23.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Prokurori me djalin zëvendësministër persekuton protestuesin

Në Gjykatën e Tiranës vazhdon gjyqi i montuar politikisht kundër tre aktivistëve të PD që protestuan në muajin shkurt kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial nga Bashkia. Njëri nga këta protestues që po gjykohet pas padisë së bërë nga qeveria është edhe Saimir Rrahmani. Ai akuzohet për “shkatërrim të pronës private të firmës “Kaseli”, ndërsa seanca gjyqësore e radhës e ditës së enjte u shty për një ditë tjetër.
Ndonëse për akuzat e ngritura ndaj Rrahmanit dhe dy protestuesve të tjerë nuk ka asnjë provë, seancat gjyqësore vazhdojnë për shkak të presioneve nga lart. Gjatë ditës së protestës, Rrahmani nuk është afruar fare tek makineritë e firmës “Kaseli” dhe ky fakt tregohet edhe nga pamjet filmike të shfaqura në televizione të ndryshme. Saimiri dhe të akuzuarit e tjerë janë dhunuar barbarisht gjatë protestës nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake vetëm pse po protestonin kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Gjatë protestave disa protestues përfunduan në spital si pasojë e dhunës policore. Ndërsa mjaft të tjerë u arrestuan nga policia dhe u dhunuan barbarisht edhe në furgonët e policisë. Ata u mbajtën për më shumë se 24 orë në birucat e komisariateve të Policisë së Tiranës dhe më pas u liruan me urdhër të Prokurorisë për arrestim të paligjshëm.
Në fakt, procesi ndaj Saimir Rrahmanit ka nisur për motive krejtësisht politike. Rrahmani publikoi një shkrim në një gazetë kundër kryeministrit Rama dhe për këtë ndaj tij nisën sulmet politike, duke i bashkangjitur edhe pjesëmarrjen në protestat tek Liqeni Artificial.
“Gjyqi, i cili më bëhet për shkak të një kritike, që unë i bëra në një gazetë kryeministrit Rama. Mjaftoi kjo për t’u targuar nga qeveria e krimit se më njihnin si organizues të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, për të protestuar kundër importit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Dhe si anëtar i Partisë Demokratike dhe aktivist i FRPD, menjëherë pas disa ditëve mjaftoi pjesëmarrja në protestën kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial si shkak për të më shpallur në kërkim dhe për të më ndaluar nga policia, duke më mbajtur në dhomat e paraburgimit për 72 orë rrjesht. Prokuror më kishin caktuar ish-kryehetuesin e regjimit komunist, Bilbil Mete dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete i “G99”. Ai kërkoi si masë sigurie dënimin tim me një muaj burg dhe pse nuk dispononte prova të mjaftueshme për akuzën që më bënte, vendim ky që u rrëzua nga gjykatësi, duke u lënë detyrim paraqitjeje. I kërkoj Gjykatës gjykim të shkurtuar dhe mbylljen e çështjes, pasi Prokuroria s’ka prova për akuzën e ngritur ndaj meje, por është vetëm një sulm politik”, shprehet Rrahmani.
Familja e Saimir Rrahmanit ka qenë që në fillimet e saj të lëvizjes demokratike. Babai i Saimirit, Kadri Rrahmani mjek në Kukës ka qenë një nga krijuesit e degës së PD në Kukës dhe komisionerët e parë të zgjedhjeve. Edhe sot kjo familje vazhdon të përndiqet nga qeveria e “Rilindjes” për shkak të bindjeve politike.

Kapen 600 kg drogë në Itali

Policia italiane sekuestroi dje 600 kg kanabis sativa dhe 20 kg marijuanë të përpunuar dhe vuri në pranga shtatë persona, mes tyre edhe një shqiptar. Operacioni është zhvilluar në një provincë të Foggias, në San Nicandro Garganigo dhe gjatë kontrollit të një godine të braktisur u zbulua një laborator i vërtetë marijuane. Policia italiane bëri të ditur se gjatë kontrollit u gjetën 600 kg kanabis sativa, 20 kg marijuanë e përpunuar gati për t’u hedhur në treg.
Hetimet nisën ditë më parë, kur karabinierët ranë në sy të lëvizjeve të personave të dyshimtë dhe nisën ndjekjen. Grupi kishte si detyrë të paketonte lëndën narkotike që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Ata shkonin në mëngjes me një furgon dhe qëndronin në atë godinë të pabanuar deri në mbrëmje. Shqiptari i arrestuar është idenfikuar si Klodian Paluci. Të arrestuarit janë përpjekur të largohen, por nuk arritën.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon për çdo ditë. Vetëm në tre javë të muajit tetor janë sekuestruar më shumë se 4 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Një javë më parë, policia italiane sekuestroi 650 kilogramë marijuanë të transportuar me skaf nga brigjet shqiptare. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në Komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano dhe nëse do të dilte në treg, kapte vlerën e 3 milionë urove. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Mediat italiane shkruanin se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Ndërkohë, që nëse do të dilte në treg, droga kapte vlerën e 3 milionë urove.

83 kg drogë nga Shqipëria në Kosovë

Më shumë se 83 kilogramë drogë e llojit marijuanë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, ndërsa janë vënë në pranga 3 persona, shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë, gjatë një operacioni të suksesshëm antidrogë të Policisë së Kosovës. Ndërsa një person i katërt është shpallur në kërkim. Gjithashtu, Policia e Kososvës bëri të ditur se, janë sekuestruar dhe tre automjete me targa kosovare dhe shqiptare. Rrjeti i trafikantëve është zbuluar në Restovicë të Deçanit. Policia tha se droga vinte nga Shqipëria.
Edhe pse ende në fazën e hetimeve, Policia e Kosovës tha për mediat se droga ka qenë pjesë e përgatitjes për ripaketim dhe shpërndarje në vendet e Evropës Perëndimore. Është formuar një rrugë prej Shqipërisë, nëpërmes Kosovës, në drejtim të Serbisë, Hungarisë, e pastaj drejt Austrisë apo Gjermanisë. Sipas Policisë nuk bëhet fjalë për ndonjë rrjet më të madh të organizimit, por për grupe të vogla që janë marrë vesh për transportimin e kësaj sasie të drogës.

Itali, pranga bosit shqiptar të kokainës

Mbyllet me një tjetër të arrestuar operacioni antidrogë “Kamarina Drugs 2” ku arrestuan 21 persona, mes tyre 12 shqiptarë, 4 prej të cilëve biznesmenë. Shtetasi shqiptar Bledi Sota, 39 vjeç, pjesëtari i 22-të i grupit kriminal për të cilin është caktuar masë sigurie me burg nga autoritetet në Ragusa, nuk ishte gjetur më 25 tetor dhe ishte zhdukur pa asnjë gjurmë. Megjithatë forcat e policisë në Ragusa nuk janë dorëzuar dhe kanë arritur ta kapin në provincën e Brescias.
Përgjimet e reja telefonike mundësuan gjetjen e vendndodhjes së tij në Stacionin Qendror në Milano, ku i dyshuari kishte lënë takim me një shqiptar tjetër për të shkuar më pas në Zvicër dhe për të filluar një jetë të re.
Në vend duke e pritur në binarët e trenit që vinte nga Brescia, ishin karabinierët e Milanos, të cilët në kontakt me forcat e policisë të çështjes për të cilën akuzohej Sota, kanë arritur ta identifikojnë dhe ndalojnë. Tashmë është në burg në San Vittore, larg nga ‘kolegët e punës’, me të cilët kishte ndarë aktivitetin e shpërndarjes së drogës dhe që ndodhen në burgjet në Ragusa, Gela dhe Caltagirone.
Të ndaluarit e tjerë janë 9 shtetas italianë dhe 12 shqiptarë të cilët akuzohen për trafik dhe shpërndarje droge dhe vepronin në këtë provincë. Masat e marra nga policia janë rezultat i një hetimi të drejtuar nga Karabinierët dhe koordinuar nga Prokuroria Iblea, në muajt e shkuar, i cili ka çuar në arrestimin e 8 personave dhe sekuestrimin e 1 kg kokaine të pastër.

“Mos ma prek Valbonën”! Artistët koncert protestë kundër HEC-eve

Këngëtaret Eda Zari dhe Elina Duni mbajtën një koncert protestë në Valbonë, kundër ndërtimit atje të hidrocentraleve. Koncert protesta u zhvillua dje në orën 14:00 me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga Tropoja dhe zonave përreth.
Dy këngëtaret, që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër u shprehën para mediave për të prezantuar maratonën artistike, një protestë me art kundër shkatërrimit të natyrës dhe në mbrojtje të ajrit, ujit e jetës, siç thanë ato. Duke theksuar se është një nismë vullnetare e qytetare, e pavarur nga çdo axhendë politike, këngëtaret e njohura të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare njoftuan përtej kundërshtimit të HEC-ve, edhe kundër importit të plehrave në Shqipëri, ndërsa në tryezën e konferencës, përkrah tyre qenë aktivistët e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe banorë të luginës së Valbonës.
“E nisëm këtë për të ndërgjegjësuar dhe për të ngritur pikëpyetje. Nuk kemi lidhje me politikën e i ftojmë të gjithë të na bashkohen. Kjo është një nismë, e cila kërkon të sjellë mesazhin, “jo HEC-ve në Valbonë, lëre lumin të lirë dhe kundër importit të mbetjeve në Shqipëri’”, tha artistja Eda Zari. Është një nismë pa bordura apo ngjyrosje politike, është një maratonë artistike që mbështet, sensibilizon dhe sjell kurajën civile”, tha këngëtarja Eda Zari. Ndërsa shumë intelektualë e artistë si Dastid Miluka, Elton Deda, Etleva Nallbani, Sokol Çunga, Edon Qesari, etj. prej ditësh janë bërë pjesë e një videoje mbështetëse. Zari dhe Duni, dy këngëtaret e suksesshme thanë dje para mediave, se shumë artistë të tjerë nuk u janë përgjigjur nismës së tyre, edhe pse theksuan se nuk mbështetin asnjë axhendë politike.
“Ne i kuptojmë problematikat e presionet, i kuptojmë të gjitha, edhe ngërçet, por natyra ka nevojë për zërin tonë, jo për heshtjen tonë”, tha Zari. Ndërkaq, Duni teksa vuri në dukje se, “e kam mbështetjen e prindërve” (ajo është vajza e Spiro Dunit dhe e Besa Myftiut), tha se i kupton kolegët, por se në demokraci sekush është i lirë të japë mendimin e vet dhe se duhet krijuar një lloj ndarje. “Unë i këndoj jashtë natyrës, u këndoj bukurive shqiptare dhe shumë të huaj më thonë më pas duam të vijmë në Shqipëri. Çfarë t’u them unë atyre, ejani se po ndërtojmë hidrocentrale në luginën e Valbonës, apo ejani se po sjellim plehra në Shqipëri?”, tha Duni.  “Propaganda dhe arti janë dy çështje të kundërta”, shpjegoi aktivistja Catherine Bohne. “Propaganda jep përgjigje, ndërsa arti të ndihmon të ngresh pyetje”, tha ajo para mediave.

Mafia e futbollit

Ish Kryeministri denoncon: Veprimet mafioze në futboll të famozëve Gaz Demi dhe Olsi Rama, të cilët përfliten në Shqipëri dhe më gjerë për shitblerje ndeshjesh dhe përdorin pushtetin e Edvinit për qëllimet e tyre të mbrapshta!
U bëj thirrje prokurorisë së shtetit dhe gazetarëve investigativë të ndërmarrin një hetim të gjithanshëm bazuar në këtë dëshmi ndaj binomit mafioz Demi-Rama, për të prerë me gërshërët e ligjit kthetrat e tyre të zeza mbi futbollin shqiptar! sb
“Përshëndetje!
Unë që po ju shkruaj, jam një lojtar 19-vjecar në një prej klubeve sportive të futbollit në Shqiperi. 3 vitet e fundit kam qenë i angazhuar si lojtar në ekipin e futbollit “FC.KEVITAN”, një ekip i ri, i ndërtuar nga dëshira e pastër për të ecur me drejtësi ne futbollin shqiptar, nga Artan Singa, por qe shume shpejt u përplas me padrejtësi të shumta, me të cilat ekipet e tjera ishin familjarizuar dhe për sa kohe Kevitan ishte i papërgatitur për të rezistuar në llumin e korrupsionit e sulmuan.
Gjithë vitin e kaluar kemi kryesuar renditjen, pavarësisht sulmimeve të vazhdueshme nga ekipe të tjera, si psh për referencë po sjell si dëshmi ekipin e Partizanit B nën drejtimin e Gazmend Demit e Olsi Ramës, i cili na hodhi poshtë e pervec kësaj na rrezikoi dhe jeten nëndeshjen e zhvilluar në fushën e Gramshit, për hir të aferave të tyre korruptive në të cilin ishte përfshirë dhe arbitri i ndeshjes.
Duke e tejkaluar kete, shqetesimi me i madh i imi lidhet me skandalin qe ka plasur ne Federaten e Futbollit Shqiptar ndermjet Mamurrsit dhe Partizanit. Dje u deklarua ne media se Partizani del ne kategori te pare dhe bie Mamurrsi dhe e gjitha kjo nga presionet, korrupsioni koke e kembe qe ka mbethyer futbollin shqiptar ne teresi, nga ekipet e vogla e deri te ato me te medhate, dhe e gjitha kjo behet nen hunden pseudo-presidentit Armando Duka.
Jane te panumerta situatat qe mund te listoj, te cilat demostrojne kalbjen e sistemit plotesisht, i cili për shkak të një kalbje shekullore, po paralizon për të ecur përpara dhe ekipe të reja, të cilat aspirojne që përvec të tjerash të shpërndajnë ndjesinë e te luajturit futboll prej vërteti, si ekipi i KEVITAN.
Janë pikërisht këto padrejtësi që largojnë futbollistet shqiptarë dhe i bëjne ata të gjejnë të ardhmen e tyre gjetkë dhe përvec kësaj e thellojnë batakun e korrupsionit dhe nuk i stimulojnë nismat e ndërmarra për investime në futbollin shqiptar, duke jua bllokuar të gjitha rrugët, sic është vepruar ndaj Z. Artan Singa, i cili nisi një sipërmarrje me qëllime pozitive për futbollin shqiptar, por qe korrupsioni nuk po e lejon të avancojë në këtë drejtim.
Ju ftoj të bëni investigime në këtë drejtim dhe ju lutem të ngrini zërin edhe në Parlament për këtë cështje. Faleminderit!”

Fuoristradat sinjalizojnë me drita nisjen e skafeve të drogës nga Saranda në Korfuz

Trafiku i madh i drogës nga Shqipëria ka vënë sërish në alarm policinë greke për shkak të sasive të mëdha të lëndëve narkotike të kapura gjatë këtij muaji. Më shumë se 3 ton u sekuestruan vetëm gjatë tetorit në Greqi, ndërsa gazeta greke ‘Elftheros Typos’ ka bërë një artikull për kartelet e kanabisit dhe rrugët e trafikut drejt Greqisë. Gazeta tregon edhe një rast të këtij trafiku, që ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në kufirin detar mes Sarandës dhe Korfuzit.
Duke iu referuar burimeve konfidenciale të policisë, ‘Elftheros Typos’ shkruan se dy varka të nisura nga bregdeti i Sarandës qëndronin në mes të detit gjatë natës, duke pritur sinjalizimin nga bregu i Korfuzit nga trafikantët. Këta të fundit përdornin dritat e fuoristradave të tyre për të dhënë sinjalin që skafet me drogë të nisura nga Saranda të zbarkonin në Korfuz dhe të dorëzonin ngarkesën.
“Disa ditë më parë, dy varka po prisnin që të ngarkoheshin në Sarandë. Skafet ecnin ngadalë drejt Korfuzit dhe kur shkoi ora 02:00 e mëngjesit filloi sinjalizimi i parë nga bregu shqiptar. Edhe nga bregdeti përballë erdhi sinjalizimi me dritat e fuoristradave të trafikantëve. Kjo ishte shenjë për të vazhduar rrugën në të njëjtin drejtim sipas planit. Skafet mbërritën në bregun grek dhe dorëzuan “mallin” tek fuoristradat luksoze që i prisnin. Ky është një nga dhjetëra rastet që ndodhin në bregdetin shqiptar dhe grek”, shkruan gazeta ‘Elftheros Typos’.
Më pas, artikulli vazhdon duke treguar rastet e tjera të trafikut ndërkombëtar të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë, të cilat janë shtuar pas ndërhyrjes së policisë në Lazarat.

Sot në orën 18: 00 protestë në Tiranë kundër plehrave

Aleanca Kundër Importit të Plehrave do të zhvillojë një protestë sot në orën 18:00 te Piramida në Tiranë. AKIP bën të ditur nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale se në orën 18:00 do të zhvillohet një Koncert-Proteste së bashku me artistet Elina Duni, Eda Zari dhe miqtë e tyre. Drejtuesit e Aleancës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në këtë protestë për të kundërshtuar me forcë importin e plehrave nga jashtë.
Përfaqësuesit e AKIP paralajmëruan se nuk do të ketë asnjë negociatë me qeverinë për importin e mbetjeve. “Nuk ka asnjë amendament, i cili është i pranueshëm në projektligjin e Shalsit. Ka vetëm një kërkesë të qartë dhe të vendosur: Jo importit të plehrave. Ditën e dielë, ora 18:00 do të jemi sërisht në shesh te Piramida për t’ua bërë edhe më të qartë politikanëve shqiptarë se ne nuk negociojmë me shëndetin tonë”, thuhet në njoftimin e AKIP.
AKIP është kundër importit të mbetjeve dhe synon një Shqipëri më të pastër për të gjithë. Në zbatim të këtij qëndrimi, AKIP vazhdon punën për të mos lejuar importin e mbetjeve në Shqipëri si dhe për të monitoruar punën për pastrimin e Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit, në zbatim të objektivave të saj përkatës afatshkurtër dhe afatgjatë.
AKIP njofton se ditët e fundit dhe në ditët në vijim ka vazhduar dhe do të vazhdojë të zbatojë aksionin ligjor për të mundësuar që Ligji i Mbetjeve të mos miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Në takimet e ditëve të fundit me komisionet dhe grupet parlamentare, AKIP ka qartësuar qëndrimin e saj kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. I njëjti qëndrim do të vazhdojë të shprehet edhe në takimet e ditëve në vijim me strukturat e tjera të Kuvendit të Shqipërisë e më gjerë.
Më tej, AKIP njofton se, krahas sa më sipër, do të ndjekë në vazhdimësi çdo rrugë ligjore e institucionale që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjslacioni shqiptar që importimi i mbetjeve të ndalohet në Shqipëri sot e në të ardhmen, në mbrojtje të mjedisit e të shëndetit të brezave të sotëm e të ardhshëm.
AKIP njofton se do të ndjekë, në vazhdimësi dhe paralelisht me sa më sipër, monitorimin e zbatimit të detyrimeve ligjore të organeve përkatëse shtetërore për pastrimin e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e mjedisit. Në përputhje me këtë objektiv, monitorimi i ndarjes në burim të mbetjeve vendase për riciklim, i përdorimit i ‘landfill’ dhe i mënyrave të lejuara për asgjësimin e mbetjeve, si dhe monitorimi i plotësimit të standardeve mjedisore nga industria ricikluese në vend janë prioritet i AKIP. AKIP njofton se do të jetë konsekuent në këtë drejtim, duke përdorur çdo hap ligjor të mundshëm dhe institucionet përkatëse, madje edhe duke investuar anëtarësinë dhe strukturat e saj për një qëndrim aktiv në organet përkatëse kolegjiale ku lejohet pjesëmarrja e publikut.
AKIP njofton se, paralelisht me aksionin ligjor, do të vazhdojë aksionin e reagimit publik si një mjet efektiv në zbatim të objektivave dhe prioriteteve të AKIP kundër importit të mbetjeve dhe në mbrojtje të mjedisit. Sipas Andi Tepelenës, tjetër aktivist i AKIP, sipas sondazheve, 96% e të pyeturve, janë kundër ngritjes se HEC-ve dhe kundër importit të plehrave.

R.POLISI

Basha-Europës: S’ka zgjedhje me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës se, legjitimiteti i zgjedhjeve të 2017 do të cenohet rëndë për shkak të përgatitjeve të qeverisë për të blerë votat dhe shantazhuar përmes krimit, ndërsa deklaroi se vendi nuk do të mund të ketë zgjedhje pa zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ndërhyrjen energjike ndërkombëtare për trafikun e lëndëve narkotike.
Misioni faktmbledhës i Këshillit të Europës prej disa ditësh vijon takimet në Tiranë në përfaqësues të lartë të politikës në vend. Në takimet e zhvilluara bashkëreporterët kanë konstatuar shqetësimin e Presidentit për rrezikun që i kanoset demokracisë nga implikimi i krimit në zgjedhje, ndërsa kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të mos lejuar kapjen e drejtësisë.
Misioni faktmbledhës i Këshillit të Europës ka marrë dje qëndrimet e kryetarit të opozitës në lidhje me zgjedhjet, situatën e kriminalitetit dhe lejimin që qeveria i ka bërë fuqizimit të karteleve të drogës.
Basha priti bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly me të cilët ndau shqetësimin për drogën, krimin, korrupsionin, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, lirisë së medias dhe mungesën e vullnetit të qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha theksoi se kanabizimi i vendit me shpejtësi të madhe është pasojë e marrëveshjes së Kryeministrit me segmentet kriminale, që çoi edhe në kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Përhapja dramatike e sipërfaqeve të mbjella me kanabis u vërtetua nga vëzhgimet ajrore dhe nga tonelatat e kanabisit të kapura në Itali dhe Greqi, është bërë tashmë temë e mediave prestigjioze ndërkombëtare dhe shqetësim për sigurinë e vendeve të BE-së.
“Grupet e organizuara kriminale që veprojnë me mbrojtje të segmenteve të caktuara të policisë dhe që kanë lidhje me politikanë të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm, zotërojnë qindra miliona euro dhe rrjet të sofistikuar. Kjo përbën kërcënim për sigurinë e vendit, por edhe më gjerë, sepse bashkëpunimi i këtyre organizatave me terrorizmin ndërkombëtar kërcënon sigurinë e rajonit dhe të vendeve europiane”, tha kreu i PD. Basha ‎theksoi se, lidhja e krimit me politikën, paraja e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri.
“Në zgjedhjet e 2015-ës e më pas në ato të Dibrës, Edi Rama tregoi qartë se paratë e drogës dhe rrjetet kriminale do të përdoren për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi do të blejë pushtet politik. Kjo përbën‎ rrezikun më të madh për zgjedhjet e ardhshme. Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe shembull janë Rroshi, Bushi, Prenga e dhjetëra drejtues të posteve kyçe në administratë dhe polici. Nëse nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit dhe nuk ndërmerren veprime energjike, nën presion ndërkombëtar, për ndalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e pamundur që vitin e ardhshëm të zhvillohen zgjedhje”, tha kreu i PD.
Në mënyrë të qëllimshme, Rama ka vonuar dhe bërë të pamundur reformën zgjedhore tashmë që pas një muaji fillojnë përgatitjet zgjedhore. Në këto kushte, standardet e zgjedhjeve demokratike dhe legjitimiteti i zgjedhjeve do të cenohen rëndë.
Basha iu përgjigj interesimit të dy raporterëve në lidhje me lirinë e medias. “Presioni i vazhdueshëm i Edi Ramës ka bërë që hapësira mediatike për aferat korruptive, presionet kriminale dhe situatën e rëndë ekonomike të ketë pak ose aspak hapësirë. Rast flagrant është heqja nga puna e gazetares Alida Tota dhe mbyllja e emisionit  investigativ ‘Publicus’ sepse po hidhnin dritë mbi përgjegjësitë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për vdekjen e 17- vjeçarit, Ardit Gjoklaj”, tha Basha.

A.Shahini

Afera, 214 milionë lekë privatit me pacientë fiktivë

Mjekësia është shndërruar në një gropë të madhe korruptive. Faktet vijnë nga institucionet shtetërore. Një raport i KLSH-së zbulon fakte të reja të abuzimeve qindramilionëshe me paratë e taksapaguesve që nuk shkojnë për shëndetin e pacientëve, por për të mbushur xhepat e spitaleve private. Skema korruptive e zbuluar nga KLSH tregon edhe destinacionin e këtyre parave. Pacientët fiktivë ndahen përgjysmë mes atyre që kalojnë fondet dhe përfituesve. E gjtha kjo në një vend ku spitalet janë në një gjendje të mjeruar. Sentenca shëndetësia falas është zëvendësuar nga qeveria me sentecën vjedhje shëndetësisë.
Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në dritë fakte tronditëse për nënkontraktimin e dializës tek dy spitale private gjatë periudhës 2013-2015.
Sipas KLSH, Qendra Spitalore “Nënë Tereza” ka paguar spitalet private për pacientë të paverifikuar, për të cilët nuk ekziston asnjë evidencë që të vërtetojë se kanë marrë shërbim. “Nga auditimi konstatuam se nuk ekzistonte asnjë regjistër apo qoftë dhe ndonjë evidencë ku të evidentohej numri i pacientëve dhe të dhënat mbi gjendjen e tyre, e domosdoshme për të ndjekur nivelin e seancave të realizuara dhe faturimin e shërbimit nga spitalet e kontraktuara”, denoncon KLSH.
Në vitin 2012 për shkak të mungesës së kapaciteve në spitalin shtetëror, QSUT nënshkroi një kontratë me dy spitale private, Spitali Amerikan dhe Hygea, të cilët duhet të ofronin shërbimin e dializës për 166 pacientë. Për çdo seancë dialize shteti paguante 10 mijë e 720 lekë. Deri në vitin 2013, spitalet private kanë ofruar shërbimin e dializës për 166 pacientë ashtu sikurse parashikohej në kontratën fillestare. Por pas këtij viti numri i pacientëve është rritur me shpejtësi.
“Nga auditimi konstatohet se deri muajin maj 2014 janë trajtuar jashtë numrit të përcaktuar në kontrata dhe të pamiratuara gjithsej 166 pacientë ose në vlerë mesatare 24.178.232 lekë (të reja) mbi vlerat aktuale të kontratave”, thotë KLSH. Sipas raportit, shtesa e numrit të pacientëve jo vetëm që është tërësisht e padokumentuar, por ekzistojnë dyshime të forta se pacientët kanë qenë fiktivë dhe QSUT ka paguar spitalet private për shërbim të pakryer.
“Sipas regjistrit të paraqitur dhe mbajtur nga Shërbimi i Nefrologjisë rezultoi se kishte pacientë, të cilët rezultonin të ishin të përfshirë në listat e muajve ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre nuk rezultonin në asnjë regjistër të shërbimit të nefrologjisë së QSUT”, thotë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të dhënat e siguruara nga thesari i shtetit tregojnë se në vitin 2014 Spitali Amerikan arkëtoi 865.6 milionë lekë nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbimin e hemodializës e kontraktuar nga QSUT, Spitali i Fierit dhe Spitali Ushtarak.
Më 20 tetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë e dha me koncesion shërbimin e hemodializës për një afat 10-vjeçar me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë. Por koncesioni u shoqërua me hije të forta skandali, pasi u fitua nga një kompani e panjohur me emrin Evita, origjina e së cilës ishte një bar kafe në qytetin e Beratit. Vetëm me vonë, pasi skandali u publikua në media u mësua se pas koncesionit qëndronte edhe Spitali Amerikan.

T.SINAJ

Organizata kriminale përmbyset me protesta

Raporti: Sipërfaqet me drogë 1250 herë më shumë se në 2013

– Zoti Berisha, Edi Rama thotë se do të rrisë pagat. Ka premtuar, me sa duket dhe pas hartimit të paketës fiskale të projekt buxhetit të ri, në vitin e fundit të mandatit thotë se janë pjekur kushtet tashmë për të shënuar një rritje të madhe pagash. Si e konsideroni ju këtë? Ju vetë keni qenë një kryeministër që në 8 vite e keni patur politikë rritjen e pagave çdo vit, por sipas Edi Ramës ju e keni çuar buxhetin në gropë atëherë, ndërsa tani pas rimëkëmbjes së buxhetit janë pjekur kushtet për rritje pagash?
Një gjuhë të tillë mund t’a përdorë vetëm një njeri, të cilit padia dhe injoranca e plotë e lejon të formulojë çdo frazë, të nxjerrë çdo gënjeshtër, sepse një njëri që ka njohuritë më elementare të buxhetit, të të ardhurave, të shpenzimeve, nuk mund të bëj një deklaratë të tillë. Ju e thatë drejt, se rritja e rrogave ka qenë absolutisht një politikë më konstante e qeverisë, Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Edi Rama, një nga vendimet më antipopullore, më çnjerëzore ishte ngrirja e rrogave të të gjithë administratës shtetërore, ishte pothuaj ngrirja e pensioneve dhe jo indeksimi i plotë i tyre, gjë e cila ka bërë që sot, çdo punonjës i kësaj administrate të marrë de facto 13% më pak se sa merrte në vitin 2013. Pse 13% më pak? Nga këto, 9% janë inflacioni i përgjithshëm, rritja e përgjithshme e çmimeve. Mirëpo njeriu, rrogtari, inflacioni i përgjithshëm e prek, por është një inflacion tjetër që e prek shumë më tepër, që është inflacioni i mallrave të përdorimit të përditshëm, siç janë ushqimet, veshjet, ilaçet etj. Ky inflacion, sipas institutit të komanduar nga Rama, ai i Statistikës, në këto 3 vite është 13%. Kështu që, e vërteta është se sot shqiptarët marrin më pak krahasuar me 2013, gjithnjë me atë çka blejnë, rreth 13% më pak.
Vijmë te rritja që ky (Rama) e reklamon si më të madhen. Duhet ti them këtij zotërisë, i cili në fakt është i pafajshëm për padijen, në vitet 2006 – 2013 janë vendosur për paga dhe pensione 600 e ca milionë euro, që ky na thotë se ky 100 milionëshi qënka më i madhi në histori. Por këto janë shifrat që njeh ky, kaq janë njohuritë e tij.
Së dyti, për çfarë numri punonjësish janë vendosur këto? Nëse ju merrni klasifikimet e Doing Bussines apo të institucioneve të tjera, Shqipëria ishte vendi i 8-të në botë me administratën më të vogël. Kjo ishte në përputhje me premtimin tim të para 2005 se do të kem një qeveri të vogël. Për t’u dhënë shqiptarëve për të kuptuar se cili është ky ndryshim, ky ndryshim është i jashtëzakonshëm. Po marrim Këshillin e Ministrave. Jam larguar dhe kam lënë në bordero 128 punonjës. Sot janë 530 e ca punonjës. Të shohësh organigramën qesharake të Këshillit të Ministrave sot, ai është shndërruar thjesht në një ndërmarrje punësimi militantësh, për të mos thënë pastaj dhe shumë gjëra të tjera. Dhe kështu është bërë masivisht. Mësuesit tani duan t’i paguajnë me orë në mënyrë që t’ja u përgjysmojnë rrogat dhe të punësojnë të tjerë. Në Elbasan, po të shkoni do shihni se nga 6 shoferë që kanë qenë, Beqja ka urdhëruar që të jenë 16 shoferë, por rrogat, nga 400 mijë lekë që merrnin, tani ja u kanë bërë 250-300 mijë. Po të merrni Policinë e Burgjeve dhe Gardën e Republikës, kanë shpallur prej kohësh, prej mëse një viti, rritjen e rrogave, por s’ju kanë dhënë një qindarkë. Pra, në këtë boshllik, cinizmi ekstrem është me pensionistët, fatura kryesore është e tyre. Nëse do të lëvizësh me rroga dhe pensione ata janë më të shumtët, janë 560 mijë, 600 mijë mund të kenë shkuar tani.
Ndaj dhe ky është thjesht një mashtrim elektoral. Unë e vlerësoj, dhe shumë mirë që shton rroga, por në të vërtetë ky është thjesht një mashtrim elektoral i Ramës, sepse rrogat me këtë as nuk indeksohen në shkallën që ato ishin në 2013.

– Ka një raport të pritshëm të qeverisë në lidhje me FM. Me sa duket do të reduktohet roli FMN në vendin tonë, ndërkohë që ne kujtojmë se zoti Rama, kur ishte në opozitë ju kritikonte ju për pozicionin që i latë FMN në raport me Shqipërinë. FMN ndodhet në vendin tonë aktualisht në një vizitë të radhës, në një mision mbikëqyrës të rrethanave. Ju gjithmonë i keni bërë thirrje edhe FMN dhe BB që të shohin situatën dhe të reagojnë e të mos heshtin. Aktualisht çfarë mendimi keni, edhe për këtë raport ndoshta të ri të qeverisë shqiptare, por edhe në përgjithësi për rolin që misioni duhet të ketë në vendin tonë?
Unë jam një nga politikanët që kam patur bashkëpunimin më afatgjatë me FMN, më aktiv, më me debate, por gjykoj dhe më të suksesshmin. Kurrë nuk më ka shkuar ndërmend dhe si kam lejuar vetes të imagjinoj që ta largoj. Fondi është larguar nga Shqipëria në vitin 2007, duke bërë deklaratën, se tani autoritetet shqiptare mund të marrin pronësinë e plotë të menaxhimit të financave të tyre pa asistencë dhe se kalon në artikullin 4, siç kalonin shumica e vendeve. Nëse FMN do kishte vërejtjen më të vogël, ai do thoshte se na përzuri Sali Berisha, se Shqipëria nuk është kërkund për artikullin 4. Po të jesh për artikullin 4 do të thotë se ishe si shumica dërrmuese e vendeve të zhvilluara të botës. Kjo është historia e PD me FMN. Erdhi Edi Rama, me ekipin më jeshil, më të papërgatitur, jo të Europës, por ndofta të të gjitha kohërave, edhe të Shqipërisë. Njerëz pa nocione bazë, për të cilët BB organizoi seminarin dhe u tha nëpërmjet gojës së njërit prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë së Europës, se ju keni 95% shancet e dështimit, sepse ju mohoni gjithçka, që do të thotë se s’dini asgjë. Dhe e vërteta është se s’dinë asgjë. Këta po largojnë FMN. Sigurisht që marrëveshja është trevjeçare, por largimi FMN është një goditje shumë e madhe për Shqipërinë. Eshtë një goditje, sepse, FMN hyri në Shqipëri, kur borxhi ishte 62.6%, FMN largohet sot nga ky vend me një borxh 73%.

– Mos është ky edhe dështim i Fondit?
Jo, nuk mund të themi dështim i Fondit. Fondi nuk punon me politika afatshkurtra. Fondi punon me politika afatmesme. Eshtë dështim i qartë i qeverisë për të plotësuar kushtet e Fondit, të cilat janë gjithnjë në interes dhe në favor të stabilitetit ekonomik. Po jap një shembull për këtë që them. Fondi para tre vitesh shprehu rezervat e veta për rritje taksash, dhe tha se nëse këto nuk prodhojnë të ardhura, natyrisht duhen ulur taksat. Çfarë ndodhi? Prodhuan të ardhura? Edi Rama rrahu gjoksin. Eshtë e vërtetë që sot të ardhurat janë 26% ndaj 24.6% që ishin përpara, por është e vërtetë që sot niveli i taksave është 50% më i lartë se ç’ishte përpara, çka do të thotë se të ardhurat nga taksat duhet të ishte minimumi 34% e GDP-së. Po ku shkojnë këto? Këto të gjitha përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe kontrabandistëve. Pra, ky objektiv është zero i realizuar. Ku janë investimet e huaja? Largimi i FMN është një këmbanë e fortë alarmi që investitorët e huaj të mos vijnë në Shqipëri, sepse kjo është një ekonomi jo stabël. Largimi i Fondit, në një kohë kur Fondi, para shqiptarëve kishte një detyrim t’i asistonte kësaj qeverie për të ardhur në borxhin nën 60% dhe kjo qeveri po e përzë FMN, duke patur një borxh 73-74%. Pra, nuk dështoi Fondi, dështoi Edi Rama, dhe ne me forcë do të kundërshtojmë largimin e Fondit.
Ju garantoj se Fondi, nëse Rama do të mblidhte taksat sipas parashikimeve që ka bërë me Fondin, Fondi nuk kundërshtonte në asnjë rast rritjen e rrogave apo pensioneve. Për Fondin, rëndësi kapitale ka që të mbledhësh të ardhurat, që të mos rrisësh borxhin dhe të mbash stabël monedhën, si dhe të tërheqësh investime. Ndaj dhe këtu është dështimi i plotë i Edi Ramës, i një grupi xhahilësh. Kur e dëgjoj kur flet, si kryeministër vërtet mund të mos dijë financat, vërtet mund të mos njohë shumë nga problemet, por ai ka këshilltarët dhe ministrat, të cilët i japin dokumenta dhe e qartësojnë për çdo gjë para se të flasë. Dilte tre ditë më parë në një fjalim dhe thoshte se ndihma shtetërore në vitet 2007-2013 ka qenë 631 milionë dollarë. Një njeri që e thotë këtë në Shqipëri, bën një gafë dhe tregon se absolutisht nuk di se çfarë quhet ndihmë shtetërore. Ndihma shtetërore është paraja që jep shteti, askund e preferuar, por kudo jepet, sektorëve të caktuar për t’i ndihmuar, ka rregulla dhe ligje të veçanta për ta. Dhe çdo tejkalim i saj ndëshkohet në Komisionin Europian. Shqipëria kurrë nuk ka patur dhe nuk ka disponuar në 5 vite 631 mln euro për ndihmë shtetërore, këtë mund ta thotë vetëm një njeri që nuk di çështë ndihma. Ndihma është grantet që ne u jepnim fshatarëve për projektin e frutikulturës, ndihma që mund t’u jepnim peshkatarëve për akcizën e naftës. Ajo ndihmë ka qenë shumë e destinuar. Nëse ne fshatarëve shqiptarë do u kishim dhënë 1/10 e asaj që thotë ai, situata do ishte krejt tjetër. Ne në ato vite kemi përdorur ndihmën shtetërore për destinacione të caktuara. U ndala këtu për të treguar se ky nuk ka nocionet më elementare të një njëriu që qeveris. Di vetëm dy gjëra; t’u thotë shqiptarëve se kjo është hera e parë në 25 vite që kjo gjë po bëhet e t’u thotë se po investojmë më shumë se në këto 25 vite të marra së bashku. Kudo ku shkon këto thotë, përveçse në Shishtavec, aty shkoi, por nuk e tha dot këtë.  Pra është një figurë qesharake në qeverisje, i cili po bën gjithçka për të mbuluar mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.

– Përmendët pak më parë dhe KE. Presim në fakt këto ditë që KE të propozojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. A duhet të hapen negociatat?
Unë gjykoj se Komisioni Europian nuk mund të hapë negociatat pa u plotësuar kushtet. Ky është mendimi im. A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për hapjen e negociatave, këtë le ta lëmë ta thotë Komisioni Europian, mos ta themi ne si opozitë, sepse ne kemi versionin tonë. Rama ka bërë një premtim, që do garantojë hapjen e negociatave. Të presim e të shohim sa do ta mbajë.

– Ju dyshoni që mund të ketë një propozim të tillë nga KE nga informacionet tuaja?
Informacionet e mia janë që do ketë kushte. Dmth, plotësimi i disa kushteve bën të mundur hapjen.

– Ne kishim 5 kushte ndërkohë..
Mund të bëhen dhe pak më shumë. Mund të shtohet edhe kanabisi.

– Meqë dolëm te kanabisi, e keni denoncuar vazhdimisht. Situata duket intensive edhe nga aksionet edhe nga kapja në bregdet dhe vendet fqinje. Megjithatë, kemi një deklaratë nga ana e qeverisë që nuk është alarmante, nuk është kultivuar më shumë se më parë. Si e shihni edhe situatën tani, por edhe reagimin institucional ndërkombëtar në lidhje me këtë?
Situata e kanabisit sot, ka bërë që Shqipëria të etiketohet kudo si Kolumbi e Europës dhe kjo është damka më e zezë që Shqipëria i vendos vetes që nga koha e Enver Hoxhës. Shqiptarët kaluan piramidat, por njerëzit menduan që këto qenie njerëzore, ndër më të varfërat e planetit, u përpoqën të bëhen me lekë nëpërmjet këtyre skemave mashtruese. Kurse me kanabisin, kjo është forma më e shëmtuar e të përpjekurit për të krijuar të ardhura, kjo është rruga më kriminale. Kjo është rruga më me pasoja si në imazhin e jashtëm, por direkt dhe brenda. Në radhë të parë në përhapjen masive të përdorimit të drogës dhe kërcënimin e jetës së mijëra fëmijëve, të rriturve e të moshuarve nga përdorimi i saj. Në radhë të dytë është damkosja si kombi drogës, si asnjë tjetër në Europë. Eshtë një pështirosje që ne u krijojmë të tjerëve. Së treti është një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare. Shqiptarët duhet të dinë se në Aleancën e Atlantikut të Veriut lufta kundër drogës është një detyrim.

– …edhe me Ushtrinë?
Me të gjitha mjetet. Lufta kundër drogës është një përparësi për Aleancën. Sepse droga mund të shndërrohet në burim kryesor të financimit të terrorizmit ndërkombëtar. Kujt i shkonte ndërmend se shqiptarët do mohonin se janë shqiptarë dhe do shkonin të luftonin në shkretëtirat e Irakut e të Sirisë nën një flamur të zi. Askujt, por ja që ndodhi, ja që shkuan, ja që u vranë. Ata që shkuan atje, ai kontigjent është i gatshëm të mbjellë drogë, të ndërtojë aerodrome ilegale për transport droge, armësh, helmesh, parash, për të gjitha. Sot asnjë pëllëmbë e territorit, nga pista e avionit në aeroport e deri në skajet më të largëta, nuk ka më territor që kontrollon ky shtet, ky pseudo-shtet. E thatë drejt se, komuniteti ndërkombëtar është dukur si i heshtur. Ky është fakt, është e vërtetë kjo, por kjo situatë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Edi Ramës i kërkohet në mënyrë të prerë të njohi gjendjen dhe të deklarojë se e njeh gjendjen. Edi Ramës i është thënë se filmimet që ka sjellë Italia për vitin 2016 për sipërfaqen e mbjellë të drogës, krahasuar me vitin 2013 është 1250 herë më e madhe. Edi Ramës i është thënë se s’mund ta shesësh dhe ta kapërcesh këtë situatë katastrofale në këtë mënyrë.
E dyta, opozita po punon në mënyrën më intensive për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar se sa e rrezikshme është heshtja e tij në këtë rast.
Droga e Shqipërisë kërcënon edhe vendet përreth, kërcënon sigurinë edhe më gjerë. Një vend i NATO-s nuk mund të bëhet kurrë Kanabistan. Dhe vetëm një njëri që ka humbur çdo sens, për shkak të një problemi psikik që ka apo për shkaqe të tjera, del e u thotë shqiptarëve se, situata është siç ka qenë, dhe del e lexon komunikata falco të viteve më parë. Vetëm një njeri i sëmurë mund të sillet në këtë mënyrë, sepse një njeri normal nuk sillet kështu. Ndaj dhe komuniteti ndërkombëtar ka filluar të reagojë dhe u them shqiptarëve se këtu do jemi, do ketë reagime dhe shumë më të forta. U pismos gjeneral Trafiku me ministren trafikante, kur u kërkua futja e Ushtrisë, po ai do ishte i vetmi akt në të cilin shteti do të merrte të gjithë përgjegjësinë si anëtar i NATO-s për të mos dëmtuar asnjë interes sigurie, qoftë në Shqipëri, qoftë në rajon dhe më gjerë. Ky është qëndrimi dhe ne vazhdojmë t’i qëndrojmë. Nuk vjen më asnjë investitor i huaj në Shqipëri. Serviren shifrat e Milvës, gënjeshtra ordinere. Ato investime që janë, janë të gjitha të firmosura nga qeveria e mëparshme. Të na tregojnë një kompani të madhe të ardhur gjatë këtyre tre viteve. Iku Hochtief, iku Bankers, Kurumi u fut në falimentim, iku kompania e turizmit, ikën me radhë. Kush vjen këtu me një grup që sillet si bandit ndaj biznesmenëve e që bën betejë mediatike me megafon. As në diktatura se bëjnë këtë. Se edhe diktaturat janë të interesuara të kenë investitorë, nuk ka qeveri që bën atë që bëjnë këta. Cili është rezultati? Asnjë investim i huaj.

– Çështja e investimeve është ajo që bëri edhe ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, sipas të cilit nuk do të kishte investime të huaja pa patur një drejtësi të pastër..
Dy gjëra janë. Reforma në Drejtësi është jetike për vendin, por ata që besojnë se mund të luftojnë korrupsionin me korrupsion, ata besojnë se mund të shohin veshjen e tyre pa pasqyrë. Korrupsioni nuk luftohet me korrupsion. Hapa shumë të rëndësishme u bënë. Por prap kur erdhi puna te momenti final, vendosën korrupsionin si mjet për të luftuar korrupsionin, dhe dështuan. U them shqiptarëve se e gjitha kjo është vepër e Edi Ramës, i cili ka frikë dhe tmerr nga reforma, i cili ka frikë nga Surreli, ka frikë nga pallati, ka frikë nga aferat e CEZ-it, i cili ka frikë nga aferat me Vilma Nushin, ka frikë nga aferat me Besnik Sulën, ka frikë nga aferat me klientelën, ndaj dhe vendosi që këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, ku absolutisht ka prej tyre mëkatarë nga më të ligjtë, t’ja u bëj pastrimin me shefin e statustit të PS, një Alket Hyseni dhe me mikun më të ngushtë në mos dhe kushëri i Emilit të Partisë, Shullazit, një Seferi të DSIK. Vettingun e ka kërkuar PD, jemi ne nismëtarët e Vettingut. Ajo është kërkesë e jona, por jo gjah shtrigash, jo gjah politik. Vettingun e bëjnë burra dhe gra, njerëz të ndershëm, të cilët s’kanë asgjë për t’i fshehur shqiptarëve për veten e tyre dhe pastaj nuk lejojnë të fshehin as për të tjerët. Kjo është e gjitha. Përsa u përket investimeve, siguria ligjore nuk është vetëm e gjykatave. Siguria ligjore aq sa është e gjykatave, aq është dhe e qeverisë, aq është dhe e Parlamentit. Siguria ligjore ka të bëj me zbatimin që mbajnë institucionet ndaj ligjit. Një qeveri, e cila thyen ligjin në çdo pëllëmbë të territorit, e cila veten dhe familjarët e vet i nxjerr mbi ligjin, nuk mund t’i përmend kujt ligjin. Kështuqë investitorët, tashmë dhe me vellon e kanabizimit, të harrojë Shqipëria se do vijë më ndonjë prej tyre.

– Eshtë kjo situatë qeverisjeje thoni ju, ndërkohë që PD është në përgatitje për një aksion të madh kundër qeverisë. Kërkohet largimi Ramës për të shkuar dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Sa real është ky skenar në pikpamjen e organizimit politik, sa aleat vlerash të fortë kanë mbetur për të organizuar një aksion të tillë, sa në gjendje është shoqëria shqiptare, sa e ka nervin e reagimit për të organizuar një aksion të tillë që mund të plotësojë këtë kusht të opozitës. Nëse Rama nuk largohet, nuk shkojmë në zgjedhje?
Unë mendoj se, shoqëria shqiptare ka çdo potencial që në kohën më të shkurtër t’i tregojë vendin Ramës dhe asaj që quhet organizatë kriminale apo qeveri shqiptare. Sepse, me vjedhjet që po i bëjnë qytetarëve, me shkatërrimin që po i bëjnë pasurisë publike, me lidhjet me krimin dhe kanabisin, kjo qeveri, kushdo që lexon librin e Sara Chayce, do të konstatojë se aq sa qeveria e Afganistanit, po aq kjo qeveri plotëson kushtet për t’u quajtur organizatë kriminale. Por, me gjithë revanshin e krimit, me gjithë revanshin e trafiqeve, përsëri kam bindjen më të thellë se shqiptarët janë kundër krimit, janë kundër trafiqeve, se shumica dërrmuese e tyre, mbi 90% nuk duan kurrë që vendi i tyre të jetë Kanabistan. Duan që këtu të ketë investitorë dhe të ketë punësim. Rezultantja më tragjike e kësaj qeverisjeje, është eksodi. Lexoj çdo ditë sms që më vijnë nga inxhinierë, mjekë, specialistë të ndryshëm që largohen nga Shqipëria. Njëri më thoshte se kishte punuar në Abcom me një pasion të madh, por mënyra si u soll qeveria bëri që të linte ëndrrat e tij dhe të punonte kamerier në Itali për të siguruar mbijetesën.
Kështuqë shqiptarët janë të stërngopur me Ramën. A mund ta rrëzojnë shqiptarët atë? Absolutisht që në rastin e parë që do të vendosin. Por ka një gjë. Rama rrëzohet kur ata të ndërmarrin një protestë të qëndrueshme.
Historia e lëvizjeve demokratike në Shqipëri është, përveç lëvizjes së dhjetorit, ato kulmuan vetëm kur ato qëndruan. Në shkurt ‘91 po të mos qëndrohej dy javë në protestë dhe të finalizohej me grevë urie, ka rrezik që Enver Hoxha ta kishte përsëri statujën në Sheshin “Skënderbej”. Por shqiptarët qëndruan në betejën e tyre më epike në histori. Po kështu në kombet të tjera. Ndaj e kanë në dorë të nisin një protestë, dhe unë ju garantoj që Rama nuk pret dot as dy javë. Ikën, ikën se është i ikur si qeveri. Mori vendimin për plehrat? Pse nuk e voton dekretin e Presidentit? Po ka kryeministër në botë që nuk bën mocion?. Se është i pakarakter. Qeveritari është qeveritar dhe i nënshtrohet Kushtetutës së vet, e cila thotë se në këtë rast paraqitet për mocion. Në vend se të bëj këtë, rri si një njëri jo normal, të bindë shqiptarët, duke shfrytëzuar mediat, se mbetjet nuk janë pleh e se plehu nuk është mbetje. Ndaj dhe shqiptarët e kanë në dorë, kanë edhe gurin edhe arën për t’u ndarë nga kjo qeveri, e cila është në kuptimin më të saktë të fjalës; një organizatë e mirëfilltë kriminale.

– Duhet të shohin dhe një ekip përballë shqiptarët. Zoti Basha ka thënë disa herë se konsideron veten si kryeministër në hije, por kryeministri hije duhet të ketë dhe ekipin. A po vonon PD për të përcaktuar ekipin, për të prezantuar atë. Do jetë më pas hartimi i listës së deputetëve. Ka patur një pranim bashkëfajësie në lidhje edhe me sistemin e rënë dakort në 2008 nga zoti Basha. A është ky një moment për ta bërë këtë? Si e konsideroni ju?

Unë mendoj se PD ka njerëz, shoqëria shqiptare ka shumë njerëz, bota akademike ka shumë njerëz dhe jo pak, shqiptarë të shkolluar e të zotë në Shqipëri dhe në botë ka plot. Dhe absolutisht PD, duke marrë parasysh këtë tërësi, mund t’i japi vendit qeverinë më të aftë që ka patur ndonjëherë në histori, me ministra jo të pashkolluar, se gjysma e tyre janë me diploma poshtë e përpjetë, por me ministra të shkolluar në universitetet më serioze të botës. Po të isha unë qytetar, ajo që do i kërkoja PD-së, do i kërkoja një spektër të gjërë përfshirje në qeverisje, sepse sot potencialet janë shumë më të mëdha se sa ishin 10 apo 15 vite më parë. Kështuqë nuk ka asnjë mungesë PD për të organizuar, për të paraqitur qeverisjen më të mirë, kandidatët më të mirë dhe ekipin e fitores. Unë them se pothuaj i ka gati. Them, sepse duke qenë se nuk merrem me asnjë aspekt të organizimit të PD, nuk mund të them gjëra konkrete, por PD këto që thashë i ka në punën e përditshme.

“ABC”