10.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Lazio, gati rinovimi me 5-vjeçar me Strakoshën

Tre ndeshje të shkëlqyera si titullar te Lazio dhe më pas rikthimi në stol, pas rikuperimit të Marçhetti-t nga dëmtimi. Thomas Strakosha u cilësua menjëherë si basti i fituar i drejtorit sportiv Igli Tare dhe trajnerit Simeone Inzaghi. Me kontratën e portierit që përfundon në vitin 2017, në klubin e Serisë A janë vënë menjëherë në lëvizje për rinovimin me Strakoshën. Sipas mediave pranë skuadrës së kryeqytetit italian, pas zgjatjes së kontratës me Parolo-n, tashmë radhën për të rinovuar e ka pikërisht 21-vjeçari kuqezi.
Marrëveshja e re e portierit të Kombëtares shqiptare do të jetë për 5 vitet në vazhdim, çka dëshmon besimin që ka klubi te Thomas Strakosha, që në sezonet e ardhshme do të ketë një rol protagonisti në skuadër. Gjatë merkatos së verës, Lazio besoi te potenciali i portierit dhe nuk e lejoi largimin e talentit shqiptar Cardiff City në Championshipin anglez. Strakosha e shpërbleu të gjithë besimin e dhënë, ku në tre ndeshje të luajtura si titullar në këtë sezon në elitën e futbollit italian dha garanci në portë, duke mbajtur të paprekur rrjetën përballë Udineses dhe Empolit, ndërsa u thye vetëm në sfidën me Milanin.

Bufon: Ndoshta trajner i kombëtares

Si gjithmonë Gianluiggi Buffon nuk di të fshihet. Madje edhe në momentin e shijimit të një paraqitjeje të jashtëzakonshme ndaj Lionit në Champions League, kapiteni i Juventusit u jep një mesazh shokëve të tij të skuadrës. “Për mendimin tim, Juvja duhet të përmirësohet. Ne jemi në krye të grupit dhe kemi ambicie në Europë, por ajo që po japim në fushën e blertë mund të mos mjaftojë”, u shpreh Bufon. Duket si një shenjë alarmi pas një fitoreje të arritur nga dy episode në favor të bardhezinjve siç ishin pritja e 11-metërshit nga 38-vjeçari dhe goli i realizuar nga Cuadrado.
Të shtunën në mbrëmje, Juventusi do të përballet me Milanin, skuadrën që  mban vendin e dytë në Serinë A e në këtë rast është e paevitueshme për Buffon që të mos flasë për pasardhësin e tij në kombëtare, Gigio Donaruma. “Është një portier me reflekse, inteligjent dhe me cilësi të jashtëzakonshme. Ka gjithçka për të hyrë në histori. Duhet të presim edhe 20 vjet për të kuptuar se deri ku mund të arrijë”, tha ai.
Pas Milanit dhe Sampdorias, vjen Napoli, skuadra që rivalizoi Juventusin sezonin e kaluar. Një sfidë e veçantë kjo sidomos për Gonzalo Higuain, që ka fituar respektin e Buffon me dy cilësi: profesionalizmin dhe pozitivitetin e tij. “Në arrin të mposhtësh një rival në momentin e tij të vështirë, i jep një goditje të rëndë objektivave të tij, tha Burfon.
Pavarësisht kritikave të shumta që mori në javët e fundit, Buffon ka ende për të treguar në karrierën e tij. Gjithsesi, në moshën 38-vjeçare, duhet të nisë të mendojë edhe për të ardhmen. “Nuk më pëlqen të punoj si trajner çdo ditë me një klub, ndërsa rolin e përzgjedhësit të kombëtares nuk e përjashtoj. Do të kisha sërish emocionet e fushës, por edhe lirinë për t’iu dedikuar gjërave të tjera”, përfundoi portieri i Juventusit. Kushedi, ndoshta Italia e ka gjetur pasuesin e Venturës.

Ançeloti: “Kemi ende probleme”

Karlo Ançeloti i ka përgëzuar futbollistët e tij për paraqitjen e zhvilluar ndaj PSV-së, duke i mundur me rezultatin 4-1. Trajneri italian beson se kanë ende elementë që duhen përmirësuar dhe se ai nuk do të ngurrojë t’i kritikojë futbollistët e tij, pavarësisht se mund të kenë fituar një ndeshje. “Jam i kënaqur. Ishte gjithçka ashtu siç e kishim parashikuar. Luajtëm me ritëm të lartë nga minuta e parë dhe deri në fund. Reagimi ishte i duhuri, por nuk duhet të mjaftohemi me kaq, pasi duhet të kemi një aksion në vazhdim dhe jo reagim sporadik. Këtu u referohem rezultateve që duhet të kemi. Gjithsesi, skuadra tregoi motivim dhe kjo më pëlqen. Sigurisht që duhet të ketë gjithnjë kritika. Në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës patëm disa probleme. Fatmirësisht nuk zgjatën shumë dhe kjo ndikoi që fituam. Unë jam në këtë detyrë për t’u treguar futbollistëve se çfarë nuk shkon. Kam në dispozicion lojtarë të zgjuar, të cilët e kuptojnë shpejt dhe dinë se si të përmirësohen. Për mua, kjo është më e rëndësishmja. Të punoj me futbollistë që janë profesionistë të vërtetë dhe që besojnë në atë që bëjnë”, u shpreh Ançeloti.
Më pas trajneri i Bajernit foli edhe për rikthimin e Riberisë. “Nuk besoj se do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Në fillimin e javës tjetër do të nisë stërvitje individuale dhe mbase për 10 ose 15 ditë do të jetë përsëri i gatshëm”, tha Ançeloti.
Fitore të lehtë arriti edhe Bajern Mynih që u imponua 4-1 ndaj PSV Eindhoven, ndërsa Atletico Madrid siguroi fitoren e tretë në Grupin D pasi kaloi rusët e Rostov 1-0 me gol të Carrascos. Në Grupin B, Napoli u ndal në 3-2 nga Beshiktashi në “San Paolo”, por mbetet në krye me 6 pikë, ndërsa Beshiktash u ngjit në kuotën e 5 pikëve i ndjekur nga Benfica me 4 pas suksesit 2-0 në fushën e Dinamos së Kievit.

Makthi i Guardiolës

“Është padyshim lojtari më i mirë në botë”, kishte thënë Guardiola në vigjilje të Barcelona-Manchester City, por me siguri shpresonte që Messi të mos ta demonstronte diçka të tillë pikërisht kundër tij. Ndodhi ndryshe, pasi argjentinasi vendosi që ajo duhej të ishte mbrëmja e tij, duke “shkatërruar” rikthimin e Guardiolës në “Camp Nou”, duke marrë titujt e parë të gazetave dhe duke lënë në hije trajnerin që ndërtoi rreth tij një skuadër fantastike te Barcelona.
Guardiola është përballur me Messi-n tre herë si kundërshtar, gjithmonë në Champions, është mundur dy herë, si dhe ka arritur një fitore që nuk i bëri punë, në gjysmëfinalen e kthimit të 2015, me Bajernin që fitoi 3-2 në Mynih, pasi ishte mundur 3-0 në Barcelonë. Vlen të theksohet se argjentinasi i ka shënuar plot 5 gola mësuesit të tij, dygolësh në gjysmëfinalen e parë të 2015 dhe tregolësh në përballjen e fundit, ku nuk i la shpëtim Barcelonës. Guardiola ka luajtur 4 herë në Spanjë si kundërshtar në stolat e Bajernit dhe Sitit, ka pësuar 4 humbje e madje skuadrat e tij nuk kanë shënuar asnjë gol në fushat e Barcelonës, Realit të Madridit dhe Atletikos.
Në krahun tjetër, Luis Enrique i gëzohet tregolëshit të numrit 10 të Barcelonës, ndërsa shtypi spanjoll kishte tituj vetëm për Messi-n. “Messi bën atë që do”, shkruante “Marca”, ndërsa për “El Mundo Deportivo”, “Messi është taktika më e mirë që ekziston”.
Pep Guardiola është paraqitur i zhgënjyer para gazetarëve dhe si elementin që vulosi fatin e takimit ka cilësuar kartonin e kuq të portierit Klaudio Bravo. “Të luash ndaj Barcelonës në transfertë është gjithnjë e vështirë. Gjithsesi, më vjen keq që përfundoi me këtë rezultat, pasi takimi ishte i hapur deri në momentin që Klaudio Bravo doli me karton të kuq. Aty pësuam një goditje psikologjike dhe gjithashtu e patëm thuajse të pamundur që të reagonim si duhet. Nëse Barça bën diferencën kur je me numër të barabartë lojtarësh, imagjinojeni kur ke edhe një më pak”, tha Pep pas ndeshjes. I pyetur nëse kjo ka qenë humbja më e hidhur në karrierën e tij, ai u përgjigj: “Jo, nuk është kjo. Humbja më e hidhur ka qenë ajo ndaj Real Madridit 3-0, kur isha trajner i Bajernit. E lidh me mënyrën se si e pësuam dhe momentin që po kalonim”.
Ndërsa më tej, ai foli edhe për paraqitjen e Lionel Messi-t: “Nuk më befasoi aspak. Ai ka bërë edhe herë të tjera ndeshje të tilla, duke shënuar tripletë. Shumicën unë e kam ndjekur në fushë, si trajner i tij”. “Serxhio është në formë të mirë fizike dhe ka qenë vendim i imi për të mos e aktivizuar. Bëra të tjera zgjidhje taktike, që mendoj se funksionuan”, tha Guardiola.
Luis Enrique tha se, stili i tij i lojës, në pamje të parë, më pëlqen. Kanë efikasitet dhe ka arritur të nxjerrë maksimumin e lojtarëve që ka në dispozicion. Ishte kënaqësi ta ritakoja.

Shqipëria humbet 7 vende në renditje

Që eliminatoret e tetorit do të kishin një kosto për Shqipërinë në renditjen e FIFA-s duke qenë se për koeficientët matës fitorja 2-0 ndaj Lihtenshtejnit peshon më pak se disfata në të njëjtat shifra me Spanjën, kjo dihej, por me publikimin e renditjes së fundit të organizmit botëror të futbollit, mësohet edhe se sa është kjo kosto. Shqipëria e futbollit humbet 7 vende në klasifikimin global, të përditësuar këtë të enjte në faqen zyrtare të FIFA-s, ku pozicionohet aktualisht në shkallën e 47, nga e 40 ku ndodhej një muaj më parë.
Krejt e kundërta ka ndodhur me Kosovën, përfaqësuesja më e re e kontinentit, ka ngjitur 4 shkallë në klasifikimin e FIFA-s, duke u renditur aktualisht në vendin e 164. Edhe pse u mund në të dyja ndeshjet e luajtura në tetor, kundër Kroacisë 6-0 në “Loro Boriçi” dhe 3-0 në transfertën përballë Ukrainës tre ditë më pas, Kosova vijon ngjitjen duke qenë se është përfshirë së fundmi në renditjen e FIFA-s, ku në muajin gusht renditej në vendin e 190.
Për sa i përket rivalëve të Shqipërisë në grupin e eliminatoreve të Rusi 2018, Spanja hyn në dhjetëshen më të mirë të botës pasi ka ngjitur një shkallë për këtë muaj, qëndron në vendnumëro Italia e pozicionuar e 13, Izraeli, kundërshtari ynë i radhës që në tetor fitoi ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit ngjitet plot 19 shkallë, duke u renditur në vendin e 79. Maqedonia humbet 9 vende, duke u klasifikuar e 155, ndërsa ashtu si në grup, qëndron poshtë të gjithëve Lihtenshtejni në vendin e 183. Për sa i përket kreut të klasifikimit të FIFA-s, në vendin e parë qëndron Argjentina, e ndjekur nga Gjermania dhe më pas Brazili.

Bonucci dëshironte M.City, Juventusi e ndaloi!

Verën e kaluar dy klubet e Manchesterit kishin projektuar të zhvatnin Juventusin duke transferuar në ishullin britanik dy lojtarë simbol të skuadrës bardhezi. Por në fund vetëm Manchester United ia arriti qëllimit, duke blerë për 105 milionë euro kartonin e Paul Pogba, sepse transferimi i Leonardo Bonucci-t te Manchester City mbeti thjesht një blerje në tentativë. Pep Guardiola e dëshironte me çdo kusht qendërmbrojtësin e kombëtares italiane, por në fund trajneri spanjoll nuk arriti të kishte nën urdhrat e tij 29-vjeçarin. Ferran Soriano, administratori i deleguar i Citiziens ka zbuluar një prapaskenë interesante të merkatos, duke theksuar në një intervistë se vetë Bonucci pranoi të transferohej në “Etihad Stadium”, por ishte Juventusi që bllokoi kalimin e tij te Manchester City.
Në një prononcim për mediat spanjolle, Ferran Soriano deklaroi se kishte shumë lojtarë, të cilët dëshironin të transferoheshin te Manchester City verën e kaluar dhe njëri prej tyre ishte Bonucci. “Kishim pëlqimin e lojtarit, por pasi kontaktova me drejtorin sportiv të Juves, Fabio Paraticci për t’u bërë të ditur ofertën tonë, përgjigjja që mora ishte komplet negative, me këtë të fundit që më bëri të ditur se mbrojtësi ishte i pashitshëm”, tha ai.

Elseid Hysaj në ngërç psikologjik

Me Elseid Hysajn në stol, Napoli zhgënjeu përballë Beshiktash, duke u mposhtur 3-2 përpara publikut të vet në “San Paolo”. Zgjedhja e trajnerit Maurizio Sarri për ta lënë mbrojtësin kuqezi në stolin e rezervave, i befasoi të gjithë, me të kaltërit që nuk shfaqën garancitë e zakonshme në fazën difensive. Pas disfatës, që komplikoi rrugën e Napolit në turin tjetër, në konferencën për shtyp tekniku Sarri sqaroi edhe vendimin për të mos e përfshirë 22-vjeçarin në formacionin titullar. “Hysaj m’u duk i lodhur në aspektin psikologjik, nuk e shihja maksimalisht të përqendruar. Për mendimin tim nuk ishte e udhës që ai të luante dhe për këtë arsye vendosa të hedh në fushë Maggio-n”, u shpreh Sarri.
Një zgjedhje jo e goditur taktike, sepse 34-vjeçari Maggio ishte ndër lojtarët më të dobët në fushë për Napolin. Ish-lojtari i përfaqësueses italiane nuk dha garancitë e nevojshme në fushë dhe kjo do të bëjë që Elseid Hysaj të rikthehet në vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes. Duke nisur nga ndeshja e javës së nëntë në Serisë A me Crotone-n, ku Napoli kërkon të kthehet te fitorja pas tre humbjesh radhazi mes kampionatit dhe kupave të Europës.

Abrashi kalon dëmtimin

Amir Abrashi rikthehet i gatshëm për të zbritur në fushë pas dëmtimit të pësuar në kokë gjatë seancës stërvitore me Freiburgun në datën 11 tetor. Frika më e madhe ka kaluar për mesfushorin shqiptar, i cili është vënë në dispozicion të trajnerit, Christian Streich, por rikthen qetësinë edhe në kampin e kombëtares shqiptare, pasi ai do të jetë i gatshëm për sfidën e 12 nëntorit kundër Izraelit në “Loro Boriçi”.
Lajmin e bën të ditur gazeta “Kicker”, sipas së cilës, mesfushori e ka hedhur pas krahëve dëmtimin dhe është rikuperuar plotësisht. “Ai është bashkuar me skuadrën në seancat stërvitore të ditës së martë dhe të mërkurë dhe është gati për të zbritur në fushë”, thekson “Kicker”. Si pasojë e dëmtimit të pësuar në kokë, Abrashi nuk u aktivizua në ndeshjen e kësaj fundjave, ku Freiburg u mund 2-1 nga Hoffenheim. Ai cilësohet si një nga lojtarët kyç të ekipit debutues në Bundesliga, pasi pa të në fushë skuadra has vështirësi të mëdha në organizimin e lojës. Aktualisht, Freiburg renditet në vendin e 11 me 9 pikë dhe takimin e radhës do ta luajë të shtunën kundër Augsburgut.

Misioni FMN në Tiranë për paketën fiskale

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar vjen në Tiranë për të konsultuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2017. Njëkohësisht do të bëhet edhe rishikimi i nëntë i marrëveshjes trevjeçare. Gjatë qëndrimit disa ditor në Shqipëri misioni do të vijojë konsultime me ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë, ministrinë e Ekonomisë, atë të Energjisë, Transportit etj. Inspektimi i këtij misioni do të ketë rëndësi kyçe për shkak se marrëveshja është drejt fundit. Në shkurt të vitit që vjen marrëveshja e ngushtë e bashkëpunimit FMN –Shqipëri përfundon dhe me shumë gjasë marrëveshja e re do të jetë më fleksibile. Nga kushtetues bashkëpunimi i ri me Institucionin Financiar Ndërkombëtar do të kalojë në këshilluese kanë lënë të kuptojnë zyrtarët e ministrisë së Financave. Gjatë këtij misioni në themel të bisedimeve pritet të jetë amnistia fiskale një projekt i propozuar në korrik nga qeveria shqiptare por që nuk ka marrë një formë përfundimtare. Duket se FMN nuk është dakord me faljen e plotë të principaleve dhe tani është në diskutim në një variant i ndërmjetëm, ku pritet të falen vetëm gjobat. Gjithashtu në themel të diskutimeve pritet të jetë dhe pragu i deficitit primar. Qeveria shqiptare kërkon ti ikë objektivit fillestar prej 0.3%, por duket se Fondi nuk është dakord me këtë devijim. Në shkurt të vitit 2014 qeveria shqiptare dhe FMN nënshkruan marrëveshjen tre-vjeçare të bashkëpunimit, e cila shoqërohej me  hua të butë prej 295 milionë eurosh, nga e cila 209 milionë euro janë disbursuar.

Biznesi kërkon vetëkorrigjim në tatime, por merr gjobën 50 mijë lekë

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Administrata tatimore u ka prerë hovin disa subjekteve të biznesit që janë vetdeklaruar për korrigjim, te cilët menjëherë janë përballuar me gjoba të inspektorëve tatimore, të cilët sipas Avokatit të Tatimpaguesit kanë vepruar në shkelje të hapur të ligjit.
Avokati i i tatimpaguesit referon se një shoqëri tregtare pasi ka konstatuar një deklarim të gabuar të librit të shitjes i është drejtuar drejtorisë rajonale tatimore, me një kërkesë për sistemim situate, brenda afatit prej 12 muaj nga data e deklaratës së parë.
Por pas dërgimit të kërkesës nga vetë tatimpaguesi (jo me iniciativë të drejtorisë rajonale tatimore), inspektori i sektorit të përpunimit e vlerësimit të deklaratave e dënon me një gjobë prej 50 000 lekë, bazuar në nenin 118 të ligjit nr.9920 datë 29.5.2008 ”Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Por bazuar në nenin 67 të ligjit të lart përmendur, tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore, me ndryshime, në rastet kur deklarata tatimore fillestare është e pasaktë dhe me mangësi.
Avokati i tatimpaguesit është shprehur se, deklarata e ndryshuar mund dorëzohet brenda dymbëdhjetë muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare. Gjithashtu,bazuar në Udhëzimin Nr. 24 datë 02.09.2008“Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në pikën 118 , paragrafin e dytë (2) sqarohet rasti i aplikimit të gjobës për mosmbajtjen e librave, regjistrave apo dokumentacionit tatimor. Gabime jo materiale, që nuk cenojnë në thelb përmbajtjen e dokumentacionit dhe nuk kanë efekt në llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore, nuk dënohen me gjobën e mësipërme. Avokati i tatimpaguesit rekomandon që në rastin e dënimeve administrative, të cilat u janë vendosur tatimpaguesve, megjithëse ato kanë vepruar në përputhje me bazën ligjore në fuqi, drejtorive rajonale t’u jepet efektivisht mundësia, e përdorjes së rrugës së revokimit, pra vetëshfuqizimit apo vetëkorrigjimit, të akteve të kësaj natyre. “Një iniciativë e tillë, përveçse ul kostot administrative si të tatimpaguesve dhe të administratës, bën të mundur identifikimin dhe vlerësimin nga vetë ajo, të veprimeve të kryera apo nxitura me qëllim, nga pjesëtarë të saj, duke i shërbyer njëkohësisht edhe një fryme transparence e partneriteti midis palëve”, shprehet Avokati i Biznesit. Në ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave tatimore, që pritet të kalojë në Kuvend, një ndër elemetët që pritet të përmirësohet është mundësia që u jepet bizneseve për t’u vetëkorrigjuar, si një përqasje e re e luftës kundër informalitetit.