Ashtu siç ishte paralajmëruar familjet e përmbytura në zonën e Babrrusë në kryeqytet kanë nisur grevën e urisë. Ata kërkojnë strehim, pasi banesat e tyre janë përmbytur nga Lumi i Tiranës. Brenda gjimnazit në Babrru kanë vendosur të hyjnë në grevë urie 36 familjarë. Lumi Tirana u mori shtëpitë e sajuara dhe qëndrojnë në këtë palestër prej më shumë se dy javësh. Vendosën të kyçen brenda saj për të plotësuar vetëm një kërkesë. Midis tyre janë edhe 9 fëmijë. Por nuk kanë ndërmend të tërhiqen edhe pse Bashkia e Kamzës i ka njoftuar se qeveria nuk i ka akorduar asnjë fond për strehimin.
Nuk kanë ku të shkojnë, pasi shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme. Palestrën e gjimnazit “Gramoz Palushi” e kanë strehën e vetme 36 banorët që hynë në grevë urie. “Kërkojmë strehim nga shteti, asgjë tjetër. Kërkojmë kredi afatgjatë me interes të ulët që ta përballojmë”, u shprehën ata.
Ata u shprehën se shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga rrjedha e madhe e lumit dhe se tani nuk kishin ku të fusnin kokën. “Nuk dalim nga greva pa zgjidhje, na kanë braktisur në palestër”, shprehen disa familjarë. Një strehim nga shteti dhe kredi me interes të ulët afatgjatë, ishin dy nga kërkesat që familjet bënë në drejtim të shtetit. Familjet e zonës së Babrrusë paralajmëruan një ditë më parë se do të nisnin grevën.
Këto familje, pas përmbytjeve të javëve të fundit, u futën nga Bashkia e Tiranës në një palestër, përkohësisht, por më pas ato u lanë aty dhe asnjë zyrtar vendor nuk erdhi t’i takonte dhe t’i jepte zgjidhje për shtëpitë që u bënë të pabanueshme.
Lidhur me përmbytjet që u shkaktuan, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, tha një javë më parë se, “kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së financimeve të projekteve të Bashkisë nga qeveria. Bashkia Kamëz i ka dërguar qeverisë në mënyrë të përsëritur dhjetëra kërkesa për financimin e projekteve të kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) në Bathore, Frutikulturë, Valias, Laknas, në Paskuqan 1, Paskuqan 2, në Babrru. Por zero financime ka pasur deri tani nga ana e qeverisë, çfarë ka bërë që të ndodhin edhe këto përmbytje.
Në këtë mënyrë, kjo qeveri vijon diskriminimin e qytetarëve të Kamzës e Paskuqanit, madje duke provuar mbi kurriz edhe dëmet e jashtëzakonshme, edhe sigurinë për jetën, për shkak të indiferencës së qeverisë ndaj tyre”.
36 familje në Babrru në grevë urie, iu shembën shtëpitë nga përmbytjet
Reagim i PD për TEC-in e Maliqit: Një minë mjedisore për Korçën
Dega e PD Korçë ka reaguar dje kundër ndërtimit të TEC-it në Maliq, pasi sipas saj, ky TEC do të kthehet në një minë mjedisore për të gjithë Korçën. “Prej një viti qeveritarët, midis të cilëve edhe numri dy i saj, Niko Peleshi po bëjnë të gjitha përpjekjet dhe çdo presion të mundshëm, për të kaluar në Komisionin e Posaçëm parlamentar, projektligjin, që parashikon ndërtimin e një vepre energjetike që do të shfrytëzojë si burim energjie, torfën e fushës së Maliqit, njofton dega e PD-së së Korçës nëpërmjet një deklarate për shtyp nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ledina Alolli.
“Nga ndërtimi i TEC it të Maliqit, do të shfrytëzohen 157 milionë m3 torfë, e cila, është një lëndë fosile helmuese, me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Ndërtimi i kësaj vepre energjetike, për të cilën qeveria nuk ka bërë as transparencën minimale do të shkatërrojë në mënyrë përfundimtare, një sipërfaqe prej 290 ha tokë bujqësore, duke e kthyer atë në një terren minerar”, thuhet më tej në deklaratë.
Korça, që deri në fillim të viteve ’90 vuajti pasojat e jashtëzakonshme mjedisore dhe jo vetëm të TEC-it, që punonte me qymyr guri, tani do t’i duhet të rikthehet pas në kohe, për të vuajtuar pasoja akoma më të rënda, nga një tjeter vepër energjëtike që më shumë se sa dritë do të prodhojë ndotje alarmante mjedisore, gazra helmues dhe hirin, po aq të rrezikshëm që do të mbetet nga djegia e torfës.
“Zv/kryeministri Niko Peleshi, me përpjekjet dhe presionin që po ushtron për të miratuar ndërtimin e një TEC-i, teknologjia e të cilit daton një shekull e gjysëm më parë po ju tregon korçarëve dhe shqiptarëve, se interesat e tij të paligjshme e kanë çuar në derën e grupeve kriminale të Europes Lindore”, përfundon Alolli.
Para tre ditësh, intelektualë dhe ambientalistë së bashku me Departamentin e Mjedisit në PD kërkuan ndaljen e projektit të TEC-it që do të përdorë torfën e Maliqit. Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike organizoi një konsultim të hapur me publikun në qytetin e Korçës në lidhje me projektligjin për të kthyer 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerale për përdorimin e torfave të Maliqit për prodhim energjie në TEC me kapacitet 500 MW.
Torfa është mbetje natyrale e kënetave, e cila pas përpunimit për energji çliron lëndë helmuese, më e dëmshme se dioksidi i karbonit. Për këtë arsye dhjetëra intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile në Korçë, Maliq dhe Devoll shprehën pakënaqësi në lidhje me këtë projektligj, i cili është kaluar pa asnjë transparencë për publikun. Eshtë mbajtur i fshehtë për këshillat bashkiake të Maliqit dhe të Devollit.
Korrupsion me tenderat, KLSH padit 6 zyrtarë të Bashkisë Berat
KLSH ka kallëzuar ditët e fundit 18 zyrtarë të pushtetit lokal në Prokurori, duke kërkuar hetimet për dëmet e shkaktuara prej tyre kryesisht në procedurat e prokurimit. Numri më i madh i përket Bashkisë së Beratit. 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe 3 Anëtarë të Njësisë të Hartimit të Dokumenteve të Tenderit të Bashkisë Berat, janë akuzuar për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, vendosjen e kritereve përjashtuese dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
Është dërguar për hetim ish-Kryetari i Komunës Buçimas, 3 anëtar të Njësisë së Prokurimit dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Njësinë Administrative të këtij fshati si dhe 2 mbikëqyrës punimesh, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, favorizim të operatorëve ekonomikë privat, për punime të pakryera, si dhe për dhënien në përdorim të aseteve.
KLSH ka kërkuar ndjekje penale edhe për zyrtarë të pushtetit lokal në Librazhd. Janë kallëzuar në Prokurori 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Njësisë Administrative Qukës, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizim të operatorëve ekonomikë privat.
Hetimet: Vrasja në Fier për trafikun e drogës
Vrasja e Nelgert Patës më 19 nëntor të këtij viti, veç motiveve që lidhen me hakmarrjen për vrasjen e Elton Çiços dhe përplasjet me grupin e tij, dyshohet se ka lidhje edhe me përplasjet mes tyre për linjat e mundshme të trafikut të drogës. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime pranë grupit hetimor, që është duke punuar për zbardhjen e atentatit të të dielës së kaluar.
Të njëjtat burime thanë se, vrasja mund të ketë një motiv të dyfishtë që sipas tyre mund të jetë e ndërlidhur me hakmarrjen për vrasjen e Çiços, por edhe me eliminimin e një rivali direkt në linjat e trafikut të narkotikëve brenda apo edhe jashtë vendit. Elton Çiço, 35 vjeç, u ekzekutua në një lokal në Tiranë, më 2 maj të këtij viti, ndërsa të dyshuar si autorë u shpallën Renato Milloshi e Jani Alia, miq të afërt të Nelgert Patës.
Hetuesit mendojnë se nga veprimet hetimore të kryera dhe nga dëshmitë e marra, kanë rënë në gjurmë të autorëve të mundshëm që ekzekutuan Nelgert Patën, rreth orës 13:50 të të dielës së 19 qershorit në fshatin Zhupan të Fierit. Miku i tij, Ari Alinani, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin atentat, nuk ka bashkëpunuar shumë me policinë e madje dyshohet se edhe fsheh të vërtetën.
Për këtë shkak, ai edhe është arrestuar nga policia me akuzën e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Pata u qëllua me breshëri kallashnikovi, pak momente, pasi kishte dalë nga një hotel në qytetin e Fierit në rrugën Seman-Fier, ndërsa udhëtonte si pasagjer në një automjet “Volksëagen” që drejtohej nga Ari Alinani. Autorët u larguan me një veturë “Mercedez- Benz”, të cilin e dogjën në fshatin Zhupan të Fierit.
Tre të plagosur në dy aksidente
Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në segmentin rrugor Shkozet-Plepa, duke shkaktuar një të plagosur. Një autobus me targa AA 965 AY, me drejtues shtetasin S.M 31 vjeç, banues në Lushnjë, ka përplasur një qytetar, i cili udhëtonte me biçikletë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, dhe si pasojë e goditjes ka mbetur i plagosur drejtuesi i biçikletës, shtetasi me inicialet E.P. 55 vjeç, banues në Arapaj. I lënduari është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, ku tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i autobusit është marrë në pyetje nga policia lidhur me rrethanat e aksidentit, ndërsa grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje po vijon veprimet për sqarimin e plotë të ngjarjes. Nga informacionet e marra nga policia, mësohet se ai ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, drejtuesi autobusit po pyetet në komisariat rreth rrethanave të aksidentit. “Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet për sqarimin e plotë të ngjarjes”, thotë Policia e Durrësit.
Një aksident ka ndodhur dje në Elbasan. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi Ilias Xhika, 46 vjeç, banues në fshatin Shtëpanjë Cërrik, duke drejtuar mjetin autobus tip “Benz” me targa AA 057 PD, është përplasur me mjetin motor tip “Yamaha” me targa EL888, drejtuar nga B.M, 66 vjeç, banues në fshatin Mollas Cërrik. Si pasojë, është dëmtuar drejtuesi i motorit dhe bashkëshortja e tij B.M 60 vjeçe, e cila ishte pasagjere në mjetin tip motor. Ata u dërguan në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e Rregullave të Qarkullimit Rrugor”.
Llogaritë bankare të Ramës, në Panama e Karaibe, si e zbulova Bushatin në bordello burrash
Gazetari Petër Tase: Pagova 1300 REAL në Brazilia. Bushati ka shkuar jo vetëm në bordello burrash, por ka fjetur edhe me minorene…
Peter Tase është një nga gazetarët investigativë, i cili ka bërë publik disa skanale në të cilat janë përfshirë disa nga ministrat e kabinetit Rama. Ai ishte i pari që publikoi marrëdhëniet seksuale me tranversitët të ministrit të Jashtëm Bushati në bordellot e burrave në Brazil. Ngjarja nuk u përgënjeshtrua në asnjë rast nga ministri i Jashtëm. Peter Tase thotë se si ai ka arritur në gjurmët e këtyre ministrave. Tase thotë se, pozicioni i tij i punës e ka bërë që të ketë lidhje me disa qeveri në vendet e Amerikës Latine.
Tase thotë për “RD” se, Bushati jo vetëm që është i privuar se ka shkuar në bordello burrash, por po ashtu është e provuar se ai ka shkuar edhe me prostituta minorene. “Për të zbuluar këtë skandal në Brazilia më është dashur që të paguaj edhe 1200 Real, (monedha që përdoret në Brazil)”, thotë Tase. Ministri i Jashtëm, Bushati ka vizituar Brazilin në nëntorin e vitit të kaluar. Më 5 nëntor 2015 ai është takuar me ministrin e Jashtëm të Brazilit, ku dhe ka nënshkruar një marrëveshje për transportin ajror. Kjo ka qenë edhe koha kur Bushati është kapur në aferën seksuale për të cilën është folur se ekziston edhe një video, e cila nuk është bërë publike.
Tase thotë se, përmes lidhjeve të tij, ai tani po investigon pasuritë e fshehura të Ramës dhe ministrave. “Rama ka më shumë se 200 milionë euro pasuri”, thotë Tase, duke kujtur deklaratën e bërë nga zyra e OSBE në Tiranë.
-Zoti Tase, jeni një nga analistët dhe gazetarët që keni bërë disa shkrime investigative që kanë lenë gjurmë në shtypin shqiptar, sa të besueshme janë burimet tuaja?
Shtypi i huaj gjithmonë paraqet një imazh shumë objektiv mbi Shqipërinë dhe situatën e saj socio-ekonomike. Unë kam patur fatin të bashkëpunoj me Diplomatë të shquar si Amb. Thomas P. Melady dhe Amb. Alberto M. Piedra, të dy këta ish-funksionarë të lartë të Departamentit të Shtetit e kanë njohur fare mirë situatën në Shqipëri dhe analizat e shkruara nga unë dhe shumë investigues të tjerë në SHBA janë bazuar mbi faktet dhe eksperiencën e gjithë atyre ekspertëve që janë një autoritet në: luftën kundër korrupsionit, politikën e jashtme të SHBA, progresi ekonomik i Europës Juglindore dhe në ekonominë botërore. Gazetat më të famshme në botë kanë botuar gjerë e gjatë informacione investigative mbi situatën e rënduar në Shqipëri aktualisht. Ndjehem vërtet i privilegjuar që bëj pjesë në atë grup shkrimtarësh që denoncojnë padrejtësitë dhe varfërinë e tejskajshme që ka pllakosur nëpër rrugët e Tiranës dhe në çdo cep të Shqipërisë. Vlen të theksoj sërishtm se shtypi i huaj dhe veçanërisht ai në SHBA është burimi më objektiv i informacionit që ka ekzistuar ndonjëherë; nuk janë gazetat amerikane njësoj si agjensitë e informacionit në Tiranë që janë të blera para dhe mbrapa.
-Shpesh denonconi ministra të përfshirë në skandale, cila është tema që po investigoni tani?
Aktualisht jam duke investiguar mbi llogaritë bankare që zoti Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, ka në posedim të fshehura jashtë Shqipërisë ku ai dyshohet të ketë disa llogari bankare me emra të huazuar, vetkuptohet në Panama dhe Ishujt Karaibe.
-Për cilin nga ministrat keni grumbulluar më tej fakte kompromentuese?
Në fakt ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, zoti Ditmir Bushati, jo vetëm që është kapur në bordello burrash në Brazilia, por ka fjetur edhe me një prostitutë minorene në Panama-city; këto informacione janë të vërtetuara katërciperisht nga rojet private që punonin në hotelin ku zoti Bushati është dëfryer me ditë të tëra në 2015. Në vazhdim dua të ndaj me ju faktin se edhe ministri Damian Gjiknuri është një investitor dhe pronar i apartamenteve në kullat më të larta në Qytetin e Panamasë. Bëhet fjalë për apartamente në Luxor Towers gjithashtu ka hyrje edhe në Sunrise Tower. Gjiknuri është i lidhur me grupin Grupo Olloqui në qytetin e Panamasë.
-Në një deklaratë konfidenciale OSBE deklaronte para pak muajsh se pasuria e Kryeministrit Rama arrinte në 200 milionë euro, ku dhe si i pastrojnë paratë qeveritarët shqiptarë?
Politikanët shqiptarë me Edi Ramën në krye, i pastrojnë paratë në mënyra nga më të ndryshmet, disa prej tyre janë: shfrytëzimi i bankave ku George Soros është aksioner i fuqishëm, investime të ndryshme në qendra të mëdha tregtare nga Ekuadori deri në Suriname; hapja e llogarive bankare me emra të huazuar (emrat e njerëzve të tyre të afërm) nëpër banka të ndryshme si HSBC, por edhe banka të tjera ose institucione financiare jo-transparente. Mendoj se zoti Edi Rama ka më shumë se 200 milionë euro të depozituara nëpër banka të ndryshme në Karaibe dhe Amerikën Qendrore.
-A besoni se këta pushtetarë mund të kenë lidhje me organizata kriminale të huaja?
Padyshim që po, lidhjet kriminale me zotin Sajmir Tahiri, Edi Rama, Ditmir Bushati dhe ish-ministra të tjerë si Arta Dade dhe Fatmir Xhafaj të Partisë Socialiste janë dalluar për lidhjet e tyre me krimin ndërkombëtar, lidhjet e tyre me ushtrinë e Çlirimit Kombëtar (El Ejército de Liberación Nacional – ELN) në Ekuador dhe Colombia, madje këta politikanë kanë lidhjet e tyre me mafian kineze në Londër dhe me narkotrafikantë të fuqishëm në Meksikë.
Intervistoi:
Rexhep POLISI
Paketa e Bashës, 100 milionë euro subvencione, fermerëve
Kryetari i opozitës paralajmëroi dje nga qyteti i Memaliajt ku zhvilloi një takim me strukturat e PD se vendi është në prag të zhvillimeve dinamike gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm.
“Duam apo nuk duam ne, Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ne ndodhemi para zhvillimeve dinamike, javët dhe muajt do të vijnë”, u tha Lulzim Basha, anëtarëve të Partisë Demokratike në Memaliaj, duke u kërkuar të jenë në krye të aksionit për hapjen e partisë dhe veçanërisht qëndrimin me njerëzit dhe pranë tyre”.
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka nisur një tur takimesh në Jug të vendit, ku fillimisht është ndalur në Memaliaj.
Më pas, kryedemokrati ka zhvilluar edhe një takim në Përmet, me anëtarë të PD-së dhe qytetarë të shumtë.
Por surpriza duket se i është ruajtur në një tjetër qytet.
Në Sarandë, Basha është pritur nga qindra qytetarë me flamuj në duar e dhjetëra makina, që kishin dalë që në hyrje të qytetit bregdetar për të pritur kreun e PD-së.
“Gjendja reale e njerëzve është aty ku nuk mban më. Dhe kjo nuk është më çështje e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shqipëria sot de fakto i takon një pakice, që janë bërë multimilionerë, miliarderë në kurrizin e shqiptarëve”.
“Jemi mbledhur këtu për të rënë të gjithë dakord me njëri-tjetrin dhe pastaj jashtë këtyre mureve me banorët e Memaliajt, Tepelenës e Gjirokostarës dhe e gjithë Shqipërisë, se beteja në të cilën thirremi dhe i thërrasim nuk është thjesht betejë për të përmbysur një qeveri të korruptuar, por është betejë për t’u kthyer pushtetin njerëzve, duke bërë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme që lekët e taksapaguesve të shkojnë tek taksapaguesit”.
Basha shpjegoi se, Partia Demokratike ka zgjidhje konkrete dhe realiste për gjendjen e rëndë që po kalon vendi dhe qytetarët.
“Familjet në nevojë ekonomike në qeverisjen time, në qeverisjen tonë, 200 kilovatët e parë do t’i kenë falas. Faturën e ujit për konsumin e tyre jetik do ta kenë falas. Se nuk do të ketë nën qeverisjen tonë as palma, as luks qeveritar të shfrenuar që të ketë familje, të cilat nuk janë më në errësirë dhe kanë bukën të garantuar”.
“Zgjidhja jonë është 100 milionë euro buxhet për subvencione për çdo fermer në vit, është 1 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, për 300 mijë familjet fermere, pa burokraci pa NIPT në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral do t’i jepen lekët në dorë, grant”.
“E kemi ne projektin për rendin dhe sigurinë, e hartuam. Dhe kjo është punë e jona, e askujt tjetër”. Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi drejtuesve dhe anëtarëve të shkojnë derë më derë, për të identifikuar hallet konkrete të njerëzve, çdokënd që është në varfëri, i papunë dhe i goditur nga fatkeqësitë e natyrës dhe abuzimet e qeverisë.
“Ajo që kërkoj nga gjithsecili prej jush është në radhë të parë të prekni dhe evidentoni problemet për zonat ku jeni përgjegjës”.
Basha bëri të ditur se, duke ndryshuar PD-në, do të ndryshoje politikën dhe vendin. Më pak pushtet për kryetarët e politikanët, më shumë për qytetarët. Basha foli për një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë.
“Kemi në anën tonë të vërtetën, kemi në anën tonë faktet, kemi në anën tonë argumentat, kemi në anën tonë alternativën që presin njerëzit. Kemi në anën tonë, apo gati duke ardhur në anën tonë, njerëz që kurrë nuk u ka shkuar mendja tek Partia Demokratike si zgjidhje”.
Nuk e qep gojën
Luljeta PROGNI
Nuk e qep gojën, sepse ju nuk keni asnjë të drejtë të tjetërsoni historinë e familjeve shqiptare që vuajtën në diktaturë.
Historia e tyre nuk tregohet me shpalosjen e metodave persekutuese, me makineritë e hekurta të torturave, as me teshat e shqyera nga inkuizitorët varur mureve.
Historia e tyre nuk tregohet nëpërmjet persekutorëve të tyre. Historia që kuroni nën zyrat e qeverisë suaj, nuk është hisoria e të persekutuarve nën diktaturën komuniste.
Nuk e qep gojën sepse ju nuk keni të drejtë të shisni para opinionit një histori, të cilën e krijoni në mungesë të plotë të transparencës, të kontributit të vetë atyre që vuajtën apo të studimeve të mirëfillta shkencore.
Jo, shfaqja e radhës që ju keni krijuar nuk është e denjë për t’u shitur si historia e dhembshme e mijëra shqiptarëve, as për t’u trajtuar si koncesioni i radhës.
Nuk e qep gojën, sepse nuk mund ta pranoj që pas 25 vitesh shprehja “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” artikulohet përsëri në të njëjtën mënyrë prej jush “për të bashkëkunguar në plagët tona më të dhembshme”.
Jo! Nuk jemi bashkëvuajtës, bashkëfajtorë jo e jo dhe kurrë nuk pres të bashkëkungojmë plagët tona të dhembshme.
Nuk e qep gojën, sepse para imazheve të projektuara në ekranet e mëdhenj që mban nën këmbët e tua, unë zgjedh fjalët e thjeshta që vijnë nga kujtesa e nënës sime.
Para citateve të këputura andej-këndej prej Dë Golit, Horacit, Primo Levit e të tjerë, unë zgjedh shprehjet e martirëve shqiptarë para togës së pushkatimit: “I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund t’më ken’ ba keq”.
Nuk e qep gojën sepse zëri im modest duhet të dëgjohet, edhe pse nuk e kam mundësinë të hap edicionet e lajmeve në televizionet shqiptare. Sepse e ndjej detyrim që të shkruaj dy fjalë për ata që ju detyrohem aq shumë, në mënyrë që shpirti i tyre të mos trazohet edhe tani që nuk bëjnë më pjesë në këtë botë.
“Qepe gojën!” është një shprehje kaq e ulët për t’u përdorur nga një kryeministër. Qoftë kjo shprehja jote apo e këputur diku tjetër, dije se është një shprehje që e kanë përdorur shpesh armiqtë e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe. Megjithatë, unë nuk e qep gojën.
Me përuljen më të thellë ndaj gjithë të persekutuarve nga diktatura komuniste dhe martirëve që dhanë jetën qelive të errëta të ngjashme me atë që ju sot e quani “art”, me modestinë më të thellë për të folur në emrin e ndonjë prej tyre, ju them se kjo nismë që po ndërmerrni për çfarëdolloj arsye, nuk ka asgjë të përbashkët me respektin dhe dinjitetin për viktimat e diktaturës komuniste.
Promovimin e këtyre sipërmarrjeve e shoh si përpjekje të rrezikshme për të ndryshuar qëllimisht të kaluarën e vërtetë dhe pa asnjë kontribut për të ardhmen vëllazërore të shqiptarëve e prosperitetin e këtij vendi.
Garancia e Trump për Ukrainën
Retorika e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump gjatë fushatës presidenciale ngriti shqetësime se nëse do të fitonte, ai do të anonte drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë në kurriz të Ukrainës dhe do të “rishqyrtonte” angazhimin e vendit në aleancën e NATO-s. Megjithatë, në bisedat e fundit telefonike me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Trump ka shprehur interes dhe mbështetje për të dyja.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko tha dje se presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump ngriti “çështjen e agresionit rus dhe aneksimin e paligjshëm të Krimesë”, në një bisedë telefonike mes tyre.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, zoti Poroshenko tha se ai pati “mundësinë t’i jepte zotit Trump informacion shumë të detajuar” për situatën në lindje të Ukrainës dhe në Krime.
“Gjatë dy ditëve të fundit, unë dhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk patëm mundësi të flisnim me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Ne kemi folur edhe para këtyre bisedave telefonike, dhe unë mund të konfirmoj se çështja e agresionit rus dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë, u ngritën nga presidenti i zgjedhur Trump gjatë bisedës sonë. Pata mundësisnë t’i jepja atij informacion shumë të detajuar për gjendjen në lindje të vendit tim dhe në Krime”.
Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se vendi i tij ka “mbështetje të fortë nga të dyja partitë në Kongresin amerikan, republikanët dhe demokratët. Ai tha se nuk pret ndonjë ndryshim të rëndësishëm përsa i përket kësaj mbështetjeje dypartiake”.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një fjalim në Universitetin e Oksfordit në Angli se zoti Trump ka shprehur “mbështetjen e fortë” për aleancën ushtarake perëndimore gjatë një bisede telefonike që ata patën javën e kaluar.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara me NATO-n, jo vetëm për shkak se presidenti i zgjedhur Donald Trump ka deklaruar në mënyrë të qartë se ai mbështet NATO-n dhe detyrimet tona si anëtarë të aleancës, por edhe për shkak se, një NATO e fortë nuk është e mirë vetëm për Evropën, si themel i sigurisë sonë, por edhe për Shtetet e Bashkuara”.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump kishte thënë se Shtetet e Bashkuara, paguajnë “shumë më tepër” për shpenzimet e aleancës dhe se NATO-ja “mund të ishte e vjetëruar”.
I dërguari i Merkel
Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane i Bundestagut Gunther Krichbaum bëri publike dy ditë më parë qëndrimin e shumicës parlamentare gjermane se Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.
Në emër të kësaj shumice, ai shpalli shtatë pritshmëri që Shqipëria duhet të plotësojë përpara se të hapen negociatat.
Por në vend që të reflektonte për këto qëndrime, Kryeministri Rama vendosi që ta zbehë rëndësinë e mesazhit duke sulmuar Krischbaum dhe duke u munduar ta portretizojë qëndrimin e tij si qëndrim personal.
Për këtë qëllim ai vuri menjëherë në lëvizje, në mënyrë të koordinuar, të gjitha mediat dhe komentatorët politikë që kontrollon, të cilët përhapën në publik tezat e nismës personale të Kirschbaum dhe përdorimit të tij nga Partia Demokratike.
Vetë Kryeministri e quajti Krichbaum “deputet skutash”. Të tjerë e quajtën mik të Lulzim Bashës. Një gazetë e afërt me qeverinë arriti deri në aluzionin se Krichbaum mund ta kishte bërë këtë deklaratë i motivuar nga një lidhje e ngushtë me një drejtuese të Partisë Demokratike.
Por ndryshe nga mediat shqiptare duket se mendojnë mediat britanike. Ato besojnë se Krichbaum është një ndër njerëzit më të afërt të Merkelit, të cilin ajo e përdor sa herë që nuk do të duket vetë e ashpër.
Në një artikull të para pak javëve, “Daily Mail” e sulmonte Krichbaumin me termin “qen sulmi” të Merkelit, me anë të të cilit Merkel po i bën trysni Britanisë pa dalë vetë në skenë.
Ditën e hënë, Kancelarja Merkel do të takohet me Edi Ramën. Nëse përshkrimi që i bëjnë mediat britanike Krischbaumit është i vërtetë, atëhere mund të mendohet se Merkel e dërgoi atë në Tiranë për t’i dhënë lajmin e keq Kryeministrit Rama dhe pastaj për t’u justifikuar gjatë takimit me të se nuk ka çfarë të bëjë ngaqë është nën presionin e grupit të saj parlamentar.