Ministria e Arsimit i ka ndaluar institucioneve arsimore jopublike në Shqipëri përdorimin e emërtimeve dhe simboleve turke.
Shkresa zyrtare drejtuar institucioneve, e firmosur nga Plarent Ndreca, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, u publikua nga “Lapsi.al”.
Kjo kërkesë ka ardhur fillimisht nga ambasada turke në Tiranë, e cila pasi ka marrë miratimin e Ministrisë së Jashtme, është dërguar për zbatim në Ministrinë e Arsimit.
Duket se kërkesa e ambasadës është një ndër masat që qeveria turke po merr ndaj predikuesit Fethullah Gulen, i njohur në gjithë botën për investimet e shumta në fushën e arsimit.
Presidenti Erdogan dhe qeveria turke akuzon predikuesin Gulen dhe organizatat e lidhura me të si organizator të grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.
Në Turqi, qeveria ka nisur një fushatë spastrimi ndaj atyre që i konsideron përkrahës të Fethullah Gulen. Pak ditë më parë, të gjithë drejtuesit e universiteteve në vend u shkarkuan me anë të një dekreti qeveritar. Tashmë e drejta për të emëruar rektorët dhe dekanët e universiteteve i takon Presidentit Erdogan.
Nuk dihet ende nëse institucionet arsimore në Shqipëri kanë filluar zbatimin e këtij urdhri.
Që prej vitit 1992, në Shqipëri janë disa institucione arsimore jopublike që konsiderohen të lidhura me predikuesin Gulen. Më të njohurat janë universitetet “Epoka” dhe “Beder”, kolegjet “Mehmet Akif” e “Turgut Ozal”, shkolla 9-vjeçare “Memorial International School of Tirana”, si dhe shkollat fillore “Hasan Riza Pasa” dhe “Turgut Ozal” përkatësisht në Shkodër dhe Durrës.
Rama nis sanksionet ndaj shkollave të Gulen në Shqipëri
15 mijë dosje presin në Gjykatën e Lartë
Mbi 15 mijë dosje presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë dhe pirgu sa vjen e rritet çdo ditë që kalon, duke bërë që qytetarët të presin me vite për të marrë drejtësi. Ida Vodica, shefe e marrëdhënieve në media, shpjegon shkaqet kryesore që kanë sjellë si pasojë këtë situatë problematike.
“Ky numri shumë i lartë i çështjeve të mbartura ka disa arsye, por dy më kryesoret janë prurjet, si dhe mungesa e katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë prej disa kohësh tashmë. Duhet vënë në diskutim më tepër pjesa e prurjeve, sepse të gjitha çështjet që gjykohen nga gjykatat më të ulëta vijnë dhe regjistrohen pranë Gjykatës së Lartë, pra nuk ka një filtër që t’i pengojë këto çështje për të mos i regjistruar pranë kësaj gjykate, si dhe mungesa e 4 anëtarëve, 2 prej të cilëve që me ndryshimet e ligjit për organizimet dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, ku u shtua numri i gjyqtarëve nga 17 vajti 19, por dy prej tyre nuk janë emëruar ende dhe dy mungesa të tjera që kanë të bëjnë me një dorëheqje të një gjyqtari menjëherë pas mbarimit të mandatit, si dhe pezullimi i një gjyqtari tjetër”.
Vodica sqaron se secili gjykatës shqyrton mesatarisht 400 çështje në vit.
Presidenti mbledh Këshillin e Sigurisë për drogën më 11 nëntor
Deklaratën e bërë të martën për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën e kanabisit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka zyrtarizuar, duke vendosur orën 18:00 të 11 nëntorin, si kohën e mbledhjes.
Në një shkresë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kreu i shtetit sqaron se synimi i takimit është këshillimi dhe informimi me anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbi situatën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në territorin e Republikës së Shqipërisë, nisur nga informacionet zyrtare të agjencive ligjzbatuese, të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, informacionit publik dhe rezultateve të publikuara nga organizmat ndërkombëtare.
Presidenti kërkon të dijë nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që erdhëm deri këtu dhe si do të jetë perspektiva e luftës ndaj këtij fenomeni, që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Axhenda e takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare parashikon raportimin e ministrit të Brendshëm, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të prokurorit të Përgjithshëm.
Kryeministri Edi Rama ironizoi me deklaratën që Presidenti bëri të martën për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Ai tha se duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit. Teksa Kryeministri e bën të dyshimtë pjesëmarrjen e tij, në këtë mbledhje pritet të jetë kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë edhe ministri i Brendshëm, ai i Jashtëm, i Mbrojtjes, i Financave dhe i Transporteve, kreu i SHISH, kryeprokurori e drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Gjatë vizitës në Shkodër dy ditë më parë Presidenti njoftoi se shumë shpejt do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Është një fenomen serioz që ka marrë përmasa kombëtare. Për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit që tashmë është jo vetëm nga agjencitë ligjzbatuese të inteligjencës të vendit, por edhe ato partnere, unë së shpejti kam vendosur që të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet që ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë”, u shpreh kreu i shtetit Bujar Nishani.
Skandal, polici i Bashkisë Tiranë i vjedh paketat shitësit ambulant
Një akt skandaloz e madje banditesk është kryer nga Policia Bashkiake e Tiranës. Një efektiv i saj i ka marrë forcërisht disa paketa një prej shitësve ambulantë në zonën pranë Medresesë. Nuk bëhet fjalë për sekuestrim të mallit, por për grabitje haptazi. Polici është nisur tek shitësi me idenë për të mos paguar për paketat, por kur ka hasur rezistencën e tij, i ka marrë forcërisht dhe është larguar.
Skena është regjistruar në video nga kalimtarët, disa prej të cilëve edhe i kanë tërhequr vëmendjen policit. Shihet nga pamjet se nuk bëhet fjalë për sekuestrim të mallit, siç ndodh zakonisht me shitësit ambulantë, por për grabitje të tij nga punonjës të shtetit me uniformën e Policisë Bashkiake. Shitësi i zemëruar nga ky veprim i policit, hedh disa prej mallrave në tokë. A do të vazhdojë ky efektiv të jetë ende në detyrë dhe të paguhet me paratë publike?
Prokuroria greke: Jo vetëvrasje, por krim vdekja e Marnikollajt
Prokuroria greke ka bërë një kthesë të papritur në hetimet për vdekjen e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj në një nga rajonet e policisë në Athinë. Jo vetëvrasje, por krim, është konsideruar tani aktakuza e Prokurorisë, e cila ia ka kthyer dosjen policisë për hetim të çështjes.
Ky ndryshim dramatik erdhi pas presionit të fuqishëm të familjes Marnikollaj nga Lezha dhe opinionit në Shqipëri për të verifikuar në detaje faktet lidhur me vdekjen e të riut dhe tentativën për varrosjen e tij pa zhurmë dhe pa dijeninë e familjes nga ana e autoriteteve policore greke.
Më 21 tetor 2016 doli ekspertiza e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj, i cili gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta në një rajon policie në Athinë. Sipas ekspertizës në trupin e viktimës u konstatuan shumë shenja në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithëse nuk përcaktohet saktësisht se nga se i janë shkaktuar plagët dhe shenjat në trup, dyshimet të çojnë se mund të jetë edhe keqtrajtuar. Veç nxjerjes së ekspertizës, të enjten dosja e të riut Pëllumb Marnikollaj i ka kaluar Prokurorisë.
Policia hedh versionin se 28-vjeçari shqiptar u vetëhodh nga kati i dytë i rajonit, pasi ai kuptoi se kishte një tjetër urdhër arresti për të. Ndërkohë familjarët dhe të afërmit e tij hedhin dyshimin se djali i tyre është keqtrajtuar dhe dhunuar deri në vdekje duke fajësuar dhe ngarkuar me përgjegjësi punonjësit e policisë.
Pëllumb Marnikollaj gjeti vdekjen më 3 gusht në rajonin e policisë të Patisjas në Athinë, pasi ishte paraqitur si zakonisht për të dhënë firmën, pasi kishte një urdhër detyrim paraqitje një herë në muaj lëshuar nga Gjykata e Athinës. Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë dhe po ndiqet edhe nga avokatët Thanasis Kambajanis dhe Mimoza Caca. Mësohet se më në fund edhe dosja iu dorëzua Prokurorisë nga ana e policisë, pasi Prokuroria ia kishte rikthyer më parë asaj për plotësim dhe në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore.
Kapen 40 kg drogë në Itali, arrestohet vajza shqiptare
40 kg marijuanë janë sekuestruar nga policia italiane në Rapallo, në provincën e Genovas dhe një e re shqiptare është arrestuar, raportonin dje mediat lokale. Gjatë një feste Halloween-i për fëmijët, efektivët e angazhuar në një shërbim normal të sigurisë, pikasën një veturë, një “Renault Megane Sw”, që ndryshe nga makinat e tjera të parkuara, ishte plotësisht e mbuluar nga gjethet. Dyshimi lindi kryesisht nga era e fortë e marijuanës që vinte nga bagazhi i mjetit.
Efektivët vendosën që të ruanin mjetin dhe pas disa orë pritjeje, automjetit iu afrua një shqiptare 24-vjeçare që e hapi derën e makinës dhe u fut në të, por u ndalua menjëherë nga policia.
Përveç ngarkesës së konsiderueshme të drogës të fshehur në bagazh, karabinierët i kanë gjetur së resë, një biletë me shifra, emra dhe tregues kilogramësh, që dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm. 24-vjeçarja, e cila rezultonte pa letra qëndrimi në shtetin fqinj është arrestuar. Identiteti i saj, aktualisht nuk bëhet i ditur.
Gjenerali jugosllav gjykohet si spiun i SHBA
Momcilo Perisiç, ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Jugosllave dhe zv/kryeministër i Serbisë, doli në gjyq të mërkurën në Gjykatën e Lartë në Beograd nën dyshimin se i ka dhënë sekrete shtetërore Shteteve të Bashkuara.
Perisiç, i cili po gjykohet bashkë me dy burra të tjerë, nënkolonelin Miodrag Sekuliç dhe civilin Vladan Vlajkoviç, e ka deklaruar veten të pafajshëm.
Gjyqi ishte i mbyllur për publikun, pasi Prokuroria tha se, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria serbe donin që dokumentet që pretendohet se i janë kaluar SHBA-së të vazhdojnë të mbeten konfidenciale.
Megjithatë, mbrojtja protestoi kundër vendimit të gjykatës për ta mbajtur gjyqin me dyer të mbyllura, duke u shprehur se dokumentet mund të shihen në faqen e internetit të Gjykatës se Hagës, raportoi televizioni publik serb “RTS”.
Prokurori ushtarak ngriti akuza kundër Perisiçit në vitin 2002, gjatë kohës që ai shërbente si kreu i Komisionit parlamentar për Siguri, duke e akuzuar atë se i ka dhënë të dhëna sekrete një diplomati amerikan në një hotel në Serbinë Qendrore.
Sipas raporteve të mediave, Perisiç u takua me diplomatin amerikan, John David Neighbor dhe i dha atij dokumente ushtarake për pjesëmarrjen e ushtrisë në luftërat në Kroaci dhe Bosnje.
Të dy u arrestuan, por Neighbor u lirua shpejt për shkak se ai kishte imunitet diplomatik dhe SHBA mohoi menjëherë t’i ishte dorëzuar ndonjë e dhënë sekrete.
Çështja u mbikëqyr nga gjykata ushtarake e Beogradit deri në vitin 2005, kur ajo u transferua në një gjykatë të rregullt në kryeqytetin serb, por procedurat u pezulluan kur Perisiç u dërgua në Hagë për gjykim.
Ai u lirua nga akuza për krime lufte nga Gjykata e Hagës në vitin 2013.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës vendosi se Perisiç nuk ishte përgjegjës për mizori të kohës së luftës të kryera nga Ushtria serbe e Bosnjës në Sarajevë dhe Srebrenicë, sepse ajo nuk ishte nën komandën e Ushtrisë Jugosllave.
Ajo e deklaroi atë të pafajshëm për mosndëshkimin e vartësve të tij që morën pjesë në bombardimin e kryeqytetit kroat, Zagrebit.
Duke folur për akuzat për spiunazh në intervistën e tij të vetme për mediat pas lirimit të tij nga akuzat për krime lufte, ai tha nëse arriti të fitonte një çështje në Gjykatën e Hagës, ai mund të fitonte edhe në një gjykatë serbe.
Kreu i Këshillit i akuzuar për lidhje me mafien synon “Notin”
Është një turp i madh, që edhe pas 114 vitesh nga shpallja e Pavarësisë, flamuri kombëtar në Vlorë, të ngrihet në emër të popullit të Qarkut të Vlorës, prej një personi që nuk di as Himnin Kombëtar! Mos u çuditni, por Këshilli i Qarkut të Vlorës, qysh prej 4 qershorit 2014, nuk po drejtohet nga ndonjë profesor, shkencëtar, personalitet kulture e drejtësie, por nga individ kontigjent drejtësie, të skeduar brenda dhe jashtë Shqipërisë si person, jo vetëm me precendentë penalë, por me vepra penale të faktuara.
Edhe pse pas emërimit (jo zgjedhjes) në krye të Këshillit të Qarkut të Vlorës të Sadrit Danajt, ose “Sadrit nepërka” (siç njihet) në Itali e në disa shtete të tjerë prej nga nisi “CV-në” e krimeve të tij, pati shumë reagime kundër kupolës së “Rilindjes” për këtë skandal edhe nga brenda PS, por atij iu dhanë në dorë “çelësat” e komandës së Këshillit të Qarkut Vlorë, ku përfshihen rrethet Vlorë, Sarandë dhe Delvinë. Pas afro 3 vitesh, duket sikur emri i tij u harrua, por është shfaqur përsëri ditët e fundit, në një tjetër pazar tip trafiku, për të uzurpuar postin e kreut të Federatës së Notit të Shqipërisë.
I mësuar dhe specializuar në “ujërat” e pazareve të pista, Sadrit Danaj, ka nisur prej disa kohësh të tentojë blerjen e kolltukut të Federatës Kombëtare të Notit shqiptar, duke përdorur gjithë marifetet dhe milionat e siguruara prej trafiqeve të çdo lloji në këto 20 vite, të ushtruara brenda dhe jashtë Shqipërisë! Kush e mbështet këtë person të dënuar në Itali dhe të kërkuar në disa shtete të tjera të BE, për “sukseset” e tij si trafikant, prej afro 3 vitesh edhe kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës, post të cilin dihet se si, se cilët dhe përse ia dhanë? I skeduar në Itali si trafikant i çdo lloj “produkti”, Sadrit Danaj u rikthye në Vlorë për t’i shpëtuar drejtësisë, duke blerë nga postet e larta të pushtetit të lartë të “Rilindjes” në Qarkun e Vlorës, ku u mbështet edhe nga kreu i “Rilindjes”.
Nuk e dimë, se përse u gradua në këtë post të lartë shtetëror, por dimë faktin që ai u përzgjodh për t’u emëruara kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës, paçka se flitet sikur nga aktivitetit prej trafikanti në Itali, ai ka sjellë “në pajë” edhe 2-3 diploma diplomati e juristi ndërkombëtar! Kush është “Abedini” i Vlorës? Sipas letrave që vijnë nga Italia e që janë në dosjet e drejtësisë e të policisë shqiptare, Sadrit Danaj rezulton i arrestuar në vitin 2000, për pengmarrjen e vajzës së një biznesmeni në Itali, gjë të cilën ai e mohon me fjalë e me ndonjë karton të llojit “Rroshi”, duke u vetëshpallur i “pastër”.
Mirëpo trafikanti Sadrit, harron që nuk flitet me gojë, por me bojë! Gazetat “La Repubblica” dhe “Corriere della Sera”, në datën 23 mars 2000, publikuan shkrime speciale ku emri i Sadrit Danajt përmendej si “person i arrestuar për bashkëpunim në një plan të zbuluar nga policia për rrëmbimin e një vajze, për qëllime përfitimi”. Mirëpo, edhe pse pati një reagim për trafikim të votave për postin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, proces që u quajt i pavlefshëm e antiligjor, rrëmbyesi i vajzave në Itali dhe i ca “punëve” të tjera, u gradua “Kryetar”!
A mendoni se çfarë është bërë! Sadriti i dosjeve kriminale të drejtësisë italiane, pasi la pak mjekër edhe u vesh me kostum e kollare dhe mori “vulën” e kupolës së mafies së “Rilindjes”, u emërua kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës, domethënë, i gjithë pushtetit lokal të rretheve: Vlorë, Sarandë e Delvinë. Madje, policia, ka lëshuar edhe një njoftim, për të cilin shtetar Sadriti hesht, por që burime nga Policia e Vlorës, kanë saktësuar, se në kuadër të operacionit policor të koduar “Përmbaruesi”, u arrestua në flagrancë për “Korrupsion pasiv” shefja e zyrës së Përmbarimit të Vlorës, Algerta Fejzulla, kunata e të “pastrit” Sadrit Danaj! Ende nuk ka nxjerrë ndonjë “letër” pastërtie dhe për këtë skandal, por dihet që po bën letrat dhe i ka paraqitur ato për të uzurpuar kolltukun e drejtuesit të Federatës së Notit shqiptar, duke përdorur marifetin e uzurpimit të postit të kryetarit të Këshillit të Qarkut të Vlorës, prezenca e të cilit në krye të këtij pushteti, prej 3 vitesh po gajas gjithë popullin e Vlorës, sidomos kur bëhen ceremonitë zyrtare, në të cilat Sadriti ngre flamurin kombëtar, me të njëjtat gjeste siç ka ngritur edhe flamurin e skafeve, gjatë trafiqeve!
“VATRA” refuzon Ramën, bojkoton Samitin e Diasporës
Dalip GRECA
Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi “Samit i diasporës” i Kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelektorale të Kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysmë milion shqiptarë.
Vendimi i Federatës “VATRA” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesëmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan Kryeministri. Me vota të hapura u vendos që “VATRA” të mos bëhej pjesë e një farse paraelektorale të Kryeministrit me argumentin se pjesëmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.
Edhe Këshilli Drejtues i “VATRA”-s, i mbledhur më 1 tetor 2016, e la në fuqi vendimin e Kryesisë për mospjesëmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë. Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se “VATRA” duhet të marrë pjesë në Samitin e Ramës, me qëllim që ajo të mos “vetizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga Samiti. Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që “VATRA” të ishte pjesëmarrëse dhe t’ia thoshte në sy Kryeministrit se ky Samit është thjesht një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq, por ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ‘20 të shekullit të shkuar (Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në 5-minutëshin, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për organizatat historike, siç është “VATRA” me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotografisë me Kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky Samit kanë për të mbetur pas: Fotografitë e Ramës (edhe në FB), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.
Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propaganduar me aq zë nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa “VATRA”-s i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreq shtimi i një përfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?
Mënyra se si po e organizon Kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh.
Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.
Ka zëra që thonë se “VATRA” nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë. Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por “VATRA” i ka dalë për borxh Kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e partisë së Shpëtim Idrizit (Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “‘VATRA’ më sheh si një njeri të dyshimtë”…. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh “VATRA”-n me dyshim. “VATRA” e takoi Kryeministrin Edi Rama më 26 shtator 2013 në hotelin “Four Sizen” në Manhattan dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptarë.
Kryetari i “VATRA”-s, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e varanëve patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe solidarë me shtresën e ish-të persekutuarve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shenja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vërejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të mëparshme, arritje të suksesshme në dobinë e vendit e të kombit. ‘VATRA’ do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme”.
“Ramës i kërkuam të pastrohet nga mafia dhe droga”
“VATRA” i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, jo. “VATRA” ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar Kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formularin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi “VATRA” në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht. Ai ka ardhur shpesh në SHBA, pas atij takimi me “VATRA”-n, por ndërkohë që ka pasur kohë edhe të shkojë në Las Vegas apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pamiratuar, por nuk ka pasur kohë që të vijë t’i hedhë një sy “VATRA”-s, nga e cila kanë dalë kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,… qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm… Nuk është “VATRA” që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë “VATRA”-s.
Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim Samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetur të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelektorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mossukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe pakësojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj).
Denoncimet e reja të FBI turbullojnë edhe Bill Clinton
Dje, FBI-ja nxori dokumente shtesë nga një hetim i mbyllur i para 15 vjetëve lidhur me faljen presidenciale të një dhuruesi fondesh për demokratët nga ana e Presidentit Bill Clinton.
Dokumentet bëhen publike vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale dhe vetëm disa ditë pasi agjencia njoftoi se do të vazhdonte të hetonte e-mail-et e kandidates demokrate, Hillary Clinton, një lëvizje që shkaktoi kritika nga demokratët dhe vlerësim nga kandidati republikan Donald Trump.
Dokumentet e reja përmbajnë 129 faqe me materiale që janë gjerësisht të redaktuara lidhur me amnistinë e Presidentit Clinton për Marc Rich-in, në ditën e fundit në detyrë. Rich iku nga Amerika për në Zvicër, pak pasi ndaj tij u ngrit padi për akuza lidhur me taksat federale dhe jetoi atje në fshehtësi për disa vjet. Para se t’i falej padia, ai ishte në listën e FBI-së për më të kërkuarit dhe në qendër të rastit më masiv të shmangies së taksave në historinë amerikane.
Debati rreth amnistisë përqendrohet tek dhurimet që kishte bërë ish-bashkëshortja e zotit Rich, Denise Rich, një shumë prej 450,000 dollarësh dhe për fushatën e zonjës Clinton për Senat, një shumë prej 100,000 dollarësh.
Zëdhënësi i fushatës së zonjës Clinton, Brian Fallon hodhi dyshime për momentin e vendimit të FBI-së për të botuar dokumentet tani, kaq pranë zgjedhjeve.
“Nëse nuk ka një afat në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit, kjo është e çuditshme”, shkruante Fallon në Twitter. “A do të publikojë FBI-ja dokumente për diskriminimet që ka bërë familja Trump për strehimin në vitet `70?”.
Pjesa e dytë e mesazhit të zëdhënësit Fallon në Twitter, i referohej një aktpadie federale për strehim kundër zotit Trump, ku ai dhe i ati Fred Trump akuzoheshin për diskriminim ndaj qiraxhinjve të mundshëm bazuar tek raca. Për çështjen u arrit marrëveshje jashtë sallës së gjyqit dhe zoti Trump nuk e pranoi kurrë fajësinë.
Në një deklaratë, FBI-ja tha se dokumentet u bënë publike automatikisht në dhomën e leximit elektronike të agjencisë në përputhje me ligjin. Nëse më shumë se tre vetë kërkojnë dokumente nga FBI-ja, agjencia ka një praktikë që i vë në dispozicion ato dokumente në internet.
Megjithëse nuk doli ndonjë informacion i ri në dokumente, ato gjithsesi ka mundësi t’i japin material zotit Trump.
Ai po e përdor njoftimin e drejtorit të FBI-së, James Comey se agjentët po rishikojnë e-mail-e të rinj nga koha kur zonja Clinton ishte sekretare Shteti, si argument se rivales së tij i mungon sinqeriteti dhe nuk mund t’i besosh.
Zonja Clinton, që ka thënë se njoftimi i zotit Comey kaq pranë zgjedhjeve të 8 nëntorit, ishte “indinjues”, iu shmang kësaj çështjeje të martën në Florida, ku tha se komentet e zotit Trump për gratë ishin “poshtëruese, degraduese dhe fyese”.