19.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Konsumatorët braktisin blerjet e mëdha

Dobësitë e konsumatorëve për të blerë mallra të qëndrueshëm u thelluan edhe më shumë në tremujorin e tretë të vitit aktual. Banka e Shqipërisë në vrojtimin e konsumatorëve vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015. Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga -60.9 që ishte në tremujorin e tretë. Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 0.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit, pas përmirësimit të lehtë një tremujor më parë. Banka e Shqipërisë  sqaroi se, balancat të cilat kontribuuan në kahun rënës për vlerën e TBK-së lidhen me pyetjet për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve (balanca ra me 2.8 pikë përqindje) dhe për blerjet e mëdha (balanca ra me 1.3 pikë përqindje). Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të të besimit konsumator, situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes, shënuan rritje të lehta me përkatësisht 1.3 dhe 0.9 pikë përqindje. Balanca të tjera nga vrojtimi i besimit të konsumatorit si blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve shënuan rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kriza ekonomike dhe pasiguria për të investuar apo shpenzuar shuma të mëdha ka ulur shitjet e mallrave apo shërbimeve që kushtojnë dhe “rëndojnë” xhepat e tyre.
Në një kohë kur kursimi duket se është trendi i të gjithëve, individët kanë hezituar të shpenzojnë shuma të mëdha për blerjen e shtëpive, elektroshtëpiakeve, mobilieve, makinave, etj. individët janë gjithnjë e më pak të prirur të konsumojnë, e më tepër në investime të shtrenjta në një periudhë kur mungojnë garancitë për atë çka do të ndodhë më pas.

KE rikthen propozimin e taksave të larta mbi korporatat

Komisioni Europian do t’i dyfishojë gjobat ndaj shumëkombsheve të cilat shmangin taksat me rinisjen e propozimeve për të krijuar një sistem të njëjtë tatimor për bizneset në të gjithë vendet anëtare. Legjislacioni i propozuar do t’i nënshtrojë kompanitë që të përdorin rregulla të njëta për llogaritjen e fitimeve të taksueshme, sipas një drafti të shqyrtuar nga The Guardian. Kjo do të jetë e detyrueshme për kompanitë me qarkullim vjetor më të madh se 750 milionë euro, si dhe janë rezident i taksueshëm në një vend europian. I projektuar për të frenuar zhvendosjen e fitimeve, gjë që ka lejuar që shumëkombëshet si Apple, Starbucks dhe Amazon të shmangin detyrimet tatimore të një shume shumë të madhe për të ardhurat e gjeneruara në Europë. Propozimi u prezantua që në 2011, por hasi në kundërshtimin e Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ligjet janë të projektuara në mënyrë që të sigurohen se të ardhurat janë taksuar në juridiksionin ku kjo vlerë aktualisht është krijuar, sipas draftit, duke e bërë më të vështirë për shumëkombëshet për të shmangur taksat duke transferuar asetet e patrupëzuara siç është marka apo prona intelektuale në vende ku norma e tatimit është më e ulët. Komisionarët evropianë i përshkruajnë ligjet e propozuara si “një mjet shumë efektiv për përmbushjen e objektivave për taksim më të drejtë dhe më efikas”. Të gjithë vendet anëtare duhet të firmosin propozimin në mënyrë që të kalojë ligji. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar mund të largohet nga Bashkimi Evropian më përpara se ligji të kalojë, ajo çka e mban ende në tryezën e diskutimit është vetëm një anëtar. Nëse Britania do të mbetet pjesë e tregut të përbashkët, ligjet e reja do të aplikohen dhe në të gjithashtu. Komisioni ka planifikuar të prezantojë dy pjesë të ligjit të propozuar. I pari, i njohur si baza e përbashkët e taksimit të korporatave, do të prezantojë mënyrat e reja të përllogaritjes, aty ku kompania realisht i krijon të ardhurat. Formula rishikon vlerën se ku është krijuar bazuar mbi tre faktorë që peshojnë njëjtë: asetet, fuqia punëtore dhe shitjet. I dyti, baza e përbashkët e korporatave të konsoliduara, do të caktojë një vend të vetëm në ngarkim të mbledhjes së taksave evropiane të një kompanie të vetme. Këto të ardhura do të shpërndahen pastaj vendeve të tjera në të cilat kompania ka gjeneruar përfitimet. Ky propozimi i dytë do të mbahet pezull deri ne momentin kur të jetë rënë dakord për të parin.
Ligjet janë projektuar që të kenë si objektiv vetëm kompanitë e mëdha dhe ato të cilat kanë aktivitet përtej kufijve të një vendi, përgjegjëse për 64% të xhiros së krijuar brenda BE-së. Ndërsa kompanitë më të vogla e kanë me zgjedhje për t’ju bashkuar skemës.

OBSH: Tirana kryeqyteti më i ndotur në rajon

Ndotja e ajrit është një nga problemet më të mëdha në botë. Sipas raportit të vitit 2016 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Ndotja e Ajrit e Ambientit: Një vlerësim global dhe pesha e sëmundjeve”, 92% e popullsisë botërore jetojnë në zona ku niveli vjetor i ndotjes është më i lartë se normat e përcaktuara nga OBSH. Për sa i përket Shqipërisë duke iu përmbajtur statistikave të raportit të OBSH-së, Shqipëria është ndër 15 vendet e para ndër vendet e anketuara, me numri më të lartë të vdekjeve nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit të ambientit për 100 mijë banorë. Ataku i zemrës për shkak të ndotjes së ajrit ka shkaktuar edhe vdekjet më të mëdha në Shqipëri: 780. Në total në Shqipëri ka pasur 1,842 vdekje për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Për këtë statistikë renditemi në vendin e 3-të ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të anketuara. Ndërkaq, edhe faqja e sondazhe të perceptimit, “Numbeo”, e rendit Shqipërinë ndër vendet me ajrin më të ndotur në rajon.

Ndotja në Shqipëri

Sipas sondazheve të mbledhura këto 3 vitet e fundit, “Numbeo” e rendit në vendin e të dytë të perceptuar më ajrin më të ndotur në rajon. Ndërkaq për Shqipërinë ka pakënaqësinë më të madhe në rajon për sa i përket trajtimit të mbetjeve. Gjithashtu vendi ynë perceptohet si vendi më ndotjen më të madhe të ujit te pijshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe i dyti në Ballkanin Perëndimor për papastërti.

Ndotja në Tiranë

Pas kryeqytetit maqedonas Shkupi dhe kryeqytetit boshnjak Sarajeva, kryeqyteti shqiptar Tirana, sipas “Numbeo”-s, perceptohet si një ndër kryeqyteti më ajrin më të ndotur në rajon. Gjithashtu sondazhi e ka vlerësuar ndotjen e ajrit të Tiranës si të lartë. Po kështu Tirana është kryeqyteti i dytë në rajon, pas atij maqedonas të Shkupit, me vlerësimin më të keq si për trajtimin e mbetjeve ashtu edhe për papastërtinë. Ndërkaq, sipas “Numbeo”-s, për Tiranën të anketuarit kanë shprehur nivelin më të lartë të pakënaqësisë për sa i përket gjelbërimit dhe parqeve në këtë qytet.

KESH, 218 milionë euro kredi për të shlyer kreditë!

Në Kuvend ka mbërritur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH.
KESH ka referuar në relacionin përkatës se, me marrjen e kësaj huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit.
Për këtë qëllim, KESH, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje po administron një operacion që synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit  të garancive qeveritare).
Në këtë kuadër, KESH së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave kanë negociuar me BERZH-in për të siguruar një hua afatgjatë (deri në shumën 218 milionë euro).
Projektligji parashikon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Interesi

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë jep garanci shtetërore për këtë hua në rastet kur ai vetë nuk është huamarrësi. Nuk ka efekte financiare shtesë, pasi shuma e huasë do të përdoret për mbylljen e linjave të overdraftit që KESH sh.a., ka në tregun e brendshëm bankar, të cilat janë të mbuluara me garanci qeveritare.

Termat e këtij financimi janë:
Shuma e huasë: 218 milionë euro;
Periudha e kredisë: 15 (1+14) vite;
Norma e interesit: 6M Euribor+1% në vit;
Komisioni i angazhimit: 0.5% në vit;
Të tjera komisione: 1% në vit.
Disbursimi: Në 2 transhe (118+100)
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, duke qenë shoqëri tregtare që mbartte përveç të tjerave dhe detyrimin e shërbimit publik si furnizues i alternativës së fundit, ka filluar të marrë kredi afatshkurtër nga bankat tregtare lokale që nga viti 2005, për sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për një periudhë afatshkurtër në kushtet kur faturat e lëshuara nga KESH ndaj CEZ Shpërndarje (më pas OSHEE) gjatë vitit 2012-2014, për lëvrimin e energjisë elektrike shlyheshin në nivelin e 30-40% të vlerës së tyre duke krijuar kështu një situatë shumë të vështirë për sigurimin e furnizimit me energji elektrike në vend.
Kështu KESH ka qenë e detyruar të përballojë riskun hidrologjik të krijuar nga situata të pafavorshme dhe jooptimale hidrike. Duke u ndodhur para këtyre kushteve, në vijim të udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe dakordësisë së ministrisë së linjës së përgjegjësisë shtetërore, KESH sh.a., i është drejtuar të gjitha bankave tregtare lokale për të siguruar likuiditetet e nevojshme.
Aktualisht KESH-i është financuar me overdrafte me afat 1-vjeçar me të drejtë rinovimi nga 8 banka tregtare (Raiffeisen, Intesa San Paolo, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale, Credins, Tirana Bank, Banka Amerikane e Investimeve dhe Union Bank).
Më datë 31.12.2015, gjendja e kredive afatshkurtra (overdrafte) rezulton 33 679 277 761 lekë.
Rreth 218 milionë euro (apo 87% e totalit të kredive afatshkurtra) janë mbuluar me garanci qeveritare dhe 32 milionë euro (apo 13% totalit të kredive afatshkurtra) janë siguruar pa garanci qeveritare. Në procesin e rinovimit të këtyre kredive afatshkurtra (OD) KESH-i vazhdimisht ka negociuar për uljen e interesave të ofruara nga bankat.
Skeduli i kthimit të huave afatshkurtra është 12 muaj nga data e lidhjes së kontratës së re ose e rinovimit më të fundit të kontratës ekzistuese. Kostot për shoqërinë KESH sh.a., për shërbimin e këtij borxhi afatshkurtër janë dhënë në tabelën e mësipërme.
Plani i rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike, miratuar nga qeveria shqiptare, nuk parashikon që, për vitin 2016 dhe për 3 vitet në vazhdim, OSHEE-ja të paguajë detyrimet e prapambetura që ka ndaj KESH-it për energjinë e lëvruar gjatë periudhës 2012-2014.
Si rrjedhojë, KESH-i vazhdon të ketë detyrimin për pagesat e interesave të overdrafteve. Ndodhur në situatën e përshkruar më sipër dhe duke pasur parasysh që në kuadër të përmirësimit të qeverisjes korporative të KESH-it, përveç negociatave të vazhdueshme me bankat tregtare në vend për uljen e interesave dhe shlyerjen pjesore të principaleve të kredive afatshkurtra, KESH-i po punon për ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Për këtë qëllim, KESH-i po administron një operacion që synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër, ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit të garancive qeveritare).
Në këtë kuadër, KESH-i së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave, kanë negociuar me BERZH-in për të siguruar një hua afatgjatë deri në shumën 218 milionë euro, të siguruar me garanci qeveritare dhe me kushte preferenciale (periudhë shlyerje principal dhe interes për 15 vite, me normë interesi Euribor+1%).
Përgjithësisht, KESH-i vlerëson se totali i shpenzimeve vjetore për interesa që paguan aktualisht KESH ndaj bankave tregtare për të shërbyer stokun e huave afatshkurtra do të jetë afërsisht i njëjtë me pagesat vjetore që parashikon KESH për këstet (principal plus interesat) e shlyerjes së kredisë me BERZH-in.

Cilët do të jenë skenarët e përdorimit të huasë

Vlen për t’u theksuar fakti se nëse bëhet një analizë paraprake krahasuese mes opsionit “konverto overdraftet në hua 15-vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” dhe opsionit “mbajtjes së overdrafteve duke paguar interesa sipas kushteve dhe termave aktuale”, rezulton se:
Për transhin e parë (118 milionë euro apo 16.4 miliardë lekë):
Për opsionin 1: Konverto OD në hua 15-vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” në fund të periudhës 15-vjeçare KESH-i do të ketë paguar në total shumën prej 18.45 miliardë lekë, nga të cilat 2.05 miliardë lekë interesa dhe pjesë tjetër prej 16.4 miliardë lekë është shlyerje e plotë e principalit (1.17 miliardë lekë në vit);
Për opsionin 2: “Mbajtjes së OD duke paguar interesa” në fund të periudhës 15-vjet, KESH-i do të ketë shpenzuar në formën e interesave shumën prej 11.5 miliardë lekë duke mos shlyer asgjë nga detyrimi/principali. Për transhin e dytë (100 milionë euro apo 13.9 miliardë lekë):
Për opsionin 1: Konverto OD në hua 15-vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” në fund të periudhës 15-vjeçare KESH-i do të ketë paguar në total shumën prej 15.64 miliardë lekë nga të cilat 1.74 miliardë lekë interesa dhe pjesë tjetër prej 13.9 miliardë lekë është shlyerje e plotë e principalit (993 ilionë lekë në vit).
Për opsionin 2: “Mbajtjes së OD duke paguar interesa” në fund të periudhës 15-vjet, KESH-i do të ketë shpenzuar në formën e interesave shumën prej 8.18 miliardë lekë duke mos shlyer asgjë nga detyrimi/principali.
Vlerësimet paraprake tregojnë gjithashtu që nëse KESH-i:
Arrin të konvertojë 218 mln euro kredi afatshkurtra në kredi 15-vjeçare, i miratohet një tarifë gjenerimi rreth 2.9 lekë për kwh, OSHEE dhe OST shlyejnë detyrimisht dhe rregullisht pagesat për pjesët e tyre të huave afatgjata sipas marrëveshjeve respektive të nënhuave, atëherë KESH-i do të mund të jetë në gjendje të shlyente, brenda vitit 2020, pjesën tjetër të overdrafteve që nuk është e mbuluar me garanci qeveritare prej 32 milionë eurosh.
Për dhënien e kësaj kredie BERZH-i kërkon lëshimin e një garancie qeveritare. Mbështetur në vendimin nr. 472, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave, në datën 1 korrik 2016, u nënshkrua marrëveshja e garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Si rrjedhojë e zbatimit të këtij projekti, pritet që çdo vit totali i garancive shtetërore të angazhuara nga shteti shqiptar për kreditë afatshkurtra të KESH-it të reduktohet me rreth 1.17 miliardë lekë (që i korrespondon transhit të parë prej 118 milionë euro) dhe 993 milionë lekë të tjera (që i korrespondon transhit të dytë prej 100 milionë euro).

Përmbyten 850 ha tokë në Lezhë, qeveria asnjë ndihmë

Lezha dhe disa fshatra notojnë nën ujë prej më shumë se 24 orësh. Situata ka qenë mjaft e rëndë gjatë ditës së djeshme, ndërsa asnjë zyrtar apo përfaqësues i Shtabit të Emergjencave nuk është parë në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur. Gjendja mjaft kritike paraqitet në qytetin e Lezhës si pasojë e reshjeve të shiut. Në qytet rrugët janë të mbushura me ujë, dhe katet e para të banesave dhe shtëpive gjithashtu. Qarkullimi është bllokuar në hyrje-dalje të Lezhës. Sipas banorëve, situata më promblematike paraqitet brenda në qytet, ku po shkon drejt katastrofës. Lagjet “11 janari” dhe blloku i banimit “11.2” si si dhe oborret e shkollave janë të përmbytura, ku niveli i ujit arrin deri në 30 cm.
Drejtori i Shërbimëve Publike në Bashkinë Lezhë, Ndue Lushi thotë se, përmbytjet në qytet do të jenë të vazhdueshme, nëse nuk investohet në kanalizimet nëntokësore, të cilët nuk pëballojnë prurjet kur ka reshje të dendura shiu.

Me not në shtëpi

Shiu ka krijuar probleme edhe në lëvizjen e banorëve. Pamjet filmike të shfaqura në televizion u panë disa banorë që po kalonin me not për të shkuar në shtëpi. Banorët e irrituar u shprehën se nuk ka ardhur asnjë zyrtar për të parë gjendjen nga afër. Asnjë ndihmë për banorët që u janë mbytur shtëpitë. Dëmet janë të shumta, si në orendi, ashtu edhe në bagëti e të mbjella.
Përmbytje të mëdha janë bërë edhe në zonën fushore. Tokat bujqësore të Zadrimës, Torovicës dhe Bregut të Matit janë nën ujë. Edhe në fshatrat e Zejmenit dhe Blinishtit situata është mjaft kaotike. Në këto zona, uji ka shkuar deri në 70 cm dhe mjaft banorë janë bllokuar në banesat e tyre.
Në Blinishtit, administratori Sokol Luku thotë se, përmbytja ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, ndërsa i apelon qeverisë që të alokojë fonde për të ndërhyrë. “Në Njësinë Administrative ndodhen rreth 500 ha tokë të përmbytura. I bëj thirrje qeverisë të ndërhyjë për pastrimin e kanaleve dhe alokimin e fondeve”, thotë administratori Luku.
Në fshatin Gajush, shumë banesa janë nën ujë, ku niveli arrin deri në 50 cm. Paraditen e djeshme u bllokua dhe lëvizja, pasi rrugët u mbuluan nga uji. Banorët thonë se, kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje shiu, ndërsa sipas tyre, asnjë përfaqësues i pushtetit qëndror nuk ka shkuar për ta parë situatën. “Kemi 1 metër ujë në banesë. Asnjë qeveritar nuk ka ardhur. Ju lutem përcillni shqetësimin tonë”, thonë banorët.
Situata mendohet se është krijuar nga bllokimi i një turbine shkarkimi pranë superstradës. Ministria e Bujqësisë është mjaftuar dje me një komunikatë për mediat, pasi vetë ministri Panariti ndodhet në Kinë. As vartësit e tij nuk kanë qenë në zonën e përmbytur. Edhe në Njësinë Administrative të Blinishtit janë disa banesa të përmbytura. Kreu i njësisë, Sokol Luku thotë se, përmbytja ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, ndërsa i apelon qeverisë që të alokojë fonde për të ndërhyrë. Ndërsa në qytet shkak i përmbytjes është bërë vërshimi i lumenjve.
Si pasojë e prurjeve të shumta nga reshjet është rritur edhe niveli i Lumit Drin, i cili në disa zona rrezikon të dalë nga shtrati. Por ndonëse situata gjatë ditës së sotmë ka qenë mjaft kritike, asnjë përfaqësues i Shtabit të Emergjencave nuk është parë në terren për tju ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, raporton gazetari që ndoqi nga afër situatën.

850 ha tokë nën ujë

Si pasojë e këtyre reshjeve, deri rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, gjenden nën ujë, në Zadrimë rreth 350 hektarë tokë, në Torovicë rreth 350 ha, Zejmen-Barbullojë, rreth 150 hektarë. Në  rrethin Kurbin, nga përmbytja e kaluar kishte ende ujë të palarguar dhe ka shtesë në sipërfaqe nën ujë, kryesisht rreth nënkalimit të Laçit dhe në Sanxhak.

Duhet ndërhyrje në kanalizime

Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë, Ndue Lushi thotë se, përmbytjet në qytet do të jenë të vazhdueshme nëse nuk investohet në kanalizimet nëntokësore, të cilët nuk përballojnë prurjet intensive. “Duhet një investim mjaft i madh për të ndërhyrë në të gjithë kanalizimin e qytetit. Të sigurohet një stacion pompimi vetëm për ujërat sipërfaqësore”, thotë Lushi. Vërshimi i përrenjve malor përmbyteti sërish dhe rrugët e qytetit të Lezhës. Niveli i ujit arriti në 30 cm, duke bllokuar hyrjet e pallateve.

Frrokaj: Sistemi i kullimit kaotik, do t’i kërkojmë ndihmë qeverisë

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj thotë se, sistemi i kullimit në Lezhë është kaotik prej disa vitesh. Frrokaj shprehet se është e pamundur që sistemi i kullimit të vihet në parametrat e duhur vetëm me investimet e Bashkisë prandaj do t’i kërkojë qeverisë ndihmë për të ndërhyrë. “Situata nga përmbytjet është mjaft e rëndë. Sistemi i kullimit në Lezhë nuk funksionon prej disa vitesh. Do t’i kërkojmë qeverisë ndihmë”, u shpreh për mediat kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Bashkia e Lezhës ka bërë të ditur se, stacioni i pompimit që bën evadimin e ujërave në qytet ka qenë jashtë funksioni gjatë natës si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Kjo ka bërë që uji të qëndrojë për një kohë të gjatë nëpër rrugë dhe lagje të Lezhës, ndërsa është bërë e ditur se energjia është rikthyer dhe situata ka nisur të përmirësohet. Bashkia ka angazhuar punonjësit e Shërbimeve Publike, të cilët nisën ndërhyrjen në zonat ku kishte probleme nga përmbytjet.
Probleme nga reshjet e shiut ka patur edhe në Njësinë Administrative të Kolshit. Disa banesa në fshatin Gryk Manati u përmbytën, ndërsa shumë rrugë u bllokuan në këtë zonë, duke bllokuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Banorët thonë se kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje shiu për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese, duke ju shkaktuar dhe dëme të shumta.
Vërshimi i ujit nga malet solli prani gurësh dhe inertesh në rrugët e qytetit, por dhe në zonën e Gryk Manatisë.

Përmbytjet në Kurbin, banorët prej 10 ditësh të rrethuar nga uji

Shirat e rënë gjatë natës kanë krijuar një gjendje të rënduar në fushat e rrethit të Kurbinit, ku rezultojnë me dhjetëra hektarë të përmbytur si dhe kanalet kulluese të tej mbushura dhe për pasojë uji i tyre është përhapur në sipërfaqet e fushave. Siç është theksuar vazhdimsht kanalet kulluese janë krejtësisht jashtë funksionit. Po ashtu sipërfaqe të tëra janë përmbytur edhe në fushat e Thumanës.
Megjithë situatën e krijuar nga këto përmbytje në terren nuk ka dalë asnjë pushtetar për të parë situatën e krijuar. Fushat  e mbjella me misër, jonxhë, pemë etj., vazhdojnë të jenë nën ujë, duke i çuar këto drejt asfiksimit të tyre.
Në Milot, një familje kërcënoi se do të sakrifikohej, duke i vënë zjarrin dy bombulave të gazit. Të përmbytur prej dhjetë ditësh, askush nuk i ka ndihmuar. Kështu jetojnë prej dhjetë ditësh që kur rrjedha e një përrori u mori para çfarë kishin. Jashtë shtëpisë së tyre ka vetëm ujë. Të varfër pjesëtarët Lleshi në Milot janë lënë vetëm.
Dy bombulat dhe pak ndërresa i nxorrën në oborr për të tërhequr vëmendje, kryefamiljarja Maria kërcënoi se do t’i shpërthente. Reshjet më të fundit kanë përkeqësuar situatën në Laç. Nga koha kur qyteti dhe disa fshatra u përmbytën, 300 ha tokë ndodhen nën ujë. Fshatrat Gjorm, Mali Bardhë, Shullaz, Zheje, janë më të rrezikuarit. Të mbjellat e fshatarëve janë dëmtuar në masë.
Problematika në Kurbin vazhdon prej dhjetë ditësh. Përroi vërshoi mes për mes qytetit, duke shkatërruar biznese e banesa, kurse tokat bujqësore u mbuluan nga uji.

R.POLISI

Tjetër mushkonjë droge në Lalz, 2 fluturime rreth zonës

Një tjetër avion droge është parë nga banorët e zonës mbi Gjirin e Lalzit pasditen e djeshme. Një prej banorëve ka dërguar fotot e avionit në BalkanWeb, duke fluturuar mbi Gjirin e Lalzit. Sipas banorëve, avioni sportiv ka bërë dy fluturime mbi bregdet në orën 16:00 dhe është larguar. Banorët e kanë fotografuar nga një lokal në breg të detit dhe avioni duket shumë qartë dhe afër tokës.
Sipas banorëve, avioni ka tentuar të ulet dhe është afruar shumë pranë tokës, por pasi është pikasur nga banorët është larguar. Dyshohet se avioni ka tentuar të ulet për t’u ngarkuar me drogë. Ditët e fundit ka pasur shumë raportime për lëvizje avionësh, duke nisur që nga Kavaja e deri në Gjirin e Lalzit.
Një javë më parë, një avion është ulur në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me kanabis sativa. Ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që deklaroi në sallën e Kuvendit se, mbrëmjen e së enjtes së 13 tetorit ishte ulur një avion në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me drogë. “Një avion në Lalëz për t’u ngarkuar me drogë. Sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër, qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Po kështu, policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Megjithëse policia mundohet në çdo rast të fshehë gjurmët e avionëve të drogës, në zonën e Shqipërisë së Mesme ka të paktën edhe dy pista të tjera avionësh që ngrihen të ngarkur me drogë.
Më i fundit u fotografua të premten më 14 tetor mbi Kavajë.

Pista e Ishmit

Në mesin e muajit shtator një avion me drogë në Ishëm. Ky avion ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 tonë ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 tonë, duke mos arritur që avioni të ngrihej.
Avioni i pilotit italian, Guidi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Italiani Guido Guidi ka ulur avionin e tij në Ishëm vetëm për të marrë drogën dhe mjeti i tij fluturues nuk ka pasur asnjë defekt dhe në zonën e Ishmit në Durrës nuk ka pasur asnjë turbulencë ajrore që mund të sillte rrëzimin e tij. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se avioni është ulur qëllimisht në Ishëm në pistën e përgatitur posaçërisht. Pas hetimeve që ka bërë grupi hetimor në lidhje me gjendjen teknike të mjetit fluturues që u ul në Ishëm, janë pyetur edhe drejtuesit e Aviacionit Civil Shqiptar, të cilët kanë deklaruar se avioni nuk ka pasur asnjë defekt. Fillimisht Guido Guidi tha se, kishte pasur defekt dhe prandaj ishte ulur aty, por më pas pranoi se kishte ardhur për të provuar pistën nga ku do të ngarkohej me drogë.

Operacioni i Europol, sekuestrohen 2.38 tonë kokainë

2.38 tonë kokainë, 529 viktima të trafikuar dhe 312 të arrestuar janë rezultat i operacionit ndërkombëtar “Ciconia Alba” të policive të Europës që ka zgjatur një javë. Në operacionin një javor nga 10 deri në 16 tetor ka marrë pjesë dhe Shqipëria. Aksionet e policisë janë kryer kryesisht në porte, aeroporte.
52 vende dhe 4 ekipe ndërkombëtare kanë marrë pjesë në operacionin për goditjen e një rrjeti të madh trafikantësh në Europë dhe më gjerë. Gjithashtu bashkëpunimi me sektorin privat ka qenë një tjetër arsye e suksesit të këtij operacioni. Operacioni ishte i fokusuar në shkatërrimin e rrjeteve më të rrezikshme kriminale aktualisht aktive, që lidheshin me trafikun e qenieve njerëzore, emigracionin e paligjshëm, trafikut të drogës (kokainë, heroinë dhe drogave sintetike) si dhe në krimet kibernetike (mashtrime me karta pagese – Global Airport Action Day).

R.POLISI

Të përndjekurit: Xhelatët e diktaturës jo në drejtësi

Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ka reaguar lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi pas miratimit të saj në Parlament. Në një deklaratë për mediat, të mbajtur para godinës së Gjykatës së Lartë, ish-të përndjekurit thonë se qeveria Rama po kërkon të zbatojë këtë reformë me punonjës të sistemit gjyqësor që kanë abuzuar me këtë kategori në të kaluarën.
Ata thonë se, reforma në drejtësi duhet të “pastrojë” dhe të nxjerrë jashtë sistemit nga institucionet e drejtësisë, “të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, hetues të diktaturës komuniste, të cilët janë përfshirë direkt në shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Përmes një deklarate për mediat, Besim Ndregjoni, President i Shoqatës në emër të mijëra familjeve që pësuan traumat e genocidit të diktaturës komuniste i bëri thirrje Ramës të largojë xhelatët e komunizmit nga sistemi i drejtësisë.
“Në emër të mijëra familjeve që pësuan traumat genocidjane të diktaturës komuniste, në emër të 6000 familjeve që kërkojnë eshtrat e pjesëtarëve të tyre që këta gjyqtarë e prokurorë i kanë vrarë dhe dënuar dhe u kanë humbur dhe eshtrat e tyre kërkojmë zoti kryeministër mos tentoni të mbani në sistemin e drejtësisë kamikazët e diktaturës. Largoni sa më parë nga sistemi i drejtësisë këta dhunues të të drejtave dhe lirive të njeriut. Zoti Kryeministër zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mos paguani nga taksa paguesit shqiptarë, militantët tuaj politikë që kanë depërtuar në sistemin e drejtësisë. Nëqoftëse  ju nuk zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese jepni dorëheqje sa nuk është vonë. Ne jemi këtu çdo ditë, çdo orë për të vënë në vend drejtësinë dhe për t’u dënuar krimet e komunizmit”, tha Ndregjoni.
Ai akuzoi Ramën se po kërkon që reformën në drejtësi ta përmbyllë me xhelatët e komunizmit, me ata që në diktaturën komuniste dënonin qytetarë të pafajshëm, shfarosnin familjet e mëdha fisnike shqiptare. Ndregjoni theksoi se, “reforma në drejtësi është një kauzë kombëtare që në një sistem demokratik të brishtë siç është sistemi ynë ku për 25 vite zvarritet në mes politikë bërjes komuniste dhe standardeve që kërkon ndërtimi i një sistemi i barabartë për të gjithë qytetarët, nga ne ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë që përballuam diktaturën dhe çnjerëzimin e kësaj diktature, e mirëpritëm dhe jemi të dakordësuar me një sistem që të japi drejtësi e të penalizojë krimin.
Por çfarë po ndodh me reformën në drejtësi?
Kryeministri Edi Rama si drejtues i një mazhorance reformën në drejtësi do ta bëjë me kamikazët e shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut që në diktaturën komuniste dënonin qytetarë të pafajshëm, shfarosnin familjet e mëdha fisnike shqiptare. Dhe ofensiva e këtij kryeministri nuk njeh kufi. Ai ka marrë përsipër me deputetët e tij që dje dënonin në diktaturë që nga Kryetari i Komisionit për reformën në drejtësi e deri tek operativët e ish-Sigurimit të Shtetit që janë në Parlament dhe votojnë këtë reformë”, u shpreh Ndregjoni.
Ai theksoi se reforma në drejtësi duhet të pastroi dhe të nxjerri jashtë sistemit nga institucionet e drejtësisë të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, hetues të diktaturës komuniste, të cilët janë të përfshirë direkt në shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. “Këta prokurorë, gjyqtarë, hetues kanë 25 vite që e shkatërruan këtë sistem drejtësie, duke e korruptuar dhe duke e degraduar në mënyrë sistematike. Nuk mund të ketë dy standarde zoti Kryeministër në një sistem demokracie, ata që krijuan dhe depërtuan në administratë shtetërore, korrupsioni këtë krim që i po i merr frymën shoqërisë dhe e ka paraqitur kombin tonë me imazhin më të keq në Europë. Ka tre vite që kjo mazhorancë nuk pranon në Gjykatën e Lartë gjyqtarë dhe i len vendet vakant vetëm se Kryeministri mban pa asnjë lloj ligji një ish-prokuror të diktaturës që i shërben Kryeministrit dhe mazhorancës aktuale si militant besnik Ardian Dovranin, i cili megjithëse Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin që ai të largohet nga Gjykata e Lartë, Kryeministri Rama nuk pyet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në një situatë kaotike, kur Kryeministri i vendit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një vend normal të demokracisë, ai kryeministër që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet e pakta që të bëjë të japi dorëheqje”,  tha Presidenti i Shoqatës së ish-të Përndjekurve.

Qeveria lë në harresë lumturimin e Nënë Terezës

Për të tretin vit radhazi, qeveria ka lënë në harresë përvjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, duke mos organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në nder të saj. Edhe këtë vit nga kryeministria, ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë nuk u organizua asnjë ceremoni për nderimin e figurës së Nënë Terezës.   Nënë Tereza mbushi dje 13 vjet nga lumturimi i saj. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, emër të cilin e mori kur themeloi urdhrin “Misionarët e Dashurisë “ në vitin 1951 për t’u shërbyer të varfërve dhe të pashpresëve të Indisë, u lumturua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali i 2 në Vatikan.  Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.  Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Në vitin 2003 aeroportit  të Tiranës, iu dha emri “Nënë Terezë”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj.  Nënë Tereza ka lindur në Shkup më 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Ajo  vdiq në 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.  Më 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende.  Gjatë viteve, Bamirësia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “më të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.   19 tetori, dita e lumturimit të Nënë Terezës është shpallur festë kombëtare në Shqipëri. Nënë Tereza prehet në selinë e Urdhrit të  Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.  Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, Nënë Tereza u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shenjtërimit të saj. Më 5 shtator 1997, jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besimeve të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e Bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002, miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.  Ati i Shenjtë Gjon Pali i Dytë, pas shqyrtimit të mbi pesëmijë faqe dëshmish mbi jetën, veprën dhe mrekullitë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, vendosi që më 19 tetor 2002, në Bazilikën e Shën Pjetrit ta shpallë shenjtëreshë këtë bijë shqiptare, të cilën mbarë bota e njohu dhe e quajti Nënë. Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare – Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nëna Terezë e Dashurisë, përmenden edhe 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobel për Paqe, më 1979, si dhe disa mrekulli, të cilat vështirë mund të shpjegohen edhe shkencërisht.  Komisioni Kishtar për Beatifikim, pasi ka shqyrtuar 80 volume me 113 dëshmi e 35.000 faqe të shkruara me akte nga jeta dhe vepra e Shenjtëreshës shqiptare, ka përgatitur materialin sintezë nga jeta, vepra dhe mrekullitë e Nënës Terezë, në ekstraktin 5000 faqesh të shkruara dhe pas analizimit të tij, Papa ka marrë vendimin për shenjtërimin zyrtar të Gonxhe Bojaxhiut. Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënës Terezë, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevojë për zgjatjen e një dore. Tashmë, 19 tetori simbolizon ditën për më shumë lutje, besim e dashuri.

Biografi i Nënë Terezës e cilëson atë si “dashuri të pastër në veprim”

“Si do ta cilësoja Nënë Terezën? Ajo ishte dashuri e pastër në veprim”. Don Gjergji Lusha është biografi më i famshëm i Nënë Terezës së Kalkutës, i cili nga viti 1980 deri në 2002 ka shkruar për bamirësen 12 volume të përkthyera në 35 gjuhë. “Për herë të parë e takova në vitin 1969, kur isha student i Filozofisë në Romë dhe ajo ndodhej në qytet për të përuruar një nga shtëpitë e saj pritëse. Më pas, jemi takuar edhe shumë herë të tjera, as nuk e mbaj mend sesa. Kudo që ajo hapte misione të reja unë i qëndroja pranë”, tregon don Lusha. “Momentin më të bukur dhe emocionues e përjetuam në Oslo në vitin 1979, kur Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqen. Atë ditë kaluam shumë orë së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Falë saj ishte një eksperiencë e jetuar në mënyrë të mrekullueshme”, vazhdon tregimin e tij don Lusha. Don Lusha sjell edhe një dëshmi domethënëse: “Unë me të flisja shqip dhe ajo e konsideronte veten shqiptare, fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët si për atdheun dhe për popullin e saj. Vetëm rrallëherë përdorte anglishten për të shprehur terma që nuk i mbante mend në shqip. Nëqoftëse më kërkoni një përkufizim për të, iu përgjigjem se Nënë Tereza ishte dashuri e pastër në veprim, edhe pse është ende herët për të përfaqësuar në të vërtetë çka ajo ishte”.

Zgjedhjet, kusht i BE për hapjen e negociatave

Pavarësisht përgjigjes pozitive që pritet të japë këto ditë Komisioni Europian për Shqipërinë, negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian do të nisin në fund të vitit të ardhshëm. Është ky konkluzioni i Njësisë së Inteligjencës Ekonomike, e cila në raportin e saj për Shqipërinë 2016-2017, thekson se kusht për çeljen e negociatave janë zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm.
“Koalicioni qeveritar, i përbërë nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) e Kryeministrit Edi Rama dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), ka një shumicë të madhe, duke kontrolluar 83 nga 140 vende në Parlament.
Mandati i qartë i qeverisë dhe ngjashmëria e politikave përqafuar nga partnerët e koalicionit duhet të bëjë të mundur zbatimin e reformave të rekomanduara nga BE-ja.
Njësia e Inteligjencës Ekonomike pret që, në qoftë se Shqipëria përshpejton procesin e reformave deri në fund të vitit 2016, Shqipëria mund të marrë një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në. Por këto nuk kanë të ngjarë të fillojnë jo më herët se deri në fund të 2017-ës”, thuhet në raport.
Sipas saj, qeveria përballet me sfidën e konsolidimit fiskal, duke u përpjekur për të nxitur rritjen ekonomike. “Ne parashikojmë që rritja vjetore e PBB-së reale do të përshpejtojë deri në 3% në vitin 2016 dhe 3.4% në vitin 2017, nga 2.8% që ishte në vitin 2015, duke përfituar nga norma historikisht të ulëta të interesit”, theksojnë specialistët e “The Economist” në raportin e tyre.
Shënim: The Economist Intelligence Unit – Njësia e Inteligjencës Ekonomike është një botues i specializuar që i shërben kompanive për themelimin dhe menaxhimin e operacioneve financiare përtej kufijve kombëtarë britanikë. Për 60 vjet ajo ka qenë një burim i informacionit mbi biznesin e zhvillimet, trendet ekonomike dhe politike, rregulloret e qeverisë dhe praktika e korporatave në mbarë botën. Njësia e Inteligjencës Economist jep informacionin e saj në katër mënyra: nëpërmjet portofolit të saj dixhital, ku analiza e fundit është e përditësuar në të përditshme; përmes produkteve të abonimit të shtypur, duke filluar nga gazetat në punimet vjetore të referencës; përmes raporteve hulumtuese; si dhe duke organizuar seminare dhe prezantime.

Herion MESI