Nga fitorja fantastike ndaj Juventusit te sfida ndaj Genoas, për Milanin nuk ka kohë për të festuar. Seria A rikthehet këtë të martë me javën e 10 që do të nisë pikërisht me sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Marassi” mes Genoas dhe Milanit. Falë fitores ndaj bardhezinjve 2 pikë është diferenca në klasifikim mes kuqezinjve të Vincenzo Montellës dhe Juventusit. Milani është mundur tre herë në 4 ndeshjet e fundit ndaj Genoas dhe pikërisht skuadra nga krahina e Ligurias është një nga ato ekipe që gjithmonë u kanë hapur punë kuqezinjve.
Objektivi i 7-herë kampionëve të Europës në këtë sezon është kualifikimi në Champions League dhe ndeshja ndaj skuadrës së Juric do të shërbejë si një provë force që ky Milan me talente si Locatelli e Donnarumma i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një sezon të madh. 19 pikët në klasifikim nuk janë pak pas 9 javëve të para për një skuadër që nuk bëri ndonjë goditje të madhe në merkato, por siç e tha edhe trajneri Montella pas fitores ndaj Juves, kampionati fillon tani për Milanin e tij. Mungesat për Milanin në këtë sfidë janë ato të lojtarëve që mungojnë prej disa javësh si Montolivo, Bertolacci, Mati Fernandez, Antonelli, Zapata e Calabria. Montella ndërkohë pritet të ulë në stol Kuckën dhe Suson për t’u bërë vend në formacion, Polit dhe Hondës. Në krahun tjetër, trajneri i Genoas Juriç do të mbështetet te dyshja argjentinase, Ocampos-Simeone Jr për t’i bërë një surprizë të hidhur Milanit.
Milani kërkon fitoren e radhës në Xhenova
Atletico humbet kreun, Nzonzy nderon Sevillan
Atletico e Madridit humbi plot katër pozicione në Primera Division, pasi dështoi të merrte pikë në “Sanchez Pijszuan” ndaj Sevillas vendase. Në minutën e 73-të, Nzonzi depërtoi mes dy mbrojtëseve miq i asistuar nga Vietto dhe përbalë Oblak e dërgoi topin në rrjetë. Loc Colchoneros morën një tjetër goditje të rëndë 7 minuta më pas, pas ndëshkimit të Kokes me karton të kuq pas dy të verdhave.
Sevilla pati një tjetër rast të artë (84) për të shënuar një tjetër gol, gjithsesi finalizimi i Nzonzi u mjaftoi andaluzianëve për fitoren e 6-të në kampionat. Në El Madrigal Villareakli triumfoi 2-1 me përmbysje me La Palmas, që shkoi në dhomat e zhveshjes në epërsi të një goli që mban firmën e Kevin Pronce Boateng. Efeket. Në fraksionin e dytë barazoi rezultatin Sansone me 11-metërsh, ndërsa në kohën shtesë Bakambu i dha fitoren nëndetëses së verdhë.
Shpërthen Schalke, kalon 3-0 Mainzin
Tjetër rezultat pozitiv për Shcalke 04 pas atij fillimi katastrofë të sezonit. “Blutë Mbretërorë” shkatërruan 3-0 Mainzin në “Veltis Arena”, duke fituar të tjera pozicione në renditjen e përgjithshme. Bentaleb zhbllokoi rezultatin me një goditje të fortë brenda zonës në minutën e 23-të. Vendasit e gjetën sërish golin në fillim të pjesës së dytë me Meyer, që e pati të lehtë të tundtë rrjetën pas pasimit të saktë të Di Santos. Në të 62-ën një tjetër aksion model i Schalkes u mbyll me golin e Bentaleb, me Mainzin që e pati të pamundur për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes në minutat e mbetura.
Leipzig ruan vendin e dytë, “likuidon” Verderin
Skuadra e Leipzigut nuk i ndahet Bayernit të Mynihut në krye të Bundesligës. Debutuesit në elitën e futbollit gjerman mposhtën 3-1 Verder Bremenin në Red Bull Arena, për të rifituar vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm. Heroi Leipzigut në këtë sfidë ishte mesfushori nga Guinea Naby Keita, i cili realizoi një dygolësh, një në çdo pjesë, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Selke në limitet e kohës shtesë.
Në fund pjesës së parë 21-vjeçari Keita depërtoi me forcë në zonën e Verderit, duke e dërguar me lehtësi topin në rrjetë. I njëjti autor mposhti për herë të dytë portierin Wiedwald këtë radhë me kokë, i asistuar nga e majta nga Selke. Vetëm dy minuta më pasm Verderi shkurtoi diferencën në 2-1 me Gbabry në shtyllën e dytë, pas një kundërsulmi të shpejtë. Në limitet e kohës shtesë, ndërsa edhe portieri i Bremenit ishte në zonën e vendasve, Selke mbylli llogaritë me portën e boshatisur.
Arsenali shpreson te fitimi i titullit
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, në një takim me tifozët e klubit, ka treguar bindjen e tij se skuadra duhet të luftojë për të mbyllur sezonin me një kuotë mes 82 dhe 86 pikëve. Sipas tij, kjo kuotë do të ishte e mjaftueshme që të fitonte titullin kampion në Angli. “Topçinjtë” kryesojnë renditjen në kuotën e 20 pikëve, po aq sa kanë Mançester Siti dhe Liverpuli, ndërsa është luajtur thuajse një e katërta e ndeshjeve të kampionatit.
“Unë mendoj se, kemi një skuadër konkurruese në një kampionat ku ka shumë konkurrencë. Nëse e shihni tani, kemi 20 pikë, që do të thotë se kampionati do të vendoset mes 82 dhe 86 pikëve. Por çfarë kemi mësuar që nga fillimi i sezonit është se çdo ndeshje kthehet në një betejë dhe duhet të jesh absolutisht në maksimum për të fituar”, tha ai. Arsenali e ka kaluar dy herë në historinë e tij këtë kuotë maksimale pikësh që Venger i ka caktuar skuadrës që synon titullin. “Topçinjtë” mbyllën kampionatin me 87 pikë në vitin 2002, ndërsa regjistruan rekordin e tyre në vitin 2004, atëherë kur “të pamposhturit” mbyllën sezonin me 90 pikë.
Verratti, i pakënaqur me trajnerin
Fillimisht mbylli gojën me dorë në shenjë pakënaqësie ndaj trajnerit dhe më pas iu shfry zëvendësit të Unai Emery. Më shumë se barazimi 0-0 ndaj Marseille, në shtëpinë e Paris Saint Germain po bën zhurmë çështja “Verratti”. Në “Parc Des Princes” ku kampionët pritën skuadrën e Rudi Garcias, italiani zhvilloi një ndeshje poshtë pritshmërive, por ai nuk e priti aspak mirë vendimin për t’u zëvendësuar. “Çfarë do të thotë kjo? Ai mendon se unë luaj keq?”, mësohet t’i ketë thënë lojtari numrit 2 të stolit. Nervozizëm që reflekton situatën aspak të qetë në skuadrën parisiene që tashmë është e detyruar të qëndrojë në vend të tretë me 6 pikë më pak se Nice kryesuese.
Në Francë nuk e kanë humbur mundësinë për të kritikuar ashpër mesfushorin italian. “Nuk shënon gola, nuk jep asiste dhe nuk prodhon lojë, nëse dëshiron të largohet nuk ka asnjë problem”, deklaroi në një intervistë një nga opinionistët më influentë të futbollit francez, Daniel Riolo. Gjithsesi, në fund të ndeshjes, Emery tentoi të minimizonte gjithçka duke u shprehur se askush nuk është i lumtur kur ulet në pankinë. Gjithsesi, kriza te PSG nuk limitohet vetëm te Verratti sepse në të vërtetë as Matuidi nuk është i kënaqur me sjelljen e trajnerit. Me siguri shumë prej lojtarëve nuk janë të kënaqur me merkaton e verës duke lënë bosh vendin e Ibrahimoviç. Lojtari më i paguar në këtë sesion merkatoje ishte mesfushori Krychowiak, ndërsa përforcime të tjera që nuk kanë arritur të bindin janë edhe Jese e Ben Arfa që tashmë ka bërë gati valixhet për t’u larguar në muajin janar.
Paris Saint Germain arriti të fitojë në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 10 të League 1, duke i lënë rrugë të lirë skuadrës së Nice që arriti një tjetër sukses, këtë herë në fushën e Metz. Në “Parc De Princes”, ekipi i drejtuar nga Unai Emery priti Olympique Marseille në sfidën klasike të futbollit francez, por edhe pse e kërkoi golin me ngul, nuk arriti të shënonte. Rastet e pashfrytëzuara të Cavanit. Lucas Mouras dhe Di Marias mund të peshojnë në llogaritë përfundimtare të sezonit edhe pse është ende herët. Në krahun tjetër, Marseille i dhuroi një pikë trajnerit debutues Rudi Garcia, i cili e nis me këmbën e mbarë aventurën me skuadrën e tij të re.
Ligji i faljes së tatimeve, demagogji apo skemë falsifikimi?
Nga Flir Mosho
Ministri i Financave në daljen e fundit publike deklaroi nismën e re të rilindjes për atë që administrata ka prej disa muajsh që po e pompon si faljen e madhe të borxheve tatimore.
Falja e detyrimeve tatimore, në vetvete është një nismë sa e mirë aq edhe e keqe dhe partizanë të faljes ose luftëtarë të ideve shtetformuese kundra faljeve fiskale, kanë secili argumentet e tyre dhe ndeshen prej vitesh në një debat që nuk do e gjejë kurrë as fundin as fituesin.
Por nëse lexon atë që ka thënë ministri i Financave për nismën zemërgjerë të rilindjes, atëherë minimumi kupton që nuk do të ketë asnjë falje. As të madhe as të vogël.
Ministri i Financave deklaroi se do të falen detyrimet tatimore të pambledhshme të para vitit 2010, si dhe nëse ka do të falen interesat dhe gjobat për detyrimet 2011-2014…. nëse ka (?!).
Kaq tha ministri! Tani të mundohemi të kuptojmë çfarë në të vërtetë tha ministri, si dhe çfarë nuk tha.
Neni 103 i ligjit për procedurat tatimore ka përshkruar qartë procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm.
Së pari, ligji nuk lejon që të deklarohet si i pambledhshëm një pjesë apo i gjithë detyrimi tatimor (ku përfshihen interesat dhe gjobat), për të cilin nuk janë ezauruar dhe evidentuar të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor.
Pra së pari, ligji klasifikon si kategori boxhesh tatimore të pambledhshme vetëm ato që nuk kanë më se ku të merren.
Pastaj për klasifikimin si të pambledhshëm të një pjese ose të të gjithë detyrimit tatimor, njësia përkatëse e borxhit i paraqet një relacion me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, sipas të cilit evidenton, në përputhje me ligjin, çdo dokumentacion dhe veprim të kryer për mbledhjen e detyrimit tatimor.
Pra së dyti, ligji përcakton edhe dokumentacionin që do të vërtetojë zbatimin e ligjit.
Dhe së treti, ligji parashikon edhe rastet përjashtimore kur nuk mund të bëhet deklarimi і detyrimit tatimor si i pambledhshëm. Dhe ky është rasti kur ka prova të evazionit tatimor ose të mashtrimit.
Tani i vjen radha të analizojmë pak aktin me të cilin ministri do që të miratojë fshirjen. Ministri ka zgjedhur që fshirjen ta bëjë me ligj të posaçëm.
Por ligji i procedurave tatimore e ka parashikuar edhe autoritetin për miratimin e fshirjes. Deklarimi i pambledhshëm i detyrimit tatimor apo i një pjese të tij bëhet me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve kurse deklarimi i pambledhshëm i detyrimit tatimor apo i një pjese të tij, për shuma të barabarta apo më të mëdha se 5 000 000, lekë bëhet me urdhër të ministrit të Financave, sipas dokumentacionit dhe rekomandimit, dhënë nga administrata tatimore.
Ligji e ka trajtuar fshirjen e detyrimit tatimor si pjesë të rutinës të punës së administratës tatimore.
Pse qeveria e rilindjes po kërkon që të miratojë me ligj (që do të thotë me disa akte me vendimmarrje kolegjiale) një veprim që i takon me ligj ta bëjë sipas rastit drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve apo ministri i Financave?
Çfarë është kjo falja e madhe e shpjeguar si fshirje e detyrimeve tatimore, që reklamohet si akt shpirtgjerësie, por që nuk prek asnjë tatimpagues aktiv???
Dhe pse ministri i Financave e fut në procedura miratimi nga qeveria dhe Kuvendi, kur mjaftonte një akt individual i tij?
Çfarë do të fshijë realisht ministri i Financave me ligjin e faljes?
Po ndalem pak edhe tek dilema e ministrit për faljen e interesave dhe gjobave për periudhën 2011-2014 sepse për këtë thotë që do të bëhet vetëm “nëse ka”. Atëherë duke qenë se sigurisht ka, por dallojmë dilemën në deklarimin e ministrit, mund të arsyetojmë që edhe për këto po shikohet mundësia e deklarimit si të pambledhshme, sepse nuk besoj dot që dilema është vërtet dilemë prej ministri Financash.
Minimumi, e gjithë nisma është demagogji pragelektorale. Më shumë, do të mund të flasim kur të shohim tabelat dhe dosjet e plota të borxhit që do të fshihet dhe do të kuptojmë nëse jemi vërtet në një rast deklarimi si të pambledhshme të detyrimeve tatimore, të cilin ministri me një akt prej kavaljeri nuk po e bën vetë, por po ia përcjell Këshillit të Ministrave dhe më pas Kuvendit.
Interi thellon krizën
Frank de Boer sheh t’i lëkundet pozicioni i tij pas humbjes 2-1 të Interit në fushën e Atalantës. Trajneri zikaltër në përfundim të sfidës së Bergamos edhe pse shprehet se ndien besimin e drejtuesve, e pranon se ekziston mundësia që ai të shkarkohet para takimit të së mërkurës ndaj Torinos në “San Siro”. “Nuk e di nëse do të jem në krye të Interit deri të mërkurën, thjesht mund të punoj fort për ta kaluar këtë situatë. Tohir dhe Suning nuk janë këtu, është një moment i vështirë për të gjithë ne, veçanërisht për mua. Ndiej akoma besimin e drejtuesve”, u shpreh De Boer.
Megjithatë De Boer mendon se nuk duhen hedhur poshtë hapat pozitivë që ka bërë skuadra, pavarësisht rezultateve negative të javëve të fundit. “Në Bergamo është gjithmonë e vështirë, por Inter e dhuroi pjesën e parë. Në këtë fraksion luajti vetëm Atalanta. U përmirësuam gjatë pjesës së dytë, por duhet të luanin kështu që në fillim. Është shumë e vështirë kur humbet tri takime radhazi, megjithatë mendoj se mund të përmirësohemi. Njerëzit harrojnë shumë shpejt kur rezultatet janë të dobëta. Për mendimin tim kemi bërë hapa para, por kur rezultatet mungojnë gjithçka bëhet e vështirë. Na duhet një fitore për besimin tonë”, tha ai.
Interi vazhdon të jetë në krizë të thellë. Zikaltërit e drejtuar nga Frank de Boer regjistrojnë humbjen e tretë rresht në transfertën e Bergamos, ku Atalanta dominoi në lojë dhe rezultat. 2-1 fituan vendasit në fund të 90 minutëshit ku edhe një herë Etrit Berisha u aktivizua titullar dhe tregoi një formë të shkëlqyer, duke ndihmuar skuadrën e tij të rikthehej te fitorja pas 4 viteve ndaj Interit. Ishte Andrea Masiello ai që zhbllokoi sfidën që në minutën e 10.
Eder në minutën e 50 vendosi baraspeshën, duke krijuar iluzionin se Interi mund ta kthente këtë ndeshje. Pas disa tentativave të bllokuara nga Berisha, Atalanta fitoi një 11-metërsh në minutën e 88 të shndërruar në gol nga Pinilla. Një humbje që e zbret Interin në vendin e 13 të klasifikimit me 11 pikë, ndërsa Atalanta ngjitet në vendin e 8. Në sfidën tjetër mes Crotones dhe Napolit, skuadra e Maurizio Sarrit fitoi me vuajtje 2-1. Jose Maria Callejon shënoi golin e parë që në minutën e 17.
Manolo Gabiadini e la skuadrën me 10 lojtarë në minutën e 31, pasi u ndëshkua me karton të kuq, por pak sekonda më pas Napoli gjeti edhe golin e dytë me autor Nikola Maksimoviç. Crotone e ngushtoi diferencën në fund me golin e shënuar nga Aleandro Rosi. Një sukses që e ngjit Napolin në kuotën e 17 pikëve, ndërsa Crotone zhytet edhe më shumë në fundin e klasifikimit me vetëm 1 pikë në 9 javët e para. Në sfidën tjetër, Pescara u mund 3-1 nga Udinese. Ndeshjen ku Memushaj u aktivizua për 64 minuta, e zhbllokoi Theraux në minutën e 9. I njëjti lojtar dyfishoi në të 71-ën. Alberto Aquilani ngushtoi diferencën 3 minuta më pas. Ishte Duvan Zapata ai që vulosi fatin e takimit në minutën e fundit.
Pse degët më të kërkuara në universitete janë ende bosh?
Luciano BOÇI
Edi Rama mblodhi sot (dje) pedagogë, profesorë e akademikë, në atë që e quan bashkëbisedim, po ku flet vetëm ai për dy orë me radhë.
Sigurisht, si gjithmonë nuk përtoi t’i etikojë si të paaftë e të korruptuar duke i futur të gjithë në një thes. Në thesin e tij.
Nga takimi me elitën e vendit, Rama e degradoi atë në një tubim partiak.
I nisi fyerjet me Linditën e tij të Arsimit dhe i ndau pedagogët në miq e armiq, që kanë krijuar kaos dhe kanë mbjellë mediokritet.
Predikoi autonominë universitare, por i hoqi 2 orë pedagogët nga auditorët ditën e hënë, për t’u mbajtur një leksion të gjatë e po aq mediokër, politik. Rama dhe Lindita recituan edhe një herë para pedagogëve po të njëjtat mashtrime:
Na lavdëruan, me këmbëngulje të lavdërueshme sistemin hyrës të palavdi, në universitete, por nuk thanë pse degët më të kërkuara, si asnjëherë në këto 25 vite, si Stomatologji, Farmaci, Inxhinieri Mjedisi, Telekomunikacion etj., janë ende bosh.
U krekosën për ekselentët dhe meritën, por asnjëri nuk shpjegoi, pse më të mirët sot, si asnjëherë në këto 25 vite, u degdisën në degë të dorës së dytë.
Nuk dhanë as llogari për çorbën që gatuan, duke kufizuar lirinë e preferencës, vetëm e vetëm të çonin maturantët tek mullinjtë e privatit.
Rama dhe Lindita fshehën faktin se Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, vazhdon të akreditojë me shpejtësi rrufe programe për klientelën dhe politikën, pavarësisht se Agjencia britanike vazhdon të lëvrojë në terren me vandakët e letrave në duar.
Pasi i hoqën pagesat për p-time, pasi i reduktoi në maksimum pedagogëve të drejtën e orëve suplementare, shpërblimin për udhëheqet e temave e vlerësimin financiar për punën shkencore, u thotë se në nars, meqë hyjmë në fushatë, do i rrisë pagat.
Rama dhe Lindita mbetën sot përsëri, para pedagogëve, profesorëve e akademikëve.
Montella frenon euforinë: Të mendojmë për sfidën e radhës
Fitorja të shtunën në mbrëmje ndaj Juventusit në “San Siro” ka kthyer entuziazmin në shtëpinë e Milanit dhe me të drejtë ka ridimensionuar objektivat e kuqezinjve në këtë sezon. Me gjithë progresin e jashtëzakonshëm të skuadrës së tij, Vincenzo Montella preferon të shmangë euforinë kur pyetet për titullin kampion. “Duhet të frenojmë euforinë. Tifozëve u lejohet të jenë euforikë, ndërsa ne si skuadër duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ka shumë vend për përmirësime. Ndaj Juventusit morëm një fitore të bukur, e cila erdhi duke vuajtur dhe dhënë shpirtin në fushë, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Montella.
Ndeshja e radhës është ajo me Genoan në transfertë dhe për Montellën nuk ka vend për vetëkënaqësi apo shpërqendrim. “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ajo që di është që kjo e radhës do të jetë një ndeshje shumë e vështirë në një ambient të ashpër dhe ndaj një skuadre që lufton fort e luan mirë taktikisht”, tha trajneri i Milanit.
Në rast suksesi në “Marassi”, Milani do të jetë në krye të klasifikimit për të paktën 24 orë. “Juventusi është skuadër marsianësh, ka futbollistë të mëdhenj dhe një staf teknik shumë të aftë. Ne duhet të ruajmë qetësinë, sepse edhe sezonin e kaluar skuadra të tilla si Interi dhe Fiorentina gjatë fazës së parë morën kryesimin, por në fund e dimë të gjithë se si shkuan gjërat. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne nuk duhet ta humbasin kurrsesi këtë ekuilibër të hollë që ndal suksesin me dështimin”, përfundoi Montella.