15.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Delawie: Nuk luftohet korrupsioni me zyrtarë të korruptuar

“Nuk mund të luftohet korrupsioni me zyrtarë të korruptuar”, ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, raporton KTV. Ai ka thënë se eliminimi i korrupsionit është i pamundshëm. Në tryezën për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit, ambasadori amerikan është shprehur se secili person që është i përfshirë në vepra të korrupsionit duhet të marrë dënimin e merituar.
“Nuk mund të luftohet korrupsioni me zyrtarë të korruptuar. Korrupsioni po i dëmton investimet, po e rrit varfërinë”, ka thënë Delawie. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se ndjen keqardhje që në Kosovë dënimet për korrupsion janë të shumta në profilet e ulëta dhe të mesme, ndërsa janë të rralla dënimet për profilin e lartë. “Jemi dëshmitarë që kjo dukuri e rrezikon shtetin e Kosovës. Është në interesin e Britanisë, që Kosova të jetë e fortë, e një gjyqësor i fortë është mënyra e vetme që të luftohet krimi e korrupsioni”, tha ambasadori britanik. Ai ka ripërsëritur se korrupsioni është kanceri i këtij shteti të ri.

Skandali i seksit, KLD shkarkon gjykatësin Guximtar Boçi

Pas publikimit të audiopërgjimit të mbrëmjes së të enjtes, ku kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos të shkarkojë këtë të fundit.
Mësohet e KLD-ja u mblodh dje pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, për të votuar në unanimitet shkarkimin e Guximtar Boçit nga detyra. Po dje, KLD-ja vendosi ta pezullojë atë si gjykatës deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e korrupsionit.
Audiopërgjimi i publikuar mbrëmjes e së enjtes në emisionin investigativ “Stop” tregon rastin e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili i kërkon seks një qytetareje në këmbim të drejtësisë. Denoncuesja kishte një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe ka kërkuar takim me kreun e saj, Guximtar Boçi. Por në zyrën e tij, kryetari tenton ta puthë dhe i bën ofertë seksuale. Ndërsa refuzon të bëjë seks me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, 40-vjeçarja humb çështjen. Ajo thotë se dështimi i saj, ka të bëjë me refuzimin, që i bëri kryetarit të gjykatës. Këtë shqetësim qytetarja ia shpreh edhe gjyqtares së çështjes me emrin Blerta, duke i rrëfyer mbi vardisjen e kryetarit. Kjo e fundit pranon, se fillimisht kryetari, Guximtar Boçi, ishte interesuar për dosjen në fjalë, por më pas jo më.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi dje se Boçi ka dëmtuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit, duke paralajmëruar kështu shkarkimin. “KLD do të veprojë për rastin e gjyqtarit Guximtar Boçi. Gjyqtari nuk mund të jetë më në trupën gjyqësore, do të kërkoj pezullim të kreut të gjykatës, pasi ka cenuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit. Do të ketë mbledhje të KLD deri në krijimin e KLGJ-së”, tha ministri Manjani.
Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës. Gjyqtari Boçi paraprakisht ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
Në vijim, Këshilli caktoi gjyqtaren zj. Albina Spaha, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetares së kësaj gjykate, si dhe shpalli vendin vakant, duke hapur konkurrimin për pozicionin e kryetarit të kësaj gjykate.
Gjithashtu, Këshilli vendosi që Inspektorati i KLD-së dhe i Ministrisë së Drejtësisë të ndërmarrin bashkërisht një inspektim për verifikimin e veprimtarisë së gjyqtarit të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Guximtar Boçit dhe të gjyqtares B.Ç., për shkelje të rregullave të etikës, si dhe caktoi një anëtar të tij, për të verifikuar edhe sjelljen e inspektorit të KLD, i cili ishte ngarkuar për trajtimin e ankesës së qytetarit dhe që përmendet në regjistrimet audio të bëra publike në media.

Heshtni o bastardë se nuk ju lejon kush t’i vrisni për së dyti pas 73 vitesh

Myslym MURRIZI

Së pari, desha të theksoj që e kam për nder që nuk i përkas tufës së qenve kriminelë që filluan të vrasin shqiptarë pa faj dhe pa gjyq, por vetëm për bindje politike të serbo-sllavëve Dushan Mugosha e Miladin Popoviçit jo vetëm gjatë luftës, por më shumë pas marrjes së pushtetit deri në 8 dhjetor të vitit ‘90. Jam krenar që jam pinjoll i një fisi nacionalistësh dhe anti komunistësh dhe renegatë, tradhtarë, besë prerë, bukëshkelësa dhe të pamoralshëm janë ata që në emër të demagogjisë komuniste vranë së pari, brenda familjes së tyre si Enver Hoxha me kunatin e tij Bari Omarin, pra gjyshin e nuses së pseudo analistit Pëllumb Xhufi, e deri tek të gjithë shokët e tij me radhë sipas parimit të qenit që kafshon pas shpine nga Koçi Xoxe, Koço Theodhosi, Nako Spiro, Beqir Balluku, Petrit Dume, Lipe Nasho, Hito Çako, Kadri Azbiu e deri tek krimineli Mehmet Shehu më 17 dhjetor 1981 të vrarë e poshtëruar në krevatin e tij, por mungonte Fiqiretja (edhe burrin e Vitos më duket), por jo me plumb. E shumë e shumë të tjerë që dinin dhe kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve të pista të ndodhura gjatë viteve ‘43-‘48 që po të jua përmend emrin nuk ka gazetë që i nxë.
Bile një pjesë e bijve të tyre të nënshtruar gjenetikist apo të tredhur nga morali janë sot deputetë, qeveritarë, zyrtarë ose avokatë të partisë që ju pushkatoi babën. Të vetmit që historia prej 1912 i njeh si tradhëtarë të kombit si shitës të kombit si vrasës të kombit të tyre dhe jo pak, por mbi 8 mijë shqiptarë të pushkatuar janë banda e komunistëve që qeverisën shqiptarët nën ombrellën serbe deri në vitin ‘90.
Po ashtu të pështirë të fëlliqur të pa besë të pa moralshëm, ordinerë dhe trafikantë e me urrejtje patologjike ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve që fatmirësisht nuk ngjajnë me këta, janë sot pjella “kopile” e baballarëve mostra që drejtojnë shumicën e qeverisë. Nëse nuk keni moral e kurajo të kërkoni falje heshtni o bastardë se nuk ju lejon kush t’i vrisni për së dyti pas 73 vitesh.
Unë dhe jo pak, por rreth 35 për qind e shoqërisë shqiptare si puna ime nuk i kemi patur baballarët apo gjyshërit partizanë dhe për këtë sot 26 vjet pas përmbysjes së regjimit fundërrinë të të parëve tuaj jemi krenarë që nuk kemi qenë anëtarë të bandës së qenve që për karrige e pushtet vrisnin vëllezërit, baballarët, fëmijët, kushërinj e të afërm të tyre vetëm e vetëm që të kënaqeshin “eprorët” tuaj të gjithanshëm mbi ju shefat serbë.
Më thoni o historianë bolshevikë kë kanë vrarë e kë kanë prerë në besë 82 martirë të pushkatuar nga krimineli Mehmet Shehu në 21 tetor 1943 në Matjan të Lushnjës? Më thoni me kë “okupator” apo “pushtues” kanë qenë në rresht këta djem dhe burra të Çermës, Sulzotaj, Divjakës, Grabianit, Remasit?
Më thoni o shpirt fëlliqësira analistë se në çfarë beteje këta kanë shkrehur pushkë kundra një shqiptari? Ju i përkisni trashëgimisë së kalbët të këtij vendi dhe rrënjët e juaja janë të ngulura në llum të zi ndaj pjesës që sot duket sipër rrënjës i vjen era fëlliqësirë sa herë që hap gojën ndaj që të mos qelbet më ky vend nga kjo erë e ndyrë mbajeni gojën mbyllur.
Dekreti i Presidentit ishte një vlerësim i vonuar për këta myzeqarë martirë dhe të pafajshëm, të cilët fisnikërisht nuk pranuan të bëhen pjesë e vëllavrasjes pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes nga ata që pas asaj prishnin dhe tradhtonin çdo ditë shqiptarë të tjerë edhe brenda vetes. Vlerësimi i 82 jetëve të pafajshme dhe mirënjohja per 82 familjet dhe mbi 45 fiseve të nderuara të Myzeqesë është shumë herë më e madhe sesa dekorimet bombastike të luftës së burrit të Vito Kapos që leh përsëri sot kundra këtyre siç ka bërë prej 50 vitesh, apo një këngëtari apo këngëtareje tallavaje ose ish-kriminelë të atyre viteve të konvertuar në “disidentë” nga tradhtia që ju kanë bërë soji i tyre.
Sa për deklarimin e lehësit të radhës nuk më bën përshtypje se kori i lehësve akoma nuk ka mbaruar. Por meqenëse këta e quajnë “burrë shteti”, pse e vranë në shtrat dhe pse nuk guxuan ta varrosin? Po në 17 dhjetor 1981 çfarë kanë thënë për Mehmet Shehun? Burrë shteti apo tradhtarë? Duhet ta zbuloj i biri meqënëse është ngarkuar nga i nipi Spiros të shkruajë historinë e terrorit komunist dhe besoj që preh e këtij terrori ka qenë dhe ky “burrë” shteti ose tradhëtar i partisë para 33 vitesh për të gjithë korin e lehësve që këtë javë kanë dalë si miza të pista nga bytha e kalit.

FBI rihap hetimet ndaj Hillary Clinton

Kreu i FBI-së tha të premten se agjencia po rihap hetimin mbi përdorimin e serverit privat të e-mail-eve nga Hillary Clinton.
Në një letër dërguar drejtuesve republikanë në Kongres, drejtori i FBI-së, James Comey tha se, agjencia ka mësuar për ekzistencën e e-mail-eve që duket të kenë lidhje me hetimin. Ai tha se hetuesit po shqyrtojnë materialet për të përcaktuar nëse ato përmbajnë informacione të klasifikuara dhe për të vlerësuar rëndësinë e tyre lidhur me hetimin e FBI-së.
Drejtori tha se nuk mund të parashikojë sesa kohë do të dojë hetimi të përfundojë. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë lidhur me zhvillimin.
Hillary Clinton, e cila është kandidatja demokrate për presidente, është ndjekur nga pyetjet lidhur me përdorimin e e-mail-it privat në vend të atij qeveritar. FBI kreu një hetim lidhur me e-mail-at në vitin 2015, por në korrik arriti në përfundimin se nuk kishte baza për të ngritur akuza kundër zonjës Clinton.
Në atë kohë, Comey tha se zonja “ishte jashtëzakonisht e pakujdesshme në trajtimin e informacioneve të klasifikuara”.
Kritikët thonë se ajo po përpiqej të fshihte komunikimet e saj nga Akti për Lirinë e Informacionit.
Njoftimi i FBI-së vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale.

OSBE e shqetësuar për Reformën Zgjedhore

Në Shqipëri, zyra e OSBE-së shprehu sot “shqetësim të thellë” për vonesat në procesin e realizimit të Reformës Zgjedhore. “Zgjedhjet po vijnë, ka mbetur vetëm një muaj e gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i reformës zgjedhore nuk ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të humbur!”, deklaroi shefja e zyrës politike të OSBE-së, Carolina Ramos Da Costa. Zyrtarja e organizatës ripërsëriti gatishmërinë për të ndihmuar Parlamentin në realizimin e Reformës Zgjedhore, “por nëse duam që ndryshimet në ligj të zbatohen si duhet, duhet të krijojmë hapësirën e duhur kohore përpara zgjedhjeve. Vetë ambasadori Borchardt më kërkoi që ta nxit Komisionin e Posaçëm të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet të plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ajo.
Sipas OSBE-së “është thelbësore që reforma të përfundojë në kohën e duhur përpara zgjedhjeve. Që kjo të bëhet realitet, komisioni duhet t’u japë përparësi fushave të tij të punës, në mënyrë që të realizojë një Reformë Zgjedhore, e cila i trajton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që, gjithashtu i përfshin të gjithë aktorët në një proces transparent”, nënvizoi Da Costa.

Kompania kineze tërhiqet nga Rruga e Arbërit

Kompania kineze “China State Construcion” ka tërhequr ofertën e bërë në qeverinë shqiptare në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Por, kjo lëvizje e papritur duket se do të vërë në vështirësi premtimin e qeverisë shqiptare për të nisur punimet në pranverën e vitit 2017. Sipas burimeve zyrtare kinezët kanë 6 muaj që janë shprehur se nuk do të ndërtojnë këtë rrugë, pasi dhe vetë pala shqiptare këmbënguli në uljen e kostos së ndërtimit. Për ndërtimin e 27 kilometrave të Rrugës së Arbërit, kinezët dhanë një ofertë prej 300 milionë dollarësh, e cila nëse nuk arrihej të përfitohej nga taksa e rrugës, do të subvencionohej nga buxheti i shtetit.
Por, qeveria shqiptare duhet t’i drejtohet Kuvendit për të shfuqizuar kontratën e nënshkruar gati një vit më parë.
Në këto kushte ekzekutivi duhet të marrë në konsideratë anagazhimin e firmave shqiptare.
Mësohet se kompania “Gjoka” ka propozuar të përfundojë të gjithë pjesën e mbetur të Rrugës së Arbërit, dhe jo vetëm 27 kilometra të saj, për një vlerë prej 190 milionë dollarësh. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve është duke marrë në shqyrtim këtë ofertë, e cila mesa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e Rrugës së Arbërit.
Kompania “Gjoka” është duke ndërtuar tashmë dy lote të kësaj rruge nga ura e Vlashës deri në Bulqizë me një gjatësi prej 2 kilometrash dhe ka ndërtuar më parë 4 kilometra të tjera të saj.
Vetëm në vitet 2013-2015 qeveria aktuale ka investuar 6 miliardë lekë, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milionë euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge.
Ky projekt është iniciuar në vitin 2008, dhe parashikon një gjatësi prej 72 km, krahasuar me lidhjen e vjetër ekzistuese që është rreth 130 km, rreth 50 km më e shkurtër. Ka një gjerësi të planifikuar prej 10.5 m, një pjerrësi maksimale 6,99%. Ata që e kuptojnë gjerësinë rrugëve do të shikojnë që është një pjerrësi relativisht e lartë, ka një shpejtësi të planifikuar me rreth 60 km në orë, duke pasur parasysh distancën 50 km, koha që shkurtohet është më pak se 1 orë, që përftohet nga rruga e re. Lartësia e rrugës varion nga 300 në 900 m mbi nivelin e detit. Deri më sot janë investuar nga kjo qeveri 6 mld lekë, në vitin 2013 është investuar në vlerën e 3 miliardëve duke paguar dhe borxhet, 2014 janë investuar 1,4 mld dhe më 2015 shifra shkon në 1,34 mld lekë. Kjo rrugë ka pasur disa probleme që në konceptim.

Sa mund të ndikojë Putini në zgjedhjet amerikane?

Disa analistë të kibernetikës druhen se hakerët e Kremlinit do të shkatërrojnë besimin e amerikanëve tek zgjedhjet.
“Vota presidenciale mund të mos manipulohet, por ajo do të shkundet”, shkruan në të përjavshmen amerikane “Newsweek”, Jeff Stein.
Në një artikull kushtuar ndikimit që hakerët e përdorur nga Kremlini mund të kenë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Stein thotë se sfidanti republikan, Donald Trump, ka përfituar në mënyrë të përsëritur nga fakti që Rusia dhe ekspertët kibernetikë rusë kanë futur hundët në fushatën zgjedhore.
Ai citon një ish-takticien kibernetik, dikur anëtar i Forcave Ajrore amerikane, i cili shprehet se, “mjafton të përziesh pak ujërat dhe sapo njerëzit fillojnë të mos kenë besim, i gjithë sistemi mund të shembet”.
Një gjë tjetër që mund të dëmtojë besimin e votuesve tek sistemi? Një sulm masiv si ai i fundit, i cili ua bëri praktikisht të pamundur njerëzve që të mund të futen në faqe interneti, të tilla si Twitter, Reddit, Netflix, Amazon, Airbnb dhe “New York Times”. Sekretari i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë u shpreh se, ende nuk dihet kush qëndron prapa këtij aktiviteti dashakeq.
Në Amerikë ka filluar që tani të parashtrohet argumenti, përse nuk duhet që votuesit të dërgojnë votën e tyre përmes internetit, sidomos në ato shtete që janë “në fije të perit”.
Që tani, një numër në rritje amerikanësh janë të prirur të mendojnë se zgjedhjet mund të manipulohen, sipas një sondazhi të kryer në gusht nga kompania Gallup. Sipas një tjetër eksperti, rreziku nuk qëndron aq shumë në manipulimin e vetë makinave të votimit, sesa në krijimin e një atmosfere dyshimi që do të rrethojë zgjedhjet. Madje sipas tij, edhe nëse Kremlini nuk është prapa disa veprimeve të hakerëve, ai gjithsesi mund t’i shfrytëzojë për objektivat e tij.

Tre skenarët
Në mesin e tetorit, “hakeri kibernetik” veteran, Scot Terban, parashtroi tre skenarë se si Rusia mund të zhysë në kaos zgjedhjet në Amerikë: duke manipuluar numërimin e votuesve, listat e votuesve dhe makinat e votimit.
Në skenarin e parë, “janë futur duart në makinat e votimit ose kanë ndërhyrë tek kodet elektronike”, për të prodhuar rezultate tejet të papritur. Rezultati: Besimi në sistemin zgjedhor bie shumë, thotë Terban. Në këtë rast, kandidatët dhe publiku do të kërkonin rinumërim të votave, duke vonuar rezultatin me muaj të tërë dhe duke e dëmtuar edhe më tej besimin tek makineritë elektronike.
Në skenarin e dytë, votuesit do të shfaqeshin në qendrat e votimit, por do të shihnin të dhënat e tyre personale të fshira apo të ndryshuara. Demokratë të renditur si republikanë dhe anasjellta. Adresat janë të pasakta ose mungojnë. Ata nuk mund të votojnë. “Deri sot, me sa di unë, nuk ka sisteme që të dërgojnë një e-mail kur bëhet një ndryshim në statusin tuaj të votimit”, thotë Terban. “Mendojeni pak, sa njerëz kontrollojnë para se të shkojnë të votojnë?”. Është një metodë që në sistemin amerikan nuk është se s’është përdorur. Ka ndodhur për shembull, me ndryshime lagjesh në një mënyrë që skualifikon disa votues në ditën e votimit.
Skenari i tretë për paralizimin e zgjedhjeve në Amerikë, sipas hakerit, u testua nga Rusia në Ukrainë, duke futur “viruse në makineritë elektronike që i dëmtuan ose i mbyllën fare. Nëse kjo do të ndodhte në sistemin elektronik amerikan, do të shkaktonte ndërprerje dhe marrje masash emergjente. Përballë vonesave të mëdha, shumica e votuesve do të largoheshin. Dhe besimi në sistemin zgjedhor, elektronik ose jo, do të shkatërrohej”.

Obama ndërhyn në mosmarrëveshjen Turqi-Irak

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka ndërhyrë personalisht në një mosmarrëveshje midis Turqisë dhe Irakut për luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do t’i bashkohet luftës për të çliruar qytetin iraken të Mosulit nga Shteti Islamik, pavarësisht kundërshtimeve nga Bagdadi.
Obama, në një bisedë telefonike me Erdoganin, theksoi nevojën për një bashkëpunim më të afërt midis Ankarasë dhe forcave amerikane dhe irakene.
Ai bëri thirrje për dialog të vazhdueshëm, për të përcaktuar nivelin dhe formën e ndërhyrjes së Turqisë.
Erdogan, më herët, ka shprehur zemërimin e tij se Turqisë nuk i është kërkuar të përfshihet më shumë në operacionet në Mosul, i cili ka qenë dikur pjesë e Perandorisë Otomane.

Kërcënimi rus, Perëndimi përgjigjet me forcën më të madhe

Me njësinë ushtarake më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në Evropën Lindore që prej Luftës së Ftohtë, një forcë e blinduar, që përfshin 800 trupa britanike do të vendosen në Estoni vitin e ardhshëm, për t’u përballur me agresionin që kërcënon Rusia.
Lëvizjet janë të përcaktuara dhe menduara që të ndalojnë Moskën të shtrijë tentakulat e saj në Evropën Lindore siç ajo ka bërë me Krimenë dhe Ukrainën, shkruajnë mediat britanike.
Zgjerimi ushtarak i Rusisë në kufirin e Evropës ka sjellë reagimin e Perëndimit që po instalon forcën më të madhe ushtarake në rajon që nga koha e Luftës së Ftohtë. Britania i ka bërë gati trupat, tanket dhe aeroplanët që do të vendosen në Estoni për të penguar agresionin rus, ndërsa forcat në Mbretërinë e Bashkuar dhe ato rumune do të bashkohen në një batalion në Poloni.
“Si pjesë e forcës më të madhe ushtarake në Evropën Lindore, avionët RAF gjithashtu do të dërgohen për të patrulluar hapësirën ajrore rumune për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë. Kjo vjen pasi Rusia zbuloi fotot e raketave bërthamore të saj më të mëdhatë e para ndonjëherë, e cila është e aftë për të fshirë gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan “Daily Mail”.

Ban Ki-moon: Sulmi ndaj shkollës në Siri mund të jetë krim lufte

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka sugjeruar se një sulm ajror në një shkollë në perëndim të Sirisë, me çrast u vranë 28 veta, përfshirë 22 fëmijë, mund të jetë një krim lufte, në kohën kur aktivistët sirianë dhe diplomatët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë dhe forcat siriane për sulmin.
Përmes një deklarate për shtyp, Ban e dënoi sulmin mbi shkollën duke thënë se ai ishte “i qëllimshëm”.
Ministria e Jashtme ruse ka mohuar që forcat e saj apo edhe ato të qeverisë siriane të jenë përfshirë në sulm, që u krye më 26 tetor në provincën Idlib, në jugperëndim të Aleppos.
Avionë rusë dhe sirianë kanë goditur pjesë të Aleppos, duke provuar që të largojnë forcat rebele dhe luftëtarët ekstremistë dhe të dyja shtetet kanë deklaruar fitore të mëdha strategjike në një luftë civile që po zgjat afro gjashtë vjet. Siria është aleate kyçe e Moskës, që e furnizon me shumicën e armatimeve dhe përkrahje tjetër teknike, derisa kryen sulme ajrore ndaj luftëtarëve të opozitës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të enjten se akuzat për përfshirje të forcave ruse në sulme ajrore mbi shkollën janë “gënjeshtra”.
“Federata Ruse nuk ka të bëjë asgjë me këtë tragjedi të tmerrshme, asgjë të përbashkët me sulmin”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Ajo tha se pohimet e aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe të diplomatëve perëndimorë se, Rusia ose Siria kanë kryer më 26 tetor sulme ajrore janë “gënjeshtra”.
Më herët gjatë ditës së enjte Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se, as Rusia dhe as Siria nuk kanë kryer sulme ajrore në rajonin e Aleppos gjatë nëntë ditëve.
Zakharova tha se veprimet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në Siri po e destabilizojnë situatën.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë mohimet.
“Nuk e dimë ende nëse ishte regjimi i Asadit apo rusët ata që kryen sulmin ajror, por e dimë se ishin njëri nga ata të dy”, tha zëdhënësi Josh Ernest.
“Edhe nëse ishte regjimi i Asadit ai që kreu sulmin, regjimi i Asadit është në pozitë të kryejë gjëra të tilla të sulmeve sepse janë të mbështetur nga qeveria ruse”, tha ai.
Zakharova kritikoi edhe veprimet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në Siri, duke thënë se ato “po e destabilizojnë situatën”.
“Forcat e koalicionit kanë dështuar që të ndërmarrin masa adekuate të sigurisë për të minimizuar dëmet ndaj civilëve”, tha ajo.
Sipas saj, Rusia ka dokumentuar “shembuj të furnizimit me sistem antitank të prodhuar në SHBA dhe sistem portabël të mbrojtjes ajrore të militanëve” që po luftojnë kundër qeverisë siriane.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në një fjalim të tij në qytetin Sochi, në një klub debati, tha se përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, për t’i dhënë fund luftës civile në Siri janë penguar nga “forcat” në Washington.
“Një front i përbashkët për ta mundur terrorizmin në fakt nuk është krijuar”, tha Putin në një takim vjetor të ekspertëve rusë. Putin nuk elaboroi se kush në Washington, gjoja, po e pengon fundin e gjakderdhjes në Siri.
Administrata e Obamës e ka akuzuar Moskën për sforcimin e konfliktit me operacionet që po zhvillohen në mbështetje të Presidentit sirian, Bashar al-Asad dhe luftën e tij kundër militantëve Shteti Islamik dhe shumë grupe të moderuara kanë kërkuar largimin e tij.