Kristi Vangjeli ka zgjedhur Greqinë, më konkretisht Selanikun, për t’u rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen kundër Partizanit. Pasi zhvilloi një kontroll në Tiranë, u vendos që të mos kishte ndërhyrje të tjera në dëmtimin që mori në kokë apo në qafë. Gjithsesi mbrojtësi vijoi të kishte sërish shqetësime për sa u përket dhembjeve që ndjente si në qafë edhe në kokë.
Për këtë arsye, lojtari ka udhëtuar drejt Selanikut dhe në një klinikë të specializuar do të zhvillojë terapi disa ditore për ta kaluar sa më shpejt dëmtimin që mori pas përplasjes me Torasën në ndeshjen e fundit me Partizanin. Për këtë arsye do të jetë e nevojshme që terapia të zgjasë 10-14 ditë, në mënyrë që lojtari të rikuperohet plotësisht.
I gjithë ky kujdes është treguar nga klubi dhe nga lojtari me qëllim që të mos kishte asnjë pështjellim apo agravim të dëmtimit në momentin që do të rikthehej në punë me grupin.
Vangjeli në Greqi për dëmtimin në kokë
Berisha, i pavendosur
Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar i ekipit austriak Red Bull Salzburg, Mërgim Berisha, po tërheq rreth vetes qendrën e vëmendjes së shumë mediave sportive. Sezoni fantastik që po zhvillon në kategorinë e dytë austriake me ekipin e dytë të Salzburgut, ku ka shënuar 9 gola në 15 ndeshje apo dhe paraqitja e shkëlqyer me Salzburgun U-19 në Ligën e të Rinjve të UEFA-s, ku ka shënuar 7 gola në dy ndeshje ka rënë në sy të medias prestigjioze gjermane “Bild”.
Në rubrikën javore të kësaj gazete ku promovohen talentet e rinj të futbollit nëpër Europë, këtë radhë është përzgjedhur Berisha. “Bild” përshkruan talentin e tij me topin, teksa gjithashtu zbulon situatën e ekipit përfaqësues me të cilin sulmuesi do të aktivizohet.
“Vetëm Shqipëria më ka kërkuar një herë, por në atë kohë kam qenë i dëmtuar. Gjithashtu mund të luaj për Kosovën, Gjermaninë ose Austrinë. Nuk e kam vendosur ende”, është shprehur ai për mediat austriake.
Prindërit e Berishës janë nga Kosova, por futbollisti është lindur në Gjermani. Hapat e para të karrierës ai i ka hedhur në Austri në akademinë e Salzburgut, klub nga i cili nuk ka lëvizur asnjëherë. Megjithatë sulmuesi është i pajisur me pasaportë shqiptare dhe shanset që të luajë për kombëtaren kuqezi janë shumë të mëdha duke parë që deri më tani vetëm FSHF është interesuar për të.
Celina fiton vëmendjen e Pep
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina, duket se ka fituar vëmendjen e trajnerit Pep Guardiola me paraqitjet e tij gjatë fillimit të këtij sezoni në Holandë ku aktivizohet me Tuenten, ekip te i cili është huazuar nga Mançester Siti.
Një anëtar i stafit të Guardiolës do të jetë i pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër ndeshjen e së shtunës në kampionatin holandez, PSV-Tuente, pikërisht për të vëzhguar paraqitjen e kosovarit, i cili ka shënuar 4 gola në 6 ndeshje ku ka filluar si titullar në këtë sezon.
Në fund të sezonit të shkuar Celina firmosi një kontratë 5-vjeçare me Sitin dhe në sezonin e ardhshëm pritet të jetë pjesë e ekipit të parë të Guardiolës në rast se vazhdon paraqitjet e tij të mira në Holandë.
Vëmendja te Izraeli
Vëmendja e Gianni de Biasi përkrah Carlos Alberto Parreira, ish-trajnerit të Brazilit kampion bote në vitin 1994 dhe Fabio Capellos. Drejtuesi i stolit të Shqipërisë ishte mes figurave të futbollit që ligjëruan në takimin vjetor të Shoqatës europiane të Trajnerëve, ku të pranishëm ishin 200 trajnerë nga i gjithë kontinenti. Edhe pse i angazhuar mes emrave më të rëndësishëm të trajningut në Europë, ku pas seminarit do të marrin pjesë në ndeshjen e bamirësisë në luftën kundër leuçemisë, De Biasi nuk shpërqendrohet nga objektivat me kombëtaren.
“Jemi mësuar të përqendrohemi te objektivi i radhës, edhe pse na ndajnë afro pesë muaj nga sfida me Italinë. E them këtë pasi Izraeli është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe aty duhet të jemi të përqendruar. Është rivali ynë direkt për vendin e tretë në grup. Ky është një objektiv mjaft i rëndësishëm, pa anashkaluar që më pas të realizojmë edhe diçka më tepër”, u shpreh De Biasi.
Përballë Spanjës dhe Italisë në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018, vendi i tretë mbetet objektivi real i Shqipërisë. Tekniku 60-vjeçar kërkon të njëjtin motivim dhe angazhim të lojtarëve, për të realizuar një tjetër ëndërr, si ajo e kualifikimit në Europianin e Francës. “Është e vështirë të renditemi në vendin e dytë, sepse Spanja dhe Italia kanë më tepër cilësi. Spanja është më superiore se të gjitha ekipet e grupit, ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kualitet. Italia ka lojtarë të fortë në mbrojtje, me Buffon, Kielinin, Bonuçin e Barzaljin. Gjithashtu nëse rikuperohet maksimalisht edhe Markizio që ka nisur të luajë, do të jetë një bllok solid i Juventusit që do t’i japë më tepër cilësi ekipit. Përsa i takon Shqipërisë, ne nuk duhet të harrojmë atë që na ndihmoi të kualifikoheshim në Kampionatin Europian, pra të jemi të vetëdijshëm te kualiteti ynë, të luajmë në mënyrë jo egoiste dhe të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha trajneri i kombëtares.
Drejtuesi i stolit kuqezi u shpreh i kënaqur edhe me lojtarët shqiptarë që militojnë në Serinë A italiane. Nga Hysaj që me Napolin po luan edhe në Champions, Memushaj që mban shiritin e kapitenit te Pescara, Berisha i cili është kthyer në pikë të fort të Atalantës, por edhe Veselin që po aktivizohet titullar te Empoli.
“Jam mjaft i kënaqur me paraqitjet e lojtarëve. Është një periudhë e mirë dhe më bëhet qejfi që djemtë luajnë dhe marrin eksperiencë, ndërsa po fitojnë edhe formë fizike. Tashmë pres që edhe Manaj të aktivizohet më shpesh. Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe është një lojtar i së ardhmes, tek i cili kemi shumë besim”, përfundoi De Biasi.
Lista e kandidatëve për stolin e Interit
Ditë vendimtare për stolin e Interit. Në selinë zikaltër do të zhvillohen këtë pasdite takimet vendimtare për të përcaktuar drejtuesin e ri të stolit, me kandidatët që në njëfarë mënyre do të sfilojnë njëri pas tjetrit për të zënë vendin e lënë bosh nga i pushuari Frank de Boer. Ka ardhur momenti për të zgjedhur dhe për këtë arsye siç shpjegon “Gazzetta dello Sport” në pasditen e vonë njerëzit e kompanisë Suning të dërguar nga pronari kinez Zhang Jindong, do të bashkohen me drejtorin Sportiv Ausilio dhe drejtues të tjerë për të nisur konsultimet.
Në Milano do të shkojnë në këtë mënyrë, Pioli, Marcelinho, Guidolin dhe Pereria, emrat më të kuotuar për trashëgiminë e De Boer, emra të cilëve ju duhet shtuar dhe ai i Gus Hiddink, që është kontaktuar në telefon dhe ai i Marco Silvës që ende nuk mund të thuhet se është përfundimisht jashtë rrethit të kandidatëve për stolin e Interit. Mbetet ende për t’u kuptuar në këtë mënyrë, se cila do të jetë linja që do të ndjekë klubi, pasi mes kandidatëve ka emra nga ata që përfaqësojnë zgjedhjen e një personazhi italian që e njeh mirë Serinë A dhe do të përpiqet të normalizojë situatën, ndërsa emrat e huaj do të përfaqësonin një politikë më largpamëse, por edhe duke rrezikuar më tepër.
Sanchez rrezikon burgun
Pas Leo Messit, Javier Mascheranos, Adrianos dhe Samuel Eto’o edhe Alexis Sanchez përfundon në shënjestrën e autoriteteve spanjolle për mashtrim fiskal. Siç bën të ditur gazeta “El Periodico”, sulmuesi kilian i detyrohet organeve fiskale pothuajse 1 milion euro, më saktësisht 983 mijë e 433 euro, pasi nuk ka paguar detyrimet në lidhje me të ardhurat për të drejtat e imazhit gjatë periudhës së kaluar te Barcelona, ku qëndroi nga 2011 deri më 2014 kur u transferua më pas te Arsenali. Akuza pretendon se Sanchez ka evituar të paguante taksat duke simuluar transferimin e të ardhurave të të drejtave të imazhit në Numidia Trading Compani, një kompani që ofron lehtësira fiskale të ngjashme me ato off shore me qendër në Maltë duke mos deklaruar ekzistencën e këtyre të ardhurave, për të cilat i duhet të paguante një përqindje shtetit spanjoll.
Në denoncimin e prokurorit Migeul Angel, Perez de Gregorio nënvizohet se në momentin e firmës me klubin katalanas, Sanchez bën të ditur se është pronar i të dhënave nga të drejtat e imazhit që nga 2008 i kishte transferuar në shoqërinë kiliane, Inversiones Alsan ku është aksioner i mazhorancës, para se t’i kalonte te shoqëria me qendër në Maltë.
Nga 10 ndeshje Barça fiton 9, ndërsa Siti vetëm 1
Pep Guardiola është i kënaqur dhe i lumtur për faktin që arriti të mposhte skuadrën, që ai e quan më të mirën në botë. Sipas tij, ky triumf nuk do të thotë vetëm 3 pikë, por diçka më shumë. “Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe e luajtur me shpirt nga ana jonë. Barcelona e nisi shumë mirë, por djemtë më pas reaguan. Sigurisht që mund të kishim humbur sërish, por u treguam të saktë dhe ia dolëm të përmbysnim skuadrën më të fortë në botë. Nëse do të kishim pësuar golin e dytë, atëherë ndeshja do të kishte përfunduar. Megjithatë, goli na dha jetë dhe arritëm të fitonim. Në pjesën e dytë bëmë një ndeshje shumë virtuoze dhe të kënaqshme. Mund ta kishim përmbysur më përpara ndeshjen, por luanim ndaj një skuadre që ka shumë kualitete”, tha trajneri i Sitit.
Guardiola shpjegoi edhe disa nga lëvizjet në fushën e lojës. “Ishim duke kërkuar lojën një kundër një me të gjithë lojtarët. Mendoj se çelësi i suksesit ishte De Brujne, i cili e dominoi totalisht Serxhi Roberton dhe na dha shumë gjatësi në fushë. Jam i kënaqur për të dhe të gjithë futbollistët e tjerë. Bënë një ndeshje shumë të mirë ndaj Barcelonës. Mendoj që ndeshja e parë në ‘Kamp Nou’ na mësoi shumë gjëra dhe reaguam mirë”, vazhdoi më tej numri një i “qytetarëve”.
I pyetur për shanset që kanë skuadrat për t’u kualifikuar dhe mënyrën se si do të renditen pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve, Guardiola tha që vendi i parë i takon Barcelonës. “Sigurisht që vendi i parë është për ta. Nëse Siti do të luajë 10 ndeshje kundër tyre, atëherë jam i sigurt që Barcelona do të fitojë 9, ndërsa ne vetëm 1. Këtë herë ishte e duhura që të triumfonim”, tha Guardiola pas ndeshjes. Deklarata e tij për t’u thurur elozhe kundërshtarëve duket se bëhet për t’u shtuar sa më shumë presionin në ndeshjet e ardhshme.
Barça planifikon kthimin e Pep
Pep Guardiola te Barcelona mund të jetë padyshim një nga rikthimet më të bujshme në historinë e futbollit botëror dhe ky skenar nuk duket shumë i largët. Sipas britanikëve të “Sky Sports”, vizita e katalanasve në Angli për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ka sjellë edhe kontaktin e radhës së klubit me trajnerin, i cili ka fituar gjithçka në “Kamp Nou”.
Pas përfundimit të takimit, në një bisedë shumë miqësore mes palëve, raportohet se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i ka propozuar Guardiolës që të marrë në konsideratë idenë e kthimit përsëri “në shtëpi”.
“Pse jo? Nuk i dihet asnjëherë. Jeta është shumë e gjatë dhe jam i sigurt se Pep ka Barcelonën në zemër. Tani ai është te Siti dhe ka edhe 3 vite kontratë me këtë klub, i urojmë suksese me përjashtim të rasteve kur luan me Barcelonën”, ishte deklarata e mbrëmshme e Bartomeut rreth kësaj teme, duke mos mohuar mundësinë e kthimit të spanjollit. Nuk dihet ende çfarë përgjigje ka kthyer Guardiola pas kësaj ftese, por nëse aventura e tij në Angli nuk shkon siç kishte shpresuar, nuk është çudi që ai të kthehet përsëri në “Kamp Nou”, nga ku është larguar si hero dhe do të pritej përsëri si i tillë.
Kandidatët për çmimin “Trajneri i Vitit”
Njëri ka fituar Ligën e Kampioneve, ndërsa një tjetër Kampionatin Europian. Por ka edhe prej atyre që kanë kthyer në realitet ëndrrën e një qyteti të tërë. FIFA publikoi dje listën e dhjetë trajnerëve më të mirë të vitit 2016 që do të nderohet me çmimin “The Best FIFA Men’s coach 2016”.
Ranieri, jo Seria A
Klaudio Ranieri është tekniku i vetëm italian i listës. Përralla me Leiçesterin ka bërë që tekniku italian të renditet mes kandidatëve për të fituar çmimin prestigjioz. Si për të hedhur poshtë hipotezën se trajnerët italianë janë më të mirë, tekniku 65-vjeçar është i vetmi që mban lart krenarinë e teknikëve të vendit fqinj.
Suksesi me kombëtaret
Në këtë listë spikatin edhe trajnerë, të cilët kanë korrur mjaft sukses në vitin që po mbyllim në pankinat e kombëtareve. Njëri prej tyre është komisari teknik i Uellsit, Kris Koleman. EURO 2016 ka shërbyer si vitrinë edhe për Fernando Santosin dhe Didi Deshampin.
Votimi
Sa i përket votimit, 50% të votave do të vijnë prej një jurie të formuar prej kapitenësh dhe trajnerë kombëtaresh. Ndërsa 50% të votave të tjerë do të jetë fryt i një sondazhi mes tifozëve dhe jurisë të përbërë prej 200 gazetarësh të njohur.
Procedura
Votimet do të mbyllen më datë 22 nëntor, ndërsa emrat e tri finalistëve për çdo kategori (përveç trajnerit të vitit, do të ndahet çmim edhe për autorin e golit më të bukur dhe lojtarit më të mirë të vitit) do të bëhen publik më 2 dhjetor. Ceremonia ku do të jepen çmimet, e cila është “pagëzuar” me emrin “Best FIFA Football Awards”, do të mbahet më 9 janar 2017.
1 vit nga hetimet e Prokurorisë koncesionet e shëndetësisë, zero rezultate

Koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në dhjetorin e një viti më parë. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion- përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi është nisur me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, “BIRN” dhe agjencia “Investigimi.al”. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, i regjistruar në Njësinë Antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të asistohej edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak janë bërë procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u hetuar.
Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.
Një vit pasi këto hetime u reklamuan me bujë se kishin nisur nga Prokuroria rezultati i tyre është një zero e madhe që tregon edhe për falsitetin e këtij institucioni kur vjen puna për të hetuar shpërdorimin e fondeve publike nga zyrtarët e lartë në qeveri.