14 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Massafra: Mësim për të dënuar krimet e komunizmit

“Lumturimi i 38 martirëve katolikë duhet të shërbejë si mësim për shtetin shqiptar që të thotë fjalën e vet për krimet e komunizmit”. Deklarata erdhi nga kreu i Konferencës Ipeshkvnore shqiptare, imzot Angelo Massafra gjatë prezantimit të kalendarit të aktiviteteve që i paraprijnë meshës së 5 nëntorit në katedralen e Shkodrës.
“Unë shpresoj se me festën e 5 nëntorit ne e kemi bërë gjyqin tonë. Unë mendoj se mund të jetë një nxitje që shteti të rishikojë situatën historike. Lartësimi i këtyre martirëve është lartësimi i të gjithë atyre që kanë vuajtur”, tha Imzot Angelo Massafra.
Sipas organizatorëve, të pranishëm në bashkëkremtim do të jenë disa kardinalë, 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës, si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi.
“Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvij nga 20 vende të ndryshme të botës, si dhe 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës”, u shpreh Dom Marjan Shtjefni.
Logoja e përzgjedhur për këtë festë ka një simbolikë të veçantë që ndërthur kryqin me palmën dhe sfondin e artë.
“Është një rreth që simbolizon qiellin, botën shpirtërore. Ngjyra e artë që është imazhi i dritës. E kuqja ose e purpurta është ngjyra e serafinëve, simboli i dashurisë hyjnore. Kryqi mbi të gjitha është pema e jetës, palma përfiguron që në fillesat e krishterimit martirin”, tha At Gazmend Tinaj.
Nga ana tjetër famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku bëri të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve të parashikuara përgjatë këtyre ditëve që do të kulmojnë me kremtimin e meshës së lumnimit të 38 martirëve më 5 nëntor.

Viti i kishës

Në prag të lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, arqipeshkvia e Shkodrës përmes një komunikimi me mediat bëri publike axhendën e të gjithë aktiviteteve që do t’i paraprijnë meshës që do të mbahet më 5 nëntor.
Në fjalën e tij, arqipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra u shpreh se ky vit mund të quhet Viti i Kishës në Shqipëri.
“Ky vit jubilar mëshire, pa ndrojë themi se është Viti i Kishës në Shqipëri. Shenjtërimi i Nënë Terezës, shpallja dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit dhe shpallja e lumturimit të martirëve më datë 5 nëntor dëshmojnë fuqishëm se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e vet dhe se e vërteta do të ngadhënjejë gjithmonë”, u shpreh Massafra.
Të pranishëm në meshën e lumturimit të martirëve, veç kardinalit Angelo Amato, i cili është dhe udhëheqësi i këtij procesi, do të jenë dhe një sërë klerikësh të lartë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, për të nderuar figurën e 38 martirëve shqiptarë.

Dom Marjan Paloka: Të mësojmë nga sakrifica e tyre

Dom Marjan Paloka, anëtar i famullisë Fiesole të Firences, i vlerësoi 38 martirët shqiptarë të diktaturës komuniste, që sot priten të lumnohen nga Kisha e Shenjtë, si figura universale.
Dom Marjan Paloka: Universalizmi katolik nuk ishte në dëm të kombëtarisë së tyre. Prandaj nëse këta martirë kanë ditur të bashkojnë së bashku universalen, lokalen dhe konkreten, atëherë dhe Shqipëria që sot detyrimisht shikon drejt universales pas një periudhe të gjatë të mbyllur duhet të mësojë nga sakrifica e këtyre martirëve për të ditur të kujdeset njëkohësisht për të dyja gjërat: marrëdhënien me botën, universalen dhe për rritjen dhe zhvillimin e vendit, konkreten, lokalen.
Në këtë event përkujtimor mori pjesë dhe kardinali Ivan Dias, Nunci i Parë Apostolik në Shqipëri, si edhe ministri i Jashtëm i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit Arqipeshkopi Paul Richard Gallagher, i cili tha se nga Shqipëria sot shohim sinjale shprese, besimi e bamirësie.
25-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e Selisë së Shenjtë përkon me një vit të veçantë për Shqipërinë, gjatë të cilit bamirësja shqiptare Nënë Tereza u shpall shenjt.

Tallja e qeverisë me pensionet, do rriten 3%

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, konfirmoi edhe një herë dje se pati negociata të vështira, por konstruktive me FMN-në për buxhetin 2017. “Jemi në dakordësi të plotë me FMN-në për të gjithë kuadrin buxhetor të 2017. Brenda buxhetit të vitit që vjen, financojmë një sërë reformash. Në mbledhjen e dedikuar, qeveria kaloi projektligjin dhe të hënën buxheti kalon në Kuvend për miratim”.
“Buxheti 2017 është një paketë financimi të reformave dhe rritjes së pagave dhe pensioneve dhe buxheti i rritjes së borxhit publik.
Indeksimi i pensioneve do të jetë 3% dhe këto efekte nisin nga data 1 mars. Pensioni i marsit do të jetë i rritur dhe gjithashtu paga e marsit në fillim të prillit do të merret e rritur. Efekti vjetor i rritjes së pagave dhe pensioneve është 100 milionë dollarë.
Në të njëjtën kohë është arritur që brenda buxhetit 2017 të konsolidohet trajektorja ulëse e borxhit publik në 69.1% të PBB-së.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në një vit elektoral të ulet borxhi”, tha ministri Ahmetaj.
Sipas Ahmetaj, do të kemi edhe këtë vit deficit primar. Kjo do të thotë se qeveria po tregon se në operacionet e veta nuk prodhon borxh, por një suficit që shkon për uljen e borxhit.
Në buxhetin e vitit 2017, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8%.
“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim konfirmoi dje me rritje pritshmëritë për rritjen e vitit 2016 dhe në kuadrin afatmesëm, ne kalojmë ndër vendet me ritme më të larta ekonomike. Vendet e rajonit kanë ulje-ngritje në ritmet e rritjes. Ritmet e ekonomisë në Shqipëri janë vetëm me rritje”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave tha se në buxhetin e vitit 2017 do të financohen disa reforma. Do të vijojë financimi për reformën territoriale. Ai tha se granti i qeverisë qendrore ndaj bashkive do të kushtëzohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Do të financohet reforma e sektorit të ujit dhe ka të bëjë me miradministrimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve në territor.
Reforma tjetër është ajo e administratës publike dhe ka në themel rritjen e pagave me 10% për arsimin, shëndetësinë, policinë dhe administratën publike me 7%.
Do të vijojë reforma për kompensimin e pronës dhe për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë, tha Ahmetaj, sipas skenarit të miratuar në ligjin e ri të 2015.
Reforma në shëndetësi do të zgjerojë listën e rimbursimit, tha Ahmetaj. Buxheti i vitit 2017 merr përsipër listën e aprovuar, listën e rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Shtohet lista e përfituesve mbi 600 mijë persona.

500 euro “dhuratë” nga shteti për çdo italian që mbush 18 vjeç

Të gjithë italianët që kanë ditëlindjen e 18-të në mes 3 nëntorit 2016 dhe 31 dhjetorit 2017 (më vonë pritet të zgjerohet) tani mund të marrin nga 500 euro nga shteti dhe t’i shpenzojnë në artikuj kulturorë.
Kjo shumë mund të merret nëpërmes një aplikacioni të quajtur “18app” dhe mund të shpenzohen në libra, bileta koncertesh, bileta për teatër, vizita në muze, udhëtime në parqet kombëtare e shumë gjëra të tjera të ngjashme.
Ky projekt do t’i kushtojë qeverisë italiane 290 milionë euro, por sekretari i Parlamentit, Tommaso Nannicini, i cili e udhëhoqi këtë skemë, beson se këto para janë të shpenzuara mirë.
Ky aplikacion duhet të shkarkohet para fundit të vitit, edhe nëse ditëlindja e ndonjërit do të ishte në vitin 2017.
Vitin tjetër, një skemë e ngjashme pritet të zgjerohet edhe për mësuesit, të cilëve do t’u dhurohen nga 500 euro për t’i shpenzuar në zhvillimin e karrierës së tyre.

Dokumentet “Top secret” të vjedhjes së 1.5 milionë eurove

Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana VOKSHI

“ADISA” ose A Di Sa vendime me histori të dyshimta apo korruptive kanë kaluar në Parlament në këto tri vite? “A e dini sa” qindra miliona euro janë devijuar në drejtim të paditur për qytetarët, por të ditur për pushtetarët?
Një bilanc shokues… dhe sot pasi kanë ulur ndjeshëm pensionet reale, pasi kanë hequr nga skema e sigurimeve shoqërore 4 mijë pensionistë, propagandojnë një shërbim që në fakt vetëm do të shtojë sorrollatjet dhe hallet e shumta të tyre sportele pas sportelesh. Dyshime të forta na bëjnë të mendojmë që ky veprim ka jo vetëm prapavijë politike (në listën e pensionistëve të penalizuar edhe me gjoba të larta deri në 13 milionë lekë, shumica janë gra dhe burra me bindje të djathta), punonjësit, specialistët, teknicienët do të hidhen në rrugë për t’u zëvendësuar me militantë ata që do të japin votën në këmbim të një vendi pune… por edhe kjo e shoqëruar me një dozë jo të vogël korrupsioni. Qeveria edhe këtë herë me shumë gjasa nuk do të shërbejë, por do të vetëshërbehet…
Nuk është e rastit që sa herë ka projekte me shuma të mëdha, gjithnjë ka një asocacion emri, individi, miku, sponsori, shoku… duket edhe kësaj here ja kanë gjetur anën, ata mendojnë se po e bëjnë pa lënë gjurmë… Por siç thotë ministrja Harito, çdo gjë lë gjurmë në sistem… dhe herët a vonë, jam e sigurt që do të jetë e qartë për të gjithë kush qëndron pas këtij projekti. Dhe kur dihet paraprakisht kush është klienti i radhës, nuk ka nevojë as për analizë, as për fakte e shifra, as për konsultime, as diskutime, as për studime… sistemi vjen si një kopje e keqe e modelit të Sakashvilit në Gjeorgji.
Për t’i paraprirë, dhanë më shumë se 1 mln euro për një projekt pilot në Hipotekën e Tiranës, vunë ca stola me ngjyra, një pajisje që jep një numër dhe qytetari (si “dele” – siç ka qejf t’i quajë Kryeministri dhe ministrja) presin me orë të tëra. E pasi ke mbajtur 3-4 orë radhë, duhet të shkosh te zyra e postës përballë, të paguash tarifat (shpeshherë) jo të vogla, të kthehesh përsëri te sporteli ku një vajzë e re të buzëqesh ëmbël, por mund të mos kuptojë asgjë… e më pas pret në shtëpi përgjigjen e kërkesës… që shpesh të vjen edhe e gabuar.
Kur përgjigjja të vjen e gabuar, shkon për herë të dytë e të tretë… Kërkon një jurist apo specialist që të sqarosh kërkesën, as që bëhet fjalë…nuk të lejohet…dhe përsërit të njëjtin ritual…merr një numër te pajisja, ulesh te karriget portokalli, pret në radhë 2-3 orë, shkon te sporteli, flet me sportelisten që të flet sjellshëm, shkon te zyra e postës, paguan për herë të dytë apo të tretë për të njëjtin shërbim…, kthehesh te sporteli… pret në shtëpi dhe për herë të dytë apo të tretë… Përgjigjja të vjen përsëri gabim… Atëherë të mbeten 2 alternativa: ose të heqësh dorë nga letrat e pronës tënde, ose do të gjesh një mënyrë alternative për t’i marrë ato që të takojnë… Sigurisht që të parën s’besoj se ndonjë njeri ta marrë parasysh se bëhet fjalë për pronën e tij, dhe gjen mënyrën alternative… Me miq, të njohur apo para nën dorë të ai specialist në “back office”… atëherë për çfarë shërben ADISA??? Shpesh në shtim hallkash, pritjesh, pagesa në dhe nën dorë… e sigurisht korrupsion.
Ligji ka menduar për 1/3 e popullsisë, kryesisht pensionistët që s’do të kenë më asnjë shans të flasin me specialistin për llogaritjen e kontributeve pensioneve apo për çdo sqarim tjetër që do të duan… Meqenëse qeveria mendon që mund të kenë kohë të tepër pse jo, të mbajnë radhë disa orë, të përshëndesin vajzën që mund t’i buzëqeshë ëmbël… të mbushë aplikimin, e do presin në shtëpi përgjigjen që mund të jetë ajo e gabuara… për të rinisur të nesërmen ritualin të ADISA.
Nuk mund të suksesohet nëse ju mendohet për fasadën, për ngjyrën e stolave apo të mureve, për të reinxhineruar më vonë shërbimet… Ky model është qysh në krye të herës i dështuar!!! Dhe tregon dallimin e madh midis dy modeleve të qeverisjeve: njëra që mendon për formë e fasadë e ngjyra të bukura e tjetri që mund të çalojë në bukuri e forma, por që i shkon përmbajtjes dhe zgjidhjes së problemit në thelb.
Qeveria siç e shikoni ka menduar që t’i shfrytëzojë maksimalisht pensionistët dhe kohën e tyre… këtë herë mendoi t’i vinte në ndihmë ministrit të Shëndetësisë i duhen për të justifikuar vjedhjen me check up. Skandali, i pranuar me zë dhe figurë nga ministri Beqaj gjatë dëgjesës në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, vërteton hapur se shqiptarët iu duhen vetëm si numra rilindasve, jo si qenie humane. Ashtu siç mbetet i vetmi deputet i dënuar për vjedhje fondesh publike me vendim të Gjykatës Kushtetuese, kështu do të mbetesh në histori si ministri që pranon skandalin me fondet e taksapaguesve shqiptarë në sy të mediave dhe publikut.
Kryeministri duhet ta gjejë një mënyrë të mençur që ta largojë sa më parë ministrin e tij sepse po ja nxjerr të palarat në shesh si në komisione ashtu edhe nëpër tavolina, ku thotë që këto i bën me urdhër të Kryeministrit dhe se të gjitha paratë i shkojnë atij…
Gati 2 miliardë lekë (ose 1.5 mln euro) i janë dhënë nga buxheti i shtetit, sipërmarrëses së koncesionarit të check up, për 111.000 check up të personave që nuk e kanë parë me sy provën e analizave…!
Mendja djallëzore që ka hartuar këtë kontratë, mbase kishte menduar që askush nuk do e kuptonte sa abuzuese është ajo në thelb…

Masakra me paratë për kontrollin shëndetësor falas

Llogaria është shumë e thjeshtë, dhe unë sot dua ta ndaj me të gjithë ata që na ndjekin, e sigurisht me të gjithë mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore, të cilët rropaten duke bërë për orë të tëra, edhe nën presionin e ministrit dhe të drejtuesve të tyre, punën që duhet të bënte koncesionari.
Atëherë, në vitin 2015:
244,440 qytetarë figurojnë zyrtarisht që kanë bërë analizat e kontrollit shëndetësor falas ose check up (unë kam dyshimet e mia që edhe ky numër zyrtar është i fryrë artificialisht – pra abuzimi mund të jetë akoma edhe më i madh – dhe kjo është arësyeja që ministri refuzon për të disatën herë që të japë informacionin e detajuar në lidhje me qytetarët që kanë kryer check up). Madje për të mundësuar refuzimin (antikushtetues) futën në lojë edhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale… E gjithë qeveria në këmbë për të mbuluar abuzimin që duhet të jetë marramendës…
356,000 është në fakt numri i analizave për të cilat është paguar koncesionari.
Diferenca prej 111 mijë analizash ka shkuar në xhep të mikes së Kryeministrit, pa bërë asgjë. Plot 1.5 mln euro… Mendo sa pacientë me tumor mund të ishin vizituar, kuruar apo shëruar me 1.5 mln euro.
Por historia nuk ndalet këtu, me diktat kjo vjedhje po shumëfishohet duke përfshirë në program edhe pensionistët, të cilët në fakt i gëzojnë me ligj të gjitha vizitat shëndetësore falas, janë shtresa më e skanuar, më e njohur nga të gjithë mjekët e familjes dhe mjekët specialistë… Shumica e dinë mirë çfarë sëmundjesh mund të kenë. Pra s’kanë asnjë nevojë për check up të ministrit, por kanë nevojë për parandalim terciar, pra sigurim barnash e kurash cilësore dhe jo të falsifikuara e kontrabandë… Por a ka shpresë për këtë? Me insistimin e Beqes, Nadiri pavarësisht abuzimit prej 2.2 mln euro me ketoserilin (faktuar nga raporti i KLSH) u lirua nga burgu. Në këmbim të heshtjes për bashkëpunëtorët, fitoi lirinë dhe kontratat me Fondin për LBR 2016. Nga ana tjetër, sot ministri emëron shef në sektorin e kontrollit të depove në Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore Zhanin e tij që me vendim të auditit të brendshëm dhe KLSH duhej të ishte pushuar nga puna.

Çfarë pretendon ministri?

Do të parandalojmë, tha ministri, sëmundjet e veshkave që kanë filluar të shfaqen në moshë më të hershme… Po si do i parandalojë ato? Si do i shërojë? Kur ka sakrifikuar një shefe shërbimi në QSUT se nuk pranoi të hiqte si alternativë të parë ketosterilin për ta zëvendësuar me një suplement ushqimor… pa i hyrë fare akrobacirave që ju desh të bëjë për ndryshim dozash, çmimesh për t’u dukur më i lirë etj., etj…
Po ata 1700 qytetarët që ministri referoi që zbuluan nga check up që ishin me tumor? Ku i çuat për t’u vizituar? A i kuruat? Ndaj le të ndalemi se çfarë ndodh te onkologjiku edhe sot që flasim. Rreth 50% është rritur nr i pacientëve me tumor te onkologjiku, ndërkohë që barnat për trajtimin e tumorit janë rritur vetëm me 4%.
Po humbjen e jetës së 6 pacientëve me HIV/AIDS pse nuk e parandaluat? Pse nuk siguruat kurat? Ende sot që ne flasim janë pa kura të plota?
Po fëmijët me leuçemi si i latë për muaj të tërë pa ilaçe? S’u prekët as nga lutjet pa fund të nënave? Por kur ne vajtëm në spital si i gjetët brenda natës? Kam gati 2 muaj që kam kërkuar informacion në lidhje me blerjen e ilaçeve për këta fëmijë: si u prokuruan? Kush e fitoi tenderin? Ku u blenë? Si u futën në Shqipëri? Pse refuzoni të raportoni? Çfarë fshihet pas kësaj?
Të dhënat e check up u fshehën për muaj më radhë nga Ministria e Shëndetësisë për të lejuar vjedhjen. Dokumentacioni mbahet “top-sekret”, ndërsa personeli shëndetësor kërcënohet me largime nga puna. Disa drejtues të Qendrave Shëndetësore u zëvendësuan me hidraulikë se nuk iu bindën urdhrit të ministrit për të falsifikuar regjistrat e pacientëve.
Ndërkohë “A e di se sa” para po shkojnë për propagandën e këtij projekti të shpikur nga tik-et nervore të udhëheqjes së kapur në flagrancë për korrupsion?
Miliona shkojnë për censurën e lajmeve për koncesionet në shëndetësi, miliona të tjera për shkrime të realizimit socialist….
Kjo është veçse një tragjikomedi që duhet të marrë fund. Prokuroria duket se më shumë po dëgjon presionet e qeverisë, sesa denoncimet.
Por, nuk ka më asnjë dyshim se ministri Beqaj është argati i Kryeministrit në çifligun e shëndetësisë dhe farmaceutikës.
Shqipëria pa Edi Ramën është më mirë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ambasadorët…

Fjalët e fundit para ekzekutimit të priftit gjerman Josef Marxen

Viktimë e përndjekjes ndaj besimtarëve në Shqipëri në vitet 1946-1974 kanë rënë edhe dy priftërinj gjermanë: Josef Marxen dhe Alfons Tracki. Më 5 nëntor në Shkodër zhvillohet ceremonia e lumturimit të 38 martirëve.
Cacilia Giebermann në vitin 2008 mësoi se, daja i madh i saj do të lumturohet. Kjo e nxiti atë të vihet në kërkim të gjurmëve. Rezultati i kësaj pune është një libër dhe azili personal për një refugjat nga Shqipëria.
Si mund të reagohet ndaj lajmit, se daja do të pranohet si një martir kristian?  “Fillimisht isha krejtësisht e befasuar, pothuajse e mbërthyer prej emocioneve. Por shumë shpejt vendosa të vihem në kërkim të gjurmëve”. Kjo ndodhi në vitin 2008. Ndërkohë kishte përfunduar procesi kishtar për lumturimin e Josef Marxen (1906-1946): Prifti gjerman të shtunën (05.11) do të lumturohet në Shqipëri bashkë me 37 viktima të tjera të regjimit të dikurshëm komunist. Por për Giebermann historia e Josef Marxens ende nuk është mbyllur. Madje amaneti i tij jehon edhe sot si një angazhim lidhur me çështjen aktuale të refugjatëve.
Në vitin 2008 teologia dhe mjeke me profesion mësoi shqip dhe vendosi kontakt me institucionet e kishës dhe të shtetit në Shqipëri, si dhe udhëtoi dy herë në vendet, ku ka shërbyer prifti Josef Marxen i lindur në Worringen të Këlnit. Ajo takoi edhe njerëz, të cilët e kishin njohur personalisht “Dom Zefin”. Të gjitha këto Giebermann i përmblodhi në një libër kushtuar vëllait të madh të gjyshes së saj.
Në vitin 1936 prifti i ri plot idealizëm shkoi në Shqipërinë e varfër, ku më shumë se gjysma e rreth një milion banorëve ishin myslimanë e vetëm dhjetë për qind katolikë. Fillimisht ai ishte prift i Perlatit në Malësi, nga viti 1941 ai shërbeu në Jube pranë Durrësit. Shumë shpejt njerëzit panë të habitur, se si “Dom Zefi” gjatë punëve për rindërtimin e famullisë punonte bashkë me punëtorët, nuk pranonte privilegje si të përdorte kalin, se si ai kujdesej pa drojë për trajtimin e plagëve dhe se si edhe në të ftohtë shkonte e kujdesej për bagëtinë në famullinë e largët. Për këtë mënyrë njerëzore sjelljeje misionarin e nderonin.
Me fillimin e diktaturës komuniste në fund të vitit 1944 Shqipëria e shpalli veten “vendin e parë ateist në botë” e kjo ua vuri jetën në rrezik atyre pak të krishterëve në vend. Megjithatë prifti Marxen vendosi të qëndrojë në Shqipëri. Atë e arrestuan dy herë dhe më në fund më 16 nëntor 1946 ai u ekzekutua natën në një pyll afër Tiranës. Një i bashkëburgosur me të citon fjalët e 40-vjeçarit para ekzekutimit: “Jam i lumtur. Unë do të vdes tani dhe në Shqipëri do të kujtohem, që isha një dëshmitar për Krishtin”.
Stërmbesa e tij Giebermann thotë se, “si vajzë e re unë pyesja për të gjithë motrat e vëllezërit e gjyshërve të mi, por pothuajse askush nuk dinte gjë të saktë për dajën Josef”. Kësisoj familja nuk e di as se ku ndodhet varri i tij. Ndërkohë edhe vëllai më i ri i tij, Alfonsi, ndërroi jetë në moshë të thyer. “Por për fat ai arriti ta mësojë lajmin, që Josefi do të lumturohet”.
Nismën për këtë e ndërmori në vitin 2002 kryeipeshkvi i Shkodrës, Angelo Massafra. Edhe me të është takuar në Shqipëri stërmbesat e martirit Marxen. “Disa njerëz në Shqipëri madje më kanë kërkuar falje për vdekjen e dajës sim”, rrëfen e emocionuar 45-vjeçarja. I paharrueshëm ka mbetur për të takimi me familjen, që sot jeton në famullinë e dikurshme të priftit Josef Marxen. “Në fillim njerëzit ishin shumë të ndrojtur dhe nuk e dinin, se nga t’ia nisnin me mua”, thotë Giebermann. Megjithatë ajo e ruajti kontaktin me prindërit e fëmijëve Pashkë, Kristian dhe Gjergj.
Teksa vitin e kaluar mijëra vetë erdhën si refugjatë nga Shqipëria në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë ndër ta bënte pjesë edhe 22-vjeçari Gjergj. Sot ai jeton tek familja Giebermann – si aupair për pesë fëmijët. Natyrisht që me rastin e lumturimit të Josef Marxen edhe ai do të jetë i pranishëm në ceremoninë në Shqipëri.
Cacilia Giebermann ka iniciuar edhe një aksion ndihme për një bebe të sëmurë rëndë në Shqipëri e kësisoj ajo përmbush edhe amanetin e dajës së saj. Ajo dhe familja e saj duan të angazhohen më shumë për njerëzit në vendin e varfër të Europës. “Daja im asokohe me plot vetëdije vendosi të shkojë në Shqipëri. Sot shumë shqiptarë vijnë tek ne. E ata nuk i shohin me sy të mirë”, thotë mjekja dhe teologia. Ajo do që kjo të ndryshojë në frymën e Josef Marxen, thotë Giebermann për “KNA”.
Të shtunën në Shkodër do të lumturohen 38 katolikë. Prefekti i kongregacionit roman për procedurën e shenjtërimit, kardinali Angelo Amato, do të marrë pjesë me mandatin e Papa Françeskut në ceremoni.
Ata që do të lumturohen janë peshkopë, priftërinj, njerëz të urdhrit e njerëz të thjeshtë, që janë vrarë në vitet 1945-1974 nga regjimi komunist për shkak të besimit. Ndër ta bëjnë pjesë edhe dy priftërinj gjermanë, Alfons Tracki dhe Josef Marxen.
Konferenca e Ipeshkëve të Shqipërisë hapi në vitin 2002 procesin e lumturimit. Më 2011 dosja iu dorëzua kongregacionit përkatës në Vatikan për vlerësim. Më 26 prill Papa Françesku e njohu martirizimin e 38 katolikëve.

“DW”

Berisha-qeverisë: Po ju vjen ngordhja, mos luani me FMN

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi dje në Parlament se kriza e gjithanshme ekonomike dhe zhytja e vendit në gropën e vjedhjeve qeveritare po afrojnë rrëzimin e qeverisë. “Pandeli po të buzëqesh PS-ja dhe siç thotë një fjalë e popullit: ‘qenit kur i vjen ngordhja, shkon dhe urinon në derë të selisë’. Kjo po ndodh dhe me ju, po kjo është puna juaj. S’keni shpëtim!”, tha Berisha duke iu drejtuar Majkos.
Berisha tha se shifrat e servirura nga Rama dhe Ahmetaj për ekonominë janë të ndryshme, ndërsa janë shenja të skizofrenisë të kreut të qeverisë, për të cilën ai tregoi edhe një bisedë me një mikun e tij jashtë vendit.
“Ju zotërinj, që ishit në Asamble të Partisë tuaj, a nuk ju tha ai (Rama) se për herë të parë në 20 vjet po ulim borxhin nën 20%? A nuk thotë ky tjetri këtu sot, vetëm dy javë më vonë, se borxhi është 71%? Jeni bërë të neveritshëm! Në çdo fjalë që nxirrni, nxirrni një mashtrim. Ky që rrahu gjoksin, s’di çfarë është borxhi, që po bëhet famoz për injorancën e tij të plotë, injorancën totale në raport me çdo fjalë që nxjerr nga goja. Mendon se me shkarravinat e tij do t’iu mbushë mendjen të tjerëve.
Takova një mik këto ditë, të shquar jashtë, më dha librin e pikturave Rama tha, dhe që nga libri me ato shkarravinat dukej që ishte i sëmurë psikik tha. Çdo njeri që sheh atë (Ramën) e kupton që ka të bëjë me një të sëmurë psikik. Për fat isha dhe me dëshmitarë në këtë takim.
(i drejtohet Majkos)… Nuk buzëqesh për fjalët e mia ti Pandeli, buzëqesh për largimin e Blushit, sepse e nisi për ta marrë PS ai që s’është më aty, përfundoi anash. Priti ai tjetri dhe doli anash, kurse ty do të vijë PS-ja, duro!”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi qeverinë se largimi i FMN do të jetë një kërcënim madhor për ekonominë e vendit dhe se Fondi nuk mund të largohet tani që borxhi ka arritur në 74%.
“Përsa i përket deficitit primar ti (Ahmetaj) s’ke faj, je i pafajshëm për injorancën, ti nuk di ç’është suficiti primar. Ka qenë, ka ekzistuar katër vite me radhë. Sa i përket Fondit, mos luani me Fondin. Sepse largimi i FMN nga Shqipëria, në një kohë kur ju e morët borxhin publik 62% dhe e rritët 74%, largimi tij është kërcënimi më madhor që ka pësuar ekonomia shqiptare ndonjëherë. Fondi nuk mund të largohet pa zbritur borxhi nën 60%. Jeni ju që bëtë fushatë në katër anët e Shqipërisë për borxhin 60% që e lamë ne, tani doni të përzeni Fondin me borxhin 72%. Ju jeni larg artikullit 4”, tha Berisha.

Qeveria mashtroi FMN

Nuk ka rritje pagash, por indeksim. Ish-Kryeministri tha se ka mashtruar FMN-në me shifrat dhe borxhet e marra do të jenë një barrë e rëndë për shqiptarët. “Ajo që u quajt rritje rrogash nuk është as indeksim. Sipas njoftimit të fundit, jo që s’janë 100 milionë dollarë, por janë fiks 64 milionë dollarë. Nga 8 miliardë lekë u katandis kokoshi në thelë. Kreu juaj vrapon nga një vend në një tjetër duke rrahur gjoksin për 100 milionë dollarë rritje, e cila nuk ishte gjë tjetër vetëm indeksim. Pse? Ju keni shkatërruar çdo gjë. Këshilli i Ministrave sot ka në bordero 530 punonjës nga 128 që kishte në vitin 2013. Dhe tani na thotë se do të vendosin në shkurt për Fondin nëse do e përzenë. Nuk mund të vendosë vetëm qeveria për këtë. Qëndrimi ose jo i Fondit duhet të jetë e përcaktuar nga kriteret dhe jo nga vullnetet. Ke borxhin mbi 70%, Fondi nuk mund të largohet në asnjë mënyrë.
Keni mashtruar në mënyrë monstruoze Fondin. Morët borxh verbërisht. Dhe pse e morët borxhin? Vetëm për të dalë e për t’u kapardisur ai që shet injorancë nga mëngjesi deri në darkë e për t’u thënë që solli buxhetin më të madh në histori. O i lehtë në mendje. Po po të marrësh borxh, buxhetin mund ta dyfishosh, po more më shumë edhe mund ta trefishosh, por barra e tij në të ardhmen të lëshon përtokë. Dhe për të thënë atë që thoja unë, se ky është buxheti më i madh, të cilin unë e thoja me të vërtetë, bazuar mbi rritjen, edhe ky përsërit dhe thotë ky është buxheti më i madh në histori. Dhe rriti borxhin, i cili e këput me kryq Shqipërinë në borxh. Hajde uleni po të doni”, tha Berisha.

2.3 miliardë dollarë në xhepat e korrupsionit

Ish-Kryeministri ka ngritur një pyetje në Parlament në lidhje me investimet publike. Shifrat tregojnë se janë 2.3 miliardë dollarë investime në këto tri vite, në një kohë që nuk ka asnjë vepër publike që të jetë ndërtuar.
“Pse s’ka investime? 50 e ca për qind i keni investimet. E kuptoni që jemi i vetmi vend, e vetmja ekonomi me deficit buxhetor minimal dhe me rezultate inverse zero, në të gjitha aspektet. Po pse? Sepse ky deficit buxhetor është i imponuar nga tjetër kush, kështu që ju detyroheni të vini këtu, të sillni buxhetin, të shpallni se do të bëni këtë e atë dhe s’bëni dot asgjë sepse do të mbani 2%-shin. Keni vetëm dështime në çdo fushë, dështim pas dështimi. Po të shihni letrat rezulton se ju keni përcaktuar për investime këto tre vjet 2.3 miliardë dollarë. A e dini ç’do të thotë 2.3 miliardë dollarë? Do të thotë të ndërtosh 7 herë Rrugën e Arbërit, të ndërtosh autostradat e mëdha që janë ndërtuar plus rrugën e Bregut. Ku janë, ku i keni, ku shkuan? I vodhët, askund tjetër. Rrugët zhduken, ujësjellësat zhduken. Çfarë jeni ju? Ju jeni deputetë me duar në xhepa. A e kuptoni pse nuk ju duan zgjedhësit ju? Ju nuk shkoni dot në zona, asnjëri prej jush nuk shkon dot në zona. Se ju pyesin ‘tani erdhe, po ku ishte tre vjet? Tani vini për votën’. Kudo ua shtrojnë këtë pyetje. Harrojeni se ja u jep më kush votën! A ka gjë më të trishtuar, a ka gjë më të dhembshme se një qeveri që ka dorëzuar pushtetin tre vjet më parë, të tejkalojë disa herë në vlerësim qeverinë aktuale. Por kjo nuk vlen. Po pse? Sepse ajo ishte, është një ish-qeveri dhe njerëzit duhet të jetojnë me të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Ndërsa ju, ja u shkatërruat të sotmen, ja u kanabizuat të sotmen”, tha Berisha.

Subvencione për fermerët

Ish-Kryeministria ka kritikuar politikat e qeverisë ndaj fermerëve, si dhe ofendimet që kreu i qeverisë servir ndaj tyre në takimte që zhvillon në qytete të ndryshme.
“Njeriu që shet injorancë kudo. Nuk e kam fjalën vetëm për historinë kur them këtë, sepse historinë nuk ja kërkoj atij pasi ai është elif matrak në çdo gjë që flet. Shkon në Gjirokastër dhe thotë se ky është investimi më i madh në 25 vitet e fundit. Në një kohë kur i gjithë rrethi i Gjirokastrës ka patur të paasfaltuara vetëm 7 kilometra rrugë, nga maja e Çajupit deri në Koshovicë. Shkon në Skrapar dhe i drejtohej fshatarit duke aluduar se i kishte ardhur i dehur në takim. Po ti që shkon i droguar? Pse ç’kujton se nuk e dinë ata se ç’është droga? Po nëse ndonjë mund të ketë kthyer ndonjë gotë, nuk vjen pasi ka marrë ndonjë vizë ama. Cili është më keq, ti që merr vizë dhe shkon aty apo ai që ka kthyer ndonjë gotë?
Dy përshëndetje ka për fshtatarët: njërën e ka si cub: ‘të fala gruas’ i thoshte fshatarit, tjetrën e ka si drogmen: ‘të fala hashashit’. Dhe qarkullon nga një fshat në një tjetër, nga një zonë në një tjetër duke menduar se ka përpara budallenj, duke menduar se ka përpara njerëz që s’dinë asgjë, duke menduar se ka përpara njerëz analfabetë. Nuk e di që secili prej tyre, me eksperiencën e madhe të jetës që ka, me integritetin dhe dinjitetin e tij, i jep ujë në bisht të lugës piktorit dështak. Vetëm një gjë di të thotë: 300 milionë kredi kemi, shkoni merrini. Pse nuk ja thoni ju? Pse nuk i thoni se në të gjithë botën, në të gjithë Europën krahas kredive është subvencioni, se nuk ka vend në Europë dhe në botë që nuk i jep fshatit subvencione përveç kredisë, se çdo fermer në hapësirën e BE merr 3 euro subvencion për lopën. Pse nuk ja thoni këto? Gjoja përfaqësoni zonat fshatare ju. Është bërë si dhelpra me rrushtë, bëj një kooperativë dhe merr një kredi thotë. Heq subvencionet në fshtara dhe thotë mbillni kanabis. A e dini teorinë e tij të fundit? Teoria e tij e fundit është se kanabisi na ka ardhur për shkak të Ligjit 7501, se e bëri Berisha Ligjin 7501”, tha Berisha.

104 amendamente fshehtas në Kuvend për të kapur drejtësinë

Oerd BYLYKBASHI

Dëgjova ministrin e Brendshëm që na ftonte të flisnim për ligjin e rëndësishëm të organeve të drejtësisë. Në fakt është i fundit që duhet të flasë. Është ai që e ka pranuar me gojën e tij që është gati të shkelë detyrimin për të shkelur një vendim gjykate. Jo vetëm aq, por bën veprime që mund ta çojnë përpara ligjit dhe hekurave, për evazion fiskal etj. Të gjithë këto janë të vogla në krahasim me lidhjet e tij që ka me trafikun e drogës. Ndaj, është i fundit që duhet të flasë për ligjet e drejtësisë.
Në fakt unë do të flas për këtë. Këtu, sot Parlamenti përballet me një shkelje skandaloze të Kushtetutës dhe rregullores. Kemi prej datës 6 tetor në shqyrtim, kemi edhe debatin për ligjin për organet e sistemit të drejtësisë. Është bërë debat dhe është mbyllur. Në këtë seancë e kemi bërë shumë të qartë. Ky ligj është antikushtetues sepse me këtë ligj Edi Rama kërkon të marrë atë që humbi në datën 21 korrik në negociatën për miratimin e Kushtetutës. Negociata përfundoi me një tekst kushtetues të miratuar më 22 korrik, sot në fuqi, i cili i heq mundësinë Kryeministrit të kapë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. I heq të gjithë filtrat që kërkonte Kryeministri përmes të cilave të kapte anëtarët e këtyre dy këshillave të rëndësishëm. Por mesa duket nuk i del shpirti nga inati dhe pikërisht për këtë arsye ka kaq kohë që ka sjellë ligj në shkelje të Kushtetutës, por për fat të keq, ajo për të cilën kam marrë fjalën sot, është shkelja tjetër skandaloze e bërë këtu nga një deputete e Parlamentit me bekimin e Kryeministrit.
Dje pasdite është depozituar në Parlament një draft me 104 amendamente për këtë ligj. Një ligj i pamiratuar që ka më pak se 300 nene, amendohet nga një deputet i vetëm me 104 amendamente të tjera. Kjo është jo vetëm skandaloze sepse tregon shumë qartë se çfarë konsiderate keni ju për Komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi. Për ju nuk ka rëndësi sepse doni ta ndryshoni më pas çdo gjë që bëhet me konsensus apo jo për mbi të gjitha ka një shkelje shumë të rëndë të procedurës. Rregullorja e Kuvendit parashikon që amendamentet paraqiten jo më vonë 24 orë nga seanca e debatit dhe miratimit. 24 orë kanë qenë në datën 5 tetor, seanca ka qenë në datën 6 tetor dhe paraqitja e 104 amendamenteve sot, me firmën e një deputeteje është në kundërshtim me rregulloren. Për rrjedhojë, këto amendamente duhet të tërhiqen menjëherë ose projekligji duhet të shkojë për rishqyrtim në Komisionin e Reformës në Drejtësi.
Tani po them dy fjalë në lidhje me atë që propozohet këtu. Të jetë keq është një gjë, por që ta bësh edhe më keq dhe më antikushtetuese një ligj do të thotë që ke një synim të vetëm. Kërkon kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Shumë e thjeshtë. Me propozimin që vjen nga kjo deputete e Parlamentit, kërkon rikthimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në versionin famëkeq të shtatorit 2015. Po ju lexoj se si përbëhet komisioni që do të filtrojë kandidaturat në kundërshtim me Kushtetutën. Po kërkohet që të futet një komision ad hoc, i cili do të filtrojë të gjithë kandidaturat që kanë të drejtë të konkurrojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është antikushtetuese sepse Kushtetuta nuk e parashikon. Jeni duke e kthyer në versionin famëkeq të vitit 2015, ku mund t’i përcaktohet emri i secilit anëtar dhe po ua them, këta janë ata që propozon deputetja; Avokati i Popullit, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dy avokatë, më i riu dhe më i vjetri në moshë që kanë dhënë në 5 vitet e fundit mësim në Shkollën e Magjistraturës. Emrat mund t’ua vendosim tani të dy këtyre. Një anëtar i rregullt nga Akademia e Shkencave, nga shkencat shoqërore dhe ky ka vetëm një emër.
Po ktheheni aty ku Komisioni i Venecias ua rrëzoi. Është shkelje e Kushtetutës procedura që kërkoni të miratoni këto amendamente. Tërhiqeni përndryshe ky Parlament po vendos një precedent të rrezikshëm.

15 miliardë lekë të tjera për dy koncesione të reja të Ramës

Gjatë vitit 2017, fillojnë zbatimin dhe dy kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e një impianti për trajtimin e mbetjeve të Fierit dhe një koncesion tjetër që do të jepet nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore ndaj një privati…
Në vitin 2017, qeveria do të angazhojë dy koncesione të reja të formës PPP (Partneritet Publik Privat), të cilat do t’i kushtojnë arkës së shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë 15 miliardë lekë, ose rreth 110 milionë euro, sipas një relacioni të Ministrisë së Financave, në kuadër të projektbuxhetit 2017.
Gjatë vitit 2017 fillojnë zbatimin dhe dy kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e një impianti për trajtimin e mbetjeve të Tiranës dhe një koncesion tjetër që do të jepet nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore ndaj një privati.
Impianti për trajtimin e mbetjeve të Fierit do të kushtojë 4 miliardë lekë, sipas një kontrate të vlefshme nga viti 2017 deri në vitin 2022. Vitin që vjen, buxheti i shtetit nga fondi i përgjithshëm i taksave do të paguajë 676 milionë lekë ndaj koncesionarit.
Ndërsa shërbimet laboratorike spitalore që pritet të administrohen nga një privat për periudhën 2017-2026 do t’i kushtojnë arkës së shtetit 10,7 miliardë lekë. Pagesa për vitin që vjen është programuar 1 miliard lekë.
Ministria e Financave vlerëson dhe miraton, paraprakisht, të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve, individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.