Policia fshehu krimin e Shëngjergjit sa të boshatisej magazina nga kanabisi
Deputeti demokrat, Flamur Noka deklaron se situata me trafikun e drogës është dramatike, ndërsa denoncon lidhjet e forta të policisë dhe pushtetit me narkotrafikun, si pasojë e të cilit në vetëm 2 muaj 7 persona janë ekzekutuar.
– Zoti Noka, si e konsideroni deklaratën e ministrit Manjani për mobilizimin e ushtrisë?
Unë dua ta përshëndes deklaratën e ministrit sepse përpos faktit që ai pranon kanabizimin e vendit kërkon ose rekomandon një mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Deklarata e Manjanit pasqyron realitetin. A duhet të ndërhyjë ushtria apo jo? Nuk zgjidhet gjithçka me ushtri. Ushtria duhet të ndërhynte pak më parë, por nuk zgjidh çdo gjë ndërhyrja e ushtrisë. Sepse kjo çështje nuk është thjesht se u ka dalë jashtë kontrollit institucioneve qeveritare, ose konkretisht Policisë së Shtetit. Këta janë organizuesit e gjithçkaje që sot quhet kanabizim dhe vendi do të marrë emrin një term që quhet “kanabista”, nuk është më Shqipëri. Nuk e zgjidh ushtria sepse është vullnet politik. Është alarmante dhe e frikshme të mendosh që kjo qeveri ka gjetur si zgjidhje për të zbutur varfërinë drogën. E them këtë sepse nga të gjitha informacionet që ka opozita të gjitha grupet kriminale kanë lidhje të mirëfillta policore dhe politike. Si çdo grup kriminal 30-40% shkon tek një drejtues policie deri tek ministri. Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe mediat ndërkombëtare. Një emision që bëri “RAI3”, doli me zë dhe figurë kjo që opozita ka thënë kaq kohësh.
Çështja e farës vietnameze që ne e kemi thënë para 6 muajsh u pranua edhe nga GDF, u pranua edhe nga Policia e Shtetit. Sipërfaqe të tëra janë korrur nga 2 deri në 3 herë, ky është informacioni i GDF. Alarmi që dha prokurori ishte shumë i madh. Sasi të mëdha si asnjëherë tjetër po vijnë drejt Italisë.
– Ju thatë që qeveria ka zgjedhur strategji kultivimin e kanabisit, kjo është strategji shtetërore sipas jush?
Absolutisht nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Javën e kaluar në Parlament ministri përpëlitej për të dalë nga kjo situatë, nga akuzat që shkonin drejt tij, u mundua të justifikojë si çështje varfërie çështjen e drogës. Pra, një varfëri që është varfëri e tejskajshme dhe që të dalësh nga kjo varfëri zgjidhja është kjo. Unë di si deputet, që në shumë vende të Republikës bandat e drogës kanë qenë të garantuara që kur e kanë mbjellë. Kanë shkuar dhe i kanë paguar paratë disa pronarëve të tokave dhe ju kanë thënë ikni se kemi mbështetjen qeveritare. Jemi me rekomandim nga lart.
Kishte zona që qaheshin banorët sepse nuk mund të merrnin dru për dimër sepse malet dominoheshin dhe kontrolloheshin nga bandat e hashashit. Për të mos thënë pastaj që edhe moratoriumi i gjuetisë është bërë vetëm që mos dalin gjahtarët nëpër pyje për të mos parë hashashin. Të gjitha këto tregojnë se ka prapavijë të mirëfilltë politike. Prapë do të rikthehem tek emisioni i “RAI3”. Trafikanti që i dha intervistë gazetarit e dëgjuat çfarë tha: paguaj 40%, kam prapa shefin, drejtorin deri tek ministri. E thonë trafikantët vetë. Ka një gjë, po të shkosh të shohësh fasonerinë nga Kamza deri në Krujë, të shkojë një gazetar dhe të intervistojnë një pronar fasonerie, e di çfarë hall të madh kanë: Po ju ikin gratë dhe të rinjtë nga puna sepse marrin 20 mijë lekë tek parcelat e hashashit, sepse po ikën.
Fshatarët i shohin, ne i denoncojmë, shteti nuk reagon, çfarë do të thotë kjo? Ndërkohë që atje ku themi ne vazhdon të thahet hashashi. E kemi denoncuar zonën e Bovillës dhe zonës pas Dajtit deri në Shëngjergj. Nuk pati asnjë preokupim qeveritar. Çfarë ndodhi? Ndodhi vrasja e një qytetari në Shëngjergj. Ka edhe një gjë më të tmerrshme, ka filluar inkriminimi i frikshëm policor. Kupola e policisë është e zhytur në krim deri tek ministri i Brendshëm. Pse? Janë 7 viktima nga hashashi vetëm për këtë periudhën 2-mujore. Policia i ka fshehur të gjitha. Rasti më flagrant se ai i Shëngjergjit nuk ka. Është i vrarë për pazare hashashi. Ka shumë të dhëna që na çojnë deri tek shoqëruesi i ministrit në këtë histori dhe përpos faktit që u munduan ta paraqisnin si vetëvrasje, ndërkohë që po rezulton që është vrasje ka shumë të dhëna që rezultojnë se e lanë gjatë atë histori derisa të boshatisen edhe magazinat dhe pastaj e njoftoi policia.
– A i keni çuar këto akuza në Prokurori?
Nuk është e nevojshme t’i çojmë në Prokurori, sepse Prokuroria është marrë vetë me këtë çështje. Po të shohësh rastin e Vlorës, datë 4 tetor, aksioni i kapjes së 23 tonë hashash ishte aksion i Prokurorisë bashkë me SHISH. Ky është një alarm më vetë. Çfarë do të thotë? Do të thotë që këto institucione të sigurisë kombëtare i kanë informacionet që drejtuesit janë të zhytur në historitë e hashashit. Ai 23 tonëshi, ministri i Brendshëm ishte zverdhur dhe në vend që të përgëzonte Prokurorinë, e sulmoi megjithëse ishte i zverdhur sepse i kishte ikur hashashi. Kjo është e frikshme sepse po mundohet të mbjellin në Shqipëri një frymë krimi.
– Mund të jetë politike deklarata e Manjanit?
Manjani është ministër dhe atë deklaratë çdo qytetari i këtij vendi e ka. Kjo është mëse e mjaftueshme. Çdo politikan duhet të jetë i alarmuar sepse në këtë vend po jepet alarmi që krimi dhe bandat e trafikut të lidhura me qeverinë po dominojnë jetën e vendit. Kjo është një moment që Rama ka mbajtur një premtim. Ka takuar të gjithë bandat dhe i tha ja ku jemi do të qeverisim.
– Sa e rrezikon kjo situatën e zgjedhjeve?
Kjo nuk e rrezikon, kjo e shkatërron.
– Pra, po thoni që kanabisi do të blejë sërish?
Po themi që Edi Rama do të blejë me bandat e kanabisit dhe me këto banda do të dominojë procesin.
– Cila është përgjegjësia e opozitës?
Opozita ka një përgjegjësi, kur shikon situata të tilla duhet të ngrejë alarmin. Ne e kemi ngritur me kohë alarmin. Opozita dhe unë si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë kam ngritur alarmin me disa letra që kam dërguar qeverisë për të ndaluar dhe monitoruar procesin e mbjelljes, janë letra që janë bërë publike në media. I kam dërguar letër edhe GDF që të shpejtojë procesin e monitorimit. I kam dërguar prapë letër Kryeministrit. Kemi denoncuar me fakte përfshirjen e strukturave policore në mbjelljen e hashashit. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr nga institucionet. Përkundrazi Kryeministri vetëm e ka mohuar. Vetëm ai thotë jo, sepse të gjithë e dinë që vendi quhet kanabista. I vetmi që e mohon është Rama sepse është instrumentuesi i kësaj fushate.
– Keni një strategji?
Strategji ka vetëm një. Është prerja e vullnetit politik. Kjo qeveri nuk e ka, sepse vullnetin e ka për të kriminalizuar. Strategjia është: Pa Edi Ramën kjo Shqipëri shpëton nga hashashi, shpëton nga krimi sepse rrezikojmë të kthehemi si Meksika.
Marrë nga “Ora News”
Tonelata me drogë në magazinën e Artur Bushit
Një aksion i koordinuar mes Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Kombëtar ka bërë të mundur kapjen e 1.2 tonëve drogë, e cila gjendej në një magazinë në zonën e Dervenit në Thumanë, e cila i përket Bashkisë së Krujës. Nuk dihet nëse shifra mund të jetë më e lartë, pasi në aksionin e pak ditëve më parë në Vlorë, kjo shifër ishte 10 herë më e lartë se sa shifra që iu ofrua në fillim opinionit.
Kryetari i opozitës Basha e ka përshëndetur menjëherë operacionin antidrogë të Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ, duke e konsideruar atë një sukses të punonjësve me integritet të shtetit. “1.2 ton drogë të Artur Bushit u kapën sot falë punës së përbashkët të SHISH dhe Prokurorisë. Përgëzoj dhe falenderoj punonjësit me integritet dhe kurajo të këtyre dy institucioneve”, shprehet Basha në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale menjëherë pas operacionit.
Aksioni Prokurori-SHIK
Aksioni i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ është ndërmarrë në një nga zonat më të nxehta ku ushtrojnë aktivitet trafikantë të drogës të lidhur direkt me Kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Të gjitha plantacionet e drogës në zonën e Krujës, Thumanës dhe Fushë-Krujës kanë si pronar në përqindje të konsiderueshme të aksioneve të të gjitha sipërfaqeve të mbjella Kryebashkiakun e Krujës, Bushi. Aktiviteti në këtë zonë është ndër më të lartët në të gjithë vendin dhe besohet se punonjësit që konsiderohen edhe si skllevër të drogës arrijnë në mbi 6 mijë të tillë. Aksioni i djeshëm i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ ka ndërhyrë në një magazinë ku magazinohet dhe thahej droga e sjellë në atë vend nga e gjitha droga e mbjellë në zona të ndryshme të Krujës.
Deri tani Prokuroria nuk ka dhënë emra të personave që janë ndaluar apo që janë shpallur në kërkim nga policia, por objekti ku është kapur sasia e drogës është në pronësi të ortakut të Bushit në aktivitetin e lëndëve narkotike. Magazina e drogës ushtronte aktivitetin nën hundën e policisë. Vendi ku ndodhet kjo magazinë është vetëm 100 metra larg rrugës nacionale në zonën e Thumanës. Besohet se numri i të punësuarve vetëm në këtë magazinë që bënin procesin e qethjes së lëndës narkotike arrinte në mbi 60 persona. Në njoftimin e dhënë në media në orët e vona të natës së mbrëmshme thuhej se ka disa të arrestuar dhe se operacioni po vazhdonte.
Fakti që magazina e drogës së Bushit ishte vetëm pak metra larg autostradës që lidh Fushë-Krujën me Lezhën është një dëshmi se si trafikantët e zhvillonin aktivitetin e tyre, duke pasur garanci të plotë nga pushteti. Për më shumë zona ku magazinohej droga është pranë një lokali të njohur dhe mjaft të frekuentuar me emrin “Vllaznia” në hyrje të autostradës së Lezhës.
Ashtu si edhe në rastin e Vlorës, policia ka heshtur mbrëmë dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë operacion të Prokurorisë dhe të Shërbimit Informativ. Ndërhyrjet e policisë në zonën e Krujës janë bërë vetëm në ato raste kur poseduesit e sipërfaqeve të mbjella me hashash janë konstatuar se nuk kanë paguar gjobën ose tek policia ose tek Kryebashkiaku i Krujës Bushi. Nëse trafikantët paguajnë gjobën vetëm tek Kryebashkiaku i Krujës, por harrojnë policinë, atëherë ndërhyn policia dhe asgjëson lëndën narkotike. Në rastin tjetër kur trafikantët paguajnë gjobën tek policia, por jo tek Kryebashkiaku trafikant i Krujës, atëherë ky i fundit spiunon në Tiranë për drogën në ato zona.
Rasti i magazinës së drogës në zonën e Dervenit në Thumanë është direkt pronësi e Artur Bushit. Fakte të reja priten të dalin gjatë përfundimit të operacionit policor mes Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ.
Arben SHAHINI
Llalla takon prokurorët e rretheve: Forconi luftën kundër kanabisit
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla zhvilloi dje një takim me të gjithë prokurorët e rretheve në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Burime nga brenda mbledhjes kanë bërë të ditur se, kreu i akuzës u ka kërkuar drejtuesve të vijojnë normalisht punën, duke patur si prioritet luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe bashkëpunimin me organet e tjera ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit. Me ndryshimet e reja kushtetuese, ristrukturohen kompetencat e niveleve drejtuese dhe parashikohen një organizim tërësisht i ri, ku prokurorët e thjeshtë janë vetë zot të çështjeve të tyre.
Llalla u ka kërkuar vartësve të tij që të intensifikojnë punën dhe të mos neglizhojnë asnjë çështje.
“Duhet të intensifikoni punën në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe drogës. Nuk duhet të ketë neglizhencë dhe ulje të cilësisë së punës dhe pse ka nisur zbatimi i reformës. Duhet të bashkëpunoni me policinë dhe çdo institucion ligjzbatues për luftën ndaj kanabisit”, ka deklaruar Llalla.
Në takimin e djeshëm mësohet se u zhvillua edhe një ceremoni simbolike edhe për betimin e tre magjistratëve të rinj, të cilët u dekretuan pak ditë më parë prokurorë nga Presidenti i Republikës.
Mësohet se, Kryeprokurori Llalla ka kërkuar nga prokurorët e rretheve rritjen e bashkëpunimit me policinë dhe organet e tjera ligjzbatuese në luftën kundër kultivimit e trafikut të drogës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kapen me 1 milion euro kokainë në Itali
Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar së fundmi nga policia italiane e Breno-s në (në provincën e Breshias) nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin, raportojnë sot mediat lokale. Në pranga janë vënë B.J., 24 vjeç dhe B.A. 23 vjeç, me banim në Malegno të Breshias. Në banesën e tyre janë gjetur 3.4 kg kokainë, të ndara në tre paketime. Sipas policisë, vlera e drogës është rreth 150 mijë euro, ndërsa shitja e saj e ndarë në doza mund të gjeneronte edhe një milion euro.
Po ashtu, forcat e policisë italiane në Torreglia, Padova kanë vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për shpërndarje droge. Sipas mediave italiane, karabinierët në përfundim të një hetimi të nisur kohë më parë me ndihmën edhe të një qeni anti-drogë kanë bërë kontroll në shtëpinë e 34-vjeçarit Bilbil Cani.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në shtëpinë e tij janë gjetur 12 gramë kokainë në ndarë në doza, një peshore si dhe 2700 euro cash, që dyshohen se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së drogës. Shqiptari është arrestuar menjëherë nga karabinierët dhe do të përballet me gjykimin në ditët në vijim. Bilbil Cani nga Fushë-Kruja është baba i dy fëmijëve, ndërsa prej vitesh ishte rezident në Itali, ku punonte edhe në ndërtim.
Sekuestrohen në Greqi 132 kg kanabis që vinte nga Shqipëria
Policia e Janinës ka sekuestruar 132 kg kanabis që vinte nga Shqipëria, ndërsa janë arrestuar dy shqiptarë dhe dy grekë. Bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia ka ndaluar në afërsi të Janinës automjetin e drejtuar nga dy të rinj, një djalë e një vajzë të moshës 20 dhe 17 vjeç. Në automjet janë gjetur 132 kg kanabis, të ambalazhuar në 96 paketa. Një patrullë policie ka ndaluar edhe një automjet tjetër, që shërbente si pararojë e çiftit që transportonte drogën. Edhe drejtuesi e pasagjeri i automjetit të dytë janë arrestuar. Nga hetimet e deritanishme rezulton se automjeti ishte vjedhur në Athinë. Sipas shifrave zyrtare, në më shumë se 20 raste të proçeduara nga autoritetet policore të Janinës, që nga fillimi i vitit janë sekuestruar më shumë se 1 ton drogë, kryesisht kanabis.
Po ashtu një ditë më parë, policia greke ka asgjësuar një grup kriminal, që sillte drogë nga Shqipëria, për ta shitur në tregun vendas. Në qytetin e Janinës janë arrestuar tre shtetas grekë, ndërsa po kërkohen dy bashkëpunëtorë të tyre, njëri prej të cilëve shqiptar. Policia thotë se kishte arritur të identifikojë pjesëtarët e grupit pas një pune hetimore të organizuar. Nga survejimet ka rezultuar se drogën e sillte nga Shqipëria shtetasi shqiptar, duke shfrytëzuar rrugëkalime të vështira në terrenin e thyer malor të kufirit. Aty droga merrej në dorëzim nga dy prej grekëve, të cilët e fshihnin në një zonë pyjore të Janinës dhe duar duar e transportonin në Athinë. Pas arrestimit të tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 38.2 kilogramë kanabis. Policia sekuestroi edhe tre automjete që përdoreshin për transportin e drogës.
Maskat grabisin 15 milionë lekë në një supermarket në Maliq
Persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur 15 milionë lekë në një supermarket në qendër të qytetit të Maliqit. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm ku persona të maskuar janë futur në supermarket dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur paratë dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Kjo është e pesta grabitje që bëhet në këtë biznes, ndërsa autorët nuk janë zbuluar në asnjë rast.
Personat e maskuar, pasi kanë hapur derën kanë dëmtuar kamerat e sigurisë të supermarketit në pronësi të R.K, 52 vjeç, banues në Maliq. Autorët kanë marrë 13 milionë lekë dhe 1 mijë euro si dhe një sasi stekash cigare të markave të ndryshme.
Supermarketi, i cili vidhet për të pestën herë, ka pasur të instaluar një sistem survejimi me 19 kamera, por grabitësit, bashkë me mallrat, kanë vjedhur edhe serverin e kamerave, duke e vështirësuar punën e policisë, për identifikimin e tyre. Vjedhja e supermarketit është kryer brenda pak minutash, pasi, pas rënies së alarmit, ata janë larguar menjëherë me një makinë në drejtim të paditur për policinë. Policia lokale dyshon se vjedhja është kryer nga më shumë se dy persona, të cilët janë të organizuar si grup i strukturuar kriminal.
Ndërkohë, mbrëmjen e së hënës në Bilisht, një hajdut ka hyrë në shtëpinë e 32-vjeçarit G.SH duke e goditur kryefamiljarin e saj. Pasi e ka qëlluar në kokë me ç’i ka ardhur për duarsh, hajduti ia ka mbathur me shpejtësi. Por, policia e ka pikasur dhe është vënë në ndjekje të tij, duke zbuluar se hajduti ishte një 44-vjeçar nga Bilishti, i dënuar më parë për vjedhje, Vasil Kello.
Prej ditësh në mbarë vendin biznese apo dhe banesa kanë rënë pre e grabitjeve, siç ishte edhe rasti më i fundit, në kryeqytet.
Rama tentoi të blinte Blushin dhe Hafizin me poste ministrore
Deputetja Mimoza Hafizi deklaron se Kryeministri Rama u ka ofruar post ministror asaj dhe deputetit Ben Blushi për t’i joshur që të mos largohen nga Partia Socialiste. Hafizi nuk ka përcaktuar se kujt konkretisht iu ofrua posti, por ka deklaruar se kjo ofertë është përbuzur me neveri nga dy deputetët që zyrtarisht nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste. E pyetur nga “Ora News” se, pse duhet të besojnë socialistët tek ajo dhe Blushi, se ata nuk janë larguar se nuk morën benefite nga PS, por u larguan për parime, Hafizi tha se Rama në muajin korrik u kishte ofruar poste ministrore që ata të mos largoheshin nga Partia Socialiste. “Gjatë korrikut, kur qeveria e zotit Rama ndjeu njëfarë rreziku, na kanë ofruar poste ministrash, ne e kemi refuzuar me përbuzje”, tha ish-deputetja socialiste. “Ose njërit ose të dy, kjo nuk ka rëndësi, ne bashkë jemi dhe e vetmja gjë që ne kemi kërkuar për të mbështetur këtë mazhorancë, kemi kërkuar që të kthehen zgjedhjet në PS dhe të kthehet mendimi ndryshe”, tha Hafizi. Pak ditë më parë, deputetja shkodrane Mimoza Hafizi deklaroi largimin nga Partia Socialiste. “Nuk jam më pjesë e Partisë Socialiste”, ka deklaruar ajo, pas një takimi të zhvilluar me qytetarët në ambientet e Muzeut Kombëtar, ku Blushi ka shpjeguar ambicien e tij politike për të krijuar një parti.
Basha fton shqiptarët në SHBA të votojnë Suzanna Shkrelin kongresmene
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të votojnë Suzanna Shkrelin, si të parën shqiptaro-amerikane që është nominuar për në Kongresin amerikan. Basha i ka uruar suksese Shkrelit dhe thotë se prania e saj në Kongresin amerikan është krenari për çdo shqiptar kudo që jeton. “Shqiptarët e Amerikës ia kanë dalë që zëri i tyre të dëgjohet në vendin më të madh të demokracisë dhe lirisë. Me pasion e dashuri për çështjen kombëtare ata kanë bërë që çështjet e rëndësishme të kombit tonë të dëgjohen e të marrin mbështetje. Kanë mbështetur kongresmenë e senatorë në zona të ndryshme elektorale dhe këta të fundit e kanë marrë pranë zemrës çështjen shqiptare. Në vijim të kësaj tradite të mirë, uroj që bashkëkombasit tanë të mbështesin zonjushën Suzanna Shkreli. Ajo është e para shqiptaro-amerikane që është nominuar për Congresswoman në SHBA. Suzanna Shkreli është dëshmia e suksesit që kanë arritur shqiptaro–amerikanët. I ftoj të gjithë shqiptarët e Amerikës e ju bëj thirrje në veçanti demokratëve, por dhe çdokujt tjetër, të ndihmojnë me çdo mjet, jo vetëm duke e votuar atë në Distriktin 8 të Miçiganit ku ajo kandidon, por edhe me mbledhje fondesh nga zona të tjera. Suzanna Shkreli përfaqëson çdo shqiptaro-amerikan në SHBA dhe nderon çdo shqiptar anembanë globit. Ne jemi krenarë për Suzanën dhe i urojmë çdo sukses”, shkruan Basha në reagimin e tij.
Basha-Ramës: Dorëzo të akuzuarin për vrasjen e Arditit
Në bashkëbisedimin me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike Dega 6, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal tek ngjarja kriminale e vrasjes së Ardit Gjoklajt dhe në veçanti tek mbrojtja që Edi Rama u jep vrasësve. Kjo ngjarje dhe sjellja e Kryeministrit në raport me të akuzuarit për vrasje, të cilët ndonëse në kërkim shfaqen në aktivitete të qeverisë, theksoi Basha, është fytyra e vërtetë e shtetit të Edi Ramës dhe e faktit se ky Kryeministër nuk shqetësohet për interesin e qytetarëve, por vetëm tek xhepi i vet.
“Kjo qeveri prej ditës së parë i ka shërbyer vetëm interesave të veta. Ky Kryeministër nuk e ka pas mendjen dhe nuk e ka mendjen tek interesi qytetar, por vetëm tek xhepi i vet. Këtu shembujt i keni të shumtë. Ju keni shembull dramën e familjes Gjoklaj. Pasi ndodhi vdekja tragjike e Arditit ka vetëm heshtje, ka vetëm heshtje dhe fshehje të fajtorëve. Po si ka mundësi që një njeri që i thotë vetes që po bëj shtet, shkaktarin e vdekjes së një 17-vjeçari në rrethana makabre, të shpallur në kërkim pas presionit të opozitës e nxjerr në krah me deputetët e vet në inaugurim. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë fshehje të krimit, që është krim më vete. Kjo do të thotë heshtje për krimin, që është krim më vete. Pse e bën këtë?! Sepse për të Ardit Gjoklaj ka zero vlerë. Sepse për Edi Ramën qytetarët shqiptarë kanë zero vlerë. Ndërsa krimineli, i akuzuari për krimin ka vlerë të madhe sepse është ai që çon zhagën me lekë, lekë të cilët ai i merr, dorë më dorë shkojnë tek Kryeministri. Dhe përdoren një pjesë për të blerë vota, për të blerë pushtet”.
Lideri i opozitës theksoi se në qeverisjen e Edi Ramës jo vetëm që nuk u mbajt asnjë premtim, por ka një përkeqësim kudo, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në rend dhe siguri. Sepse interesi i Edi Ramës janë paraja dhe pushteti, të cilin e garanton dhe shpreson se do të vijojë ta garantojë me lidhjet me krimin.
“Çfarë mund t’u thotë për reformën në shëndetësi? Shëndetësia është në ditën e vet më të zezë për shkak të një qeverie që paratë e taksave të shqiptarëve që duhet të shkonin tek shëndetësia i vjedh me të ashtuquajturën koncesione.
Kujt i thotë reformë në arsim? Ka lënë 20 mijë maturantë në pasiguri totale. E kanë bërë pjesën e tyre, kanë dalë me nota me mesatare të shkëlqyer dhe në vend që të venë në bazë të meritë-preferencës atë që meritojnë, ky tallet. Se për të nuk ka rëndësi mirëqenia e njerëzve, por vetëm pushteti.
Gjithçka për pushtet, për pushtet lidhet me krimin, për pushtet i hapi krimit krahun dhe e mbushi Shqipërinë me drogë. Dhe kur del Cataldo Motta e rrëzon gënjeshtrën e tij dhe thotë droga nga Shqipëria ka pësuar rritje, kemi një bum të trafikut të drogës nga Shqipëria sepse autoritetet shqiptare nuk bashkëpunojnë më me autoritetet italiane, hesht s’e s’ka çfarë të thotë, sepse kjo është e vërteta e di i madh dhe i vogël dhe sot e di Europa, e di SHBA. Ky është një Kryeministër që i hapi derën kriminelëve në pushtet, i hapi derën duke i emëruar deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj. Pastaj iu hapi të gjitha shtigjet, iu dha të gjitha mundësitë që një shtet ka për të kultivuar drogën dhe tani pazaret i ka me drogën, s’ka më kontratë me qytetarët”.