31.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Idioti jam unë?

Eric SCHWITZGEBEL

Një gjë që në mëngjes ka mundësi nuk e bëni kurrë është që të shiheni në pasqyrë dhe ta pyesni: jam trap? Duket një pyetje e arsyeshme. Ka mundësi në botë ka idiotë të vërtetë dhe sigurisht shumë prej tyre kanë një mendim të mirë për veten. Nuk e konsiderojnë veten plehra, pasi vetëdijësimi nga trapllëku i tyre është mjaft i vështirë. Sipas psikologes Simine Vazire nga University of California, Davis, tentojmë që të kemi një njohje të mirë të tipareve të personalitetit tonë nëse janë neutralë, domethënë as negativë, as pozitivë dhe lehtësisht të vërejtshëm. Për shembull, pothuajse të gjithë e dinë nëse janë llafaznë. Është mjaft e pranueshme të jesh, si është të jesh i heshtur dhe gjithsesi shkalla jonë e llafazanerisë është para syve të të gjithëve. Vetëvlerësimi i llafazanerisë zakonisht i korrespondon vlerësimit që na japin të tjerët dhe matjes objektive të saj, kurse kreativiteti ka një komponent të fortë subjektiv – kush nuk do të donte të ishte kreativ? – dhe është shumë më pak e thjeshtë për t’u matur.
Modeli i Vazire konfirmohet nga fakti që ka korelacione të pakta midis vetëvlerësimit, vlerësimit të të tjerëve dhe tentativave të psikologëve për ta matur kreativitetin. Edhe pyetjes “A jam vërtet një trap i sigurtë në vetvete?” ka një komponent të fortë negativ, kështu që mendojmë: “Sigurisht që jo!”. Veç kësaj, nuk është një tipar objektivisht i vërejtshëm, kështu që i lë një hapësirë të gjerë interpretimit. “Ndoshta kam qenë pak i pasjellshëm me atë baristin, por e ka merituar, pasi ka harruar ta hedhë kafenë time dopjo në një filxhan të madh”. As njerëzit inteligjentë dhe të arsimuar nuk janë të imunizuar nga këto arsyetime. Përkundrazi, nga një kërkim i kryer prej Dan M. Kahan të Yale University, ka dalë se njerëzit e kulturuar dhe refleksivë janë shumë të zotë për t’i arsyetuar bindjet e tyre. Për shembull, dinë të interpretojnë çështjen komplekse të kontrollit të armëve për t’ua përshtatur simpative politike të tyre.

Përçmues dhe arrogantë
Kam dyshimin se midis opinionit që njerëzit kanë për trapllëkun e tyre dhe shkallës së vërtetë të tij korrelacioni është pothuajse inekzistent. Dikush mund ta pranojë me ngurrim se është, por ka mundësi që të tjerë ta konsiderojnë veten si të përkryer. Në të njëjtën mënyrë disa njerëz të sjellshëm e kuptojnë se janë me tepri të mirë dhe akomodues, ndërsa të tjerë nuk ia arrijnë sepse kanë një mendim tepër të ulët për veten.
Ka edhe një pengesë tjetër ndaj vetëdijes së trapllëkut personal: nuk e dimë mirë se në çfarë konsiston, të paktën jo akoma. Nuk ekziston një përkufizim shkencor që t’u përshtatet të gjitha rasteve: njeriu i paedukatë që na përplas telefonin turinjve, mësuesi që poshtëron nxënësit apo kolegu që transformon çdo mbledhje në betejë. Tipat e personalitetit të njohur shkencërisht që i afrohen më shumë “trapit” janë ata të “triadës së errët”: narcizizmi, makiavelizmi dhe psikopatia. Narcizistët e konsiderojnë veten më të rëndësishëm se të gjithë ata që i rrethojnë, gjë që në mënyrë implicite apo eksplicite i bëjnë edhe trapa. Por narcizizmi implikon një dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes që jo gjithmonë trapat e kanë. Makiavelikët i trajtojnë të gjithë si mjete për të arritur qëllimet e tyre, gjë që e bëjnë edhe trapat. Por makiavelizmi implikon një cinizëm të vetëdijshëm, ndërsa trapat shpesh nuk e kuptojnë këtë tendencë të tyre. Psikopatët janë egoistë e të pandjeshëm, si trapat, por edhe të prirur që të marrin mbi vete rreziqe në mënyrë impulsive; kurse trapat janë më llogaritarë dhe nuk e pëlqejnë rrezikun. Një koncept i ngjashëm me atë të fjalës anglisht jerk, trap, është ai i asshole (fjalë për fjalë “vrimë bythe”), i eksploruar kohët e fundit nga filozofi Aaron James i University of California Irvine. Sipas James, njerëzit asshole ndjehen në të drejtën se gëzojnë avantazhe speciale ndaj të tjerëve. Është një qëndrim i ngjashëm me trapllëkun, por nuk është e njëjta gjë. Mund të jesh trap duke mbajtur një qëndrim të ndyrë dhe ofendues pa marrë të drejtën e të pasurit avantazh special. Atëherë, çfarë duhet të bëjë një trap potencial që do të vlerësojë sesi sillet?
Hapi i parë është të përcaktojë me saktësi se çfarë do të thotë të jesh trap. Sipas meje, trapllëku është një kategori që duhet studiuar shkencërisht si e tillë. Fjala “trap” është e saktë dhe e dobishme, pasi kap një fenomen real që nuk futet në asnjë koncept psikologjik tjetër. Trapat nuk vihen në rolin e të tjerëve, përkundrazi i përdorin, i manipulojnë apo i trajtojnë si budallenj, në vend si të barabartët e tyre nga pikëpamja epistemike dhe morale. Në njëfarë kuptimi, të jesh trap do të thotë të injorosh vlerën e të tjerëve, meritën e ideve dhe projekteve të tyre, të përbuzësh dëshirat dhe bindjet e tyre, të jesh i pafalshëm ndaj inferioritetit të supozuar të tyre. Në të folmen e përditshme përdoret fjala “trap” për të nënvizuar këto lloj defektesh. Trapi e shikon botën nëpërmjet syzesh që errësojnë humanizmin e të tjerëve. Për të, kamerieri i një restoranti është një person pa personalitet, pa histori dhe objektiva të ndashëm. Është vetëm një instrument për t’i siguruar një vakt apo një nulitet mbi të cilin të shkarkojë zemërimin e vet. Për trapin, njerëzit në radhë përpara tij janë pa fytyrë dhe nuk vlejnë asgjë. Kush është nën të në hierarkinë sociale nuk ka të njëjtin talent si ai dhe meriton të bëjë punë të rëndomta.
Për ta nxjerrë më mirë në pah konceptin e trapit, mund të jetë e dobishme të merret në konsideratë e kundërta e tij: njeriu shumë i mirë. Ndoshta njihni edhe ju njerëz të tillë: të vëmendshëm ndaj nevojave dhe interesave të të tjerëve, respektues të ideve dhe të preferencave të tyre, të gatshëm që në rast konflikti të marrin përsipër fajin. Imagjinoni t’i vini syzet e trapllëkur sëprapthi, duke i transformuar në lente që i vënë zjarrin vlerës, interesave dhe rëndësisë së të tjerëve. Ka të ngjarë që asnjeri të mos jetë krejtësisht në një mënyrë apo në tjetrën. Dhjetëra kërkime biologjike konfirmojnë se, kur flitet për tipare më të gjera të personalitetit, pothuajse të gjithë jemi një përzierje gjërash të ndryshme dhe jemi subjekt të një serie influencash. Por çfarë pozicioni zëmë në spektrin që shkon nga trapi tek shumë i miri dhe në çfarë aspekti, në çfarë situatash dhe me kë? Ndoshta për të vlerësuar karakterin tonë nga pikëpamja morale gjëja më e rëndësishme është shkalla e trapllëkut, pasi tregon qëndrimin tonë ndaj të tjerëve.
Ky përkufizim na bën të kuptojmë se ekzistojnë dy pengesa ndaj vetëdijësimit. E para, është se tamam në çastin në të cilin preokupohemi sesa jemi trapa, për një moment nuk jemi më. Në qoftë se turpërohemi nga ideja se po sillemi keq me dikë, atëherë njohim vlerat dhe interesat e tjetrit, kuptojmë se është një njeri si ne dhe jo vetëm një instrument apo nulitet. Për një çast i kemi hequr syzet e trapllëkut. Paradoksalisht, shpesh shumë të mirë kanë frikë se mos kanë qenë jokorrektë, skuqen dhe kërkojnë falje për sjelljen e tyre, që nuk ka qenë kaq e tmerrshme. Ndërsa trapi i vërtetë nuk skuqet dhe nuk kërkon falje kurrë. Ndoshta keni reshtur së preokupuari dhe po mendoni: “Duke qenë se jam i preokupuar për faktin se mos jam trap dhe deri po lexoj një artikull mbi argumentin në fjalë, në thelb nuk duhet të jem edhe aq shumë”. Por është pikërisht ky moment në të cilin riafirmohet trapllëku potencial i juaj.
Pengesa e dytë ndaj kuptimit të trapllëkut tënd është paaftësia për të dëgjuar. Një prej mënyrave më të rëndësishme për të arritur vetëdijen morale është të jesh i gatshëm që të dëgjosh kritikat e të tjerëve. Për një trap është e vështirë, pasi nuk i shikon të tjerët si të barabartë me veten të denjë për respekt intelektual e moral, kështu që rrallë i pranon kritikat. Pse të merret seriozisht ajo që thotë një nulitet? Pse të përpiqesh ta kuptosh pikëpamjen e tij? Ka më shumë të ngjarë që trapi të mos i marrë në konsideratë kritikat, por të kundërsulmojë, të tërbohet, të nxehet ose të ketë mundësi të ta ngulë akoma edhe më shumë thikën. Veset e tjera morale nuk i shpëtojnë kaq lehtësisht vetëdijes. Për shembull, pandershmëria nuk na bën të mbyllim veshët ndaj akuzave për pandershmëri. Lakmia nuk ndërhyn në aftësinë tonë të të menduarit se ndoshta kemi qenë shumë lakmitarë. Por mbyllja e veshëve është në natyrën e trapave.
Nëse thelbi i trapllëkut është paaftësia për t’u vënë në rolin e atij që na rrethon, një mënyrë pak e natyrshme për t’u njohur është të vëzhgojmë të tjerët në vend të vetvetes. Në vend që të shikoheni në pasqyrë, kthehuni nga ana tjetër dhe shikoni ngjyrat e botës. Jeni të rrethuar nga idiotë dhe nga nulitete, nga njerëz që kanë shije të këqija dhe dëshira idiote, që janë të mërzitshëm dhe nuk e meritojnë vëmendjen tuaj, nga njerëz që mund të kuptohen menjëherë duke u aplikuar kategori të gjera negative si snobë, djem të patru, bij kurvash, me pak fjalë trapa? Nëse zakonisht e shikoni botën kështu, po ju jap një lajm të keq: ndoshta trapat jeni ju. Bota nuk është kështu. E keni një vizion të deformuar: nuk e kuptoni individualitetin dhe potencialitetet e atij që ju rrethon.

Vizion i gabuar
Ndoshta e kam paraqitur këtë botë të deformuar nga syzet e trapllëkut me ngjyra shumë të forta, por disa aspekte të caktuara të saj janë familjare për të gjithë, përjashto më të mirin e më të mirëve, por që e lënë veten të kushtëzohen në mënyrë të tepruar nga dëshirat dhe nga opinionet e të tjerëve. Të gjithë kemi momentet tona të trapllëkut, por sa janë të shpeshta? Nëse në një përqindje të caktuar jemi të gjithë paksa trapa, atëherë në çfarë përqindjeje jemi ne? Fatkeqësisht nuk është lloji i gjykimeve që jemi shumë të zotë të japim. Kujtesa është selektive, kujtojmë disa raste specifike, ato që konfirmojnë opinionin që tashmë kishim ose na nxjerrin në dritë më të mirë (ose për njerëzit më në ankth dhe më autokritikë, në dritën më të keqe).
Në qoftë se doni të keni një perceptim të saktë të trapllëkut tuaj, ekzistojnë dy sisteme më shkencorë. I pari është metoda e kampionizimit të përvojave, e përdorur për herë të parë nga psikologët Russell T. Hulburt i University of Nevada Las Vegas dhe Mihály Csíkszentmihályi i Claremont Graduate University. Karrikoni një timer apo një instrument tjetër të ngjashëm. Kur bie zilja, mendoni sesi po i shikonit gjërat. Ndoshta nuk do të jeni të zotë t’i gjykoni vetë dhe do të tentoni t’i racionalizoni, por ndërkohë do të keni kapur një kampion përfaqësues.
I dyti është metoda e vëmendjes së vetëdijshme, një koncept i marrë nga tradita medituese aziatike. Kohët e fundit psikologia Erika N. Carlson e Toronto University ka sugjeruar që ta përdorë për të njohur tipare të personalitetit më të vështirë për t’u njohur, ato që si trapllëku kanë një komponent të fortë subjektiv, por janë të vështirë për t’u vërejtur. Thelbi i vëmendjes së vetëdijshme qëndron në vërejtjen e fluksit të përvojës duke e gjykuar sa më pak të jetë e mundur. Sipas Carlson, duke i kushtuar vëmendje me rregullshmëri përvojave tona, mund të fitojmë një databazë më të gjerë e më përfaqësuese sipas të cilës të gjykojmë personalitetin tonë.
Edhe pse ky lloj kërkimi empirik është ende në fillim, është demonstruar një korrelacion i caktuar midis vëmendjes së vetëdijshme dhe njohjes së vetes. Sipas Amber S. Emanuel dhe kolegëve të saj të Kent State University, pjesëmarrësit në një studim që referonin se i kushtonin një vëmendje gjendjeve mendore të tyre dinin t’i parashikonin më mirë reagimet emotive të tyre ndaj zgjedhjes së një presidenti të Shteteve të Bashkuara. Christina L. M. Hill dhe John A. Updegraf kanë verifikuar se njerëzit më të vetëdijshëm i dallonin më mirë emocionet pozitive dhe negative butësisht të ndryshme gjatë kampionizimit të përvojave.
Nuk e di nëse është realiste të shpresosh as që shumë njerëz të përdorin një prej këtyre dy metodave për ta përmirësuar njohjen e karakterit të tyre, as nuk do të dija sesa do të funksiononte. Kështu që dua ta përmbyll me një sugjerim më modest: rimendojeni këtë artikull pas disa orësh, kur do të jeni në mes të njerëzve, në radhë tek mensa, në një mbledhje, në një festë apo në një shesh të mbushur plot. Vëzhgoni njerëzit rreth jush: janë të gjithë nulitete apo kanë diçka interesante? Kërkoni të vëreni nëse i keni vënë syzet e trapllëkut. U ndodh të gjithëve, por nuk mund të jetë vizioni i vetëm i botës. Duke u frenuar për një çast, kuptojmë pothuajse të gjithë sesa i gabuar është ky vision. Dhe është mënyra e vetme për të hequr syzet.

“Nautilus”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Protesta kundër manipulimeve të Soros

Dawn CHMIELSWSKI

Investitori miliarder Xhorxh Soros u bë shënjestra e protestuesve që mbështesin Donal Trumpin, të cilët kanë filluar të organizojnë protesta kundër financuesit kryesor të demokratëve dhe që e konsiderojnë si kontribues të trazirave civile në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Investitori i lindur në Hungari, një hebre i cili i ka mbijetuar pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që ka investuar 12 miliardë dollarë të pasurisë së tij për çështjen e të drejtave të njeriut nëpër botë, ka qenë prej kohësh kundërshtar i konservatorëve për mbështetjen që ka treguar për disa kauza progresive.
Këto kritika arritën kulmin që pas zgjedhjeve presidenciale kur votuesit e Trumpit akuzuan se dora dhe mbi të gjitha portofoli i Sorosit, ishte financuesi kryesor i protestave antiTrump që u zhvilluan në vend disa ditë pas zgjedhjeve. Natyrisht, kjo është një akuzë që Fondacioni Open Society, i financuar nga Sorosi, e mohon.
“Ka shenja të qarta që tregojnë se Sorosi po dërgon grupe të ndryshme për të krijuar kaos dhe trazira civile pa asnjë arsye legjitime”, ka thënë Rochelle Winthe në Los Angeles që po qarkullon informacione në mediat sociale që tregojnë se Sorosi është duke promovuar urrejtjen përmes protestave. “Nuk e kuptoj se çfarë të mire mund të sjellë kjo për vendin”.

Urrejtje në mediat sociale
Sorosi është diskredituar publikisht në platforma të ndryshme të mediave sociale si Twitter dhe Instagram. Ai u bë shënjestra e një fushate të organizuar në shumë e shumë cepa të internetit, ku anëtarë të ndryshëm të grupeve antiSoros kanë premtuar se do të vazhdojnë një fushatë të egër për të ekspozuar publikisht “të gjitha kokat e hidrës me emrin Xhorxh Soros”.
Anëtarë të nëngrupimit Reddit janë zotuar se do ta vendosin Sorosin pas hekurave dhe po planifikojnë të zhvillojnë protesta masive kundër tij përpara zyrave të Sorosit në Manhattan tek “Soros Fund Management” dhe në zyrat e New Yorkut dhe Baltimorës të grupit të financuar prej tij, “Open Society Foundations”.
Fondacioni Open Society thotë se nocioni që Sorosi është duke financuar protestat antiTrump është tërësisht i sajuar, por gjithashtu thotë se me gjithë këto protesta të organizuara nga kaq shumë grupe të ndryshme, është e mundur që disa grupe të mbështetura prejt tij të jenë përfshirë nëpër protesta.
“Ka pasur shumë raporte të sajuara për sa i përket aktivitetit të Xhorxh Sorosit dhe Fondacionit Open Society, duke thënë se kanë financuar protestat që kanë shpërthyer pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Këto raportime nuk kanë asnjë bazë të vërtetë”, thotë Chris Stone, president i fondacionit. “E vetmja iniciativë që jemi shfaqur të gatshëm të financojmë në lidhje me këto zgjedhje është kundërpërgjigjja ndaj krimeve të urrejtjes”.
Fondacioni Open Society është zotuar këtë javë që do të shpenzojë 10 milionë dollarë për të luftuar krimet e urrejtjes. Organizata pretendon se shpenzon rreth 500 milionë dollarë në vit për të mbështetur grupet që promovojnë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësisë, përfshirë këtu edhe fonde të ndryshme për të dokumentuar dhe përmirësuar praktikat e Departamentit të Policisë dhe për të forcuar grupet globale të promovimit të trajtimit të virusit HIV.
Një përfitues i këtyre fondeve, organizata e lajmeve investigative jo fitimprurëse ProPublica, ka qenë partner i “USA TODAY” gjatë natës së zgjedhjeve presidenciale për mbulimin e zhvillimeve. Anëtari i bordit Gannet, Stephen Coll, dekan i Universitetit të Kolumbias për degën e gazetarisë, është kryetar i bordit të programeve amerikane në Open Society.
Komentatori konservator, Michelle Malkin, e përshkruan Xhorxh Sorosin si qendra e gravitetit të financimit të kauzave progresive në të gjithë botën për vite e vite me radhë. Raportimet e shumta që e përshkruajnë miliarderin si pararoja e liberalëve të pasur, të cilët janë zotuar se do të luftojnë administratën e presidentit Trump që në ditën e parë, kanë kontribuar në kthimin e tij në shënjestrën e protestave. “Është e qartë se Sorosi do të rikthehet në rolin e tij të drejtimit të opozitës së liberalëve dhe ata i kanë bërë të qarta qëllimet e tyre”, thotë Malkin. “Ata duan të jenë kundërshtuesit kryesorë të administratës së Trumpit. Ndoshta prej tyre burojnë të gjithë këto trazira”.

Kundërpesha e vëllezërve Koch
Kjo nuk është hera e parë që Xhorxh Soros portretizohet si rrënja e të gjitha të këqijave. Financieri është i njohur botërisht si “burri që falimentoi Bankën e Anglisë” për shkak të basteve të tij tepër të larta në vitin 1992 për të zhvlerësuar paundin britanik. Përmes spekulimeve të tij mbi monedhën britanike, Xhorxh Sorosi ka korrur një fitim prej 1 miliard dollarësh.
Sorosi hyri në radarin e republikanëve gjatë ciklit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, kur u shfaq si kundërpesha kryesore ndaj financuesve miliarderë të GOP-it, vëllezërit Koch. Ai shpenzoi mbi 24 milionë dollarë në kontribute politike për grupet demokrate në përpjekje për të mundur kandidatin e atëhershëm George W. Bush, sipas kërkimeve të Qendrës “Responsive Politics”.
Drejtuesi konservator televiziv, Glenn Beck dikur e ka përshkruar aktivitetin e Xhorxh Sorosit në seri të tëra dokumentarësh prej 1 ore në vitin 2010. Në to Sorosi shfaqej si “mjeshtri i kukullave”, i cili manipulon grupe të ndryshme interesi, Partinë Demokratike dhe Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama. Beck sugjeroi gjithashtu se Xhorxh Soros ka qenë edhe bashkëfajtor gjatë Holokaustit.
Një emision radiofoni me audiencë të gjerë kombëtare i drejtuar nga teoricieni konspirativ, Alex Jones, i cili e ka quajtur një mashtrim të madh masakrën në shkollën fillore Sandy Hook, e etiketoi këtë javë Xhorxh Sorosin si “imazhin e ligësisë” dhe shfaqi një intervistë prej 60 minutash ku flitej gjerë e gjatë për rolin i etij si bashkëpunëtor nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, një rol i kundërshtuar ashpër nga biografi i Sorosit, Micheal Kaufman.
“Xhorxh Sorosi ka dedikuar jetën dhe pasurinë e tij për të promovuar drejtësinë dhe të drejtat e njeriut përreth botës”, tha zëdhënësi i Sorosit, Michael Vachon, në kundërpërgjigje të akuzave të lëshuara kundër miliarderit. “E djathta politike është ajo që ka favorizuar teori konspiracioni dhe narrativa tërësisht të pavërteta për të përhapur propagandën e tyre të sajuar”, përfundoi ai.

Protestat antiTrump
Xhorxh Sorosi u rikthye në qendrën e vëmendjes dhe në disa raste, në epiqendrën e urrejtjes dhe mllefit, disa ditë pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump. Agjencia e lajmeve “Breitbart” nisi të gjithë aktivitetin kundër tij kur tërhoqi vëmendjen me një deklaratë për shtyp nga MoveOn.org, e cila i nxiste të gjithë amerikanët që të ngriheshin më 9 nëntor duke kundërshtuar presidentin e zgjedhur për “fantatizmin, ksenofobinë, islamofobinë dhe misogjininë e tij”.
Një ditë më pas, faqet në internet si “The Free Thought” nxituan menjëherë ta lidhnin Xhorxh Sorosin me trazirat civile, duke theksuar se MoveOn.org prej kohësh merr financime të majme nga Fondacioni Open Society. MoveOn, e cila njihet në rang kombëtar për peticionet online dhe organizimin publik, tha se ishte angazhuar me organizimin e protestave, por vetëm për një ditë, jo të tjerat.
Detektivët privatë që kanë dalë nga komuniteti i mbështetësve të presidentit Donald Trump në Reddit, pretendojnë se kanë zbuluar diçka të rëndësishme. Nën emërtimin “I kapëm!”, një anëtar i grupit The_Donald pretendon se ka zbuluar prova të pakundërshtueshme në Craiglist të disa grupeve jo fitimprurëse që kanë paguar protestat kundër presidentit Donald Trump.
Një tjetër faqe interneti, Infowars, e publikoi të njëjtin raport investigativ më 14 nëntor nën titullin: “Provat, protestat antiTrump përdorin protestues profesionistë të paguar nga Xhorxh Soros”. Pretendimet janë të gjitha të sajuara, sipas grupeve jo fitimprurëse, të cilët janë renditur nga Inforwars si të financuar nga Xhorxh Soros. “Përpara se të arrinim të asimilonim atë që po ndodhte, filluan të na vinin telefonata nga më të ndryshmet. Kemi pasur ngacmime nga më të ndryshmet, madje edhe tri kërcënime me vdekje. Kishte shumë njerëz që na telefonin vetëm për të kërcënuar dhe ofenduar”, thotë Rosalind Brazel.
Donald Trump ka qenë ndër të parët që kanë vënë në dyshim autenticitetin e demonstratave që u zhvilluan menjëherë pas zgjedhjes së tij si president i Shteteve të Bashkuara, duke i etiketuar të gjithë demonstruesit që dolën nëpër rrugët e Amerikës si “protestues profesionistë dhe të paguar”. Akuzat për protesta falso kanë dalë në pah atëherë kur njerëzit dolën nëpër rrugët e Austinit të Teksasit, që mendohej se ishin nxitur nga fotografi të ndryshme të shpërndara nga protestues të paguar.

Mbështetja financiare për zgjedhjet
Kontributet e majme të Xhorxh Sorosit kanë shkuar për një super PAC të quajtur ndryshe “Fitorja e votuesve emigrantë”, që i dedikoheshin rritjes së votuesve hispanikë që mendohej se do të bënin diferencën kryesore në shtetet fushëbeteja të këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe për një përpjekje tjetër ligjore për të mbrojtur të drejtën e votës në këto shtete kyçe të rezultatit zgjedhor. Këto kontribute i kanë ushqyer së tepërmi perceptimet e njerëzve se pasuria e Xhorxh Sorosit është përdorur në përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Sorosi kontribuon gjithashtu në fushata specifike zgjedhore, siç është mbështetja financiare për të bërë të mundur dështimin e sherifit të Arizonës, Joe Arpaop, sipas regjistrave të financimit të fushatës. Dhe nuk janë vetëm konservatorët radicionalë ata që dyshojnë për influencën e lumit të parave të financimeve politike të Xhorxh Sorosit, thotë komentatori Malkin.
Edhe votuesit që iu bashkuan fushatës antisistem të kandidaturës fillestare të senatorit të Vermontit, Bernie Sanders. “Qytetarët janë skeptikë të influencës që ushtrojnë donatorët e mëdhenj në politikën amerikane – qoftë ai Xhorxh Soros në të majtë apo vëllezërit Koch në të djathtë”, thotë Mason Harrison, veteran i fushatave presidenciale të guvernatorit Mitt Romney dhe të senatorit John McCain, i cili punon për firmën Crowdpac të Sillicon Valley që monitoron donacionet politike. “Kjo është arsyeja përse po shikojmë një ndryshim të madh me donatorët e vegjël gjatë këtij cikli zgjedhor. Amerikanët kërkojnë që t’u rikthehet demokracia e dikurshme”.

“USA TODAY”

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Deshifrimi i politikës së Trumpit në Azi

Mira Rapp-Hooper

Ekspertët që pretendojnë se e dinë me siguri se si do të shpaloset politika e jashtme e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, janë duke u futur në një lojë të rrezikshme parashikimi. Teksa ata, së bashku me partnerët ndërkombëtarë të Amerikës, përpiqen të përcaktojnë konturet e planeve të tij, ekzistojnë të paktën dy grupe me burime materialesh që mund të analizohen. Grupi i parë janë fjalimet e Trumpit lidhur me politikën e jashtme gjatë fushatës, i dyti janë fjalët dhe shkrimet e këshilltarëve të tij të ngushtë të sigurisë kombëtare.
Kur bëhet fjalë për qasjen e presidentit të zgjedhur në Azi, këto dy grupe provash na çojnë në dy drejtime të kundërta. Megjithatë, edhe pse vizionet që kemi pikasur deri tani janë të ndryshme, ato kanë përsëri një faktor të rëndësishëm të përbashkët. Asnjë nuk i bën thirrje politikës së jashtme të fokusuar në sistemin e aleancave, rregullave dhe normave që kanë penguar çdo hap të lidershipit të Shteteve të Bashkuara në rendin ndërkombëtar që në vitin 1945. Së bashku me pasigurinë e madhe që rrethon objektivat e Trumpit për Azinë dhe mjetet që ai ka sugjeruar se do të përdorë për t’i arritur ato, mungesa e lidershipit të parashikueshëm mund të çojë drejt destabilizimit të balancës rajonale të pushtetit, por vetëm në periudhën afatshkurtër.

Duke lexuar gjethet e çajit
Politika e jashtme, veçanërisht ajo që ka lidhje me Azinë, ka luajtur një rol relativisht të vogël në fushatën presidenciale të Trumpit. Kur ngrihej çështja e politikës së jashtme amerikane kundrejt Azisë, ai kishte tendencën ta shfrytëzonte mundësinë për të nënvijëzuar akoma më shumë këndvështrimin e tij botëror “Amerika është e para”, të cilën e ka adoptuar nga izolacionisti Charles Lindberg, duke dalë kundër marrëveshjeve të tregtisë dhe duke premtuar shpagim ekonomik për këdo sfidonte interesat amerikane. Në fakt, gjatë gjithë fushatës presidenciale, Trumpi duket se i shikonte shtetet aziatike vetëm përmes lentes ekonomike dhe shpesh i shikonte si shtetet që shkelnin rregullat dhe meritonin ndëshkim.
Njëlloj si Hillary Clinton, Trumpi e kundërshtoi Partneritetin Trans Paqësor gjatë fushatës, por ai sulmoi edhe marrëveshjet e tregtisë së lirë më gjerë, duke u zotuar se do të ndërpresë disa nga lidhjet ekonomike ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Trumpi premtoi se do ta etiketonte Kinën si manipuluese të monedhës gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë – një kërcënim që mund të mos sjellë pasoja domethënëse dhe që tashmë është i dalë jashtë mode, duke qenë se Pekini e mban monedhën artificialisht të lartë.
Më shqetësues ishte zotimi i Trumpit për të imponuar një tarifë 45% për importet kineze. Një politikë e tillë do të nxiste një luftë ekonomike, do të çonte drejt recesionit, do të eliminonte miliona vende pune në Amerikë dhe do të dëmtonte ekonomitë e disa prej aleatëve të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe Japoninë dhe Korenë e Jugut. Këshilltarët e fushatës së Trumpit që atëherë e kanë reduktuar ndjeshëm nivelin e tarifës që mund të imponohej, por asnjë prej tyre nuk ka tentuar ta zhdukë tërësisht si ide.
Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë së Azisë, Trumpi nuk duket se ka vështrim të zhvilluar dhe ka favorizuar vazhdimisht ndëshkimin ekonomik si mjet i politikës së jashtme. Ai ka thënë se politika tregtare e Shteteve të Bashkuara mund ta detyrojë Kinën të tërhiqet nga Deti i Kinës së Jugut dhe ka argumentuar se Amerika duhet të përdorë levën e saj ekonomike për t’i bërë presion Kinës që të frenohet në Korenë e Veriut – një “problem” që Trump thotë se Pekini mund ta zgjidhë “me një telefonatë”. Trump duket se është i bindur që ideja e tarifës mbi të mirat kineze të importuara përputhet plotësisht me shpresën e tij për marrëdhënie të përmirësuara me Pekinin.
Trumpi ka shfaqur një antipati të thellë për zotimet e vjetra të Shteteve të Bashkuara në Azi, përfshirë edhe ato të mospërhapjes bërthamore dhe të sigurisë së aleatëve rajonalë. Në shumë raste, ai i ka bërë thirrje Japonisë dhe Koresë së Jugut që të paguajnë koston e plotë të aktivitetit ushtarak amerikan brenda kufijve të tyre, duke theksuar se nëse nuk e bënin këtë, Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin trupat ushtarake.
Shqetësimet për ndarjen e barrës në aleancën me Shtetet e Bashkuara nuk është diçka e re, por kriticizmi i Trumpit i ka shqetësuar disi aleatët aziatikë, disa madje kanë thënë se Trumpi nuk është në dijeni të faktit që Japonia dhe Koreja e Veriut janë vendet që Shteteve të Bashkuara i kushtojnë më pak se çdo vend tjetër në botë për shkak të kontributit financiar të Tokios dhe Seulit. Ata kanë thënë edhe se Trump nuk ka demonstruar interes në vlerën strategjike dhe ekonomike që ka aleanca për Shtetet e Bashkuara dhe nuk duket se i respekton mjaftueshëm aleatët për ta diskutuar privatisht çështjen e ndarjes së barrës financiare pas zgjedhjeve, në vend që ta bënte atë publikisht gjatë fushatës.
Me pak fjalë, politika aziatike e Trumpit deri tani ka shfaqur izolacionizëm, paparashikueshmëri dhe favorizim për të përdorur ndëshkimin ekonomik si mjet i politikës së jashtme. Por, këshilltarët e ngushtë të Trumpit për çështjet aziatike, duket se kanë shfaqur një tjetër lloj qëndrimi.

Një tjetër vizion
Këshilltarët për çështjet e Azisë të presidentit të zgjedhur janë shfaqur tepër dyshues kundrejt Kinës dhe kanë mbështetur një politikë të jashtme të fortë dhe të njëanshme të Shteteve të Bashkuara në rajon. Këshilltarët e Trumpit, Alex Grey dhe Peter Navarro, përmes deklaratave të tyre, janë përpjekur të artikulojnë vizionin e kandidatit në Azi – një vizion që ndiqte atë të Ronald Reagnit për “paqe përmes forcës”.
Ata kërkuan të ndërpritej izolimi i buxhetit të mbrojtjes, një zgjerim i jashtëzakonshëm prej 350 anijesh të Marinës amerikane dhe një prezence më të fortë ushtarake në Azi se ajo që ka ofruar administrata aktuale në rajon. Këshilltarët e përsëritën skepticizmin e Trumpit për rolin qendror të tregtisë ndërkombëtare në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe bënë të qartë se aleatëve amerikanë do t’u kërkohet “me gjithë respektin” të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Por ata ofruan edhe një vizion më të qëndrueshëm për sa i përket prezencës amerikane në Azi dhe Paqësor, duke thënë se mbizotërimi ushtarak i Washingtonit kufizon ndjeshëm kërcënimet që vijnë nga Kina.
Pas zgjedhjeve, Trump ka biseduar në telefon me presidentin e Koresë së Jugut, Park Guien-hye dhe me kryeministrin japonez, Shinzo Abe dhe ka përsëritur zotimet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara në Korenë e Jugut dhe Japoni. Këto biseda duket se kanë shkuar mirë. Pyetja e vërtetë e aleatëve për Shtetet e Bashkuara nuk është nëse Trumpi do të ndërpresë zotimet e sigurisë së Washingtonit sepse diçka e tillë do të përballej me një kundërshtim të fortë nga ana e Kongresit dhe ka shumë pak gjasa të miratohej. Pyetja është nëse Trumpi do t’i heqë kuptimin aleancave të Shteteve të Bashkuara duke reduktuar bashkëpunimin me partnerët deri në pikën që ata të ndihen të braktisur.
Biseda e parë telefonike e Trumpit me presidentin Xi Jinping, më 14 nëntor, la shumë pyetje pa përgjigje. Të dy liderët u zotuan të bashkëpunonin dhe të forconim lidhjet, por pozicioni i presidentit të ri amerikan gjatë fushatës ndoshta i ka lënë të shqetësuar kinezët. Së bashku me skepticizmin që ka treguar Trumpi ndaj aleancave të Shteteve të Bashkuara, këto biseda me Kinën i japin aleatëve aziatikë arsye për të pasur frikë krijimin e një force më të madhe bashkëpunimi të Washingtonit me Pekinin: një lloj marrëveshjeje G2 ku interesat e vendeve më të vogla do të kalonin në plan të dytë.
Tendenca e Trumpi për t’u përplasur me Kinën dhe njëanshmëria e shfaqur nga këshilltarët e tij, e bëjnë këtë perspektivë jo të mundur, por nuk ka asnjë arsye përse administrata e Trumpit të mos vendosë ta ndëshkojë Kinën ekonomikisht dhe të ngrejë prezencën ushtarake amerikane në rajon, duke i lënë Pekinit edhe disa çështje të sigurisë në dorë. Trumpi mund ta ndryshojë pozicionin e tij për Kinën dhe aleancat amerikane pas janarit. Por edhe pse bashkëpunimi G2 i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është i pamundur, fakti që aleatët kanë arsye për të pasur një frikë të tillë, ka rëndësi të madhe. Kjo sugjeron se deklaratat e ndryshme të Trumpit e kanë zbehur kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara.

Azia e lënë pas dore
Siç kanë theksuar edhe një sërë ekspertësh të politikës së jashtme, do të duhen muaj të tërë që administrata e re të zhvillojë një tjetër strategji për Azinë. Duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e Trumpit, ai mund të vendosë të mos krijojë një strategji të re, por të zgjedhë strategji të vogla rast pas rasti dhe të vendosë se çfarë do të thotë slogani “Amerika është e para” në rrethana të ndryshme.
Nëse tiparet pozitive të vizionit të Trumpit për Azinë janë ende të paqarta, boshllëqet të paktën janë të dukshme. Deklaratat e Trumpit dhe këshilltarëve të tij nuk i kanë përmendur institucionet ndërkombëtare si Shoqata e Vendeve Aziatike Juglindore (ASEAN) apo Forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor, madje nuk kanë ngritur as të drejtat e njeriut dhe rregullin e ligjit si principe të politikës së jashtme.
Trump dhe këshilltarët e tij kanë shfaqur shenja që tregojnë se aleancat amerikane janë më shumë se transaksione të thjeshta apo që Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë ngushtë me vendet aziatike në vend që të zgjedhë të influencojë rajonin sa herë diktojnë interesat. Megjithatë, presidenti i ri dhe këshilltarët nuk kanë folur në mënyrë të detajuar për të treguar nëse kanë ndërmend të luajnë një rol konstruktiv në rendin ndërkombëtar: në rrjetin e traktateve, regjimet, normat dhe ligjet që Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar të ndërtojnë që në vitin 1945.
Nëse konservatorët tradicionalë vazhdojnë të mbushin poste në administratën e Trumpit, atëherë këto mangësi do të plotësohen. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk e ruajnë rendin ndërkombëtar, mund të ketë zhvillime armiqësore në balancën e pushtetit në Azi. Së pari, vendet që kanë qenë partnere me Shtetet e Bashkuara, por ruajnë lidhje të ngushta me Kinën mund të orientojnë politikën e tyre drejt Pekinit. Kjo tendencë ka gjasa të jetë më e dukshme në Azinë Juglindore, ku shumë shtete shpresojnë të përfitojnë më shumë nga lidhjet ekonomike me Kinën – Malajzia dhe Filipinet kanë filluar ta ndjekin këtë logjikë.
Duke pasur parasysh vartësinë e tyre të gjatë ndaj zotimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë, aleatët e Washingtonit do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me administratën e re. Teksa detajet e qasjes së Trumpit bëhen gjithmonë e më të qarta, ata mund të vendosin të rrisin pavarësinë e tyre të sigurisë, duke shtuar shpenzimet e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ushatarak me njëri-tjetrin, ndoshta siç duhet të kishin bërë kohë më parë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Enigma e unit

Kur Katharina Beta “lindi sërish”, ishte 32-vjeçare. Kujtesa dhe përjetimet e saj u zhdukën gjatë një aksidenti, të cilin K. Beta, e cila së shpejti pritej të bëhej mjeke, mezi i mbijetoi. Mirëpo, kujtesa e saj “vdiq”. Për familjen, por edhe për vetë atë, emri i saj i pagëzuar, Irmhild, mbeti përgjithmonë i huaj. Nuk arriti kurrë ta kthejë sërish këtë identitet. Së bashku me terapeuten e saj, vendosi që unin e saj të vjetër ta lërë të vdesë. Ajo u ripagëzua si Katharin dhe filloi një jetë të re. Katharina sot jeton si shkrimtare në Vjenë. “Katharsis” quhet autobiografia e saj.

Manipulimi i unit
Ndryshimi i qëllimshëm i bindjeve, qëndrimeve, mendimeve… pra i unit, nuk është temë e re. Qysh në kohërat më të lashta për nevoja manipulimi me psikikën njerëzore janë përdorur metoda të ndryshme. Ndër më të njohurat është metoda përmes hipnozës dhe ajo me ndihmën e narkotikëve. Por edhe shkencëtarët ka kohë që janë duke eksperimentuar në këtë fushë dhe jo pa arsyee! Bile ata kanë shkuar edhe më larg se sa hipnoza dhe narkotikët, duke e shfrytëzuar teknologjinë e sotme më moderne të informatikës. Përmes stimulimit elektronik të trurit ata veç kanë arritur që publikisht t’i kontrollojnë sjelljet e disa specieve, por këtu nuk përjashtohet as njeriu. Edhe metoda më e re e implantimit dixhital, përmes mikroçipave të implantuar në pjesë të trurit, që gjithashtu është bërë publike para sa vitesh nga kompania SUN (e njohur për softuerin, Star Office që ofrohet falas) dhe nga organizata amerikane “Aplied Digital Solution” anon në këtë drejtim. Me këtë sistem, faktikisht, njeriu bëhet qenie e lokalizuar dhe e kontrolluar sipas nevojës së dikujt tjetër, pa pasur mundësi që të kundërshtojë ose rezistojë. Implantimi i një çipi të tillë në tru e kthen individin në një robot, por i përbërë nga mishi e gjaku e i dirigjuar nga dikush tjetër për nevoja ose shërbime të planifikuara.
Mirëpo, si gjithnjë, shkencëtarët shpalosin anët pozitive të hulumtimeve të tyre, që bazuar, jo vetëm në rrafshin shkencor, por edhe atë etik, është i mirëseardhur dhe i dobishëm për njeriun. Njerëzit që përballen me situata krizash të provokuara ose shkaktuar nga faktorët e ndryshëm e që janë të shumtë në përditshmërinë e rrjedhave të kohës moderne, shpesh nuk gjejnë mbështetje e as rrugëdalje dhe vuajnë pothuajse gjatë gjithë procesit jetësor. E në raste ekstreme, alternativa e vetme për ta është suicidi (vetëvrasja). Aplikimi i qëllimshëm i metodave për fshirjen e kujtesës, pra, në vend të informacioneve të vjetra, në unin e individit të regjistrohen informacione të reja, do t’ua lehtësonte shumë njerëzve jetën dhe shumë të tjerë do i shpëtonte nga vdekja e sigurt.
Këtë e dëshmon edhe rasti i Doug Bruces, i cili pas përjetimeve të tmerrshme dhe problemeve të shumta e pa rrugëdalje me të cilat ishte përballuar gjatë jetës së tij, as që dëshironte të kthehej më në unin e mëhershëm. Rasti i Bruces është i njohur në literaturën mjekësore. Edhe pse shumë rrallë ndodh humbja totale e kujtesës, bazuar në statistika, te mbi 95% e rasteve kujtesa pas një kohe kthehet sërish. Tek dikush pas disa ditësh, tek tjetri pas disa muajsh, por ka edhe raste kur kujtesa rikthehet edhe pas disa vitesh. Pothuajse shumica e të prekurve nga amnezia kthehen prapë në rrjedhat e jetës së mëparshme, pra në unin e tyre fillestar. Por, Doug Bruce nuk e dëshironte më atë identitet. Ai vendosi që unin fillestar ta “varrosë” përgjithmonë dhe “rilindjen” e sërishme, si fëmijë, por në trupin e një të rrituri, ta përjetojë, jo më si tmerr, por si një fat të madh. “Amnezia mua ma ka shpëtuar jetën!”, deklaroi ai më vonë. Ai filloi ta shijojë jetën nga fillimi, të krijojë shoqëri të re, talent të ri, bile edhe të dashurohet për herë të parë. Ai magjepsej nga ndezja e fishekzjarreve sikurse edhe nga reshjet e borës në jetën e tij të re. Gjithashtu, shumë ushqime që në unin e tij të vjetër i urrente, tani ishin menutë e tij më të preferuara. Bruce filloi të formojë identitet tjetër.
Kohë të gjatë format e tilla të humbjes së kujtesës për shkencën ishin raste të pasqaruara. Falë teknologjisë më të re dhe eksperimenteve të shumta, sot shkenca ka arritur që të ketë qasje më të gjerë edhe në këtë fushë. Shkencëtarët mendojnë, se për shumë njerëz, kujtesa në unin e kaluar është aq e dhembshme saqë ata me gjithë fuqinë që disponojnë mundohen ta stopojnë sapo ajo të fillojë të paraqitet në vetëdije dhe në vend të saj përpiqen të mendojë në diçka tjetër. Në disa raste të veçanta, kujtesa “shkyçet” ose “bllokohet” aq herë, saqë njohuritë e vetëdijshme perceptuese për një gjendje të përcaktuar faktike, nuk janë më assesi të kapshme. Kjo mund të shkojë aq larg, saqë vite të tëra të jetës të shlyhen nga kujtesa, siç është edhe rasti i Doug Bruces dhe i shumë të tjerëve.
Në raste të tilla, ndryshimi i qëllimshëm i identitetit, ndoshta edhe do të kishte efekte pozitive ose preventive. Ndoshta për shumë individë, të cilët nuk gjejnë forcë për t’u përballur me sfidat e kohës, do të ishte alternativë e vetme për ta vazhduar procesin jetësor dhe për ta shijuar këtë dhuratë të shtrenjtë e të mrekullueshme.
Por realiteti ka dëshmuar shpesh të kundërtën! Shumë zbulime që janë proklamuar si nevojë e domosdoshme për njeriun dhe shoqërinë, kanë rezultuar me pasoja katastrofale jo vetëm për individin, por edhe masën e gjerë, sepse dualiteti është pjesë e pandashme, jo vetëm e procesit jetësor, por edhe e proceseve të përgjithshme universale. E ky dualitet është valid edhe për temën që po shkruajmë, pra për unin tonë.
Ekspertët sot e kanë të qartë se kontrolli i qëllimshëm i mendjes dhe manipulimi me individë është funksional. Teknikat e ndryshme për “riprogramimin” e trurit si: elektroshoku, narkotikët, hipnoza, dhuna, izolimi, frika etj., me të cilat është eksperimentuar në shumë laboratorë të shërbimeve sekrete, por që janë aplikuar edhe nga shumë sekte të ndryshme dhe atë, drejtpërdrejt në njerëz, e konfirmojnë bindshëm një gjë të tillë.
Pacientët e psikoterapeutes amerikane nga New Orleans, Valerie Wolf (tani e ndjerë), ishin zakonisht individë me lëndime të rënda psikike. Mirëpo, dy pacientë ishin disi të veçantë! Edhe pse ato gra nuk njiheshin mes veti, megjithatë simptomat shpirtërore të tyre ishin pothuajse identike: personalitete të shumëfishtë, shenja frike, harresa (blockout) të përsëritura, kujtesë të shthurur etj., dhe që të dyja ishin gjetur nga policia – të hutuara, çoroditura dhe pa dijeni për vendbanimet e tyre. Nga një intervistë radioje, V. Wolf ishte informuar për një kamp ushtarak ku eksperimentohej me njerëz në gjetjen e formave të mundshme për kontrollin e mendjes – “Mind Control Experiment”. Simptomat e të eksperimentuarave të atij kampi ishin të njëjta sikurse edhe simptomat e pacienteve të psikoterapeutes Wolf. Pas eksperimenteve të gjata, së fundi u ishin regjistruar (riprogramuar) kode nga alfabeti grek, për t’i fshehur gjurmët e hulumtuesve dhe hulumtimeve dhe që ishin kryer mbi ta.
Në seancën e radhës, Valerie Wolf, pacienteve të saj ua tregoi disa shkronja të alfabetit grek. Dhe efekti ishte i menjëhershëm. Gratë filluan të dridhen dhe të lotojnë. Nën lotë filluan të rrëfejnë për përjetimet e tmerrshme. Për dhoma të errëta, për hipnozë, për dhënien të dhunshme të drogave haluçinogjene, për orë të tëra hetimesh, për mjek me mantele të bardhë që i mundonin me elektroshok etj., etj.
Kur rasti u bë publik, V. Wolf u kontaktua nga mbi 40 terapeutë nga mbarë SHBA-ja. Pa përjashtim, të gjithë kishin pacientë që dëshmonin se ishin viktimë e eksperimenteve nga kampi “Mind ControlExperiment”. Dhe kjo e tmerroi mbarë opinionin.

“Implantimi” i unit të ri!
“Atamore State Prison”, “Mind Beneder”, “MKULTRA”, “Monarach” etj., të gjithë këto janë emrat projektesh pas të cilave fshihen shërbimet sekrete, por edhe sekte, klinika, qendra kërkimore etj., me qëllime të caktuara – manipulimin e trurit. Efektet vepruese të këtyre manipulimeve janë vërtetuar edhe shkencërisht. Prapa qëllimit për ndryshimin apo edhe shlyerjen e identitetit të një individi, fshihet një ligj mjaft i thjeshtë psikologjik: “Ndrysho sjelljet e një njeriu dhe psikika e tij do të ndryshohet automatikisht”. Mendimet dhe ndjenjat e tij do të ndryshohen gjithashtu. Ai do të harrojë se kush në të vërtetë ishte. I gjithë ky rezultat në psikologji njihet si – disonancë kognitive.
Një gjë të tillë e vërteton edhe eksperimenti me qenë i shkencëtarit rus I. Pavlovit, i cili që në vitin 1903, për zbulimin e “refleksit të kushtëzuar” u laurua, ndër të parët, me Çmimin Nobel për mjekësi. Nga ky zbulim, i “refleksit të kushtëzuar”, u konstatua se edhe sjelljet mund të “kushtëzohen”, bile-bile te të gjitha qeniet e gjalla, duke filluar nga ameba deri te njeriu dhe se përdorimi i këtij “kushtëzimi” është i pakufishëm. Natyrisht që ky kushtëzim i sjelljeve, më vonë, i nxiti shumë hulumtues të tjerë për eksperimentime dhe në “modifikimin e sjelljeve”, pra edhe në modifikimin e unit.
Dhe të gjitha këto që u thanë më lart nuk janë vetëm shkrime sa për sensacion, por fakte të dëshmuara e dokumentuara nga qendra për kërkime trunore, dokumente sekrete qeveritare, rezultate të komiteteve të ndryshme hulumtuese, akte nga procese të ndryshme gjyqësore, publikimeve të ndryshme nëpër revista shkencore etj., në të cilat njoftohet për manipulime me njerëz – pa vetëdijen e tyre ose edhe kundër vullnetit dhe dëshirës së tyre. Mbi viktimat janë zhvilluar eksperimente të formave dhe mundësive nga më të ndryshmet për manipulime afatshkurtra dhe afatgjatë të identitetit. Viktimat janë rekrutuar si spiunë, atentatorë, kriminelë, ruajtës sekretesh, etj., për t’u shfrytëzuar në raste të caktuar.
Dr. M. T. Orn, njëri ndër anëtarët e Institutit të Mjekësisë në Filadelfia, u mor shumë edhe me manipulimin e trurit, me ndihmën e hipnozës, posaçërisht për çështje të armatës. Ai, me anë të hipnozës përforconte imunitetin e ushtarëve, që ata të mund t’i përballonin dhembjet, të ftohtit, mundimet, izolimet, sëmundjet e detit etj. Në gjendje të thellë hipnotike, ai u jepte detyra të rëndësishme të përcjella me amnezi paraprake totale. Njëkohësisht u jepte shifrën, me të cilën mund të hipnotizoheshin dhe mund t’i pranonin detyrat vetëm nga personat e posaçëm. Në bazë të shtypit të atëhershëm, pohohej se gjenerali i paktit NATO, Dozijer, i cili u kidnapua nga Brigada e Kuqe, ishte i pajisur qysh përpara, që me anë të autohipnozës të mund ta ruajë sekretin. Supozohet se të gjithë funksionarët e lartë ushtarakë në SHBA dhe të paktit NATO, që janë të njohur me materiale me rëndësi shumë të madhe politike dhe ushtarake, kalojnë nëpër procesin e indoktrinimit për neutralizimin e efektit.
Gjithashtu, një ndër ekspertët mjekësorë më eminentë, që punonte për nevojat e CIA-s, ishte Mathan Kline, i cili përveç hipnozës, eksperimentonte edhe me medikamente nga më të ndryshmet. Ky kishte për detyrë t’i stërviste operatorët për operacione të ndryshme, ndërsa në projektin ndërkombëtar – dirigjimin e mendimeve. Përndryshe, Kline është i njohur si kryetar i Komitetit Ndërkombëtar kundër Sëmundjeve Mentale (ICAMI), një ndër pikat e së cilës ishte edhe dhënia e barërave me efekte antidepresive të porsalindurve, te të cilët duhet të veprojnë gjatë gjithë jetës. Gjithashtu, ekzistojnë fakte se ICAMI, ndër të tjera, me ndihmën e kësaj metode i ka shfrytëzuar njerëzit me të meta psikike, si forcë pune në industri.
Instrumentalizimi i një individi, të cilit i është manipuluar uni, funksionon vërtet. “Pa dyshim se po”, thotë ekspertja Kathleen Taylor, e cila m’u për këto manipulime ka shkruar një libër me dëshmi të shumta në këtë drejtim, “Brainwashing. The Science of Thought Control” (Shpëlarja e trurit. Shkenca e kontrollit të mendimeve), e sidomos sistemin e izolimit, të cilin ajo e ka vendos në fokus të këtij libri. “Një metodë, e cila padyshim është e suksesshme. Fuqia e vetmisë dhe veprimi i saj në strukturat kognitive të trurit të një njeriu nuk duhet assesi të nënvlerësohet”, thotë ajo.
Riprogramimi fillon atëherë kur mbi një individ aplikohet kontroll absolut, edhe në ambient edhe mbi shqisa të tij: paralizimi i përshtypjeve shqisore, shkëputja e tij nga realiteti, lëkundja e besimit dhe vetëbesimit, etj. Izolimi dhe vetmia, frika dhe dhuna, narkotikët dhe hipnoza… rezultojnë shumë shpejt. “Pas disa ditësh ndjenja e kohës fillon të venitet dhe të burgosurit nuk dinë më se çfarë në të vërtetë të mendojnë. Vije deri te pengesat e perceptimin dhe pranimit të realitetit, haluçinacionet dhe aktiviteti i trurit ndryshon dukshëm. Përfundimisht ata e kanë një ndjenjë sikur po shkëputet, sikur po ndahet trupi dhe shpirti”, shkruan psikologu dhe eksperti i shërbimeve sekrete, Heiner Gehring.
Qëllimi i gjithë kësaj është për t’i sjellë njerëzit në një gjendje, në të cilën ata bëhen shpirtërisht aq labil, saqë vullnetarisht të pranojnë çdo ndikim të jashtëm. Të pasigurt, të përçmuar dhe të pompuar tërësisht me drogë, të izoluarit shumë shpejt kërkojnë mbështetje dhe siguri tek torturuesit e tyre. “Mjerimi e thyen vullnetin e tyre”, thotë K. Taylor dhe vazhdon: “Dhe kur i izoluari arrin statusin e fëmijës së mjerueshëm, atëherë është koha që të fillohet me risocializimin e tij”. Shqetësuese dhe shumë të frikshme për këtë eksperte janë edhe zbulimet e reja në sferën e neurokirurgjisë, të cilat, gjithashtu, shkojnë në favor të kësaj, duke mundësuar kështu implantimin e dhunshëm të vullnetit të huaj në individin e caktuar. “Mjafton të mendojmë në përparimet që janë bërë në fushën e neuroimplantimit dhe me këtë edhe në mundësit e qasjes së drejtpërdrejt në tru. Dhe e gjithë kjo mund të keqpërdoret për eksperimente të tilla”.
Dhe mbas gjithë kësaj, format e trajtimit dhe mënyrat kuruese të personave të goditur nga kjo dukuri, mbeten akoma çështje të hapura, pasi ekspertët e neurologjisë këtyre procese të komplikuara nuk kanë arritur t’ua gjejnë burimin e saktë e me këtë edhe sqarimin përfundimtar të tyre. Deri më tani, atyre nuk ju ka shkuar për dore që ta zhvillojnë ndonjë metodë efektive terapeutike, e cila do e rikthente kujtesën e individëve mbi të cilët është aplikuar qëllimisht “shpëlarja e trurit” ose e atyre që e kanë humbur unin aksidentalisht. Mirëpo, ata mendojnë se në një të ardhme jo të largët, gjithçka do të ndryshojë edhe në këtë drejtim!. Shpresojmë, së paku në aspektin “pozitiv”.

A mund Europa ta mbrojë veten?

Judy DEMPSEY

Duket se kohët e fundit kjo është një pyetje që po i shqetëson shumë ekspertët e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Përgjigjja është po aq e rëndësishme, pasi do të përcaktojë rolin e Europës në botë.

Davide Borsani, studiues i çështjeve strategjike dhe të sigurisë në Institutin italian për Studime Ndërkombëtare Politike
Shumica e liderëve politikë europianë nuk e kanë mirëpritur me entuziazmin e duhur fitoren e Donald Trumpit, kryesisht për shkak të tendencës së tij drejt izolimit, gjë që kërcënon të ndryshojë dramatikisht politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Europë, e cila vazhdon të jetë e njëjta që në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana tjetër, situata aktuale politike ofron potencialisht një mundësi unike për Bashkimin Europian që të rimendojë rolin e saj të mbrojtjes dhe të rrisë kapacitetin për të vepruar në mjedisin strategjik global në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër, realiteti duket krej ndryshe nga retorika. Që në fund të viteve 1950, kur projekti ambicioz i Komunitetit të Mbrojtjes Europiane dështoi, Bashkimi Europuan e ka pasur të pamundur të krijojë një kornizë të përbashkët për të krijuar pavarësi ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Mungesa e vullnetit të fortë politik për të rritur shpenzimet ushtarake dhe për të pajtuar interesat e ndryshme kombëtare të vendeve e kanë bërë pothuajse të pamundur krijimin e një alternative europiane ndaj hegjemonisë amerikane dhe NATO-s, që kanë përfaqësuar makinerinë e vetme për të siguruar deri më sot sigurinë europiane. Kështu, nëse Shtetet e Bashkuara vërtet tërhiqen nga angazhimet ushtarake në Europë, do të linin pas një vakum që Bashkimi Europian, në kushtet aktuale, e ka të pamundur të mbushë. Në këtë kontekst, ky skenar do të sillte rreziqe më shumë se mundësi për sigurinë europiane.

Frances Burwell,
Zëvendëspresident i Bashkimit Europian dhe iniciativave speciale të Këshillit Atlantik

Me administratën e presidentit Trump në horizont, pyetja nuk është nëse Europa mund ta mbrojë vetveten apo jo, por se çfarë duhet të bëjë Europa për të qenë një aktore më e pavarur dhe më e fuqishme, më pak e strukur pas Shteteve të Bashkuara. Pjesa europiane e NATO-s nuk do të jetë e aftë të mbrojë kufijtë lindorë nga sulmet tradicionale ushtarake, por një sulm i tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë. Skenari më realist është lufta hibride, trazirat civile, fushata e keqinformimit, sulmet kibernetike, madje edhe terrorizmi.
Në këtë mjedis, Europës i nevojiten burime ushtarake, por koherenca politike do të jetë akoma më e rëndësishme. Nuk duhet të ketë përçarje në Europë rreth natyrës së kërcënimit, madje edhe për kohën kur sulmi kërkon një kundërpërgjigje. Arsenali duhet të përfshijë një fushatë të fuqishme antipropagande duke filluar që tani, forca të mbrojtjes civile të afta për të pikasur dhe zbutur trazirat e brendshme, me aftësinë dhe fuqinë ligjore për të identifikuar shkaqet dhe autorët e eventeve të tilla; një kapacitet i fortë i mbrojtjes kibernetike; si dhe një bashkëpunim gjithpërfshirës kundër të gjitha formave të terrorizmit.
Së fundi, Europa nuk duhet të presë trazirat dhe konfliktet që të arrijnë në qytetet e saj. Një fushatë e plotë informimi duhet lëshuar drejt Rusisë, me qëllim që të gërryejë mbështetjen popullore për aventurat agresive të Vladimir Putinit. Europa duhet të marrë në dorë kundërsulmin, jo të presë ta bëjnë Shtetet e Bashkuara.

Fraser Cameron
Drejtor i Qendrës EU-Asia

Sigurisht që Europa duhet të jetë e aftë të mbrojë veten, por në fund gjithçka varet nga vullneti politik. Shumica e europianëve kanë qenë mëse të kënaqur të strehohen nën çadrën e sigurisë amerikane gjatë 50 viteve të fundit. Shumica e europianëve e kanë injoruar paralajmërimin e ish-sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates në vitin 2011, kur tha se Europa duhet të bëjë më shumë nga ana e saj, përndryshe angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj nenit 5 të NATO-s, lidhur me mbrojtjen e përbashkët mund të vihet në dyshim.
Refuzimi kokëfortë i europianëve për të mbrojtur veten siç duhet ka pasur efektin veçanërisht të dëmshëm për Europën, pasi e ka lënë pa asnjë talent të mendimit strategjik. Shtetet e Bashuara e kanë detyruar Europën të marrë pjesë në luftëra që nuk i përkisnin – Vietnam, Irak dhe Afganistan – dhe herë të tjera janë tërhequr nga ndërhyrja e planifikuar fillimisht për shtete individuale europiane.
Zgjedhja e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara duhet të shërbejë si orë zgjimi për Europën. Rajoni duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të bjerë dakord për politikën e mbrojtjes së tyre. Ka disa shenja inkurajuese se liderët e BE-së kanë filluar të ndërgjegjësohen se drejtuesi i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk është duke bërë shaka kur e përshkruan NATO-n si një institucion të kotë dhe i bën thirrje aleatëve të bëjnë pjesën që u takon. E vetmja mënyrë për ta bindur Trumpin që ta rimendojë qasjen e tij është përmes përpjekjeve të BE-së për të shpenzuar më shumë mbi sigurinë, të veprojë më shumë në këtë fushë dhe të demonstrojë vullnetin politik që duhet për të marrë vendime. Si gjithmonë, kjo do të varet nga mënyra se si do të përgjigjet Berlini.

Paul Cornish
Kryestrateg i Cityforum në Londër

Sigurisht që Europa mund ta mbrojë veten. Sigurisht që Europa mund ta bëjë rajonin më të sigurt, por vetën nëse është e gatshme të shfrytëzojë burimet e nevojshme për këtë. Në këtë pikë, ushtria e Bashkimit Europian që shumë ekspertë kanë kërkuar, mund të fillojë të shndërrohet nga një projekt “spostimi” të forcave ushtarake, në një realitet konkret.
Siguria europiane ka hyrë në një periudhë të trazuar. Ka nga ata që thonë se fjala “kërcënim” është tepër e ekzagjeruar për të përshkruar mjedisin bashkëkohor, si një përpjekje për t’u rikthyer në gjuhën dhe rreziqet e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, komentatorët duhet të paktën të pranojnë faktin se Europa është duke u sfiduar – politikisht, diplomatikisht, ushtarakisht, territorialisht, ekonomikisht, në fushën kibernetike dhe në sigurinë njerëzore. Më pas kemi edhe sfidën e brendshme për të cilën Europa ka qenë e ndërgjegjshme prej dekadash, por që ka zgjedhur të injorojë: kur bëhet fjalë për siguri kombëtare dhe rajonale, nuk ka para në qarkullim, të paktën jo para që vijnë nga Europa.
Pasi kanë shfrytëzuar për dekada të tëra sponsorizimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen dhe sigurinë europiane, është tepër ironik fakti që disa qeveri në Europë nuk janë tronditur nga rëndësia dhe kompleksiteti i sfidave të sigurisë së rajonit, por nga perspektiva e ndërprerjes së këtij sponsorizimi kur Donald Trump të ulet në Zyrën Ovale.

Michael Leigh
Ekspert i Fondit Marshall të Shteteve të Bashkuara në Gjermani

Dy tipare të programit të hamendësuar të presidentit Donald Trump që kanë nervozuar disa nga aleatët europianë janë afrimi me Rusinë dhe kërkesa që europianët të bëjnë më shumë për të mbrojtur veten. Një luftë e re e ftohtë nuk është aspak në interesin e Europës dhe as të Shteteve të Bashkuara, edhe pse tensionet kanë prodhuar njëfarë uniteti transatlantik.
Presidentët e ri zakonisht e eksplorojnë mundësinë e bashkëpunimit me Rusinë dhe pretendojnë se kanë një kapacitet unik për t’u marrë vesh me kundërpalën ruse. Trumpi e bën këtë, njëlloj si çdo gjë tjetër, në mënyrën më ekstravagante. Por liderët europianë duhet të këmbëngulin që dialogu me Rusinë të shoqërohet me përmbajtje. Ata duhet të kundërshtojnë çdo lëvizje për të legjitimuar aneksimin e Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014.
Aleatët e NATO-s janë zotuar të rishqyrtojnë rënien e shpenzimeve të tyre buxhetore për mbrojtjen në shtator të vitit 2014 gjatë samiti të NATO-s në Wales. Trumpi tani kërkon që ata të mbajnë premtimet e tyre. Vendet anëtare duhet të plotësojnë detyrimin e shpenzimit të 2% të GDP-së për sigurinë dhe mbrojtjen, pavarësisht shtrëngimeve fiskale, për t’i treguar Washingtonit dhe Moskës se janë të gatshëm t’i kundërpërgjigjen agresioneve. Europianët mund të forcojnë bashkëpunimin e tyre për armatimet, sigurinë kibernetike, kundërterrorizmin, paqeruajtjen specifike, ndihmat humanitare dhe misionet. Por Bashkimi Europian nuk mund ta zëvendësojë NATO-n si forca kryesore që siguron mbrojtjen territoriale në rajon.

Sten Rynning
Profesor i Qendrës së Studimeve të Luftës në Universitetin e Danimarkës

Europa, pa aleancën atlantike do të ishte në telashe të mëdha. Në një skenar të tillë, Europa do të kthehej në objektin e politikës së balancimit të pushtetit. Pas votës së 23 qershorit për të lënë Bashkimin Europian, Britania po pretendon se çelësi për të influencuar është aftësia për të projektuar pushtetin kombëtar, kur në fakt është aftësia për të caktuar një qendër të përbashkët graviteti politik. Kjo është strategjia e Gjermanisë. Është strategjia e duhur, por sfidohet në dy mënyra thelbësore.
Së pari, partneriteti thelbësor ndërmjet Gjermaninë dhe Francës nuk është i fortë sa duhet. Franca është në luftë kundër terroristëve islamistë, është treguar e paduruar me një sërë investimesh të shumta institucionale që Gjermania favorizon. Rezultati është zbehja e vullnetit për të bashkëpunuar në frenimin e armiqve.
Së dyti, kundërshtarët e Europës nuk frenohen lehtë. Rusia është tepër e fuqishme dhe kokëfortë, ndërsa terroristët islamistë janë të gatshëm të absorbojnë më shumë dhembje nga sa europianët pretendojnë se mund t’u shkaktojnë. Kështu, Gjermania dhe Franca do të duhet të sakrifikojnë vendet baltike për të akomoduar Rusinë, ndërkohë që lufton me sa mundet kundër terrorizmit. Qendra gjermano-franceze ka pak gjasa t’i rezistojë këtyre rrethanave dhe balanca e pushtetit do të vihej në rrezik. Kjo nuk do të thotë se do të shkaktoheshin luftëra të mëdha, por do të ishte fundi i Europës si një objekt mbrojtjeje.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Mbi 1 miliard euro për 4 vjet

Pesha e agjentëve të futbollistëve në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm dhe për këtë, nuk ka asnjë dyshim, sepse shifrat flasin qartë. Tashmë ata janë bërë pjesë integrale e futbollit dhe një realitet i pamohueshëm nga askush. Influenca në rritje e disa prej emrave më të lakuar të kësaj fushe është bërë shkak që shpesh herë mes tyre dhe klubeve të rëndësishme kontinentale të regjistrohen edhe përplasje të ashpra. FIFA publikon një studim serioz të “Trasfer Matching System”, kompani që monitoron transferimet e lojtarëve.
Sipas raportit, në 4 vitet e fundit, agjentët kanë prekur kufirin maksimal të fitimeve, rreth 1 miliard euro dhe kjo vetëm falë punës së tyre si ndërmjetës. Shifra të çmendura, por gjithmonë në rritje, pasi 2016-ta ishte për ta një vit i artë. Vetëm gjatë 11 muajve të fundit, fitimet e tyre janë rritur me 34% krahasuar me një vit më parë. Është Europa që kontrollon pjesën më të madhe të parave, pasi plot 98% e të ardhurave për agjentët janë siguruar pikërisht në kontinentin e vjetër.
Studimi nis që prej vitit 2013, kur u shpenzuan 218 milionë vetëm për agjentët dhe më pas rritja ka qenë progresive me kulmin në vitin 2016, kur janë shpenzuar 368 milionë euro vetëm për komisionet e agjentëve. Të dhënat tregojnë se, klubet që po pasurojnë më shumë agjentët janë ato angleze dhe italiane me 58% të të ardhurave, ndërsa më pas, por me një diferencë të madhe ndjekin Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca.
Ata që arkëtojnë më shumë janë padyshim agjentët yje të kësaj fushe dhe në Europë numërohen me shumicë, ndërsa gjatë 4 viteve të fundit, operacionet e ndërmjetësimit janë saktësisht 10.875. Në jo pak raste, i njëjti agjent ka përfaqësuar disa lojtarë. Një biznes i vërtetë për njerëzit jashtë fushës së blertë, por që në futbll po bëhen përherë e më të fuqishëm falë vendimeve që marrin.

Zbulohet e ardhmja e Schweinsteiger

Klaus Augenthaler, ish-kapiteni i Bayern Munichut, beson se Bastian Schweinsteiger mund të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ardhmja e Bastian Schweinsteigerit është larg Manchester Unitedit. Ish-kapiteni i Bayern Munichut, Klaus Augenthaler mendon se, gjermani do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë mendoj se ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara. Unë e di se ai ka oferta nga klubet evropiane, në Turqi dhe në vende të tjera. Por unë mendoj se ai do të shkojë në SHBA”, tha Augenthaler për “Omnisport”.

Dortmund i shëmtuar

Borussia e Dormtundit nuk ruan dot hapin e Leipzigut kryesues. Verdhezinjtë e Thomas Tuchel nuk arritën të shfrytëzonin dot momentin pozitiv, pasi u mposhtën në javën e 12-të të Bundesligës nga Eintrachti i Frankurtit. Në “Commerzabank Arena” ishin të besuarit e Niko Kovaç, që triumfuan me shifrat 2-1. Kjo ishte fitorja e 4-t në 5 ndeshjet e fundit për Frankfurtin që u ngjit në kuotën e 24 pikëve. Golat që vendosën fatet e këtij takimi u realizuan në pjesën e dytë. Fillimisht ishte hungarezi Szabolocs Huzti, ai që i dha epërsinë skuadrës vendase. Në minutën e 77-të pas shumë përpjekjesh, Dortmundi arriti më në fund të barazonte shifrat me të përhershmin Pierre Emerick Aubameyang. Por pa festuar ende golin e barazimit, miqtë u ndëshkuan sërish, këtë herë ishte Haris Seferoviç, ai që i dha avantazhin Frankfurtit. Vetëm disa sekonda më pas, zvicerani mposhti për herë dytë Weidenfeller-in duke i dhënë një trepikësh të artë për zonën europiane skuadrës së tij. Në minutat shtesë fati nuk ishte me Dortmundin, pasi Dembele goditi traversën.
Vazhdon të mos fitojë Borussia Moenchengladbach që nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Hoffenhemit në Borussia Park. Sëbashku me Leipzigun kryesues, ekipi i drejtuar nga 29-vjeçari Julian Naglesmann nuk njeh humbje në këtë sezon. Në të 25-ën, Dahoud kaloi në epërsi Gladbahun, por Amiri barazoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë.
Ndërkohë, Uli Hoeness ka rimarrë postin e presidentit të Bayernit të Mynihut. 64-vjeçari u rizgjodh në këtë detyrë me 97% të votave, duke konfirmuar pritshmëritë në asamblenë e përgjithshme, ku thuajse të gjithë anëtarët e saj kanë qenë pro kësaj kandidature. Hoenness kishte mbajtur për plot 30 vite postin e Drejtorit Sportiv para se në 2009 të zgjidhej për herë të parë President i klubit bavarez. Në mars të 2014-ës, pasi u dënua me burg për evazion fiskal, dha dorëhqjen nga detyra që mbante prej 5 vitesh. Gjithsesi, pasi përfundoi periudhën e dënimit u kandidua sërish për postin e presidentit, të cilin e fitoi me shumicë dërrmuese, praktikisht pa patur rivalë. Në fjalën e tij pas zgjedhjes President, Hoenness tha se do t’i përmbushte pritshmëritë e atyre që e kanë votuar.
“Bëra një gabim të madh, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Respektoj cilindo në këtë sallë, edhe pse ndonjëri nuk më ka votuar për shkak të sjelljes time të pahijshme. Unë jam demokrat dhe kam bërë gjithçka për ta shlyer dëmin që kam shkaktuar. Kërkova një shans të dytë nga ju dhe iu premtoj se do t’i përmbush pritshmëritë”, u shpreh Hënes.
Më pas, Hoeness kujtoi se skuadra e sapongjitur në Bundesligë, Liepzigu, do të jetë një kundërshtar i fortë për kampionët në fuqi. “Në Gjermani, po zhvillohen shumë klube të tjera, që kërkojnë të na arrijnë. Liepzigu sapo fitoi 1-4 me Frieburgun. Pas Dortmundit, ky klub është një armik i ri, të cilin duhet ta sulmojnë që nga ky moment”, përfundoi ai.

Kupa e Konfederatave, hidhet shorti, Rusia përballë Portugalisë

Është hedhur ditën e djeshme në qytetin e Kazanit në Rusi shorti i Kupës së Konfederatave “Rusi 2017”. Turneu që zhvillohet çdo 4 vjet, një vit para Kupës së Botës, në vendin organizator të Botërorit, ka përcaktuar ndarjen e 8 ekipeve pjesëmarrëse në 2 grupe.
Në Grupin A do të ketë një përballje europiane, teksa organizatorët e turneut, Rusia, do të përballen me kampionët në fuqi të Europës, Portugalinë. Bashkë me to në këtë grup do të jenë edhe kampionët e Oqeanisë, Zelanda e Re, si dhe kampionët e Amerikës Veriore dhe Qendrore, Meksika.
Ndërkohë në Grupin B, kampionët në fuqi të botës, Gjermania, do të kenë përballë kampionët e Amerikës së Jugut, Kilin. Kundërshtarët e tjerë në këtë grup do të jenë kampionët e Azisë, Australia, si dhe kampionët e Afrikës, të cilët do të përcaktohen në turneun Kupa e Kombeve Afrikane “Gabon 2017”, që do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndeshjet e Kupës së Konfederatave do të zhvillohen në verën e 2017-ës mes datave 17 qershor dhe 2 korrik.

Plas çështja Manaj te Pescara

Tjetër çështje për Rey Manajn. Trajneri i Pescarës, Massimo Oddo, në konferencën e shtypit para ndeshjes me Romën rezervoi fjalë të ashpra, duke e kritikuar publikisht për sulmuesin, kur u pyet se përse Manaj nuk ishte grumbulluar. Futbollisti nuk ishte përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për takimin e nesërm ndaj Romës dhe fillimisht u mendua se mos ishte për çështje dëmtimi. Por tekniku ka shpjeguar në konferencë për shtyp se kjo ishte masë ndëshkimore dhe se ishte qartësisht i pakënaqur nga sjellja e futbollistit, i cili praktikisht i ka mbyllur dyert vetes te Peskara.
“Preferoj të grumbulloj një djalosh të të rinjve më mirë se një person që nuk di të sillet. Kush është korrekt, kur i bashkohet kauzës, kush shkon drejt objektivit të përbashkët, bëhet i rëndësishëm dhe luan. Pjesa tjetër për mua nuk ka rëndësi. Kush sillet në mënyrën e duhur ecën para, përndryshe mbetet mbrapa. Ka rëndësi kush do të jetë nesër, të tjerët mund të rrinë në shtëpi”, ishin fjalët e trajnerit Oddo para gazetarëve.