24.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Maj, 2025

Eurodiesel në Maqedoni vetëm 120 lekë për litër

Më datë 31 të këtij muaji, Komisioni Rregullator për Energjinë do të përcaktojë çmime të reja të karburanteve në Maqedoni, të cilat pritet të jenë me çmime më të larta për shkak të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet botërore. Sipas ndryshimeve të fundit në çmimet e karburanteve, çmimet e tanishme EUROSUPER 95 shiten për 63 denarë, ndërsa Eurosuper 98 shiten për 65 denarë. Eurodisel ka një kosto prej 50 denarë për litër ose 120 lekë për litër.

Gjykata Speciale për krimet e luftës shqetëson Prishtinën

Përfaqësuesit politik nga Kuvendi dhe qeveria e Kosovës nuk i fshehin rezervat që kanë në raport me fillimin e punës së Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.
Shqetësimi më i madh i tyre ka të bëjë me, siç thuhet, “rrezikun nga ndikimi politik i vendimeve që mund të merren në këtë Gjykatë”, e cila kryesisht pritet t’i trajtojë rastet e krimeve të dyshuara të luftës, ku protagonistë kryesorë do të jenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndonëse qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ishin pajtuar për themelimin e kësaj Gjykate, shqetësimet janë në rritje, sidomos tani, kur disa ish-komandantëve dhe figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu konfirmua dënimi nga organet vendore të drejtësisë, çka e shtyu Kuvendin e Kosovës të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të enjten, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.
Infrastruktura juridike e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për rivendosjen e kësaj gjykate në Holandë.
Mirëpo ende nuk dihet saktë se, kur do të nisin punën dhomat e specializuara në Kosovë. Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se fillimi i punës së kësaj gjykate mund të paraqesë problem për sistemin e drejtësisë.
Deputetja Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës vlerëson se, roli i kësaj gjykate do të jetë më tepër politik, andaj si i tillë, sipas saj, mund të sjellë probleme të ndryshme.
“Do të jetë goxha problematike roli i Gjykatës Speciale, duke marrë parasysh tendencën për të njollosur luftën e UÇK-së. Do të ketë probleme edhe për sistemin e drejtësisë edhe për faktin që parasheh një sistem paralel të sistemit të drejtësisë dhe kjo ka qenë e padrejtë qysh atëherë kur është bërë. Ne kemi nevojë për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe dënim të gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë”, thotë Haxhiu.
Ndërkaq, deputetja Selvije Halimi, nënkryetare e Komisionit për Legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, në rast se puna dhe vendimet e gjykatës do të jenë politike, problemet do të jenë evidente.
Halimi mendon se gjykata duhet të punojë në bazë të fakteve reale, të cilat mund të dëshmohen dhe vërtetohen.
“Vendimet, qofshin në gjykatat vendore sot qofshin nesër ato në speciale, duhet të jenë mbi bazën e fakteve dhe provave të dëshmuara dhe të vërtetuara [kështu] nuk do të ketë kurrfarë shqetësimi”.
“Por, nëse vendimet janë pa prova, pa dëshmi relevante, dhe vendime që të lënë të kuptosh se janë kryekëput politike, atëherë normalisht se do të ketë shqetësime”, tha Halimi.
Kurse, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se ministria pas miratimit të ligjeve nuk ka asnjë detyrim apo obligim në raport me Gjykatën Speciale.
Por, ajo tha se do të kërkojë transparencë për proceset që do t’i zhvillojë ky mekanizëm.
“Do të kërkojmë, do të jemi insistues, që të kemi transparencë në lidhje me hapat, procesin i cili po na vjen. Por, nuk mund të ndikojmë. Ajo është gjykatë, ka pavarësinë e vet dhe vetëm në kuadër të një bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar ne mund t’i ndihmojmë”, tha Hoxha.
Dhomat e specializuara do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, që u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës, e që “fajëson ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore”.
Zbardhja e krimeve gjatë periudhës së luftës pritet të jetë një nga qëllimet kryesore edhe të Gjykatës Speciale apo Dhomës së Veçantë, që është krijuar për hetimin e krimeve të supozuara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj civilëve serb.

Deklarata e Kryeprokurorit Special Schwendiman

Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, kohë më parë në një konferencë me gazetarë në Hagë ka thënë se do të zhvillojë hetimet e tij “pa frikë dhe pa asnjë favor”.
Schwendiman ka theksuar se “është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike të asaj çfarë po bën, por në punën e tij do të udhëhiqet vetëm nga faktet dhe nga ligji.
Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000. Ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë.

Kuvendi i Kosovës, seancë të jashtëzakonshme për luftën

????????????????????????????????????

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme për, siç thuhet, mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me nismën e Partisë Demokratike, seanca është mbështetur edhe nga një numër i caktuar deputetësh dhe më pas është aprovuar nga Kryesia e këtij institucioni.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se kryesia ka shqyrtuar një kërkesë të Grupit parlamentar të PDK-së, lidhur me situatën e krijuar në rastin “Drenica II”. “U dakorduam që të enjten të mbajmë seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00 për të diskutuar për vlerat e luftës”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq, PDK, përmes një komunikate thotë se po përcjell me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica.
“Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Si zhduken gjurmët e krimeve në Laboratorin e Kriminalistikës

Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Policisë Shkencore ka denoncuar manipulimin e provave që kryhen në këtë institucion për llogari të botës së krimit, si dhe ka nxjerrë në pah aferën me pajisjet e importuara nga Rusia.
“Drejtuesit e tij në tërësi janë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit. Ata falsifikojnë, fabrikojnë e zhdukin të dhëna dhe prova sipas urdhrave nga lart!”, thuhet në denoncimin e pasqyruar edhe në postimin e qytetarit dixhital të ish-Kryeministrit Berisha.
Eksperti pohon se Laboratori i Kriminalistikës është në rrezik nga një djegie për herë të dytë për llogari të botës së krimit.
“Laboratori është në rrezik të një djegie të dytë nga këta kriminelë me uniformë. Laboratori Kriminalistik është kthyer në laboratorin e vjedhjeve dhe të shpërdorimeve”, thuhet në postim.

Mafia në Laboratorin e Kriminalistikës

Laboratori Kriminalistik është kthyer në laboratorin e vjedhjeve dhe të shpërdorimeve, ku si rezultat i dhunës dhe frikës së heqies nga puna, drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli, të cilët të lidhur me një firmë ruse dhe një firmë të krijuar në Shqipëri, një firmë fiktive, bëjnë blerjen e materialeve duke e shndërruar blerjen e sistemeve të gjurmëve të gishtave dhe balistikës dhënë në monopol të tyre, pra, në këtë laborator nuk mund të hyjë asnjë prej firmave më të njohura në botë për krahasimin e gjurmëve të gishtave dhe krahasimin e provave balistike.
Konkretisht, drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli kanë nxjerrë jashtë përdorimit sistemin Afis Papilon të krahasimit të gjurmëve të gishtave, ku pjesa më e madhe e pajisjeve dhe e softeve janë bërë sikur janë ndërruar duke ngritur një komision për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre të përbërë nga njerëzit që mban mbrapa dhe që nuk janë specialistë të fushës së elektronikës, por persona të kompromentuar nga drejtori.
Me qëllim blerjen e pajisjeve të reja me vlerë rreth 2 milionë nga firma ruse dhe shqiptare, të cilat kanë monopol, në kompjuterin e Orest Afezollit i urdhëruar nga drejtori Dritan Zoto ndodhen vetëm materialet e tenderave të të gjithë laboratorit, *ku secili sektor duhet të ketë të vetën (duke ngritur një skemë të mirëfilltë vjedhjeje. Orest Afezolli nuk kryen asnjë akt ekspertimi të mirëfilltë). *Faktet të verifikohen, ato janë të sakta në regjistra.*
Duke i përqendruar të gjitha fondet në blerjen e sistemeve të gjurmëve të gishtave dhe balistikës nga i vetmi monopol, firma ruse në një nga qytetet më të varfra të Rusisë, drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli janë shprehur se kanë fituar rreth 400 mijë euro për një vit dhe duan të marrin dhe 400 vitin tjetër.
Duke i përqendruar të gjitha fondet në blerjen e sistemeve të gjurmëve të gishtave dhe balistikës nga i vetmi monopol, firma ruse në një nga qytetet më të varfra të Rusisë, drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli kanë shkatërruar plotësisht laboratorin e AND, duke mos blerë asnjë reagent për kryerjen e kësaj, analize duke i bërë një nder të madh ngjarjeve kriminale të ndodhura në Shqipëri.
Për këtë drejtori Dritan Zoto si për vitin 2014 dhe 2015 ka bërë fiktivisht për rreth 8 nga njerëzit e tij që i shërbejnë rrogën për këto vite të lejes së zakonshme, duke i përfituar ato ndërkohë që lejen e kanë kryer sepse këtë fakt e vërtetojnë ekspertimet që kanë kryer në datat përkatëse, duke i shkaktuar shtetit një dëm të rëndësishëm. *Faktet të verifikohen, ato janë të sakta.*
Drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli, të cilët bëjnë dhe rolin e kuadrit shkatërroi plotësisht sektorin e Shkencave Ligjore për të përmbushur tekat e mikes së tij të zemrës, Ana Hoxha, të cilën e emëroi shefe në atë sektor, pasi i dogjën rreth 30 qese me kanabis me autor dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për provën e zhdukur.
Drejtori Dritan Zoto dhe një prej shefave të sektorit, Orest Afezolli, të cilët bëjnë dhe rolin e kuadrit shkatërroi plotësisht Sektorin e Ekzaminimit të Dokumenteve, ku me diktaturën e krijuar dhe frikën e heqjes nga puna të njerëzve që hapin gojën siç ka ndodhur në 10 raste, në këtë sektor ka ndërruar një grup të tijin të formuar dhe nga ekspertët e rretheve, të cilët marrin pjesë në dhënien e kokluzioneve si t’i dojë drejtori, duke ju hequr të drejtën e provave shumë njerëzve dhe duke fituar shuma të majme deri në 40 mijë euro janë paguar me një ekspertim të rremë.
Informacioni është i saktë, le të verifikohet në mënyrë që të shpëtojë ky laborator nga djegia e dytë.

Enton DACI

Masakra ndaj 67 nacionalistëve të Ballit dhe dëshmia e Staraveckës

Nga Kastriot Dervishi

Për enveristët që nuk e dinë akoma se vrasjet e ballistëve në Lushnjë i ka pranuar si krim edhe partia e tyre.
Prej disa ditësh, enveristët reagojnë në formën e tyre kundër dekorimeve që kreu i shtetit u bëri disa martirëve të luftës civile në Shqipëri, të vrarë në Lushnjë më 21.10.1943.
Kundërveprimi i tyre ishte thjesht inatçor dhe klasor, në mbrojtje dhe justifikim të plotë të këtij krimi e gjithë krimeve të tjera të kryera nga komunistët. Në këtë postim, po publikoj disa të dhëna që provojnë se këtë krim e kanë pranuar e dënuar me kohë vetë ata që e kanë kryer dhe nuk është nevoja të dalin sot në vitin 2016 kaq të zbuluar si avokatë të mbrojtjes së këtij krimi.
Mehmet Shehu, 30.10.1943 i shkruan shtabit komunist, ndër të tjera:
“Porse këtë radhë gabimi, faji kryesor është i imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe deri diku, të 2 anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qeshë i mendimit për këtë masë të pamasë!”. (AQSH/AP, F.41 (shtabi i ushtrisë ncl), V.1943, D. 32, fleta 10).
Më 25 nëntor 1944, Enver Hoxha deklaroi në plenumin e 2-të që u zhvillua në Berat:
“Ne shihnim mirë se ç’rezultat dilte nga puna e këtyre shokëve (Liri Gega dhe Dushan Mugosha- shënim). Shihnim që në Vlorë bëheshin ekzekutime, shihnim vrasjet në Brigadën e 1-rë, shihnim veprimet sektare të ‘Shules’ (Kristo Themelkos), por për këto veprime mjaftoheshim me një kritikë të përciptë për Mehmet Shehun, për shembull, duke i thënë se nuk e kishte mirë”. (AQSH, “Plenumi i dytë i Beratit”, Tiranë 1996, faqe 159).
“Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe te ‘Aliu’ me Lirinë. Dushani gjoja ishte kundër terrorit. Ishte kundër vrasjeve që bëri Mehmeti (Shehu) në Dumre, por atë asgjë s’e pengonte të vriste pa gjë të keq më tepër se Mehmeti. Në këtë pikë unë isha pasqyra e ‘Aliut’. Kur vinte ndonjë nga fronti, kur thuhej se ky apo ai vepronte keq dhe vendosnim ta vrisnim. S’kishim një vijë të qartë për këtë çështje. (AQSH, “Plenumi i dytë i Beratit”, Tiranë 1996, faqe 163).
Po në këtë mbledhje, Sejfulla Malëshova deklaroi: “Për tendencat terroriste në parti. …Terrorizmi si në popull e si në ushtri, në parti, tregon së pari, dobësinë e vijës sonë; së dyti, mosbesim në popull; së treti, tregon se ne nuk kemi lidhje me masat. Terrori si sistem në historinë e lëvizjes revolucionare, gjithnjë ka qenë i lidhur me mosbesimin në popull, ka treguar dobësinë e atyre që e kanë përdorur. Nuk bëhet mobilizimi i masave me terror… Me terror po i zgjidhim të gjitha punët… Kështu në partinë tonë, po duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh. Këto janë shenja sigurisht. Kështu që shumë herë nuk di të dallosh ku është puna politike dhe ku është krimi. Shoku ‘Shule’ tha se këto vrasje që janë bërë në Tiranë, janë bërë sepse ai ka urrejtje të madhe ndaj armikut. Urrejtje duhet të ketë çdo komunist për armikun, por tjetër është të kesh urrejtje, tjetër është të bësh krime… Kështu sektarizmi degjeneroi në terror dhe terrori u bë shumë herë krim… Terrori zë vend të madh në punën tonë politike”.

Xhelal Staravecka shkruan:
“Mehmeti pushkatoi në Golem të Lushnjës 69 katundarë dhe fali 10 nga vdekja pse ishin ortodoksë.
Mehmeti kur i kapi katundarët, megjithëse nuk kishin zbrazur asnjë armë kundra tij, kishte vendosur t’i pushkatonte të gjithë, mirëpo partizania e atëhershme që më vonë u bë gruaja e Mehmetit, Fiqret Sanxhaktari, për të hyrë në simpati të Dushanit, cernogorasit ortodoks, i propozoi Mehmetit të hiqte nga pushkatimi 10 katundarë që ishin ortodoksë me pretekstin se si minoritet nuk mund të kundërshtonin për të mos shkuar me të tjerët të popullonin çetën e Isa Manastirliut. Të nesërmen Dushani më dha lajmin ç’kishte ngjarë në Golem të Lushnjës, më tha për Fiqretin që ishte vajzë shumë e mençur dhe një komuniste shumë e mirë, aq sa në radhët e komunistëve shqiptarë nuk kishte më të mirë se ajo.
Edhe sot çuditem dhe thërras me të madhe pse e bëri Mehmeti atë diskriminim: ata ishin krejt me Isanë, për atë krim duhej të pushkatoheshin të gjithë ose në qoftë se dëshironin të përdorej njëfarë mëshire, pasi asnjë nuk kishte bërë qëndresë kundër çetës së Mehmetit, duheshin falur të gjithë, ose tek e fundit dhe të pushkatoheshin 7-8 apo 10 persona, duke i konsideruar bashkëpunëtorë e simpatizantë të Isa Manastirliut dhe jo 69 katundarë pse e kishin lafshën e prerë dhe të mos pushkatoheshin 10-të pse s’ishin lafshpaprerë nuk kishin guxim të mos i bindeshin Isa Manastirliut”.
(Xhelal Staravecka “Para gjyqit të historisë”, Paris 1975, dorëshkrim, faqe 226).
Për herë të fundit për këtë ngjarje shkroi vetë Enver Hoxha. Në vitin 1982 ai linte këtë shënim:
“Ky ekzekutim është i tepruar, pa vend dhe i gabueshëm, pse në vend që të na sjellë fitim, na dëmton. Duhet të kemi parasysh se katundarët që ndodhen në çetat e Ballit janë elementë të pafajshëm, të pasqaruar dhe viktima”. (“Titistët”, Tiranë 1982, faqe 117, shënimi poshtë faqes).

Shpenzimet e fushatës, Klinton mund Trump, 83-70

Publikimi i shpenzimeve elektorale nga dy kandidatët për president në SHBA, Hillari Klinton e Donald Trump, gjatë këtyre muajve, mund të ndikojë shumë në elektorat. Me afrimin e datës së zgjedhjeve, çdo lajm i ri mund të bëjë diferencën duke parë pavendosmërinë e votuesve. Ndonëse Hillari duket se është në epërsi në sondazhe, kundërshtari i saj nuk garanton fitoren dhe lajmi se është ajo që ka shpenzuar më shumë, nuk duket se premton për mirë në fushatën e saj.
Në të dhënat e publikuara nga Komisioni Federal për Zgjedhjet, Hillari Klinton ka shpenzuar 83 milionë dollarë, ndërsa Trump ka ndaluar te vetëm 70 milionë. Në muajt e fundit, ndoshta për shkak të skandaleve që kanë sjellë një mosmarrëveshje me partinë e tij, miliarderi ka dyfishuar investimet në reklama. Për blerjen e hapësirës në media, Hillari ka shpenzuar thuajse 76 milionë dollarë, ndërsa republikani, duke u bazuar te strategjia e “Low Cost”, ka shpenzuar 23 milionë në një spot komercial vetëm në muajin shtator.
Një tjetër diferencë është sigurisht numri i personave në bordero: kandidatja paguan 800 persona kundrejt vetëm 350 punonjësve dhe këshilltarëve të Trump. Kohët e fundit, kandidati republikan është interesuar vetëm në sondazhe duke investuar një total prej 1.7 milionë dollarë vetëm në muajin shtator në pesë studime të ndryshme në sondazhe.
Për sa u takon menaxherëve të fushatës së tyre elektorale, Klinton ka paguar Robi Muk me 153 mijë dollarë, ndërsa ish-drejtuesi i Trump, Korej Levandovski është paguar 540 mijë dollarë. Edhe pse është ajo që ka shpenzuar më shumë, Klinton arrin të tërheqë më shumë donacione, në muajin e fundit, ka grumbulluar 154 milionë dollarë, ndërsa rivali i saj ka mbledhur 100 milionë.
Përveç këtyre shifrave, kandidatët gëzojnë edhe donacione private nga ana e grupeve aktive politike. Kandidatja demokrate ka pasur mbështetjen e Donald Suzman, rivali milioner i Trump, me një donacion prej 6 milionë dollarë. Ndërkohë, “NextGen Climate Action Committee”, ka dhënë për fushatën e kandidates 20 milionë dollarë, 18 nga të cilat janë dhunuar vetëm nga Tom Stejer, aktivist ambientalist. Nga ana tjetër, grupet politike nuk kanë qenë aq bujare me Trump, në shtator, një nga grupet “Make America Number One”, ka grumbulluar vetëm 2 milionë dollarë falë themeluesit Berni Markus.

BB: Shqipëria, taksat më të larta për bizneset në Europën Qendrore

Sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri ose në Serbi paguajnë përqindjen më të lartë të taksave në raport me fitimin, nga të gjitha shtetet e tjera të rajonit dhe gjithë Europës Qendrore e Azisë. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing business 2017”, publikuar ditën e djeshme.
Bizneset shqiptare paguajnë 36.5% të fitimeve si taksa, ndërsa në Serbi ky tregues është pak më i lartë në 39.7%. Më i ulët ky tregues është në Maqedoni, me vetëm 13% të fitimeve të bizneseve që shkon për të paguar taksa, e ndjekur nga Kosova që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22.2% dhe Bosnja 22.6%.
Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin total të taksës, në përqindje ndaj fitimit, më të lartë sesa mesatarja e Europës Qendrore e Azisë, që është 33.8% dhe janë në nivele të krahasueshme me vendet e zhvilluara të OECD-së, që e kanë këtë tregues në 40.9%.
Sipas tabelave krahasuese të përpunuara nga raporti Doing Business 2017 i Bankës Botërore, Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat.
Ndërsa Serbia ka nivele të larta taksash, ajo ka dhe të ardhura në buxhet që arrijnë në gati 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa Shqipëria me të njëjtat nivele taksash nuk mbledh më shumë se 25% të PBB-së. Edhe në vendet e zhvilluara të OECD-së, të ardhurat në buxhet mesatarisht janë në rreth 40% të PBB-së.

TVSH

Sipas një tabele të përpunuar nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve, si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.

Taksa mbi korporatat

Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet.
Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.

Kontributet e paguara nga punëdhënësi

Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Megjithëse Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhe të ardhurat më të ulëta në buxhet, çka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4-5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së më e lartë.
Shqipëria dhe Bosnja kanë nivelin më të lartë dhe të përqindjes së kontributeve që paguhet nga punëmarrësi, përkatësisht 27% dhe 31%.

16 mijë tonë karburante nuk u zhdoganuan në shtator

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën janar-shtator 2016 ngecën në 298.1 miliardë lekë, duke krijuar një deficit prej 7.2 miliardësh në krahasim me planin fillestar 2016, si dhe një deficit prej 4.5 miliardë lekësh në krahasim me planin e rishikuar të të ardhurave të muajit gusht.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 6.8 për qind, një rritje e dobët kjo për shkak se viti 2015 qe një vit shumë i keq për të ardhurat buxhetore, ndërsa buxheti i këtij viti pati planifikuar shtimin e të ardhurave totale vjetore me 10 për qind.
Të ardhurat e qeverisë qenë më të ulëta se sa plani në të gjitha zërat kryesorë, përfshirë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nga akcizat, taksat nacionale etj. Të ardhurat qenë më të larta se sa plani në zërin e Tatimit mbi Fitimin apo të ardhurat nga pushteti vendor. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore patën një deficit të vogël në krahasim me planin.
Ministria e Financave publikon bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve çdo muaj në faqen e vet në internet.
Problemi kryesor në të ardhurat e munguara të qeverisë për shtatorin lidhet me rënien e papritur të importit të karburanteve dhe cigareve gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, importi i karburanteve ra në 36 mijë tonë në muajin shtator nga gati 52 mijë tonë që qe në muajin gusht. Importi i cigareve ra në 248 tonë në muajin shtator, nga 278 tonë në gusht.
Deficiti i të ardhurave të buxhetit të shtetit në krahasim me planin ka gjasa që do të thellohet edhe më shumë në muajt e mbetur të vitit.
Ndërsa deficiti në të ardhura është krahasimisht më i ulët këtë vit se sa vitin e kaluar, problemi më i madh aktual për buxhetin e shtetit është mungesa e investimeve. Për periudhën janar-shtator 2016, buxheti i shtetit pati në total 10.5 miliardë lekë më shumë të ardhura se sa shpenzime, ndërkohë që në buxhetin e këtij viti është planifikuar një deficit i përgjithshëm prej 35.7 miliardë lekësh.
Problemi u kritikua së fundmi nga Banka e Shqipërisë, e cila argumentoi se shpenzimet e buxhetit duhet të shtrihen në mënyrë sa më të barabartë përgjatë të gjithë vitit për të mos shkaktuar presione të panevojshme për ekonominë. Por qeveria vijoi të hasë probleme me shpenzimet, ku një numër i madh projektesh investuese të rëndësishme, përfshirë autostradën Tiranë–Elbasan, by pass-in e Fierit apo atë të Vlorës, janë të bllokuara. Deri në fund të shtatorit, plot 40 për qind të investimeve publike nuk janë realizuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pavarësisht se kanë mbetur vetëm 3 muaj deri në fund të vitit.

Borxhi i qeverisë në letrat me vlerë

Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 u dominua në masën 78.12% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 21.88% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 93.14% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 58.32% dhe 26.74% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 99.42% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2016, ka pasur një ulje prej 775 milionë lekë ose 14.33% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 10.31%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2016 ka pasur një rritje prej 930 milionë lekë ose 48.07% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 41.44%.
Krahasuar me periudhën janar-shtator 2015, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 155 milionë lekë.

“BIRN”

Garë mes sondazheve, Trump del përpara Hillary Clinton?

“The Indipendent”

Donald Trump është duke triumfuar në garën e ngushtë kundër Hillary Clinton për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të ri, i cili ka qenë një nga parashikuesit më të saktë të tri zgjedhjeve të fundit presidenciale të Amerikës. Sondazhi i The Investor’s Business Daily/ TIPP ka shfaqur kandidatin republikan me një avantazh prej 2 për qind përpara kandidates demokrate, Hillary Cliton javën e kaluar.
Por vetëm disa ditë përpara votës kombëtare, Cliton kishte 95 për qind mundësi për të fituar sipas analizës së votës elektorale Reuters/Ipsos. Një tjetër sondazh i ri e nxirrte kandidaten demokrate me një avantazh 2-shifror kundrejt Trumpit. Analistët kanë thënë se rezultatet e sondazhit IBD/TIPP janë befasues. Statistikat që tregojnë se sa të saktë kanë qenë 11 sondazhe kombëtare gjatë tri zgjedhjeve të fundit amerikane e rendisin këtë sondazh në krye, por gjasat që kaq shumë sondazhe të tjerë të jenë tërësisht të gabuar janë të pakta.
Parashikimet e IBD/TIPP sugjerojnë se, Trump mund të sigurojë 42,1 për qind të votave, ndërsa Clinton mund të mbledhë vetëm 40,8 për qind. Sondazhi ka anketuar 783 votues potencialë. Këtu shfaqej mesatarja e një sondazhi gjashtëditor, me një marzh gabimi prej 3,6 për qind.
Pjesëmarrësit në sondazh u pyetën se si do të votonin në një garë presidenciale me katër kandidatë, ku përfshiheshin edhe Gary Johnson i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë së Gjelbërt. Këto të fundit morën respektivisht 7 dhe 3 për qind të votave. Të dielën në mëngjes, Donald Trump postoi në Twitter një link që të çonte në rezultatet e këtij sondazhi. Kritikët kanë thënë se ai është duke i përzgjedhur sondazhet sipas rezultateve për të pretenduar një avantazh që nuk e ka. Ato që të befasonin më pak ishin trendet demokrafike të sondazhit të ri.
Sipas të dhënave të IBD/TIPP, Donald Trump ka rezultate më të mira se Hillary Clinton tek votuesit meshkuj (48 për qind me 34 për qind), tek votuesit me të ardhura më të ulëta (48 me 35 për qind), tek votuesit ruralë (60 dhe 22 për qind) dhe tek ata që identifikoheshin si fetarë. Clinton del përpara Trumpit ndërmjet votueseve femra (46 me 38 për qind), votuesve të moshë 18 deri në 44 vjeç (41 me 34 për qind), të pasurit (47 me 38 për qind) dhe ndërmjet investitorëve (48 me 38 për qind).
Clinton është përshkruar nga mediat e Shteteve të Bashkuara se po sillet sikur gara presidenciale është tashmë e fituar për të, ndërsa vetë Donald Trump ka pranuar se ky ishte “shansi i tij i fundit”. Prestigjiozja amerikane “New York Times” thotë se Hillary Clinton po punon shumë për të siguruar një fitore që do t’i siguronte asaj legjitimitetin e nevojshëm për mandatin e presidentit.
“Washington Post”-i raportoi: “E fuqizuar së tepërmi nga sondazhet që parashikojnë një fitore kombëtare të saj në garën presidenciale, Clinton po e transferon strategjinë e saj aty ku nevojitet për të ngritur njëri pas tjetrit të gjithë demokratët e tjerë”. Edhe pse të dhënat e reja sugjerojnë se, Clinton e ka marrë për të mirëqenë fitoren në mënyrë të parakohshme, ekspertët e sondazheve thonë se ka shumë pak gjasa që sondazhi i ri IBD/TIPP të rezultojë i saktë. Ka më shumë mundësi që sondazhet, të cilët e shfaqin Trumpin në avantazh kanë gabime statistikore apo projektimi.
Shumë gjëra mund të shkojnë keq gjatë një sondazhi dhe marzhi i gabimit tregon se në 95 për qind të rasteve vlera e vërtetë ndodhet brenda rrezes së mbuluar. Pesë për qind të rasteve sondazhet rezultojnë tërësisht të gabuar. Edhe dy sondazhe të tjerë e kanë shfaqur Donald Trumpin në avantazh gjatë dy javëve të fundit: Rasmussen dhe USC Dornsife/Los Angeles Times. Sondazhi USC/LA Times pritej në fakt të prodhonte rezultate të kundërta për shkak të metodologjisë së tij unike, rapoton “Huffington Post”.
Kërkuesit e këtij sondazhi pyesin se, “Cila është mundësia në përqindje që nëse ju votoni, do të votoni për Clintonin, Trumpin apo dikë tjetër?”, në vend të pyetjes së zakonshme “Për kë do të votoni?” që bëhet nëpër sondazhe. Ndërkohë, sondazhi Rasmussen shpesh anon më tepër në favor të republikanëve krahasuar me sondazhet e tjerë.
Disa kritikë spekulojnë se kjo bëhet qëllimisht, por mund të jetë edhe një rezultat i metodologjisë së automatizuar dhe të ngurtë të përdorur nga ky sondazh. Sondazhi i ri IBD/TIPP i ka befasuar veçanërisht analistët për shkak se ka rezultuar tepër i saktë në zgjedhjet e mëparshme presidenciale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe sondazhet më të mira mund të bëjnë gabime.

Beteja presidenciale përqendrohet në Florida

Tani që kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton po bëjnë fushatë në Florida, një shtet i rëndësishëm për të dy kandidatët në garën presidenciale.
Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore.
Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e Shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër për qind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm ose me postë.
Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është “ndoshta e vërtetë” që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 për qind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.
Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tri ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha se mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar “zgjedhje të manipuluara”. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.
“Mediat nuk janë thjesht kundër meje”, tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. “Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë”.
Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të “shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë”. Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.
Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij.

12 shtete do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve
Politika amerikane nuk i trajton të gjitha shtetet njëlloj gjatë fushatës presidenciale. Në ditët e fundit përpara ditës së votimit më 8 nëntor, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump janë fokusuar në një grusht të vogël shtetesh të ashtuquajtura “fushëbetejë” ose shtete të “lëkundura”, të cilat do të jenë përcaktuese në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Për vite me radhë, në Shtetet e Bashkuara ka patur ndarje të theksuara politike dhe shumë shtete, kanë anuar me njërën apo tjetrën parti gjatë zgjedhjeve.
“Në shumë shtete një parti ka një avantazh të fortë dhe nuk ka arsye për të shpenzuar shumë burime në atë shtet”, thotë Stephen Wayne, analist në Universitetin Georgetown.
“Prandaj ka rreth 12 shtete të ashtuquajtuara, ‘fushëbetejë’ apo ‘të lëkundur’, ku Trump dhe Clinton shpenzojnë shumicën e kohës”, thotë eksperti Jeremy Mayer, i Universitetit George Mason.
“Lista mund të ndryshojë nga viti në vit, megjithatë në tre ciklet e fundit zgjedhore ka qenë e pandryshuar”.

Shtetet e kuq, blu dhe të lëkundur
Shtetet e lëkundura që marrin më shumë vëmendje përfshijnë shtete të mëdha si Florida, Ohajo dhe Kolorado, si dhe më të vogla si Karolina e Veriut, Virxhinia, Ajoua, Nevada dhe Nju Hempshër. Zoti Mayer shton se votuesit në këto shtete marrin peshën më të madhe të publicitetit.
“Këto shtete janë shënjestra e gjithë debatit zgjedhor. Të dyja fushatat, në një vit normal kanë njerëz në terren, reklama televizive, telefonata në adresë të votuesve në këto 12 shtete”, thotë zoti Mayer.
Këtë vit fushata zgjedhore e zonjës Clinton po kërkon të bëjë histori duke shtrirë hartën garuese në shtete historikisht republikane siç është Arizona, Xhorxhia, madje dhe Teksasi.
Sondazhet tregojnë një garë mjaft të ngushtë në Arizonë, në veçanti. Por zonja Clinton ka shumë shanse të fitojë edhe në Xhorxhia e Teksas. Arizona ka votuar për herë të fundit për një demokrat në vitin 1996, ndërsa Teksasi mbështeti demokratin Jimmy Carter më 1976.

Rënia e votuesve të bardhë
Ndryshimet demografike kanë sjellë një sfidë në rritje për republikanët. Votuesit e bardhë përbëjnë rreth 70% të të gjithë votuesve në këto zgjedhje, ndërkohë që vendi vazhdon të jetë në proces diversifikimi. Më 1980 votuesit e bardhë përbënin 88% të elektoratit. Raporti “Cook Political” thekson se, më 1980 republikani Ronald Reagan mori 56% të votave të bardha dhe fitoi garën bindshëm. Më 2012, republikani Mitt Romney e përmirësoi këtë shifër. Ai mori 59% të votave të votuesve të bardhë, por humbi garën përballë presidentit Barack Obama me 4% diferencë.

Në shënjestër, të pavendosurit
Në ditët e fundit të fushatës, kandidatët do të shënjestrojnë një grup të vogël votuesish në disa shtete ku zgjedhjet janë në teh.
“Në fokus janë ata pak të pavarur”, thotë analistja e Universitetit “Amerikan”, Jennifer Lawless. Por nuk janë vetëm ata, është më pak se aq, janë ata pak të pavarur që jetojnë në shtetet e fushëbetejës. Pra, ne po flasim për një përqindje shumë, shumë të vogël të popullsisë”.
Amerikanët do të vendosin të zgjedhin mes dy kandidatëve në procesin zgjedhor më të debatuar në historinë amerikane. Fokusi mbetet tek një grusht shtetesh që me shumë gjasë do të jenë përcaktues për rezultatin.

Zyrtari amerikan: Nuk e frenoni dot Korenë e Veriut!

Të bindësh Korenë e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore është një “kauzë e dështuar”. Kështu është shprehur një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, duke shkaktuar shqetësime të mëdha ndërmjet Departamentit të Shtetit dhe Koresë së Jugut aleate, për një çështje tepër të rëndësishme dhe delikate të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur gjithmonë se nuk mund të pranojnë që Koreja e Veriut të kthehet në një vend me potencial armësh bërthamore. Nën drejtimin e presidentit Barack Obama, Washingtoni ka thënë se çdo formë bisedimi dhe negociate me Veriun mund të zhvillohet vetëm në kushtet që Penjani fillimisht të zotohet se do t’i nënshtrohet procesit të hapur drejt çarmatimit bërthamor.
Por teksa fliste përballë Këshillit të Marrëdhënieve të Jashme, drejtuesi i Inteligjencës Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, James Clapper sugjeroi se kjo politikë bazohej në shpresa. “Nocioni i bindjes së koreanoveriorëve për t’ju nënshtruar procesit të çarmatimit bërthamor është një kauzë e humbur. Ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Armët bërthamore janë karta e tyre sekrete e mbijetesës”, tha Clapper.
“Koreanoveriorët ndihen të rrethuar dhe janë tepër paranojakë. Ideja se mund të heqin dorë nga kapaciteti i tyre bërthamor, cilido qoftë ai, është e paimagjinueshme për ta”, shtoi ai. Komentet e Clapper reflektonin gjithashtu opinionin e shprehur prej kohësh të shumë ekspertëve të tjerë të çështjeve që kanë të bëjnë me Korenë e Veriut, por kjo është hera e parë që shqetësimet shprehen hapur nga zyrtarë të administratës së Shteteve të Bashkuara, të cilët ndjejnë se ka ardhur koha të ndërmerret një ndryshim drastik në politikën e ndjekur për Korenë e Veriut.
Ndërkohë që Clapper mund të ishte duke u përpjekur të gjejë mbështetje për dërgimin e menjëhershëm të sistemit të mbrojtjes raketore US THAAD në Korenë e Jugut, komentet e tij i shtojnë një tjetër zë profilit të lartë të debatit gjithnjë e më të nxehtë, mënyrës se si do ta trajtojë çështjen e Koresë së Veriut presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, e ka kundërshtuar pozicionin e Clapperit, duke theksuar se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e politikës së jashtme të administratës Obama në lidhje me Korenë e Veriut. Administrata është e vendosur që përmes sanksioneve më të egra financiare kundër regjimit, ta detyrojë atë të heqë dorë nga ndjekja e armëve bërthamore.
“Ne duam të vazhdojmë për të parë një çarmatim bërthamor të verifikueshëm të gadishullit korean”, tha Kirby. Kritikët e kësaj politike thonë se sanksionet dhe mosveprimi nuk ka bërë asgjë deri tani për të parandaluar shtysën e Koresë së Veriut drejt krijimit të armëve bërthamore që mund të kërcënojnë drejtpërdrejt territorin e Shteteve të Bashkuara.
Koreja e Jugut, e cila e ka mbështetur fuqimisht qëndrimin e egër të Shteteve të Bashkuara kundër Penjanit, theksoi gjithashtu se nuk do të ketë ndryshim të kursit të ndjekur. “Vendosshmëria, jo vetëm e Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe e të gjithë komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut, është sot më e fuqishme se kurrë”, tha për “AFP” një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut.
“Ne do të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtare për të imponuar sanksione akoma më të forta dhe për t’i bërë presion Veriut, derisa të mos ketë asnjë alternativë tjetër përveçse të nisë procesin e çarmatimit”, vazhdoi zyrtari. Edhe pse nuk ka pasur dialog zyrtar ndërmjet Washingtonit dhe Penjanit, janë zhvilluar takime të rregullta, diskutimet e ashtuquajtura Track 2 ndërmjet ish-diplomatëve të Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të Koresë së Veriut, më të fundit në Malajzi fundjavën e kaluar.
Gjatë muajit korrik, Koreja e Veriut ndërpreu edhe kanalin e fundit të mbetur të komunikimeve diplomatike me Shtetet e Bashkuara në kundërpërgjigje të sanksioneve ekonomike kundër liderit, Kim Jong-Un. Koreja e Veriut është goditur me pesë grupe sanksionesh të miratuara nga Kombet e Bashkuara që pas testit të saj të parë të një pajisjeje bërthamore në vitin 2006.
Pasi Penjani zhvilloi testin e tij të katër bërthamor në muajin janar, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara adoptoi rezolutën e sanksioneve më të egra që janë miratuar ndonjëherë, duke vënë në shënjestër tregtinë e Koresë së Veriut të mineraleve dhe duke shtrënguar akoma më shumë kufizimet bankare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit aktualisht po debatojnë për një rezolutë të re pas testimit të pestë bërthamor të Koresë së Veriut në muajin shtator. Sipas diplomatëve të Këshillit të Sigurimit, negociatat po përqendrohen në mbylljen e vakumeve ligjore dhe zhdukjen e industrisë së teknologjisë bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut.