19.8 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Kosova drejt reformave apo drejt zgjedhjeve?

Ndërsa zgjedhjet e parakohshme po shihen gjithnjë e më tepër si një prej opsioneve reale, në nivelet më të larta politike në Kosovë është ngritur fillimisht nevoja e përmbylljes së reformave zgjedhore.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur një tryezë bisedimesh me partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, për të trajtuar pikërisht çështjen e reformave.
Për herë të parë, Thaçi ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të zvogëlojë numrin e ulëseve nga 120 në 100, si dhe të sigurojë dy ulëse për komunitetet pakicë, përkatësisht për komunitetin kroat dhe atë malazez.
“Është mundësia e zvogëlimit të numrit të deputetëve nga 120 në 100, apo edhe më pak. Si dhe mundësia e dytë, që të shtohen edhe dy deputetë të komuniteteve të tjera, pra të ndodhë përfaqësimi i komunitetit malazez dhe atij kroat”, tha Thaçi.
Sipas tij, këto ndryshime duhet të ruajnë përfaqësimin aktual të partive shqiptare dhe pakicave, duke ruajtur parimet e përcaktuara me Pakon e presidentit Ahtisaari, si dokumenti gjithpërfshirës mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Për realizimin e reformave zgjedhore, Presidenti Thaçi tha se do të jenë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese e ligjore. Ai tha se reformat duhet të japin një përgjigje nëse në të ardhmen Presidenti do të zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejtë të popullit. Po ashtu, Thaçi tha se me anë të këtyre reformave duhet të përcaktohet se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova dhe a do të shkohet në votime me lista të hapura apo të mbyllura.
Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve lokale, në debat u tha se reformat aty janë më të lehta, pasi që kërkohet vetëm ndryshim i ligjit dhe nuk ka nevojë për amandamentime kushtetuese.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se deri në këtë fazë Kosova kaloi përmes procesit të shtetndërtimit dhe se tani ka nevojë për reforma, ku zgjedhjet zënë një vend të rëndësishëm.

A ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet

“…mbas arrestimit në Sheldi e mbajtën disa ditë në hetusi të Shkodrës, dhe mbasi e mjekunen në spitalin e burgut e nisën për Tiranë edhe ku e ekzekutunen me datën 5 mars 1945. Asht prifti i parë i pushkatuem këtu. Ba me mujtë me përshkrue hollsisht shka komunistat kanë ba mbi trupin e Don Lazër Shantojës, kam frigë se do të fillojnë dyshimet për ngjarjet e përshkrueme në libër, mbasi edhe sikur të mbylli librin aty ku mbyllet kjo histori e përbindshme e ‘njerzve të shekullit XX’, kurgja ma ndej nuk asht ma e shëmtueme se vepra e fanatikve komunista, demek ‘shqiptar’, e bame kundër një meshtari katolik.
Mbasi i patën pre kambët dhe i patën thye edhe parakrahët, e lanë pas asnjë mjekim. I shtrimë në një dysheme çimentoje ushqehej me gojë, dhe kafshonte ndonjë copë buke të thatë, që xhullijt i hidhnin prej sportelit. Pinte ujë në një tas që ndodhej mbas derës. Lëvizte kalas nëpër dhomë. Nuk hynte asnjëri, mbasi qelbej nga nevojat e kryeme mbrenda dhomës.
Deri këtu ndokush nuk shef ndonjë gja të jashtëzakonshme…!
Një ditë thirrën nanën e tij dhe i thanë: “Hajde e takoje djalin!”.
Nanë shkreta hyni shend e verë me e pa djalin…hyni n’at dhomë që ma mirë një ditë ma parë të kishte hi në vorr. E pau e i tha katilave:
“Ma vritni…banje këtë mirësi…e mos ma leni djalin gjallë me vuejtë kështu…aman ma vritni sa më parë…!”.
A ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet?
Kjo asht Nana e Don Lazrit…!
Deri këtu i kanë çue nanant shkodrane, katilat komunista.
Po a vetëm nanat shkodrane? – besoj se Shqipnia ka qinda këso nanash!”.

Marrë nga libri “Çinaret”
At Kondrrad Gjolaj

OSBE kërkon angazhim për nisjen e reformës zgjedhore

Nga Korça, ambasadori i OSBE, deklaroi se reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm duke mbledhur komisione nga Tirana. Si model, Bernd Borshardt përmendi projektin pilot të gjykatëve në qytetin juglindor, “Drejtësi pa vonesa”.
Bernd Borshardt: Korça, qyteti i një prej gjykatave pilot për “Drejtësi pa vonesa” është shembulli se reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm me komisione dhe dokumentacione në Tiranë; reforma bëhet edhe për jetën reale të qytetarëve realë, në vende reale. Që reforma në drejtësi të jetë efikase, ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse. Ligjet dhe strukturat po reformohen, por duhet të mos harrojmë se për zbatimin e tyre është e domosdoshme që të merren masa për rritjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Në prag të vitit elektoral 2017, ambasadori i OSBE, tha se ende nuk ka një draft final për reformën zgjedhore ndonëse ka shumë sugjerime.
Bernd Borshardt: Fusha është e hapur për momentin, kemi shumë sugjerime, është me rëndësi që ato të bëhen në mënyrë sa më formale. Mora një propozim për reformën mbrëmë, por nuk pata kohë ta shqyrtoja, pasi do të udhëtoja për në Korçë, ndaj nuk mund të them ku konsistonte, por e rëndësishme është që ka sugjerime. Kemi rënë dakord me komisionin parlamentar, që në momentin që kanë një draft të përbashkët, do të ndihmojmë me asistencën tonë.
Ambasadori i OSBE ishte në Korçë për reformën e shërbimit të provës tek të miturit, një tur takimesh që prezenca po mban në të gjithë vendin.

Përgjysmohet fitimi i sistemit bankar për 9-mujorin, goditen nga kreditë e këqija

Bankat kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve për 9 muajt e 2019-s, ndryshe nga viti i kaluar kur fitimi i sistemit arriti në nivele rekord. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit bankar për periudhën janar shtator 2016 ishte 6.5 miliardë lekë, nga 11.3 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej 44%. Dy janë arsyet kryesore të rënies së fitimeve:
Së pari, janë ulur të ardhurat neto nga interesat me rreth 3% me bazë vjetore për 9-mujorin, si rrjedhojë e mjedisit me interesa të ulëta përgjatë këtij viti, që arritën kulmin deri në gusht, ndërsa pas gushtit ka filluar tendenca rritëse.
Së dyti, dhe që ka dhënë ndikimin më të fortë, është shtimi i lartë i provigjioneve (fondet që bankat vënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme), që u zgjeruan me 9 miliardë lekë apo 217% për 9-mujorin, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Shtimi i këtyre fondeve ka ardhur teksa niveli i kredive me probleme ka shënuar një tjetër rritje përgjatë këtij viti, për të arritur në 21.4% në fund të gushtit, nga rreth 18% që zbriti në fund të vitit të kaluar, si rrjedhojë e fshirjes së huave me probleme.
Fitimi i bankave pritet të shënojë ulje të mëtejshme, teksa Banka e Shqipërisë po orienton provigjionimin e plotë dhe prudent të kredive me probleme, duke filluar nga dhjetori i këtij viti. “Banka e Shqipërisë do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara në aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë ajo garanton stabilitetit më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve”, ka pohuar BSH.

KLSH: 200 milionë euro humbje në vit nga korrupsioni

Shqipëria humb 200 milionë euro në vit nga korrupsioni. Deklarata u bë dje nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj gjatë prezantimit të auditimit 8-mujor të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. “Sipas të dhënave të Bankës Botërore në botë sot mbi 1 miliard dollarë në vit humbasin nga korrupsioni. Në Shqipëri sipas të dhënave dhe auditimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rreth 200 mln euro janë humbje nga korrupsioni. Kostoja e korrupsionit nuk është thjesht vjedhja e fondeve publike, kostoja e vërtetë është sabotimi i së ardhmes që shprehet në më pak spitale, shkolla, ujë, rrugë dhe energji. Po kështu edhe thithja e investimeve varet nga transparenca dhe eficenca e institucioneve publike”, u shpreh Leskaj. Ai u ndal gjatë edhe në auditimin e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, duke tërhequr vëmendjen për zvarritjen e çështjes. Ai tha se duhet të shtohen fondet. “Nga neglizhenca në hartimin dhe mosnxjerrja në kohë e akteve nënligjore nga organet shtetërore për zbatimin e detyrimeve e parashikuara në ligj, ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nuk përfituan plotësisht dhe në kohë nga zbatueshmëria e plotë e kuadrit ligjor. Për rrjedhojë janë krijuar pasoja serioze dhe në rehabilitimin e tyre. Nga institucionet shtetërore përgjegjëse jo vetëm që nuk janë realizuar detyrimet ligjore ndaj tyre, por dhe nuk ka një datë të saktë se kur do të mbarojë procesi i dëmshpërblimit, duke e shtyrë kështu për një periudhë të pacaktuar rehabilitimin e plotë të kësaj shtrese”. “Aktualisht gëzojnë statusin e ish-të përndjekurit 42 777 persona sipas Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, megjithëse kjo shifër kontestohet nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, sipas të cilit kjo shifër mendohet të jetë dy herë më e lartë, rreth 100 000. Çështja vazhdon të zvarritet. 26 vjet pas rënies së komunizimit ata kanë përfituar vetëm 1/3 e dëmshpërblimit. Përsëris një rekomandim të kahershëm të KLSH, 20% i të ardhurave nga privatizimi i sektorëve strategjikë të shkojë për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë, 30% për privatizim dhe 50% për shlyerjen e borxhit”.  Leskaj kërkoi nga qeveria ecjen me ritme më të shpejta në dhënien e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë. Nga një auditim i bërë, KLSH evidenton se vetëm 1/3 e kësaj kategori janë dëmshpërblyer. Dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politikë janë konsideruar nga qeveria Rama si prioritet, por nga një auditim prej 8-muajsh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rezulton se vetëm 1/3 e kësaj kategorie është dëmshpërblyer. Bujar Leskaj, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit bëri me dije se ndryshimet e shpeshta në ligj, zvarritja e një procesi të tillë ndikon negativisht në rehabilitimin moral dhe financiar të kësaj kategorie që vuajti më shumë pasojat e regjimin komunist. Bujar Leskaj: Kanë dështuar në rehabilitimin e kësaj shtrese të shoqërisë në një kohë optimale. Jemi shumë larg përmbushjes së atyre detyrimeve ligjore, kushtetuese, morale dhe të drejta që shoqëria shqiptare ka ndaj jush. Kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve, Bilal Kola, e vuri theksin tek punësimet e kësaj kategorie, pasi në të dhënat e KLSH-së rezulton se nga 182 kërkesa të bëra për rikthimet në punë për arsye të largimeve të pamotivuara, vetëm 3 persona janë rikthyer në vendin e punës. Bilal Kola: Në ligjin e statusit thuhet që kjo shtresë trajtohet me përparësi kur vjen puna tek punësimi, por ama është fakt që kjo shtresë nuk ka asnjë lloj përparësie faktike. Agron Tufa që drejton sektorin e krimeve të komunizimit tha se, mungojnë të dhënat për numrin e fëmijëve të ish-internuarve, pasi në regjistra figurojnë vetëm emrat e prindërve, duke lënë këtë kategori jashtë përfitimeve. Agron Tufa: Fëmijët është pjesa më e dhembshme e kësaj historie dramatike të Shqipërisë komuniste, nuk e gjejnë veten. Veprimtaria e KLSH, e shtrirë gjerësisht në auditimet në institucionet publike në mënyrën se si shpenzohen fondet publike dhe eficenca e tyre, është vlerësuar edhe nga Gjykata e Auditimit të Austrisë për pavarësinë e institucioneve dhe standardet e zbatuara. Nuk është bërë e mundur që bonot e privatizimit të kthehen në përfitim për ta, u shpreh kreu i KLSH-së gjatë publikimit të një raporti në praninë e ish-të përndjekurve lidhur me procedurat e dëmshpërblimit ndaj tyre. Leskaj nuk ka lënë mënjanë kërkesën për Ministrinë e Financave që të shtojë fondet për ish-të përndjekurit politikë pasi në 8 vite është dhënë gati 1/3 e shumës. Sipas të dhënave zyrtare, fondi për ish-të përndjekurit është rreth 18 milionë dollarë në vit. Ky fond filloi në vitin 2008, por me ardhjen e socialistëve në pushtet ndryshuan procedurat dhe prioritetet, proces i cili ka bërë edhe një zgjatje përtej afateve ligjore për dëmshpërblimin. Fondet që qeveritë kanë dhënë këto 8 vite janë thuajse të njëjta, por ka ndryshuar thjesht dhe vetëm procedura dhe radha e përfituesve.

A.Shahini

Torturat çnjerëzore në hetuesinë komuniste

Luljeta PROGNI

“Fol, ja këtu nxirre qumështin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!”.
“Rrno për me tregue”. Torturat çnjerëzore në hetuesinë komuniste dhe mesazhi në murin e burgut që tmerroi At Zef Pllumin: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet. U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha?”.
Sot më 5 nëntor, Shqipëria do të jetë sërish në vëmendjen e mediave të huaja, pasi në Shkodër mbahet mesha për martirizimin e 38 klerikëve të Kishës Katolike, të vrarë gjatë sistemit komunist. Autoritete të larta të Vatikanit do të jenë sot në Shkodër, për të marrë pjesë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, por edhe për kishën në tërësi.
Janë 38 histori tragjike të klerikëve shqiptarë që në të vërtetë përcjellin qindra të tjera të ngjashme të klerit katolik, por edhe të viktimave të sistemit komunist në Shqipëri. Kemi zgjedhur një pjesë nga libri i At Zef Pllumbit për të përcjellë kalvarin e vuajtjeve të tyre. Kush më mirë se At Zef Pllumi i përcjell mundimet e tij e të gjithë klerikëve e shqiptarëve të tjerë, që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Është një rrëfim i ndjerë i At Zef Pllumit që përcjell disa ditë të jetës së tij, në torturat komuniste, por edhe bashkëvuajtësit e tij fatkeq. Ai rrëfen një mesazh që kishte gjetur në murin e burgut, i shkruar nga një prift që ishte torturuar çnjerëzisht. Një mesazh që e kishte tmerruar At Zefin.
“Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi:
“Dr. Paulin Pali, jurist. Ishte nji emën i ndigjuem për mirë, në të mbështeteshin shpresat e shumkuj prej atyne intelektualeve që thurrshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.
Nën shkallë ishte WC-ja alaturka; ngjitun hamamxhiku i vogël; të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shterngueme në zinxhirë kali me dry e të kapuna në murin mbrapa me nji hallkë, duerët të lidhuna para.
Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndersa po i avitesha WC-së. Ai e persriti nen zâ emnin që i thashë.
– A të njofun ty?…
Vetëm kaq se pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardjanit që bërtiti prej së largu: Paulin… Paulin, he derr as aty nuk rrin urtë, – dhe e mbylli frazen me nji të shame të turpshme. Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atê pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmen e Dhetorit. Sytë i drejtoshem te ai burri në hamarnxhikun e vogël: A ishte ky Paulini?.. Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhun kambësh, në nji pozicion që as nuk rrinte drejt në kambë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhun ashtu, sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim. Mâ vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Perbrí meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhun palmuç të mbluem me nga nji batanije leckë; ndërsa, përballë me fëtyrë të sjellun nga muri kater tjerë, në kambë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë. Në atê heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojes që sillej aty me automatik ngrehë, dhe të gjamave, pshertimave e ulurimave t’atyne që vuejshin n’atê oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.
O Zot i madh, – thashe me vedi, – a thue ndoshta kam dekë e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjeter, por vajë e kërcllim dhambësh”? N’atê moment mund ishte ora 1 mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjeter të mjerë. Kadale e ulnin shkallëve; rojet kqyren pjeshkën ku ishem i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti. Atëherë të mjerin tjetër e lidhën afër WC-së ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte, ndërsa roja i avitej e kërcnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.
Në mëngjes herët filloi radha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para orës 7 ra qetsi, mandej u ndrruen rojet. Kah ora 10 erdhën e më zgjidhën nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte mâ i zoti me lshue kurrfare zani. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër kater dyer. Ndeja aty në kambë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun, Cin Lezha dhe nji tjeter që nuk e njofta….
Vazhdoi nji heshtje, ndërsa ai sillej rrotull nëpër dhomë.
– Nuk don të flasësh?…
– Po shka të flas?
– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?
– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.
– Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!
– Po shka të flas? Ti më pvet shka don e un të përgjigjem.
– Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. – Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!…
– Nuk dij shka me folë.
– Nuk din ti ë?
Kapi shufren e hekurit, me të cilen shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjale që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!
Un nuk kishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjeter, atê që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC-së e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardjani sillej aty afer e nuk mund folej. Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje:
“Un, Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet”.
U tmerrova.
A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo!”.

Përse është ndryshe Trump?

Fareed Zakaria

Gjatë kësaj fushate, kam dëgjuar nga shumë njerëz që kanë përshëndetur kundërshtimet e mia ndaj Donald Trumpit. Por të tjerë më kanë kundërshtuar, duke argumentuar se kam qenë i anshëm, se edhe Hillary Clintoni mund të ketë të meta. Kështu që, lejomëni të shpjegoj, për herë të fundit, përse Donald Trumpi meriton vëmendje të veçantë.
Unë nuk jam person shumë partiak. Kam disa pikëpamje që janë në të majtë të qendrës, por edhe të tjera që janë konservatore. Unë kam ardhur në këtë vend kur Ronald Reagani ishte president dhe e admirova. Kam mendim shumë të mirë për shumë politikanë republikanë, duke përfshirë edhe dy kandidatët e fundit të Partisë Republikane, John McCain dhe Mitt Romney, të cilët të dy janë burra të nderuar, që do të kishin qenë presidentë të mirë.
Donald Trumpi është ndryshe – jo thjesht sepse është i padurueshëm, ngjitës dhe vulgar apo sepse bizneset e tij tregojnë qartë se është një mjeshtër i mashtrimit. Ai është i ndryshëm, për shkak të asaj në të cilën beson.
Mënyra më e thjeshtë për të kuptuar gjërat themelore që beson Trumpi është të shohësh fjalët dhe veprimet e tij, dhe jo vetëm sot, por shumë kohë më parë. Politikanët kënaqin dëshirat e votuesve dhe pikëpamjet e Trumpit për Sigurimet Shoqërore dhe Kujdesin Mjekësor (që ai premton të mos i prekë) dhe taksat (që ai premton t’i shkurtojë) duken goxha të pasinqerta ose reflektime të asaj që ai mendon se votuesit duan të dëgjojnë. Por ai ka besime, vlera dhe instinkte më të thella.
E para, në radhë është raca. Trumpi është shprehur vazhdimisht – me fjalë dhe vepra – në mënyra që mund të përshkruhen vetëm si raciste. Në vitet e tij të hershme si ndërtues, ai është paditur nga Departamenti i Drejtësisë për faktin se u ka mohuar strehimin zezakëve, të kualifikuar për ta marrë atë shërbim. Në rastin e Pesëshes së Central Parkut, Trumpi kërceu në arenën publike, duke marrë dhe paguar faqe të plota reklamash ku sulmonte dhe akuzonte adoleshentët me ngjyrë, si dhe duke kërkuar që “kur ata vrasin, të ekzekutohen për krimet e tyre”. Ai refuzoi të sprapset, kur provat e ADN i kishin shfajësuar qartësisht të pestët, dhe qyteti i Nju Jorkut u detyrua që të paguajë 41 milionë dollarë dëme, për burgosje të padrejtë të tyre, për 13 vjet me radhë.
Trumpi duket se beson thellësisht në stereotipet etnike. Ai mburret për linjën e tij të gjakut dhe e krahason me mbarështimin e kuajve të garave. Në një libër të vitit 1991, një prej ndihmësve të Trumpit përshkruan se si ai ndihej i tmerruar që kishte dy afro-amerikanë në departamentin e financës në dy prej hoteleve të tij, duke e cituar Trumpin të thoshte: “Zezakë që numërojnë paratë e mia! E urrej këtë gjë. Të vetmit lloje njerëzish që dua të më numërojnë paratë, janë burra të shkurtër me kapelë ortodoksësh në kokë”. Trumpi e pranoi vërtetësinë e këtyre komenteve në një intervistë të mëvonshme për “Playboy”, përpara se ta quante “marrëzi” në një tjetër intervistë në vitin 1999, të dhënë për “NBC”.
Trumpi ka qenë gjithmonë një proteksionist. Në vitet 1980, ai ishte i sigurtë që japonezët do të merrnin kontrollin e botës dhe zgjidhja e vetme ishin tarifat dhe luftërat tregtare. Duket se ai nuk e ka vënë re që, e ardhmja që ai parashikoi, nuk ndodhi kurrë. Tani ai e ka fokusuar zemërimin e tij tek Kina, pikërisht teksa ekonomia ka nisur të ngadalësohet dhe Meksika, një vend kaq i vogël, saqë ndikimi i tij në ekonominë e SHBA është minimal. Fija që i bashkon të gjitha është se Trumpi nxiton gjithmonë t’u thotë amerikanëve që janë në vështirësi ekonomike, se duhet të fajësojnë të huajt për problemet e tyre.
Nëse ka një pikëpamje që Trumpi e ka shprehur vazhdimisht, haptas dhe me ngazëllim, kjo është se gratë ekzistojnë si objekte për kënaqësitë e burrave. Ai ka thënë e ka bërë dhjetëra gjëra gjatë 30 viteve, që konfirmojnë këtë pikëpamje poshtëruese për gratë – në intervistat me Houard Stern, gjatë kohës që kishte në pronësi konkursin e Miss Universe, kur përshkruante gratë që punonin dhe kur ka debatuar me kandidate femra, si Carly Fiorina dhe Hillary Clintonin. Një herë, në revistën e Nju Jorkut, Trumpi ka thënë për gratë se “ato duhet të trajtohen si m…”.
Së fundi, Trumpi ka shprehur padurim dhe pakënaqësi për shumë prej themeleve të demokracisë liberale. Ai ka premtuar vazhdimisht që të ndryshojë ligjet, për ta bërë më të lehtë ndëshkimin e gazetarëve që e sulmojnë. Ai ka kërcënuar njerëz që kanë kontribuar për kundërshtarët e tij republikanë, duke lënë të kuptohet se do të shtyjë qeverinë që të shohë “me lupë” bizneset e tyre. Ai ka premtuar një numër politikash që janë joliberale, jokushtetuese e madje edhe krime lufte, si për shembull ndalimi i hyrjes në SHBA për të gjithë myslimanët apo përdorimin e torturës për të dyshuarit si terroristë dhe vrasjen e familjeve të tyre. Ai ka krahasuar idetë e tij me internimin e nënshtetasve të SHBA dhe jonënshtetasit me prejardhje japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke lënë të kuptohet se e miraton atë lloj mase. Dhe ai ka premtuar të burgosë kundërshtarët, nëse zgjidhet.
Këto pra, janë bërthama e besimeve të Donald Trumpit, të shprehur nëpër dekada dhe të konfirmuar nga shumë prej veprimeve të tij: racizëm, seksizëm, proteksionizëm, ksenofobi dhe autoritarizëm. Pikëpamjet e tij për taksat dhe rregullat janë pa lidhje. Pikëpamja juaj për Hillary Clintonin është pa lidhje. Donald Trumpi nuk është një kandidat normal. Ai është një rrezik për demokracinë amerikane. Dhe për këtë arsye do të votoj kundër tij të martën.

Si u bë Maqedonia qendër globale e keqinformimit pro Trumpit?

Qyteti i Velesit që ndodhet në pjesën qendrore të Maqedonisë, sërish është gjendur në faqet e mediave të njohura botërore dhe sërish për të njëjtën temë edhe atë vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Pas “Gardianit”, edhe “Buzzfeed” shkruan për fenomenin e hapjes së faqeve, të rreme, të internetit që favorizojnë kandidatin republikan, Donald Trump.
Si lajm i parë në një nga faqet e këtilla të hapura në internet është se kandidatja demokrate, Hillary Clinton do të paditet nga Trump, i cili siç thuhet, do të jetë president i ardhshëm i SHBA-ve.
Teksti i kësaj faqeje të internetit është transmetuar edhe nga portale të tjera, si i vërtetë. Një nga themeluesit e kësaj faqe, i cili nuk dëshiron të publikojë identitetin, tha se qëllimi i tij kryesor ishte që të fitonte para për studime.
“Unë vendosa të hap faqen e internetit pasi nuk kisha punë dhe e kisha të lehtë meqë punoja nga shtëpia. Shtrohet pyetje pse Trumpin? Atë, pasi është më i lexuar dhe ka interes më të madh për të. Përfitimi ndryshonte nga muaji në muaj, por është i mjaftueshëm për një student”, tha për Radion Evropa e Lirë themeluesi i faqes së internetit.
Ai bën të ditur se këtë punë tani e ka ndërprerë pasi ka gjetur punë tjetër me një stabilitet më të qëndrueshëm financiar, por edhe për shkak se kishin filluar të hapen edhe faqe tjera që i kishin ulur përfitimin. Ai thotë se gjatë punës së tij nuk mbanin llogari për besueshmërinë e lajmeve që publikonin pasi me rëndësi ishte që lajmi të jetë tërheqës për opinionin.
Faqet e tilla të internetit madje publikojnë edhe anketa sipas të cilave maqedonasit, por edhe shtete të tjera të rajonit, më shumë e përkrahin Trumpin se kandidaten demokrate Hillary Clinton.
Viktor Dano është redaktor në portalin informativ “it.mk”. Ai nuk beson se bëhet fjalë për interesa politike, por se në pyetje është përfitimi përmes reklamave, që, sipas tyre, mund të arrihen nëse publikohen lajme sensacionale, siç janë ato për Trumpin.
“Por ajo që ata bëjnë mendojnë se është kriminalitet dhe mashtrim pasi së pari vjedhin përmbajtje të lajmeve, bëjnë plagjiat dhe paraqesin lajme të rrejshme. Bëhet fjalë për mashtrime që të tërheqin lexues dhe reklama për para edhe pse biznesi nuk është shumë i qëndrueshëm”, thotë Dan.
Mersel Bilali, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fon dhe ish-deputet, thotë se portalet e tilla nuk pasqyrojnë realitetin sa i përket politikës së jashtme edhe pse këtu sipas tij është në rritje disponimi pro rus dhe kjo mund t’i ketë nxitur që të përfitojnë sa më shumë duke publikuar lajme qoftë edhe të rrejshme për kandidatët presidencialë.
“Dhe gjithë ata që e gjejnë veten në orientimin pro Moskës veprojnë në këtë formë. Unë mendoj se nuk është e rastësishme pasi lufta bëhet për çdo votë. Ka disa maqedonas atje dhe ndoshta dikush tenton që prej këtu t’i bindë se për kë të votojnë”, thotë Bilali.
Ndryshe, zgjedhjeve presidenciale në SHBA po i kushtohet vëmendje e theksuar në mediat e këtushme duke transmetuar fushatën dhe prononcimet e kandidatëve për president para së gjithash ato që kanë të bëjnë me politikat globale.

FBI: Hetime për një dokument të falsifikuar në emër të Hillary Clinton

Agjencia “Reuters” ka raportuar se hetimet e agjencisë amerikane FBI, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, janë zgjeruar në dokumentet e falsifikuara, që sugjerojnë se fushata e kandidates demokrate, Hillary Clinton, mund të ndërmarrë masa ekstreme, siç është edhe “skenari për trazirë civile”, për ta siguruar fitoren.
Zyrtarë të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara privatisht kanë tërhequr vërejtjen se fushata ruse për shkatërrimin e besueshmërisë së zgjedhjeve, mund të ketë lëvizur përtej depërtimit dhe rrjedhjes së e-mail-eve të Partisë Demokratike, duke postuar dëshmi të imagjinuara për vjedhje të votave ose dezinformata të tjera, raporton “Reuters”.
Raportohet se FBI po e shqyrton një memorandum elektronik prej 7 faqesh, të postuar në rrjetin Twitter, më 20 tetor, nga personi Roger Stone, një operativist republikan dhe ish-ndihmës i kandidatit republikan për president, Donald Trump, që e ka logon e Fondacionit Clinton dhe kompanisë për hulumtime të opinionit, Benenson Strategy Group.
Në memorandumin e titulluar “Programi i Shpëtimit”, që është identifikuar si “i falsifikuar” nga fushata Clinton dhe Fondacioni Clinton, pretendon se rejtingu i saj në hulumtime të opinionit ka rënë dhe ka bërë thirrje për “ndryshime të ashpra të strategjisë për nëntor”, që mund të përfshijnë “skenarë të trazirës civile” dhe “sulm radiologjik” me bomba “të pista”, për shkatërrimin e votimeve më 8 nëntor. Nuk është e qartë se ku e ka origjinën ky dokument i rrejshëm dhe si ka filluar të qarkullojë në internet.

Comey në qendër të kritikave

Drejtori i FBI-së, James Comey është përzier në fushatën zgjedhore amerikane dhe është tani vetë në qendër të kritikave. A po përpiqet ish-republikani të sabotojë kandidaturën e Hillary Clintonit?
Më 2 mars 2015 “New York Times” shkruante se, Hillary Clinton përdorte në kohën e saj si sekretare e Jashtme një server privat për e-mail-e. Pasi Clintoni e pranoi pak ditë më pas këtë fakt të botuar nga “New York Times”, FBI-ja filloi hetime ndaj saj.
Një vit më vonë drejtori i FBI-së, James Comey deklaroi se institucioni i tij i kishte mbyllur hetimet dhe se nuk kishte gjetur ndonjë shkak për të ngritur akuzë kundër Clintonit. Shpallja e mbylljes së hetimeve pak kohë para zgjedhjeve presidenciale dhe në mënyrë aq të hollësishme e prezantimit të kësaj ngjarjeje përpara shtypit, sikurse e bëri vetë James Comey, është e pazakonshme në kritika të ashpra – edhe nga Donald Trump.
Republikanët në Kongres u zemëruan shumë që shefi i FBI-së, vetë ish-republikani, nuk rekomandoi ngritjen e padisë ndaj Hillary Clintonit. Sidomos Donald Trump, por edhe republikanë të tjerë e kritikuan ashpër atë. Demokratët, u ndjenë të lehtësuar dhe e lavdëruan vendimin. Në këtë kohë u duk se historia mori fund.
Por 11 ditë para zgjedhjeve James Comey, ndezi  për herë të dytë brenda pak muajsh një bombë politike. Ai i informoi me një letër të shkurtër anëtarët e Kongresit se FBI-ja ka nisur sërish hetime në lidhje me aferën e e-mail-eve të Hillary Clintonit, por se nuk mund të thotë nëse këto e-mail-e janë relevante apo jo. Letra jo vetëm që u bë menjëherë e njohur në publik, por dominon që prej atij momenti edhe fushatën zgjedhore në SHBA.

Presionet ndaj FBI

Kësaj radhe kritikat ndaj Comey-t erdhën nga kampi i demokratëve dhe nga Hillary Clinton. Me letrën e tij ai ka thyer jo vetëm një rregull të hekurt që gjashtë javë para zgjedhjeve të mos ndërmerret asnjë veprim që mund të interpretohet si ndikim politik, por e ka kthyer madje kokëposhtë fushatën zgjedhore.
Edhe Presidenti Barack Obama e kritikoi FBI-në, por pa e përmendur emrin e James Comey-t. Ai tha se hetuesit duhet të punojnë me informacione dhe vendime konkrete dhe jo me aludime.
Edhe shumë republikanë dhe ekspertë të drejtësisë janë të zemëruar me hapin e Comey-t për të informuar Kongresin, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga autoritetet më të larta të drejtësisë. Richard Painter, profesor i drejtësisë në Universitetin e Minesotës, tha se veprimi i Comey-t është “një shpërdorim monstruoz i postit” dhe “jo mënyra se si punon FBI-ja, e cila duhet t’i mbajë hetimet sekret”.
William Snyder, ish-zëvendësprokuror në shtetin e Pensilvanisë dhe të Uashingtonit, thotë se Comey, kur kishte deklaruar mbylljen e hetimeve nuk e dinte se do të dilnin materiale të tjera dhe se në momentin që ato dolën, e ndjeu veten të detyruar të bënte këto sqarime shtesë.

Kush e ka fajin?
Richard Painter dhe shumë të tjerë mendojnë se, James Comey është vetë fajtor, se ai nuk duhet t’i premtonte Kongresit, kur deklaroi mbylljen e hetimeve, se do ta informonte sërish, nëse do të kishte zhvillime të reja. William Snyder thotë se fajin e ka Kongresi, se nëse kongresmenët nuk do ta thërrisnin Comey-n për të deklaruar përpara Kongresit ai nuk do të vihej në një situatë të tillë.
Daniel Richman, këshilltar i Comey-t mendon se sido që të vepronte shefi i FBI-së ai do të kritikohej. Po të kishte heshtur, do të kritikohej dikur kur gjërat të dilnin në shtyp, se kishte heshtur në këto rrethana të jashtëzakonshme. Tani që u shpreh kritikohet për ndikim politik. Richman thekson se “axhenda e Comey-t është të mbrojë integritetin dhe kredibilitetin e FBI-së”.

FBI nuk e do Hillary Clinton-in

Burime të shumta të Byrosë së Hetimit në Shtetet e Bashkuara kanë rrëfyer për gazetën “The Guardian” se në radhët e FBI ekziston një antipati e thellë për Hillary Clinton, nga e cila rrjedh edhe dashakeqësia për të dëmtuar fushatën e saj vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
Zyrtarë aktualë dhe ish-punonjës të FBI-së, ku asnjëri prej të cilëve nuk pranoi që të fliste publikisht, thonë se rihapja e hetimit për zonjën Clinton erdhi si pasojë e një klime kaotike të brendshme. Një agjent aktual e ka cilësuar FBI si “toka e Trump”, ose thënë ndryshe si “Trumpland”. “FBI është një Trumpland”, tha ai.
Por kjo antipati për Hillary Clinton, rrënjët e së cilës nuk dihet se nga vijnë, ngre pyetjen sesi do të jenë marrëdhëniet mes shefit të FBI-së, James Comey dhe ish-sekretares së Shtetit, nëse kjo e fundit zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Ka shumë njerëz që nuk mendojnë se Trump është i kualifikuar mjaftueshëm për të qenë president, por nga ana tjetër besojnë se Clinton është një nga kandidatët më të korruptuar për president”, tha një ish-zyrtar i FBI-së, i cili shtoi që këtë herë votuesit janë përballë dy zgjedhjeve shumë të vështira: një të paafti dhe një politikani të korruptuar.
Një furtunë reagimesh ka shpërthyer kundër James Comey, duke filluar nga presidenti Obama dhe dhjetëra përfaqësues demokratë, duke e akuzuar atë për ndikim në zgjedhje. Por ky i fundit ka ruajtur qetësinë, edhe pse Clinton dhe Trump i kanë bërë thirrje Byrosë që të tregojë gjithçka di.
“Fox News” i ka shkuar edhe më thellë. Ata raportojnë se FBI jo vetëm po heton e-mail-et e kandidates demokrate, por edhe fondacionin e saj, “Clinton Foundation” mbi mënyrën sesi ky i fundit merr fonde dhe donacione nga e gjithë bota.

Gjykata e Lartë britanike kundër Brexit

Gjykata e Lartë britanike u dha një goditje mbështetësve të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian apo Brexit.
Ajo vendosi dje se qeveria duhet të konsultohet me Parlamentin para fillimit të shkëputjes.
Përkrahësit e shkëputjes thonë se do ta apelojnë vendimin e gjykatës.
Kryeministrja Theresa May ka thënë se në muajin mars do të përdorë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës për të filluar procesin e shkëputjes me negociatat që do t’i jepnin fund anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Europian.
Vendimi ishte zhgënjyes për Kryeministren May, duke shtruar pikëpyetje nëse ajo do të jetë në gjendje ta zbatojë afatin e muajit mars.