Ronaldo Luis Nazario de Lima, i njohur thjesht si “Fenomeni” ka folur për dëmtimet e tij dhe për problemet shëndetësore në finalen e Botërorit ‘98. Një kampion i madh i futbollit modern, me një talent të jashtëzakonshëm, falë të cilit ka luajtur me skuadra si Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan, në një intervistë për “Onda Cero”, ish-kampioni brazilian ka zbuluar disa episode pikante të karrierës së tij, e ndërprerë nga dëmtimet e rënda në gju, që sipas vetë Ronaldos janë shkaktuar edhe nga stërvitjet jo të përshtatshme.
“Në dhjetë vitet e para të karrierës jam stërvitur keq, në kuptimin që me mua gabuan metodat stërvitore. Në shumë raste më është dashur të vrapoj si Roberto Carlos dhe Cafu, por nuk mundesha. Kam vuajtur shumë dëmtime për shkak të stërvitjeve kolektive. Kam pësuar dëmtime të rënda. Në fillim qëndrova jashtë fushave një vit e 4 muaj, ndërsa më pas për një vit e dy muaj. Asnjë lojtar nuk kishte vuajtur dëmtime si unë: mjekët nuk dinin si t’i kuronin, nuk njihej një teknikë specifike për fizeoterapinë. Por, unë doja të kthehesha, futbolli ishte jeta ime”, shprehet Ronaldo.
Duke folur për trajnerët që ka patur, Ronaldo nuk i kurseu fjalët e ashpra dhe kritikat për Fabio Capello-n dhe Arrigo Saçhi-n. “Te Reali i Madridit u paraqita dy herë brenda javës me vonesë në stërvitje. Në rastin e parë, Saçhi me mbajti një leksion për 15 minuta dhe më gjobiti, ndërsa në rastin e dytë përpara se ai të fliste i thashë: Ose leksionin, ose gjobën. Capello? Nuk ishte tip shumë i zgjuar, nuk e zgjedh mes trajnerëve të mi më të mirë”, thotë Ronaldo.
Ndër të tjera 40-vjeçari foli për jetën e natës në periudhën kur luante te Reali i Madridit dhe problemet shëndetësore përpara finales së Botërorit 1998. Brazili u mposht në finale nga Franca, ndërsa sulmuesi luajti në gjendje tejet të rënduar shëndetësore. Natën përpara ndeshjes, ai u transportua me urgjencë në spital, ku u mjekua me medikamente për epilepsinë, të cilat i rrezikuan seriozisht jetën, sepse në të vërtetë kishte probleme kardiake.
“Roberto Carlos më shpëtoi. Ndodheshim në dhomë, kishte kaluar mesnata dhe u shtriva për të fjetur. Në një moment pata konvulsione të forta dhe humba ndjenjat për afro 30 sekonda. Në fillim ai kujtoi se po bëja shaka”, shprehet Ronaldo.
Karlos më shpëtoi
Mungon ndaj Steauas, dëmtimi i Armando Sadikut gëzon rumunët

Armando Sadiku është kthyer në makth për rumunët me golin që i realizoi përfaqësueses ballkanase në finalet e “Euro 2016”. Që pas mbrëmjes të 19 qershorit, ku në stadiumin e Lionit sulmuesi shqiptar hyri në histori si golashënuesi i parë i kuqezinjve në një event madhor, emri i 25-vjeçarit shfaqet shpesh në mediat rumune.
“Armando Sadiku, makthi i Rumanisë në Europian do të mungojë ndaj Steauas së Bukureshtit në Europa League”. Ky është titulli i i përzgjedhur nga portali “Sport Total”, që e konsideron një lajm shumë të mirë për Steauan faktin që kjo skuadër nuk do të ketë përballë sulmuesin kryesor të Zyrihut në raundin e tretë të ndeshjeve në grupe në kompeticionin europian.
Sadiku, shpjegojnë më tej mediat rumune, mungoi edhe me Shqipërinë në dy ndeshjet eliminatore të Botërorit “Rusi 2018” ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës dhe është ende herët që ia të kthehet në fushë.
Në takimin e parë në Grupin L përballë Villarealit, Sadiku realizoi golin e vetëm të Zyrihut në humbjen 2-1 në El Madrigal, ndërsa në fitoren 2-1 me turqit e Osmanlispor nuk ishte i grumbulluar. Steauas i duhet patjetër fitorja në Bukuresht ndaj zviceranëve nëse dëshiron të jetë në garë për një nga dy vendet e para në grup, pasi aktualisht renditet e fundit me vetëm 1 pikë.
OSBE: Të forcohet lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt tha se duhen intensifikuar më shumë ndjekjet penale për trafikantët e qenieve njerëzore. Në konferencën kombëtare kundër trafikimit të personave, kreu i prezencës së OSBE tha se, lufta kundër trafikimit do të thotë parandalim, mbrojtje dhe ndjekje penale. “Trafikimi i qenieve njerëzore përbën shqetësim për të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, qoftë si kërcënim i sigurisë, qoftë edhe si problem i të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, Prezenca e OSBE-së, për një kohë shumë të gjatë, është angazhuar në mbështetje të qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit. Për ne, lufta kundër trafikimit do të thotë parandalim, mbrojtje dhe ndjekje penale. Kemi parë rezultate inkurajuese, sidomos në aspektin e parandalimit dhe mbrojtjes, ndërkohë që duhet intensifikuar ndjekja penale e trafikantëve”, tha Borchardt. Ambasadori u ndal edhe te migrimi, si një element që ndikon dhe shton kërcënimin për trafikim. “Nisur nga migrimi masiv kohët e fundit, sidomos nga zonat në konflikt, trafikimi pritet të bëhet sërish jo vetëm sfidë edhe më e vështirë, por kërcënim edhe më i madh. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë vende origjine, transiti apo destinacioni, ose kombinim i të triave. Përpjekjet e Shqipërisë kundër trafikimit janë një shembull inkurajues i adresimit në mënyrë tërësore të trafikimit të personave. Por, ky fenomen kërkon përafrim të vazhdueshëm të legjislacionit, politikave dhe masave me angazhimet dhe sfidat ndërkombëtare, ndërkohë që mbetet për t’u trajtuar identifikimi i viktimave”, u shpreh Borchardt.
Avokati i Popullit: Qeveria po keqtrajton komunitetin rom
“Problemet e tyre janë shumë të mëdha. Ata janë pa punë, pa strehim, nuk kanë akses në shëndetësi, në drejtësi. Kanë probleme me arsimin e fëmijëve, me braktisjen e shkollave. Qytetarët romë nuk mund të transferojnë dot dokumentet nga një gjendje civile në tjetrën, sepse janë disa kritere që ata nuk i përmbushin dot. Autoritetet fshihen pas barazisë përpara ligjit, por në rastin e romëve, të cilët realisht nuk trajtohen si të barabartë me qytetarët e tjerë, ligji bëhet diskriminues”
“Është e patolerueshme që foshnjet rome sot e kësaj dite pickohen nga gjarpërinjtë që u hyjnë në barakat ku flenë vetëm 5 km larg Tiranës. Romëve u janë djegur shtëpitë, madje edhe janë dëbuar siç ishte rasti i fundit”. Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë për keqtrajtimin e romëve, duke i kujtuar izolimin në shkolla si në Korçë apo Kuçovë nga pjesa tjetër e fëmijëve, duke i përmendur dëbimin nga shtëpitë, heqjen nga dora dhe të kanaçeve që mbledhin e deri pickimin e foshnjave nga gjarpërinjtë në barakat ku flenë fare afër Tiranës. Në fjalimin e tij në konferencën “Integrimi i romëve dhe rritja e bashkëpunimit midis shteteve në rajon” organizuar nga Amarodrom, Totozani i kushtoi vëmendje shqetësimit për mungesën e miratimit të ligjit për minoritetet. “Romët janë qytetarë të nivelit të dytë. Kam hyrë në barakat e tyre kudo në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. I kam parë si jetojnë dhe ndaj ju them me bindje se ata janë të përjashtuar socialë. Problemet e tyre janë shumë të mëdha. Ata janë pa punë, pa strehim, nuk kanë akses në shëndetësi, në drejtësi. Kanë probleme me arsimin e fëmijëve, me braktisjen e shkollave. Qytetarët romë nuk mund të transferojnë dot dokumentet nga një gjendje civile në tjetrën, sepse janë disa kritere që ata nuk i përmbushin dot. Autoritetet fshihen pas barazisë përpara ligjit, por në rastin e romëve, të cilët realisht nuk trajtohen si të barabartë me qytetarët e tjerë, ligji bëhet diskriminues. Që të mund të bëjnë zhvendosjen e vendbanimit, atyre u kërkohen kontrata qiraje dhe çertifikata pronësie, në një kohë që ata nuk kanë asnjë mundësi financiare as të marrin shtëpi me qira si qytetarët e tjerë dhe as të blejnë shtëpi. Romët janë të vetmit në këtë vend që lindin fëmijë, të cilët mbeten fantazma për shtetin, pasi nuk regjistrohen, nuk u jepet një emër dhe mbiemër zyrtar e për pasojë nuk gëzojnë as të drejtat dhe përfitimet si çdo qytetar tjetër. “Është e patolerueshme që foshnjet rome sot e kësaj dite pickohen nga gjarpërinjtë që u hyjnë në barakat ku flenë vetëm 5 km larg Tiranës. Romëve u janë djegur shtëpitë, madje edhe janë dëbuar siç ishte rasti i fundit. Unë mendoj se kjo është një situatë e papranueshme, pasi çdo njeri ka të drejtën të jetojë mirë dhe me dinjitet. Ka familje rome që marrin ndihmë ekonomike, por edhe ajo është e pamjaftueshme. Si mundet që një familje të jetojë me 8 mijë lekë të reja në muaj. Kemi vite që kërkojmë shpalljen e minimumit jetik, që do të rriste këtë standard jetese për më të varfërit, por nuk është bërë asnjëherë. Madje, kur flasim për problemet e romëve përballemi edhe me zgjidhje ‘origjinale’ shqiptare si në Korçë apo në Kuçovë, me shkolla vetëm me fëmijë romë. Ndonëse qëllimi për ngritjen e tyre mund të jetë pozitiv për t’u garantuar atyre ushqim në shkollë, sërish ky është segregim i pastër, pasi ne nuk duhet që t’i veçojmë fëmijët romë nga të tjerët. Ne nuk mund t’i izolojmë ata”. “Pavarësisht arritjeve, që nuk i mohon kush, mbetet shumë për të bërë, pasi vështirësitë janë të mëdha. Kush mendon që unë kritikoj shumë duhet të shkojë dhe të shohë banesat e romëve, të shohë kur u marrin kanaçet, pa u siguruar asnjë mundësi punësimi më parë. Nuk mund të ofrosh zgjidhje për ta, nëse nuk e vë veten në pozitat e tyre, nëse nuk shikon se si jetojnë ata. Dua të shtroj këtu një tjetër problem shumë shqetësues. Kemi një vit e gjysmë që kërkojmë me insistim miratimin e ligjit për minoritetet, në një kohë që edhe censusi është i kontestuar. Ligji për minoritetet i mungon Shqipërisë dhe kjo është një mangësi, pasi mbetet një nga kriteret që duhet të përmbushim në rrugën e integrimit europian. Kjo është edhe një mundësi shumë e mirë për përmirësimin e kushteve të jetesës për minoritetet, siç është edhe ai rom. Ligji për minoritetet duhet të ishte në Parlament për miratim në muajin tetor, por ende nuk dihet se çfarë po bëhet me të. Ndaj i bëj thirrje ministrit Bushati të mos e vonojë ligjin, pasi në këtë mënyrë vonon përmirësimin e jetës së qytetarëve të minoritetit rom, por gjithashtu vonon edhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për integrimin evropian”.
Rinia ikën, 80% e të larguarve nga Shqipëria drejt BE nën 35 vjeç
Shqipëria ndodhet përballë një emergjence ku të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, duke sinjalizuar një situatë alarmi në të ardhmen e afërt për forcën e punës, shtesën natyrore të popullsisë dhe të ardhurat për arkën e pensioneve.
Sipas “Pew Research Center”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE në vitin 2015, shihet një tendencë e lartë e të rinjve për të emigruar. Qendra kërkimore tregon se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç.
Sipas të dhënave, 31% e azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2015 ishin femra të moshës 0-34 vjeç, ndërsa 49% ishin meshkuj të kësaj grupmoshe. Shifrat tregojnë për një emigracion në masë të familjeve të reja.
Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-17 vjeç zinte 34% të totalit të azilkërkuesve. Në vlerë absolute rezulton se rreth 23 mijë fëmijë e adoleshentë (nga zero deri në 17 vjeç) kanë kërkuar azil në Evropë gjatë vitit të kaluar.
Studimi tregon se nga vendet aziatike emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm, ndërsa nga vendet në zhvillim të Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria, emigrojnë përgjithësisht familjet. Të dhënat sugjerojnë se, azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje. Përqindja e të miturve të pashoqëruar në mesin e të gjithë azilkërkuesve në Europë arriti afërsisht 7% të të gjithë azilkërkuesve më 2015.
Në projeksionet afatgjata të popullsisë shqiptare, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen u përkeqësua në vitin e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.
Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në rreth 67 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67 mijë.
Rritja e numrit të të ikurve më 2015-ën pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.
Shqipëria në krye të listës
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të “Pew Research Center”, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Evropian. Sot, thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve më 2015 kishin origjinë nga vetëm tri vende: Siria, Afganistani dhe Iraku. Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve.
Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 më 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015, nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga 14,000 në vitin 2014). Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tri shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se Evropa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azilkërkues.
Në total, një rekord prej 1.3 milionë emigrantësh kanë aplikuar për azil në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegji dhe Zvicër më 2015 – pothuajse dyfishi i rekordit të mëparshëm prej 700,000 vetësh, që ishte vendosur në vitin 1992 pas rënies së Perdes së Hekurt dhe rënies së Bashkimit Sovjetik. Që nga viti 2012, Gjermania ka qenë vend kryesor destinacioni për azilkërkuesit në Evropë, duke marrë 442,000 kërkesa për azil vetëm në vitin 2015. Pas Gjermanisë vjen Hungaria (174,000 aplikacione) dhe Suedia (156,000). Ndërkohë, Franca (71.000) dhe Mbretëria e Bashkuar (39,000) kanë marrë afërsisht numrin e njëjtë të aplikacioneve në vitin 2015, si në vitet kur vala e emigracionit nuk ishte kaq masive.
Hysaj: Synojmë Botërorin!
Elseid Hysaj flet si lider i Napolit. Në një intervistë për mediat italiane, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare tregon momentet e bukura në këtë qytet, por edhe objektivat në aspektin futbollistik. Ai thotë se Kombëtarja shqiptare ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në Botëror, ndërsa tregon edhe strategjinë që ndoqën për të marrë rezultat pozitiv ndaj Spanjës. Hysaj flet edhe për mungesën e golit, por thotë se nuk e ka problem që vetëm të asistojë.
-Kur ndodhi kjo ndaj Kievos apo ndaj Bolonjës që ti nuk ishe në fushë dhe unë thashë që ishe më i miri?
Ndaj Kievos nuk luajta.
-Mirë, le të kthehemi seriozë tani. Pesë ditë, 2 ndeshje shumë të rëndësishme dhe një stadium që do të mbushet plot.
Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe të japim 101% në fushën e lojës për të harruar në këtë mënyrë humbjen që pësuam ndaj Romës. Duhet të tregojmë që jemi gjithmonë gati dhe që dimë të reagojmë.
-Megjithatë, sërish do të mungojë Milik.
Kjo gjë dihet tashmë dhe në futboll mund të ndodhin këto gjëra. Sigurisht që kemi dëshirë për t’i bërë dhuratë fitoren.
-Reina ka thënë se i vjen keq për këtë mungesë, por thotë që keni Gabiadinin dhe Napoli ka një grup të fortë.
Është e vërtetë. Jemi një grup futbollistësh shumë të mirë. Të gjithë janë gati për të bërë gjithçka dhe të ndihmojnë skuadrën si jashtë, ashtu edhe brenda fushës së lojës. Do ta ndihmojmë Gabiadinin që të gjejë golin.
-Sarri ju ndaloi të flisni për Beshiktashin deri përpara Romës. Megjithatë tani duhet të flasim?
Mendoj që është diçka shumë e mirë ajo që bën trajneri. Futbollistët duhet të mendojnë gjithmonë për ndeshjen e radhës dhe pastaj të përgatiten për të ardhmen. Nuk mund të përgatiten kurrë dy ndeshje radhazi. Tani kemi luksin dhe kohën të mendojmë për ta.
-Sa i emocionuar ishit në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve?
Emocioni ka qenë shumë i madh. Kur dëgjon himnin e këtij kompeticioni ndien diçka shumë të bukur, ashtu si tifozët. Edhe unë kam qenë tifoz më parë, ndërsa tani isha në fushë. E nisa me fitore dhe më vjen mirë. Është bukur të luash përpara tifozëve të Napolit. Është një stadium madhështor.
-Na tregoi diçka për kontratën e re dhe për Napolin.
Këtu ndihem si në shtëpinë time. Futbolli, tifozët, qyteti dhe gjithçka tjetër më pëlqejnë. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj të jap maksimumin për këtë skuadër.
-Ju keni realizuar shumë ëndrra në pak kohë. Në fillim debutuat në Serinë A, pastaj luajtët në Champions dhe në Europian me Shqipërinë. A është Botërori objektivi i radhës?
Sigurisht që po. Me De Biazin është gjithçka e mundur. Kemi luajtur mirë dhe kemi bërë ndeshje shumë pozitive dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu për të përjetuar të tjera momente të gëzueshme dhe kënaqësi.
-Ndaj Spanjës, çfarë po bënit? Tentuat të luanit me 10 veta në mbrojtje për të mos e lënë të dilte në lojën e saj. Çfarë të tha Reina dhe Kajehon?
Nuk ishin të rebeluar për lojën tonë, por për fitoren që arritën. Ne donim të bënim ashtu si Italia disa ditë më parë dhe menduam që mund të merrnim rezultat pozitiv.
-Presidenti i Empolit ka thënë “nuk shoh vetëm rezultatin e Napolit, por edhe notën e Hysajt”. Çfarë do të thotë kjo për ju?
E vlerësoj shumë. Ka qenë një person që më ka thënë një dorë në kampionatin italian dhe më ka ndihmuar shumë. Unë dua të bëj më të mirën për të dhe për të tjerët që më ndjekin. Shpresoj të marr nota të mira.
Torino dominon Palermon, fiton 4-1
Torino shkatërron Palermon 4-1 në “Renzo Barbera” duke konfirmuar momentin pozitiv, pasi në 5 ndeshjet e fundit numëron 3 fitore dhe dy barazime. Skuadra e drejtuar nga Sinisa Mihajloviç ngjitet në vendin e 4 të klasifikimit pas 3 pikëve të marra në Siçili, duke zhytur në krizë të thellë Palermon që mbetet në zonën e ftohtë. Ndeshja nisi me një gol të shpejtë të shënuar nga Chochev në minutën e 5 pas një harkimi nga e djathta. Gjithsesi, skuadra “Granata” nuk e humbi besimin dhe ishte Adem Ljajiç ai që vendosi baraspeshën 20 minuta më pas, ndërsa në të 40-ën shënoi edhe golin e dytë.
Pjesa e parë u mbyll me një tjetër gol të shënuar nga Benassi. Palermo e dorëzuar humbi busullën në fushën e blertë dhe ngriti flamurin e bardhë në minutën e 50 kur Baselli vulosi fitoren e Demave. Një sukses i rëndësishëm për Torinon që rikthehet në zonën europiane, duke u konfirmuar surpriza e vërtetë e këtij sezoni në Serie A.
S’ka fitues në Liverpool-Manchester United
Derbi i Anglisë e ka gjithmonë një protagonist të madh dhe në sfidën e “Anfield Road” këtë herë ai ishte David de Gea që me pritjet e tij bëri që përballja më e zjarrtë në ishull të mbyllej pa gola. Ashtu si në një ndeshje shahu, Mourinho dhe Klopp kishin përgatitur skuadrat për një përballje taktike në fushë, duke ndarë madje dhe lojën me nga një pjesë në favor. Në 45 minutat e para ishte United që menaxhoi më shumë lojën dhe pse nuk pati raste të pastra për shënim, ndërkohë që në të dytën ritmin e udhëhoqën “The Reds” që megjithatë nuk arritën të skuqnin kundërshtarët dhe për meritë të De Gea-s, që klasin e tij e tregoi të gjithin në pritjen e Emre Can në të 59-tën, kur arriti të shmangë një gol të sigurtë duke larguar topin dhe pse nuk e pa atë.
United vuajti dhe vonesën e Mourinhos në zëvendësime dhe në minutën e 71-të pati nevojë për një tjetër mrekulli të De Geas, që me një hapje fantastike devijoi në këndore një goditje po kaq të mrekullueshme të Coutinho-s. Djajtë e Kuq e patën të vështirë të dilnin përpara dhe rastet më të mira ishin sërish për vendasit, që në minutën e 84-tërt panë Firminon të bllokohej në momentin e fundit. Gjithçka u mbyll në barazim, me City-n që përfiton më shumë nga kjo sfidë duke ruajtur i vetëm vendin e parë në renditje, me Liverpoolin që u ndal pas katër fitoreve radhazi nga një United shumë i kujdesshëm.
PSG hidhet në sulm
Ikardi mbetet kapiten, por do të ketë një gjobë të rëndë. Janë këto vendimet e Interit, të lajmëruara nëpërmjet një komunikate me anë të së cilës klubi zikaltër shpreson të mbyllë çështjen që lindi në vigjilje dhe gjatë Inter-Cagliari. Tifozët i kërkuan Ikardit të linte shiritin e kapitenit, pas frazave të papërshtatshme të tij në drejtim të tifozëve të Inter në një autobiografi të futbollistit të publikuar ditët e fundit. Në komunikatën e Interit shkruhet, “FC Internazionale pas takimit mes drejtuesve dhe Mauro Ikardit, komunikon se për kapitenin zikaltër do të aplikohet ndëshkimi i parashikuar për thyerjen e rregullores së brendshme të klubit, të nënshkruar nga çdo futbollist”.
Në faqen zyrtare të Interit erdhën dhe fjalët e sulmuesit argjentinas që shprehet. “Këto dy ditë kam përjetuar një periudhë të trishtë të historisë sime zikaltër, por në një familje, pasi më kanë mësuar gjithmonë se Interi është një familje e madhe, momentet e vështira apo keqkuptimet mund të ndodhin. Gjithçka lind nga një faqe e librit tim që me shumë mundësi është hedhur duke i besuar instinktit, një faqe ku disa tone janë të papërshtatshme dhe më vjen vërtet keq që në mes të kësaj janë pikërisht tifozët e Interit. Kjo ka fyer shumë njerëz dhe dua shumë që gjërat të kthehen në vendin e tyre, ndaj kërkoj falje dhe do të impenjohem që këto faqe të mos jenë më autobigrafi në mënyrë që askush të mos i ndihet i ofenduar apo i tradhtuar. Fola me drejtuesit dhe të gjithë kemi të njëjtin objektiv, të mirën e Interit, pasi asgjë nuk është më e madhe se Interi, ndaj dhe kam pranuar çdo vendim të klubit”.
Ndërkohë, Paris Saint Germanin është hedhur menjëherë në sulm për Mauro Ikardin. Përplasjet e fundit mes argjentinasit dhe tifozëve të Interit kanë nxjerrë në pah zëra merkatoje, të cilat lidhin të ardhmen e sulmuesit zikaltër tek ekipi i PSG. Rezultate negative dhe së fundmi konflikti. Duket se gjithçka shkon keq në kampin zikaltër. Gjithashtu ata rrezikojnë të humbasin edhe sulmuesin kryesor. Sipas asaj që bëhet me dije nga mediat franceze, bisedimet do të nisin shumë shpejt në mënyrë që Ikardi të transferohet në “Parc de Princ” gjatë merkatos së muajit janar.
Kampionët e Francës transferuan ish-sulmuesin e Realit të Madridit Jese, por paraqitjet e spanjollit nuk e kanë kënaqur trajnerin Unai Emeri. E njëjta gjë vlen edhe për Ben Arfa, i cili nuk po arrin të gjëjë hapësira në formacion. Nisur nga kjo tekniku i kampionëve të Francës, kërkon të shfrytëzojë konfliktin mes Ikardit dhe tifozëve të Interit. Ende nuk mund të flitet për shifra konkrete, por interesimi qëndron dhe nëse situata në kampin zikaltër vazhdon të jetë e tensionuar, në Francë e shohin këtë transferim mëse të mundshëm.
“Pep Guardiola mund të bëhet trajner i Katalunjës jo i Spanjës”
Pasi provoi aventurën në Gjermani dhe tashmë po shijon ermocionet e Premier League-s angleze, Pep Guardiola nuk do të kthehet te Barcelona, skuadra që e promovoi fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner. Babai i tij, Valenti Guardiola analizoi të ardhmen e trajnerit, duke deklaruar për radion “Cadena Ser”, se Pep nuk do të kthehet në “Camp Nou”, as si trajner dhe as si president i klubit “blaugrana”.
“Për çfarë do të kthehej te Barcelona, për të mbledhur topa? Nuk e shoh në të ardhmen si president i klubit, ndërsa në rolin e trajnerit e kreu ciklin e tij në skuadër”, deklaroi babai i teknikut. Sipas tij është e pamundur edhe që Pep Guardiola të marrë drejtimin e kombëtares spanjolle, ndërsa e vetmja detyrë, e cila i ka mbetur pa marrë përsipër është në krye të stolit të përfaqësueses katalane.
Deklaratat janë dhënë vetëm pak orë përpara duelit të kësaj të mërkure në Champions, ku Guardiola do të kthehet në “Camp Nou” si kundërshtar, këtë herë në drejtim të Manchester City-t. Përpara dy vjetësh, kur punonte te Bayern Munchen, tekniku u eliminua pikërisht nga “blaugranat” në gjysmëfinalet e turneut.