26.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Armando Sadiku përgatit rikthimin

Stërvitje intensive në palestër dhe fizeoterapi. Armando Sadiku përgatit rikthimin në fushë, me afatet e rikuperimit që duken mjaft të mira. Bomberi kuqezi publikoi imazhe të përgatitjeve që po zhvillon në Zyrih, ku po punon të rifitojë forcën dhe sigurinë në këmbë, pasi në javën e parë të tetorit iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në menisk.
Kur ka kaluar më tepër se dy javë nga operacioni, periudha e sulmuesit 25-vjeçar ka kaluar periudhën e rehabilitimit, ku qëndroi pushim absolut dhe ndihmohej në ecje nga patericat. Tashmë, ai po i jep ngarkesë gjurit që kishte probleme dhe kjo është faza e fundit përpara se t’i kthehet vrapimeve në fushë dhe punës me topin.
Gjithçka përsa i takon rikuperimit të Armando Sadikut ka ecur sipas planit, me mjekun e Kombëtares Kuqezi, Gianluca Stesina, që prej 4 tetorit deklaroi për mikrofonët e “Supersport” se rikuperimi i plot i lojtarit do të përfundonte në harkun e 4 ose 5 javëve. Tashmë, tifozët shqiptarë kudo nëpër botë presin ta rishohin bomberin në fushë dhe shpresojnë që ai do të jetë gati për sfidën kualifikuese ndaj Izraelit më 12 nëntor në “Loro Boriçi”.
Për duelin me rivalët direkt për vendin e tretë në grup, Shqipëria ka nevojë për golat e Armando Sadikut, sulmuesit që prej edicionit të kaluar është lojtari më në formë dhe deçiziv në të gjitha ndeshjet në repartin e avancuar.

Kriza e fitimit të bankave reflektohet tek rritja e interesave të kredive

Fitimi i sistemit bankar për tetë muajt e parë të vitit ka shënuar një rënie të ndjeshme prej 48% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të raportuara nga Shoqata e Bankave. Për periudhën janar-gusht 2016 bankat fituan 5.7 miliardë lekë, nga 11 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ambienti me norma të ulëta interesi dhe rritja e shpenzimeve për provigjione, teksa kreditë me probleme vijojnë të zgjerohen janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në përkeqësimin e rentabilitetit të bankave. Kredia me problem vijoi zgjerimin, duke arritur në 21.4% në gusht (duke i detyruar bankat që një pjesë të fondeve ta lënë si provigjione për huatë që nuk kthehen në afat), ndërsa normat e interesit të kredive në lekë kanë zbritur në rreth 8%. Në të njëjtën linjë, raporti i kthyeshmërisë nga aktivet (fitimi mbi aktivet e ponderuara, që tregon me sa efektivitet i përdor banka mjetet e veta) ra nga 14.1% për 8 mujorin 2015, në vetëm 6.7% në të njëjtën periudhë të këtij viti. Krhyeshmëria nga kapitali (fitimi mbi kapitalin) gjithashtu u përkeqësua, në vetëm 0.6%, nga 1.3% për 8 mujorin 2015. Që në fillim të vitit pritej që bankat të kishin vështirësi të operonin në mjedisin me interesa të ulëta dhe negative. Të gjendur përballë kësaj situate dhe vazhdimit të politikës lehtësuese monetare, bankierët pohuan nw fillim tw vitit për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. Po si do të reagojnë ata. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive. Në fakt, rritja e interesave të kredive ka filluar, pavarësisht se banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë në prill maj të këtij viti, duke e çuar atë në rekorde minimale historike prej 1.25%. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se në gusht, interesi mesatar i ponderuar i kredive shënoi një rritje të fortë në 7.97%, nga 7.29% që kishte qenë muajin e ëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga janari i këtij viti. Një tjetër element që po ndikon në shtrenjtimin e kredisë është dhe rritja e perceptimit të rrezikut nga bankat. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur se rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. (Bankat japin alarmin: Përkeqësimi i ekonomisë më 2016, rreziku kryesor i aktivitetit bankar). Në kahun tjetër, ulja e normave të interesit nuk po e nxit kredinë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh. Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%.

Qeveria përzë FMN-në, nuk do të ketë rinovim marrëveshje

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që mbahen vitin e ardhshëm, qeveria do të largojë Fondin Monetar Ndërkombëtar nga Shqipëria. Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi në Top Channel se marrëveshja aktuale me Fondin nuk do të rinovohet, por qeveria do të kërkojë një marrëdhënie të re, ku FMN të ketë vetëm rol këshillues. “Nuk do të ketë një marrëveshje të re detyruese apo kushtëzuese. Do të preferonim të kishim një marrëveshje të bazuar thjesht një monitorim dhe këshillim,” deklaroi ministri i Financave. Largimi i FMN duket i lidhur drejtëpërdrejtë me zgjedhjet. Qeveria do që të ketë dorë të lirë vitin e ardhshëm për të shpenzuar më shumë dhe marrë më tepër borxh, çka nën marrëdhënien aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk do ishte e mundur.
Marrëdhëniet e qeverisë me Fondin Monetar ishin acaruar dhe marrëveshja mes palëve ishte vënë seriozisht në rrezik.  Konfirmimi zyrtar nga Arben Ahmetaj, paralajmëron se marrëdhëniet mes qeverisë dhe Fondit Monetar janë tashmë të tendosura. Shkak është bërë deficiti buxhetor që qeveria ka programuar për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në programin trevjeçar të nënshkruar në vitin 2014, qeveria dhe FMN kishin rëndë dakord që për vitin e ardhshëm buxheti të mbyllej me një suficit primar sa 0.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por qeveria ka devijuar nga marrëveshja dhe ka vendosur që për vitin 2017 suficiti primar i buxhetit të jetë 0.3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Kjo do të thotë që qeveria do të marrë më shumë hua vitin që vjen dhe borxhi publik do të ulet më ngadalë nga sa ishte parashikuar duke vazhduar të qëndrojë në maksimumin historik prej 73 për qind.
Ulja e suficitit primar nga 0.9 për qind e PBB-së në 0.3 për qind ka një diference prej rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka programuar që vitin e ardhshëm të marr borxh rreth 10 miliardë lekë më shumë nga sa kishte rënë dakord me FMN në programin trevjeçar. Shifra përkon saktësisht me faturën e rritjes së pagave. “Ky është qartazi një devijim nga marrëveshja trevjeçare për të cilën kemi rënë dakord” u shpreh për SYRI.net burimi konfidencial nga brenda FMN-së.
Qeveria kërkon më shumë hapësirë për të marr borxh për të financuar rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, e cila është lajmëruar se do të ketë një faturë nga 10-12 miliardë lekë.  Por huamarrja më e lartë nënkupton se vitin tjetër borxhi do ulet më pak nga sa ishte rënë dakord në programin me FMN.
Në shkurt të vitit që vjen marrëveshja e ngushtë e bashkëpunimit FMN-Shqipëri përfundon dhe me shumë gjasë marrëveshja e re do të jetë më fleksibile. Nga kushtetues bashkëpunimi i ri me Institucionin Financiar Ndërkombëtar do të kalojë në këshilluese kanë lënë të kuptojnë zyrtarët e ministrisë së Financave. Gjatë këtij misioni në themel të bisedimeve pritet të jetë amnistia fiskale një projekt i propozuar në korrik nga qeveria shqiptare por që nuk ka marrë një formë përfundimtare. Duket se FMN nuk është dakord me faljen e plotë të principaleve dhe tani është në diskutim në një variant i ndërmjetëm, ku pritet të falen vetëm gjobat. Gjithashtu në themel të diskutimeve pritet të jetë dhe pragu i deficitit primar.

Carrasco, pas golave vjen rinovimi me klauzolë 100 mln euro

Vijon momenti i lumtur i Yannick Carrasco. Belgu zgjati kontratën e tij deri në 30 qershor të vitit 2022. Sulmuesi i krahut që ka shënuar 4 gola në dy ndeshjet e fundit, shton kështu me dy vjet kohëzgjatjen e kontratës me një rritje të pagës, ndërkohë që dhe klauzola e largimit shkon në 100 milionë euro.
Carrasco është stabilizuar si titullar këtë sezon, me numrin 10 mbi shpatulla dhe ka shënuar 5 gola në 11 ndeshje që ka luajtur deri në këtë moment. “Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të jem për shumë vjet te Atletiko e Madridit”, deklaroi futbollisti për faqen zyrtare të klubit.
Rendimenti i mirë i belgut kohët e fundit ka rritur interesimin e klubeve të mëdha europiane, ndaj Los Colchoneros rritën presionin për të mbyllur çështjen e rinovimit që po trajtohej prej javësh dhe duhej të materializohej para Krishtlindjeve. Që nga transferimi i tij në Madrid, futbollisti belg ka demonstruar se ka intensitet dhe shpejtësi, cilësi aq të kërkuara nga Simeone për lojtarët e tij. Shkoi te Atletiko vitin e kaluar nga Monaco në shkëmbim të 17.2 milionë euro, dhe që atëherë ka shfaqur vlerat e tij, duke shënuar madje edhe në finalen e Championsit, ku i dha tjetër ritëm ndeshjes me futjen e tij në fushë, edhe pse Atletiko ra më pas në llotarinë e 11 metërashave. Pozicioni i ri i Koke në mesin e fushës i ka hapur portat e formacionit titullar një lojtari që është kthyer në zgjedhje fikse në ndeshjet e fundit për Simeonen. Sezonin e kaluar Carrasco luajti në 43 ndeshje dhe shënoi 5 gola, këtë vit ka shënuar po kaq në 11 ndeshje, ndërsa ka qenë titullar në 8 raste, duke luajtur një total prej 651 minutash.

Maqedoni, Prokurorja Speciale pengohet të hetojë aferën e përgjimeve

Prokurorja Speciale Publike e Maqedonisë, Katica Janeva, me ekipin e saj, për të tretën ditë me radhë është duke qëndruar në Drejtorinë Për Siguri dhe Kundërzbulim me vendim të gjykatës për të marrë nga policia sekrete dokumentacionin lidhur me rastet e përgjimeve nga viti 2008 deri më vitin 2015. Por, këto të dhëna, u tha se nuk mund t’i dorëzohen Prokurorisë Speciale Publike për arsye se personat e vetëm të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të cilët kanë qasje në sistemin elektronik për regjistrimin e bisedave, për momentin ndodhen jashtë shtetit.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se janë shumë evidente obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale nga ana e institucioneve të shtetit, madje edhe atëherë kur me ligj parashihen sanksione për persona juridik të cilët refuzojnë të zbatojnë urdhrin gjyqësorë. “Personi juridik ose bartësi I institucionit nuk guxon të refuzojë një vendim të plotfuqishëm të gjykatës të cilin është i detyruar ta zbatojë. Dhe në situata të këtilla, nëse personi juridik si bartës i institucionit refuzon ta zbatojë vendimin e gjyqit, atëherë në bazë të ligjit parashihet dënim me para si dhe dënim deri në 3 vite burg. Kjo çështje është e rregulluar në mënyrë shumë të qartë në kodin penal të Maqedonisë”,thotë Mersim Maksuti, njohës i çështjeve juridike.
Gjatë ditës së djeshme prokurorja, Lence Ristevska në një konferencë për media tha se të dhënat që kërkohen nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim janë të një rëndësi të veçantë, sepse pikërisht nga to do të mësohet se cilat numra kanë qenë lëndë e përgjimeve. Prokurorja Ristivska ka konfirmuar se nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim për tu zbatuar urdhrin që ka dhënë gjykata.
Ndërkohë, Mersel Billalli analist politik duke komentuar rezistencën që po bën Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale thotë se kjo paraqet një tregues të qartë se persona të caktuar kanë uzurpuar institucionin e policisë sekrete prej ku dhe buron kriza e thellë politiko-shoqërore dhe juridiko-penale në të cilën ndodhet Maqedonia. “Në një shtet normal nuk ka organ i cili i bën rezistencë vendimit të gjykatës për veprime të caktuara. Kjo tregon se praktikisht institucionet e pushtetit janë të uzurpuara nga ana e personave të caktuar të nëntokës, kualifikim tjetër nuk ka”thotë Mersel Billalli.

Neymar, te Barça deri më 2021

Muaj me radhë negociata, por tashmë erdhi kontrata e re dhe njoftimi zyrtar nga klubi: Neymar rinovoi me Barcelonën deri në vitin 2021. Në këtë mënyrë “blaugranat” largojnë rrezikun që paraqitej nga interesi i Paris Saint-Germain, për sulmuesin, me kampionët e Francës që ishin të gatshëm të paguanin klauzolën me vlerë 190 milionë euro për prishjen e kontratës. Nga marrëveshja e re, përmirësohen në mënyrë të ndjeshme përfitimet financiare të “O’ Ney”, me brazilianin që tashmë do të paguhet 15 milionë euro në sezon, të cilave u shtohen edhe shpërblimet për paraqitjet individuale dhe ato ekipore.
“Jam i lumtur që rinovova me Barçën, pasi këtu ndihem në shtëpi”, ishin fjalët e para të Neymar. Sulmuesi shpjegoi se, pasi admirimit në distancë që gëzonte për katalanët, lidhja e tij me klubin është përforcuar prej transferimit në vitin 2013, me yjet e Barçës që nga kolegë u shndërruan në miqtë e tij të afërt, duke evidentuar marrëdhënien e shkëlqyer që ka me Lionel Mesin dhe Luis Suarez.
Me rinovimin e yllit brazilian, “blaugranat” kanë rritur edhe çmimin e përcaktuar në klauzolën për prishjen e kontraës. Nga 200 milionë euro në sezonin e parë, çmimi rritet në mënyrë progresive, duke kaluar në 222 milionë në vitin e dytë dhe në 250 milionë euro nga viti i tretë e në vazhdim.

United i pamëshirshëm, ndalet Roma

Manchester United nuk zhgënjeu në sfidën e tij në grupet e Europa League, me Djajtë e Kuq të United që regjistruan një goleadë të vërtetë në Grupin A, duke mundur 4-1 Fenerbahçen falë dhe dy penalltive të shpejta të dhënë nga kryesori, që u shndërruan në gol nga Pogba dhe Martial.
Gjithsesi Paul magjinë e vërtetë të mbrëmjes e realizoi kur shënoi golin e 3-të, ndërsa në pjesën e dytë rezultatin e fitores e vulosi i riu Lingard edhe pse në fund Fenerbahçe shkurtoi diferencën me ish-in Van Persi. Me këtë sukses, skuadra e Murinjos mori dhe kreun e grupit me pikë të barabarta me Feyenoord që nga ana e tij mundi 1-0 rusët e Zorya falë një realizimi të Jorgensenit.
Në Grupin E, Roma bëri harakiri në ndeshjen e 100 europiane të Totti-t, duke shpërdoruar një epërsi të dyfishtë brenda pak minutave ndaj Austrisë së Vjenës në sfidën direkte mes kryesuesve të grupit. Holzhauser shënoi i pari për austriakët, por El Sharaawy përmbysi shumë shpejt shifrat për verdhekuqtë. Në pjesën e dytë u duk sikur Florenzi i vuri vulën takimit me golin e 3-1, por Prokop në të 82-tën dhe Kayoke në të 84-tën i dhuruan një barazim spektakolar Austrias.
Në Grupin B, Olympicos mori kreun e grupit falë një fitoreje të thellë 4-1 ndaj kazakëve të Astanës. Grekët zgjidhën ndeshjen në vetëm 9 minuta, kur nga e 25-të deri në të 34-trën shënuan 3 herë, me Figuereias, Elyonoussi dhe Seba-n. Ky i fundit në pjesën e dytë kompletoi dhe dygolëshin personal për suksesin 4-1 të vendasve. Apoel Nicosia pësoi humbjen e parë në grup pasi u mund 3-1 nga Young Boys, që pati për protagonist Gauilleme Haraou që shënoi një tregolësh, ndërsa qipriotëve nuk i mjaftoi për të dalë me pikë nga Zvicra realizimi i Efrem në pjesën e parë.
Grupi C është më i ekuilibruari me 3 skuadra që kanë nga pesë pikë në renditje. St.Ettiene shfrytëzoi maksimalisht faktorin fushë duke mundur 1-0 Qabalën pas një autogoli të Ricardinhos. Mainz dhe Anderlercht ndërkohë ndanë nga një pikë mes tyre, me vendasit që kaluan të parët në epërsi me Mallin në të 10-tën, ndërsa për miqtë realizoi Teodorczyk.
Zeniti i Shën Petërburgut në Grupin D ruajti ecurinë me pikë të plota pasi përmbysi rezultatin në Irlandë ndaj Dundalk. Vendasit befasuan rusët me golin e Bensonit, por Mak dhe Guiliano përmbysën shifrat për Zenitin. Gjithsesi Dundalk mbetet i dyti me katër pikë pasi Maccabi i Tel Avivit mposhti A.Z Alkmar brenda në Holandë. Scarione shënoi për miqtë në pjesën e parë, ndërsa Muehren barazoi shifrat në minutën e 72-të, por Golasa i dha suksesin e parë në grup izraelitëve 9 minuta para fundit.
Në Grupin F surprizon sërish Genk. Skuadra belge pas Sassuolos mposhti edhe Athletic Bilbaon me rezultatin e pastër 2-0, duke u ngjitur në krye të grupit. Golat për skuadrën e trajnerit Peter Maes u realizuan nga Brabec dhe Ndidi. Përfundoi në barazim 1-1 takimi tjetër i Grupit F mes Rapidit të Vjenës dhe Sassuolos. Austriakët kaluan të parët në epërsi me Schaub, por autogoli i Schrammel në pjesën e dytë vendosi baraspeshën.

Kujdes nga Milani

“Duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Milanit”. Këto ishin fjalët e para të trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri në prag të sfidës kundër kuqezinjve. Ekipi i Vincenzo Montellës është duke kaluar një moment pozitiv, ndërkohë që nga ana tjetër, bardhezinjtë dëshirojnë tre pikët për të konsoliduar pozitat në krye të tabelës së klasifikimit. Në konferencën për shtyp, tekniku toskan foli në lidhje me gjendjen e ekipit. Përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushë, ai deklaroi se sulmi do të drejtohet nga dyshja argjentinase Higuanin-Dybala.
“Sigurisht që ne duhet të përmirësojmë cilësinë tonë në lojë. Në sulm do të jetë Higuanin dhe Dybala. Është një sfidë ku vijmë me mungesa, një ndër mungesat do të jetë dhe ajo e Giorgio Chiellinit, i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë. Mandzukiç ndoshta mund të aktivizohet disa minuta. Në mesin e fushës kam dilema, ndërsa në mbrojtje do të jetë Barzagli, Bonucci dhe Benatia”, u shpreh Allegri.
Më tej numri një i stolit të “Zonjës së Vjetër” komplimentoi dhe ish-skuadrën e tij Milanin. Allegri u shpreh se kuqezinjtë janë duke kaluar një moment të mirë. “Komplimenta Milanit. Kanë zhvilluar disa ndeshje shumë të mira, me lojtarë të rinj dhe shumë të talentuar, ku padiskutim do të jenë e ardhmja e kombëtares italiane. Padiskutim merita për këtë Milan ka dhe Vincenzo Montella. Është një sfidë e ekuilibruar, ku vëmendja duhet të jetë maksimale”, tha trajneri i Juventusit.
Në fund tekniku i kampionëve të Italisë nuk harroi të përmendte dhe mesfushorin Miralem Pjaniç. Sipas Allegrit boshnjaku duhet të përmirësohet, por pavarësisht kësaj është një element shumë cilësor. Milan-Juventus do të jetë kryefjala e kësaj fundjave në Seria A. Pritet një 90 minutësh plot emocione dhe me spektaklin e garantuar.
Edhe portieri i Juventusit, Xhixhi Bufon i ka kushtuar vëmendje shumë të veçantë Milanit. Sipas Bufon, ndeshja ndaj Milanit është vendimtare dhe e rëndësishme për ecurinë e kampionatit italian. Kapiteni bardhezi nuk ngurron t’i vlerësojë kuqezinjtë për atë që kanë bërë deri tani dhe thotë se i ngjason me Juventusin që u ndërtua nga Konte. “Duket që kanë nisur një projekt të mirë dhe premtues, si ai i Juventusit disa vite më parë. Duhet vetëm kohë dhe eksperiencë që ata të përmirësohen. Donaruma? Ka reflekse të jashtëzakonshme dhe është shumë inteligjent. Ka gjithçka për të bërë histori në rolin e tij, thjesht duhet të presë”, u shpreh Bufon.

Pogba bën për vete trajnerin Murinjo

Paul Pogba arriti të paguajë një përqindje të vogël nga shuma rekord e transferimit të tij te Manchester United me dy gola në sfidën e Europa League, ku “Djajtë e Kuq” u imponuan ndaj Fenerbahçes.
Tashmë, në “Old Trafford” kanë nisur të shtohen admiruesit e mesfushorit francez, pas kritikave në javët e fundit, ndërsa trajneri Murinjo kërkoi më tepër kohë që lojtari të shfaqë formën optimale. “Jam i kënaqur me performancën e skuadrës e gjithashtu edhe me lojtarë të veçantë. E vendosëm veten në vështirësi kur humbëm sfidën e parë në grup dhe kjo fitore kishte shumë rëndësi, pasi nëse do të shkonim në Stamboll pa 3 pikë, do të ishte më keq për ne”, tha Murinjo.
“E dimë se çfarë futbollisti është Pogba, por duhet t’i japim kohë që të tregojë potencialin e tij. E njoh futbollin italian nga vjen Pogba, e di si luajnë në Serinë A, që është krejt ndryshe nga Anglia. Jemi ndryshe në intensitet, në hapësirë dhe në qarkullimin e topit. Prandaj, Paul Pogba-së i duhet kohë”, tha Murinjo. Manchester United ka 6 pikë në Grupin A dhe suksesi në Europë ishte i duhuri për moralin para sfidës së të dielës kundër Chelsea-t.

Donnarumma: Unë, kapiten i Milanit pas 10 vitesh

Gianluigi Donnarumma e ka të qartë të ardhmen e tij. Portieri 17-vjeçar i Milanit ka deklaruar në një intervistë për “La Stampa” se, nuk do të ketë probleme për rinovimin e kontratës së tij me kuqezinjtë dhe se e sheh veten kapiten të skuadrës brenda 10 viteve. “Për kontratën mendon agjenti im, Mino Raiola dhe nuk mendoj se do të ketë probleme. Luaj në skuadrën e zemrës, për të cilën kam bërë tifo gjithmonë dhe nuk kam çfarë dua më shumë”, deklaroi adoleshenti.
Kur u pyet se si e imagjinonte veten 38 vjeç, ai tha: “Shpresoj të jem ende duke luajtur dhe uroj që pas 10 vitesh të jem kapiten i Milanit”. Por, sot është supersfida kundër Juventusit, një takim që Milanin e gjen në vendin e dytë të klasifikimit. “Nuk ishim të pavlerë më parë dhe nuk jemi fenomenë tani. Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të përulur e më pas të shohim ku mund të arrijmë. Me trajnerin Montella kemi rigjetur entuziazëm dhe jemi të ndërgjegjshëm për mundësitë tona”, deklaroi Gigi Donnarumma.