Real Madrid vazhdon serinë e fitoreve me Ronaldon e ringjallur dhe ka krijuar një distancë sigurie prej 7 pikësh nga Barcelona ndjekëse në kampionatin spanjoll. Por skuadra e Zinedin Zidan ka djersitur më shumë sesa mendohej përballë Gijonit që lufton për mbijetesë, i cili ka falur madrilenët në këtë ndeshje.
Edhe pse Ronaldo shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë, duke i dhënë një avantazh të qetë skuadrës së tij, Gijoni u kthye në lojë në mënyrë të papritur, pasi shkurtoi diferencën para se të mbylleshin 45 minutat e para me Karmonan.
Në fraksionin e dytë, ndërsa madrilenët shpërdoruan disa raste të mira për të mbyllur ndeshjen, Gijon iu afrua një rezultati të bujshëm në minutën e 78’, pas një penalltie të shkaktuar nga Naço. Por kroati Çop gaboi nga pika e bardhë, duke dërguar topin jashtë dhe rezultati nuk ndryshoi më deri në vërshëllimën përfundimtare për t’i dhënë Realit tri pikët në suksesin 2-1.
Dopio Ronaldo, por Reali shpëton mirë përballë Gijonit
Liverpuli fiton, por humb Kutinjon
Liverpuli vazhdon të marshojë në majat e klasifikimit të kampionatit anglez të futbollit, por skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop, sot ka marrë një goditje të rëndë gjatë fitores 2-0 ndaj Sandërlendit. Mesfushori Filip Kutinjo, një nga lojtarët më në formë të kësaj skuadre, u largua nga fusha e lojës i dëmtuar, pas një përplasje ku u duk sikur ai kishte pësuar një ndrydhje të keqe.
Ndërkaq, Leisteri ka barazuar ndaj Midëllsbrout me rezultatin 2-2 vetëm falë dy penalltive të Mahrez e Slimanit, kjo e dyta në shtesën e ndeshjes. Skuadra e Ranierit, edhe pse në Ligën e Kampioneve po paraqitet mirë dhe ka siguruar kualifikimin mes 16 më të mirëve, në kampionat vuan shumë dhe rrezikon seriozisht kualifikimin. Ndeshja më e çmendur e ditës ka qenë ajo mes Suonsit dhe Kristal Palas e mbyllur me rezultatin 5-4, ku kishte disa përmbysje të njëpasnjëshme, ndërsa në fund u deshën dy gola në shtesë të Jorentes për t’i dhënë suksesin vendasve.
Mançester Siti nuk gabon në garën për titull. Në sfidën hapëse të javës së 13-të të Premier Ligës, skuadra e Pep Guardiolës fitoi 2-1 në fushën e Bërnleit.
“Qytetarëve” iu desh të djersinin për të arritur te tri pikët, pasi vendasit kaluan të parët në epërsi me Golin e Marneit në minutën e 14-të. Megjithatë miqtë nga Mançesteri rikthyen barazpeshën me Agueron para pushimit (37’) dhe gjetën golin e suksesit po me sulmuesin argjentinas në minutën e 60-të. Me këtë fitore, Siti ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 30 pikë, në pritje të rezultateve që do të arrijnë rivalët.
Gjyqtari i kërkon ndjesë trajnerit
Duhet të ketë mbetur i befasuar Edi Hou, menaxheri i Bërnmuthit, pasi ka hapur postën e vet elektronike dhe ka gjetur një e-mail të mbërritur nga arbitri Roxher Ist. Në minutën e dhjetë, kur rezultati ishte 0-0, sulmuesi i miqve, Kalum Uillson, u rrëzua në zonë nga mbrojtësi Rajan Shaukros. Faulli dukej qartë, mirëpo Ist nuk i fryu bilbilit. Por duket se ky vendim e ka brejtur në ndërgjegje 51-vjeçarin, i cili ka zgjedhur rrugën elektronike për t’i kërkuar ndjesë teknikut të Bërnmuthit. “Nuk mund të kërkosh më tepër se falje. Të gjithë gabojmë, me siguri edhe unë. E kur kjo ndodh, e vetmja gjë që mund të bësh është ta kuptosh gabimin e të vazhdosh përpara”, komentoi trajneri Hou.
Ndërkohë, gabimi i arbitrit nuk ka mbetur pa u ndëshkuar nga Federata e Futbollit, e cila i ka caktuar atij detyrën e gjyqtarit të katërt në ndeshjen mes Sauthemptonit dhe Evertonit. “Më vjen keq, shtoi Hou, nuk është e drejtë të vlerësohet puna e një profesionisti nga një episod”.
Ndërkohë, në futboll mund të krijohet një precedent i ri, i cili mund t’u shkaktonte një dëm të konsiderueshëm financiar organizmave drejtuese të këtij sporti, mes të cilave edhe UEFA-s. Kjo e fundit është paditur në gjykatë nga një tifoz i Atletikos së Madridit, i cili është edhe i regjistruar si një prej ortakëve të klubit, me numrin 8856. Hoze Antonio Kampon kërkon nga UEFA një dëmshpërblim prej 1660 eurosh, saktësisht 160 euro për biletën që ka paguar për të qenë në stadium gjatë finales së Champions-it dhe 1500 euro për shkak të dëmit moral që u shkaktua nga goli në pozicion jashtë loje i Serxhio Ramosit.
Në padinë e ngritur, ai ia kërkon këtë dëmshpërblim edhe arbitrit Mark Klatenburg, si personi përgjegjës për shkaktimin e një gabimi të tillë, që solli edhe dëme psikologjike te tifozët e Atletikos dhe mbi të gjitha, edhe për klubin, pasi humbën mundësinë për të ngritur trofeun.
“Nuk është problemi im që UEFA nuk merr masa duke përdorur teknologjinë apo instrumente të tjera, për të shmangur gabime të tilla. Unë shkoj në stadium, për të ndjekur një ndeshje futbolli, rregullat e së cilës janë shumë të qarta. Kur një gol është në pozicion jashtë loje, atëherë ai duhet anuluar. E thjeshtë. Por, nëse arbitri lejon një gol si i Serxhio Ramosit, duke vulosur edhe fituesin e një kompeticioni të rëndësishëm, nuk ka hedhur poshtë të gjithë punën e ekipit tjetër, por edhe sakrificën e madhe të tifozëve”.
Ndeshje e vështirë
“Këtë verë isha shumë pranë stolit të Italisë. Për një italian drejtimi i kombëtares është diçka e jashtëzakonshme. Sot Italia është në duar të sigurta. Ventura me siguri që do të bëjë një punë shumë të mirë. Sinjalet e para i ka dhënë, është në rrugën e duhur”. Këto janë fjalët që trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi i përsëriti për mediat përtej Adriatikut, gjatë marrjes së një çmimi në qytetin e Potencës.
I pyetur për përballjen e 24 marsit mes Italisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet në Palermo, 60-vjeçari u shpreh se për të mbetet një ndeshje e veçantë, pasi një italian është kundër përfaqësueses së vendit të tij. Aq më tepër që është në diskutim kualifikimi për në Botërorin “Rusi 2018″. De Biasi shtoi se kuqezinjtë do të japin gjithçka, në një ndeshje që do të jetë si gjithë të tjerat, që në fund mund të vendosë shumë për objektivat në këto eliminatore”.
“Italianët, vijoi më tej De Biasi, kur katapultohen në vende të tjera, gjithmonë arrijnë të bëjnë gjëra të mira. Ne kemi diçka më shumë se të tjerët, ndoshta në vëmendjen që u kushtojmë edhe detajeve më të vogla. Kjo mund të vijë për faktin se jetojmë ditë pas dite me lëvizjen futbollistike”.
Në fund De Biasi u shpreh se ndoshta ka arritur të ketë sukses në krye të Shqipërisë pasi disa gjëra janë bërë bashkë, mbi të gjitha duke vënë zemrën në fushë. Profesionalizmi i trajnerëve italianë spikat sidomos jashtë kufijve të Italisë. Ndoshta ky është momenti për të reflektuar dhe për të patur më shumë durim në vlerësimin e trajnerëve italinë, që në nivel ndërkombëtar arrijnë të kenë sukses.
Ashtu siç ishte paralajmëruar pak javë më parë, sfida e 24 marsit të 2017 mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera”, ku zhvillon ndeshjet e saj skuadra e Palermos. Federata italiane e Futbollit ka vendosur që këtë sfidë, e pesta në radhë sa i përket eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018 ta luajë në Siçili. Për këtë vendim mendohet se ka ndikuar dhe miqësorja e 18 nëntorit të vitit 2014, ku në ndeshjen miqësore të luajtur në “Luigi Ferraris” të Xhenovës ishin të pranishëm më shumë tifozë kuqezi sesa italianë dhe Federata vendase kërkon të minimizojë në maksimum praninë e tifozerisë shqiptare në impiant, duke qenë se shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj janë të shumtë.
Kjo do të jetë ndeshja e 13 që Italia do të luajë në këtë impiant teksa ka një bilanc pozitiv me 11 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje me Kroacinë në nëntor të vitit 1994. E vetmja sfidë mes Shqipërisë dhe Italisë është miqësorja e 18 nëntorit të 2 viteve më parë, me Italinë që triumfoi 1-0 në atë sfidë falë golit të shënuar nga Stefano Okaka. Aktualisht, Italia është bashkëkryesuese e Grupit G bashkë me Spanjën me 10 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e katërta me 6 pikë në total.
“Hirushja” Leipzig shkatërron Freiburgun
Vazhdon përralla Leipzig në Bundesligë. Skuadra nga Saksonia e rriti në shtatë ecurinë e fitoreve radhazi dhe vazhdon të kryesojë kampionatin gjerman. Në sfidën që hapi javën e 12-të, skuadra e trajnerit Hasenhüttl fitoi 4-1 në fushën e Freiburgut, me Keita që zhbllokoi rezultatin prej minutës së dytë.
Freiburgu, ku kuqeziu Amir Abrashi ishte titullar dhe qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në fushë, riktheu baraspeshën me Niederlechner në të 15-ën. Kjo shkëndijë nuk i mjaftoi vendasve, që kapitulluan në harkun e 14 minutave përballë surprizës së Bundesligës. Timo Werner riktheu miqtë në avantazh, me sulmuesin 20-vjeçar që realizoi sërish në të 35-ën, duke mbyllur virtualisht sfidën.
Leipzigu realizoi sërish me Sabitzer në minutën e 79-të, rrjetë që vulosi rezultatin final 4-1. Në këtë mënyrë, “demat” ngjiten në kuotën e 30 pikëve, 6 më tepër se Bayerni i vendit të dytë, ndërsa mbeten ende të pamposhtur në këtë sezon mes më të mirëve të futbollit gjerman.
Me këtë sukses ekipi i trajnerit Ralf Hasenhuetl forcon pozitat në krye të renditjes me 30 pikë, gjashtë më shumë se Bajerni i Mynihut. Kurse Fraiburgu pozicionohet në mesin e klasifikimit me 15 pikë në 12 ndeshje.
Sadiku “sherr” për penalltinë
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka qenë protagonist i një skene të rrallë në mbrëmjen e së enjtes në Ligën e Europës, teksa skuadra e tij, Zyrih, luajti në shtëpi kundër Vijarealit. Në minutën e 87-të, kur rezultati ishte 0-1 për spanjollët, skuadra zvicerane, ku përveç Sadikut bën pjesë edhe Burim Kukeli, fitoi një penallti. Në këtë moment, mesfushori Roberto Rodrigez mori topin në duar për t’u bërë gati për të gjuajtur nga pika e bardhë.
Por sulmuesi shqiptar kërkoi t’ia rrëmbente topin për ta goditur vetë penalltinë. Në atë moment, pati dy-tre shtyrje mes lojtarëve, por në fund pas këmbënguljes goditjen e mori përsipër zvicerani Rodrigez. Ky i fundit e shndërroi në gol atë penallti dhe Zyrihu arriti të merrte një pikë.
Mirëpo, përplasja në fushë mes Sadikut dhe Rodriguezit bëri një jehonë të madhe pas ndeshjes, duke u komentuar gjatë nga mediat zvicerane, e veçanërisht nga prestigjiozja “Blick”. Sadiku u pa tejet i mërzitur me gjestin që bëri shoku i skuadrës. Megjithatë, mesfushori Rodriguez, i pyetur se pse këmbënguli ta godiste penalltinë, duke mos ia lënë ta ekzekutonte sulmuesi Sadiku, dha këtë përgjigje: “Gjuajta unë sepse e kisha topin në duar dhe isha i bindur që do të shënoja. Kjo ishte e gjitha, nuk ka pse fryhet kaq shumë”.
Reagimi i sulmuesit
“Panorama Sport” kontaktoi me sulmuesin kuqezi, i cili përmes telefonit sqaroi gjithçka kishte ndodhur në momentin e penalltisë. Sadiku konfirmoi për gazetën se trajneri i Zyrihut, Uli Forte, ka vendosur që para fillimit të sezonit që ai të godasë penalltitë.
“Natyrisht që e bëra atë veprim, sepse kur jam në fushë, gjithmonë i gjuaj unë penalltitë. Në periudhën që kam qenë i dëmtuar dhe nuk kam luajtur për Zyrihun, ka qenë Rodriguez goditësi i penalltive. Më pas, kur u riktheva në fushë, normalisht më takonte mua të godisja nga pika e 11-metërshit. Ai e mori topin me forcë dhe unë ruajta qetësinë.
Në fakt, në atë moment i thashë dy-tre herë që jam unë ai që duhet të godas penalltitë. Mirëpo, Rodriguez kishte shumë dëshirë ta gjuante dhe e lashë. Të gjithë e dinë këtu te Zyrihu që i kam gjuajtur gjithmonë penalltitë, prandaj dhe bëra atë reagim. Natyrisht nuk ishte e mirë ajo që ndodhi, por nuk është faji im. Gjithçka tashmë i përket së shkuarës”, ka thënë sulmuesi.
Më pas sulmuesi foli edhe për rikthimin pas dëmtimit: “Tashmë ndihem mirë dhe po stërvitem shumë për të arritur formën maksimale. Përveç përgatitjeve me skuadrën, po punoj edhe me një trajner personal, duke bërë stërvitje ekstra”, tregon sulmuesi elbasanas.
Fakti që Zyrihu merr pjesë në grupet e Ligës së Europës mbetet një motiv i madh për Sadikun, që këtë sezon është i detyruar të luajë në Ligën e Dytë zvicerane. “Pjesëmarrja në grupet e Ligës së Europës është super. Jemi në një pozicion të mirë dhe ndeshja e fundit do të jetë si finale ndaj Osmanlisporit. Kush fiton, do të kualifikohet për më tej. Shpresojmë të kalojmë grupin dhe të vazhdojmë sa më gjatë në Ligën e Europës”, shtoi Sadiku, i cili në fund foli edhe për mundësinë e largimit në janar: “Kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Zyrihun. Për momentin jam i kënaqur, por asgjë nuk është e sigurt sa i përket të ardhmes. Të shohim çfarë do të ndodhë”.
Trajneri i Zyrihut, Uli Forte, sqaroi për mediat zvicerane përplasjen e dy lojtarëve, duke zbutur gjithçka dhe marrë me sportivitet situatën. “Ne penalltitë i kemi të përcaktuara, por të dy futbollistët u aktivizuan në pjesën e dytë, ndaj dhe ndodhi ngatërresa. Gjithsesi, fakti që të dy donin të gjuanin, tregon se ishin të gatshëm të merrnin përsipër përgjegjësi”, deklaroi Forte.
Marrëdhënia sekrete, Rama e paguan Ngjelën 3 mijë euro në muaj
Për të gjitha shërbimet që Ngjela bën ndaj Ramës, ai paguhet nga Kryeministri me 3 mijë euro në muaj. Pagesa në fakt nuk del nga paratë e Kryeministrisë, por nga klientela e afërt e Ramës. “Ekspres.al” ka mësuar se çdo fillim muaji, Ngjela paraqitet tek biznesmeni Pandi i Ramës, i cili i jep pagesën. Një nga dëshmitarët tregon edhe si e zbuloi marrëdhënien sekrete të Ramës me Ngjelën. “Isha ulur bashkë me biznesmenin Pandi, kur këtë e merr në telefon një numër. Në fillim Pandi rrudhi buzët, pastaj na kërkoi leje që të largohet. Duhet të iki se më pret Ngjela duhet t’i jap pagën e muajit”, “E ke marrë avokat?” ishte pyetja e dëshmitarit, ndërsa përgjigjja e Pandit ishte: “Nuk kam ndër mend të humbas gjyqe që ta marr avokat, por e kam porosi nga Rama që t’i jap çdo muaj 3 mijë euro”.
Vrasës e trafikantë të zgjedhurit e Ramës për fushatën 2017
Rama ka zyrtarizuar se cilët do të jenë në krye të fushatës elektorale të PS në të gjitha qarqet e vendit. Ajo që bie në sy është se pjesa më e madhe e të përzgjedhurve të Ramës janë nga bota e errët e krimit. Vrasës, trafikantë droge, përdhunues dhe individë me rekorde të tjera kriminale janë përfshirë në këtë listë që do të drejtojë fushatën elektorale të PS në qarqe të ndryshme.
Megjithëse ka një ligj dekriminalizimi, Rama po dëshmon falsitetin e këtij ligji përpara makinerisë së krimit që po ofrohet për të grabitur zgjedhjet parlamentare. Reagimet e fundit të Shteteve të Bashkuara përmes ambasadorit të saj në OSBE dhe bllokimi i hapjes së negociatave nga ana e Gjermanisë kanë pasur si motiv kryesor moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, inkriminimin e institucioneve me kriminelë, si dhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Rama ka bërë zgjedhjen e tij. Mes Europës dhe SHBA Rama ka zgjedhur krimin. Duket sikur me këtë zgjedhje mendon se e ka të sigurtë formulën e suksesit për zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, ajo që harron është se nuk dihet se ku do të përfundojë Rama deri në ditën e zgjedhjeve.
Teqja në krye të fushatës në Peqin
Edurim Teqja nuk është një emër i panjohur në opinionin publik shqiptar, përkundrazi. Është personi përgjegjës së bashku me Erjon Veliajn për vdekjen e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, Ardit Gjoklaj. Që prej gushtit të këtij viti, Prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe megjithëse kanë kaluar më shumë se tre muaj, ai vazhdon të bredhë i lirë, madje jo vetëm kaq. Edi Rama së bashku me Taulant Ballën kanë vendosur që ai të drejtojë fushatën elektorale në Peqin, ku vazhdon të jetë kryetar i Partisë Socialiste. Nuk ka rëndësi se mban përgjegjësi direkte për vrasjen e një fëmije, nuk ka rëndësi se është një person që për asnjë ditë nuk ka provuar të përballet me drejtësinë, nuk ka rëndësi se e kish kthyer landfillin e marrë në bazë të aferave të dyshimta korruptive me Veliajn, rëndësi ka që ai të blejë ca vota në zonën e Peqinit për t’i siguruar vazhdimësinë e pushtetit të rilindjes.
Edurim Teqja u shpall fajtor dhe nga data 8 gusht e këtij viti i fshihet drejtësisë. Edi Rama, jo vetëm që s’ka vendosur që ta dërgojë para dhënies llogari, por me një paturpësi akoma më të madhe vazhdon ta mbajë kryetar të PS-së së Peqinit, kur minimumi që duhej të bënte ishte ta shkarkonte. Mesa duket tërheqja e kryeministrit ndaj personave me precedentë kriminalë është më e fortë dhe se vetë pasioni i tij për vizatimin. Ai që duhet të bëjë kryeministrin, po tregon çdo ditë e më shumë se mund të respektojë çdo gjë, vetëm ligjin apo marrëveshjet jo. Kujtojmë këtu se në nëntor të vitit të kaluar u miratua marrëveshja, e cila solli më vonë votimin e ligjit për dekriminalizimin. Ky ligj deri më tani dhe pse ka kaluar një vit që nga 20 nëntori i vjetshëm s’ka ndërmend të zbatohet nga kryeministri përkundrazi. Detashmentet kriminalë po thirren dhe po fuqizohen akoma më shumë. Paratë e përfituara nga Erjoni i fiqve dhe Edurim Teqja, me vdekjen e Arditit do të përdoren për të blerë vota në Tiranë e Peqin.
Kavaja dhe Dibra të tjerë të akuzuar
Dhe jo vetëm kaq! Po t’i hedhësh një sy listës do të shohësh se në fushatën elektorale për t’i kërkuar votën njerëzve në favor të Rilindjes, janë vendosur njerëz me rekorde kriminale. Rast flagrant është dhe ai i kreut të PS-së Kavajë, Gentian Daja, i akuzuar për trafik droge në zonën e Kazertas në Itali, në vitin 2010 është gjithashtu një tjetër i dënuar që së bashku me kryetarin e Bashkisë Kavajë Roshin, do të kërkojnë votat në Qarkun e Durrësit në krah të Vangjush Dakos dhe Sajmir Tahirit. Kavaja nga ana tjetër është shembulli më i mirë se si një kastë mafioze, kanë marrë peng një qytet dhe njerëzit e tij. Bëhet fjalë për Elvis Roshin, kryetar i Bashkisë Kavajë dhe Gentian Dajën, drejtor i Transporteve. Njëri i dënuar për përdhunim dhe tjetri për trafik droge të dy të stimuluar dhe ngritur në detyra të larta shtetërore me bekimin e Edi Ramës. Mesa duket, kryeministri e ka fort për zemër të vendosë në krye të transporteve trafikantë droge. A nuk mbante të njëjtën detyrë dhe Klement Balili i Sarandës?! Një tjetër emër që figuron si i dënuar, është Afrim Mikli i dënuar në vitin 2011 në kohën, kur ishte kryetar komune në Muhur të Dibrës për rrahjen e kunatit të tij, të cilit i ka nxjerrë syrin. Sot ky mban postin e kryetarit të Partisë Socialiste të Qarkut Dibër. Në zgjedhjet e fundit lokale, pas skandalit të Shukriut, Afrim Mikli dha një kontribut të madh për blerjen e votave në favor të kandidatit rilindas, Muharrem Rama, në zgjedhjet e shtatorit në Peshkopi. Madje ekziston dhe një dosje e hapur në Prokurori për zgjedhjet e 11 shtatorit, ku evidentohet fakti se ky individ së bashku me Ymer Lalën i njohur dhe i skeduar nga policia si person me precedent penalë shpërndanin para në këmbim të votës në zona dhe fshatra të ndryshme të Dibrës.
I shpalluri në kërkim për vrasje në inaugurimet e qeverisë
Më 10 tetor të këtij viti nënkryetari i PD, Edi Paloka, ka bërë publike një video dhe foto ku shfaqet Edurim Teqja, mes tri deputetëve të Partisë Socialiste, rreth 1 muaj e gjysmë, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e 17-vjeçarit në Sharrë. Sipas Palokës, Edurim Teqja është parë nën shoqërinë e tri deputetëve të majtë gjatë një kronike televizive. “Në këtë video e në këto foto, ju mund të shihni kryetarin socialist të Edi Ramës në Peqin, Edurim Teqja, duke marrë pjesë në një fillim punimesh, në datën 24 shtator, një muaj e gjysmë, pasi është shpallur në kërkim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Kryetari i Ramës në Peqin, partneri i Erjon Veliajt në biznes, i kërkuar nga drejtësia si përgjegjës për vdekjen e një 17-vjeçari të pafajshëm, shfaqet mes deputetëve, Evis Kushi, Aqif Rakipi dhe Anastas Angjeli. Del dhe në televizion ky i kërkuar nga drejtësia, në një kronikë lajmesh në media lokale. Po pse njeriu i Edi Ramës, partneri i Erjon Veliajt është mbi ligjin? Pse e sfidon ai hapur urdhrin e kërkimit? Pse nuk është në burg, duke u hetuar për krimin e Sharrës, por shëtit i lirë dhe merr pjesë në inaugurime, del në ekran dhe tallet me çdo shqiptar që kërkon drejtësi për Arditin, që kërkon barazi para ligjit? Përgjigjja është e thjeshtë. Sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për njeriun e tij, për kryetarin e tij në Peqin. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për partnerin në biznes të Erjon Veliajt. Është Edi Rama që ka ndërtuar këtë shtet kriminal, që nuk është në krah të 17-vjeçarit të pafajshëm, që nuk është në krah të qytetarëve, por është në krah të shfrytëzuesve të të miturve, në krah të banditëve, në krah të oligarkëve të korruptuar, në krah të trafikantëve e vrasësve”, tha Paloka.
Po paralajmërohet rrëzimi i Ramës, deklaratat e SHBA-BE

Armand MAHO
Sa më shumë shtohet izolimi ndërkombëtar, aq më shumë i shtohet dhe çalltisja dhe paranoja për gjetjen e armiqve të brendshëm, atij që duhet të bëjë kryeministrin e vendit të shqiptarëve. Pas deklaratave të deputetit të Bundestagut Gjerman, Krichbaum se gjendja e Shqipërisë është katastrofë, lideri global nuk vonoi të lëshojë lukuninë e të paguarve për të gjejtur fajtorët tek opozita. Në një kohë që ekonomia është nën kthetrat e drogës, se korrupsioni po i merr frymën vendit, që zgjedhjet rrezikohen të blihen me paratë e krimit, apo që në poste kyçe të administratës dhe politikës janë vendosur persona me rekorde kriminale, kryeministri gjen kohën për të folur në rrjetet sociale për sukseset e tij dhe enturazhit të tij. Por në fakt ndërkombëtarët e kanë kuptuar se, “koka e karvanit” e ka humbur me kohë orientimin që duhet të jetë shteti ligjor dhe lufta kundër fenomeneve kriminale. Kjo vlen për ndërkombëtarët, se shqiptarët e kanë ditur që kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk e kanë pasur asnjëherë këtë orientim. Në këtë situatë, Edi Ramën se mbështet më askush, ska ku e drejton gishtin si referencë, nuk i pijnë ujë as batutat bajate me të cilat kërkonte të bënte për vete diplomacinë ndërkombëtare. Vlerat mbi të cilat është ngritur BE dhe SHBA nuk mund të lejojnë që një shtet të drejtohet nga kriminelë, nga të korruptuar dhe njerëz të mbrujtur me amoralitet. Detyra e tyre është të venë në dukje, se rruga e zgjedhur nga ajo që duhet të ishte “Rilindje” është një rrugë që të çon drejt rrënimit dhe varfërisë. Kjo është rruga e burgosjes së hallexhinjve dhe e parajsës së trafikantëve!
Gjermania
“Knockout”-i do i vinte nga Gjermania. Edi Rama që nuk ndan dot fantazinë nga realiteti, ishte investuar shumë në një imazh fals sikur mbështetja i vinte nga Kancelarja gjermane. Në këtë marrëzi, ku nën zë e ku mbi zë, ku me media e ku me Facebook e emisarët e tij mundoheshin ta justifikonin çdo korrupsion, çdo veprim të çalltur të tij si orientim që vinte nga kancelaritë gjermane. Bufonizmi i tij sikur të ishte klloun oborri, në konferencat zyrtare ku vendosej dhe fati i Shqipërisë komentoheshin gjatë nga të paguarit e tij si shprehje të vizionit diplomatik. Në këto rrethana nuk e priste që pikërisht Kryetari i Komisionit të Jashtëm gjerman, një deputet me peshë në partinë e Merkelit të shprehej se, Gjermania nuk mund të pranonte të ulej në tavolinën e negociatave me shtetin e Ramës. Ai ja tha troç e qartë se bashkësia evropiane, nuk ka asgjë të përbashkët me lumenjtë e drogës, korrupsionin apo ngjitjen e kriminelëve në politikë. Gunther Krichbaum, u shpreh se Gjermania do të votojë kundër. Kjo votë kundër në fakt nuk është kundër Shqipërisë, nuk është kundër shqiptarëve. Kjo votë është kundër Edi Ramës, sepse bashkësia evropiane e ngritur në parimet e të drejtave të njeriut dhe shtetin ligjor, s’mund të pranojë të bisedojë me një njeri që i shkel këto parime përditë. Një njeriu që ka njollosur vendin e tij, që po përze popullin, që po e burgos dhe që si busull orientimi ka pazaret me kriminelët. Jo, kjo nuk është Evropa e vlerave!
SHBA dhe OSBE
Ish-zëdhënësi i Pentagonit dhe një prej këshilltarëve të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, do të deklaronte për Fox News, menjëherë pas deklaratave delirante të kryeministrit se, në mediat shqiptare dhe amerikane se “Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin”. Pra, me pak fjalë gjyqin e kandidatit republikan e ka bërë ai që akuzohet se me anë të korrupsionit ka bërë një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Sot, Donald Trump është president i zgjedhur i Amerikës, aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe kjo ishte goditja e parë për Ramën. Ky i fundit u struk në gjendjen e tij, natyrisht për votën e popullit amerikan këtë herë fajin nuk e kishte opozita. Qentë e sulmit të kryerilindasit s’mund të dilnin në foltore për t’u çjerrë se, “fajin e ka Saliu”. Gjithsesi, mangësitë që koka e karvanit ka në luftën kundër korrupsionit, dhe problemet me zgjedhjet do ja vinte në dukje dhe misioni amerikan në OSBE në deklaratën e 24 nëntorit.
Greqia
Problemin e drogës dhe vendosjen e vetos për penalizimin e Shqipërisë nuk e ka vetëm Gjermania. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, dy ditë më parë ja përplasi në fytyrë moralin nacionalist kryerilindasit. Ky i fundit për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vendit luan kartën e nacionalizmës, tashmë në fund të mandatit. Por ministri i Jashtëm grek la të kuptonte se këto teza s’mund t’i jepnin njerëz që kanë blerë mandatin e tyre politik me paratë e drogës, duke na sjellë në mendje dhe postulatin se, “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Kotzias tha se, Shqipëria është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës, dhe se implementimi i luftës kundër këtij fenomeni nuk bëhet me fjalë, por me politika reale dhe zbatim ligji. Pra dhe kartën e nacionalizmit, me të cilën është dashuruar së fundmi Edi Rama ja dogji shefi i diplomacisë greke.
Kriteret e vendosura nga Gjermania
Kriteri i parë, ka të bëjë me Reformën në Administratën Publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
Kriteri i dytë, ka të bëjë me Reformën në Drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.
Kriteri i tretë, thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.
Kriteri i katërt, për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.
Kriteri i pestë, ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.
Kriteri i gjashtë, është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me Reformën Zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.
Kriteri i shtatë, ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.
Katër deklaratat e forta
J.D Gordon ish-zëdhënës i Pentagonit, këshilltar i Trump
E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”.
Kate Byrnes Misioni i SHBA në OSBE
“Ashtu siç e nënvizoi edhe ambasadori Borshard, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore për qeverinë shqiptare. Megjithë progresin e bërë në hartimin e strategjisë anti-korrupsionit dhe kuadrit ligjor, në raport nënvizohet se nevojitet të bëhet më shumë për të përforcuar kuadrin aktual dhe për të rritur pavarësinë e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Siç konstatoi edhe ODIHR duhet të bëhet më shumë për të rritur besimin e publikut te procesi zgjedhor, gjithashtu duhen dhënë garanci se burimet shtetërore nuk do të përdoren për qëllime fushate, duhet të rritet transparenca e partive politike dhe financimeve në fushatë, si edhe të zbatohen ligje të qarta dhe të rrepta kundër blerjes së votës. Këto, si edhe rekomandimet e tjera duhet të vihen në zbatim përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Nikos Kotzias ministër i Jashtëm i Greqisë
“U kemi thënë që të marrin rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, që me kaq zemërgjerësi iu dha statusi në të kaluarën. Do të duhet të implementojnë politika kundër krimit të organizuar dhe të luftojnë drogën, sepse është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës dhe shumë politikanë ndoshta financohen nga ky aktivitet”, tha ministri i Jashtëm grek.
Michael Hummer Parlamenti i Austrisë
Në mënyrë të veçantë problemi i kultivimit e trafikimit të drogës duhet të zgjidhet shumë urgjentisht nga qeveria Rama dhe autoritetet përgjegjëse. Qeveria duhet të ndalojë dhe refuzojë praktika të tilla nëse dëshiron të ndryshojë imazhin e saj në botë. Ky problem është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Për këtë arsye, qeveria Rama duhet të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE-së duhet të mbikëqyren rreptësisht këto zhvillime.
Rama asnjë lobim tek Renzi për 25 mijë të rinjtë që mbeten pa punë
Nëse Senati italian do të miratojë amendimet në ligjin për call center, mbyllja e kompanive që punojnë në këtë fushë në Shqipëri do të jetë e pashmangshme. Këtë e konfirmon për “Monitor”, Roberto Caparrota, biznesmeni italian me aktivitet në call center.
Ai pohon se ka diskutuar dhe me drejtues të tjerë të kompanive të mëdha në Shqipëri, të cilët janë shprehur shumë të shqetësuar nga ky vendim.
Ndonëse ligji nuk i ndalon investitorët të zhvendosen në Shqipëri, kushtet që parashikohen e vështirësojnë ndjeshëm kryerjen e aktivitetit, që edhe për momentin, sipas Caparrotës, nuk ka qenë i lehtë.
Problematik është elementi që telefonuesi tashmë do jetë i detyruar të thotë vendin e origjinës. Në Shqipëri ka kompani që punojnë për ebay dhe kompania e konsideron cënim imazhi nëse tefonuesi do thoshte marr nga Shqipëria. Është e njëjta gjë si për prodhuesit italianë të veshjeve që nuk duan që të shkruhet made in china.
Sipas ndryshimeve ligjore, nëse telefonuesi nuk thotë vendin nga telefonon gjobitet me 150 mijë euro.
Caparrota shpreh shqetësimin se si qeveria shqiptare nuk ka lobuar pranë asaj të Renzi-t për të lehtësuar amendimet që janë shumë të rënda për kompanitë që veprojnë këtu, kur propozimet kanë muaj që diskutohen.
Tashmë është shumë vonë, thotë ai. “25 mijë të rinj rrezikojnë të dalin në rrugë”.
Caparrota shton se, ndërsa nuk mund të bëhet asgjë për të shpëtuar call center, shteti duhet të hartojë politika për të nxitur punësimin e të rinjve në sektorë të tjerë, psh duke i lehtësuar nga pagesa e sigurimeve për një periudhë të caktuar kohore.
Biznesi i qendrave telefonike (call center) ka njohur rritje shumë të shpejtë në Shqipëri vitet e fundit, i nxitur nga kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe fakti që pjesa më e mirë e të rinjve e flasin mirë italishten. Numri i call center në vitin 2015 arriti në 847, sipas të dhënave të INSTAT, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014. Deri në 2013-ën, kompanitë që veprojnë në fushën e call center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Por, në 2014-2015, rritja është ngadalësuar.
Albacall ishte për të dytin vit radhazi operatori më i madh call center në vend. Ajo u zgjerua me 4% në 2.9 miliardë lekë (në 2014-ën ishte rritur 35% dhe në 2013 me 60%).
Intercom Data Service (IDS) ka rimarrë veten pas rënies me 6% të të ardhurave në 2014-ën. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 2.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 9%.
Rritje më të lartë ka shënuar Albania Marketing Service (Teleperformance) me 23% në 2.1 miliardë lekë.
Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.
Ndryshimet e propozuara ligjore në Itali
Dhoma e Deputetëve të Italisë ka miratuar mbrëmjen e datës 24 nëntor amendime në ligjin për operimin e shërbimit call center jashtë territorit, ligj i cili daton që në vitin 2012. Ndryshimet ligjore, e më saktësisht neni 35, parashikon vendosjen e rregullave të forta sa i përket zhvendosjes së këtyre bizneseve nga Italia.
Në këtë nen thuhet: “Nëse një operator privat ekonomik vendos që të ndryshojë vendndodhjen apo t’i japë në përdorim shërbimin një operatori të tretë që nuk është shtet anëtar i BE-së duhet të njoftojë autoritetet e Ministrisë së Punës, si dhe Inspektoratin e Punës 30 ditë përpara. Gjithashtu duhet të jepet njoftim edhe për numrin e telefonave të vëna në dispozicion të publikut, por edhe përdorimin e selive në territorin e vendit për garantimin e të dhënave personale. Ligji parashikon gjithashtu amendime në lidhje me trajtimin fiskal. Kompanitë që janë zhvendosur nga territori italian përpara hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve nuk do të mund të përfitojnë lehtësitë fiskale”.
Gjithashtu parashikohet edhe detyrimi që këta operatorë do të kenë për të njoftimin e vendndodhjes kundrejt marrësit të telefonatave. Gjoba për mospërmbushjen e këtij detyrimi, qoftë edhe me vonesë është 150,000 euro.
“Monitor”