15.1 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Shpagimi i historisë

Giovangiuseppe Califano

Tridhjetë e tetë martirët shqiptarë nuk janë të mundurit e historisë. Përkundrazi. E pikërisht sot u shpallën fitimtarë, përballë popullit të vet, duke i hapur udhë të reja e horizonte të reja shprese. Në këtë dritë duhet parë lumnimi i Imzot Vinçenc Prennushit, françeskan e kryeipeshkëv i Durrësit dhe i 37 shokëve të tij, martirë të Shqipërisë. Ngjarje që i vë vulën, në këndvështrimin e fesë, persekutimit të dhembshëm 50-vjeçar në shekullin e 20-të nga ana e regjimit komunist.
E sot (dje), në Katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër, u kremtua riti i lumnimit, i kryesuar nga kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i dërguar i Papës Françesku.
Më 4 nëntor 1990, me kremtimin e meshës në varrezën e Shkodrës, Kisha Katolike e Shqipërisë dilte nga katakombet e rifillonte shpalljen publike të fesë, pas viteve të gjata të heshtjes së hidhur. Kujtimet e gjalla, treguar nga protagonistët dhe e vërteta e pakundërshtueshme e dokumenteve të zbuluara, hodhën dritë mbi ngjarjet, viktimë e të cilave qe Kisha Katolike.
Në këtë atmosferë fitoi pjekurinë kërkesa për ta nderuar kujtimin e atyre, që u mbytën in odium fidei, nga urrejtja për fenë dhe për të nisur çështjen e lumnimit, për njohjen e martirizimit të tyre. Konferenca Ipeshkvnore shqiptare, më 25 prill 2002, kërkoi zyrtarisht fillimin e procesit për një grup prej 38 shërbëtorësh të Zotit. Në listë ishin dy ipeshkvij, 21 priftërinj dioqezanë, dhjetë rregulltarë (tre jezuitë e shtatë françeskanë), si dhe katër laikë e një seminarist.
Mundësia për ta titulluar çështjen me emrin e një kryeipeshkvi metropolit, u shfrytëzua për të nënvizuar përmasën korale të martirizimit të kishës shqiptare, 38 martirët e së cilës përbëjnë vetëm një pjesë domethënëse të një numri shumë më të madh viktimash.
E kështu, imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949), ndonëse sipas kronologjisë së ngjarjeve nuk qe i pari që dha jetën për Krishtin, u vu simbolikisht në krye të grupit të martirëve, për arsye të dinjitetit të tij kishtar si kryeipeshkëv e Primat i Shqipërisë. Dy herë provincial i fretërve të vegjël, u zgjodh ipeshkëv i Sapës në vitin 1936. I transferuar, më 1940, në selinë e Durrësit, që nga viti 1943 qe administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut. Imzot Prennushi, pra, në këto çaste, ishte autoriteti më i lartë i Kishës Katolike në Shqipëri. Kapja e dënimi i tij ishin themelore në strategjinë e sulmit kundër katolicizmit nga ana e regjimit komunist, aq më tepër se, së bashku me imzot Frano Gjinin, i qe kundërvënë çdo përpjekjeje për ta kombëtarizuar kishën, duke e shkëputur nga Roma. I arrestuar dhe i burgosur në Durrës më 19 maj 1947, imzot Prennushi u dënua me 20 vjet heqje lirie. I mbylli sytë më 19 mars 1949, në burgun e Durrësit, i keqtrajtuar, i fyer, i torturuar.
Imzot Gjini, ipeshkvi tjetër në listën e 38 martirëve, i kishte dërguar kryeministrit Enver Hoxha dhe të gjitha ambasadave të akredituara në Tiranë, një letër, përmes të cilës protestonte kundër politikës antifetare të qeverisë. Qeveria iu përgjigj duke e dënuar me pushkatim dhe e pushkatoi në Shkodër, më 11 mars 1948, së bashku me rregulltarët Çiprian Nika e Mati Prendushi. Preteksti për kapjen dhe pushkatimin e françeskanëve qe akuza e rreme për fshehjen e armëve në kishën e tyre.
Aktet e 38 martirëve vijojnë nga viti 1945 deri më 1974, me episode mizorish të padëgjuara. Duke ndjekur kronologjinë, persekutimi sulmoi, në radhë të parë, personalitetet më të spikatura të botës katolike. Duke i zhdukur fizikisht, mendonte t’i jepte kishës goditjen e vdekjes. Por të gjithë i bënë ballë në mënyrë shembullore martirizimit dhe dënimit të tyre të padrejtë: i mbartën torturat me shpirtin e durimit, me forcë e fe të vërtetë! Në çastin e vdekjes, i falën fajtorët dhe e lëshuan shpirtin në duart e Zotit.
Ndërmjet martirëve të rinj është edhe një vajzë: Marije Tuci, mësuese e re, që u arrestua si dëshirtare për jetë rregulltare ndër motrat françeskane stigmatine. E dënuar me tre vjet burgim, vdiq në burgun e Shkodrës më 24 tetor 1950, për shkak të keqtrajtimeve që pësoi edhe pse nuk i pranoi propozimet e vrasësit të saj. Martirizimi i vashës ishte edhe pasojë e dëshirës për ta mbrojtur pastërtinë nga dhuna e atij, që e përbuzte vendimin e rishtares për t’ia kushtuar virgjërinë Krishtit.
Të parët që u pushkatuan në mars 1945 ishin don Lazër Shantoja e don Ndre Zadeja. Pastaj i erdhi radha jezuitëve Gjon Fausti e Daniel Dajani, françeskanit Gjon Shllaku, seminaristit Mark Çuni e laikëve Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku, burrë i martuar e babë familjeje.
Për ta plotësuar numrin e atyre, që u dënuan me pushkatim në çaste të ndryshme, kujtojmë emrat e dom Alfons Trackit, Frano Mirakajt, laik e baba familjeje, don Jozef Marksen, don Luigj Prendushi, don Dedë Maçaj, don Anton Zogaj, don Dedë Malaj, don Marin Shkurti, don Shtjefën Kurti e don Mikel Beltoja.
Vdiqën në tortura, si pasojë e keqtrajtimeve, françeskanët Bernardin Palaj e Serafin Koda; jezuiti Gjon Pantalija, don Mark Gjani, don Dedë Plani, don Ejëll Deda, don Anton Muzaj, don Pjetër Çuni, don Lekë (Aleksandër) Sirdani, Papas Josif Papamihali, don Jak Bushati, françeskani Gaspër Suma, don Jul Bonati e don Ndoc Suma.
E nuk mungojnë as ata, që i shtuan martirizimit in odium fidei, edhe një privilegj të posaçëm: françeskani Karl Serreqi u arrestua në kulmin e veprimtarisë së tij baritore, pse nuk pranoi të tregonte sekretin e rrëfimit të një burri, që po jepte shpirt, i plagosur nga policia komuniste gjatë një shkëmbimi zjarri. Për këtë “faj”, iu nënshtrua torturave e u dënua me burgim të përjetshëm e me punë të detyruar. Vdiq në burgun e Burrelit, si Martir i Rrëfimit, për shkak të regjimit të padurueshëm të jetës së burgut, më 4 prill 1954.

Me rastin e ngjarjes historike të lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, “l’Osservatore Romano”, e përditshme e Vatikanit, botoi dje këtë artikull, shkruar nga Giovangiuseppe Califano, Postulator i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël.

Nderim të madh 38 martirëve të kishës dhe lirisë!

Sali BERISHA

Një ditë e veçantë në krejt historinë e lashtë të Shkodrës, krishterimit dhe mbarë qytetërimit perëndimor!
Kisha e Katedrales së Shkodrës ishte pas Selisë së Shenjtë, Selia e dytë e shenjtë e planetit. Me një meshë të papërsëritur kurrë më parë në historinë e mbi 2000-vjeçare të krishterimit, e udhëhequr nga Eminenca e tij, Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, përfaqësues i Atit të Shenjtë, u krye ceremonia e lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare që ranë për të fituar pavdekësinë dhe shenjtërinë në mbrojtje të besimit të tyre tek Zoti, Krishti Mbret dhe liria nga barbaritë e regjimit komunist të Enver Hoxhës!
Fjalët dhe asgjë tjetër nuk mund të përshkruajnë qëndresën, burrërinë, sakrificën e tyre hyjnore mbinjerëzore.
– Por le të shprehim në mirënjohjen tonë të pakufishme për veprën e pavdekshme të martirëve të kishës, mbarë krishterimit, të lirisë dhe qytetërimit perëndimor.
– Për Shkodrën, që sot me qendresën epike të bijve të saj ishte kryezonjë e merituar e besimit dhe moralit njerëzor.
Për Papa Françeskun dhe vendimin e tij hyjnor për t’i lumnuar dhe nisur drejt Zotit 38 martirët e tij.
– Për të gjithë udhëheqësit e Kishës Katolike të Shkodrës, meshtarët e saj dhe të Vatikanit, që me një punë të jashtëzakonshme shumë vjeçare, qëmtuan, vërtetuan, hetuan, vlerësuan, gjykuan qindra mijëra dokumente, dëshmia e fakte, pa të cilat ceremonia e lumnimit të sotëm (djeshëm) do të kishte qenë e pamundur. Nderim të madh 38 martirëve të kishës dhe lirisë!

Pse lufta e pinjollëve me Vatikanin vazhdon?

Do të duhej të ishte një moment reflektimi dita e djeshme e ceremonia e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike. Aq më shumë që sot në pushtet janë bijtë e Bllokut të dikurshëm që e anatemonin Vatikanin si një armik. “Vatikani është një ndihmës i imperialistëve amerikanë”, shkruanin dikur mediat e regjimit diktatorial. Lufta e komunizmit shqiptar dhe pinjollëve të tyre me Vatikanin është e hershme. Ajo daton menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri. “Papati pas Luftës së Dytë Botërore fuqizon lidhjet me qendrën e sotshme të reaksionit botëror dhe kapitalit monopolist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruheshin në mediat revoluciare të diktatorit Hoxha përpara se të arrihej tek mbyllja e kishave dhe xhamive. Lufta ndaj Vatikanit ka qenë e përhershme, sepse në vend të kultit të besimit në Zot, regjimi komunist kërkonte ngritjen e një kulti tjetër të remë, atë të besimit te Partia dhe diktatori. Që të ngrihej ky kult duhej rrënuar ai i besimit. Ndaj sulmi ishte frontal i regjimit. Vatikani shihej si një armik. Regjimi i trembej reagimit të Vatikanit dhe rolit që mund të kishte ai në rrëzimin e ideologjisë bolshevike. Një frikë që rezultoi të ishte e vërtetë. Papa Gjon Pali i II ishte ai që ngriti siparin e ndryshimit në Poloni për rrëzimin e komunizmit.
Lëvizjet dhe mesazhet e tij në vizitën e parë në Poloni në vitin 1979 ishin një tronditje e thellë jo vetëm për regjimin komunist në Poloni, por mesazhet ishin të forta për të gjithë Europën Lindore që në atë kohë ishte në Perandorinë sovjetike. Papa Gjon Pali i II u prit nga miliona qytetarë në Poloni si një shpëtimtar dhe pas asaj dite ata u kthyen në kundërshtarë të regjimit që ishte në fuqi.
Në dhjetë vitet e para të aktivitetit të tij, Papa ia kushtoi pikërisht rrëzimit të sistemit komunist. Mbështetje që ai i dha Lëvizjes Solidarnost në Poloni ishte hallka e parë që çoi në rrëzimin e regjimit të Gjeneralit Woiciech Jaruzelski, i cili u rrëzua 10 vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit të II në Poloni.

Si anatemohej Vatikani në mediat e regjimit komunist?

Kleri anatemohej si e keqja e popullit shqiptar, si bashkëpunëtore me pushtuesit, si sabotatorë të ndërtimit të shtetit komunist në Shqipëri, shkatërrues të rendit të ri në Shqipëri, luajtës së politikës së huaj në Shqipëri, si kundërshtarë të reformave të shtetit të asaj kohe etj.
Tuk Jakova më datë 20 dhjetor 1946 në Gazetën “Bashkimi” shkruan se kleri ka luajtur një rol shumë të madh armiqësor, duke qenë e lidhur ngushtë me regjimin feudal të Zogut, dhe “kanë qenë vazhdimisht bashkëpunëtorë të ngushtë të okupatorëve dhe pushtuesve që kanë skllavnuen e shtypun popullin. Kanë qenë agjenta spiritualë të Italisë fashiste, kanë qenë agjentat më aktivë të Italisë fashiste që kanë punuem me të gjitha mjetet dhe mënyrat për përgatitjen e 7 prillit”.
Akuza e Jakovës ndaj Klerit ishte se këto armë do furnizonin bandat kriminale në ndoj moment dobësie të pushtetit dhe qëllim kishin përmbysjen e pushetit. “Këta elementë reaksionarë të klerit katolik janë kundërshtarë të indipendencës së Shqipërisë, kundërshtarë të rrugës që po ecën populli ynë, lumturisë së popullit, ata gëzojnë kur populli vuan dhe qeshin kur populli qan”. Gazeta “Bashkimi” shprehet hapur kundër Vatikanit, duke e lidhur këtë shtet dhe autoritet fetar me nazizmin gjerman dhe fashizmin italian. “E tillë është përmbajtja esenciale e politikës së pandryshueshme të kishës: autoritet, hierarki, pabarazi. Kjo politikë është reaksionare në parim dhe në natyrën e saj”.
Në gazetën “Arësimi Popullor” e vitit 1950 thuhet se Kisha Katolike e drejtuar nga Papa i Romës është shquar gjithmonë si vatër e obskurantizmit dhe reaksionit. Sipas këtij shkrimi, Vatikani përgjatë ndërrimit të pushteteve ka arritur përmes përshtatjeve artificiale të tij që të ruajë integritetin e vet reaksionar përgjatë historisë. “Papati në kohën e mesme shprehte interesat e feudalizmit, tani po mbron interesat e kapitalit monopolist.
Papati pas Luftës së Dytë Botërore fuqizon lidhjet me qendrën e sotshme të reaksionit botëror dhe kapitalit monopolist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kur diktatura tentonte të ndërtonte njeriun e ri me ide marksiste-leniniste dhe në ndërtimin e socializmit të ri, Vatikani dhe katolicizmi shiheshin si problem dhe për këtë duheshin çrrënjosur me çdo kusht. Pra, tentohej dhe synohej që zemrën, shpirtin dhe vetëdijen e ndërgjegjen e njeriut ta zejë komunizmi si fe, dhe jo feja në vetvete. Në këtë shkrim aludohet dhe propagandohet më të madhe se qarkulli i enciklikave nga Papati i ngjan urdhërave ushtarakë, çka reaksioni i Vatikanit në shoqëri sipas shkrimit bëhet më agresiv dhe del detyra që të luftohet sa më shpejt dhe sa më shumë, me çdo kusht dhe në çdo kohë e mënyrë. “Vatikani është ndihmës i imperialistëve. Imperialistët kanë nevojë jo vetëm për mitraloza që të shtypin popujt që janë nën sundimin e tyre, por edhe për një influencë të përshtatshme ideologjike mbi ta, influencë të përforcuar me autoritetin e besimit dhe të kishës”, çka për Kishën Katolike, por edhe krejt klerin do të ishte shumë e vështirë mbijetesa në Shqipëri.
Propaganda po bëhej gjithnjë e më e fortë dhe më e ashpër. Klima po bëhej gjithnjë e më mbytëse në këtë periudhë. Frika më e madhe që komunizmi i kohës kishte, ishte se kush do të nënshtronte më shumë popullin, kisha apo shteti. Duke qenë se kisha dhe katolicizmi apo besimet fetare në përgjithësi lançojnë përvujtërinë, ndërgjegjen e pastër dhe nënshtrimin, atëherë kisha, kleri, besimet fetare duhej të eliminoheshin dhe vetëm në këtë mënyrë komunizmi do të depërtonte dhe do të kontrollonte masat e gjera të popullsisë.
Regjimi totalitar në Shqipëri bëri që të kishim ateizmin si ideologji shtetërore dhe praktikimi dhe ekzistenca e institucioneve fetare ndalohej me ligj. Totalitarizmi shqiptar kishte nën zotërim gjithçka ndodhte në këtë vend. Vërehej “roli udhëheqës i Partisë së Punës në të gjithë jetën e vendit, politizimi i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, parimi i unitetit të pushtetit, planifikimi i përgjithshëm i administrimit të punëve shtetërore, ideologjizimi i plotë i krejt shoqërisë etj”.
Lufta e pushtetit monist kundër fesë u shoqërua me “aksione dhe nisma të nxitura dhe të organizuara qeveritare çuan në mbylljen e të gjitha kishave, xhamive, vendeve të shenjta, si dhe më pas dënimin dhe arrestimin e kuadrove fetarë e drejtuesve të tre komuniteteve. Institucionet fetare u shndërruan në objekte kulturore, salla për lojëra sporti, apo për magazina prodhimi, kurse objektet e kultit dhe pasuria e tyre e ruajtur dhe pasuar brez pas brezi, u shkatërrua totalisht”. Propaganda kishte arritur kulmin. Masat ishin karikuar mirë ideologjikisht për shpërthimin e disa muajve më pas për të arritur në pranverën apokaliptike të vitit 1967. Shqipëria shpallet vend pa zot.

E mira në këtë tokë pengohet vazhdimisht prej të keqes

Angelo AMATO
Kardinal

1. Është ditë feste sot, e jo vetëm për shqiptarët e pranishëm këtu, në Shkodër, por edhe në shumë qytete të tjera, në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, bijë e madhe e tokës suaj, grua heroike, pasqyrë e zemrës së mëshirshme të Hyjit, gjithnjë pranë zemrës së thyer të çdo qeniejeje njerëzore, nevojtare për ndihmë e ngushëllim, lumnimi i 38 Martirëve shqiptarë u kujton të gjithëve se mbi këtë tokë e mira pengohet vazhdimisht prej së keqes. Megjithatë, protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit nuk janë përndjekësit, por martirët.
Ndërsa përndjekësit davariten, si hijet e zeza, që shuhen përgjithmonë në errësirën e harresës së amshuar, martirët janë pishtarë drite, që shkëlqejnë në qiellin e njerëzimit, duke u treguar të gjithëve fytyrën vërtet të mirë të njeriut, identitetin e tij të thellë si qenie e krijuar sipas shembëllesës e përngjasimit me Zotin.
Megjithëse në ferrin e një përndjekjeje arbitrare dhe të padrejtë, martirët tuaj  treguan para armiqve të tyre të njëjtat ndjenja, mbajtën të njëjtin qëndrim, që pati mbajtur Krishti: falje, besnikëri, qëndresë, vëllazëri, mëshirë. Në këtë mënyrë bëhen busulla, që na orientojnë drejt limanit të së mirës, drejt mbretërisë së Hyjit, që duhet ndërtuar edhe mbi këtë tokë.
Martirët janë dëshmitarët e atij njerëzimi të ri, që nuk mbjell në histori luftëra, përçarje e vrasje të njerëzve të pafajshëm, por paqe, gëzim e vëllazëri, duke lartuar talentet e njëmendta të qenies njerëzore, të krijuar – siç thotë poeti Dante – “Jo për të jetuar si shtazë, por për të ndjekur virtyt dhe dije”.[2]

2. Liturgjia e Fjalës na paraqet tri faza të luftës së amshuar të armikut të Hyjit mbi tokë. Leximi i parë, i marrë prej Librit të parë të Makabejve, flet për popullin e Hyjit, të mposhtur e të poshtëruar prej mbretit Antiok, pushtuesit blasfem, që ndalon flijimet e Tempullit, u lartëson altare dhe tempuj idhujve paganë, djeg librat e ligjit dhe vret gratë e fëmijët. Në këtë stuhi nuk mungojnë heronjtë që i kundërvihen shkatërrimit të kultit ndaj Hyjit të vërtetë. Shkrimi i shenjtë thotë:”Megjithëkëtë, shumica në Izrael ishte e guximshme e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta: më parë zgjodhi vdekjen se të ndotej me ushqime të papastërta e ta thyente Besëlidhjen e shenjtë” (1Mak 1,62-63).
Në Ungjill Jezusi i nxit apostujt të jenë të fortë dhe të guximshëm, kur të dorëzohen në gjyqe dhe të urrehen nga të gjithë për shkak të emrit të tij:”Mos kini frikë – thotë Zotëria – nga ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin” (Mt 10,28).
Shpërblimi për besnikërinë ndaj Zotit shpjegohet në Librin e Zbulesës, i cili flet për lumnimin e atyre që vijnë prej mundimit të madh dhe që i kanë larë veshjet e tyre, duke i bërë të bardha me gjakun e Qengjit. Është turma  e pafundme e martirëve të çdo kombi, fisi, populli e gjuhe, që të veshur me petka të bardha dhe me degë palme në duar, rrinë pranë fronit të Hyjit. Këta”Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes, në fron, Bariu i tyre, do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre” (krh. Zb 7,9-17).

3. Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u takoi martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre shpalosin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur.
Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Jezu Krishti rijetonte mundimet e veta dhe vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë Dom Lazër Shantojës kur u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 dhe pranë Dom Ndre Zadejës kur u pushkatua në Shkodër më 25 mars 1945. Po ashtu, më 4 mars 1946, në orën e pushkatimit, Jezusi ngushëllonte jezuitët Giovanni Fausti e Daniel Dajani, françeskanin Gjon Shllaku, seminaristin Mark Çuni, të riun njëzet e një vjeçar Gjelosh Lulashi dhe babain e familjes Qerim Sadiku.
Veçanërisht mizore qe, për shembull, vrasja e Imzot Frano Gjinit, i ngarkuar prej ipeshkvijve katolikë të dialogonte me regjimin në pushtet. Imzot Gjini u arrestua, u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua dhe pësoi urinë e etjen deri në rraskapitje. I varur në një pemë në oborrin e Sigurimit, u rrah e më pas u hodh në ujërat e zeza. Në fund u ekzekutua më 8 mars 1948 së bashku me 18 vetë të tjerë, meshtarë dhe laikë.[3] Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit që e mbështeste martirin në vuajtjet çnjerëzore të torturave.
Edhe martirët e tjerë – ndërmjet të cilëve arqipeshkvi i Durrëzit, imzot Vinçenc Prennushi – të gjykuar, të dënuar, ndonëse të pafajshëm, të torturuar dhe të vrarë, e ndjenin praninë e Krishtit. Ai ishte pranë tyre. Prej hirit të tij merrnin forcën për ta përballuar me kthjelltësi si dhe me gëzim provën e martirizimit. E dinin se do të kishin pjesë në ringjalljen e Krishtit dhe se gjaku i tyre do të ishte fara për pranverën e Kishës në Shqipëri.

4. Falë Provanisë Hyjnore, druri i Kryqit, i rrahur prej stuhisë komuniste, sot lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të ngjallur. Kisha – duke kujtuar fjalën e Jezusit:”Nëse më salvuan mua, do t’ju salvojnë edhe ju “ (Gjn 15,18-20) – pas shtypjes ka rilindur edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e forcuar edhe prej dëshmisë së bijve të vet martirë.
E dimë se feja nuk kishte vdekur kurrë në Shqipëri. Kur mungonin meshtarët, qenë prindërit ata që pagëzuan fëmijët, i mësuan në fe, bekuan martesat. Njerëzit vijuan të luten e të thonë rruzaren. Vizitoheshin muzetë vetëm për të soditur kryqet dhe figurat e shenjta. Shpesh njerëzit shkonin në kishat e braktisura për t’u lutur. Kremtoheshin fshehurazi të kremtet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve. Pavarësisht nga ndalimi i emrave të krishterë, fëmijët shpesh në shkollë thirreshin me emrin shekullar, ndërsa në shtëpi, me atë të pagëzimit. Lexoheshin fshehurazi Bibla dhe librat fetarë.
Pasi kaloi stuhia, më në fund dielli i lirisë shkëlqeu përsëri mbi popullin tuaj të fortë dhe guximtar. Kur mjegulla e terrorit u davarit në vitin 1990 njerëzit filluan t’i uronin përsëri njëri-tjetrit duke buzëqeshur: “Gëzuar Pashkët”. U mbyllën përfundimisht muzetë e ateizmit në Tiranë dhe në Shkodër dhe më 4 nëntor të vitit 1990 u kremtua një meshë në kapelën e varrezave të Shkodrës, pasuar nga Mesha e dytë, me pjesëmarrjen e rreth 50.000 besimtarëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së Shqipërisë. Kisha shqiptare, me ipeshkvijtë e vet, meshtarët dhe besimtarët, është si një lis shekullor, që erërat as stuhitë nuk mund ta shkulin, sepse mbetet i rrënjosur fort në fenë e Krishtit.

5. Po si duhet reaguar përballë mujshive të një diktature çnjerëzore e gjakatare? Le të kujtojmë e le t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Françesku:”Mos i harroni plagët, por mos merrni hak. Ecni përpara duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe”.
Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar katolikët duhet të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i  falin, ata që i  përndoqën, i keqtrajtuan, i vranë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, për ta jetuar me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit.
Pas disa ditësh Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Kryedioqezës së Shkodrës, që shpëtoi gjallë nga  përndjekjet. Fjalët e tij të para ishin:”Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm”.
Shqipëria, vendi i shqipeve, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), të quajtur Athleta Christi nga papa Kalisti III, ka në Nënë Terezën e Kalkutës dhe në Të Lumët Martirë të shekullit të kaluar, heronj të tjerë të lavdishëm të fesë e të atdheut, që përhapin në botë emrin e mirë të popullit shqiptar.

“Fjala e mbajtur në ceremoninë e Lumturimit të 38 martirëve”

Dje, të fundmit ishin vërtet të parët

Dje, të fundmit ishin vërtet të parët: martirët në elter e familjarët e tyre në rreshtat e para të Kishës së Madhe. Festa e jashtëzakonshme në Shkodër, lumnimi i 38 martirëve të parë të komunzimit, dëshmitarë të Krishtit për gjithë Kishën Katolike universale, nis kështu, me perceptimin se “Ata që kaluan provën e madhe” rrinë me të vërtetë në të djathtën e Zotit.
Qyetarët shkodranë,  besimtarë të të gjitha feve, ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova fqinje e nga Mali i Zi, por edhe nga Kroacia, për don Serafin Kodën e për don Anton Muzajn, nga Gjermania, për don Alfons Trackin dhe për don Zef Maksen, nga Brescia e Italisë, nga Roma e ndërmjet grupit edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, nga Nju Jorku… e grupet nuk kanë të numëruar. Me flamujt e me këngët e tyre, por edhe me lutjet gjatë meshës, që u lexuan në shqip, kroatisht, gjermanisht e italisht. Në gjermanisht lexoi vetë e mbesa e don Zef Maksenit, gjermanit, që u pushkatua më 1946, duke thënë “Des i lumtun, tuj mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”. E ashtu u kujtua sot, si të gjithë të tjerët, që nuk e përlyen rroben me bashkëpunim me komunizmin, por preferuan të hynin në histori si martirë.
Sheshi i Shën Pjetrit ishte zhvendosur në Shkodër. Kisha e Madhe ishte mbushur plot brenda e jashtë e përtej: pleq e të rinj, mbushur sytë me lot, me vetëdijen se kjo është e do të mbetet një ditë e shënuar në histori. Kishin mundur të dalin, për të marrë pjesë, edhe motrat karmelitane, që dalin nga kuvendi vetëm për ceremonitë e Papës; edhe motrat klarise; dalloheshin motrat e Nënë Terezës, që dëshmonin se edhe shenjtorja bamirëse shqiptare ishte aty në këtë ditë të madhe, e pastaj, stigmatinet e Marie Tucit, motër Marie Kaleta, që mallëngjeu Papën Françesku, françeskanët, në oborrin e të cilëve, pema e vuajtjeve dhe e torturave i ushqeu rrënjët e veta me gjak martirësh. Vargu i kardinajve të Kishës Katolike, i ipeshkvijve dhe i meshtarëve dukej sikur nuk mbaronte kurrë. Elteri u ngjye në të kuqen e rrobes së kremtimit, pikërisht si gjaku i martirëve, para të cilëve e ulën sot të gjithë kryet. I dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, vuri në dukje torturat mizore e kalvarin nëpër të cilin kaluan 38 dëshmitarët e Krishtit, histori të përshkruara edhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kur ia paraqiti emrat e tyre një për një, para se të shpalosej fugurja e imzot Vincenc Prennushit me shokë, krijim artistik i Edmond Papathimiut.

Mesha e parë që shënoi fillimin e rënies së diktaturës

Më 4 nëntor, kujtojmë 26-përvjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varrezat e Shkodrës, më 4 nëntor 1990, nga prifti dom Simon Jubani. Kremtimi i kësaj Meshe për Shqipërinë shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në vend.
Prifti dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën, i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste në emër të Zotit e të Atdheut.
Dom Simoni e sfidoi publikisht diktaturën ateiste komuniste, me aktin  e shenjtë të kremtimit të Eukaristisë-Meshës, akt ky të cilin regjimi  e kishte ndaluar rreptësisht, duke menduar se do t’ua ndalonte besimin qytetarëve, për çka mbylli Kisha e Tempuj kulti, për çka vrau priftërinj, klerikë të feve të ndryshme dhe qytetarë besimtarë që besonin në Zotin.
Po, dom Simon Jubani e sfidoi regjimin diktatorial ateist me aktin më të shenjtë të krishterë, me kremtimin e Eukaristisë (Meshës) që sjell, kremton, përkujton e shpall praninë e Krishtit Zot në mesin e popullit të tij. Eukaristia përherë kujtoi e vazhdon të na kujtojë se e Mira ngadhënjen mbi të keqen, Drita mbi errësirën, Dashuria mbi urrejtjen, Ringjallja mbi vdekjen. Qe pikërisht Eukaristia Shenjtë që kumtoi Agimin e një epoke të re për shqiptarët.
Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar që nuk e kishte harruar Zotin, që nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.
Atë ditë të 4 nëntorit 1990, një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në altarin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës së Shkodrës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.
Sot, pas 26 vjetësh, po kujtojmë Meshën kremtuar në varreza të Shkodrës nga dom Simon Jubani, pikërisht me protagonistin. Nga arkivi zanor i Radio “Vatikanit” kemi shkëputur një pjesë nga intervista e dom David Xhuxhës realizuar me rastin e 10-vjetorit të Meshës së 4 nëntorit 1990 me dom Simon Jubanin, që kujton, kontestualizon e vlerëson atë akt të shenjtë e atë ngjarje historike për Shqipërinë.

Si diktatorët i magjepsnin turmat

Pse pikërisht ai? Sepse në një moment të caktuar të historisë një njeri i vetëm merr pushtetin dhe e ushtron në mënyrë despotike dhe pa kontroll? Gjenerata psikanalistësh kanë rrëmuar në biografitë e Hitlerit, Stalinit e Mussolinit në kërkim shenjash paralajmëruese apo psikopatish që u kanë shpëtuar diagnozave. Gjithçka e kotë. Tipari i vetëm i personalitetit që duket se kanë të përbashkët diktatorët e mëdhenj të Nëntëqindës nuk ka asgjë patologjike: është aftësia për të komunikuar. Të gjithë qenë oratorë brilantë, shprehnin pikëpamje të privuara nga sfumatura dhe projektonin zgjidhje të thjeshta ndaj problemeve komplekse të shoqërisë. Gjë që të çon në një konkluzion të natyrshëm: kërkimi për të kuptuar lindjen e regjimeve totalitare duke u përqendruar mbi personalitetin e diktatorit jo vetëm që është shterpë, por edhe deri diku mashtruese. “Të njohësh një tiran si të çmendur apo të devijuar dhe t’i atribuosh përgjegjësinë e plotë të asaj që ka ndodhur është komode: është koka e turkut klasike që i kënaq të gjithë”, paralajmëron Giovanni Foresti, psikanalist i Qendrës milaneze të Psikanalizës që ka studiuar thellësisht gjenezën e diktaturave. “Në realitet, diktatori është vetëm maja e ajsbergut, zëdhënësi i një ndjenje të përbashkët: midis diktatorit dhe popullit të tij ekziston një raport reciprociteti, për të cilin çmenduria e njërit transmetohet tek tjetri dhe anasjelltas”. Deri gjatë ekspozimeve më delirante dhe veprimeve më të habitshme të tyre, diktatorët duhen, dashurohen dhe mbështeten. Si ka mundësi?
Më i sëmuri. “Një refleksion i parë mund të vijë nga studimet e Wilfred Bion, psikanalist britanik që ka studiuar thellësisht dinamikat e grupit”, vëren Foresti. “Sipas Bion, një grup në vështirësi – siç mund të ketë qenë një popull i traumatizuar nga lufta dhe në mëshirën e krizës ekonomike – tenton që të zgjedhë spontanisht si lider anëtarin më të ‘sëmurë’ të tij”. Domethënë, nuk synon në personat më inteligjentë apo më të aftë, por tek ata më ekstremë, më të vendosur dhe pse jo, të çuditshëm, në gjendje që të konceptojnë idetë më të guximshme dhe t’i vënë në praktikë. Në thelb, duhet dikush i gatshëm që të “bëjë punën e pistë”. Me pak fjalë, diktatori nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe aq më pak gjeniale, është thjesht njeriu i duhur në momentin e duhur, ai që di të mishërojë dëshirat dhe aspiratat e fshehta të popullit të vet. Mussolini paraqitej si “njeriu i Hyjnisë”, Hitleri si “njeriu i dërguar nga fati”. Të dy gërshetuan gjendjet shpirtërore të bashkëkombasve të tyre dhe fituan pushtetin duke kalëruar mbi pakënaqësinë dhe krenarinë e plagosur të popullit të tyre, si dhe duke u paraqitur atyre një projekt optimist rilindjeje. Walter Langer, psikanalisti amerikan që në vitin 1943 mori detyrën që të hartojë një studim mbi personalitetin e Adolf Hitlerit, zbuloi se ai njeriu me mustaqe dhe me pamjen paksa si në jerm, në fillimet e karrierës së tij u përqesh nga intelektualët, të bindur se nuk mund ta zgjaste shumë. Domethënë, edhe kush kishte instrumentet për ta kuptuar e nënvlerësoi potencialin e tij. Nga ana tjetër, qenë ende të paeksploruara efektet e mjeteve të reja të komunikimit në dispozicion të propagandës: nga afresket e kishave dhe statujat nëpër sheshe ishte kaluar tek radioja dhe tek kinemaja, që lejonin të komunikohej në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë popullin. Siç ka nënvizuar filozofja gjermane Hannah Arendt “në mënyrë tipike diktatorët i drejtohen asaj pjese të shoqërisë që nuk del në votime, që nuk është shfaqur asnjëherë në skenën politike”. Praktikisht, “masa” ishte një bashkëbisedues i ri dhe i papjekur, që vepronte dhe arsyetonte si një individ i vetëm. Një individ paksa “budalla”.
Njeriu masë. “Senatores boni viri, senatus mala bestia”, thoshin romakët e lashtë. Nëse senatorët e marrë individualisht janë njerëz të zotë, Senati në tërësinë e tij është një “kafshë e keqe”. Pse? “Infektimi emotiv i të tjerëve redukton aftësitë kritike dhe shpërgjegjëson”, shpjegon Elena Toto, psikoterapeute eksperte në dinamikat e grupit, “aq sa secili prej nesh, në brendësi të grupit, bëhet më lehtësisht pre e instinkteve: boll të shikosh se çfarë ndodh nëpër stadiume të dielave”. E kuptoi edhe mendimtari francez Gustav le Bon, i cili në vitin 1895 dërgoi për shtyp “Psikologjia e turmave”, libër që u bë shpejt një tekst i shenjtë për aspirantët diktatorë. Ata që lexuan Le Bon qenë patjetër Hitleri, Stalini e Mussolini (që deklaroi se ishte një admirues i tij), me shumë gjasa edhe Franco. Sipas analizës së Le Bon (që i kishte parasysh mirë tepritë e dhunës të arritura nga turmat gjatë Revolucionit francez) masa është më “primordiale” sesa individi, arsyeton më shumë me bark sesa me kokë, drejtohet nga emocionet më shumë sesa nga mendimi kritik. Mbi këto baza, Le Bon konkludonte se shoqëritë demokratike do të karakterizoheshin pashmangshmërisht nga mediokriteti. Pikërisht sepse masa, prej natyrës së saj, tenton ndaj regresionit, më mirë të kontrollohet e të drejtohet nga një njeri i vetëm që ruan një individualitet të dorë. Ja pse, sipas Le Bon, turmat preferojnë tiranët në vend të krerëve të mirë: duan një figurë autoritare në gjendje të shkaktojë frikë, por edhe respekt, të cilit t’i delegojnë çdo përgjegjësi.
Pesha e lirisë. Duket se diktatorët kanë vënë thesar me teoritë (sot kontradiktore) të Le Bon. Hitleri shkroi në “Mein Kampf”: “Masat nuk dinë se çfarë të bëjnë me lirinë dhe duke dashur t’u mbajnë peshën, ndjehen si të braktisura. Ato admirojnë vetëm forcën, brutalitetin, janë të gatshme që të nënshtrohen”. Stalini ishte i të njëjtit mendim: “Liria? Vetëm ata që kanë iluzione dhe janë të fortë jetojnë në këtë besim. Por njerëzimi është i dobët dhe ka nevojë për bukë dhe autoritet”. Gjithmonë Hannah Arendt vërente se “regjimet totalitare karakterizohen nga pak programe konkrete dhe nga një thirrje e vazhdueshme ndaj bindjes”. Në kulmin e pushtetit Hitleri refuzonte të fliste për programin e vet politik (pa e abroguar zyrtarisht). Idem Stalini, që vazhdoi ta zhveshë doktrinën marksiste nga përmbajtja, duke adoptuar qasje që e kundërshtonin hapur. Me filozofinë e aktivizmit, Mussolini vendoste gjithçka në momentin historik dhe “se nuk e vriste mendjen” për programet, copëra letre të kota. Koncept tjetër i theksuar vazhdimisht ishte pagabueshmëria e kreut (në Itali: “Duçja ka gjithmonë të drejtë!”), që e rriste pushtetin e kushtëzimit dhe mundësonte të justifikohej çdo jokoherencë: diktatorët mund të ndryshonin rrënjësisht ide, derisa të mohonin atë që vetë ata e kishin afirmuar me krenari më parë.
Urrejtje dhe dashuri. Një mjet i përkohshëm i adoptuar për të forcuar kohezionin e turmës ishte krijimi dhe në mënyrën më të prerë të mundshme i një armiku. Hitleri arrin t’i bindë të gjithë se hebrenjtë qenë armiqtë e natyrshëm të “arianëve” (një koncept shkencërisht i privuar nga kuptimi, por përdorimi instrumental i shkencës është një karakteristikë tjetër e diktaturave). Stalini e spastroi partinë e tij nga rivalët potencialë (përfshi miq dhe të afërm) duke i akuzuar se ishin “armiq të popullit” dhe se komplotonin kundër tij. Nga ana tjetër, frika se mos goditen prapa krahëve është tipike e tiranëve. Ciceroni rrëfente sesi Dionisi, tirani i Sirakuzës, “prej etjes së tij të padrejtë për pushtet kishte hyrë në burg vetë. Bile, për të mos ia besuar qafën e tij një berberi, u mësoi vajzave të tij që ta rruanin dhe ta qethnin. E megjithatë, kur tashmë qenë të rritura, e largoi hekurin nga këto dhe vendosi që t’ia digjnin mjekrën dhe flokët me lëvozhga arrash të ndezura”. Por raporti që lidh turmën me diktatorin është para së gjithash një raport dashurie. “Sipas Sigmund Freud, tirani është një surrogat i figurës atërore ideale, që ja kanë frikën, por prej të cilit ndjehen të mbrojtur”, vazhdon Foresti. “Janine Chasseguet-Smirgel, psikanaliste franceze, shkon më tej: më shumë se atë të babait autoritar, diktatori evokon figurën – shumë më të fuqishme – të nënës posesive”. Hitleri krijonte një klimë “shkrirjeje” me popullin e tij duke i promovuar apelin mistik dhe primitive të gjakut dhe të tokës (Blut und Boden). Të njëjtin efekt ngjallnin disiplina, ecja me të njëjtin ritëm, uniforma e njëjtë për të gjithë, një simbol dhe një përshëndetje me të cilin të identifikohesh. Ndjenja e simbiozës u mundëson mendimeve që të qarkullojnë, të infektohen reciprokisht, të kenë një efikasitet më të madh. Mekanizmi biologjik në bazë është sot e mirënjohur dhe quhet “neurone pasqyrë”: është tendenca natyrale për të imituar dhe për t’u pasqyruar tek të tjerët. Evolucioni e ka favorizuar, sepse mundëson që të mëson të qëndrosh në botë, të integrohesh në bërthamën sociale dhe deri të dashurojë. Dhe diktatorët më të fortë janë mbi të gjitha të dashur nga njerëzit.
Diktatori? Për njerëzit e lashtë ishte një punë me afat. Fjala diktator (nga latinishtja dictator) në kulturën e lashtë romake kishte një domethënie ushtarake. Bëhej fjalë për një figurë të lindur pas fundit të monarkisë ose, sipas disave, në shekullin V BC si kundërpërgjigje ndaj vështirësive për të bërë dakord me njëri-tjetrin konsujt e Republikës, shpesh të përçarë nga rivalitete dhe diatriba. I zgjedhur fillimisht midis ish-konsujve (dhe nga viti 356 BC edhe midis përfaqësuesve të plebës), nga fundi i shekullit III BC diktatori u bë një post i zgjedhshëm, të cilit i besohej në momente vështirësie. Diktatori ishte mbi të gjithë magjistratët (por jo mbi ligjin) dhe qëndronte në post jo më shumë se 6 muaj. Por Jul Cezari, në vitin 47 BC u shpall diktator i përjetshëm. Pas vdekjes së tij, posti u abrogua.
Alla grekçe. Kurse tiranët grekë qenë më të ngjashëm me diktatorët modernë. Të përhapur sidomos në Magna Grecia, në fillim (shekulli V BC) qenë krerë ushtarakë që garantonin sigurinë e qytet–shtetit. Qe ky rasti i Dionisit të Sirakuzës (tiran midis viteve 405 e 367 BC) despot – model i lashtësisë. Midis athinasve, tirania shikohej si një degjenerim i monarkisë. Në fakt konsiderohej një formë despotizmi oriental, i ngjashëm me absolutizmin e mbretërve persianë, të cilëve u kundërvihej qeveria asemblare tipike e Athinës klasike.

Kështu flisnin diktatorët
Ja rregullat për një të folur bindëse, të nxjerra nga analiza e diskutimeve të diktatorëve të mëdhenj.
–    Mëshimi më shumë mbi ndjenjat sesa mbi arsyen: më mirë pasioni sesa koherenca. Në fund të fundit, fjala “dashuri” është përdorur shumë në diktatura (Mussolini: “Do të doja që një ditë italianët të dinin të kujtonin se para së gjithash i kam dashur”).
–    Përhapja e shpresave religjioze, politike dhe sociale: nevoja për të besuar është një forcë arkaike e njeriut.
–    Të qëndruarit besnik ndaj traditës së baballarëve. Turmat janë konservatore dhe u frikësohen risive.
–    Krijimi i një besimi të pakushtëzuar tek kryetari, për sa është i pagabueshëm: “Duçja ka gjithmonë të drejtë!”.
–    Dhënia e një imazhi fitimtar të vetes, të sigurtë në vetvete. Dukja është më e rëndësishme sesa substanca.
–    Përdorimi i miteve, që kanë një forcë bindëse më të madhe pasi lëvizin vetëdijen dhe shmangin konfrontimin me realitetin. Hitleri i bëri apel mitit të racës ariane, Mussolini atij të romanizmit perandorak.
–    Falsifikimi i realitetit në mënyrë funksionale, me qëllim që të bëhet e pamundur ndarja e të vërtetës nga falsja. Në diskutimet e tij Stalini përhapte ide (false) konspiracionesh kundër revolucionit që ftonin të bëheshin denoncime anonime. Joseph Goebbels, ministër i Propagandës i Rajhut të Tretë, teorizonte se “çdo gënjeshtër, në qoftë se përsëritet shpesh, do të transformohet gradualisht në të vërtetë”.
–    Nxitja e pjesëmarrjes dhe e emulacionit. Hitleri thoshte: “Vepro në mënyrë të atillë që sikur Fyhreri ta shikonte, do ta miratonte veprimin tënd”.
–    Përdorimi i shpeshtë i fjalës “popull”. Eliminohet kështu ndjenja e individualitetit implicit në shprehje të tilla si “qytetarët” apo “personat”.
–    Përdorimi i sloganeve, aksiomave, pohimeve të mprehta që shprehin siguri, jo deduksione. Të famshëm sloganet fashiste: “Të marshosh për të mos u dergjur!”, “Të besosh, të bindesh, të luftosh”.
–    Përsëritja e të njëjta koncepteve: “Propaganda efikase duhet të kufizohet në pak kryefjalë të përsëritura me breshëri pa ndërprerje”, shkruante Hitler.
–    Përdorimi i parashikimeve dhe profecive për t’ju drejtuar aspiratës njerëzore në një botë në të cilën gjithçka është e kuptueshme, e qartë, e parashikueshme.

(Nga Storica)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

SHBA-Rusi, katër skenarët e luftës

Carlo JEAN

Raportet midis Uashingtonit dhe Moskës nuk kanë qenë kurrë kaq të këqija sesa pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë. Evropa Perëndimore ka ndjekur me gjysmë zemre aleatin e saj të fuqishëm përtej oqeanit, nga ku vazhdon të varet për sigurinë e saj.
Ajo Lindore ka theksuar “proamerikanizmin” e saj, pasi vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’ia garantojnë. Të kuptohemi, ekziston një limit: asnjeri nuk synon që të shkatërrohet për të mbrojtur shtetet balltike. As vetë këto të fundit, që nuk duan të transformohen në një fushëbetejë bërthamore. Atëherë, çfarë të bëhet? Dukej se në Siri marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës qenë duke u përmirësuar. Ekziston midis dy fuqive të mëdha interesi i përbashkët për të shkatërruar Shtetin Islamik (IS) dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Por armëpushimi i sponsorizuar nga të dyja ka dështuar me shpejtësi. Moska ka mbetur rob i ndihmës ushtarake të dhënë Al-Asadit. Ambiciet e politikës së saj prej fuqie (të përfitojë nga dobësia strategjike e Obamës për të rifituar rangun e fuqisë botërore) kanë rezultuar tepër të forta për të pasur të drejtë nga interesa të tilla kontigjente. Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Në rast agresioni në Europën Lindore (fillimisht i kufizuar në Estoni e Letoni, ku jetojnë minoranca të konsiderueshme rusishtfolëse), janë të ndryshme opsionet e Uashingtonit, domethënë të NATO-s.

I pari: Eskalimi. Ai do të çonte me probabilitete të larta në përdorimin e armëve bërthamore. Ka pak të ngjarë që për vendet balltike Uashingtoni të rrezikojë, akoma më pak që NATO të planifikojë një përdorim të qëllimshëm të tyre. Vetë shtetet balltike do t’i kundërviheshin, shumë shtete europiane do të tërhiqeshin. Shkurajimi nuk mund të jetë i bazuar as mbi sistemet konvencionale të Prompt Global Strike, as mbi kërcënimin për të fundosur anijet ruse në Detin Balltik dhe në Detin e Zi.

I dyti: Një kundërofensivë. Praktikisht e pamundur në Europë përveçse në perspektivë të largët, duke pasur parasysh çarmatimin e ndodhur të anëtarëve europianë të NATO-s. Për një studim të kohëve të fundit të RAND Corporation, raportet e forcës në favor të Rusisë do të ishin 7:1 për tanket, 5:1 për mjetet e blinduara, 4:1 për artileritë, 5:1 për helikopterët luftarakë. Aeronautikat NATO nuk do të mund të rivendosnin një ekuilibër, duke pasur parasysh fuqinë e raketave të reja kundërajrore ruse, nga S-300 tek S-400. Raprezalja mund të kryhet në teatro periferikë: në Lindje të Mesme, me përdorimin e forcave tokësore dhe me bombardime masive të forcave të Al-Asad; ose në Ukrainë, me transferimin e armatimeve moderneve tek forcat e Kievit; ose akoma në vetë Rusinë, me një mbështetje më të madhe saudite ndaj Emiratit të Kaukazit dhe forcave islamike të Azisë Qendrore e të oblasteve me shumicë myslimane. Një iniciativë e tillë do të kishte shanse të mira arritjeje: myslimanët rusë, në pjesën më të madhe sunitë dhe me imamë të shkolluar në Arabinë Saudite, manifestojnë padurueshmëri në rritje ndaj mbështetjes së Moskës për Sirinë dhe Iranin shiit.

I treti: Eskalimi ekonomik, në zanafillën e fazave më të nxehta të Luftës së Ftohtë. Moska nuk mund t’i rezistojë, është shumë më e dobët sesa në kohën e Bashkimit Sovjetik. Do të duhet të bllokohen eksportet e naftës nga Rusia, të minimizohen ato të gazit, të rivendoset kontrolli i teknologjive më të avancuara, strategjike dhe jo, të bllokohet aksesi i vendit në sistemin financiar ndërkombëtar, të ngrihen depozitat e rusëve në bankat perëndimore. Moska do të vihej përballë alternativës që të tërhiqej ose të bëhet partneri i vogël i Kinës.

I katërti: Pranimi i faktit të kryer (pushtimi rus i vendeve balltike). Do të ishte fundi i NATO-s dhe i besueshmërisë amerikane në botë, pse jo edhe fillimi i finlandizimit të Europës. Lituania dhe Polonia do të bëheshin objektivat e ardhshëm.
Pushtimi i provincave estoneze dhe letoneze, ku jetojnë minoranca të konsiderueshme ruse apo të Ukrainës për t’i bashkuar Moskës “Rusinë e re” të pushtuar nga caresha Katerinë, nuk mund të jetë i kufizuar. Shuma të mëdha do të ishin rreziqet e një reagimi perëndimor në periudhën afatmesme. Në Ukrainë, konflikti do të bëhej total. Rusia do të synonte që të rindërtonte një lidhje tokësore me Krimenë, tashmë pjesë e Federatës dhe do të pushtonte të gjithë anën bregdetare të Detit të Zi, përfshi Odesën, duke e ndarë pjesën tjetër të Ukrainës nga deti. Putini e kupton se tashmë i ka humbur ukrainasit dhe se afrimi i vendit me Perëndimin është i pakthyeshëm. Korridori bregdetar do të zgjatet deri në Transnistri, duke kërcënuar pavarësinë e Moldavisë. Edhe në Europën Lindore, Rusia nuk do të mund të ndalej. Do të duhej të kërcënonte Lituaninë dhe ndoshta edhe Poloninë, duke realizuar një lidhje tokësore me Kalingradin. Në dy samitet e fundit të NATO-s dhe në kryeqytetet e vendeve balltike, europiane qendrolindore dhe sot edhe skandinave, janë të shpeshta denoncimet e agresivitetit rus dhe preokupimet mbi shpërthimin e një lufte, si “hibride”, ashtu edhe konvencionale. Të gjithë studimet e kryera lidhur me këtë temë i atribuojnë Rusisë kapacitetin për të pushtuar ushtarakisht të dy shtetet balltike brenda pak ditësh. Gjeografia ua pengon mbrojtjen e drejtpërdrejtë, cilido qoftë entiteti i forcave NATO të rreshtuara aty.
Kështu, siguria e tyre mbetet e bazuar tek shkurajimi, domosdoshmërisht bërthamor, por e privuar nga mbrojtje të avancuara që u mundësojnë organeve të Aleancës të marrë vendime lidhur me si të reagojë ose jo. Për të qenë i vlefshëm, shkurajimi duhet të jetë i besueshëm. Një mbrojtje e avancuar, si ajo e Luftës së Ftohtë, themelore për çiftin euro–amerikan, nuk është e realizueshme. Në studimin e sipërpërmendur të RAND Corporation vlerësohet se janë të nevojshme 7 brigada vetëm për t’i dhënë NATO-s kohën e nevojshme që të vendosë. Në samitin atlantik të verës 2016 është vendosur që të rreshtohen 4 batalione, nga një për secilin prej tri shteteve balltike dhe i katërti në Poloni. Është pranuar se përdorimi i armëve bërthamore mund të bëhet i pashmangshëm. NATO ka vendosur që të bazohet mbi trip-wire deterrence: jo edhe aq pse beson në efikasitetin e saj, sesa prej mungesës së alternativave të vlefshme. Do të duhej të hartoheshin strategji më të besueshme, që nuk mundësojnë një shantazh bërthamor nga ana e Moskës në mbrojtje të sulmeve të kufizuara apo të agresioneve të kryera me strategjitë e luftës hibride, të eksperimentuara me sukses në Ukrainë. Ambiguiteti i tyre do të bënte të mundur një reagim të menjëhershëm të Aleancës, ndërhyrja e të cilës i nënshtrohet unanimitetit të Këshillit Atlantik. Aleanca është para së gjithash politike, jo ushtarake. Kështu që është e pamundur t’u kërkohet një vendim komandave ushtarake. Në rast emergjence, një vendim do të kishte të ngjarë të merrej nga vetë Shtetet e Bashkuara.
Modifikimi i status kuosë territorial pas Lufte të Ftohtë, i ndodhur me aneksimin e Krimesë, e ka kthyer NATO-n në rolin fillestar të saj: mbrojtjen kolektive të shteteve anëtare. Ndoshta në fillimin e viteve Nëntëdhjetë do të kishte qenë e mundur të krijohej një hapësirë paneuropiane e sigurisë. Sipas shumave, zgjerimet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian në Lindje e kanë bërë të mundur: më 1991, 80 për qind e rusëve kishin një mendim të favorshëm për Shtetet e Bashkuara; sot është 20 për qind. E konsideroj jo krejtësisht të besueshëm një vizion të tillë. Bashkimi Sovjetik ishte copëzuar përpara zgjerimeve; George H.W. Bush ka shkuar në Ukrainë në qershor të 1991 për të kërkuar që ta bindte të hiqte dorë prej shkëputjes nga Rusia, që e konsideronte thelbësore për stabilitetin euraziatik e global. Nuk ia arriti dhe Bashkimi Sovjetik u copëzua në Tahkent në dhjetor të 1991. Pasoi një periudhë konfuze që nuk degjeneroi në shkëputje apo luftëra civile të tjera sidomos prej patriotizmit dhe ndjenjës së detyrës të oficerëve rusë. Por oreksi vjen duke ngrënë. Ka mundësi që Uashingtoni nuk ka besuar kurrë në shpirtin e Pratica di Mare: me propozime të reja të zgjerimit të NATO-s, me denoncimin e Traktatit të ABM-së dhe revolucionet me ngjyra e ka poshtëruar Rusinë deri në pikën që ia ka provokuar reagimin. Putini e ka konsoliduar pushtetin e vet të brendshëm me patriotizmin dhe me ringritjen e krenarisë ruse. Realizimi i tij është bashkuar me një kapacitet strategjik të madh. Kjo e fundit ka mbizotëruar ndaj joefikasitetit strategjik të pavendosmërive të Barack Obama. Putini ka vepruar përpara tij disa herë, duke e kapur në befasi. E mbështet opinioni publik, i kënaqur që ka gjetur një lider që shëron poshtërimet e pësuara.
Kështu, gjeopolitika është kthyer në qendër të historisë. Globalizimi dhe multilateralizmi, edhe në formën e tij të rajonalizmit, janë në krizë. Është rishfaqja e politikës tradicionale të forcës: forca ushtarake vlen akoma. Konfliktet nuk përfshijnë më as vetëm shtetet e dobëta, as kanë të bëjnë me kërcënime joshtetërorë, si terrorizmi apo pirateria. Mund të përfshijnë drejtpërsëdrejti fuqitë e mëdha. Dy zonat më të rrezikshme për konfliktualitetin e ri: istmi pontoballtikas dhe Deti i Kinës Jugore. Një konflikt në zona të tilla nuk mund të mbesë i kufizuar. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë vizione të ndryshme ndaj të ardhmes së sistemit ndërkombëtar. Moska dhe Pekini nuk pranojnë më rregullat që pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë diktuar nga Shtetet e Bashkuara, hegjemon global. Për Europën, përdorimi i forcës nuk është më vetëm një opsion. Qeveritë e saj nuk mund të vendosin më nëse të ndërhyjnë ose jo në bazë të konveniencave të momentit. Planifikimi i mbrojtjes nuk mund të finalizohet më thjesht në furnizimin e diplomacisë, instrumentet ushtarake me të cilat të transmetojë “sinjale”, siç ka ndodhur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë me operacionet jashtë zone në luftën globale kundër terrorit. Kanë qenë distraksione të kushtueshme dhe joefikase, sidomos në Lindje të Mesme. Kështu, nevojitet që të rimendohet strategjia e planifikimi i forcave të armatosura dhe ridhënie besueshmëri shkurajimit, por pa ekzagjeruar që të mos bihet në spiralen perverse të një gare të re armatimi.
Europianët duhet të braktisin besimin e verbër në mbrojtjen e nënës Amerikë. Si gjë të parë duhet të rikuperojnë një kulturë strategjike. Nuk duhet më ta marrin për të mirëqenë se një konflikt i madh në Europë nuk mund të shpërthejë. Sigurisht, sot është e pamundur, por planifikimi i forcave duhet të mbështetet mbi skenarin më të keq, për të shmangur pikërisht ndodhjen. Një konflikt midis NATO-s dhe Rusisë nuk do të ndodhte në boshllëk. Do të ishte pashmangshmërisht i lidhur me asetet gjeopolitike globale, në mënyrë të veçantë me sistemin Azi–Paqësor dhe me ekonominë botërore. Kina do të avantazhohej, duke përfituar nga dobësimi kontekstual i Rusisë dhe i Shteteve të Bashkuara.
Sot Kontinenti i Vjetër është një “profet i çarmatosur”. Për më tepër, është i përçarë midis shteteve të ndryshme që paraqesin pika të dobëta të ndryshme – jo vetëm strategjike, por edhe psikologjike – ndaj Rusisë. Të mërzit pjesa tjetër e botës me deklaratat retorike të saj lidhur me meritat e të drejtave të njeriut, të paqes, të demokracisë dhe të kapitalizmit liberal. Mendon se modeli dhe parimet e tij janë më morale sesa ato të të tjerëve dhe që, për pasojë, janë të destinuar domosdoshmërisht që të ndahen nga pjesa tjetër e botës. Ka humbur kuptimi i historisë, në të cilin kanë mbizotëruar gjithmonë jo të mirët dhe të drejtët, por të fuqishmit dhe realistët. Shpirti i samitit në Pratica di Mare është zhdukur krejtësisht. Moska ka në zhvillim një program armatimi të madh. Kapacitetet strategjike të Putinit përbëjnë një shumëfishues thelbësor të fuqisë së tij. Situata strategjike e Europës Qendrolindore dhe balltike është kritike. Për momentin, siguria e istmit pontoballtikas garantohet nga Shtetet e Bashkuara, të preokupuara – siç qe në Paqen e Versajës gjeopolitikani dhe diplomati anglez Halford Mackinder – të ndajnë me shtetet e Antantës së Vogël popullsitë gjermanike dhe ato sllave. Sot Uashingtoni kërkon që të shmangë atë që quhet Gjerusi, domethënë bashkimin e teknologjisë të Gjermanisë me resurset natyrore ruse. Impenjimi amerikan ka limite të rënda në rastin e një Blitzkrieg rus, por do të kishte efikasitet si strategjik, ashtu edhe ekonomik në periudhë afatmesme. Rusia nuk i ka në fakt as resurset për një luftë të zgjatur apo për një Luftë të Ftohtë të re, as ekonominë që mund t’i rezistojë një lufte ekonomike amerikane. Do të bëhej një vasale e Kinës, duke rënë nga shiu në breshër.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara përjetojnë një krizë në politikën e jashtme të tyre, dështake gjatë dy presidencave të Barack Obama. Ka pushuar bipartizanllëku që kishte karakterizuar Luftën e Ftohtë, në bazë të besueshmërisë strategjike dhe për pasojë, të lidershipit të Uashingtonit. Megjithëse duke u varur si më parë nga garancitë e sigurisë së tij, aleatët nuk i besojnë më Amerikës. Donald Trump e ka rritur një perceptim të tillë. Moska kërkon ta shfrytëzojë dobësinë e lidhjeve transatlantike dhe ndëreuropiane për t’i dobësuar të dy organizatat që i gjykon si armiqësore, NATO-n dhe Bashkimin Europian. Një çimpenjim amerikan nuk do t’i nxisë europianët që ta marrin seriozisht sigurinë e tyre. Në fakt, do t’i nxisë që të ankohen. Për fat, Putini është i vetëdijshëm për forcën potenciale të Shteteve të Bashkuara, si ushtarake, ashtu edhe ekonomike. Nga ana tjetër, Rusia paraqet pika të dobëta që ia frenojnë ambiciet. Putini i njeh mirë dhe e di se triumfi ndaj Perëndimit nuk mund të bazohet mbi një strategji të drejtpërdrejtë. Më shumë të ngjarë ka përdorimi i luftës hibride, sidomos në provincat rusishtfolëse të Estonisë e të Letonisë. Një strategji e tillë e bën të vështirë perceptimin e një agresioni dhe mund të shfrytëzojë kështu përçarjet e Perëndimit, duke i penguar një reagim të përbashkët dhe të vrullshëm. NATO vlerëson se Riga dhe Talini mund të pushtohen brenda 36-60 orëve. Vetëm Lituania mund ta zgjasë rezistencën e saj duke ju drejtuar taktikave të mbrojtjes operative në thellësi, të bëra të mundura nga rifutja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Thembra kryesore e Akilit që ka Rusia është ekonomia. Kërcënimi me luftë ekonomike, njëlloj me armët bërthamore (përdorimi i të cilave është pak i besueshëm në rast agresioni të shpejtë e të kufizuar), përfaqëson themelin e shkurajimit perëndimor në favor të shteteve balltike. Por në to nuk janë në lojë interesa jetike të Shteteve të Bashkuara. Për pasojë, çdo lloj mase që do të adoptonte NATO nuk mund ta shmangë faktin e kryer të pushtimit të tyre. Në rast konflikti me NATO-n do të ishin gjithsesi popullsitë sllave të Rusisë ato që do të pësonin humbjet më të mëdha. Do të modifikoheshin kështu raportet aktuale etno–demografike në favor të atyre qendraziatike dhe islamike. Një element i mëtejshëm ky që vepron si frenues për Moskën. Në thelb, Rusia gëzon një superioritet strategjik afatshkurtër, por në rast se konflikti do të zgjatej, do të tejkalohej nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë situatë strategjike të saj është e ngjashme me atë të Gjermanisë në dy konfliktet botërore. I pamundur kështu është përdorimi i qëllimshëm i forcës. Moska duhet të kryejë sulme të befasishme dhe të realizojë me shpejtësi objektiva definitivë që e shtyjnë Perëndimin të shmangë një eskalim. Por kjo është e pamundur, duke pasur parasysh ndarjen ekzistuese midis Europës dhe Amerikës. Aksione të kufizuara në shtetet balltike nuk mund ta shmangin kështu një luftë të zgjatur. Strategët e Kremlinit janë ndoshta të vetëdijshëm dhe e gjykojnë rrezikun të papranueshëm. Në Europën balltike dhe në Poloni, NATO mund të bëjë gjumë të ëmbël.

(Carlo Jean është Gjeneral Korparmate, President i Centro Studi di Geopolitica Economica, Pedagog në Università Guglielmo Marconi, Link Campus University. Ka qenë Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Francesco Cossiga. Ka qenë President i Centro Alti Studi per la Difesa. Ka qenë Përfaqësues Personal i Presidentit në ushtrim të OSBE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Dayton në Bosnje–Hercegovinë, Kroaci dhe Republikën Federale Jugosllave).

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Vladimiri i Arabisë

Emile Simpson

Në raportin e tij vjetor të titulluar “Strategjia: Histori”, Lawrence Freedman e përcakton strategjinë si “arti i krijimit të pushtetit”. Ky është një këndvështrim mjaft i dobishëm me të cilin mund të shpjegohet një nga trendet më të rëndësishme gjeopolitike të këtij viti: rikthimi i vëmendjes së Rusisë drejt Lindjes së Mesme. Përveç lidhjeve të ngushta me regjimin sirian, të cilat datojnë që në vitet 1970, Moska nuk ka pasur asnjë rol domethënës në Lindjen e Mesme që në vitin 1972, kur presidenti Anwar Sadat dëboi këshilltarët sovjetikë jashtë Egjiptit.
Përse ka vendosur të rikthehet dhe përse tani? Në nivelin e përgjithshëm, është e qartë se presidenti rus, Vladimir Putin kërkon të sfidojë nocionin e një rendi botëror të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të nxisë rikthimin e botës multipolare, edhe pse ekzistojnë shumë kufizime të vetimponuara mbi ambiciet e tij. Edhe pse ka ndërhyrë në Gjeorgji dhe Ukrainë, Vladimir Putin nuk duket shumë i gatshëm të nisë një luftë më të gjerë duke sulmuar vendet e Evropës Lindore, të cilat janë anëtare të NATO-s.
Por në Lindjen e Mesme, Putini mund të gjejë një teatër ku të dëmtojë influencën perëndimore dhe të krijojë pushtet për veten e tij, pa rrezikuar të shkaktojë një luftë më të madhe me Perëndimin. Siç e di çdo demagog, një nga mënyrat për të krijuar pushtet nga hiçi është që të gjendet një përçarje dhe të shfrytëzohet.
Në Lindjen e Mesme, përçarja thelbësore që Rusia ka shfrytëzuar është ajo ndërmjet luftës së Perëndimit kundër islamistëve nga njëra anë dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut në anën tjetër. Konflikti ndërmjet këtyre dy qëllimeve shpesh krijon keqkuptime në politikën e jashtme perëndimore. Kjo hap gjithashtu një hapësirë politike ku Rusia mund të operojë duke investuar mbi shtypjen dhe duke dekurajuar demokracinë.
Është e ditur tashmë se Moska mbështet regjimet autoritare në Damaskus, Kajro dhe Tobruk, të cilët i portretizon si mur mbrojtës kundër përhapjes së islamit radikal. Në Egjipt, Putini e ka mbështetur vazhdimisht presidentin Abdel Fattah al-Sisi dhe veprimet e tij kundër Vëllazërisë Myslimane, për shembull, në kurriz të provave të panumërta që tregojnë traktikat shtypëse dhe diktatoriale që përdor qeveria e tij ushtarake.
Që në vitin 2013, Rusia është shfaqur e gatshme për të siguruar armë për qeverinë egjiptiane, duke shfrytëzuar edhe hezitimin e Shteteve të Bashkuara për të ofruar pajisje ushtarake, pasi dyshonin se mund të përdoreshin për shtypjen politike të brendshme. Edhe pse Egjipti vazhdon të varet më shumë nga mbështetja financiare e Washingtonit se sa nga ajo e Moskës, ky veprim është shembulli ideal që demonstron strategjinë e Rusisë për të shfrytëzuar çdo krisje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të rajonit, veçanërisht në rastet kur Washingtoni i frenon veprimet për shkak të konfliktit ndërmjet sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
Të njëjtën gjë e shikojmë edhe në Libi dhe Siri, ku Rusia nuk përballet me një partner të betuar të Shteteve të Bashkuara. Në Siri, pavarësisht mizorive kundër të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi i Bashar al-Assadit që ka tërhequr të gjithë mllefin e vendeve perëndimore, Perëndimi përsëri nuk ka arritur të shpjegojë nëse rrëzimi i Bashar al-Assadit nga regjimi mund të përmirësojë vërtet sigurinë e vendit, pasi kjo mund ta çojë Sirinë edhe drejt ngritjes së anarkisë islamike.
Putini e ka shfrytëtzuar këtë pasiguri duke e mbështetur Assadin pa asnjë rezervë, duke e lënë Perëndimin të mbytet në argumentet e tranzicionit gradual që i duhet vendit për të shpëtuar nga Presidenti sirian. Kjo situatë ka arritur të nxisë akoma më shumë influencën e Rusisë dhe Iranit në rajon, të vetmet shtete që mbajnë në dorë çelësin për të nisur çdo formë tranzicioni të tillë për t’i dhënë fund luftës civile.
Për sa i përket Libisë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar kohë dhe përpjekje në Marrëveshjen Kombëtare të Qeverisë të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, vendosur jashtë Tripolit, që ka për qëllim të bashkojë vendin e përçarë. Problemi është që qeveria separatiste në Tobruk në Libinë Lindore, e cila mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ka rënë dakord për këtë shkrirje mes dy zonave të përçara.
Pasi nuhati një mundësi për të hyrë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe dy aleatëve të tyre tradicionalë (Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), duke mbështetur formalisht procesin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, Rusia ka furnizuar me armë, me siguri përmes Serbisë dhe Bjellorusisë, forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, i cili mbështet qeverinë Tobruk.
Duke lejuar Haftarin të marrë me sukses terminalet e naftës në basenin e Sortes në Libi gjatë dy muajve të fundit dhe qëndrimin e tij kundër grupeve islamiste të Bengazit, Perëndimi duket se për momentin është duke e pranuar realitetin dhe në njëfarë mënyre, nevojën që ekziston për pushtetin e tij në Libi, rrjedhimisht edhe influencën e Rusisë në vend.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shndërrimin e plotë të befasishëm të qëndrimit të Putinit kundrejt Turqisë. Duke nuhatur përsëri një mundësi për të dëmtuar pozicionin e aleancës së NATO-s, pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan në muajin korrik, Putini ftoi liderin turk në Moskë. Sanksionet ruse të imponuara pas rrëzimit të avionit luftarak rus mbi Siri vitin e kaluar u hoqën dhe tani Perëndimi duhet të përballet me situatë të ndërlikuar të një vendi anëtar të NATO-s, presidenti i së cilit ndjek një filozofi politike më shumë të ngjashme me Putinin se sa me vlerat demokratike që NATO duhet të mbrojë.
Edhe pse Putini është përpjekur shumë për të penetruar në shumë fusha të tjera të politikës së Lindjes së Mesme këtë vit, duhet të kemi kujdes të mos ta ekzagjerojmë shumë influencën e tij. Duhet mbajtur mend, për shembull, se vlera e propagandës që rusët lidhën me sulmin bombardues të Sirisë nga një bazë iraniane gjatë muajit gusht e irritoi shumë Teheranin dhe se rusët u dëbuan nga kjo bazë vetëm tre ditë më pas.
Po kështu, përpjekja e Putinit për të marrë përsipër një rol në procesin e paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës këtë vit, strategji e menduar vetëm për të sfiduar pozicionin e Shteteve të Bashkuara si negociator kryesor, siç duket qartë nuk ka pasur asnjë sukses domethënës.
Kështu, a mund të themi se Putini është një mjeshtër i strategjisë së ndërhyrjes apo thjesht një kumarxhi që i pëlqen të vërë baste? Realiteti është më prozaik në fakt. Po, është e vërtetë se Rusia ka pasur më shumë arritje diplomatike këtë vit, veçanërisht në Libinë Lindore dhe në Turqi dhe e ka ndihmuar tejmase pozicionin e Assadit, por këto arritje kanë sjellë edhe kosto serioze afatgjatë për ekonominë ruse, e cila prej vitesh është futur në një situatë shumë të vështirë.
Siç e di mirë çdo demogog, e vetmja mënyrë për të ruajtur pushtetin e gjeneruar nga hiçi dhe përmes përçarjes, është të furnizohesh mirë me zjarret e konflikteve të hapura që kanë shkaktuar këto përçarje që në fillim. Por kur vendos që Perëndimin ta kthesh në armik, nuk mund të zihesh në befasi kur rezultati i veprimeve të tua janë sanksione gjithmonë e më të egra ekonomike dhe ngurrimi i të gjitha kompanive perëndimore për të investuar në vendin tënd.
Ka mundësi që Putini të besonte se veprimet e tij në Lindjen e Mesme do t’i ofronin më shumë vend për të manovruar dhe për të negociuar sanksionet, pavarësisht faktit se sanksionet ekonomike ukrainase dhe ato siriane nuk janë formalisht të lidhur me njëri-tjetrin. Do të ishte më realiste të mendoje se dëshira e vazhdueshme e Putinit për të nxitur konfliktet me Perëndimin nuk e ndihmon aspak lehtësimin e sanksioneve në periudhën afatshkurtër, veçanërisht në rast se kandidatja demokrate Hillary Clinton vendoset në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Me veprimet e tij Putini ka arritur vetëm ta izolojë Rusinë në një pozicion që e detyron ta orientojë të gjithë ekonominë në varësi të Kinës dhe larg Perëndimit, gjë që i jep Pekinit pushtet jashtëzakonisht të madh mbi Moskën. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet elementi i mashtrimit dhe gënjeshtrës në strategjinë ruse. Kjo është një tjetër mënyrë për të gjeneruar pushtet nga hiçi, por bëhet fjalë për një pushtet të dyshimtë, i cili në periudhën afatgjatë e shkatërron kredibilitetin e një lideri apo vendi.
Shembulli më konkret për këtë është marrëdhënia e Rusisë me Arabinë Saudite. Pavarësisht se ndodhet në anë të kundërt të luftës civile në Siri, Putini ka arritur të afrojë Rijadhin në orbitën e tij diplomatike përmes bashkëpunimit në politikën e naftës, duke qenë se si vende anëtare të OPEC-ut të drejtuar nga Arabia Saudite, ata kanë nevojë për çmime më të larta të naftës për të financuar buxhetet e tyre shtetërore.
Moska ka shprehur gjithmonë përkushtim të bindur ndaj këtij bashkëpunimi dhe sauditët duket se kanë dhënë garancitë e tyre – pasi pa të, Rusia mund të përfitonte një pjesë të mirë të tregut të naftës që do të lirohej pas reduktimit të prodhimit të naftës nga Arabia Saudite. Por Rijadhi është mundësisht i destinuar të humbasë nga kjo marrëveshje. Muajin e kaluar, Igor Sechin, drejtues ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës ruse Rosnfet, tha se kompania e tij nuk do të merrte pjesë në këtë reduktim të prodhimit të naftës, duke dalë kështu në kundërshtim të zotimit të Putinit.
Rusia duket se kërkon që Arabia Saudite të firmosë marrëveshjen me Moskën, por pa pasur ndërmend ta respektojë atë. Është e vështirë të mendohet se sa mund të zgjasë mashtrimi i Putinit me Arabinë Saudite. Në periudhën afatshkurtër, deklarata zyrtare e marrëveshjes së reduktimit të prodhimit të naftës ndërmjet OPEC-ut dhe Rusisë, e cila pritet të miratohet këtë muaj, do të rrisë përkohësisht çmimin e naftës. Por në periudhën afatgjatë, kur marrëveshja të prishet, ajo do të shkatërrojë kredibilitetin e Putinit me Rijadhin dhe OPEC-un.
Vlerësimi i suksesit të strategjisë së Putinit varet shumë nga koha. Në vitin 2016, Rusia ndodhet në mes të çështjeve të Lindjes së Mesme. Në periudhën afatgjatë, dëmi që kjo i ka bërë ekonomisë ruse duke u armiqësuar me Perëndimin do ta reduktojë ndjeshëm vlerën e një aleance me Libinë Lindore, madje edhe me Turqinë. E dëmtuar ndjeshëm nga çmimet e ulëta të naftës, ekonomia ruse nuk mund ta përballojë dot izolimin dhe shkëputjen nga tregu i kapitaleve dhe investimeve të Perëndimit.
Por ndoshta suksesi ndërkombëtar i Rusisë është mënyra më e gabuar për të vlerësuar arritjet e Putinit nga strategjia e ndërhyrjes nëpër konflikte. Strategjia mund të jetë arti i krijimit të pushtetit, por pushteti që i intereson më shumë strategut mund të ndodhet brenda kufijve të vendit të tij. Ndërhyrja nëpër konfliktet e huaja mesa duket e ndihmon shumë Putinin të fitojë mbështetjen popullore që i nevojitet për të qëndruar në krye të Kremlinit, edhe pse vendi përreth tij po kalbet dita-ditës.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Ekonomia amerikane pas 8 nëntorit

“The Indipendent”

Të martën Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri. Debate nga më të ndryshmet kanë karakterizuar këto zgjedhje unike, por në fund, ajo që i intereson vërtet zgjedhësve amerikanë është ekonomia. A do të jenë Shtetet e Bashkuara ekonomisht më të sigurta me presidentin e ri? A mund të mbajë Donald Trump të gjitha premtimet e tij ekonomike apo do të përfundojë me një politikë të uljes së taksave dhe të marrëveshjeve protektive? Nga ana tjetër, planet e Hillary Clintonit janë përpjekje konvencionale për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike përmes ndërhyrjeve modeste, me qëllimin e deklaruar të përmirësimit të kushteve të punës dhe të ardhurave të fituara nga shtresa e mesme e popullsisë. Si do të jetë ekonomia amerikane në duart e secilit kandidat?

Ekonomia sipas Donald Trump
A mund t’i mbajë Donald Trump premtimet e dhëna gjatë fushatës? Problemi – dhe kjo vjen për cilindo kandidat presidencial – është që levat ekonomike që një president mund të tërheqë në Shtetet e Bashkuara janë më të dobëta krahasuar me demokracitë e tjera perëndimore. Ka dy arsye për këtë. Së pari, sistemi është i krijuar pikërisht në këtë mënyrë, me kontrollet dhe balancat e tij. Për sa i përket buxhetit, shprehja që e karakterizon është: “Presidenti propozon, Kongresi refuzon”. Me pak fjalë, do të jetë e rëndësishme se cila parti do të ketë në kontroll Kongresin, po aq sa edhe kandidati që do të ulet në Zyrën Ovale.
Së dyti, thuhet se ekonomia amerikane ka një mendje të sajën. Bëhet fjalë për një ekonomi aq komplekse dhe populli amerikan është aq fleksibël dhe “shpikës”, sa edhe presidenti më i vendosur, me Kongresin më mbështetës, do të kishte një influencë relativisht të vogël. Në një kohë krize. Lidershipi është thelbësor – siç e pamë të gjithë përmes kundërpërgjigjes efektive të Shteteve të Bashkuara gjatë krizës financiare. Por në kohë normale, polika në ekonomi vjen më pak se në çdo fushë tjetër.
Thënë kjo, cili është plani i Donald Trumpit? Dimë që quhet “Amerika vjen e para” dhe përmban tre elementë: një shtysë fiskale të madhe që do të mundësohet nga ulja e taksave; rinegocimi i marrëveshjeve tregtare; dhe ndryshime ligjore për emigracionin dhe sistemin bankar, ndër të tjera.
Elementi i parë pritet të reduktojë normalen e taksës federale mbi të ardhurat nga 39,5 në 33 për qind me tri fasha ndarëse në vend të shtatë dhe taksa e korporatave do të reduktohej nga 36 në 15 për qind. Për këtë plan ka vlerësime të ndryshme për sa i përket kostos që do t’i shtohej Thesarit të Shteteve të Bashkuara, por këshilltarët e Trumpit argumentojnë se rritja më e shpejtë ekonomike do të kompensonte humbjet.
Shpenzimet aktuale mbi programet federale, si për shembull Medicare, do të qëndronin dhe askush deri tani nuk ka mohuar se do të vërehej një rritje e borxhit kombëtar. Pikëpyetjet janë nëse rritja e borxhit do të ishte e përballueshme dhe nëse një plan i tillë do të rriste normat e interesit dhe deri në cilin nivel.
Marrëveshjet tregtare janë në thelb proteksionizëm. Për shembull, Trump ka propozuar një tarifë prej 45 për qind mbi importet kineze dhe një tjetër prej 35 për qind mbi ato meksikane. Problemi në këtë rast është nëse kjo është vetëm një strategji negociuese apo është një plan serioz, sepse nëse është i tillë, pasojat do të jenë së paku hakmarrëse.
Është shumë e vështirë të vlerësosh pasojat potenciale të një lufte tregtie, por konsensusi është që politika të tilla do të ishin thellësisht dëmtuese për rritjen ekonomike amerikane. Është e vështirë të gjesh shembuj për rezultate pozitive të kësaj qasjeje dhe politike në të shkuarën, përveç rasteve kur flitet për pasoja afatshkurtra.
Fusha e tretë e madhe e ndryshimet do të ishin rregullimet. Do të kishte kontrolle të shtuara nbi emigracionin – një mur ndarës ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara – por më pak kontroll për sistemin bankar dhe për çështjet mjedisore. Trump ka thënë se do të kundërshtojë Aktin Dodd-Frank dhe se do të mbyllte përfundimisht Byronë e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit të Shteteve të Bashkuara. Ai ka thënë gjithashtu se do të ndërpriste menjëherë Planin e Energjisë së Pastër të administratës Obama. Nëse i mbledhim të gjithë ndryshimet së bashku, Donald Trump pretendon se do ta rrisin ekonominë amerikane me 3,5 deri në 4 për qind në vit dhe do të krijojnë 25 milionë vende të reja pune. A është e besueshme kjo?
Shumica e ekonomistëve thonë se jo, pjesërisht për shkak se targeti është joreal dhe tepër ambicioz – në këtë rast Amerika do të duhet të rritej ekonomikisht më shpejt se e gjithë ekonomia botërore së bashku – dhe pjesërisht për shkak se shumë ekspertë besojnë se një plan i tillë do ta ngadalësonte në të vërtetë rritjen dhe do ta çonte vendin drejt recesionit. Ajo që është bërë mëse e qartë është se tregjet financiare nuk e pëlqejnë.
Sa herë që Donald Trump del në avantazh nëpër sondazhe, vlera e aksioneve në treg bie dhe e kundërta. Kjo është diçka ndryshe nga eksperienca e mëparshme e fushatave, sepse tregjet kanë tendencë të favorizojnë kandidatët republikanë, edhe pse rezultatet ekonomike pas zgjedhjeve të administratave demokrate dhe republikane kanë qenë pak a shumë të ngjashme.
Fitorja e Trumpit do të ishte pa dyshim një tronditje e madhe për biznesin amerikan dhe komunitetin financiar. Premtimet e Trumpit janë aq ekstreme dhe aq të paarritshme, sa çështja tani është se deri në ç’pikë do të arrinte Kongresi ta mbante atë nën kontroll. Problemi është se ende nuk e dimë se cila parti do të fitojë kontrollin e Kongresit.
Nëse rezultati i zgjedhjes së tij do të ishte një version më i zbutur i planeve, me një reduktim më të ulët të taksave dhe disa marrëveshje proteksioniste të vogla, pasojat ekonomike do të ishin të menaxhueshme. Por në rast se implementohet versioni i plotë i planit, kjo do të frikësonte së tepërmi biznesin dhe financat amerikane, së bashku me pjesën tjetër të botës.

Ekonomia sipas Hillary Clinton
Ajo që thotë fushata e kandidatit republikan, Donald Trump është thelbësisht e vërtetë: Nëse votoni për Hillary Clinton, fitoni Obamën. Propozimet e saj ekonomike janë praktikisht një vazhdimësi e politikave të vendosura nga administrata Obama, por me disa inovacione të vogla të politikave fiskale, tregtare dhe rregullatore. Por si çdo aspirant për presidencën e Shteteve të Bashkuara, pyetja është nëse ajo do të ketë një Kongres mbështetës apo kundërshtues.
Të gjithë presidentët amerikanë kanë vështirësi me Kongresin. Duke gjykuar nga toni i fushatës aktuale, Hillary Clinton ka gjasa të ketë më shumë probleme se kushdo. Megjithatë, ajo duket se do të mirëpritej nga tregjet financiare dhe nga komuniteti i biznesit brenda Shteteve të Bashkuara për shkak se është parë si një figurë që paraqet stabilitet. Fakti që disa nga planet e saj të rritjes së taksave do të kundërshtohen egërsisht në Kongres, mund ta bëjë programin e saj ekonomik më të pëlqyeshëm për liderët e biznesit.
Për sa i përket politikës fiskale, Clinton propozon rritjen e shpenzimeve shtesë për të ndihmuar studentët të paguajnë tarifat tepër të larta të universiteteve amerikane, në infrastrukturë të re, në kujdesin shëndetësor të fëmijëve dhe në energjinë e rinovueshme. Për të financuar këtë, ajo do të rrisë normën e taksës mbi të ardhurat për individët me të ardhrat më të larta, një rritje prej 4 për qind të të ardhurave që e kalojnë nivelin e 5 milionë dollarëve në vit, një normë minimale prej 30 për qind për të ardhurat mbi 1 milion dollarë në muaj dhe një rritje të taksës së pronave.
Do të pësojë rritje edhe taksa mbi të ardhurat kapitale, madje mendohet që kjo taksë të dyfishohet në periudhën afatshkurtër. Hillary Clinton mendon të sjellë një taksë të re mbi kompanitë amerikane që e transferojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit duke marrë kompani të huaja në pronësi, të ashtuquajturat “inversione”. Qëllimi këtu është që të rriten të ardhurat, por edhe të dekurajohen kompanitë që kërkojnë ta transferojnë biznesin e tyre jashtë vendit.
Për sa i përket politikës së tregtisë. Clinton tani e kundërshton marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans Paqësor (TTP), për të cilën ka qenë pjesë e negociatave gjatë kohës që ishte sekretare e Shtetit, por mbështet Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut. Në mbrojtje të pozicionit të saj kundrejt marrëveshjes së TTP-së, Hillary Clinton ka thënë se kur ishte sekretare Shteti drafti final i marrëveshjes nuk i plotësonte standardet që ajo kishte vendosur.
Për rregullimet, Clinton kërkon ta fuqizojë Aktin Dodd-Frank dhe të imponojë rregulla të reja për bankat e mëdha që vlerësohet se ndërmarrin politika të rrezikshme. Ajo do ta rrisë pagën minimale në 15 dollarë/ora dhe do të rrisë përfitimet e punonjësve, për sa i përket çështjeve ambientale. Hillary Clinton mbështet fuqimisht distancimin nga përdorimi i qymyrgurit dhe e konsideron gazin si një urë kalimi ndërmjet qymyrgurit dhe burimeve të energjisë së rinovueshme. Çmimet e ulëta të gazit në Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë politikë të mundshme. Në periudhën afatgjatë, ajo mbështet edhe idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të përfitojnë 25 për qind të energjisë që konsumojnë nga energjia e rinovueshme deri në vitin 2025.
Të marra së bashku, planet e Clintonit janë një përpjekje konvencionale për të nxitur rritjen ekonomike përmes investimeve modeste. Qëllimi i deklaruar prej saj është të përmirësojë kushtet dhe të ardhurat që përfitojnë shtresa e mesme e popullsisë amerikane. Si fillim, duhet thënë se ky nuk është një program radikal dhe sidoqoftë do të shkurtohet ndjeshëm më pas nga Kongresi. Për hir të së vërtetës, nuk është një program që do të emocionojë shumë njerëz.
Masat e saj fiskale komplikojnë së tepërmi sistemin e taksimit, në vend që ta thjeshtojnë atë. Janë tepër të moderuara në krahasim me planin e saj të vitit 2008 kur kërkonte kandidaturën për presidente. Në atë kohë, Hillary Clinton propozoi një buxhet të balancuar që do të kërkonte që çdo plan i ri shpenzimi të shoqërohej me masa të reja të rritjes së të ardhurave.
Plani i saj aktual, në të kundër, duket shumë antiWall Street – por nëse Hillary Clinton zgjidhet si presidente e Shteteve të Bashkuara, tregjet financiare ndoshta do të qetësoheshin. Shtetet e Bashkuara më në fund po përpjetojnë periudhën e tretë më të gjatë të ekspansionit ekonomik prej shumë kohësh. Ndoshta tregjet financiare dhe komuniteti i biznesit do të ishin më të gatshëm të mirëprisnin vazhdimësinë në vend të ndryshimit radikal dhe të papriturës.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI