11.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Maj, 2025

Policia terror në Durrës, gjoba shoferëve për të mbushur arkën

POLICIA GJOBA PER KUNDRAVAJTESIT - Oficere te Policise Rrugore, duke i vendosur gjoba makinave te parkuara pergjate bulevardit Deshmoret e Kombit, prane Kuvendit te Shqiperise.

Sa herë që qeveria mbetet pa lekë në arkën e saj, e ka një zgjidhje; lëshon “ushtarët” e saj të Policisë Rrugore të vendosin gjoba pa hesap te shoferët, t’u bllokojnë automjetet apo t’i dëndin me pezullim të lejes së drejtimit dhe masa administrative. Durrësi duket se është kampion i udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, në drejtim të gjobave ndaj shoferëve, por edhe pezullimit të lejeve të drejtimit. Në qytet është bërë nami vetëm për 20 ditë, janë vendosur mbi katër mijë gjoba, një mijë prej të cilave për mungesë të rripit të sigurimit.
Shoferëve të ngratë që përballen me ligjet e këtij shteti, u ka rënë barra të durojnë gjobat, kohën e shpenzuar nëpër komisione për të bërë pagesën dhe e gjithë kjo falë udhëzimit të Ministrisë së Brendshme.
Sipas Policisë së Qarkullimit Rrugor në Durrës, policisë në terren i është hequr e drejta e vendosjes së masës administrative për mungesë të rripit të sigurimit, e cila varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të rinj. Kjo e drejtë i ka kaluar Komisionit Vlerësues në Policinë e Durrësit. Por të dalësh në komision, pas 24 ose 72 orësh, duhet edhe një gjysmë dite tjetër, për shkak të radhës së shoferëve, dhe jo vetëm që do të gjobitesh, por edhe do të sorollatesh. Komisioni Vlerësues ka në dorë të vendosë masë administrative, të vendosë pezullim të lejes së drejtimit për aq kohë sa ata e shikojnë të arsyeshme.
Shteti ynë e ka gjetur këtë mënyrë origjinale për të mbledhur lekë nga shoferët, të cilët janë të detyruar të dalin me makina për të kryer aktivitetin e tyre të përditshëm. Por shoferëve që paguajnë taksa e detyrime një për një, ky shtet nuk iu siguron as kushtet më minimale për të udhëtuar në rrugë. Edhe Dashnor Deliallisi ishte gjobitur 22 herë nga Policia e Qarkullimit Rrugor në Tiranë dhe Durrës, për shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor, por maksimumi, kamikazit vrasës vetëm një herë i ishte pezulluar leja e drejtimit vetëm një muaj. Ndërsa qytetarëve të thjeshtë, dora e shtetit u rreh shpatullat dhe u shqyen xhepat nga gjobat.
Përgjatë harkut kohor 1-20 tetor 2016, këto janë rezultatet e arritura nga Sektori i Policisë Rrugore:
1. Janë vendosur gjithsej 4020 masa administrative, 929 prej të cilave për mungesë të rripit të sigurimit.
2. Janë arrestuar gjithsej 8 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
3. Janë pezulluar 55 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie dhe 4 për drejtim mjeti nën efektin e pijeve alkoolike.
Ndërkohë çdo javë, policia publikon me krenari në komunikatat e saj për shtyp, arritjet e saj mbi gjobëvënien ndaj qytetarëve dhe duket sikur do t’ua kalojë të gjitha qyteteve të tjera.

Shpërthen në flakë makina te “Komuna e Parisit” në Tiranë

Një automjet ka marrë flakë në ecje mëngjesin e djeshëm në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet. Ende nuk dihen shkaqet e djegies së mjetit, që është djegur plotësisht. Përreth vendit janë mbledhur banorë të shumtë të zonës, ndërsa shihet se makina është anës rrugës. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë defekt apo ka qenë eksploziv. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar edhe pse mjeti ka qenë në një vend shumë pranë banesave. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë. Policia nuk dha asnjë njoftim për shkaqet e përfshirjes së makinës në flakë.
Ndërkohë, një tjetër makinë ka shpërthyer në flakë mëngjesin e djeshëm, këtë herë në Durrës. Burime nga policia thanë se, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 24:45, në lagjen numër 17, tek ish-Dega Ushtarake ka rënë zjarr në mjetin tip “Renault” me targë AA 022 KF në pronësi të qytetarit me inicialet A.Sh. ku është djegur pjesa e motorit. Mjeti zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit. Nga veprimet e para hetimore dyshohet, se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

Shifrat e abuzimit skandaloz

Tritan SHEHU

Qeveria vendos pa asnjë argument teknik e shkencor që mosha e atyre që përfitojnë nga i ashtuquajturi Check-Up të zgjerohet deri me 70 vjeç.
Kjo bëhet kur mbas dy vitesh që kjo procedurë, e aplikuar vetëm në vendin tonë, pa rentabilitet financiaro-klinik, me hapësira të mëdha keq përdorimësh të fondeve, me një kosto shumë të lartë për sistemin tonë shëndetësor etj, “funksionon” pa u dhënë asnjë konkluzion shkencor, klinik, financiar apo statistikor ky.
Deri më sot nuk është paraqitur asnjë publikim profesional, asnjë kumtese apo diskutim i vlefshëm, nuk ka as edhe një analizë të mirëfilltë për këtë iniciativë të kushtueshme.
Në fakt nuk publikohen as numrat e të ekzaminuarve që janë shumë më poshtë shifrës prej rreth  470 000 qytetarë, për të cilën paguhet detyrimisht rreth 6 M euro në vit nga buxheti, si dhe as përfundimet klinike të tyre.
Në këto kushte, përsëri në mënyrë okulte, pa asnjë argument financiar e klinik, dekretohet zgjerimi i hapësirës së moshës.
Natyrshëm del një pyetje, nqs nuk shtohet vlera e pagesës ndaj kompanisë, si ndodh që ajo ta marrë përsipër këtë shtesë gratis!?
Në fakt e vërteta është e thjeshtë: Duke qenë se numri i aplikimeve për Check-up nga qytetarët është shumë më i vogël se ai për të cilin buxheti paguan, gjë që nuk mund të mos krijojë probleme serioze, vendoset arbitrarisht zgjerimi i moshave, veçse për të fshehur dështimin.
Kësaj i thonë “shto miell e shto ujë”.
Në fakt kjo procedurë ekzaminimesh me këtë logjikë mund të zgjerohet edhe në drejtime të tjera ….!
Kjo është shëndetësia falas….. pa përfitim për qytetarët…me shpenzimet e buxhetit!

Remitancat shënojnë rënie

Remitancat në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e parave të dërguara nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas këtyre të dhënave ishte 329.6 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.7 për qind. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, remitancat ishin 338.9 milionë euro. Rënien e nivelit të remitancave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e quan shqetësuese, për faktin siç thotë ai, “këto para janë një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit në Kosovë”. “Është një indikator që neve si Odë Ekonomike na ka shqetësuar, na ka shqetësuar nga vet fakti se ka qenë njëra ndër shtyllat kryesore që Kosova të arrijë një stabilitet social dhe një qëndrueshmëri. Kjo rënie e remitancave fillimisht ka të bëjë me faktin se ne si shtet nuk kemi treguar gatishmëri që t’i motivojmë edhe diasporën për të ndihmuar më tepër. E dyta është si pasojë e krizës financiare dhe globale ekonomike, e cila ka koston e vet”, thekson Gërxhaliu. Në Ministrinë e Diasporës, rënien vjetore prej 2.7 për qind të remitancave nuk e konsiderojnë të lartë, megjithatë ata besojnë që janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, thotë se rënia e remitancave mund të ndërlidhet edhe me gjendjen jo të qendrueshme, të cilën e ka kaluar Kosova gjatë periudhës së fundit. “Po besoj që janë disa faktorë, një prej tyre është edhe situata politike, e cila ka mbretëruar në vendin tonë gjatë këtij viti. Mos të harrojmë që gjendja politike që është në atdhe ndikon shumë më shumë në disponimin e bashkatdhetarëve tanë sesa tek ne që jetojmë në Kosovë. Megjithatë, krahasuar me problemet që kemi pasur, shuma e mjeteve të dërguara është e kënaqshme dhe kjo si rezultat i punës që po bëhet për diasporën”, thekson Sheremeti. Në analizat ku përfshihen edhe trendet e remitancave që bën Banka Qendrore e Kosovës, ishte thënë se në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, mund të pritet që dërgesat e emigrantëve edhe mund të fillojnë të bien gradualisht për shkak të krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjes ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Që diaspora të jetë më prezente në Kosovë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se këta qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës duhet të motivohen. “Që të rritet interesi i diasporës për të mbështetur Kosovën në forma të ndryshme duhet më tepër transparencë, duhet më tepër dialog dhe duhet më tepër konkretizim i ofertës dhe i mundësive që duhet t’i ofrohemi përballë diasporës”, thotë Gërxhaliu. Ministria e Diasporës, ndërkohë, sipas këshilltarit të lartë politik të Ministrisë së Diasporës, Kushtrim Sheremeti, është duke përgatitur programe të veçanta për kanalizimin e remitancave në zhvillim ekonomik, kryesisht programe këto të cilat do të koncentrohen në bujqësi dhe teknologji informative.

Apeli Tatimor në varësi të Ahmetajt?

Propozimi për të kaluar Apelin Tatimor nga Drejtoria e Tatimeve në varësi të Ministrisë së Financave ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë. Kundërshtime nuk ka patur vetëm opozita, por edhe ish-kreu socialist i Financave, Shkëlqim Cani. Pas debateve, ministri Arben Ahmetaj premtoi ndryshime në nenin 6 të këtij ligji. Ministria e Financave kërkon që Apeli Administrativ Tatimor të kalojë nga Drejtoria e Tatimeve në varësi të kësaj ministrie. Diskutimi i nenit 6 të ligjit për procedurat tatimore, që parashikon ndryshimin e varësisë së kësaj strukture ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Veç opozitës kundërshtime ka shprehur edhe ish-ministri socialist i Financave, Shkëlqim Cani. Cani: “Janë probleme shumë teknike që do ta bëjnë një bord ad-hoc me 9 vetë është një problem më vete. Kur do ta studiojnë dosjen, çfarë do të bëjnë për dosjen? Kjo është çështja e parë që kuptohet të gjithë e dimë që është ky problem”. Ndërkohë ish-ministri demokrat i Financave, Ridvan Bode, tha se kalimi i kësaj strukture nën varësi të Ministrisë së Financave vë në pikëpyetje pavarësinë. Bode: “Është gjykata organ i pavarur, ne duam që administrata brenda përbrenda vendimin përfundimtar ta japë në përputhje me ligjin dhe të pavarur nga presioni i një drejtori apo inspektori”. Përballë kundërshtive, kreu i Financave, Arben Ahmetaj pranoi shqetësimet dhe premtoi ndryshime në nenin 6 të këtij ligji. Ahmetaj: “Unë po sjell në seancën e dytë, me lejen tuaj, një reflektim të shqetësimit në këtë nen”. Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi që të shihej nëse ky organ është në përputhje me legjislacionin. Ahmetaj replikoi duke pohuar se “në këndvështrimin tim është hallkë ligjore”. Shkëlqim Cani, ish-ministri i Financave nga viti 2013 deri në shkurt 2016, që më pas u zëvendësua nga Ahmetaj, tha se ky është një problem i madh. “Çështjet në apel janë shumë teknike dhe kalimi nga apeluesit tek bordi është shumë problem, mendoni për çështjet si puna e Bankersit”. Sipas Canit, bordi nuk do të ketë njohuritë e duhura për të marrë vendime mbi çështje teknike. Rezerva për krijimin e bordit kanë pasur dhe deputetët e tjerë. Bode sugjeroi që të merret e njëjta njësi e apelimit dhe të kalohet në varësinë e Ministrisë së Financave. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka kërkuar të dijë se si do të krijohet ky bord. Ahmetaj tha se deri më sot është emëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bordi do të krijohet me VKM. Ai nuk i dha përgjigje pyetjes së kryetarit se kush do t’i propozojë anëtarët e bordit. Më herët në Komision u diskutua dhe në lidhje me nenin 1, që rregullon lejen që do të marrë nga Bashkia për shfrytëzimin e ambientit publik, pasi Bashkia nuk ka kuadër ligjor për të rregulluar një gjë të tillë. Deputetët e PD-së kanë theksuar se nuk ka arsye që ky nen të futet në Kodin e Procedurave Tatimore, pasi ambulanti nuk është target i fiskales. Deputeti Florion Mima tha se ka tri grupe ambulantësh, ata që shesin në tregje, ata që shesin qosheve dhe fshatarët që shesin në rrugët nacionale. Ai pyeti se cilët grupe synon të rregullojë ky nen. Ahmetaj sqaroi se synimi i ligjit është të rregullojë grupin e parë, që tregton në tregje të organizuara. Deputetët e miratuan këtë nen, me të drejtën për t’u riformuluar, me synim përcaktimin e saktë të kategorisë që do të rregullohej. Ndryshimi sipas Ministrisë së Financave vjen pasi janë inspektorët e emëruar nga vetë Drejtoria e Tatimeve që duhet të shqyrtojnë vendimet e marra nga e njëjta administratë. Rreth 12 mijë biznese në vit ankimojnë gjobat e tatimorëve, ndërkohë që vetëm 4% e tyre merreshin parasysh.

Miti i ndërhyrjes ushtarake në Siri

A Syrian man carries his two girls as he walks across the rubble following a barrel bomb attack on the rebel-held neighbourhood of al-Kalasa in the northern Syrian city of Aleppo on September 17, 2015. Once Syria's economic powerhouse, Aleppo has been ravaged by fighting since the rebels seized the east of the city in 2012, confining government forces to the west. AFP PHOTO / KARAM AL-MASRI (Photo credit should read KARAM AL-MASRI/AFP/Getty Images)

Stephen M. Walt

Teksa gjakderdhja në Siri vazhdon pa dhënë asnjë shenjë të përfundimit, nuk është aspak e çuditshme që shumë njerëz po i dyfishojnë përpjekjet për të shtyrë Shtetet e Bashkuara që “të bëjnë diçka”. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton (ndoshta edhe presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara) e ka përdorur fushatën e saj për të përçuar mesazhin se vazhdon të mbështesë idenë e vendosjes së zonës ku nuk lejohen fluturimet (no-fly zone) dhe shumë e shumë politikanë të tjerë, ekspertë dhe grupe interesi vazhdojnë të sugjerojnë se paaftësia e Shteteve të Bashkuara për t’u kundërpërgjigjur është një tjetër shenjë e tkurrjes së pushtetit dhe zbehjes së kredibilitetit të vendit.
Greg Jaffe, i “Washington Post”-it ka raportuar se nxitësit e zakonshëm në çështjet e politikës së jashtme janë duke u bashkuar për të mbrojtur idenë e një kundërpërgjigjeje më të fortë të Shteteve të Bashkuara, gjë që sugjeron se amnezia strategjike është duke marrë përmasa epidemike. Mesazhi që po përçohet është i njëjtjë: Nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë, angazhimi retorik amerikan që thotë se mizoritë e tilla nuk duhet të ndodhin më, do të shfaqet si mashtrim dhe se vendimi për të qëndruar përsëri të distancuar nga kjo çështje do të jetë një tjetër shenjë shqetësuese e rënies së Shteteve të Bashkuara.
Nëse keni qenë lexues të rregullt të opinioneve, atëherë e dini që shumë ekspertë janë të mendimit se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të angazhohen më thellë se kaq në luftën civile tragjike të Sirisë. Le të mos harrojmë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në një sërë mënyrash në këtë konflikt që nga fillimi. Megjithatë, duhet pranuar se ka edhe alternativa të tjera ndaj këtij pozicioni.
Respektoj ata që kanë konsideratë më të gjerë humanitare, ndoshta edhe në kurriz të ngushtimit të interesave kombëtare dhe ata që mendojnë se Shtetet e Bashkuara (së bashku me aleatët) duhet të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për t’u dhënë fund luftimeve dhe të shpëtojnë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm sirianë. Opinionistët e dy alternativave kanë të përbashkët qëllimin final – shpëtimin e jetëve – por nuk bien dakord me strategjinë e dërgimit të armëve apo angazhimin e forcave të Shteteve të Bashkuara në luftë. Cila nga këto dy alternativa mund ta arrijë qëllimin final me një kosto të pranueshme dhe cila do të arrinte vetëm të hapte dyert e gjakderdhjes më të madhe, ndëshkimit dhe ekstremizmit?
Në fakt, ata që mbështesin ndërhyrjen ushtarake amerikane duhet të krijojnë gjithashtu edhe një strukturë të rendit politik në Siri pas luftës civile, së bashku me një rrugë të detajuar për të arritur deri atje. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të ndihmojnë në rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit, për arsye që nuk janë të vështira për t’u kuptuar, por mungon përsëri nocioni thelbësor i sistemit që do të zëvendësojë këtë regjim.
Nuk është e nevojshme të përmendet fakti që kjo ishte strategjia që i mungoi Shteteve të Bashkuara kur pushtoi Irakun dhe kur ndihmoi në rrëzimin e Muammar al-Qaddafit në Libi: të heqësh qafe diktatorin e egër së bashku me ithtarët e tij ishte pjesa më e lehtë, por nuk kishim asnjë ide se çfarë dhe kë do të vendosnim në vend të tyre. Ajo që kundërshtoj më shumë është përpjekja për të frikësuar amerikanët se nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë pushteti, imazhi apo reputacioni i vendit do të vihet në rrezik. Ky pretendim nuk qëndron aspak në këmbë, edhe pse është përmendur shumë e shumë herë më parë. Ironikisht, është vërtetë që nëse vazhdohet të përmendet ideja se nëse Shtetet e Bashkuara nuk përfshihen në konflikte të dhunshme, kjo është shenjë e rënies së Shteteve të Bashkuara, gjithnjë e më shumë njerëz do të fillojnë ta besojnë. Megjithatë, e vërteta është se ky pretendim nuk ka asnjë bazë të qëndrueshme.
Përse? Përgjigjja është thjeshtë: Sepse njëlloj si fuqitë e tjera të mëdha, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur vazhdimisht për të mos ndërhyrë në shumë katastrofa të tjera humanitare, por askush nuk ka arritur në konkluzionin se vendi po dobësohej, i mungonte dëshira për të mbrojtur interesat kombëtare apo se po kthehej në një gjigant të butë. Më tej, këto vendime të mëparshme të mosveprimit dhe mosndërhyrjes nuk kanë pasur asnjë impakt në sigurinë, prosperitetin apo pozicionin e Shteteteve të Bashkuara në botë, madje e vërteta është që Amerika ka përfituar gjithmonë më shumë nga mosangazhimi në situata të tilla.
Kur Britania e Madhe hoqi dorë nga perandoria koloniale në Indi në vitin 1947, për shembull, largimi i saj nga vendi shkaktoi një valë prej 10 milionë refugjatësh dhe mbi një milion të vdekur në konfliktin ndërmjet popullit dhe hindu dhe mysliman. Ky është një nivel vuajtjeje akoma më i madh se ai që po ndodh në Siri në ditët e sotme, por Shtetet e Bashkuara nuk u përpoqën ta frenonin.
Paaftësia e Washingtonit për të vepruar nuk e dëmtoi reputacionin e vendit dhe nuk e ndaloi për të formuar NATO-n, implementuar kontrollin apo ndërtuar një sërë institucionesh dhe marrëdhëniesh përmes së cilave zhvilloi dhe fitoi Luftën e Ftohtë.
Siç është shprehur edhe Gary Bass në librin e tij “Telegrami i Gjakut”, Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur këtë politikë moralisht të dyshimtë gjatë luftës së vitit 1971 ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, duke bërë një sy qorr përpara provave se ushtria pakistaneze kishte kryer qëllimisht masakrën e 300 mijë njerëzve në Bengali dhe dëbimin e 10 milionë të tjerëve që u detyruan të emigronin. Megjithatë askush, as atëherë dhe as sot, nuk besoj se ky veprim, sado i qortueshëm, kishte një impakt në pozicionin e Amerikës si fuqi globale.
Po kështu, kur Khmer Rouge u ngjit në pushtet në Kamboxhia në vitin 1975, pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme të Shteteve të Bashkuara atje dhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë në “fushat e vdekjeve”, Shtetet e Bashkuara nuk ndërhynë. Ironikisht, ishte Partia Komuniste e Vietnamit – armiku i Amerikës gjatë luftërave indo-kineze – ajo që ndërhyri për të larguar Pol Potin dhe mbështetësit e tij nga pushteti. Paaftësia e Washingtonit për të ndërhyrë nuk e shkaktoi rënien e NATO-s, as prishjen e aleancave amerikane në Azi dhe nuk e ndaloi qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të triumfuar kundër Bashkimit Sovjetik.
Lista e mungesës së ndërhyrjeve nuk përfundon këtu. Shtetet e Bashkuara nuk bënë asgjë për të frenuar gjakderdhjet në El Salvador dhe Guatemalë, bënë një sy qorr përballë “luftës së pistë” të Argjentinës ndërmjet viteve 1976-1983 dhe mbështeti hapur Irakun gjatë luftës së tij të gjatë me Iranin, ku vdiqën mbi 1 milion njerëz. Bill Clinton vendosi të mos ndërhyjë në gjenocidin e Ruandës në vitin 1994, por ky vendim, për të cilin Clinton tha se ishte penduar më pas, nuk e dëmtoi pozicionin e Amerikës në botë dhe as presidencën e Bill Clintonit.

Sa kushton mosndërhyrja amerikane në konflikte

Shtetet e Bashkuara, së bashku me pjesën tjetër të fuqive të mëdha, kryesisht kanë vendosur të qëndrojnë larg një sërë luftërash të përgjakshme që janë zhvilluar në Republikën Demokratike të Kongos. Rreth 5 milionë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e këtyre luftërave megjithatë askush nuk ka thënë se mosndërhyrja e Amerikës ka vënë në diskutim qëndrimin e saj moral dhe politik në botë.
Në secilin prej këtyre rasteve ka pasur zëra të shumtë që i thonin Amerikës “të bëjë diçka”. Ndoshta kanë pasur të drejtë, të paktën në disa raste të veçanta kur ndërhyrja me të vërtetë mund të evitonte vdekje të njerëzve të pafajshëm. Por e vërteta e ftohtë dhe e hidhur është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë shumë pak për të parandaluar katastrofat dhe pasojat e tyre nuk i kanë prekur.
Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë më shumë për të zgjidhur çështjen e Sirisë apo në vende të tjera ku ka krizë humanitare. Kjo është një tjetër çështje dhe ka të bëjë më shumë me faktin nëse Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin dhe zgjuarsinë për t’i përmirësuar situatat me një kosto të pranueshme. Fatkeqësisht, të dhënat e ndërhyrjeve të fundit në Irak, Jemen, Libi, Somali, Sudan dhe Afganistan ngrenë dyshime të mëdha në këtë aspekt dhe Siria është një mjedis akoma më i rrezikshëm dhe më i paqendrueshëm për të rikrijuar një rend politik që nuk do të kthehet në një tjetër kërcënim për vendin.
Deri tani, argumenti më i keq që përdoret për të ndërhyrë në Siri është sugjerimi se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është e dosmosdoshme për të ruajtur kredibilitetin amerikan, për të ngritur reputacionin si një superfuqi globale me moral të lartë apo për të ruajtur respektin e aleatëve dhe kundërshtarëve në të gjithë botën.
Të dhënat historike tregojnë se mosndërhyrja në tragjeditë humanitare ka shumë pak impakt mbi pozicionin e Amerikës dhe e njëjta gjë vlen sot me çështjen e Sirisë. Në të kundërt, zhytja në sagën siriane është mënyra më e mirë për të shpërdoruar burimet dhe për të djegur kapitalin politik të liderëve amerikanë, gjë që e bën Amerikën më pak të aftë për të reaguar përballë sfida që kërcënojnë interesat kombëtare në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ka shumë e shumë ekspertë që mund të shpalosin teza të ndryshme për ndërhyrjen ushtarake në Siri, bazuar në qëllimin mëse të denjë të reduktimit të vuajtjeve njerëzore dhe të shpëtimit të njerëzve të pafajshëm. Kjo mund të ndodhë në rast se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët, krijojë një strategji afatgjatë të regjimit sirian që do të zëvendësojë atë të Bashar al-Assadit. Por duhet refuzuar njëherë e përgjithmonë ideja se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë sepse janë në rrezik siguria, prosperiteti dhe reputacioni i vendit. Kjo nuk është e vërtetë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Fushata pa doreza e presidencialeve amerikane

Në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një fushatë presidenciale pa doreza, që karakterizohet me akuza për veprime djallëzore të një autokrati rus dhe pretendimet se elitat e Uashingtonit bëjnë konspiracion për të mos e lejuar një kandidat kundër establishmentit që të vendoset në Shtëpinë e Bardhë.
Shtrohet pyetja se me çka mund të krahasohet fushata zgjedhore Hillary Clinton kundër Donald Trumpit në vitin 2016?
Le të përkujtohen zgjedhjet e vitit 1828, në të cilat presidenti i atëhershëm, John Quincy Adams, ishte akuzuar për prostituim të pastrueses së tij me Carin Aleksandar I të Rusisë, në këmbim për favore politike, kundër rivalit Adrew Jackson, mbështetësit e të cilit pretenduan se atij i ishte vjedhur presidenca nga “pazaret e korruptuara” katër vite më parë.
Fyerjet, kuptohet, ishin pjesë e zgjedhjeve presidenciale amerikane për më tepër se 200 vjet.
Në zgjedhjet e vitit 1800, një gazetë që e kundërshtonte Thomas Jeffersonin, ka tërhequr vërejtjen se, “vrasja, plaçkitja, dhunimi, tradhtia bashkëshortore dhe inçesti, do të mësohen hapur dhe do të praktikohen” nëse ai zgjidhet.
Por, me llojllojshmërinë e sharjeve, akuzave të keqtrajtimeve seksuale në të kaluarën dhe gjinive të kundërta ndërmjet dy kandidatëve, disa historianë thonë se fushata e tashme ndërmjet ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe biznesmentit të pasur, Donald Trump, ka arritur shkallë të reja të ulëta në paraqitjen e sulmeve të karakterit personal para atyre të çështjeve.
Profesori i historisë politike në Universitetin Amerikan, Allan Lichtman, thotë se fushata aktuale është njëra prej më “të pistave” në historinë moderne.
“Nuk ka dyshim se kjo është gara më e ndyrë që ne e kemi në historinë moderne amerikane. Ju duhet të shkoni prapa në kohërat e mëparshme të historisë tonë për të gjetur garë si kjo”, i tha Radios Evropa e Lirë, Allan Lichtman, i cili në mënyrë korrekte e ka parashikuar fituesin e votës popullore në secilat zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara, prej vitit 1984.
Sipas historianëve të zgjedhjeve presidenciale, perceptimi për fushatën si garë kah një hendek i thellë, është krijuar në masë të madhe nga zoti Trump dhe ngritja e tij e shpejtë dhe e ashpër politike.
Pos fjalëve tejet të ashpra dhe duke iu shmangur dekorit politik, ai ka bërë fyerje personale, i është vërsulur Hillary Clintonit, pastaj gazetarëve dhe një numri të kritikëve.
Zoti Trump, po ashtu, është kërcënuar për ta burgosur rivalen e tij demokrate nëse ai zgjidhet president dhe ka refuzuar të thotë se do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve si legjitime nëse pëson disfatë.
Historiani amerikan, Robert Dallek, njëherësh autor i librit të suksesshëm për biografinë e ish-presidentit, John F. Kennedy, i tha Radios Evropa e Lirë se ka gjëra të paprecedentë në këtë fushatë.
“Ekziston një kualitet i caktuar i gjërave të paprecedentë në këtë fushatë. Kurrë nuk kam parë që dikush ka qenë më vulgar, më i bezdisshëm dhe më i vrazhdë se zoti Trump. E dini, Richard Nixon ishte mjaft i keq, por ato ishin në shirita që ishin fshehur dhe nuk ishin pjesë e deklaratave publike”, tha Robert Dallek.
Ky stil, duket se e ka djegur reputacionin e Trumpit si një person jashtë qarqeve politike, i cili është i aftë për ta ndryshuar rrënjësisht Uashingtonin.
Zonja Clinton nuk është e papërvojë në rrjedhat e rrëmbyeshme politike dhe operativistët që punojnë për fushatën e saj, aktualisht janë zënë duke diskutuar se si ta nxisin dhunën dhe kaosin në tubimet e Trumpit, duke shfrytëzuar provokatorë të fshehtë.
Derisa ajo ka synuar ta portretizojë vetveten se qëndron mbi polemikat e ashpra, fushata e saj vazhdimisht është përpjekur ta paraqesë zotin Trump si të paaftë për zyrën më të fuqishme në gjithë botën.
Në këtë aspekt, më e theksuara ishte një video e vitit 2005 në të cilën Trump dëgjohet duke bërë komente vulgare për femrat.
Derisa çështjet e rëndësishme, siç janë imigrimi, politika e taksave dhe siguria kombëtare, nuk kanë munguar tërësisht në fushatë, beteja për Shtëpinë e Bardhë, Clinton–Trump, për segmente madhore e ka karakterin e kandidatëve.
David Kennedy, profesor i historisë amerikane në Universitetin Standford, vlerëson se po zhvillohet një betejë tejet e ashpër.
“Është njëra nga më të hidhurat dhe do të thoja, në kuptimin e shqyrtimit të çështjeve me të cilat ballafaqohet ky vend, është njëra nga zgjedhjet më dëshpëruese në jetën time dhe ndoshta në gjithë historinë dyshekullore të kësaj Republike”.
“Kandidatët kanë shpenzuar më tepër kohë duke folur për personalitetin e njëri-tjetrit se sa për çështjet reale. Por, edhe këtu nuk ka simetri perfekte. Mendoj se kandidati Trump ka shkuar shumë më larg në nivelin më të ulët të komunikimit se sa kandidatja Clinton. Por, ata të dy janë fajtorë për këtë deri në një shkallë”, tha David Kennedy.

Bisedimet për Brexit nuk afrojnë pozicionet

Në Downing Street në Londër, Kryeministrja britanike, Theresa May priti të hënën kryetarët e qeverisë të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut për të diskutuar për hapat e mëtejshme përsa i përket Brexit. Në bisedimet për një bashkëpunim më të mirë morën pjesë kryetarja e qeverisë së Skocisë, Nicola Sturgeon, Kryeministri i Uellsit, Carwyn Jones dhe Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Arlene Foster, si dhe zëvendësi i saj, Martin McGuiness.
Më pas, Sturgeon u tregua “thellësisht e zhgënjyer” për takimin përgatitor për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Ajo nuk di më tepër për pozicionimin e qeverisë për negociatat për të dalë jashtë BE se përpara takimit. “Unë nuk e kam problem që të pranoj se pjesë të mëdha të takimit ishin thellësisht zhgënjyese”, i tha Sturgeon stacionit “SkyNews”. Por ajo nuk dëshiron të shohë se si Skocia “do të zhytet në një fatkeqësi të madhe të Brexit-it”.
Sturgeon bëri të ditur se Skocia do të bëjë propozime për një të ashtuquajtur Brexit të zhdërvjellët. Me këtë do të mundësohet qëndrimi i Skocisë në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian, edhe nëse pjesa që mbetet e Britanisë së Madhe del nga ky treg, tha Kryeministrja. Javën e kaluar, qeveria skoceze i paraqiti Parlamentit në Edinburgh një projektligj për një referendum të ri për pavarësi nga Britania e Madhe. Në vitin 2014 një hap i tillë dështoi në referendum.

Jo përjashtime për Skocinë

Në një deklaratë qeveritare në Londër para takimit qe bërë e ditur se përfaqësuesit e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut do të përfshihen në bisedimet zyrtare për Brexit-in. Një zëdhënëse e May-t tha para konsultimeve se, Kryeministrja britanike e refuzon “idenë e një rregulli të veçantë për Skocinë”. Në negociatat me BE, të cilat duhet të nisin në mars 2017, Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë një “qëndrim të unifikuar”, për t’i mbrojtur interesat e të gjithë vendit.
Zëdhënësja e May-t i paralajmëroi skocezët që të mos e “minojnë” strategjinë britanike. Sturgeon u përgjigj që ajo “nuk mund të minojë diçka, e cila nuk ekziston”. Në negociatat me BE, May kërkon të arrijë një kufizim të imigrimit. Një i ashtuquajtur “Brexit i ashpër” do të thoshte që Britania e Madhe do të shkëputej krejtësisht nga tregu i brendshëm i BE.

Kostoja e lartë e një fushate premtimesh

Megjithë çlirimin që krijon mbarimi i fushatës, duhet thënë se amerikanët kaluan një nga vitet zgjedhore më të papëlqyeshme në histori, siç e cilësojnë disa analistë. Tani analistët po shohin përtej datës 8 nëntor. Nisur nga programi i kandidatëve ata parashikojnë se kreu i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë do të përballet me një detyrë mjaft të vështirë në administrimin e ekonomisë më të madhe të botës.
Tani që debatet presidenciale kanë përfunduar, u takon amerikanëve të zgjedhin udhëheqësin e tyre të ardhshëm. Nisur nga diferencat e mëdha dhe retorika e nxehtë politike, presidenti i ardhshëm duhet të japë disa shpjegime.
“E thënë thjesht, zgjedhjet kanë pasoja. Ato janë një kontratë e vështirë me popullin amerikan. Po punësohesh të kryesh një detyrë dhe botëkuptimi i popullit amerikan mbi arsyet që të ka punësuar lidhet me atë se çfarë ke premtuar në fushatë”, thotë William Galston, ish-këshilltar i presidentit Bill Clinton.
Sipas zotit Galston, nëse Donald Trump zgjidhet president, i duhet të bëjë publike koston e vërtetë të murit që kërkon të ndërtojë në kufi me Meksikën. Zoti Trump thotë se do të kushtojë 12 milionë dollarë, por nga parashikime të pavarura del se kostoja do të jetë 40 milionë. Trump thotë se edhe Meksika do të paguajë për murin, por shumë ekspertë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Edhe zonja Hillary Clinton duhet të shpjegojë ato çfarë premton, nëse zgjidhet.
“Ajo flet për një politikë të re për fëmijët, për një program të madh infrastrukturor, për një reformë gjithpërfshirëse për imigrimin. Populli amerikan pret që ajo të mbajë përgjegjësi për të gjitha këto”, thotë William Galston.
Por sfida e vërtetë lidhet me mënyrën se si do të financohen këto programe.
“Për shembull, Donald Trump ka premtuar se nuk do të prekë programet që lidhen me sigurimet shëndetësore apo shoqërore. Hillary Clinton ka premtuar se nuk do të ngrejë taksat për ato familje që kanë më pak se 250 mijë dollarë të ardhura në vit. Tingëllon shumë mirë, por nëse do që të shpenzojë aq sa ajo kërkon, problemi nuk mund të zgjidhet vetëm duke taksuar të pasurit”, thotë Maya Macguineas, Presidente e Komisionit të Pavarur për një Program të Përgjegjshëm Federal.
Zonja Macguineas thotë se presidenti i ardhshëm do të përballet me sfidën e një rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe një treg pune të pasigurtë për shumë amerikanë, megjithë ndonjë përparim të lehtë. Përveç stanjacionit të pagave dhe rritjes së pabarazisë së të ardhurave, sfida më e fortë mbetet borxhi, parashikuar të arrijë kufirin e 20 trilionë dollarëve në fund të vitit.
“Hillary Clinton do të ruajë status quo-në. Donald Trumpi mund ta përkeqësojë. Pra, nëse i krahasojmë, zonja Clinton është shumë përpara, por asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë plan për të cilin ne shpresojmë. Për këtë shkak asnjëri nuk merr notë kaluese”.
Zonja Macguineas thotë se plani i zotit Trump do t’i shtojë borxhit 5 trilionë dollarë, ndërsa zonja Clinton 200 miliardë. Asnjëri prej tyre nuk ka në plan që të ulë borxhin.
Por pas një sezoni zgjedhor skandalesh dhe pretendimesh të zotit Trump për zgjedhje të manipuluara, rënia e besimit të votuesve dhe bllokimi i mundshëm në Kongres, do të jenë sfidat e mëdha për presidentin e ardhshëm amerikan.

Bajerni rinovon me “Robberi”

Bajerni i Mynihut po bën gati planin e së ardhmes. Riberi, Roben, Rafinja dhe Alonso, janë ende në udhëkryq. Kontratat e tyre skadojnë në fund të sezonit. Të katër lojtarët bëjnë pjesë në gjeneratën e veteranëve U-30 (Riberi 33 vjeç, Roben 32, Alonso 34, Rafinja 31) që rritin mesataren e moshës në klub.
Ndërkohë, bosi bavarez Karl-Hainc Rumenige ka dhënë sinjalet e para për zgjatjen e kontratave me katër futbollistët. “Bisedimet tona do të vazhdojnë. Nuk kemi arritur ende në finalizimin e tyre. Këtë temë nuk kemi pse ta diskutojmë në media. Nuk do t’u biem kambanave dhe t’u themi gazetarëve, ejani në “Säbener Straße” dhe na dëgjoni se çfarë flasim”, nënvizoi Rumenige pas fitores 2-0 kundër Gladbahut.
Shefi i Ekzekutivit kërkon që sekretet të mos dalin në publik. Sipas mediave, mesfushori francez e ka të sigurt rinovimin për një vit, edhe pse dëmtohet shpesh. Ndërsa për Robenin, drejtuesit duan të presin edhe pak. “Pa diskutim që Roben po luan sërish në nivele të larta. Nuk jemi kundër rinovimit të tij. Ne e dimë që i skadon kontrata më 30 qershor 2017. Nuk janë vetëm Riberi dhe Roben, por edhe Alonso me Rafinjën”, sqaron 61-vjeçari gjerman.
Kujtojmë që 32-vjeçari holandez, Arjen Roben, ka zhvilluar 146 ndeshje në Bundesligë me fanellën e Bajernit nga viti 2009. Mesfushori ka shënuar 79 gola për rekordmenët.
Për Ançelotin dhe Vajgl, Rumenige ka komentuar më tej sjelljen e Ançelotit, si dhe arsyen pse nuk transferuan Julian Vajgl në 2015-ën nga Mynih 1860. “Ançeloti është një supertrajner. Ai ka eksperiencën e duhur për të rregulluar atmosferën mes lojtarëve. Nuk besoj se ai është kaubojs”, tha Rumenige, duke shtuar për Vajgl:
“Nëse Bajerni u merr një lojtar rivalëve të Mynih 1860, shkaktohet një zhurmë e madhe. Nuk e kishim të vështirë për ta blerë nëse do ta donim. Nuk do të na pëlqente që të na ndodhte si me Jens Jeremies. Pasi transferuam Jeremies nga Mynih 1860, pati pakënaqësi dhe vërshëllima nga të dy kampet e tifozërisë”.