Bajern Mynih ka bërë një hap të gabuar në javën e 10-të të Bundesligës dhe tani mund të arrihet nga RB Lajpcigu në kreun e kampionatit. Skuadra e Karlo Ançelotit është ndalur në shtëpi në barazimin 1-1 ndaj Hofenhaimit, në një ndeshje ku loja e bavarezëve ka lënë shumë për të dëshiruar. Ata u zgjuan vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, kur goditën dy herë shtyllën.
Një sinjal të rëndësishëm ka dhënë Borusia Dortmund me fitoren 5-2 ndaj Hamburg, ku personazhi kryesor i ndeshjes ishte Aubamejang. Sulmuesi, i lënë jashtë ndeshjes së Ligës së Kampioneve se kishte thyer urdhrat e klubit, duke marrë pjesë në një festë në Milano, shënoi 4 gola, 3 nga të cilët në pjesën e parë të takimit, duke i mundësuar skuadrës së Tuhel që të kthehet përsëri në zonën e Kupave të Europës.
Ndërkaq, shumë zhgënjyese ka qenë prova e Fraiburgut që është mundur në shtëpi me shifrat 3-0 nga Volfsburgu. Amir Abrashi e nisi ndeshjen si titullar, por u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë dhe u zëvendësua pak minuta pas fillimit të të dytës.
Gaboni Aubameyang shënon poker golash ndaj Hamburg. Dortmund luajti sot në transfertë kundër Hamburg, duke siguruar një fitore me goladë. “Verdhezinjtë” shënuan 5 gola dhe 4 prej tyre nën siglën e lojtarit nga Gaboni Aubameyang.
Sulmuesi që u ble nga Milan për vetëm 2 milionë euro arriti që të mposhte i vetëm skuadrën kundërshtare. Serinë e golave e hapi në minutën e dytë dhe e mbylli në të 48-ën. Një rekord më vete, pasi brenda harkut të 46-të minutave, Aubameyang shënoi një “poker” golash. Shifrat në 2-5 i vulosi lojtari Dembele, që kishte pak minuta që kishte hyrë në fushë.
Dortmundi me këtë fitore ngjitet përkohësisht në vendin e 5-të, ku ka grumbulluar 18 pikë. Ndërsa skuadra rivale për titull, Bayerni i Mynihut, është ndalur në fushën e vet 1-1 kundër Hofenhaim.
Ndërkohë, Herta e Berlinit fitoi ndaj Borussia Moenchengladbahut të premten në darkë. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Salomon Kalou, rezultoi vendimtar për tri pikët e Hertës.
Ndalet Bajerni!
Venger presion Granit Xhakës
Arsen Venger është i shqetësuar për temperamentin impulsiv të Granit Xhakës përpara derbit të Londrës Veriore ndaj Totenhemit të dielën. Mesfushori zviceran u ndëshkua me karton të kuq muajin e shkuar gjatë fitores 3-2 ndaj Suonsit dhe e ka treguar shpesh ashpërsinë e tij, që kur është transferuar në Angli. Prandaj, trajneri e paralajmëron atë që të ruajë nervat në derbin e ashpër me Spërsat, pasi Xhaka do të luajë për herë të parë ndaj rivalëve më të mëdhenj të “Topçinjve”.
“Po, jam pak i shqetësuar, sepse disiplina është e rëndësishme. Duam të jemi efikasë në të gjitha situatat, me të cilat do të përballemi. Në derbi është shumë e rëndësishme ruajtja e disiplinës. Ai është një djalë i përmbajtur dhe i qetë, por ndonjëherë ka reagime pak impulsive. Duhet të punojë në këtë aspekt dhe të kontrollojë reagimet e tij gjatë ndeshjes”, tha trajneri francez.
Ai konfirmoi gjithashtu se Tio Uollkot, Santi Kazorla dhe Naço Monreal mbeten në dyshim për të dielën, lojtarë që i kanë humbur dy ndeshjet e fundit: “Uollkot është më pranë rikthimit dhe do të bëjmë një test përfundimtar. Naço do të ketë teste edhe të premten dhe më pas do të vendosim. Kazorla nuk është stërvitur ende. Ai është në dyshim”.
Por Venger është optimist se me apo pa trion, skuadra e tij ka forcën për ta mundur Totenhemin dhe vazhduar me ritmin pozitiv të këtij sezoni: “Besoj se kemi një avantazh nëse jemi të gjithë në formën më të mirë. Kam një skuadër me 25 lojtarë, të cilët janë të gjithë të klasit botëror. Një ndeshje e këtyre përmasave nuk luhet me 11 lojtarë, por me 25. Ju e patë: Olivie Zhiru hyri nga stoli me Sandërlendin dhe bëri diferencën. Do të jetë vendimtar kontributi i të gjithëve”.
Bolivi, lojtarët kërkojnë dorëheqjen e presidentit
Lojtarët e përfaqësueses së Bolivisë kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit të Federatës së Futbollit në vendin e tyre, Rolando Lopez, pas deklaratave të tij të pavërteta se FIFA i kishte kthyer skuadrës 4 pikët e hequra në dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.
Më 1 nëntor, skuadra boliviane u ndëshkua me dy humbje në tavolinë, pasi kishte aktivizuar në mënyrë të parregullt një futbollist në sfidat e luajtura në muajin shtator, ku barazuan 0-0 përballë Kilit dhe fituan 2-0 ndaj Perusë.
Dënimi nga FIFA erdhi prej aktivizimit në ato ndeshje të Nelson Cabrera-s, mbrojtësit të lindur në Paraguaj. Pak ditë më pas, presidenti i Federatës së Futbollit në Bolivi tha përpara mediave se dënimi ishte hequr, një deklaratë e cila u shoqërua me përgënjeshtrimin e Konfederatës Botërore.
Në situatën e krijuar, lojtarët e përfaqësueses reaguan nëpërmjet sekretarit të Unionit të Futbollistëve, David Paniagua, që e cilësoi “non grata” presidentin Lopez dhe kërkoi dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti në krye të federatës.
I pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe mbrojtësi Cabrera, prej të cilit Bolivia u dënua me dy humbjet në tavolinë. Ai tha se, të gjithë në ekipin përfaqësues shpresojnë te largimi i drejtuesve, të cilat do t’i hapnin rrugën ndryshimeve të shumëpritura, si e vetmja mënyrë që Bolivia të ecë përpara.
Zidan, në sulm për Agueron
Reali i Madridit mori një leksion ndaj Legias së Varshavës, kur barazoi 3-3. Në fakt, pikëpyetjet që u ngritën kishin të bënin me modulin e përdorur, pasi skuadra zbriti në fushë me skemën 4-4-2, ku dyshja e repartit të avancuar Morata-Benzema mbështetej prej Bejlit dhe Ronaldos nga krahët. Kjo u dha mundësinë spanjollëve që të kenë efikasitet, por njëkohësisht të lënë shumë hapësira në prapavijë, që u shfrytëzuan maksimalisht prej polakëve.
Trajneri Zinedin Zidan u kritikua se zgjodhi skemën e gabuar të lojës, por duket se francezi nuk ka ndër mend të tërhiqet. Ai dëshiron që të punojë më tepër për këtë modul dhe ka përzgjedhur futbollistin e duhur, që do e bënte akoma më të suksesshme. Bëhet fjalë për Serxho Agueron, i cili do shërbente si një sulmues me rol të dyfishtë, pasi ka aftësi për të marrë topin edhe më afër mesfushorëve të qendrës, ndryshe nga Karim Benzema.
Francezi mund të jetë i sakrifikuari në merkaton e verës, për të siguruar një fond të mjaftueshëm që do ndihmonte edhe për akordin me Mançester Sitin për argjentinasin. Aguero ka pasur disa probleme aktivizimi kohët e fundit, kur Guardiola ka preferuar të tjerë lojtarë, mes të cilëve edhe të riun Iheanaço. Për kartonin e tij, madrilenët mund të paguajnë afro 70 milionë euro, por që të paktën 50 mund t’i sigurojnë prej shitjes së Benzemasë.
Së bashku me Moratën, ata do të formonin një dyshe perfekte dhe duke i bashkuar këtu Ronaldon me Bejlin nga krahët, Madridi do ishte një makineri e papërballueshme në sulm. Gjithsesi, Zidan duhet të tregojë se mund të fitojë trofe këtë edicion, për të ruajtur edhe pozicionin e tij, që varet në mënyrë direkte prej rezultateve.
Roben kriset me Bajernin për kontratën e re
Ditë më parë flitej në superlativa për rinovimin e kontratës së dyshes së magjishme “Robberi”. Pra, bëhej fjalë për Riberi dhe Roben. Ndërsa në derbin ndaj Augsburgut doli në pah një dyshe tjetër e zjarrtë “Robandovski”, të cilët, përveçse shënuan, dhanë edhe asist.
Të dy kanë bërë paraqitje dinjitoze, në veçanti sulmuesi polak. Të tre lojtarët janë në bisedime për të qëndruar më gjatë në Mynih. Nga ngjarjet e fundit, diskutimet më të nxehta kanë qenë për holandezin Arjen Roben. Disa ditë më parë, ai pohoi se Rumenige dhe babai i tij nuk kanë folur ende për rinovim.
“Rumenige e ka numrin e telefonit të babai tim. Mund ta telefonojë çdo moment dhe ta ftojë për ndonjë kafe”, pati deklaruar Roben disa ditë më parë. Pas ndeshjes me Augsburgun, si Roben dhe Leva bënë humor me kontratat, duke i krahasuar ato me shtatzëninë. Leva pati thënë se është në muajin e tetë, ndërsa holandezi shtoi me humor se nuk kishte mbetur akoma. Mirëpo kjo temë ndryshon çdo ditë thelbin e saj. Televizioni sportiv “Sport1” ka zbuluar një prapaskenë mes Robenit dhe klubit bavarez.
Ndeshja ndaj PSV-së ka çekuilibruar balancat mes 32-vjeçarit holandez dhe drejtuesve të Bajernit. “Sport1” ka zbuluar se të dyja palët kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me rinovimin e kontratës. Holandezit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe dëshiron ta zgjasë atë edhe për dy vite. Ndërkohë, Bajerni kërkon të arrijë kompromisin për të rinovuar për një vit. Klubi bavarez nuk ka në plan të lidhë kontrata afatgjata me veteranët.
Sipas “Bild”, Robeni nuk mori pjesë as në banket në Eindhoven. Ai doli vonë nga stadiumi dhe u kthye në orën 01:12 të natës në hotel, pasi hëngri një doner. Të vërtetën mbi marrëveshjen e tyre do ta mësojmë më 25 nëntor, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Bajernit, kur do të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.
Marcelino te Interi
Duket se është drejt zgjidhjes dilema për trajnerin e ri të Interit. Klubi zikaltër e ka ndarë mendjen t’ia besojë spanjollit Marselino Garsia Toral stolin e mbetur bosh pas shkarkimit të Frank de Burit. Lajmin e bën të ditur portali “GianlucaDiMarzio”, duke iu referuar “burimeve të sigurta brenda klubit milanez”. Mësohet se pronarët kinezë kanë vendosur të zgjedhin emrin e sugjeruar nga Kia Jorabçian, duke lënë mënjanë Stefano Piolin, i propozuar nga pjesa italiane e drejtuesve.
51-vjeçari Marselino, i cili gjatë ditës së djeshme ndodhej në Milano, do të kthehet në Spanjë për të rregulluar disa gjëra të fundit. Në Itali do të qëndrojë avokati i tij, të cilit i është deleguar e drejta për të firmosur në emër të trajnerit. Ndërkohë Marselino do të rikthehet në Milano të hënën dhe do të prezantohet të martën ose të mërkurën.
Emërimi duket vetëm çështje orësh, edhe sepse pas darkës me Marcelino-n, drejtuesit zikaltër janë bindur nga tekniku spanjoll. Ish-drejtuesi i stolit të Villarrealit që vendosi të qëndrojë në Milano deri këtë të diel, mbetet në pritje të një telefonate për një tjetër takim me Suning, ku pritet që palët të mbyllin marrëveshjen dhe të firmosin kontratën deri në vitin 2019.
Edhe pse akordi është çështje orësh, asgjë nuk mund të quhet e përfunduar. Me Suning që duket se e ka marrë vendimin e tij, pengesa e fundit për t’u kapërcyer janë detajet e kontratës së trajnerit. Në këtë mënyrë Marcelino do të siguronte një kontratë prej afro 2 vjetësh e gjysmë, ndërsa një prej kërkesave specifike ishte që të kishte të drejtë vendimmarrjeje përsa i takon përforcimeve në merkato.
Ish-trajneri i Villarreal dhe Sevilla-s e ka bindur grupin kinez, duke kaluar Stefano Piolin, që ishte i përzgjedhuri i drejtuesve italianë të klubit zikaltër. Me Marcelinon, Interi pritet të luajë me skemën 4-4-1-1, me Banega-n pas shpinës së Icardit dhe Candreva-n e Perisiç në krahët e mesfushës.
Trajneri spanjoll preferon lojën konkrete dhe të kujdesshme në fazën mbrojtëse, ku kontribuojnë të gjithë, madje edhe sulmuesi. 51-vjeçari nuk është i apasionuar pas qarkullimit të topit, duke preferuar shpejtësinë dhe vertikalizimet. Ide të qarta dhe mentalitet europian. Pikërisht këto do të jenë pikënisjet e Interit të ri.
Ish-tekniku i Vijarealit, i cili e ngjiti “Nëndetësen e Verdhë” nga liga e dytë deri në paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, do të nënshkruajë për një vit e gjysmë dhe do të përfitojë dy milionë euro, plus një milion shtesë. Vitin e ardhshëm në kontratë mund të futet mundësia për rinovim edhe për një sezon tjetër në rast se fitohet kampionati.
Synimi është të ndërtohet një projekt i ri me trajnerin, ndaj paralelisht është duke u përpiluar edhe një listë me përforcime të mundshme në merkaton e ardhshme, për të afruar lojtarë që i përshtaten skemës 4-4-2 që përdor tekniku.
Sa i takon ish-trajnerit të Bolonjës dhe Lacios, i cili kishte një lloj marrëveshjeje paraprake me Interin, do t’i besohet stoli i Xhiangsu në Kinë. Më herët e njëjta detyrë i qe propozuar pikërisht Marselinos.
Bundesliga, Kalou mposht i vetëm Moenchengladbah

Salomon Kalou shkëlqeu në fitoren e Hertës së Berlinit në shtëpi me Borussian e Moenchengladbahut, duke i shënuar të tre golat e sfidës së “Olimpistadion” që çeli javën e 10-të të Bundesligës. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë rezultoi vendimtar për tri pikët e Hertës fillimisht me finalizimin e tij në minutën e 18-të, pas krosimit të Weiser.
Vetëm 15 minuta më pas një top i kthyer aksidentalisht nga mbrojtja u kthye në asist për 31-vjeçarin, që nuk gaboi përballë portierit mik. Ndeshja për Gladbahun u mbyll praktikisht në minutën e 39-të me ndëshkimin e Kramer me kartonin e dytë të verdhë.
Në pjesën e dytë edhe pse në inferioritet numerik Gladbahu dha maksimumin për të shmangur humbjen, por në fund pësoi edhe golin e tretë që mban firmën e të njëjtit autor, Salomon Kalou.
Me këtë fitore Hertha ngjitet në vendin e tretë me 2 pikë më pak se Bayerni, por mund të humbasë dy pozicione nëse Hoffenheimi dhe Kolni arrijnë të marrin maksimumin e pikëve në sfidat e tyre.
Anglia prezanton stadiumin e parë prej druri
Në Angli do të ndërtohet stadiumi i parë në histori, i cili përbëhet thuajse plotësisht nga druri. Ajo do të jetë shtëpia e Forest Green Rovers, skuadër e kategorisë së pestë. Në Mbretërinë e Bashkuar u prezantua “Eco Park Stadium”, impant me kapacitet 5,000 vende. Projekti u realizua nga studioja e arkitektëve Zaha Adid, që fitoi konkursin e realizuar nga klubi. Bëhet fjalë për kompaninë që në Lojërat Olimpike Londër 2012 krijoi projektin e Qendrës së Sporteve Ujore të Olimpiadës.
Stadiumi do të jetë pjesë e planit të zhvillimit me kosto 100 milionë paund, e cila do të përfshijë një zonë prej 100 hektarësh në kontenë e Gluçestershajërit.
Përveç stadiumit të parë në botë prej druri, në projekt parashikohen edhe fusha stërvitore, impiante sportive të disiplinave të ndryshme, por edhe një qendër shkencore për sportin. Gjithçka rreth projektit do të ketë zero impakt në natyrë dhe të gjitha strukturat do të respektojnë maksimalisht ambientin. Aplikimi për leje ndërtimi është bërë prej janarit që kaloi, megjithatë ai pritet të vlerësohet nga Këshilli i Territorit vetëm në fund të këtij viti.
Lojtari i vitit i FIFA-s, ja emrat e nominuar
Pasi u zbuluan 30 emrat që do të konkurrojnë për “Topin me Artë” që jepet nga “France Futboll” edhe FIFA ka publikuar listën e 23 kandidatëve për çmimin “Futbollisti i FIFA-s 2016”. Në këtë listë ku janë përfshirë përgjithësisht lojtarët më të mirë në qarkullim dominojmë elementë nga kampionati spanjoll dhe ai anglez. La Liga dhe Premier Liga përfaqësohen në këtë listë me nga 10 futbollistë, ndërsa tre lojtarët e mbetur janë Guanluiggi Buffon nga Seria A, si dhe Robert Lewandowski e Manuel Neuer nga Bundesliga. Në fakt Paul Pogba që aktualisht luan në Premier League me Manchester United është kandidat për këtë çmim pas paraqitjeve mbresëlënëse në radhët e Juventusit në Serinë A.
Favoritët janë emrat e zakonshëm si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Antoine Griezmann, Gareth Bale, Suarez e Neymar, si dhe emra më modestë si Kante, Alexis Sanchez e Mesut Ozil, që nuk ishin në listë për çmimin e Topit të Artë. Mungojnë ndërkohë emra të tillë si Dybala e Gonzalo Higuain, dy goleadorët e Serisë A. Fituesi do të përcaktohet pas një procesi votimi, ku 50% të votave do t’u përkasin trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtareve nga e gjithë bota, ndërsa 50% tjetër nga votimi online i 200 gazetarëve. Emri i lojtarit që do të marrë çmimin “Futbollisi i FIFA-s për vitit 2016” do të mësohet më 9 janar në Zyrih.
Balaj e Berisha, lojtarët e muajit në Rusi
Premier League ruse flet shqip. Pas përfshirjes së Bekim Balajt, Odise Roshit dhe Bernard Berishës në formacionin më të mirë të javës, për lojtarët shqiptarë vijojnë vlerësimet edhe në rang klubesh. Balaj dhe Berisha janë shpallur “Futbollistët më të Mirë” të muajit tetor në ekipet përkatëse. Sulmuesi shkodran fitoi anketën e organizuar nga Terek Grozni me tifozët, duke marrë pjesën më të madhe të preferencave.
Një vlerësim i merituar për Bekim Balajn, që ka realizuar 4 gola në katër ndeshje të kampionatit rus të luajtura gjatë muajit të kaluar, duke realizuar në portën e Orenburg, Rubin Kazan dhe dy herë ndaj Uralit.
I katërti në sondazh u pozicionua kuqeziu tjetër, Odise Roshi, edhe ai i shndërruar në një lojtar mjaft të rëndësishëm te Terek Grozni, që momentalisht pozicionohet në zonën e kupave të Europës.
Te Anzhi Makhaçkala, me çmimin “Lojtari i Muajit” tetor u vlerësua edhe Bernard Berisha. Sulmuesi 25-vjeçar fitoi anketën, në bazë të vlerësimit që realizohet nga tifozët pas çdo ndeshje, me votat që përllogariten në fund.
Gjatë muajit të kaluar, Berisha realizoi tri gola me Anji-n, dy në kampionat dhe një në Kupën e Rusisë në fitoren 4-0 përballë favoritëve të Zenitit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës mori mbi 4200 vota, duke qenë dukshëm i distancuar nga ndjekësi më i afërt, mesfushori kroat, Ivo Iliçeviç.