31.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Italia do të mbyllë Call Center-at, 25 mijë persona rrezikojnë punën

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Në 6 dhjetor pritet që Senati Italian të miratojë një ligj, që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive Call Center në një territor jo të Bashkimit Europian, i cili rrezikon të mbyllë të gjithë kompanitë Call Center në Shqipëri. Këto amendime u miratuan në 24 nëntor në mbrëmje në Dhomën e Deputetëve dhe nëse kalohen nga Senati marrin formën përfundimtare. Këto ndryshime ligjore kanë alarmuar drejtuesit e kompanive shqiptare, që po lobojnë kundra tyre që nga muaji janar, kur dhe ato janë hedhur në diskutim. Ines Muçostepa, drejtuese e një prej kompanive të mëdha të thirrjeve telefonike në Shqipëri, “Albacall”, thotë se nëse këto ndryshime do të miratohen, Shqipëria dhe të gjithë vendet jo anëtare të BE-së do të cilësohen si vende të pasigurta dhe për këtë arsye me kalimin e ligjit në senat pritet që pjesa më e madhe e tyre të mbyllen. Në Shqipëri, deri në fund të vitit 2015 numëroheshin 847 kompani Call Center, me mbi 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet. Muçostepa tha për “Monitor” se, ky ligj i ka vënë në shumë vështirësi dhe rrezikon mbylljen e menjëhershme të 10,000 vendeve pune. Megjithatë, asnjë prej investitorëve që kanë investuar këtu nuk pritet të kthehen në Itali, për shkak të taksave të larta atje. Destinacionet më të mundshme në rast të aprovimit të ligjit janë Rumania, Sllovenia dhe Bullgaria, që janë anëtare të BE-së. I gjithë ky ligj po bëhet për të kthyer Call Center-at në Itali, ka thënë Muçostepa. Argumenti, që po përdorin drejtuesit e Kompanive të Thirrjeve Telefonike në Shqipëri për të mbrojtur 25 mijë vendet e punës, është së shpejti vendi do të hapë negociatat me BE-në, megjithatë dhe kjo e fundit nuk është e sigurt, pasi Gjermania vendosi edhe 7 kushte të tjera për Shqipërinë dhe e shtyu hapjen e negociatave për në vitin 2018. Rrezikun e zhvendosjes së kompanive nga Shqipëria e ka pohuar dhe Paolo Sarzana, zëvendëspresident i Assocontact, i cili në një inntervistë për “Corriere” në 25 nëntor nuk është i kënaqur nga ajo se çfarë parashikojnë ndryshimet në ligjin për stabilizimin e zhvendosjeve të sipërmarrjeve. Sipas tij, situata është shumë më komplekse nga sa po synohet të paraqitet. “Këto rregullime do ta bëjnë më të vështirë zhvendosjen e shërbimit të Call Center jashtë vendeve të BE-së, siç është Shqipëria, ku flitet shumë mirë italisht dhe kompanitë janë aktive prej shumë kohësh, por në të njëjtën kohë i hap rrugën transferimit në vende më të sigurta, siç është për shembull Rumania. Rumania dhe Shqipëria kanë karakteristika të ngjashme: kostoja e punës është e ulët dhe flitet mirë italisht. I vetmi dallim është se, Rumania është vend i BE-së, ndërsa Shqipëria jo. Nëse këto amendime janë paraqitur për të tuteluar perimetrin e punësimit italian, nuk është bërë zgjidhja e duhur. Aktiviteti që sot zhvillohet në Shqipëri nuk do të kthehet në Itali, por edhe ato ‘kombëtare’ nuk do të qëndrojnë më këtu, por do të spostohen në Rumani”, ka pohuar ai.

Në Shqipëri 25 mijë të punësuar në Call Center, në 847 ndërmarrje

Në krahasim me vitin 2010, kur sapo kishte filluar hapja e këtyre bizneseve në Shqipëri dhe kishte vetëm 75 të tilla, numri i kompanive është mëse 10-fishuar (shiko grafikun). Sipas të dhënave nga tatimet, numri i të punësuarve në këtë sektor ka arritur në 25 mijë. Rreth 30% e tyre janë të punësuar në tre Call Center më të mëdha në vend, Intercom Data Service (IDS), Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance). Call Center u bë “shpëtimtari” i punësimit vitet e fundit, sidomos tek të rinjtë, që pavarësisht se kishin vërshuar në universitete shtetërore e private, nuk arrinin të gjenin punë në zanatin e tyre (ose ndonjëherë edhe nuk u leverdiste) dhe zgjodhën të punojnë në qendrat e thirrjeve telefonike. Pagat mesatare në këtë sektor luhaten nga 30 mijë në 70 mijë lekë në muaj, edhe më lart për menaxherët. Deri në 2013-ën, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Por, në 2014-2015, rritja është ngadalësuar. Albacall ishte për të dytin vit radhazi operatori më i madh Call Center në vend. Ajo u zgjerua me 4% në 2.9 miliardë lekë (në 2014-ën ishte rritur 35% dhe në 2013 me 60%). Intercom Data Service (IDS) ka rimarrë veten pas rënies me 6% të të ardhurave në 2014-ën. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 2.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 9%. Rritje më të lartë ka shënuar Albania Marketing Service (Teleperformancë) me 23% në 2.1 miliardë lekë. Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.

Ndryshimet ligjore të propozuara në Itali

Dhoma e Deputetëve të Italisë ka miratuar mbrëmjen e datës 24 nëntor amendime në ligjin për operimin e shërbimit Call Center jashtë territorit, ligj i cili daton që në vitin 2012. Ndryshimet ligjore, e më saktësisht Neni 35 parashikon vendosjen e rregullave të forta sa i përket zhvendosjes së këtyre bizneseve nga Italia. Në këtë nen thuhet: “Nëse një operator privat ekonomik vendos që të ndryshojë vendndodhjen apo t’i japë në përdorim shërbimin një operatori të tretë që nuk është shtet anëtar i BE-së duhet të njoftojë autoritetet e Ministrisë së Punës, si dhe Inspektoratin e Punës 30 ditë përpara. Gjithashtu duhet të jepet njoftim edhe për numrin e telefonave të vëna në dispozicion të publikut, por edhe përdorimin e selive në territorin e vendit për garantimin e të dhënave personale. Ligji parashikon gjithashtu amendime në lidhje me trajtimin fiskal. Kompanitë që janë zhvendosur nga territori italian përpara hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve nuk do të mund të përfitojnë lehtësitë fiskale”. Gjithashtu, parashikohet edhe detyrimi që këta operatorë do të kenë për të njoftimin e vendndodhjes kundrejt marrësit të telefonatave. Gjoba për mospërmbushjen e këtij detyrimi, qoftë edhe me vonesë është 150,000 euro. Për Fabio Gozzo të Uilcom bëhet fjalë për një hap përpara për rregullimin e sektorit. Ndërsa Giorgio Serao  i Segreteria Nazionale Fistel Cisl, thotë se këto ndryshime nuk do të zgjidhin problemet e sektorit, por janë padyshim një pikënisje. “Duhet ta kthejmë punën në Itali, të shmangim kontratat me pagesa minimale dhe t’u japim punonjësve të Call Center sigurinë për të ardhmen”, ka pohuar ai në intervistat për mediat italiane.

Kandidatët francezë, qëndrime të kundërta për Rusinë

Kandidatët konservatorë presidencialë në Francë, Francois Fillon dhe Alain Juppe, mbrëmë vonë e kanë akuzuar njëri-tjetrin lidhur me qëndrimin ndaj Rusisë, në debatin e tyre të fundit para raundit të dytë të zgjedhjeve partiake.
Juppe e ka kritikuar rivalin e tij për lidhjet e perceptuara me presidencën e Rusisë.
Duke iu referuar fjalëve të fundit të ngrohta të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për zotin Fillon, ish-kryeministri francez, Alain Juppe, gjatë debatit televiziv, tha se “kjo duhet të jetë zgjedhja e parë presidenciale në të cilën presidenti rus e zgjedh kandidatin”.
Fillon e ka mbështetur rreshtimin strategjik të tij me Moskën dhe është angazhuar për tërheqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës dhe mbështetjes për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
Ai i ka hedhur poshtë kritikat e zotit Juppe, duke thënë se, “Rusia është vend i rrezikshëm nëse ne e trajtojmë ashtu siç e kemi trajtuar në pesë vitet e fundit”.
Megjithatë, Fillon tha se, “ne jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara, ne i ndajmë parimet fondamentale me Shtetet e Bashkuara, që ne nuk i bëjmë me Rusinë”.
Zoti Fillon theksoi se qëndrimi i presidentit të Francës, Francois Hollande, ndaj Rusisë, përfshirë mbështetjen e sanksioneve kundër Moskës, ka shërbyer për ta izoluar Moskën.
Nëse Francois Fillon fiton kundër Juppe në raundin e dytë të zgjedhjeve partiake më 27 nëntor, atëherë pritet pothuajse me siguri se ai mund të triumfojë kundër kandidates të së djathtës ekstreme, Marine le Pen, e cila po ashtu, i mbështet lidhjet e afërta me Rusinë, para zgjedhjeve presidenciale në Francë, në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Në raundin e parë të zgjedhjeve partiake, Fillon ka fituar 44% të votave, Juppe afro 29%, ndërsa ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, nën presidencën e të cilit Fillon kishte shërbyer si kryeministër, ishte eliminuar.
Debati Fillon–Juppe u bë në periudhën kur Vladimir Putin e ka lavdëruar Fillon si “profesionist në shkallë të gjerë” dhe njeri që është “i aftë për ta mbajtur pikëpamjen e tij”.
Kremlini dhe zyrtarët e lartë rusë tashmë kanë shprehur optimizëm se lidhjet e Moskës me Perëndimin mund të përmirësohen pas fitores së republikanit, Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara, në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor, kundër rivales demokrate, Hillary Clinton.
Trump e ka lavdëruar Putinin dhe tha se ai do të dëshironte që lidhjet e shkëputura të Uashingtonit me Kremlinin t’i tejkalojë, me qëllim që të shtohet bashkëpunimi në çështjet, siç është luftimi i terrorizmit.
Franca dhe Gjermania ishin në mesin e vendeve udhëheqëse në Bashkimin Evropian në presionin kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014 dhe për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.
Kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, Aleksei Pushkov, pas fitores së Fillon në raundin e parë, tha se nëse ai fiton në zgjedhjet presidenciale në Francë, ky do të ishte “fund i tandemit Paris–Berlin” kundër Rusisë.

Çfarë mendon Izraeli për Trumpin?

Pas konferencës së lëvizjes Alt-Right në fundjavë ishte e qartë: tek radikalët e djathtë në SHBA atmosfera është euforike. Përshëndetja “Hail Trump” u pasua në publik nga përshëndetja e Hitlerit. Në fillim në Izrael kjo shkaktoi pak tronditje.
Por tani, politikanë opozitarë në Izrael reaguan. Ish-ministrja e Jashtme, Tzipi Livni nga partia Mes-i Majtë “Bashkimi sionist” shkroi se ishte “tepër e shqetësuar – politikanë në të gjithë botën duhet të thonë për këtë: për këtë tek ne nuk ka vend”. Shefi i partisë liberale “Jesch Atid”, Yair Lapid u bëri thirrje politikanëve amerikanë që t’i dënojnë “këto shprehje të simpatisë për nazistët”.

Gjendje e tensionuar në SHBA
Trump ndërkohë është distancuar nga lëvizja radikale e djathtë Alt-Right, lëvizje së cilës këshilltari i tij kryesor i ardhshëm, Steve Bannon i ka ofruar një platformë në faqen e tij në internet “Breitbart”. Por emërimi i Steve Bannonit është vetëm një shembull për atmosferën në SHBA. Një pllakatë antiClinton e tregonte atë me një simbol të ngjashëm me yllin e Davidit.
Lëvizja me ndikim “Anti-Defamation League”, e cila angazhohet kundër diskriminimit të hebrenjve, paralajmëroi pak kohë më parë: “Komuniteti amerikano-hebre nuk e ka përjetuar që prej viteve ’30 këtë përmasë antisemitizmi në diskursin politik dhe publik”.

Netanjahu u tërheq vërejtjen anëtarëve të kabinetit
Tek politikanët në Izrael ekziston marrëveshja e pashprehur se rezultati i zgjedhjeve demokratike në SHBA duhet respektuar dhe që nuk mund të lëndohet partneri më i rëndësishëm strategjik i vendit. Netanjahu e përshëndeti zyrtarisht zgjedhjen e Donald Trumpit. Nacionalistët në qeverinë e tij shpresojnë të marrin tani dritë të gjelbër nga amerikanët për vazhdimin e ndërtimit të kolonive.
Madje Naftali Benett, ministër i Arsimit dhe kryetar i partisë “Habajit Hajudi” u takua me këshilltarë të Trumpit për të diskutuar alternativa për zgjidhjen me dy shtete. Netanjahu reagoi me një tërheqje të pazakontë të vërejtjes: asnjë anëtar i kabinetit nuk duhet të vendosë kontakt me këshilltarët e Trumpit, tha ai, përpara se të sqarohen linjat e politikës së jashtme amerikane.
Trumpi deri tani ka mbajtur anën e Izraelit. Prandaj ai e ka të sigurtë mbështetjen e kampit të djathtë politik në Izrael. Për këtë kamp më i rëndësishëm është qëndrimi i Trumpit në çështje të sigurisë, si për shembull ndaj Iranit, se sa shqetësimet e hebrenjve në SHBA. Me siguri për këtë arsye mbyllet një sy përballë antisemitizmit të djathtë në SHBA.

Erdogan: Do të hapim kufijtë për refugjatët

Pas vendimit të Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave me Turqinë, presidenti turk, Erdogan kërcënon me hapjen e kufijve për refugjatët.
Do të hapim kufijtë, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip, po qe se Europa vazhdon të na kërcënojë. Por është vetë Erdogan që ka kërcënuar Bashkimin Europian me prishjen e marrëveshjes për refugjatët. “Po qe se shkoni më larg, do të hapen portat e kufirit”, tha Erdogan të premten (25.11) në Ankara. Ai reagoi ndaj rezolutës së Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë, megjithëse një rezolutë jo e detyrueshme.
“Kur 50.000 emigrantë të arrijnë Kapikulën (qytet në kufi) ju mos u qani. Çfarë do të bëjmë ne, nëse Turqia hap kufijtë, vrisni mendjen ju. Shikoni këtu, nëse kjo vazhdon më tej, këto porta do të hapen, ju duhet ta dini këtë. As unë dhe as ky komb nuk i bëhet vonë nga kërcënimet boshe”, tha Erdogan në një fjalim në Stamboll në adresë të Parlamentit Europian. Turqia ka pranuar 3 milionë refugjatë nga Siria dhe është një nga vendet kryesore tranzit për emigrantë nga Azia dhe Afrika që duan të hyjnë në Europë. Erdogan akuzoi BE se nuk ka qenë asnjëherë e drejtë. “Ju nuk jeni treguar asnjëherë të ndershëm kundrejt njerëzimit”. Pakti me refugjatët i miratuar në mars 2016, parashikon që Europa t’i kthejë në Turqi, emigrantët e hyrë ilegalisht nga Turqia në ishujt grekë. Turqia merr mbështetje financiare nga BE për paktin. Kundrejt kësaj BE ka premtuar se pas plotësimit të 72 kritereve, ajo do të liberalizojë vizat me Turqinë. Procesi ka ngecur në refuzimin që Turqia i bën ndryshimit të ligjeve antiterror në vend, kriter i kërkuar nga BE.

Intensifikim i fushatës zgjedhore në Maqedoni

Partitë garuese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni janë futur plotësisht në ethet e fushatës elektorale. Nga njëra anë premtime, nga ana tjetër goditja e kundërshtarit politik.
Maqedonia është dhe do të jetë shtet unik, ajo është thurrje e dallimeve, shoqëri multietnike e kjo është përparësia jonë e jo dobësia jonë, ka theksuar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në tubimin në Kërçovë. Ai e akuzoi liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski se po shpërndan nacionalizëm dhe po tenton që ta ndajë popullin. “Të drejtat e banorëve të Maqedonisë janë të barabarta në Kërçovë, në Tetovë, në Gostivar. Të drejtat duhet të jenë të barabarta për të gjithë”.
Lideri i LSDM-së ka theksuar se shumëgjuhësia është garantuar me Kushtetutë. Kjo i pengon sipas tij, vetëm ata, të cilët nuk kanë çfarë të ofrojnë përhapin nacionalizëm dhe kuazipatriotizëm. “Duhet që bashkërisht, të bashkuar krah më krah edhe maqedonas edhe shqiptarë edhe vllehë edhe turq edhe romë të përcaktohemi për demokraci, drejtësi, barazi dhe liri”. Zoran Zaev ka shpalosur edhe masat ekonomike të platformës së LSDM-së.

BDI: Arsimi shtyllë e kombit
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në kuadër të fushatës zgjedhore i ka kushtuar vend të veçantë arsimit, duke e quajtur si shtyllën më kryesore të kombit. Sipas Ahmetit, nëse ka institucione tërësisht të pavarura në vend, ato janë universitetet për të cilat, është luftuar dhe sakrifikuar. BDI, me këmbëngulje do të angazhohet për të rritur rrogat e të punësuarve në arsim prej 30 deri më 40%, ngjashëm si me të punësuarit në mjekësi, me qëllim që të parandalohet largimi i tyre nëpër vende të tjera për të kërkuar standard më të mirë jetësor, ka premtuar Ahmeti. “Duhet të rrisim cilësinë, të rrisim përgjegjësitë, sepse këto janë institucione autonome të pavarura”.
Veç arsimit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur edhe për situatën aktuale politike në vend. Ai tha se pavarësisht nëse duam ta pranojmë apo jo, vendi po përballet me një përplasje të fortë ideologjike, kulturore dhe të civilizimit. “Janë dy rrugë, të cilat promovohen në politikat globale, rruga euroatlantike dhe ajo euroaziatike. Si shqiptarë jemi të përcaktuar për rrugën euroatlantike, sepse historikisht, tradicionalisht ne i takojmë Evropës, ne i takojmë ideologjive evropiane”, thotë Ahmeti.

Gruevski: Opozita maqedonase me premtime boshe
Në Kavadar, në tubimin e VMRO-DPMNE-së lideri i saj, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se në këto zgjedhje do të merret një vendim i rëndësishëm. Vendim për vetveten dhe për familjen tuaj, tha Gruevski. “Por këto zgjedhje mbahen edhe për të marrë një vendim tjetër. Vendim për Maqedoninë. Për Maqedoninë që nuk përkulet ndaj shantazheve dhe nuk gjunjëzohet ndaj skenareve që ia përgatisin të tjerët.
Gruevski kritikoi kundërshtarët e tij politikë. “Zaevi dhe Radmilla ju lavdërohet politikanëve shqiptarë se po e bëjnë gati nga lart. Por, me popullin çfarë do të bëjnë, si mund ta përgatisin nga lart kur populli është këtu. Edhe popullin nga lart do e bëjnë gati? Populli nuk përgatitet me direktiva, mundet Zaevi ashtu të funksionojë, por populli jo. Atij nuk i intereson që populli nuk e do dhe ky është nënçmim për qytetarët dhe shtetin. Prandaj, edhe këtë herë do të pësojnë humbje historike, sepse populli jep verdiktin kundër të gjithë atyre që e nënçmojnë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Thaçi: Shqiptarëve u sigurojmë vendimmarrje në qeveri
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në takimet me qytetarë ka theksuar edhe një herë se platforma e partisë së tij mundëson status të barabartë të shqiptarëve dhe maqedonasve, por me këtë sistem elektoral dhe zgjedhor që ekziston shqiptarët asnjëherë nuk mund të kenë numër të njëjtë të deputetëve me maqedonasit.
Thaçi premtoi se po i fitoi zgjedhjet, ai do të ketë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët, pasi është i bindur se shqiptarët duhet ta kenë njeriun e tyre përfaqësues në qeveri, zëvendëskryeministri të ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin që asnjë vendim i qeverisë të mos kalojë në finalizim pa këto dy nënshkrime, ndërsa vendimmarrja e Parlamentit për çështje mes shqiptarëve dhe maqedonasve të bëhet me konsensus jo me mbivotim.
“Ne kemi projekt të saktë dhe të sigurt. Nuk do të tolerojmë që represioni i qeverisë së Maqedonisë dita-ditës të shtohet në variante dhe në mënyra të tjera. Dhe nëpërmjet votës së lirë, ne duhet t’i themi gjithë botës së përparuar se ne jemi jashtëzakonisht të pakënaqur me këtë gjendje që e kemi. Çështja e parë që duam ta arrijmë menjëherë pas këtyre zgjedhjeve tek shqiptarët e Maqedonisë është që ta rrisim mekanizmin e vendimmarrjes në vendimmarrje me konsensus të plotë me maqedonasit. Dhe realisht kjo betejë duket shumë e rëndë dhe shumë e vështirë, po unë ju betohem se kam një siguri të plotë se këtë herë fitorja do të jetë e plotë”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Veliçkovski: Ta luftojmë të keqen që e solli Maqedoninë në këtë gjendje
Partia Liberale ka zhvilluar takime me banorët e Velesit. Kryetari i kësaj partie, Ivon Veliçkovski, porositi qytetarët se në këto zgjedhje çdo votë është e rëndësishme, por më e rëndësishme, sipas tij, është vota kundër katër partive të mëdha që e futën në krizë Maqedoninë. Sipas tij, në këto zgjedhje nuk duhet të flitet për Marrëveshjen e Ohrit apo Kushtetutën, por për konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit.
“Qëllimi ynë është që pas këtyre zgjedhjeve të mos formohet qeveria me partitë aktuale. Ne do të qëndrojmë në anën e vlerave liberale, në anën e bizneseve, do të zvogëlojmë buxhetin nacional. Partia Liberale synon që bizneset të ngrihen në piedestal, sepse biznesi i tyre i sjell para shtetit. Asnjë qeveri nuk guxon të bëjë presion ndaj bizneseve”, ka deklaruar kryetari i PL-së, Ivon Veliçkovski.

Busek: Në Ballkan nuk ka dialog

Evropianët janë të preokupuar tepër me veten, pohon eksperti për Evropën Juglindore, Erhard Busek. Në intervistë me “DW”, Busek flet për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit e kërkon më shumë bashkëpunim mes fqinjëve.

“DW”: Zoti Busek, ju keni shoqëruar dhe përcjellë shumë procese në Ballkanin Perëndimor në 10 vitet e fundit. Si e shihni sot këtë rajon?
Erhard Busek: Do të befasoheni ndoshta, por Evropa Juglindore është sot më stabël. Në pjesë të ndryshme të kontinentit ka shumë lëvizje, por në këtë rajon ende mund të parashikohen gjërat dhe lëvizjet. Mendoj se kjo është mirë. Rajoni ka pësuar ndryshime dramatike, siç ishte shkatërrimi i ish-Jugosllavisë. Një sfidë tjetër është zhvillimi demokratik dhe ky rajon është mu në mes të këtij procesi.

– Cilat janë njohuritë më të rëndësishme nga zhvillimet e viteve të fundit në Ballkan?
Ne duhet të bëjmë diçka në fushën e edukimit profesional. Kjo është një prej mangësive të Bashkimit Evropian, sepse ai ka pak kompetencë në këtë fushë. Në fushën e arsimit dhe përgatitjes profesionale duhet të bëhet shumë më shumë. George Soros ka bërë disa gjëra për një kohë të gjatë, ka angazhime të tjera, si për shembull European Fund of the Balkans. Por me siguri që kjo nuk mjafton.

– Mendoni arsimi në përgjithësi apo raporti me mediat?
Të dyja. Arsimi, por edhe raporti me mediat sociale, si një problem, i cili kërkon drejtim. Politika e ka kuptuar menjëherë se si duhet të përdoren rrjetet sociale, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve.

– Çfarë duhet bërë?
Pasi që ne evropianët për fat të keq gjithnjë e më shumë po merremi me veten, në këtë drejtim po ndodh pak. Dialogu dhe trajtimi i problemeve të përbashkëta me fqinjët. Ndaj është e domosdoshme që të kuptohen edhe problemet e fqinjëve, sepse kjo influencon gjendjen edhe tek ne.

– Si i vlerësoni proceset politike në Serbi, e cila është kandidate për anëtarësim në BE?
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është duke mbajtur një linjë të mençur, sepse në këtë vend kemi një konkurrencë të madhe mes Rusisë, Turqisë dhe Kinës, të cilat duan ta influendojnë atë, secila në drejtimin e vet. Por mbetet problemi i Kosovës (e cila në vitin 2008 ka shpallur pavarësinë nga Serbia dhe të cilën Beogradi nuk e njeh). Ky problem edhe më tej ka një potencial të madh shpërthimi, në krahasim me problemet e tjera. Ndonëse zgjidhja është e lehtë. Por këtu kërkohen më shumë pjekuri.

– Si mund të zgjidhet ky problem?
Zgjidhja do të ishte pranimi i realitetit dhe qasja e drejtë ndaj saj. Çdo përpjekje për përfitime nga kjo situatë, si për shembull në zgjedhje, nuk është ndonjë argument. Mospranimi i Kosovës rezulton me rritjen e kontrabandës dhe probleme të tjera. Përparësia e madhe e Bashkimit Evropian do të ishte bashkëveprimi me masa të ndryshme, që ka të bëjë edhe me kontrollin e kufirit. Por ne me siguri që kemi bërë pak për të forcuar kapacitetet e këtyre vendeve!
Situata problematike është edhe në një vend tjetër të Ballkanit: Maqedoni, ku më 11 dhjetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Në pranverë kanë nisur atje protestat e mëdha kundër qeverisë, e cila krikohet për veprime të shumta.
Po, kritikat ndaj qeverisë janë me vend. Problemi më i madh vjen nga fakti që ende (me Greqinë) nuk është zgjidhur çështja e emrit. Këtu qëndron përplasja e vërtetë. Maqedonia duhet të ekzistojë. Vendet evropiane këtu me siguri që kanë ushtruar pak presion, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, sepse gjendja do të ishte më stabël. Kështu, atje kemi një situatë të pasigurtë, e cila e ngarkon edhe politikën. Shqiptarët duan natyrisht të kenë një perspektivë evropiane dhe në këtë drejtim po bëjnë presion. Situata në anën tjetër nuk është stabël. Fakti që bullgarët pretendojnë se maqedonët janë bullgarë dhe që grekët flasin për Aleksandin e Madh, nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit. Ajo që njerëzit duan është hapja e vendeve të punës, lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e një sistemi juridik, në kuptimin e plotë të fjalës.

Erhard Busek (ka lindur më 1941) angazhohet prej vitesh në Ballkan. Ai është kryetar i Institutit për Hapësirën e Danubit dhe Evropës së Mesme dhe koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SECI). Ai ka qenë ministër dhe zëvendëskancelar në Austri, ndërsa prej 2002-2008 koordinator i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Ekuilibrat e rinj të Trumpit

BIRCH RUN, MI - AUGUST 11: Republican presidential candidate Donald Trump speaks at a press conference before delivering the keynote address at the Genesee and Saginaw Republican Party Lincoln Day Event August 11, 2015 in Birch Run, Michigan. This is Trump's first campaign event since his Republican debate last week. (Photo by Bill Pugliano/Getty Images)

Davide Malacaria

Donald Trumpi është ende si ajo qenia mitologjike, gjysmë cjap e gjysmë dre: është shumë herët për të përcaktuar qasjen e tij ndaj problematikave të mëdha, nga globalizimi tek marrëdhënia me Europën e deri tek nyja e Lindjes së Mesme. E vetmja gjë e sigurtë është që tonet dhe temat e ndezura gjatë fushatës elektorale, janë duke u zbutur, për t’ia lënë vendin një pragmatizmi përfshirës.
Sot e vetmja gjë e sigurtë, që u bë e ditur prej mesazhit së pak ditëve më parë, është që do të “grisë” marrëveshjen TTP, pra Partneritetin e Trans Paqësorit, marrëveshja tregtare që krijonte një zonë të shkëmbimit të lirë mes SHBA dhe vendeve të ndryshme aziatike, me përjashtim të Kinës.
Një nismë, kjo e Trumpit, për të mbrojtur prodhimet amerikane nga konkurrenca aziatike, por që ka shumë më tepër pasoja se sa vetëm një masë tregtare.
Para së gjithash, vlen të përmendet se TTP nuk kishte (të flasësh në kohën e shkuar tashmë është detyrim) vetëm natyrë tregtare, por edhe vlera gjeopolitike dhe ushtarake. Pra, ishte e nevojshme për të lidhur disa vende aziatike me Shtetet e Bashkuara, duke zgjeruar kështu ndikimin e Uashingtonit në zonën e Paqësorit. Me pasojë gërryerjen e influencës kineze, që në këtë qoshe të botës ka projeksionin e vet të natyrshëm. Pra, një ledh mbrojtës ndaj dragoit, i cili shumë shpejt do të bjerë.
Është e vetëkuptueshme që gjeopolitika nuk njeh boshllëqe. Dhe rënia e ndikimit amerikan, në mënyrë të pashmangshme do të çojë në një zgjerim të hapësirës së influencës kineze, gjë e cila do të nxisë zhvillimin ekonomik të Pekinit, duke kompensuar kështu rënien e pritshme në shkëmbime tregtare me Amerikën, gjë kjo e shkaktuar prej kufizimeve të parashikuara nga strategët e Trumpit, të cilët janë të vendosur që t’i vënë një limit konkurrencës së Dragoit.
Vendimi për të rrëzuar TTP është gjithashtu tregues i një qasje të re amerikane ndaj grindjeve aziatike, të dominuara nga Deti i diskutueshëm i Kinës së Jugut, që vë kundër Pekinin, i cili pretendon sovranitetin, me shumë vende që e shohin kërkesën kineze si një kërcënim.
Më e kërcënuar ndihet Japonia, e cila me kryeministrin Shinzo Abe mori përsipër rolin “gladiator” të kundërvënies ndaj dominimit të Pekinit në hapësirën aziatike.
Pa mburojën amerikane, Abe mund të jetë i detyruar që të ndryshojë qasjen e tij ndaj Dragoit, që sot është shumë “muskuloze”. Kjo mund të sjellë një zbutje të tensionit të madh në zonën e Paqësorit, prej kohësh e ekspozuar ndaj rreziqeve të shpërthimit (pasojat e të cilit do të ishin globale).
Një tjetër pasojë qetësuese mund të shihet në një tjetër rajon aziatik me rrezik të lartë: Korenë e Veriut. Dragoi e ka parë gjithmonë Fenianin me dykuptimësinë që ka çështja, duke pasur parasysh se ndonjëherë teprimet e tij, mund t’i shërbejnë e mund t’i përdorë në lojën komplekse të forcave që kryqëzohen pranë brigjeve të veta.
Largimi i presionit amerikan në Paqësor, i bën teprime të tilla jo me një problem të Uashingtonit, por vetëm të Pekinit. Që kështu mund të detyrohet të përballojë me më shumë bindje fqinjin e paparashikueshëm, i cili vë në rrezik qetësinë në oborrin e shtëpisë së Kinës.
Pra, lëvizja e Trumpit mund të jetë shenja paralajmëruese e një sezoni të ri për Paqësorin. Erërat e forta që kanë trazuar deri më sot ujërat, me rrezikun për të shkaktuar një furtunë të përsosur, mund të zbuten më në fund.
E habitshme kjo për një president kaq kontrovers dhe kaq të largët nga paraardhësi, ndonëse ai fitoi edhe një Nobel për Paqen.

Zidane “qan” dëmtimet por kërkon fitore

Do ta vizitojë Sporting Gijon këtë fundjavë “Santiago Bernabeun”, ku Reali i Madridit do të kërkojë të konfirmohet skuadra e momentit në Spanjë, por konferenca e shtypit të Zinedine Zidane analizoi situatën disi delikate në skuadrën e tij. Kreyefjala e kësaj jave në skuadrën “Los Blancos” janë dëmtimet dhe trajneri francez me të drejtë u ndal gjatë në këtë çështje.
“Është shumë e vështirë kur ke shumë të dëmtuar. Ata që punojnë për klubin po bëjnë gjithçka është e mundur, sepse dëmtimet ndodhin në fushë. Ndihem keq kur shikoj një lojtar të dëmtuar. Bale do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë dhe do të japim maksimumin kundër Gijonit, sepse kjo është një ndeshje shumë e komplikuar. Varane dhe Bale janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, por tani le të shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt”, u shpreh Zidane.
Në vijim, Zidane analizon momentin e Sergio Ramos, duke theksuar se kapiteni është gati për të zbritur në fushë, por nuk ka marrë ende asnjë vendim për aktivizimin e tij, ndërsa përqendrohet edhe te situata që po kalon James.
“Vendimet i marr unë. E di që James duhet të luajë më shumë, sepse një lojtar i klasit të tij ka nevojë për shumë minuta në këmbë. Gjithsesi, e theksoj, më duhet të marr vendime të rëndësishme shpesh herë dhe në këto momente edhe lojtarët e tjerë që aktivizohen po tregojnë gjëra pozitive”, tha ai.
30 ndeshje pa humbje janë një sukses më vete për trajnerin francez, që gjithsesi kërkon të mbajë skuadrën me këmbë në tokë. “Fitoret janë shumë të rëndësishme për këtë skuadër, pasi ne jetojmë për këto suksese. Këtë e di shumë mirë, sepse kam qenë lojtar, por edhe si trajner dua të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe trofe. Unë jam shumë i motivuar, pavarësisht se shpesh herë na kritikojnë për stilin e lojës. Ne kemi ende marzhe përmirësimi”, përfundoi Zidane.
Ndërkohë, Carlos Bacca mund të rikthehet në La Liga gjatë janarit. Sulmuesi kolumbian, Carlos Bacca, planifikon të largohet nga Milan gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas “Calciomercato.com”, ish-ylli i Sevillas është i gatshëm të rikthehet në La Ligë. Thuhet se Valencia do të tentojë blerjen e Baccas gjatë afatit kalimtar të janarit. Kurse, gjatë verës interesim për reprezantuesin e Kolumbisë kishte shfaqur edhe skuadra franceze, Paris Saint-Germain, por transferimi dështoi pasi Rossonerët kishin kërkuar shumë para për ta liruar.

Presion kinezëve!

Në fillim duket sikur kërkon të japë lajmin që të gjithë po presin prej javësh: “Mbyllja e akordit parashikohet më datë 13 dhjetor. Është gjithçka gati”. Mirëpo, vetëm disa sekonda më vonë, hap një skenar komplet tjetër: “Nëse nuk do të mbyllet me sukses tratativa për shitjen e paketës së klubit, Milanin e mbaj sërish unë. Do ta bëj me shumë kënaqësi dhe kam menduar për strategjinë e re që do të ndjek. Milani i ardhshëm do të jetë me një organikë lojtarësh italianë dhe shumë të rinj”.
Presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, duket se është ridashuruar me klubin dhe, gjatë një interviste për emisionin “Matrix” në televizionin italian “Canale 5”, ka folur gjatë edhe për kapitullin që lidhet me Milanin. Tema është shitja e mundshme e paketës së mazhorancës nga “Kavalieri”. Për Milanin është interesuar grupi i investitorëve kinezë “Sino Europe Sports”.
Fjalët e fundit të Berluskonit duket se lidhen shumë mirë me ato që tha ish-kryeministri italian pas sfidës kundër Interit: “Nuk e di nëse është derbi im i fundit si president. Unë dhe Galiani mund të qëndrojmë sërish në krye të klubit”. Këto fjalë dolën nga goja e Berluskonit dhe dikush i përktheu si “ndryshim plani”.
Kjo hipotezë duket se po merr më shumë formë pas daljes së djeshme të “Kavalierit”. Në pritje të asamblesë së datës 13 dhjetor, sa vjen dhe shtohen dyshimet për mbarëvajtjen e akordit me aziatikët. Grupi kinez deri më tani ka derdhur 100 milionë euro në arkat e Milanit dhe pritet që investitorët të derdhin edhe 420 mln euro për të mbyllur përfundimisht blerjen e klubit.
Gjatë fjalës së tij, Berluskoni ka shtuar: “Jo, nuk jam penduar. Shitja ishte vendimi më i drejtë. Isha i trishtuar kur vendosa të largohesha, por mendova për të mirën e klubit, pasi të gjithë e dimë se futbolli ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Kanë hyrë paratë e miliarderëve arabë dhe për një familje italiane është shumë e vështirë të rivalizoj me këto fuqi ekonomike. Futbolli është bërë si loja monopoli”.
Në fund Berluskoni shtoi: “Milani ka nevojë të rikthehet në majën e Europës dhe duhet që dikush të investojë një kapital të rëndësishëm. Unë provova të formoja një grup investitorësh italianë, siç ndodh me Realin dhe Barcelonën, por nuk arrita dot ta bëj. Në fund m’u desh të pranoja ofertën e vetme që më mbërriti”.
Ndërkohë, në Turqi pretendojnë se Milani dhe Gallatasaraj janë duke biseduar për një shkëmbim të mundshëm në merkato që parashikon transferimin e Uesli Shnajderit te “Djalli” në këmbim të kartonit të Hoze Ernesto Sosës, i cili pritet të rikthehet në kampionatin turk. Argjentinasi u ka kushtuar 7.5 milionë euro kuqezinjve në merkaton e verës, mirëpo blerja e tij nuk ka rezultuar produktive deri më tani.
Trajneri Vinçenco Montela, nuk ka shumë besim tek ish-futbollisti i Beshiktashit, që në këtë kampionat numëron shumë pak minuta. Sakaq, as tifozët nuk e pritën aspak mirë blerjen e Sosës dhe acarimi i tyre po rezulton i drejtë, pasi lojtari nuk e ka shpërblyer besimin e klubit. Mbërritur në këtë pikë, Sosa duket se ka bërë gati “valixhen” për t’u larguar me hapjen e merkatos së janarit.

Operohet Medel, kthehet në 2017

Gary Medel do të rikthehet në fushat e blera në fillim të vitit 2017-ës. Përfundoi me sukses operacioni të cilit iu nënshtrua, mesfushori kilian i Interit në një klinikë të Barcelonës. I dëmtuar në ndeshjen e të dielës së kaluar ndaj Milanit, Medel vendosi t’i drejtohej sallës së operacionit për të lënë pas problemet në menisk, por tashmë atij do t’i duhet minimalisht 1 muaj e gjysmë për t’u riaftësuar. Objektivi i Pitbullit siç njihet ndryshe 29-vjeçari për shkak të shpirtit të tij luftarak, është të jetë i gatshëm për takimin e parë të Interit pas pauzës dimërore atë ndaj Udineses në datën 8 janar.
Në derbin ndaj Milanit, Pioli e aktivizoi Medel-in si qëndërmbrojtës pozicion të cilin lojtari e bën shumë mirë te përfaqësuesja kiliane. Por pas diçka më shumë se 30 minutash, Medel u detyrua të linte fushën, duke i bërë vend Murillos. Me kilianin në fushë Milani nuk arriti të rrezikonte për asnjë moment portën e Handanoviç dhe dëmtimi i Medel në këtë fazë delikate të sezonit nuk i duhej Interit, me Piolin që kishte gjetur te 29-vjeçari një shok të denjë reparti për Joao Mirandën. Medel humbet kështu sfidat e mbetura të këtij viti, ku mbi të gjitha spikasin dy takimet e radhës në Serinë A, ndaj Fiorentinës dhe Napolit si dhe përballja e 21 dhjetor-it ndaj Lazios.