Në një intervistë që dha për gazetën “Le Monde”, Presidenti Holond kreu “vetëvrasje politike”, shkruan gazetari i “BBC”, Hugh Schofield. I çuditi të gjithë, ndërsa po mendonin se cili po garon e cili po fiton në garën presidenciale që zhvillohet në këtë pranverë.
Gazetarët e “Le Monde” dolën për një intervistë, me pyetjen: Çfarë lloj kandidati, pak muaj para zgjedhjeve, mendon se mund të jenë në një listë përkrah Presidentit të tanishëm? Për shembull- shtrohej pyetja- cilët do të ishin nga radhët e gjykatësve dhe avokatëve? Cilët nga radhët emigrantëve dhe myslimanëve? Po nga radhët e futbollistëve dhe intelektualëve? Nga aleatët politikë dhe gjithashtu nga kundërshtarët? Nga komuniteti i inteligjencies dhe i ish-të dashurës, gjithashtu?
Përgjigjja e Fransua Holond.
Në gjithë koleksionin e intervistave të gazetarëve të “Le Monde”, Presidenti francez e hoqi barrën nga vetja, në një stil të mrekullueshëm kavalieri, duke zbuluar një seri talljesh:
Sistemi i drejtësisë është plot me “frikacakë”.
Emigrantët? Nuk ka “aq shumë” emigrantë.
Myslimanët… Këtu ka një “problem” me islamin.
Futbollistët kanë nevojë “për tjetër tru”.
Intelektualët “nuk janë shumë të interesuar në idenë e Francës”.
Ka akoma. Paraardhësi presidencial dhe njëkohësisht kandidati republikan, Nicolas Sarkozy është një “miniDe Gol i papërpunuar” dhe një “mi Duracell”. Të Gjelbërit janë “dhembje cinike në prapanicë”. Rebelët e krahut të majtë janë “një tufë idiotësh”.
Ndërsa në kuptimin personal, ish-partnerja Valerie Trierweiler është një tradhtare sepse gënjeu rreth të famshmes klishe “pa dhëmbë”, për të treguar varfëri.
Ndoshta më e dëmshmja nga të gjitha, jo një tallje, por një shpallje është kjo: Pranimi që ai personalisht urdhëroi vrasjen e katër armiqve të shtetit, ku hamendësohen militantët në Lindjen e Mesme. Shërbimit sekret duhet të jetë duke i dalë tym.
Miqtë e tij në Partinë Socialiste, akoma duke shpresuar se zoti Holond mund të ketë ndonjë shans për mandatin në prill, janë të befasuar me pakujdesinë verbale të Presidentit. Ata kanë frikë se ai e minoi fushatën e tij para se të niste.
Të tjerët janë akoma më të hapur. Më shumë se një komentator thotë se, një President nuk duhet kurrë ta thotë këtë: ky është një akt “vetëvrasjeje politike”.
Holond kryen “vetëvrasje politike”
Rama, zogu i tij dhe Bolinoja xhelatë të mediave të lira!
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër dje në lidhje me përpjekjet e pushtetit për të censuruar fjalën e lirë. “Edvin Kristaq Rama ka ndërmarrë këto kohë seri sulmesh të egra për bllokimin, terrorizimin e mediave sociale dhe portaleve kritike ndaj tij dhe organizatës kriminale, qeverisë që ai drejton. Një muaj më parë ai i dërgoi, nëpërmjet lakejve të tij, portalit ‘Hashtag Albania’, një biznesmen, blerësin e radhës me një shumë të madhe! Por drejtuesit e portalit hodhën poshtë me përçmim ofertën dhe vazhduan punën e tyre. Pas kësaj, ai përdor si xhelat të këtij portali, njeriun që ringjalli në Shqipëri, si urrejtje ndaj shqiptarëve, gazetën e themeluar nga fashistët para pushtimit, të organit të lidhur kokë e këmbë me organizatën mafioze më të rrezikshme të kohës, Sacra Corona Unita, njeriun e tenderave dhe aferave korruptive të Edi Ramës, Karlo Bolinon për ta bllokuar në server portalin e famshëm ‘Hashtag Albania’ që kishte ndjekës katërfishin e të gjitha mediave të Bolinos të marra së bashku. Aktet juridike për Bolinon drejtuar kompanisë në Teksas, i përgatiti Ajola Xoxe. Me këtë akt të shëmtuar kriminal ndaj fjalës së lirë, Edvini dhe Bolinoja i tij dëshmojnë se po ju vjen ngordhja dhe se kohërat i kanë të numëruar. Askush nuk ka fituar dhe nuk mund të fitojë betejën me lirinë e fjalës. U bëj thirrje mediave të denoncojnë Ramën dhe Bolinon e tij si xhelatë të fjalës së lirë!”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
FBI arreston hakerin rus në Pragë
Byroja Federale e Hetimeve, në bashkëpunim me policinë çeke, arrestoi një shtetas rus në Pragë të mërkurën, pasi kishte tentuar të kryente sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara.
Javën e kaluar, administrata Obama akuzoi zyrtarisht qeverinë ruse se kishte kryer sulme kibernetike kundër institucioneve amerikane në përpjekje për të influencuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale, megjithëse policia nuk dha ndonjë shenjë se i arrestuari kishte lidhje me pretendimet për hakerimin e zgjedhjeve.
Pa dhënë hollësi të mëtejshme, zëdhënësi i policisë çeke, David Schon tha se synimi i operacionit ishte një qytetar rus dhe se ai ishte kryer me sukses.
Në një deklaratë të vendosur në faqen elektronike të policisë thuhet se, i dyshuari u arrestua në një hotel në Pragë. Policia tha se ai u rrëzua gjatë arrestimit dhe iu dha ndihma e parë para se të transportohej në një spital.
Në deklaratë thuhet se një gjykatë çeke do të vendosë nëse i dyshuari do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara megjithëse nuk është dhënë ndonjë afat kohor.
Rusia është akuzuar se po përpiqet të ndihmojë kandidatin presidencial republikan, Donald Trump ndaj kandidates rivale, Hillary Clinton pas e-mail-ave të turpshme të Komitetit Kombëtar Demokrat që u publikuar muaj më parë dhe që çuan në dorëheqjen e kryetares së komitetit, Debbie Wasserman-Schultz.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka mohuar përfshirjen në sulmet kibernetike.
Afera, tenderi 2 milionë dollarë për Portin e Vlorës mbyllet sapo shpallet procedura
Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik është publikuar në datë 18 tetor 2016 një procedurë për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve për Portin e Vlorës, por në njoftimin e brendshëm (ku janë ngarkuar dokumentat) thuhet se data e fundit e dorëzimit të ofertave është data 14 tetor 2016. Pra, ofertat sipas këtij dokumenti janë dorëzuar katër ditë para hapjes së procedurës. Ky tender është me vlerë të madhe, plot 2 milionë USD ndaj edhe dyshimet mbi këto procedura jo korrekte mbeten të mëdha. Eshtë gabim teknik apo fituesi është paracaktuar?! Kjo mbetet për t’u parë kur të shpallet fituesi. Zgjerimi i terminalit parashikon elementë që nisin nga pjesa elektrike, teknike, mbrojtja kundër zjarrit apo edhe përfshirjen e paneleve diellore për prodhimin e 30 për qind të energjisë në këtë pjesë të portit. Mund të jetë thjesht një gabim i pafajshëm, neglizhencë e institucionit apo edhe më shumë se kaq, por çuditërisht një tender me vlerë 2 milionë dollarë është mbyllur pa u hapur mirë. Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik është publikuar në datë 18 tetor 2016 një procedurë për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve për Portin e Vlorës, por në njoftimin e brendshëm ku janë ngarkuar dokumentat thuhet se data e fundit e dorëzimit të ofertave është data 14 tetor 2016, pra ofertat sipas këtij dokumenti janë dorëzuar katër ditë para hapjes së procedurës. Duke lënë mënjanë gabimin me datat, tenderi për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve në Portin e Vlorës vjen në një kohë, kur ka rritje të fluksit të pasagjerëve që imbarkohen nga ky port. Vetëm në vitin 2015 sipas të dhënave zyrtare arritën 114 mijë, kurse gjatë këtij viti vetëm për periudhën qershor-gusht vizitorët në këtë port u rritën me 18 për qind. Ndërhyrjet në port parashikojnë elementë që nisin nga pjesa elektrike, teknike, mbrojtja kundër zjarrit apo edhe përfshirjen e paneleve diellore për prodhimin e 30 për qind të energjisë në këtë pjesë të portit.
“Suksesi” i parë i takimit të Nishit, një thikë në interesin kombëtar!
Sali BERISHA
Një polemikë e ashpër, si asnjëherë më parë që nga koha e Enver Hoxhës ka shpërthyer midis analistëve dhe pseudoanalistëve, patriotëve dhe pseudopatriotëve, filo dhe antiserbëve, avoketërve dhe kundërshtarëve të Edvin Kristaq Ramës për deklaratat dhe qëndrimet e tij në vizitën e fundit në Beograd dhe Nish.
Nuk do të ndalem këtu në komentet e asnjërit prej këtyre shkrimeve, por me keqardhje konstatoj se në tërësi, natyrisht jo të gjitha, me pasion janë pozicionuar sipas dasisë kufitare të kombit dhe janë fokusuar në aspekte të veçanta, por jo në raportin e këtyre qëndrimeve dhe deklaratave me interesin kombëtar, i cili është një dhe i pandarë, është pantotenik aty ku jemi shqiptarë.
Pra, si të thuash, shumë nga reagimet, shkrimet dhe analizat nuk janë marrë me trungun, aq sa të duket se degët dhe gjethet as që i kanë lejuar që ta shohin atë!
Interesi kombëtar, të themi si boshti i përpjekjeve për të realizuar qëllimet më të mëdha nga një komb, natyrisht ka problematikat e veta kur kombi është i ndarë në dy apo më shume shtete siç është rasti ynë. Më qartë se në çdo fushë tjetër, interesi kombëtar shprehet në politikën e jashtme të kombit, në rastin tonë të dy shteteve të kombit.
Dua të theksoj që në fillim se, dashje pa dashje kjo polemikë e pashembullt në jo pak raste mori tone dhe nuanca, të cilat gjykoj se në fund të fundit i duheshin Edi Ramës për t’i thënë Sandrit, siç e quan ai me përkëdheli Vuçiçin dhe jo vetëm atij, se nuk je vetëm ti që kundërshtohesh nga serbët, por tani jemi njëlloj sepse dhe unë anatemohem nga shqiptarët pse vij në Beograd, paçka se në këtë mes serbët kanë qenë pushtuesit, agresorët kurse shqiptarët kanë qenë viktima.
Mirëpo për Ramën kjo ka pak rëndësi.
Por le të kthehemi dhe një herë tek raporti i qëndrimeve dhe deklaratave të Ramës dhe polemikës që ato ngjallën me interesin kombëtar.
Në këtë kontekst, në rast se qëllimi i vizitave të Ramës në Beograd do të ishte lehtësimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, çka do të ishte dhe interesi kombëtar, efekti i vizitës së tij është qartësisht i kundërt dhe kjo, për hir të së vërtetës jo për shkak të udhëheqjes së Kosovës, por për faktin e thjeshtë se Rama punon vetëm për interesin e pushtetit të tij personal dhe jo aspak për interesin kombëtar, për të cilin ai është i huaj aq sa ç’është për një njeri që nuk i plas nëse e quajnë hero apo tradhtar.
Nuk po ndalem këtu në faktin se kjo praktikë, deklaratat dhe qëndrimet e Ramës në Beograd dhe Nish i ndajnë politikanët shqiptarë në “good boys” and “bad boys” forcojnë në Beograd dhe tek miqtë e Serbisë idenë e lindur serbe se të këqinj apo djaj që meritojnë çdo gjë janë shqiptarët e Kosovës dhe jo aq ata të Shqipërisë.
Përsëri, lidhur me interesin kombëtar, në qoftë se nuk duam të ringjallim polemikat e vjetra, duhet të shtrojmë pyetjen, a është e interesit kombëtar sjellja e Kryeministrit të Shqipërisë si një provokator ordiner në Prishtinë, në Beograd ndaj Kosovës zyrtare dhe qytetarëve të saj.
Për fatin tonë më të keq, që nga studimet e Kretchmer gjer sot, në shëmbëllesën psikologjike ne njihemi si inteligjentë, por mjerisht dritëshkurtër dhe ndofta akoma më keq ne jemi kujtesëshkurtër.
Edi Rama, pa bërë betimin në Parlamentin e vendit si Kryeministër, vrapoi në Prishtinë, por jo me mesazhin e mirëkuptimit. Ai shkoi aty me mesazhin e përçarësit dhe si një provokator ordiner ai boshatisi Parlamentin e Kosovës për shkak të qëndrimit të tij të qëllimshëm përçmues ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Ata që mendojnë se ajo ishte një pakujdesi, iu them se gënjeni veten.
Rikujtoj këtu se Rama ishte ministër me shumë influencë në kohën kur Rugova anuloi vizitën e refugjatëve të ardhur nga Kosova në Shqipëri dhe u detyrua, për shkak të qëndrimit poshtërues të qeverisë shqiptare ndaj tij, të fluturojë nga Roma në Maqedoni! Për të mos rikujtuar këtu atentatin e organizuar kundra tij më 21 shkurt të vitit 1991 nga policia sekrete e regjimit komunist.
Edvin Kristaq Rama është bir në shpirt dhe gjak i atij grupi drejtuesish komunistë, antishqiptarësh, që të udhëhequr nga të plotfuqishmit e Beogradit shiten sa herë jua kërkon interesi i pushtetit të tyre Kosovën dhe çështjen shqiptare, dhe më pas, për të justifikuar krimin e tyre të shëmtuar ndaj saj, ata urrenin atë për vdekje dhe mbillnin ditë e natë urrejtje për Kosovën dhe kosovarët!
E kam theksuar dhe përsëri e theksoj se, ndarja shekullore në shumë aspekte ka ndarë shqiptarët. Por mendoj se një nga ndasitë e mëdha tonat si komb qëndron në asimetrinë e qartë të ndjeshmërisë së shqiptarëve të Shqipërisë krahasuar me shqiptarët e viseve të tjera shqiptare ndaj barbarive, gjenocidit serb në Kosovë, por dhe në trevat e tjera të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Dhe kjo asimetri shprehet si një deficit tejet serioz, si një plagë në interesin tonë kombëtar. Përpjekjet për të zvogëluar apo dhe zhdukur këtë deficit dhe jo thelluar atë, i shërbejnë interesit kombëtar dhe duhet të jenë një objektiv madhor kombëtar.
Në tërë politikën shqiptare të 25 viteve të fundit, Edi Rama ka dëshmuar vullnet patologjik për të thelluar më shumë se kushdo tjetër këtë asimetri. Është Rama, ish-kryetari i Bashkisë që i vuri Çelësin e Artë të Bashkisë së Tiranës, Bregoviçit dhe jam i sigurt se ndjehet krenar me aktin e tij, më së paku pervers.
Po në këtë drejtim, citimi i doktrinarit kryesor të gjenocidit dhe shfarosjes së shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe veriun e Shqipërisë të serbomadhit nobelist, Ivo Andriç, nuk është as rastësi dhe as pakujdesi siç duan ta servirin serbofilët, kriptoserbofilët apo avoketërit e Ramës. Citimi i Andriç është përzgjedhje e qëllimshme e Edi Ramës dhe këshilltarëve të tij serbofilë për të provokuar shqiptarët, të cilët zbatimi i doktrinës së Andriçit iu kushtoi dhjetëra e mijëra jetë, qindra e mijëra deportime nga trojet e tyre shekullore, flet shumë. Injorimi i këtyre krimeve të rënda të paparashkrueshme kundër njerëzimit më së paku është përdhosje e varreve të viktimave të projektit Andriç.
Natyrisht, Rama dhe këshilltarët e tij serbofilë i dinin të gjitha këto, por bazuar në moton se, “nuk më bëhet vonë në më quajnë hero apo tradhtar” ata bënë përzgjedhjen e tyre cinike dhe mendoj se kjo moto ilustron më qartë se çdo gjë tjetër qëndrimin e Edvinit ndaj interesit kombëtar.
Për ne shqiptarët, nobelisti Ivo Andriç është një shkrimtar kriminel plotësisht i denjë jo për Çmim Nobel, por po të ishte gjallë të gjykohej në Hagë si doktrinar i njërit prej gjenocideve më të shëmtuara në Europë, gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, i cili vetëm në vitet ‘45-‘47 ka grirë në kasaphanën e tij së paku 4 herë më shumë shqiptarë se në luftën e fundit.
Ndokush mund të më thotë se po shfajësoj Vason?! Jo, jo aspak, por bash për Nobelin e tij, Ivo bëhet më i rëndësishëm dhe më i besueshëm për ato që ai ka shkruajtur dhe projektuar kundra shqiptarëve!
Në Beograd Rama ishte një provokator i ulët ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Rrugët, urat ndërtohen për të rritur bashkëpunimin, mirëkuptimin midis vendeve dhe kombeve:
Ndërtimi i autostradës “Ibrahim Rugova” nga autoritetet e Kosovës në vitet më të para të pavarësisë, nuk është vetëm një vepër madhore me interes kombëtar, por dhe me interes të madh rajonal. Një kontribut i Kosovës në integrimet dhe bashkëpunimin rajonal.
Në këtë aspekt pa diskutim është i mirëpritur ndërtimi i autostradës Nish-Merdare. Por është cinizëm dhe provokacion banal për interesin kombëtar, Kosovën, qytetarët dhe autoritetet e saj të flasësh për muaj të tërë për autostradën Nish-Durrës vetëm e vetëm se serbëve ju vret veshët faktorizimi rajonal i Kosovës dhe të flitet apo të përmendet autostrada Prishtinë-Durrës apo autostrada “Ibrahim Rugova”!
Skandaloz dhe me pasoja të rënda është firmosja fshehtas nga përfaqësuesit e qeverive, të Ramës dhe Vuçiç i marrëveshjes, dokumentit për këtë rrugë dhe projekte të tjera, sikur Kosova të mos ekzistonte apo territori i saj të ishte një çështje apo çiflig Rama-Vuçiç. A nuk është kjo një thikë e mprehtë ndaj interesit tonë kombëtar?
Së fundi, në vlerësimin tim, finalizimi me sukses i procesit të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është një interes jetik kombëtar për çdo shqiptar, i cili do të përcaktojë paqen e qëndrueshme ose luftën tjetër të përgjakshme në Ballkan. Çdo pykë, çdo përpjekje për të dobësuar pozicionin e Kosovës në këtë proces është në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar.
Këtu nuk konsideroj të tillë mbështetjen publike të Kosovës nga Shqipëria. Por ata që janë të sinqertë në këtë mbështetje, e paraqesin atë si mbështetje me citim eksplicit ndaj qeverisë së Kosovës të zgjedhur nga qytetarët e saj për t’i përfaqësuar ata, përndryshe ajo merr ngjyra paternaliste, nuk i shërben Kosovës dhe interesit kombëtar, por i dëmton ato.
Natyrisht këto pak rreshta i shkruajta për ata që besojnë se interesi kombëtar duhet të jetë ylli ynë polar drejt të ardhmes që meritojmë si komb.
Kurse për Ramën dhe apatridët si ai, që mendojnë se për ata, hero apo tradhtar është e njëjta gjë, më duhet t’u them se janë të pashpresë dhe se vendin e kanë në koshin e plehrave të historisë së kombit tonë!
Pasojat fatale të impiantit me djegie të plehrave në Fier
Para 2 muajsh isha pjesë e një dëgjese publike të organizuar nga Bashkia e Fierit, në lidhje me projektet e zhvillimit të kësaj bashkie për vitet 2016-2031.
Në strategjinë e hartuar nga CoPlan në bashkëpunim me bashkinë në fjalë, të paraqitur në këtë dëgjesë, u dha nga kryetari lajmi “ngazëllyes” që qeveria ka filluar tratativat për ndërtimin e një inceneritori në territorin e Bashkisë së Fierit, i cili do të trajtojë të gjitha mbetjet urbane të kësaj bashkie.
Pa hyrë në konsiderata teknike në lidhje me vendin, kostot, modelin etj., më duhet të them disa mendime në lidhje me këtë proces vendimmarrjeje që, në këndvështrimin tim, nuk është i duhuri për banorët e këtij rajoni.
Sipas fjalorit të Oksfordit, inceneritori është një pajisje ose aparat që përdoret për djegien e mbetjeve urbane ose industriale në temperatura shumë të larta, duke i shndërruar në hi.
Problem kryesor, përveç grimcave që lirohen në ajër gjatë djegies (këto pajisje çlirojnë disa qindra kimikate toksikë në atmosferë), janë mbetjet toksike në formën e hirit dhe metaleve të rënda që prodhohen në fund të këtij procesi.
Problem edhe më i madh është menaxhimi i produktit të djegies, këtyre lëndëve shumë toksike, të cilat nëse nuk izolohen si duhet ose bien në kontakt me ujin e pijshëm ose ujërat nëntokësore dhe do të sillnin pasoja fatale.
Këto pajisje nuk janë shpikja jonë. Europa e më gjerë ka kohë që i përdor, por gjatë kësaj kohe janë vënë re pasoja negative që duhet të merren parasysh, duke mos patur arsye të bëjmë gabime që të tjerët i kanë evidentuar si të dëmshme për shëndetin. Disa prej këtyre janë:
Procesi i djegies nuk e zgjidh problemin e mbetjeve, vërtet e zvogëlon vëllimin e mbetjeve me 30-50%, por krijon gazra toksike, pjesëza që qëndrojnë pezull në ajër në formë hiri, të cilat janë më pak të dukshme, por shumë më të rrezikshme për shëndetin e njeriut e për mjedisin. Shumë njerëz mendojnë se pas djegies mbetjet zhduken. Në të vërtetë, mbetjet e djegura transformohen në hi dhe gaz. Gjatë procesit të incineracionit prodhohen dy lloje hiri: hiri “fundor” dhe hiri “fluturues”. “Hiri fundor” është hiri i prodhuar nga djegia e qymyrit ose lëndëve të tjera, i cili transmetohet në ajër. Sasia e këtij hiri është shumë më e vogël sesa e atij fundor. Hiri “fluturues” është pjesë e mbetjes jo të djegshme, gjatë procesit të djegies në incinerator. Gjatë zhvillimit, ai ngjitet pas mureve të nxehtë të furrës djegëse.
Studime të gjera epidemiologjike kanë treguar se përreth zonave ku janë ndërtuar këto struktura vihet re një numër më i madh i individëve të sëmurë me kancer ose fëmijë me defekte në lindje. Studimet kanë treguar se pjesëzat që qëndrojnë në ajër pezull, produkt i djegies (incenerimit) janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës. Nga incineracioni prodhohet një varietet i gjerë ndotësish, të cilët janë shkatërrues për shëndetin e njeriut. Popullata e ndikuar nga këta ndotës përfshin ata që jetojnë afër incineratorëve, por edhe ata në zona më të largëta.
Shumë ndotës të emetuar prej inceneritorëve që përfshijnë metalet e rëndë dhe një numër të madh të ndotësve organikë shkaktojnë pasoja të tilla si, alterimin e gjeneve, ndryshimin e sjelljes, nxitin kancer të llojeve të ndryshëm, prekin sistemin imunitar e zvogëlojnë inteligjencën.
Inceneritorët modernë janë edhe më të rrezikshëm, sepse prodhojnë “ash fly” ose hi i përbërë nga grimca shumë të vogla që qëndron pezull në ajër, si dhe prodhojnë sasi të larta të dioksinave, të cilat janë vërtet shumë të rrezikshme e të vështira për t’u trajtuar.
Vendosja e hirit të prodhuar në vende depozitimi paraqet risk për të ardhmen pasi, nëse për një arsye ose tjetër këto substanca bëhen pjesë e ujërave nëntokësore, atëherë pasojat do të jenë shumë të rënda. Njerëzit janë të ekspozuar ndaj toksinave në mënyra nga më të ndryshmet:
Duke thithur ajrin e ndotur, i cili ndikon edhe punëtorët edhe bimët, të cilat jetojnë afër incineratorëve.
Duke ngrënë ushqime, të cilat janë infektuar nga ndotësit e ajrit nga incinatori.
Duke ngrënë peshk ose gjallesa shtazore të infektuara nga ndotësit e ajrit.
Djegia e mbetjeve paraqet kosto të larta sociale edhe për faktin se ndikimin e vet maksimal e ushtron mbi shtresat më të pambrojtura të shoqërisë si të sapolindurit e fëmijët ose nënat shtatzëna.
Ndikimi ekonomik
Në vendet e zhvilluara, pothuaj gjysma e investimeve shkon në sistemet e kontrollit për të reduktuar nxjerrjet toksike.
Në vendet në zhvillim ekziston një tjetër problem për arsye se vlera mesatare kalorifike e një mbeturine është 800 cal/kg dhe për t’u arritur me sukses djegia duhen 2000-3000 cal/kg.
E vetmja zgjidhje është shtimi me lëndë djegëse për të ndihmuar procesin, mirëpo kjo e bën atë më ndotës dhe më joekonomik se ç’është.
Ekspertët e incineracionit thonë se për të pasur një funksionim sa më të suksesshëm ekonomikisht duhet të ndërtohet një incinerator që djeg 1000 tonë mbeturina në ditë.
Kostoja për këtë incinerator është 100 milion $, për të mos përmendur koston e lartë të mirëmbajtjes së tij.
Gjithashtu është e rrezikshme vendosja e mbetjeve të incineracionit në landfille të çfarëdoshme. Për to duhen ndërtuar landfille të posaçme dhe kjo gjë ka gjithashtu një kosto tepër të lartë.
Ervin HOXHA
Mauro Ikardi tërbon kinezët
“Është një kaos i madh në të cilin nuk kam ndër mend që të futem”. Prononcimi i shkurtër i Masimo Moratit për atë çfarë po ndodhte rreth çështjes “Ikardi” vlen shumë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të atyre që kanë investuar për emrin e shoqërisë dhe ata që vazhdojnë të bëjnë diçka të tillë. Ish-pronari i Interit duket se nuk ka qenë i vetmi që është tërbuar nga situata e krijuar. Sipas mediave italiane, edhe numri një i “Suning Group”-it është mërzitur jo pak prej lajmeve që i vinin nga Milano.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, ndërhyrja nga Kina nuk ka munguar, pasi nuk shpjegohet ndryshe fakti që Ikardit nuk iu hoq shiriti i kapitenit (edhe pse për pak kohë) ashtu siç kishte paralajmëruar Zaneti. Kinezët kanë preferuar që të mbyllin këtë çështje, duke mos degraduar kapitenin, por duke i vendosur atij një gjobë të kripur (rreth 100-150 mijë euro) si dhe duke e detyruar që të ndryshojë disa paragrafë të biografisë.
Ajo që po preokupon edhe më shumë pronarët e Interit është mungesa e një figure qendrore në klub. Me largimin e Mançinit, i cili merrte gjithçka përsipër, Interi nuk ka një figurë që ta mbrojë në media apo të evitojë të tilla situata të sikletshme. Mendohet se Jindong Zhang nuk ka ndër mend që të transferohet në Itali, por këtë gjë do ta bëjë i biri, Stivëni.
Grupimi historik i ultrasve të Interit, “Curva Nord”, reagoi sërish dje. “Historia e fëmijës është një shpikje e Ikardit. Ai kërkoi ndjesë për tonet apo kërcënimet që ka bërë në biografi, por jo për faktin se ka mashtruar, duke shkruar se ne kemi keqtrajtuar atë fëmijë. Nuk e tolerojnë dhe përsëritim se ai për ne nuk është asgjë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Interin siç kemi bërë gjithmonë”, thuhej në komunikatë.
Në Milano janë të bindur se çështja “Ikardi” mund të ishte evituar fare mirë nëse dikush prej Interit do të ishte interesuar në kohë për përmbajtjen e librit “Gjithmonë përpara”. E përditshmja italiane “Repubblica” ka listuar dje një sërë rastesh analoge që kanë ndodhur së fundmi në klubet e tjera të Serisë A. Ndërkohë që, dje është bërë publik një tjetër kapitull që pritet të hapë edhe më shumë polemika.
Me sytë nga Niang
Milani po fluturon në kampionat, kjo edhe për meritë të Mbaje Niangut, i cili është bërë i pazëvendësueshëm për lojën e Vinçenco Montelës. Trajneri kuqezi, në vigjilje të ndeshjes kundër Juventusit, ka “graduar” francezin për të cilin tha: “Përpara se të jepja një gjykim për të, doja ta njihja menjëherë sapo mora drejtimin e Milanit. Bëmat e tij kanë bërë më shumë zhurmë se ato të lojtarëve të tjerë. Niang është një lojtar që mund të përmirësohet akoma shumë dhe po punon për t’u bërë një kampion i madh. Ai ka cilësi të rëndësishme, mund të bëhet lideri i Milanit, mirëpo pres nga ai që të shënojë më shumë gola”, tha fillimisht Montela.
Më tej, ai u përqendrua te ndeshja përballë Juventusit: “Duhet të luajmë sfidën tonë. Çdo skuadër ka karakteristika të ndryshme, por kundër Juventusit nuk do të na mungojë dëshira për të bërë një paraqitje të mirë. Futbolli i kohëve moderne është ndryshe, pasi nuk mjafton të kesh vetëm një organikë më të mirë teknikisht për të fituar ndeshjet, por duhet që të sakrifikosh dhe të japësh gjithmonë maksimumin në fushë.
Vendi i dytë në renditje? Nuk mendoj për klasifikimin, pasi kurrë nuk fokusohem tek objektivat afatgjatë. E rëndësishme është të punosh mirë dhe gjithmonë të kërkosh të përmirësohesh, pikërisht këtë po bën skuadra dhe jam shumë i lumtur. Sezonet e fundit nuk kanë qenë pozitive dhe grupi po jep maksimumin për të ndërtuar diçka të rëndësishme.
Donaruma? Po tregon se ka potencial për t’u bërë një kampion i madh në të ardhmen dhe është shumë i lidhur me Milanin. Jam i bindur që do qëndrojë shumë vite në Milano. Lokateli? Kundër Kievos tregoi edhe një herë tjetër se mund të mbështetem tek ai”.
Milani është kthyer përsëri një ekip pretendent dhe pas kësaj kthese drastike fshihen vendimet e trajnerit Montela, i cili ka bërë ndryshime thelbësore jo vetëm në lojë, por edhe në jetën e përditshme të klubit kuqezi: Montela gjatë javës detyron shpesh ekipin të luajë regbi. Nuk kërkon të gjejë grintën në këtë lojë, por që t’i dhurojë harmoni grupit. Pas sezoneve të fundit zhgënjyese, trajneri i ri në fillim po punon me mentalitetin e lojtarëve. Gjatë javës, ai u tregon në video futbollistëve momente e tyre më të mira, teksa i thotë se, “ju e konsideroni veten normalë, por nuk e dini se keni potencial të madh dhe jeni më të mirët”.
Seancat stërvitore janë “off limits” për gazetarët dhe tifozët. Këtë strategji Montela e ka përzgjedhur për të ribashkuar grupin dhe ta mbrojë atë nga faktorët e jashtëm. Ata që janë treguar të vëmendshëm nuk do t’i ketë shpëtuar fakti që sa herë fiton në këtë sezon, Milani feston i bashkuar me tifozët.
Roben: Tani jemi më të lirë me Ançelotin
Pep Guardiola apo Karlo Ançeloti, të dy janë trajnerë të mëdhenj dhe këtë e di mirë Arjen Robben, holandezi i Bajernit në një intervistë flet për diferencat që ekzistojnë mes dy trajnerëve, diçka që e di se nuk është e lehtë, pasi mund të krijojë keqkuptime. “Duhet të jesh gjithmonë i kujdesshëm në atë që thua, kur bëhet fjalë për dy trajnerë. Nëse thua se njëri prej tyre është i madh në një aspekt, atëherë për njerëzit kjo do të thotë se tjetri nuk është aq i zoti”, u shpreh Roben.
Megjithatë, diferencat ekzistojnë dhe Robben zbulon disa prej tyre. “Pep Guardiola është i pushtuar nga futbolli, në kuptimin që për të bëhet fjalë për futboll 24 orë në ditë. Patëm një evolucion të rëndëssihëm me të në drejtim te Bajerni, pasi i dhamë më shumë variacion lojës tonë, duke qenë se luante ndryshe. Tani jemi më të lirë me Ançelotin”, tha holandezi.
Në media të ndryshme është folur shpesh se nuk ka patur një raport të mirë me Guardiolën në “Allianz Arena”, por vetë futbollisti e mohon kategorikisht diçka të tillë. “Kam patur një raport shumë të mirë me Pep. Më pëlqente filozofia e tij dhe mënyra se si e mendonte lojën, por gjërat me Ançelotin janë vërtet perfekte dhe për të mund të them vetëm gjëra pozitive”, përfundoi Roben.
Garcia zyrtarizohet si trajneri i ri Marseille
Rudi Garcia, rinis gjithçka nga Olympique Marseille. 9 muaj pas largimit të tij nga Roma, trajneri francez ulet në stolin e një tjetër skuadre. Menjëherë, pasi Roma komunikoi prishjen konsensuale të kontratës me Rudi Garcian, 52-vjeçari u emërua zyrtarisht si trajneri i ri i Marseilles. Ish-tekniku i Lille ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin nga Velodrome, ndërsa këtë të premte do të prezantohet zyrtarisht përpara mediave. Të dielën në mbrëmje, Garcia do të debutojë në stolin e Olympique Marseille pikërisht në “Parc De Princes” përballë kampionëve në fuqi të Paris Saint Germain. Start më të vështirë nuk mund të kishte për 52-vjeçarin që nis kështu një aventurë të re me objektivin për të rikthyer Marseille në majat e futbollit francez. Garcia merr në skuadër vendin e Franck Passi, që paguan kështu fillimin e dobët të kampionatit me vetëm 12 pikë të grumbulluara në 9 ndeshjet e para.