Karlo Ançeloti është njohur gjithmonë me etiketën e “njeriut të qetë”, teksa nuk ka pranuar kurrë të përfshihet në polemika. Mirëpo në librin e tij autobiografik, trajneri i Bajernit të Mynihut ka pohuar se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga sjellja e brazilianit Leonardo, në kohën kur të dy militonin në radhët e francezëve të PSG-së.
“Pse duhet t’i komunikosh trajnerit që do të shkarkohet kur po përgatit vigjiljen e ndeshjes? Po nëse do të fitoja, çfarë do të kishte ndodhur? Ndoshta do të kisha qëndruar sërish në krye të ekipit, mirëpo nuk do të isha më i qetë. E dija që te PSG-ja kisha humbur besimin e drejtuesve të klubit dhe atë të presidentit. Ishte ndeshja kundër Portos në Ligën e Kampionëve, të cilën e fituam 2-1, duke bërë edhe një paraqitje pozitive në fushë. Mirëpo, qysh prej asaj dite nuk po kaloja një periudhë të lumtur në stolin e Parisit”, shkruan Ançeloti në autobiografinë e tij.
Më tej, ai shtoi: “Nuk ndieja më mbështetjen e klubit dhe isha i bindur që nuk do të bëja më pjesë në planet e tij. Leonardo më bëri të ditur se në fund të sezonit do t’u largoja nga Parisi. Ai ishte miku im, ose të paktën mendoja se e kisha mik, por u tradhtova, pasi nuk më dha kurrë asnjë shpjegim pse u sollën me mua në atë mënyrë. Isha i çuditur, pasi diçka e tillë nuk duhet të ndodhte, në futboll si në çdo kontekst tjetër.
Nëse dikush kërkon të të shkarkojë mund ta thotë që në fillim, por jo të vendosë ultimatume. Unë nuk jam mësuar kurrë me një sjellje të tillë dhe kam mbetur shumë i zhgënjyer nga ajo që ndodhi gjatë periudhës te PSG-ja. Që prej asaj kohe, marrëdhënia ime me Leonardon nuk është më e njëjta”.
Ançeloti: Jam tradhtuar nga Leonardo
Ronaldo është unik
Zinedine Zidane i del në mbrojtje Crisitano Ronaldos. Sulmuesi portugez është kritikuar ashpër nga mediat për paraqitjen e tij në ndeshjen e fundit ndaj Athletic Bilbaos, pasi u tregua egoist, duke menduar vetëm për vete në më shumë se një rast. Megjithatë, në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj Alaves-it, trajneri francez i Los Blancos foli me superlativa për 3-herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili ka shënuar shumë pak gola në këtë sezon dhe nuk po kalon një moment pozitiv.
“Nuk e shikoj në ankth Ronaldon, por i zemëruar mund të jetë. Ai dëshiron të shënojë gola dhe kjo është normale. Cristiano është unik për atë që ka bërë dhe po bën. E ka rritur në atë fare mase nivelin e tij, saqë kur nuk shënon njerëzit jashtë skuadrës fillojnë të shqetësohen. Ronaldo duhet të jetojë me presionin, pasi me atë që janë fenomenë ndodh gjithmonë diçka e tillë”, u shpreh Zidane.
Nga Ronaldo te sfida ndaj Deportivo Alaves. Zidane vlerësoi kundërshtarin e radhës, ndërsa foli edhe për gjendjen e futbollistëve të dëmtuar në skuadrën e tij. “Pres një ndeshje shumë të komplikuar. Alaves nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi dhe ka fituar ndaj Barcelonës në transfertë. Ata po zhvillojnë një sezon të jashtëzakonshëm. I kemi të qarta vështirësitë që na presin. Ramos, Casemiro dhe Modriç? Për momentin nuk mund të flas shumë për asnjërin prej tyre. Modriç është më afër rikthimit, ndërsa Ramos dhe Casemiro kanë pak ditë që kanë rifilluar stërvitjen. Të presim javën e ardhshme dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me ta”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
Cristiano Ronaldo është i vetëdijshëm se shumë njerëz nuk e kanë aspak qejf, por ai thekson se ka nevojë për armiqtë e tij. Në një intervistë dhënë për “Coach Magazine” shton se, armiqtë e tij e kanë ndihmuar që të fitojë. Me pak fjalë, sulmuesit luzitan nuk i intereson aspak ajo çfarë thuhet për të pasi sipas tij, futbolli e ka mësuar të menaxhojë kritikat për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.
Një koment, CR7 e shkëputi edhe për ish-trajnerin e tij, Jose Murinjo. “Kam punuar me trajnerë të mëdhenj, por Murinjo është njeriu që analizonte gjithçka deri në detaje. Zidane është shembulli perfekt se si mund të ndërtosh marrëdhënie të mira në dhomat e zhveshjes. Sezonin e shkuar e mbylla në mënyrën më pozitive me suksesin në Champions League dhe në Euro 2016”, tha Ronaldo.
Enrique mbyll polemikat: Barcelona ekip Fair Play!
Luis Enrique mbyll përfundimisht polemikat në distancë mes Barcelonës dhe Ligës së Futbollit Spanjoll për çështjen e simulimeve. Pasi Neymar u godit në kokë me një shishe gjatë sfidës në Valencia, disiplina akuzoi lojtarët katalanas si silmulues dhe ky qëndrim ngjalli reagimin e klubit që kritikoi ashpër federatën për komentin e bërë.
“Nuk kam ndërmend të flas më për atë që ndodhi në Mestalla. Te Barcelona ne kemi disa vlera që përpiqemi t’i përçojmë. Luajmë futboll dhe nuk jemi të dhunshëm për të dëmtuar kundërshtarët. Jemi mësuar me polemika. Mbajmë titullin kampion dhe luftojmë për të fituar sa më shumë trofe. Spekulimet nuk sjellin asgjë pozitive për askënd. “Sjellja e lojtarëve të mi është çmimi që fitojnë çdo vit për Fair Play e treguar në fushë”, u shpreh Enrike.
Sinjale të qarta se Luis Enrique kërkon ta arkivojë sa më parë këtë çështje për t’u fokusuar te futbolli i luajtur. Gjithsesi, ai mban anën e klubit që i kërkoi Gjykatës Administrative për të marrë masa ndaj Ligës. “T’i hedhim benzinë zjarrit nuk i intereson askujt, sepse faktet janë të qarta. Çmimet Fair Play që kemi fituar ndër vite flasin qartë për sportivitetin tonë. Ne jemi skuadra që bën më pak ndërhyrje antisportive dhe ndëshkohet më pak me kartonë”, tha trajneri i Barcelonës.
Gjermania hedh kandidaturën për Euro 2024
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, ka shfrytëzuar prezantimin e logos së “EURO 2020” për qytetin e Mynihut që të deklaronte gatishmërinë e Gjermanisë për të pritur një tjetër aktivitet madhor pas “përallës verore” të vitit 2006. Euro 2024 është një plan-objektiv i Federatës Gjermane”, tha ai gjatë prezantimit në të cilin ishte i pranishëm edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin. Ky i fundit, nuk ngurroi të cilësonte stadiumin “Allianz Arena” si impiantin më të bukur në botë. “Nuk është një deklaratë politike”, tha slloveni 49-vjeçar. “E them këtë me sinqeritet të plotë”.
Stadiumi i Bajern Mynih do të presë katër ndeshje në “EURO 2024”, tre takime të fazës në grupe dhe një çerekfinale, sipas projektit të hartuar nga UEFA për aktivitetin që ndahet në 13 vende të ndryshme të kontinentit. Të gjithë vendet që duan të aplikojnë për zhvillimin e ‘EURO 2024’ duhet të dorëzojnë kandidaturën para fundit të marsit 2017.
Aubamejang: Derbi na elektrizon
Ditën e sotme në orën 18:30, Bundesliga do na njohë me derbin më të magjishëm të Gjermanisë. Derbi i Ruhrit, Dortmundi kundër Shalkes. Atmosfera në Dortmund është elektrizuese. Këtë e shpreh edhe sulmuesi afrikan PierreEmerik Aubamejang gjatë një interviste për Ligën gjermane.
-Aubamejang, për herë të parë udhëhoqët Dortmundin si kapiten kundër Ingolshtadit në Bundesligë. Si u ndietë?
Ishte e pazakontë, por shumë e bukur. Edhe pse 27 vjeç, bëni pjesë në lojtarët më me eksperiencë në ekip. Përpiqem të ndihem i ri edhe unë. Më duket paksa e çuditshme që jam një ndër më të vjetrit. Më përpara isha më i riu. E kam për nder dhe kënaqësi të luaj me lojtarë të rinj të talentuar.
-Keni shënuar 4 gola në 6 ndeshje Bundeslige kundër Shalkes. Çfarë rëndësie kanë golat për ju në derbi?
Natyrisht, rëndësi të lartë! E dimë të gjithë sesa i rëndësishëm është derbi për Dortmundin dhe fansat tanë. Ka për të qenë një superndeshje. Jemi gati dhe jam i bindur që do të shënoj sërish.
-Si e gjykoni atmosferën para derbit në fundjavë në “Signal-Iduna-Park?
Atmosferë speciale si vetë derbi. Kur sheh tifozët në sy, të përshkon një ndjenjë e veçantë për t’u dhuruar atyre një fitore. Derbi është tema e çdo dite.
-Ka ndryshuar stili i lojës suaj nga ndryshimet në organikë?
Është ndryshe nga sezoni i kaluar. Kemi humbur lojtarë të fortë me eksperiencë dhe me ta e kisha më të lehtë të shënoja. Tani në skuadër kemi gjak të ri me shumë talent. Së fundmi, na kanë penalizuar edhe dëmtimet. Kur të rikthehen të gjithë, do ta kem edhe unë më të lehtë për të shënuar. Këtij ekipi duhet t’i japim edhe pak kohë për të shkëlqyer si në Bundesligë, kupë dhe Champions.
-Sa rëndësi ka rikthimi i Marko Rojsit?
Na duhet dhe na mungon shumë Rojsi. Kam folur me të në telefon dhe e ndiejmë mungesën e tij. Të gjithë e dimë se çfarë di të bëjë ai. Me të në fushë ndëshkojmë çdo rival.
-Sezonin e kaluar e humbët duelin për “Këpucën e Artë” me Lewandowskin. Aktualisht keni një konkurrent të fortë si Antoni Modeste, të cilin e njihni mirë.
I kam dërguar një mesazh: “Me qetësi dhe maturi ecet përpara”. Më vjen mirë për të, pasi ka punuar fort. Në Francë e kritikojnë shpesh dhe kritikët e kanë marrë përgjigjen. Më pëlqen që nuk është vetëm Lewandowski, por edhe Modeste.
-Një lojtar atlet pa dyshim që i pëlqejnë edhe makinat e shpejta apo jo?
Shpejtësia është një pjesë e imja. Unë kam lindur për këtë gjë. Makinat i kam pasion. Zhurma është shumë e rëndësishme për mua. Më pëlqen kur bën zhurmë motori.
Pankinë e shkurtër dhe pak zgjedhje
Milani ndezi ëndrra të bukura te tifozët, por ndoshta edhe te vetë grupi kuqezi pas suksesit ndaj Juventusit, një triumf në stadiumin “San Siro” që vlente më shumë sesa tri pikë. Por pikërisht atëherë kur dukej se skuadra e Vinçenco Montelës kishte gjetur vazhdimësinë e rezultateve pozitive, pasi shënoi 5 fitore dhe 1 barazim (nga 15 shtatori deri më 22 tetor), të martën në mbrëmje, të gjitha këto shpresa u copëtuan. Disfata 3-0 me Xhenoan mund të quhet një aksident nga ana e trajnerit kuqezi, por ajo ndeshje tregoi më së miri limitet që ka ky grup për të tentuar një objektiv madhor si ai i titullit kampion.
Ndoshta dikush në “Milanelo” kishte nisur të besonte realisht te kjo mundësi, por kur mund Juventusin dhe i shton vetes një dozë të madhe adrenaline dhe 72 orë më pas, bie keqazi në Xhenova, qoftë edhe në transfertë, ky është një sinjal se diçka i mungon këtij grupi, për të garantuar një udhëtim të qetë në katet e larta të renditjes. Është normale që në një kalendar të ngjeshur, trajneri i një skuadre të vendosë të bëjë rrotacion, për t’u dhënë mundësi lojtarëve që të karikojnë energjitë. Por, në rastin e Vinçenco Montelës, pikërisht zgjedhjet për të lënë pushim disa prej titullarëve të tij ishte një nga “mëkatet” që e dërguan te disfata.
Ndoshta rrotacion mund të ketë, por nëse vendos të ndërrosh thuajse të gjithë korsinë, e cila shihej si një ndër pjesët më të forta të zinxhirit të lojës, atëherë këtu edhe vetë trajneri duhet të mbajë peshën e tij. Kundër Xhenoas, ai që nuk funksionoi absolutisht ishte krahu i djathtë. Në stadiumin “Marasi”, lënia jashtë e Abates dhe Susos ishte diçka e tepruar ndoshta për t’i hapur vend respektivisht Polit dhe Hondës.
Këto zëvendësime në formacion ndikuan jo pak në lojë, duke parë se në fund të takimit, si Poli, një mesfushor shkatërrues i eksperimentuar si mbrojtës i djathtë, ashtu sikurse Honda, u vlerësuan me notën më të ulët. Por të fajësosh Vinçenco Montelën për zgjedhjet e bëra në formacion, kur ndeshja mbaron, kjo është tepër e lehtë, sepse gjykimi shtyhet edhe nga rezultati. Fundja, trajneri i Milanit ka një pankinë shumë të shkurtër në dispozicion, por kur kësaj i shtohen edhe dëmtimet e lojtarëve si Andrea Bertolaçi, Mati Fernandez, Luka Antoneli, Rikardo Montolivo dhe Gabriel Kalabria, atëherë është normale që zgjedhjet për trajnerin të ngushtohen bindshëm dhe rrotacioni të bëhet më i vështirë për t’u pranuar në rast humbjeje. Prandaj, ky Milan, i cili po ecën mirë kundrejt parashikimeve, e ka të domosdoshme që në janar të bëjë disa ndërhyrje në merkato.
Higuain premton
E shkuara është një tokë e huaj për një lojtar si ai. Një profesionist si Gonzalo Higuain mendon vetëm për të tashmen dhe e tashmja për El Pipitan, mban emrin e Juventusit. Të shtunën bardhezinjtë sfidojnë Napolin në Torino, por edhe pse kaloi tri vite të karrierës së tij te skuadra e kaltër, bomberi argjentinas e konsideron Napolin si kundërshtarin e radhës. Higuain është gati për t’u përballuar me ish-skuadrën e tij dhe ka një objektiv të qartë: Dëshiron t’i shënojë një dygolësh Napolit. Për tifozët e kaltër, por edhe presidentin Aurelio de Laurentis 28-vjeçari është një tradhtar dhe fansave të Napolit sa herë që do t’u jepet rasti do ta vërshëllejnë me forcë El Pipitan.
Por ky fakt nuk e tremb Higuainin, i cili pasi lumturoi për 3 vite me golat e tij tifozët e klubit jugor, tashmë dëshiron të fitojë zemrat e fansave të Juventusit. I pyetur nga këta të fundit përpara seancës së radhës stërvitore, se a do t’i shënojë 2 gola ekipit të Sarrit, këtë të shtunë, Higuain u përgjigj: “Sigurisht shpresoj shumë të shënoj një dygolësh”.
Një sinjal mëse i qartë ky nga ana e argjentinasit se Napoli i përket së shkuarës, ndërsa Juvja është e tashmja dhe e ardhmja e tij. Por pavarësisht këtij premtimi që u ka bërë tifozëve të Juventusit, Higuain nuk po kalon momentin e tij më të mirë sepse në Serinë A nuk shënon prej 3 javësh, një thatësirë e gjatë kjo për një lojtar si ai. Mos ndoshta ka pritur ndeshjen ndaj Napolit për të shpërthyer? Kjo mbetet për t’u parë të shtunën në mbrëmje, ku në mungesë të liderit tjetër të sulmit Paulo Dybala, Juventusi ka vërtet nevojë për golat e tij.
Juventus u rikthye te fitorja pas humbjes para 4 ditësh me Milanin duke mposhtur 4-1 në shtëpi Sampdorian. Golat për ekipin e Alegrit u shënuan nga Manxukiç, Pjaniç dhe një dopietë e Kielinit. Pas 4 ndeshjeve pa fitore, nga të cilat 3 humbje radhazi, Interi arriti të mposhtë në shtëpi Torinon me shifrat 2-1 falë dopietës së Ikardit. Ndërkohë për Torinon shënoi sulmuesi i talentuar Beloti. Mbrojtësi shqiptar Arlind Ajeti nuk u preferua as këtë ndeshje nga trajneri Mihajloviç teksa e ndoqi gjithë takimin nga stoli.
Ndërkohë, Palermo nuk arrin dot të dalë nga zona e ftohtë e renditjes, pasi humbi 3-1 ndeshjen direkt me Udinesen të luajtur në Siçili. Në “Renzo Barbera” vendasit pësuan humbjen e 3-të radhazi pavarësisht se arritën të shënonin të parët në këtë sfidë, teksa në minutën e 10-të Nestorovski bëri gjithçka mirë në kontroll dhe finalizim duke i dhënë epërsinë të tijve.
Udinese megjithatë arriti të barazojë rezultatin përpara pushimit me të zakonshmin Thereau. Në pjesën e dytë ishin siçilianët që po luanin më mirë përpara se Fofana në të 74-tën me një goditje mjaft të bukur të gjente këndin e portës për epërsinë e Udineses. Në minutat e mbetura, Fofana ishte sërish protagonist duke vulosur dygolëshin personal në minutën e 79-të me një tjetër goditje nga distanca.
Prokuroria Speciale akuzon për krime lufte Fatmir Limajn
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër deputetit, Fatmir Limaj, nën dyshimet për veprën penale “krime të luftës kundër popullatës civile”. Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë politike Nisma për Kosovën.
Sipas Prokurorisë Speciale, aktakuza ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se “si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit”.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”.
Fatmir Limaj është akuzuar edhe në të kaluarën për krime lufte, por në fund gjykata e ka shpallur të pafajshëm dhe kishte vendosur ta lironte në mungesë të provave bindëse. Gjithashtu, Limaj është përballur me gjykim për krime lufte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku po ashtu është shpallur i pafajshëm.
Avokati: Nuk ka prova për akuzat
Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, i kontaktuar nga Express ka thënë se, aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij nuk është e mbështetur në prova.
Tahir Rrecaj ka thënë për Gazetën Express se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale për Fatmir Limajn nuk është e mbështetur në prova dhe se ka mungesë të provave për këtë.
Prokuroria Speciale dje ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt për krime luftë ndaj popullatës civile.
Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës, të cilët më datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
“Në kohën kur kanë ndodhur ato vrasje të pretenduara, UÇK-ja nuk ka pasur hierarki gjatë asaj periudhe kohore”, ka thënë Rrecaj për Express.
Ai ka theksuar se ka pritur nga Prokuroria që kjo çështje të mbyllet, pasi Fatmir Limaj sipas tij, i kishte dhënë sqarime të mjaftueshme Prokurorisë për mbylljen e rastit.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.
Rezoluta: Të mbrojmë luftëtarët e UÇK-së
Lufta çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar, duke e respektuar të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake, policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetar dhe institucion i Republikës së Kosovës.
Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar, në luftën çlirimtare të Kosovës, ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit dhe në këtë drejtim çdo tendencë e kujdoqoftë që ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndërmarrë masa që janë në kundërshtim me parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj në fuqi dhe për motive jashtë sistemit të drejtësisë, janë të papranueshme.
Sikur çdo qytetar i Republikës së Kosovës, edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, dhe këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj dhe vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që në një shoqëri të hapur dhe demokratike të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.
Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, sikur për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, ashtu edhe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar.
Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë nuk bën ta mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar. Edhe me rastin e dënimeve të Grupit të Drenicës i ftojmë të gjitha institucionet e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, në këtë drejtim edhe në mbrojtjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të drejtat dhe liritë e njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohen edhe për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe sikur çdo qytetari u garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi për t’i mbrojtur pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund t’u nënshtrohen veprimeve diskriminuese, si rrjedhojë e të qenit pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës u propozon institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë që t’i dekorojë për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pajtim me ligjin për dhënien e dekoratave.
Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda 6 (gjashtë) muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.
NATO: Nuk po kërkojmë konfrontim me Rusinë
“NATO nuk po kërkon një konfrontim me Rusinë dhe nuk do një tjetër Luftë të Ftohtë”, kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg në një intervistë për “BBC”.
Sipas tij, plani për dërgimin e 4 mijë trupave shtesë në Lindje të Europës synon të parandalojë një konflikt të mundshëm e jo ta provokojë atë. Stoltenberg shtoi se pavarësisht tensioneve aktuale, aleanca ushtarake nuk e konsideron Moskën si një kërcënim.
Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë në pikën më të ulët që prej Luftës së Ftohtë. SHBA dhe BE vendosën sanksione ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014-tën.
Lufta në Siri ka qenë gjithashtu një burim i madh tensionesh me fuqitë kryesore të Perëndimit që i kanë cilësuar si krime lufte bombardimet e Moskës në mbështetje të qeverisë së Bashar al-Asadit.
Presidenti rus Vladimir Putin i mohon kategorikisht akuzat dhe i quan qesharake pretendimet për sjellje agresive në Europë. Batalione shumëkombëshe të NATO-s të përbëra nga rreth 1 mijë trupa secili do të dërgohen në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani në fillim të vitit të ardhshëm. Ato do të drejtohen nga SHBA, Britania, Kanadaja dhe Gjermania.
Por dueli i heshtur mes NATO-s e Rusisë vazhdon të përvijohet çdo ditë e më shumë, aleanca përdor zyrtarisht armën e diplomacisë për të sheshuar mosmarrëveshjet, duke thënë se do të dëshironte një marrëdhënie bashkëpunuese e konstruktive me Rusinë.
Por edhe pse thotë se nuk e sheh Rusinë si një kërcënim, numri një i NATO-s, theksoi se po i përgjigjeshin veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe gjithashtu asaj që e quajti retorikë bërthamore intimiduese ndaj shteteve europiane.
Aleanca veriatlantike beson se Rusia ka rreth 330 mijë trupa të stacionuara pranë kufijve të saj perëndimorë.
Më herët gjatë javës planet për ankorimin e luftanijeve të Moskës në një port iberik, u anuluan pas shqetësimeve të NATO-s se ato mund të përdoreshin për bombardime kundër civilëve në Siri.