24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Denigrimi i gazetares nga Rama dhe heshtja e Enit

Armand MAHO

“Të këshilloj të shohësh filmin Narcos. Aty do të kuptosh edhe dallimin me Shqipërinë, shikoje si film se nuk dua ta gjej se cili je ti si personazh”, janë fjalët që iu drejtua dje Edi Rama gazetares Eni Vasili në emisionin opinion në televizionin “Neës 24”.
Në foton poshtë është e dashura e Pablo Escobar, Virginia Vallejo, (në filmin Narcos Valeria Velez) gazetare e njohur e kohës, e cila u përdor nga Escobar fillimisht për katapultimin e tij në politikë, dhe më pas përdori figurën e saj dhe ekranin për të përçuar mesazhet që donte në politikë dhe opinion publik. Në film Virginia akuzohet dhe si ideatorja për disa vrasje të kolegëve të saj, me qëllim eliminimin e konkurrencës. Dhe ashtu ishte vërtet, përgjatë kohës që ajo ishte e dashura e Escobar, falë dhe aftësive të saj në profesion aso kohe nuk njihte konkurrencë në gazetari. Ishte e para në çdo vrasje që kryehej në Medellin, pasi lajmërohej nga vetë Escobari, dhe kjo i dha një pushtet të jashtëzakonshëm. Në atë kohë Vajello, konsiderohej si ikonë e gazetarisë kolumbiane pikërisht se ishte krahu i djathtë i Pablo Escobar, dhe kishte jo pak përfitime prej tij. Në të gjitha seritë, është vetëm kjo në rolin e gazetares. Rasti i gazetares tjetër që u mor peng dhe u vra aksidentalisht nga forcat e sigurisë nuk është për tu përmendur sepse ajo nuk e sakrifikua për hir të profesionit, por sepse ishte vajza e ish-presidentit të Kolumbisë….!
E bëra këtë shpjegim të profilit të gazetares kolumbiane për ta bërë më të qartë çalltisjen e kryeministrit në krahasimin e tij. Pasi nuk e kuptoj kurrkund se përse duhej që Eni Vasili të adresohej të shihte filmin dhe të gjente se kujt personazhi i përngjan?! Në mos Viginia Vallejos atëherë kujt? Mos kryeministri kish në mendje të ëmën e Escobarit? Nuk besoj! Përderisa kishte përballë një gazetare, atëherë afërmendsh krahasimi është Virginia Vallejo, pjesë e kartelit më të famshëm kolumbian të drogës. Por me sa e njohim Enin, skemi dëgjuar për të tilla marifete, madje është munduar t’i qëndrojë sa më larg lojërave të pushtetit. Ka qenë një gazetare, që ka bërë punën e saj me përkushtim, dhe është bërë ikone e ekranit në bazë të aftësive të saj. Aq më pak në rrugën e saj, Vasili sdi më të jetë përfolur për lidhje me kartelet e drogës! Hera e parë që mund të ketë parë drogë ka qenë rasti kur mori një gjethe hashashi në studion e saj për të trajtuar temën e kanabizimit të Shqipërisë dhe që i duhej menjëherë pas emisionit të përballej me Prokurorinë për këtë “krim të madh”.
Atëherë përse duhej ky krahasim nga Kryeministri Rama? Ai nuk ka përballë Virginia Vallejo-n e Escobarit, por Eni Vasilin e “Neës 24”, e cila e kish thirrur në një emision, ku ai kryeministri apo dhe të tjerë zgjedhin që të shkojnë apo jo! T’u përgjigjet pyetjeve apo të bëje sikur nuk i dëgjon duke vazhduar me fjalët e tij boshe siç e ka zakon. Kaq e thjeshtë është!. Personalisht se kam ndjekur dje intervistën dhe nuk e di se çfarë e ka provokuar kryeministrin, por fjalia duket se mban në brendësi të saj një gjendje të rëndë acarimi dhe tërbimi që Ramën e ka kapluar me median. Në fakt me çfarë po ndodh, televizionet kryesisht, por edhe gazetat janë treguar të kursyer me rilindjen dhe qeverinë e saj. Kjo për shumë shkaqe e arsye të cilat fillojnë që nga blerja dhe deri tek presioni. Kanë bërë minimumin e minimumit të asaj që duhet të bënin! Skandalet e qeverisë, kanë mbetur në kuadrin e nje lajmi të thjeshtë pa u investiguar dhe treguar fajtorët. (Në këtë drejtim më në pararojë në fakt janë mediat online) Por sërish Kryeministri nuk është i kënaqur. Për të ato, mediat pra, vazhdojnë të mbeten “kazanë” të manipulimit të opinionit në rastin më të mirë, ose vegla të karteleve dhe pjesë të karteleve të drogës si në rastin e gazetares Eni Vasili!!!. Një qëndrim skandaloz ky i atij që duhet të bëjë kryeministrin, i cili tashmë, duket se ka tejkaluar gjuhën e ironisë dhe ka hyrë në atë të sulmit verbal, të drejtpërdrejtë dhe denigrues siç ndodh dhe dje, ku viktima e radhës ra Eni Vasili apo sipas Ramës Virginia Vajello e “News24”!

Blushi-Ramës: Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat!

Deputeti Ben Blushi reagoi pas deklaratës që kryeministri Edi Rama, bëri për largimin e tij dhe akuzat e forta të tij lëshuar në adresë të qeverisë.
“Paska folur Edi Rama për romanet e mi! Kur shkrimtarët merren me qentë, qente merren me librat!”, shkruan Blushi në një postim në profilin e tij në Facebook.
Një ditë më parë, Edi Rama ironizoi librat që kishte shkruar Ben Blushi gjatë kohës që ka qenë kryetar Rama.
“Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen, por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që  tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman, sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin”, tha Rama.

Nishani vlerëson me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Schwimmer

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Institucionin e  Presidentit të Republikës, në praninë e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri Johann Satler, Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, diplomatë, akademikë si dhe personalitete të njohura politike në vend,  Kreu i Shtetit Bujar Nishani vlerësoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (1999-2004), Walter Schwimmer me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në vlerësim të mbështetjes e ndihmës së dhënë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, por jo vetëm, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe për përkrahjen e çmuar e shumë domethënëse të aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh: “Faleminderit për praninë tuaj sot në këtë ceremoni dekorimi, për më tepër që kjo datë, 19 tetori, na kujton momentin e lumturimit të Nënë Terezës, e cila që prej 4 shtatorit të këtij viti, quhet Shën Tereza e Kalkutës. Megjithë koincidencën shumë të bukur të kësaj date, arsyeja e organizimit të këtij aktiviteti sot, është e ndryshme. Sot jemi mbledhur për të shprehur mirënjohjen ndaj një miku të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili në kapacitete të ndryshme, por veçanërisht në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, për periudhën 1999 – 2004, ka dhënë një kontribut të vyer në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, ndaj më lejoni edhe njëherë t’i uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe në Institucionin e Presidentit të Republikës, zotit Ëalter Schëimmer. Mirë se keni ardhur sërish në Shqipëri zoti Schëimmer!

Administrimi i pagesave që do mblidhen nga bizneset, jo transparent

Ligji për personat juridikë ka vendosur një kuotë nga 3000 deri në 100 000 lekë, ndërkohë që një vlerë e tillë nuk është proporcionale, duke marrë në konsideratë dhe taksimin e biznesit në ushtrimet e aktivitetit të tij. Rezultatet e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend është niveli i taksave.
Pra, me fjalë të tjera kuotat nuk mund të jenë në një vlerë të tillë, të cilat në fakt nuk janë tjetër veçse një taksim shtesë për biznesin. Ndryshe nga sa është kërkuar gjatë debatit në Komision, nuk rezulton të jetë e qartë përcaktimi i kuotave në rastin e personave juridikë referuar tarifave minimale dhe maksimale apo bazuar në xhiron e kategorive të biznesit, aktivitetit tregtar dhe shërbimeve që ofrojnë në treg.
Po ashtu, përmes dispozitave të tij ligji nuk krijon mundësitë që të bëhet transparente administrimi i të ardhurave të krijuara nga pagesat e kuotave në rastin e Dhomave të Tregtisë.
Në ligj apo relacionin e projektligjit nuk është e qartë strategjia përkatëse se si do të realizohen objektivat dhe shërbimet që do të merren përsipër nga DHTI dhe BDHTI, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e pasigurisë të subjekteve tregtare ndaj shërbimit që do të ofrohet nga këto dhoma, gjë për të cilën do të kryejnë dhe pagesën e detyruar.
Në modelin kontinental detyrimi për anëtarësim përmes pagesës së kuotës nga të gjitha subjektet tregtare mbështetet në delegimin e disa punëve publike DHTI-ve për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me biznesin, duke ndikuar në fuqizimin dhe rolin e tyre në vend dhe rritur nevojën e krijimit të instancave shtetërore mbikëqyrëse që kontrollojnë përmbushjen e detyrave publike të deleguara nga DHTI. Në këtë mënyrë krijohet një raport i drejtë dhe i balancuar mes përgjegjësisë e pozicionit influencues të DHTI-ve në përmbushjen e shërbimeve dhe misionit të tyre dhe detyrimit për pagesën e anëtarësimit të subjekteve tregtare. Pra, pagesa e detyrueshme e kuotave të anëtarësimit përligjet nga mirëfuksionimi i DHTI-ve dhe synimi i rritjes së influencës së tyre në politikëbërje në mbrojtjen e anëtarëve të DHTI-ve.
Së fundi, referuar prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të gjitha subjektet, qoftë persona fizikë apo juridikë, misioni dhe përcaktimet ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër të rëndësishëm.
Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, ‘Për Dhomat e Tregtisë” të ndryshuar”, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë.

Efektet e kreditimit në valutë

Në ditët e sotme, ndonëse përgjatë viteve ka shënuar një rënie, më shumë se 65% e kredisë ndaj sektorit privat në Shqipëri është lëvruar në valutë. Struktura e saj përbëhet kryesisht nga kredia konsumatore, kredia hipotekare si dhe ajo ndaj ndërmarrjeve të mëdha. Në pjesën më të madhe, kjo prirje diktohet nga faktorët e kërkesës, ndonëse jo të rëndësishëm, ata janë relativisht më përcaktues se faktorët e ofertës, kryesisht për shkak të shtrirjes më të vogël të efekteve të aktiveve, sipas një studimit të autorit Gerti Shijaku, nga Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.
Rezultatet dëshmojnë se kreditimi në valutë është nxitur kryesisht nga mjaftueshmëria e likuiditetit në valutë që bankat zotërojnë dhe tendenca drejt portofoleve që mbartin më pak rrezik. Gjithashtu, kreditimi në valutë është më i preferuar në kushtet e spread-it pozitiv të normave të interesit për kreditimin në monedhë të ndryshme, luhatshmërisë së inflacionit dhe kursit të këmbimit të qëndrueshëm.
Aktualisht, theksohet në studim, portofoli i kredisë në valutë shfaqet disi më problematik në drejtim të cilësisë së tij krahasuar me portofolin në monedhën vendase për shkak se kjo formë kreditimi zë rreth 71% kundrejt 29% të të gjithë kredisë me probleme (NPL), dhe 17% kundrejt 7% të kredisë totale ndaj sektorit privat. Nisur nga pjesa e konsiderueshme që zë kreditimi në valutë dhe ritmi i shpejtë i përkeqësimit të asaj me probleme që lidhet me këtë portofol (i cili, kohët e fundit, është rritur me një normë më të lartë se ajo në monedhën vendase), situata paraqitet veçanërisht shqetësuese, pasi rreziku dhe pasojat që lidhen me këtë portofol janë të një rëndësie më të madhe. Për më tepër, kreditimi në valutë potencialisht kufizon efikasitetin e politikës monetare dhe politikave makroekonomike. Në veçanti, ai mund të kufizojë aftësinë e bankës qendrore për të stimuluar aktivitetin prodhues dhe normën e inflacionit, duke e detyruar atë t’i japë përparësi stabilizimit të kursit të këmbimit.
Në këto kushte, masat e duhura rregullatore dhe mbikëqyrëse të orientuara drejt këtyre sfidave vendimtare varen kryesisht nga njohuritë mbi përcaktuesit pas së cilës shpjegohet prirja dominuese e kreditimit në valutë dhe ndikimi që kriza pati në të, edhe pse pasojat e kreditimit në valutë në stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar janë debatuar gjerësisht përpara fillimit të krizës financiare globale. Në fakt, pasi efektet ekonomike të krizës u përçuan tek vendet e rajonit të EQLJL-së, duke shkaktuar luhatje në kursin e këmbimit dhe përkeqësimin e gjendjes financiare të individëve dhe ndërmarrjeve, çështja e kreditimit në valutë ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e politikëbërësve. Në këtë aspekt, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ndër masat e para makroprudenciale që mori në fund të vitit 2008 dhe në fillim të vitit 2009, qenë rritja e kërkesës për shpenzime kapitale për portofolin e kredisë bankare të pambrojtur dhe përcaktimi i një niveli më të lartë kufizimi të ponderuar për degët e bankave të huaja5. Këto masa synonin të dekurajonin kreditimin në valutë. Megjithatë, mendimi i përhapur se kreditimi në valutë në Shqipëri është nxitur nga spread-et pozitive midis normave të brendshme dhe të jashtme të interesit dhe nga rreziku i luhatshmërisë së normës së inflacionit dhe asaj në kursin e këmbimit ose likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë nuk ka qenë ende pjesë e analizave empirike6. Për më tepër, edhe pse literatura mbi shkaqet dhe pasojat e kreditimit në valutë është në rritje, shumë pyetje për rastin e Shqipërisë mbeten pa përgjigje, në veçanti ato që lidhen me faktorët shtytës dhe efektet e tyre mbi kreditimin në valutë ndaj sektorit privat. Prandaj, materiali ofron dëshmi të reja mbi përcaktuesit e prirjes drejt kreditimit në valutë ndaj sektorit privat në rastin e Shqipërisë.
Autori thekson se gjetjet e këtij punimi mbështesin punën kërkimore të mëparshme për rastin e Shqipërisë. Së pari, punimi identifikon një marrëdhënie afatgjatë kointegruese dhe të qëndrueshme. Së dyti, në rastin e goditjeve, shpejtësia e përshtatjes drejt nivelit ekuilibër është relativisht më e lartë se studimet e kryera mbi prirjen e kreditimit bankar dhe funksionin e kërkesës për para. Gjetjet empirike dëshmojnë se kreditimi në valutë nxitet kryesisht nga stoku i depozitave në valutë dhe qasja e PVM-së. Një prirje e tillë diktohet edhe nga spread-et pozitive midis normave të brendshme dhe të jashtme të interesit, si dhe nga zbutja e luhatshmërisë së normës së inflacionit dhe asaj në kursin e këmbimit. Në veçanti, këto rezultate ofrojnë dëshmi mbështetëse se edhe në rastin e Shqipërisë, kredimarrësit janë orientuar sipas qasjes së “Kundërshtimit të Rrezikut”. Prandaj, ato orientohen drejt portofolave që mbartin më pak rrezik, në këtë rast drejt kreditimit në valutë. Së fundmi, kreditimi në valutë është prekur nga kriza financiare globale, por efekti negativ ka qenë relativisht i parëndësishëm.

Shërbimi taksi në Shqipëri, ndër më të shtrenjtët në rajon

Tarifat e shërbimit taksi në Shqipëri nuk janë edhe aq të lira në krahasim me vendet fqinje, ato të rajonit. Kështu udhëtimi për 1 kilometër kushton rreth 1.81 euro. Megjithatë, në Shqipëri, nuk zbatohet gjithmonë tarifimi me taksimetër, ndaj dhe është e vështirë që të përcaktohet një shifër e saktë, qoftë edhe mesatarisht. Është faqja e statistikave ‘Numbeo’ që jep të dhëna për këtë shërbim në qendra të ndryshme të botës. Sipas të njëjtit burim, në rajon Kosova zbaton ndër tarifat më të ulëta. Një kilometër me shërbim taksi kushton rreth 0.50 cent. Duke u ndjekur më pas nga Sarajeva në Bosnjë – Hercegovinë, që llogarit një çmim prej 0.51 cent. Edhe në Beograd, 1 kilometër shërbim taksi kushton rreth 0.50 cent. Roma (ndër vendet e rajonit) zbaton tarifa të larta të shërbimit taksi. Një kilometër në kryeqytetin italian llogaritet në 1.5 euro. Në Athinë, i njëjti shërbim kushton 0.74 cent, ndërsa në Stamboll 0.59 cent. Natyrisht që këto janë tarifa që zbatohen në një trafik normal dhe jo në një ditë të rënduar, kur çmimet mund të shkojnë edhe më shtrenjtë.

Plani i Ramës, mbajtja e pushtetit përmes dhunës

Mbajtja e pushtetit përmes dhunës, vënies në funksion të krimit të organizuar si dhe parave të drogës janë plani i Ramës për zgjedhjet e vitit 2017.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të PD në Librazhd dhe Prrenjas nga ku deklaroi se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një realitet ku shtetin e ka marrë në dorë krimi dhe trafikantët, ishte në qendër të takimeve. Në kohën kur s’ka mbajtur asnjë premtim, ku papunësia është shtuar, varfëria është rritur përballja e ndershme me qytetarët do të ishte fatale për qeverinë dhe Edi Ramën, tha Basha, duke shtuar se e vetmja shpresë e Edi Ramës është krimi i bërë njësh me pushtetin.
“Gjithçka që po ndodh, krimi, droga, tenderat që vidhen, gjithçka është në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ne duhet të garantojmë proces të lirë zgjedhor. A ka proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me Edi Ramën kryeministër? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër, me Saimir Tahirin ministër të Brendshëm? Me dy persona që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e kanë lidhur veten e tyre me krimin dhe drogën pikërisht për të prishur zgjedhjet, pikërisht, sepse kanë frikë nga vota e qytetarëve”.
Situata e rëndë ekonomike ishte kryefjala e bashkëbisedimit në Prrenjas. Papunësia e lartë, pamundësia për të mbyllur muajin, për të siguruar ngrohjen për dimrin që po troket, mungesa e subvencioneve dhe investimeve në bujqësi ishin disa nga shqetësimet e shprehura në këtë takim. Që prej ditës së parë që është ulur në karrigen e kryeministrit, tha Basha, Edi Rama u ka shërbyer vetëm kriminelëve, duke lënë në mëshirë të fatit qytetarët.
“Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë përse kemi ardhur në këtë gjendje. E dinë që, Edi Rama i ka braktisur që ditën që mori pushtetin. Që prej ditës së parë që është ulur në atë karrige, mirënjohjen s’e ka me qytetarët, e ka me kriminelët që e bënë Kryeministër dhe i bëri deputetë, që e mbështesin dhe i bëri kryetarë bashkish, drejtor të mëdhenj. Ai ju ndihet borxhli atyre dhe paktin e ka të lidhur me ta. Paratë e tenderave i ndan me ta, drogën që ka mbuluar Prrenjasin dhe gjithë Shqipërinë e ka me ta. Droga është produkt i kriminalizimit të administratës dhe të dyja bashkë janë pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin”.

Rama firmosi në Beograd projekte në emër të Kosovës

Për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që kalojnë nëpër territorin e Kosovës qeveria e Shqipërisë dhe e Serbisë kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e qeverisë së Kosovës. Një veprim i tillë i palës shqiptare lë të kuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës, prandaj po kundërshtohet nga zyrtarët shtetërorë të vendit.
Për autostradat dhe linjat hekurudhore që nisen nga Serbia dhe të cilat kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të dalë në Shqipëri zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali dhe sekretari i Shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviç, kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e qeverisë, që udhëhiqet nga Kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
Ky veprim i palës shqiptare lë të kuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës.
Sipas dokumenteve zyrtare, që ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri”, dy përfaqësuesit e qeverive, ajo e Shqipërisë dhe e Serbisë, Paskali dhe Nikçeviç, më 15-16 prill 2015, kishin negociuar Protokollin e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me ç’rast ishin dakorduar që të paraqesin projekte të veçanta, të cilat do të prezantohen pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim mundësimin e financimit të tyre nga fondet e kësaj të fundit. Pak muaj pasi ka nënshkruar protokollin si kryesuese e delegacionit shqiptar, Paskali ka marrë detyrë të re, atë të zëvendëskryetares së Bashkisë së Tiranës.

Mustafa: Jo situatë ideale me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkëpunimi me Shqipërinë nuk mungon, por që siç është shprehur ai, është e natyrshme që në marrëveshjet e arritura, të mos ketë një situatë ideale si çdo gjë që është shkruar të zbatohet me kohë.
Kreu i ekzekutivit, këto komente i bëri në konventën e parë të industrisë së drurit në Kosovë.
“Unë vlerësoj se ka rezultat shumë të mira sa i përket avancimit të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë. Të gjitha marrëveshjet po punohet që të zbatohen. Natyrisht se nuk arrijmë në asnjë moment që ne ta kemi një situatë ideale si çdo gjë që është shkruar të zbatohet me kohë, por ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin, marrëveshjet dhe me implementimin e tyre dhe nuk shoh asnjë arsye që deri tash të krijojmë ndonjë ambient të diskutimeve për çështjet, të cilat në mënyrë shumë normale ne mund t’i diskutojmë bashkërisht”, ka deklaruar Mustafa.

Hoxhaj: Dy procese paralele të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj pas përfundimit të vizitës në Suedi po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga dhomat e tregtisë të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme, si dhe qeverisë së këtij shteti.
Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe përfaqësues të vendeve të rajonit.
Në fjalën e tij, Hoxhaj ka thënë se Kosova është duke punuar intensivisht në dy procese paralele që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të saj, ku bën pjesë pjesëmarrja dhe prezantimi i potencialeve në forume ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit përfshirë edhe këtë që aktualisht po mbahet, si dhe në kuadër të Procesit të Berlinit ku deri më tani Kosova ka përfituar disa projekte të rëndësishme.
Së dyti, Kosova në axhendën e saj bilaterale ka takime të veçanta me shtete ku vazhdimisht promovon diplomacinë ekonomike dhe në fokus janë organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike.
“Institucionet e Kosovës janë duke punuar intensivisht për zhvillimin ekonomik të shtetit tonë. Aktualisht janë dy procese paralele me prioritet që edhe ne si MPJ po i shtyjmë përpara. E para është puna në forume të përbashkëta ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit dhe me përkrahjen e BE-së dhe qeverive të tjera për të përfituar projekte të përbashkëta. Në anën tjetër, në axhendën bilaterale kemi takime veç e veç me shtete për promovimin e investimeve direkte në Kosovë dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shteteve, ku prioritet është organizimi i forumeve të përbashkëta”, ka thënë Hoxhaj,

“Zëri”

Trump kërkon kufizim të mandateve në Kongres

Kandidati republikan, Donald Trump ka propozuar kufizimin e mandateve për anëtarët e Kongresit, si pjesë e një pakete me shumë dimensione që ai thotë se do të pastrojë politikën amerikane.
“Ka ardhur koha e kufizimit të mandateve për në Konges”, u tha ai përkrahësve të tij të martën në shtetin perëndimor të Kolorados. “Kjo jo vetëm do t’i japë fund korrupsionit në qeveri, por do t’i japë fund edhe stanjacionit ekonomik në të cilin ndodhemi”.
Presidentët amerikanë janë të kufizuar me Kushtetutë të shërbejnë për dy mandate në detyrë. Për anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nuk ka limit të tillë dhe shumë prej tyre qëndrojnë në detyrë për disa mandate. Në zgjedhjet e vitit 2012 më shumë se 90 për qind e anëtarëve ekzistues u rizgjodhën.
Reformat e tjera të propozuara nga zoti Trump përfshijnë ndalimin e ish-anëtarëve të Kongresit, personelit të tyre dhe atyre që kanë shërbyer në degën ekzekutive të qeverisë, të punojnë si lobistë për pesë vjet, si dhe vendosjen e kufizimeve pa kufi për lobistë të huaj të grumbullojnë fonde për kandidatët në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Barack Obama kritikoi të martën vlerësimin që i bën zoti Trump udhëheqësit rus, Vladimir Putin, duke thënë se “lajkat e vazhdueshme” janë të “papara” në politikën amerikane.
Zoti Trump ka thënë se e sheh një marrëdhënie më të mirë me Rusinë si një mundësi për të dyja vendet të luftojnë si partnerë kundër Shtetit Islamik. Ai sugjeroi këtë javë se nëse fiton në zgjedhjet e 8 nëntorit, ai mund të vizitojë Moskën para se të bëjë betimin si president.
Një zëdhënës i rivales së tij, demokrates Hillary Clinton, kritikoi këto komente, si dhe të tjera të bëra nga zoti Trump gjatë fushatës së tij.
“Nuk është e qartë përse Donald Trumpi duhet të takohet me Vladimir Putin më 9 nëntor meqë ai tashmë ka përsëritur pikat kryesore të diskutimit – shtytjen e politikave të tij dhe përfitimi nga operacionet e spiunazhit”, tha zëdhënësi Caplin. “Të jeni të sigurtë se si presidente, Hillary Clinton do të mbajë qëndrim ndaj zotit Putin për sjelljen e tij të papranueshme dhe nuk do ta përkëdhelë atë”.
Zonja Clinton nuk bëri ndonjë dalje në publik të martën para debatit të tretë dhe të fundit presidencial mes saj dhe rivalit Trump.

E kuqja dhe bluja

Vota e shumicës dërrmuese të amerikanëve është e parashikueshme: ka një Amerikë fuqimisht demokratike dhe një po aq fuqimisht republikane. Verilindja, metropolet e mëdha, bregu i Paqësorit dhe qytetet universitare votojnë majtas; ultësirat e mëdha, zona rurale dhe zona malore djathtas, me përqindje komuniste që tentojnë në më komunisten akoma. Sistemi winner takes all e bën të kotë praninë e kandidatëve në territoret kundërshtare, kështu që çdo kanton vazhdon t’i radikalizojë pozicionet e veta. E kuqja bëhet më e kuqe dhe bluja më blu. Lee Drutman i think tank “New America” ka shkruar: “Në vend që të jemi një vend me dy parti, po bëhemi dy vende monopartiake”. Mbi 350 nga 538 votuesit e mëdhenj nuk janë të konkurrueshëm. Më 2012 vetëm në 4 shtete gara ka përfunduar me një distancë më të ulët se 4 për qind. Në të gjithë të tjerët distanca mesatare ishte 19.6 për qind, një humnerë. Më 1976, 20 shtete kanë përfunduar me një distancë në 5 për qind. Në qoftë se merret në konsideratë rinovimi i Dhomës së Përfaqësuesve, tendenca ndaj polarizimit është akoma më e dukshme: nga 435 vende, vetëm 25 janë vërtet në lojë, në nja 20 do të ketë betejë, por ka tashmë një kandidat dukshëm favorit. Disa numra: burimi kryesor është media e përmbledhur nga RealClearPolitics, në rast se do të përdoreshin shifra dhe vlerësime të institutive të tjera, do të shënohet.
Shtetet e kuqe (Trump) janë këto, shkohet sipas fortësisë të së kuqes, e kuqe zjarr të parët (shumë të sigurtë) dhe e kuqe me tone të ndryshme duke ecur më poshtë. Gjithsesj numërohen 159 votues të mëdhenj që i atribuohen Trump:
Alabama +11 për qind – 9 votues të mëdhenj
Arkansas +24.5 për qind – 6 votues të mëdhenj
Kentucky +13 për qind – 8 votues të mëdhenj
Idaho +21 për qind – 4 votues të mëdhenj
North Dakota + 11 për qind – 3 votues të mëdhenj
Oklahoma +24 për qind – 7 votues të mëdhenj
West Virginia +22.5 për qind – 5 votues të mëdhenj
Wyoming +31 për qind – 3 votues të mëdhenj
Louisiana +13 për qind – 8 votues të mëdhenj
Mississippi +15 për qind – 6 votues të mëdhenj
Montana +13 për qind – 3 votues të mëdhenj
South Dakota +14 për qind – 3 votues të mëdhenj
Tennessee + 11 për qind – 11 votues të mëdhenj
Alaska + 9 për qind – 3 votues të mëdhenj
Kansas + 11 për qind – 6 votues të mëdhenj
Indiana +8 për qind – 11 votues të mëdhenj
South Carolina +7.6 për qind – 9 votues të mëdhenj
Texas +6.7 për qind – 38 votues të mëdhenj
Missouri +9.2 për qind – 10 votues të mëdhenj
Utah +13 për qind – 6 votues të mëdhenj
Shtetet blu (Clinton) janë këta, vlen e njëjta renditje e toneve e thënë më sipër. Gjithsej numërohen 256 votues të mëdhenj që i atribuohen Clinton:
Massachussetts +22 për qind – 11 votues të mëdhenj
New York +20 për qind – 29 votues të mëdhenj
California +19.7 për qind – 55 votues të mëdhenj
Maryland +32,6 për qind – 10 votues të mëdhenj
Vermont +21.5 për qind – 3 votues të mëdhenj
Hawaii +30 për qind – 4 votues të mëdhenj
District Of Columbia – 3 votues të mëdhenj
Illinois +14.7 për qind – 20 votues të mëdhenj
Oregon +11 për qind – 7 votues të mëdhenj
Washington +13.7 për qind – 12 votues të mëdhenj
Rhode Island +20 për qind – 4 votues të mëdhenj
Delaware +15.5 për qind – 3 votues të mëdhenj
New Hampshire +6 për qind – 4 votues të mëdhenj
Wisconsin +6.7 për qind – 10 votues të mëdhenj
Colorado +7.3 për qind – 9 votues të mëdhenj
Michigan +9 për qind – 16 votues të mëdhenj
Minnesota +4 për qind – 10 votues të mëdhenj
Pennsylvania +8.6 për qind – 20 votues të mëdhenj
New Mexico +8.5 për qind – 5 votues të mëdhenj
New Jersey +11.4 për qind – 14 votues të mëdhenj
Connecticut +9 për qind – 7 votues të mëdhenj
Në shtetet Nebraska dhe Maine nuk vlen rregulli “winner takes all” dhe votuesit e mëdhenj caktohen në mënyrë proporcionale. Bëhet fjalë për 5 votues të mëdhenj për të parin dhe 4 për të dytin: sipas sondazheve, në Nebraska Trump është në 56 për qind dhe Clinton në 29; në shtetin Maine Clinton është në 45 për qind dhe Trump në 38.