21.7 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Basha paralajmëron aksion të fortë politik, thirrja për të gjithë

Kryetari i opozitës paralajmëroi dje se procesi i konsultimeve të nisura me të gjithë faktorët e shoqërisë do të vijojë në ditët e ardhshme, por ai do të konkludojë me një aksion politik të PD në aleancë me qytetarët. Basha tha se do t’u bëhet thirrje të gjithë faktorëve për të luajtur rolin e tyre, ku secili do të marrë përgjegjësitë që i takojnë përpara vendit.
Takimet e Bashës janë shumëdimensionale. Nga njëra anë ai prej javësh ka nisur një tur dialogu me strukturat e Partisë Demokratike në të gjitha qytetet e vendit dhe nga ana tjetër ai ka vendosur në axhendën e tij takime me grupe të ndryshme interesi dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Ndërsa sytë e qytetarëve janë të drejtuara nga opozita, Basha po zgjeron atë që ai e ka quajtur prej kohësh aleancën me qytetarët kundër të keqes. Kjo aleancë ka si bazë opozitën politike, por edhe një kontekst më të gjerë, duke përfshirë edhe opozitarizmin e shoqërisë që qëndron përtej një formacioni politik.
Basha po dëgjon dhe po komunikon për të definuar reagimin që shoqëria pret në këtë moment kur praktikat autoritariste të një Kryeministri kanë kthyer vendin në një regjim droge dhe korrupsioni. Cila është rruga që do të ndjekë opozita, Basha tashmë e ka të qartë dhe po merr nga dita në ditë gjithnjë dhe më shumë mbështetje nga i gjithë spektri shoqëror. Vendi është në një udhëkryq të rrezikshëm, ndërsa PD thirret sërish të marrë një rol historik për të rikthyer demokracinë dhe për këtë kërkohet një përballje e gjithanshme me krimin e organizuar, paratë e drogës dhe korrupsionit të një qeverie dhe pushteti të damkosur si organizatë kriminale.

Takimi me përfaqësues të medias

Në një takim që zgjati për mbi katër orë, akademikë, personalitete të medias, artit, sportit, shëndetësisë, arsimit, shoqërisë civile etj., konsultuan me kryetarin e PD, Lulzim Basha aksionin opozitar në luftën kundër krimit në pushtet, trafikut të drogës dhe cenimi i zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë takimit, Basha mori në konsideratë sugjerimet dhe opinionet e të pranishmëve në lidhje me aksionin opozitar mbi zgjidhjen e një sërë problemesh që kërcënojnë sot vendin.
“Sot pata një takim shumë të frytshëm me përfaqësues të medias; gazetarë, analistë, opinionistë; opinionbërës nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, në veçanti të organizatave të shoqërisë civile; por edhe të artit, të shëndetësisë, të sportit, të kulturës, të arsimit që kanë të bëjnë me tre problemet kryesore që ishin në qendër të diskutimit tonë: krimi, droga dhe kjo në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Gjatë këtij takimi të gjatë, prej më shumë se katër orësh, më shumë dëgjova sugjerime, opinione, kërkesa rreth këtyre problematikave, të cilat nuk i përkasin vetëm Partisë Demokratike, por janë tre problematikat më të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët.
Basha tha se PD do të vijojë konsultimet e gjera për të ndërtuar aleancën më të gjerë të mundshme në luftën kundër krimit, drogës dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe faktorëve të bëhen pjesë e aksionit opozitar.
“Nga ky takim dal edhe më i inkurajuar, edhe më i vendosur për të ndërtuar së bashku me shqiptarët, me pjesën e shëndoshë, të ndershme të shoqërisë shqiptare që është pjesa dërrmuese e shqiptarëve, një aleancë sa më të madhe, një aleancë sa më solide për të siguruar luftën kundër krimit, mposhtjen e fenomenit kanceroz të kthimit të Shqipërisë në një hambar droge dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sepse ky nuk është vetëm interesi i Partisë Demokratike, por interes i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si interesi kombëtar në këtë emergjencë kombëtare.
Këto procese konsultimi, reflektimi, të cilat kanë nisur prej kohësh, do të vazhdojnë dhe do të konkludojnë, sa më takon mua dhe Partisë Demokratike, me formulimin e një aksioni politik opozitar për të cilin do t’u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të luajnë rolin e tyre, secili sipas përgjegjësive të tyre, me opozitën dhe Partinë Demokratike në përgjegjësinë e saj”, u shpreh Basha.

A.Shahini

Protestat anullojnë impiantin e plehrave

Qindra banorë të fshatrave Mbyet, Plyk, Drizë, të mbështetur nga shoqëria civile dhe nga anëtarë e simpatizantë të PD kanë protestuar mëngjesin e djeshëm para Bashkisë Fier kundër ndërtimit të impiantit të përpunimit të plehrave që do të ndërtohet në Plyk të Njësisë Administrative Portëz, Bashkia Fier. Me parulla në duar: “Nuk i duam plehrat”; “Mos vrisni jetë” banorët kanë rrethuar Bashkinë duke brohoritur kundër vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak pa marrë mendimin e pa diskutuar me banorët që preken nga ky ndërtim. Ata pohuan se janë kundër ndërtimit të këtij impianti për përpunimin e plehrave. “Bashkia ta ndërtojë, por të gjejë vendin e duhur jashtë zonave të banuara”, u shprehën ata.
Protesta e banorëve të fshatrave Mbyet, Plyk, Drizë ka detyruar Bashkinë e Fierit që të tërhiqet nga vendimi për ndërtimin e impiantit të plehrave në Plyk. Bashkia e Fierit ka bërë të ditur se po kërkon një vend tjetër për ndërtimin e impiantit të përpunimit të plehrave.
Kreu i PD Fier, Luan Baçi, ka pohuar se, Partia Demokratike është në mbështetje të banorëve dhe kundër ndërtimit të këtij impianti përpunimi mbetjesh jo vetëm në Mbyet apo Plyk, por në çdo vend që është pranë zonave të banuara të Bashkisë Fier.
“Ju banorë që filluat të parët protestat, që larguat fuqishëm një vendim korruptiv, të dëmshëm për banorët tuaj dhe gjithë Bashkinë e Fierit. Një vendim të Këshillit Bashkiak që këshilltarët e djathtë të PD e kundërshtuan me forcë. E votuan kundër. Por me arrogancën e tyre zotërinjtë e mazhorancës e votuan pro. Duke thënë se nuk pyesim për ju.
Ne u thamë jo dhe pas protestave të fuqishme kanë dhënë sinjalin e parë se do të tërhiqen, kanë njoftuar për një mbledhje urgjente ditën e hënë, mbledhje të Këshillit Bashkiak për një anulim të vendimit, për një rishikim të vendimit. Ne do t’u themi sërish jo, larg zonave të banuara. Ne jemi për t’u bërë një impiant për të pastruar qytetin, por për qytet të pastër, jo të dëmtojmë fëmijët tanë, të ardhmen dhe qytetarët tanë”, u shpreh kreu i PD të Fierit, Luan Baçi.
Baçi pohoi faktin se policia duhet të qëndrojë larg protestuesve sepse protesta është paqësore e jo pas protestës të shkojnë e të bëjnë arrestimin e protestuesve në banesat e tyre. Pasi kanë protestuar për afro një orë para Bashkisë, protestuesit janë larguar duke pohuar se do të rikthehen përsëri në protestë deri në anulimin e vendimit.
Kjo është protesta e tretë brenda një jave që banorët e rrethit të Fierit ngrihen kundër ndërtimit të impiantit të përpunimit të plehrave. Në dy protestat e mëparshme banorët bllokuan rrugën nacionale Fier-Ballsh duke u përleshur edhe me policinë. “Gjynah për këta fëmijë, është trashëgimi toka. Na vjen keq, i kemi vërselit ata ullinjtë, me këtë tokë ushqehemi”, tha një banore. “Siç jemi këtu do të ngrohemi gjatë gjithë kohës, do të bëjmë protesta nga më të ndryshmet që Këshilli Bashkiak dhe të tërë ata zotërinjtë që janë zgjedhur atje dhe që tallen me këtë popull të marrin një vendim të drejtë në drejtim të këtij komuniteti”, tha një grua e moshuar. Një tjetër banor thotë se e ndan gardhi me plehrat.
Një tjetër protestë është zhvilluar kundër ndërtimit të HEC-it në Poçem. Bëhet e ditur se, banorët e Kutës në Mallakastër, kanë bllokuar rrugën nacionale në shenjë kundërshtimi ndaj ndërtimit të HEC-it në Poçem. Sipas tyre tokat do të përmbyten, pemët e ullinjve do të shkatërrohen dhe banorët do ta kenë të pamundur për të jetuar në këto zona.
Mbi të gjitha protesta e djeshme kishte kryefjalë mbrojtjen e lumit të egër Vjosë. Ata e bllokuan rrugën në dy akset për më shumë se 30 minuta, ndërkohë që edhe qytetarë të tjerë u solidarizuan, duke zbritur nga mjetet për t’ju bashkuar protestës.

R.POLISI

Flota e avionëve të drogës në Kukës dhe Burrel

Dy avionë droge janë parë të enjten nga banorët duke fluturuar mbi qytetin e Kukësit. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen sociale Facebook fotot e avionëve, të cilat janë dërguar nga një qytetar nga Kukësi. “Dje narkobullonat fluturuan në çdo kënd të Kanabistanit, madje edhe çift apo dy-tre herë në ditë! sb”, shkruan Berisha në Facebook. Bëhet e ditur se avionët e drogës kanë fluturuar edhe mbi qytetin e Burrelit.
Tani që është vala e trafikut të kanabisit, avionët e drogës shfaqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Gjatë ditëve të fundit, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë, Berat dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Pak ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar mesazhet e qytetarëve nga Durrësi, Fieri, Lushnja, Divjaka e Belshi.

Unioni i Gjyqtarëve: “Vettingu” antikushtetues

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dalë në përfundimin se ligji i “Vettingut”, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe duhet që të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme të këtij unioni.
“Qëndrimi i Asamblesë së Unionit të gjyqtarëve të Shqipërisë është se ligji për ‘Vettingun’ ka papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe për pasojë, do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e këtij ligji. Gjithashtu, Asambleja autorizoi Bordin Drejtues që të shqyrtojë edhe ligjin për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit pasi, në disa pjesë të tij edhe ky ligj vjen në kundërshtim me dispozitat kushtetuese!”, thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve.
Ligji i “Vettingut” është tashmë i pezulluar pas vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila shqyrtoi kërkesën e Partisë Demokratike. Demokratët kërkojnë gjithashtu që ky ligj të shpallet antikushtetues, ndërsa aktualisht “Vettingu” do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim më të specializuar.

Shifra alarmante të drogës, mbi 21 tonë brenda 27 ditëve

Mbi 10 tonë hashash dhe mbi 55 mijë rrënjë kanabis sativa janë bllokuar nga policia shqiptare vetëm muajin e fundit gjatë operacioneve të organizuara nga Prokuroria dhe SHISH, sipas shifrave të publikuara nga vetë policia, por në fakt sasia e drogës së bllokuar ka qenë edhe më e lartë. Ndërsa nga policia italiane dhe ajo greke janë sekuestruar 11 tonë drogë brenda një muaji. Vetëm 27 ditë nga deklarata e policisë kur tha se, ka asgjësuar mbi 99% të parcelave të mbjella me hashash, është vetë Policia e Shtetit që ka shpërndarë shifra alarmante të sasive të bllokuara.
Përllogaritja e lëndës narkotike të bllokuar është bërë për periudhën 7 tetor deri 3 nëntor të këtij viti, në bazë të komunikatave që ka shpërndarë vetë Policia e Shtetit për mediat. Sipas këtyre të dhënave, vetëm gjatë 27 ditëve, vetë Policia e Shtetit ka bllokuar 10.5 tonë hashash të tharë, si dhe rreth 55 mijë rrënjë të bimës narkotike kanabis sativa, të mbjella ose në proces tharjeje.
Këto statistika, tregojnë edhe një herë se Policia e Shtetit nuk ka asgjësuar të gjitha parcelat e mbjella në Shqipëri, siç u pretendua në konferencën për media bashkë me Guardia di Financën. Arsyeja e shpërndarjes në media, të një statistike të tillë, mbetet për t’u parë pasi ditët në vazhdim po tregojnë se jo vetëm që nuk janë asgjësuar të gjitha parcelat, por ka zona të caktuara, të cilat vazhdojnë të punojnë të pashqetësuara nga Policia e Shtetit.
Të pyetur për ndonjë koment apo për statistikat e përllogaritura, zyrtarisht Policia e Shtetit pranon këto shifra duke pretenduar se çdo ditë po punohet për të shkatërruar apo sekuestruar çdo bimë narkotike që është kultivuar në Shqipëri.

7 tonë hashash në Itali

Tek shifra 10.5 tonë kanabis e publikuar nga policia shqiptare, e cila çdo ditë po ndryshon, nuk janë përfshirë ato rastet kur media italiane ka njoftuar për bllokimin e mjeteve të lundrimit të mbushura me hashash. Vetë policia, brenda 27 ditëve ka njoftuar se ka bashkëpunuar me policinë italiane në dy raste, ku janë bllokuar në Itali tonelata hashashi. Nga përllogaritja e sasive të publikuara nga mediat italiane, kjo shifër kap rreth 7 tonë hashash që kanë arritur të kalojnë drejt brigjeve italiane.
Sipas zyrtarëve të policisë italiane, vetëm 10% e sasisë së drogave që futen në Itali arrihet të kapet dhe bllokohet, ndërsa 90% e rasteve gomonet dhe mjetet e tjera arrijnë të transportjnë drogë në Itali. Sipas kësaj deklarate sasia e kultivuar dhe e pakapur apo asgjësuar duhet të jetë shumë më e madhe.
Dy ditë më parë policia italiane sekuestroi në Bari 1 ton kanabis nga Shqipëria. Mediat italiane shkruajnë se është sekuestruar 1 ton marijuanë, 15 kg kokainë, si dhe një arsenal armësh, mitralozë, pistoleta silenciatorë e municione. Hetimet e zhvilluara që në vitin 2015, shkruan gazeta “La Repubblica”, kanë dokumentuar importin e sasive të mëdha të hashashit nga Shqipëria. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet italiane njoftojnë se janë gjetur dhe sekuestruar më shumë se 3.500 armë në vitin 2014. Tri klane të ndryshme kanë importuar tonelata me hashash nga Shqipëria, shkruan “Ansa”.
Hetimi i koordinuar nga prokurori i DDA në Bari, Giuseppe Maralfa, ka dokumentuar importimin e sasive të mëdha të kokainës dhe marijuanës nga Shqipëria në Romë, Milano dhe Palermo.

4 tonë në Greqi

Edhe policia greke ka bllokuar tonelata droge nga Shqipëria. Brenda një muaji janë sekuestruar më shumë se 4 tonë kanabis. Vetëm më datën 20 tetor, policia greke sekuestroi 1.7 tonë kanabis. Mediat greke raportuan se 1 ton e 669 kg marijuanë ka sekuestruar policia greke gjatë një operacioni antidrogë më 20 tetor në qytezën Afidnes, në rrethinat e Athinës. Droga ishte magazinuar aty dhe po paketohej me qëllim që të dërgohej në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë. Marijuana e sekuestruar vinte nga Shqipëria dhe 6 persona përfunduan në pranga, disa prej tyre shqiptarë.
Mediat greke shkruanin se, ngarkesa prej 1.7 tonë drogë e kapur në afërsi të Athinës është trafikuar nga Klement Balili. Një nga gazetat më të mëdha në Greqi, “Ethnos”, shkruante se, “pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, është një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si ‘Eskobari’ i Ballkanit”.
Gjatë muajit tetor janë kapur edhe disa ngarkesa të tjera droge nga 180, 330, 500 dhe 600 kg kanabis, si dhe ngarkesa të vogla që transportoheshin me makina nëpërmjet kufirit shqiptar.
Ndërkohë ditën e djeshme një trafikant shqiptar hapi zjarr ndaj policisë greke, pasi i bllokoi 100 kg kanabis që ai kishte futur nëpërmjet kufirit shqiptar.

R.POLISI

Pse nuk arrestohen pronarët e 7 tonë droge në Rrëshen?

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga bllokimi i 7 tonë droge në një magazinë në Rrëshen që ndodhej në mes të qytetit, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.
Burime nga policia bënë të ditur se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie. Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar. Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis.
Fabrika e drogës funksiononte 24 dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. I gjithë qyteti fliste për këtë fabrikë të paligjshme, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga grumbullohej aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë dhe drejtuesit e Policisë së Rrëshenit.

Pse refuzoi aksionin Policia e Rrëshenit

Operacioni për bllokimin e drogës në fabrikë u zhvillua të mërkurën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, pasi policia lokale e Rrëshenit nuk pranoi të marrë pjesë në aksion për shkak se drejtuesit e policisë kishin pjesën e tyre në këtë trafik droge. Sipas burimeve nga policia lokale, drejtuesit e policisë kanë marrë 30 euro për çdo rrënjë kanabis në plantacionet që ruheshin me armë jo vetëm nga trafikantët, por edhe nga punonjës policie.
Para fillimit të operacionit për bllokimin e drogës në fabrikë, ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës. Përplasja ka degjeneruar deri në sharje të ndërsjella dhe është dashur ndërhyrja nga lart që Policia e Lezhës dhe ajo e Mirditës të ulnin gjakrat. Pas përplasjes mes forcave të rendit për shkak se policët e Rrëshenit nuk pranonin të përfshiheshin në operacion, ndërhynë forcat speciale nga Tirana për të zhvilluar aksionin e bllokimit të fabrikës së drogës dhe sekuestrimit të kanabisit që ishte në proces tharjeje gati për t’u trafikuar.
Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit. Gjatë operacionit të FNSH dhe RENEA në ambientet e magazinës së drogës janë gjetur 32 persona, punëtorë për tharjen dhe pastrimin e kanabisit.
Policia e Lezhës tha se, për 22 prej tyre janë prerë fletë arrestet, por nuk ka asnjë urdhër arresti për pronarët e vërtetë të drogës, të cilët janë drejtuesit e policisë dhe kryetari i Bashkisë. Bëhet e ditur se ka patur urdhër nga lart që të mos preken zyrtarët e lartë, ndonëse nga të gjithë banorët dihet se ata janë pronarët e vërtetë të drogës së sekuestruar.

Fabrika e drogës në mes të qytetit

Magazina ku përpunohej dhe transportohej drogë me tonelata ndodhet vetëm pak metra nga rruga kryesore e qytetit dhe vetëm 2 kilometra nga Rruga e Kombit që lidh gjitha qytetet e Shqipërisë me Kosovën. Flitet se një sasi e madhe droge është trafikuar drejt Kosovës. Para tre ditësh Policia e Kosovës bëri të ditur se ka sekuestruar një sasi të madhe droge të futur nga Shqipëria. Dyshohet se kjo drogë është pjesë e asaj të sekuestruar në fabrikën e Rrëshenit.
Në magazinë u bllokuan plot 7 tonë kanabis i tharë gati për t’u trafikuar, ndërsa policia tha se, sekuestroi 4.2 tonë hashash. Gjithsesi, kjo është sasia më e madhe e kapur për këtë vit në një magazinë të vetme. Ndërsa aksione të ngjashme me 1 apo 2 tonë hashash janë kryer edhe në Vlorë, Burrel, Mamurras, etj.
Kush mund të bënte një biznes kaq të madh dhe të paligjshëm, krejt pranë rrugës kryesore. Një biznes ku lëvroheshin me miliona euro përveçse kreu i Bashkisë në bashkëpunim me drejtuesit e Policisë së Rrëshenit, të cilët për këtë arsye nuk pranuan t’i dërgojnë forcat e policisë në aksion. Tre ditë pas gjetjes së kësaj droge, ajo që dihet është se janë arrestuar 22 persona, punëtorë të thjeshtë, ndërsa 9 gra që u gjetën në magazinë po hetohen në gjendje të lirë. Asgjë nuk thotë policia për pronarët e gjithë kësaj droge.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim Kastriot Reçin, i cili është nip i Zef Brozit dhe një biznesmen i njohur në qytetin e vogël. Por pas Reçit qëndrojnë zyrtarët e lartë të policisë dhe vetë kryetari i Bashkisë, ndaj dhe ai nuk arrestohet, pavarësisht se policia thotë se e ka shpallur në kërkim.

Kamionë të ngarkuar me hashash

Banorët tregojnë se kanë parë se si para syve të tyre kalonin furgonë e kamionë të ngarkuar me hashash dhe e shkarkonin në mes të ditës në magazinën e tharjes dhe përpunimit. Për ta përpunuar dhe tharë lëndën narkotike të mbledhur nga parcelat në mbarë zonën, pronari i kësaj magazine kishte punësuar më shumë se 30 punëtorë. Burra, gra, të rinj, madje edhe gra shtatzëna vinin çdo ditë këtu. Punonin disa orë dhe largoheshin sërish vetëm, në këmbë pasi pronari nuk u kishte siguruar atyre transportin. Dhe kjo rutinë kishte muaj që vazhdonte, deri mesditën e të mërkurës, kur policia ndërhyri për shkatërrimin e kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se personat, të cilët u kapën në flagrancë, duke punuar brenda laboratorit të drogës ishin të gjithë të punësuar prej të paktën një muaji. Sipas dëshmive që kanë dhënë para grupit hetimor ato mësohet të kenë rrëfyer se paguheshin me nga 2 mijë lekë të reja në ditë.

R.POLISI

Trafikanti shqiptar luftë me policinë greke për drogën

Një trafikant shqiptar droge ka qëlluar me armë mbi një patrullë të policisë greke të Igumenicës paraditen e djeshme. Efektivët e policisë tentuan të ndërhyjnë, kur një automjet po ngarkonte një ngarkesë prej 100 kilogramë kanabis. Droga ishte kaluar nga trafikantët nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër. Në momentin e ndërhyrjes së policisë greke, trafikanti ka hapur zjarr dhe më pas është larguar në këmbë, në drejtim të tokës shqiptare. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Sipas mediave greke, operacioni nisi në mesditë, pas një shkëmbimi zjarri në zonën Anavryto, të Bashkisë së Filatit. Sipas versionit zyrtar të autoriteteve një patrullë e Policisë Kufitare diktoi pesë thasë me kanabis të fshehura në shkurret e një pylli dhe nisi kërkimet për trafikantët.
Në ato momente kundër patrullës u hap zjarr nga një person i panjohur që duket se po merrej me ruajtjen e drogës. Edhe policët u kundërpërgjigjën me zjarr, po për fat nuk pati ndonjë të plagosur. Trafikanti shqiptar u largua menjëherë duke përfituar nga terreni i thyer. Në vendngjarje, policia sekuestroi pesë thasët që përmbanin më shumë se 100 kg kanabis. Forca të shumta policore po kontrollojnë në të gjithë zonën për gjetjen e të dyshuarit dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të tij. Ky incident ka ndodhur vetëm 24 orë pasi drejtues rajonalë të policisë greke dhe shqiptare ishin takuar në Janinë për të diskutuar mbi luftimin më efikas të trafikut të drogës dhe ruajtjen më të mirë të kufirit.
Policia greke ka filluar një operacion në shkallë të gjerë në afërsi të kufirit me Shqipërinë për ndalimin e trafikut të drogës. Çështja e trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë ka shqetësuar palën greke kohët e fundit, ndërkohë që ditën e mërkurë është mbajtur në Janinë një takim mes zyrtarëve të Policisë së Janinës dhe zyrtarëve të Policisë së Gjirokastrës.
Në këtë takim u diskutua për të forcuar bashkëpunimin mes policive të dy vendeve për të luftuar trafikun e drogës dhe për të përforcuar kontrollet në fshatrat pranë kufirit. Gjithashtu, temë e diskutimit ishte edhe përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.
Po ditën e djeshme policia greke ka sekuestruar 33 kg kanabis dhe ka vënë në pranga një çift shqiptar. Bëhet e ditur se një 25-vjeçar shqiptar dhe e dashura e tij e mitur janë arrestuar nga policia greke. Çifti u ndalua në Argos Orestiko, në rajonin e Kosturit. Në automjetin e tyre policia gjeti 60 pako me kanabis, me një peshë totale 32 kg dhe 850 gramë. Vajza e mitur, 17 vjeç, ka pranuar para policisë se kishte marrë pjesë me vetëdije në trafikun e drogës. Policia përveç drogës bllokoi dhe tri telefona celularë, nga të cilët shpreson që të gjejë informacion në lidhje me personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik droge.

Të shtëna me armë në Tiranë

Të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Ka qenë një telefonatë në numrin e Emergjencave 112 që raportoi për të shtëna me armë zjarri në Qafë-Kashar, mbrëmjen e djeshme. Menjëherë, drejt vendngjarjes u nisën forcat e Policisë së Tiranës. Policia bëri të ditur se nga kontrolli i ushtruar në zonë nuk janë gjetur gëzhoja. Ndërkohë, shërbimet e policisë ndaluan një mjet tek sheshi “Shqiponja”, në të cilin udhëtonin 5 të rinj, të cilët u shoqëruan si të dyshuar në lidhje me këtë njoftim. Por sipas policisë, ata u lanë të lirë pas verifikimeve të bëra, pasi nuk iu gjet ndonjë send i kundraligjshëm.
Të shtëna armësh ka patur në Tiranë edhe mesditën e enjte. Të shqetësuar nga krismat që kishin dëgjuar banorët e një pallati në Tiranë kanë telefonuar të alarmuar policinë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e të enjtes, ndërsa burime nga policia kanë treguar se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mustafa Kaçaçi”. Në denoncimin e tyre, banorët kanë treguar se kishin dëgjuar krismat e armëve. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe në sheshpushimin e pallatit kanë gjetur 1 gëzhojë arme, sportive. Menjëherë kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe identifikimin e personit që ka qëlluar me armë.

Holanda krijon ekip të posaçëm hetuesish për kriminelët shqiptarë

Shtimi drastik i akteve kriminale të kryera nga shqiptarët ka detyruar policinë holandeze të krijojë njësi të veçanta, të specializuara për hetimin e tyre. Ekipi i parë është ngritur nga Policia e Amsterdamit, por edhe autoritetet e Roterdamit po planifikojnë krijimin e një njësie të ngjashme.
Policia e Amsterdamit ka krijuar një ekip të specializuar për hetimin e krimeve të kryera nga shqiptarët. Lajmi konfirmohet për “ABC News” nga një zyrtar i rëndësishëm i Policisë Federale holandeze që për shkak të profilit të tij të lartë kërkoi të mbetet anonim.
Njësia u krijua për shkak të rritjes drastike gjatë kohëve të fundit të veprave kriminale të kryera nga shtetasit shqiptarë në kryeqytetin holandez. Ekipi ka sekuestruar qindra kilogramë kokainë, miliona euro, armë automatike dhe ka vënë në pranga 60 shqiptarë brenda 8 muajve.
Burimi thekson se edhe Policia e Roterdamit, qytetit të dytë më të madh në vend, ku ndodhet edhe një prej porteve më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të Europës, po sheh mundësinë e krijimit të një njësie të veçantë për të goditur grupet kriminale shqiptare. Por aktualisht ngritja e kësaj njësie është e pamundur për shkak të numrit të kufizuar të efektivëve.
Aktiviteti i grupeve kriminale shqiptare është kryesisht i përqendruar në importin e drogave të forta. Por së fundi është shtuar edhe trafikimi i klandestinëve që duan të emigrojnë në Britaninë e Madhe. Sipas një tjetër burimi brenda Policisë së Rotterdamit, kohët e fundit numri i shqiptarëve të trafikuar është rritur ndjeshëm.

Mafia shqiptare “pushton” Barin

Raportet e herëpashershme të autoriteteve italiane tregojnë se mafia shqiptare është mjaft e përhapur në territorin e vendit fqinj. Në një raport të detajuar që i referohet periudhës nga 1 korriku 2015 deri më 30 qershor 2016, Antimafia e Barit (DND) përshkruan kontekstin aktual kriminal në territorin barez dhe atë të Foggia-s. Sipas raportit, në vend nuk operon vetëm mafia bareze, por edhe grupe të huaja kriminale. “Nigerianët, shqiptarët dhe rumunët: veçanërisht këta, drejtojnë trafikun e paligjshëm në Bari”, citohet raporti i DND nga mediat lokale.
Ndërkohë, një shqiptar, trafikant droge në Reggiano të Milanos, është arrestuar nga Guardia di Finanza e Gorgonzola-s, raportojnë dje mediat lokale. Në pranga është vënë një 25-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, pa një vendbanim fiks. Ai është kapur me 2 kg e 6000 gr kokainë.