjatë përleshjes me hajdutët ka mbetur i plagosur punonjësi i karburantit, Lekë Përkeçi, i cili është dërguar me urgjencë në spital. Dy grabitësit e maskuar mësohet se, pasi plagosën rojën kanë grabitur edhe një sasi parash dhe janë larguar me shpejtësi. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e grabitësve.

Plagoset me armë në një lokal në Durrës

Një person ka mbetur i plagosur në qytetin e Durrësit, pasi u qëllua me armë zjarri. Burime nga policia bëjnë të ditur se, ngjarja ka ndodhur në një lokal në Durrës, ku dy persona janë konfliktuar dhe më pas, njëri prej tyre është goditur me armë zjarri. Ndërkohë, bëhet e ditur se të shtënat e armës kanë krijuar frikë dhe panik tek qytetarët.
Policia lokale bën me dije paraprakisht se ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr.13, ku ka mbetur i plagosur shtetasi me iniciale H.K., i cili ndodhet në spitalin rajonal të qytetit jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit është një çështje borxhi midis dy shokëve. Ndërkohë, policia tha se ka identifikuar autorin e plagosjes dhe ka nisur punën për kapjen e tij. I plagosuri ndodhet në spital ku po merr ndihmën e parë.

Autobusi përplas 14-vjeçarin

Autobusi i linjës Shkozë-Qendër është përfshirë në një aksident, pasi ka përplasur një 14-vjeçar. Ngjarja ndodhi pranë Ministrisë së Jashtme. Sipas të dhënave paraprake mësohet se 14-vjeçari E.B, ishte duke kaluar rrugën, kur është përplasur nga mjeti me targa TR 7122 U që drejtohej nga shtetasi A. K. Fill pas kësaj i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri më tani nuk dihen rrethanat e këtij aksidenti, ndërsa policia tha se, po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve.

Aksident i katërfishtë në autostradë

Një aksident i katërfishtë ka ndodhur pasditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Urës së Dajlanit. Burime nga Policia Rrugore bëjnë të ditur, se në aksident janë përfshirë katër automjete, dy prej të cilave “Mercedes Benz”, njëra “Fuoristradë” e tipit ML, një “Fiat Punto” si edhe një “Fuoristradë Honda”.
Nga të dhënat paraprake mësohet se, fatmirësisht nuk ka pasur viktima dhe se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, mosrespektimi i distancës si edhe lagështia në rrugë.
Mësohet se aksidenti në autostradën Tiranë-Durrës ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve nga qyteti bregdetar në drejtim të kryeqytetit.

Socializmi duhet të vdesë me Kastron

John McTernan
CNN – Një diktator ka vdekur. Qytetarët e një tjetër vendi mund të jenë tashmë gati të braktisin ideologjinë e diskredituar dhe ekonomikisht shkatërruese të komunizmit. Tani, qytetarët mund të shpresojnë të kenë fjalë të lirë, media të lirë dhe të drejtat e njeriut do të rikthehen në rendin e ditës.
Ky është natyrisht një moment për t’u festuar, por jo për të majtën. Për ta, vdekja e Fidel Kastros është një event trishtimi. Merrni për shembull, Jeremy Corbynin, liderin e Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, i cili tha: “Vdekja e Fidel Kastros shënon ndarjen nga jeta të një figure të jashtëzakonshme në historisë moderne, të pavarësisë kombëtare dhe të socializmit të shekullit XX”.
E vërteta është që vetëm fraza e fundit e kësaj deklarate mund të konsiderohet e saktë. Kastro nuk është gjë tjetër veçse një pikë në oqeanin e historisë botërore, një burrë që e ktheu vendin në shërbëtorin e tij dhe të Bashkimit Sovjetik – jo në një vend të pavarur siç pretendon Corbyn. Megjithatë, Kastro arriti me sukses t’i demonstrojë botës për më shumë se pesë dekada se një ekonomi socialiste arrin të bëjë vetëm një gjë: të sjellë mjerim për një komb të tërë.
Kanë vërshuar mesazhe ngushëllimi nga burimet më të parashikueshme si: presidenti Maduro i Venezuelës, Morales i Bolivisë dhe Correa i Ekuadorit, të cilët u shfaqën tepër të hidhëruar nga vdekja e Kastros. Por çfarë tregojnë këto lavde të neveritshme të së majtës për një nga diktatorët më brutalë, për një burrë që ka ekzekutuar mijëra e mijëra kubanezë?
Shpjegimi i parë është antiamerikanizmi. Për shumicën e figurave të majta rregulli është i thjeshtë: “Armiku i armikut tim, është miku im!”. Me Fidel Kastron si armik të betuar të Shteteve të Bashkuara, ai duhet të mbështetej në çdo formë dhe për çfarëdo që bënte. Pa asnjë ironi në mes, jepen lavdërime pafund për letëgjatësinë e liderit kubanez dhe për faktin se i ka rezistuar kaq shumë presidentëve amerikanë, duke injoruar tërësisht faktin se gjatë regjimit të tij të gjatë nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje.
Shpjegimi i dytë është ideja se qëllimi justifikon mjetin. Sistemet e edukimit dhe të shëndetit në Kubë lavdërohen si tepër të mirë, sikur suksesi i tyre justifikon abuzimet me të drejtat e njeriut që theksohen rregullisht nga Amnesty International dhe intitucione të tjera vëzhguese të pavarura.
Në fakt, bota e mbushur me shembuj pa fund të vendeve që arrijmë me sukses të kombinojnë ekselencën në kujdesin shëndetësor dhe sistemin e edukimit me demokracinë. Në fakt, Kuba përpara revolucionit kishte një normë shumë herë më të ulët të vdekjeve të foshnjeve krahasuar me pjesën tjetër të Amerikës Latine.
Kjo nuk duhet të duket si diçka e çuditshme sepse Kuba ishte një vend me gjendje ekonomike relativisht të mirë, madje të ardhurat mesatare të vendit ishin të krahasueshme me ato të shteteve të jugore të Shteteve të Bashkuara. U desh një punë e jashtëzakonshme dhe një përkushtim ndaj komunizmit dhe sipërmarrjeve shtetërore për të shkatërruar të ardhmen e begatë që ishte parashikuar atëherë për Kubën.
Megjithatë, asnjë prej këtyre pozicioneve nuk e shpjegojnë plotësisht hidhërimin e madh të së majtës për Fidel Kastron. Shpjegimi i tretë dhe më shqetësuesi për këtë mbështetje të shfaqur për diktatorin është adhurimi i së majtës për dhunën. Revolucionet dhe diktaturat janë brutale dhe të dhunshme. Për njerëzit që adhuronin Kastron, dhuna nuk ishte nënprodukt fatkeq dhe i vajtueshëm i ndryshimit, ishte esenca e adhurimit të tyre.
Uniforma ushtarake, kulti i Ce Gevarës janë dy aspekte të këtij adhurimi. Ka edhe një aspekt atavik në dashurinë e të majtës për Kubën, një vend i lidhur ngushtë me ndjenjën se rrëzimi i dhunshëm i pushtetit është rruga më e lehtë drejt fitores, më lehtë se nevoja për fituar zemrat dhe mendjet e qytetarëve në zgjedhje demokratike.
Vdekja e Fidel Kastros duhet të jetë edhe vdekja e çdo besimi që ka mbetur tek e majta si një formë e dallueshme organizimi ekonomik dhe politik. Ky event duhet të përdoret në të kundërt si një mundësi për të festuar “sundimin e drejtësisë sociale”. Kjo nuk duhet vetëm të ngrejë pikëpyetje mbi të majtën, duhet të jetë burim turpi për të.

Fillon, më afër me Rusinë, më ashpër me terrorizmin

Francois Fillon do të jetë kandidati konservator në zgjedhjet presidenciale të Francës, më 2017, pasi rivali i tij, Alain Juppe, ka pranuar humbjen.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Fillon ka fituar balotazhin e së dielës me 67 për qind të votave.
Ai ka premtuar se do të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, duke thënë se “Franca do të vërteta dhe veprime”.
“Nëse populli francez ma jep besimin, do të përpiqem ta respektoj atë kontratë dhe ta drejtoj me dinjitet”, ka thënë Fillon.
Juppe, kandidat më i moderuar, ka uruar Fillonin për “fitoren e madhe” dhe është zotuar se do ta mbështesë atë në përpjekjen për t’u bërë president.
Fillon, i cili ka shërbyer si kryeministër në administratën e Nicolas Sarkozy-së, shihet si i krishterë tradicional mbi çështjet si aborti dhe martesat e homoseksualëve.
Ai ka propozuar reforma dramatike ekonomike, të cilat përfshijnë reduktimin e 500,000 vendeve të punës, fundin e javës 35-orëshe të punës dhe rritjen e moshës së pensionimit.
Tani vëmendja bie mbi Partinë Socialiste dhe mundësinë që presidenti jo aq popullor, Francois Hollande, të garojë sërish në zgjedhjet e partisë së tij, në muajin janar. Ai ka thënë se do ta shpallë vendimin në ditët e ardhshme.
Kryeministri aktual, Manuel Valls, ka thënë të dielën se nuk e përjashton mundësinë që të garojë kundër Hollande në zgjedhjet e partisë.
Sidoqoftë, në zgjedhjet e prillit, sondazhet e hershme nxjerrin në duel Fillonin dhe kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine le Pen.
Franca, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, është përballur me papunësi të lartë nën presidentin e tanishëm, Hollande dhe dy vjetët e fundit të mandatit të tij janë shënuar me sulme terroriste, të cilat kanë lënë të vrarë rreth 230 veta.
Fillon kundërshton multikulturalizmin dhe ka bërë thirrje për lidhje më të mira me Rusinë e Vladimir Putinit.
Ai ka mbështetur heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.
Ka thënë se Rusia nuk është kërcënim dhe se duhet të konsiderohet partner në Siri.
Edhe Putin e ka vlerësuar Fillonin si profesionist dhe person që “mban pikëpamjet e tij”.
Fillon po ashtu ka thënë se për të luftuar grupin militant Shteti Islamik, Franca nuk duhet të përjashtojë bashkëpunimin me presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Ai ka qëndrim të ashpër kundër islamit në Francë dhe ka thënë se “Islami radikal është duke korruptuar disa nga qytetarët tanë myslimanë”.
Gjatë verës, ai ka thënë se është në favor të ndalimit të burkinit – rroba islame të larjes – në plazhet franceze.
Fillon mbështet idenë e një “Evrope të kombeve” dhe ka shprehur skepticizëm për rolin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

Italia, beteja tjetёr e populistёve?

Pas Brexit nё Britaninё e Madhe dhe zgjedhjes sё Donald Trumpit janё tё shumtё ata qё i konsiderojnё si njё test tjetёr pёr demokracitё perёndimore zgjedhjet presidenciale mё 2017 nё Francё: a do ta refuzojnё zgjedhёsit establishmentin politik duke vendosur pёr Frontin e djathtё Nacional? Nё fakt referendumi pёr Kushtetutёn nё Itali mё 4 dhjetor mund ta trondisё vendin e katёrt industrial nё botё. Kryeministri Matteo Renzi shpreson nga kjo reformё shumё stabilitet, sepse Italia brenda 70 vitesh ka pasur 63 qeveri.
Sistemi i deritanishёm i dy dhomave tё barasvefshme tё Parlamentit synohet tё shfuqizohet. Ështё parashikuar, qё tё kufizohet pushteti i senatit. Deputetёt nuk mund ta rrёzojnё mё qeverinё dhe nuk mund tё bllokojnё pafundёsisht projektligjet. Nё kёtё mёnyrё qeveria fiton mё shumё kompetenca. Shpresa e Renzi-t pёr njё po tё shumicёs sё popullsisё nё referendum ёshtё e madhe. Italia brenda 70 vjetёsh nga ndryshuar 63 qeveri.

Legjislativi nё dilemё
Me gjithsej 951 anёtarё, Italia ka Parlamentin e tretё pёr nga madhёsia nё botё. Njё numёr i madh i deputetёve vёrtet qё parimisht i pёrgjigjet mё shumё idesё sё njё demokracie tё pёrfaqёsuar, por Parlamenti i Italisё bёhet pengesё: sistemi i deritanishёm i dy dhomave tё barasvlefshme tё Parlamentit bёn, qё legjislativi tё pengohet deri nё pafundёsi.
Kryesisht rajonet e vogla si Tiroli i Jugut qё ka autonomi druajnё, se nё njё sistem tё ndryshuar parlamentar, zёri i tyre nuk do tё dёgjohet mё. “Edhe nёse do tё ndryshosh njё presje nё njё tekst ligji, kjo duhet tё miratohet edhe nё dhomёn tjetёr tё Parlamentit”, thotё pёr “DW”, Franco Pavoncello, politolog dhe president i Universitetit John Cabot nё Romё. “Italia lufton prej dekadash me kёtё situatё”.
Nё vёshtrim tё parё zgjedhja duket e thjeshtё: voto “po”, pёr tё mbёshtetur Partinё Demokratike (PD) qeverisёse – ose voto “jo”, pёr ta penguar qeverinё, qё tё konsolidojё pushtetin. Kryeministri Renzi nё rast tё njё vote me “jo” ka deklaruar se do tё japё dorёheqjen. Me kёtё ai e kushtёzon rezultatin e referendumit me mbёshtetjen pёr postin e tij. “Ka shumё gjasa qё Renzi nuk do tё mund tё qëndrojё mё gjatё” nё Palazzo Chigi. “Ai e ka kthyer ҁёshtjen e referendumit nё njё ҁёshtje politike – kjo nuk ёshtё aspak e favorshme”, thotё politologu.

I vetёm nё krye
Sipas sondazheve aktuale kundёrshtarёt e referendumit aktualisht kryesojnё. Sukseset e votёs pёr Brexit- dhe tё zgjedhjes sё Trumpit treguan, se sondazhet jo gjithmonё pёrputhen me rezultatet. Fakt ёshtё, qё Renzi ndodhet nёn presion nga tё dyja palёt. Krahu i djathtё – nёn drejtimin e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi – pёrpiqet kundёr tij dhe po ashtu kundёr ёshtё edhe lёvizja Pesё Yjet (M5S), njё parti populiste e majtё, qё do tё luftojё status quo-nё.

Pse Hillary Clinton meriton që të futet në burg….

Sikur Donald Trump do të donte vërtet ta padiste Hillary Clinton, këtë gjë duhet ta bënte lidhur me Fondacionin Clinton, një instrument diabolik, thonë shumë, që përdor filantropinë për të pasuruar çiftin Clinton dhe “donatorët” e tyre.
Bëhet fjalë për një instrument që funksionon jashtëzakonisht mirë në vendet e dëshpëruara, me infrastruktura të kufizuara, më mirë akoma nëse janë viktima të katastrofave natyrore, si puna e Haitit. Fondacioni futet në flukset e ndihmave dhe i devijon ato në favor të donatorëve të mëdhenj. Me pak fjalë, filantropia bëhet qëllim fitimi.
Pas tërmetit të Haitit, Digicel, një biznes irlandez në pronësi të një miku të Bill Clinton, miliarderit Denis O’Brian, përfitoi financime publike për t’i dhënë telefona celularë popullsisë së prekur nga USAID for Food and Peace. Fondi në fjalë administrohet nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilin në atë kohë e drejtonte Hillary Clinton. Digicel u shpërndau haitianëve celularë falas të paguar nga taksapaguesit amerikanë dhe në shkëmbim siguroi kontrata për përdorimin e tyre. Çdo herë që dikush i përdorte për të bërë një thirrje apo për të transferuar para, ia paguante shërbimin Digicel. Brenda vitit 2012, kompania në fjalë kontrollonte më shumë se tri të katërtat e tregut të celularëve në Haiti. Ndërsa kompania e tij negocionte marrëveshjet për telefoninë, O’Brien i siguronte çiftit Clinton tri kontrata për konferenca në Irlandë për 200,000 dollarë secila. Në periudhën midis viteve 2011 e 2012, O’Brien i dhuronte edhe 5 milionë dollarë Fondacionit Clinton. Pakogjë, krahasuar me 45 milionë dollarët që siguroi falë çiftit Clinton nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar pas tërmetit një hotel me 5 yje në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit!
(Loretta Napoleoni për “Il Venerdi”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA