24.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Rrëfimi i Frtiz Radovanit nga Australia: Bedrije Ashiku tregoi se gjatë torturave me korrent elektrik, F. Kapisyzit dhe D. Rrjollit, u mbet i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë…

– Një copëz nga historia rrëqethëse e burgosjes dhe internimit të grave e vajzave të Shkodrës, në vitet e para të represionit komunist! –

 

 

Tortura ndaj vajzave dhe grave të Shkodrës, në vitet e para të represionit komunist, është një dosje e zezë që meriton vëmendje specifike. Bedrije Ashiku ishte një prej grave të Shkodrës që u torturua, u burgos dhe më pas u internua. Fritz Radovani, përcjell copëza të historisë së zonjës Bedrie Ashiku, të rrëfyera nga bashkëkohës të saj. Ai na sjell në vëmendje konviktin “Malet tona” në Shkodër, i cili ishte kthyer në hetuesi. Ishte pranë spitalit të Shkodrës, në fund të rrugës së Shtëpisë së Kulturës dhe se konvikti i kthyer në hetuesi, iu duhej afër spitalit.

Radovani shpjegon, mbështetur në rrëfimet e vuajtësve në ato biruca famëkeqe, se hetuesit kriminel nuk kishin interes të mbyllnin dosjet tri ditët e para të torturave, prandaj iu duhej afër spitali. Pastrimet e zyrave i banin me vajzat ose gratë e arrestuara, që nuk ishin aq pak ndër ato qeli. “Në Shkodër kam pasë fatin me njoh martirin Loro Vata, i cili ka jetue deri në vitin 1999, dhe prej tij mësova ngjarje të sakta, që ishin të varrosura në themelet e atij konvikti…!

Në vitin 1946, pak ditë mbas arrestimit Loro Vata dërgohet në hetuesinë “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Edhe qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje të arrestuemit. Shpesh hetuesit kriminelë masakronin nga dy vetë bashkë. Një natë Fadili kishte marrë në zyrë të vet edhe një mostër si veten, Dul Rrjollin, dhe po torturonin një nga klerikët Katolik”, – shkruan Radovani, i cili i mbështet rrëfimet në dokumente zyrtare të marra nga arkivat e shtetit komunist.

Historia e Bedrie Ashikut

“Ishin ditët e para të dhjetorit 1946. Aty nga ora 8 e mjesit Duli kishte hapë një qeli aty pranë Loros, ku ishte e prangueme zonja Bedrije Ashikja, motra e Ahmet Ashikës, rreth moshës 24 vjeç, së cilës i kishin pushkatue burrin, dhe kërkonin me e dënue edhe këtë. Flitej se Fadili kishte një lidhje të largët kushërinie me Bedrijen, dhe për këtë arsye ai shpesh e merrte Bedrijen me pastrue dhomat e hetuesisë…! Pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomën e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse…!?

Nuk vonoi pak kohë dhe mbërriti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshtër…”, – dhe vazhdoi, tue tërhjekë rrëshqanë Bedrijen, dhe tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, derisa e hodhi në qeli…! Mbërriti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund e porositi: “Guxo e tregoi kujt se çka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj…”!

“Atë natë ishe i sigurt se na përgjojnë, – tha Loro, – prandaj, as nuk i dhashë Bedrijes fare sinjal për me marrë vesh çka ngjau atë ditë, në zyrën e Fadilit…! Të nesërmen herët më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di çka ka ngja dje në zyrë të hetues Fadilit”?! – Unë, i përgjigja; jo! Po në të vërtetë, gjatë natës, vështrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapën një gropë, dhe hodhën aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët, m’u tek qershia brinjë murit të hetuesisë…! Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!

Bedrija i kishte tregue, se gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit, u ka mbet i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet. Unë pa ditë gja, tue pastrue mbas dere, kur e pashë bërtita dhe më ka ra të fikët…! Ka ardhë Duli dhe më ka hedhë ujë, e kam ardhë në vete. Gjithë ditën kam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka…! Një tmerr me e pa Fratin ashtu!!

E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me e shkrue si kje e vërteta! At Bernardini nuk ka vdekë as nga telat e ndryshkin as nga tetanozi! Atë e keni mbytë! Sigurisht, kjo jo, për të gjithë!

Heroina Bedrije Ashikja, mbasi bani shumë vjet burg, nuk i mjaftoi komunistëve vuajtja e saj sa e sa vjeçare, duhej interrnue fatzeza në Hajmel…! Ishte thirr nga Sigurimi për me “deponue” për Imzot Ernesto Çobën, në një mbledhje të lagjes së saj, se: “Ishte pa nga dritarja e Mark Berishës, karshi Kishës së Madhe, ku shpesh aty shkonte edhe Xhemal Dini dhe Angjelin Kumrija, me ndonjë agjent tjetër, dhe survejonin kush hyn e del në Argjipeshkvijë…”!

Një mbas-dreke kishin pa edhe Bedrije Ashikun, që nuk mohonte se asht kenë tek Imzot Ernesto Çoba. Sigurimi i kërkonte asaj me deponue tjera fakte, që nuk ishin asnjë të vërteta. Bedrija ua preu shkurt: “Këto që thoni ju, kërkoni atje ku jeni mësue, po jo tek unë, mbasi unë kam shkue me i lypë ndihmë 1000 lekë (të vjetra), se nuk kishe pare as me marrë bukën, dhe Imzot Çoba m’i ka dhanë. Tashti, ju kërkoni që unë edhe t’i shpifem atij, që më bani nder…?! A jeni në vete ju, që e kërkoni këtë”?!

Në mbledhjen e lagjes zonja Bedrije, nuk u mjaftue me aq sa i tha në zyrën e Sigurimit, po me një guxim të paharrueshëm, ajo ua përplasi për surrat veprat dhe moralin e tyne, me të cilët, ata kanë shkatrrue Shkodrën dhe Rininë e Saj…! Fatkeqësisht, zonja Bedrije Ashikja, e mbylli jetën me një sëmundje të randë ‘harrese’, që ndoshta, shpesh asht edhe për t’ua pasë zili atyne fatzezëve që sakrikuen aq shumë”! – shkruan nga Fritz Radovani, nga Melbourn, Australi. Memorie.al

Takimi i Presidentes Vjosa Osmanit me liderët e partive politike, dështon zhbllokimi i ngërçit në Kuvend

As pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive parlamentare të enjten, nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik, i shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kryesisht qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, “që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik dhe nuk ka as iniciativë që do të zhbllokojë këtë gjendje të tanishme”.

Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës tha se “siç mund ta shihni, nuk ka dalë tym i bardhë, pra nuk ka risi”.

“Nuk jam optimist që Kurti do ta ndërrojë propozimin. Ai nuk i ka votat as për komision as për kryetare e as për kryeministër. Duke mos i pasur votat po e mban peng krejt shtetin”, tha Krasniqi pas takimit.

Krasniqi dhe Abdixhiku thanë se presidentja do të duhej ta shqyrtonte dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.

Abdixhiku tha se e habiti fakti që Kurti tha “se s’ka asnjë urgjencë” për krijimin e institucioneve.

Ai shtoi se ka propozuar dhe shpjeguar idenë e qeverisë së unitetit për një periudhë të shkurtër dhe kalimtare, dhe se lidhur me këtë “ka pasur reflektim pozitiv nga partitë e tjera në përmasën e konsiderimit”, pos partisë së parë – Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “ne e kemi dhënë idenë tonë si të ecim përpara, pra për ta votuar një kandidat për kryetar të Kuvendit, një person unifikues në mënyrë që ta kalojmë në një etapë tjetër”.

Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka folur për gazetarë pas takimit.

Pas takimit me liderët e partive shqiptare, Osmani do të zhvillojë bisedime me pakicat rreth orës 16:00.

Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.

Osmani paralajmëroi të mërkurën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.

Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.

“Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo.

Ndërkohë, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se “në krizën aktuale, e vetmja rrugëdalje është angazhimi i fuqishëm i Perëndimit, pra i Evropës.”

“Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha krizat e mëparshme që nga viti 2010, ky angazhim mungon, sepse politika perëndimore, ajo e BE-së ndaj Kosovës, ndodhet në një fazë kalimtare të një vakumi strategjik pas rrënimit të plotë të dialogut politik dhe mungesës së udhëheqjes nga kryeqytetet e shteteve anëtare më të rëndësishme. Për këtë arsye, më duket se kjo krizë politike dhe institucionale është më e thella që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.

Sipas tij, kriza aktuale institucionale në Kosovë është, nga njëra anë, rezultat i përshkallëzimit të marrëdhënieve mes partisë në pushtet në largim, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partive opozitare – për të cilën, krahas Qeverisë Kurti, “përgjegjësi të madhe mbajnë edhe bartësit e dialogut politik gjatë katër viteve të fundit, pra nisma franko-gjermane dhe veçanërisht Gjermania; dhe nga ana tjetër, kjo krizë rrjedh nga karakteri i papërfunduar i rendit politik, institucional e kushtetues të Republikës së Kosovës – për të cilin përgjegjës janë të gjithë aktorët: elitat politike vendore dhe aktorët perëndimorë që në vitet 2007-2008 ishin të përfshirë në procesin kushtetues”.

“Kjo papërfundueshmëri e sistemit politik e institucional del në pah sa herë që vendi përballet me kriza të rregullta politike”, vlerësoi ai.

Në prag të takimit të së enjtes, Osmani u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati

Presidenca tha në një njoftim për media se ky ishte takim i rregullt mes tyre dhe se në të u diskutua për “rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”./REL

Naim Meta i Koalicionit Euroatlantik në Elbasan: Lufta për Lirinë dhe të Drejtën s’do ndalet!

Nga Naim Meta

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë gjatë kësaj fushate. Secili prej jush ka treguar një përkushtim të paçmuar dhe një dinjitet që na ka bashkuar në këtë rrugë të përpjekjeve. Pjesëmarrja juaj ka theksuar se liria është më e çmuar se çdo gjë tjetër. Liria është ajo që na bën të ndihemi të fortë dhe të vërtetë, ndërsa shqiponja që mbajmë në shpatulla është simboli i një kombi që aspiron për më shumë, për një të ardhme më të ndritur.

Në këtë betejë, ju keni treguar se familja është përparësia, Shqipëria është prioriteti. Po, ndoshta nuk e fituam këtë luftë, por çdo betejë është një hap më afër një Shqipërie të drejtë dhe të lirë. Kjo është një betejë që nuk do të humbasim kurrë, sepse ata që janë të zhgënjyer nga triumfi i tyre, ndoshta kanë humbur ndjesinë e drejtësisë që duhet të udhëheqë çdo fitore.

Ne jemi të njëjtit, të vërtetët, me kokën lart, pa u trembur nga sfidat. Liria ka një çmim dhe e drejta ka një kosto, por këto janë jetike që duhen mbrojtur me çdo sakrificë, për t’ua lënë pasardhësve Shqipërinë që ata e meritojnë. Kjo është arsyeja pse lufta jonë është për fëmijët tanë, për ata që do ta shijojnë jetën në vendin e shqiponjave, e jo për të jetuar me turp dhe kokën ulur, duke iu nënshtruar oligarkisë që ka ngritur korrupsionin dhe padrejtësinë për 34 vjet.

Le të qëndrojmë të bashkuar, të qëndrojmë të fortë dhe të kujtojmë se liria, ndonëse e shtrenjtë, është një pasuri që do të mund të mbrohet vetëm nëse e vlerësojmë dhe e mbrrojmë me gjithçka që kemi. E ardhmja e Shqipërisë është në duar të forta, duar që nuk kanë frikë të luftojnë për të drejtën dhe lirinë e këtij kombi.

Çfarë sinjalizon takimi i Trumpit me udhëheqësin e ri sirian? Analiza e REL: Kapitulli të ri për vendin e shkatërruar nga lufta dhe ripozicionim i aleancave rajonale

 

Për më shumë se një dekadë, Siria ka qenë ndër vendet më të izoluara të botës, e dërrmuar nga lufta civile, dështimi i ekonomisë dhe sanksionet e mëdha ndërkombëtare.

 

 

Por, më 14 maj, ndodhi një ndryshim i madh në skenën botërore kur presidenti i Shteteve të Bashkuar (SHBA), Donald Trump, u takua me presidentin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa – një ish-rebel i njohur me emrin e luftës Abu Mohammed al-Jolani – në Riad.

 

Ky ishte takimi i parë midis liderëve të Sirisë dhe SHBA-së në një çerek shekulli.

 

Ky hap sinjalizon jo vetëm një kapitull të ri për vendin e shkatërruar nga lufta, por edhe një ripozicionim të aleancave rajonale dhe dinamikave të pushtetit në Lindjen e Mesme.

 

Duke folur në kryeqytetin saudit, Trump tha se vendimi për t’i hequr sanksionet, i shpallur një ditë më parë, synon t’i japë Sirisë “një mundësi për madhështi”, ndërsa vendi përpiqet të rindërtohet pas më shumë se një dekade lufte civile dhe shkatërrimi ekonomik.

 

Sanksionet, të vendosura fillimisht për të ushtruar trysni ndaj qeverisë së presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, “tashmë prekin drejtpërdrejt popullin sirian dhe pengojnë procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit,” tha Ministria e Jashtme e Sirisë pas njoftimit.

 

Duke përshëndetur vendimin e Trumpit, Ministria siriane tha se sanksionet “kontribuuan në rënien e [Assadit]” dhe shtoi se sirianët “presin me padurim heqjen e plotë të sanksioneve si pjesë e hapave që mbështesin paqen dhe mirëqenien në Siri dhe rajon.”

 

Damasku shpërtheu në festime pas njoftimit të Trump, dhe shumë sirianë shpresojnë për lehtësime ekonomike.

 

“Siria tani ka një mundësi të vërtetë për t’u rikthyer në sistemin ekonomik global”, tha për Radion Evropa e Lirë Clara Broekaert, hulumtuese në Qendrën Soufan.

 

“Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga gjithë ndikimi – veçanërisht sa i përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave – por regjimi aktual i sanksioneve nuk e bën këtë, përkundrazi ndëshkon qytetarët e zakonshëm sirianë”, tha ajo.

 

Takim historik

 

Dy liderët u takuan shkurtimisht në Riad në margjinat e takimit të Trumpit me liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

 

Shtëpia e Bardhë tha se Trump i kërkoi liderit sirian të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin duke iu bashkuar të ashtuquajturave Marrëveshjet Abraham, të nënshkruara tashmë nga disa shtete të Gjirit Arab.

 

Ai gjithashtu kërkoi që Sharaa të dëbojë militantët palestinezë dhe të marrë kontrollin e kampeve që mbajnë luftëtarët e Shtetit Islamik dhe që aktualisht menaxhohen nga guerilët kurdë të kundërshtuar nga Turqia.

 

Takimi i fundit i tillë ndodhi në vitin 2000, kur presidenti amerikan, Bill Clinton u takua me Hafez al-Asadin në Gjenevë. Takimi i Trumpit me Sharaa sinjalizon një ngrohje të marrëdhënieve dhe një njohje de facto të udhëheqjes së re siriane – diçka e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë.

 

Nga kryengritës në president

 

Ngjitja e Sharaas në Presidencë është një histori që pak do ta kishin parashikuar. Ai luftoi kundër forcave amerikane në Irak dhe më pas themeloi Jabhat al-Nusra-n, grupin e lidhur Al-Kaedën, gjatë luftës civile siriane.

 

Me kalimin e kohës, ai u shkëput nga Al-Kaeda, duke e riemërtuar grupin si Hayat Tahrir al-Sham dhe konsolidoi pushtetin në veriperëndim të Sirisë. Në fund të dhjetorit 2024, Sharaa udhëhoqi një ofensivë të shpejtë të rebelëve, të mbështetur nga Turqia, dhe mori Damaskun, duke i dhënë fund gjysmëshekulli sundimi të familjes Assad.

 

Më pas, ai shpalli shpërbërjen e të gjitha fraksioneve të armatosura – përfshirë edhe të veten – dhe mori presidencën me emrin e tij të lindjes, duke premtuar reformë kushtetuese dhe një epokë të re për Sirinë.

 

Transformimi i Sharaas nga komandant rebel në kryetar shteti është si mbresëlënës, ashtu edhe kontrovers. Derisa ka punuar për të projektuar një imazh pragmatik, duke premtuar siguri për pakicat dhe të jetë i hapur ndaj komunitetit ndërkombëtar, e kaluara e tij vazhdon të ngjallë shqetësime në Perëndim dhe Izrael.

 

Sharaa është përballur me vështirësi për të kontrolluar fraksionet e lidhura me Qeverinë e tij tranzitore. Kjo sfidë u theksua në mars, kur shpërthyen përleshje midis forcave të sigurisë dhe luftëtarëve besnikë ndaj qeverisë së rrëzuar të mbështetur nga Irani dhe Rusia. Grupe për të drejtat e njeriut dokumentuan qindra viktima, përfshirë civilë.

 

Broekaert tha se, pavarësisht reformave të fundit, politikëbërësit amerikanë ende kanë “shqetësime të vazhdueshme”, përfshirë për dhunën sektare në provincat bregdetare.

 

“Ajo që po ndjek me kujdes personalisht është integrimi i luftëtarëve të huaj në strukturën e re të sigurisë dhe qeverisjes”, tha ajo.

 

Këto çështje, shtoi Broekaert, “vazhdojnë të ushqejnë skepticizmin midis politikëbërësve me ndikim në Uashington për qëndrueshmërinë dhe sinqeritetin e këtyre reformave”.Megjithatë, për shumë sirianë, Sharaa përfaqëson një shkëputje nga dekadat e diktaturës dhe një mundësi për rindërtim pas viteve të shkatërrimit.

 

“Sharaa gjithashtu, për të qenë e sinqertë, ka pozicionuar shumë me zgjuarsi udhëheqjen dhe agjendën e tij si pragmatike dhe në përputhje me interesat strategjike të SHBA-së, veçanërisht në frenimin e ndikimit iranian”, tha Broekaert.

 

Roli vendimtar i Arabisë Saudite

 

Ky ndryshim dramatik në politikën e SHBA-së nuk ndodhi në vakum. Arabia Saudite, nën udhëheqjen e Princi të Kurorës Muhammed bin Salman, luajti rol kyç në orkestrimin e këtij përparimi diplomatik.

 

Trump bëri njoftimin e tij në një konferencë investimesh në Riad më 13 maj, duke ia atribuar publikisht meritën princit saudit si forcë shtytëse për këtë vendim.

 

Arabia Saudite, së bashku me Turqinë dhe disa shtete të tjera arabe të Gjirit, lobuan me këmbëngulje në Uashington, duke argumentuar se angazhimi me Qeverinë e Sharaas ishte thelbësor për stabilizimin e Sirisë dhe frenimin e ndikimit iranian në rajon.

 

Njoftimi përkoi me zotimin e Arabisë Saudite për të investuar 600 miliardë dollarë në SHBA dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për armë në vlerë 142 miliardë dollarë – që theksojnë shkallën e bashkëpunimit SHBA-Arabi Saudite.

 

Duke theksuar rolin “vendimtar” të Arabisë Saudite, Broekaert tha se Muhammed bin Salman “kombinoi presionin diplomatik me stimuj transaksionalë” për të siguruar përkushtimin e Trump ndaj udhëheqjes së re siriane dhe për të përshpejtuar heqjen e sanksioneve.

 

Si do të ndikojë kjo tek aktorët e tjerë rajonalë?

 

Përqafimi i Qeverisë së re të Sirisë nga Trumpi po përhapet në gjithë rajonin.

 

Për Izraelin, ky është burim i shqetësimit të thellë. Zyrtarët izraelitë, të kujdesshëm për të kaluarën xhihadiste të Sharaas dhe dhunën komunitare që shoqëroi ngritjen e tij, frikësohen se normalizimi i SHBA-së me Damaskun mund të kufizojë lirinë e veprimit të Izraelit dhe t’i inkurajojë aktorët armiqësorë.

 

Ka raportime për bisedime indirekte midis Sirisë dhe Izraelit, ndoshta të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por skepticizmi izraelit mbetet i lartë.

 

“Është e qartë se ndikimi i Izraelit ka rënë në trajtimin që administrata Trump i bën Sirisë”, tha Broekaert.

 

Për Iranin, zhvillimet përbëjnë një goditje të madhe strategjike. Rënia e regjimit të Assadit dhe ngritja e një qeverie armiqësore ndaj Teheranit kanë shkëputur një hallkë kyçe në “boshtin e rezistencës” të Iranit – rrjetin e tij të aleatëve rajonalë dhe përfaqësuesve. Asetet iraniane në Siri janë konfiskuar dhe Qeveria e re ka treguar pak interes për të vendosur marrëdhënie me Teheranin.

 

Edhe Rusia e ka ndier rënien e ndikimit të saj. Edhe pse Moska ruan baza ushtarake në bregdetin sirian, Qeveria e re ka bërë të qartë se prania e ardhshme e Rusisë do të varet nga marrëveshje që shërbejnë interesat e Sirisë. Rusia tani po kërkon mënyra për t’u riangazhuar me Damaskun, por ndikimi i saj është zvogëluar./REL

Prish shtëpi e bëj kasolle…

Nga Gentian Gaba

Me gjithë parregullsitë e zgjedhjeve të vitit 2021, diferenca mes opozitës dhe PS-së ishte vetëm 30 mijë vota. Rasti i Çyrbjes dhe shumë të tjerë faktuan se ato zgjedhje u manipuluan, zgjedhje që disa nga ata që sot sulmojnë Bashën, atëherë i quajtën “të shitura”.

Ndërsa tani, përballë një grope të frikshme elektorale, broçkullat për “statut” dhe “demokraci të brendshme”, që dikur u përdorën si justifikim për përplasjen vëllavrasëse, belbëzohen skutave, sepse në këto vite kanë “shpikur” një politikë pa guxim dhe pa karakter, me të tredhur që lëpihen për një vend në listë, pa çarë kokën për pasojat ndaj vendit.

Ata që në 2021 flisnin për “sovranizëm”, kanë paguar të paktën 6 milionë dollarë për të gjeneruar një lajm nga një gazetar amerikan, ku jepej një përgjigje standarde për mundësinë e udhëtimit të një personi të sanksionuar drejt SHBA-ve. Këtë përgjigje e shitën si “heqje të non gratës” dhe “mbështetje amerikane”. Diçka që nuk ndodhi kurrë, përkundrazi, shtoi vetëm dozën e mashtrimit ndaj atyre që për vite u ishte thënë se “nuk na duhet Amerika”, ndërsa pak orë para zgjedhjeve iu shitej si “grali i shenjtë” një cicërimë në X nga një gazetar amerikan.

Në vitin 2021 ne kishim në dorë mbështetjen dhe solidaritetin ndërkombëtar për të kërkuar ndryshime rrënjësore në standardet zgjedhore. Po sikur të mos ishte përdorur frustrimi i opozitarëve për të ndërtuar riciklimin sovranis, historia do ishte krejt ndryshe.
Po të kishin qenë burra e gra që mendonin për interesin e shqiptarëve dhe jo për fatin personal të një individi, Edi Rama sot nuk do të ishte në pushtet, dhe opozitarët nuk do të ishin të detyruar të largoheshin nga vendi.
Po të ishin burra dhe gra që vepronin në interes të vendit, nuk do të silleshin si dele, duke sabotuar Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe duke u bërë bashkë me Ramën në korrik, për të prodhuar lista-paçavure sipas kërkesës së tyre, të depozituar nga Oerdi.

Prandaj, kot qurraviten për padrejtësinë e sistemit: ndryshimet ishin të depozituara në Kuvend, por ata u strukën në xhepat e vegjël të interesave të tyre, duke i krijuar Ramës një avantazh paraprak në zgjedhje.

Pra, ndryshimi ishte në dorën e opozitës këtë vit. Rruga ishte e qartë dhe e hapur. Por me ndihmën e Ramës, i cili pa ta mbetet pa fabul, shkatërruan shtëpinë për të ndërtuar një kasolle ku strehojnë interesat e tyre të vogla.

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha

Nga Blendi Kajsiu

Menjëherë pas katastrofës elektorale të PD-së më 11 maj, propaganda berishiste filloi të shfajësonte Berishën për këtë humbje. Sipas saj fitorja e Ramës nuk shpjegohet nga humbja e thellë e PD-së, për dy arësye. Së pari, humbja e PD-së nuk shpjegon rritjen e paprecedent elektorale të PS-së, si pasojë e krimit, kapjes së shtetit dhe budallallepsjes së elektoratit shqiptar që voton një qeveri kaq të korruptuar. Së dyti, fakti që partitë e vogla dështuan tregon se Rama është i pathyeshëm në sistemin që ka ngritur.

Asnjëri nga këto argumente nuk qëndron. Fitorja e thellë e Ramës, me 83 vende në Parlament, nuk është rezultat i rritjes elektorale të PS-së por i tkurrjes elektorle të PD-së nën lidershipin e Berishës. PS-ja jo vetëm që nuk është rritur elektoralisht por  ka marrë më pak vota në raport me zgjedhjet e vitit 2021 kur fitoi 74 mandate në Parlament.  Shiko tabelën 1 më poshtë

Tabela 1. Pjesmarrja dhe votat e PS dhe PD në zgjedhjet parlamentare 2021 dhe 2025 (pa diasporën)

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha

Burimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Sikurse tregon qartë tabela 1 Partia Socialiste në vitin 2025 ka humbur 35 400 votues brenda vendit krahasuar me vitin 2021. Pra nuk kemi asnjë rritje elektorale të PS-së, përkundrazi kemi reduktim të votës për PS-në e Edi Ramës.

Atëherë si ka mundësi që PS-ja shkoi nga 74 vende në vitin 2021 në 83 në vitin 2025? Si pasojë e dështimit elektoral të dyfishtë të berishizmit. Së pari, nëse vota e PS-së u rrudh me 35 mijë votues vota e koalicionit të PD-së u rrudh me 141 mijë votues, pra gati katërfish. Së dyti, në vitin 2025 në Shqipëri votuan 205 mijë votues më pak se në vitin 2021.

Pra edhe pse PS-ja mori më pak vota në vitin 2025 se në vitin 2021 ajo fitoi më shumë mandate sepse u reduktua vota e opozitës. PS-ja zgjeroi mandatet e saj në Kuvend, nga 74 në vitin 2021 në 83 në vitin 2025 jo sepse rriti numrin e votave por sepse reduktimi i votës opozitare zmadhoi votën socialiste si përqindje. Le ta shpjegojmë këtë dinamikë me një shembull të thjeshtë

Nëse pozita ka 50 vota dhe opozita 50 vota, përqindja e votave është 50% pozita dhe 50% opozita. Nëse pozita bie në 45 vota dhe opozita në 30 vota, atëherë përqindjet janë 60% pozita dhe dhe 40% opozita. Ama në këtë rast rritja e pozitës nuk është produkt i mrekullisë së saj elektorale, përkundrazi ajo ka humbur 5 vota. Rritja e pozitës nga 50% në 60% është tërësisht produkt i dështimit të opozitës, i rënies së saj nga 50 në 30 vota.

Kjo është ajo që ndodhi në zgjedhjet e fundit. Edi Rama nuk prodhoi ndonjë cudi elektorale në vitin 2025. Përkundrazi, vota që ai mori në zgjedhjet e fundit u rrudh pavarësisht makinerisë elektorale socialiste, krimit, narko-shtetit, gjobave apo përdorimit të administratës publike.

Idea berishiste se Rama bën mrekullira elektorale dhe është i pasfidueshëm është thjesht një përrallë që fsheh realitetin e hidhur se celësi i fitores së thellë elektorale të Ramës nuk qëndron tek budallepsja apo manipulimi i elektoratit shqiptar por tek dështimi elektoral i berishizmit. 83 mandatet e Ramës janë produkt matematik i rrudhjes elektorale të opozitës berishiste.

Rezultati i zgjedhjeve vërteton qartë tezën e stërpërsëritur se Rama fiton si pasojë e mungesës së alternativës opozitare. Zgjedhjet konfirmuan edhe një herë atë që kanë treguar pothuajse të gjitha sondazhet, shqiptarët e refuzojnë Berishën shumë më fort se Ramën. Pikërisht për këtë arësye e gjithë fushata elektorale e Ramës u fokusua tek bufi i kënetës.

Zgjedhjet treguan gjithashtu se një pjesë gjithnjë e më e madhe e votuesve po kërkojnë një alternativë përtej binomit PD-PS. Numri i vogël i mandateve që fituan partitë e vogla fsheh realitetin e një elektorati të konsiderueshëm vota e të cilit penalizohet.

Partitë e vogla morën rreth 190 mijë vota (duke përfshirë edhe partinë e Tom Doshit). Pra rreth 13% e elektoratit votoi jashtë binomit PS-PD. Fatkeqësisht sistemi ynë elektoral penalizon partitë e vogla dhe favorizon dy partitë e mëdha, sepse kështu e ka ndërtuar Rama dhe Berisha. Ndaj nuk është cudi që votuesi heziton të votojë partitë e vogla.

Ama nëse do kishim një sistem proporcional si në Kosovë, vota e PS-së prej 52% do përkthehej në 73 vende në parlament dhe jo në 83. Vota e PD-së prej 34% do përkthehej në rreth 47 deputet dhe jo 50. Ndërkohë vota prej 13% e partive të vogla do përkthehej në afërsisht 18 mandate dhe jo në më pak se 10 me sistemin aktual.

Ndaj dështimi i supozuar i partive të vogla nuk është produkt i budallepsjes së elektoratit nga Rama por i sistemit elektoral që Rama dhe Berisha kanë ndërtuar së bashku për të ruajtur bipolaritetin PS-PD që i riciklon të dy për aq kohë sa janë gjallë. Është ky sistem elektoral që do vazhdojë ta mbajë PD-në forcë të dytë sepse kjo i duhet jo vetëm Berishës por edhe Ramës. Në fund të fundit mrekullia elektorale e Ramës ka një emër, berishizmi.

Artikull i Blendi Kajsiu shkruar enkas për Lapsi.al

Pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, SPAK përfundon hetimet për Suel Çelën, Talo Çelën, Florenc Çapian, Ervis Martinajn dhe 7 të pandehur të tjerë! Ja atentatet ku akuzohet se janë përfshirë

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Suel Çelën, Talo Çelën, Florenc Çapian, Ervis Martinajn dhe 7 të pandehur të tjerë të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

 

SPAK akuzon 11 të pandehurit se kanë bashkëvepruar në formën e veçantë të bashkëpunimit në Grup të Strukturuar Kriminal, ku dyshohet se janë të përfshirë në atentate mafioze, tentativë vrasje, sigurim kushtesh për të kryer ekzekutime dhe vjedhje.

Ndaj Suel Çelës alias Marjus Lulaj, është ngritur akuza për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur më 18 Janar 2022, rreth orës 09:40, në rrugën “Hiqmet Buzi”, pranë Liqenit Artificial (Tiranë).

Gjithashtu ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe atë të “Sigurimit të mjeteve dhe kushteve”, për të vrarë shtetasin, Kastriot (Elton) Kilen, ngjarje e ndodhur më datë 29 mars 2022 në Elbasan.

I pandehuri Talo Çela akuzohet për “Vrasjen me paramendim” të Fatmira (Habili) Dedaj, krim i ndodhur më 14 shtator 2013, rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, në garazhin e një pallati në Durrës dhe veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”, atë të “Vrasjes me paramendim”, (e mbetur në tentativë) të Arben Islam Çetës, më 14.11.2013, rreth orës 22:00, në shesh-parkimin e bar-restorant ‘Balla’, në Labinot- Fushë (Elbasan) dhe veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Gjithashtu akuzohet për vrasjen në rrethana cilësuese të shtetasit, Andi Zylyfi dhe plagosjen e Ardit Uruçit, më datë 13.12.2019, në orën 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan dhe veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Florenc Çapia akuzohet për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit, Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan.

Ndërsa i pandehuri Ervis Martinaj për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale”, për të kryer vrasjen e shtetasit, Indrit Dokle, në muajt Prill-Maj të vitit 2022, në Tiranë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet lidhur me procedimin penal nr.75/7 të vitit 2022 dhe paraqiti kërkesën për gjykim ndaj të pandehurve;

Suel Çela (Marjus Lulaj), Talo Çela, Eljo Bitri, Festim Qoli, Agron (Kamber) Mehja, Abedin Mama, Aleks Çela,  Florenc Çapia, Ervis Martinaj, Alket Xhixha dhe Elvin Merlika – të cilët përmes bashkëveprimit në formën e veçantë të bashkëpunimit në ‘Grup të Strukturuar Kriminal’*, kryen veprat penale të rradhitura më poshtë :

  1. I pandehuri Suel Çela (Marjus Lulaj) – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, e mbetur në tentativë ndaj shtetasit, Lulzim Masha, më datë 18.01.2022, rreth orës 09:40, në rrugën “Hiqmet Buzi”, pranë Liqenit Artificial (Tiranë) dhe veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe atë të “Sigurimit të mjeteve dhe kushteve”, për të vrarë shtetasin, Kastriot (Elton) Kilen, më datë 29.03.2022, në Elbasan.
  1. I pandehuri Talo Çela – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të Fatmira (Habili) Dedaj, më datë 14.09.2013, rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, në garazhin e një pallati në Durrës dhe veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”, atë të “Vrasjes me paramendim”, (e mbetur në tentativë) të Arben Islam Çetës, më 14.11.2013, rreth orës 22:00, në shesh-parkimin e bar-restorant ‘Balla’, në Labinot- Fushë (Elbasan) dhe veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
    • Vrasjen në rrethana cilësuese të shtetasit, Andi Zylyfi dhe plagosjen e Ardit Uruçit, më datë 13.12.2019, në orën 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan dhe veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
    • Vjedhjen me dhunë të banesës së shtetasit, Hamit Haxhiu, më datë 11 Shkurt 2013, rreth orës 04:45, në lagjen popullore (Shijak);
    • Vjedhjen me armë të pasurisë së shtetasit, Xhemali Liçi, më datë 19.12.2012, në lagjen ‘Kala’, të qytetit të Elbasanit dhe “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
    • Vjedhjen me dhunë të pasurisë së shtetasit, Lirak Bajraktari, më datë 22.02.2011 rreth orës 08:00, në Elbasan;
    • Vjedhjen me dhunë të pasurisë së shtetasit, Skënder Rroshi, më datë 28.04.2011 në lagjen nr.4, Kavajë;
    • Vjedhjen me dhunë të pasurisë së shtetasit, Astrit Ademi, më datë 31.05.2013, rreth orës 15:10, në fshatin Marikaj (Vorë);
    • Vjedhjen me dhunë të banesës së shtetasit, Hamdi Sharka, më datë 04.2017, në fshatin Polizhan (Berat).
  1. I pandehuri Eljo Bitri – I akuzuar për veprën penale “Shkatërrimin me eksploziv të pronës”, (katit të parë të një ndërtesë të banuar) së shtetasit, Mustafa Subashi, më datë 29.01.2020 rreth orës 20:45, në afërsi të disko Colombo (sektori Teuta), Durrës si dhe për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
    • Vrasjen në rrethana cilësuese të shtetasve; Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, më datë 02.03.2020, ora 19:00, në lagjen 14, Durrës dhe veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
    • Vrasjen me paramendim të shtetasit, Emiljano Ramazani, më datë 20 Korrik 2020, në lagjen 28 Nëntori, Elbasan dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
    • Dhunën e ushtruar ndaj shtetases, Blerta Bengasi, ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2020, rreth orës 11:30, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë.
    • Vjedhjen me dhunë të banesës së shtetasit, Hamdi Sharka, më datë 04.2017 në fshatin Polizhan (Berat) si edhe “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan.
  1. I pandehuri Festim Qoli – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të Fatmira (Habili) Dedaj, më datë 14.09.2013, rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, në Durrës, në garazhin e një pallati dhe për veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”.
    • Vrasjen me paramendim të shtetasit, Elvis Dedaj, më datë 05.06.2012, në orën 17:58, në lagjen nr.13, Durrës, tek hyrja e Restorantit ‘Xhenova’ dhe atë të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,
    • Dhunën e ushtruar ndaj shtetases, Blerta Bengasi, më datë 30.01.2020 rreth orës 11:30, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë.
    • “Shkatërrimin me eksploziv të pronës” së shtetasit, Mustafa Subashi më datë 29.01.2020, rreth orës 20:45, kati i parë i një ndërtese të banuar në afërsi të disko Colombo (sektori Teuta), Durrës dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
  1. I pandehuri Agron (Kamber) Mehja – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” (e mbetur në tentativë) të shtetasit, Arben Islam Çeta, më 14.11.2013 rreth orës 22:00, në shesh- parkimin e bar restorant ‘Balla’, në Labinot- Fushë (Elbasan) si dhe “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
  1. I pandehuri Abedin Mama – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasit, Andi Zylyfi dhe plagosjen e shtetasit, Ardit Uruçi, më datë 13.12.2019, rreth orës 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
  1. I pandehuri Aleks Çela – I akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” (e mbetur në tentativë) të shtetasit, Arben Islam Çeta, më 14.11.2013 rreth orës 22:00, në shesh-parkimin e bar restorant ‘Balla’, në Labinot- Fushë (Elbasan) dhe “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
  1. I pandehuri Florenc Çapia – I akuzuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit, Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan.
  1. I pandehuri Ervis Martinaj – I akuzuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale”, për të kryer vrasjen e shtetasit, Indrit Dokle, në muajt Prill-Maj të vitit 2022, në Tiranë.
  1. I pandehuri, Alket Xhixha – I akuzuar për veprën penale të  “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale”, për të kryer vrasjen e  Indrit Dokles, në muajt Prill-Maj të vitit 2022, në Tiranë.
  1. I pandehuri Elvin Merlika – I akuzuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale”, për të kryer vrasjen e Indrit Dokles, në muajt Prill-Maj të vitit 2022, në Tiranë.

Në kuadër të këtij procedimi penal vijon kryerja e hetimeve për të dokumentuar aktivitetin bashkëpunues të personave të tjerë të përfshirë në këto ngjarje kriminale dhe të tjerave të identifikuara kohët e fundit.

Mirela Karabina: Elbasani, nga Kala e qëndresës në qytet i plehrave të korrupsionit të Edi Ramës.

Nga Mirela Karabina
Muret e Kalasë së Elbasanit, dikur simbol i qëndresës dhe mbrojtjes së qytetit, sot rrethojnë një qytet të mbytur nga plehrat e korrupsionit.
Nga një fortesë e krenarisë qytetare, Elbasani është shndërruar në një kala e turpit të plehrave të korrupsionit, nën qeverisjen e një pushteti që ka tradhëtuar qytetarët.
Realiteti i qytetarëve në antitezë me atë të pushtetarëve!
Nën një klimë të hapur shantazhi e dhune institucionale Edi Rama rrëmbeu 10 deputetë si vulë e turpit pikërisht nga qyteti që po vdes ngadalë: mbetjet e korrupsionit që digjen e mbysin qytetarët; mbetjet mafioze të metalurgjikut; ikja masive e të rinjve nga sytë këmbët sepse qeveria i ka treguar rrugët; papunësi e lartë dhe një qytet ku qytetarët janë lënë në mëshirë të varfërisë dhe braktisjes.
Fuqia e pushtetit të korruptuar të Ramës dhe pazaret me një pjesë të opozitës, Berishën dhe të tjerë, e kanë “varrosur” të gjallë qytetin.
Fatkeqësi e madhe!

E djathta dhe e majta, një dallim që na duhet sidomos sot në mes të kësaj krize

Nga Fitim Zekthi

E majta, të majtët, komunistët, fashistët kurrë nuk kanë pasur kufizim në ndjekje të interesave të pushtetit, në ndjekje të qëllimeve të tyre politike. Ata kurrë nuk kanë pasur mëshirë apo dhembshuri, fisnikëri apo maturi. Historia e ka treguar, e tregon edhe sot, se si jo vetëm gjuha fyese, sharjet, kërcënimet, shpifjet, vulgariteti janë instrument i saj, por edhe se si jetët e njerëzve nuk kanë asfare vlerë përballë ndjekjes së pushtetit. Për ta pushteti është e shenjta e vetme. Edhe një mendimtar shumë i madh, një historian me peshë shumë të madhe i të majtës si Eric Hobsbaum arriti deri aty sa të thotë se në qoftë se do të realizohej komunizmi ia vlente të vriteshin edhe 100 milionë njerëz. Edhe një filozof shumë i rëndësishëm si Jean Paul Sartre i cili shkoi në Bashkimin Sovjetik dhe e pa vetë tmerrin e komunizmit kur u kthye në Francë e mohoi atë që pa dhe tha se komunizmi atje po ecte shumë mirë, se ai ishte një vend i begatë. Është në natyrën dhe në mënyrën se si e kupton njeriun dhe pushtetin e majta, komunistja, fashistja, kjo lloj sjelljeje. Per te majten ka njerez te pagabueshem, ka lidere te medhenj qe nuk gabojne kurre, madje vete populli, vullneti i pergjithshem eshte i pagabueshem. Per te majten disa njerez, armiqte e progresit, nuk kane dinjitet dhe respekt, duhen deri asgjesuar.
E djathta, konservatorja është, bash e kundërta. Për këtë gjë ajo ekziston, për këtë gjë ajo ka lindur si ide dhe si lëvizje politike që në krye të herës. Të djathtët besojnë se njeriu është një qenie e rrëzueshme, që bie në gjynah dhe gabim dhe që është i ngarkuar me ambicie, pasione dhe egoizëm. Të djathtët besojnë se njerëzit mund të bëhen diktatorë kryeneçë kur ata veprojnë në vende apo hapësira që nuk ka ndëshkim.
Të djathtët besojnë se qeniet e dobëta dhe të fundme gabojnë shpesh. Të djathtët besojnë se qëndrimet dhe bindjet e njerëzve janë shpesh justifikime të trurit për të mbrojtur dëshirat dhe prirjet irracionale. Kjo nuk e bën të vërtetën relative por kjo duhet të na shtyjë drejt vetë shqyrtimeve të thella dhe drejt dyshimeve të forta për çdo formë fanatizmi. Për të djathtët kushdo ka nevojë të mësojë dhe dija është diçka e thërrmuar dhe e përhapur në gjithë përvojën njerëzore. Njerëzit thjesht e mbledhin atë përmes të dëgjuarit dhe të komunikuarit. Për të djathtët shoqëria e drejtë është diçka që varet vetëm nga përpjekja morale e këtyre krijesave të dobëta dhe të fundme të cilat e trajtojnë, dhe duhet patjetër, njëri-tjetrin me respekt dhe me fisnikëri. Virtyte të tilla shpesh gjenden të rrënjosura në besimin në Zot dhe janë këto virtyte që i bëjnë familjet dhe komunitetet të jenë hapësira ku rritet qytetari i lirë. Për të djathtët respekti për krijesat më të larta të Zotit, siç është njeriu, respekti për dinjitetin e kujtdo është detyrim. Për të djathtën çdo qenie ka dinjitet, cilido qoftë ai, madje një arsye themelore për politikën është fakti se çdo jetë ka vlerë të barabartë (duke nisur nga më i dobëti) dhe çdo person ka dinjitetin e tij.

SPAK sekuestron celularin e kryebashkiakut të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar celularin e kryebashkiakut socialist të Vaut te Dejes, Kristian Shkreli.

 

Gazetarja Klodiana Lala raporton se vendimi u mor në kuadër të një hetimi që SPAK po zhvillon për korrupsion zgjedhor të subjektit politik të Partisë Socialdemokrate.

Po me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, janë sekuestruar edhe celularët e disa mbështetëse të PDS-së, pasi ka dyshime se janë përfshirë në shit-blerjen e votës në Qarkun Shkodër, ku partia e Tom Doshit ka marrë 2 mandate.

Sekuestrimi i celularit Kristian Shkrelit vjen katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare ku në Vaun e Dejës, PSD-ja doli forcë e parë.

Kryebashkiaku i PS-së ishte në shënjestër të kritikave të kryeministrit Edi Rama, ku gjatë një takimi që ky i fundit zhvilloi në Shkodër, në përmbyllje të fushatës elektorale ku iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj më dy porta Kristian”.

Gjatë ditën së djeshme (14 Maj) SPAK dhe BKH, në bashkëpunim me policinë e shtetit kanë ushtruar kontrolle përveç Qarkut Shkodër, edhe në disa qarqe të tjera, lidhur me hetimet që po kryhen për krim zgjedhor.