Vorbulla e polemikave të post Partizani-Skënderbeu për gjykimin, policinë, tifozët e ndeshjen eklipsoi një detaj që tani merr një rëndësi të veçantë. Ajo përplasje me Torasën i ka kushtuar jo pak Kristi Vangjelit. Mbrojtësi korçar shpjegon pasojat që i ka lënë ai kontrast që e ka detyruar të niset drejt Selanikut ku ndodhet aktualisht në një nga klinikat më të mira aty për vizita të specializuara mjekësore.
“Gjatë përplasjes me Torasën, me gjurin e tij më ka shkaktuar një çarje jo dhe aq të madhe në pjesën e ballit, por problemi më i madh është se pjesa mbrapa kokës në qafë është tronditur jashtë mase, këto dy-tre ditë kam pasur dhembje të tmerrshme dhe për këtë arsye jam nisur drejt Selanikut për të mësuar diçka më shumë”, u shpreh Vangjeli.
Në Selanik i kanë dhënë të njëjtën diagnozë si në Tiranë, një shembje në pjesën e majtë të qafës që do ta lërë Vangjelin të paktën 10 ditë jashtë fushe. “Shembja e qafës në krahun e majtë është një problem i madh që shkakton dhembje dhe brenda javës apo 10 ditë nuk duhet të nxitohem të bëj stërvitje apo të vrapoj, duhet ta kuroj me terapi që të kem shërim të shpejtë, pasi nëse nuk bëj terapinë e duhur mund të më shkaktojë probleme në ndeshjen e ardhshme nga ndonjë goditje në kokë”, tha ai. Momentalisht nuk mund të jepet një kohë e saktë mbi afatet e rikuperimit pasi gjithçka varet nga evolimi i situatës, megjithëse Kristi shpreson të kthehet para 3 javëve në dispozicion të Skënderbeut.
Torasa e lë me pasoja, Skënderbeu pa Vangjelin
Cikalleshi, në minimumin historik
Një vit më parë në këtë periudhë, ai ishte sulmuesi i momentit në kombëtaren shqiptare dhe shkëlqente sa herë zbriste në fushë me skuadrën e tij Istanbul Basaksehir. Por sa shumë gjëra kanë ndryshuar në këto 12 muaj për Sokol Cikalleshin. Nga alternativa e parë në zgjedhjet e De Biasit për sulmin, 26-vjeçari kavajas ka humbur terren duke u parakaluar në hierarkinë e trajnerit nga Sadiku e Balaj. Por më shumë sesa në kombëtare periudhën më të keqe Cikalleshi po e kalon te klubi i tij Istanbul Basaksehir. Sezonin e kaluar ish-lojtari i Kukësit dhe Rnk Splitit realizoi në total 13 gola me skuadrën e tij aktuale mes Superligës turke dhe Kupës së Turqisë.
Ndryshe nga një vit më parë këtë sezon gjithçka po i shkon ters bomberit të kombëtares kuqezi. Trajneri Abdullah Avci ka humbur besimin te 26-vjeçari dhe e ka aktivizuar në vetëm 2 ndeshje Cikalleshin në këtë sezon të kampionatit turk për një total prej vetëm 64 minutash. Në mungesë të sulmuesit tjetër Batdal, Cikalleshi humbi shumë pikë në sytë e trajnerit të Istanbulit, Abdullah Avci gjatë muajit gusht kur ky i fundit e aktivizoi në sfidën e turit të tretë ndaj Rijekës dhe në 2 takimet play off ndaj Shakthar Donetsk bomberin kavajas. Në ato 3 sfida Cikalleshi jo vetëm që nuk spikati me formën e tij, por në ndeshjen e parë ndaj Shaktahar-it shënoi një autogol. Dhe që nga ajo periudhë trajneri Avci e ka aktivizuar për fare pak minuta 26-vjeçarin, i cili papritur është kthyer në një lojtar që ngroh stolin te Istanbul Basaksehir.
Momenti jo i miri Cikalleshit nisi që në muajin maj kur lojtari në përgatitjet me Shqipërinë për Europianin Francë 2016-të, humbi vendin në formacionin titullar të kombëtares kuqezi me Giani de Biasin që i besoi Armando Sadikut, i cili ishte në një formë të shkëlqyer. Vetëm pak minuta për Cikalleshin në sfidën e parë ndaj Zvicrës në Lens dhe asnjë mundësi tjetër në Euro 2016-të. Edhe në eliminatoret e Botërorit 2018, Cikalleshi është aktivizuar në total vetëm 21 minuta me Shqipërinë në 3 sfidat e para, pikërisht në duelin e Vaduzit ndaj Lihtenshtejnit.
Minimumi historik në karrierën e 26-vjeçarit në nivel klubesh, përbën njëkohësisht një problem edhe për kombëtaren shqiptare që ka nevojë për Cikalleshin e dikurshëm, atë që krijonte volum, bënte repart i vetëm e shënonte. Tani i duhet të shfrytëzojë çdo shans, çdo minutë të vetme për t’i bindur të gjithë se klasi nuk bëhet ujë, ku i dihet, ndoshta që nga ndeshja me Izraelin.
BERZH: Shqipëria, vendi që takson më pak të pasurit
Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksimit të të pasurve në mesin e 35 vendeve në tranzicion. Konkluzioni ka dalë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Raportin e Tranzicionit 2016-2017, publikuar dje.
Për të parë këto diferenca, BERZH ka analizuar se si tatohet prona dhe trashëgimia e të pasurve në vendet në tranzicion. Në këtë renditje, shihet se Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksimit të pronave, më pak se 0,4% të PBB, duke lënë pas vetëm Mongolinë, ndër 35 vende, shumica e të cilave nuk janë në kontinentin europian.
Taksat mbi transaksionet e pasurisë janë më të lehta për t’u zbatuar. Historikisht, taksat mbi pasurinë (përfshirë tatimin në prona dhe taksat mbi trashëgiminë) përdoren për të gjeneruar sasi të konsiderueshme në të ardhurat publike, por roli i tyre është zvogëluar gradualisht. Aktualisht, në vendet e OECD, ato gjenerojnë të ardhura mesatare vjetore vetëm 2% të PBB-së.
Në vendet në tranzicion me të ardhura mesatare, taksat e pronës dhe taksat e tjera mbi pasurinë mblidhen në vetëm 0.8% të PBB-së.
Përqendrimi i fortë i pasurisë është një sinjal ndaj institucioneve ekonomike dhe politike, të cilat duhet të kufizojnë aftësinë e elitës për të shmangur pagesat e taksave mbi pronat dhe trashëgiminë, sipas BERZH.
Një numër politikash mund të ndiqen për të kufizuar përqendrimin e pasurisë, sugjeron BERZH. Tatimi i pasurive (një përqindje e konsiderueshme e të cilave tenton të mbahet në asete të palëvizshme) mund të jetë një metodë efektive për rishpërndarjen fiskale dhe një mjet efikas për rritjen e të ardhurave publike, të cilat më pas të mund të rishpërndahen në shtresat më të varfra.
Në drejtim të administrimit të taksave mbi të pasurit, BERZH thotë se tatimi mbi trashëgiminë mund të jetë më i vështirë për t’u administruar, pasi këto lloj pasurish kanë tendencë të zhvendosen në parajsat fiskale.
Tatimi i pasurisë përballet me sfida të ngjashme. Në mënyrë që të rritet efektiviteti, duhen regjistra gjithpërfshirës dhe të përditësuar rregullisht për të parandaluar përqendrimin e tepërt të pasurisë në duart e elitave ekonomike.
Për më tepër, iniciativa e ardhshme të privatizimit, sugjeron BERZH, duhet të nxjerrë mësime nga vitet e hershme të procesit të tranzicionit, me qëllim që të aplikohen procedura transparente dhe plotësisht konkurruese.
Është thelbësore që të aplikohen standarde të larta të qeverisjes dhe transparencës, si dhe forcimin e konkurrencës dhe për të siguruar zbatimin konsekuent të ligjeve të konkurrencës, referon BERZH.
Edhe pse nuk ka një studim se numri i madh i bizneseve të vogla në ekonomi ka lidhje me nivelin e ulët të pabarazisë, mungesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mund të jetë simptoma e një mjedisi të dobët biznesi dhe përqendrimi të lartë të pasurisë.
Trajtimi i pabarazisë kërkon një kombinim të politikave të taksave dhe shpenzimeve publike. Ofrimi i arsimit publik me cilësi të lartë dhe kosto të lirë, shërbimeve sociale dhe shëndetësore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e pabarazisë.
Masat e drejtpërdrejta fiskale që synojnë rishpërndarjen e të ardhurave (të tilla si taksa progresive, taksat mbi të ardhurat dhe transfertat monetare) ndikojnë në rishpërndarjen e të ardhurave.
Në të kundërt, shpenzimet fiskale, të përqendruara kryesisht në infrastrukturë, administratë publike dhe mbrojtje mund të përkeqësojnë në vend që të zbusin pabarazinë në të ardhura. Rritja e taksave të konsumit mund të ndikojë negativisht, pasi ato i paguajnë njësoj edhe të varfrit.
OKB: 46% e familjeve jetojnë me 500 lekë në ditë
Jorida TABAKU
A nuk pretendon Kryeministri Rama se ka punësuar deri më tani 170 mijë shqiptarë dhe kështu pasqyron një shifër të Anketës së Punës? Por, fatmirësisht ekonomia është një shkencë, e cila të mundëson të vërtetosh nëse të dhënat që ofrohen janë të sakta apo shpikje e qeverive. Pra, të shohim sot nëse Rama kur flet për 170 mijë të punësuar, nga të dhënat e Anketës së Punës raportohet se në sektorin e bujqësisë kemi një rritje me 29 mijë të punësuar në dy vjet.
Një shifër e pabesueshme kur jo më larg se disa javë më parë INSTAT raportoi se vlera e shtuar e bujqësisë është për të pestin tremujor në radhë me kurbë rënëse, ku rënia më e fundit ishte me 1.48%. Se si mundet që një sektor, i cili nuk prodhon rritje ekonomike dhe për rrjedhojë as punësim, të na rezultojë me 29 mijë të punësuar, vetëm magjistarët e propagandës e dinë?
Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të hapur një biznes të ri sepse taksat janë më të lartat në rajon. Një biznesi i duhet të paguajë 36.5% të fitimeve në formën e taksave, një punëdhënësi i duhet të paguajë normën më të lartë të sigurimeve shoqërore në rajon për punëmarrësin. Ky i fundit jo vetëm që nuk merr një pension të denjë në fund të punës së tij, por edhe shërbimet mjekësore nuk mundet t’i sigurojë!
Shqiptarët janë sot janë vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë jo vetëm krahasuar me vendet e BE, por edhe me rajonin, 30% më të ulëta se vendet e BE. Nga të dhënat e EUROSTAT vërehet që ne nuk kemi bërë hapa përpara për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndërkohë që qeveria krekoset për gjoja arritjet e saj ekonomike. Raporti i BB-së flet për 46% të familjeve të këtij vendi që jetojnë me një vlerë të turpshme prej 500 lekësh në ditë.
Janë mbi 80 mijë shqiptarë që kanë emigruar në këto tre vjet, më shumë se sa çdo vit tjetër, në një eksod po aq të frikshëm sa në fillim të viteve 1990. Akoma më të frikshme janë këto shifra ku 70% e të emigruarve janë të rinj që nuk shohin shpresë në këtë vend që rilindja po përgatitet ta shpallë të rilindur tani pranë zgjedhjeve.
Kanë rritur taksat me 440 milionë USD
Dje dëgjoja teksa krekoseshin si kaposhi majë plehut se, FMN kish thënë që në janar do të shohim në qoftë se i miratojnë ndryshimet e propozuara. Dje dëgjoja që kënaqeshin se nuk kanë qenë të aftë të shpenzojnë. Dje kënaqeshin se kanë rritur taksat me 440 milionë USD, se kanë rritur informalitetin në nivelin më të lartë të mundshëm e kanë ulur eficencën e mbledhjes së të ardhurave në nivele historike. 23,8% e PBB! A duhet të krenohemi se jemi të paaftë të investojmë? Se jemi të paaftë të mbledhim taksa? A duhet të krenohemi me këtë?!
A ka ndonjë shpresë të krenohemi sepse morët borxh për të shlyer detyrimet e prapambetura, të famshmin borxhin e fshehur, ndërkohë që edhe pas këtij borxhi detyrimet janë të larta sipas FMN? Pretendoni se FMN ka rënë dakord me rritjen e pagave, ndërkohë që FMN ka kushtëzuar sërishmi mosrritjen e shpenzimeve?
Kjo është aftësia juaj për të prodhuar ekonomi të qëndrueshme, megjithëse keni hyrë në vitin e katërt, ende nuk keni mundur të prodhoni një model ekonomik për të çuar vendin përpara, të paktën një hap më përpara se çfarë e morët.
A mund të ketë shpresë ende në këtë situatë ku përballë është një qeveri që infekton çdo qelizë të shoqërisë? Po!
Ka shpresë ende dhe këtë shpresë e kam parë në sytë e maturantëve në takimet në zonën time elektorale, e kam parë në sytë e prindërve të tyre, të cilët besojnë dhe luftojnë për të ndërtuar të ardhmen.
Ka shpresë në sytë e shqiptarëve që dolën për të protestuar kundër maskaradës qeveritare, ndërkohë që terri informativ nuk mundi dot të shuante tingujt e asaj proteste.
Ka shpresë në sytë e qytetarëve, të cilët e kanë kuptuar se rilindja nuk është vetëm se një paketim hashashi që ofron trullosje dhe jo shëndetësi falas, që ofron privim dhe jo arsim të lartë, që prodhon emigrim dhe jo rigjallërim ekonomik.
E kanë kuptuar se oferta që Kryeministri i bëri më 2013 ishte një paketë që pasuronte njerëzit pranë tij duke ua vështirësuar jetën qytetarëve.
Kështu rilindja e armatës së Brankoleones, ka mundësuar shpartallimin jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë, për të cilin do të ndëshkohet në më pak se një vit nga sot! Gjithsesi ajo që më habit sot e kësaj dite është heshtja e një pjese të madhe nga kjo mazhorancë sa i takon reformës në arsim, të atyre që dikur në opozitë me patos flisnin për mjerimin e arsimit, ndërsa sot janë zhdukur nga qarkullimi. Uroj që kurrë mos të jem në vendin tuaj!
Marrëveshja me FMN është me kusht
Kjo qeveri çdo gjë e ka me kusht. Dhe marrëveshjen me FMN e keni me kusht. Dhe negociatat i keni me kusht. Unë nuk e di se si mund të krenohet një qeveri që ka rritur borxhin nga 61% në 72%.
Çfarë tha FMN dje, tha që meqenëse nuk i keni rritur pagat në 3 vite keni të drejtë t’i indeksoni se, paga reale për herë të parë ka qenë me rënie mbas 15 vitesh. Dhe që fondi total i pagave nuk do të ndryshojë, nuk ka rritje.
A mund të krenohet një qeveri se është e paaftë të shpenzojë? A mund të krenohet se më 2016 ka shpenzuar 58% të investimeve publike? A ka paaftësi më të madhe?
Mashtrimi me maturantët
Dy javë më parë, Kryeministri Rama, iu drejtua të rinjve që prisnin me ankth se të gjithë do të ishin të regjistruar në fakultetet që dëshironin dhe që meritonin. Citoj “Kuotat e vëna në dispozicion nga universitetet publike do të jenë deri në fund në dispozicion dhe do të plotësohen, me përjashtim të atyre rasteve kur vetë maturantët do të refuzojnë”.
Sot (dje) më datë 3 nëntor, shumë degë me rëndësi që gjithnjë kanë qenë të kërkuara dhe të synuara rrezikojnë të mbeten pa studentë, në mos kanë mbetur pa të tillë. Jam shumë e bindur që degët si arkitektura, por edhe urbanistika nuk janë degë që nuk kërkohen nga të rinjtë e vendit. Sikundër edhe matematika bashkë me inxhinierinë mekanike, të cilët kanë mbetur të boshatisura jo sepse studentët kanë zgjedhur, por sepse shteti ka zgjedhur për studentët.
E gjithë kjo mrekulli nuk erdhi rastësisht edhe as me habi për shumicën prej nesh këtu, duke qenë se strumbullari i gjithë këtij kaosi me regjistrimet lidhet me udhëzimin e famshëm të datës 13, që njësoj si pëlhura e Penelopës bëhej ditën për t’u zhbërë natën dhe për t’u ribërë të nesërmen ndryshe. Për rrjedhojë, udhëzimi dhe shkruesit e tij luanin kungulleshkash me datën e fundit të regjistrimit.
Ndërkohë që maturantët, njësoj si çdokush që nuk pëlqen të bjerë në gënjeshtrat tuaja, kuptuan se rruga e vetme që qeveria kish lënë të hapur qe regjistrimi. Prandaj ato shkuan, për t’u regjistruar në universitetet private sepse edhe sistemi elektronik për të cilin Kryeministri foli me sa e sa elozhe (si një tjetër arritje e rilindjes) jo vetëm prodhoi një gafë logjike; por gjithashtu i sugjeronte që nëse nuk regjistroheshin këtë fazë nuk u jepej mundësia për t’u regjistruar në fazën e dytë.
Më praktikisht, nëse një maturant do të dëshironte të regjistrohej për arkitekturë në Universitetin e Inxhinierisë si një alternativë për fazën e dytë, nuk do t’i jepej mundësia sepse ai ose ajo duhet të regjistrohej në fazën e parë për të përfunduar natyrisht në një universitet privat. Tani, këtë lloj formati regjistrimi Kryeministri dhe ministrja e Arsimit e konsideron si zgjedhje e studentit megjithëse kjo qartësisht nuk është e tillë.
Kryeministri i vendit u shpreh përpara dy javësh “Mos u nxitoni… sepse vetëm pas pak ditësh do të shikoni se çfarë ndryshimi thelbësor është garantuar në gjithë këtë proces” dhe ka pasur shumë të drejtë sepse të nderuar kolegë në Fakultetin Ekonomik, që edhe një pjesë e mazhorancës ka studiuar dhe ka dhënë mësim, dega e ekonomiksit (që do të merrej nesër me politikat makro të vendit fjala vjen) do të funksionojë me 30% të kapacitetit. Të gjithë këto studentë kanë shkuar të regjistrohen në degët e universiteteve private për një pagesë më të lartë dhe mbi të gjitha duke rrëzuar edhe pretendimin qeveritar se reforma në arsimin e lartë do të mbyllte degët e panevojshme.
Sot, pasi ka filluar viti i ri akademik dhe pasi udhëzimi i ministres së Arsimit ka pësuar ndryshimin e disatë, vërtetohet dhe pohohet tanimë edhe nga dekanët e universiteteve se kuotat në universitetet publike kanë mbetur të paplotësuara apo të plotësuara me studentë me mesatare të ulët. Duke vërtetuar edhe një herë sistemin e suksesshëm të shkatërrimit të arsimit të lartë dhe copëtimit të shoqërisë nga politikat vizionare të Kryeministrit Rama, i cili, ndërsa ligjëronte këtu në mbrojtje të proçkës që ka bërë bashkë me ministren e Arsimit shprehej: “Sot e gjithë lista e studentëve në çdo auditor është krijuar në bazë të rezultateve” dhe ka shumë të drejtë, aq më tepër kur pretendon se në universitetet publike do të ketë studentë me cilësi më të mirë se sa vite më parë. Megjithëse, sipas të dhënave nga universitetet publike, thuhet se studentë me mesatare tepër të ulët janë regjistruar në degët e preferuara në këto universitete përpara atyre me mesatare të lartë.
Ky pra, ishte sistemi i suksesit që instaloi kjo qeveri, që përballë të vërtetës ka rrugëdalje shpifjen, ofendimin dhe manipulimin e argumenteve.
Sot, nuk u ka mbetur asnjë thërrime nga shkëlqimi i premtimeve të dikurshme, thjesht dhe vetëm ofendimi për këdo që guxon e flet. Prandaj sot si përgjigje jam e sigurtë, që do të marr baltosjen e vazhdueshme, mbushur me të pavërtetat edhe gënjeshtrat, Siç edhe ka kohë që ndodh në replikat tuaja. Besoj ju kujtohet si u shpreh përpara shqiptarëve, ngelëse është opozita. Po sot që edhe rektorët edhe dekanët po e thonë që sistemi është i padrejtë kush është ngelës në klasë, opozita që ju paralajmëroi apo kjo qeveri? E kush të paaftët më të mëdhenj që ka njohur ky shtet prej 25 vitesh, kudo ku kanë performuar!
Kur ke një qeveri që nuk punon, por prodhon vetëm sulme verbale, një qeveri që nuk krijon reforma për të nxjerrë vendin nga kjo gjendje e kupton se përse të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga ky vend: sot Shqipërisë i mungon mobiliteti social sepse qeveria u jep të rinjve në rrethe hashash për të mbjellë në vend të punës. Në këtë vend po bëhet gjithnjë e më e vështirë të punësohesh nëse nuk je militant partie dhe nëse nuk komenton në faqen e Shefit. Të dhënat e punësimit tregojnë tragjedinë e madhe, dëshmojnë se nuk ka aspak rritje të punësimit.
Borxhet e qeverisë ndaj bizneseve 23 miliardë lekë
Me gjithë shtrëngimin e procedurave për pagesat buxhetore në favor të kontraktorëve për punime publike, qeveria shqiptare nuk i ka shpëtuar akumulimit të detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi. Rritja e tyre do të kushtëzojë bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vijim, siç u deklarua dhe në konferencën e fundit për shtyp të Ministrisë së Financave dhe FMN-së.
Shuma e re e detyrimeve të pashlyera të qeverisë ndaj të tretëve ka arritur në 2.3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e Ministrisë së Financave.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 908.8 milionë lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe aparati i MTI.
Aparati i MTI ka detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 132.6 milionë lekë për rimbursimin e TVSH-së dhe taksës doganore për projektin “Rehabilitimi i kalatës së Portit të Vlorës”, në programin “Transporti detar”. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), detyrime të krijuara rishtaz në vlerën 605.6 milionë lekë për:
– Kontrata, studime, projektime dhe oponencë, në vlerën 38.9 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.
– Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 329.7 milionë lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
Sipas informacionit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, konstatohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar–30 prill 2016, lindin si pasojë e tavanit të ulët buxhetor të këtij viti, i cili nuk mund të përballojë kontratat shumëvjeçare të angazhuara më parë.
Ujësjellës-Kanalizime, detyrime të krijuara rishtaz në vlerën 140 milionë lekë, që ka të bëjë me pagesat të rimbursimit të TVSH-së për projektet me financim të huaj për rrjedhojë, detyrimi i akumuluar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës shkon në vlerën 1 682 milionë lekë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 48.5 milionë lekë, nga të cilat 8.3 milionë lekë janë vendime gjyqësore dhe 40.2 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera për Universitetin “Aleksandër Moisiu”.
Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime në vlerën 112.8 milionë lekë, të ndara sipas institucioneve si më poshtë, ku kryeson Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me 93.7 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh, për të bërë të mundur financimin e këtyre detyrimeve brenda vitit buxhetor 2016.
Ministria e Shëndetësisë ka krijuar detyrimeve në vlerën 30.7 milionë lekë, që janë vendime gjyqësore në disa DSHP dhe spitale në rrethe.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, detyrimet e krijuara janë në vlerën 248.7 milionë lekë të lindura, si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Këto detyrime raportohen në vlerën rreth 2.6 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit dhe në vlerën rreth 246.1 milionë lekë në Aparatin e Ministrisë.
Ministria e Financave deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 3.9 milionë lekë, kryesisht vendimet gjyqësore për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Buxhetit i mungojnë 9 miliardë lekë
Në muajin shtator, qeveria i pat shkurtuar parashikimet për të ardhurat me rreth 4 miliardë lekë. Sipas kësaj ecurie, buxheti i vitit 2016 do të mbyllet me një mosrealizim gati 9 miliardë lekë në krahasim me parashikimin fillestar. Sipas draftit të Ministrisë së Financave, të ardhurat tatimore në vitin 2016, pritet të realizohen në nivelin 98,7%. Nga 375,8 miliardë lekë të programuara, pritet të arkëtohen 370,7 miliardë lekë. Për vitin 2016, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat”, priten të realizohen në masën 277.1 miliardë lekë nga 282.2 miliardë lekë të planifikuara ose 1.8% më pak se plani. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat (përfshirë kontributet), pritet të realizohen në masën 351.6 miliardë lekë nga 356.6 miliardë lekë të planifikuara, pra 1.4% më pak se plani. Të ardhurat nga Administrata Doganore pritet të realizohen në masën 150 miliardë lekë ose 3.3% më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga Administrata Tatimore pritet të realizohen në masën 127 miliardë lekë ose 0.04% më pak se plani. Së bashku me kontributet, administrata tatimore pritet të realizojë në nivelin 100% të ardhurat e programuara. Pjesën kryesore në mosrealizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pritet ta kenë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me realizim rreth 133 miliardë lekë, pra rreth 4.8 miliardë lekë ose 3.5% më pak se plani. Të ardhurat nga akciza dhe renta minerare pritet të mos realizohen në masën 3.4 miliardë lekë. Në analizën e kryer, lidhur me pritshmërinë e të ardhurave për vitin 2016, evidentohet se faktorët, të cilët kanë ndikuar në performancën e të ardhurave janë kryesisht faktorë të jashtëm. Ministria e Financave ka arsyetuar se çmimet e mallrave bazë në tregjet botërore kanë vijuar të mbeten të ulëta, ku ndër to, çmimi i naftës, sipas indeksit europian Brent, shënoi një rënie me 26% në terma vjetorë.
Lufta për Trepçën, EULEX-i në Kosovë mban anën e serbëve
“Ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet për nga kushtetueshmëria nga një gjyqtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Besnik Berisha, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Berisha ka thënë se i vetmi institucion kompetent për interpretimin e përshtatshmërisë së një ligji apo akti nënligjor është Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ligji për Trepçën është në përshtatshmëri të plotë kushtetuese dhe i njëjti nuk cenon asnjë të drejtë siç pretendohet në këtë komunikatë”, ka deklaruar Berisha.
Dhoma e Posaçme, ka shtuar ai, nuk ka autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe i nënshtrohet interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Prandaj pretendimi i një gjyqtari apo kushdo qofshin ata, mund të jetë një opinion personal që mund të shkaktojë një konfuzion, por asesi nuk mund të ndryshojë statusin e ligjit për Trepçën”, ka thënë Berisha.
Reagimi i tij ka pasuar një komunikatë të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ku thuhet se një gjyqtar i Supremes nga EULEX-i konstaton se ligji për Trepçën është antikushtetues.
Sipas këtij njoftimi thuhej se, deri te ky konstatim ai ka ardhur duke u mbështetur në arsyet, të cilat bazohen në të drejtat themelore që e garantojnë pronën.
“Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, ka arsyetuar ai konstatimin e dhënë.
Së dyti, sipas tij, “pas shpalljes, ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi dhe se ai i nxjerrë asetet e vlefshme nga Ndërmarrja Shoqërore, Trepça dhe i bart ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapokrijuar aksionere, nga të cilat 80 për qind e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20 për qind në pronësi private”.
Krejt në fund, ky gjykatës i EULEX-it thotë se shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privatë pa ndonjë arsyetim.
“Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”, vjen në përfundim ky gjykatës i EULEX-it.
Ligji për Trepçën është kontestuar edhe nga Lista Serbe, por Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar këtë ligj si Kushtetues.
Pas atij aktvendimi, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nënshkruar atë, kurse me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare konsiderohet se ka hyrë në fuqi.
Gjyqtari i EULEX nuk njeh ligjin për Trepçën
Një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, thotë se ligji për Trepçën është antikushtetues.
Ai ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejta themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës). “Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, thuhet në arsyetimin e tij, raporton Gazeta “Express”.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas shpalljes, ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi.
Mirëpo, një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, thotë se ligji për Trepçën është antikushtetues.
“Pas shpalljes, Ligji Nr. 05/L -120 për Trepçën ka hyrë në fuqi. Ligji i nxjerr asetet e vlefshme nga NSH Trepça dhe i bart ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapokrijuar aksionere, nga të cilat 80% e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20% në pronësi private. Aksionerët i marrin aksionet falas. Shoqëria aksionere as nuk i merr përsipër obligimet që i ngarkohen NSH-së Trepça e as nuk garanton për to”, thuhet në njoftimin e DHPGJS-së.
Më tej Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ka bërë të ditur se Trepça do të vazhdojë të përballet akoma me borxhin e saj.
“Në formën e mbetur, NSH-së Trepça i hiqen asetet e saj pak para se të skadojë moratoriumi dhe kreditorët do të mund të tentojnë likuidimin që të realizojnë paditë e tyre. Por NSH-ja do të vazhdojë të përballet akoma me tërë borxhin e saj”, thuhet më tej në njoftim.
DHPGJS-ja tutje ka treguar se paditësi në rastin C-II-14-0114 pranë DHPGJS-së, ka një padi kundër NSH-së Trepça.
“Ligji e zvogëlon vlerën e padisë së paditësit në zero pa e kompensuar atë. Një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, arrin në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejtave themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës): Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “vlera e padisë së tij ndaj Trepçës është reduktuar në zero, pasi Trepça ka mbetur pa burime, si dhe e mbingarkuar me borxhe. Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privatë pa ndonjë arsyetim. Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”.
Ethet e gazit
Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po nxitojnë që të përfshijnë në planet e tyre angazhimet në korridoret e gazit. Është Maqedonia, e cila po synon që të krijojë një lidhje me Greqinë, për të përdorur Trans Adriatik Pipeline për furnizimin nga Azerbajxhani. Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Macedonian Energy Resources Skopje”, në një intervistë ekskluzive për median azere online “Trend News”, tha se mes MER dhe DESFA u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi për ndërtimin e një linje interkonjeksioni 160 km, për të përfituar nga gazi azer.
Sipas Miladinov, ndërtimi i këtij interkonjeksioni do të bëjë të mundur furnizimin me sasi të konsiderueshme të gazit natyror nga disa burime të ndryshme si Rusia dhe Azerbajxhani, por edhe nga terminalet ekzistuese, si nga Revithoussa në Greqi.
Në lidhje me fazën e ndërtimit, Miladinov tha se projekti aktualisht është në fazën e përgatitjes së studimit për realizimin. “Pas përfundimit të kësaj faze, do të nisë menjëherë ndërtimi. Parashikohet që të nisë në vitin 2017 dhe të përfundojë në vitin 2020”, tha Miladinov.
Duke ndërtuar interkonjeksionin me greken e DESFA S.A., Maqedonia do të jetë e aftë që të shfrytëzojë të gjitha burimet e Greqisë, por edhe nga kuotat tranzite të vendeve të BE-së. Të gjitha këto do të rrisin sigurinë e furnizimit me gaz natyror.
Në anën tjetër, është Bullgaria. Afati i fundit për të dorëzuar ofertat për përdorimin e gazit natyror për interkonjeksionin mes Greqisë dhe Bullgarisë (IGB) është zgjatur deri më 30 nëntor.
IGB pritet të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik dhe do të lejojë që Bullgaria të marrë gazin e Azerbajxhanit.
Në fillim të dhjetorit 2015, Bullgaria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për investim të përbashkët për projektin IGB.
Aksionerë në këtë projekt janë: Kompania shtetërore bullgare e Energjisë (50%), kompania greke DEPA dhe ajo italiane Edison me 25% secila.
Në Shqipëri, aktualisht janë shtruar 22 kilometra tuba, ndërsa janë importuar rreth 50% e totalit.
Shqipëria ngjitet në kupolën e Europës për vrasjet me armë
Numri i vrasjeve me armë zjarri në Shqipëri është rritur vitet e fundit. Sipas një raporti nga “Small Arms Survey” vendi ynë renditet i dytë në Evropë i ndjekur nga Mali i Zi. Këto të dhënat përfshijnë vitet 2010-2015. Sipas raportit, në Shqipëri, vdekjet e dhunshme nga armët e zjarrit dhe jo armët e zjarrit janë rritur dhe kanë rënë në mënyrë paralele.
Raporti thekson se në Mal të Zi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka pasur një numër të lartë të vrasjeve të femrave. Mali i Zi në këtë rast ia kalon Shqipërisë. Sipas raportit, rajonet më të prekura nga dhuna dhe armët e zjarrit janë Amerika, Afrika e Jugut, Evropa Jugore, etj. Këtu nuk përfshihen vendet në luftë.
Analiza tregon modele divergjente për Shqipërinë dhe Kroacinë. Në Shqipëri, thekson raporti, normat e vrasjeve me armë zjarri dhe jo me armë të tilla kanë lëvizur kohët e fundit. Ndërkohë, në Kroaci nga ana tjetër, numri i vrasjeve ka pësuar ulje për shkak të shtrëngimit të ligjeve për të poseduar armë, si dhe fushatave të shumta për dorëzimin vullnetar të tyre. Këto të dhëna bëhen publike në kuadër të axhendës 2030 për uljen e numrit të armëve.
Berisha: Një rekord tjetër i zi i Edvin Shullazit
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për shifrat alarmante të vrasjeve me armë në Shqipëri, të publikuara nga “Small Arms Survey”. “Një rekord tjetër i zi i Edvin Shullazit. Shqipëria ngjitet në kupolën e Europës për vrasjet!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Të dashur miq, sipas raportit ‘Small Arms Survey’, Shqipëria renditet e dyta në Europë për vrasjet. Ndërkohë që Rama dhe Saje qorri pjesëtojnë me 2.5 herë shifrat e vrasjeve. Kështu, nga 138 vrasje vitin e kaluar deklaruan se kishte gjithsej 56 vrasje. Kjo dëshmon për një përkeqësim të madh të sigurisë dhe revansh të papërmbajtur të krimit në Shqipëri. Rikujtoj këtu se vendi ynë renditej nën mesataren e vendeve të BE për vrasjet! sb”, shkruan Berisha.
Tahiri vazhdon të mashtrojë
Ministria e Brendshme ka reaguar dje duke hedhur poshtë këto shifra, të cilat i ka quajtur të pavërteta. Ministria e Brendshme këmbëngul se shifrat që janë publikuar në këtë raport bëjnë fjalë për periudhën 2005-2011. “Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se kjo jo vetëm është e pavërtetë, por është edhe aktakuza më e rëndë që ish-Kryeministri i bën vetes. Raporti në fjalë, merr në analizë të shifrave periudhën kohore 2005 deri në vitin 2011, pikërisht periudhën kur në krye të qeverisë ishte zoti Berisha. Pra, në qoftë se Shqipëria është ngjitur në kupolën e Europës për vrasjet, kjo ka ndodhur gjatë kohës kur qeveriste zoti Berisha, pikërisht siç tregon edhe raporti. Sot e vërteta është tërësisht ndryshe. Vitin e kaluar Shqipëria njohu rekord me numrin më të ulët të vrasjeve në 25 vitet e fundit me vetëm 54 ngjarje. Në shifra, ishin 45% më pak vrasje se më 2014, duke përfshirë edhe ato nga pakujdesia. Pra, vitin e kaluar nurmi i vrasjeve gati është përgjysmuar, e kjo edhe falë punës parandaluese dhe trajtimit në kohë të konflikteve”, thuhet në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Por, në fakt kjo është një gjysmë e vërtetë, pasi shifrat janë të vlefshme edhe për vitin 2015, por sipas statistikave të raportit të huaj, janë 3 të vrarë në 100 mijë vetë popullsi.
Nëse do të shihet me kujdes tabela për vitin 2015, shkalla e vrasjeve në Shqipëri ka një rritje të vogël mbi 3 të vrarë për një popullsi 100 mijë vetë. Edhe në vitin 2011 kjo shifër ka qenë 3, ndërkohë që në vitin 2015 ndryshe nga sa pretendon Ministria e Brendshme, shifra vijon të mbetet po njëlloj, madje me një rritje të lehtë. “Shqipëria renditet në vendin e dytë me numrin më të lartë të vrasjeve në Europë, që pason Malin e Zi”, thotë raporti për vitin 2015.
Vlen për të përmendur edhe statistika tjetër që gjatë vitit 2015 ka rritje edhe të numri të vetëvrasjeve, që kanë ndodhur si pasojë e rënies në depresion për shkak të kushteve të këqija ekonomike, varfërisë etj. E thënë shkurt, loja me shifra e Ministrisë së Brendshme tregon vetëm njërën anë të medaljes, shkallën e vrasjeve për periudhën 2005-2011. Kjo shifër vijon të mbetet po njëlloj edhe gjatë qeverisjes Rama, siç tregon grafiku i vitit 2015.
Statistikat, numri i shqiptarëve të burgosur në BE dhe renditja
“Euobserver” ka publikuar një studim mbi të burgosurit në Europë. Statistikat e renditin Shqipërinë në vendin e tretë me numrin më të madh të të burgosurve në BE, ndërsa vendin e parë e mban Maroku për të vijuar më pas me Rumaninë. Sipas të dhëna të publikuara nga
“Euobserver”, nëpër burgjet e vendeve të Bashkimit Evropian ka 5722 të burgosur me origjinë shqiptare, nga Maroku ka 11.706 të burgosur dhe nga Rumania 11.511 të burgosur. Nga raporti mësohet se në rastet më të shumta rumunët dënohen për krime të vogla, si vjedhje nëpër dyqane, vjedhje banesash dhe si “xhepistë”. Numri i të burgosurve me origjinë shqiptare nëpër burgjet e vendeve të Bashkimit Evropian zë vendin e tretë, për sa i përket të huajve që janë burgosur në vendet e BE-së.
“Në Gjermani, 60% e rumunëve të burgosur janë dënuar për vjedhje dhe kjo duket shumë e pazakontë, pasi shumica përfundojnë në burg për arsye të ushtrimit të dhunës dhe vjedhjeve masive”, thotë Christian Walburg, doktor në Kriminologji në Universitetin “Westphalian Wilhelm”. Shumica e rumunëve të dënuar janë të varfër dhe shumë vuajnë nga diskriminimi si në vendin e origjinës ashtu edhe jashtë shtetit të tyre.
Maroku ka numrin më të madh të shtetasve që vuajnë dënime nëpër burgjet e vendeve të BE, sipas të dhënave të “Euobserver” dhe ndërkaq në Gjermani numri i të burgosurve me origjinë nga Maroku dhe Algjeria ka shënuar rritje. Në rastet më të shpeshta, këta kanë qenë kryesisht të rinj nga shtresa të ulëta të shoqërisë, që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë. Shumica nuk kanë të afërm në Gjermani, nuk mund të marrin një status ligjor dhe as nuk kanë të drejtë për azil, dhe kështu ata e kanë të vështirë të bëhen pjesë e tregut të punës në Gjermani.