24.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Ish-ministri rrëfen aferën e pistë me taksën për “Rrugën e Kombit”

Më 2 shtator 2016 ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto la befas detyrën. Një orë pas publikimit të lajmit, LSI do të sqaronte se dorëheqja lidhej “me angazhime elektorale” brenda partisë.
Por a ishte ky motivi që Haxhinasto të largohej nga qeveria pas plot 6 vjetësh?
Që nga koha kur u emërua ministër për herë të parë në qeverinë Berisha, më 16 shtator të vitit 2010 si ministër i Jashtëm, LSI ka zhvilluar 3 beteja elektorale. Ai ka qenë i angazhuar në të tre fushatat, por pa qenë nevoja të lërë detyrën e ministrit.
24 orë para se të linte detyrën atij i kishte dështuar një prej projekteve kryesore: më 1 shtator Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) i kishte ndryshuar fituesin e tenderit për koncesionin e Rrugës së Kombit.
Ministri i Transporteve i ishte drejtuar me një ankesë Komisionit të Prokurimit Publik që të rishikonte vendimin për pranimin e ankesës së kompanisë së dytë në garën për koncesionin e rrugës Durrës–Kukës, pra që të mos e pranonte atë.
Ministria e Transporteve shpalli fitues të këtij koncesioni 30–vjeçar një bashkim shoqërish nën emrin “Vendeka Bigli Teknolojileri” Ltd. & “PT Citra Marga Nusaphala Persada” Tdk & Mehmet Ali Unal Insaat Taahhlil Madeciilik San Ve Tic” As. & “Savronik Sistem Tah.San.Tic” As; & “Vendeka European Investment B.V”.
E skualifikuar ishte një bashkim kompanish pas të cilës qëndrojnë dy biznesmenë të fuqishëm shqiptarë, nën emrin “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “Violap Ateve” & “Kastrati” sha.
Edmond Haxhinasto, në shkresën zyrtare drejtuar KPP, që “Lapsi.al” po e boton të plotë, i vinte në dukje kreut të tij Gentian Këri, faktin se ankesa e “Catalyst” ishte bërë jashtë afateve ligjore. Si e tillë ajo nuk mund të pranohej.
“Pala ankimuese, sipas nenit 32, të VKM 634, datë 01.10.2014 ‘për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale’ kishte afat që brenda datës 27.07.2016 të ankimonte vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik. Ankimimi në KPP nga bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Catalyst…’ është depozituar në datë 01.08.2016, pra pesë ditë pas mbarimit të afatit të përcaktuar në lex specialis.
Afati pesë ditor i ankimimit mbaron në datën 27.07.2016, pra ankimimi i bashkimit të operatorëve ekonomikë ‘Catalyst…’ është paraqitur jashtë afatit ligjor dhe si i tillë nuk duhej të merrej fare në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimit Publik”, thuhet në shkresën që mban firmën e Haxhinastos.
Pasi pranoi ankimimin, ndonëse jashtë afateve ligjore siç shprehet ministri i Transporteve, Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzoi vendimin e ministrisë duke ia hequr tenderin kompanisë “Vendeka Bigli” dhe duke ia dhënë bashkimit të kompanive “Catalyst” në të cilën bëjnë pjesë edhe “Salillari” e “Kastrati”.
KPP rrëzoi kështu projektin më të rëndësishëm të Ministrisë së Transporteve në punët publike: një tender prej 320 milionë dollarësh për mirëmbajtjen e autostradës Durrës–Kukës. A ishte ky dështim që e “vulosi” largimin e tij? Shumë versione janë hedhur në publik. Ai i ish–kryeministrit Sali Berisha, më 8 shtator, flet për prishje pazaresh të Kryeministrit Rama me fituesit, çka sipas tij mund të ketë çuar edhe në largimin e Haxhinastos.
Menjëherë pasi firmosi vendimin për të ndryshuar fituesin e koncesionit nga detyra dha dorëheqjen edhe kreu i KPP, Gentian Këri, pa ndonjë arsye specifike.
Oferta e “Vendeka Bigli” ishte 320 milionë euro, ndërsa ajo e “Catalyst” 217 milionë euro, për shfrytëzimin 30–vjeçar të autostradës.
Ministria e Transporteve, relacionit të gjatë drejtuar KPP i bashkëngjiti edhe mendimin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e Bankës Botërore.
Në dokumentin që disponon “Lapsi.al”, IFC argumenton se “Vendeka Bigli” që u shpall më vonë fituese “zotëron kualifikimet e duhura për ta realizuar me sukses një koncesion të tillë”. Ndërsa “Catalyst” – thuhet në dokument – “nuk i zotëron të gjitha kualifikimet e nevojshme për realizimin me sukses të kontratës”.
“Në pikëpamjen tonë, konsorciumi (Catalyst) nuk tregon që të ketë eksperiencën e duhur në operacione të autostradave me pagesë, që është një prej kritereve më të rëndësishëm të këtij projekti”, thuhet në relacionin e IFC, që shoqërohet me të tjera argumente pro “Vendeka” dhe kundër “Catalyst”.

“Catalyst” paraqiti ankesë, 9 ditë pas shpalljes së fituesit

“Catalyst” paraqiti ankesë, 9 ditë pas shpalljes së fituesit. KPP, për pranimin e ankesës sqaron se i është referuar “nenit 43, të Ligjit nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” nenit 19/1 dhe vijues, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, nenit 28 të VKM-së nr. 184, datë 17.03.2010 “Për miratimin e rregullores ‘Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik’”.
Por Ministria e Transporteve i përgjigjet KPP se nuk mund të mbështetej tek ky ligj kur ka vendosur të pranojë ankesën, pasi kjo procedurë është përjashtuar me VKM numër 634 të vitit 2014.
“E gjithë procedura konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot–Morinë… rregullohet me VKM nr. 634, datë 01.10.2014 pasi Ligji nr. 88/2014, datë 10.07.2014 e ka përjashtuar këtë procedurë nga aplikimi i ligjit për koncesionet dhe për rrjedhojë është autorizuar Këshilli i Ministrave bazuar në nenin 5, pika 2 të ligjit për koncesionet për përcaktimin e rregullave speciale për këto procedura”.
Kjo mënyrë e të gjykuarit të KPP është konsideruar e gabuar nga Ministria e Transporteve. VKM 634 në nenin 32, pika 2, parashikon që “çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë në KPP, brenda 5 ditëve nga publikimi i vendimit”. Vendimi i ministrisë për shpalljen e fituesit është marrë më 22 korrik, ndërsa ankimimi është bërë më datë 1 gusht 2016, jashtë afatit 5-¬ditor.
Por KPP vendosi sërish kundër ministrisë, kundër sugjerimeve të ministrit Haxhinasto dhe kundër rekomandimeve të IFC-së së Bankës Botërore.
Këto zhvillime kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh: Përse ankesa u bë jashtë afateve ligjore siç pretendon ministri i Transporteve? Për më tepër, përse u pranua nga KPP jashtë këtyre afateve duke iu referuar një ligji të përjashtuar? A u siguruan më parë garancitë e nevojshme se fituesi mund të ndryshonte? A ishte kjo përplasje mes Ministrisë së Transporteve dhe KPP arsyeja e largimit të Haxhinastos dhe më vonë edhe e kreut të KPP?
Avokati i “Vendeka” në Tiranë, Bledar Fejzo, thotë se në 85 faqet e arsyetimit të KPP janë “vetëm një pasqyrë e ankesës së ‘Catalyst’ çka e bën të mendojë se ‘vendimi ka qenë i paragjykuar’”.
“Po t’i shtosh kësaj edhe faktin që ankimimi është pranuar jashtë afatit, dyshimet për objektivitetin e vendimit janë shumë të mëdha. Nga ana tjetër, ne nuk mendojmë që 5 anëtarët e KPP kanë kapacitetin dhe aftësinë e duhur për vlerësimin e këtyre lloj ofertave në krahasim me ekspertizën e IFC”, është shprehur ai pas ndryshimit të fituesit.
Ministria e Transporteve njoftoi se do të ndjekë hapat e mëtejshëm për të ekzekutuar vendimin e KPP dhe në bashkëpunim konsulentin ndërkombëtar IFC do të vijojë negocimin e kontratës, kësaj here me “Catalyst”. Ndërsa “Vendeka Bigli” mund t’i drejtohet gjykatës. Negocimi do të ndiqet nga ministri i ri i Transporteve që zëvendësoi Haxhinaston, i cili, që pas dorëheqjes nuk është parë të jetë aktiv në parti me “angazhimet elektorale”.

Farsa e qeverisë me “rritjen e pagave”

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Shkelqim Cani, gjate nje takimi me strukturat tatimore te perfshire ne aksionin kunder informalitetit dhe evazionit fiskal./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, Minister of Economic Development, Tourism, Trade and Entrepreneurship, Arben Ahmetaj and Shkelqim Cani, Minister of Finance, during a meeting with tax structures involved in action against informality and tax evasion.

Në fillim qe ministri i Financave, Arben Ahmetaj që e tha mes rreshtave planin për të rritur pagat minimale të taksueshme me mbi 35 për qind dhe për t’i përdorur këto para për të majmur pagat e sektorit publik duke i rritur mesatarisht me 10 për qind.
Nga pikëpamja propagandistike, një lëvizje e tillë mund të ketë sukses. Deklarohet rritje pagash dhe rritje pagash. Nga pikëpamja ekonomike, kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjë një qeveri e keqe në një vit zgjedhor, me synimin për të fituar sadopak kredibilitet politik për reformat ekonomike (që në masë të gjerë kanë dështuar) të tri viteve të fundit, por që në thelb, janë ekonomikisht të pavlefshme dhe thellësisht të dëmshme, me pasoja për shumë dhe shumë vite me radhë.
Kuptohet, deri tani kemi vetëm deklarata të llojit propagandistik të qeverisë mbi këtë punë. Nuk e dimë ende nëse rritja e pagave do të financohet vetëm përmes rritjes së taksave reale mbi sektorin privat apo edhe përmes buxhetit të shtetit, gjë që nënkupton ulje më të vogël nga sa shpresohej të borxhit publik si përqindje e PBB-së.
Le ta marrim hapin e parë:

Jo pagë minimale, por taksim minimal
Qeveria nuk ka deklaruar asgjë me shkrim, por Kryeministri Rama ka mbajtur fjalime në Facebook, ku ka bërë të ditur se ka ndër mend të rrisë pagën minimale zyrtare të taksueshme nga 22 mijë lekë që është aktualisht në 30 mijë lekë. Ajo që supozohet se është rritje page minimale, që prej një dekade është në fakt rritje taksimi real mbi punonjësit më të varfër të shoqërisë. Që ta themi më thjeshtë, nëse shkojmë dhe pyesim punëtorët e fabrikave apo kamerierët, dy kategori kryesore të punësimit me paga të ulëta, shumica dërrmuese e tyre do të të thonë se marrin realisht pagë 12 apo 15 mijë lekë në muaj. Shumë prej tyre, veçanërisht ata që punojnë në fason, marrin pagë vetëm kur fabrika ka punë. Por punëdhënësit e tyre, të cilët janë përgjegjës për pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, e kanë të ndaluar me ligj që të japin paga më të vogla se 22 mijë lekë të reja bruto, ose 18 mijë lekë të reja neto. Kjo do të thotë se, pavarësisht nëse punëtori e ka rrogën 15 mijë lekë në muaj, sigurimet shoqërore e shëndetësore i paguhen për pagën 22 mijë lekë në muaj.
Teorikisht, paga minimale është një masë mbrojtjeje shoqërore. Qeveria urdhëron këdo që ofron vende pune që, pavarësisht se sa është paga sipas kërkesë-ofertës, të japë një pagë të caktuar minimale. Qeveria mund ta urdhërojë diçka të tillë kur ajo disponon një shtet me mekanizmat e duhur të zbatimit të urdhrit. Por në rastin e Shqipërisë, ky shtet nuk është. Kemi të bëjmë me një karakatinë. Nëse qeveria beson se paga minimale zyrtare është realisht paga minimale në vend, atëherë le t’i shtrojë pyetjen vetes se sa inspektime me këtë temë ka bërë i ashtuquajturi Inspektorat i Punës, sa raste ka identifikuar ky inspektorat kur paga reale është më e ulët se sa paga minimale ligjore e sa gjoba ka vënë. E di që qeverisë nuk i pëlqen ta dëgjojë, por fakti është që Ardit Gjoklaj, 17-vjeçari që humbi jetën në një aksident në punë në Sharrë, paguhej 500 lekë dita, shifër kjo e paligjshme dhe poshtë pagës minimale zyrtare.
Tani, në rast se qeveria vendos ta rrisë pagën minimale, siç ka thënë Kryeministri, me 35 për qind, nga 22 mijë në 30 mijë lekë, paga reale që marrin fukarenjtë e Shqipërisë nuk do të ndryshojë, por sigurimet shëndetësore e shoqërore që paguhen mbi këto paga minimale do të rriten me 35 për qind.

Rritje pesëfish te pagat e larta

Rritja e pagës minimale, përveç rritjes së barrës reale të sigurimeve shoqërore mbi të punësuarit me pagë të ulët, shkakton edhe një taksim shtesë te pak mijëra shqiptarë që punojnë pothuajse tërësisht në sektorin privat dhe që kanë paga të larta. Ligji për sigurimet shoqërore e shëndetësore sanksionon që kontributet për sigurime shoqërore mbahen për të gjitha pagat, deri në pesëfishin e pagës minimale. Kjo do të thotë që, nëse qeveria rrit pagën minimale me 8 mijë lekë nga 22 mijë në 30 mijë, ajo automatikisht rrit pagën maksimale mbi të cilën mbahen sigurime shoqërore nga 97 mijë lekë që është aktualisht në 150 mijë lekë. Me fjalë të thjeshta, çdo shqiptar që ka pagë 150 mijë lekë, pra ata pak mijëra që punojnë në profesione të mirëpaguara dhe që janë njëkohësisht taksapagues të rregullt, do të duhet të paguajnë minimalisht 10 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore shtesë.

Rritje administrative taksash

Paga minimale është një nga mënyrat që qeveritë kanë përdorur për të rritur bazën fiskale reale mbi kategori të ndryshme tatimpaguesish pa kryer ndryshime të dukshme në legjislacion. Mënyra tjetër është ndryshimi administrativ i llogaritjes së sigurimeve shoqërore e shëndetësore minimale që paguhen nga të vetëpunësuarit, ku përfshihet gjithçka, nga një shitës i vogël te ndonjë hidraulik që paguan sigurimet për veten. Në këtë kategori janë mbi 100 mijë shqiptarë, afërsisht një në çdo pesë tatimpagues. Qeveria e ka zakon që ta rrisë taksimin real mbi këtë kategori. Për shembull, në vitin 2014, sigurimet shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit u rritën me 4 për qind, ndërsa në vitin 2015 u rritën me 13 për qind. Nuk është e qartë se çfarë ka ndër mend të bëjë qeveria me këtë kategori, por nëse vepron edhe këtu si te paga minimale, duke e rritur me 35 për qind, efektivisht më shumë se gjysma e të gjithë të punësuarve me pagë në vend do të paguajë për të ushqyer dëshirën elektorale të rritjes së pagave të shtetit ku punojnë aktualisht rreth 100 mijë vetë.

Merrja të varfërit, jepja më pak të varfërit

Në terma afatshkurtër, një spekulim i tillë paraelektoral, pra taksimi i pagave të ulëta të sektorit privat për të majmur shtetin, ka një rezultat final zero. Zero për shkak se nëse i merr paratë 200 mijë shqiptarëve për t’ia dhënë 100 mijë të tjerëve, konsumi final i popullsisë nuk do të ndryshojë. E vetmja gjë që do të ndryshojë do të jetë raporti me shtetin. Sektori privat do të rripet për të ushqyer sektorin publik.
Kuptohet, në terma afatgjatë, rezultati final nuk është zero, ai është shumë, shumë negativ. Kur qeveria heq paratë nga sektori privat, ku paratë dalin nga puna reale dhe janë në përputhje me eficencën e kësaj pune, për t’ia dhënë sektorit publik, ku eficenca është së paku e pamatshme, atëherë pasojat janë shumë negative.
Problemi me rritjen e pagave është se një rritje e tillë ka efekt jo vetëm më 2016, por edhe në vitet në vijim. Qeveria sipas kushteve në të cilat gjendet, mund ta rrisë ose ta ulë fondin e investimeve publike, por pagat mundet vetëm t’i rrisë, nuk ka mundësi t’i ulë. Deformimi i krijuar në ekonomi nga spekulimi elektoral aktual do të vijojë të rëndojë buxhetin e shtetit edhe në vitet pas zgjedhjeve parlamentare. Paratë në dispozicion të investimeve do të vijojnë të pakësohen, ndërkohë që paratë për pagat e buxhetit do të vijojnë të shtohen.

Borxhi i qeverisë kalon çdo parashikim, arrin në 73% të PBB-së

Qeveria aktualisht është në një pikë kyçe, në të cilën mund të vendosë të tregohet serioze ose të tregohet një qeveri e zakonshme, nga ato që kemi pasur me bollëk deri më sot, një qeveri joserioze.
Borxhi publik është rritur gjatë mandatit të kësaj qeverie nga 62 për qind e PBB-së në shtator 2013 në 73 për qind të PBB-së aktualisht. Rritja e këtij borxhi qe pjesë e një plani për të mundësuar rigjallërimin e ekonomisë para fillimit të uljes së borxhit publik. Ky rigjallërim nuk ndodhi. Pavarësisht se çfarë pretendon qeveria, prodhimi i brendshëm bruto i  Shqipërisë këtë vit pritet të jetë gati 600 milionë euro më i ulët nga sa qe shpresuar nga qeveria aktuale kur kjo qeveri mori pushtetin. Kuadri makroekonomik e fiskal, në të cilin qeveria çdo vit parashikon treguesit makroekonomikë për tri vitet pasuese e vërteton këtë mungesë. Në vitin 2014, parashikimi i qeverisë qe që PBB e vitit 2016 të qe 1.61 trilionë lekë (11.5 miliardë euro). Po vetë qeveria, në kuadrin makroekonomik të këtij viti, vlerëson se PBB për vitin 2016 do të jetë 10.93 miliardë lekë. Është domethënëse se ky parashikim është bërë në muajin shkurt 2016, ndërsa në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2016, të miratuar në korrik, prodhimi i brendshëm bruto parashikohet të jetë edhe më i ulët (plot 150 milionë euro) nga sa qe parashikuar në shkurt. Ky dështim në rritjen ekonomike të parashikuar nga vetë qeveria aktuale, është përkthyer edhe në deficit në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Për rrjedhojë, Shqipëria ka sot një barrë të borxhit publik ndjeshëm më të lartë nga sa duhej ta kishte. E vetmja arsye që mund të justifikojë rritjen e barrës së taksave mbi sektorin privat në Shqipëri është ulja e borxhit. Rritja e barrës për të paguar paga elektorale thjesht nuk duhet të ndodhë.
Në fund, qeveria bën mirë të tregohet serioze. Rritja e barrës fiskale aktualisht në Shqipëri është e pajustifikuar për asnjë lloj arsyeje. Por kur kjo rritje bëhet për spekulime elektorale, pasojat janë dy herë të këqija.

Eurostat: Shqipëria, vendi më i varfër në Europë

Edhe në vitin 2015, Shqipëria renditet si vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me rreth 30% të mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat janë përditësuar së fundmi nga Eurostat dhe bazohen në metodën e fuqisë blerëse, e cila rregullon vlerat bazuar në diferencat e çmimeve mes vendeve dhe madhësisë së ekonomive, në mënyrë që të vlerësohen standardet e jetesës.
Nga shtetet fqinjë, të ardhurat për frymë të Serbisë janë sa rreth 37% e mesatares europiane, ndërsa të Maqedonisë rreth 36%. Për Shqipërinë, në raport me vitin 2005, është bërë shumë pak progres në rritjen e të ardhurave për frymë në raport me mesataren europiane me vetëm disa pikë përqindjeje.
Shteti më i pasur mes vendeve të Bashkimit Europian ëshë Luksemburgu, të ardhurat mesatare të së cilit janë 2.7 herë mbi mesataren europiane (që pjesërisht shpjegohet nga rëndësia e punonjësve përtej kufirit nga Belgjika, Franca dhe Gjermania). Nga ana tjetër, PBB për frymë ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së në Bullgari.
Të dhënat sugjerojnë se për anëtarët e rinj të BE-së ka pasur një proces konvergjence (ritme rritjeje më të shpejta të të ardhurave në raport me mesataren e BE-së). Pjesa më e madhe e shteteve anëtare që hynë në BE më 2004, 2007 ose 2013 kanë lëvizur nga pozicioni poshtë mesatares së BE-së më 2005, në afër mesatares së BE-së më 2015-n, pavarësisht një stepjeje gjatë krizës ekonomike dhe financiare.
Qipro dhe Slovenia ishin përjashtime, deri tani, teksa ata lëvizën më tej poshtë mesatares së BE-së gjatë dekadës së fundit. Të njëjtën tendencë kanë pasur dhe anëtaret më të vjetra të BE-së, Greqia dhe Portugalia. Edhe Italia e Spanja kanë lëvizur nga një nivel më i lartë se mesatarja europiane, në poshtë tij gjatë dekadës së fundit.

2.2% e popullsisë jetojnë në mjerim

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë shpreh shqetësimin se shumë familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërkohë që nuk ka asnjë zhvillim për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik nga ana e strukturave qeveritare, të ngarkuara me këtë detyrim ligjor.
Në këto kushte, pas insistimit të vazhdueshëm 5-vjeçar pa rezultate konkrete, institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me ekspertë të pavarur të fushës ka nisur punën për shpalljen e këtij minimumi jetik në Shqipëri. Ky angazhim mbështetet në një studim të thelluar, realizuar nga ekspertë të ekonomisë, mbi bazë të një metodologjie bashkëkohore dhe të dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore. Shpallja dhe njohja e këtij minimumi jetik nga ana e strukturave qeveritare përgjegjëse do të ndihmonte shtresat më të varfra, si dhe të gjitha kategoritë e personave vulnerabël për të arritur një standard dinjitoz jetese.
Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të varfërisë rezulton se rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë), si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Aktualisht, rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.
Më 17 tetor të vitit 1987, mbi 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë, dhunës e urisë. Që atëherë 17 tetori rikujtohet për angazhimin që t’i jepet fund varfërisë. 17 tetori u njoh si ditë zyrtare më 1993 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987 në shumë vende.

Mbi zgjedhjet në FRPD

Akil KRAJA

Përfaqësuesit e rinj të shpresës: një urim dhe disa mendime mbi zgjedhjet e Kryesisë së FRPD-së dhe rininë demokrate
Me zgjedhjen e përfaqësuesve të sekretariateve dhe departamenteve të tij, sipas parimit një anëtar – një votë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike përmbylli një cikël të jashtëzakonshëm demokratik, i cili zgjati pothuajse një vit, duke u kthyer në një shembull për çdo forcë politike e jo më për forumet rinore politike shqiptare.
Sot, që nga Kryetari i Forumit, e duke vazhduar me Kryetarët e degëve, Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë e Forumit Rinor, çdo hallkë organizative e FRPD-së është bazuar në parimet e garës mes listave të hapura dhe të një anëtari një votë.
Ndaj sot gjej rastin të përgëzoj të gjithë të rinjtë e të rejat demokratë të zgjedhur rishtazi në FRPD si dhe në veçanti Kryetarin e Forumit, Belind Këlliçin, për këtë proçes të jashtëzakonshëm për kulturën dhe praktikën tonë të demokracisë së brendshme.
Kjo është një fitore e shumëfishtë e Kryetarit Basha, që po promovon parimin e një anëtari një votë në çdo shkallë të strukturës së Partisë Demokratike. E Belind Këlliçit që arriti ta përvetësojë këtë frymë, duke e shtrirë atë në çdo degë dhe strukturë të FRPD-së. Si dhe një fitore e vetë kandidatëve rishtazi të zgjedhur, pasi u besuan dhe u zgjodhën në krye të sekretariateve dhe departamenteve pas një proçesi sërish unik për një forcë politike.
Por kjo është dhe një fitore e jona, e çdo të riu dhe çdo anëtari të Partisë Demokratike, të cilët shohin tek këto të rinj pasqyrimin e një ëndrre kolektive për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri të zhvilluar dhe emancipuar ku demokracia e brendshme dhe meritokracia nuk janë fjalë boshe, por shembuj realë të praktikuar në Forumin Rinor më aktiv shqiptar.
Si një fitore e përbashkët, kjo nënkupton dhe një kontratë morale që lidhet mes të rinjve demokratë dhe të zgjedhurve në Kryesinë e re të FRPD-së. Eshtë një kontratë që na bashkon dhe që krijon një “NE” me qëllim arritjen e një objektivi unik: dhënies fund të kapjes së shtetit nga “Rilindja”.
Kjo është një betejë për rivendosjen e demokracisë në vend, ku rinia duhet medoemos të ketë një rol të rangut të parë.
Ndaj sot, duke u angazhuar në Kryesinë e FRPD-së, këto të rinj zgjodhët të dilnin publikisht, në linjën e parë të një beteje për një Shqipëri më të mirë, duke sakrifikuar me siguri një bursë universitare, një notë, një vend pune, por dhe të afërmit e tyre të cilët me siguri do të jenë objekt presionesh, shantazhesh e kërcënimesh vetëm e vetëm që të ngadalësojnë përhapjen e kësaj fryme dhe të alternativës sonë demokrate. Pavarësisht presioneve, kjo është një betejë që NE do ta fitojmë, të gjithë së bashku.
Por si?
Sfida më e madhe e jona do të jetë t’i përgjigjemi pyetjes ekzistencialiste të qindra mijëra të rinjve shqiptarë sot: Përse duhet të zgjedh Shqipërinë? Përse të mos emigroj për një jetë më të mirë? Përse duhet të mendoj të ngre një familje, një projekt jete, një sipërmarrje në Shqipëri? Përse duhet të ndihem krenar për një vend që renditet si prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë, krenar për një vend që shet drogë?
Arratisja, largimi, braktisja e kujtimeve të fëmijërisë dhe familjes është përgjigja që të rinjtë i japin kësaj dileme. Shqipëria po vdes çdo ditë e nga pak teksa janë me qindra e mijëra të rinjtë që kërkojnë azil në Gjermani, “geen-card” në Amerikë e bashkim familjar në Itali. Verdikti është i qartë, të rinjtë po e braktisin Shqipërinë.
Në këtë kontekst, të rinjtë shohin tek FRPD një zë të tyrin që kërkon më shumë vëmendje nga deputetët demokratë ndaj problematikave rinore. Ata presin nga FRPD të bëhet pjesë e programit elektoral të Partisë Demokratike, duke nxitur përmirësimin e alternativës sonë qeverisëse, por dhe inovacionin e mendimit tonë ideologjik.
Një komb pa rini është një komb pa të ardhme. Të rinjtë e zgjedhur në Kryesinë e FRPD sot morën përsipër përgjegjësinë e një barre jashtëzakonisht të rëndë – të bëhen përfaqësues të shpresë-humburve…
Ndaj pikë së pari, në mënyrën më urgjente dhe gjithëpërfshirëse, të gjithë së bashku, duhet të investohemi të kthejmë shpresën tek të rinjtë shqiptarë, të frymëzojmë atdhe-dashurinë, të ngjallim besimin që jemi në nivelin e detyrës.
T’i frymëzojmë të rinjtë të na bashkohen jo duke u premtuar vende pune. Por duke i bërë pjesë e një aventure dhe ekipi që i jep përgjegjësi, që i dëgjon dhe që i mbështet jo vetëm për të mbushur salla e duartrokitur folësin e radhës. Ne, të rinjtë demokratë, duhet të promovojmë lirinë dhe meritokracinë.
Lirinë për të menduar dhe për t’u shprehur ndryshe nga njëri-tjetri, lirinë për të debatuar, lirinë për të vepruar, për t’u angazhuar dhe për të filluar çdo aksion të mundshëm në shërbim të kauzës, dhe kur nuk jemi autorë të saj. Vetëm kjo lloj lirie do të mundësojë që secilit t’i njihet merita, dhe të promovohet në bazë të investimit individual. Konkurrenca e lirë është gur themeli ynë.
Të jemi modest në të përditshmen mes nesh, duke mos harruar kurrë që politika është një profesion ku jemi ne që u shërbejmë të tjerëve, dhe jo ku të tjerët na shërbejnë neve.
Të ndjekim modelin, vizionin dhe strategjinë e Kryetarit Basha, i cili po sjell standarde të jashtëzakonshme të demokracisë së brendshme, të profesionalizmit dhe të kurajos politike, duke propozuar platforma e zgjidhje konkrete, pavarësisht presioneve fizike, diplomatike apo verbale që mund ta shënjestrojnë.
Të mësojmë nga dy dekadat e shkuara nën lidershipin Berisha, duke shkëmbyer sa më shumë me ata që na kanë paraprirë, duke u konsultuar me ta, duke i respektuar dhe duke i ndjekur në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një qeverisjeje të djathtë.
Përveç shpresëdhënies, ne, të rinjtë demokratë duhet t’i përgjigjemi një tjetër pyetjeje po kaq të rëndësishme: Çfarë do të thotë, për një të ri sot në Shqipëri, të jesh demokrat? A duhet të jesh nga një familje e persekutuar? A duhet të jesh sipërmarrës? Apo  duhet të jesh liberal, dhe të mbrosh tezën që sektori privat bën gjithçka më mirë se publiku, përfshi në arsim, shëndetësi apo infrastrukturë?
Nganjëherë është e vështirë të plotësosh të gjitha kriteret njëherazi ndaj i takon Kryesisë së re të FRPD-së të diskutojë mbi to. Të thuash se disa të rinj janë më shumë demokratë se disa të tjerë, është e vështirë për t’u pranuar nëse vota e tij është blu.
Ndaj, sekretariatet dhe departamentet duhet të pranojnë të diskutojnë me çdo të ri mbi dyshimet që ata mund të kenë dhe ideologjinë tonë të djathtë. Të mos harrojmë kurrë se të qenurit demokrat, nënkupton në radhë të parë lirinë e çdo individi për të menduar ndryshe. Të mos kërkojmë me çdo kusht konformizmin e mendimit sesa ballafaqimin e ideve.
Vetëm hapja ndaj të rinjve – afrimi i tyre dhe shkëmbimi me ta, dhënia përgjigje ndaj çdo pyetjeje që ata mund të ngrenë, pavarësisht faktit nesë mendojnë ose jo si ne – do të na mundësojë zgjerimin e bazës sonë elektorale. Një detyrim dhe një objektiv kaq i nevojshëm për të kaluar nga statusi i një partie opozitare në atë të një force politike qeverisëse.
Ndaj përtej çdo hierarkie, niveli formimi, moshe apo origjine, të pasqyrojmë përherë mirësjellje dhe mirënjohje ndaj tjetrit. Askush nuk duhet të paragjykohet dhe çdo mendim i dhënë meriton të dëgjohet. Nga vënia në jetë e parimit një anëtar një votë deduktohet dhe një parim i dytë. Të rinjtë e sapo zgjedhur janë të parët mes të barabartëve ndaj çdo zë rinor që kërkon të shprehë diçka duhet dëgjuar me modesti.
Sfida më e madhe do të jetë padyshim ajo e ambicies që dëshirojmë t’i japim Forumit Rinor. Duke ruajtur karakteret dhe individualitetet e gjithsecilit, të gjithë së bashku, nga anëtari më i thjeshtë e deri tek më i larti, ne duhet të ushqejmë një ambicie pozitive….
Duhet të kemi kujdes nga thashethemet. Ceni më i keq kur angazhohesh në politikë, dhe kjo ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri. E vetmja mënyrë për t’i menaxhuar ato është të injorohen plotësisht. Të flasim për punën dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve tonë, jo për jetët private të tyre. Çdo keqkuptim mund të parandalohet krejt lehtësisht, duke analizuar strategjitë e aprovuara dhe planet e shkruara, jo fjalët në ajër dhe hamendësimet e kafeneve.
Duhet të jemi kolegjial, duke synuar sa më shumë një vendimmarrje që është njëherazi kolektive (kryesia mund të diskutojë çdo gjë), solidare (çdo aksion është përgjegjësi kolektive, askush nuk braktiset rrugës) dhe e bashkuar (individualitetet mundësojnë përparimin vetëm nëse shprehen brenda kornizave të pranuara bashkarisht).
Të lexojmë sa më shumë libra e artikuj dhe takojmë dhe më shumë të rinj në të përditshmen tonë. Në një kohë gangsterësh, të rinjve u duhen modele morale pozitive që t’i lartësojnë, t’i frymëzojnë, që shkëmbejnë mbi risi, inovacione e ide moderne. Rinia shqiptare duhet të ketë besim se të rinjtë demokratë janë paravijë. Ata duhet të na ndjekin jo se premtojmë vende pune (dhe aq më pak pse organizojmë shkuma parti apo ofrojmë pije falas), por se Partia Demokratike u ofron një alternativë qytetare..
Të punojmë sa më shumë mbi strategji të formalizuara e mirëmenduara, që dalja në terren të jetë sa mirë organizuar, pa surpriza, pa risqe e që çdo takim të jetë unik. Vetëm kështu mund të nxjerrim maksimumin nga çdo formë opozitarizmi si në Facebook, në rrugë, në shkolla e universitete.
Të nxisim shkathtësinë intelektuale, por dhe atë fizike. Po aq rëndësi sa dhe cilësia sesi shprehemi në emër të Partisë Demokratike, mund të ketë në disa raste dhe mbajtja e karrigeve apo ecja me orë të tëra deri sa dhe broshura e një-mijtë, më sfilitësja dhe e fundit të mos shkojë dëm.
Duke kërkuar standardet më të larta në gjithçka dhe nga gjithkush, mund të krijojmë një frymë unikale. Të rinjtë janë dinamikë, krijues, optimistë, inovues, sfidues – këto trajta nuk duhen humbur kurrsesi nga krijimi i kufijve territorialë mes sekretariatesh e departamentesh. Është turp të kesh turp për të kërkuar më shumë informacion, për të propozuar alternativa, për të sjellur risi.
Duhet të promovojmë punën tonë, jo vetveten. Duhet të promovojmë sekretariatet dhe departamentet tona, jo vetëm profilet tona Facebook. Kurdoherë puna flet vetë.
Qokat janë të panevojshme nëse fuqizojmë meritokracinë, në baza transparence, konsultimesh e kriteresh të njohura dhe të miratuara nga të gjithë. Nuk mund kurrsesi të ngjallim shpresë e besim tek elektorati ynë rinor, nëse bëhemi një pasqyrë e gënjeshtërt të një realiteti që nuk e zbatojmë vetë.
Dhe së fundmi, të mos synojmë të gjithë të bëheni shtetarë e nëpunës civilë. Nëse besojmë tek taksat e ulëta, atëherë të besojmë dhe tek shanset që jep sipërmarrja, duke u bërë të tillë. Nëse besojmë tek paprekshmëria e pronës, atëherë t’i japim vlerë asaj, duke e punuar dhe e modernizuar atë. Nëse besojmë tek liria e fjalës, atëherë ta mbrojmë, duke e ushtruar atë më fort nëpër media e televizione. Nëse besojmë tek një Shqipëri e djathtë, nëse besojmë tek potencialet e saj, nëse besoni tek historia e saj, atëherë
Urime dhe një herë të gjithë të rinjve të zgjedhur në pozicionet e Kryesisë së FRPD. Fondacioni për Liri dhe Demokraci do të jetë përherë në shërbim të fuqizimit tuaj, pasi, NE, të gjithë jemi, Rinor & Demokrat!

Autori, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri dhe Demokraci

Shqipëria, udhëtim në “Kanabistan”, aty ku droga rrit ekonominë

Nga Tiziana Colluto

“E sheh se si jemi katandisur? Duhet të presim sa të mbledhim kanabisin për të shitur ndonjë gjë”. Zonja Ana e ngre shikimin, ndërsa është duke mbajtur shënime. Ajo e di se pavarësisht gjuhës ne e kemi kuptuar se çfarë po thoshte burri që sapo iku.
“Disa kohë më parë, na kishte thënë që t’i mbanim një pallto që do ta paguante me lekët që do mblidhte nga shitja e drogës. Menduam se po tallej me ne dhe ne ia dhamë dikujt tjetër. Por më pas në fakt u kthye me paratë. Tani është duke zgjedhur një dhomë gjumi. Na u lut që ta prisnim deri në korrjet e ardhshme.
Libri i borxheve është i mbushur plot deri në pritje të korrjes së ardhme. Kohët e fundit, ritmi i jetës dhe i ekonomisë është i lidhur me fatin e kanabisit. “Në të gjithë fshatrat këtu vërdallë prodhohet kanabis. Nuk kemi ç’të bëjmë vetëm të rrimë e të shikojmë. Kjo është ekonomia tani”, thotë Ana, që pasi ka jetuar për shumë vite në Itali ka ardhur sërish në Shqipëri, ku drejton një dyqan mobiliesh.
Në Vlorë, vjeshta ka filluar që të ndihet, pavarësisht tavolinave që janë jashtë në trotuarë dhe që rrinë plot. Siç i thonë shqiptarët, Vlorë, që çdo vit ndryshon, punohet në lungomare sheshe dhe tani edhe rrugë të mira deri në qendrat e banuara. E reja vazhdon të ecë.
“Këto janë investime të privatëve. Një thes me para. Shumë prej tyre i kanë bërë prej barit. I shikon? Këtu poshtë kanë edhe depozitat ku sjellin kanabisin para se ta nisin për në Itali.
Ndërsa drejton makinën, Miri na tregon pallate të rinj bosh, 10, 15 katësh që mbijnë si kërpudha në vend të lagjeve të vjetra dhe shtëpia të ulëta me tjegulla.
Por kjo nuk është thjeshtë çështje biznesi. “Një miku im paguan universitetin e vajzës në Tiranë, një tjetër u dërgon para nipërve që kanë mbetur në Itali. Na ecën mirë, sepse ajo që na mbetet e shpenzojmë për vete”, vazhdon ai duke buzëqeshur, sepse në një farë mënyrë edhe ai është një biznesmen.
Në Shqipëri, një pjesë e madhe e gjendjes sociale dhe ekonomisë ishte e garantuar nga të ardhurat prej emigrantëve, kjo deri disa vite më parë, sepse tani është kanabisi që garanton ekonominë.
E pranon edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke folur për ilfattoquotidiano.it: “Lufta ndaj drogës nuk mund të jetë një luftë vetëm e policisë, por duhet që të luftohet fenomeni. Varfëri dhe papunësi shtyjnë fshatarët, shpesh në zona të varfëra që të kultivojnë kanabis që të bëjnë edhe ata para në mënyrë të lehtë”.
Por bujqit ama janë të fundit dhe unaza më e dobët e zinxhirit të trafikut të kanabisit. Këtë po e tregojnë edhe hetimet e bëra nga Prokuroria italiane: Truri i trafikut të drogës është në Shqipëri dhe është në gjendje që të drejtojë korridoret e drogës deri në destinacionin final, duke bërë pazare edhe me mafian e vendeve ku shkojnë.
Para për të gjithë. Nga ana tjetër edhe diçka më shumë: Akuzat për korrupsion të oficerëve të policisë së qeverisë së Edi Ramës nga debatet parlamentare kanë dalë në rrugë.
“Ky vend quhet Kolumbia e Europës”, thotë Petraqi, i cili është duke lexuar një gazetë, ndërsa flet për Sali Berishën, ish-kryeministrin që u largua tre vite më parë.

Shullazi, me pistoletë në bark e duart në fyt Beqes

Zbardhen të tjera detaje nga dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja kundër Emiliano Shullazit dhe bandës së tij. Biznesmeni ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se Shullazi e ka kërcënuar me pistoletë në kokë përpara noteres për t’i marrë 30 për qind të pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Kërcënimi ka ndodhur, kur ata kishin shkuar në një zyrë noteriale në Durrës, për të regjistruar në emër të Shullazit 20% të pronësisë së hotel “Vollgës”, siç ishte rënë dakord më parë për shkak se 40-vjeçari e kishte ndihmuar biznesmenin ta regjistronte pronën në Hipotekë. Kur po nënshkruanin kontratën, Emiliano Shullazi merr vesh se një pjesë e ish-hotelit është shitur tek familja Kodra për 700 mijë euro. Biznesmeni ka thënë se ai ka nxjerrë menjëherë një pistoletë, që e kishte me vete dhe ia ka vënë në kokë, duke i kërkuar paratë e marra nga familja Kodra dhe 10% të tjera të pronësisë. Biznesmeni ka pranuar të firmosë për t’i dhënë Shullazit 30% të pronës dhe të paguajë paratë kesh.
Në dëshminë e biznesmenit Beqja, thuhet se si përfaqësues i kompanisë arabe Suadi Brothers, prona e të cilëve është ish-hotel “Vollga” në Durrës kishte kontraktuar një avokat si përfaqësues ligjor nëpër gjykata. Por, duke parë se në fillim të vitit 2014, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit vendosen kundër kompanisë arabe, avokati i Beqjas, i kishte propozuar zgjidhjen e problemit të proceseve gjyqësore, duke kontaktuar Emiljano Shullazin. Takimin me këtë të fundit, sipas deklarimeve, ia kishte mundësuar avokatit, ku edhe janë takuar mbrapa pallatit nr.40 në rrugën e “Kavajës”. Takimi i parë, ka thënë Beqja është zhvilluar në makinë të blinduar të Shullazit, mbrapa pallateve në këtë zonë. Ylvi Beqja në deklarime thotë se pas përshkrimit të situatës, Emiljano Shullazi kishte pranuar të merret me problemin e tij, duke kërkuar 20% të pronës.
Edhe pse ishte një shumë e madhe, pranova thotë Beqja në deklarime se nuk kisha zgjidhje tjetër. Takimi i dytë, sipas dëshmitarit të drejtësisë është bërë në gusht, në zyrën e noterit ku është nënshkruar kontrata e premtimit, duke lënë si detyrë që me regjistrimin e pronës do merret Shullazi 10% dhe në përfundim të të gjithë proceseve gjyqësore edhe 10% tjetër. Por me regjistrimin e pronës në Durrës, Beqja i shet një sipërfaqe të caktuar të pronës shtetasit Fejzi Kodra me vlerë 671 mijë euro.
Me të kaluar kjo shumë në llogari bankare, i dyshuari Shullazi ndryshon qëndrim. Ylvi Beqja thotë se nga marrëveshja për kalimin e 20% të pronës, Shullazi me anë të kërcënimit dhe dhunës ka kërkuar të nënshkruajë një kontrate të re dhurimi, ku Beqja i dhuron edhe 10% të pronës, para një notereje në Durrës. Ai tregon momentin kur Shullazi i kishte vendosur pistoletën në bark dhe dorën në fyt, duke kërkuar që të firmoste kontratën e dhurimit. Në dëshmi Beqja, thotë se Shullazin e ndiqnin nga pas 15 deri 20 persona me makina të ndryshme, duke dhënë si detaje momentin e nënshkrimit të kontratës së re, noteren e detyruan të mbyllë qepenin e zyrës, deri sa të firmoste Shullazi kontratën.
Biznesmeni Beqja i ka dërguar personalisht rreth 400 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e ka paguar në 3 çeqe, të cilët janë tërhequr në bankë nga Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, në dhjetor të vitit 2015. Tërheqja e çeqeve prej tyre është provuar nga Prokuroria, në bazë të pamjeve filmike dhe disa dokumenteve të tjera të bankave ku është bërë tërheqja e parave. Për pjesën tjetër të dëshmisë pritet të merret në pyetje edhe noteri, para të cilit ka ndodhur kërcënimi, siç pretendon biznesmeni.

Drogë e armë nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë

Pas Italisë, trafiku i armëve dhe drogës nga Shqipëria vijon edhe drejt Greqisë. Policia e Selanikut bëri të ditur dje se, ka goditur një organizatë kriminale që trafikonte drogë dhe armë nga Shqipëria në Greqi. Autoritetet dokumentuan veprimtarinë dhe identifikuan 8 pjesëtarë të organizatës, 4 shqiptarë dhe 4 grekë të moshës 24-51 vjeç. Siç rezulton nga hetimet, nën urdhrat e drejtuesit të grupit, ishte 33-vjeçari shqiptar, Enkeledi Myrte, i cili më 15 maj të këtij viti ishte arratisur nga burgu grek. Sipas Policisë së Selanikut, nga fundi i muajit maj 2016, u krijua një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës dhe armëve. Konkretisht, gjatë periudhës qershor-korrik 2016, u kryen 4 transporte të paligjshme, gjatë të cilave u trafikuan nga Shqipëria në Greqi rreth 48 kg marijuanë, 3 kallashnikovë, një pistoletë, 318 fishekë dhe 1 granatë.
Pas operacioneve të organizuara nga Antidroga e Selanikut, u arrestuan 3 grekë në zonën e Ptolemaidhas dhe Selanikut, ku u sekuestrua edhe një sasi droge. Gjithashtu, në gusht 2016, në një zonë të Shqipërisë, u arrestuan nga policia shqiptare, kreu i organizatës kriminale dhe një 42-vjeçar shqiptar, të cilët ishin arratisur bashkë nga paraburgimi i Selanikut. Atyre iu sekuestruan nga policia shqiptare 3 kallashnikov, 1 pistoletë, 318 fishekë dhe 3.3 kg marijuanë.
Pasi ka shqyrtuar ngjarjet e disa muajve më parë, të lidhura me njëra-tjetrën, Shërbimi i Antidrogës ka mundur vetëm ditët e fundit të identifikojë tërë pjesëtarët e organizatës dhe të dërgojë dosjet e tyre në prokurori. Katër prej anëtarëve, që të gjithë shtetas grekë, ishin arrestuar në dy operacione të njëpasnjëshme, në muajin qershor.
Pas hetimeve, policia ka verifikuar lidhjet e tyre me drejtuesin e grupit, një shtetas shqiptar, i cili ishte arratisur nga qelitë e gjykatës së Selanikut në muajin maj ndërsa ishte arrestuar në Shqipëri, në muajin gusht. Bashkë me të ishte arrestuar edhe një bashkatdhetari i tij, gjithashtu pjesëtar i organizatës. Bëhet se pas arratisjes, tre pjesëtarë të organizatës, bashkëpunuan në transportin dhe fshehjen e 33-vjeçarit shqiptar gjatë qëndrimit të tij në Greqi.

Sekuestrohen 174 kg drogë në Igumenicë

Policia greke sekuestroi të dielën 174 kg marijuanë në Igumenicë. Operacioni është zhvilluar gjatë paradites në rrugën rurale Filat-Igumenicë, ndërsa bëhet e ditur se, droga ishte futur nga Shqipëria. Droga që ishte e ndarë në 90 pako u gjet në një mjet që drejtohej nga 44-vjeçari Alket Dhroso nga Saranda, i cili u arrestua nga policia. Marijuana kishte si destinacion tokën greke. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë nga Antidroga e Igumenicës. Në kërkim janë edhe tre të tjerë që ende nuk janë kapur, pasi Alket Dhroso nga Saranda ka deklaruar se drogën e kanë kaluar nga mali 6 persona dhe ai ka shkuar e ka marrë me makinë. Policia greke nisi një operacion të madh në kufi me Shqipërinë pas arrestimit të Dhrosos me 174 kg marijuanë, në rrugën rurale Filat-Igumenicë.

29 kg kokainë në Greqi, në pranga dy shqiptarë

Një sasi prej 29 kg kokainë u sekuestrua nga policia greke dy ditë më parë, ndërsa detaje të reja dalin në dritë. Sasia e lëndës narkotike ishte trafikuar nga Holanda në drejtim të Greqisë, ndërsa trafiku ishte kryer nga karteli i drogës “Cali” në Kolumbi. Lënda narkotike kishte “markën” e kompanisë së njohur të modës “Louis Viton”, ndërsa synimi ishte shpërndarja në lagjet më të “mira” të Athinës.
Kokaina me cilësi të lartë dhe e pastër ishte trafikuar nga shqiptarë dhe grekë, të cilët kishin qasje në kokainën kolumbiane që transportohej në Evropë direkt nga Amerika Latine. Pas përgjimeve të kryera nga policia greke, u zbulua se në trafik ishin përfshirë të paktën dy grekë, pronarë të një kamioni si dhe dy shqiptarë nga Korinthi. Kamioni me sasinë e lartë të kokainës u gjet në Portin e Patras, ndërsa midis të arrestuarve ishin edhe dy shqiptarë, një 31-vjeçar dhe një 33-vjeçare.

Kapen 10 mushka që transportonin drogë në Greqi

Në fshatin Rakickë të Korçës janë gjetur 10 mushka që dyshohet të jenë futur kontrabandë nga Greqia. Të paktën për këtë vepër penale janë referuar materialet në Prokurori, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burime nga policia thonë se, ka dyshime që këto kafshë të jenë përdorur për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë, një metodë kjo e përdorur disa herë në kufirin greko-shqiptar nga trafikantët. Dyshimin për përdorimin e këtyre kafshëve për drogë e shton edhe fakti se sasi të mëdha kanabisi janë kapur gjatë javës së fundit nga autoritetet greke dhe janë arrestuar disa shqiptarë.

19 kg kokainë destinacion Durrësin bllokohen në Itali

Plot 19 kilogramë kokainë e pastër është sekuestruar në Portin e Gioia Tauro të Italisë fqinje. Droga u gjet në një operacion të përbashkët të Guardia di Finanza të Reggio Calabria, sëbashku me punonjësit e doganës. Sipas “Rai News”, kokaina ishte e ndarë në 17 pako dhe çmimi i saj në treg shkonte deri në 4 milionë euro. Policia italianë bëri të ditur se, droga u gjet e fshehur në një konteiner që transportonte pula të ngrira që vinte nga Brazili dhe kishte si destinacion Durrësin.
Ende nuk jepen detaje të mëtejshme rreth personave të arrestuar në këtë operacion ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Reggio Calabria cilësohet si një nyje kyçe në këtë trafik. Vetëm në Portin e Gioia Tauro-s janë sekuestruar mbi 1100 kilogramë kokainë e cilësisë së parë, që nga fillimi i këtij viti.

64 kg drogë kalon nga Porti i Vlorës, kapet në Brindizi

Kapet në Brindizi me 64 kg hashash të futur në makinën e tij një 27-vjeçar. I riu nga Vlora ishte nisur me tragetin e linjës dhe kishte futur në makinë 64 kilogram hashash. Policia italiane e ndaloi atë, pasi vuri re disa lëvizje të dyshimta që ai po bënte me makinë. Kur i kanë bërë shenjë të ndalojë, ai ka tentuar të largohet, duke dalë me shpejtësi nga makina. Efektivët e policisë e ndaluan dhe në bagazhin e makinës gjetën 11 pako me 64 kg hashash.

Kapen me 16 kg drogë në Itali

I buzëqeshi dhe përshëndeti përzemërsisht agjentët e policisë për të mos e ndaluar, por në makinën e tij u gjetën 16 kg marijuanë. “Trafikanti” ishte duke udhëtuar me nipin tij, të dy shqiptarë, kur u ndaluan nga policia rrugore e Arezzo-s në Itali në autostradën A1, pranë Civitella in Valdichiana (Arezzo), raportojnë mediat lokale. Droga u gjet në bagazhin e mjetit, e futur në një valixhe dhe e ndarë në 16 paketime, të mbështjella me celofan. Xhaxhai që drejtonte mjetin punonte për një kompani që ndihmonte ata që kishin automjetet e bllokuara dhe ishte i bindur se efektivët nuk do ta ndalonin.

Dy shqiptarë kapen në Itali me kokainë

Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Raguzës në Itali për shpërndarje droge. Siç raportojnë mediat lokale italiane, dy emigrantët shqiptarë janë Kristal Malaj, 23 vjeç dhe Elzen Aliaj, 26 vjeç. Dy të rinjtë janë vënë në pranga, pasi agjentët e San’t Anna, kontrolluan automjetin e tyre tip “Suv” dhe gjetën disa gramë kokainë dhe disa kartëmonedha 20 euroshe. Ndërsa pas kontrollit të policisë, në banesat e dy shqiptarëve janë gjetur mjete që përdoreshin për matjen dhe paketimin e drogës.

Sekuestrohen 343 kg kanabis në Fier

Plot 343 kilogramë kanabis sativa janë sekuestruar gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në Fier, ndërsa në pranga janë vënë 11 persona, 3 janë proceduar penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Fierit deklaron se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Gryka”, ku përveç 343 kg kanabis janë sekuestruar 425 fara kanabis, një armë zjarri gjysëm automatike dhe 75 fishekë model 56.
Droga është sekuestruar në banesat disa prej personave të arrestuar, ndërsa baza për prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike shërbente shtëpia e një 81-vjeçari i cili është shpallur në kërkim.
Operacion është kryer pas një hetimi disa mujor me metodat speciale të hetimit nga Prokuroria, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim edhe me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Përgatiti
Rexhep POLISI

Berisha denoncon në Crans Montana shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbi të Europës

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar në Forumin e Crans Montanës politikën e shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të Europës! Në këtë forum, Berisha kryesoi seancën kushtuar krizës së refugjatëve dhe mori fjalën në seancën e sigurisë globale, si dhe u takua me personalitete të shumta të pranishme në forum.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se politika shtetërore e qeverisë aktuale e kanabizimit të vendit, ka shndërruar Shqipërinë në një Kolumbi në zemër të Europës. “Lidhjet e ngushta të kreut të ekzekutivit dhe anëtarëve të kabinetit me krimin dhe megaaferat korruptive, të cilat kanë bërë sot që Shqipëria të qeveriset nga një organizatë kriminale, që ka shndërruar Shqipërinë në një gjenerator kryesor azilkërkuesish dhe në një Kolumbi në zemër të Evropës” është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij.
Në fjalën e tij në seancën e sigurisë globale, seancën e krizës së refugjatëve dhe në takimet e tij ndër të tjera theksoi se ndërhyrja ushtarake ruse në Siri në mbështetje të diktatorit Asad është e provuar se jo vetëm nuk përmirësoi, por ka përkëqesuar situatën.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Berisha pati një takim të veçantë me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, mikun e shquar të Shqipërisë, Josef Daul, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, por dhe në rajon. Gjithashtu, një takim të veçantë ai e zhvilloi edhe me Festim Halilin, zv.Kryeministri i Maqedonisë, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet në dy vendet tona.
Forumi këtë vit i kushtohej çështjeve të sigurisë globale, krizës së refugjatëve, zbatimit të ligjit dhe shtetit ligjor, Rrugës së Mëndafshit, impaktit të madh të saj në tregtinë botërore dhe direkt në 64 vende.

Dhunohet pllaka përkujtimore e dëshmorit 14-vjeçar të demokracisë

Pllaka përkujtimore e dëshmorit 14-vjeçar të demokracisë, Spartak Deliu është dhunuar nga persona të panjohur për policinë. “Kjo pllakë është vendosur në nderim të veprës së dëshmorit të demokracisë Spartak Deliu, të cilit iu mor jeta në moshën 14-vjeçare, në rrugën e “Kavajës”, përballë Ministrisë së Punës, në vendin ku u ekzekutua nga komunizmi në ikje, në vitin 1991. Ç`po ndodh me të? As të vdekur s’po e lënë rehat.
Mbi këtë pllakë përkujtimore ka kohë që ka filluar procesi i shkatërrimit. Arsyen e dinë ata që kanë një plan për të fshirë heroizmin e tij nga kujtesa dhe njëkohësisht për të shprehur me dhunë ndjenjën e revanshit dhe hakmarrjes. Sepse është e sigurt, që ata që e duan demokracinë nuk vënë dorë mbi të për ta prishur”. Kështu shkruhet në statusin e gazetarit Edi Deliu, i cili është edhe i vëllai i të ndjerit. Deliu u bën thirrje njëkohësisht kolegëve gazetarë dhe politikanëve, që të denoncojnë një akt të tillë të shëmtuar dhe të rrezikshëm.