22 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Provat e aktivitetit të hakerave rusë në Ukrainë

Hakerat ukrainas kanë thyer një e-mail të dytë që lidhet me Vladislav Surkov, ndihmës i lartë i Presidentit rus, Vladimir Putin dhe kanë publikuar disa dokumente, që, sipas tyre, janë dëshmi të reja për ndërhyrjen e Kremlinit në çështjet e Kievit.
Korrespondencat i janë siguruar Radios Evropa e Lirë nga hakerat. Nëse janë autentike, ato tregojnë detaje për punën e zyrës së Surkovit në ngritjen e enklavave separatiste në lindje të Ukrainës, më 2014.
E-mail-et po ashtu tregojnë se si bashkëpunëtorët e Surkovit kanë bërë komplot për të destabilizuar rajonin Kharkiv të Ukrainës dhe kanë ndihmuar në krijimin e udhëheqjeve të grupeve separatiste në rajonet Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës.
Publikimi i këtyre korrespondencave vjen një javë pas publikimit të serisë së parë të e-mail-eve që dyshohet se lidhen me Surkovin. Në këto e-mail-e është folur për planifikimin e aneksimit të Krimesë nga Moska.

SHBA dhe Turqia ndryshojnë raportet

Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me Turqinë për marrjen eventuale të një roli në fushatën për rivënien nën kontroll të qytetit të Sirisë, Raqqa, nga grupi ekstremist Shteti Islamik, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter.
“Do të vazhdojmë që të bisedojmë me Turqinë për rolin e saj në një marrje eventuale të Raqqas, por ne po ecim tani me operacionin sipas planit tonë”, tha Carter në një konferencë me gazetarë më 2 nëntor.
“Synojmë të shkojmë atje së shpejti me forcën që është e aftë për ta bërë këtë dhe ta rrethojmë qytetin e Raqqas… Vënia përfundimtare nën kontroll e Raqqas, ne po vazhdojmë që të bisedojmë me Turqinë për këtë dhe rolin e mundshëm për Turqinë gjatë rrugës”, tha Carter.
Ai tha se luftëtarët kurdë të YPG-së do të jenë pjesë e forcës të angazhuar për rrethimin dhe izolimin e IS-it në bastionin e tij më të rëndësishëm në Siri.
Por forcat arabe pritet që të jenë ato që do ta marrin qytetin, thonë zyrtarë të SHBA-së, me qëllim të shmangies së konfliktit të mundshëm etnik. Një strategji e ngjashme është hartuar edhe në operacionin për rimarrjen e Mosulit iraken nga IS-i për të shmangur nxitjen e konflikteve etnike dhe sektariane.
Roli i kurdëve të YPG-së në betejë u bë pikë përplasjeje me Turqinë. SHBA-ja i konsideron kurdët si një aleat më të aftë të Sirisë dhe luftës kundër kundër IS-it, por Turqia i cilëson ata si organizatë terroriste për shkak të lidhjeve me militantët kurdë që luftojnë mbi tri dekada në një kryengritje në Turqi.
Shqetësimi i Turqisë është rritur kur kurdët sirianë, me një mbështetje të fortë të SHBA-së, kanë marrë nën kontroll nga militantët pjesën më të madhe të brezit kufitar të Sirisë me Turqinë.
Turqia thotë se operacioni për Raqqan duhet të kryhet nga forcat lokale dhe milicia kurde YPG nuk duhet të përfshihet.
Por zyrtarët e SHBA-së e kanë paralajmëruar privatisht Turqinë se duhet të qëndrojë anash dhe ta lërë operacionin e mbështetur nga koalicioni që të zhvillohet, njofton “The Washington Post”.
Komentet e Carter më 2 nëntor, sugjerojnë se SHBA-ja do të provojë që të përfshijë Turqinë në një betejë përfundimtare për marrjen e qytetit, pasi forcat kurde YPG të kenë ndihmuar për ta rrethuar dhe izoluar atë.

Poloni, demokracia në rrezik

Varshava vazhdon kursin konfrontativ me BE-në në mosmarrëveshje për reformën e Gjykatës Kushtetuese. Në mes të dhjetorit, kreu i Gjykatës Kushtetuese zëvendësohet. Pas kësaj qeveria mund ta ketë më të lehtë.
Ata e quajnë “tradhtar” dhe “terrorist”, i dërgojnë atij letra kërcënimi dhe kërkojnë: “Rzeplinski në burg”. Për ithtarët e partisë në pushtet PiS, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë është armik i shtetit. Por ai nuk do t’u përulet nacionalistëve dhe nuk ka frikë nga kërcënimet. “Një gjyqtar që frikësohet, nuk është më gjyqtar”, tha ai në një intervistë me “Deutsche Wellen”. “Frika të bën të ndikueshëm dhe kush ka frikë nuk është gjë tjetër, veçse një zyrtar shteti që dëshiron t’i pëlqejë shefit të tij”. Një gjë të tillë Andrzej Rzeplinski nuk e do.
Ai renditet aktualisht i katërti në listën e besimit që gëzojnë personat publikë në Poloni. Dhe në punë shkon pavarësisht kërcënimeve ose me mjetet e transportit publik ose me biçikletë dhe i pashoqëruar nga truproja.

Gjykata Kushtetuese e përçarë
Për shumë polakë Rzeplinski është simbol i luftëtarëve të fundit në luftë për sundimin e ligjit në vend, gjë që sipas mendimit të tij është në rrezik prej kuptimit që ka qeveria në pushtet për demokracinë. PiS e konsideron mandatin e zgjedhësve si çek të bardhë dhe mendon se për shkak të shumicës së votave mund ta ushtrojë pushtetin si të dojë dhe pa kontroll.
Pushtetarët janë të zemëruar me Rzeplinski për shkak se ai në fillim të vitit 2016 e shpalli reformën e tyre të drejtësisë si antikushtetuese, sepse kufizonte pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria i injoroi vendimet dhe organet e drejtësisë janë që atëherë të paralizuara.
Kjo ka bërë që thuajse prej një viti rreth një milion qytetarë të dalin në rrugë për të protestuar për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja për këtë gjykatë vjen nga Komisioni Evropian, i cili ka kërcënuar edhe me sanksione ndaj Polonisë.
Por diapazoni i veprimit i Brukselit nuk është shumë i madh. Në rast se Komisioni do të vendosë sanksione ndaj Polonisë duhet që pro tyre të votojnë të gjitha vendet anëtare. Në rast se ndonjë vend, si për shembull, në këtë rast Hungaria, do të vendosnin veton, Komisioni do të shfaqej si tigër pa dhëmbë.
Pikërisht me këtë spekulojnë edhe politikanët e PiS. “Grindja me BE-në do të shuhet shpejt, ngaqë Evropa ka sot probleme shumë më të rëndësishme, si për shembull, kriza e refugjatëve”, thotë eurodeputeti polak, Ryszard Czarnecki.

Lojë me kohën
Mandati i Rzeplinskit përfundon në mes të dhjetorit. Kryetari i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese do të jetë sipas të gjitha gjasave dikush nga radhët e dashamirësve të PiS. Por politikanët e PiS-së duan që ta prishin imazhin e Rzeplinskit dhe thonë se ai i bën të gjitha këto se do të bëhet politikan. Rzeplinski vetë thotë se ai do të kthehet në vendin si profesor në Universitetin e Varshavës.
Nga ana tjetër ndaj tij për momentin po heton në dy raste Prokuroria. Fjala është për dy vendime që ka marrë Rzeplinski dhe në rast se ato janë të drejta, Prokuroria polake ndoshta mund të kërkojë që ai të thirret në bankën e të akuzuarve. E më së voni në këtë moment Komisioni i BE-së duhet të tregojë se sa seriozisht e merr çështjen e demokracisë në Poloni.

Kosovë, papunësia po rrit kriminalitetin

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë vlerësohet si një prej faktorëve që ndikon në rritjen e veprave kriminale dhe shfaqjen e dukurive të tjera negative.
Sipas sociologëve dhe psikologëve, shkalla e lartë e papunësisë ndikon sidomos tek të rinjtë që të përfshihen në dukuri negative.
Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2015, niveli i papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind, ndërsa shkalla e punësimit 25.2 për qind.
Në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, të cilat iu dërgohen mediave, paraqiten raste të krimeve të rënda dhe shumë prej tyre u përkasin dukurive të vjedhjeve nëpër banesa, shtëpi private, institucioneve financiare, veturave e dyqaneve.
Sociologu Leotrim Sahiti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se papunësia në aspektin social ka efekte të shumta negative, të cilat dëmtojnë rëndë shoqërinë në përgjithësi.
“Problemi më akut i kësaj shoqërie është papunësia, sidomos tek të rinjtë. Përveç efektit ekonomik që e ka në shoqërinë kosovare, sigurisht ka edhe ndikime të tjera. Në aspektin social, niveli i lartë i papunësisë mund të ndikojë deri tek revoltimi i rinisë. Ky nivel i lartë i papunësisë po ashtu ndikon shumë keq në rritjen e kriminalitetit dhe pastaj shfaqjen e dukurive negative, si dhe ikjes së të rinjve nga Kosova në vendet të tjera”, thotë Sahiti.
Papunësia është parë si shkaktari kryesor edhe i veprimeve të tjera, qoftë i përfshirjes së qytetarëve në veprime jo legale apo edhe i largimit të tyre nga vendi.
Gjatë nëntorit 2014-qershorit 2015 ishte shënuar një fluks i madh i largimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës Perëndimore. Arsyeja e largimit të këtyre banorëve nga Kosova ishte thënë të ishte papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike e tyre.
Fluksi i largimit të qytetarëve nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian, shton sociologu Sahiti, mund të përsëritet edhe në të ardhmen, nëse autoritetet e Kosovës nuk do të arrijnë të krijojnë vende të reja të punës për të rinjtë.
Pasojat e nivelit të lartë të papunësisë, në anën tjetër, sipas profesorit të psikologjisë, Fitim Uka, janë të mëdha edhe në aspektin psikologjik.
“Mund të them me përgjegjësi të plotë që kjo shkallë e lartë e papunësisë, në veçanti tek të rinjtë – të cilët kanë përfunduar një nivel të studimeve dhe pamundësia e tyre për të gjetur punë – shkakton një varg të problemeve në aspektin psikologjik. E para ka të bëjë me mungesën e besimit dhe vetëvlerësimit”, thekson Uka për Radion Evropa e Lirë.
Mungesa e vendeve të punës, shton Uka, lidhet ngushtë me stresin që përjetojnë të rinjtë e papunë.
Ai thotë se përderisa ata përjetojnë stres, predispozitat janë të mëdha që ata të përjetojnë edhe gjendje të tilla emocionale negative, siç është depresioni.
“Konsideroj që gjithë mekanizmat institucionalë do të duhej të viheshin në funksion, në mënyrë që të krijojmë vende të reja të punës dhe të rinjtë të kenë mundësi që të shfrytëzojnë potencialin e tyre, në të kundërtën rrezikojmë që gjithë këta të rinj të shëndoshë të mos i kemi të tillë dhe të kemi shtim të numrit të problemeve të shëndetit mendor në mesin e tyre”, thekson Uka.
Ndërkohë, të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për perspektivën e tyre në Kosovë.
Arif Morina, një i ri nga Malisheva, shprehet i zhgënjyer nga puna e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, të rinjtë në Kosovë po përballen me vështirësi të shumta në fusha të ndryshme, derisa autoritetet kompetente po heshtin.
“Mendoj që nuk ka ndonjë perspektivë për të rinjtë në Republikën e Kosovës. Ne vetëm e përfundojmë fakultetin. Fakulteti është bërë njëlloj për të gjithë, vetëm ta përfundojmë dhe asgjë tjetër”, thotë Arifi.
Ndryshe, bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik në vend dhe parashikimet e Bankës Botërore, si dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës, shkalla e papunësisë pritet të mbetet e njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme.

Gjyqi i Kelmendit zbulon rrjetin e trafikimit të drogës në Ballkan

Një dëshmitar i mbrojtur, K1, një nga anëtarët e akuzuar si pjesë e rrjetit kriminal të Naser Kelmendit, dëshmoi kundër ish-shefit të tij të hënën, duke thënë se grupi trafikoi heroinë nga Turqia përmes Bullgarisë, Sllovenisë dhe Kroacisë në Bosnje, ku shitej në vende të ndryshme të Europës.
“Heroina merrte formën e biskotave dhe futej në qese të veçanta najloni e transportohej me kamionë”, tha dëshmitari K1 në Gjykatën e Prishtinës, duke shtuar se grupi përdorte serbatorët për të fshehur drogën.
Dëshmitari K1 tha se heroina më pas përzihej dhe paketohej në përmasa të ndryshme për vende të ndryshme, duke shtuar se jo çdo vend merrte sasi të njëjtë.
“Si shembull mund të them se cilësia më e keqe e heroinës shkonte në Zvicër dhe disa vende të tjera, ndërsa më e pastra shkonte në Angli”, tha K1.
K1 e përshkroi Kelmendin si bosin kryesor të rrjetit të krimit, ndërsa shtoi se kushëriri i tij dhe partneri i afërt, Rexhep Kelmendi “Xheko” ishte ai që merrej me organizimin e operacioneve. Rexhepi u vra në Pejë në tetor 2013.
“Xheko ishte me ne gjatë gjithë kohës, duke na dhënë informacion se ku do të shkonim”, shtoi K1.
Dëshmitari gjithashtu shpjegoi se grupi përdori ujë acid nga Gjermania për të larë heroinën, ndërsa substanca të tjera të importuara nga Holanda trazoheshin gjithashtu.
K1 shtoi se grupi operoi në Kosovë disa herë, kryesisht në Pejë dhe Mitrovicë, ku pronotonin dhoma hoteli për të përzierë dhe paketuar heroinën.
Kelmendi, gjyqi i të cilit filloi në janar 2015 akuzohet për vrasje të shkallës së rëndë, për krim të organizuar dhe shitje e prodhim të drogës, si dhe për menaxhim dhe mbikëqyrje të rrjetit të narkotikëve.
Duke kaluar nga Mbretëria e Bashkuar në Turqi, qendra e rrjetit të drogës mendohet të jetë Sarajeva në Bosnje, ku droga ripaketohej ose përgatitej për shitje në Europë.
Kelmendi pretendoi pafajësi për të gjitha akuzat dhe tha se ai “priste çastin kur gjykata të deklaronte pafajësinë e tij”.

Portieri Donaruma, mbrojtësi kuqezi

Vinçenco Montela ka vendosur të besojë bindshëm te të rinjtë për ta rikthyer në elitë Milanin dhe pa dyshim që simboli i skuadrës më të re të Serisë A është Xhanluixhi Donaruma. Portieri 17-vjeçar, i cili shihet nga të gjithë si pasardhësi më i denjë i Xhanluixhi Bufonit edhe në kombëtare, vazhdon të konfirmohet dhe sivjet.
Pas debutimit dhe shpërthimit në gjysmën e sezonit të kaluar, falë edhe kurajës së Sinisa Mihajloviçit për t’ia dhuruar portën atij, adoleshenti i veshur me doreza po vazhdon të tërheqë projektorët nga vetja me pritje spektakolare, por mbi të gjitha vendimtare, falë të cilave i ka dhuruar “Djallit” mjaft pikë në renditje. Edhe të dielën, kundër Peskarës, “Xhixho” ishte edhe një herë tjetër fantastik, sepse nëse nuk do të kishte qenë për të, Memushaj, por edhe Kaprari vështirë se do t’i kishin lejuar Milanit që të festonte tri pikët në fund të takimit.
Nëse deri vjet ai shihej si i riu që po shijonte një ëndërr, sivjet po punon që të bëjë heroin e portës kuqezi, duke qenë se “fluturimet” e tij në mbrojtje të kuadratit startuan që në ndeshjen e parë të sezonit. Kundër Torinos ishte Donaruma që i priti Belotit penalltinë në sekondat e fundit dhe i lejoi Milanit që të fitonte 3-2. Edhe në “San Siro”, ndaj Sasuolos, me ekipin e tij në avantazh 4-3, Xhixho shpëtoi portën dhe tri pikët me një reagim fenomenal ndaj Politanos.
Por instinkti prej jashtëtokësori ishte edhe ai i ofruar në fund, ndaj Juves, ku i mohoi barazimin Khedirës, por edhe me Lacion, Sampdorian dhe Fiorentinën, duart e tij shpëtuan rezultatin, duke llogaritur minimalisht 8 pikë më shumë të sjella në renditje për “Djallin”.
Përveç magjive që ofron gjatë lojës, Xhanluixhi Donaruma mund të krenohet edhe me një fakt tjetër, atë të të qenit rekordmeni i ligave të mëdha të kontinentit. Kjo, sepse 17-vjeçari në 11 ndeshje të luajtura e ka mbajtur portën e tij të paprekur në pesë raste (lë prapa edhe Bufonin), njësoj si portierët e mëdhenj të Europës, si Manuel Nojer (Bajern Mynih), Tibo Kurtua (Çelsi) dhe Jan Oblak (Atletiko Madrid), përveçse Kardinale i Nicës dhe Areola i PSG-së.

Gabimet e Juves

Xhani de Biazi është i bindur se Juventusi ka qenë me fat që ka dalë me pikë në sfidën e së mërkurës mbrëma të Ligës së Kampioneve nga “Juventus Stadium”, edhe pse për pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Olimpikut të Lionit ishte në avantazh. “Mendova se mund ta administronin ndeshjen, por fitorja u shpëtoi nga duart”, tha De Biazi për “RSI”. “Kur përballesh me kundërshtarë të fortë nga pikëpamja fizike dhe nga pikëpamja e kundërzbritjeve të shpejta, ndeshesh me vështirësi. Mendoj se gabimi më i madh që është bërë nga Juventusi ishte ai që mendoi se e kishte mbyllur ndeshjen dhe barazimi është fryt i një pakujdesie të tillë. Juventusi duhet të jetë i kënaqur që ka marrë një pikë, pasi rrezikoi të dilte nga stadiumi me një humbje”, u shpreh De Biazi.
De Biazi argumenton se fakti që Juventusi dominon pa problem në Itali, i ka vështirësuar më shumë punën në Europë kësaj skuadre, të cilës nuk i falet asnjë lloj pavëmendje në arenën ndërkombëtare.
“Kur mësohesh të fitosh lehtësisht në kampionat, ke vështirësi në Europë. Duke kujtuar fitoren e 15 ditëve më parë ndaj Lionit, Juventusi po parashikonte një ndeshje më të thjeshtë nga pikëpamja e administrimit të lojës. Në fakt doli shumë më e vështirë se sa ndeshja e parë dhe sipas meje, Juventusi nuk ishte gati të përballonte një ndeshje me sakrificë.
Nëse e vini re, në fillimin e pjesës së dytë dëgjohet zëri i Alegrit që thotë ‘Mos e hidh topin, mos bëj pasime kot’, për të shfrytëzuar mbajtjen e topit dhe hapësirat që kundërshtarët krijonin”, tregoi De Biazi, i cili mendon se mangësitë e dy neteve më parë kanë lidhje edhe me faktin se Miralem Pjaniç nuk ka gjetur ende vendin e duhur në skemat e Alegrit.
“Ai duhet të jetë sugjeruesi për sulmet në treçerekun e fushës. Këtë punë mund ta bëjë edhe Bonuçi dhe Markizio, por nuk është ajo që i kërkohet një fantazisti. Një i tillë është ai që jep pasimet për sulmuesit apo që krijon mundësi për të gjuajtur nga kufiri i zonës së rreptësisë. Sot, këto gjëra Pjaniç nuk i bëri. I bënte kur ishte më i ri dhe ishte pjesë pikërisht e Lionit.
Tani është më shumë një gjysmëmesfushor krahu në rreshtimin 4-3-3 apo në 3-5-2. Ai është një mesfushor i mirë nëse luan në qendrën e majtë, pasi mund të hyjë drejt qendrës dhe të gjuajë me këmbën e preferuar. Sigurisht që duhet të ambientohet ende me rolin, por cilësitë teknike të tij nuk vihen në diskutim”, ishte analiza e trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit.

Mërgim Berisha, 5 gola në një ndeshje

Mërgim Berisha është kthyer shumë shpejt në një emër shumë të njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Ndonëse futbollisti 18-vjeçar luan me ekipin e dytë të Red Bull Salcburg dhe akoma nuk ka pasur mundësinë të shkëlqejë në elitën e futbollit austriak, me ekipin U-19 ai po mahnit të gjithë në pjesëmarrjen e kësaj skuadre në Ligën e Kampionëve për akademitë, UEFA Youth League.
Të mërkurën, skuadra e të rinjve të Red Bull Salcburg është ndeshur me Kairat Almati në raundin e dytë kualifikues të këtij aktiviteti dhe Berisha është siguruar që ekipi i tij të priste biletën për në turin tjetër që në ndeshjen e parë. Salcburg fitoi me shifrat 8-1 dhe sulmuesi i ri ishte autor i 5 golave në këtë ndeshje.
Kësisoj, Berisha çoi në 7 numrin e golave të shënuar në vetëm dy ndeshje në të cilat është aktivizuar në këtë turne, ku është kthyer menjëherë në një prej golashënuesve më të spikatur. Futbollisti nuk ka luajtur ende me asnjë kombëtare, por mendohet që ka marrë ftesa si nga Shqipëria e Kosova, ashtu edhe nga Austria.

Maqedonia me Hasanin e Ibraimin ndaj Spanjës

Maqedonia me dy shqiptarë të Shkëndijës së Tetovës në sfidën e muajit nëntor ndaj Spanjës. Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi janë grumbulluar nga trajneri i përfaqësues së Maqedonisë Igor Angelovski, për ndeshjen kualifikuese të Botërorit Rusi 2018 ndaj kombëtares iberike që do të zhvillohet në qytetin e Granadas. Të dy lojtarët e kuqezinjve tetovarë janë shumë të rëndësishëm për trajnerin, madje Ferhan Hasani është një titullar i padiskutueshëm edhe në përfaqësuese teksa në sfidën e humbur 2-3 ndaj Italisë në Shkup realizoi golin e avantazhit provizor 2-1 të Maqedonisë.
Lajmi për grumbullimin e Ibraimit dhe Hasanit u bë i ditur nga vetë klubi i Shkëndijës në faqen zyrtare. Skuadra shqiptare ndër të tjera në komunikatën e saj thekson se falë formës së mirë që kanë treguar të dy lojtarët me Shkëndijën gjatë kësaj periudhe janë thirrur nga trajneri Angelovski në përfaqësuese. Nëse luajnë sfida ndaj Spanjës që do të zhvillohet më 12 nëntor në Granada mund të jetë e 27 për Ferhan Hasanin me fanellën e Maqedonisë dhe e 12-ta për Besart Ibraimin.

Balaj, Roshi dhe Berisha, në formacionin e javës në Rusi

Tre shqiptarë në formacionin e javës në Premier Leaguen e Rusisë. Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Bernard Berisha, falë paraqitjeve të shkëlqyera në javën e 12-të, janë përfshirë në 11-shen më të mirë, duke marrë vlerësimet maksimale nga specialistët e futbollit rus.
Balaj autor i një dygolëshi në fitoren 1-4 të Terek Groznit në fushën e Uralit, u vlerësua me notën e lartë 8.3, ndërsa Roshi i cili dha asistin për shkodranin në rastin e golit të dytë, si dhe detyroi mbrojtësin Dinga të shënone në portën e tij mori notën 7.6.
Dy futbollistët e kombëtares shqiptare ishin të vetmit lojtarë të Terek Groznit në formacionin e javës në Rusi. Sa i përket Bernard Berishës, i cili qëndroi 60 minuta në fushë në sfidën Anzhi–Krasnodar 0-0 duke dhënë maksimumin në krahun e majtë, vlerësimi ishte 7.7.
Interesant është fakti se edhe pak ditë më parë Balaj dhe Berisha ishin përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës së 11-të në Premier Leaguen e Rusisë. Të tre lojtarët shqiptarë duket se janë përshtatur më së miri në futbollin rus, çka reflektohet me golat e shënuar dhe nivelin e lartë që shfaqin në fushën e blertë.