Akuza të forta vijnë nga ministri i Jashtëm i Greqisë. Sipas Nikos Kotzias shumë prej politikanëve shqiptarë financohen nga aktivitetet e kultivimit të drogës. Duke folur nga Selaniku, ai ka dhënë edhe rekomandime për Tiranën zyrtare.
“U kemi thënë që të marrin rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, që me kaq zemërgjerësi iu dha statusi në të kaluarën. Do të duhet të implementojnë politika kundër krimit të organizuar dhe të luftojnë drogën, sepse është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës dhe shumë politikanë ndoshta financohen nga ky aktivitet”, tha ministri i Jashtëm grek.
Më tej duke folur për marrëdhëniet Athinë-Tiranë, kreu i diplomacisë greke nënvizoi se elita politike shqiptare ka treguar qartë shenja nacionalizmi të tepruar.
“Edhe refuzimi i tyre për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas, është tregues i kësaj tendence”, është shprehur Kotzias përpara audiencës.
“Në janar fillon zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e qershorit. Ne u kemi rekomanduar që në atë periudhë t’i ulin tonet, të kufizojnë nacionalizmin dhe të respektojnë edhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe konventat që parashikojnë një sërë të drejtash për minoritetin autokton grek në Shqipëri”, ka deklaruar ministri i Jashtëm grek.
Këto deklarata të Kotzias vijnë pas intervistës së Kryeministrit Edi Rama për televizionin grek “Skai”, ku sqaroi çështjen e prishjeve të banesave në Himarë dhe kërkoi nga Greqia që të heqë ligjin e luftës.
Mes Kryeministrit shqiptar dhe autoriteteve greke ka pasur shumë replika kohëve të fundit, që janë nxitur nga deklaratat e të dy palëve. Pavarësisht se Rama dhe Kotzias kanë theksuar se dëshirojnë një marrëdhënie të qetë Shqipëri-Greqi, deklaratat e fundit të tyre krijojnë më shumë tension.
Greqia: Rama sponsorizohet nga droga

Deputeti austriak: Droga e Ramës pengesë serioze për negociatat
Deputeti austriak Michael Hammer është një tjetër politikan evropian që ngre problemin e kultivimit të drogës në Shqipëri duke e konsideruar atë pengesë serioze për integrimin në Evropë.
Duke komentuar rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave, Hammer është shprehur për agjencinë zyrtare austriake të lajmeve se ka pasur “zhvillime pozitive në Shqipëri, sidomos me reformën në drejtësi të votuar nga të gjitha partitë politike, por edhe probleme akute”.
Por më tej ai ka theksuar:
Në mënyrë të veçantë problemi i kultivimit e trafikimit të drogës duhet të zgjidhet shumë urgjentisht nga qeveria Rama dhe autoritetet përgjegjëse. Qeveria duhet të ndalojë dhe t’i refuzojë praktika të tilla nëse dëshiron të ndryshojë imazhin e saj në botë. Ky problem është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Për këtë arsye, qeveria Rama duhet të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE-së duhet të mbikëqyren rreptësisht këto zhvillime.
Deputeti Hammer është kryetar i shoqatës parlamentare të miqësisë Austri-Shqipëri dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të integrimit evropian të Shqipërisë.
Dy ditë më parë, ishte kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman që ngriti problemin e drogës dhe të krimit të organizuar që po depërton në politikë dhe ekonomi, duke pohuar se pa patur përparime në këtë drejtim nuk do të ketë hapje të negociatave.
Gjithashtu televizioni publik gjerman “ARD” transmetoi një reportazh për kanabisin në Shqipëri duke ju referuar vendit si prodhues në masë i kanabisit dhe duke vënë në dyshim gatishmërinë e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në.
Para dy javësh ishte televizioni publik italian “RAI”, i cili shfaqi dy reportazhe në lidhje me kanabisin duke ekspozuar lidhjet e policisë shqiptare me kanabisin dhe duke kritikuar ashpër ministrin Tahiri për fshehje të këtij realiteti.
Prokuroria nis hetimet për Beqajn
Prokuroria ka nisur dje hetimet për ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas padisë së PD-së pak ditë më parë.
Partia Demokratike e ka paditur ministrin Beqaj për shpërdorim detyre për koncesionin e kontrollit shëndetësor falas të popullsisë për moshën 40–65 vjeç, të njohur si check up falas.
Sipas opozitës, dëmi që ministri i ka shkaktuar buxhetit të shtetit është më i lartë se 16 milionë euro.
Ndaj ministrit Beqaj ka pasur në mënyrë të vazhdueshme akuza për korrupsion dhe mungesë transparence me fondet publike.
Prej një viti, Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda po hetojnë tri koncesione dhënë nga ministri Beqaj: sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë, kontrollin shëndetësor falas me vlerë 120 milionë dollarë dhe shërbimin e hemodializës me vlerë 86 milionë dollarë.
Deri më tani, janë marrë në pyetje dhjetëra punonjës të ministrisë dhe janë sekuestruar dokumentet lidhur me koncesionet.
Mungojnë 40 miliardë lekë nga tatimet dhe doganat
Teksa buxheti është rishikuar me shkurtim mbi 4 miliardë lekë në shtator në krahun e të ardhurave, në tre muajt e fundit performanca fiskale sipas parashikimeve po has vështirësi.
Sipas të dhënave fiskale shihet se për periudhën 10-mujore, janar-tetor të ardhurat kanë shënuar një deficit me 4 miliardë lekë në krahasim me planin e periudhës, ndërsa në krahasim me një vit më parë është mbajtur ritmi i rritjes me 7%, ndonëse rritja është frenuar ndjeshëm në muajt e fundit në krahasim me fillimin e vitit.
Deficiti më i lartë është krijuar nga të ardhurat që duhej të grumbulloheshin nga Administrata Tatimore dhe Doganore. Në fund të dhjetëmujorit ato grumbulluan 3.6 miliardë lekë më pak ose rreth 30 milionë euro më pak se plani. Performancën më të dobët e ka patur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili shënoi një deficit në krahasim me programin me rreth 4.7 miliardë lekë.
Të njëjtën ecuri me rënie ka shfaqur edhe akciza, e cila shënoi një deficit me 1.2 miliardë lekë në raport me planin ose 6 për qind më pak. Tatimi mbi Fitimin ka shënuar një ecuri të mirë me rreth 4 miliardë lekë nxitur nga performanca e mirë e kompanive të energjetikës. Vetëm OSHEE për nëntëmujorin ka paguar mbi 1.3 miliardë lekë tatim fitim.
Dobësi janë vërejtur edhe në të ardhurat jo tatimore, të cilat ishin 8 për qind më të ulëta se plani.
Ministria e Financave referon se, të ardhurat tatimore pritet të mbyllin vitin me një mosrealizimin prej 5 miliardë lekësh ose 1.4%. Në muajin shtator, qeveria i pat shkurtuar parashikimet për të ardhurat me rreth 4 miliardë lekë. Sipas kësaj ecurie, buxheti i vitit 2016 do të mbyllet me një mosrealizim gati 9 miliardë lekë në krahasim me parashikimin fillestar.
Sipas draftit të Ministrisë së Financave, të ardhurat tatimore në vitin 2016, pritet të realizohen në nivelin 98,7%. Nga 375,8 miliardë lekë të programuara, pritet të arkëtohen 370,7 miliardë lekë.
Për vitin 2016, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat”, priten të realizohen në masën 277.1 miliardë lekë nga 282.2 miliardë lekë të planifikuara ose 1.8% më pak se plani. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat (përfshirë kontributet), pritet të realizohen në masën 351.6 miliardë lekë nga 356.6 miliardë lekë të planifikuara, pra 1.4% më pak se plani.
Të ardhurat nga Administrata Doganore pritet të realizohen në masën 150 miliardë lekë ose 3.3% më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga Administrata Tatimore pritet të realizohen në masën 127 miliardë lekë ose 0.04% më pak se plani. Së bashku me kontributet, Administrata Tatimore pritet të realizojë në nivelin 100% të ardhurat e programuara.
Pjesën kryesore në mosrealizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pritet ta kenë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me realizim rreth 133 miliardë lekë, pra rreth 4.8 miliardë lekë ose 3.5% më pak se plani.
Të ardhurat nga akciza dhe renta minerare pritet të mos realizohen në masën 3.4 miliardë lekë.
Në analizën e kryer, lidhur me pritshmërinë e të ardhurave për vitin 2016, evidentohet se faktorët, të cilët kanë ndikuar në performancën e të ardhurave janë kryesisht faktorë të jashtëm.
Ministria e Financave ka arsyetuar se çmimet e mallrave bazë në tregjet botërore kanë vijuar të mbeten të ulëta, ku ndër to, çmimi i naftës, sipas indeksit europian Brent, shënoi një rënie me 26% në terma vjetorë. Në linjë me këto zhvillime, çmimi i naftës ka vijuar të shënojë rënie edhe në tregun vendas. Rënia e normës bazë të interesit ka ndikuar në arkëtimin më të ulët të të ardhurave nga tatimi i interesave dhe gjithashtu rënia e eksporteve me 10% në vlerë cilësohet si një faktor që ka ndikuar negativisht të ardhurat.
Po tani?
Bledi KASMI
U munduan të fshehin pesë kriteret e vendosura në Bruksel. Tentuan të manipulojnë opinionin sikur Bashkimi Europian i kishte hapur Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Lideri global shfaqej ngadhnjimtar që kishte rrëzuar bllokadën dhe se Negociatat jo vetëm që ishin hapur , por madje askush nuk kishte vendosur qoftë edhe një kusht të vetëm.
Kaluan ditë në këtë batak për të ardhur tek qëndrimi i ndjeshëm i Gjermanisë.
Kryetari i shumicës qeverisëse në Bundestag foli troç. Jo nga Berlini, por erdhi vetë në Tiranë, për ta dëgjuar të gjithë direkt nga konferenca e shtypit. Sepse kjo është edhe rruga më e mirë që të mos manipulohet mesazhi rrugës nga Berlini në Tiranë nga komentatorët llapaqenë të medias-qeveri.
.CDU-CSU nuk do të pranojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë. Arsyet janë ato që Rama do të donte të mos i dëgjonte të artikulara publiksht nga askush për një arsye shumë të thjeshtë, sepse qëndrimi gjerman është tërësisht politik. Ai bën përgjegjës direkt Ramën dhe qeverisjen e tij.
Të shtatë kushtet e vendosura janë politike.
Krichbaun tha dje se Gjermnia nuk i hap negociatat me Shqipërinë për shkak se janë bërë hapa pas në luftën ndaj drogës dhe krimit të Organizuar. Ky qëndrim nënkupton se Europa e shikon sot Shqipërinë si një vend të drejtuar nga një organizatë kriminale, e cila nuk mund të jetë kurrsesi pjesë e Bashkimit Europian.
Krichbaun tha se Gjermani nuk mund të pranojë të hapë Negociatat me një vend ku korrupsioni ka marrë përmasa të frikshme dhe është i shtrirë në të gjthë qeverisjen. Arkitekti kryesor i këtij sistemi nuk është askush tjetër përveç kreut të qeveisë.
Berlini tha se nuk mund të pranojë që të inkriminuarit, përdhunuesit, trafikantët e drogës dhe të prostitutave të vijojë të mbajnë peng ligjin e dekirminalizmit dhe ata të jenë të paprekshëm sepse kreu i qeverisë kërkon të qeverisë me ta.
Dhe e fundit, por edhe më e rëndësishmja në mesazhin politik të refuzimit të hapjes së Negociata është rrëzimi i ëndrrës së Ramës që ti hapej rruga për grabitjen e zgjedhjeve parlamentare përmes manipulimeve.
Rama është dje i refuzuari dhe I izoluari i madh i Europës. Ai është identifikuar dje me gisht nga vendi lider i Bashkimit Europian si problemi kryesore që ka sot Shqipëria.
Çfarë do të ndodhë tani? Ka vetëm dy zgjedhje; ose qytetarët e këtij vendi do të pranojnë të hanë bar dhe të mos shkelin parimet e organizatës kriminale të funksionimit të shtetit me ligjet e mafies, ose rruga tjetër është ajo e rrëzimit të kreut të organizatës kriminale për ti hapur rrugën anëtarësimit të vendit në BE.
Basha: Është koha për reflektim
Qëndrimi i Bundestagut gjerman kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë është një lajm i keq për të gjithë ne. Lajmi i mirë është se Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, sikurse u ripohua. Tani është koha të punojmë për të realizuar reformat e nevojshme dhe marrë vendimet e duhura që u shërbejnë shqiptarëve dhe jo për t’u hedhur hi syve qytetarëve dhe partnerëve tanë. Sot është koha për reflektim. Është koha që të gjithë ne që duam ndryshimin e vërtetë të bëhemi bashkë për të luftuar korrupsionin, krimin, drogën dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Televizioni gjerman “ARD”: Një vend i mbushur me drogë nuk i duhet BE-së
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një ëndërr shumë e largët. Është ky mesazhi i reportazh radiofonik të gazetarit gjerman Ralf Borchard, që drejton studion radiotelevizionit publik gjerman “ARD” për Evropën Juglindore, me qendër në Vjenë.
Më 9 nëntor, kur amerikanët dhe e gjithë bota e kishin përqendruar të gjithë vëmendjen tek zgjedhja e Donald Trampit si president i Shteteve të Bashkuara, shqiptarët pritën me padurim edhe një tjetër lajm të rëndësishëm. Komisioni Evropian rekomandoi çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.
Por ka një sërë problemesh – thuhet në reportazh – që e bëjnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, tepër të gjatë. Kryesori është kultivimi masiv i bimëve narkotike. Një pjesë e madhe e shqiptarëve merret me bujqësi.
Fshatarët janë të varfër dhe kultivimi i marijuanës është shumë me leverdi për ta. Për 2 kg marijuanë, përfitojnë aq shumë para sa për 2 tonë grurë, rreth 600 euro. Pasi eksportohet në Itali e vende të tjera evropiane, droga shitet 10-fish më shumë.
Ndaj dhe për Bashkimin Evropian, shqetësim përbën fakti që një pjesë e madhe e tokës bujqësore shfrytëzohet për kultivimin e kanabisit. Kjo është edhe arsyeja që javën e kaluar, Shqipërinë e vizitoi ministri gjerman i Bujqësisë, Kristian Shmit.
Rama humbet mazhorancën, plehrat nuk kalojnë në Kuvend
Rama nuk mblodhi dot votat për të kaluar ligjin për Importin e Plerave në Kuvendin e Shqipërisë. Dje ishte afati i fundit ku dekreti i Presidentit duhej të kalonte me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, aq sa i duhen dhe për të mbajtur në këmbë qeverinë
Në rendin e ditës në datën 24 ka qenë për t’u diskutuar dekreti i Presidentit kundër ligjit të importit të plehrave në mënyrë të njëanshme dhe në thyerje të rregullores, mazhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës, duke bërë lojën e të paditurit
Mazhoranca e Rilindjes, mund të quhet e rrëzuar pas aktit të djeshëm ku Rama nuk mblodhi dot votat për të kaluar ligjin për Importin e Plerave në Kuvendin e Shqipërisë. Dje ishte afati i fundit ku dekreti i Presidentit duhej të kalonte me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, aq sa i duhen dhe për të mbajtur në këmbë qeverinë. Negociatat nuk dhanë efekt, ndërsa për çudi sa herë që diskutohen ligje të rëndësishme për qeverinë Rama, aleatët e tij ose nuk ndodhen në seancë ose nuk i binden. Në fakt, dekreti i Presidentit të Republikës duhej të kishte hyrë në diskutim në komisione që më datë 14 tetor, kur Kreu i Shtetit vendosi për kthimin e tij në Kuvend. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese me kryetar Shalsin, dje duhet të kishte dorëzuar në Kuvend raportin me ndryshimet, një gjë që nuk ndodhi. Në fakt, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese nuk është mbledhur për këtë çështje asnjëherë. Edi Rama dhe emisarët e tij, kanë negocuar përgjatë gjithë këtyre ditëve për të grumbulluar numrin e nevojshëm të votave. Një fakt të tillë e pohoi dhe ish-socialisti Blushi, dje në Kuvend.
Largimi i opozitës
Ndërkohë opozita u largua nga salla. Deputeti i opozitës Edmond Spaho tha se, largimi ishte shenjë proteste për mos reflektimin e qëndrimit të deputetëve të mazhorancës ndaj ligjit të importit të mbetjeve dhe faktit që mazhoranca s’e solli dekretin e Presidentit për ta votuar. “Kemi më shumë se 5 orë që po diskutojmë, ndërkohë që qindra qytetarë janë në protestë dhe për fat të keq kryeministri vetëm për të nuk foli, por iu drejtua sukseseve imagjinare. Ju jeni të pakorigjueshëm dhe ne po vendosim të largohemi, duke ju lënë në imagjinatën e sukseseve tuaja të mëdha për këtë vend”, tha Spaho para se opozita të largohej nga salla e Kuvendit. Ndërsa në një prononcim jashtë Kuvendit, deputeti Spaho tha se, dekreti ishte për t’u shqyrtuar sot por ishte tërhequr nga mazhoranca, pasi nuk kanë votat e duhura. “Në rendin e ditës në datën 24 ka qenë për t’u diskutuar dekreti i Presidentit kundër ligjit të importit të plehrave në mënyrë të njëanshme dhe në thyerje të rregullores, mazhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës, duke bërë lojën e të paditurit. Dekreti ishte për t’u shqyrtuar sot dhe ne duhet të votonim, por meqë nuk kanë votat, atëherë fillojnë të bëjnë akrobacira të tilla”. Opozita kërkon që shumica të sjellë në Kuvend dekretin e Presidentit për ligjin e importit të mbetjeve, që sipas tyre, i ka kaluar afati për shqyrtim. Në fillim të seancës, nënkryetari demokrat i Kuvendit tha sen mazhoranca ka frikë ta sjellë në Kuvend se nuk i ka votat për ta kaluar dhe i bëri thirrje Metës dhe Idrizit që të mos negociojnë me Ramën për të gjetur rrugë për ta kaluar ligjin e importit të plehrave.
Kushtetuesja
Por çfarë ndodh tani? Rregullorja e përcakton qartë se cilat janë afatet për shqyrtimin e dekretit të Presidentit. Neni 86 shprehet se kur Presidenti e rikthen në Kuvend një ligj, ai futet menjëherë në procedurat parlamentare, ndërsa Komisioni përgjegjës brenda tetë javëve duhet të dorëzojë raportin me ndryshimet përkatëse në Kuvend. Në fakt, në këtë rast Presidenti e ka kthyer në tërësi ligjin. Pretendimet e Eduart Shalsit, se ajo mund të futet në seancat e ardhshme parlamentare, e bëjnë ligjin subjekt të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi i tij jashtë afateve të përcaktuara, është shkelje e procedurave parlamentare. Ndërkohë, Aktivistët Kundër Importit të Plehrave, që nga mbrëmja e të mërkurës kanë protestuar përgjatë tërë natës dhe dje paradite përpara Kuvendit.
Protestuesi vjen nga Gjermania: Shqipëria po kthehet në Çernobil
Në protestën e djeshme kundër importit të plehrave që u zhvillua para Parlamentit kishte edhe emigrantë. Njëri ndër ta është edhe Hysni Bajri, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të protestuar. Bajri është nga Tropoja, por pasi ka mbaruar studimet për arkitekturë në Gjermani, punon si arkitekt dhe jeton atje.
– Çfarë ju ka shtyrë të bëheni pjesë e protestave kundër importit të plehrave duke qenë se ju vetë jetoni jashtë Shqipërisë dhe keni kosto jo të vogla për çdo herë që udhëtoni nga Gjermania për në Shqipëri me qëllim pjesëmarrjen në protesta të tilla?
Unë jam bërë pjesë e kësaj lëvizjeje të shoqërisë civile për mbrojtjen e ambientit sepse rastësisht njoh një nga aktivistet e kësaj lëvizjeje dhe më ka ftuar, më ka treguar temat që i shqetësojnë, problemet që kanë dhe aktivitetet e tyre. Është e vërtetë që unë jetoj jashtë, por që jam i bindur se natyra dhe ambienti janë tema shumë të rëndësishme për secilin nga ne. Nuk është çështja se unë jetoj jashtë, kjo kauzë është e të gjithëve. Edhe pse jetoj jashtë unë dua të kthehem dhe do të kthehem të jetoj në Shqipëri. Për mua Shqipëria është vendlindja, është gjithçka, kjo është arsyeja kryesore se përse jam bërë pjesë e kësaj kauze. Unë nuk dua që kjo gjë e shëmtuar siç është importi i plehrave, që në fakt nuk është thjesht import i plehrave, por është diçka shumë më e rrezikshme. Unë dhe kolegët e mi, të gjithë ata të rinj e të reja që duan që Shqipëria të mos kthehet në kosh plehrash kemi marrë pjesë dhe do të marrim pjesë në të tilla organizime derisa politikanët tanë të kuptojnë që Shqipëria është e të gjithëve dhe jo vetëm e atyre. Ata janë në atë post pikërisht se janë të zgjedhur nga ne. Ne duhet të ndërgjegjësohemi sepse ky është vendi ku jetojmë, nuk kemi vend tjetër dhe e duam të pastër.
– A mendoni ju se aktivitetet e organizuara deri më tani në kuadër të mbrojtjes së mjedisit si për shembull, protestat kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë dhe Vjosë apo edhe protestat e njëpasnjëshme kundër miratimit të ligjit të importit të plehrave kanë qenë të mirorganizuara?
Sa i përket organizimit të thellë unë nuk kam shumë informacion sepse nuk kam patur mundësi të jem pjesë e të gjitha lëvizjeve apo protestave paralele, por unë di të them që gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohemi se kjo kauzë ka të bëjë me jetën tonë, me vendin tonë, është jetike për të gjithë ne. Nëse ne kthehemi në një hambar plehrash, nëse ne rrezikojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, Shqipëria në të ardhmen do të gjendet në udhëkryq. Ne duhet të ngrihemi të gjithë dhe të kuptojmë që nuk po kërkojmë asgjë të tepërt. Unë nuk kam aspak besim tek politikanët, çdo gjë që e kanë marrë ata në dorë e kanë shkatërruar. Ata po na marrin edhe gjënë më të shtrenjtë që kemi, ambientin ku jetojmë, edhe atë po na e helmojnë. Kjo nuk është vetëm çështje shishesh plastike, kjo është diçka shumë më e thellë. Me anë të importit të këtyre mbetjeve hapet një derë shumë më e rrezikshme, ajo e importit të plehrave toksike edhe radioaktive. Pse e them këtë? Europa Perëndimore, por edhe Lindore kanë teknologji të prodhimit të energjisë elektrike me anë të teknologjisë bërthamore, me anë të centraleve bërthamore. Kjo çon në krijimin e mbeturinave dhe pajisjeve metalike si hekur, gizë apo edhe ndonjë material tjetër që janë të kontaminuara. Këto materiale treten në një cikël shumë të ngadaltë, mbi një mijë vjeçar dhe janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
– Pse nuk duhet të importohen plehrat nga jashtë shtetit?
Shkaktojnë kancer, shkatërrimin e ADN-së njerëzore. Shqipëria do të shndërrohej në një Çernobil të dytë, pra të gjitha këto mbetje të rrezikshme do të hyjnë Shqipëri në formën e lëndës së parë siç ka thënë zoti Rama. Lëndë e parë gjoja e pastër dhe ne nuk e kemi teknologinë që të përpunojmë të tilla mbetje pa përmendur faktin që ne përditë dëgjojmë raste të policëve të korruptuar që lejojnë futjen e drogërave dhe të tjera gjëra të dëmshme, të cilat janë realisht të dukshme pavarësisht se ata i mohojnë. Ne na mungojnë filtratet e nevojshme për të kontrolluar përmbajtjen e këtyre mbetjeve. Mbetjet janë një problem që ka Europa, e cila nuk di ku t’i çojë dhe e kanë shumë më të thjeshtë t’i shesin, të marrin para nga shqiptarët dhe t’i sjellin tek ne. Edhe pse jetoj në Gjermani unë dua ta ruaj vendin tim, vendlindjen time dhe nuk dua që vendi im të kthehet në një vend të rrezikshëm për fëmijët tanë dhe të vetë jetës tonë.
Bisedoi: Fjoralba TUTI