S’mundesh me qenë patriot në Beograd, përderisa e shkatërron vendin tënd si Shqipërinë edhe Kosovën. Kështu ka thënë kryetari i “Nisma”-s për Kosovës, Fatmir Limaj në Rrokum Roll të Televizionit Rrokum.
Limaj ka thënë se disa njerëz në Qeverinë e Kosovës kanë xhelozuar dhe tutë se kush po e merr primatin në Rajon.
Ata që po shkaktojnë këto debate nga zyrat e Qeverisë së Kosovës nuk kanë interes shtetëror apo kombëtar, por janë interesa personale.
Limaj ka fajësuar Presidentin Thaçi se po bën lojë me këtë diskutim. Sipas tij, kjo lojë ka motivin e xhelozisë.
Limaj thotë se, nga kjo lojë, Thaçi don me dalë në fund si shpëtimtar, duke konsideruar se e kryen misionin e tij.
Limaj ka thënë se para 3 vjetësh, Presidenti Thaçi së bashku me kryeministrin e Shqipërisë dhe Serbisë kanë bërë marrëveshje, duke i bërë 15 deri në 20 projekte dhe duke vendos edhe nënshkrimet.
Limaj-Ramës: S’mundesh me qenë patriot në Beograd kur po shkatërron vendin tënd
Përmbytet sërish Lezha, qyteti izolohet nga uji
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar sërish përmbytje në qytetin e Lezhës mbrëmjen e djeshme. Qyteti është kthyer në një pellg të madh uji, ku janë përmbytur të gjitha rrugët. Sipas burimeve, rrugët dhe blloqet e banimit “11 janari” si dhe 11.2 hektarë janë mbuluar nga vërshimi i ujit. Për pasojë janë bllokuar hyrjet e pallatave, pasi niveli i ujit ka arritur në 40 cm. Situata sa vjen dhe përkeqësohet, ndërsa banorët kanë kërkuar ndihmë nga qeveria.
Ende pa u tërhequr uji nga reshjet e para dy ditëve, dje situata është përkeqësuar sërish. Dhjetëra shtëpi në Njësinë Administrative të Zejmenit janë të rrethuara nga uji, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura. E vetmja mënyrë për të lëvizur banorët është zbathur ose me mjete të rënda, pasi niveli i ujit në rrugë dhe oborret e shtëpive i kalon të 40 cm.
Banorët thonë se, është hera e tretë që përmbyten brenda tre javëve, ndërsa vërshimi i ujit u ka shkaktuar shumë dëme. “Jemi munduar t’i shpëtojmë të gjitha pajisjet, frigoriferin, lavatriçen, por pa ia arritur qëllimit, sepse shtëpia u mbush me ujë”, shprehet një banore.
Një ditë më parë në zonat e përmbytura ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike të Lezhës, Paulin Marku, i cili u njoh nga banorët me situatën e krijuar. “I bëj thirrje të gjitha institucioneve qëndrore e lokale që të marrin seriozisht këtë lloj shqetësimi. Kryeministri Rama para dy ditëve ishte në Troshan, kishte një takim me fermerët. Unë nuk do ta komentoj politikisht, pasi jemi në një situatë tepër delikate për familjarët në rrethin e Lezhës, por për fermerët, ai duhet të mbajë një qëndrim, sepse sot kanalet kryesore janë pa kullim”, u shpreh Marku.
Përmbytje të mëdha janë bërë edhe në zonën fushore. Tokat bujqësore të Zadrimës, Torovicës dhe Bregut të Matit janë nën ujë. Edhe në fshatrat e Zejmenit dhe Blinishtit situata është mjaft kaotike.
Në fshatin Gajush, shumë banesa janë nën ujë, ku niveli arrin deri në 50 cm. Paraditen e djeshme u bllokua dhe lëvizja, pasi rrugët u mbuluan nga uji. Banorët thonë se, asnjë përfaqësues i pushtetit qëndror nuk ka shkuar për ta parë situatën. “Asnjë qeveritar nuk ka ardhur. Jemi në gjendje të rëndë”, thonë banorët.
Betejë deri në rrëzimin e kartelit Rama të drogës
Kryetari i opozitës, Basha ka deklaruar gjatë takimit të Popullorëve Evropianë se stabiliteti i vendit është i rrezikuar nga karteli qeveritar i drogës dhe se largimi i Ramës është një parakusht i pandryshueshëm i opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Samitin e PPE që u mbajt në Maastricht, Holandë ku të pranishëm ishin liderë të rëndësishëm evropianë e përfaqësues të lartë të PPE, si Kancelarja Angela Merkel, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker, Presidenti i PPE, Joseph Daul etj.
Në këtë Samit një vend të veçantë ka zënë gjendja e jashtëzakonshme e kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Ky zhvillim dramatik është kthyer në një shqetësim për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, siç u evidentua edhe në diskutimet e mbajtura në Samitin e PPE nga përfaqësues dhe drejtues të institucioneve evropiane.
Në fjalën e tij, kryetari i opozitës Basha duke shprehur shqetësimin se të ardhurat e drogës do të përdoren, siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2015 dhe në ato të Dibrës, për të blerë vota, kërkoi mbështetje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“Për fat të keq një nga temat që dominoi në këtë Samit ishte Shqipëria, problemi i jashtëzakonshëm i drogës, i krimit dhe rrjedhojat që kjo ka për stabilitetin, për demokracinë e Shqipërisë dhe për stabilitetin rajonal dhe më gjerë për Europën. Në këtë kuadër jo vetëm prezantimi që unë bëra për situatën e jashtëzakonshme sa i përket kultivimit dhe narkotrafikimit, por edhe informacionet e dhëna nga personalitetet e pranishme në këtë Samit, që nga Presidenti Daul, përfaqësuesit e komisionit etj., tërhoqën vëmendje të madhe dhe u bënë subjekt i diskutimit të hollësishëm. Është e qartë se ajo që qeveria Rama përpiqet ta mbajë të fshehur, ta mohojë brenda Shqipërisë, tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë është kthyer në një problem të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.
Prova për këtë nuk janë vetëm artikujt e njëpasnjëshëm në mediat botërore, provë për këtë është shqetësimi i jashtëzakonshëm që zuri ky problem në Samitin e Partive Popullore Evropiane. Problemi i drogës, i krimit dhe i lidhjes së tyre me politikën janë tashmë në qendër të vëmendjes së Bashkimit Europian. Zgjidhja e këtij problemi kërkon vullnet politik, vullnet politik, të cilin Partia Demokratike, opozita, unë, e kemi, prandaj kërkojmë mbështetjen për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha kreu i PD.
Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, tha Basha, Partia Demokratike, alternativa që ne përfaqësojmë do t’i japë zgjidhje përfundimtare dhe të shpejtë këtij problemi me qëllim që të mos rrezikohen aspekte të tilla të ndjeshme për shqiptarët siç është lëvizja e lirë. Një të drejtë që mezi e fituam pas sakrificave dhe një pune të jashtëzakonshme dhe që sot padyshim vihet në rrezik nga karteli i drogës në bashkëpunim me qeverinë e Edi Ramës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha shtoi se kjo situatë është pasojë e kriminalizimit të shtetit nga Edi Rama dhe lidhjeve të tij me trafikantët. “Hashashizimi i Shqipërisë është një problem i shkaktuar, i rritur, i nxitur, i mbrojtur dhe i mbajtur në këmbë nga bashkëpunimi me krimin, që ishte risia që Edi Rama solli në zgjedhjet e 2013-ës, e forcoi në zgjedhjet e 2015-ës dhe sot e ka konvertuar në mbushjen e Shqipërisë me drogë”, tha Basha ndërsa vuri në dukje se moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit lidhet me projektin e Ramës për t’i përdorur kriminelët dhe trafikantët për të deformuar vullnetin e votuesve në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne kemi insistuar në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit sepse është pikërisht moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit që mban Artur Bushin në Krujë, Elvis Rroshin në Kavajë, me dhjetëra, me qindra të inkriminuar anembanë administratës shtetërore, në Policinë e Shtetit, në dogana, në tatime, në drejtori të ndryshme. Dhe janë këta individë me përkrahje e mbështetje dhe mbrojtje nga Edi Rama që kanë bërë të mundur shumëfishimin e sipërfaqes me drogë nga viti i kaluar në këtë vit dhe kthimin e Shqipërisë, siç u përmend sot në këtë Samit, në hambarin më të madh të drogës në Evropë, në Kolumbinë e Evropës” është shprehur Basha.
Nga ana tjetër, Basha ka bërë të ditur se situata dramatike në Shqipëri përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe stabilitetin në vend. Në takime me liderë e BE dhe PPE, Basha ka shprehur angazhimin e opozitës për një betejë të ashpër për ti dhënë fund sundimit të pushtetit të krimit e drogës.
“Shqetësimi padyshim ka të bëjë edhe me demokracinë, edhe me stabilitetin. Një vend ku pista avionësh ndërtohen për narkotrafikantët dhe përdoren nga narkotrafikantët, nesër nuk siguron dot standardet e NATO-s apo të një vendi normal sa i përket luftës kundër terrorizmit. Kjo është një infrastrukturë lehtësisht e konvertueshme nga në funksion të krimit të organizuar në funksion të terrorizmit.
Situata është dramatike dhe kërkon masa dramatike. Unë pata rastin të konfirmoj vullnetin e opozitës, të Partisë Demokratike, për t’iu përveshur një beteje të gjithanshme, totale me kartelin e drogës që sot qeveris Shqipërinë. Betejë, e cila mund të kurorëzohet me sukses vetëm me largimin e Edi Ramës, si parakusht për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fitoren e një alternative, e cila në vend që të bashkëpunojë me krimin dhe me drogën, do të shtypë krimin dhe drogën dhe do të rihapë perspektivën evropiane, zhvillimin, punësimin, punën e ndershme, të drejtën dhe lirinë e çdo shqiptari për të punuar dhe jetuar me djersën e ballit në vendin e tij”.
A.Shahini
Rama përgatit largimin e Metës e LSI nga qeverisja
Rama ka një strategji të qartë për të likuiduar LSI-në. Ditët e fundit po intensifikohen gjithnjë dhe më shumë lëvizjet e njëanshme politike të Ramës, por edhe të Metës nga ana tjetër. Ministrat duket sikur nuk janë në të njëjtën qeveri. Duket sikur kemi të bëjmë me dy qeveri. Tre ditë më parë, ministri i Drejtësisë kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë në luftën ndaj trafikut të drogës. Reagimi që ka ardhur nga PS ka qenë injorues. Kodheli i kujtoi Manjanit që të bëjë punën e tij, sepse ushtria është çështje serioze. Deklarata u pasua edhe nga një reagim tjetër i Tahirit, i cili po ashtu refuzoi që të pranonte si shqetësim çështjen e trafikut të drogës, madje ai shkoi edhe më tej, duke propozuar një paketë që premton lehtësira për trafikantët e drogës.
Mes PS dhe LSI ka qëndrime të ndryshme për një numër projektligjesh që do të mbërrijnë në Parlament gjatë ditëve të ardhshme. Një prej tyre është edhe ligji i plehrave. Meta ka bërë një hap përpara dje, duke deklaruar se ligji do të duhet të ndryshojë. Një gjë e tillë nuk ka sjellë reagim nga Rama, por ky i fundit ka deklaruar se kërkon që të votohet sërish i njëjti ligj kur Presidenti i ktheu në Parlament për rishqyrtim projektligjin.
Ilir Meta la të kuptohet se është tërhequr nga ligji i mbetjeve pas kthimit të ligjit në Kuvend nga Presidenti i Republikës. “Nuk kemi pse të miratojmë ligje konfliktuale dhe që ka dyshim në publik për to”, tha Meta, duke shtuar se “zgjidhja është konsultimi me direktivat e BE-së”.
Një pjesë nga fjala e tij
Meta: “Debati për ligjin për mbetjet është i kuptueshëm, pasi ka një rritje të interesit qytetar për mbrojtjen e mjedisit, në një vend si Shqipëria që kërkon të zhvillojë turizmin. Kemi insistuar për dialog me shoqatat e specializuara për 2 dekada në këtë drejtim. Nuk jam ekspert i mjedisit, por e kemi pranuar se duhen të marrim direktivat e BE. Nuk ka asnjë arsye përse të mos shterrojmë, të mos pranojmë një eksperiencë të thelluar të BE në këtë drejtim. Konfliktet për një çështje sensitive me një dyshim të përhershëm nuk janë pozitive.
S’jam naiv të besoj se për gjithçka do të kemi konsensusin, por besoj se çështja e mjedisit u takon të gjithëve. Ndaj nuk humbasim gjë nëse dialogojmë, marrim eksperienca. Qeveria nuk punon në kushte perfekte apo laboratorike, ka presione nga më të ndryshmet, interesa… Kemi dhe një klimë politike jo shumë konstruktive dhe të shëndetshme”, është shprehur Meta.
Rama ka njoftuar në darkë një tjetër lëvizje të tij që mënjanon tërësisht ministrat e LSI. Takimi i fundjavës që deri pak muaj më parë bëhej mes ministrave të PS dhe LSI tani do të shpërngulet në Gjirokastër ku do të jenë vetëm ministrat e PS.
Rama ndodhet në Gjirokastër, ku dje zhvilloi një takim me fermerët. Ndërkohë që për të dielën është planifikuar mbledhje qeverie vetëm me ministrat e PS, në një prej hoteleve të njohur të qytetit të gurtë. Nuk dihet arsyeja e mbledhjes së kabinetit qeveritar në qytetin e gurtë, ndërkohë që të njëjtat burime sqarojnë se Rama do të jetë në Gjirokastër deri ditën e hënë apo të martë. Ndërkohë, burime nga PS saktësojnë se në takim do të marrin pjesë edhe drejtues të PS-së nga i gjithë vendi, duke qenë kështu një nga takimet ku do të koordinohet për hapat që do të hidhen për zgjedhjet dhe situatën politike në vend.
Rama gjithnjë dhe më shumë po projekton një qeveri pa LSI-në. Trafikimi i votave në Parlament, joshja e partisë së çamëve nga Rama janë disa nga hapat që pritet të konkretizohen politikisht gjatë ditëve të ardhshme për një largim të LSI nga koalicioni qeverisës.
Enton DACI
Balili kalon tonelatat e drogës drejt Greqisë nga pikat kufitare
Klement Balili kalon tonelata me drogë nga pikat kufitare pa asnjë problem për policinë shqiptare. Madiat greke shkruanin dje se ngarkesa prej 1 ton drogë e kapur në afërsi të Athinës është trafikuar nga Klement Balili. Një nga gazetat më të mëdha në Greqi, “Ethnos”, shkruan se, “pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, është një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si “Eskobari” i Ballkanit”. Madje edhe titulli në versionin online të gazetës “Ethnos”, është: “Eskobari shqiptar me një ton kanabis”.
Droga u zbulua të enjten në një magazinë në zonën Afidnes, rreth 30 km nga qendra e Athinës. Më tej, gazeta vë në dukje se autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti ndaj Klement Balilit, si drejtues dhe financues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. “Megjithëse autoritetet shqiptare kanë filluar procedurat përkatëse, 44-vjeçari nuk është arrestuar ende”, thekson gazeta greke “Ethnos”.
Klement Balili u shpall në kërkim për llogari të drejtësisë greke, në maj të këtij viti, kur u kapën rreth 700 kilogram kanabis. Menjëherë u pagëzua si Eskobari i Ballkanit, për shkak të sasive të mëdha të kanabisit dhe drogave të tjera që trafikonte nga Shqipëria, prej vitesh. Pjesëtarët e tjerë të organizatës që trafikonte drogë u arrestuan, ndërsa Balili jo.
Në Shqipëri, ai mbante postin e drejtorit të Drejtorisë së Transporteve për Sarandën dhe mediat greke paralajmëruan mbrojtjen që do t’i jepej për shkak të lidhjeve të forta politike. Dhe ashtu ndodhi. Klement Balili nuk u arrestua menjëherë nga policia shqiptare, përkundrazi ai dha edhe një intervistë në maj të këtij viti, pas kapjes së 700 kilogramëve kanabis në Greqi. Duke përfituar nga koha që i dha drejtësia shqiptare, Balili u zhduk për pak kohë, ndërsa më pas u shfaq sërish në Sarandë në shtëpinë e tij.
I shpallur në kërkim drejton trafikun nga shtëpia e tij
Balili vazhdon të ushtrojë aktivitetin e tij kriminal në bashkëpunim me drejtuesit e policisë. Ai është parë në ambiente publike në Sarandë dhe në banesën e tij organizon trafikun e drogës me lejen e zyrtarëve të lartë. Para disa ditësh në media u publikua edhe një foto ku, “Eskobari i Ballkanit” shfaqej në strofkullën e tij me nipërit e tij, një prej të cilëve mbahej si peng për të siguruar transportin e drogës. Ish-kryeministri Berisha, bashkë me fotografinë, publikoi edhe mesazhin e një qytetari, i cili e informonte se si Balili vazhdonte trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore nga shtëpia e tij në Sarandë, ndonëse është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Denis Balili zakonisht rri peng tek blerësit e drogës deri në momentin kur transporti ka përfunduar”, shkruante qytetari nga Saranda. Pas publikimit të fotos dhe lajmit për vijimin e trafikut të drogës nga Klement Balili nuk pati asnjë reagim nga policia dhe as nga Ministria e Brendshme, ndërkohë Balili vazhdon i qetë trafikun e drogës.
Në media janë publikuar vazhdimisht foto të tij gjatë verës. Fillimisht u publikua një foto, ku dukej Balili në skafin e tij luksoz në detin Jon, ndërsa pak ditë më vonë, ai u fotografua në një dasëm në qytetin e Sarandës në resortin e tij “Santa Quaranta” në shoqërinë e kreut të PS për Tepelenën.
“Eskobari” i Ballkanit shëtit i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Policia shqiptare ka detyrimin ta arrestojë Klement Balilin, pasi është në kërkim ndërkombëtar, por nuk e bën një gjë të tillë, pasi ai i ndan fitimet kolosale të trafikut të drogës me zyrtarët e lartë të qeverisë. Balili që prej muajit maj të këtij viti është shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane, si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në Evropën Qendrore dhe Evropën Perëndimore.
Ai ishte emëruar drejtor i Transportit Rrugor Sarandë për dy vjet e gjysëm, deri kur në fillim të muajit maj të këtij viti u kap në Greqi ngarkesa e tij prej 700 kg kanabis dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Duke pasur këtë funksion të lartë shtetëror, Balili e kishte më të lehtë për të zhvilluar trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore, pa patur asnjë problem nga policia shqiptare.
Gjatë hetimeve të kryera nga DEA u zbulua se, rrjeti i trafikut të drejtuar nga Balili shtrihej në Greqi, Belgjikë, Bullgari, Spanjë, Holandë, Britani, Austri dhe Norvegji. Droga dërgohej me skafe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas prej andej shpërndahej në Europë me kamionë.
Pasuri përrallore nga trafiku i drogës
Klement Balili ka në zotërim një pasuri përrallore nga përfitimet e trafikut të drogës. Ai është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Kompleksi turistik është inauguruar në fillim të këtij viti. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.
Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë.
Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Dy vite më parë, opozita e akuzoi Klement Balilin si një person të përfshirë në trafikun e drogës. Në 2006, Klement Balili u arrestua nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, por Rama e emëroi drejtor të Transportit në Sarandë.
R.POLISI
Vidhen 12 banesa vetëm në tre muajt e fundit në Durrës
Në tre muajt e fundit janë vjedhur të paktën 12 banesa në qytetin e Durrësit. Policia thotë se ka të dokumentuara vjedhjet për të cilën akuzohet grupi, ndërsa ka ndaluar M.S 17 vjeç, banues në Durrës, ka lënë të lirë për shkak të moshës shokun e tij 16-vjeçar M.XH, ndërsa po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasin: F.Ll. 19 vjeç. Të tre të adoleshentët janë banorë të Durrësit.
Policia informon: Në sajë të veprimeve hetimore të specializuara janë zbardhur dhe dokumentuar 12 vjedhje, të kryera nga shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin për një periudhë 3-mujore, konkretisht:
1.Më datë 06.07.2016, në lagjen Nr. 8 kanë vjedhur banesën e shtetasit P.D. 56 vjeç, ku kanë marrë 10 000 lekë;
2.Më datë 18.07.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur banesën e shtetasit E.M. 29 vjeç, ku kanë marrë një orë dore;
3.Më datë 14.08.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur lokalin në pronësi të shtetasit N.Ll. 46 vjeç, ku kanë marrë një televizor dhe 5 000 lekë;
4.Më datë 14.08.2016, në lagjen Nr. 9 kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit E.B. 31 vjeç, ku kanë marrë një laptop, ora dhe 500 €;
5.Më datë 15.08.2016, në lagjen Nr. 13, tek “Shkëmbi i Kavajës” kanë vjedhur banesën e shtetases A.P. 43 vjeçe, ku kanë marrë bizhuteri;
6.Më datë 23.08.2016, në lagjen Nr. 1 kanë vjedhur banesën e shtetasit H.C. emigrant, ku kanë marrë disa bizhuteri;
7.Më datë 29.08.2016, në lagjen Nr.11 kanë vjedhur banesën e shtetasit F.Sh. 48 vjeç, ku kanë bizhuteri;
8.Më datë 08.09.2016, në lagjen Nr.18 kanë vjedhur banesën e shtetasit Sh.H. 44 vjeç, ku kanë marrë sende të ndryshme elektroshtëpiake;
9.Më datë 02.10.2016, në lagjen Nr. 8 kanë vjedhur mjetin motoçikletë me targa CAF 663 në pronësi të shtetasit S.Xh. 32 vjeç;
10.Më datë 06.10.2016, në lagjen Nr. 15 kanë vjedhur banesën e shtetasit A.L. 58 vjeç, ku kanë marrë sende të ndryshme elektroshtëpiake;
11.Më datë 15.10.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur banesën e shtetasit E.Dh. 26 vjeç, ku kanë marrë një aparat telefoni celularë dhe 15 000 lekë;
12.Më datë 18.10.2016, në lagjen Nr. 7 kanë vjedhur banesën e shtetasit M.M. 59 vjeç, ku kanë marrë tre aparate telefoni celularë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar telefona celularë dhe motoçikleta.
Perdorues droge- Policia informon se tre djemtë janë persona me precedentë penalë në fushën e veprave penale kundër pronës dhe përdorues të lëndëve narkotike.
Tjetër magazinë droge në Fushë-Krujë, gati për t’u trafikuar
Vetëm dy ditë pas operacionit të madh të Prokurorisë ku u kapën 1.3 ton kanabis sativa, gjendet një tjetër magazinë droge në Fushë-Krujë. Mësohet se në fshatin Nikël janë sekuestruar 85 kg drogë e tharë dhe e paketuar gati për t’u transportuar. Në pranga kanë rënë dy persona. Po kështu policia po vazhdon operacionin në këtë zonë, ku pranë magazinës ka gjetur ende parcela të mbjella, pra drogë e pakorrur. Janë asgjësuar deri tani 2 mijë rrënjë.
Forca të shumta policie ndodhen në Fushë-Krujë. Kujtojmë se dy ditë më parë në fshatin Derven, buzë rrugës nacionale Tiranë-Fushë Krujë, pra në të njëjtën zonë u gjetën plot 1.3 ton kanabis dhe u arrestuan 11 persona.
Aksident, makina përplas për vdekje 80-vjeçaren në Rinas
Një tjetër aksident me vdekje ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:30 në rrugën internacionale të Rinasit. Policia thotë se, makina me targa SH 3392 E që drejtohej nga shtetasi A. D., ka aksidentuar këmbësoren Z. K., 80 vjeçe, e cila është dërguar në S.Q.U. në gjendie të rëndë, por ka gjetur vdekjen në spital.
Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugorë Tiranë. Aksidenti ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit. Po sot është raportuar një tjetër aksident në fshatin Trush të Shkodrës. Nga aksidenti deri më tani raportohet për një person të plagosur. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes.
Aksidentet fatale janë të përditshme. Vetëm dy ditë më parë, një këmbësor u përplas për vdekje në autostradë dhe dy të tjerë vdiqën nga përplasja e dy mjeteve në Korçë. Ndërsa dje fatmirësisht aksidenti ishte pa viktima. Në Kurbin, aksidentin e shkaktoi djali i Kryebashkiakut Bardhi, ku mbetën 3 të plagosur, njëri prej tyre efektiv policie, në gjendje të rëndë.
Përplasi makinën e policisë, kapet djali i kryebashkiakut
Policia ka arrestuar dje Kevi Bardhin, djalin e kryebashkiakut të Laçit, një ditë pas largimit nga vendi i aksidentit që ai shkaktoi ndaj makinës së policisë në Fushë Mamurras dhe ku la të plagosur 3 persona. Sipas policisë së Lezhës, aksidenti ndodhi dje rreth orës 11:30, në autostradë, afër Fushë Mamurrasit. Një “Benz me targë AA 111 OU ku drejtues ishte Klajdi Bardhi, u përplas me një “Ford” të Policisë dhe plagosi një efektiv të Policisë Rrugore, por edhe dy personat që ishin në makinën e tij. Bardhi, pas përplasjes, nuk ndaloi, po u largua nga vendi i ngjarjes.
Maskat grabisin 25 milionë lekë në një supermarket në Gramsh
Një pikë tregtimi me shumicë në Gramsh është grabitur nga persona me maska dhe të armatosur. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në një biznes në lagjen “Sporti” të qytetit të Gramshit ku grabitësit kanë marrë mall në pikën e shumicës, që sipas pronarit, kap vlerën e rreth 2.5 milionë lekë të reja. Gjithë lëvizjet e autorëve janë kapur nga kamerat e sigurisë të një dyqani pranë vendit të ngjarjes. Sipas dëshmisë së pronarëve pranë pikës së shumicës të grabitur dallohet një fuoristradë dhe autorët e maskuar.
Policia ka shkruar në vendin e ngjarjes dhe bëri të ditur se ka nisur hetimet për ngjarjen dhe identifikimin e autorëve, por ende nuk ka mundur të zbulojë asnjë prej tyre. Ndërkohë, policia thotë se grabitësit kanë marrë vetëm 1 milion lekë të reja mall në pikën e shumicës. Por pronari pas bilancit të bërë në dyqanin e tij, ka deklaruar se grabitja shkon në 25 milionë lekë. Policia në vend që të zbulojë dhe arrestojë autorët e grabitjes, dezinformon opinionin, duke ulur shumën e parave të grabitura nga masakt.
Para tre ditësh, maskat grabitën në kërcënimin e armëve 15 milionë lekë në një supermarket në qendër të qytetit të Maliqit. Sipas burimeve, persona të maskuar janë futur në supermarket dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur paratë dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Kjo është e pesta grabitje që bëhet në këtë biznes, ndërsa autorët nuk janë zbuluar në asnjë rast.
Personat e maskuar, pasi kanë hapur derën kanë dëmtuar kamerat e sigurisë të supermarketit në pronësi të R.K, 52 vjeç, banues në Maliq. Autorët kanë marrë 13 milionë lekë dhe 1 mijë euro si dhe një sasi stekash cigare të markave të ndryshme.
Supermarketi, i cili vidhet për të pestën herë, ka pasur të instaluar një sistem survejimi me 19 kamera, por grabitësit, bashkë me mallrat, kanë vjedhur edhe serverin e kamerave, duke e vështirësuar punën e policisë, për identifikimin e tyre. Vjedhja e supermarketit është kryer brenda pak minutash, pasi, pas rënies së alarmit, ata janë larguar menjëherë me një makinë në drejtim të paditur për policinë. Policia lokale dyshon se vjedhja është kryer nga më shumë se dy persona, të cilët janë të organizuar si grup i strukturuar kriminal.
Pronari i supermarketit deklaroi se policia kishte shkuar me vonesë në vendngjarje ndonëse ishte njoftuar prej tij. Pronari deklaroi se nëse policia do të kishte shkuar në kohë mund të kishte arritur të kapë autorët e grabitjes.