Çdo lojtar i botës së futbollit, në momentin e parë që gabon për një ose 2 takime radhazi, mediat nuk ngurrojnë të vërshojnë lumë kritikash ndaj individit, i cili gabon. Një situatë e tillë po i ndodh gardianit të portës së bardhezinjve, i cili në dy takimet e fundit, njërin me kombëtaren italiane dhe tjetri në kampionat kundër Udineses, ka bërë paraqitje jo fort të mira, duke pësuar dy gola, që për një gjigant si Giggi nuk lejohen. Pavarësisht kësaj duket se kapiteni i Juventusit i ka marrë me sportivitet kritikat në drejtim të tij.
Madje, ai dhe i ironizon ato, duke u shprehur se shumë shpejt, personat që e kritikojnë atë nuk do të thonë të njëjtën gjë pas 1 jave. 38-vjeçari shkon edhe më tej, duke deklaruar me bindje të plotë, se nuk e sheh aspak të arsyeshme që ai të largohet nga futbolli, përkundrazi ai ka dhe 1 objektiv, të jetë në botërorin “Rusi 2018”.
Është ende larg, por duke parë rendimentin e numrit 1 të portës së bardhezinjve, një mision i tillë duket i mundshëm. Përpara pak ditësh Buffon mori çmimin “Golden Foot”, në nder të karrierës së tij dhe për këtë fakt kapiteni shprehet i nderuar dhe se çmime të tilla nuk e lodhin kurrë. Pas fjalëve, radhën e ka fusha e blertë, nga ku me siguri Giggi do të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të blindojë portën dhe të bëjë kritikët të heshtin.
Buffon ironizon kritikat
Veliaj mashtron edhe për vendin ku u gjet trupi i Arditit
Leonard OLLI
Mbrëmë (të hënën) në “Top Story”, Erion Veliaj, jo vetëm nuk mbajti asnjë përgjegjësi për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e tij korruptiv e kriminal, por mori në mbrojtje edhe partnerin në biznes, kryesocialistin peqinas, të shpallur në kërkim, por të mbrojtur nga Edi Rama, Edurim Teqja.
Veliaj vazhdon të mohojë vrasjen tragjike të 17-vjeçarit dhe kërkon t’ia hedhë përgjegjësinë aleatit LSI, që drejton Inspektoratin e Punës.
Por Prokuroria nxjerr blof kryetarin e Bashkisë së Tiranës, pasi në hetimet që ka bërë, rezulton se 17-vjeçari Ardit Gjoklaj është vrarë brenda kompanisë “3R” nga një fadromë që drejtohej nga një punonjës i kësaj firme.
“Nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasi Ardit Gjoklaj ishte punëtor sezonal në landfillin e Sharrës, i paregjistruar, por i punësuar nga firma ‘3R’ shpk, e cila është një firmë e nënkontraktuar dhe merret me përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij ishte i veshur me rrobat e punës. Ky shtetas kishte 1 muaj që kishte filluar punë”, shprehet organi i akuzës.
Veliaj vijon me mashtrimin e tij duke thënë se 17-vjeçari ka vdekur shumë larg territorit të kompanisë.
Por hetimet e Prokurorisë tregojnë të kundërtën:
“Kufoma është gjetur midis mbeturinave në një largësi 2.2 metra nga muri rrethues perëndimor dhe 5.5 metra nga shtylla e krahut veriperëndimor të këtij kapanoni”.
Veliaj mashtron sërish kur thotë se nuk ka ndërhyrë në ndalimin e reportazhit “Publicus” për çka ndodhi në Sharrë, pasi jo vetëm e ka ushtruar gjithë presonin që ai të mos transmetohej, por nëpëmjet kryetarit dhe këshilltarëve kamikazë të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, ai është konfirmuar si censurues në dhjetëra raste, edhe i fjalës së këshilltarëve të opozitës. Një shfaqje kjo e turpshme që i ka hequr çdo legjitimitet Këshillit Bashkiak Tiranë.
Refreni i tij prej pinoku se do të japë dorëheqjen e bën gjithmonë e më shumë qesharak në sytë e opinionit publik këtë mashtrues e falsifikues patologjik. Ne i bëjmë sërish apel Prokurorisë që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje dhe ngjarjet e tjera ku Veliaj është i implikuar drejtpërdrejt, pasi drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar.
Ulet kërkesa e individëve për të blerë shtëpi
Kërkesa e individëve për të blerë shtëpi u ul dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2016, pas një rritje dyshifrore në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë shihet se ritmet e kërkesës për të blerë një banesë me hua u ulën me 2.1%, një vit më parë ku tregues ishte 11.4%. Banka pohon se preferenca e individëve është zhvendosur dukshëm në kredinë konsumatore. Në tremujorin e tretë, interesi për të marrë këtë lloj huaje ka shënuar rritje me 36%, nga 27% që ishte në tremujorin e dytë dhe nga 26% që ishte në tremujorin parë. Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e konsumatorëve, vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015. Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga 60.9 që ishte në tremujorin e tretë. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të 2016 bëri të ditur se 35% e familjeve huamarrëse e kanë marrë kredinë për konsum. Banka intervistoi një kampionin rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% u përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale. Portofoli i kredisë për banesa ka shfaqur rritje mujore të qëndrueshme dhe norma vjetore e rritjes së tij ka shënuar nivelin 2.5%. Ecuria pozitive e këtij portofoli është ndihmuar nga promocionet e shumta të bankave në mbështetje të financimit të individëve për blerje banese. Në tremujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 5.2%, pas rritjes me 11.3% një tremujor më parë. indeksi i qirasë së banesave vijon të jetë me rënie edhe në tremujorin e tretë për të pestin tremujor radhazi.
Bankat private shtrëngojnë kredidhënien për biznesin
Bankat private kanë shtrënguar sërish kredidhënien për biznesin për shkak se perceptojnë një situatë të vështirë ekonomike, por edhe druhen nga rritja e kredive të këqija. Në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë raporton se standardet e kredisë janë shtrënguar veçanërisht për bizneset e mëdha, ato të cilat mbajnë peshën kryesore të investimeve në ekonomi. “Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike,” deklaroi BSH.
Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues. Ndërkohë, nëse për biznesin kredidhënia vazhdon të shtrëngohet, e kundërta ndodh me individët. Sipas BSH, në këtë segment bankat kanë qenë më dorëlëshuara dhe i kanë lehtësuar kushtet e kredidhënies. “Konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve” thuhet në njoftim
“Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznesin u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral,” – vëren Banka e Shqipërisë. Por faktori më shqetësues i vrojtimit lidhet me pritshmëritë negative për të ardhmen. “Një prirje e ngjashme (shtrënguese) pritet të vijojë edhe në tremujorin e katërt të vitit 2016 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” thuhet në vrojtim.
Kredia për ekonominë u rikthye në stanjacion gjatë muajit gusht, teksa rritja krahasuar me një vit më parë zbriti në vetëm 0.1 për qind. Të dhënat statistikore nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 550.5 miliardë lekë në gusht nga 549.9 që ishte në gushtin e një viti më parë.
Bllofi me amnistinë, biznesi i paguan se s’merr dot vërtetim, as apelimi nuk i anulon
Ndërsa bizneset prisnin që gjobat masive që u vunë nga sistemi në qershor të këtij viti të faleshin, tatimet po u kërkojnë që t’i paguajnë ato, përmes shkresave zyrtare që po u dërgohen atyre. Ka dhe subjekte që tashmë i kanë paguar gjobat, sepse nuk mund të bëjnë asnjë veprim për të nxjerrë ndonjë dokument që u duhet për arsye personale apo të mbarëvajtjes së biznesit.
I kontaktuar nga “Monitor”, Xhevdet Kacani, administrator i një subjekti, tha se kishte qenë i detyruar të paguante gjobën, për shkak se nuk merrte dot një vërtetim.
Kontabilistët kanë paraqitur pranë “Monitor” dokumentet e pagesës së gjobave dhe për subjekte të tjera, që për efekt të marrjes së vërtetimeve kanë paguar gjobat 10 mijë lekëshe apo dhe më shumë, kur kanë marrë disa gjoba.
Subjekteve nuk u ka ardhur në ndihmë as Apelimi Tatimor. Në një vendim të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, referuar kërkesës së një biznesi, i cili ka ankimuar gjobën në lidhje me dorëzimin e vonuar të ESIG 027, pasi i vetëpunësuari me regjistrimin në QKR është i regjistruar dhe në institucione të tjera thuhet se, “Pretendimet e tatimpaguesit nuk mund të merren në konsideratë, duke qenë se aktet ligjore dhe nënligjore nuk kanë parashikuar raste të tilla përjashtimore për mosdorëzimin në afat të formularit ESIG027”.
Konflikti
Në datën 22, shumë bizneseve u kanë dalë në sistem njoftimet për “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim i shkoi një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara më 2015-2016 dhe gjoba ishte për deklarim të vonuar të administratorit në sistemin e sigurimit. Kjo ndodhi pasi me përditësimin e sistemit e-tax u vu në funksion një aplikim për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (më 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive).
Ekspertët e tatimeve sqaruan se për gjobat e bizneseve të reja me të vetëpunësuar, gabimi ishte i sistemit, për ato ekzistuese me të punësuar ishte faji i vetë kompanive.
Gjithsesi, në fillim të korrikut, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pohoi për mediat se do t’i propozonte Parlamentit që gjobat 10 mijë lekëshe për vonesë të deklaruar të administratorit të faleshin dhe të fshihen nga sistemi. “Por dua të theksoj se kjo është hera e fundit që qeveria do të propozojë një masë të tillë, sepse disiplina fiskale është në favor të qytetarëve”, ka thënë në atë kohë Ahmetaj, ndërsa pohoi se gjenerimi i gjobave nga sistemi ishte në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale.
Por bizneset sot ndihen të “tradhtuar”. “Si mund të bëhet deklaratë që do të falen dhe pastaj në përgjigjen e Apelit thuhet që jo referohu ligjit……. Ku e çon përgjegjësinë e fjalëve që deklaroi në media që do të falen?”, thotë një kontabiliste.
Shkresa e tatimeve
Shumë subjekte kanë marrë ditët e fundit një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara. Por, ajo që ka çorientuar bizneset është fakti që në totalin e tyre përfshihen dhe gjobat të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat ministri i Financave deklaroi se do të ishin objekt i faljes. Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit. Kjo pasi sistemi i ri e-tax, që u vu në funksion nga tatimet nga janari 2015, përditësohet vazhdimisht. Veprimi më i fundit ishte vënia në funksion e një aplikimi për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (më 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive). Kjo gjobitje masive shkaktoi zemërim te biznesi, disa prej të cilëve pohuan se kishin marrë gjoba përpara se të merrnin NIPT-et. Ekspertët e tatimeve pohuan në atë kohë se për gjobat e bizneseve të reja me të vetëpunësuar, gabimi ishte i sistemit, për ato ekzistuese me të punësuar ishte faji i vetë kompanive. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë. “Dua të sqaroj drejtpërsëdrejti që gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikmëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim dita-ditës në territorin fiskal. Pra, dua të sqaroj të gjithë qytetarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo një keqpërdroim të ligjit, por ka të bëjë me një zbatim të drejtpërdrejtë dhe rigoroz të ligjit. Janë vendosur gjoba nga sistemi në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve të tjera për mosdeklarim të punonjësve dhe të vetëpunësuarve”, tha Ahmetaj. Tashmë që bizneseve u ka shkuar nga sektori i mbledhjes së borxhit shkresa që i paralajmëron se, nëse nuk paguajnë, ata do të jenë subjekt i procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve, ata janë të çoroditur për seriozitetin e mesazheve që u jepen nga administrata tatimore dhe ministri i Financave. Për më tepër, që mbetet ende në diskutim plani për një amnisti fiskale, që parashikon, ndër të tjera, edhe faljen e gjobave. Të kontaktuar nga ‘Monitor’ lidhur me shkresën e fundit të tatimeve, që u është dërguar bizneseve nga 6 tetori, burime nga Drejtoria e Tatimeve na thanë të drejtoheshim në Ministrinë e Financave, ndërsa kjo e fundit nuk dha komente.
Çfarë fshihet pas vrasjes së kapos së huliganëve në Beograd?
Në Ballkan ne jemi mësuar me ekzekutimet e stilit mafioz në rrugë, me luftëra të përgjakshme bandash dhe pa reagimin e duhur të policisë. Të enjten e shkuar, më 14 tetor, Aleksandër Stankoviç, me nofkën “Sale ‘Memeci’” u vra nga dy persona pasi mbaroi stërvitjen ditore në palestër.
Ai u rrëmbye nga makina e tij luksoze “Audi 8” bashkë me truprojën, që punonte gjithashtu në Ministrinë serbe të Drejtësisë.
Në mënyrë simbolike “Memeci” u vra pranë burgut në Beograd ku kaloi ca kohë në të shkuarën, pasi u akuzua për trafikim dhe posedim droge.
Stankoviç, 29 vjeç, ishte më i fundit nga seria e dhjetërave liderëve të grupeve tifoze të futbollit të vrarë në vitet e fundit në Serbi.
Ndryshe nga disa vrasje të tjera të stilit mafioz, kjo qartazi shqetësoi kreun e qeverisë. Ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç mbajti një konferencë të veçantë për median ku deklaroi emocionalisht se, shteti serb nuk do të lejojë ngjarje të tilla në rrugë dhe se shteti ishte në luftë me krimin e organizuar.
I njëjti mesazh erdhi nga Kryeministri Vuçiç, i cili vazhdimisht përsëriti se nuk do të kursehej asgjë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias. Vdekja e këtij ylli të ri dhe ambicioz të jetës së fshehtë kriminale serbe tërhoqi më tepër vëmendje sepse ai ishte i njohur si kryesori i mbështetësve të klubit të futbollit Partizan.
Ai ishte kreu i huliganëve që kontrollojnë anën jugore të stadiumit dhe kreu i grupit që në mënyrë jozyrtare drejton klubin.
Nëse duhen prova për këtë, gjatë fundjavës menaxherët e klubit publikuan një nekrologji, ndërsa në ndeshjet e luajtura në fundjavë, skuadrat e futbollit dhe basketbollit të Partizanit veshën bluza me foton e Stankoviç në to me mesazhin “Mbaj mend gjithçka” (një varg nga një këngë që tifozët këndojnë në stadium).
Askush nga Partizani nuk donte të shpjegonte se kush i urdhëroi lojtarët të vishnin bluzat me fytyrën e Stankoviç, por mesazhi ishte i qartë. Edhe një herë, u tregua rëndësia dhe ndikimi i grupeve huligane të organizuara.
Ndikimi i tyre gjendet pjesërisht te lidhjet e tyre me ata në pushtet në Serbi.
Është e ditur se anëtarët e partisë qeverisëse bashkë me huliganët drejtojnë klubet më të mëdha sportive në Serbi.
Vëllai i Kryeministrit Vuçiç, Andrej, ishte anëtar i presidencës së klubit të basketbollit Ylli i Kuq deri në qershor 2014.
Presidenti i Lidhjes Serbe të Futbollit, Slavisa Kokeza, që ishte gjithashtu në bordin drejtues të klubit të futbollit Ylli i Kuq deri në gusht 2015, është një anëtar me rëndësi në Partinë Progresive serbe të Vuçiç.
Novak Nediç, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë, ishte për pak kohë në bordin menaxhues të klubit të futbollit të Partizanit, ndërsa babai i tij, Vojislav po ashtu anëtar i Partisë Progresive, ishte gjithashtu anëtar i klubit.
Këtë pranverë Stankoviç ishte një nga tre burrat që morën pjesë në një sulm brutal mbi truprojat e presidentit të klubit të futbollit të Partizanit në hyrje të stadiumit.
Ai nuk u ndoq penalisht. Duke komentuar për incidentin, Vuçiç tha se nuk kishte arsye për ta vënë pas hekurave Stankoviç, pasi ai nuk goditi askënd.
Ndërsa lidhjet me Vuçiç dhe liderëve të grupeve tifoze të llojit huligan janë të njohura, nuk ka pasur kurrë një debat siç duhet për këtë.
Vuçiç ka pranuar disa herë se në rini ai ishte pjesë e mbështetësve ekstremë të klubit të futbollit Ylli i Kuq dhe raportimet e medias kanë thënë se ai ka mbajtur takime me liderët e këtyre grupeve që nga marrja e pushtetit në vitin 2012.
Ish-presidenti i Partizanit, trajneri i basketbollit, Dusko Vujoseviç, tha se vizita e parë e Vuçiç në Partizan më 2012 mori formën e takimit me liderët e grupeve huligane, jo me menaxhimin real të klubit.
Vuçiç është njohur si dikush që mund të reformojë klubet më të mëdha sportive në Serbi në kuptimin e përjashtimit të kriminelëve nga drejtimi, duke prezantuar një strukturë të duhur organizimi dhe duke ripërcaktuar pozicionin e grupeve të mbështetësve.
Kjo duhet të hapë rrugën për privatizimin e ardhshëm të klubeve, të cilat aktualisht veprojnë si OJQ, duke marrë donacione të mëdha nga ndërmarrjet publike, nuk paguajnë asnjë taksë dhe nuk kanë pronësi transparente.
Megjithatë, asgjë nuk ka ndodhur, përveçse njerëzit e afërt me Vuçiç kanë marrë pozicione kyçe në klube dhe persona të rinj kanë marrë kontrollin mbi grupet huligane.
Stankoviç ishte njeriu i ri i anës jugore të stadiumit të Partizanit, ku udhëhiqte një grup të ri të quajtur “Janicari” (jeniçerët).
Autoriteti i tij u ndërtua mbi lidhjet e dyshimta të organizatave kriminale dhe politike. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij rrëzuan udhëheqësit e mëparshëm nga grupi Alcatraz në vitin 2013 dhe u bë më i afërt me bosët e klubit me lidhje të afërta me Vuçiç.
Para karrierës së tij si mbështetës i Partizan FC, Stankoviç ishte një nga udhëheqësit më të vegjël të tifozëve ekstremë të Yllit të Kuq FC, ndaj shumë burime nga zyra e policisë dhe Prokuroria i shohin këto grupe jo si të lidhur me sportin, por si grupe të organizuara kriminale, që gëzojnë mbështetjen e heshtur të politikanëve të fuqishëm.
Kjo është me siguri arsyeja pse ministri i Brendshëm dhe Kryeministri deklaruan se një vijë e kuqe ishte shkelur në këtë rast dhe thanë se shteti dhe institucionet e tij nuk do të lejojnë grupet e mafias nga Mali i Zi të vrasin njerëz në Serbi.
As Stefanoviç dhe as Vuçiç nuk e përmendën të shkuarën e vërtetë të Stankoviç; dukej pothuajse sikur të ishte vrarë një pjesëtar i policisë ose diçka e tillë, jo sikur të ishte një kriminel i dënuar që e shmangu burgun vetëm në sajë të një vendimi të Gjykatës së Apelit në vitin 2013.
Njëkohësisht, publiku është ndarë mes atyre që qëndrojnë të heshtur për shkak se nuk është gjë e sigurt të fliten gjëra të tilla në publik dhe një pakice që ia vënë fajin Stefanoviç, Vuçiç dhe kryesisë së klubit, duke thënë se duhet të distancohen nga ata që nuk janë mbështetës të vërtetë dhe se shteti duhet më në fund të arrestojë dhe të ndjekë penalisht të gjithë udhëheqësit e grupit huligan.
Kjo nuk ka për të ndodhur, kryesisht sepse është mirë të kesh grupe që operojnë si banda kriminale në anën tënde. Por gjithashtu siç e ka thënë ish-kryetari i qeverisë Ivica Daçiç dikur: askush nuk do të dëgjojë tifozët të thërrasin kundër teje në stadium.
Opozita malazeze nuk pranon rezultatin zgjedhor
Vendimi për mospranimin e rezultatit erdhi pasi nga adresa të ndryshme ndërkombëtare, nga Washingtoni, NATO dhe BE-ja është bërë thirrje për krijimin e qeverisë dhe vazhdimin e reformave.
Nuk ka patur, ende, asnjë reagim në vendimin e opozitës për të mos pranuar rezultatet zgjedhore të ditës së diel.
Fronti Demokratik Kljuc (Çelësi), demokratët dhe Partia Socialdemokrate kanë marrë vendimin njëzëri që të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve paralamentare që u mbajtën të dielën.
Krerët e të katër partive, që kanë marrë gjithsej 39 vende në Parlament nga 81, kanë konstatuar se nuk mund të pranojnë rezultatet zgjedhore, që u mbajtën në ditën “kur ka pasur përpjekje për grusht shtet, sepse kjo nuk lidhet me deklarimin e lirë dhe demokratik të qytetarëve dhe ka ndikuar në rezultatin përfundimtar”.
Dritan Abazoviç nga koalicioni i madh Kljuc, thotë se kjo nuk është arsyeja e vetme se pse është bashkuar opozita në vendimin e saj për të kundërshtuar rezultatin e, siç thotë, zgjedhjeve më të parregullta në 10 vjetët e fundit:
Po, për dallim nga opozita malazeze, bashkësia ndërkombëtare ka ardhur në përfundim të përgjithshëm se zgjedhjet në Mal të Zi “kanë qenë demokratike dhe janë zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe të rregullt”.
Delegacioni i vëzhguesve të OSBE-së nuk ka vënë në pikëpyetje rregullsinë e zgjedhjeve, ndërkohë që përmes deklaratave për shtyp Departamenti amerikan i Shtetit, NATO dhe BE kanë thënë se qytetarët malazezë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale “kanë votuar qetë dhe në rregull, brenda kornizës ligjore të reformuar”.
Zgjedhjet në Mal të Zi janë mbajtur të dielën me pjesëmarrjen e më shumë se 73 për qind të trupit votues. Partia e Kryeministrit Millo Gjukanoviç ka marrë shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për ta qeverisur vendin vetë. Zgjedhjet janë parë si jetike për vendin në udhëkryqin ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.
Një natë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, policia malazeze ka arrestuar 20 shtetas të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Malit të Zi, ka caktuar të hënën, masën e paraburgimit prej 72 orësh për 14 nga 20 personat, shtetas të Serbisë, të arrestuar në Podgoricë, me dyshimin se, siç thuhet, “kanë planifikuar sulme mbi institucionet malazeze, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore”. Gjashtë nga të arrestuarit ditën e shtunë, pas marrjes në pyetje janë liruar, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Andrijana Razhnatoviç.
Mziu inspekton punimet e reja në rrugën “Liria” dhe rrjetin e KUN në Paskuqan
Bashkia Kamëz, e vendosur për të bërë të pamundurën për më shumë investime
Pavarësisht vetos qeveritare për mosfinancim projektesh bashkia Kamëz vazhdon të financojë projekte në infrastrukturë më të ardhurat e veta duke mbajtur kështu dhe premtimet ndaj qytetarëve. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, ka inspektuar punimet që po kryhen në rrugën “Liria”, një investim me fondet e Bashkisë. Aktualisht, në këtë segment të rëndësishëm rrugor po hidhen shtresat e asfaltit. Kështu, po vijon puna për ndërtimin e kësaj rruge, e cila do të ketë standarde bashkëkohore. Ky është një investim i rëndësishëm, me fondet e Bashkisë Kamëz, i cili po realizohet në rrugën “Liria”, duke nisur te kryqëzimi i shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton”, lagjja Frutikulturë, me një gjatësi prej 980 ml.
Ky segment rrugor ka një infrastrukturë të ndërthurur me përmbajtje të të gjitha elementeve të infrastrukturës rrugore të domosdoshme për çdo subjekt apo familje. Investim shënon hapat e para të saj siç janë hapja e kanaleve për shtrimin e ujërave të bardha dhe të zeza me ndarje të veçanta, me tubacione të përshtatshme për funksionin si dhe vendosja e ndërsjellët me sistemin e tubacionit të ujit të pijshëm të marrë në investim nga KfË, e cila po bashkërendon punën me firmën zbatuese të këtij projekti duke harmonizuar zërat e punimeve për të qenë në sinkron me investimet.
Baza e rrugës është 16 ml, ku nga kjo bazë tërësore nga 2.5 metra në të dy krahët e rrugës do të vendosen trotuare me gjerësi 2.5ml. Gjerësia e asfaltit do të jetë 10 ml dhe shoqëruar me kunetë. Ky segment do të jetë i ndriçuar si dhe i gjelbëruar në të gjithë gjatësinë e investimit. Në këtë investim janë përfitues me qindra familje të lagjes Frutikulturë, Zall-Mner si dhe banorë të lagjeve afër me të. Investimi kap një vlerë të konsiderueshme financiare, e gjitha e financuar nga buxheti i Bashkisë Kamëz.
Bashkia Kamëz po vijon me realizmin e investimeve publike edhe në zonën e Paskuqanit. Konkretisht, bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Rugova” në lagjen Paskuqan 1. Duke qenë se qeveria nuk ka akorduar asnjë qindarkë për investime në Kamëz e Paskuqan për tri vite, është Bashkia, e cila me të ardhurat e veta ka marrë përsipër që t’u përgjigjet nevojave dhe shqetësimeve të qytetarëve të këtyre zonave. Një nga këto investime edhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimi i rrugës “Ibrahim Rugova” në lagjen Paskuqan 1. Ky investim, i cili është pjesë e buxhetit të vitit 2016 të Bashkisë Kamëz, ka gjatësi L=298 ml. Ndërkaq, për kanalizimet do të përdoren tuba betoni Ø 1500.
Rruga “Ibrahim Rugova” lidhet me rrugën “Demokracia”, si dhe kufizohet me shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Nga ky investim do të përfitojnë rreth qindra familje dhe mijëra banorë. Ky investim do të shmangë përmbytjet që kanë ndodhur herë pas here në këtë zonë. Prandaj, realizimi i këtij projekti merr një rëndësi të veçantë, pasi ndodhet në një pikë kyçe, ku kalojnë fëmijët për të shkuar te shkolla, lidhet me një rrugë kryesore, siç është “Demokracia”, pa harruar se i jep zgjidhje edhe problemit të kanalizimeve, një shqetësim i familjeve që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Duke marrë në konsideratë kërkesat e këtyre banorëve, gjendjen emergjente të krijuar, lidhjen e kësaj rruge me rrugën kryesore “Demokracia”, Bashkia Kamëz ka përfshirë në investimet e vitit 2016 edhe projektin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve dhe të rrugës “Ibrahim Rugova”. Ashtu siç u tha edhe më lart, impakti social pozitiv që do të sjellë realizimi i këtij investimi do të jetë i jashtëzakonshëm, pasi do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e zonës.
Mafia e vërtetë që po rilind
Kastriot ISLAMI
Mafia e përfshin krimin e organizuar kurse e kundërta s’është e vërtetë. Korrupsioni në vëndet me sisteme demokratike hibride apo autoritare ka pjellë krimin e organizuar. Në të gjithë vendet ish-komuniste, vecanërisht ato ballkanike dhe më konkretisht në Shqipëri, korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanë qënë dy cështjet që janë stigmatizuar pothuajse në të gjithë raportet ndërkombëtare përgjatë këtyre 25 vjetëve. Po kështu këtyre dy dukurive i janë mbivendosur edhe trafiqet, e qënieve njerzore, e lëndëve narkotike, e tjerë dhe së fundmi edhe si lehtësues të emigracionit ndërkombëtar.
****
Asnjëherë deri më sot, pavarësisht në formën e retorikës politike, s’do të mund të flitej për mafie në kuptimin e vërtetë. Ndryshe nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet që janë pak apo shumë të lidhura apo në bashkëpunim me politikën, herë më shumë e herë më pak, në disa raste e lidhur me politikanë të nivelit të lartë e në disa raste të tjera me zyrtarë të lartë, apo herë duke qënë e luftuar nga drejtuesit e lartë të shtetit e herë duke qënë e toleruar apo bashkëpunuese, mafia është gjithnjë e në cdo rast në luftë me politikën sepse mafia ka pushtetin e saj, organizimin e saj, rregullat e saj, dhe juridiksionin e saj territorial e lëndor që kërkon të zotërojë madje edhe përballë shtetit. Prandaj sa herë shteti tenton të rrezikojë pushtetin, organizimin apo juridiksionin e saj, ajo hidhet ne veprim.
****
Veprimet e dukshme të mafias janë të ngjashme me ato të shtetit, janë gjithnjë rezultat i vendimeve të kupolës së saj, kundër shtetit, më konkretisht kundër policëve, kundër prokurorëve, kundër gjykatësve deri edhe kundër politikanëve, biznesmenëve apo gazetarëve që prekin ekzistencën e tyre. Prandaj në vëndet ku mafia e vërtetë ekzisoton ka vrasje të organizuara të politikanëvë, policëve, prokurorëve, gjyqtarëve. Sulme ndaj policëve, prokurorëve, gjykatësve apo politikanëve mund të ndodhin edhe nga bartësit e korrupsionit, krimit të organizuar apo trafiqeve, por ato nuk janë rezultat i vendimeve për shkak të prekjes së juridiksionit por janë më shumë rezultat i përplasjeve të rastësishme, janë spontane dhe në ndonjë rast janë si rezultat i reagimet të tyre mbrojtës ndaj veprimit të shtetit.
****
Në Shqipëri, me ardhjen në pushtet të Rilindjes, kur individët me rekorde kriminale dhe trafikanët veshën kostum politik dhe qeverisja rezervoi poste lukrative për përfaqësuesit e tyre në qeverisjen e vëndit apo administratën publike, u krijuan në këtë mënyrë kushtet për organizimin e tyre në formën e mafias së vërtetë. Ata kanë një lidhje pengmarrjeje reciproke me Ramën por ende s’kanë organizimin e tyre dhe juridiksionin territorial. Herë duket sikur ata kanë nevojë për ramën dhe herë duket sikur Rama ka nevojë për ta, madje disa prejt tyre Rama i mban më afër dhe disa të tjerë i margjinalizuar. Ata prej kohësh po mengojnë për të organizuar “pushtetin e tyre” pra mezi po presin që për shkak të nevojës që Rama ka për ta, ata të ndërtojnë sistemin e tyre të Mafias së Vërtetë.
****
Kultivimi i kanabisit i ka dhënë të gjithë këtij kontigjenti mundësinë e kapjes së “juridiksionit territorial” përvec “juridiksionit lëndor” që tashmë e kanë pasë zotëruar. E thënë ndryshe apo më thjesht, më zotërimin e “juridiksionit territorial” u plotësua kushti i fundit për të gjeneruar mafian e vërtetë në Shqipëri. Ata po presin zgjedhjet e ardhshme që ky projekt të marrë jetë. Dhe nëse nuk do të ketë kundërveprim qytetar dhe/ose veprim ndërkombëtar kjo duket si një ngjarje e sigurtë.
****
Nëse kjo amalgamë do të “përdoret” nga Rama në zgjedhjet e ardhshme për të realizuar synimin e tij personal të ruajtjes me cdo kusht e cmim të pushtetit të kryeministrit, sic duken gjasat, atëherë pas zgjedhjeve të ardhshme ato do të zotërojnë edhe pushtetin politik (sigurisht në një proporcion më të lartë se aktualisht sepse Ramës për të siguruar jo më pak se deputetë se në 2013 do ti duhen më shumë individë të tillë), edhe juridiksionin lëndor-territorial, që nis me territorin e kultivimit të kanabisit (një farë “republike” ku kandiati i Ramës, individi me rekorde kriminale, apo i forti, apo oligarku kanë të siguruara edhe votat, edhe financat, edhe “policinë e ushtrinë e kriminelëve”), e vijon me krimin e organizuar, trafiqet e deri evazioni fiskal apo gjobëvëniet ndaj bizneseve. Mënjeherë pas zgjedhjeve drejtuesit e këtyre “republikave” apo ndryshe embrionet e mafias së vërtetë, pasi kanë siguruar pozicionin politik të deputetit, nuk do të bëjnë gabimin e pas 2013 që të jenë peng të Ramës por do të bashkohen me njëri tjetrin për të realizuar “masën kritike king-maker” që të kontrollojnë formimin e qeverisë, emrat e ministrave madje shumë shpejt edhe emrin e kryeministrit apo deri edhe emërimet në administratën publike e sistemin gjyqsor.
****
Me veprimet e tij Rama është në këtë rrugë, qoftë edhe sikur ndokush të arsyetojë se kjo do të ishte kundër qëllimeve apo dëshirës së tij. Kjo dukuri është e pashmangshme jo vetëm nëse Rama e ndërton atë me ndërgjegje por edhe nëse Ai rezulton i verbuar nga synimi për të ruajtur me cdo kusht e cmim karriken e kryeministrit, gjë që duket sheshit dhe me shumë gjasa do të përforcohet edhe për shkak të frikës së largimit nga pushteti. Nëse Rama do të përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë një numër më të madh individësh me rekorde kriminale apo përfaqsues direkt të tyre (kukullat apo maskat e tyre, testim që u bë në Dibër) dhe oligarkë që dinë vetëm të blejnë votat e manipulojnë zgjedhjet, dhe nëse atyre do tu vërë në dispozicion mekanizmin e kultivimit të kanabisit si një mekanizëm elektoral për fitimin e zgjedhjeve, ai në këtë mënyrë do të cojë në prodhimin e embrionit të mafias së vërtetë që do të lindë menjëherë pas zgjedhjeve ku fitorja do të sigurohej përmes blerjes së votës, kërcënimit te votuesve apo joshjes së tyre me “frutet” e kanabisit.
****
Nëse qytetarët nuk do të reagojnë masivisht dhe nëse perëndimi apo më saktë partnerët do të heshtin e s’do të veprojnë energjikisht për të frenuar apo crrënjosur këtë dukuri para zgjedhjeve të ardhshme, atëhere gjasat janë që pas zgjedhjeve të ardhshme, mafia e vërtetë të fillojë të kontrollojë qeverinë dhe shumë shpejt ta vëndosë shtetin përballë kërkesës: ose më dorëzo pushtetin ose jemi në luftë. Kjo do të ishte mafia në kuptimin e vërtetë të fjalës, një pushtet kriminal, politik e financiar që zotëron juridiksion territorial krahas atij lëndor. Dhe që do të ishte në konflikit të hapur me shtetin pra cilindo qeveri të ardhshme nëse shteti apo qeveria do të refuzonin ti realizonin të gjithë kërkesat deri në kontrollin e konsiderueshëm e deri të plotë mbi shtetin.
“Syri.net”
Fustani 2 mijë euro i Ajolës dhe vdekja për 100 euro e Arditit
Një fustan i Ajolës kushton 2 mijë euro, ndërsa Arditi vdiq në landfillin e Sharrës pa marrë dot pagën prej 100 euro nga bashkëshorti i Ajolës. Tragjedia e realitetit ku jetojmë. Taksapaguesit paguajnë, qeveritarët vjedhin. Bashkëshortet e pushtetarëve jetojnë në luksin e grabitjeve, ndërsa viktima të këtij realiteti janë të pafajshmit, fëmijë si në rastin e Ardit Gjoklajt, i cili humbi jetën për të siguruar pagesën për librat e shkollës.
Tre ditë më parë, Ajola Xoxe, publikoi foton e një fustani të saj në rrjetin social Facebook. Ajo thoshte se fustani ishte një dhuratë e bërë nga duart e arta të gjyshes së saj, e cila i kishte qëndisur edhe një trëndafil në njërin krah të fustanit. E vërteta ishte ndryshe. Fustani ishte i firmës së njohur të modës, “”Dolce & Gabbana”. Vlera e saj kushtonte jo pak, por plot 1985 euro. Cila është puna që bën Ajola? Cila është vlera e pasurisë së saj që i lejon vetes një luks të tillë? Ajola është bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky është statusi i saj dhe ky status e bën që t’i lejojë vetes edhe fustanë që kushtojnë deri në 2 mijë euro. Një luks të cilin do ta kishin zili edhe biznesmenët më të pasur sot kudo në Europë që qarkullojnë me miliona euro pasuri.
Zonja Xoxe i dëshmoi opinionit një mashtrim të madh të një familje të gënjeshtërt. Fustani nuk është i pari dhe as i fundit në radhën e mashtrimeve të çiftit Veliaj. Dasma e organizuar në Kalanë e Gjirokastrës e çiftit ishte një tjetër shembull i arrogancës së hajdutëve të veshur me pushtet. Një dasëm në të cilën u shpenzuan disa qindra mijëra euro për luksin e shfrenuar. Ku i mori paratë për atë dasëm. Veliaj atëherë dha një tjetër mashtrim, “dasmën e kishte bërë me kursimet e mamasë”.
Notojnë në luksin e parave që për çdo ditë i grabisin shqiptarëve, duke shijuar korrupsionin politik. Më pas, bëhen arrogantë, sepse partia-shtet ka nënshtruar të gjitha institucionet dhe ata kanë fituar imunitet edhe nga hetimet dhe drejtësia. Është po ky Kryebashkiak, i cili sa herë i del një skandal në media nxiton të pastrojë fytyrën e pistë të korrupsionit, duke takuar fëmijë apo nxënës shkollash. Hipokrizi dhe shtrirje deri në neveri. Këtë bëri edhe një ditë, pasi mediat dhanë lajmin e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në impiantin e plehrave në Sharrë. Shkoi dhe pozoi me fëmijë që i mbajti në krah si për të na treguar se vrasësi i Sharrës kërkon të shfaqet si një ëngjëll i mbrojtjes së fëmijëve. Këtë bëri edhe dy ditë më parë kur pas skandalit me mashtrimin me fustanin e Ajolës u shfaq sërish në karh të fëmijëve.