8.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Seria A, ndryshime të së drejtës televizive?

Ka disa vite tashmë që Seria A nuk është më ajo e viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 dhe kriza financiare e nisur në 2008 i dha goditjen e fundit në rënien e lirë që ky kampionat kishte nisur në Europë. E në përpjekje për të tërhequr sa më shumë para, sidomos nga e drejta televizive, kampionati elitar i futbollit italian pritet të ndryshojë rregullat, duke filluar që nga viti 2018.
Më shumë ekskluzivitete, larmishmëri oraresh dhe një mënyrë e re dhe e ndryshme e shitjes së të drejtave në televizionet e platformat ndërkombëtare. Këto janë tri pikat që po diskutohen në forumin “Sporti dhe Biznesi” në Milano. “Në të shkuarën është favorizuar shitja në bllok, si platformë, ndërsa jashtë ka patur më shumë hapësira shitja për produkt, element që shtyn transmetuesit që të investojnë më shumë”, thotë Luigi De Siervo, administrator i Infront Italia, kompania që zotëron të drejtat ekskluzive në këshillimin e federatës italiane të futbollit për të drejtat televizive të Serisë A dhe B. Gjithsesi, deri më tani gjithçka është në fazën e diskutimeve dhe nuk dihet nëse do të ketë ndryshime apo jo, ndryshime që janë kërkuar me ngulm nga pjesa më e madhe e drejtuesve të klubeve “big” të Serisë A.

De Boer: Të fitojmë në Bergamo

Pas suksesit të rëndësishëm kundër Southampton, Interi rikthehet në kampionat dhe trajneri De Boer kërkon të fokusohet tërësisht te transferta e vështirë e Bergamos. Pas 2 humbjeve rresht, zikaltërit kërkojnë tre pikë dhe trajneri holandez nuk njeh rrugë të mesme. “Për mua është shumë e rëndësishme të luajmë të disiplinuar dhe të tregojmë shpirtin e ndeshjes së mesjavës. Duhet të përmirësohemi në lojën me top, por me dorën në frena. Një fitore do të na ndihmonte shumë dhe do të na jepte besim. Shpresoj që në fushë të shikojmë një skuadër me shpirt dhe jam i bindur se mund të largohemi me një rezultat pozitiv”, u shpreh De Boer.
Zërat për një largim të mundshëm nga stoli i Interit janë shtuar kohët e fundit, por De Boer nuk dëshiron të fokusohet në këtë çështje. “Unë kam si objektiv vetëm punën me stafin dhe lojtarët. Është e vetmja gjë që mund të bëj. Kam shumë besim tek të gjithë. Sipas opinionit tim, treguam rritje kundër Southamptonit, sidomos në mbrojtje. Duhet të përmirësohemi edhe më shumë, por mendoj se jemi në drejtimin e duhur”, tha ai.
Në fund, ai komenton edhe momentin aspak pozitiv që po kalon kapiteni Maur Icardi për shkak të polemikave në distancë me tifozët. “Ai ka shënuar shumë dhe tani që nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës krijohen polemika. Janë edhe mesfushorët ata që duhet të hyjnë më shpesh në zonën kundërshtare, sepse nëse Icardi është vetëm, për të bëhet më e vështirë”, përfundoi trajneri i Interit.

Fitore me vlera për Frankfurt

Frankfurt sheh Europën duke fundosur akoma më shumë Hamburgun në klasifikim. Eintracht fitoi 3-0 në transfertë ndaj formacionit të Gisdol, duke shfaqur një lojë të jashtëzakonshme që ishte vazhdimësi dhe e ndeshjes së fundit me Bajernin e Mynihut. Miqtë e drejtuar nga Kovaç bënë gjithçka mirë në Hamburg, duke gjetur epërsinë që në minutën e 35-të me anë të Holtby-t, që gabimisht e dërgoi topin në rrjetën e tij. Në pjesën e dytë ishte Shani Tarashaj protagonist, që realizoi dhe golin e 2-0 duke vulosur në kasafortë 3 pikët për të tijtë me një realizim fantastik. 9 minuta më pas, Seferoviç realizoi dhe të tretin për Eintracht që e mbylli me një goleadë këtë transfertë, duke u ngjitur në vendin e katërt në klasifikim, ndërsa vendasit vazhdojnë të rrëshqasin dhe më shumë në klasifikim.

Talenti shqiptar pret transferimin te Interi

Pas Rey Manajt, një tjetër talent kuqezi pret transferimin te Interi. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin, Fabio Sakaj. Mesfushori i Modenas është një prej yjeve të rinj që mbahen nën vëzhgim në Itali. Sezonin e kaluar, kur Hernan Crespo drejtonte stolin e skuadrës nga Emilia Romanja u mahnit nga potenciali i djaloshit shqiptar i lindur në Itali nga një familje emigrantësh.
Fabio Sakaj zotëron shpejtësi dhe teknikë të lartë në dribling, duke shfaqur të dhënat e një mesfushori të kompletuar, që përveç grintës dhe dinamizmit zotëron vizion të lojës dhe është mjaft i vlefshëm taktikisht për ekipin, sepse mund të luajë në të gjithë pozicionet në mesfushën e rreshtuar me 3 apo 4 lojtarë.
Të gjitha cilësi, të cilat e mahnitën Crespon, me ish-sulmuesin e famshëm argjentinas që gjatë sezonit të kaluar e aktivizoi në 8 ndeshje në Serinë B italiane. Në këtë sezon, me Modenan që luan në Serinë C, mesfushori kuqezi është shndërruar në titullar të padiskutueshëm dhe pret zhvillime nga Interi.
Në merkaton e janarit, zikaltërit fituan duelin me Sassuolon për shërbimet e talentit shqiptar, duke firmosur edhe një opsion që ende nuk e kanë ushtruar, për ta afruar Fabio Sakajn gjatë këtij sezoni. E ndërsa shpreson se së shpejti do të marrë një telefonatë për t’iu bashkuar sa më shpejt Interit, mesfushori pret edhe sinjale nga kombëtarja. Në tetor 2015 lojtari iu bashkua përfaqësueses së 17-vjeçarëve, e ndërsa grumbullimi me kombëtaret kuqezi të moshave është më i mundshëm, ëndërron që De Biasi ta marrë në konsideratë në të ardhmen e afërt.

Berisha shënon golin e fitores së Melburnit

Sulmuesi shqiptar i skuadrës australiane të Melburn Viktori ka arritur më në fund të shënojë golin e tij të parë në këtë sezon. Berisha, në minutën e 20, ka shënuar golin e parë në fitoren 1-2 të skuadrës së tij në transfertë ndaj Adelaide Junajtid. Ky takim ishte i vlefshëm për javën e 3-të të kampionatit australian dhe tashmë ekipi i Berishës numëron 4 pikë duke mbajtur provizorisht vendin e 5-të në kampionat.
Me këtë gol sulmuesi me origjinë nga Kosova, i cili ka luajtur më parë edhe për kombëtaren shqiptare, është afruar edhe më shumë drejt rekordit të golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në Australi. Ai tani numëron 82 gola duke qëndruar në vend të tretë, ndërkohë dy rekordmenët mbi të kanë shënuar 89 dhe 90 gola.

Hysaj tek United

Elseid Hysaj mund ta vazhdojë karrierën në një prej klubeve më prestigjiozë të planetit, pavarësisht faktit se rinovoi me Napolin vetëm pak ditë më parë. Edhe pse ka vetëm dy javë që rinovoi kontratën deri në vitin 2021, në dyert e Napolit mund të trokasin për të kërkuar Elseid Hysajn. Sipas mediave britanike, Mançester Junajtid po mendon për ta afruar mbrojtësin shqiptar që në merkaton e janarit.
Një prej portaleve më të ndjekur në Britaninë e Madhe, “Shoot.co.uk” zbulon emrin e shqiptarit në listën e dëshirave të Jose Murinjos. Sipas tabloidit, mbrojtësi shkodran është objektivi i parë i portugezit për krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ai do të kërkojë ta rrëmbejë nga Napoli që në muajin janar. “Hysaj është një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin italian”, shkruan tabloidi që shton se alternativa e 22-vjeçarit shqiptar është Florenzi i Romës. “Ai është vetëm 22 vjeç dhe po luan sezonin e tretë në Serie A. Numëron 43 ndeshje zyrtare me Napolin në të gjitha kompeticionet. Hysaj është një lojtar shumë i shpejtë dhe mund të luajë shumë mirë si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese.
Ai mund të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë të botës gjatë viteve të ardhshme”, shton më tej “Shoot”. Në fund, portali shton se Hysaj do të ishte një armë më shumë në dispozicion të Jose Murinjos, i cili kërkon të ndërtojë një mbrojtje të fortë për sezonet e ardhshme. Klauzola e largimit të shqiptarit nga skuadra e Napolit është vendosur 50 milionë euro pas nënshkrimit të kontratës së re vetëm pak ditë më parë.

Gabigol, De Boer nuk dëshiron të rrezikojë

U bashkua me Interin me bujë të madhe sepse ai është një nga talentet më premtues të futbollit brazilian, por gjatë javëve të fundit në Milano, sulmuesi nuk ka gjetur hapësirat që shpresonte. Çfarë po ndodh me Gabigol? I paguar 29 milionë euro, lojtari që tërhoqi vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane deri tani numëron vetëm 20 minuta në fushën e lojës. Ndeshja e vetme ku është aktivizuar ishte ajo ndaj Bolognas. Për trajnerin De Boer, braziliani ka ende nevojë për kohë, pasi nuk është ambientuar ende me futbollin europian. Trajneri holandez ka marrë përsipër rritjen graduale të sulmuesit brazilian, i cili po pranon me qetësi vendimin e tij.
De Boer është një ekspert në rritjen e të rinjve dhe këtë e ka treguar te skuadra e Ajaxit. Gabigol ka arritur ta bindë në stërvitje, pasi aftësitë teknike nuk i mungojnë, por për drejtuesin e stolit, aktivizimi titullar që në muajt e parë do të ishte një bast për të dhe për Interin, prandaj ai nuk dëshiron të rrezikojë në një moment kaq delikat. Një tjetër arsye është edhe fakti se gjatë muajve të fundit, ish-sulmuesi i Santosit ka pushuar vetëm një javë dhe lodhja në muskujt e tij ndihet. Ai ishte një nga protagonistët e Brazilit në olimpiadë ku fitoi medaljen e artë dhe turneu olimpik duket se i ka kushtuar shumë energji. Me pak fjalë, interistët duhet të presin ende edhe disa kohë për të shijuar klasin e djaloshit të artë të futbollit brazilian.

Mançester Siti gati të “shqyejë dyert” për Mesin

Shefi ekzekutiv i Mançester Sitit, Ferran Soriano, deklaroi dje se klubi anglez është gati t’i “hapë dyert sa më shumë të jetë e mundur” për Lionel Mesin nëse ky i fundit vendos të largohet nga Barcelona para fundit të karrierës së tij futbollistike. “Pleshti” shkatërroi Mançester Sitin disa netë më parë duke shënuar një tregolësh në suksesin 4-0 të skuadrës së tij në “Kamp Nou” ndaj ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.
Ky i fundit kishte bërë të qartë se ishte gati të priste krahëhapur argjentinasin dhe konfirmimi erdhi dje nga drejtuesi i Sitit, i cili beson se klubi do të ishte i pari në një radhë të gjatë pretendentësh për Mesin. “Mesi është lojtari më i mirë në botë. Nëse një ditë ai dëshiron të vijë te Mançester Siti, ne do të hapnim dyert sa më shumë që të ishte e mundur për të”, tha Soriano. Gjithsesi, ai konfirmoi se nuk ishte kontaktuar as lojtari dhe as përfaqësuesit e tij për t’i bërë një propozim konkret.
“Ka ndodhur shpesh që menaxherë të ndryshëm kanë telefonuar Barcelonën dhe u kanë thënë se kanë një ofertë nga Siti, e pastaj Barça na merr për të konfirmuar nëse është e vërtetë. Kemi një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi me Barcelonën. Jemi takuar gjatë verës me presidentin Bartomeu dhe kemi folur për lojtarët që na interesojnë, në mënyrë që të mos mashtroheshim nga menaxherë të ndryshëm”, deklaroi Soriano.

Wenger kërkon Niang te Arsenali

Arsene Wenger mendon seriozisht për Mbaye Niang. Trajneri francez është një admirues i sulmuesit të Milanit dhe e ka ndjekur që kur luante në radhët e Caen, por tashmë ka rikthyer interesimin për 21-vjeçarin që po impresionon këtë vit. Edhe në verë u përfol për një largim të sulmuesit francez drejt Premier League pasi e kërkonte Leiçester City, ndërsa tani do të jetë më e vështirë sepse te Milani besojnë shumë në aftësitë e Niang. Vetëm për një ofertë të parezistueshme mbi 30 mln euro gjërat mund të konkretizohen, ndërsa fjalën e fundit do ta kenë pronarët e rinj kinezë të Milanit.

Pep: Nuk e ndryshoj stilin e lojës

Pep Guardiola nuk ka ndërmend të ndryshojë dhe këmbëngul se do t’i qëndrojë besnik stilit të tij të lojës që i ka sjellë 21 trofe në shtatë vjet si trajner. Në konferencën për media para ndeshjes së të dielës ndaj Southemptonit në Premier Ligë, tekniku i Mançester Sitit thotë se pa gjëra të mira edhe në humbjen 4-0 në Barcelonë të mërkurën.
“Nuk kam ndërmend ta ndryshoj stilin tim të lojës. Kam fituar 21 tituj në shtatë vite. Në Barcelonë pashë shumë gjëra pozitive: Stons, Sterling, Gyndoan, De Brujn… Ishte hera e parë që ata luanin në Barcelonë dhe treguan goxha personalitet. Janë të rinj dhe kjo do t’u shërbejë për të ardhmen në klub dhe me Anglinë”, tha 45-vjeçari para gazetarëve.
Duke u rikthyer te disfata 4-0 ndaj ish-ekipit të tij, tekniku nga Katalunja komentoi: “Shumë skuadra që pësojnë gol në 20 minutat e para në Barcelonë dalin jashtë loje që para pushimit. Por ne u mbajtëm mirë dhe u përpoqëm të luanim derisa mbetëm me dhjetë lojtarë”.
Në atë ndeshje Guardiola la në stol mbrojtësin Kompani dhe sulmuesin Aguero, vendim për të cilin ka marrë një lumë kritikash. Ja si e arsyeton ai këtë zgjedhje: “Kompani nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Sa për Agueron, më duhej dikush që luan në qendër dhe De Brujn lëviz mirë me shpinën nga porta. Qëllimi ynë ishte ta mbanim topin në ‘Kamp Nou’. Fola me Agueron para ndeshjes dhe e kuptoi vendimin tim”.