15.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

OKB: Trafikantët 1.5 miliardë USD fitime nga droga më 2016

Ashtu si në çdo treg tjetër, që udhëhiqet nga parimet e kërkesë-ofertës dhe të riskut, “biznesi” i kultivimit të kanabisit, që ka njohur lulëzim muajt e fundit, ka filluar të vuajë pasojat e mbiofertës. Sipas burimeve nga tregu, çmimi i shitjes të bimës, – që ka zhvendosur vëmendjen nga bujqësia tradicionale – ka rënë ndjeshëm që pas shtatorit, kur ajo filloi të korrej, në të gjitha hallkat e tregtimit të tij.
Ndërsa çmimi me të cilin produkti dilte nga fusha ishte 250-300 euro/kg, pas shtatorit ai ka rënë në 100-200 euro/kg, duke u tkurrur me 30-40%. Ka dhe disa zona, si në Gjirokastër, ku fshatarëve që kanë mbjellë për hesap të vet, u merret edhe me 70 euro për kg. Derisa produkti arrin në destinacionin përkatës, çmimi rritet ndjeshëm për shkak të kostos së lartë të transportit (kosto e trafikimit me avion llogaritet në rreth 500 euro/kg, me kamion 350 euro/kg dhe me gomone 250 euro/kg) dhe marzhit shtesë të fitimit.
Pavarësisht kostove të larta të transportit, rënie të ndjeshme ka pësuar dhe çmimi i tregtimit me shumicë të kanabisit në shtete të ndryshme (dorëzimi nga pala shqiptare). Për shembull, në Italinë e Jugut, çmimi ka rënë nga 1700-1800 euro/kg në 1200-1500 euro/kg, në atë të Veriut është ulur me më shumë se 20%, nga 2200-2500 euro në 1700-2000 euro/kg.
Në Turqi, që është një nga tregjet kryesore të Shqipërisë, për shkak edhe të konsumit të lartë nga turistët, çmimi ka rënë deri në 45%, nga 4000 euro/kg në 2200 euro/kg. Kërkesa e lartë nga Turqia vlerësohet dhe si një nga faktorët që nxiti prodhimin në Shqipëri.
Çmimi më i shtrenjtë i shitjes është në vendet skandinave (Suedi, Danimarkë), deri në 6000 euro/kg, por mësohet se furnizimi atje është ndërprerë për shkak të stoqeve të krijuara dhe çmimi ka rënë në rreth 5 mijë euro/kg.
Në Gjermani çmimi gjithashtu është përgjysmuar në rreth 2200 euro/kg (ndonëse ky shtet nuk ka klientë direkt). Në Holandë dhe Belgjikë, çmimi ka rënë me 35% në rreth 2300 euro/kg.
Në Francë furnizohen disa qytete, si Nice, Lion, Monako (edhe këtu çmimi ka rënë me 30%), ndërsa Spanja dhe Portugalia furnizohen kryesisht nga Maroku.
Shqipëria dhe Maroku vlerësohen për momentin si furnizuesit më të mëdhenj të Europës, ku cilësia e kanabisit shqiptar është më e mirë, për shkak të veçorive natyrore të vendit.
Mësohet se rritja e prodhimit ka qenë një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në rënien e çmimit, teksa organizatorët kanë qenë të detyruar të bënin një veprim të tillë për të ruajtur klientët dhe kanalet e tregtimit.

Kush po humbet nga zhvlerësimi

Si një treg me risk të lartë edhe marzhi i fitimit është mjaft i madh dhe pavarësisht rënies, fitimet mbeten të kënaqshme. Më të garantuar janë punonjësit, që kanë pagesa fikse që arrijnë deri në 5 mijë lekë në ditë. Muajt e fundit vlerësohet se ka pasur një zhvendosje të ndjeshme të fuqisë punëtore drejt fushave të hashashit, aq sa disa industri, si për shembull, ajo e fasonit, kanë hasur vështirësi në përmbushjen e porosive për klientët si rrjedhojë e mungesës së punonjësve.
Të mbrojtura nga rënia e çmimit janë dhe grupet organizatore, sidomos ata që kanë mbjellë parcelat e veta. Ashtu si me investimet në bursë, ku përveçse risku i lartë nënkupton fitime të larta, ata janë kujdesur të diversifikojnë rrezikun. Përgjithësisht funksionojnë skemat e organizuara, që pasi gjejnë financimin dhe tokat (me qira ose me përqindje), sigurojnë mbështetjen e policisë, shpenzojnë për rojet dhe kujdesen për sigurimin e fuqisë punëtore. Për të diversifikuar rrezikun mbillet në disa zona, ku edhe nëse kapet e asgjësohet një pjesë nga policia, sërish prodhimi është i garantuar.
Humbjen më të madhe vlerësohet që ta kenë pasur “investitorët”, që kanë mbartur pjesën më të madhe të riskut dhe që do të marrin të paktën 30% më pak sesa kishin qenë planet fillestare.

Sa janë të ardhurat?!

Vlerësimi i të ardhurave që vijnë nga kultivimi i kanabisit mbetet një mision i vështirë. Një raport i publikuar së fundmi nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin), por që i referohet të dhënave të vitit 2014, vlerëson se fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave në Shqipëri janë sa 2.6% e prodhimit të brendshëm bruto (ajo që prodhon ekonomia në një vit). Duke pasur parasysh që PBB e Shqipërisë është rreth 13 miliardë USD në vit (sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave), atëherë fitimi nga tregtia e paligjshme e drogave llogaritej rreth 340 milionë USD për vitin 2014.
Më 2016-n, si rrjedhojë e rritjes së sipërfaqes së mbjellë, shuma vlerësohet disa herë më e lartë. Policia ka deklaruar se deri tani ka shkatërruar 1.5 milionë rrënjë. Duke vlerësuar se është shkatërruar rreth gjysma e sasisë së mbjellë, sasia e mbetur prej 1.5 milionë kg (rendimenti minimal i bimës që ka periudhë kultivimi 6-mujore është 1 kilogram për një rrënjë) vlerësohet në minimum 1.5 miliardë euro (me një çmim mesatar prej 1000 euro/kg).
Problem mbetet se si do të pastrohen këto para. Sipas raportit të UNODC, pastrimi i parave ndodh përmes shumë mënyrash të ndryshme, duke variuar nga përdorimi i teknikave të vogla të decentralizuara, përfshirja e dërgesave të parave ose remitancat deri te përdorimi i sofistikuar i bizneseve mbështetëse; te të gjitha rastet, gjithsesi, të ardhurat nga tregtia e ligjshme e drogave riqarkullohen përmes mjeteve të ligjshme.
Ndërsa përvoja ka tregues se vendet që janë mbështetur te kultivimi i narkotikëve sot janë më të varfëra se fqinjët e tyre, janë të zhytura në konflikte sociale dhe kanë një renditje më të përkeqësuar në indeksin e zhvillimit njerëzor, ndërsa disa prej tyre janë ndër shtetet me numrin më të lartë të vrasjeve në botë për 100 mijë banorë.

Rënia e çmimit dhe stoku pritet të ulin sipërfaqen e mbjellë vitin e ardhshëm

Edhe në rast se nuk do të ketë ndonjë vullnet nga ana e institucioneve për të ndaluar këtë fenomen, ai pritet që të mos jetë kaq masiv vitin e ardhshëm, duke u nisur nga arsye thjesht ekonomike. Së pari, rënia e çmimit nuk e justifikon riskun që ndërmerret për të kultivuar kanabisin. Së dyti, superprodhimi pritet të krijojë stoqe. Së treti, një pjesë që kanë fituar mjaftueshëm këtë vit, mund të mos e ndërmarrin riskun ta kultivojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Që këtë vit për të minimizuar stoqet po kalohet drejt përpunimit në të ashtuquajturën çokollatë, ku një kg çokollatë ka 10 kg kanabis dhe kusht 5000-6000 euro/kg, apo në vajin e kanabisit, që kushton 10 mijë euro/kg.

OBSH: Shqipëria, në mesin e vendeve më të ndotura në botë

Organizana Botërore e Shëndetësisë e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve më të ndotura në botë, ndërsa sikur të mos mungonte kjo, qeveria planifikon edhe importin e plehrave. Rreth 18,000 njerëz vdesin çdo ditë nga ndotja e ajrit. Një studim i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë bën të ditur se, në vit kjo shifër llogaritet në 6.5 milionë njerëz ose sa 11.2% e të gjitha vdekjeve në botë. OBT ka krijuar edhe një hartë me zonat më të rrezikuara nga kjo ndotje. Vihet re se Shqipëria është në zonën “portokalli”, duke u vlerësuar si një shkallë e mesme e rrezikut nga ndotja e ajrit. Këtij studimi i bashkëngjiten edhe të dhënat nga Banka Botërore sipas të cilit tregojnë se vdekjet e parakohshme i kushtojnë ekonomisë botërore qindra miliarda dollarë humbje nga tregu i punës. Rreth 92% e popullsisë së botës, ku përfshihet edhe Shqipëria jeton në një mjedis me ajër të ndotur. Ndotja e ajrit është një nga katër shkaqet që rrezikojnë jetën e njeriut, pas tensionit, rrezikut nga dietat dhe duhanpirja. Shqipëria renditet në vendin e 65-të për nga indeksi i ndotjes me 77.9 pikë.
Për sa i përket Shqipërisë duke iu përmbajtur statistikave të raportit të OBSH-së, Shqipëria është ndër 15 vendet e para ndër vendet e anketuara, me numrin më të lartë të vdekjeve nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit të ambientit për 100 mijë banorë. Ataku i zemrës për shkak të ndotjes së ajrit ka shkaktuar edhe vdekjet më të mëdha në Shqipëri: 780. Në total në Shqipëri ka pasur 1,842 vdekje për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Për këtë statistikë renditemi në vendin e 3-të ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të anketuara. Ndërkaq, edhe faqja e sondazhe të perceptimit, “Numbeo”, e rendit Shqipërinë ndër vendet me ajrin më të ndotur në rajon.
Sipas sondazheve të mbledhura këto 3 vitet e fundit, “Numbeo” e rendit në vendin e të dytë të perceptuar me ajrin më të ndotur në rajon. Ndërkaq për Shqipërinë ka pakënaqësinë më të madhe në rajon për sa i përket trajtimit të mbetjeve. Gjithashtu vendi ynë perceptohet si vendi me ndotjen më të madhe të ujit të pijshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe i dyti në Ballkanin Perëndimor për papastërti.
Pas kryeqytetit maqedonas Shkupi dhe kryeqytetit boshnjak Sarajeva, kryeqyteti shqiptar Tirana, sipas “Numbeo”-s, perceptohet si një ndër kryeqytetet me ajrin më të ndotur në rajon. Gjithashtu sondazhi e ka vlerësuar ndotjen e ajrit të Tiranës si të lartë. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i dytë në rajon, pas atij maqedonas të Shkupit, me vlerësimin më të keq si për trajtimin e mbetjeve ashtu edhe për papastërtinë. Ndërkaq, sipas “Numbeo”-s, për Tiranën të anketuarit kanë shprehur nivelin më të lartë të pakënaqësisë për sa i përket gjelbërimit dhe parqeve në këtë qytet.

Strategjia e qeverisë për Brexit: “Duke parë, duke bërë”

Theresa May dhe kabineti i saj i ministrave janë duke ndjekur strategjinë “duke parë, duke bërë” për çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, sipas John McDonnell. Komentet e tij vijnë pas një demaskimi të sekretarit të Biznesit, Greg Clark në televizion, që tha se qeveria i ka thënë gjigantit të makinave japoneze, “Nissan”, se do të përpiqej të kërkonte një marrëveshje për heqjen e tarifave të makinave për sektorin e makinave në Britani me Bashkimin Europian.
Downing Street është gjendur nën një presion të jashtëzakonshëm për të zbuluar kushtet e marrëveshjes me “Nissan”-in pas deklaratës së kompanisë gjatë javës së kaluar se do të vazhdojë të investojë në Britaninë e Madhe edhe pas Brexit, si dhe do të ndërtojë modelin e gjeneratës së ardhshme, Qashaqi X-Trail SUV, në Sunderland.
Por edhe pse McDonnell e ka mirëpritur vendimin e marrë nga “Nissan”-i, ai ka thënë për “The Indipendent” se aspekti më shqetësues i qasjes së ndjekur nga qeveria është se britanikët po përpiqen të ndjekin strategjinë “duke parë, duke bërë”. Mbi të gjitha, ai u shfaq i shqetësuar për faktin se kjo strategji përçohet nëpër studiot televizive, jo në debatet parlamentare.
“Kjo do të thotë se mbeten shumë pyetje të tjera pa përgjigje dhe kjo e vendos ekonominë britanike në pozicionin e të mbeturit peng i fatit, në vend që të jetë përgjegjëse dhe të marrë vendime për vetë të ardhmen e saj”, shtoi ai. “Kjo do të thotë gjithashtu se punonjësit do të jenë të shqetësuar gjatë këtyre Krishtlindjeve për të ardhurat e tyre, kur në fakt nuk do të duhet të ishin nëse qeveria do të tregohej e sinqertë me ta. Ka ardhur koha që të pranojnë se në të vërtetë nuk kanë asnjë plan për Brexit dhe të fillojnë të konsultohen me njëri-tjerin në mënyrë që të gjithë të mund të qartësohemi dhe të mos jemi më kaq të hutuar për të ardhmen e vendit tonë”.
Ish-lideri i laburistëve, Ed Miliband komentoi për këtë çështje në Twitter duke thënë: “Qeveria thotë se ‘Nissan’-i duhet ta njohë pa dyshim planin e Brexit, por Parlamenti mund nuk ta votojë atë për shkak të fshehtësisë që e rrethon atë. Ky është një pozicion i patolerueshëm”.
Teksa fliste për emisionin e Andrew Marr në “BBC”, Clark tha: Ajo që thashë është që objektivat tanë do të jenë të sigurohemi që të vazhdojmë të kemi akses të pandërprerë në tregjet e Bashkimit Europian – dhe anasjelltas – pa tarifa shtesë dhe pa ndalesa burokratike. Kjo është mënyra se si do t’i trajtojmë negociatat e ardhshme.
“Për sa i përklet prodhuesve kontinentalë europianë të makinave, ata eksportojnë shumë drejt nesh, ne eksportojmë shumë drejt tyre dhe komponentët tanë reciprokojnë vazhdimisht para-mbrapa. Në rast se negociatat drejtohen në një mënyrë serioze, konstruktive dhe të civilizuar, atëherë do të ketë shumë për të përfituar nga të gjitha palët”, tha Clark.
“Pata mundësinë të siguroj ‘Nissan’-in – së bashku me shumë prodhues të tjerë – se kjo është mënyra se si do të trajtojmë diskutimin”. Megjithatë, Clark nuk shtjelloi më tej mënyrën se si ka ndërmend të ruajë marrëdhënien e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian – diçka që i përngjan shumë tregut të përbashkët – veçanërisht në një kohë kur kryeministrja po përpiqet të reduktojë në mënyrë drastike nivelin e emigracionit drejt Bashkimit Europian.
Pas intervistës së sekretarit të Biznesit, laburistët vazhdonin të pyesnin veten nëse ka apo jo “elemente financiare” në marrëveshje me kompaninë, pas spekulimeve të shumta që e përshkruanin marrëveshjen e “Nissan”-it si diçka tepër e bukur për të qenë e vërtetë.
Duke u shfaqur pak momente pas Clarkut ditën e dielë, Keir Starmer, sekretar i Brexit, sulmoi ashpër mungesën e transparencës së qeverisë dhe kërkoi menjëherë publikimin e korrespondencës ndërmjet sekretarit të Biznesit dhe kompanisë së makinave japoneze.
Por kur iu tregua shfaqja e Clarkut, ai u duk qartazi tepër i irrituar, duke shtuar: “Ta mësosh këtë përmes një interviste në televizion, është mënyra më e gabuar për të nisur negociatat”. Starmer shtoi gjithashtu se kishte ndërmend të kërkonte llogari dhe të detyronte ministrat të nxjerrin të gjitha garancitë që mund t’i kenë ofruar prodhuesit të makinave.
“Ata thonë se nuk janë duke u shkëmbyer para me duar… Për këtë nuk jam i sigurt. Na duhet të zbulojmë të vërtetën dhe këtë çështje do të përpiqem ta ngre në Parlament sa më parë sepse mendoj se është diçka e rëndësishme, e cila duhet të diskutohet publikisht”.

Qeveria turke vazhdon masat ndëshkuese

Turqia shkarkoi nga detyra më shumë se 10 mijë punonjës të shërbimit civil, ndërsa qeveria vazhdon masat ndëshkuese pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik.
Njoftimet për pushimin nga puna të akademikëve, mësuesve dhe punonjësve të shëndetësisë u publikuan të shtunën në mbrëmje.
Turqia ka shkarkuar nga detyra më shumë se 80 mijë punonjës të shërbimit civil dhe ka arrestuar më shumë se 30 mijë të tjerë lidhur me grushtin e shtetit.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar vazhdimisht klerikun Fethullah Gulen si personin që qëndron prapa përpjekjeve për grusht shteti që la të paktën 270 të vdekur.
75-vjeçari Gulen ka jetuar në mërgim në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999 dhe ka mohuar përfshirjen në përpjekjet për grusht shteti. Turqia kërkon ekstradimin e tij.
Presidenti Barack Obama i tha zotit Erdogan në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në fillim të vitit se, Uashingtoni është i përgatitur të ofrojë çdo mbështetje të nevojshme për hetimet për grushtin e shtetit dhe për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Por zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo ekstradim do të duhet të miratohet nga sistemi i drejtësisë amerikane.

BE-Kanada nënshkruajnë marrëveshjen e tregtisë së lirë

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme të tregtisë së lirë dje në Bruksel që synon të nxisë rritjen ekonomike dhe vendet e punës.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau nënshkroi marrëveshjen CETA së bashku me krerët e institucioneve të BE-së, (presidentin e BE-së, Donald Tusk, kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Kryeministrin sllovak, Robert Fico, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së).
Ceremonia e nënshkrimit ishte shtyrë nga e enjtja pasi rajoni frëngjishtfolës Wallonia në Belgjikë, me gati 3.6 milionë banorë, i vuri fillimisht veton marrëveshjes që do të ndikojë më shumë se 500 milionë evropianë dhe 35 milionë kanadezë.
Fillimi i takimit të nivelit të lartë i së dielës u shty gjithashtu kur avioni i zotit Trudeau u detyrua të kthehej në Kanada përkohësisht për shkak të problemeve mekanike.
Marrëveshja CETA do të heqë 99 për qind të taksave doganore mes Kanadasë dhe 28 vendeve të bllokut, duke lidhur tregun e BE-së me ekonominë e 10-të më të madhe në botë.
CETA pritet të nxisë tregtinë mes BE-së dhe Kanadasë me 13.2 miliardë dollarë në vit, duke krijuar rritje ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës në të dyja anët e Atlantikut.
BE-ja këmbëngul se marrëveshja nuk do të ndalë qeveritë të marrin masa për të mbrojtur standardet ambientaliste dhe sociale nëse besojnë se veprimet janë të nevojshme, megjithë shqetësimet në Wallonia dhe gjetkë se kompanitë e mëdha do të kenë dorë të lirë.
Marrëveshja mes BE-së dhe Kanadasë ka nxitur protesta të gjera nga aktivistët kundër globalizmit që thonë se ajo do të minojë industritë vendase dhe standardet për kujdesin shëndetësor dhe çështje të tjera.

Spanja, më në fund me qeveri

Që Spanja do të ketë sërish një qeveri zyrtare të sajën – kjo është më tepër se e vonuar. Epo, më në fund: Spanja ka sërish një qeveri. Me anë të një abstenimi në votim të shumicës së deputetëve të Partisë Socialiste, Mariano Rajoy arriti t’i fitojë zgjedhjet. Socialistët e pranuan që dhjetë muaj stanjacion politik është shumë dhe prandaj lëshuan pe në rizgjedhjen vendimtare të konservatorit Rajoy. Një vendim i arsyeshëm. Por ai vjen tepër vonë.
Ka muaj që projekte ndërtimi publike janë bllokuar në Spanjë, për shembull zgjerimi i linjave hekurudhore për trenat e shpejtësisë së lartë. Sepse qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të japë miratimin për to. Spanja ende nuk ka ndonjë plan buxhetor për vitin e ardhshëm – kurse Komisioni i BE pret prej muajsh për propozime të reja për kursim nga Madridi. Ky bllokim reformash nuk duhet të kishte ndodhur, po ta kishin ndihmuar socialistët që pas zgjedhjeve parlamentare në dhjetor ose pas rizgjedhjes në qershor Rajoy-n që ta merrte pushtetin.
Sepse një konstelacion tjetër të arsyeshëm qeveritar nuk kishte. Një aleancë e majtë qe bërë e pamundur, pasi lëvizja radikale e majtë Podemos i pati sulmuar ashpër socialistët. Gabimi i madh, të cilin socialistët e patën bërë që në fushatën elektorale, ishte që e patën përjashtuar kategorikisht mbështetjen e një qeverie konservatore. Që punët mund të sillnin këtë situatë që sollën, këtë partia mund ta kishte llogaritur që më parë: ishte e qartë që në këto zgjedhje do të futeshin në Parlament parti të reja, që përqindjet do të shpërndaheshin dhe se do të vështirësohej krijimi i shumicave.

Grindje tek socialistët
Javët e fundit, socialistët u zhytën në kaos: politikanë të rangut të lartë e shanë njëri-tjetrin rëndë publikisht – në mosmarrëveshje për çështjen a duhet të mbështetet Rajoy apo jo. E gjitha u shkallëzua deri në një luftë sharjesh e fyerjesh dhe në dorëheqjen e kryetarit të partisë në fillim të tetorit. Të gjitha këto socialistët mund t’ia kishin kursyer Spanjës – edhe vetes së tyre.
Sepse partia është përtokë, ajo është e përçarë nga grindjet si kurrë më parë. Po të zhvilloheshin tani zgjedhje të reja, ajo do të humbiste shumë nga rëndësia, kjo parti me traditën më të pasur në Spanjë. Prandaj është edhe në interesin e saj, që qeveria e minoritetit e socialistëve të mbajë sa më gjatë që të jetë e mundur dhe që zgjedhjet e reja të mos jenë kaq pranë.
Socialistët duhet të tregojnë se janë vërtet të interesuar për të mirën e Spanjës, siç e thonë gjithmonë. Ajo që nevojitet është më shumë arsyeja, se sa krenaria. Kjo parti duhet të pranojë se konservatori Rajoy ishte fituesi i të dyja zgjedhjeve dhe duhet të jetë ai që ta përcaktojë tonin. Në këtë mënyrë kjo parti mund ta riparojë në njëfarë mënyre qëndrimin jo të shkathët të muajve të fundit dhe ta kompensojë disi kohën e hedhur dëm.

Ethe spiunësh po trondisin Serbinë

E gjitha nisi me zbulimin e një ish-pjesëtari të “ushtrisë së Republikës serbe të Krajinës”, tani në pension, i cili ka spiunuar për Kroacinë. E më pas u zbulua që një pjesëtar i Drejtorisë së Kriminalistikës në Policinë e Serbisë ka bashkëpunuar me CIA-n. Paralelisht me zbulimin e spiunëve në Beograd, u kap edhe një grup “terrorist” në Mal të Zi, që dyshohet se ka planifikuar rrëzimin e pushtetit në këtë vend. Disa media në Beograd e kanë bërë publik informacionin – e përgënjeshtruar nga pala ruse – se disa shtetas rusë janë dëbuar nga Serbia, për shkak të aksioneve terroriste në Mal të Zi. Ndërsa vizita para ca ditësh e kryespiunit rus Nikolaj Petrushin në Beograd u quajt si një dëshmi se “vetë kryeshefi ka ardhur për të marrë spiunët e vet”.
Lajmi i fundit nga Serbia është se afër shtëpisë së Kryeministrit Aleksandar Vuçiç është gjetur një arsenal armësh. Në lajm thuhet se në një makinë të blinduar në afërsi të shtëpisë së Vuçiçit është gjetur një sasi e madhe armësh, municioni dhe një minahedhës. Koalicioni në pushtet pohon se kjo ishte një përpjekje për atentat kundër Vuçiçit, ndërsa vetë Kryeministri thotë se duhen pritur rezultatet e hetuesisë. Tani duhet të konstatohet se të kujt janë këto armë dhe a ka pasur lëshime të shërbimeve të sigurimit.
Pas shumë grusht shteteve mediatike dhe virtuale, si dhe akuzave ndaj Perëndimit dhe shërbimeve sekrete të tij, të cilave “u pengon Vuçiçi i fuqishëm”, opinioni serb është i çoroditur. Autoritetet serbe disa herë kanë qenë viktimë e skenareve të veta dhe lajmeve alarmante që kanë lëshuar vetë – që ka rezultuar me përqeshje, por edhe shqetësimin e qytetarëve. Gazetari Millosh Vasiç thotë për “Deutche Welle”-n se disa prej këtyre lajmeve kanë disa shtresa. “I gjithë tregimi rreth Malit të Zi dhe pohimet se është dashur të ndihmohet Milo Gjukanoviçi për të mbetur në pushtet, kanë shkaktuar spekulime. Me sa di unë, shërbimet serbe kanë bashkëpunim të mirë me ato perëndimore dhe nuk kam vërejtur që pala serbe e ka shpallur person non grata ndonjë diplomat amerikan, që zakonisht bëhet në rastet e tilla. Tani kemi një situatë të paqartë që gjithmonë nxit edhe spekulimet për spiunë, tradhtarë, të paguar etj.”. Edhe Sofija Mandiç ankohet për mungesën e informacioneve të duhura. Ndaj opinioni duhet të interpretojë edhe pohimet e ministrit të Brendshëm.

Terrorizmi pa akuza zyrtare
“Nëse përpiqemi të interpretojmë pohimet për përzierjen e shërbimeve të huaja në aksione terroriste – në Mal të Zi apo në Serbi – atëherë mund të thuhet se kjo nuk është një praktikë e rregullt e spiunimit”, thotë Sofija Mandiç. “Institucionet deri tani nuk kanë nisur asnjë procedurë penale. Ndaj shtrohet pyetja pse dolën në opinion. Këtu kemi mungesë informacionesh. Nëse është e vërtetë që janë dëbuar disa shtetas rusë, atëherë pse nuk është nisur ndonjë procedurë penale?” Millosh Vasiç nënvizon se vizita e Petrushevit ka qenë e planifikuar edhe më parë. Por deri tani nuk ka ndonjë lajm të konfirmuar për vërtetësinë e lajmit të botuar në disa media, nëse ka pasur shtetas rusë të dëbuar nga vendi.

Serbia nuk është edhe aq e rëndësishme
Intensifikimi i aferave të spiunimit është pjesë e interesimit të Perëndimit dhe Lindjes për pozitën gjeostrategjike të Serbisë, thuhet në media. Por Millosh Vasiç është i mendimit se fuqitë e mëdha nuk janë të interesuara për lëkundje serioze dhe probleme të mëdha në këtë vend. “Këto pohime janë vetëm ëndrra të shkreta të nacionalistëve serbë: që Serbia është një vend me rëndësi të madhe gjeostrategjike. Personalisht nuk mendoj që Serbia është ndonjë epiqendër e rëndësishme. Rëndësia jonë e vetme gjeostrategjike është që përmes vendit tonë kalojnë linja të rëndësishme trafiku. Prandaj mendoj se do të ishte më mirë që të kujdesemi për një hekurudhë më të mirë, se sa të merremi me budallallëqe dhe dëbime”. Edhe Sofija Mandiç mendon se vetëm njerëzit në pushtet po përpiqen që Serbisë t’i japin një rëndësi që nuk e ka.

A po rrezikon qëllimisht Hillary Clinton?

Lideri demokrat në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Harry Reid, tha se kreu i FBI-së mund të ketë shkelur ligjin, pasi ka bërë të ditur se agjencia e tij është duke hetuar disa e-mail-e, të cilat mund të kenë lidhje me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Reid akuzoi drejtorin e FBI-së, James Comey, për shkelje të një akti, i cili i ndalon zyrtarët të ndikojnë në zgjedhje.
Lajmi për hetimet e FBI-së ka ardhur më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Agjencia është duke hetuar disa e-mail-e që i përkasin një ndihmëseje të lartë të Clintonit.
E-mail-et e Huma Abedinit besohet se janë gjetur në laptopin e burrit të saj, ish-kongresistit Anthony Weiner.
Weiner është subjekt i një hetimi të veçantë, nën dyshimet se ka dërguar mesazhe seksuale te një vajzë e mitur.
Raportohet se janë rreth 650,000 e-mail-e për t’u hetuar në rastin Clinton, çfarë e bën të pamundur për hetuesit që të dalin me një vendim përpara zgjedhjeve.
FBI beson se e-mail-et mund të lidhen me hetimet paraprake të Clintonit, për shkak të përdorimit të një serveri privat në kohën kur ka qenë sekretare e Shtetit në administratën Obama.
Ky rast është mbyllur në korrik pa ndonjë akuzë kundër Clintonit.
Përmes një letre, lideri demokrat i Senatit, Reid, akuzoi drejtorin e FBI-së, Comey, për ushtrimin e standardeve të dyfishta, me qëllim që të ndihmojë një parti politike përballë tjetrës.
Ai tha se Comey mund të ketë shkelur Aktin e Kurdisjes, i cili i ndalon zyrtarët të përdorin pozitën e tyre për të ndikuar në zgjedhje.
Reid po ashtu tha se Comey ka fshehur “informacione të vrullshme për lidhjet e afërta të kandidatit republikan për president, Donald Trump dhe këshilltarëve të tij me qeverinë e Rusisë”.
“Publiku ka të drejtë të dijë për këto informacione. Ju kam shkruar disa muaj më parë, duke kërkuar që këto informacione të bëhen publike”, tha Reid.
Se çfarë efekti mund të ketë veprimi i FBI-së në zgjedhjet e 8 nëntorit është e paqartë, por sondazhet e opinionit tregojnë se epërsia e Clintonit ndaj Trumpit ka rënë.
Një sondazh i “ABC News” dhe i “Washington Post”, i publikuar të dielën, e ka treguar Clintonin vetëm me një përqindje përpara.
Clinton i ka përshkruar veprimet e Comey-t si “të papara” ndonjëherë dhe “thellësisht shqetësuese”.
Trump, në anën tjetër, ka lavdëruar vendimin e FBI-së, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë për mbrojtje të Clintonit.
“Departamenti i Drejtësisë është duke bërë përpjekje të mëdha për të mbrojtur veprimtarinë kriminale të Hillary Clintonit”, tha Trump.
Në një intervistë për televizionin “CBS”, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Clinton po përballet me “një standard të dyfishtë” kur është fjala për besueshmërinë.
Sipas vëzhguesve, veprimi i FBI-së mund të jetë asgjë, por edhe gjithçka për Clintonin. Analistët thonë se një gjë është e sigurt: edhe nëse Clinton fiton garën për Shtëpinë e Bardhë, ditët e para të presidencës së saj do të ndiqen nga kjo ngatërresë politike.

Shkatërrimi i Alepos

A Syrian man carries his two girls as he walks across the rubble following a barrel bomb attack on the rebel-held neighbourhood of al-Kalasa in the northern Syrian city of Aleppo on September 17, 2015. Once Syria's economic powerhouse, Aleppo has been ravaged by fighting since the rebels seized the east of the city in 2012, confining government forces to the west. AFP PHOTO / KARAM AL-MASRI (Photo credit should read KARAM AL-MASRI/AFP/Getty Images)

Presidenti sirian, Bashar al-Assad dhe Presidenti rus, Vladimir Putin mund të lëshojnë një sulm masiv kibernetik kundër rebelëve në lindje të Aleppos për ta marrë përfundimisht në dorë kontrollin e qytetit që këtë javë, thuhet në raporte. Rusia ka pozicionuar sipërfaqen më të madhe të ushtrisë ruse që nga koha e Luftës së Ftohtë dy javë më parë – ku përfshiheshin tetë luftanije dhe aeroplanmbajtësi i vetëm i Rusisë – të cilët pritet të mbërrijnë në qytetin mesdhetar të Latakias në mëngjesin e ditës së mërkurë.
Informacionet e inteligjencës së NATO-s në atë kohë thanë se një burim i inteligjencës perëndimore kishte konfirmuar për “New York Times” se, prisnin një kreshendo sulmesh ajrore mbi Aleppon si pjesë e strategjisë së Rusisë për të shpallur fitoren e plotë mbi këtë zonë.
Sulmi që pritet – i cili koinçidon “çuditërisht” me kohën kur Shtetet e Bashkuara janë të mbingarkuara me zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të 8 nëntorit – vjen disa javë pas një bombardimi të rëndë ajror dhe pas sagës disa mujore që i ka bllokuar 250 njerëz në zonën që mbahet aktualisht nën kontrollin e rebelëve pa ushqim, karburant apo furnizime mjekësore.
“Mendojmë se rusët janë në prag të një sulmi të jashtëzakonshëm në Aleppo”, thotë një burim i inteligjencës për “The Times”. “Mund të ketë pasoja tepër të rënda humanitare në rast se ky kërcënim realizohet”. Bashar al-Assadi ka lëshuar shumë sulme kundër 8 mijë luftëtarëve që mendohet të kenë mbetur në Aleppo gjatë muajit shtator.
Bombardimi i paprecedent, i ndihmuar nga municionet nga më të ndryshmet të prodhuara në Rusi ka qenë një prej më të përgjakshmit të konfliktit 6-vjeçar të Sirisë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 500 njerëzve të pafajshëm.
Aleppoja Lindore është zona më e fuqishme urbane e mbajtur aktualisht nën kontroll nga opozita siriane. Rimarrja në dorë e Aleppos nga forcat e Bashar al-Assadit do të ishte një hap pas shumë i madh dhe do ta kthente balancën e pushtetit përsëri në dorën e regjimit, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionin e Assadit. Vëzhguesit thonë gjithashtu se kjo mund ta shtynte Rusinë të kërkonte një dalje ushtarake nga lufta.
Parlamenti rus votoi për të asistuar ushtarakisht regjimin sirian më 15 shtator. Që atëherë, Moska ka dërguar mbi 30 avionë luftarakë në bazën e saj ajrore në Latakia, si edhe sisteme të mbrojtjes ajrore duke bërë një manifestim pushteti përballë fuqive perëndimore.
Ditën e dielë, u raportua se tri nëndetëse ruse të armatosura me raketa – dy nëndetëse Akula-class dhe një nëndetëse Kilo-class furnizuar me naftë – ishin gjithashtu pjesë e armatimeve të dërguar në ndihmë të regjimit sirian. Andrei Kelin, zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse tha se, frika që këto mjete ushtarake të përdoren në një sulm masiv kundër Aleppos është absurde.
Fushata e fundit e rinovuar në Aleppo është dënuar si krim lufte nga Kombet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore, shumë prej të cilave e kanë krahasuar atë me Grozni, kryeqytetin e Republikës çeçene, i cili u bastis nga forcat ushtarake të Rusisë gjatëve të luftës 1999-2000.
Kremlini deklaroi një periudhë pauze triditore humanitare në Aleppo javën e kaluar, një vendim i marrë për t’i dhënë rebelëve dhe civilëve kohë për t’u larguar nga fushëbeteja e sagës së vazhdueshme në provincën Idlib nën amnisti e mbajtur nën kontroll nga rebelët. Armëpushimi u refuzua nga opozita dhe në disa raste, popullsisë civile iu ndalua largimi nga zona e betejës që kishte vënë nën shënjestër postbllokët e Aleppos Perëndimore.
Rebelët lëshuan një kundërsulm masiv kundër ushtrisë së regjimit dhe forcave aleate shiite të milicisë ditën e shtunë. Burimet e brendshme të rebelëve raportojnë se kanë pasur sukses në zmbrapsjen e trupave të regjimit nga lagjia e Assadit, por mediat shtetërore i kanë kundërshtuar këto pretendime.
Një i dërguar special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura, tha se ishte i tronditur dhe i neveritur nga taktikat e rebelëve, të cilët kanë përfshirë edhe sulme raketore tepër të rrëmujshme dhe se kanë shkaktuar vdekje të një duzine civilësh gjatë dy ditëve të fundit të luftimeve të përgjakshme për të ruajtur kontrollin mbi qytetin e Aleppos.
Në fillim të këtij muaji kemi mësuar se Aleppoja Lindore mund të përballej me shkatërrimin e plotë dhe të paevitueshëm deri në periudhën e Krishtlindjeve. Edhe pse nuk dihet nëse kjo është e vërtetë, diçka e tillë do të shkaktonte vdekjen e mijëra e mijëra civilëve të tjerë, veçanërisht në rast se nuk ndalohen sulmet aktuale në qytet.
“Ka vetëm një gjë që jemi të gatshëm ta bëjmë tani për tani: të tregohemi pasivë, të dorëhiqemi për të mos marrë pjesë në një tjetër episod të ngjashëm me Srebenicën, një tjetër Ruanda, që pritet të shkruhet me gjak në murin tonë në rast se nuk frenohet kjo gjakderdhje e frikshme”, tha De Misura.
Deri tani, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në Siri nuk kanë arritur gjëkundi dhe numri i vrasjeve shtohet çdo ditë. Rusia ka përdorur të drejtën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bllokuar rezolutën e OKB-së për të miratuar armëpushimin e Sirisë më 8 tetor.

Gashi titullar me Coloradon

Colorado Rapids, ku aktivizohet sulmuesi i kombëtares shqiptare Shkëlzen Gashi, humbi 0-1 në fushën e Los Angeles Galaxy në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Konferencës së Perëndimit në MLS. 28-vjeçari, një nga elementët më të rëndësishëm të Rapids luajti titullar dhe qëndroi në fushë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, por pa mundur ta ndihmonte skuadrën e tij në këtë transfertë të vështirë. Pavarësisht organizimit të mirë në prapavijë dhe ndërhyrjeve vendimtare të portierit Tim Haward, Colorado u ndëshkua në minutën e 55-të nga ish-futbollisti i Barcelonës, Giovanni dos Santos, i ndihmuar edhe nga devijimi me kokë i Axel Sjoberg në tentativë për të larguar topin. Colorado reagoi me një goditje të Jermaine Johns katër minuta më pas, por fluturimi i Brian Rowe i mohoi golin.
Ndeshja e kthimit që do të përcaktojë skuadrën finaliste të Konferencës së Perëndimit do të zhvillohet të dielën e ardhshme. Një sfidë shumë e rëndësishme për Gashin, i cili është në garë për “Golin më të bukur të vitit”, si dhe është nominuar për çmimin “Debutuesi i vitit” me MLS. Së fundmi sulmuesi i kombëtares shqiptare ka fituar çmimin si “Lojtari i vitit” te Colorado, ku në dy raste është shpallur futbollisti i muajit te Rapids.