15.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Historia e Nexhmijes me prostituta e fashistë

Dokumenti sekret i 1952, Nexhmije Hoxha vallëzonte mbi koka të prera, shoqet i bëri prostituta

Një dokument sekret, historik, shkruar më 1952 nga të huajt hedh dritë mbi krimet e komunizmit dhe konkretisht të bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha. Dokumenti që “Opinion.al” publikon është shkruar më 15 shtator 1952 dhe konsiderohet si një material sekret shkruar nga amerikanët për atë çka po ndodhte në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore.
Objekti i këtij dokumenti është Nexhmije Xhuglini, gruaja e Enver Hoxhës. Nexhmija përshkruhet si njeri i paskrupullt dhe barbare. Ajo ka nxjerrë shoqet adoleshente në mal për të kënaqur epshet e partizanëve, mes tyre dhe shoqet e ngushta, citohet në dokument.
Më tej, flitet për Konferencën e Pezës, ku shkruhet se Nexhmija ka nxjerrë armën dhe ka kërcënuar nacionalistët. Jo vetëm kaq, në dokument Nexhmije Hoxha përshkruhet si një vrasëse e pashpirt.
“Katër ditë pas takimit një makinë që lëvizte përgjatë rrugës Tiranë–Kavajë u ndalua nga një grup partizanësh komunistë, të udhëhequr nga shoqja Xhuglini me Kajo Karafilin, si laro të saj, dhëndri i Myslim Pezës, personalitetit komunist dhe kriminel analfabet të përmendur më lart. Në mesin e udhëtarëve ishte një italian, i cili punonte në ndërtimin e rrugës. Xhuglini urdhëroi Karafilin t’i priste kokën italianit. Arsyeja për këtë vrasje të kobshme nuk është zbuluar kurrë”, shkruhet në dokument. Më pas me kokën e tij ka vallëzuar në mes të Pezës…

Të gjitha faktet tronditëse

Partia Komuniste e Shqipërisë
Burimi Paris: Nuk ka informacion
Data e vëzhgimit: Lufta II Botërore
Nexhmije Xhuglini, gruaja e Enver Hoxhës
Shoqja Xhuglini-Hoxha, komuniste militante e kohëve të para, anëtare e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Presidente e Bashkimit të Gruas së Shqipërisë, është shqiptare me gjatësi mesatare. Ajo u bashkua me Partinë Komuniste në kohën kur ajo ishte ende e jashtëligjshme, ndërsa ishte ende adoleshente dhe që nga fillimi ka shfaqur instinkte tepër të paskrupujt dhe barbarë.
Gjatë pushtimit dhe luftës civile rekrutoi një numër të madh grash shqiptare dhe i dërgoi në male për të jetuar me partizanët komunistë, duke shpërfillur nderin dhe traditën. Mes tyre ishin dy mikeshat e Xhuglinit, Liri Gega, ish-President i Frontit të Gruas Antifashiste dhe anëtare e Byrosë Politike, të rënë në fatkeqësi politike dhe Malëshova (emri i panjohur).
Kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, këto vajza u braktisën nga shoqja e tyre Nexhmije, e cila nuk kishte për çfarë t’i përdorte tjetër dhe të gjendura të mohuara nga familjet e tyre, që kishin poshtëruar, ato nuk kishin zgjedhje tjetër, por të jetonin në rrugë.
Qeveria komuniste, megjithatë, nxori një vendim për mbrojtjen e tyre. Familjet e tyre u urdhëruan për t’i marrë përsëri dhe askush nuk kishte të drejtë të refuzojë martesën me to për shkak të së kaluarës së tyre të neveritshme. Ky aktivitet, i pamenduar dhe tepër tronditës nga ana e një vajze të re, është ndër veprat e saj më të padëmshme.
Më 16 shtator 1942, komunistët organizuan një takim, të cilin e quajtën një “konferencë”, me qëllim formimin e një Fronti Kombëtar për Çlirimin nën urdhrat e Titos dhe Stalinit dhe për të grupuar elementët nacionalistë me komunistët. Kjo pjesë e dytë e programit ishte thjesht një përpjekje për t’u hedhur pluhur syve e “nacionalistëve”. Ideja e vërtetë ishte për t’i shtypur. Metoda të ngjashme janë aplikuar nga komunistët edhe në Rumani, Bullgari, Greqi, Jugosllavi dhe Çekosllovaki.
Konferenca u mbajt në Pezë dhe kishte 17 persona të pranishëm, komunistë dhe nacionalistë, por këta të fundit nuk kishin tagër zyrtar në takim. Në mesin e nacionalistëve të pranishëm ishin:
Abaz Kupi, Ismail Petrela, Kamber Qafmolla, Ndoc Coba, Halim Begeja, Ramazan Jarani.
Enver Hoxha ishte përfaqësuesi zyrtar komunist;
Nexhmije Xhuglini përfaqësonte gratë komuniste. Ajo ishte vetëm 19 vjeç.
Ymer Dishnica, më vonë ministër i Shëndetit Publik, President i plenumit, anëtar i Byrosë Politike, tani në fatkeqësi;
Nako Spiro, sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes komuniste më pas i vrarë nga Xoxe, nënkryetar i Këshillit të Ministrave, ministër i Brendshëm dhe menaxher i Përgjithshëm i Sigurisë, i cili edhe vetë më vonë u ekzekutua;
Baba Mustafa;
Ramadan Çitaku, i likuiduar;
Myslim Peza, gjeneral major dhe zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor;
Gago Tashko, ministër i Pyjeve;
Muharem Butka;
Mustafa Gjinishi, sekretar i konferencës, pa të drejtë vote, më pas i ekzekutuar për devijim;
Mustafa Kakaci, raportuesi i konferencës, pa të drejtë vote, ishin komunistët e pranishëm.
Gjatë takimit, shoqja Xhuglini, e zemëruar nga obstruksionizmi nacionalist, nxori revolen e saj dhe u ngrit. Ajo u hodhi një sy të egër kundërshtarëve të saj dhe bërtiti: Kapitalistët dhe borgjezët duhet të fshihen nga faqja e dheut! Një numër i personave të pranishëm janë spiunët e kapitalistëve britanikë dhe amerikanë! Shokë Partizanë lufta vazhdon. Unë propozoj që të mos humbasim më kohë të mëtejshme me sabotues borgjezë dhe të marrim urdhra nga Stalini.
Kur “Konferenca” mbaroi Xhuglini mblodhi komunistët më të ashpër jashtë ndërtesës dhe iu drejtua si më poshtë.
“Ju e dëgjuat të gjithë atë që thonë nacionalistët. Tani e dini se ata janë reaksionarë. Prandaj ata duhet të vdesin dhe kjo duhet bërë me duart tuaja, me duart e bijve të kombit ata duhet të goditen! Dhe me ta duhet të zhduken të gjithë ata që ngrihen kundër nesh në marshin tonë përpara me Stalinin çlirimtar!”.
Katër ditë pas takimit një makinë që lëvizte përgjatë rrugës Tiranë-Kavajë u ndalua nga një grup partizanësh komunistë, të udhëhequr nga shoqja Xhuglini me Kajo Karafilin, si laro të saj, dhëndri i Myslim Pezës, personalitetit komunist dhe kriminel analfabet të përmendur më lart. Në mesin e udhëtarëve ishte një italian, i cili punonte në ndërtimin e rrugës. Xhuglini urdhëroi Karafilin t’i priste kokën italianit. Arsyeja për këtë vrasje të kobshme nuk është zbuluar kurrë.
Më pas Xhuglini urdhëroi të mblidhen gratë e fshatit të Pezës dhe filloi të hidhte valle dhe këndonte, duke luajtur me kokën e viktimës, ndërsa kërcente. Gratë e fshatit, të terrorizuara nga kjo performancë makabre, u arratisën.
Një tjetër krim i kobshëm ka ndodhur menjëherë pas konferencës kur Ismail Petrela, një nacionalist i cili kishte marrë një qëndrim të vendosur kundër komunistëve në “konferencë” u vra nga djali i tij Xhevdeti përballë spitalit të Tiranës. Para se të godiste të atin, Xhevdeti tha: “Kjo është ajo që u ndodh atyre që kundërshtojnë Konferencën e Pezës”.
Koment vlerësues: Nuk ka informacion mbi ngjarjet e cituara që kanë ndodhur gjatë luftës.
*Marrë nga dokumentet arkivore të Radios Europa e Lirë (Opinion.al)

KLSH: Vjedhjet në Bashkinë e Beratit

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1104/1 prot, datë 01.12.2015, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Berat, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën 01.01.2014-31.12.2015”.
Me vendimin nr. 52, datë 14.05.2016 të kryetarit të KLSH-së, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 1104/9, datë 14.05.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Berat masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 55,828 mijë lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me përcaktimin e kritereve për kualifikim, si dhe vlerësimin e ofertave ekonomike dhe konkretisht:
– Në 8 procedura prokurimi, kërkesat e veçanta për kualifikim, janë të paargumentuara duke kërkuar që operatorët ekonomikë (OE) të disponojnë nivele të kategorisë së licencës për punime më të larta se volumet e punimeve të vetë objektit, po ashtu dhe numër të punonjësve, pasi niveli i punimeve që do të kryhen për çdo kategori punimi dhe numri i punonjësve nuk përputhet me volumet e punës, veprim në papajtueshmëri me nenet 8 e 18 të Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar dhe nenin 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
– Në 4 procedura prokurimi, për “Blerje ushqime për nevoja të furnizimit QEA (Konviktet, kopshte & çerdhe)”, nuk ka dokumentacion ku të jetë përcaktuar numri i nxënësve që përfitojnë bursë (ushqim e fjetje) dhe frekuentimi, nuk ka analizë kosto të mallrave dhe specifikime teknike të mallrave, punëve dhe shërbimeve përkatëse. Nuk kanë përcaktuar treguesit, standardet, mënyrën e ruajtjes dhe transportimit dhe cilësinë, si dhe për dy artikuj (Makarona e biskota), kanë përcaktuar referencat e markave, në papajtueshmëri me nenin 23 të LPP dhe nenin 27 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në 2 procedura prokurimi është vendosur kriteri që “OE të ketë në staf mjekun e shoqërisë nga muaji dhjetor 2014 e vazhdim”, duke vendosur kufizime kohore, kur VKM nr. 741, datë 06.11.2003, e kërkon mjekun në mënyrë të përhershme. Kërkesa nuk është vendosur në asnjë nga procedurat e tjera të prokurimit, duke pasur pabarazi dhe diskriminim dhe vepruar në papajtueshmëri me nenin 1, 2, 20 të LPP.
– Në 8 procedura prokurimi, nuk ka asnjë të dhënë për përllogaritjen e fondit, nuk ka urdhër për ngritje të grupit të punës për hartimin e detyrës së projektimit, nuk ka të dhëna dokumentare se si është hartuar projekti dhe preventivi, nuk ka procedura marrje në dorëzim projekti, veprim në papajtueshmëri me nenin 59 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në procedurën e prokurimit “Rivitalizimi i parkut perëndimor të qendrës dhe nënkalimi i unazës perimetrale”, është shpallur fitues BOE me mangësi në plotësimin e kritereve të kualifikimit, pasi në kontratën e bashkimit të përkohshëm të shoqërive nuk ka të përcaktuar punët konkrete që do të kryejë çdo OE, si dhe kur njëri nga OE nuk plotëson kriterin e numrit të punonjësve. Vlerësimi nga KVO është në papajtueshmëri me kërkesat e LPP, pasi ka kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim kur duhet t’i kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në 2 procedura prokurimi “Rivitalizimi i parkut perëndimor të qendrës dhe nënkalimi i unazës perimetrale” dhe “Rikonstruksion i shëtitores së bulevardit ‘Osumi'”, janë shpallur fitues të të njëjtit BOE, për të njëjtën shtrirje kohore të afatit të kontratës, kur kanë paraqitur të njëjtat makineri dhe fuqi punëtore. KVO, për tenderin e parë, nuk duhej ta shpallte fitues BOE pasi nuk plotëson numrin e fuqisë punëtore, si dhe në kontratën e bashkimit të përkohshëm të shoqërive nuk ka të përcaktuar punët konkrete që do të kryejë dhe duhej ta kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion dhe rikualifikimi urban i lulishtes perëndimore (loti opsional) dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka”, është shpallur fitues BOE me mangësi në plotësimin e kritereve të kualifikimit, pasi nuk plotëson kategoritë e licencës për punimet që ka marrë përsipër të kryejë, si dhe numrin e punonjësve në përputhje me përqindjet e përcaktuara në kontratën e bashkimit përkohshëm të OE, veprim në papajtueshmëri me nenin 74 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion i trotuareve, parmakëve dhe ndriçimit në segmentin Ura e Varur-Ura e Goricës”, kanë klasifikuar si ofertë të vlefshme të vetmin OE të mbetur në garë, kur nuk plotëson numrin e punonjësve, në papajtueshmëri me kërkesat e LPP, pasi ofertuesi duhet të ishte skualifikuar dhe kërkuar anulimi dhe përsëritja e procedurës.
– Në 2 procedura prokurimi “Rikonstruksion i trotuareve, parmakëve dhe ndriçimit në segmentin Ura e Varur-Ura e Goricës”, dhe “Rikonstruksion dhe rikualifikimi urban i lulishtes perëndimore (loti opsional) dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka”, janë shpallur fitues të njëjtit BOE për të njëjtën shtrirje kohore të afatit të kontratës, kur nuk plotësojnë kushtet për kualifikim, pasi kanë paraqitur në 11 raste të njëjtat makineri dhe të njëjtën fuqi punëtore. KVO, nuk duhej ta shpallte fitues BOE dhe duhej ta kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në procedurën e prokurimit “Rehabilitimi i fasadave përgjatë bulevardit Republika”, është shpallur fitues OE në kushtet kur nuk plotëson kërkesën për përvojë të suksesshme në ekzekutimin e punëve të ngjashme të së njëjtës natyrë, si dhe kur nuk konfirmon shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike, ndërkohë ka skualifikuar OE, me vlerë më të ulët, në të njëjtat kushte për vërtetimin e pagesës së energjisë elektrike duke vepruar me dy standarde vlerësuese dhe në papajtueshmëri me nenet 1, 2, 51 dhe 53 të LPP, si dhe dëm ekonomik në vlerën prej 3,842 mijë lekë.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion dhe rikualifikim i parkut ‘Dëshmorët e Kombit’, trotuareve dhe unazës perimetrale”, ku është skualifikuar pa të padrejtë BOE me ofertë më të ulët, rezulton se OE ankues dhe i shpallur fitues disponon të dhëna të hollësishme për dokumentacionin e OE të skualifikuar, kur dokumentet e ngarkuara në sistemin e prokurimit, përpunohen e ruhen që të sigurojnë integritetin dhe konfidencialitetin e ofertave.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksioni i trotuareve rruga ‘Antipatrea’, segmenti gjykatë-bashki”, KVO ka skualifikuar me të padrejtë OE, me vlerë më të ulët të ofruar, duke shkaktuar dëm ekonomik prej 964 mijë lekë, duke vepruar në papajtueshmëri me nenin 1 të LPP dhe nenin 66 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga K.GJ., në cilësinë e kryetarit të NJHDT, M.K., në cilësinë e anëtarit të NJHDT, R.K., në cilësinë e anëtarit të NJHDT, E.P., në cilësinë e kryetarit të KVO, M.S., në cilësinë e anëtarit të KVO dhe L.B., në cilësinë e anëtarit të KVO apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresën nr. 1104/14, datë 29.06.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.

KLSH padit kreun e Komunës Buçimas për vjedhje

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 389/1 prot, datë 04.04.2016, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Pogradec, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2015”.
Me vendimin nr. 92, datë 09.07.2016 të kryetarit të KLSH-së, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 389/10, datë 09.07.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Pogradec masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 85,400 mijë lekë.
I. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me kriteret e kualifikimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, zbatimin e kontratave, si dhe administrimin e aseteve, nga ish-Komuna Buçimas dhe konkretisht:
1. Për 4 raste të dhënies me qira të sipërfaqes prej 285,080 m2 duke mos zbatuar procedurat e konkurrimit për dhënien në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor dhe kullosor publik.
Për 1 rast të lidhjes të kontratës “Për depozitimin e mbeturinave urbane në territorin e Komunës Buçimas Pogradec, në vendin e quajtur “Luadhi i Çelos”, duke mos zbatuar procedurat e konkurrimit për dhënien në përdorim me kontratë qiraje.
2. Për 3 raste nga ku projektzbatimi dhe preventivi i objekteve, nuk është tenderuar (prokuruar), si dhe janë hartuar nga specialistë, të cilët nuk disponojnë licencat përkatëse sipas përcaktimeve të rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale, veprime në papajtueshmëri me dispozita ligjore të fushës.
3. Për 4 raste të përzgjedhjes të formës së prokurimit “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, si nevoja emergjente për shkak të mungesës së mallrave apo shërbimeve, procedurë e paargumentuar pasi nevojat emergjente për mallra dhe shërbime nuk janë shkaktuar për rastet e parashikuara në rregullat e prokurimit publik, por nga moskryerja në kohë e procedurave të prokurimeve nga autoriteti kontraktor.
4. Për 2 raste lidhur me procedurën e prokurimit “Pyllëzim kurora e gjelbër, fshati Tushemisht”, dhe “Ndërtim i rrugës pedonale dhe tabelave për akses në Wetland, Drilon”, ku vendosja e kritereve për kualifikim nuk është bërë sipas specifikave të llojit të punës/shërbimit. Vlerësimi nga KVO është në papajtueshmëri me kërkesat e ligjit, pasi ka kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim kur duhet t’i kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
5. Për 1 rast të moszbatimit të projektit “Pyllëzim kurora e gjelbër, fshati Tushemisht”, në lidhje me pyllëzimin e ngastrave, duke investuar në një objekt jashtë projektit dhe jo në pronësi të ish-komunës, por të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pa miratim nga hartuesi i projektit dhe ARRSH, veprim në papajtueshmëri me dispozita ligjore të fushës dhe dëm ekonomik.
II. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të kontratave për kryerjen e investimeve dhe konkretisht:
1. Për procedurën e realizuar nga Bashkia Pogradec “Sistemim rrugët e lagjes nr. 1 (trekëndëshi), në qytetin e Pogradecit”, me dëm ekonomik në vlerën prej 9,252 mijë lekë, si diferenca në punime të pakryera, por të paguara, si dhe vlera prej 18,859 mijë lekë, si pasojë e dëmeve të likujdueshme për vonesa në përfundimin e punimeve, si dhe cilësi të dobët të materialeve të përdorura dhe punimeve të kryera.
2. Për procedurat e realizuara nga ish-Komuna Hudënisht “Sistemim Sheshi Qendër Hudënisht-Rruga Nacionale” dhe “Kënd Sportiv për shkollat e fshatrave Lin, Piskupat e Buqez”, me dëm ekonomik në vlerën në vlerën 4,000 mijë  lekë,  si diferenca në punime të pakryera, por të paguara, si dhe cilësi të dobët të materialeve të përdorura dhe punimeve të kryera.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga R.T., me detyrë ish-kryetar i Komunës Buçimas, O.S., në cilësinë e juristit të NJP, E.P., në cilësinë e specialistit në NJP, I.K., në cilësinë e specialistit në NJP, R.B., në cilësinë e kryetarit të KVO, P.K., në cilësinë e anëtarit të KVO dhe E.M., në cilësinë e anëtarit të KVO, si dhe K.S., dhe B.B., në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresat nr. 389/15 dhe 16 datë 30.09.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike”, “Falsifikimit” parashikuar nga neni 258 dhe 186 dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 248, të Kodit Penal.

Call centerat, numrin më të madh të të punësuarve

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Kompanitë e qendrave telefonike, aktiviteti i të cilave rrezikon të tkurret ndjeshëm nëse Senati italian do të miratojë rregullat kufizuese në fillim të dhjetorit, janë kthyer për momentin në burimin më të madh të punësimit në vend, sidomos tek të rinjtë.
Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tri ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.
Aktualisht, kompania me numrin më të madh të të punësuave në vend është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), me pronësi shtetërore, me mbi 6 mijë të punësuar. Punëdhënës të mëdhenj janë dhe ndërmarrje të tjera shtetërore si Posta Shqiptare dhe Albpetrol.
Por, nëse i referohemi vetëm sektorit privat, tre kompanitë e sipërpërmendura call center janë ato që në vite janë bërë burimi kryesor i punësimit në sektorin privat, duke pasur numrin më të madh të të punësuave nga ndërmarrjet jo me pronësi shtetërore.
Në total, sipas tatimeve, janë rreth 25 mijë të punësuar në call center, duke e bërë atë sektorin e katërt më të madh në vend, pas tregtisë-shërbimeve, ndërtimit dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT.
Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.
Por fati i këtyre punëdhënësve mbetet tashmë i paqartë. Më 6 dhjetor pritet që Senati italian të miratojë një ligj, që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive call center në një territor jo të Bashkimit Europian, i cili rrezikon të mbyllë të gjithë kompanitë call center në Shqipëri. Këto amendime u miratuan më 24 nëntor në mbrëmje në Dhomën e Deputetëve dhe nëse kalohen nga Senati marrin formën përfundimtare.

Cilët janë punëdhënësit më të mëdhenj në ekonomi

Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.
Kompani të tjera të mëdha private punësues të mëdhenj, të fokusuara në industrinë e rëndë, si Albpetrol, Bankers Petroleum, Simmons Edeco Limited, nuk kanë qenë agresivë vitet e fundit, për shkak të konjunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipërmarrje të tjera të industrisë së rëndë kanë falimentuar tashmë, si për shembull, Kurum, që kishte më 2014-n rreth 700 punonjës apo ARMO, që ndonëse ka filluar punë, mbetet një kompani problematike.
Bankat, që mbeten vendi më interesat dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.
Sipërmarrjet e telekomunikacionit janë gjithashtu në fazë stanjacioni, teksa rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm dhe në total kanë pak më shumë se 2000 punonjës.
Sot, ndërmarrjet më të mëdha për sa u përket të punësuarve janë ato shtetërore, si OSHEE, KESH apo drejtoritë arsimore.

Nga do të vijë rritja dhe zëvendësimi i mundshëm i call center

Struktura aktuale e ekonomisë nuk premton asgjë pozitive nëse humbin 25 mijë vendet e punës të krijuara vitet e fundit nga call center për shumë arsye:
– Industria nxjerrëse është në vështirësi për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
– Tregtia me pakicë, që ka numrin më të madh të të (vetë)punësuarve në vend, po vuan konkurrencën nga qendrat tregtare, rënien e konsumit dhe presionin e formalizimit, duke bërë që shumë dyqane të shkojnë drejt mbylljes.
– Bankat janë në stanjacion prej vitesh.
– Sektori i telekomunikacioneve po e optimizon numrin e punonjësve.
– Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të freskët dhe vende të reja pune nuk po duken, teksa klima në vend, sipas deklaratave të tyre, mbetet e rënduar, duke bërë që investitorët të zgjedhin rajonin, kryesisht Maqedoninë dhe Serbinë. Këto dy shtete po tërheqin investime në industrinë mbështetëse të makinave, që kanë vlerë të shtuar dhe janë të vështira për t’u zhvendosur, ndryshe nga call center që nuk kërkon investime të mëdha fillestare dhe është lehtësisht i transferueshëm.
– Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës.
– Mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar.
– Shpresa mbetet te mbijetesa e fasonit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet e fundit në gazsjellësin TAP dhe hidrocentralin e Devollit.
– Shqipërisë i mungojnë punëdhënësit e mëdhenj privatë. Vetëm 50 sipërmarrje kanë më shumë se 300 punonjës.

Lufta e spiunëve mes Rusisë e Ukrainës

epa04242488 Russian President Vladimir Putin (P) and Ukrainian President -elect Petro Poroshenko (L) during the 70th anniversary of the D-Day landings, on Sword beach, Ouistreham, Normandy, France, 06 June 2014. More than 130,000 allied Troops landed on the beaches of Normandy on 06 June 1944. The invasion established a crucial second front in the Liberation of Europe from Nazi occupation, ultimately leading to victory for Allied Forces in 1945. EPA/JACEK TURCZYK POLAND OUT

Leonid Parchomenko ka spiunuar i ngarkuar nga Ukraina në Krime Flotën ruse të Detit të Zi e për këtë arsye është ndaluar, bëri
të ditur të enjten Shërbimi i Fshehtë i brendshëm rus, FSB. Televizioni tregoi pamje, se si një burrë në fillim të të 50-ave rrëmbehet dhe me sa duket merret në pyetje nga persona të maskuar. Parchomenko ka qenë më parë oficer i Flotës Ruse të Detit të Zi dhe ka punuar më parë në shtabin e saj në Sevastopol, u bë e ditur. Atë e pret një dënim deri 20 vjet heqje liri, për shkak të “tradhëtisë së Lartë”. Se çfarë thotë Parchomenko vetë për kritikat, kjo nuk u përmend në raportet e para nga Moska. Ministria ukrainase e Mbrojtjes në Kiev foli për një provokim të ri. “Ne nuk dimë asgjë për këtë burrë,” tha një zëdhënës.

Ukraina arreston “dezertorë”

Incidenti ndodhi vetëm pak ditë pasi autoritetet ukrainase të sigurisë arrestuan dy ushtarakë rusë në kufirin faktik midis tokës kontinentale ukrainase dhe gadishullit të aneksuar nga Rusia. Bëhet fjalë për ish-ushtarakë ukrainas, të cilët pas aneksimit në vitin 2014 qendruan në Krime dhe tani shërbenin në ushtrinë ruse.
Pala ruse e paraqet rastin sikur të rinjtë donin të merrnin në Ukrainë dëshmi për kualifikimin e tyre. Në një kalim kufiri i patën tërhequr në një kurth. Presidenti rus, Vladimir Putin foli të mërkurën për një “akt të pabesë”. Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov për një provokim. Kurse Ukraina i akuzon personat e arrestuar se kanë dezertuar. Mijëra ushtarakë ukrainas kaluan në anën ruse pas aneksimit të Krimesë.

A shpreson Kievi për një shkëmbim të arrestuarish?

Ky dhe raste të tjera kujtojnë të kujtojnë modelin e sjelljes “si ti mua, ashtu edhe unë ty”. Në Rusi dhe në Ukrainë spekulohet se Kievi ndoshta donte t’i shkëmbente ushtarakët rusë. Në dy vitet e shkuara janë shkëmbyer herë pas here persona të arrestuar: njëherë midis Rusisë dhe Ukrainës, njëherë midis Kievit dhe separatistëve prorusë në Ukrainën Lindore.
Kritikat për spiunazh janë shtuar para së gjithash në palën ruse. Jo më larg se fillimi i nëntorit, FSB bëri të ditur arrestimin e tri ukrainasve në Krime, të cilët gjoja kishin planifikuar akte sabotazhi. Pak ditë më vonë u arrestuan dy të tjerë, nga “i njëjti grupim”. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e hodhi poshtë pohimin se bëhej fjalë për punonjës të saj. Në fund të shtatorit, në Moskë u arrestua papritur gazetari ukrainas, Roman Sushçenko. Korrespondenti në Paris i një agjencie shtetërore lajmesh ukrainase akuzohet se si oficer i Zbulimit Ushtarak të Kievit ka spiunuar në Rusi. Sushçenko i hedh poshtë akuzat, njësoj si qeveria në Kiev.

Problem para takimit të formatit të Normandisë

Rasti më spektakolar deri tani ndodhi në fillim të gushtit. FSB raportoi atëherë se kishte penguar atentate terroriste të shërbimeve të fshehta ukrainase. Më shumë se një gjysmë dyzine burrash – rusë dhe ukrainas – qenë ndaluar në Krime, të paktën dy vetë u arrestuan. Në një shkëmbim zjarri në kufirin faktik qe vrarë një bashkëpunëtor i FSB-së. Për këtë shkak, Presidenti rus Putin anuloi një takim në të ashtuquajturin format i Normandisë për krizën e Ukrainës, në kuadër të takimit të nivelit të lartë të G-20-ës në Kinë.
Për të martën e javës së ardhshme, në Minsk të Bjellorusisë është planifikuar një takim në formatin e Normandisë. Në të, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të diskutojnë për një plan konkret hapash për vënien në jetë të marrëveshjeve të Minskut për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore. Arrestimet e fundit në Krime besohet se i rëndojnë edhe më tepër raportet e tensionuara midis Moskës dhe Kievit.

Gënjeshtrat me “borxhin e trashëguar”… Ja e vërteta!

Kastriot ISLAMI

Së pari, duhet sqaruar se termi “borxh i trashëguar” i përdorur me djallëzi nga Rama është spekulativ. Ndodh jo rrallë që për punë të kryera gjatë vitit, për arsye nga më të ndryshmet, mbeten fatura të papaguara, të cilat paguhen në vitin në vazhdim, pasi janë mbyllur të gjithë letrat. Këto quhen “detyrime të papaguara”, pra janë detyrime që duhet në paguhen nga buxheti kur puna ka përfunduar pjesërisht ose plotësisht. Qeverisja e kaluar kishte lënë një faturë të “detyrimeve të papaguara” në vlerën 50 miliard lekë dhe me që në 2013 pati rrotacion pushteti, kjo shumë duhej paguar nga qeveria Rama.
Së dyti, zhurma për këtë “detyrim” u bë shumë e madhe dhe për gjatë të gjithë mandatit. Fillimisht zhurma u bë për madhësinë e saj, e cila u zmadhua disa herë më shumë se ç’ishte. Por më e keqja ishte se kjo alibi vazhdoi të përdorej përgjatë të gjithë mandatit qeverisës. Madje sa herë që pyetej Rama apo ministri i Financave për uljen e shpenzimeve, të investimeve në rrugë apo shkolla, për mos rritjen e pagave e të pensioneve, e tjerë e tjerë, përgjigja ishte: Nuk kemi mundësi se qeveria e mëparshme na ka lënë një borxh të madh që mezi po e lajmë!  Një gënjeshtër e madhe dhe mashtrim në kufijtë e budallallëkut. Si është e vërteta?
1. Shuma e detyrimeve të prapambetura është vetëm 2.78% e të gjithë shpenzimeve
Nëse do t’i drejtoheshim tabelave të buxhetit për vitet 2014-2017, pra për katër vitet e qeverisjes Rama, do të rezultonte nga kolona e shpenzimeve totale, se shifrat për shpenzimet kanë qenë: i) për vitin 2014, 438.82 miliardë lekë, ii) për vitin 2015, 437.408 miliardë lekë; iii) për vitin 2016, 450.224 miliardë lekë dhe iv) për vitin 2017 janë parashikuar 467.199 miliardë lekë, pra në total qeveria Rama ka pasur në dispozicion për të shpenzuar shumën 1.793652 trilion lekë për katër vjet ose afërsisht 18 miliardë dollarë. Ndërkohë sipas shifrave të qeverisë, të rakorduar me kompaninë Deloite & Touch shifra e detyrimeve të prapambetura ka qenë 50 miliardë lekë ose rreth 500 milionë dollarë.  Kjo shumë është vetëm 2.78 për qind e të gjithë shumës që Rama ka pasur në dispozicion për të bërë shpenzime. Pra, kjo shumë kaq e vogël nuk mund të bëhej në asnjë rast pengesë për të kryera shpenzimet e tjera. Vetëm kjo llogaritje e hedh në erë mashtrimin katërvjeçar të Ramës dhe vartësve të tij imitues.
2. Shuma është parashikuar dhe realizuar në buxhetet e viteve 2014 e 2015…
Me ndihmën e Bankës Botërore e të FMN dhe nën orientimin e tyre është bërë “skanimi” i të gjithë detyrimeve të trashëguara nga qeverisja e mëparshme, të cilat kanë qenë i) pagesa të TVSH së rimbursueshme (rreth 70 për qind e vlerës totale) dhe ii) pagesa për punime infrastrukturore. Vlera e tyre del nga zëri “pagesë e detyrimeve të trashëguara” në buxhetet e viteve 2014 dhe 2015. Konkretisht në vitin 2014 janë shlyer 33 miliardë lekë dhe pjesa tjetër prej 17 miliardë lekë është shlyer në vitin 2015, pra e gjithë shuma, sipas të dhënave të buxhetit, është 50 miliardë lekë ose rreth 500 milionë dollarë. Për rrjedhojë Rama duhet të mbyllte gojën dhe të mos fliste më për detyrime të prapambetura në vitet 2016 e 2017 përderisa ato ishin tashmë të ezauruara. Për më tepër, që vlera e tyre përsëris është shumë e vogël në krahasim me shumën që Rama ka pasur në dispozicion për të shpenzuar, vetëm 2,78 për qind e të gjithë shumës së shpenzimeve totale.
3. Detyrimet vjetore të qeverisë Rama për dhjetë vitet e ardhshme janë 72 miliardë lekë…
Përmes të ashtuquajturve “koncensione PPP (Partneritet-Publik-Privat) Rama në fakt ka realizuar 5 tendera për afat 10-15-vjeçar, të cilat ja ka dhënë pa konkurim e në mungesë të plotë transparence ndaj Parlamentit e publikut një grushti miqsh e pjesëtarë të klientelës së tij të ngushtë. Shuma që duhet të dalë nga buxheti për 10-15 vitet e ardhshme është rreth 75 miliardë lekë ose 750 milionë dollarë. Pra, Rama që ankohet çdo ditë për “detyrimet e prapambetura” si pengesë për shpenzime, ka lënë në kurriz të qeverive të ardhshme, për 10-15 vjet një shumë detyrimesh prej 75 miliardë lekë, pra 50 përqind më të lartë sesa ajo që gjeti në shtator 2013.
4. Për 18 miliardë dollarë shpenzime Rama ka rritur vetëm taksat dhe borxhin…
Gjatë katër viteve të qeverisjes Rama borxhi është rritur me 206 miliardë lekë ose me rreth 2.1 miliardë dollarë. Ndërkohë që taksat janë rritur në mënyrë të tillë që në katër vjet kanë pasur një efekt në të ardhurat totale në shumën 147 miliardë lekë ose 1.5 miliardë dollarë. Pra vetëm duke futur duart në xhepat e taksapaguesve përmes rritjes së taksave dhe duke rënduar deri në ekstrem borxhin e tyre, qeveria Rama ka mundur të ketë në dispozicion, 3.6 miliardë dollarë shtesë. Ndërkohë që nuk ka rritur aspak performancën fiskale, pra ka rritur vjedhjet në dogana e tatime dhe ka rritur evazionin fiskal kryesisht ndaj bizneseve pranë qeverisë. Pra, të ardhurat në buxhet janë shtuar, duke qëndruar në rehati dhe duke shtrënguar rripin e bizneseve dhe ulur kurrizin e qytetarëve nga borxhet. Vetëm nga rritja e borxhit dhe rritja e taksave, Rama ka pasur në dispozicion 3.6 miliardë dollarë, ndërkohë që i është dashur të paguajë si detyrime të prapambetura vetëm 500 milionë dollarë ose thënë ndryshe ka mjaftuar vetëm një e shtata e shumës së grumbulluar rritja e taksave dhe rritja e borxhit për të paguar “detyrimet e prapambetura”…
5. Përfundim: Loja me detyrimet e prapambetura është gënjeshtër e mashtrim
Detyrimet e prapambetura janë llogaritur nga qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe rezulton se vlera e tyre është 50 miliardë lekë ose 500 milionë dollarë. Kjo shumë është vetëm 2.78 për qind e shpenzimeve totale të katër viteve që është rreth 1.793 trilionë lekë ose rreth 18 miliardë dollarë. Kjo shumë është programuar dhe shlyer përkatësisht në buxhetet e viteve 2014 (33 miliardë lekë) dhe 2015 (17 miliardë lekë); për rrjedhojë kjo duhet të konsiderohet një çështje e mbyllur në fund të vitit 2015. Qeveria Rama, përmes koncesioneve të tipit PPP, ka lënë për qeveritë e ardhshme, në 10-15 vitet e ardhshme, një “detyrim” prej 72 miliardë lekë ose 720 milionë dollarë.

Dokumenti i Nexhmijes, ishte fashiste

Nexhmije Hoxha para se të bëhej një komuniste e devotshme ka aderuar në Partinë Fashiste. Ky dokument është publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi.
“Meqë tani jemi në prag të 29 nëntorit “të lavdishëm”, për të gjithë antifashistët e vërtetë apo false, po postoj për njohje e ndërgjegjësim dokumentin e regjistrimit në Partinë Fashiste të zonjushës Nexhmije Xhuglinit. Ky dokument është i datës 10.11.1941. Dokumentin e kam publikuar në librin tim “Historia e lëvizjes komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së”, shkruan Dervishi.
Dokumenti në fjalë si dhe disa të tjera rreth saj, ruheshin nga Enver Hoxha.

1.6 ton drogë e armë nga Durrësi në Bari

Policia italiane ka kapur në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe ka arrestuar tre skafistët, dy prej të tyre nga Vlora. Rreth orës 3:00 të mëngjesit të djeshëm, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro. Gomonia e kapur ishte 10 m e gjatë me 4 motora.
Ndërkohë, policia shqiptare reagoi menjëherë pas publikimit të lajmit nga mediat italiane për kapjen e 1.6 ton droge. Policia shqiptare bëri të ditur se, “operacioni është bërë nga ana e Guardia di Finanza dhe policisë shqiptare”. Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se gomonia shqiptare u pikas nga roja bregdetare italiane dhe Guardia di Finanza nis ta ndjekë atë, duke bërë të mundur bllokimin e gomones dhe arrestimin e shqiptarëve. Lind pyetja pse mashtron policia shqiptare për bashkëpunim në operacion? Si u fut policia shqiptare në ujërat territoriale italiane pa leje dhe pse policia shqiptare nuk e bllokoi gomonen me drogë që në nisje? Pse mediat italiane nuk përmendin policinë shqiptare, por deklarojnë se gomonia u kap nga Guarda di Finanza italiane. Nëse operacioni do të ishte bërë në bashkëpunim me policinë italiane, atëherë sigurisht që mediat italiane do të shkruanin për këtë fakt.
Duket qartë se policia shqiptare mashtron opinionin, se gjoja po e lufton trafikun e drogës. Në fakt, në të gjitha rastet droga shqiptare është kapur në Itali nga policia italiane, ndërsa policia shqiptare nxiton të deklarojë se ka bashkëpunuar me policinë italiane, duke ndjekur në det gomonet me drogë.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos. Sulmi “blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.

Vritet 19- vjeçari në Elbasan, autorët në drejtim të paditur

Krimi nuk ndalet, ndërsa rendi dhe siguria kanë dalë jashtë kontrollit të policisë. Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Guri i Zi në Elbasan. Sipas policisë, 19-vjeçari Gazmend Sllami është vrarë me armë zjarri në një kodër rreth orës 16:00 rreth 200 metra larg banesës së tij. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur në gjendje të rëndë 19-vjeçarin dhe kanë nxituar për ta çuar në spital. Por i riu ka mbërritur i pajetë në Spitalin e Elbasanit.
Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e vrasjes, si edhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gazmend Sllami, sipas Policisë është gjetur i vdekur në një kodër pranë banesës së tij. Kanë qenë të shtënat e një arme gjahu çifte, të cilët janë dëgjuar në fshatin Guri i Zi ku edhe jetonte 19-vjeçari, që trembën familjarët e tij. Menjëherë ata u drejtuan nga ana ku edhe janë dëgjuar të shtënat, dhe më pas në kodrinë kanë gjetur të shtrirë djalin e tyre, të cilin e kishin të dytin në familje.
Të tmerruar nga ajo që kanë parë, pasi dyshohet se plumbin i riu e ka marrë në zemër, familjarët menjëherë kanë tentuar ta lëvizin nga vendi me qëllim që t’i japin ndihmën e parë, duke e çuar atë në spital. Por sipas Policisë i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Edhe pse kanë shkuar në spital, mjekët pohojnë se ai ka shkuar i pajetë.
Policia sapo ka marrë informacionin për një vrasje në fshatin Guri i Zi, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të marrë në pyetje si fillim familjarët e 19-vjeçarit të vdekur. Ata kanë pohuar për Policinë, se nuk kanë pasur asnjë konflikt, dhe se 19-vjeçari edhe pse me shkollë 8-vjeçare ka qenë një djalë shembullor si në shtëpi ashtu edhe tek të afërmit dhe fqinjët.
“Djali nuk ka thënë në shtëpi se ku po shkonte, por menjëherë pas telefonatës ai doli, dhe ne nuk është se dyshuam se kjo telefonatë ishte e fundit për djalin tonë”, thanë në Polici familjarët e 19-vjeçarit.
Mësohet se Gazmend Sllami ka dalë nga shtëpia rreth orës 14:00 të ditës së djeshme dhe sipas dëshmive të para të familjarëve, por edhe fshatarëve të zonës, ai është vrarë në orën 16:00, kjo nga fakti sepse ata kanë dëgjuar të shtënat pikërisht në këtë orë të mbasdites.
Pas kësaj, Policia ka marrë në pyetje edhe fqinjë, shokë të 19-vjeçarit, dhe ende nuk dihet se cili është shkaku i vrasjes së tij.  Gjithsesi, Policia ka nisur hetimet në shumë pista, ku mes tyre mund të jetë një sherr mes të rinjve. Policia dyshon se autorët janë të njohur të viktimës, pasi ai ka pranuar t’i takojë sapo e kanë telefonuar.
Uniformat blu kanë nisur krehjen e zonës, pasi dyshon se autori ende fshihet mes maleve. Bëhet e ditur gjithashtu, se deri më tani janë shoqëruar në Polici 15 persona, të dyshuar që mund të kenë dijeni për rrethanat e vrasjes.
Gazmend Sllami në datën 11 dhjetor mbushte 19 vjeç, ai ishte djali i dytë i familjes Sllami, të cilët kishin tre fëmijë. Familjarët e Gazmendit tepër të hidhëruar dhe tronditur, kanë pohuar ndër të tjera në Polici, se djali i tyre ishte shembullor, dhe nuk njihej në fshat për ndonjë sherr apo konflikt mes shokëve të tij. Ata kanë pohuar se, Gazmendit i ka rënë telefoni rreth orës 2 të ditës së sotme, dhe pas kësaj ai ka dalë pa thënë se ku do të shkonte. Vetëm rreth dy orë pasi ai ka dalë, dëgjuan të shtënat që erdhën nga kodrina, dhe menjëherë shkuan aty. Jo vetëm ata, por edhe fqinjët e tyre.
Vdesin dy gra në Kurbin e në Tiranë
Dy gra të moshuara kanë humbur jetën, njëra në Kurbin dhe tjetra në Tiranë. 99-vjeçarja Dava Margjoni, e cila ishte shpallur e humbur disa ditë më parë nga të afërmit, është gjetur e vdekur në ujërat e Shkopetit. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët kanë parë trupin e pajetë të 99-vjeçares, duke lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen. Në trupin e pajetë të 99-vjeçares nga Kurbini është gjetur dhe një litar i lidhur në brez, ndërkohë që familjarët janë shprehur se nuk e dinë nëse është vrarë apo është hedhur vetë në liqen. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e vdekjes.
Ndërkohë, një 66-vjeçare ka humbur jetën në Laknas të Tiranës, pasi ka rënë aksidentalisht nga ura në lumë. Burime nga policia bënë me dije se, Xhuma Neziri, banuese në kryeqytet, ka rënë aksidentalisht në lumë. Të njëjtat burime theksuan se trupi i viktimës është gjetur dhe nxjerrë nga shërbimet policore në afërsi të vendit të njohur si “Plepat e Brukës”. Sakaq, vijojnë hetimet në lidhje me dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Banorët e Mbrostarit: Nuk na tremb presioni i policisë

Banorët e Mbrostarit janë hedhur sërish në protestë dje, duke bllokuar rrugën nacionale për rreth një orë. Burra, gra dhe fëmijë, me pankarta në duar janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar anulimin e vendimit të Bashkisë së Fierit për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mbetjeve.
Banorët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre, megjithë presionin dhe arrestimet e kryera nga policia. “Nuk na tremb presioni dhe dhuna e policisë. Sot, policia ka paditur edhe pesë protestues të tjerë, ndërsa mbrëmë natën ka ushtruar terror në disa familje, duke u kërkuar banorëve që të mos dalin në protestë, por ne nuk tërhiqemi. Ne do të vijojmë protestën, derisa të anulohet vendim i Bashkisë së Fierit për fabrikën e plehrave”, u shpreh një nga protestuesit.
Protesta e banorëve të Mbrostarit është mbështetur edhe nga Dega e PD Fier. “Banorët e Mbrostarit vazhdojnë të protestojnë të vendosur kundër impiantit pranë zonave të banuara. Kjo protestë është një e drejtë legjitime e tyre. Burra, gra dhe fëmijë, me pankarta në duar kundër plehrave. PD Dega Fier dhe këshilltarët e saj në Këshillin Bashkiak janë në mbështetje të tyre”, bën të ditur PD Fier.
Ndërkohë, Policia e Fierit vazhdon gjuetinë e shtrigave ndaj protestuesve, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së plehrave në Mbrostar. Pas arrestimeve, Policia e Fierit ka nisur procedim penal për disa protestues të tjerë. Bëhet e ditur se, pesë protestues nga fshati Mbrostar i Fierit i janë shtuar numrit të dhjetëra të akuzuarve të tjerë po nga ky fshat si dhe nga fshati Mbyet. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Fier kanë proceduar penalisht edhe shtetasit A.G, 51 vjeç, G.V, 51 vjeç, Sh.V, 49 vjeç, S.T, 50 vjeç, dhe G.M, 17 vjeç, të pestë banues në fshatin Mbrostar Ura, Fier.
Në njoftimin e policisë thuhet se, këta shtetas më datën 25.11.2016, ora 10:30, në aksin rrugor Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur “Mbrostar Ura”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit në rrugë nacionale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, thuhet në njoftimin e policisë.