Kosova sërish gjendet në krye të listës së vendeve më të varfra në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave paraprake të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2015, thuhet se 17.6% e popullsisë jetojnë në varfëri të plotë, ndërsa në varfëri ekstreme jetojnë 5.2% e qytetarëve të Kosovës. Rreth 17.6% e popullatës, sipas statistikave jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2% e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.
Nëse bëhet një mbledhje e thjeshtë del se në Kosovë, mbi 22% e popullatës jeton në varfëri. Këto të dhëna preliminare për varfërinë në Kosovë i ka kumtuar për Radion Europa e Lirë, drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa. Ai flet për trendet e varfërisë gjatë dy viteve të fundit, ku sipas tij, ka pasur përmirësim të mirëqenies apo standardit jetësor në Kosovë.
“Nëse krahasojmë të dhënat e varfërisë me vitin 2014 ku varfëria e përgjithshme ishte 21.1%, varfëria e plotë në vitin 2015 ka pasur rënie -3.5%. Nëse krahasojmë rezultatet e varfërisë ekstreme të vitit 2015 me rezultatet e të dhënave të varfërisë të vitit 2014 kur varfëria ekstreme ishte 6.9%, në vitin 2015 kemi zvogëlim të varfërisë ekstreme për 1.7%”, sqaron Bellaqa. Më tej, Bellaqa tregon se krahasuar me të dhënat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka nivelin më të lartë të varfërisë.
“Konsumi i varfërisë është i lidhur ngushtë me aktivitete ekonomike të ekonomisë familjare në veçanti statusi i punësimit dhe lloji i punësimit. Po ashtu, statusi i punësimit dhe të ardhurat janë ndikuar fuqishëm nga niveli i arsimimit”. “Qytetarët me nivel sa më të lartë të arsimit kanë qenë më pak të prekur nga varfëria dhe janë më shumë të punësuar”, thotë Bellaqa, duke iu referuar të dhënave preliminare, të cilat siç thotë ai, do të publikohen në javën e parë të muajit të ardhshëm.
Ndërkohë, autoritetet thonë se po bëjnë përpjeke maksimale për zbutjen e nivelit të varfërisë në vend. Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, në një prononcim për Radion Europa e Lirë, nivelin e varfërisë e konsideron të lartë, por që kjo ministri siguron qytetarët se përmes projekteve të ndryshme do të ulë këtë nivel. “Jemi duke bërë hapa pozitivë drejt zhdukjes së varfërisë në Kosovë edhe pse është pak e pamundur duke pasur parasysh që jemi një shtet i ri dhe jemi në tranzicion, por mendoj se ne si Ministri e Punës kemi bërë projekte të ndryshme që kemi paraparë që të zbusim varfërisë”, tregon Hajzeraj.
Në listën e asistencës sociale figurojnë mbi 25 mijë familje, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve. Kjo shumë konsiderohet se nuk i përmbush nevojat e familjes. Zëvendësministrja Hajzeraj tregon se një pjesë e madhe e këtyre personave që kanë qenë në skemat sociale janë punësuar tanimë përmes projekteve që kanë të bëjnë me subvencionim në pagë dhe për zhvillim të një biznesi të ri. “Numri i personave që kanë përfituar nga skema sociale është zvogëluar në dy vitet e fundit dhe ky është një rezultat që kjo pjesë e shoqërisë që konsiderohet si varfëri e skajshme apo varfëri ekstreme tanimë po zhvillohet dhe po merr pjesë në programet që i ka bërë Ministria”, thotë Hajzeraj.
Në vitin 2008, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë. Zotimet e dhëna nga autoritetet e Kosovës, megjithatë nuk ishin përmbushur. Ekspertë të fushës së ekonomisë në vazhdimësi kanë këshilluar autoritetet e Kosovës që për të zbutur nivelin e varfërisë në Kosovë, zhvillimi ekonomik i vendit duhet të orientohen në drejtim të fuqizimit të sektorit të prodhimtarisë dhe sektorët që rrisin punësimin.
Kosovë, mbi 22% e popullsisë jeton me më pak se 2 euro në ditë
Maturantët drejtohen tek privati, si u mashtruan nga Rama-Nikolla
Më 8 shtator, duke reaguar ndaj një deklarate të ish-kryeministrit Berisha, Lindita Nikolla do t’i siguronte maturantët: “brenda 10 ditësh të gjithë maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen”. Kanë kaluar fiks 10 ditë dhe kaosi me regjistrimet vazhdon. Është mbyllur faza e dytë dhe mijëra vende vazhdojnë të jenë bosh në universitetet publike. 50% e kuotave ka mbetur pa mbyllur.
Të dhënat e publikuara më herët nga Lapsi.al flasin për 2600 kuota janë të lira në Universitetin e Tiranës, ku janë regjistruar gjithsej 2 700 maturantë nga mbi 5 300 kërkesa. Në Universitetin e Mjekësisë janë të lira 450 kuota, pra më shumë se gjysma. Në Fakultetin e Ekonomisë mbeten të lira rreth 2/3 e kuotave të pranimit, ose 776 kuota të paplotësuara.
Numri i kuotave të paplotësuara për secilën degë përkatësisht është: 265 në degën Financë, 279 në degën Administrim Biznes, 156 në degën Informatikë Ekonomike dhe 76 në degën Ekonomik. Maturantët që nuk regjistrohen në asnjë nga degët ku janë shpallur fitues në datat 17-18 tetor, në fazat pasardhëse humbasin të drejtën e studimit në degët që nuk janë regjistruar. Regjistrimet do të vazhdojnë me faza 48-orëshe, deri në datën 27 tetor.
Në disa programe studimi të Mjekësisë, sipas rektorit Arben Gjata, ka zero të regjistruar. Më 21 shtator, në një takim me aplikantë e pedagogë, Lindita Nikolla do t’u jepte një garanci edhe më të fortë maturantëve, se në fazën e dytë do të kishte marrë fund çdo shqetësim i tyre. “Raundi i dytë i aplikimeve fillon në datën 23 shtator. Fillon në një situatë krejtësisht të re, që ka krijuar përmbyllja e raundit të parë. Keni të gjitha mundësitë që të rivlerësoni zgjedhjen tuaj falë transparencës së raundit të parë dhe të mësoni që merita dhe transparenca në raundin e dytë të jetë fituese. Përpara se të shikojmë të gjithë prezantimin që një grup të rinjsh ka mundësuar për ju këtë portal, më lejoni të falënderoj institucionet e Arsimit të Lartë, rektoratet dhe dekanët, duke qenë e sigurt që edhe raundi i dytë dhe spostimi i vijës së kuqe, do të përmbyllet me sukses. Nuk ka vend për dilema, por për përqendrim për të marrë të gjithë informacionin në të gjitha rrugët dhe për të vijuar më pas me raundin e dytë, për të plotësuar 75% të vendeve që kanë mbetur të lira nga raundi i parë i pranimeve në universitete”, siguronte ministrja Nikolla.
Kryeministri Edi Rama i foli me tone të sigurta Jozefina Topallit në Parlament, kur ajo çoi në foltore foton e një maturantje të dhunuar nga policët, përpara Kuvendit. “Kush ngeli pa të drejtë studimi? Asnjë nuk ngelet pa të drejtë studimi. As edhe një nuk ngelet pa të drejtë studimi, nga ata që kanë aplikuar dhe plotësojnë kushtet. Dhe është thënë një herë, është thënë dy herë, është thënë tre hërë, është thënë vazhdimisht që, nuk do mbetet asnjë vend bosh. Pra, janë kuotat e përcaktuara dhe janë aplikuesit. Dhe kur unë fola për 27 200 aplikues, fola për të gjithë aplikuesit e arsimit të lartë, sepse thoni çfarë të doni se unë nuk kompleksohem, unë nuk i ndaj universitetet në të nënës apo të njerkës, pavarësisht se financohen nga shteti apo privati. Ama është e sigurtë se universitetet publike ofrojnë ekzaktësisht 25 mijë vende”, deklaronte Rama.
Faza e dytë jo vetëm nuk e zgjidhi problemin, siç premtonte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama, kur maturantët u ngritën në protestë para zyrës së kryeministrisë, por provoi se ky sistem ishte i dështuar. Më kot u përpoqën Rama e Nikolla të bënin ndryshime të momenteve të fundit. Më kot, premtoi Rama në një takim me fermerë të Myzeqesë se do të ndryshonte edhe sistemi në arsimin e mesëm, pasi më në fund kishte konstatuar se nga aty kishin lindur problemet me aplikimet.
Më kot u shty me dy ditë faza e dytë e aplikimit. Më kot u dhanë shpresë me takime të sajuara me maturantë, që ishin regjistruar në fazën e parë, me emisione televizive, me konferenca shtypi. Sot, mijëra studentë nuk kanë mundur të regjistrohen në degët e përzgjedhura në universitetet publike. Pas kaosit të shkaktuar në fazën e parë, ata u janë drejtuar dyerve të universiteteve private, ku paguajnë shuma të kripura vetëm për të mos humbur studimet e larta. “Ky ishte edhe qëllimi i këtij kaosi”, thotë PD “që të favorizoheshin universitetet private”. Regjistrimet po i japin të drejtë opozitës.
Kolapsi me shpalljen e fituesve
Këtë vit akademik pati një kolaps me shpalljen e fituesve për në universitet për shkak të aplikimit të një sistemi të ri. Edhe pse ministrja e Arsimit dhe Kryeministri Rama premtuan që nuk do të mbeteshin maturantë pa shkollë sepse kishte kuota të shtuara, sërish në fazën e dytë rezultoi që nxënës me mesatare mbi 9 nuk kanë fituar asnjë program studimi. Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhej që në datën 29 korrik niste procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhej nota mesatare në sistem.
Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk kishte përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin. Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Kjo lloj formule solli një amulli totale në radhët e maturantëve që prisnin të vijonin ëndrrën e tyre për të ndjekur studimet e larta.
Familjarët e Arditit: Veliaj mashtron
Familjarët e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj denoncon kryebashkiakun e Tiranës si mashtrues për reagimin e tij ndaj këtij krimi. Veliaj tha në një prononcim për mediat se, Bashkia ka kontaktuar menjëherë pas konstatimit të aksidentit tragjik familjarët e viktimës gjë që është hedhur poshtë me përbuzje nga familjarët e Ardit Gjoklajt
“Ajo që ka ndodhur është e dhembshme”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës duke u solidarizuar me dhembjen e familjes Gjoklaj.
Por edhe në një moment delikat si ky, kur flitej për jetën e humbur të një adoleshenti, që punonte natën për të blerë librat e shkollës, Erion Veliaj nuk i rezistoi dot gënjeshtrës.
I pyetur nga gazetarët në studio nëse ka qenë në kontakt me familjen e 17-vjeçarit të vrarë në landfill, Veliaj pohoi se Bashkia është në kontakt me ta. Pohimi rezultoi një gënjeshtër.
Familja e Ardit Gjoklajt, pas deklaratës së kryebashkiakut Erion Veliaj se është në kontakt me ta, u konfirmoi gazetarëve të “Publicus” pavërtetësinë e kësaj deklarate.
“Askush nuk ka kontaktuar nga Bashkia me ne”, thanë ata.
Veliaj gënjeu gjakftohtë, i ndërgjegjshëm se familjarët e Ardit Gjoklajt e dëgjojnë, pak pasi kishte shprehur dhembjen e tij për ngjarjen. Kuptohet se kryetari i Bashkisë ka një perceptim tjetër për ngjarjen.
Nëse të gjithë ndjejnë keqardhje për trupin e Arditit që aksidentohet nga makineritë e rënda, kryebashkiaku duket sikur ka një tjetër imazh në mendje: momentin kur punëtorët e arrestuar të landfillit fshehin mes plehrave adoleshentin e pajetë.
Landfilli i vdekjes, inspektorati akuzon Veliajn: Kompania u fsheh nga Veliaj
Thellohet skandali i Sharrës: Erion Veliaj e ka mbajtur të fshehur nga Inspektorati i Punës aktivitetin skllavërues që po kryhej me plehrat, ku vdiq një fëmijë.
Në këtë situatë duket se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të mbuluar gjurmët dhe përgjegjësinë e institucionit që drejton dhe atë personale në skandalin e Sharrës ku u masakrua 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, po përfshin në këtë histori edhe Inspektoratin e Punës që drejtohet nga një eksponent i LSI-së, Dritan Ylli.
Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Top Story”, Erion Veliaj kur u pyet për “punën në të zezë” që bëhej në landfillin e mbeturinave, fajësoi Inspektoratin e Punës që nuk kishte bërë asnjë kontroll në këtë ndërmarrje.
“Kompania që u paraqit, nëse provohet, nëse është e vërtetë, që e kanë shkelur Kodin e Punës, le të përgjigjen para drejtësisë. Ky shtet ka inspektorë për çdo gjë, ka Inspektorat të Punës, inspektorët e rregullave të punës të vepronin”, deklaroi dy ditë më parë Veliaj, duke e kaluar topin për ngjarjen e rëndë, te institucioni që drejtohet nga Dritan Ylli i LSI-së.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i këtij të fundit, nëpërmjet një mesazhi dërguar drejtuesit të emisionit.
Sipas Yllit, në rastin konkret nuk ka qenë kompetencë e Inspektoratit të Punës kontrolli i kushteve ku punojnë të punësuarit në Sharrë, por direkt e Bashkisë që ka bërë kontratën me firmën përkatëse.
Për ta sqaruar më tej këtë situatë, “Syri.net” kontaktoi zyrtarisht me Inspektoratin e Punës.
Burime zyrtare na thanë, se prapa gjithë kësaj fshihet një mashtrim i pastër.
“Është e vërtetë që Inspektorati i Punës ka detyrim ligjor që të kontrollojë çdo aktivitet ku ka të punësuar, të indentifikojë nëse ata janë të siguruar dhe kushtet e sigurisë në punë. Por në rastin konkret nuk kishte se si ta kryente këtë, pasi kompania me të cilën kishte nënshkruar kontratë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, për institucionin tonë ‘nuk ekzistonte’. Themi nuk ekzistonte, pasi Bashkia dhe kompania në fjalë, nuk kanë denjuar asnjëherë që të dërgojnë në Inspektorat sipas ligjit, shkresën ku njoftohet fillimi i aktivitetit, numri i punonjësve dhe standardet e sigurisë në punë. Pra, për shtetin ajo kompani ka qenë fantazmë dhe ka ekzistuar vetëm për kryetarin e Bashkisë”, deklarojnë burimet nga Inspektorati i Punës.
Ky zhvillim e thellon edhe më shumë skandalin. Kryetari i Bashkisë ka realizuar një ndërmarrje brenda institucionit që drejton, në kushte ilegale. Profili i punës që do të kryhej në landfillin e Sharrës kërkonte në radhë të parë standarde në kushtet e punës, pasi rrezikshmëria në këto lloj ndërmarrjesh dihet që është e lartë, veçanërisht për helmet që prodhohen nga mbetjet e shumta.
Inspektorati i Punës e ka mësuar ekzistencën zyrtare të këtij aktiviteti, vetëm pas tragjedisë me vdekjen e adoleshentit Gjoklaj. Pas inspektimit të bërë urgjentisht, u vendosën penalitete, vetëm për kushtet e rënda të sigurisë në punë. Kurse për sa i përket punonjësve të shumtë që punonin në “të zezë” dhe nën moshën e lejuar nga ligji, nuk u arrit të evidentohej asnjë rast, për faktin e thjeshtë se kryetari Erion Veliaj kishte nxituar t’i zhdukte të gjitha gjurmët, duke mbyllur me një urgjencë të çuditshme ndërmarrjen dhe duke i shpërndarë të gjithë punonjësit.
Përveç shumë dyshimeve të tjera, tani Erion Veliaj duhet të japë përgjigje, edhe për faktin se përse e ka mbajtur të fshehtë nga Inspektorati i Punës aktivitetin në Sharrë, ku sipas dëshmive që po dalin çdo ditë punonin jo vetëm dhjetëra njerëz pa siguracione dhe masa mbrojtjeje, por edhe shumë fëmijë që shfrytëzoheshin si skllevër.
Tre pyetjet drejtuar Bashkisë e Prefekturës për landfillin e vdekjes
Kërkesë për dhënie informacioni
I nderuar z. Kryetar,
Në mbështetje të nenit 51, pika 3, nenit 54, germa “ë” dhe “k”, të Ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”; pika 4 e “Rregullores së funksionimit të Këshillit Bashkiak”; nenit 14, pika 1, shkronja “c”, e “Rregullore për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e administratës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”, në cilësinë dhe në ushtrim të funksionit të kryetarit të Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike, kërkoj informacion përsa më poshtë:
A ka Bashkia Tiranë kontrata me kompani të tjera për përpunimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, të ngjashme me atë që ka me kompaninë “3R” shpk?
Procedurat e tenderimit, nëse ka pasur, kompanitë që janë paraqitur dhe procesverbalin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave lidhur me shpalljen e fituesve apo dhe arsyet e skualifikimit të kompanive të tjera nga gara?
Cilët janë personat përgjegjës të administratës për supervizimin e zbatimin e kontratave dhe konstatimet nga kontrollet e ushtruara dhe masat të lëna për zbatim, nëse ka pasur?
Çdo dokument tjetër që lidhet me këtë aktivitet.
Duke e vlerësuar si thelbësore për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës, jo vetëm garantimin e parimit të ligjshmërisë, por edhe qeverisjen transparente, mbetemi në pritje të informacionit tuaj, brenda afateve të parashikuara me ligj.
Si i mashtroi Rama fermerët
Sali BERISHA
Rama në turin e zëvendësimit të mashtrimeve të vjetra me mashtrime të reja. Sot atij ia menderosi fermeri në Troshan: “Keni ardhur kot dhe për fushatë elektorale”. Ai ndërpret takimin e iu thotë se po vjen shiu!! Të dashur miq, Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim për fermerët shqiptarë. Ai u premtoi pesëfishimin e granteve dhe i hoqi ato fare, u premtoi140 milionë dollarë investim për vaditje dhe bllokoi për tre vjet projektin prej 60 milionë dollarësh të Bankës Botërore për vaditjen, dhe deri sot nuk ka rindërtuar as dhjetë km kanale. Ai premtoi heqjen e taksës së qarkullimit për bujqësinë dhe e trefishoi këtë taksë, premtoi se do të ndërtonte infrastrukturën rrugore të ngastrave dhe parcelave dhe nuk ka ndërtuar në fshatra as dhe një km rrugë, ujësjellës, shkollë apo kanalizim.
Pas të gjitha këtyre mashtrimeve, Rama, si Nastradin i vërtet, duke menduar se flet me njerëz injorante dhe të paditur ka nisur turin e mashtrimeve të reja për të mbuluar me to mashtrimet e vjetra. Por fatmirësisht kudo që shkon fshatarët po i tregojnë vendin. Kështu, sot në Troshan, dokrrave të Ramës për të marrë kredi dhe për t’u bërë biznes në çdo shtëpi, fermeri i përgjigjet se pa projekte ke ardhur kot dhe se këto janë limonada elektorake. Ai tekstualisht i tha: “unë jam krenar që kryeministri ka ardhur në fshatin tonë, por ne kërkojmë nga qeveria që të financojë ndonjë projekt jo vetëm këtu, por në mbarë fshatrat e vendit. Përndryshe ju keni ardhur kot. Deklarata juaj se çdo shtëpi do bëhet një biznes është deklaratë elektorale. Fermeri kërkon që qeveria të subvencionojë mbjelljet e vreshtave dhe ullinjve”.
Rama i rikthehet përsëri kredisë, duke thënë bëni projekte, por nuk dini të bëni projekte! Ju nuk dini prandaj nuk merrni kredinë! Fshati ynë është i paditur po ikim se po na vjen shiu! Rama shpifi duke ju thënë atyre se në 25 vite nuk u ngrit një shkollë profesionale për bujqësinë fermerët, edhe socialistë u gajasën dhe i thanë o kryetar shko në Bushat pak kilometra që këtej ku prej shumë vitesh është ngritur dhe funksionon me të gjitha laboratoret “Shkolla Bujqësore Rajonale” moderne por t’i vjen dhe leh para nesh si qen në hënë, duke kujtuar se ne nuk dimë asgjë.
Fermerët e përqeshën Nastradinin kur deklaroi se në 25 vite nuk është bërë asnjë investim në bujqësi. Ndërkohë që vetëm në vitet 2006-2013 janë ndërtuar dhe rindërtuar në fshatrat e vendit mbi 8000 km rrugë, 650 ujësjellësa e kanalizime, mbi 1000 shkolla kopshte dhe janë subvencionuar 45 mijë projekte për mbjelljen e dhjetëra mijëra hektarë drufrutor. Nastradini nuk di se edhe në kohën më të vështirë, në vitin 1994 u sollën për fermerët shqiptarë mbi 2000 traktorë nga jashtë për fermerët e vendit. Nihilisti absolut është injorant absolut!!
Julian Assange i ndërpritet interneti
Faqja e internetit WikiLeaks njoftoi se themeluesit të saj, Julian Assange, i është ndërprerë qasja në internet nga një strukturë shtetërore e paidentifikuar. Nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme.
Prej katër vitesh, Assange është ngujuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin e tij bazuar mbi akuza për krime seksuale.
Ngujimi nuk e ka penguar aktivistin australian që të vazhdojë punën dhe WikiLeaks ka vazhduar të publikojë të dhëna sensacionale, ndër të tjera edhe informacione që kanë tronditur fushatën për presidente të Hillary Clinton-it, ndërsa në Shtetet e Bashkuara po afron dita e zgjedhjeve.
Nuk pati përgjigje ndaj pyetjeve me telefon dhe e-mail drejtuar WikiLeaks. Një grua që iu përgjigj telefonit në ambasadë tha se nuk mundet të japë informacion. Një e-mail drejtuar ambasadorit të Ekuadorit nuk mori përgjigje. Policia e Londrës gjithashtu refuzoi të komentojë për këtë çështje.
Britania bllokon llogaritë bankare të medias shtetërore ruse “RT”
Britania ka bllokuar llogaritë bankare të rrjetit mediatik shtetëror rus “RT”, sipas një njoftimi të kryeredaktores Margarita Simonyan, dje nëpërmjet Twitter-it. Në mesazhin e saj nuk jepen arsyet, por theksohet se të gjitha llogaritë e rrjetit “RT” ishin bllokuar pa mundësi apelimi të këtij vendimi.
Agjencia “Reuters”, duke iu referuar një letre të bankës britanike NatWest, botuar në faqen e internetit të “RT”-së, citon bankën të ketë thënë se e ka marrë këtë vendim pas një “vlerësimi të kujdesshëm” dhe se ai është përfundimtar. Pritet që kjo të vështirësojë aktivitetin e stacionit “RT”, që shpesh fton në emisionet e tij bashkëbisedues që kritikojnë Perëndimin duke mbrojtur pikëpamjet e Kremlinit.
Marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Londrës janë acaruar për shkak të Sirisë dhe Ukrainës. Agjencia britanike që mbikëqyr transmetimet televizive “Ofcom” në të kaluarën e ka kritikuar “RT”-në, për transmetime të njëanshme dhe dezinformuese rreth zhvillimeve në Siri dhe Ukrainë, duke u shprehur se ato binin ndesh me kodin e gazetarisë në Britani.
A duhet të ketë Europa ushtri?
Judy Dempsey
Donald Trumpi ka të drejtë të paktën për një gjë, vendet anëtare të aleancës së NATO-s e kanë marrë për të mirëqenë historikisht faktin se Shtetet e Bashkuara do të jenë çadra e tyre e sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, europianët, me disa përjashtime, i kanë injoruar vazhdimisht thirrjet e zyrtarëve amerikanë për ta ndarë barrën e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.
Thënë kjo, kandidati republikan për president dhe ideja e tij se, Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga NATO i fusin tmerrin Pentagonit, Departamentit amerikan të Shtetit dhe aleatëve europianë të Amerikës. Pa Amerikën, NATO do të ishte një individ pa dhëmbë. Shtetet e Bashkuara do të humbisnin aleatë të çmuar dhe Europa do të dobësohej ndjeshëm. Aleanca transatlantike do të ishte me një këmbë në varr.
Megjithatë, në vend që të fokusohen në forcimin e NATO-s, shumë liderë europianë tani thonë se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të ketë ushtrinë e tij. Por tani që Europa është e dobësuar dhe e përçarë nga kriza e borxheve, kriza e refugjatëve dhe rritja e lëvizjeve populiste në të gjithë bllokun, gjëja e fundit që i nevojitet Europës është ushtria e saj.
Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian, e mbështet idenë e forcës europiane. Juncker tha se një komponent i tillë i fuqishëm për Europën do t’i jepte Komisionit – jo vendeve anëtare – më shumë pushtet për çështjet e sigurisë. “Europës nuk i leverdis më të struket pas forcës ushtarake të të tjerëve”, tha Juncker. “Duhet të marrim përgjegjësinë për të mbrojtur interesat tona dhe mënyrën e jetesës europiane… Pa një strukturë permanente, nuk mund të veprojmë me eficencë”.
Por është e vështirë të imagjinosh që vendet anëtare të pranojnë të heqin dorë nga sovraniteti i një çështjeje kaq të rëndësishme dhe t’ia dorëzojnë atë Komisionit Europian. Franca, e cila është afruar më shumë me NATO-n gjatë viteve të fundit, mbështet idenë e ushtrisë europiane, por nuk ka shpjeguar akoma se si do të funksiononte dhe nga kush do të komandohej.
Është gjithashtu e vështirë të imagjinosh, për shembull, parlamentet holandeze dhe gjermane që të dorëzojnë të drejtën e vetos dhe të bien dakord për misionet ushtarake apriori. Më pas vjen pyetja e pagesës së forcës ushtarake. Si do të bien dakord ministrat për të financuar një ushtri europiane në një kohë kur anëtarët e NATO-s duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 2 për qind të GDP-së?
Jo të gjithë vendet anëtare e duam ushtrinë europiane, gjë që e shton rrezikun e përçarjes së mëtejshme të një blloku tashmë të përçarë prej kohësh. Vendet nordike, si Danimarka, Suedia, Zvicra dhe Finlanda nuk i janë bashkuar këtij debati dhe as Spanja dhe Portugalia. Dy vendet e fundit nuk do të ishin aspak dakord të dyfishonin shpenzimet si për NATO-n, ashtu edhe për ushtrinë e BE-së.
Vendet e Europës Qendrore kanë sugjeruar se e duan një ushtri europiane për arsyet e tyre të veçanta. Tradicionalisht, vendet Visegrad të Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë kanë qenë vende të patundura të NATO-s. Bohuslav Sobotka, Kryeministri çek, tha se vetëm forcat e armatosura në të gjithë Europën na lejojnë t’i mbrojmë interesat tona. Ai shtoi se një forcë e tillë do të kthehej në një partner më të besueshëm dhe më veprues, sikur NATO të mos ishte e njëjta e gjë.
Viktor Orban, Kryeministri i Hungarisë e mbështeti idenë. “Duhet ta bëjmë prioritet sigurinë dhe duhet ta fillojmë këtë duke krijuar ushtrinë e përbashkët europiane”, tha ai kohët e fundit në Varshavë gjatë bisedimeve me liderët e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Vendet e Europës Qendrore duan që ushtria europiane të mbrojë kufijtë e jashtëm të BE-së. Ata nuk e shohin ushtrinë potenciale europiane si një instrument pushteti të fortë për vendet konfliktuale të globit jashtë bllokut apo si mjet për të ndarë informacione inteligjence dhe luftuar për sigurinë kibernetike.
Ish-qeveria e Polonisë kërkonte që BE të forconte mbrojtjen dhe politikën e sigurisë kur ishte në pushtet gjatë viteve 2007-2015. BE-ja duhet të ishte gati për ditën kur fokusi i Shteteve të Bashkuara mbi Europën të dobësohej si rezultat i spostimit të interesit amerikan drejt Azisë. Për të qenë të sigurt, BE-ja duhet të kishte selinë e saj private ushtarake ku të zhvillonte planifikimin ushtarak.
Por këto përpjekje nuk shkuan larg. Britania e kundërshtoi idenë e një selie të pavarur ushtarake për BE-në. Sipas saj, ishte e padobishme. BE-ja kishte akses në shërbimet e planifikimit ushtarak të NATO-s dhe krijimi i selisë së re do të çonte vetëm në dublikim dhe konkurrencë mes institucionesh.
NATO sot nevojitet më shumë se kurrë, veçanërisht duke pasur parasysh pushtimin e Rusisë në Ukrainën Lindore dhe pasigurinë masive në Europën Jugore. Ushtria europiane do të ishte mëse e mirëpritur nga Vladimir Putini sepse Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të përziheshin më në këtë rast.
Me pak fjalë, thirrjet për krijimin e ushtrisë europiane janë një strategji e pamenduar mirë. Kjo nuk është koha e përshtatshme për ta dobësuar apo shpërqendruar NATO-n. Është koha për të sfiduar idetë e Trumpit – dhe për të thyer shpresat e Putinit – se aleanca e NATO-s tashmë e ka mbyllur ciklin e saj.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI
Rezultatet e para të luftës në Mosul
Udhëheqësit kurdë njoftuan për disa suksese të arritura gjatë ofensivës tokësore që filloi të hënën nga forcat irakiane. Ofensiva ka për qëllim marrjen e kontrollit të qytetit verior të Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.
Që nga ora 6 e mëngjesit sipas orës lokale, “200 kilometra katrore janë çliruar nga Shteti Islamik”, tha presidenti kurd, Masoud Barzani, gjatë një konference shtypi të transmetuar me televizion.
“Mosuli ka për t’u çliruar”, tha Barzani, duke shtuar se luftëtarët e tij janë duke bërë më të mirën për të mos lejuar që qyteti të shndërrohet në një “tjetër Aleppo”, duke iu referuar qytetit sirian të përfshirë për një kohë të gjatë nga luftimet.
Fushata e parashikuar prej një kohe të gjatë është operacioni më i madh ushtarak në Irak, që pas largimit prej andej të forcave amerikane, 5 vjet më parë dhe ka shqetësime lidhur me sigurinë e qindra mijëra civilëve në rajon.
Në operacion janë përfshirë forca të shumta: luftëtarë kurdë, policë federalë, luftëtarë nga fiset suni, krahas me sulmet ajrore dhe mbështetje me mjete të tjera nga koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, që prej dy vjetësh është duke luftuar me ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri.
Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar operacionin “një moment vendimtar” në fushatën kundër Shtetit Islamik, që ka pësuar humbje të njëpasnjëshme dhe që është kufizuar kryesisht në rajonin e Mosulit në Irak. Por ata janë shprehur se operacioni mund të zgjasë për javë me radhë, madje edhe më gjatë.
Për të paralajmëruar banorët, para fillimit të ofensivës, forcat ajrore irakiane hodhën mijëra fletushka në Mosul.