15.3 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Nipi i Zef Brozit, pronari i fabrikës me 7 tonë drogë

Zbulohet pronari i magazinës me 7 tonë droge në Rrëshen. Ai është Kastriot Preng Reçi, nipi i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. Një qytetar nga Mirdita i ka shkruajtur një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon e ish-pularia është e djalit të motrës së Zef Brozit.
“Mirditori dixhital informon: Kastiot Reçi që thonë çunat e krimit, nuk është pronari i pularisë së drogës në Rrëshen. Pronari i saj është një tjetër Kastriot Reçi dhe pikërisht djali i motrës së famozit Zef Brozi, pra nipi i Zefit dhe benjamin i kryetarit të Bashkisë, që është dhe kryepronari i 7 tonëve drogë të gjetur në fabrikën e ngritur në pularinë e nipit të Zef Broziti! sb”, shkruan Berisha në Facebook.
Më pas, ish-Kryeministri Berisha reagoi edhe në seancën parlamentare duke deklaruar se, droga prej 7 tonësh e kapur në Rrëshen është në pronësi të nipit të Zef Brozit, por ai nuk u arrestohet ashtu sikurse nuk arrestohen bosët e tjerë të drogës. Berisha tha se, droga mbrohej nga policia, pasi banda drejtohet nga kryetari i Bashkisë. “Ngjarja e madhe duhet të ishte fabrika e drogës në Rrëshen me 7 tonelatat e mbrojtur fuqishëm nga Policia e Mirditës, e drejtuar nga banda e kryetarit të Bashkisë, ish-ndihmësi i Edi Ramës për ndërtimet në Inspektorat, dhe i drejtuar nga mbështetësi i fuqishëm i Edi Ramës, njëfarë Kastriot Reçi (e theksoj ka 3 Kastriot Reçi), ky është djali i motrës së Zef Brozit, ju e keni qejf shumë. U arrestuan 20 gra dhe fëmijë, kurse Kastrioti si të gjithë banditët e tjerë nuk i hyri ferra në këmbë, paçka se merret me të gjitha llojet e trafiqeve. Paçka se vendin e ka mbuluar kanabisi nga thellësitë e Alpeve deri në Pogon. Kapen disa fëmijë dhe gra të mjera që shkojnë për të fituar 5 lekë. Sot dëgjova edhe gra shtatzëna”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se në këtë vend ku i gjithë territori kontrollohet nga trafikantët, Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mund të ekzistojë për këtë bandë. “Më thoni ju mua sigurisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për këtë bandë që trajton Shqipërinë në këtë mënyrë nuk mund të ekzistojë. Nuk ka këtu siguri kombëtare ku çdo pëllëmbë e territorit kontrollohet nga banditë. Kjo është e vërteta. Një herë thotë fajin e ka opozita. Kush e pyet opozitën të mos jetë realitet? Ju jeni qeveri që keni frikë nga vetja juaj. Si do të fshihnit ju kanabisin që ka shpërthyer në të 4 anët e vendit? Kush në botë mund ta bënte një gjë të tillë? Cili bos është arrestuar? Ligji arreston të gjithë kryetarët e komunave që nuk kanë denoncuar. Cili prej tyre? Ata shpërndajnë paratë me Ramën. Kjo është situata dhe i keni bërë vendit shërbimin më të keq në historinë e tij”, përfundoi Berisha.

Si mbrohej fabrika e drogës nga Policia

Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda. Kompleksi i grumbullimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe kryebashkiaku e kishte më të lehtë të kontrollonte përpunimin e kanabisit dhe bërjen e tij gati për t’u trafikuar.
Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci, që ka ndërruar emrin në Iliaz Beci në Selitë. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.
Operacioni për bllokimin e drogës në fabrikë u zhvillua të mërkurën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, pasi policia lokale e Rrëshenit ka refuzuar të marrë pjesë në aksion për shkak të pazareve të drogës me trafikantët.
Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të marrë pjesë në operacion dhe ka patur përplasje mes policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës. Përplasja ka degjeneruar deri në sharje të ndërsjella dhe është dashur ndërhyrja nga lart që Policia e Lezhës dhe ajo e Mirditës të ulnin gjakrat dhe të nisnin operacionin antikanabis.
Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit. Gjatë operacionit të FNSH dhe RENEA në ambientet e magazinës së drogës në hyrje të qytetit të Rrëshenit janë gjetur 32 persona. Sipas burimeve të policisë, të paktën 15 prej tyre janë ndaluar, ndërsa pjesa tjetër ia doli të dalë nga zona e rrethuar e magazinës.
Policia e Lezhës ka konfirmuar se 31 persona janë proceduar në lidhje, ndërsa për 22 prej tyre janë prerë fletë arrestet. Mes personave të vënë në pranga ka edhe gra. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ende nuk ka përfunduar peshimi i sasisë së drogës që u zbulua në magazinat e ish-Pularisë në Rrëshen, por flitet për rreth 7 tonë kanabis sativa, që ishte në proces tharje.

Kush është Kastriot Reçi, pronari i fabrikës së drogës në Rrëshen

Mediat fillimisht raportuan se pronari i 7 tonë droge që u sekuestrua në një magazinë në Rrëshen është pronari i “Media Plus” në qendër të Lezhës, Kastriot Reçi. Por pronari i “Media Plus” ka reaguar menjëherë dje duke deklaruar se ai nuk ishte në kërkim nga policia, por në ambientet e televizionit. Megjithatë pa asnjë verifikim zyrtar, shumë media bënë ngatërresë fatale vetëm pse i akuzuari si pronar i magazinës së drogës në Rrëshen kishte të njëjtin emër me pronarin e televizionit në Lezhë, Kastriot Reçi. Në një situatë të tillë, vetë Reçit iu desh të ndërhyjë për të treguar se ai që po kërkoni është tjetër person. Disa nga mediat dhe përdorësit e Facebook u tërhoqën duke kërkuar me raste edhe falje për ngatërresën.
Në të vërtetë i shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës për dyshime si pronar i magazinës ku u gjet droga, ishte person tjetër, i quajtur Kastriot Preng Reçi, një biznesmen i falimentuar. Në magazinat e tij më parë ka patur punishte zdrukthtarie.
Po kush është Kastriot Preng Reçi, biznesmeni, pronari i magazinave dhe që, sipas policisë është edhe pronari i drogës. Burime nga policia kanë thënë se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie.
Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar.
Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis. Deri më tani janë 22 persona të arrestuar, biznesmeni Kastriot Reçi në kërkim dhe disa persona të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Ndërsa rreth 20 persona të tjerë janë larguar nga magazinat e hashashit, pasi janë njoftuar për t’u larguar.

Policia peshon drogën në Rrëshen, nga 7 dalin 4.2 tonë

Policia bëri të ditur mbrëmë se ka përfunduar peshimin e kanabisit të gjetur në një magazinë në mes të qytetit të Rrëshenit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rezulton se janë sekuestruar 4238 kg kanabis apo 4.2 tonë. Ndërkohë, një oficer policie nga Rrësheni informoi më herët ish-Kryeministrin Berisha se në pularinë e Rrëshenit janë gjetur 7 tonë drogë dhe jo 2 tonë siç informoi fillimisht policia.
“Oficeri dixhital informon: Droga e gjetur në pularinë e Rrëshenit është 7 tonë dhe jo 2 tonë! sb”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar mesazhin e oficerit të policisë. “Përshëndetje z. Berisha, jam oficer policie. Marr pjesë në operacionin antidrogë në Rrëshen. Dua t’iu njoftoj se policia po mashtron me shifrën sasisë së drogës të gjetur në pularinë e këtij qyteti. Aty nuk janë gjetur 2, por mbi 7 tonë drogë. Me respekt të veçantë për ju”, shkruan oficeri i policisë.
Policia mashtron sërish për sasinë e drogës së bllokuar në magazinën e Rrëshenit. Kujtojmë se në operacionin e zhvilluar para disa ditësh në Vlorë nga Prokuroria, u sekuestruan 23 tonë drogë, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi dy ditë më pas se ishin sekuestruar 215 kg kanabis. Çako tha se, ishte një lapsus i mediave pasi nuk u sekuestruan 23 tonë kanabis, por 215 kg. Gjatë këtij aksioni u arrestuan 22 persona dhe procedohen në gjendje të lirë 9 persona, që janë gra e fëmijë punëtorë në këtë magazinë droge. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

R.POLISI

Tonelata droge dhe arsenal armësh nga Shqipëria në Itali

Tonelata droge dhe arsenal armësh janë bllokuar në Bari nga policia italiane. Mediat italiane shkruajnë se është sekuestruar 1 ton marijuanë, 15 kg kokainë, si dhe një arsenal armësh, mitralozë, pistoleta silenciatorë e municione. Hetimet e zhvilluara që në vitin 2015, shkruan gazeta “La Repubblica”, kanë dokumentuar importin e sasive të mëdha të hashashit nga Shqipëria. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet italiane njoftojnë se janë gjetur dhe sekuestruar më shumë se 3.500 armë në vitin 2014. Tri klane të ndryshme kanë importuar tonelata me hashash nga Shqipëria, shkruan “Ansa”.
Hetimi i koordinuar nga prokurori i DDA në Bari, Giuseppe Maralfa, ka dokumentuar importimin e sasive të mëdha të kokainës dhe marijuanës nga Shqipëria në Romë, Milano dhe Palermo. Gjatë hetimit ishin arrestuar 15 trafikantë të tjerë, konfiskuar 15 kilogramë kokainë dhe më shumë se 1 ton marijuanë dhe më shumë se 70 armë, mes të cilëve kallashnikovë, mitralozë, pushkë, pistoleta me silenciator e 3500 municione janë sekuestruar në Bari.
Organizata merrej me transportonin e kanabisit dhe armëve nga Shqipëria për në Itali. Shqiptarë e arrestuar janë: Roland Lame nga Vlora, 42 vjeç dhe 35-vjeçari Gjovalin Nikoli. Lame është një emër i njohur për drejtësinë italiane, ndërsa Nikoli rezulton i padënuar.
Tre ditë më parë policia italiane sekuestroi 600 kg kanabis nga Shqipëria në Foggia. Operacioni është zhvilluar në një provincë të Foggias, në San Nicandro Garganigo dhe gjatë kontrollit të një godine të braktisur u zbulua një laborator i vërtetë marijuane. Policia italiane bëri të ditur se gjatë kontrollit u gjetën 600 kg kanabis sativa, 20 kg marijuanë e përpunuar gati për t’u hedhur në treg.
Hetimet nisën ditë më parë, kur karabinierët ranë në sy të lëvizjeve të personave të dyshimtë dhe nisën ndjekjen. Grupi kishte si detyrë të paketonte lëndën narkotike që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Ata shkonin në mëngjes me një furgon dhe qëndronin në atë godinë të pabanuar deri në mbrëmje. Shqiptari i arrestuar është idenfikuar si Klodian Paluci. Të arrestuarit janë përpjekur të largohen, por nuk arritën.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon për çdo ditë. Vetëm në tre javë të muajit tetor janë sekuestruar më shumë se 4 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Një javë më parë, policia italiane sekuestroi 650 kilogramë marijuanë të transportuar me skaf nga brigjet shqiptare. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në Komunën e Monopolit, në plazhin e Santo Stefanos dhe nëse do të dilte në treg, kapte vlerën e 3 milionë eurove. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Mediat italiane shkruanin se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Nëse do të dilte në treg, droga kapte vlerën e 3 milionë eurove.

Kapet banda shqiptare që furnizonte bregdetin e Italisë me drogë

Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale që përbëhej nga romë dhe shqiptarë në Peskara. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane që shkruajnë se fillimisht mes shqiptarëve dhe romëve kishte pasur rivalitet për sa i përket shpërndarjes së drogës. Por këto dy klane ishin bërë aleatë me pakt gjaku për të përfituar sa më shumë nga shitja e lëndëve narkotike. Mësohet se kjo organizatë kriminale furnizonte me kokainë gjithë bregdetin e Adriatikut, nga Abruco në Marke.
Raportohet se në pranga kanë përfunduar 7 persona, pas një operacioni të kryer nga Guardia di Financa e Peskarës. Shqiptarët e ndaluar janë identifikuar si: Vilson Pepa, Erjon Beqiraj e Ermal Beqiraj. Ndërsa kreu i organizatës kriminale shqiptare dhe krahu i tij i djathtë janë ende në kërkim. Guardia di Financa raporton se gjatë aksionit janë sekuestruar 10 kg kokainë, 50 kg marijuanë, 10 kg heroinë dhe më shumë se 40 mijë euro.
Një fakt tjetër i zbuluar nga policia italiane është se organizata kriminale, ndërronte shpesh makinat dhe kujdesej për çdo detaj. Madje groposte pakot e drogës në disa fshatra të braktisura në Itali. Guardia di Financa raporton se droga që përdorej nga organizata kriminale në Itali vinte kryesisht nga Gjermania, Holanda dhe Shqipëria. Të ardhurat nga trafikimi, që i kalonin 100 mijë euro në muaj, dërgoheshin në Shqipëri me autobus, me një shofer, i cili është gjithashtu nën hetim.
Tek gjurmët e këtij grupi trafikantësh, Guardia di Financa kishte rënë falë pakujdesisë së një shtetasi italian. Falë tij 150 numra janë përgjuar gjatë hetimeve: 10 mijë orë biseda dhe 20 mjete janë gjurmuar nga satelitët. Ndërkohë bëhet e ditur se autoritetet italiane po hetojnë dhe 36 persona të tjerë. Në këtë grup bëjnë pjesë: 27 shqiptarë, 9 italianë, 8 prej të cilëve të etnisë rome.

R.POLISI

Krimet e diktaturës ndaj klerit dënohen

Partia Demokratike paraqiti mbrëmë në Kuvend rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Rezuluta u lexua para deputetëve nga kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Rezoluta shpreh mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe synon të zbardhen krimet e tmerrshme ndaj klerit, torturat, dhe ekzekutimet e tyre.
Ndonëse mazhoranca zvarriti miratimin e kësaj rezolute, ajo u miratua mbrëmë nga Kuvendi.
Rezoluta
Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike,
Kuvendi i Shqipërisë:
Duke u mbështetur në Rezolutën e Parlamentit Europian “Mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin” (2009); Deklaratën e Pragës “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizmin” (2008); Rezolutën 1096 (1996) e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe Rezolutën 1481 (2006) e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”;
Në vijim të Rezolutës nr.11, datë 30.10.2006 të Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”;
Duke riafirmuar përbuzjen, si dhe dënimin e plotë e pa ekuivok të regjimit diktatorial komunist të ngritur nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij;
Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore që kanë treguar klerikët gjatë regjimit komunist;
Duke konfirmuar dënimin me ashpërsi të dhunimit masiv të të drejtave të njeriut ndaj klerikëve shqiptarë të kryer nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha, ku përfshihen edhe vrasjet (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, tortura, puna skllavëruese, terrori fizik e psikologjik;
Duke vlerësuar lart kontriburtin, vlerat dhe sakrificat e të gjithë klerikëve të vrarë apo persekutuar gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, dhe duke u përulur me mirënjohje të thellë ndaj veprës dhe punës së tyre për ndërtimin e një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut;
Duke mbajtur në konsideratë se sipas dokumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar aktet çnjerëzore të regjimit komunist ndaj klerikëve përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe ndjekja e dënimi i tyre nuk parashkruhet;
Duke e konsideruar ringjalljen e simboleve dhe figurave të diktaturës totalitare komuniste në Shqipëri, bazuar në një nxitje dhe dakordësi shtetërore, në veprimtari zyrtare publike, si një shkelje të parimeve dhe angazhimeve europiane për dënimin e komunizimit, si dhe një provokim të rëndë e të papranueshëm ndaj ndërgjegjes shoqërore në tërësi dhe familjes së klerikëve që janë viktima të regjimit komunist në veçanti;
Duke e vlerësuar se zhvillimet politike dhe shoqërore të 25 viteve të tranzicionit kanë penguar nxjerrjen e plotë të së vërtetës mbi krimet e komunizimit ndaj klerit në Shqipëri, si dhe dënimin e ideatorëve, organizatorëve dhe zbatuesve të drejtpërdrejtë në aparatin represiv të regjimit diktatorial, në zbatim edhe të parimeve dhe angazhimeve ndërkombëtare që i dënojnë krimet e komunizimit;
Duke qenë në dijeni të faktit se më 5 nëntor 2016, në qytetin e Shkodrës, zhvillohet ceremonia e Lumturimit të disa klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë padrejtësisht nga regjimi komunist;
Deklaron me vendosmëri se:
Dënon fuqimisht diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar komunist të instaluar prej tij së bashku me bashkëpunëtorët e vet, si dhe krimet e kryera prej tyre ndaj klerikëve shqiptarë.
Dënon fuqimisht vrasjen dhe persekutimin nga regjimi komunist dhe njeh me bindje të plotë pafajësinë e Dom Anton Zogaj; Imzot Frano Gjini; Marie Tuci; Atë Giovanni Fausti s.j.; Vëlla Gjon Pantalia; Imzot Vinçenc Prendushi o.f.m.; Imzot Jul Bonati; Dom Alfons Tracki; Atë Gjon Shllaku; Atë Karl Serreqi; Atë Mati Prendushi; Dom Jozef Maksën; Dom Lazër Shantoja; Dom Lekë Sirdani; Dom Luigj Prendushi; Atë Ciprian Nika; Atë Serafin Koda; Atë Gasper Suma; Dom Anton Muza; Dom Dede Maçaj; Dom Dede Malaj; Mark Çuni; Atë Bernardin Pala; Atë Daniel Dajani; Gjelosh Lulashi; Dom Mikel Beltoja; Dom Ndre Zadeja; Dom Mark Gjani; Dom Dede Plani;  Fran Mirakaj; Dom Ejëll Deda; Qerim Sadiku; Dom Jak Bushati; Papa Josif Mihali; Dom Marin Shkurti; Dom Ndoc Suma; Dom Pjetër Çuni; Dom Shtjefen Kurti; Hafiz Ali Korça; Hafiz Ibrahim Dalliu; Hafiz Ismet Dibra; Hafiz Sabri Koçi; Dede Reshat Bardhi; Haki Sharofi; Jonuz Bulaj; Vexhi Buharaja; Ismail Muçej; Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha; Hasan Tahsini; Baba Bedriu i Brerimës; Baba Hajro Progonati; Hafiz Mustafa Varoshi; Hafiz Sherif Lëngu; Hafiz Esat Myftia; Hafiz Musa Dërguti; Hafiz Ali Kraja; Imam Liman Shabani; Imam Met Troci; Sheh Ibrahim Karabunara; Sheh Myslim Luma; Baba Myrteza Kruja; Imam Ahmet Hyseni; Dervish Mehmet Verleni; Xhemal Naipi; Hafiz Sheuqet Boriçi; Hafiz Sabri Bushati; Molla Alush Zaganjori; Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi; Selim Braja; Hafiz Bakalli; Hafiz Myrtja; Hafiz Muhamet Bekteshi; Sheh Ali Pazari; Sheh Reiz Sinani; Baba Ali Tomorri; Baba Qamil Gllava; Baba Shefqet Koshtani; Baba Bedri Cakrani; Dervish Ali Kocia; Dede Kamber Prishta; Baba Mehmet Zyka; Baba Islam Leskoviku; Baba Bajram Mahmutaj; Baba Islam Jangolli; Baba Ilmi Kurtesi; Dede Ahmet Myftari; Baba Sh. Cenametaj; Kryepiskop Visarioni Xhuvani; Kryehirësia e Tij Kristofor Kisi; Episkopi ndihmës i Apolonisë Irineu Banushi; Atë Gjergj Suli; Atë Aleksandër Lipe; Atë Dhimitër Leka; Atë Kostandin Bozdo; Atë Ligor Zografi; Atë Kosta Kole; Atë Thoma Vërleni; Atë Kristo Raci; Atë Jorgji Kosta; Atë Simon Tonini; Atë Ilia Zoto; Atë Gjergj Dedi; etj.
Vlerëson me mirënjohje të thellë veprën, punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore të klerikëve shqiptarë gjatë regjimit komunist për ndërtimin e një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut.
Vlerëson se klerikët që ishin viktimë e krimeve dhe persekutimeve të regjimit komunist, si dhe familjarët e tyre, meritojnë rehabilitim, respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore.
Nxit qeverinë që të rrisë fondet financiare dhe përpjekjet për zbulimin e krimeve të komunizimit ndaj klerikëve në Shqipëri, autorëve të këtyre krimeve, si dhe rehabilitimin e familjarëve të viktimave.
Nxit akademikët dhe historianët që të ndërmarrin veprimtari kërkimore-shkencore për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të krimeve të komunizimit ndaj klerikëve në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, si dhe kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve arkivore që dëshmojnë këto krime.

Ndrec Deda i Ramës dhe Kastrioti i Zef Brozit tek droga

Akciza për 30 mijë ton naftë në xhepat e Ramës dhe Besos

Sali BERISHA

Sot, më shumë se kurrë, duke ndjekur betejën nacionaliste të Edvin Kristaq Ramës ndaj armikut të rrezikshëm dhe të madh Vangjel Dule, paçka se ka qenë aleat i të dy krahëve sa herë kanë patur nevojë për këtë “armik të rrezikshëm”, duke ndjekur këtë betejë, më janë dukur reale dhe profetike, fjalët e Nitzches që thotë “nacionalizmi është strofulla e fundit e horrave”!
Të vish këtu duhet të jesh i papërgjegjshëm, siç është, duhet të jesh i pashpresë, siç është, duhet të jesh i marrë fund, siç është. Të mbash Parlamentin me një orë fjalim për të na mbushur mendjen se Dule qenka autori dhe shkaktari i ligjit të luftës me Greqinë, se qenka Dule armiku kryesor apo për të na thënë këtu se qenka Dule problemi i të gjitha problemeve të Shqipërisë, jo vetëm që është një diskur i neveritshëm, por folklorik dhe diletantesk deri në vjellje, tejkalon dhe nausen e Sartrit.
E vërteta është se prapa këtij qëndrimi qëndrojnë interesa strikt mafioze për Himarën. Nuk dua të ndalem, pasi nuk ka asnjë diskutim që Himara është dhe mbetet në shekuj një bastion i shqiptarizmit. Kjo është jashtë çdo diskutimi. Nuk po shkoj në historirat e moçme, por do të ndalem pak në historinë e 15 viteve më parë, atëherë kur u krijua aleanca mafioze për fitoren e kandidatit socialist dhe kandidati i PDI-së u shpall kandidati i Greqisë, kandidati socialist u shpall kandidati i shqiptarizmës paçka se ishte e tëra interesa trojesh dhe mafiesh dhe asgjë tjetër. Çfarë tha ambasadori grek i pranishëm aty? Këtë që na dhuruan socialistët shqiptarë nuk e kemi arritur dot 300 vite me radhë. Pse? Sepse dokumentet e 300 viteve faktonin se Himara ishte ajo që thashë, bastion i shqiptarizmës. Dokumentet nga studiues e shkrimtarë nga e gjithë bota e faktonin këtë.
Në vitin 1992 kur u bëra President, kishte këtu një punonjës të ambasadës amerikane, i cili bëri 150 vizita në Himarë dhe unë habitesha se ç’bënte ky në Himarë. Dhe pas këtij rezultati del që Himara ishte ajo që themi. Pas hulumtimit që bëri më dhuroi një dokument të viteve ‘30 që konsulli i SHBA i dërgonte Departamentit të Shtetit. Nuk kam ndërmend të hyj në këto debate tani, pasi unë e shpreha qëndrimin tim, por kam ndërmend t’i them zotërisë, se për pallatet e Koço Kokëdhimës nuk mund të shesësh këtu nacionalizëm. Se po të jetë puna, i heq të mbathurat sa herë ta lyp ty nevoja. Kaq nacionalist je ti. Dhe ata që besojnë nacionalizmin e Edi Ramës dhe që e duartrokitën, ata janë të verbër se s’ka gjë të përbashkët fare me të. Ka interesa mafioze strikt dhe interesa karrigeje, pushteti.

Asnjë bos droge nuk arrestohet

Natyrisht sot ngjarja e madhe duhet të ishin fabrika e madhe e drogës në Rrëshen me 7 tonelata, e mbrojtur fuqishëm nga Policia e Mirditës, e drejtuar nga banda e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, ish-ndihmës i Edi Ramës për ndërtimet pa leje në Inspektorat dhe e drejtuar nga mbështetësi i fuqishëm i Ramës, pronar i fabrikës, njëfarë Kastriot Reci, por saktësoj këtu se ka tre Kastriot Reci, por ky është nipi, djali i motrës së Zef Brozit. Pra, çfarë ndodhi? U arrestuan 20 gra e fëmijë kurse Kastrioti, si të gjithë banditët kryesorë të tjerë nuk i hyri ferra në këmbë, por u largua, paçka se në dosjet e tij palë-palë, vetëm me njerëzit e tij në Itali e ku i ka, merret me të gjitha llojet e trafiqeve. Paçka se vendin e ka mbuluar kanabisi, nga thellësitë e Alpeve, Stani i poshtëm e deri në Pogon po njeri përgjegjës, bos trafiku nuk arrestohet dhe nuk vihet para ligjit, por kapen vetëm disa fëmijë e gra të mjera, sot dëgjova se ka edhe gra shtatzëna që shkojnë punojnë për të fituar pesë lekë për fëmijën që presin, pasi ky është i vetmi front pune që ofron njeriu që, vesin e tij, përdorimin e drogës po e rrezaton në mbarë kombin shqiptar. Dhe ja doli.
Dëgjoja sot me dhembje të madhe, një pjesëmarrëse në një shou të rëndësishëm në Gjermani, tek thoshte para mediave se vendi i saj është bërë i njohur për drogën dhe prostitucionin. Mos ia kini për të rëndë asaj, sepse ajo e ka thënë me dhembje dhe jo me krenari atë gjë. Por nëse themi që s’jemi bërë, hajde të themi për qindra artikuj ku shkruajnë se, Shqipëria është bërë Kolumbi e Europës, hajde të themi Shqipëria kanabistan, hajde të themi që Kryeministri shqiptar mohon e mohon pastaj detyrohet të ftojë të gjithë ambasadorët në zyrë pasi ka plasur kanabisi e ka marrë dheun. Kreu i vendit thotë ç’më duhet mua Këshilli i Sigurimit Kombëtar, paçka se në territorin e tij, të Republikës ku ai është shef ekzekutiv ndërtohen aeroporte pa leje, ilegale, me të cilat transportohen armë, drogë dhe të gjitha trafiqet e tjera kriminale.
Sigurisht Këshilli i Sigurimit Kombëtar për këtë bandë që trajton territorin e vendit në këtë mënyrë, që trajton Shqipërinë dhe shtetin në këtë mënyrë nuk mund të ekzistojë. Nuk ka këtu siguri kombëtare dhe institucion të tillë kur asnjë pëllëmbë e territorit nuk kontrollohet nga askush tjetër vetëm nga banditët, trafikantët, njerëz të qeverisë të implikuar me krimin. Kjo është e vërteta.
Një herë thotë se për kanabisin fajin e ka opozita. Po tregoheni të trashë, injorantë. Po kush e pyet opozitën nëse kjo nuk do të ishte realitet? Ju jeni qeveri, por keni frikë nga vetja juaj. Ju duhet ta dini një gjë, që për të dëgjuar opozitën, e cila gjithnjë është kundërshtare, çdo qeveri tjetër dhe çdo institucion tjetër nuk i thotë plaç, por matet dy herë për ta marrë për të vërtetë. Si do të fshihni ju kanabisin që ka shpërthyer në të katër anët e vendit? A mund të na thoni ju? Po kush në botë përveç një mendjeje të sëmurë si ajo e Edi Ramës nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
Edhe një herë shtroj pyetjen se, cili bos droge është arrestuar deri tani? Ligji arreston të gjitha kryetarët e komunave që s’kanë njoftuar policinë. Cili prej tyre është arrestuar? Asnjë prej tyre. Po sepse po ndahen paratë me ta. Pra, kjo është situata me kanabisin dhe i keni bërë vendit shërbimin më të keq në historinë e tij.

Rama në refleksione: PS të dalë jashtë ligjit

Ne kemi dalë nga një labirint pasi kemi patur emrin më të keq në histori dhe tani i shtojmë këtë. Del këtu zotëria, njeriu që quante Luftën Nacional Çlirimtare një luftë civile. A doni t’ja u lexoj shkrimin e tij tek “Refleksionet”? A doni t’ju lexoj se ç’thotë ky për gjeneral Enver Hoxhën të udhëhequr nga jugosllavët? I keni tek libri. Dhe tani del e bëhet avokat i krimeve kundër njerëzimit, i gjenocideve, veprave monstruoze, ku edhe ata që i kanë kryer janë detyruar në njëfarë mënyre të njohin aktin e tyre çnjerëzor. Dhe ju lejoni në këtë Parlament të dalë dhe të thotë se ne jemi pasardhës të partizanëve kurse ju të ballistëve. A e dini çka thënë ky për partizanët? Ja u lexoj unë: “Edi Rama kërkon denoncimin pa kompromis të veprimtarisë kriminale të PPSH deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit”. Kurrë nuk kam thënë të dalin jashtë ligji subjektet politike, përkundrazi kam thënë të reformohet, dhe kam vlerësuar çdo hap që kanë bërë….
(Hyn Rama në sallë) …Erdhi ky? E di si është puna me ty zotëri, tre orë më parë të lashë përshesh, tani të gjej qull. Ky njeri ka marrë fund dhe unë ju them se i ka përpëlitjet e fundit në pushtet. Njeri që s’ka kurajo, i mban dekretet e Presidentit në sirtar. Shkon i lutet Ilir Metës me orë të tëra që mos t’i sjellë për votim se përndryshe bie. Po s’ka burrëri ai, ndaj është bërë pelte, qull është bërë.
Ti lexoj këtu unë ty: “Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncim të plotë të origjinës së historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë parti e ligjshme”. Janë të miat apo të këtij zotërisë (Ramës) këto?
Vazhdojmë: “U ulëm për zbërthimin e mitologjisë së 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë, në themel të kolltuqeve nisi tërmetin. Pra, ata mund të kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur çështja e shtetit kurse …”.
…Unë po t’i lexoj me korrektesën më të madhe dhe nëse deformoj një fjalë të vetme hajde thuaje.
“Kongresi i Përmetit quhet si legalizimi fitores së komunistëve në luftën civile dhe që i mohoi të drejtat kombit shqiptar”. Ja ku e keni.
S’më kuptove drejt kur të thashë qëparë se kur i vjen ngordhja qenit, vjen dhe urinon në derë të selisë. Se ky (Rama) do të ikë nga selia, s’ka punë me ju ky, ja ç’ka thënë për ju ky. Ja o socialistë ç’ka thënë për ju ky që ju udhëheq sot.
“Kongresi i Përmetit, me fillimin e luftës civile nga komunistët ju mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike”. Janë që të gjitha këto, dil dhe lexoji nëse i ke thënë ndryshe, kam këtu dhe “gjeneral Enver Hoxha nën drejtimin e jugosllavëve i dha Luftës Nacional Çlirimtare drejtësisë karakter të luftës civile”.
Meqë e hapa temën do të them dhe vetëm dy fjalë. E kam thënë dhe e them prapë se është një faqe e ndritur Lufta Çlirimtare. E kam thënë, e them dhe do ta them gjithë jetën time. Duke thënë këto, e them dhe do ta them se që në momentin e themelimit të saj nga Mugosha dhe Begoviçi, si reparte të Partisë Komuniste të Serbisë, me porosi të komitetit. Organizoi luftën nën udhëheqjen e Mugoshës. A e di ti që nuk u emërua sekretar i parë ai? A e di ti që i dhanë çelësat e financës dhe sekretar i parë u mbajt Dushani për kohë të tërë derisa e rekrutuan? Lexoni historinë. Pasi e rekrutuan e vunë në krye, natyrish Dushani urdhëronte. Erdhi një moment brilant në historinë tonë me ndihmën e qeverisë britanike, dhe ky moment i jashtëzakonshëm ishte Konferenca e Mukjes, e cila bashkoi forcat e shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet ideologjike, në luftë kundër pushtuesit, por mbi të gjitha, përcaktoi si zgjidhje të çështjes kombëtare Shqipërinë etnike. Zgjodhi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar me në krye një eksponent kryesor të Ballit, intelektual i shquar Hasan Dosti dhe zgjodhi komandant të njësive partizane të Shqipërisë, njeriun që në Konferencën e Pezës ishte krah për krah me partizanët, komandantin legjendar Abaz Kupin. Brenda një jave, ndërhyrja e serbëve ishte violente, ishte shkelmim dhe këtë e detyruan dhe Enver Hoxhën duke kryer dhe aktin e madh të tradhtisë kombëtare.

4 herë më shumë të vrarë në ’45-‘47 nga komunistët se serbët në Kosovë

U bë debat këtu këtë javë për ata që dekoroi Presidenti i Republikës. Ore të mjerë, krimet e luftës nuk parashkruhen kurrë, nuk do të thotë se pse je në luftë të kryesh krime monstruoze. Gjenocidi nuk parashkruhet kurrë. Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen kurrë.
… Dhe këtu del një avokat i xhelatëve serbo-shqiptarë dhe përmend origjina. Në vend se të dënonte me ashpërsinë më të madhe. Po, pas abrogimit të Mukjes është shumë e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme e Ballit filloi rrugën e bashkëpunimit, dhe ajo është tradhti e mirëfilltë kombëtare. Por një pjesë e madhe e tyre nuk bashkëpunon kurrë, u vranë dhe nuk bashkëpunuan, por qëndruan besnikë ndaj flamurit kombëtar dhe çështjes kombëtare. Këto janë të vërtetat. Dhe Enver Hoxha, pas tradhtisë së shtatorit, do të bënte më 1944 tradhtinë e 12 janarit, Marrëveshjen e Bujanit, e cila përsëri bëri që shqiptarët, edhe serbët në atë konferencë, të firmosin që çështja e Kosovës të vihet në plebishit, të zgjidhet me referendum, me vetëvendosje. Vetëvendosja ishte parim i shpallur nga karta e Atlantikut. Enver Hoxha përsëri fill shkelmoi dhe dërgoi brigadat partizane në Kosovë, në një kohë kur aty s’kishte këmbë gjermani. Disa prej tyre shkuan në Bosnjë luftuan, të tjerat iu kthyen së bashku me brigadat serbo-malazeze, shqiptarëve të Kosovës dhe kryen një gjenocid të shëmtuar dhe krime kundër njerëzimit, organizuan masakrën e Tivarit.
Këtyre u dilni zot ju?
A e dini ju që në vitet ‘45-‘47 janë vrarë shqiptarë 4 herë më shumë se sa në vitet ‘98-‘99 në Kosovë? Dhe të gjitha këto me ndihmën e shqiptarëve, të Ramiz Alisë, Manush Myftiut, Shefqet Peçit, dhe kriminelëve të tjerë. Pra, kjo është historia. Do t’i thoni gjërat siç janë a jo.
Ju na thoni se Tito deshi të fuste divizionet dhe Enver Hoxha ja refuzoi. Enver Hoxha pranoi divizionet, pranoi bashkimin. Nuk ishte burrë i zgjuar ai. Ai ishte një tradhtar i ndyrë, i pashembullt në historinë tonë kombëtare, i cili bëri gjithçka për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë. Të njëjtën gjë mbajti ai më ‘68, më ‘82, ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe e vërteta është se në njëfarë mënyre po vazhdon dhe ti kështu.

Skllav i mjerë i Beogradit

Skllav i mjerë i Beogradit që vazhdon traditën e baballarëve të tu, me një servilizëm të pështirë, ekstrem. Ti që shkon pllaq e plluq, hap ekspozita dhe shet libra dhe thua s’jam as hero e as tradhtar. Ti je një batakçi i vërtetë.
Ju vërtet vini nga bllokmenët, por juve ju takonte që ndaj luftës të mbani qëndrim. Unë nuk jam dakord me atë që ke thënë. Nuk e pranoj unë për luftë civile atë. Kishte aspekte të luftës civile, por nuk ishte luftë civile. Ishte luftë, e cila vlerësohet sepse rreshtoi Shqipërinë dhe shqiptarët nga ana e drejtë e historisë, ishte luftë në të cilën u derdh gjak dhe u vranë mijëra shqiptarë për liri dhe dinjitet, për bashkim kombëtar. Por ishte luftë, e cila u tradhtua, ishin ideale që u tradhtuan nga një klikë banditësh në krye, injorantësh, agjentësh që nëpërkëmbin këtë luftë. Në vend se të përshëndesësh gjestin e Presidentit të Republikës, në vend se të shkosh të vendosësh një tufë me lule tek ata fshatarë që u ekzekutuan vetëm se urdhëroi Dushani, i cili donte me çdo kusht të mbillte farën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri dhe ndizesh me anën e Enver Hoxhës dhe pastaj mendon se do i mbulosh këto me Vangjelin, duke çuar në hell Vangjelin. Vangjeli aty ka qenë dhe aty do të mbetet. Si bën dot gjë Vangjelit ti. E vërteta është se Vangjeli do të nxjerrë ty nga politika. Ti do ikësh, i ke kohërat e numëruara, je kot në politikë tani.

Berisha-Metës për Ramën: Jepini një uturak

Në vitin ‘90 ka me qindra artikuj. Asnjë prej tyre nuk ka thënë që PS-në ta nxjerrin jashtë ligjit. Asnjë prej tyre përveç teje, pasi je i vetmi, je një ekstremist. E di pse e ke thënë këtë? Pasi e nisi Nexhmija me çdo kusht të merrte PD-në dhe mori atë që meritonte, u kthye ta merrte ky PS-në. U bë copa të merrte PS-në. Dhe pasi nuk mori dot PS-në, shkroi mbrapa në librin “Refleksione”, se këtë parti duhet ta nxjerrin jashtë ligjit. Unë të kam ty libër të lexuar, nuk ka libër më të mërzitshëm, por prapëseprapë unë t’i them gjërat.
Shqiptarët nuk kanë hallet e Vangjelit. Janë 45% e fermerëve shqiptarë që po jetojnë e po zhyten çdo ditë e më thellë në mjerim. Fshati shqiptar para 10 vitesh kishte absolutisht infrastrukturë reale mesjetare. Në fshatin shqiptar kudo që shkoje gjeje rrugë të qerreve, të cilat janë hapur që kur ka filluar rrota të funksionojë. S’e harroj kurrë kur kam shkuar në Peqin dhe shkova inaugurova një copë rrugë, e cila për hir të së vërtetës ishte e shkurtër, të çonte në fshatin Pajovë, dhe kur më thonë ata se kjo është rruga e parë që asfaltohet në të gjithë rrethin përveç aksit kombëtar, u them sinqerisht se 90% e të gjitha rretheve ishin në atë gjendje.
Gjatë 8 viteve, ne investimin më kryesor e kemi bërë në fshatrat shqiptarë. Ne kemi invetuar dhe ndërtuar e rindërtuar në fshatrat shqiptare mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1000 shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime, qendra shëndetësore. E kemi bërë këtë me një parim, se pavarësisht se ku banojnë, fëmijët e këtyre njerëzve të kenë kushte të përafërta infrastrukturore me qytetet. Të mos kenë vuajtjet e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. Ky ka qenë parimi nga i cili u udhëhoqëm. A i përfunduam? Jo. Këtu në këtë Parlament kam deklaruar se kur erdhëm në pushtet ishin 2430 km rrugë të asfaltuara prej 18.300 km rrugë në Shqipëri. Pra, mbetën disa mijëra. Ky zotëria, Nastradini u thoshte shqiptarëve se s’janë rrugë këto, se do u bëj rrugë midis parcelave.
….(Rama largohet). Iku? Zoti Kryetar, nëse ai bën kështu më mirë të marrë një uturak nëse s’rri dot pa shkuar në banjo dhe të rrijë aty…
Pra, u ndërtuan dhe rindërtuan mbi 8 mijë km, u bë diçka për infrastrukturën. Nuk u përfunduan, por absolutisht fshati meritonte përsëri. Unë e kuptoj bllokmenin që e ka kompleksin vetëm tek Blloku dhe qendra, por unë kuptoj atë fshatarin në Gurakuq etj., pa rrugë, se nuk ja çuam dot, ja çuam deri në Labinot. Harroni se ky do të mendojë për fëmijët e tyre. Se ky vërtet mund ta ketë rrugën me gropa këtu, por prapë e ka shkollën gjysmë ore apo çerek ore, kurse atij i duhet të bëjë dy rrugë për të shkuar në shkollë. Ai po të sëmuret vdes natën, s’ka asnjë lloj ndihme. Ndaj dhe nga 2.3 miliardë euro që keni investuar, ju nuk dilni dot këtu për të treguar se keni investuar në infrastrukturën e fshatit as 10 milionë euro. Sepse ju keni një urrejtje, një përçmim, një neveri, një mosvlerësim, për punëtorët e tokës, për njerëzit, të cilët shkrihen me punën e tyre në tokë për fëmijët, gratë, për familjet, por dhe vendin e tyre. Mendoni ju për ta? Akti i parë që bëtë i hoqët grantet. Nuk hiqen grantet more. Merr dhe lexo nëse gjen një vend europian që s’ka grante për bujqësinë. Po jepi një shtytje atij fshatarit. Dhe mbi këtë bazë edhe ne nuk është se bëmë ndonjë mrekulli, 45 projekte paguam, por u mbollën 11 mijë rrënjë ullinj. Edhe superprodhim mund të ketë, edhe dëm prodhimi mund të ketë, por ama 100 fabrika të vogla u ngritën. Shumica me kredinë tonë, një pjesë e mirë pa kredinë tonë. Dhe mos harro se investimi në ulli është investimi më afatgjatë dhe më i qëndrueshëm. Dhe mos harro se zona kodrinore e Shqipërisë e ka kulturë të artë ullirin. Harroni se Shqipëria është një nga vendet më të përshtatshme për arrorët. Kishte gjithsej 500 mijë rrënjë lajthi, arra, bajame, u bënë 1 milion rrënjë. Puna e parë që bëtë ju ishte shkelmimi tyre. I thoni fshatarëve të marrin kredi. Shumë mirë, plotësisht dakord t’i jepni kredi, por kredia nuk zëvendëson kurrë subvencionin.
Atëherë në vend të granteve u dhatë kanabis. Kryet krimin e shëmtuar, orientuat fshatarin shqiptar drejt kanabisit.
Pra, kjo është gjendja katastrofale e bujqësisë. Kudo që shkon, a e shihni me çfarë fisnikërie flasin dhe çfarë përgjigjesh marrin nga Rama. Në Troshan fshatari i kërkonte projekte ky i thoshte merrni NIPT-in.  Ju jeni bërë që s’keni pikën e ndjeshmërisë ndaj qytetarëve, ju duken miza ata.

600 studentë më shumë universiteti “Kristaq Rama”

Ky ishte viti zi në historinë e arsimit shqiptar. Do të kthehemi bashkë tre vjet më parë. A ju kujtohet ju beteja e tij kundër universiteteve private? A ju kujtohet që nuk la fjalë në botë për to? A e dini si është sot situata? Sot ka gjithsej 15 universitete dhe shkolla të larta publike, ndërsa private janë 24 shkolla të larta dhe private. E dini çfarë janë këto? Universitetet private i çuan trajstat me para zotërisë, e peshuan në kandar Ramën.
Që të gjitha universitetet paguan përveç dyve. Si shpëtuat ju, si nuk kaluat në gijotinë. Ja pretë gijotinën me trajstat me para. Ja u them unë ligjin tuaj. Çdo vit regjistroheshin në universitetet e vendit me kohë të plotë dhe të pjesshme 38.000 të rinj. Sot janë regjistruar në universitetet publike të vendit 16 mijë më pak. A e dini ju që në krye të marrjes së studentëve është universiteti privat “Kristaq Rama”? S’ke vetëm shkollën ti, ke dhe universitetin, të ka peshuar në kandar ty ai, që bën dhe ligjet e tua, mos më bëj të flas. Pra, a u betua ndrikulla e arsimit se po ngeli një le të vijnë të më thonë. Ja ku po ja them se vetëm nga këta janë 4.300, të cilët nuk u regjistruan dot dhe një pjesë e tyre shkoi tek privati, një pjesë e tyre mori rrugët e mëmëdheut, iku në emigracion, iku refugjat për të mbijetuar. Kjo është drama dhe tragjedia që krijuan këta në arsimin shqiptar. 600 e ca studentë më shumë ka marrë universiteti Kristaq Rama. 300 e ca studentë ka marrë universiteti Lindita Nikolla, e kështu me radhë të gjithë universitetet që mbajnë emrin e këtyre të korruptuarve, të cilët shkatërruan arsimin shqiptar.
Le të marrim masterat. Nëse ministri i Arsimit u thotë universiteteve të vendit se do të mbyllet regjistrimi për mastera më dt. 11 tetor, në një kohë kur provimi i shtetit është më dt. 13 tetor dhe për t’u regjistruar duhet çertifikata e provimit të shtetit, a nuk është kjo një cinizëm, një akt çnjerëzor për t’i përjashtuar nga masteri vetëm prej provimit.
A e dini çfarë afati u ka dhënë privatëve ndrikulla? 21 nëntorin u ka caktuar afat për regjistrimin e masterit, kurse për publiket ka caktuar 11 tetorin. Duke shpallur armik Vangjelin nuk i mbuloni dot këto. Ti je një korruptor, je një hajdut, ti vjedh natën e ditën edhe kur fle.

Shifra rekord e borxheve ndaj biznesit 178 miliardë lekë

A e di ti Ledi (Shamku) që akciza e naftës nga 45 mijë tonë që ka qenë ka zbritur në 6 mijë tonë, 39 mijë tonë i piu Edi Rama me Besnik Sulën. Ka qenë zhdoganuar 45 mijë tonë nafta, zhdoganohet 6 mijë tani, 39 mijë i piu Besniku me Ramën me kompaninë “ARMO” që kanë krijuar.
Tani dua të flas dhe një herë për borxhet. U fol këtu për 13-tën, për borxhin e madh dhe thoshte se 35 mld lekë TVSH pa rimbursim dhe detyrimet e shtetit ndaj biznesit ishin 78 miliardë. A e dini ju se sa janë sot detyrimet e biznesit ndaj shtetit? Janë 178 miliardë. A e dini ju ç’do të thotë 178 mld? 178 mld edhe për pak janë të gjitha investimet e bëra në Shqipëri. Ky pra, e ka 100 mld më shumë. Sikur të kishte ruajtur ky nivelin tonë, me 100 mld kishte ndërtuar çdo rrugë dhe rrugicë të fshatit, ja u kishte shtruar dhe ato rrugët mes parcelave që thoshte.
Së fundi, kam pas fatin të njoh një nga avoketërit më të mëdhenj të botës, rastisi që erdhi këtu me titull ambasadori. Dhe takoi njërin prej jush, një bos tuajin. Pasi u kthye më tha keq e ke punën ti. Se me eksperiencën time tha, kam pasur disa të njohur që kishin vjedhur nga një bilion dollarë, por asnjëri prej tyre nuk ishte që donte të vidhte bilionin tjetër, sepse ishin ngopur me vjedhjet.
Tani ky, pasi ka vjedhur me koncensionet. Me check up, me CEZ prapë nuk ngopet. E përgëzoj zonjën Vokshi, ja u bëri radiografinë. Por prapë çfarë ka dalë? Del që ndrikull Nushi, nga 430 mijë check up-e që duhet të bënte për të marrë paratë, ka bërë 310 mijë dhe ka mangut dhe 115 mijë. Beqaj ja ka dhënë paratë edhe për këto 100 e ca mijë që s’ka bërë. Po si nuk keni ndërgjegje që vidhni në këtë mënyrë? Ajo është një hajdute e pafytyrë që vjedh të sëmurët dhe merr para për punë të pabërë. Përfaqësuese e një klani gjakpirës, klanit Nushi, që ndan paratë me këtë hajdut këtu dhe me këtë tjetrit. Si mund të marrësh paratë për një gjë që s’ke bërë? Po të vret Zoti për paratë që u merr të sëmurëve.
Nga ata 200 e ca mijë, të dhëna të sigurta thonë se nuk janë as 105 mijë dhe 100 e ca mijë të tjerë janë falso ndaj dhe ka nxjerrë mekanizmin që nuk jep listën me të dhënat.
Zoti Kryetar, unë ju them këtu se ne nuk duhet ta lejojmë kurrë këtë gjë. Ose ju do të na garantoni ne kontrollin mbi këtë gjë, ose do të nxirrni listën e emrave dhe ta kontrollojmë një për një, emër me emër.
Çfarë ndodh tjetër? Nuk na ndahen këta familjarët ne. Tani marr një sms për zonjën e nderuar Albana Fico, ish-kunatën tënde, ku më thonë se i detyrojnë pacientët të shkojnë të bëjnë analizat në klinikën private të saj në Komunën e Parisit, pra në klinikën e shokut Xhemal, shokut Edi. Ndaj çohen të sëmurët nga spitali për të bërë analizat në klinikën e kunatës së shokut Xhemal.
“Përshëndetje zoti Berisha. Ju informoj se pacientët detyrohen të shkojnë të bëjnë analizat në klinikën e zonjës Albana Fico, nëndrejtoreshë e QSUT, që mbështetet nga ministri Beqaj, pasi është kunatë e zotit Bledi Çuçi”. Në fakt është dopio kunatë ajo, se ka qenë kunatë dhe e jotja (Ramës) se sa për Çuçin s’po pyet njeri.
Ndërsa për atë bixhozçiun, i cili është i dënuar nga gjykata për shpifës e trillues, i cili ka patur çështje të hapur nga gjykata për përdhunim të një të sëmure me AIDS, tani do të them dy gjëra për të. Ai thonë se merr 15% për çdo dru që pritet dhe rrënjë hashashi që mbillet. Por të jem i sinqertë që këto janë thërrime me ato të Taulantit të madh, Edvin Kristaq Ramës.
Pra, këto ishin të dashur miq probleme shumë më madhore për shqiptarët se sa shpallja armik apo shpallja grek e Vangjel Dules.

KLSH padit ish-regjistruesin e 5 specialistë të ZVRPP Kuçovë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 529/1, datë 08.05.2016, ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Kuçovë, për periudhën 01.01.2014 deri më 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me vendimin e kryetarit të KLSH-së me nr. 99, datë 06.09.2016.
Nga auditimi i dokumentacionit të vënë dispozicion në lidhje me regjistrimet e pasurive të paluajtshme, u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Në 8 raste janë regjistruar 4577 m2 tokë më tepër se sipërfaqja e përcaktuar në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), nga të cilat 3777 m2 tokë “arë” dhe 800 m2 tokë “truall”, në kundërshtim me Ligjin 7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” i ndryshuar.
2. Nuk kanë bërë bilancin Libri i Ngastrave (LN) – AMTP dhe nuk kanë veçuar në pronësi “Shtet” sipërfaqen prej 399308 m2 tokë, nga të cilat 48 pasuri me sipërfaqe 20851 m2 tokë “arë” në Komunën Ferras, 148 pasuri me sipërfaqe 72154 m2 tokë “arë” në “Rreth-Tapi” dhe 522 pasuri me sipërfaqe 306303 m2 tokë “arë” në fshatin Polovinë, duke lëshuar çertifikata pronësie në kundërshtim me Ligjin nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për tokën”, i ndryshuar dhe Ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.
3. Në 19 raste, në ZK 1699 (fshatin Gegë), janë regjistruar dhe kanë përfituar çertifikatë pronësie 38 pasuri me sipërfaqe 90273 m2, duke përdorur AMTP-të në përdorim, në kundërshtim me Ligjin 7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” i ndryshuar dhe me nenin 2, pikat 4, 5, 6 dhe neni 3, të Ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”.
4. Në dy raste, për regjistrimin e pasurive me leje ndërtimi, janë regjistruar dhe është përfituar çertifikatë pronësie për 100 m2 ndërtesë më tepër se sipërfaqja e përcaktuar në lejen e ndërtimit, në kundërshtim me Ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”.
5. Nga auditimi i dosjeve janë konstatuar mangësi në plotësimin e dokumentacionit për regjistrim, korrigjime shifrash në dokumentacion, mungojnë Urdhrat e Regjistruesit për ndarjen e pasurive të paluajtshme dhe lëshimin e çertifikatave, nuk ndodhet kërkesa me shkrim e pronarit për ndarjen e pasurive, si dhe nuk janë plotësuar shtojcat përkatëse, në kundërshtim me UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”.
Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për ish-regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kuçovë K.B., ish-specialistët hartografë D.G., P.T., dhe M.M., specialistin hartograf V.M., dhe specialistin jurist të ZVRPP Kuçovë E.C., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Të shtëna me breshëri arme në Vlorë, panik tek qytetarët

Qyteti i Vlorës është tronditur mbrëmë nga të shtënat me breshëri armësh. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:40 në zonën e “Kalit të Trojës” në Vlorë pas një konflikti në një pikë bastesh. Persona të paidentifikuar ende kanë qëlluar me breshëri arme, duke shkaktuar panik tek banorët. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa policia ka shkuar menjëherë në vendgjarje dhe bëri të ditur se, ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje është qëlluar dy herë me breshëri, gjë që ka shkaktuar panik te banorët. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin e më pas kanë shtënë në ajër me armë zjarri. Të dy personat e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendngjarja, por vetëm pak minuta më pas, policia ka mundur të ndalojë njërin prej tyre.
Burimet bëjnë të ditur se, gjithçka ka nisur dy ditë më parë. Personi që qëlloi me armë zjarri kishte patur një konflikt me truprojën e një lokali në vendin e quajtur “Kali i Trojës”. Ditën e djeshme, ai ka tentuar të hakmerret duke shkuar me mjetin e tij drejt lokalit dhe i armatosur me automatik. Pasi ka gjetur truprojën, agresori ka qëlluar dy herë me breshëri në ajër, mirëpo për shkak se zona ishte mjaft e populluar është përhapur panik.
Agresori ka marrë mjetin dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja. Mësohet se ai është identifikuar pasi mjetin e tij e ka braktisur disa metra më larg. Policia vijon kërkimet për kapjen e tij dhe për zbulimin e motiveve të sherrit.

Grabitet makina e Gjicit, i merret çanta dhe celulari

Makina e Presidentit të klubit të Kukësit, Safet Gjici është grabitur ditën e mërkurë nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë marrë sende me vlerë. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur dje në Rrugën e Kavajës në Tiranë rreth orës 12:00. Automjeti tip “Toyota” me targa AA 100 LA ka qenë i parkuar pranë Zgarës Korçare, kur autorët grabitën në makinën “Toyota” një çantë me 2 milionë lekë të vjetra, një celular, një kartë identiteti dhe një kartë banke të Safet Gjicit.
Denoncimi në polici për këtë ngjarje është bërë nga 33-vjeçari Rrahman Lushi. Nuk dihet nëse Safet Gjici ka qenë së bashku me 33-vjeçarin kur ka ndodhur grabitja. Rrahman Lushi që bëri denoncimin është shoferi i presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e kësaj grabitjeje.

Si i shpëtoi atentatit miku i Elton Çiços nga vrasësi me pagesë

Personi që qëlloi ndaj Andi Mustarafajt, mesditën e 28 tetorit në një lokal në zonën e ish-Ekspozitës, dyshohet të jetë një vrasës me pagesë. Policia nuk ka mundur ta identifikojë atë. Burime nga grupi hetimor thanë se kamerat e sigurisë së lokalit nuk e kanë filmuar momentin kur ai ka qëlluar ndaj 29-vjeçarit. Vetëm njëra prej tyre e ka fiksuar atë nga pas, në momentin që është larguar me vrap pas atentatit.
Ai mbante një kapele në kokë. I është afruar nga anash shënjestrës që ishte i ulur vetëm në tavolinë dhe e ka qëlluar disa herë në trup.
Ka përdorur një pistoletë me silenciator. Dyshohet se 3 deri në 5 plumba e kanë prekur Mustafarajn në stomak, zorrë e mëlçi. Të gjithë plumbat kanë bërë hyrje dhe dalje, ndaj numri i tyre nuk është përcaktuar ende.
Mustafaraj nuk ka mundur ta shohë atentatorin, pasi ai i ka ardhur anash nga rruga dhe i është afruar në një distancë të afërt.
Hetuesit thonë se qëllimi ka qenë eliminimi i Mustafarajt, por atentatorit i ka dalë një pengesë. Ngjitur me shënjestrën kanë qenë dy fëmijë të vegjël dhe ky fakt, sipas hetuesve, ka bërë që ai ta ulë pistoletën për ta qëlluar në bark 29-vjeçarin dhe jo në kokë.
Andi Mustafaraj ruhet në masa të forta sigurie në Spitalin e Traumës, 24 orë me radhë. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj të vlefshëm për hetimet, duke thënë se nuk ka mundur ta njohë atenatorin.
Policia tha zyrtarisht se Mustafaraj është mik i ngushtë i Elton Çiços, një person me precedentë kriminalë që u ekzekutua me 2 plumba në kokë mbrëmjen e 1 majit të këtij viti, në një lokal në zonën e ish–Bllokut, ngjarje për të cilën janë shpallur në kërkim Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.
Edhe në vrasjen e Çiços, autori mbante një kapele në kokë. Grupi hetimor dyshon se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe po hetohet pista e lidhjes së dy atentateve me plagosjen e Nelgert Patës, në gusht të këtij viti në një lokal pranë Parkut të Autobusëve, në Rrugën e Kavajës. Nelgert Pata njihej si armik i Elton Çiços. Edhe pse u plagos, ai u largua dhe nuk u dorëzua në polici.

Shpërthen në flakë një makinë në hyrje të Durrësit

Një automjet me targa AA 303 NH është përfshirë nga flakët në hyrje të qytetit të Durrësit, vetëm pak çaste pasi ka qenë në pritje pranë një semafori. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të ditës së djeshme dhe drejtuesi i mjetit “Citroen”, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.
Një makinë zjarrfikëse bëri të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, ndërsa policia ka nisur hetimet. Paraprakisht nga dëshmia e dhënë prej drejtuesit të mjetit bëhet me dije se zjarri ka ardhur nga pjesa e motorit. Dyshimet paraprake janë se zjarri në makinë ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije elektrike në motor. Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka qenë aksidentale.

Trafiku i drogës drejt Greqisë, takim mes zyrtarëve grekë dhe shqiptarë

Çështja e trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë ka shqetësuar palën greke kohët e fundit, ndërkohë që ditën e djeshme është mbajtur në Janinë një takim mes zyrtarëve të Policisë së Janinës dhe zyrtarëve të Policisë së Gjirokastrës.
Në këtë takim u diskutua për të forcuar bashkëpunimin mes policive të dy vendeve për të luftuar trafikun e drogës dhe për të përforcuar kontrollet në fshatrat pranë kufirit. Gjithashtu, temë e diskutimit ishte edhe përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.
Ndërkohë që ditën e djeshme në Tiranë mbërriti për vizitë zyrtare drejtori i Policisë greke ku do të takohet me homologun e tij, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Mes dy drejtuesve të policive do të diskutohet për luftën e përbashkët kundër trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Pas takimit me Çakon, drejtori i Policisë greke do të ketë edhe një takim me kryepeshkopin Janullatos.